Një monument me Skënderbeun po ndërtohet afër Elbasanit (VIDEO)

Një Skëndërbe me përmasa që kurrë nuk e keni parë më parë. Monumenti po realizohet në Labinot, fushë 6 km larg Elbasanit.

Ngjan si diçka e përafërt me portretet e presidentëve në Amerikë të gdhendura në mal. Autor i veprës gjigante është skulptori Fiqiri Kasa.

Sipas të dhënave, Gjergji i Madh është porositur nga Gjergj Luca, në Elbasan.

Gjithçka duket se përkon edhe me 550 vjetorin e vdekjes së Skëndërbeut dhe me shpalljen e këtij viti si Viti I Skëndërbeut në trojet Mbarëkombëtare.

Do të jetë vetëm portreti i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriotit, Skënderbeut. Ky monument do të jetë 8 m i lartë. / KultPlus.com

“Çdo grua e dhunuar në luftë është Nëna ime, motra ime, heroina ime”

Regjisori Kushtrim Mehmeti ka reaguar në rrjetet sociale rreth intervistave me gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë.

Një pjesë e intervistave zakonisht bëhen me këto gra anonime, ose me fytyra të mbuluara dhe të montuara.

Reagimi i Kushtrimit është ky:

Femrat e dhunuara gjatë luftës nuk duhet ta mbulojnë fytyren ne intervista, fytyren duhet ta mbulojm ne qe nuk kemi bërë asgjë per ato.
Nena ime, motra ime, mos u mashtro,sot ne shikojmë ndonjë mundësi përfitimi nga ju, ne harrojmë “marren” kur përpara kemi paranë, e ti mos u mashtro ,nuk kemi ndryshuar vetëm po shikojmë mundësin si mund te kthejmë “turpin” në monedha, për ne dashuria nuk ekziston, mirësia nuk ekziston. Ne shikojmë paranë e ndonjë misioni, ndonjë organizate dhe bëjmë projekte, për “juve” qe t’u “ndihmojmë”
Heroina ime mos u tremb, shteti mbahet nga zhvatësit, ne jemi shoqëri zhvatëse, ti mos prano të zhvatesh e mos u tremb , ti nuk ju trembe as Serbit, ne jemi frikacak dhe ashtu do mbesim.
Po te kërkoj qe qëndrosh e fort, e palëkundur, ballëhapur, e guximshme, ti je Heroina ime, me fal nëse të kam paragjykuar, atëherë isha i ri dhe mentaliteti i atyre “burrave” te paraluftës nuk më lejonte të mendoja me kokën time, sot të vlerësoj dhe kërkoj nga te gjithë, ne shenjë mirënjohjeje , mbështetje , t’u lehtësojmë dhimbjet assesi tua shtojmë.
Çdo grua e dhunuar në luftë është Nëna ime, motra ime,heroina ime
Me dashuri respekt;
Djali juaj, Vëllai juaj, I Dashuri juaj
/ KultPlus.com

Në fletoren ku ti shkruan

Poezi e shkruar nga Odhise Grillo.

Në fletoren ku ti shkruan
zë e ndihet një sëpatë…
Ai zë është i druvarit,
që rend pyllit nëpër natë.

Në fletoren ku ti shkruan
zë e cicërin një zog…
Ai zë është i bilbilit
që me lisin ishte shok.

Në fletoren ku ti shkruan
ndrit një rreze përmbi fletë…
Është rrezja diellore
që e mbante lisin në jetë.

Në fletoren ku ti shkruan
gurgullima uji nisin…
Ai zë është i burimit
ku ka shuar etjen lisi.

Në fletoren ku ti shkruan
pena nis cijat patjetër…
Është zëri i fabrikës
që e bëri lisin letër.
Iku lisi që nga pylli
dhe fletore na u bë…

Prandaj ndihet një zë sëpate,
ndaj këndon një zog në të,
ndaj një rreze nis shkëlqen
edhe zbardh si dëborë,
prandaj pena nis këndon
për druvarë e punëtorë.

Ndaj burimi gurgullon
rrëzëllejne pika djerse…
Në fletoren ku ti shkruan
ja pse ndihen zëra jete!

Shakira mbetet këngëtarja më e suksesshme në Youtube

Viti 2017 ka qenë viti i sukseseve për shumë këngëtarë në mbarë botën, hitet e të cilëve kanë pushtuar top listat muzikore.

Por duket se artistja që ka arritur më shumë sukses është Shakira, e cila ka lënë pas me klikime në Youtube koleget e saj.

Ka qenë vetë këngëtarja e cila nëpërmjet një postimi në Instagram e ka bërë me dije këtë duke shprehur emocionet e saj:

“Çfarë mënyre e mirë për ta filluar vitin e ri, duke e ditur se e gjithë kjo vjen nga mbështetja e jashtëzakonshme që më keni dhënë! Ju dua kaq shumë”.

Kujtojmë se dy këngët e publikuara nga këngëtarja përgjatë vitit 2017, “Me Enamore” dhe “Perro Fiel”, kanë arritur shifra rekord klikimesh në Youtube. / KultPlus.com

“Donald Trump donte një kanal televiziv ku luftonin gorillat…”

Donald Trump, njeriu që e quan veten gjeni dhe i pari i Amerikës, përshkruhet si burrë që ka dëshirë të shoh luftë mes gorillave, në televizor.

Në librin e ri “Fire and Fury”, shkruar nga Michael Wolff, shkruhet se Donald Trump ditët e para të presidencës së tij ka dashur një kanal televiziv me gorilla.

“Shtëpia e Bardhë më pas përmblodhën disa dokumentarë mbi gorillat, por Donald Trump nuk ishte i kënaqur sepse ‘gorillat nuk po luftojnë mes vete’, prandaj emisioni ishte ‘i mërzitshëm’. Stafi editoi dokumentarët dhe la vetëm pjesët kur gorillat po luftonin mes vete, dhe më në fund presidenti ishte i kënaqur. Një njeri nga brenda më ka treguar se Donald do të ulej para televizorit dhe do të komentonte secilën lëvizje të gorillave” shkruhet mes tjerash në libër.

Duket si një skenar i trilluar, por Wolff siguron se gjithçka në librin e tij kontrovers rreth Donald Trump është e vërtetë, shkruan KultPlus.

“Ai do të ‘fliste’ në njëfarë forme me gorillat, duke menduar se ato po e dëgjonin, me fjalët si ‘mënyra si e godite gorillën ishte shumë e mirë’. Ndonjëherë ai ka shikuar TV për 17-të orë me radhë” shkruhet në një pasazh të këtij libri, i cili është online me anë të Wikileaks.

Libri ka shkaktuar debate të mëdha ndërsa vetë Trump ka reaguar ndaj librit, duke e quajtur autorin një dështak që kërkon vëmendje. Pasazhet tjera të librit janë edhe më skandaloze dhe tregojnë të vërteta që kanë ndodhur brenda Shtëpisë së Bardhë që nga koha kur në fron erdhi Trump. / KultPlus.com

Dy motrat shqiptare dhe një histori prekëse

Këto dy motra të varfra kishin ecur 40 kilometra nga një fshat malor për të arritur në Tiranë.

Vajza në të majtë vuante nga një infeksion të rëndë në sy dhe, për të shpëtuar nga verbimi i plotë, kishte nevojë për një ilaç që shpërndahej nga farmacia e Kryqit të Kuq Amerikan në Tiranë.

Motrat kishin sjellë me vete dy pula dhe gjashtë vezë për t’ia dhënë mjekut amerikan. Kur iu tha se ilaçi ishte falas, ato refuzuan dhe nuk donin të largoheshin pa lënë pulat dhe vezët që kishin sjellë.

Një histori që flet shumë për karakterin dhe moralin.

Biblioteka e Kongresit, Uashington!

Viti 1920!

Jakup Ferri, me punën artistike në tapiseri në ekspozitën e radhës tek TULLA

“op, op”, është një ekspozitë personale e Jakup Ferrit. Ferri është i njohur për vizatimet e tij në dukje të sinqerta në letër, qelq, madje edhe në mure. Ai është pjesë e një brezi të ri artistësh të cilët si rezultat i ekspozitave ndërkombëtare dhe programeve rezidenciale, jetojnë një ekzistencë nomade.

Puna e Ferrit karakterizohet nga thjeshtësia dhe çiltërsia, duke portretizuar njerëzit në izolimin e tyre, të tjetërsuar nga mjedisi i tyre.

“op op”, do të paraqesë punën më të re të Ferri-t të prodhuar në tapiseri. Për anën teknike dhe realizimin e mozaikut, Ferri bashkëpunoi me Fatos Kabashin dhe 8 asistentë të tjerë.

Vitet e fundit Ferri ka hulumtuar teknikat e ndryshme artizanale të përdorura në artin dhe pikturat autoktone popullore. Ai i kushton rëndësi të madhe natyrës autentike dhe të parafinuar të këtyre veprave. Kurioziteti Jakup Ferrit u ngjall kur në moshë të re ra në kontakt me artet tradicionale të tekstilit të punuar me dorë. Ai filloi të grumbullonte qilima të vjetër dhe të kërkonte nëpër tregje përvetësime të reja.

Këto tapiseri unike na çojnë në botën poetike të Ferrit, të mbushur me kujtime të rinisë së tij në Kosovë. Një temë e përbashkët në punën e tij është dëshira për të pasur një ndjenjë solidariteti me familjen, miqtë dhe shokët e tij të shpirtit. Në të njëjtën kohë në punën e tij ai tregon lirinë e stilit të jetës së tij bohemiane.

Jakup Ferri i lindur në vitin 1981, në Prishtinë, Kosovë, ka studiuar në Fakultetin e Arteve të Prishtinës dhe Rijksakademy në Amsterdam.

Në vitin 2008, Jakup Ferri mori çmimin Buning Brongers në Amsterdam. Ai ka marrë pjesënë ekspozita të ndryshme ndërkombëtare, ndër të tjera: U-TURN Quadrennial for Contemporary Art Copenhagen, Istanbul Biennal dhe De Hallen në Haarlem.

Me rastin e hapjes së ekspozitës do të zhvillohet një performancë speciale nga TETRIS

Kolektivi i artistëve – TETRIS është ftuar për të performuar në hapjen e ekspozitës. Grupi eksperimental synth-electronica bashkëpunon me Jakup Ferrin dhe e frymëzojnë njëri-tjetrin në punën e tyre

Ekspozita është mbështetur nga American Bank of Investments. / KultPlus.com

Kërkohet ndërtimi i shtatë shtatoreve të reja në Prishtinë

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës së fundmi ka dërguar një kërkesë në Kuvendin e Kosovës.

Kjo organizatë ka kërkuar që në Komunën e Prishtinës të ndërtohen përmendore për shtatë dëshmorë të rënë në luftën për liri të UÇK-së.

Kërkesën e kësaj organizate dërguar Kuvendit, e ka konfirmuar, nënkryetari i OVL të UÇK-së, Migjen Shala.

“Po, kemi bërë kërkesë”, ka thënë ai.

Shala, i cili njëherësh është asamblist nga radhët e PDK-së në Komunën e Prishtinës, ndër të tjera ka theksuar se kanë kërkuar që në Prishtinë të ngriten shtatoret e komandantit legjendar Adem Jashari, shtatorja e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, Nuhi Berishës, Rexhep Malës si dhe shtatoret e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut.

Nuk është hera e parë që anëtarë të kësaj organizate kanë kërkuar që në kryeqytet të ngritën shtatore të figurave historike të UÇK-së.

Organizatat e dala nga lufta e fundit në Kosovë, tash e një kohë kanë kërkuar që në Prishtinë të ketë shtatore të komandantit Adem Jashari, për ta nderuar veprën e tij. Ndërkaq në anën tjetër, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë afat kohor se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë. / KultPlus.com

Do të botohen dëshmitë e të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet komuniste në Shqipëri

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit (ISKK) lajmëron botimin për së shpejti vëllimi IV i kolanës memuaristike “Zërat e Kujtesës”, dëshmitë e të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet komuniste të internimit.

Është një seri e gjatë bisedash të gjata të filmuara që kanë zhvilluar Agron Tufa dhe Luljeta Lleshanaku, të cilat po zbardhen të botuara në këtë kolanë. Bisedat zgjasin nga 4-7 orë dhe paraqesin në vetvete novela të mirëfillta memuaristike. Një numër i madh i të intervistuarve, për fat të keq nuk jeton më, çka e shton domosdoshmërinë për nxituar sa më shumë, e prapë nuk është e mjaftueshme. Prandaj do të sugjeronim për çdokënd, që në kushtet e sotme digitale, të mund ta japë kontributin e vet duke intervistuar një brez që po largohet, pa na rrëfyer përvojen e vet të hidhur.

Në këtë vëllim flasin për kalvarin e tyre këto ish të burgosur dhe internuar:

Agim AKCANI
Asije HABILI
Lekë FRROKU
Reshat KRIPA
Klora MIRAKAJ
Mirush OSMANI
Prelë SYKU

Trego, kallxomë!

Poezi e shkruar nga Qëndrim Morina.

/Poezi e vjetër për babën/

Tregomë, trego
Qysh me të thirrë?!
Trego, kallxomë.
Qysh me të thanë?!
Lule e varrit
Varr me lule.
Gjithçka që vdes
Do të donte të rrijë
Kush nuk vdes
Do të hajë dhe.
Shpirti yt që lulon
Ka qejf të jetë mes lulesh.
Ai që nuk vdes, do ta therin në fyt.

Trego, kallxomë
Si është të rrish’ në gropë?!
I mbyllun
Pa dritë
Veç lule përmbi.
Shkove me fjetë
S’u ktheve ma
Re n’varrin e ndreçur
Me lule përmbi
Nesër është ditë e re.

Kallxomë, trego
Ku je?
M’thuaj
A t’punojnë damarët?
A t’ecë gjaku?
A t’pihet uji?
Trego, kallxomë!

“Kadare nuk është pasardhës i Kafkës, por i Victor Serge dhe Eugène Ionesco…”

William Giraldi

“Kafkaesque” është klishe e vendosur fort në letërsi të despotizmit burokratik ose në ndonjë natë të errët të vjetër të psikikës, por për romanin e Ismail Kadaresë – “E penguara: Requiem për Linda B”, kjo klishe nuk bën punë. Kjo kryevepër e shkrimtarit më të shquar të Shqipërisë godet edhe në formimin e horrorit aktual: diktaturës staliniste të Shqipërisë, e cila rrëmbeu qytetarinë nga viti 1945 deri më 1991. Ëndrra e humnerës së Kadaresë është një portret i çmendurisë: çmenduria e shtetit stalinist dhe çmenduria e burrave dhe grave në pirjen e makinacioneve të shtetit. Në pasqyrimin e tij të ferrit totalitar dhe një konformiteti të tmerruar, Kadare nuk është pasardhës i Kafkës, por i Viktor Serges dhe Eugène Ionesco, dy dëshmitarë sfidues, ndjenjat e të cilëve shpërthyen në këtë libër.

KultPlus ju përcjellë vlerësimin e librit “E penguara: Requiem për Linda B”, nga e përditshmja prestigjioze Washington Post.

Komploti në mënyrë të thjeshtë shpalosë mjaftueshëm. Në fund të shekullit të kaluar, dramaturgu Rudian Stefa thirret nga Komiteti i Partisë. Një grua e re të cilën ai nuk e njeh, Linda B., është gjetur e vdekur si pasojë e vetëvrasjes me një kopje të librit më të ri të Rudianit. Duke qenë se Linda dhe familja e saj ishin anëtarë të borgjezisë së mëparshme, vdekja e saj duhet të hetohet patjetër. E dashura e Rudian, Migena, e njihte Lindën prej së afërmi, dhe kështu Rudian përpiqet të kuptojë se si dhe pse ai dhe puna e tij mund të kenë kontribuar në vdekjen e saj.

Vazhdimisht, në kontekste të shumta, personazhet e Kadaresë shprehin fjalët “pa ndonjë arsye”, sikur të nënvizojnë absurditetet malinje të jetesës nën mbikëqyrje të pandërprerë dhe në frikë të pandërprerë të akuzave për krime, për të cilat ata nuk janë të vetëdijshëm se i kanë kryer. Që të denoncohesh nga një bashkëqytetar, pa prova dhe pa ditur akuzat – është sikur ta prekësh fundin e dikujt menjëherë.

“Kurthe, e tradhti kudo,” thotë shkrimtari. Në një gjendje të tillë, edhe kafja në një kafene mund të interpretohet si kryengritëse nga komisarët e nderuar, dhe Kadare na paraqet një skenë në kafene në mes Rudianit dhe një hetuesi, një skenë në të cilën çdo filxhan kafeje mund të jetë e fundit për Rudianin.

Në një moment, hetuesi i thotë, “Sinqerisht, unë nuk të kuptoj,” dhe Rudian i përgjigjet, “As unë nuk të kuptoj” . Fjalët janë kthyer në absurditet; Stalinizmi fillimisht e torturonte gjuhën, para se ajo të mund t’i torturonte njerëzit. Pasi drejtuesit e shtetit ta bëjnë gjuhën të pakuptimtë, ata mund të bëjnë të pakuptimtë edhe moralin, dhe pastaj çdo gjë rrjedh. Diktatura staliniste shtrembëron mungesën postmoderne të kuptimit në një burokraci të stuhishme, duke dhënë enigmë kudo. Në të vërtetë, emri i Migena është një anagram për “enigma”.

Në një kohë kur pjesët e botës po kënaqen me nostalgji për komunizmin, romani i Kadaresë përballet me pamundësinë e armiqësisë së artit në një sistem autokratik e anti-individualist. Kadare ka qenë gjithmonë një stilist i lirë i forcës së pastër dhe John Hodgson e përktheu këtë roman si edhe tri romane të tjera nga Kadareja: me ngazëllim mbresëlënës ndaj ritmit të errët të prozës dhe komplotit të autorit. Faqet e fundit këtu janë të paharrueshme të cilat ta nxitin kureshtjen drejt befasive. Rudian “ishte i rrethuar nga një zbrazëti, dhe në këtë zbrazëti, para syve të tij, po ndodhte diçka me të cilën nuk mund të ndërhynte. Por kjo diçka, kjo zbrazëti, bashkëvepron me të, ashtu siç bën me çdo shqiptar, nga kryeqyteti në fshat, të dënuar me një frikë të hidhur”. / KultPlus.com

Mësimi i gjuhës shqipe në Serbi po kthehet në trend (VIDEO)

Mësimi i gjuhës shqipe në Serbi është kthyer në një trend.

Një studente serbe e albanologjisë ka marrë mijëra klikime në internet në videot e saj ku tregon se si mësohet gjuha shqipe.

Millena Beran është studente e albanologjisë. Me disa miq kanë filluar një projekt për për promovimin e gjuhëve të mos marrëveshjes deri më tani. Beran dhe miqt besojnë në një përdorim të ri të gjuhës. / KultPlus.com

Tyrbja e Sulltan Muratit, një lloj teferiçi për prishtinasit (FOTO)

Të shkruash për Prishtinën, duhet përmendur edhe një pjesë e saj, që është Tyrbja e Sulltan Muratit, 700 vjet e vjetër, si dhe kujdestarët e saj.

Për kaq vjet, familja e Tyrbedarëve bën rojën e saj, prej nga dhe rrjedh mbiemri. Një historik i shkurtër i kësaj familjeje, rrëfyer nga pjesëtari i saj , Abdurrahman Tyrbedari, pensionist, që llogariten të jenë prishtinas të vjetër, mirëpo ky tregon një prejardhje tjetër:
– Jo, familja jonë, stërgjyshi – Haxhialibara, ka ardhur në vitin 1848 nga Buhara, një krahinë në Yzbegistan (Rusi), të cilën e kanë sjellë këtu osmanlinjtë. Gjyshi quhet Mehmedali ndërsa im atë – Hashim.

Kur ka ardhur gjyshi, Mehmedalia, këtu nuk ka pasur përmendore, tyrbe, por vetëm shenjat nga Beteja e Kosovës në vitin 1389. Tyrben e ka ndërtuar Sulltan Abdyl Hamiti më 1852-53, ndërsa Sulltan Murati nuk e ka varrin aty, po në Bursa të Turqisë. Këtu e ka vetëm shenjën ku ka rënë shehit.

– Pra në tyrbe, kryesori ka qenë gjyshi im, Mehmedalia, i cili është kujdesur për të. Rreth tyrbes kemi pasur tokën prej 100 hektarësh, dhe ai katund, Mazgiti, ka qenë yni. Krejt të tjerët kanë qenë çifçinj. Im gjysh, Mehmedalia, ka vdekur më 1928.

Është interesant se ne aty e kemi pasur edhe ‘Selamllëkun’. Më 1952, ai u bë shkollë politike, në atë kohë nuk ka pasur ndërtesë më të bukur as në Prishtinë. Te stallat tona, të cilat i rregulluan, i adaptuan, ishte Mensa. Aty mësonin e aty ushqeheshin. Ne kemi jetuar brenda mureve të oborrit të Tyrbes me axhallarët e me të gjitha, kemi qenë kallaballëk.

Tyrbja ka qenë një lloj teferiçi për prishtinasit, ku shkonin zakonisht të dielave, e sidomos në ditën e Shën Gjergjit. Dita kalonte me çaj e me këngë.

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Prezantohet një pjesë e aktorëve të filmit “ZANA”

Është bërë sot e ditur një pjesë e kastës së aktorëve që do të jenë pjesë e filmit ZANA – me regji nga Antoneta Kastrati.

Mensur Safqiu, Fatmire Sahiti, Shengyl Ismaili, Vedat Bajrami, Bislim Muçaj, Ilire Vinca, Çun Lajçi, Molikë Maxhuni, Besnik Krapi, Remzije Shala dhe Rozafa Çelaj janë aktorët e parë që janë prezantuar nga faqja e filmit në Facebook.

Në anën tjetër, të tjerë aktorë do të dihen ditëve në vazhdim, shkruan KultPlus.

ZANA do të nisë xhirimet në fund të këtij muaji ndërsa flet për përvojën e vet regjisores Antoneta Kastrati në luftën e Kosovës, si dhe kërkimet e saj në botën e shëruesve me magji.


Antoneta Kastrati


LUME është një grua shqiptare e cila jeton me burrin e saj, ILIRIN, dhe vjehrrën, REMZIJE, në një fshat në Kosovë.

Ajo e ka humbur fëmijën e saj të vetëm para 10 viteve në luftë dhe tani ajo është e përndjekur nga ankthet e natës dhe nuk mund të mbetet shtatzënë. Të dëshpëruar për një fëmijë, familja heq dorë nga medikamentet moderne dhe kërkon një shërues tradicional që mund ta kurojë atë.

Lumja viziton një shëruese magjik të fshatit dhe kjo veç sa e përkeqëson situatën e saj, pas rekomandimit për të sakrifikuar një kafshë, traumat e kaluara i thellohen edhe më shumë. Familja pas kësaj futet në borxhe të mëdha për ta dërguar Lumen tek shëruesi magjik më i njohur në Kosovë. Ai kryen një ekzorcizëm të hollësishëm dhe i paralajmëron ata se një shërues magjik i dyshimtë e ka mallkuar Lumen me magji të zezë.

Shpejt Lume mbet shtatzënë, me shpresën që ajo do të bëhet nënë përsëri. Por përgjatë shtatzënisë, tortura e të së kaluarës dhe sekreti i errët i kthehet që ta mundojë atë dhe foshnjën e saj të palindur.
Zana ishte një nga nëntë projektet që mori pjesë në programin MIDPOINT Feature Launch për 2017, dhe fitoi çmimin MIDPOINT Development Award and the Connecting Cottbus Award. / KultPlus.com

Gjarpni e grueja

Poezi e shkruar nga Martin Camaj

Ajo mbramë harroi trupin e vet zbuluet
e në mëngjes e gjeti pikturë të varun
në murin e gjanë dhetë pashë:
e kqyri dhe e kqyri e u zhduk.

Petkat e saj teren buzë detit
me këmishën e gjarpnit mbi gurë.
Shtërpia tha se vjen prap, ajo,
deri mbasdite.

Mbasdite vonë, gjarpni i rrejtun
doli prej nëngurit
e iu zgërdhesh vetmisë ndërsy,
veshi këmishën e vjetër e shkoi
me fjetë.

“Frika është fanatike, tirane, burracake, errësuese e shikimit, kurvë…”

SALMAN RUSHDIE

Përktheu Ilir Baçi

Frika e ndryshon njeriun. Frika është burri që i largohet hijes së vet. Frika është gruaja që mban kufje në vesh në të cilat dëgjon vetëm tmerrin që e ka zënë. Frika është solipsiste, narciziste, e verbër ndaj gjithçkaje përveç vetvetes. Frika është më e fortë se etika, më e fortë se gjykimi, më e fortë se përgjegjësia, më e fortë se qytetërimi. Frika është kafsha e tërbuar që i merr përpara dhe i shkel me këmbë fëmijët tek largohet me vrap pa ditur se ku. Frika është fanatike, tirane, burracake, errësuese e shikimit, kurvë.

Grupi HUMUS, së shpejti me këngë të reja

Javën e kaluar, KultPlus solli për lexuesin e saj disa këngë të njohura të grupit kosovar HUMUS.

Grupi që njihet për hitet “Asaj” e “Dyfishohem” kanë bërë të ditur kësisoj për KultPlus se së shpejti do të dalin me këngë të reja.

“Jemi në përfundim të albumit të ri, ku edhe do të vijnë këngë të reja nga grupi” ka shkruar Grupi Humus në Facebook.



HUMUS gëzojnë një famë në Kosovë dhe jashtë saj me këngët e tyre të veçanta, dhe të cilat edhe i kanë mbijetuar kohës dhe trendit muzikor.

Pjesë e grupit në të kaluarën kanë qenë Adnan Dragaj, Nderim Ramadani, Blerim Azizi dhe Patriot Neziri. / KultPlus.com

Millosheviqit i thuren lavde në Teatrin e Prishtinës në Graçanicë

Me titullin “Slobodan show”, mjuzikli për Milosheviqin në përgatitje të Teatrit Popullor të Beogradit e në interpretim të Dramës serbe të Teatrit popullor të Prishtinës me seli në Graçanicë, gjatë muajit shkurt do të shfaqet në Beograd e në Graçanicë.

Shfaqja do të përfshijë “periudhën e sumbullave” të viteve të 90 –ta, gjatë pushtetit të Slobodan Milosheviqit dhe do të zgjasë deri në arrestimin e tij në Hagë, ka thënë autorja e këtij teksti Jelena Bogavac, transmeton Koha.net.

Ajo, si premierë do të jepet së pari, në fund të shkurtit, në Graçanicë, e pastaj edhe nëpër teatrot e Serbisë si dhe në Beograd.

“Kemi vendosur për këtë projekt sepse fati i Kosovës, fillimi dhe fundi, është i lidhur drejtpërdrejt me periudhën e sundimit të Milosheviqit. Shpesh mendohet se ai është “heroi” kryesor i shpërbërjes së kombit serb. Në kuptimin politik, është mbetur çështje e hapur a ka qenë ai kasap i Ballkanit apo kurban dhe për këtë historia do ta japë përgjigjen. Detyra jonë artistike, besoj, është në gjetjen e përgjigjeve të guximshme e të përgjegjshme në pyetjet për identitetin tonë kombëtar”, citon portali serb “Mundo” të ketë thënë autorja.

Regjinë e mjuziklit e ka bërë Nenad Todoroviq, ndërsa muzikën Marko Grubiq. Në shfaqje merr pjesë i gjithë ansambli nga Graçanica.

“Anëtarët e korit janë ‘bebet e fundit të Millosheviqit’, fëmijët e lindur në vitin 1994 e 1995. Ky brez pothuaj nuk di gjë për periudhën e Millosheviqit, sepse periudha e fëmijërisë së tyre është ajo e bombardimeve”, ka thënë Bogavac. / KultPlus.com

Adriano Çelentano feston 80-vjetorin e lindjes

Adriano Çelentano një nga protagonistët e padiskutueshëm të kulturës italiane, këngëtar, aktor dhe showman, ka festuar ditën e sotme 80-vjetorin e lindjes.

Këngëtari italian, me famë botërore, ka lindur në 6 janar të 1937 në Milano dhe ka plot 50 vite në skenë, ku ka arritur suksese të mëdha jo vetëm në muzikë. Falë këtyre sukseseve të padiskutueshmë, i madhi Çelentano është quajtur edhe Elvis Presley italian. Që prej vitit 1964 këngëtari ka në krah bashkëshorten e tij Claudia Mori.

Një ndër hit-et muzikore më të dëgjuara të Adriano Çelentanos në mbarë botën, përfshirë edhe në Shqipëri, është padiskutim “Azzuro”. Kjo këngë për mallin e të dashuruarve pushtoi jo vetëm Hitparade në Itali, por mbarë botën.

Adriano Çelentano numëron në karrierën e tij të gjatë muzikore 50 albume dhe 150 milionë disqe të shitura. Ai gjithashtu ka qënë protagonist në rreth 40 filma dhe në vitin 1987 nisi edhe karrierën si moderator në televizion. Suksesin më të madh Adriano Çelentano e arriti në Gjermani me filmin “Jepu majmunëve sheqer”, një histori dashurie mes një shoferi autobusi dhe një princeshe, të luajtuar nga Ornella Muti.

Si shqiptarë, gjendemi në një gënjeshtër gjigante!

“Të gënjesh, të bësh dashuri, të vdesësh. Sapo u ndalua të bëhej tjetër gjë. Gënjenin me tërbim përtej imagjinares, përtej qesharakes dhe absurdes, në gazeta, në afishe, në këmbë, në kalë, në makinë. Të gjithë ishin pjesë e saj. Po shtyheshin se kush do gënjente më shumë se tjetri. Shpejt, në qytet s’kishte më ‘të vërtetë’.”
– Louis Ferdinand Céline

Si shqiptarë, gjendemi në një gënjeshtër gjigante dhe po mësohemi me të.
Asgjë e vërtetë. Kohën e kalojmë pa e shenjuar qoftë edhe simbolikisht. Më në rrezik jemi tash kur jemi të lirë, në rrezik nga vetvetja. Popujt që nuk mendojnë dhe që nuk lëjnë gjurmë nuk meritojnë as liri as ekzistencë. Sepse nuk ua dinë vlerën.
Urgjentisht duhet ta dëshmojmë ekzistencën tonë! Deri tash kemi qenë të padukshëm.

Nejse…
Nezir Kraki / Facebook

Filatelia shqiptare, Ambasada amerikane publikon një pullë postare të vitit 1922

Si në të gjitha shtetet e tjera edhe në Shqipëri filatelia është pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë.

Për të gjithë të interesuarit për pullat postare, Ambasada amerikane në Tiranë postoi sot foton e një pulle postare e nxjerrë në Shqipëri, rreth vitit 1922.

“Keni interes për pullat? E dini që Shtetet e Bashkuara kanë një Muze Kombëtar Postar? Është një nga 19 muzetë e Institutit Smithsonian dhe galeritë e artit në Uashington dhe Nju Jork”, thuhet në postimin e ambasadës amerikane.

Në 5 maj 2017 pulla postare shqiptare mbushi plot 104-vjet, një rrugëtim i gjatë që nga momentet e para të emetimit të pullës së parë postare shqiptare.

Aktualisht katalogu i pullave postare shqiptare numëron mbi 3640 pamje të ndryshme pullash. / KultPlus.com

Hasan Prishtinën apo Getoar Selimin, cilin e njohin më shumë studentët e UP-së?

Shumica e studentëve të Universitetit të Prishtinës s’kanë njohuri për veprimtarinë e Hasan Prishtinës megjithëse deklarohen se kanë dëgjuar emrin e tij. Ky konstatim ka dalë nga sondazhi i realizuar me 675 studentë të nëntë fakulteteve të UP-së. Të njëjtit janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre, përveç se kanë pasur njohuri për këngëtarin, kanë ditur edhe këngët e tij.

“Hasan Prishtinën e njoh veç si emër”, kjo është njëra prej përgjigjeve që kanë dhënë disa prej 675 studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në një sondazh të realizuar nga studentët e Departamentit të Gazetarisë në UP.

Studentët e nëntë fakulteteve janë pyetur edhe për Getoar Selimin. Shumica prej tyre kanë njohur këngëtarin dhe këngët e tij.

Janë intervistuar 675 studentë nga nëntë fakultetet e UP’së.

Mostra e hulumtimit është bërë qëllimshëm në fakultetet e UP’së, në të cilat studiohen shkencat natyrore, ekonomia, tekniku, edukata fizike, arti e mjekësia.

Krejt rezultate tjera kanë dalë në Fakultetin e Arteve për Getoar Selimin.

89 për qind e studentëve të anketuar në Arte kanë thënë se njohin shumë mirë Selimin. 65 për qind kanë treguar edhe këngët e preferuara të këngëtarit.

“Është marrë me çështje kombëtare” ishte përgjigjja që dominoi në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, kur 75 studentët e këtij fakulteti u pyetën se me çka është marrë Hasan Prishtina.

Në Fakultetin e Edukimit 97 për qind e studentëve janë deklaruar se e njohin këngëtarin Getoar Selimi dhe përmendin disa nga këngët e tij. Në anën tjetër, 95 për qind e studentëve janë përgjigjur me ‘Po’ kur janë pyetur se a njohin Hasan Prishtinën.

Të gjithë të anketuarit në Fakultetin Ekonomik kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën. Por, kur janë pyetur konkretisht se me çka është marrë Prishtina, 20 për qind prej tyre kanë thënë se ai është figurë historike; 23 për qind luftëtar; atdhetar, politikan, deputet etj. 8 për qind kanë thënë se nuk kanë njohuri.

Mjekët e ardhshëm të Kosovës kanë thënë se kanë njohuri për Hasan Prishtinën si emër.

Në Fakultetin Teknik, prej 75 studentëve të anketuar, 97 për qind e tyre kanë thënë se e njohin Hasan Prishtinën. Kur janë pyetur “Çka dini për Hasan Prishtinën” 73 për qind kanë dhënë përgjigje të përgjithshme, duke thënë se ka qenë njeri i fortë, me mustaqe, me flokë të thinjura etj.

Ky sondazh është realizuar nga studentët e vitit të dytë, të nivelit Master, drejtimi “Gazetari dhe kontakte me publikun” në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, në kuadër të lëndës “Teoritë e komunikimit masiv”, ligjëruar nga prof. Lindita Tahiri, ka nxjerrë rezultate se sa informohen te rinjtë në epokën e informacionit.

Hulumtimi është publikuar në blogun e profesoreshës Tahiri, i emëruar “dil prej Ku je ti”.

Po ashtu, një hulumtim tjetër, me 1044 respodentë, në katër komunat që patën shkuar në balotazh, ka dalë se qytetarët votojnë ende për inati dhe për të keqen më të vogël. / KultPlus.com

Forcë madhore

Poezi e shkruar nga Ferit Lamaj

Një Gomar u bë Ministër:
lidh kravatë, zgjidh kapistër.

Bleta bletës te kosherja:
-Vendin tim do ta zërë Grega
Ndonëse s`është hiç punëtore
Me ç’po thonë
për forcë madhore.

– Ka dhënë urdhër vetë Zoti?
Jo, një tjetër më i zoti.
sot, moj mike, flas së mbari
Forcë madhore është Gomari.

Dështojnë konkurset e brendshme për drejtorë të QKK-së dhe të “Shotës”

Ministria e Kulturës ka anuluar konkursin e brendshëm për drejtor të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Këtë e ka arsyetuar me mungesë të kandidatëve. Kësisoj institucioni më i lartë kulturor në vend i ka hapur rrugë shpalljes së konkursit publik, siç e përcakton Ligji për kinematografi dhe ashtu siç ka kërkuar një pjesë e komunitetit të kienastëve.

“Ministria e kulturës, Rinisë dhe Sportit mbështetur në procedurat e rekrutimit, njofton për anulimin e konkursit (rekrutim i brendshëm)… për pozitën drejtor në Qendrën Kinematografike të Kosovës, për shkak të mosplotësimit të numrit të kandidatëve të nevojshëm për kryerjen e procedurës së rregullt të rekrutimit”, shkruhet në njoftimin e publikuar nga MKRS-ja të premten. Në të njëjtën ditë dhe me të njëjtin arsyetim është anuluar edhe konkursi i brendshëm për drejtor në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, shkruan sot Koha Ditore.

Konkursi i brendshëm për kreun e QKK-së ishte bërë shkas që të reagonin dy shoqata të kineastëve, duke thënë se kësisoj Ministria e Kulturës po përgatiste terrenin për të rizgjedhur Arben Zharkun në krye të QKK-së. Përderisa Shoqata e Autorëve dhe Producentëve të Filmit dhe Unioni i Artistëve të Filmit të Kosovës u kishin dërguar ministrit të Kulturës dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës një reagim, ku mes tjerash shkruhej se konkursi me “intencë të manipulimit dhe tendencë për të rizgjedhur në mënyrë të kundërligjshme ish-drejtorin Arben Zharku në krye të QKK-së është tepër transparente”, MKRS-ja jepte të tjera sqarime. Sipas këtij institucioni, konkursi intern ishte hapur me rekomandimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe me lejen e Ministrisë së Administratës Publike. Drejtori aktual i QKK-së, Arben Zharku, të cilit i skadon mandati katërvjeçar më 31 janar nuk kishte të drejtë të konkurronte pasi megjithëse llogaritet si shërbyes civil ai është i zgjedhur me mandat. Në orët e mbrëmjes gazeta ka provuar të komunikojë me sekretarin e përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzin, por një gjë e tillë ishte e pamundur.

Regjisori Luan Kryeziu, i cili është sekretar i Unionit të Artistëve të Filmit të Kosovës, ka thënë se anulimi i konkursit të brendshëm është një dëshmi se mund te respektohen ligjet. “Edhe pse konkursi është anuluar me një pretekst tjetër, gjithsesi duhej të anulohej sepse ishte vërtet skandaloz. Duhet ta kuptojë edhe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil se drejtori i QKK-së nuk është shërbyes civil, por funksionar publik dhe emërohet nga ministri. Ne besojmë që Zyra është manipuluar nga dikush i brendshëm, i cili do me çdo kusht ta ruajë gjendjen e mëparshme”, ka thënë ai për konkursin, që e hap Divizioni i Burimeve Njerëzore i MKRS-së. Sipas tij, meqenëse reagimet nuk kanë shkuar në vesh të shurdhër, besojnë që stafi i ri udhëheqës i Ministrisë nuk do të mbështetë keqpërdorimet.

“Ne besojmë shumë që të fillojnë seriozisht edhe prokuroria edhe institucionet hetimet për rastet që kemi dërguar dëshmi”, ka thënë Kryeziu. / KultPlus.com