Bojë dhe gjak

Poezi e shkruar nga André Laude.

E bëj jetën time natë pas nate një grumbull plehrash.
E bëj jetën time një kronikë të mjegullt.
E bëj natën time një kryqëzim fantazmash.
E bëj gjakun tim një lumë të gjatë
që rreh në tëmthat e mi.
E bëj frikën time një zog bardh e zi
E bëj një zog të ngordhur, të kalbur,
fëmijën që do të kisha mundur të jem.
E bëj fëmijën një zjarr të çmendur, një pirg hiri.
E bëj vdekjen time të ardhshme një gosti gjarpërinjsh.
E bëj një gjarpër litar për të varur veten.
E bëj një heshtje të gjatë, të thellë, testamentin
e gjithçkaje që qe shkatërrim, tmerr, mërzi,
ndarje dhe çirrje të pafundme.
Urinoj bojë dhe gjak.
Urinoj bojë dhe gjak.
Këndoj mbi turrën e ndëshkimeve.

Johanna, gruaja të cilën e shpëtuam nga Hitleri (FOTO)

Ajo ishte vetëm 9 vjeçare kur familja e saj i shpëtoi Gjermanisë Naziste, duke u larguar për në Shqipëri.

Johanna Neumann ka qëndruar gjashtë vite në Shqipëri, nga një familje në tjetrën, nga myslimanët e asaj kohe të cilët e shpëtuan dhe po e ruanin nga dora makabre e Evropës e cila lejoi Holokaustin dhe tmerrin.
Neumann e kujton sidomos familjen Pilku, aty ku ajo gjeti ngrohtësinë.

Në një intervistë me United States Holocaust Memorial Museum, Neumann tregon se i kujtohet edhe xhamia ku shqiptarët asokohe luteshin, pesë herë në ditë, dhe se tingulli i lutjeve dhe xhamisë ende ngërthejnë në vete emocion të veçantë.

Tregimin e Neumann po e sjellim pak sot, një ditë para se të shënohet 27 janari, Dita Ndërkombëtare për të kujtuar Holokaustin, shkruan KultPlus.

“Nëna ime e takoi zonjën Pilku, familjen që na shpëtoi gjatë okupimit gjerman. Zonja Pilku ishte gjermane dhe mendoj se kësisoj ato të dyja u takuan mes vete. Zotëri Pilku ishte mysliman. Nëse zonja Pilku është kthyer në myslimane, as që më ka interesuar ndonjëherë. Ajo, si gjermane, e donte Hitlerin dhe kishte fotografinë e tij në dhomë. Por ajo u tha anëtarëve të familjes se ne ishim kushërinj të saj, dhe ishim të mirëpritur aty” tregon Neumann.

Ajo tregon se megjithatë është përjetë falënderuese për miqësinë dhe mikpritjen që shqiptarët i kanë bërë hebrenjve që po largoheshin nga Gjermania për ti shpëtuar Holokaustit.
Situata do të ndryshonte në vitin 1943 kur Gjermania e okupoi Shqipërinë.

(Johanna Neumann ka lindur më 1930 në Gjermani dhe ka ndërruar jetë në prill të vitit 2017, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës)

Dhjetë këngët më të mira të grupit Metallica (VIDEO)

Asnjë bend në zhanrin Heavy Metal nuk e ka pasur ndikimin që e ka pasur METALLICA në 30 vitet e fundit.

Që nga publikimi i albumit të parë Kill ‘Em All në vitin 1983, e deri në ditët e sotme, ata janë cilësuar si bend i fuqishëm i rokut, ndonjëherë janë parë me dashuri e lavdërime, e ndonjëherë me urrejtje e kritika.

Ata i ka karakterizuar vetëm një gjë gjatë gjithë karrierës: Ata i kanë bërë gjithnjë gjërat sipas mënyrës së tyre. METALLICA radhiten gjithmonë në mesin e grupeve muzikore më me influencë në botë. METALLICA është nominuar për 23 çmime Grammy dhe ka fituar 9 të tilla.

Përmbledhja e këngëve të tyre në një top 10-she nuk është e lehtë, duke pasur parasysh faktin se këngët e tyre janë dëgjuar, e kënduar në shumë vende të botës. KULTPLUS sot po ju sjellë dhjetë këngët më ‘catchy’ të këtij bendi muzikor. / KultPlus.com

Tre regjisorë kosovarë mbështeten nga Agjencia e Filmit në Maqedoni

Projekti filmik kosovar i mbështetur nga QKK, ‘Zgjoi’ me skenar dhe regji nga Blerta Basholli dhe me producent Yll Uka, gjeti mbështetje edhe në Agjencinë e Filmit në Maqedoni.

Ky film flet për Fahrijen, një grua e re që e ka burrin e zhdukur në luftë dhe që fillon një biznes të vogël bujqësor për ta siguruar mbijetësën e familjes së saj, në një ambient tradicional patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

‘Zgjoi’ gjithashtu në PriFest fitoi çmimin ‘ Best Pitch Award’ në vlerë prej 80,000 € për post-production në Afrikën e Jugut.

Në konkursin e Agjencisë së Filmit të Maqedonisë, kanë gjetur mbështetje edhe projektet e regjisorëve kosovar si: ‘Skender Beg In Skopje’ nga Kastriot Abdyli dhe ‘The Baby’ nga Ben Apolloni. / KultPlus.com

Jo, Noam Chomsky nuk ka thënë se shqiptarët janë ‘barrë e Evropës’

Disa portale serbe këtë javë e kanë shpërndarë lajmin se filozofi amerikan Noam Chomsky e ka quajtur Kosovën “barrën më të madhe të Evropës moderne” dhe qytetarët e saj si “fis i egër”.

Lajmi dukej se po shpërndahej pasi fjalët e tilla filozofi, mes tjerash autor i “How the World Works”, i kishte thënë për Foreign Affairs.

Dhe në fakt, lajmi është i pavërtetë. Vetë Nedeljnik më pas tha se do të ishte e paarsyeshme që një filozof të cilësonte me këtë epitet një popull të tërë.

Chomsky ka folur për Kosovën, por asnjëherë në magazinën Foreign Affairs. Ai ka shkruar për Kosovën gjatë bombardimeve të vitit 1999 ndërsa asokohe ka dhënë edhe intervista për Weekly Man.

Ai ka shkruar në dhjetor të vitit 1999 librin “The New Military Humanism” ku flet edhe për Kosovën dhe veprimet e NATO-s në territorin tonë.

Chomsky është edhe aktivist politik dhe historian, i cili ka shkruar “Who Rules the World”, “Hegemony of Survival”, mes librave tjerë. / KultPlus.com

Mandej bëni dashuri

Poezi nga Alda Merini. Përktheu Beti Njuma

Mandej bëni dashuri.
Jo seks, veç dashuri.
Dhe me këtë nënkuptoj
puthjet në gojë,
në qafë,
në bark,
mbi kurriz,
kafshimet në buzë
duart e pleksura
dhe sytë brenda syve.
E kam fjalën për përqafime kaq të shtrënguara
sa të bëheni një gjë e vetme,
trupa të ngërthyer dhe shpirtra që ndeshen,
përkëdheli mbi gërvishtje,
tesha të zhveshura bashkë me frikën,
puthje mbi ligështi,
mbi blanat e një jete
që deri atë grimë
kish qenë disi e zbehtë.
E kam fjalën për gishtërinj mbi trupa,
të krijoni yjësi,
të thithni aroma,
për zemra që rrahin tok,
frymëmarrje që rendin
me të njëjtin ritëm.
Mandej buzëqeshje,
të sinqerta pas një copë here
që s’ishin më të tilla.
Pra,
bëni dashuri dhe mos kini turp,
sepse dashuria është art,
dhe ju kryevepra.

Rita Ora lanson klipin e këngës së re ‘For You’ (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare ka lansuar klipin e këngës së saj më të re të quajtur “For You”.

Rita këtë këngë e ka në bashkëpunim me Liam Payne, ndërsa është bërë për filmin e “Fifty Shades Freed” i cili do të lansohet për ditën e të dashuruarve, 14 shkurt.

Rita Ora prapë, sikurse në dy seritë paraprake të këtij filmi, do të ketë rol aktrimi në të. / KultPlus.com

Rita Ora dhe Dua Lipa do të këndojnë në Brit Awards 2018!

Këngëtarja Rita Ora do të jetë një prej këngëtareve që do të këndojë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve britanike – Brit Awards 2018.

Me datë 21 shkurt, ceremonia do të mbahet në Londër.

Rita Ora kësisoj i shtohet Dua Lipës, Ed Sheeran, Jorja Smith, Sam Smith, Foo Fighters dhe emrave tjerë që do të performojnë në ndarjen e çmimeve.

“Jam shumë e lumtur, ka qenë gjithmonë ëndërr për mua të jem pjesë e këtij organizimi muzikor” ka thënë Rita.

Rita ka qenë katër herë e nominuar për këto çmime muzikore.

Moderimin e Brit Awards këtë vit e ka marrë përsipër Jack Whitehall. / KultPlus.com

Lasgush Poradeci, jeta e vështirë në shtëpinë me lagështirë

“Shtërgu i fundit” iku nga kjo jetë në orën 3 pasdite të 12 nëntorit të vitit 1987.

Një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqiptare, që i dhuroi Shqipërisë “Vallen e yjeve”, “Yllin e Zemrës”, e më tej bëri të flasin shqip “Eugjen Onjegin” i Pushkinit, lirikat e Lermontovit, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Miskieviçit, lirikat e Gëtes dhe poezi të Lanaut, Brehtit, Hygoit, Mysesë, Bajronit, Shellit, Bërnsit, të Emineskut, etj., u la në harresë dhe në mjerim të plotë pas vitit 1944.

I diplomuari në Grac të Austrisë, ishte një përkthyes me normë, që po vdiste dalëngadalë nga indiferentizmi i shtetit. I ballafaquar çdo ditë me rrezikun e ndonjë internimi të mundshëm që kishte kapur shumë shokë të tij të letrave, ai stërmundohej për gjëra nga më të voglat.

Një jetë e vështirë që e kaloi në shtëpinë e tij me lagështirë, të papërfunduar, në Tiranë, e pjesërisht në shtëpinë e rrënuar të tij në Pogradec, i solli edhe sëmundjen që e çoi drejt vdekjes. “Kostandinë, bijë e babait, trupin tim edhe të vdekur ta shpiesh në Pogradec”, i thotë ai vajzës së tij të dashur që i qëndron tek koka. Pasi heshti pak e pyet: “Po a ke lekë ti, bijë e babkës, të më varrosësh mua atje?”.

Këto janë fjalët e fundit të poetit të madh shqiptar që vdiq padrejtësisht si i vogël. / KultPlus.com

Shiten në ankand 112 letra dashurie të Simone de Beauvoir

Sipas shtëpisë së ankandeve Christie’s, kineasti Claude Lanzmann shiti 112 letra dashurie që ia kishte dërguar francezja e famshme Simone de Beauvoir. Regjisori i dokumentarit mbi holokaustin Shoah tha se u detyrua të përshëndetej me korrespondencën për shkak të një ligji skandaloz trashëgimie në Francë që lejon kalimin e trashëgimive të të gjitha shkrimeve të një autori të afërmëve shpesh herë të panjohur duke vjedhur destinatarët e vërtetë të kësaj korrespondence. “Sipas këtij ligji përkatësia e asaj që shkruhet është e atij që e shkruan dhe jo e marrësit,” – u shpreh Lanzmann.

Letrat janë plot pasion çmendurie që çifti shkëmbeu gjatë aventurës së tyre prej 7 vitesh në dekadën 1950 e nuk janë publikuar kurrë. Christie’s njoftoi se këto u blenë nga universiteti i Jeillit që kishte tashmë dorëshkrime dhe arkiva personale të Beauvoir-it. “Nuk e kam menduar kurrë t’i publikoj këto letra,” – tha Lanzmann, 93 vjeç që ishte sekretar i filozofit dhe dramaturgut Jean-Paul Sartre, partneri për shumë vite i Beauvoir-it. Çifti i artë i intelektualizmit francez të gjysmës së shek XX mbajti një marrëdhënie të hapur në të cilën shijonin dhe inkurajonin një seri dashurish mes tre personave.

Lanzmann që ishte 17 vjeç më i vogël se Beauvoir u dashurua me të kur ishte redaktor në revistën “Les Temps Modernes”, e ngritur nga çifti pas Luftës së Dytë Botërore. Agnes Poirier, autore e “Left Bank”, një libër sesi idetë që modeluan botën moderne lindën në kryeqytetin francez gjatë revoltave intelektuale në dekadën e viteve 40 thotë që Lanzmann-i ishte i vetmi burrë me të cilin Beauvoir-i bashkëjetoi. Me Sartrin mbajtën gjithmonë jetë të ndara, por ajo i lejoi Lanzmann-in të shpërngulej në shtëpinë e saj.

Ai ishte 26 vjeç dhe ajo 44 kur filluan një romancë dhe ai gjithmonë i thoshte asaj se ishte një dashnore shumë e apasionuar. “Pas të 40-ve Beauvoir nuk ndihej një grua e dëshirueshme, por me të ajo jetoi një rini të dytë, – shpreh Poirier, – dhe autorja e “Seksi i dytë” jetoi në një rilindje.” Ashtu si me Sartrin edhe me Lanzmann-in mbajti një marrëdhënie të hapur, por ajo e mori shumë për keq kur zbuloi se ai kishte një aventurë dhe nuk ia kishte thënë. “Ajo nuk e gjykonte se pse e kishte, por pse nuk ia kishte thënë,” – shtoi shkrimtarja. Sipas bibliotekës së Jeillit që për momentin e lejon leximin e letrave vetëm në sallë leximi, pjesa më e madhe janë shkruar ndërkohë që Beauvoir ishte në udhëtim me Sartrin gjatë vizitave të saj në Rusi, Kinë, Japoni dhe në Kubë.

Kristal

Poezi e shkruar nga Ismail Kadare.

Ka kohë që s’shihemi dhe ndjej
si të harroj une dalëngadal
si vdes tek une kujtimi yt
si vdesin flokët dhe gjithçka.

Tani kërkoj poshtë e lartë
një vend ku ty të të lëshoj
nje strofë a notë, a një brilant
ku të të lë, të puth, të shkoj.

Në s’të pranoftë asnjë varr
asnjë mermer, a morg kristal
mos duhet vallë prapë të të mbart
gjysëm të vdekur, gjysëm të gjallë.

Në s’gjetsha hon ku të të hedh
do gjej një fushë a një lulnajë
ku butësisht porsi polen
gjithkund, gjithkund të të shpërndajë.

Të të mashtroj ndoshta kështu
dhe të të puth të ik pa kthim
dhe nuk do dine as ne askush
harrim ish ky a s’ish harrim.

Albulena Jashari reflekton në ekspozitën ‘Akordet e çikave’ (FOTO)

Gili Hoxhaj

Piktura, kitara e CD të stolisura shpërfaqnin multidimensionalitetin e artistes Albulena Jashari. Ajo sonte solli ekspozitën e dytë personale duke e dëshmuar stilin e veçantë edhe në pikturë derisa shpalosi punimet në ambientin e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Albulena është artiste e grafikës, e muzikës dhe e kitarës, por janë këto vitet e fundit ato që e kanë tërhequr vëmendjen më të madhe të kësaj artisteje drejt pikturës. Janë tetë punime të pikturave, tri kitare të stolisura dhe pesëmbëdhjetë CD të cilat vijnë të modifikuara me stolitë personale të artistes, e të cilat ajo i ka parë si mënyrë riciklimi. Në disa nga pikturat e saj kishin zënë vend dy e më shumë portrete femrash, e në disa të tjera figura e tyre ishte e shtrirë e vetme në një pikturë. Sytë e tyre diku janë të hapur, e diku rrinë të mbyllur, kjo për artisten nënkuptonte kërkimin e ëndrrave të tyre, apo meditimin si pjesë edhe e vetë artistes. Albulena, e dëshmuar tashmë edhe si këngëtare sonte solli kitarat me të cilat ishte rritur, mirëpo duke i dhënë një qasje tejet estetike në dukje.

“Talenti i saj më ka intriguar shumë duke qenë se ne gjatë gjithë ciklit jetësor, e kemi shumë të rëndësishme që të gjejmë akordet tona dhe të kemi një harmoni me veten në mënyrë që të jemi pjesë e një sistemi më të madh, duke qenë në harmoni edhe me ato çfarë ndodhin përreth nesh’’, tha artistja Eliza Hoxha në hapjen e kësaj ekspozite, ndërsa shtoi se përshtypje i ka lënë edhe ideja e riciklimit të CD-ve duke i sjellë kështu përmes kreativitetit të saj artin vizual me atë muzikor, ku ajo edhe bën pjesë.

Albulena ekspozitën e parë personale e kishte ndarë me publikun tiranas, mirëpo ndjenja e të qenit pranë të afërmve të saj, e shoqërisë këtu në Prishtinë, po dhuronte sonte emocione të veçanta. Madje ajo thotë se me shumë emocion i ka numëruar momentet drejt ekspozitës. Çdo punim i saj sonte këtu shpërfaqte një reflektim të artistes mbi veten.

“Secila femër e vendosur në këto piktura ka diçka të Albulenës, e kam paraqitur vetveten. Janë femra të lira, të cilat vazhdojnë ta ndjekin ëndrrën e tyre, janë femra paqësore dhe të pavarura. Është një frymë se si unë jam rritur në familjen time’’, tregoi artistja Jashari për KultPlus.

Pikturat në mur përmbajnë brenda kornizave të tyre personalitetin e fuqishëm të femrës. Disa prej tyre mbajnë flokë ngjyrë blu, disa ngjyrë kafe, të kuqe, disa të bardha, disa ngjyrë të verdhë e një prej tyre nuk ka fare flokë. Veshjet, pozita, e ngjyra e trupit të tyre prekin përtej realitetit të femrës shqiptare. Përmes këtyre elementeve artistja ka prekur femrën e kulturave të ndryshme të botës.

Artiste të disa disiplinave, e konsideron Albulenën, profesori i saj Hajrush Fazliu.

Ai tha për KultPlus se artistja duke bashkuar stilizimet e veta edhe në pëlhurë e kitarë arrin të sjellë një ekspozitë shumë të veçantë.

“Përmes një stilizimi, dekoracioni e ndërlidh çdo kompozicion dhe hapësirë por si lajtmotiv kryesisht e ka femrën, e cila paraqitet gjithnjë me një zbukurim për të treguar atë që e bën gjininë e bukur vërtetë artistike”, tha profesori Fazliu në këtë ekspozitë, i cili duke qenë profesor i artistes e ka kuptuar potencialin e saj për pikturë.

Albulena Jashari përveç magjisë së pikturave, ajo nuk kishte si ta lë anash edhe muzikën të cilën e kishte shkrirë në punimet e saj. Me këngë, e vallëzime bëri që kjo mbrëmje të jetë e plotë në aspektin artistik. Ekspozita do të shoqërojë për njëzetë ditë të gjithë vizitorët e Hanit të 2 Robertëve në Prishtinë./ KultPlus.com

“Si grua që jam, nuk kam atdhe. Si grua, nuk dëshiroj të kem atdhe…”

Thënie nga Virginia Woolf. Woolf ka lindur me 25 janar 1882 dhe mbetet një ndër shkrimtaret më të mira angleze.

“Për pjesën më të madhe të historisë, anonim ka qenë gjithnjë një grua”.

“Nuk mund të gjesh paqe, duke shmangur jetën”.

“Përse vallë gratë janë kaq … të interesuara për burrat, sesa vetë burrat janë të interesuara për gratë”

“Mbyllini bibliotekat, nëse doni, por nuk ka derë, as çelës, as shul, që mund të bllokojë lirinë e mendjes”

“Të shkruash është njësoj si të bësh dashuri. Në fillim e bën për ndjenjën, më pas e bën për mikun dhe në fund e bën për para”

“Si grua që jam, nuk kam atdhe. Si grua, nuk dëshiroj të kem atdhe. Si grua, atdheu im është gjithë bota”

“Sytë e të tjerëve janë burgu ynë; mendimet e tyre janë kafazi ynë”

“Librat janë pasqyra e shpirtit”

“Asgjë më e trashë se tehu i thikës nuk e ndan më mirë lumturinë nga melankolia”.

“Kam humbur shumë miq, disa kanë vdekur … të tjerët i kam humbur nga paaftësia për të kapërcyer rrugën”.

“Të gjitha ekstremet e të ndjerit janë të lidhura me marrëzinë”

“U nisa të shkruaj për vdekjen, veçse jeta më mori me vete, si gjithnjë”.

“Të adhuroj, por kam neveri për martesën. Urrej vetëkënaqësinë e saj, sigurinë, kompromisin e saj dhe mendimin se ti do ndërhysh në punën time, duke më vënë gardhe; pra, cila është përgjigjia jote?”

“Të rritesh do të humbësh disa iluzione, me qëllim që të kërkosh të tjera”.

“Ta shohësh jetën në sy, gjithmonë, ta shohësh jetën në sy dhe të njohësh për atë që është … në fund, ta duash atë për atë që është dhe më pas ta lësh mënjanë”.

“Shpesh në ditët me shi, nis të numëroj; çfarë kam lexuar dhe çfarë jo”.

“Në të vërtetë nuk më pëlqen natyra njerëzore, nëse nuk sheqeroset me art”.

“Pikërisht në plogështinë tonë, në ëndrrat tona, e vërteta nganjëherë e gjen rrugën mbi sipërfaqe”.

Përktheu: Rudina Dahri

Çfarë mendimi kishin rusët për Skënderbeun?

Historianët shqiptarë e kanë konsideruar Rusinë si armiken natyrale të popullit shqiptar. Pavarësisht kësaj, më herët, intelektualët e këtij populli kanë vlerësuar dhe nderuar heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Jakov Kozelcki, shkrimtar rus: Shkroi Veprën “Filozofskije predlozenia” (Propozime filozofike), botuar në Petërburg në vitin 1768. Në qendër të librit është figura e Skënderbeut, ku vihet në dukje lufta heroike e popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kjo luftë thekson ai është një shembull tipik i luftës së drejtë të një populli të vogël kundër një agresori shumë të fuqishëm.

Duke krahauar Gjergj Kastriotin me Aleksadnrin e Maqedonisë, jep një vlerësim të ri: “Skënderbeu është me të vërtetë, i madh, hero i vërtetë i njërëzimit, sepse ka luftuar për lumturinë dhe lirinë e popullit të vet e të popujve të tjerë.”

Nikollai Karamzini, shkrimtar i madh rus i fund shek. XVIII- fillim shek. XIX.
Në veprën dymbëdhjetëvëllimëshe “Istoria Gosudarstva Rossiiskovo” botuar më 1842 ,e zemërimin thekson: “Të tmerruar nga fitoret e Muratit e të Mehmetit II, sunduesit perëndimorë dridheshin por nuk vepronin. Heroi i Shqipërisë i famshmi Skënderbej, u dha atyre shembulllin e shpirtmadhësisë. Vetëm me një grusht njerëzish ai zmbrapsi ushtritë e panumërta të sulltanëve.

Por më kot: “sunduesit evropianë jo vetëm ishin të pa aftë ta imitonin atë, por me paturpësinë më të madhe e bënë të merrte pjesë edhe në përleshjet që kishin midis tyre.”

***Marrë nga libri 300 autorë të huaj për Shqipërinë

Shteti serb financon dokumentarin për betejën e Koshares dhe Pashtrikut

Po mblidhen të dhëna për një dokumentar i cili do të fokusohet në betejat e Koshares dhe Pashtrikut, në vitin 1999.

Gjenerali në pension i Ushtrisë Jugosllave, Dragan Zivanoviç, dhe koloneli Dusko Sljivancanin, të cilët janë akuzuar, por e kanë mohuar të kenë qenë përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë, do të shërbejnë si konsulentë jozyrtarë për dokumentarin me tre pjesë, u lajmërua të enjten.

Dokumentari mbi betejat në Koshare dhe Pashtrik në vitin 1999 po prodhohet nga Ministria Serbe e Mbrojtjes dhe televizioni publik RTS.

“Oficerët po merren në pyetje për filmin, por në një farë mënyre ata janë gjithashtu konsulentë ekspertë,” tha regjisorja e dokumentarit, gazetarja e RTS Sladjana Zariç, në një konferencë shtypi në Beograd.
Beteja në postën ushtarake të Koshares u zhvillua midis Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga 9 prilli deri më 10 qershor 1999.

Luftimet në malin Pashtrik, në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, vazhduan nga 26 maji deri më 14 qershor të të njëjtit vit, shkruan Balkan Insight.

E pyetur nga BIRN për koston e dokumentarit, regjisorja Zariç tha se realizimi do të bëhet me ndihmën e forcave të armatosura serbe, ndërkohë që intervistat nuk kushtojnë asgjë.

Sljivancanin tha se pyetja e BIRN-it në lidhje me koston “e zemëroi atë” dhe ai nuk iu përgjigj pyetjes pasardhëse në lidhje me padinë penale të ngritur kundër tij nga HLC-ja.

Dokumentari prej tre pjesësh do të shfaqet për herë të parë me rastin e 20 vjetorit të betejës në Kosare më 9 prill 2019. / KultPlus.com

Petku

Poezi nga Ezra Pound / Shqipëroi Edon Qesari

Ti shtrëngon gjethen tënde të trëndafilit
Deri sa stin’ e trëndafilëve të sosë
Thua vallë Morti do të të puthë?
Thua vallë se Shtëpia e Errët
Do të të pajtojë një dashnor
Bash si unë? A do të kenë mall për ty
Trëndafilët rishtarë?

Zgjidh petkun tim para petkut prej dheu,
Nën të i mbrami mot rri,
Vëngërt veç ndaj kohës kthehu
Kurrësesi ndaj syve të mi.

Besa Luzha: Arti mundet të ketë funksion politik

Nëse arti dhe politika janë dy sfera që shkojnë afër njëra tjetrës apo jo, është debat i pafund dhe me shumë mendime.

Besa Luzha, profesoreshë dhe aktiviste, mbrëmë në një prej emisioneve të Televizionit Klan Kosova, tregoi se arti mund të ketë funksion politik, por jo domosdo.

“Arti mundet me pasë funksion politik, jo vetëm në raport me agjendën politike, por e merr këtë funksion kur promovon barazinë gjinore, shembull, apo kur e kundërshton dhunën në familje, ose dhunën ndaj gruas” tregoi në një pjesë të debatit Besa Luzha.

Ajo iu referua artistes Alketa Xhafa Mripa, e cila dhimbjen për gratë e dhunuara, pra një aktualitet politik, e ktheu në art.

“Nëse artisti promovon ambientin e pastër, tolerancën, atëherë arti merr funksion politik. Megjithatë ndonjëherë artisti vendosë edhe për diçka që nuk është e lidhur me zhvillimet në shoqëri” tregoi Luzha.
Në këtë emision televiziv i pranishëm ishte edhe Mehmet Behluli, artist e profesor.

Behluli tha se raporti i tillë fuqizohet pasi artistët, në ambient ku jetojnë, janë gjithmonë më kritikët.

“Artistët e rinj sot i brengosë aktualitet, i bren. Arti kësisoj shërben si një vegël për me e shprehë një pozicion, për me e ndriçu një pozicion” tregoi mes tjerash Behluli.

Gjatë emisionit në fjalë u diskutua mbi artin dhe politikën dhe se si ato ndërhyjnë në njëra tjetrën, kjo edhe në pajtimin mes dy popujve apo në sukseset dhe dështimet që njëra fushë mund ti arrijë para tjetrës. / KultPlus.com

Flaka Haliti, këtë vit pjesëmarrëse në Public Art Munich

Public Art Munich – PAB ka prezantuar disa prej pikave kryesore të edicionit të këtij viti.

Nga data 30 prill e deri me 27 korrik të këtij viti, në Olympic Stadium në Munih vjen organizimi artistik, kësaj here me konceptin “Game Changers”.

Artistja shqiptare Flaka Haliti është njëra nga pjesëmarrëset në këtë panair arti, së cilës i është besuar njëra prej punimeve artistike.

Me datë 1 maj do të inaugurohet Pavijoni i PAM, ku kanë punuar Flaka Haliti dhe Markus Miessen në një program me kurator Gursoy Dogstas.
PAM 2018 do të adresojë mekanizmat e ndryshimit dhe ndryshimet fondamentale që zënë vend sot në Munih, një qytet që ka kaluar nëpër zhvillime të ndryshme ideologjike, socio-politike dhe simbolike.

Projektet që u janë besuar këtë vit artistëve kanë të bëjnë me Radion Evropa e Lirë, me Republikën Sovjetike të Bavarisë, me de-nazifikimin e pasluftës, me vitin 1989, me inteligjencën artificiale dhe me kampanjën #Metoo. Çka duhet të ndryshojë, dhe si?

Çdo vikend, nga 30 prilli e deri me 27 korrik, në Munih vijnë ngjarje të ndryshme në kuadër të PAM.
PAM është programi artistik më i madh në Munih, ndërsa këtë vit hapet me instalacionin e arkitektes Alexandra Wasilkowska, shkruan KultPlus.

Flaka Haliti nuk është emër i panjohur për artin momental evropian. Haliti përfaqësoi Kosovën në Bienalen e Venecias, bienale prestigjioze dhe e respektuar, ndërsa në vazhdimësi ka realizuar ekspozita të ndryshme brenda Kosovës dhe jashtë saj.

Haliti ka ekspozuar në Sallonin e Tetorit në Beograd, në Castilla në Spanjë, në mumok në Vjenë. Vitin 2015-të ajo morri çmimin Ars Viva Prize.

Artistët tjerë që janë porositur për këtë edicion të PAM janë Lawrence Abu Hamdan, Cana Bilir-Meier, Anders Eiebakke, Leon Eixenberger, Massimo Furlan, Mariam Ghani, Rudolf Herz & Julia Wahren, Alexander Kluge, Michaela Melián, Ari Benjamin Meyers, Dan Perjovschi, Alexandra Pirici & Jonas Lund, Olaf Nicolai, The 9th Futurological Congress/Julieta Aranda & Mareike Dittmer dhe Franz Wanner. / KultPlus.com

Mos e bëj

Poezi nga Ilnisa Agolli.

E vetmja gjë që kërkonte në avullin e pasqyrës,
ishte një copë vete.
E pashë!
Një copë vete,
mbetur mëngës së një peshqiri
që nuk ishte më i bardhë si ai që gjente dikur shtëpisë.
Ai që ishte gjithnjë i hekurosur
megjithëse i ashpër.
Ai që ishte padyshim i vogël
por nuk ishte asnjëherë qull.
Atë që nuk e shihte më varur sot
aty afër në pasqyrë.
E pashë si e mbushi gojën me kolinoz,
pastaj pa thonjtë,
pastaj kalendarin.
E shtunë.
Pastaj pa orën: 21:19
Kishte kohë sa të gjente furçën apo vinte re
një puçër në faqe dhe mandej t’i vinte për të qarë,
deri më 11:00 që dilte.
Mendonte se dashuria lypej netëve dhe se këtë e bënte të mërkurave zakonisht
jo të shtunave.
Të shtunat s’kanë datë, as orë
janë të lumtura.
Por sot qenka kaq e mërkurë, sa nuk do qaj-tha.
Pastaj u merzit dhe mbylli derën.
E pashë si hutua!
Ishte përvjetori martesës.
Nga ato që festohet pa fjalë derisa dëgjohet një zile telefoni
dhe është gjithmonë një bjonde mes tyre.
Një bjonde klasike,
nga ato që
nuk është kurrë aty,
sepse s’do ta kuptonte asnjëherë atë shije trishtimi që gjendet mes rreshtave ku kërkon
thjesht për një “natën e mirë”
që ta thotë me aq lehtësi një tjetër.
Brune, këtë herë,
që s’ka telefon por me një poet në dorë
veç kur ia nis e të citon:
“se si vetëm në ca netë ngrihet e shembet botë e tërë?”
Qëlloi e shtunë, u habit!
Të dielën, e pashë:
Kërkonte poshtë kalendarit një copë botë
Është fatkeqësi kur e kupton
se në fakt gjithë jetën
paske qenë më shumë njeri
se gomar.
Kaq pak mjafton
fare pak,
hiçgjë.
Më pak se pak, për të parë veten
që s’je as i bukur
dhe se vetëm pafuqia të paska dhënë nur,
dhe se sa shumë pështymë kërmilli
t’u desh të gëlltitësh prej frikës
se mos rrije dhe pak
aq sa për të larë dhëmbët në mëngjes.
Se sa shumë pendesë poeti
t’u desh të ndiesh mes rreshtave
si vdes nje burrë nga një i vetëm gurë.

Se sa shume dhimbje koke do të përtypje çdo vakt
dhe se kaq shumë kohë
që në lavaman të vije duart
para pasqyrës me avull
dhe tre peshqirëvë përdhe
për t’i thënë vetes se :
– As një copë hale s’je!

Ditën kur vdiq, Fan Noli nënvizoi disa vargje në një libër

Një nga figurat më të mëdha të historisë së Shqipërisë, Fan Noli, u nda nga jeta në moshën 83-vjeçare në Fort Lauderdale, Floridë, larg vendit të cilit i kushtoi jetën e tij.

Më 13 mars të vitit 1965, në ditën e fundit të jetës, Noli kishte në dorë një libër me poezi të poetit francez, Alfred Devinji (Afred de Vigny) dhe po lexonte poemën “Vdekja e ujkut”. Sipas studiuesit dhe shkrimtarit Nasho Jorgaqi, Noli dha frymë në kopshtin e shtëpisë ku po lexonte poemën.

Libri i Devinjit i kishte rënë nga dora dhe ai kishte nënvizuar këto vargje: “Rënkimi, vaji dhe lutjet janë të gjitha dobësi! Detyrën bëj si burrë pa u epur kurrsesi! Në rrugën vetë fati që deshi të caktojë! Pastaj si unë, vuaj dhe vdis pa hapur gojë”.

Të gjithë studiuesit që janë marrë me fundin e jetës së Nolit, i mbajnë si testament këto vargje të cilat nënvizoi Noli.

Sipas Nolit, njeriu duhet të përballej në këtë mënyrë me vdekjen. Të vuante, të vdiste pa hapur gojë, gjë të cilën e dëshmoi edhe vetë në fundin e tij. / KultPlus.com

Shqiptarja nga Fieri, për përfaqësimin e Qipros në Eurovizion?

Shqiptarja Eleni Foureira do të mund të përfaqësojë Qipron në Eurovizion.

Thashethemet e medieve greke tregojnë se këngëtarja e njohur në Greqi është gati ta pranojë ofertën për ta përfaqësuar Qipron në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion 2018.

Foureira, me origjinë shqiptare, është një yll muzikor në Greqi.

Ende nuk dihet saktë nëse lajmi është i vërtetë. Javën e kaluar, Elena Paparizou – këngëtarja greke që fitoi Eurovizionin në vitin 2005 me këngën “My Number One”, nuk e pranoi ofertën e Qipros për përfaqësim.

https://www.youtube.com/watch?v=hdzmeb05ye0

Shqiptarja Foureira ishte shumë afër përfaqësimit të Greqisë në Eurovizionin e vitit 2010-të, kur doli në finalen e festivalit kombëtar me këngën “Kivotos tou noe”.

Eleni Foureira ka lindur në Fier të Shqipërisë ndërsa ka lëvizur për në Greqi në fëmijëri, bashkë me familjen e saj. / KultPlus.com

Unë s’mbaj shpresë

Poezi nga Robert Shvarc.

E ç’të shpresoj tani për ritakime?
Ato po mbeten gonxhe që nuk çelin!
Parajsë dhe skëterrë në zemrën time,
rënkime dhe shpresa që më dhelin!

Gjithnjë tek un’ jetoka një dëshirë:
t’i falem pastërtisë së panjohur,
asaj që është m’e lartë dhe m’e mirë,
asaj që deri tani nuk më ka ngrohur.

Këtë e quaj unë shenjtërim –
dhe e ndiej për Ty, o mike e shpirtit tim!

Por ja që mbetem prapë i vetmuar
dhe koha shkon, asgjë nuk më dhuron.
E gjith’ ajo, që n’heshtje kam varguar,
më lumturon e prapë më trishton…

E malli prapë më shtyn nëpër shtegtime,
ku unë dalngadalë vras veten time.
Dhe po humbas, por nuk më vjen çudi,
se jeta më llastoi e përkëdheli:
më fali zjarr, kurorë dhe lavdi,
por dhe më shpesh më tundi nga themeli –

Përmirësohet cilësia e Universitetit të Prishtinës, sipas Webometrics

Universiteti i Prishtinës është radhitur më së larti nga universitetet e Kosovës në ranglistën e Webometrics.

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është radhitur i 3320 në ranglistën e publikuar nga Webometrics në muajin janar.

Krahasuar me listën e publikuar në muajin korrik të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës ka arritur të përmirësojë pozicionin e vet duke u ranguar për 618 vende më lart në listë.

Përmirësim në rangim ka arritur edhe Kolegji AAB, i cili për dallim nga ranglista e muajit korrik tani është ngritur për 1092 vende.

Përndryshe, Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji AAB janë të vetmet universitete shqiptare që kanë arritur të futen në listën prej 5 mijë universiteteve të ranguara sipas citimeve në Google Scholar.

Universiteti Bujqësor i Tiranës nga Webometrics është radhitur i 5277 kurse Universiteti i Tiranës i 5978.

Ranglistës së Webometrics në tri pozitat e para i prijnë, Universiteti i Harvardit, Universiteti i Stanfordit dhe Universiteti i Masaçusetsit.

Ranglista e universiteteve botërore sipas Webometrics, i publikon rezultatet dy herë në vit, në muajin janar dhe në muajin korrik kurse në të përfshihen rreth 30 mijë universitete botërore. / Kallxom.com / KultPlus.com

Traileri i Turqisë për serinë rreth Alija Izetbegović (VIDEO)

Televizioni turk TRT1, më 30 janar fillon emetimin e serisë për jetën e kryetarit të parë të Kryesisë së Bosnjë e Hercegovinës Alija Izetbegoviq.

Seria “Alija” i ka gjashtë episode me nga 90 minuta, ndërsa e tregon jetën e Izetbegoviqit që nga lindja, 1944, deri në vdekje në vitin 2003, përcjell portali serb alo.

Është xhiruar në Sarajevë, Mostar, Konjicë e vende të tjera në Bosnjë e Hercegovinë.

Izetbegoviq e ka udhëhequr popullin boshnjak në luftën kundër sulmeve të Ushtrisë serbe e jugosllave në vitet e 90-ta.

Në kohën ish- Jugosllavisë ai ka vuajtur dënimin me burg për shkak të, siç thuhej në atë kohë, veprimeve nacionaliste. / KultPlus.com