Astrit Ismaili me ekspozitë personale, shpaloset transformimi i lules si metaforë e shumë situatave në shoqëri

Flonja Haxhaj

Metafora që sjell transformimi në përgjithësi e ai i lules së parë në veçanti, erdhi si një formë e veçantë e prezantimit një një ekspozite personale nga autori Astrit Ismaili.

‘Monumenti i Lules së Parë’ është ekspozita që siç thuhet në përshkrimin e saj prezanton punën artistit e që ndërlidhen me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë.

Skulptura petalesh, të vendosura në podiumin e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, e videoja ‘Love Research’ që shfaqej si pjesë e kësaj ekspozite, u kurorëzuan me performancën ‘Miss Kosova’ që realizoi vetë artisti, një performancë kjo që kompletoi gjithë mesazhin që Ismaili dëshiroi të përçojë gjatë kësaj mbrëmje, shkruan KultPlus.

I rrethuar nga publiku, Ismaili performoi i vetëm këngën ‘Miss Kosova’ të cilën vetë e ka kompozuar, por kjo nuk është hera e parë që artisti realizon këtë performancë, pasi premierën e saj ai e dha vitin e kaluar në Bienalen e Athinës.

E fjala qe u dëgjua më së shumti gjatë kësaj performance është padyshim fjala ‘Miss’ e për të cilën artisti thotë se është uni i tij I dytë.

Duke folur për ekspozitën ai tha për KultPlus se në ekspozitën e tij ai ka përfshirë instalacionin e petaleve të lules  si një instalaicon zëri në të cilin ai ka vendosur këngën që ai ka kompozuar vetë, e që quhet ‘Lulja e parë’.

“’Lulja e parë’ tregon historinë e bimës së parë e cila ka vendosur të bëhet lule, sepse siç e dimë, qindra miliona vite më parë, bimët nuk kanë pasur lule dhe procesi i riprodhimit të luleve ka qenë shumë i vështirë dhe për me përmirësu këtë dukuri bimët është dashur të gjejnë një zgjidhje kreative edhe kjo zgjidhje ka qenë formimi dhe evolimi në lule. Kur bimët janë zhvilluar me lule, jo vetëm jeta e bimëve është përmirësu por e gjithë ekosistemi ka ndryshu.”, u shpreh Ismaili duke shtuar se ky transformim është ajo që atij i ka interesuar githmonë.

‘Ky moment i transformimit metaforikisht lidhet edhe me shumë situata në shoqëri me të cilat unë gjithmonë jam inspiruar dhe ky ka qenë edhe inspirimi për këtë instalacion. Këtu është edhe një video që quhet ‘Love research’ që është bërë në vitin 2016 dhe këto të dyja lidhen për shkak që si esencë e kanë dashurinë. Përdryshe unë sot e kam realizuar edhe një performancë sot që quhet ‘Miss Kosova’.”, shtoi mes tjerash Ismaili, i cili më tutje tha se pas Athinës dhe Prishtinës, shpreson që kjo ekspozitë të udhëtojë edhe nëpër vende të tjetra.

Ndërkaq, pas hapjes së ekspozitës, për KultPlus foli edhe kuratorja Donjeta Murati, e cila tha se ajo dhe Astrit Ismaili kanë punuar për këtë ekspozitë qysh nga prilli, kur artisti e ka ftuar atë të bëhet kuratore .

“Qysh nga atëherë kemi folë për punën që jeni duke e parë këtu, të skulpturave, që është monumenti i lules së parë, prej atëherë kemi pasur takime kohë pas kohe dhe kemi mendu se në çfarë formati me e tregu dhe çfarë kish pas më së shumti kuptim me tregu në Prishtinë”, tha Murati.

Ajo ndër të tjerash shtoi se më 27 nëntor do të publikohet edhe katalogu i ekspozitës ku do të ketë edhe më shumë tekste dhe elaborime të ndryshme rreth ‘Monumenti i Lules së Parë’.

Ndërkaq, drejtoresha e Galerisë së Ministrisë së Kulturës, Dhurata Ramosaj, ndau për KultPlus informacionin që kjo ekspozitë është planifikuar vitin e kaluar për t’u mbajtur këtë vit.

“Ne i kemi ftuar Astritin dhe kuratoren Donjeta Murati që ta bëjmë një projekt bashkë. Kemi punuar gjatë me këtë projekt sepse këto janë skulptura të ndërtuara me zërim dhe kanë dashur punë shumë të gjatë teknikisht.”, tha Ramosaj për KultPlus.

Ju kujtojmë që ekspozita ‘Monumenti i Lules së Parë’ do të qëndrojë e hapur deri më 1 dhjetor. Ajo do të jetë e hapur çdo ditë nga e marta në të shtunën nga ora 10:00 – 17:00./ KultPlus.com

Me “Miss Kosova”, Astrit Ismaili bën hapjen e ekspozitës personale “Monumenti i Parë i Lules”

Me performancën “Miss Kosova”, Astrit Ismaili do të bëjë edhe hapjen e ekspozitës personale “Monumenti i Parë i Lules” në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, shkruan KultPlus.

Kuruar nga Donjetë Murati, “Monumenti i Parë i Lules” prezanton punët e Astrit Ismailit që ndërlidhen me transformimin. Monumenti i luleve, kthehet në metaforë, njejtë si udha e saj në mes të errësirës së thellë. Kur mund të përcaktojmë një moment të caktuar transformimi?

Kjo punë synon të shqyrtojë dukuritë që e bëjnë të mundshëm transformimin në nivelet personale e deri ndërlidhjet e tyre me lëvizje radikale. Duke qenë se transformimi shpesh është subjekt mistik i kufizuar vetëm në momentet e kulminacioniet duke u mbështjellur me korniza mistike, kjo ekspozitë tenton të shqyrtojë të kundërtën duke e shikuar fuqinë e rëndomtë dhe konsistencën në prodhimin e çdo transformimi.

Ekspozita “Monumenti i Parë i Lules” do të hapet të enjten, më 27 tetor në ora 20:30 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 dhjetor 2022. / KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili në procesin e provave për premierën e performancës në kuadër të ‘Manifesta 14 Prishtina’ (VIDEO)

Artisti kosovar, Astrit Ismaili do të bëjë hapjen e Manifesta 14 me një performancë premierë, përcjell KultPlus.

Astrit Ismaili do të prezantojë performancën premierë të LYNX në natën e hapjes së Manifesta 14 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.

Performanca do të jetë e hapur për të gjithë.

Ndërkaq, përmes një video, Manifesta 14 ka bërë të ditur se po zhvillohen provat për këtë performancë.

Dyert e Manifesta 14 hapen në orën 18.45 dhe shfaqja do të fillojë në orën 19.00.

Tutje, në orën 19.00 Manifesta 14 do të fillojë fjalimet e hapjes, për të vazhduar me një koncert live që feston shpirtin e qytetit.

Koncerti është falas dhe e hapur për publikun, ashtu si programi 100 ditor i Manifesta 14 Prishtinë. / KultPlus.com

Artisti Astrit Ismaili hap bienalen e Athinës, mahnit me performancën artistike të stiluar nga Valdrin Sahiti

Artisti kosovar, Astrit Ismaili e ka përfaqësuar Kosovën duke bërë hapjen në bienalen e Athinës me një performancën interesante artistike, përcjell KultPlus.

“Miss Kosova” titullohet kjo performancë e cila është dhënë në kuadër të nocionit “Creative when Limited”.

Në këtë performancën ai është paraqitur në rolin e MISS-it, duke ju referuar kështu figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara, ku me kreativitet ai arrin që të kapërcej kufizimet gjeo-politike dhe sociale.

Për herë të parë, performanca artistike e një kosovari është shfaqur edhe në Televizionin Kombëtar Grek, ku performanca “Miss Kosova” e Astritit është dhënë në një vend që nuk e njeh pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Performanca është organizuar nga kuratoret e ‘Omsk Social Club’, Larry Ossei-Mensah dhe Poka-Yio.

Kjo paraqitje e tij është bërë në kuadër të edicionit të shtatë të Bienales së Athinës “Eclipse”, e cila mbahet nga 24 shtatori deri më 28 nëntor të këtij viti.

“Një hapje e tillë është një nder i madh ndaj performancës ‘Miss Kosova’. Performanca MISS ndër të tjera merret me nocionin ‘Creative when Limited’ duke iu referuar figurave fiktive dhe jo fiktive nga e kaluara që duhej të ishin krijuese për të kapërcyer kufizimet gjeo-politike dhe sociale. Të qenit në Televizionin kombëtar grek si ‘Miss Kosova’ në një vend që nuk e njeh Kosovën, në një rajon ku jetët e çuditshme janë në rrezik, i shtoi një urgjencë performancës sime që ilustron pse bëj atë që bëj!”, ka shkruar Ismaili në rrjetet sociale.

Gjithashtu, veshja e tij është krijuar nga stilisti Valdrin Sahiti, ndërsa grimi nga Anna Bakatsaki. / KultPlus.com

Analizë e veprës ‘Body Extensions’ të Astrit Ismailit

Nga: Milot Gusia, Kritik i Artit

Astrit Ismaili (1991), nga Prishtina, tani me seli në Amsterdam, Holandë, është një artist që shprehet përmes mediumit të performancës. Ai është diplomuar me titullin Master në Performancë në shkollën “DasArts” në Amsterdam, Holandë. Astriti ka pranuar grante të tilla si “Mondriaan Fund Project Investment Grant 2019” dhe çmimin e artistëve të rinj vizualë 2011 dhe ka qenë rezident në ISCP në Nju Jork. Veprat e tij janë shfaqur në galeri të shumta ndërkombëtare duke përfshirë Muzeun Stedelijk Amsterdam dhe Institutin e Artit Bashkëkohor KW në Berlin.

Astrit Ismaili “The New Body”

Veprat Astritit materializohen përmes trupave njerëzorë që ndërtojnë realitete imagjinare dhe materiale. Këta trupa ai i krijon përmes përdorimit të alter egos, zgjatjeve trupore dhe instrumenteve muzikore që vishen. Ai ndërton këta trupa për të materializuar mundësi të ndryshme për tu shndërruar, apo për tu bërë.

Dëshira për të zgjeruar dhe ‘përsosur’ trupin është një nga obsesionet më të përhapura njerëzore. “Gjithmonë të pakënaqur me atë që na ka dhuruar natyra, ne e konsiderojmë veten si “qenie të mangëta” (Sigmund Frojd). Këtë dëshirë të kamotshme të njeriut për tu “përsosur” e gjejmë të përhapur tek pothuaj e gjithë fenomenologjia artistike dhe kulturore njerëzore. Zgjatjet e trupit janë paraqitur edhe më herët në formë të zgjatjeve artificiale të pjesëve të trupit tek arti i performancave i viteve 1970 të artistes Rebecca Horn, apo duke transformuar të gjithë siluetën njerëzore tek kreacionet e viteve 1980 nga Vivienne Westwood dhe Jean-Paul Gaultier.

Astrit Ismaili “MISS”

Në jetën e përditshme njeriu gjithmonë ka tentuar të zgjas dhe përmirësoj trupin e tij me anë të zhvillimit të parukave, thonjve artificial, aksesorëve, mbathjes së takeve të gjata, ushtrimeve trupore, rritjes së volumit të gjinjve përmes implantimeve të ndryshme nga silikoni etj. Njeriu vazhdimisht kërkon dhe bën përpjeke për të arritur perfeksionin fizik (Peter Stohler, Claudia Pantellini – Body Extensions).

Zgjatjet e trupit apo Body extensions janë një motiv i rendësishëm në veprat e Astrit Ismailit, por ato ngritën në një nivel tjetër përmes shtimit të instrumenteve të veshura. Shpesh këto instrumente të finalizuara bëhen pjesë e një performance më të madhe, por këto objekte qëndrojnë gjithashtu të vetme si vepra të pavarura. Prandaj ato janë pjesë e kërkimit të tij të vazhdueshëm mbi zgjatimet e trupit dhe instrumentet e veshura. Ai është i interesuar të shtoj cilësi të reja në trupin e njeriut, shpesh duke krijuar instrumente muzikore të veshura që prodhojnë tinguj elektronikë. Përdorimi i këtyre instrumenteve në vepra fut nocionet e Kiborg politikës dhe Biopolitikës, duke vënë në dyshim dallime të tilla si ato midis natyrores dhe artificiales, mendjes dhe trupit, të vetë-zhvilluarës dhe të dizajnuarës nga jashtë.

Nga Performanca ‘The New Body’ në Salts, Fotografia: Nicolas Gysin, Artisti & Lambdalambdalambda

Artistë të shumtë kiborg eksperimentojnë me unifikimin e teknologjisë dhe trupit për të eksploruar kufijtë e perceptimit dhe përjetimit të lëvizjes në një nivel më të thellë. Ndër këta artist të sotëm, vlen poashtu të përmenden Neil Harbissoni dhe Moon Ribasi.

Për shembull, Neil Harbisson, një artist kiborg, për një kohë të gjatë jetoi një jetë pa ngjyra pasi që kishte lindur pa shqisa të ngjyrës. Tani artisti ka një antenë të implantuar në kafkën e tij e cila i mundëson atij të ndjej ngjyrën përmes vibracioneve të zërit.

Në anën tjetër, partnerja e tij, Moon Ribas është një artiste avant-garde dhe kiborg aktiviste, e njohur për zhvillimin e shqisës sizmike, që është një sensor online i implantuar në shputat e këmbëve të saj që i mundëson të ndjej tërmetet që ndodhin kudo në planetë përmes

vibracioneve në kohë reale. Për të ndarë përvojën e saj, ajo pastaj përkthen ndjenjën e saj sizmike në skenë. Ajo transponon tërmetin në zë, vallëzim, apo performancë. Shqisa sizmike e implantuar tek Ribas i mundëson asaj të ndjejë edhe tërmetet në Hënë. Ribas beson se duke zgjatur shqisat tona për të perceptuar edhe jashtë planetit, ne mund të bëhemi pjesërisht pjesë e universit. Së bashku ata janë të njohur si kiborgë, apo trans-specie të reja që prezantojnë një lidhje më të thellë në mes të njerëzve dhe teknologjisë (Indaba) .

Kiborgë artistë të shumtë eksperimentojnë me unifikimin e teknologjisë dhe trupit për të eksploruar kufijtë e perceptimit dhe përjetimit të lëvizjes në një nivel më të thellë.

Kiborg arti dëshiron të theksojë aspektin pozitiv të teknologjisë. Për shembull, njerëzit me të meta fizike janë të ballafaquar vazhdimisht me stereotipa paternalist. Me përhapjen e teknologjive bionike (duarve bionike, protezave, ekzo-skeleteve, implantimeve retinale, etj) do të zhvillohet potenciali i ndryshimit të stereotipave drejt njerëzve me të meta fizike: portretizimi i njerëzve që përdorin pajisje të tilla në media dhe kulturën e popullarizuar do të bëjë që kjo kategori e shoqërisë të duket kompetente dhe e aftë fizikisht. (Bertolt Meyer, Frank Asbrock)

Por, Astriti në veprat e tij e çon diskursin e kiborg artit në një nivel më të lartë duke vënë në dyshim dallime të tilla si ato midis natyrores dhe artificiales, mendjes dhe trupit, të vetë-zhvilluarës dhe të dizajnuarës nga jashtë, apo përmes përdorimit të këtyre instrumenteve në vepra na bën të reflektojmë rreth nocioneve të Kiborg politikës dhe Biopolitikës.

Astrit Ismaili “Pink Muscle” 2019

Kiborg politika ka prejardhjen nga Manifestoja e Donna Haraway, që është një ese i botuar më 1985 në Socialist Review. Në këtë vepër, është shfaqur për herë të parë koncepti i kiborgut apo refuzimit të kufijve të ngurtë, sidomos atyre që ndajnë “Njeriun” nga “Kafsha” dhe “Njeriun” nga “Makina”.

Kiborgët, apo organizmat kibernetik, janë sistemet që kombinojnë elemente natyrale dhe artificiale në një organizëm. Megjithëse, Kiborg teknologjia ka mundësuar përmirësimin e jetës njerëzore, Astriti na bën të reflektojmë rreth nocioneve të plota të Kiborg politikës. Njerëzit sot janë kiborguar në një shkallë të jashtëzakonshme përmes fuqisë së rritur të teknoshkencës, sidomos në fushën e mjekësisë, luftës, argëtimit, dhe punës. Këto ndryshime apo modifikime dhe përmirësime shtrihen nga një protezë e thjeshtë deri tek inxhinieria gjenetike dhe integrimi intim i njerëzve në sisteme më të mëdha tekniko-mekanike si sistemet e armëve njeri-makinë të ushtrive post-moderne (Gray, Mentor dhe Figueroa-Sarriera, 1995; Gray, 1997).

Astriti përmes përdorimit të instrumenteve në vepra na bën të reflektojmë edhe rreth nocioneve të Biopolitikës. Biopolitika, është një fushë ndërvepruese në mes të biologjisë dhe politikës njerëzore. Biopolitika merret me administrimin e jetës së popullatës. Filozofi Francez Michel Foucault ishte i pari që zhvilloi diskurse mbi biopolitikën në serinë e ligjëratave “Shoqëria duhet mbrojtur”( “Society Must Be Defended” ) të mbajtur në College de France më 1975-76. Koncepti i Foucault mbi biopolitikën është gjerësisht i zhvilluar nga nocioni i tij personal i biofuqisë, apo zgjatjes së fuqisë së shtetit mbi trupat fizik dhe politik të popullatës.

Në ligjëratat e tij Foucault përshkroi biopolitikën si “një teknologji të re të fuqisë që ekziston në nivele të ndryshme, në përmasa të ndryshme, dhe në fusha të ndryshme të interesit, dhe që bën përdorimin e instrumenteve nga më të ndryshmet.”

Foucault kur përmendi këtë koncept për herë të parë më 1976 dha shembuj të ndryshëm të kontrollit biopolitik. Sipas Foucault, biopolitika tenton të bëjë rregullimin e karakteristikave biologjike të popullatës; tenton të kontrollojë variablat që përcaktojnë statistikat si shkallën e lindshmërisë, vdekshmërisë, jetëgjatësisë, etj; ajo me fjalë tjera dëshiron të rregullojë, menaxhojë, dhe administrojë aspekte të shumëfishta që formojnë popullatën njerëzore.

Ai kontrastoi këtë metodë të kontrollit social me fuqinë politike në Epokën e Mesjetës të cilën e quajti Fuqia Sovrane. Derisa në mesjetë pandemitë bënë vdekjen një pjesë të përhershme të jetës, kjo ka ndryshuar rreth fundit të shek. 18-të. Zhvillimi i vaksinave dhe medikamenteve dhe higjienës publike mundësoi vdekjen të shmangej në popullata të caktuara. Me kalimin nga Epoka Klasike në Modernitet, ka ndodhur një zhvendosje nga Fuqia Sovrane në Bio-fuqi. Në

vend të subjekteve individuale, Bio-fuqia merr “speciet njerëzore”, apo së paku popullata specifike si objekte të vrojtimit (‘The Hidden Point of Intersection’).

Megjithëse Giorgio Agamben në veprën e tij Homo Sacer, reagon ndaj teorisë së Foucaultit mbi Biopolitikën. Agamben argumenton se ekziston një lidhje e fshehtë në mes të Fuqisë Sovrane dhe fuqisë Biopolitike, të formësuar në bazamentin e Shtetit Sovran (Amy O’Donoghue – Sovereign Exception: Notes on the Thought of Giorgio Agamben).

Focault thotë se Shoqëria duhet të mbrohet, Fuqia Sovrane është fuqi për të lënë të jetohet dhe të vdiset, derisa Bio-fuqia është fuqia për të qeverisur me vet jetën biologjike. Shfaqja e dominancës së Bio-fuqisë mbi Fuqinë Sovrane është shenjë e modernitetit sipas Foucaultit. “Njeriu modern është një kafshë politika e të cilit vendosë në pikëpyetje ekzistencën e tij si qenie e gjallë”(Foucault). Artistë të rinj si Astrit Ismaili, që po jetojnë në botën e ndryshimeve radikale dhe dominimeve të Kiborg dhe Bio politikës, po shprehin gjithnjë e më shumë në formë origjinale dhembjen shpirtërore humane ndaj këtyre ndryshimeve në shoqëri.

Astrit Ismaili: Ishte kënaqësi të punoja në videoklipin e ri të Erës

Regjisori i videoklipit të Era Istrefit sot ka ditëlindjen.

Nuk është hera e parë që Astrit Ismaili dhe Era Istrefi bashkëpunojnë. Kësaj here, Ismaili – artist i njohur në Kosovë, ka bërë koreografinë dhe pjesën artistike të videoklipit më të ri nga Era Istrefi dhe Konshens – “Oh God”.

“Është kënaqësi të punoj me Erën dhe me videoklipin e xhiruar në Xhamaika, dhe i cili doli sot për ditëlindjen time” shkruan artisti Ismaili.

Kënga u lansua dje me videoklip dhe ka rreth 300 mijë shikime në Youtube. / KultPlus.com