Astrit Ismaili: Ishte kënaqësi të punoja në videoklipin e ri të Erës

Regjisori i videoklipit të Era Istrefit sot ka ditëlindjen.

Nuk është hera e parë që Astrit Ismaili dhe Era Istrefi bashkëpunojnë. Kësaj here, Ismaili – artist i njohur në Kosovë, ka bërë koreografinë dhe pjesën artistike të videoklipit më të ri nga Era Istrefi dhe Konshens – “Oh God”.

“Është kënaqësi të punoj me Erën dhe me videoklipin e xhiruar në Xhamaika, dhe i cili doli sot për ditëlindjen time” shkruan artisti Ismaili.

Kënga u lansua dje me videoklip dhe ka rreth 300 mijë shikime në Youtube. / KultPlus.com

Ndahet lokacioni për ndërtimin e kompleksit ‘Baresha’ që i kushtohet Nexhmije Pagarushës

KK i Malishevë, mori vendim për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kompleksit “Baresha”.

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ndërsa me vota unanime të anëtarëve të KK, që ishin prezent, ka marrë vendim për ndarjen e një lokacioni në fshatin Pagarushë, për ndërtimin e kompleksit “Baresha”, që do ti kushtohet mbretëreshës së muzikës shqiptare, bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha.

Anulohet koncerti ‘Këngë te Kopshti’

Koncerti i planifikuar për nesër anulohet për shkak të vendimit të Presidentit të Kosovës, për të shpallur tre ditë zie në Kosovë, përkatësisht ditën e premte, të shtunë dhe të diel, në nderim të figurës së Adem Demaçit, i cili vdiq një ditë më parë.

Për ta respektuar këtë vendim, Fondacioni Lumbardhi ka vendosur që ta anulon koncertin e paraparë të mbahet nesër. Të gjithë ata që i kanë blerë biletat paraprakisht mund të vijnë te Lumbardhi dhe të rimbursohen.

Ekipi i Lumbardhit shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes së veprimtarit të shquar Adem Demaçi. / KultPlus.com

Shpalosen detaje tjera nga edicioni i radhës i DOKUFEST

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale.

Përveç programit, organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht edhe temën e sivjetme, që është “Reflektimi”.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi.

Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.
Ky edicion i DokuFest shënohet edhe me një laramani të gjerë të paneleve, të cilat do të eksplorojnë në thellësi temën e reflektimit. Përmes tyre, do të reflektohet mbi të kaluarën e Kosovës dhe rajonit, por edhe mbi të ardhmen e filmit në Kosovë me anë të industri-eventeve të Kosovës Kreative.

Gjithashtu, ky edicion ka kuruar një program shumë special për DokuKids, me filma dhe punëtori, klasa vallëzimi dhe lojëra.

As programi muzikor nuk do të mungojë sivjet, me një listë të gjerë artistësh dhe performancave speciale.

Në tri skena të ndryshme – Andrra, Kalaja dhe Lumbardhi – DokuNights vjen i guximshëm dhe mbulon një selektim të kujdesshëm të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, nga ansambli Saz’Iso, këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të Sazeve shqiptare – deri te reperi, artisti, poeti dhe aktivisti Mykki Blanco nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

‘Kur shqiptarët s’kishin shkolla Demaçi ishte mësues, kur s’kishte ushtri ai ishte luftëtari’

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se kur nuk kishin shkolla shqiptarët, Adem Demaçi ishte mësues, kur nuk kishin universitet ishte intelektuali i tyre, e kur nuk kishin ushtri ai ishte luftëtari.

“Është tallur me vdekjen dhe i ka buzëqeshur rrezikut. I qëndrueshëm përtej imagjinatës dhe frymëzues jashtë vetëdijes. Me kthjelltësi në mendje, më këngë në zemër, me kurriz në trup dhe me fjalët në majë të gjuhës. Bindjet nuk ia ndryshoi as koha e as mosha. Adem Demaçi ka jetuar gjatë dhe shumë, i tillë do jetë edhe ndikimi i tij: i gjatë në ardhmëri dhe i shumtë ndër brezat që do të vijnë. Përkulem para jetës dhe veprës së Bacë Adem Demaçit! Lavdi!”, ka shkruar Kurti në një postim të tij në Facebook.

Kujtojmë se në hollin e Kuvendit në orën 12:00 kanë nisur homazhet për Demaçin, të cilat pritet të zgjasin deri në orën 20:00. / KultPlus.com

‘Nëse për liri duhet të vdesin 30 mijë shqiptarë, le të vdesin’

Nëpër histori: si e përshkruan Madeleine Albright, sekretarja e atëhershme amerikane e punëve të jashtme, bisedën telefonike me Adem Demaçin gjatë negociatave të delegacionit kosovar në Rambouillet, në dimër të vitit 1999. Detajet janë shkëputur nga libri i Albright “Madam Secretary: a memoir”, Miramax Books, 2003.

Gjatë gjithë pasdites vrava mendjen si ta bindja Thaçin. Kisha marrë në telefon të gjithë ata që mendoja se mund të ndikonin mbi udhëheqësin e UÇK-së, ndaj më në fund vendosa ta provoja edhe Adem Demaçin.

Demaçi ishte një nacionalist i vjetër kosovar, njëri prej atyre që i bënin presion Thaçit ta ruante qëndrimin më të ashpër të mundshëm. I telefonova në Slloveni ku ndodhej dhe i kërkova ta nxiste Thaçin që ta mbështeste qëndrimin tonë.

Demaçi u përgjigj se nuk mund të pajtohej me gjithçka dhe se donte të takohej personalisht me mua; më sugjeroi që të shkoja në Slloveni dhe të bisedoja me të. I thashë: “Ka dy javë që palët po bisedojnë. Edhe fare pak orë kanë mbetur që të skadojë afati i fundit.”

Mund të takohem me ju në të ardhmen, por tani ju duhet t’i jepni Thaçit miratimin tuaj. Në rast se nuk e bëni këtë, dështimi do t’ju ndjekë si hije gjatë gjithë kohës që shqiptarët e thjeshtë do të vriten.

Demaçi tha: “Ne i çmojmë përpjekjet tuaja, por nuk duam të nxitohemi. Nëse është e nevojshme të vdesin edhe tridhjetë mijë shqiptarë, le të vdesin, por ne nuk do t’i dorëzojmë armët vetëm mbi bazën e premtimeve. Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra jonë për të qenë të lirë.

Iu përgjigja: “Propozimi im nuk do të thotë që ju të hiqni dorë nga ëndrra juaj. Mos e lini t’ju ikë nga dora ky shans për paqe. I thoni Thaçit se e mbështetni atë.

E mbylla telefonin me një ndjenjë pështirosjeje. Kjo bisedë telefonike kishte qenë për mua një nga bisedat më rrëqethëse që kisha pasur ndonjëherë në jetën time. Pavarësisht nga Demaçi, presioni ynë më në fund pati sukses.

Djali i Adem Demaçit: Dëshira e babait ka qenë për një Kosovë të organizuar

Shqiptar Demaçi, djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Adem Demaçi ka falënderuar Kuvendin e Kosovës për organizimin e kësaj ceremonie.

Ai tha se babai i tij ka vdekur i qetë dhe më i qetë do të jetë në një Kosovë të organizuar.

“Ju falënderoj për këtë organizim, veç deshta të shtoj që baca Adem ka vdekur i qetë dhe gjithmonë i qetë do të jetë. Edhe më i qetë do të jetë në një Kosovë të organizume. Kështu ka qenë dëshira e tij”, tha Demaçi.

Pas këtij fjalimi, familja, krerët e shtetit e mysafirët, kanë filluar të bëjnë homazhe. / KultPlus.com

Sot koncerti i Daddy Yankee në Sheshin “Skënderbej”

Kanë mbetur më pak se 24 orë nga koncerti madhështor i këngëtarit nga Porto Rico, Daddy Yankee, në sheshin “Skënderbej”, në kryeqytet.

Organizatorët po vijojnë punën për të ngritur një skenë prestigjoze, ku do të performojë këngëtari, por edhe krijimin e ambienteve mikpritëse për të gjithë spektatorët.

Koncerti do të startojë me Encën dhe Ledri Vulën, që do të ngrohin atmosferën, para se Daddy Yankee të nisë performancën e tij madhështore, që do të zgjasë rreth 90 minuta.

Këngëtari i hiteve reggaeton Dura, Gasolina e Despacito do bëj që fansat e e tij të argëtohen dhe të kërcejnë nën ritmet latine në këtë sezon veror.

Biletat shiten në sheshin “Skënderbej”. Të ndara në disa kategori, ato nisin nga 19.5 euro, ndërsa për ata që duan më shumë komoditete si tavolina, ndenjëse dhe një pamje më të mirë të skenës, koncerti rezervon zonat Vip Gold, Platin dhe Diamant.

Festivali i Filmit në Venecia, me emrat si Bradley Cooper e Lady Gaga

Festivali i Filmit në Venecia ka shpallur kësisoj programin e tij garues.

Festivali prestigjioz i filmit, mes filmave tjerë do të sjellë edhe premierën e “A Star is Born” me lojën e Lady Gaga dhe Bradley Cooper.

Me datë 29 gusht do të hapet edicioni i 75-të i Festivalit, në të cilin vijnë filma edhe nga vëllezërit Coen, Paul Greengrass dhe Alfonso Cuaron.

Filmi “First Man” i Damian Chazelle do ta hapë festivalin.

https://www.youtube.com/watch?v=jzE3cYg-5YE

Janë 20 filma që do të garojnë për Luanin e Artë të festivalit, me kryetar jurie Guillermo del Toro. / KultPlus.com

‘Ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë’

Jusuf Thaçi / Facebook

Baca Adem,

Tani që ike, kuptova se të gjithëve u paske shërbyer si inspirim e si model sjelljeje, megjithëse shumë pak prej tyre të ngjasojnë sadopak me virtyte, vlera, bindje e sjellje.

E unë që s’jam si ata, në shenjë përshëndetjeje për ty me rastin e ikjes tënde në botën tjetër, vetëm mund të të kërkoj falje e mirëkuptim që nuk të kam model të cilin unë e ndjekë, jo se unë nuk do të doja, por sepse ti je i pandjekshëm për njerëzit e rëndomtë e egoistë si unë.

Do të doja që të kisha këmbëngulësinë tënde për të kundërshtuar e refuzuar padrejtësitë dhe për të luftuar për të drejtat e njeriut e për të drejtat kombëtare, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha forcën tënde morale për të sakrifikuar gjithçka nga vetja për të mirën e përgjithshme, por ja që nuk e kam.

Do të doja që të kisha lakoninë e sinqeritetin tënd për t’i thënë gjërat qartë e çiltër, por ja që nuk i kam.

Do të doja që të kisha shpirtmadhësinë tënde për të mos urryer e për t’i falur edhe ata që të shkatërrojnë jetën, por ja që nuk e kam.

Megjithatë, një gjë mendoj se mund ta bëj. Ta luftoj tendencën e të tjerëve që dëshirojnë të të shndërrojnë në mit. Duke të të bërë mit, duan ta shfajësojnë veten pse nuk janë sadopak si ti dhe duan t’i largojnë gjeneratat e ardhshme nga modeli yt. Sepse miti është mit, është i ekzagjeruar, është mbinjerëzor, është i paarritshëm. Prandaj, ti na duhesh, ne e të ardhmëve, si njeri për ta ndjekur si model, jo si mit i paarritshëm.

E fatbardhësisht për ne, ti ishe njeri, sigurisht i rrallë, patjetër madhështor!

Mirupafshim në “botën kuantike” njeri i mirë!

Edhe Adem Demaçi e bëri me duar shqiponjën shqiptare (FOTO)

Ka ndërruar jetë mbrëmë Mandela i Kosovës – Adem Demaçi.

Demaçi i cili ka kohë që ishte i sëmurë dhe lëngonte duke mos pasur shumë aktivitet fizik, mbrëmë ndërroi jetë.
Sot derisa e kujtojmë punën e tij dhe vitet të cilat ai i kaloi në burg, po e sjellim një fotografi të marrë nga një faqe në Facebook me emrin “Adem Demaçi” dhe ku janë rreth 13 mijë pëlqime.

Demaçi shihet duke e bërë shqiponjën gjatë një darke dhe momenti argëtimi.

Demaçi u arrestua së pari më 1958 nga regjimi autoritar i Josip Broz Titos, duke u dënuar me tre vite burgim. Pas lirimit ai u radhit me Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin Shqiptar. U burgos sërish më pas më 1964 për dhjetë vjet burgim dhe u ridënua më 1975 me pesë vjet burgim.

Më 1969 Amnesty International e njeh si të burgosur të ndërgjegjes. U lirua prej burgut në kohën e presidentit Sllobodan Millosheviç. / KultPlus.com

Fjalët e Ibrahim Rugovës pasi Demaçi doli nga burgu në vitin 1990

(“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

Adem Demaçi në vazhdimësi ka kritikuar presidentin Ibrahim Rugova, edhe pas amshimit, kurse ka qenë vetë presidenti Ibrahim Rugova, i cili me fjalë të ëmbla i ka uruar mirëseardhje Adem Demaçit në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës, menjëherë pas lirimit të tij nga burgu.

Lexojeni se me çfarë fjalë të ngrohta e priti presidenti Rugova Adem Demaçin:

Më 18.V.1990, në një atmosferë të përzemërt, mysafir i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ishte Adem Demaçi, njëri nga ata që krijoi bërthamën e saj dhe njëri nga pionierët e letërsisë shqiptare që krijohet në Jugosllavi.

Në këtë pritje të shkrimtarit, fjalën e rastit e mbajti dr.Ibrahim Rugova, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve, i cili, midis tjerash, tha:

I dashuri dhe i nderuari Adem Demaçi, ju dëshiroj mirëseardhje të ngrohtë në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Më lejoni që këtë fjalë rasti ta filloj me moton e romanit Tuaj të njohur “Gjarpinjtë e gjakut”, njërit nga romanet më të njohura shqiptare: ”Jo atyne që janë trima me ngreh gishtin e krimit, po atyne që janë trima me shtri dorën e pajtimit”.
Po e filloj me këtë moto, sepse është një formulë universale, e dalë nga shpirti i shkrimtarit, për paqe e mirëkuptim midis njerëzve.

Pra, Demaçi është shkrimtar i harmonisë shqiptare dhe njerëzore, humanist i madh. Themi kështu, sepse shkrimtari deshi me veprën e tij të heq e të zhdukë një të keqe të popullit të tij – gjakmarrjen. Po ashtu, vizionin e ndritur të romanit po e përjetojmë sot, kur, si në antikën greke dhe ilire, shqiptarët po i falin gjaqet, po i shuajnë gjarpinjtë e gjakut dhe po bëhen pajtimet.

Sot, thuaja të gjithë, jemi bërë personazhe të mesazhit të romanit Tuaj – të pajtimit dhe të harmonisë. Kjo ngjet vetëm te popujt e moçëm, që dinë të falin, që dinë të mos harrojnë, e po ashtu, që nuk dinë të hakmerren.

Sot në këtë ditë gëzimi për gjithë shkrimtarët shqiptarë, nuk do të flas për burgjet Tuaja 30-vjeçare. Të gjithë këtë po e quaj qëndresë njerëzor dhe intelektuale, që dinë dhe mund ta mbajnë vetëm shkrimtarët e vërtetë, të cilët pos veprës, i mbajnë edhe bindjet politike dhe njerëzore.

Fati Juaj është fati i një pjesë të shkrimtarëve shqiptarë dhe i letërsisë shqiptare. Ju nuk pësuat vetëm për bindjet politike, që bolshevizmi i shpalli armiqësore, po edhe pse ishit ndër të parët dhe më të rinjtë që shkruanin në shqipe, pse ishit shkrimtar i mirë dhe me aftësi të rrallë letrare dhe me bindje të thella humaniste për popullin Tuaj dhe për të tjerët. Pushteti totalitar gjithmonë u frikësohet shkrimtarëve të mirë dhe të aftë.
Më lejoni, i nderuari Adem, ta mbyll këtë fjalë me dëshirën tonë të madhe që t’ju mbajë shëndeti dhe të na dhuroni edhe ndonjë kryevepër, sepse ende jeni në moshën e burrërisë, ende jeni me Diellin, siç i klasifikonte moshat shkrimtari ynë i vjetër Pjetër Bogdani.

Ju faleminderit që gjetët kohë të jeni me ne – me trup e me shpirt, sepse me shpirt dhe me vepër gjithmonë keni qenë me ne.

(“Rilindja”, Prishtinë, 19.V.1990)

Durim Kryeziu, pjesë e ‘Matchmaking Forum’ në Festivalin e Filmit në Pula

Regjisori Durim Kryeziu me filmin i tij “Familja” ishte njëri nga 14 projektet e zgjedhura për t’u prezantuar përpara producentëve evropianë në Festivalin e Filmit të Pulës në Kroaci.

Festivali i Filmit i Pulës për 65 vjet është një nga ngjarjet më të rëndsishme të industrisë së filmit në Evropën Juglindore dhe në Mesdhe.

“Matchmaking Forum” është një program i ri, i cili u mbajt për herë të parë këtë vit. Programi ju ofron producentëve mundësinë për t’u takuar me shumë financues të ndryshëm që janë pjesë e industrisë së filmit si: distributorë, agjentët të shitjes, banka, financues private dhe publike, regjionet dhe komisionet të filmit, transmetuesit, platformat e internetit etj.

“Pas prezentimit ka pasur interesim të madh për projektin “Familja”, Pastaj janë realizuar shumë takime me producent, distributorë, fondacione të ndryshme dhe përfaqësues të HBO-së dhe Euroimages. Unë pres që këto takime do të sjellin bashkëpunime të reja në të ardhmen e afërt”- u shpreh regjisori Durim Kryeziu.

Projekti filmik “Familja“ është mbështetur financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës si film debutant. / KultPlus.com

Ec Ma Ndryshe kërkon të parandalohet rrënimi i ndërtesës në Prizren

Organizata joqeveritare “Ec Ma Ndryshe” përmes një kumtese për media ka kërkuar që të parandalohet rrënimi i ndërtesës, që gjendet në rrugën “Bajrakli”.

Kulmi i kësaj ndërtese është shembur. Sipas kësaj kumtese kjo ndërtesë gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, që sipas Ligjit Nr.04/L-066 (2012) trajtohet si pronë e trashëgimisë kulturore dhe historike në mbrojtje të përhershme dhe të klasifikuar si zonë e veçantë e mbrojtur me vlera të interesit lokal, shtetëror dhe ndërkombëtar.

ndërtesë e banimit posedon vlera të trashëgimisë kulturore dhe paraqet një nga tipet karakteristike të arkitekturës së banimit të qytetit. Ndërtesa në fjalë, strukturalisht është në gjendje mesatarisht të dëmtuar dhe rrënimi i kulmit mund të ketë pasoja të pakthyeshme për ndërtesën. EC Ma Ndryshe konsideron se duhet reagim urgjent nga Inspektorati i Komunës së Prizrenit dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në mënyrë që të parandalohet një rrënim i mundshëm dhe të ndërmerren masa preventive për sanimin e gjendjes”, thuhet më tej në kumtesë.

Rita Ora uron Andan me fotografinë nga udhëtimi në Kosovë

Këngëtarja Rita Ora ka uruar ditëlindjen e mikes së saj, Anda Vlasakut.

Me disa fotografi ajo ka shprehur dashurinë dhe simpatinë për miken e saj.

“Shpresoj të jemi shoqe gjithmonë, të shëtisim botën dhe të bëhemi balerina kur të jemi 102 vjeçe” ka shkruar Rita duke uruar Andën.

Një prej fotografive është edhe ajo ku vajzat kanë veshur bluzat me mbishkrimin Kosova, bluza këto të cilat Rita i shiti për koncertin e saj në Kosovë. / KultPlus.com

‘Ne jemi Çamëria’, emri i fondacionit drejtuar nga një shqiptare për të ndihmuar fëmijët në Kenia

“Ne jemi Çamëria”…Është ky emri fonadacionit që ushqen me shpresa jo pak fëmijë të varfër në Kenia.

I drejtuar nga një shqiptare, fondacioni mban emrin “We are Chameria “, për të mos harruar masakrën që Greqia bëri ndaj popullësisë shqiptare të Çamërisë. Fondacioni drejtohet nga Viola Kaloutsi e cila do të mbajë gjallë në kujtesë dhimbjen e shqiptarëve të Çamërisë duke ndihmuar fëmijët e varfër dhe jetimë të Kenias.

Kur u krijua fondacioni e shpjegonte kështu se përse zgjodhi emrin “We are Chameria”:

Pse Çamëria? Çamëria është një vend në Greqi ku para 71 vitesh, qeveria greke bëri një gjenocid mbi shqiptarët e pafajshëm që jetonin. Shumë njerëz u dogjën dhe u vranë, duke shënuar tragjedinë më të dhimbshme në historinë botërore. Drejtuesja jonë, Viola Kaloutsi, e cila është me origjinë nga Shqipëria vendosi të mbante në kujtesë këtë hisotri duke krijuar këtu në Kenia këtë organizatë që ndihmon fëmijët jetimë dhe të varfër. Qëllimi i kësaj organizate është që të arrijë tek fëmijët më të varfër duke u ofruar atyre ushqim, strehim dhe arsim bazë. / KultPlus.com

Gjësende të Jusuf Gërvallës kthehen në vendlindjen e tij

Ministri Kujtim Gashi, i dorëzoi 8 gjësende e Jusuf Gërvalles, bashkëshortes së tij, Suzana Gërvalla.

Bazuar në marrëveshjen ndërmjet MKRS dhe Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, është realizuar kthimi i 8 objekteve të Jusuf Gërvallës, të cilat për një kohë të gjatë kanë qenë nën kujdesin e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë.

Objektet të cilat janë kthyer janë: Pantollanat, xhakavento, këmisha, fanella, këpucët, pasteli i kuq, libreza dhe çakmaku i Jusuf Gervallës, thuhet në komunikatën për media dërguar nga MKRS.

Ministri Gashi i vlerëson këto objekte me vlera të rëndësishme historike dhe kulturore, të cilat nga sot do të jenë të ekspozuara në kullën muze të Jusuf Gërvalles, në Dubovik të Deçanit. Ministri po ashtu tha se do të ofrojmë mundësi të tjera për ekspozimin dhe kujdesin ndaj tyre.

“Ne të njëjtën kohë me lejoni që të falënderoj Ministrinë e Kulturës dhe Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë për bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet institucioneve respektive, me theks të veçante në pasurimin e fondeve muze ale për ekspozim të përkohshëm dhe të përhershëm”, u shpreh ministri.

Ndërkaq znj. Suzana Gervala falënderoi Ministrin Gashi pasi që pranoi 8 objektet e Jusuf Gervalles dhe u shpreh se ndihet e emocionuar njekohësisht edhe e lumtur që më në fund objektet e bashkëshortit të tij do të qëndrojnë aty ku edhe e kanë vendin. / KultPlus.com

Thënie mbi jetën nga mbreti i popit Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson

54 artistë i kërkojnë Metës të dekretojë ligjin për teatrin

Në një kohë që disa prej artistëve vijojnë të protestojnë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, një grup artistësh i kanë dërguar sot një peticion Presidentit të Republikës, Ilir Meta dhe krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si dhe Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, ku shprehen pro ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

Në peticionin e firmosur nga emrat e mëdhenj të skenës shqiptare, kërkohet që të mos humbet kohë, por të nisë sa më parë ndërtimi i Teatrit të ri.

Mes emrave që kanë firmosur peticionin kanë aktorët Robert Ndrenika, Luftar Paja, Alfred Trebicka, Leka Bungo, Albert Minga, Arben Derhemi, Zamira Kita etj.

Bie në sy se mes emrave është edhe Suela Konjari, ish-Drejtoresha e Teatrit Metropolitan në kohën e PD dhe kandidate për këshillin kombëtar të PD.

“Ne aktorët, regjisorët dhe përfaqësuesit e artit skenik shqiptar, dëshirojmë t’iu bëjmë me dije dhe të shprehim vullnetin tonë me anë të këtij peticioni të hapur, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, bashkëkohor dhe modern, ku t’i shërbej të gjithë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës. Ritheksojmë, se jemi për ndërtimin e një Teatri të ri Kombëtar, modern dhe bashkëkohor, në truallin e tij dhe pa cenuar asnjë centimetër të kësaj prone. Le të mos humbasim me kohë, por t’i japim Tiranës dhe Shqipërisë Teatrin Kombëtar të ardhmes”, shkruhet në peticion.

‘Unë nuk punoj për vete, punoj për myslimanët, katolikët, ortodoksët’

Amina Nuraj dhe disa shqiptarë të tjerë të asimiluar gjuhësisht nga Sanxhaku, tashmë i ndarë prej Serbisë dhe Malit të Zi, ka një kohë që janë mjaft aktiv në zgjimin kulturor dhe kombëtar të shqiptarëve të Masbjeshkës.

Nga – Amina Nuraj

Unë nuk i nënshtrohem asnjë komande, unë nuk dëgjoj asnjë, por e bëj atë që unë dua. Kam frikë nga Zoti dhe jo nga njerëz, nuk jam unë fajtore që Zoti më ka bërë kështu e që nuk luaj sipas direktivave të Sërbisë dhe që ajo nuk mund të më blejë as të më trembë si që po bën me politikanët e Sanxhakut!

Unë nuk mund të jem në shërbim të vendit që është fajtor për vdekjen e dajës tim dhe gjyshit tim, por dhe për vdekjen e mijëra e mijëra shqiptarëve të mij nga Kosova.

Unë nuk punoj për vete, po për popull; unë punoj për Flamurin tim dhe për Atdheun tim, për ATDHEUN e BASHKUAR, pa asnjë ndarje (Kosovar, Çam, Shqiptaro-Iliridas) dhe pa dallim përkatësie fetare ( Katolik, Ortodoks, Musliman ose Bektashi, KOMB); bëj vetëm atë që Flamuri dhe Atdheu im të jenë krenarë me mua!

Ajo që unë vendos fotografi historike dhe bëj gjithë këtë që bëj, nuk e bëj për ndonjë popullaritet apo vardisje popullit tim në Kosovë, Shqipëri ose në diasporë, por këto foto i vendos vetëm për popullin e Sanxhakut, për t’ua bërë me dije nga ku rrjedhin dhe çfar’ janë.

Mendoni ju se e ka lehtë një vajzë 20 vjeçare të bëjë punën që u takon politikanëve?! Jo, nuk është aspak e lehtë, por heshtin të gjithë, kurse shtizat thyhen mbi shpinën time, ndërsa kur duhet vlerësuar-kjo bëhet për dikë që me asgjë nuk e ka merituar apo është kundër nesh, Shqiptarëve e jo mua, që jam nën goditje si nga ana e Sërbisë ashtu edhe nga do budallenj analfabetë këtu! Por … nuk ka lidhje, kurrë mos harroni se unë jam më e fortë se të gjithë ju bashkë! /Autore: Amina Nuraj/

Në shqip: G.L.

Pytëm se qysh kam flejt mramë…

Pytëm se qysh kam flejt mramë…
A e çova dor’zën e derës,
A e rrotullova çel’sin dy herë.
Nëse e fshiva buz’kuqin, apo e përpiva me gjithë vajin n’buzë.
Kopsat e fustanit qysh i k’puta, e qysh n’tokë u shpërndanë.
Pytëm se qysh kam flejt mramë…
A u mblova me çarçaf , apo u ngulfata n’të.
Nëse lashë dritë t’ndezun, apo terri me mu u ba një.
Pytëm a num’rova dele , bari kund a pashë.
A shfletova faqe librash , me personazhet a udh’tova si çdo natë.
A e përqafova jastëkun , dorën nër faqe a e lashë.
A pata kohë për andrra ,
Silueta ledhatimesh e fantazi puthjesh n’andërr mramë a pashë.
Pytëm qysh mramë flejta,
Qetesia e natës a m’kafshoi,
Drita e mëngjesit a m’i puthi prapë faqet…
Pytem qysh flejta mramë…

Xh.Tërbunja

‘Notën mesatare më të lartë e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Arteve’

Dukagjin Pupovci / Facebook

Një anketë e zhvilluar me 1,500 studentë të UP-së të përzgjedhur rastësisht flet për një notë mesatare jashtëzakonisht të lartë të të anketuarve – 8.08. Notën mesatare më të lartë e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Arteve (8.89), të pasuar nga studentët e Fakultetit Juridik (8.24) dhe atij Ekonomik (8.23). Ndërkaq, notën mesatare më të ulët e kanë studentët e anketuar të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës – 7.67. Studimi i plotë do të publikohet gjatë muajit shtator dhe do të sjellë edhe shumë informata të tjera interesante.

Në vitet e 80-ta duhej goxha përpjekje për ta gjetur dikend që e kishte notën mesatare mbi 8, ndërsa sot 1,500 të parët që i ndalë në rrugë e kanë tejkaluar këtë notë, pra, teorikisht, kualifikohen për asistentë. Kjo tregon se kriteret e vlerësimit nuk janë, as përafërsisht, ato që kanë qenë dikur. Prandaj, kur flitet për notën mesatare të dikujt duhet të merret parasysh edhe periudha kur ka studiuar, sidomos me rastin e pranimit në programe të nivelit master dhe të doktoratës.

Këngëtari i njohur largohet nga pjesëmarrja në Sunny Hill Festival

Këngëtari Shpat Deda nuk do të jetë pjesë e SunnyHill Festival.

Këngëtari e kishte konfirmuar pjesëmarrjen e tij në koncertin që do të mbahet edhe pak ditë në Prishtinë, por duket sikur diçka tjetër ka ndodhur.

“Për shkak të një mosmarrveshjeje me menaxhmentin e Sunny Hill Festival unë nuk do të jem pjesë e këtij festivali. Shihemi në koncertet e mia të radhës” ka shkruar Shpati në rrjete sociale.

Shpati ishte planifikuar të ishte pjesë e koncertit krahas yjeve si Dua Lipa, Action Bronson e Martin Garrix, dhe krahas emrave tjerë të muzikës shqiptare.

I pyetur nga KultPlus për më shumë arsye, Deda nuk ka dashur të zbulojë asgjë më shumë se faktit që ka pase një mosmarrëveshje.

Sunny Hill Festival do të mbahet me 10-11-12 gusht në Parkun e Gërmisë në Prishtinë, me artistë të njohur nga Kosova, Shqipëria dhe me artistë të kërkuar në skenën botërore. / KultPlus.com

94 vjet nga rënia e Azem Galicës

Azem Bejtë Galica ka lindur më 10 dhjetor 1889 dhe ka rënë më 26 korrik të vitit 1924.

Azem Bejta ishte luftëtar i shquar për çlirim e bashkim kombëtar, organizator i lëvizjes së armatosur në Kosovë kundër pushtuesve të ndryshëm gjatë viteve 1912–1924.

Veprimtarinë e tij patriotike e filloi në vitet 1910-1912, kur mori pjesë në kryengritjet antiosmane.

Pas shpalljes së pavarësisë luftoi në fillim, më 1912-1915 kundër pushtuesve serbë, dhe më pas, më 1915-1918 kundër pushtuesve austriakë e bullgarë. Gjatë Luftës së Parë Botërore drejtoi luftën e çetave kundër rivendosjes në Kosovë të pushtetit të borgjezisë serbomadhe. Pati përkrah tij deri në fund gruan e vet Shotë Galicën.

Në vitin 1924 Azem Galica dërgoi luftëtarë për të marrë pjesë në Revolucionin demokratikborgjez të Qershorit. Vdiq nga plagët që mori në luftimet e përgjakshme të korrikut 1924, për mbrojtjen e zonës së lirë të Drenicës, “Arbanisë së Vogël”.

Vdiq më 26 korrik 1924 në moshën 35 vjeçare. Varrimi i tij u bë në shpellën “Quku që kërset”, 75 metra i thellë, ashtu siç e kishte la amanet. / KultPlus.com