Shkrimtarja Elif Shafak: Në Turqi demokracia ka bërë hapa prapa

Intervistë e shkrimtares turke Elif Shafak në janar 2017.

Elif Shafak, shkrimtarja më e shitur në Turqi, autore e librit më të fundit “Tre bijat e Evës”, është një grua me një finesë të madhe mendore, dhe di të përziejë politikën me kulturën, shoqërinë me ekonominë. Por këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisë më shumë.
“Jam thellësisht e tronditur, e trishtuar. Nuk kam fjetur fare. Njerëz të pafajshëm që festonin ardhjen e Vitit të Ri, u sulmuan, masakruan në mënyrë të pamëshirshme në klubin e natës Reina. Një akt i tmerrshëm mizorie, kryer me gjakftohtësi. Viti 2016 ishte një vit i tmerrshëm për Turqinë”.

Reina i Stambollit si Bataclani i Parisit: ngjashmëria është e menjëhershme. Elif Sharak, shkrimtarja më e shitur në Turqi, autore e librit më të fundit “Tre bijat e Evës”, është një grua me një finesë të madhe mendore, dhe di të përziejë politikën me kulturën, shoqërinë me ekonominë. Por këtë herë, toni i zërit të saj ka një krisë më shumë.

Përse nuk kalon një javë pa një atentat terrorist në Turqi?

Nga një pikëpamje gjeopolitike, Turqia është bërë për Shtetin Islamik, fronti i ri. Lufta në Siri ndikon drejtpërdrejtë, sidomos që kur jemi përfshirë në konflikte rajonale. Ndajmë me Sirinë 500 milje vijë kufitare, një kufi tashmë i pasigurtë. Për shumë kohë u është dhënë e drejtë kalimi, shumë grupeve sirianë. Më pas nisën të godasin qytetarët turq, t’i rekrutojnë. Në të kaluarën, atdheu im ishte porta, ura kulturore mes Lindjes së Mesme dhe Europës. Sot nuk është më. Jemi një shoqëri në depresion, e tronditur, e traumatizuar.

Presidenti Erdogan flet për “kaos që dikush po e krijon për të shkatërruar Turqinë”. Ju a nuk mendoni se polarizimi i skajshëm i pozicioneve, përjashtimi i forcave demokratike dhe ndryshimi i vazhdueshëm i aleancave të jashtme (me Rusinë, Izraelin, frontin shiit, Europën, SHBA) kanë bërë që Turqia të precipitojë në një vend të paqëndrueshëm, ku të mund të krijohet kaosi?

Në Turqi, elitat në pushtet flasin gjithmonë për “armiq të jashtëm” dhe për “lobe ndërkombëtarë”. Thonë se Turqia është kaq e madhe, saqë armiqtë e jashtëm janë xhelozë dhe duan të na shkatërrojnë. Ka paranojë, mosbesim kundrejt Perëndimit.

Edhe këtë herë?

Këtë herë duhet të pushojmë së parë “fajtorët perëndimorë” dhe të përqëndrohemi tek “demokracia jonë e brendshme”. Prej shumë kohësh vendi është i polarizuar. Qeveria e udhëhequr nga partia konservatore u zgjua me vonesë për të kuptuar se grupet islamike fondamentaliste, në anën tjetër të kufirit, do të mund të na godisnin një ditë. Nuk e kuptoi atëherë kur duhej këtë rrezik.

E megjithatë, deri pak kohë më parë, Turqia ishte një vend në zhvillim të plotë, edhe ekonomik. Për çfarë ka nevojë?

Kur isha fëmijë, në Ankara, dhe përgjatë gjithë rinisë sime në Stamboll, Turqia ishte një vend i ndryshëm. Festimi i Vitit të Ri ishte normale. Njerëzit bënin blerje, blinin arra dhe fruta, shihnin këngëtarë dhe aktorë të famshëm në televizion, në mesnatë përqafoheshim të lumtur. Kjo ndodhte. Tani nuk ndodh më.

Po çfarë ndodh?

Grupet islamike shpërndajnë fletëpalosje në rrugë, ku u bëjnë thirrje myslimanëve të mos festojnë Krishtlindjen. Dhe ministri për Punët Fetare shpall “ilegjitim” festimin e Vitit të Ri. Sa gabim! Nuk kanë të drejtë: njerëzit duhet të festojnë atë që duan. Por rritet presioni kulturor dhe politik mbi laikët, mbi stilin modern të jetesës.

Pak ditë më parë, u lirua pas katër muajsh burg shkrimtarja Asli Erdogan. Edhe linguistja Necmiye Alpay. Por u burgos gazetari investigativ Ahmet Sik. Për ata që përdorin fjalën e shkruar, të punojnë këtë është bërë gjithnjë e më e vështirë. Edhe ju shkrimtarët jeni larguar pothuaj të gjithë jashtë vendit…

Unë u kënaqa shumë kur Erdogan dhe Alpay u liruan nga burgu. Një kënaqësi e mbytur, sepse po atë ditë arrestuan Sikun. Dhe ai është një gazetar kurajoz, i hapur, një veteran që kërkon të vërtetën dhe tani duan ta heshtin. A e besoni nëse ju them se 143 gazetarë e kanë nisur 2017-ën prapa hekurave? Turqia është sot burgu më i madh i gazetarëve. Këtu fjalët nuk janë të lira. E di mirë çdo gazetar, shkrimtar apo intelektual. Dhe të flasësh e të shkruash bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ka një presion shumë të madh mbi intelektualët që kanë pozicione kritike. Në momentin që kritikon, mund të të etikojnë menjëherë si tradhëtar. Rezultati është që shumë shkrimtarë, e mbi të gjitha gazetarë, janë të frikësuar.

Çfarë duhet bërë?

Duhet mbështetur një demokraci e plotë pluraliste. Partia Demokratike e popujve, filokurde, dhe gazetarët e intelektualët turko-kurdë të burgosur duhet të lirohen të gjithë, menjëherë. Qeveria duhet të përdorë policinë e saj për të kërkuar terroristët (edhe të ISIS edhe të PKK), në vend që të arrestojë gazetarë, shkrimtarë, karikaturistë.

Nuk do të jetë e lehtë.

Sot Turqia është më e dobët sepse demokracia ka bërë hapa prapa. Si vend jemi ndarë mes atyre që duan Erdoganin dhe atyre që e urrejnë. Nuk ka më një kulturë bashkëjetese. Ose vlerash të përbashkëta.

Me Reinan, mos vallë terroristët deshën të godasin një simbol të laicitetit?

Zgjodhën një objektiv simbolik. Sulmojnë një stil jetese laik, perëndimor, kozmopolit. Një vend ku myslimanët dhe të krishterët, burra dhe gra, takohen, festojnë, pijnë së bashku. Nuk ka qenë një koincidencë. Fanatikët këtë synojnë: urrejtjen, frikën, ndarjen. / La Repubblica – www.bota.al

Milica, gruaja nga Sremska Mitrovica e vrarë në kohën e Holokaustit

Historia e Milica Popovic Kuhn është e dhimbshme.

Ajo ka lindur në Sremska Mitrovica, në vitin 1895. Sremska Mitrovica është pjesë e Vojvodinës në Serbi.
Milica Popovic ishte fëmija i katërt nga nëntë fëmijë sa kishin prindërit e saj të cilët ishin serb ortodoksë dhe pronarë të tokave në Kroaci, pjesë dikur e Jugosllavisë.

Në vitin 1922 ajo u martua me Milan Kuhn, një katolik serb, dhe u zhvendosën në Maqedoni ku Milan po punonte në projekte hidroelektrike. Ndërsa në vitin 1932 çifti së bashku me vajzën e tyre u kthyen për të jetuar në pjesën veriore të Jugosllavisë.

Ata jetonin në Zrenjanin në Vojvodinë, rreth viteve 1933-1934. Aty Milan ndërtonte projekte të cilat do e mbronin qytetin nga përmbysja kurse Milica organizonte festa dhe përgatiste ushqim, ajo po ashtu punoi në një dyqan për restaurimin e mobileve antike. Në vitin 1938 zhvendoset në Novi Sad, shkruan KultPlus.

Në mars të vitit 1941, dy ditë para se Jugosllavia të nënshkruante marrëveshjen e tradhtisë me Gjermaninë, oficerë të ushtrisë serbe e rrëzuan qeverinë jugosllave.

Më 6 prill Gjermania pushtoi Jugosllavinë. Katër ditë më vonë, fashistët kroatë erdhën në pushtet në Kroaci, duke përfshirë në Sremska Mitrovica, ku kjo familje jetonte atëherë. Qeveria e re targetoi si armiq serbët, hebrenjtë dhe ciganët. Pasi u miratuan ligjet anti-serbe, Milica u konvertua me forcë në katolicizëm dhe u rimartua me burrin e saj në një ceremoni katolike.

Më 3 shkurt 1942, Milica dhe burri i saj u vranë në Srem, nga fashistët kroatë. Ajo ishte 46 vjeçe. / KultPlus.com

Vajzë e vogël në Hiroshimë

Poezi nga poeti turk Nâzım Hikmet, përkthyer nga Faslli Haliti.

Vajzë e vogël në Hiroshimë
(bashkëvendëses sime)

Hapmani derën, jam unë…
trokas në derën e të gjitha shkallëve
por askush s’më sheh
sepse fëmijët e vdekur, askush s’arrin t’i shohë.

Jam nga Hiroshima dhe atje kam vdekur
shumë vite më parë. Shumë vite do të kalojnë.
Isha shtatë vjeçe, atëherë: edhe tani jam po aq,
sepse fëmijët e vdekur nuk bëhen të mëdhenj.

Kisha flokët të shndritshëm, zjarri m’i përzhiti,
Kisha sy të bukur, të kthjellët, zjarri m’i qelqoi.
Një grusht hi, kjo jam unë tani
sepse hirin pastaj e shpërndau era.

Hapmani derën; ju lutem, jo për mua
Sepse mua nuk më duhet më as bukë as oriz:
nuk kërkoj më as edhe sheqer:
një fëmije të djegur si një gjethe e thatë s’i duhet më.

Ju lutemi më vini një firmë këtu,
ju lutem ju njerëzve të gjithë botës;
firmosni, ju lutem, që zjarri të mos djegë fëmijët
dhe të mund të hanë gjithmonë sheqer.

Viti i Skënderbeut, ndahen 52 milion lekë për aktivitetet gjatë këtij viti

I shpallur si viti i Skënderbeut, 2018 do të shoqërohet me një sërë aktivitetesh në të gjitha fushat kushtuar heroit tonë kombëtar.

Për këtë arsye qeveria ka miratoi një fond prej 52 200 000 lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të aktiviteteve që do të realizohen në kuadër të vitit 2018, si “Viti Mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut”. Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave miratoi këtë shtesë fondi në buxhetin e vitit 2018 të Ministrisë së Kulturës. Nga ky fond, parashikohet që shuma prej 14 200 000 lekësh të shkojë në programin buxhetor “Trashëgimia kulturore dhe muzetë” në zërin “Shpenzime korrente”. Ndërsa në programin buxhetor “Art&kultura” kalon fondi prej 38 000 000 lekësh. Sipas vendimit të qeverisë, ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ndërkohë një komision i posaçëm do të ngrihet, për organizimin dhe promovimin e këtij viti ku përveç 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, spikasin edhe tre përvjetorë të tjerë, me rëndësi themelore për kombin shqiptar. Por padyshim në harkun e vitit që i lidh këta përvjetorë, ka edhe momente të tjera për të kujtuar e kremtuar, ngjarje e figura të historisë sonë kombëtare. Tri monedha të reja do të hidhen në treg nga Banka e Shqipërisë. Pak kohë më parë u mor vendimi për emetimin e një serie monedhash përkujtimore me tematikë “550 vjet in memoriam Gjergj-Kastrioti Skënderbeu (1468-2018)”. “Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.” thuhet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë. Kujtojmë se viti 2018, është shpallur nga qeveria si “Viti i Skënderbeut”, në nderim të 550 vjetorit i vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.

Në zbatim të vendimit të Komisionit Shtetëror për vitin mbarëkombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, Këshilli i Lartë i Arkivave ka miratuar modelet e dokumenteve administrative që përmbajnë logon, të detyrueshme për zbatim nga gjithë administrata shqiptare. Logoja dhe përmasat e saj janë miratuar nga Komisioni Shtetëror me vendimin nr.2, ndërkohë që KLA e ka integruar në dokumentet administrative për vitin 2018. Skënderbeu lindi në vitin 1403. I përkiste familjes së Kastriotëve. I ati ishte Gjon Kastrioti, udhëheqës i qyteteve më të mëdha të asaj kohe, Krujës dhe Mirditës dhe e ëma ishte Vojsava. Ai vdiq më 17 janar 1468 në Lezhë. / KultPlus.com

Gratë e Orkestrës së Mandolinave në Pejë, viti 1952 (FOTO)

KultPlus ju sjellë një fotografi të vjetër ku shihet Orkestra e Mandolinave, me anëtare femra, e formuar dhe udhëhequr nga Franjo Vacolini, Pejë, 1952.

Disa nga anëtaret e kësaj orkestre në këtë fotografi janë Gjejlon Bukleta, Gita Ciflaku, Nexhmije Krasniqi, Drita Rugova, Hasibe Syka, motrat Nagjije Luta dhe Samka Luta, Vilma Gashi, Zekije Budima, Sabernaz Bojku, Sytkije Turjaka, Saide Gashi, Qamile Sahatciu, Jezofina (mbiemri i pa njohur), Feride Gashi, Gjemile Kyqykrama, Atifet Malushaga, Vilma Antoni, Atije Dranqolli, Resmije Begolli dhe Bukurie Taraku.

Dirigjenti Franjo Vaculini kishte ardhur nga Çekosllovakia e atëhershme. Ai kishte filluar mësimin e teorisë së muzikës dhe fillimin e shkollës së parë muzikore me mësimin e instrumenteve frymore dhe të tjerave dhe luajtjen me nota, që në atë kohë ishte një risi.

Franjo Vaculini kishte qenë dirigjent i Orkestrës Shtetërore të Mbretit Zog kurse në Kosovë kisha ardhur si pasojë e internimit. Ai jo vetëm që formoi këtë orkestër por edhe Orkestrën Frymore të Meshkujve. Pas Franjo Vaculinit, orkestrën e ka udhëhequr Muhamet Belegu dhe më vonë Halit Kasapolli.

Peja në atë kohë, në vitet 1950 -1960 ka pasur disa lloje të orkestrave, si Orkestra frymore , Orkestra harkore, Xhaz orkestra, Orkestra e mandolinave dhe Orkestra popullore amatore. Këto të gjitha ishin në kuadër të shoqërisë kulturore “Përparimi”. / KultPlus.com

Nxënësit nga Kolegji ‘Mehmet Akif’ protestojnë në shesh

Nxënësit e Kolegjit “Mehmet Akif” kanë protestuar përsëri në sheshin “Zahir Pajaziti” në shenjë pakënaqësie për arrestimin e djeshëm të drejtuesve të këtij kolegji turk, dhe deportimit të tyre.

Ata marshuan drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në sheshin “Skënderbeu”.

Në pankartat e tyre shkruhej “Kolegët tanë janë të pafajshëm”, “Lironi kolegët tanë”, “Nuk do të dorëzohemi”, ndërsa brohoritnin “Ndalni bombat jo lapsat”.

Për gjashtë gylenistët, sot nga Qeveria konfirmuan se ata janë deportuar në Turqi, ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj ka shkarkuar drejtorin e AKI-së Driton Gashi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn. / KultPlus.com

Forcë e venitur

Poezi nga Bujar Meholli

Dikur ecje gjithë krenari, gjë s’të mungonte,
notoje në famë dhe pushtet,
s’e çaje kokën për njerëzit
që donin të të afroheshin.

I injoroje dhe bëheshe sikur asfare s’i dëgjoje…
Mbrëmjeve dilje për ta ngrënë darkën në restaurantet luksoze,
qejfi të bëhej kur kamarierët shihnin nga ti me drojë, e për ty
ishin në shërbim, njëzet e katër orë…

Nervat t’i ngrinin leckamanët kur në xhamat e sates zyrë,
kacavirreshin dhe prej teje ndihmë e çare kërkonin.
Bah!

Pikërisht atëherë ti rrufisje kafenë e mëngjesit,
dhe ta njomnin shpirtin tingujt e Shubertit.

Veçse, shëndeti i mallkuar lozi keqas me ty,
ta ligështoi trupin dhe t’i pështjelloi mendimet,
e tash s’je në gjendje të bësh më asgjë,
anipse një grup vashash derën ta kanë zënë.

Atyre s’iu bën fare për ty, të bëjnë lloj-lloj lajkash,
dhe kartën bankare ta kërkojnë,
por ti s’mund t’iu bësh gjë,
veç t’i aprovosh kërkesat e tyre,
pastaj t’i shash nëpër dhëmbë këto dhembje e sëmbime, që
shpirtin ngadalë po ta pakësojnë dhe drejt mbarimit
po ta çojnë!

Si e ndien veten, tani?
Kur e sheh se fjala s’po të shkon,
pushteti krejtësisht të ka lënë,
dhe tani je veç një shpend në kafaz, i zënë!

Prishtinë, mars 2018

Ibrahim Rugova në një fotografi të vjetër me artistët shqiptarë (FOTO)

Një fotografi e vjetër për të cilën kërkohen më shumë informacione, duket se i sjellë disa emra të njohur për shqiptarët.

Afër Ibrahim Rugovës – Presidentit Historik të Kosovës, janë artistët Adelina Ismaili, BB Poqi, Violeta Rexhepagiqi, Dukagjin Lipa dhe artistë të tjerë.

Fotografia është marrë nga Benet Kaçi, moderator i njohur dikur në Radio Televizionin e Kosovës, i cili edhe vetë është pjesë e fotografisë.

Në fotografi është edhe nëna e Adelina Ismailit, Genc Salihu e Sabri Fejzullahu, ndërsa ka shanse që fotografia daton që nga viti 1997. / KultPlus.com

Kroacia kërkon nga Serbia t`ia kthejë materialet arkivore

Duke u bazuar në Marrëveshjen për Vazhdimësi në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë, Kroacia po i kërkon materialet arkivore nga Serbia, të cilat i takojnë asaj.

Sipas burimeve në Ministrinë Kroate të Punëve të Jashtme dhe Kulturës, “këto materiale ishin marrë herë pas herë dhe pa bazë nga institucionet në Beograd” dhe Serbia është e detyruar ti kthejë ato në Kroaci, aty ku edhe duhet të jenë.

“Ky veprim i represionit politik u krye në mënyrë jashtëzakonisht jo profesionale, duke kompromentuar integritetin e fondeve arkivore të Kroacisë. Dhe në bazë të marrëveshjes kërkohet kthimi i njësive arkivore të cilat ishin formuar përmes punës së institucioneve të përbashkëta federale ( gjatë kohë së Jugosllavisë) dhe që i takojnë Kroacisë”, shkruan Total Croatia News.

Kroacia po kërkon që t’i ketë të gjitha materialet të cilat lidhen me territorin e saj duke mos marrë parasysh kohën se kur janë krijuar ato. Këto dokumente pasi që të kthehen është bërë e ditur se do të bëhen të qasshme për të gjithë publikun. Zyrtarë të Kroacisë thonë se Serbia duhet që të zbatojë marrëveshjen si shtet kandidat për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, shkruan KultPlus.

Në anën tjetër gazeta e përditshme serbe Večernje Novosti ka raportuar se përmes këtij veprimi Kroacia dëshiron që ti shfrytëzojë këto materiale që ta shtrembërojë të vërtetën.

Kjo marrëveshje ishte ratifikuar në vitin 2004 nga Parlamenti i Kroacisë dhe ishte nënshkruar edhe nga Serbia. / KultPlus.com

Shkarkohet prorektorja Teuta Pustina-Krasniqi

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim që ta shkarkojë nga posti i prorektores Teuta Pustina-Krasniqin.

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës thotë se në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 29. 03. 2018 diskutoi mbi situatën e krijuar pas deklaratave të prorektores për marrëdhënie me jashtë prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi lidhur me çështjen e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës.

Këshilli Drejtues distancohet nga deklaratat individuale të prorektores Pustina-Krasniqi, të cilat edhe pse sipas saj të paqëllimshme kanë zgjuar reagimin e segmenteve të shoqërisë civile dhe kërkesave për përgjegjësi nga Parlamenti Studentor i UP-së.

Këshilli Drejtues i UP-së thotë se mbetet i përkushtuar thellë në luftimin e të gjitha dukurive negative në UP duke zbatuar ligjin dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Në një situatë të tillë, Këshilli Drejtues i UP-së në suaza të përgjegjësive të veta statutare, respektivisht nenit 15 të Rregullores së punës së Këshillit Drejtues të UP-së, me votim të fshehtë vendosi për shkarkimin nga detyra të prorektores prof. ass. dr. Teuta Pustina-Krasniqi. Këshilli Drejtues shpreh vlerësimin e vet për punën e deritanishme të prof. Pustina-Krasniqi”, thuhet në komunikatë. / KultPlus.com

Drejtues të orkestrave nga Kosova, Bullgaria e Kanadaja diskutuan para fillimit të Festivalit DAM

Gili Hoxhaj

Festivali DAM dhe EUICC – Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, sot kanë organizuar diskutim me temën ‘Menaxhimi i orkestrës: A kemi nevojë për orkestra të financuara nga shteti?’

Para fillimit të diskutimit, Dardan Noka Selimaj – themelues dhe drejtor artistik i DAM Festivalit tregoi se ky edicion i DAM Festivalit do të sjellë një program të larmishëm dhe voluminoz i cili ka kërkuar shumë angazhim për ta kuruar në formatin që do të vijë këtë vit. Ai tha se ky festival do të mbledhë një numër të madh muzikantësh, gjë që nuk është arritur më parë.

“Në këtë edicion do të kemi diku mbi 300 muzikantë që do të parakalojnë në koncertet dhe ngjarjet e festivalit , kjo është një shifër që nuk e kemi arritur më parë dhe për këtë jemi shumë të gëzuar. Në mesin e tyre ka muzikantë që kanë karrierë të suksesshme”, u shpreh Selimaj, mbi DAM Festivalin që nisë sonte.

Në panelin e këtij diskutimi të ftuar ishin Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje, pastaj Paul McEwen – Drejtor i “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, Kanada si dhe Baki Jashari – Drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Për të treguar për funksionimin e orkestrave në Bullgari, para të pranishmëve foli Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës në Sofje. Ai fillimisht tregoi një historik të shkurtër për orkestrat në Bullgari që nga periudha e mbarimit të pushtimit nga forcat otomane në vitin 1878, atëherë kur edhe filloi edukimi profesional lidhur me zhvillimin e orkestrës. Pas Luftës së Dytë Botërore në Bullgari ekzistonin 7 shtëpi të operës , 2 teatro të muzikës dhe 18 orkestra të ndryshme.

“Pas vitit 2010 ka qenë një reduktim i madh i muzikantëve dhe stafit teknik, për shkak se mungesa e parave ka qenë shumë e pranishme në atë kohë”, u shpreh Georgiev.

Ai prezantoi edhe një hartë që tregonte vendet e Bullgarisë të cilat kishin orkestër,

Ai po ashtu tregoi për problemet kryesore me të cilat përballen orkestrat atje, e që janë mungesa e të hollave, rrogat e vogla të cilat lëvizin nga 300 euro deri në 800 euro, muzikantët lëvizin në vende të tjera për të kërkuar rroga më të mira, mungesa e interesimit për disa instrumente si korno, tromboni etj.

Lidhur me gjendjen e “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, në Kanada, para të pranishmëve foli edhe drejtori i kësaj orkestre, Paul McEwen. Ai tregoi se kjo orkestër u krijuar në vitin 1992 ndërsa shtoi se është një praktikë tjetër nga atje. Ky është tashmë viti i dytë që ai është në krye të kësaj orkestre, ku më parë ka pasur rolin e arkatarit. Ai tregoi se pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga publiku, e një pjesë tjetër nga qeveria ndërsa shtoi se edhe anëtarët e Orkestrës paguajnë për anëtarësim.

“Ne si “Orkestrës Simfonike e Bregut Perëndimor” kërkojmë donacione nga publiku, nga 40 deri në 60 për qind e të ardhurave vijnë nga publiku i cili dhuron aq sa dëshiron kurse agjencitë qeveritare që vendosin ta përkrahin orkestrën tonë, para se t’i japin paratë duan ta dinë se a je i rëndësishëm në komunitetin tënd, se a kontribuon ti në komunitetin tënd, ti duhet t’ua dëshmosh këtë me pjesëmarrjen e të pranishmëve”, u shpreh McMwen.
Krejt në fund foli Drejtori i Filharmonisë së Kosovës – Baki Jashari, i cili tregoi disa nga problemet me të cilat përballet Filharmonia e Kosovës. Ai fillimisht tregoi për rrugëtimin e Filharmonisë së Kosovës dhe për mbylljen e dhunshme në kohën e regjimit serb.

Jashari, mes tjerash tha se në Kosovë mungon vullneti politik për t’u zhvilluar edhe orkestra të reja për të cilat Kosova ka nevojë.

“Pas viteve të luftës në Kosovë, duhet ta pranojmë faktin se ka pasur vazhdimisht rritje edhe nga aspekti financiar nga MKRS dhe ne e kemi vetëm këtë orkestër profesionale dhe s’kemi as si të mburremi në krahasim me shtetet e tjera dhe sa i përket aspektit financiar tani në këtë moment që ne po flasim në Ministri të Kulturës është në finalizim një rregullore e re për përditësimin e këtyre pagave të ulëta që janë edhe tek ne 300 e që shkojnë deri në 400, jo deri në 800”, u shpreh Jashari.

Gjithnjë e më shumë sallat e mbushura në koncertet e Filharmonisë dëshmojnë interesimin e publikut. Kjo vetëm se hapë edhe një horizont të ri për hapjen e temave të reja pasi që në Kosovë duhet të ndërtohen edhe institucione të reja, të ndërtohet opera siç i ka çdo shtet i rajonit.

Sonte do të mbahet koncerti i parë i DAM Festivalit.
Hapjen e këtij koncerti do ta bëjë “West Coast Symphony” nga Kanadaja ndërsa do të interpretojë Julia Nolan në saksofon. Dirigjenti i këtij koncerti është Bujar Llapaj. Koncerti do të fillojë sonte në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, duke filluar nga ora 20:00. / KultPlus.com

Pse Shqipëria nuk bëhet dot me Kosovën?!

Shkruan: Ben Andoni

Jemi dy vende, me gati përbërje popullsie të njëjtë, me histori deri diku të ngjashme, por gjithmonë e më shumë larg me njëra-tjetrën. Për ta afruar këtë realitet ka takime qeverie, konferenca dhe punë burokratësh, por dy njësitë gjithnjë shtyhen kundrejt vetes. Ka shumë arsye, por në mënyrë të thjeshtë mund të rendisim pak syresh.

Shqipëria me Kosovën e ka shumë të vështirë të bashkëpunojnë, sepse shqiptarët asnjëherë nuk e kanë parë Kosovën si pjesë të natyrshme të Shqipërisë. Në historinë e tyre moderne, Kosova ka qenë nën autoritetin administrativ shqiptar në kohën e fashizmit, porse koha e pakët e bashkëpunimit, diferencat e thella të mënyrave të jetesës, kulturës dhe predispozitës nuk është se lanë aq gjurmë. Përjashtim bëri iniciativa e ish-Ministrit shqiptar të Arsimit Ernest Koliqi që dërgoi në Kosovë shumë arsimtarë nga Shqipëria, një pjesë e të cilëve edhe mbetën në vend. Sa i përket disa dhjetëra komunistëve, që u çuan nga Tirana zyrtare, ata nuk mundën të përcillnin dot më shumë sesa ideologjinë dhe përpjekjen që Kosova t’i dedikohej më shumë antifashizmit dhe ku ta dish, në të ardhmen t’i bashkohej Shqipërisë. Kjo nuk funksionoi ashtu si nuk funksionoi vetë komunizmi alla shqiptar në Kosovë. Ndërkohë përfshirja e njësive kosovare dhe e ministrave të saj në qeveritë kuislinge shqiptare ka qenë e hidhur. Më e hidhur akoma kujtesa që lanë ata.

Nga ana tjetër, veç episodeve, Kosova ka qenë e pareshtur sa i përket kontributit patriotik ndaj Shqipërisë. Jo vetëm individualisht, por një grup i madh luftëtarësh kanë qenë të përfshirë në historinë e vendit tonë, si edhe janë flijuar për Shqipërinë. Shqipëria ka qenë një idil që ka mbajtur ëndrrat e njerëzve në kohë të ndryshme në Kosovë, kurse prosperiteti i saj i imagjinuar kulturor-ekonomik ishte një ëndërr për kosovarët për të ardhmen e tyre në një mundësi hipotetike. Vetëm se kur e kanë prekur këtë realitet shikimi i kosovarëve ka qenë gati patologjik. Lufta më e madhe e brendshme e jo pak individëve mbeti përkthimi i këtij realiteti të zymtë në vendin e tyre. Një pjesë jo e vogël e njerëzve të rezistencës së vërtetë kosovare kundër Titos, Rankoviçit dhe pastaj Millosheviçit janë ushqyer nga Shqipëria, moralisht, ideologjikisht, madje ka evidenca dhe financiarisht. Ky është ende një lëmi ku do të duhet të punojnë në të ardhmen historianët kur të fashitet pak zelli nacionalist.

Por të kthehemi në argumentin bazë: Shqipëria kurrë se ka parë Kosovën si qendër kulturore. Që do të thotë, shumë individëve u ka pëlqyer që i kanë botuar autorët e këtej kufirit, që i nderojnë, porse kurrë nuk e kanë vlerësuar poezinë, prozën, dramën, pikturën dhe skulpturën kosovare në lartësitë që i takon. Sot e kësaj dite, kultura kosovare nuk llogaritet në sistemet e kulturës shqiptare, pothuaj ata si janë art i huaj për ne. Kur neve na duhet të shpallim elementët modernistë të kulturës në disiplina të ndryshme, që në Kosovë kanë qenë organikisht, neve nuk i pranojmë si tonat. Për letërsinë dhe artin kosovar ne flasim njësoj si për vendet e tjera të Ballkanit.

Në ditët tona, Shqipëria i ka vendosur barriera vazhdimisht nga ana ekonomike, kurse kuota e fundit e pagesës në Udhën e Kombit është gati vrastare. Aq e fortë sa e bëri Haradinajn kryeministrin kosovar të apelonte dhe t’ia thoshte hapur zotit Rama se duhet ta mirëmbante më parë rrugën dhe pastaj të kërkonte këtë tarifë.

Sa i përket politikës, Shqipëria asnjëherë nuk ka qenë një faktor, që mund të thuhet se ka fashitur problematika në Kosovë, kurse përfaqësimi ynë diplomatik dhe anasjelltas shpesh ka qenë shumë i dobët. Megjithatë, edhe në pak raste, janë vlerësuar ndërhyrjet e Shqipërisë dhe artikulimi i çështjes së Kosovës para Beogradit. Ndërkohë nga deklaratat e shumë deputetëve në Kosovë, kuptohet gjithnjë e më shumë se politika shqiptare nuk honepset në Kosovë për nivelin e ulët, ashtu si ajo kosovare gati përçmohet në Tiranë.

Problemet shtyhen në arsim dhe kontributet e përbashkëta që megjithëse ekzistojnë marrëveshje, ato duket se nuk funksionojnë, pasi elementi kryesor gjuha standarde është e panegociueshme për Shqiptarët e Shqipërisë ndërsa shpërfillet natyrshëm dhe nuk kultivohet në Kosovë.

Mbi të gjitha, Shqipëria s’ka qenë kurrë e sinqertë me Kosovën. I premtoi me bujë se do “t’i dhuronte” portin e Shëngjinit dhe kjo nuk u bë asnjëherë dhe me sa duket zvarritje do ketë dhe atributet që duan t’i japin Portit të Durrësit. Mbi të gjitha, me morinë e mbledhjeve që bënë dy qeveritë respektive duket se i kanë shtyrë më larg vendet e tyre, shumë më larg sesa ishin në kohët e para kur Kosova filloi edhe zyrtarisht mëvetësinë e saj. E mbi të gjitha fare, mënyra e jetesës së kosovarëve dhe ajo e shqiptarëve është krejt e kundërt dhe për fat të keq nuk po afrohet, sepse janë një grup maskarenjsh që nuk e duan dhe ta inkurajojnë tregun e përbashkët, që pengojnë integrimet dhe kanë përcjellë këtë imazh jo të mirë. Me pak fjalë: Armiku i shqiptarit është vetë shqiptari. / Homo Albanicus. / Gazeta Shqiptare

Skenari ‘Exil’ i Visar Morinës merr 600 mijë euro nga Gjermania

Skenari “Exil” nga regjisori Visar Morina ka marrë gjithsej 600 mijë euro nga Ministria e Kulturës Federale në Gjermani.

Gjithsej tetë projekte filmike janë mbështetur me rreth 3.6 milionë euro nga Staatsministerin für Kultur und Medien.

Skenari “Exil” nga Morina ka marrë maksimumin e parave të alokuara.

“Skenari bën fjalë për një burrë 45 vjeçar i cili punon në një firmë farmaceutike dhe në një moment e krijon ndjenjën që kolegët e tij po tentojnë ta largojnë nga puna” tregon më shumë Visar Morina për KultPlus.

Lexoni në këtë link më shumë rreth këtij skenari, që tanimë ka marrë paratë e duhura për tu shndërruar në një film dhe projekt filmik që premton. Financimi ende nuk ka përfunduar por regjisori ka treguar se xhirimet e filmit do të nisin në gusht.

Visar Morina është i njohur sidomos për filmin “Babai”, film ky që trajton një raport të çuditshëm të një babai dhe djalit të tij, një dramë kjo që bëri bujë në disa festivale ndërkombëtare të filmit. Në këtë film luajnë Val Maloku, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi e aktorë tjerë. / KultPlus.com

E mahnitshme, Helmeta e Skënderbeut realizohet nga ‘Gheg-Tosk’ (VIDEO)

Brendi i aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York, pas më shumë së tri viteve punë ka sjellë për klientët e tyre Helmetën e Skënderbeut.

Sipas njoftimit që ka bërë brendi, helmeta e Gjergj Kastriot Skënderbeut është një përfaqësim artistik i përkrenares origjinale të Skënderbeut të ruajtur në Vjenë, në muzeun Kunsthistorisches.

“Përkrenarja jonë është rindërtuar dhe përshtatur për t’u mbajtur nga të rriturit gjatë festimeve të ndryshme si dhe nëpër ngjarje festive, tubime familjare apo nëpër ngjarje sportive, kur brohorasim për ekipin tonë kombëtar ose thjesht si zbukurim arti”, kanë njoftuar nga brendi.

Fabrikuar me plastikë të ngjyrosur me ngjyra prej ari, çeliku dhe bakri, përkrenarja ka shenja të ngjashme me një përkrenare mesjetare, shkruan KultPlus.

Orges Kokoshari, themelues i brendit të aksesorëve “Gheg & Tosk” në New York ka lansuar shumë aksesorë me motive nga kultura dhe trashëgimia shqiptare, duke përfshirë edhe unazë me përkrenaren e Skënderbeut, helmetën ilire, unazën me shqiponjë dhe shumë aksesorë të tjerë që shiten online.

Online në internet do të shitet tashmë edhe Helmeta e Skënderbeut e cila ka një çmim prej 300 dollarësh dhe sasia e saj është e limituar. Për më shumë mund të shihni në faqen zyrtare të brendit “Gheg & Tosk”.

“Qëllimi kryesor është që helmeta të jetë aty për të gjithë shqiptarët kudo nëpër botë, duke dashur kësisoj edhe ta sjellim kulturën dhe vlerat shqiptare më afër Evropës” tregojnë nga brendi. / KulPlus.com

Shfaqja “55 shades of gay”, në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë

“55 shades of gay” në Festivalin Ndërkombëtar të teatrit në Shkup “Faces without masks” 2018

Shfaqja “55 shades of gay” me datën 14 prill në Teatrin Kombëtar të Maqedonisë në Shkup, nga ora 20:00.

Autor: Jeton Neziraj / Regjia: Blerta Neziraj / Aktorë: Tristan Halilaj, Bujar Ahmeti, Shengyl Ismaili, Semira Latifi, Alketa Sylaj / Luan Durmishi (vokal) / Skenografia dhe kostumet: Sebastian Ellrich / Muzika: Irena Popovic / Koreografia: Florian Bilbao.

Qendra Multimedia nga Prishtina, e konsideruar si ‘njëra nga kompanitë teatrore më interesante nga Evropa Juglindore’ [kazaliste.hr], sjell sërish në skenë, në një trajtim krejtësisht politikisht jo-korrekt, një performancë argëtuese politike dhe provokative, kësaj here mbi çështje që kanë të bëjnë me komunitetin LGBTI.

55 shades of gay është një rrëfim burleskë për politikat rreth LGBTI në Ballkan dhe Evropë. Politikanët lokalë të Ballkanit përpiqen të manipulojnë e mashtrojnë zyrtarët e BE-së, mercenarët humanitarë të NGO-ve ndërkombëtare, e që bukur shpesh shfrytëzojnë terrenin homofob për të vjelur fonde e për të realizuar projektet e tyre sociale e edukative [të tipit të punëtorive e seminareve për mënyrën e përdorimit të kondomëve], ndërsa që zyrtarë të BE–së, duke shfrytëzuar pozitën e tyre superiore financiare e politike, përpiqen t’i nënshtrojnë të gjithë. / KultPlus.com

Nisin votimet e fansave në Eurovizion, asnjë pikë deri tash për Eugent Bushpepën

Ka vetëm disa ditë që është publikuar videoklipi i këngës ‘Mall’ nga Eugent Bushpepa, por tashmë kjo këngë ka marrë mbi 84 mijë klikime në Youtube, shkruan KultPlus.

Në kanalin zyrtar të Eurovizionit në Youtube është publikuar kënga ‘Mall’, këngë kjo e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion 2018, gara e fuqishme e muzikës moderne evropiane.

Komentet të cilat kanë ardhur nga dëgjuesit e këngës janë pozitive. Disave prej tyre iu kanë lënë përshtypje edhe kostumet të cilat shfaqen në videoklip, me elemente kombëtare. Mirëpo ka edhe të tillë të cilët mendojnë se Shqipëria nënvlerësohet nga votuesit e kësaj gare.

“Njerëzit çdo herë janë ankuar se Shqipëria po dërgon vajza të cilat brohorasin pasi që ato kapin nota të larta në garë. Kësaj radhë Shqipëria ka ardhur me diçka krejtësisht tjetër por përsëri njerëzit nuk po e vlerësojnë këtë”, është komenti i i cili ka ardhur nga një ndjekës i garës nga Kroacia.

Dje ka filluar edhe votimi i OGAE – grupeve të fansave të organizuar të Eurovizionit nëpër Evropë. Secili shtet kësisoj deri në ditët kur mbahet Eurovizioni dërgon votat zyrtare dhe në fund shihet lista e OGAE.

Deri sot, dy shtete kanë dërguar votat e tyre, dhe asnjë votë nuk shkon për Shqipërinë.

Votimi OGAE deri sot:

Israeli / 24 pikë
Republika Çeke / 12 pikë
Suedia / 12 pikë

Megjithatë, kënga italiane me këngëtarin shqiptar Ermal Meta ka marrë gjashtë pikë, ndërsa kënga e Qipros kënduar nga tjetra shqiptare, Eleni Foureira, ka vetëm një pikë.

Data 8 maj do të jetë dita kur Eugent Bushpepa do të performojë në natën e parë të festivalit EUROVIZION, për të provuar kualifikimin në finale. / KultPlus.com

Shfaqja ‘Bordel Balkan’ nga Kosova, pjesë e Festivalit MESS në Sarajevë

Shfaqja “Bordel Balkan” nga Kosova do të jetë pjesë e Festivalit të njohur në Sarajevë – MESS.

Shfaqja me regji nga Andras Urban do të jetë pjesë e edicionit të MESS që mbahet nga 29 shtatori deri me 6 tetor të këtij viti.

“Bordel Balkan” prekë temën e luftës dhe pasluftës në Kosovë, ndërsa në natën e premierës në Prishtinë, në prillin e vitit të kaluar, edhe pse u lajmëruan kërcënime të ndryshme, shfaqja erdhi fuqishëm dhe pa ndonjë incident.

Autor i shfaqjes është Jeton Neziraj, ndërsa në të luajnë Astrit Kabashi, Adrian Morina, May-Linda Kosumovic, Shengyl Ismajli, Ylber Bardhi, Arta Selimi e aktorë tjerë.

Shfaqja do të jetë një prej 16 projekteve teatrore që do të shfaqen në Sarajevë në kuadër të MESS – Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Sarajevë.

Shfaqjet tjera të festivalit vijnë nga Italia, Holanda, Belgjika, Irani, Serbia, Polonia, Kameruni, Sllovenia e shtete tjera. / KultPlus.com

‘Çfarë lloj kosovari jeni’ sonte solli kosovarët e ndryshëm në Muzeun e Kosovës

Alberina Haxhijaj

Të rinjtë të cilët morën pjesë sot në diskutimin “Çfarë lloj kosovari je ti?”, u përpoqën që të shuajnë barrierat në mes tyre dhe sidomos të mos bëjnë paragjykime, kjo për të kuptuar më mirë se çfarë lloj i kosovarit janë.

Diskutimi i cili kërkonte përgjigje për pyetjet: kush jemi dhe çka po bëjmë këtu, është organizuar nga Termokissi, Asociacioni i Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Kosovës dhe Taivanit, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës.

Mergimtare Kelmendi nga Termokiss tha se ky diskutim u bë që të zbulohet dhe të jepet një mendim se çfarë në të vërtetë nënkupton të jesh një kosovar.

“Na po dojmë me e ditë kush jemi dhe çka nënkupton, jo vetëm etnia, përkatësitë e ndryshme, por çka do të thotë të jesh kosovar. Kurse sot deshtëm me i testu përshtypjet e para të njerëzve dhe si ndryshojnë ato prej asaj që njerëzit janë në të vërtetë. Edhe gjatë debatit u pa se përshtypjet e njerëzve ndryshonin shumë nga ato që ata ishin në të vërtetë”, tha ajo për KultPlus.

Njëri nga pjesëmarrësit në diskutim, Veton Gorani, e cilësoi këtë aktivitet si të mirë dhe që i ndihmoi për të kuptuar më mirë se çka do të thotë të jesh kosovar.
“Na u dha edhe hapësirë për me fol për vetën tonë, si ndihemi dhe si e identifikojmë veten, pra cili është identiteti jonë. Po ashtu në anën tjetër diskutuam edhe sesi po ndihemi që jemi kosovarë dhe jetojmë në Kosovë, për anët pozitive dhe negative të saj, për perspektivën dhe çfarë mendojmë se na pret në këtë shtet ku jetojmë”, tha ai për KultPlus.

Në anën tjetër Charles Lowe i cili ka një vit e gjysmë që ka ardhur në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara, mori pjesë në këtë diskutim pasi edhe ai ka ndjenjën e të qenit kosovar.

“Kjo ka qenë shumë interesant për mua, kam takuar një grup shumë të mirë dhe sidomos grupin qe vjen nga Termokiss, të cilët mendoj se janë modern dhe kanë ide shumë të mira. Ky aktivitet që përfshiu edhe shtatë pjesë të personalitetit ishte shumë interesant. Kosova është vendi më i ri dhe debate të tilla janë shumë të mira pasi që pikërisht të rinjtë në Kosovë duhet që të reflektojë mbi veten e tyre” tregoi Lowe për KultPlus.

Kjo është vetëm një nga diskutimet dhe punëtoritë të cilat janë duke u mbajtur në kuadër organizimit “Kosovo Future”, kurse në qershor do të hapet edhe një ekspozitë pikërisht në Muzeun e Kosovës. / KultPlus.com

Monumenti NEWBORN, pjesë e ekspozitës në Londër

NEWBORN – monumenti me të cilin Kosova shënoi edhe ditën e pavarësisë së saj dhe deri sot monumenti më pëfaqësues në Kosovë, nga sonte është pjesë e një ekspozite në Londër.

Shkronja N e NEWBORN është ndërtuar me dimensione reale enkas për ekspozitën “Hope to Nope: Graphics and Politics 2008-18” e cila u hap sot në Design Museum në Kesington, Londër.

Ekspozita fokusohet në ngjarjet politike turbulente në dhjetëvjeçarin e fundit, duke e përdorur rolin e dizajnit në bindjen, bashkimin dhe zemërimin e audiencës, shkruan KultPlus.

Përpos N nga NEWBORN, monument me ideator Fisnik Ismailin, pjesë e ekspozitës janë edhe brendingu i kampanjës së Hillary Clinton, posterat e Barak Obamës dhe Donald Trump. Hapësira është ndarë në tri pjesë: fuqia, protesta dhe personaliteti, gjithmonë duke dashur të analizohet efekti i teknologjisë në botën e dhjetë viteve të fundit.

“Hope to Nope: Graphics and Politics 2008-18” është kuruar nga Margaret Cubbage, Lucienne Robers dhe David Shaw.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 12 gusht të këtij viti. / KultPlus.com

‘Para konviktit numër 5’

Një këngë e veçantë e Sabri Fejzullahut, “Konvikti Numër 5” është një histori dashurie e studentëve që takohen te konvikti me numër pesë.

Prishtina, qytet universitar, ka plot histori të tilla të dashurisë brenda konvikteve studentore.

KultPlus sonte po e sjellë këngën e njohur të këngëtarit Sabri Fejzullahu – “Konvikti Numër 5”, e cila është realizuar para disa vitesh.

https://www.youtube.com/watch?v=_tl6bxca_30

Ku më mbeti ky qytet
e shikoj por nuk e shoh.
Çdo i dyti në rrugë më flet
unë nuk i njoh, nuk i njoh.
Ku janë rrugët me kalldrëm
shputat m`i kanë puthur.

Ku mbet vajza që kam lënë
e nuk pat më të bukur.
I njëjtë paska mbet veç korriku
që e puthë për trupi këmishën.
Lumturia ime iku
ëndrrat u prishen.

Mbrëmë me lot të kam kujtuar
para konviktit nr.5.
Tjerë të ri të dashuruar
ëndërronin plot me shpresë.
Jo,jo hëna s`ka treguar
se ky shpirt ende dënes.
Ku u pamë e ku u ndamë
para konviktit nr.5.

Ku janë rrugët me kalldrëm
shputat m`i kanë puthur.
Ku mbet vajza që kam lënë
e nuk pat më të bukur.

I njëjtë paska mbet veç korriku
që e puth për trupi këmishën.
Lumturia ime iku
ëndrrat u prishen.
Mbrëmë me lot të kam kujtuar
para konviktit nr.5.
Tjerë të ri të dashuruar
ëndërronin plot me shpresë.
Jo,jo hëna s`ka treguar
se ky shpirt ende dënes.
Ku u pamë e ku u ndamë
para konviktit nr.5. / KultPlus.com

Omar Zatriqi fiton çmimin si kompozitori më i mirë në Irlandën Veriore

Omar Zatriqi, një djalë me prejardhje nga Peja, ka fituar çmimin e parë në një konkurs të rëndësishëm ndërkombëtar.

Bëhet fjalë për Peter Rosser Composition Award 2018, një çmim që i ndahet një kompozitori në fillim të karrierës së tij.

Çmimin për këtë edicion të tretë e fitoi Omari nga Peja, i biri i Nusret Zatriqit. Omari ka kohë që jeton në Irlanë atje ku edhe është shkolluar për muzikë.

1 mijë dollarë i merr fituesi i Peter Rosser Composition Award 2018. Zatriqi në natën e performancës së tij ka sjellë “Fata Morgana”.

Anselm McDonnell dhe Stephen Coyle kanë marrë vendin e dytë, përkatësisht të tretin në këtë garë për kompozitorët e rinj, shkruan KultPlus.

Çmimi në fjalë mban emrin e Peter Rosser, një kompozitor i Irlandës Veriore i njohur për pjesëmarrjen e tij në festivale të ndryshme në Angli.

Omari ka një vëlla binjak, Eduardin. Punë të ndryshme të Omarit luhen nga Ansamble të ndryshme nëpër Irlandë, përfshirë këtu edhe The Quangle Ensemble. / KultPlus.com

Nesër në Prishtinë diskutohet për orkestrat dhe financimin nga shteti

Festivali DAM dhe EUICC – Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, nesër sjellin diskutimin ‘Menaxhimi i orkestrës: A kemi nevojë për orkestra të financuara nga shteti?’

Në panel për të diskutuar do të jenë të ftuar Momchill Georgiev – Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Punonjësve të Kulturës, në Sofje, pastaj Paul McEwen – Drejtor i “Orkestrës Simfonike të Bregut Perëndimor” Vancouver, Kanada si dhe Baki Jashari – Drejtori i Filharmonisë së Kosovës.

Diskutimi do të mbahet nesër, më 28 mars, duke filluar nga ora 13:00 në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Kosovë. / KultPlus.com

Shqipëria, befasia që ia vlen të vizitohet

Për të aplikuar filozofinë e turizmit të qëndrueshëm fillojmë të zbulojmë Shqipërinë, këtë vend befasues, ende pak i njohur dhe larg turizmit masiv, shkruan faqja e njohur turistike italiane e internetit “GoodTrekking.it”.

Kombi për vite ka qenë nën regjimin komunist (nga viti 1946 deri në vitin 1990) dhe shumë bunkerë të dukshëm në të gjithë territorin e dëshmojnë. Për të kujtuar këtë periudhë të historisë ushtarake dhe jetën e përditshme të njerëzve, u ndërtua një bunker muze BUNK’ART 2 pranë zonës së këmbësorëve të Tiranës, e cila rindërton ngjarjet e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë nga viti 1912 deri në 1991 dhe zbulon sekretet dhe tmerret e saj.

Një tjetër simbol është Blloku, lagja e modës e qytetit me restorante, bare, dhe kafene që dikur ishte zonë “e ndaluar” dhe e paarritshme në të cilën diktatori Enver Hoxha jetonte me anëtarët e vet dhe ku është akoma ish-rezidenca e tij e banimit.

Shtëpitë me ngjyra pastel që i japin një atmosferë të gëzuar kryeqytetit janë një kontrast i këndshëm; ato janë rilyer në sajë të një projekti rizhvillimi nga ish-kryetari i bashkisë, Edi Rama.

Nuk ka qendër të vërtetë historike, por nuk mungojnë edhe vendet interesante siç janë Sheshi Nënë Tereza, Xhamia Ethem Beut dhe Sheshi Skënderbej (hero kombëtar) ku ndodhet monumenti i tij, i hipur mbi kalë, Teatri, Biblioteka Kombëtare dhe Kulla e Sahatit.

Me përmirësimin e kohës, njerëzit shëtisin në parqet e panumërta të qytetit, që janë pjesë e programit të Gjelbër, po me iniciativën e Edi Ramës, i cili ka krijuar hapësira të gjelbra.

Nëse shkojmë më tej në veri, arrijmë në Krujë, një qytet piktoresk mesjetar, simbol i rezistencës anti-osman, të vendosur në shpatet e malit me një pamje spektakolare të luginës poshtë dhe detit Adriatik, ku në ditë të qarta mund të shihni Ostuni (Puglia).

Ndër atraksionet e ndryshme, përveç pazarit të vjetër, ekziston edhe kalaja, brenda mureve të saj, muzeu Skënderbej dhe një fshat mesjetar i banuar ende.

Pranë, nga një rrugë e paasfaltuar, mund të arrini në shpellën mbresëlënëse të Bektashinjve.

Në “tokën e shqiponjave” ka ende shumë për të parë, siç është Berati, qyteti i një mbi një dritareve, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, ose Durrësi, kryeqyteti i portit më të vjetër në Mesdhe, ose Pogradeci, ndodhet në brigjet e liqenit të Ohrit me ujin kristal të qartë dhe sigurisht … detin e mrekullueshëm!

Shqipëria ka pësuar disa sundime, ajo e Perandorisë Osmane, ajo e Mbretërisë së Italisë dhe më në fund ajo e Partisë Komuniste, tani është një republikë, jo larg prej nesh, që ia vlen të vizitohet.

Feride Rushiti flet për gratë e dhunura të Kosovës, në Pensacola të Amerikës

Feride Rushiti, gruaja që këtë vit është një nga dhjetë laureatet e çmimit “Gratë e guximshme” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, po vazhdon me vizitën e saj në ShBA.

Ajo po qëndron në Pensacola, një qytet në Florida, ku edhe po e tregon rrëfimin e saj dhe angazhimin e saj në kauzën për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo ka treguar në Pensacola, në një ligjëratë, se si gjatë luftës së vitit 1998-99 në Kosovë ka qenë studente në Shqipëri dhe e ka kuptuar më pas mizorinë që po ndodhë në Kosovë.

“Takova nëna që e kanë parë dhunimin e vajzave para syve të tyre, familje që kanë humbur fëmijët në luftë. Dhe e kuptova që duhet të veproj, duhet të ndërmarr diçka” tregon Rushiti.

Në këtë kohë Rushiti u shndërrua nga një praktikuese mjekësore në një aktiviste për të drejtat e njeriut. Ajo më pas e themeloi Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës.

Gjatë vizitës në Pensacola, ajo po viziton disa organizata, përfshirë FAVORHouse dhe Gulf Coast Kids House. Ajo u takua edhe me profesorët Kimberly McCorkle dhe Richard Hough nga Universiteti i West Florida.

Rushiti do të përfundojë këto ditë udhëtimin e saj në SHBA bashkë me laureatet tjera të programit të njohur amerikan, që e njeh angazhimin e grave në fusha të ndryshme. Sot ajo do të jetë e pranishme në një Forum Publik në Los Angeles, California. / KultPlus.com