Revista “BW” zgjedh Rita Orën si gruan më influencuese të vitit në biznes

Këngëtarja shqiptare me famë botërore Rita Ora aktualisht ndodhet në Australi prej disa kohësh pasi është e angazhuar në edicionin e “The Voice” atje.

Por sukseset e artistes nuk ndalen teksa së fundmi ka publikuar dhe këngët e reja të saj.

Revista indiane e njohur në botën e biznesit, “Bw Bsuinessworld” e ka zgjedhur Ritën si “Gruan më influencuese të vitit në biznes”.

Ka qenë vetë Rita që bën të ditur lajmin përmes një postimi në rrjetet sociale. Në kopertinën e revistës ajo shfaqet me një imazh tërheqës ndërsa ka falenderuar median për vlerësimin./diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Skena Juvenis e Filharmonisë së Kosovës mban koncert me 3 violinistë të rinj

Filharmonia e Kosovës me platformën e saj vjetore “Skena Juvenis” ku promovohen aktorë të rinj të skenës muzikore formale, realizoi me shume sukses nje koncert në formacionin harkor të mbeshtetur nga koncert-mjeshtri i njohur i Filharmonisë, Visar Kuçi.

Në sallën e mbuluar në të kaltër, për të shënuar kështu Ditën Botërore të Autizmit, u realizua një program që mbulon periudhën barokiene dhe moderne të mesit të shekullit XX me dy vepra shumë të njohura dhe të rëndësishme të repertorit për formacion harkor, A.Vivaldi – 4 Stinët dhe B.Bartok – Valle Rumune.

Koncerti paraqet vazhdimësinë e fryteve profesionale në profilin e performuesve të muzikës klasike me brezin më të ri të harkorëve në vend.

Solistët e rinj, Rron Bakalli, Pleurat Doli dhe Drenusha Lota, si pjesë e violinisteve të brezit të ri, janë pjesëtarë aktivë të valës së tretë të ekosistemit muzikor pas vitit 1999 – studentë të profesoreshës dhe violinistes së nderuar, Sihana Badivuku.

Filharmonia si shtëpi e të gjithë instrumentistëve profesionistë kosovarë në këtë koncert nxori në pah 3 instrumentistë që kontributin e tyre në kryeqytet e sjellin nga një bazament i fuqishëm që rrënjët i ka në shkollën e shkëlqyer të muzikës në Gjakovë @Prenk Jakova, në një nga qytetet kontributdhënëse për edukimin e shumë brezave të muzikantëve profesionistë.

Koncertet e tilla pasqyrojnë kapacitetin e Filharmonisë për të mëvetësuar dhe integruar në një ngjarje kulturore veçoritë dhe pasuritë e larmishme të kulturës sonë muzikore.

Filharmonia e Kosovës, si një ndër institucionet më të rëndësishme të muzikës në Kosovë, si katalizator i zhvllimit të kulturës muzikore, si agregator historik i aktorëve muzikorë nga të gjitha profilet muzikore në Kosovë, zë vend të rëndësishëm në ekosistemin muzikor në Kosovë dhe është forcë e veçantë e rezistencës kulturore që nga fillet e saja të mesit të shekullit XX.

Filharmonia është urë lidhëse mes strukturave rajonale dhe ndërkombëtare të muzikës klasike, e cila në nivel të diplomacisë muzikore ka promovuar aktivisht ngritjen profesionale të kulturës muzikore në Kosovë për më shumë se 45 vite./KultPlus.com

Rugova e Agani, dy figurat e rëndësishme shqiptare

Ibrahim Rugova e Fehmi Agani shihen në këtë fotografi të vitit 1991, të cilët janë në proces të nënshkrimit të librezave për anëtarët e LDK-së, shkruan KultPlus.

Adnan Merovci ka sjell këtë fotografi, duke e shoqëruar edhe me këtë përshkrim.

Kujtesë historike!

Koha kur politika e Kosovës udhëhiqej nga Dijetari RUGOVA, ku në krahë të djathtë kishte profesor Fehmi AGANIN!

Foto: 9 shtator 1991, Prishtinë, Presidenti RUGOVA duke nënshkruar librezat e anëtarësisë së LDK-së./ KultPlus.com

‘E pashë kufomën para se ta nxirrnim, kufoma ishte aq e bukur sa më shkoi mendja ta puthja aty në vend’

Nën hije

Besa Kalaja

Në çastet më të turbullta të jetës së saj qëlloi që në vend të kishte një luftë. Luftë as e madhe, as e vogël nga këndvështrimi ynë. Nga këndvështrimi i saj nuk e dimë pasi ajo kurrë nuk foli qartë për luftën, edhe pse ne ia drejtonim pyetjet në formën: Kur ju vdiq djali në vendin tuaj kishte një luftë? Besoni që ai vdiq pasi nuk iu dha ndihma e duhur? Mos dyshoni që ai qëllimisht u mbyt?

Asnjë përgjigje.

Maria kishte dhjetë ditë që kishte ardhur. Kishte edhe një ekip, që në fakt ende s’e kishte sepse misionin e nisi me ditë të tëra vonesë, çfarëdo që i bie ajo. Ma do mendja që të gjithë të intervistuarit e thanë që këtu ka pasur një luftë, më tha ajo. Luftë që besohet të ketë qenë e tmerrshme. Mbarë për një fillim besoj, morëm ca fakte, na mbetet të ndërtojmë të vërteta, të vërteta luftërash.

Pas një sëmundje të gjatë dhe pa diagnozë, ai shkoi. Kishte kohë që e deshi më shumë jetën tjetër, asgjë nuk e mbante më këtej. Në shtratin e dergjjes nana ia lexonte librin me poezi. Për çdo ditë po të njëjtin libër, të vetmin. Sikur mendonte që ky ritual përsëritës ishte një fije për mbajtjen e tij në jetë. Nuk ishte. Fëmija i vetëm i vdiq sot paradite.

Duhet ta marrim trupin e pajetë, mjeku i tha. Autopsinë nuk mund të kryejmë në këso kohe. E kuptoi mu në atë sekondë sa e pavend e absurde ishte fjalia. Krejt këtë nuk ia tha pa një dhimbje të madhe në shpirt, pasi ajo e pa që i ishin skuqur sytë. Me gjasë kishte qarë.

Të vdekurin e mbështollën. E larguan nga dhoma. Aty mbeti kujtimi i tij dhe fytyra e trishtuar e nënës. Për herë të parë shikoi në oborr. Bari ishte harlisur, qentë po loznin. Qielli ishte errësuar. Shiu nuk ishte larg. Dhimbja ia kishte errësuar shikimin.

Zonjë, trupin duhet varrosur, ia tërhoqi vërejtjen ai. E pa që ishte e përhumbur, prandaj me lehtësi e tërhoqi nga krahu dhe aty në qoshe të dhomës boshe po mbante duhmën e djalit të saj, e pyeti se a i kishte kushtet për ta varrosur.

„Jo“, i tha kjo.

„Si t’ia bëjmë?“ – u ngrys mjeku.

„Nuk e di“, tha ajo, „dhe as nuk dua ta di më. Aq më bën a varroset apo jo.“

Unë do t’i ndërmarr të gjitha masat dhe do ta varros, por, e dini, besoj që edhe unë njëjtë si ju jam i rrezikuar. Nuk po me shohin në sy për të mirë, zonjë.

E vendosën, djali duhej të varrosej në kodrën që ishte afër spitalit dhe mundësisht të bëhej në mbrëmje.

Katër veta po e bartnin kufomën në krah. Meqë djali ishte i zhvilluar dhe zakonisht thuhet se kur vdes njeriu bëhet edhe më i rëndë, i bëri ata që nën hundë ta shanin atë.

Mbase të mos i kishin premtuar mjekut, do ta rrokullisnin kufomën në moçalishtën që ishte krijuar afër spitalit.

Shi kishte rënë gjatë gjithë kohës. Nuk e kishte ndërmend të ndalej. Kjo e bënte edhe më të vështirë bartjen e kufomës. Varrmihësve këmbët po u rrëshqisnin. E menduan disa herë që kufomën ta hidhnin. Zvonko insistonte për të kundërtën pasi mjeku, miku i tij i fëmijërisë, i ishte lutur të mos e bënte një gjë të tillë. Ai e dinte që shumica do ta mundnin për këtë, prandaj ishte kujdesur që ta merrte një armë me vete.

Hej Zvonko, ia bëri Dragani ky djali që po e bartim kishte qenë i bukur e i formuar. E pashë kufomën para se ta nxirrnim. Mjeku e mbështolli me një basmë të bardhë sepse tha kështu i mbështjellin të vdekurit ata. Zvonko, i tha Dragani, kufoma ishte aq e bukur sa më shkoi mendja ta puthja aty në vend, ta mbaja në shpatulla, ta përkëdhelja. Kisha dhe një inat. Pse ky më i bukur se unë. Pata dëshirë të shfrenuar t’ia përdhosë kufomën siç bëri Akili i madh me kufomën e Hektorit. Hektorit të fisëm e të bukur.

Zvonko u rrënqeth, sigurisht Dragani në mendimet e tij më djallëzore do ta tredhte djalin e vdekur.

Shiu s’kishte të ndalur.

Këmbët u rrëshqisnin. Terreni ishte bërë shumë i vështirë. Dragani tha se, edhe pse po i lante shiu atij po i vinte era sikurse një qeni të ngordhur. Shokët e fajësonin Zvonkon për gjendjen. Ai insistonte se ishte e tmerrshme ta varrosnin pa kurrfarë adeti. Milenko të cilit nuk i ishte dëgjuar zëri gjatë tërë natës provokoi duke i thënë Zvonkos se kishin harruar ta thërrisnin një hoxhë.

Hoxha do të vinte apo edhe ai do të kundërshtonte? Jeta është e ëmbël edhe për një hoxhë, apo jo Zvonko? As ai nuk do që të vritet si qeni në rrush. Përveç Zvonkos që i kishte rënë në kokë për këtë djalë vërtet askush nuk do ta varroste në këso kushte. Cili ishte motivi për ta varrosur armikun? Askush s’e mori vesh.

Kur me në fund mbërritën në kodër, i lëshoi fuqia. Bashkë më të ra arkivoli. U thye. Pa bërë shumë zhurmë e rregulluan disi. Filluan hapjen e varrit pa e ditur që kjo ishte puna më e vështirë e asaj nate. Balta po ngjitej për lopate. Djemtë e lutën disa herë Zvonkon ta linin kufomën aty sepse me gjithë ato kufoma që ishin bërë këtë pranverë kush do të merrte vesh për këtë.

Zvonko nuk po dorëzohej. Nuk i mjaftonte vetëm lopata, gropën e hapte edhe me duar. Aty në gropë po ulërinte Dragani. Hektor i bukur, na varrose, ë? Ti qëndron lart e ne jemi poshtë. Në varrin tënd. Për besë Zvonko ai po qesh me ne, i tha. Shikoje bukuroshin se si i ka dalë shpatulla nga basma dhe qesh me ne. Me ne të vdekurit.

S’mund të bëj asgjë, tha Dragani. Gjithçka rreth nesh është shkretuar. Nuk po punojnë më as shtëpitë publike. Kemi frikë po thonë. Nënën ua q… Ato kanë frikë. Nuk kanë frikë të shkojnë me ata si po u thonë forcat speciale e po kanë frikë nga ne. Lekë nuk kemi vëllaçko, për këtë nuk na ofrohen. Për këtë Zvonko, pasi jam mbushur, desha ta përkëdhelja këtë djalin e bukur të cilin ti e do më shumë se mua. Shih sa lart qëndron prej nesh. Mospërfillës.
Ai mbi dhe ne nën të. Është dashur të ishte e kundërta. Unë nuk jam idiot. E di që jemi kurthuar këtu dhe pjesërisht për këtë e kemi fajin vetë. Gjithë kohën po na thonë varrosni tanët mos të mbesin mbi dhe po, xhanëm, çfarë na u desh ky tani. Dragani ishte ndezur, nuk ndalej së foluri.

Me vete kishte një shishe me ujë që të tjerëve iu duk si një thesar në mes të shkretëtirës. Na jep pak ujë, e luti Ivani. E tërhoqi për mënge dhe i tha se gjatë tërë natës ishte treguar i keq me Zvonkon. Ai ia krisi një të qeshure histerike, ndërsa hapi krahun e palltos dhe i tregoi shishen me raki. Do të çmendesha, vëlla, do të çmendesha po të mos ishte kjo, tha me gjysmë zëri e buza po i dridhej. Ende nuk po mund të besoj që nuk na vranë sonte. Dragani mori frymë thellë dhe u hesht.

Zvonko shikoi gropën e madhe. I kujtoi gropën e fëmijërisë në të cilën fshihej për të qenë më afër qiellit. Nga aty nuk mund të shihte asgjë tjetër veç se atë, qiellin, nga një perspektivë krejt tjetër. Ndihej i shkallmuar dhe i vetmuar aty, por në gropë ishte bota e tij. U tremb, mendja i kishte shkuar më larg se ç’duhej, tek vetja.

U ul në baltë. Djersët po i shkonin ballit. Iu kujtua që mjeku i kishte dhënë një letër. Ivani ia futi dorën në xhep me rrëmbim. Për një moment ky u tremb, sepse mendoi që po ia merrte armën. Në letër ke emrin e djalit, vendose në varr, i tha Ivani.

Zvonko u kthjell për një moment. Futi dorën në xhep. Letra ishte aty, por emri ishte fshirë. S’i t’ia bëjmë Ivan? – tha ai. Aq jam i lodhur sa nuk më kujtohet si e kishte emrin, ani pse e shënova me dorën time. Si nuk më shkoi mendja se mund të më fshihej. Çfarë të bëj tash?

Përfundoje cigaren, i tha Ivani. Ivani s’e kuptoi që Zvonko tashmë ishte mundur nga lodhja.

Gjithmonë e kam vuajtur faktin se autoriteti i ushtruar mbi mua ka qenë nga dikush që ka qenë fare idiot. Thua Ivan që kjo është arsyeja që unë jam ky që jam. I druajtur. Të betohem që nëse i teket Draganit të ma marrë revolen, mund ta bëjë për dy sekonda. Kurrë në jetë, Ivan, se kam shkelur as edhe një buburrec. Kam ethe tani, po më shkojnë mornica trupit. Mund ta bësh për mua t’ia marrësh atij një pikë raki. Nuk dua të vdes pa e shijuar vetëm pak. Lutu të mos vdes Ivan, lutu. Dua t’ia mësoj shijen jetës së vështirë. Tani që erdha në grupin tuaj, grupin e varrmihësve dua t’ia ndiej erën jetës së vështirë. Gishtat e mi, duart e mija nuk kanë prekur kurrë dhe. Tani dua ta rrotulloj të tërin vet, t’i gjej viktimat e tjera, t’i varros. Mjaft i keni përdhosur duke i hedhur në moçalishtë, Ivan. Sa mund të kenë qenë më thuaj, 10, 20, 100? Më thuaj, Ivan. Ty ta kam besën, të përbehem në Zot më thuaj, Ivan?

Zvonko kishte të ftohtë, po vdiste nga të ftohtët. Donte të ikte. Por ishin larg, shumë larg. Se kuptonte më ç’iu desh kjo kodër kur mund ta linin në moçalishtë, aty në ujë.

Me gjasë tani i vdekuri është ngrohur, e unë po ngrij, po ngrij si kryq dreqi në fund të janarit – tha ai. S’mund të jemi vëzhgues pasivë– i tha Ivanit. Ti je i arsyeshëm. Ne duhet t’i gjejmë viktimat e tjera dhe t’i varrosim, (duke i kërcitur dhëmbët), dua ta bëj këtë sa më shpejt. Që sonte në mbrëmje. Të marr një fletore, të bëj një plan.

Nën hijen e blirit, në kodrën prej nga shihej i tërë qyteti, e varrosën. Një djalë në të njëzetat e hershme e mbuloi dheu, e kjo të shemb shpirtin. Ai dhe do të qëndrojë me shekuj mbi të. Veç, mos e dhëntë Zoti që dheu të rrëshqasë. Me gjasë nuk do të ndodhë një gjë e tillë, ishin kujdesur që ta varrosin afër blirit që kishte lëshuar rrënjë. Sa mund të jenë të gjata rrënjët e një bliri për besë nuk e di, kurrë kush nuk interesohet për to. Sa mospërfillës që jemi, cektësia jonë tregohet edhe në këtë rast. Mjaftohemi me aromën dhe pamjen e tij të këndshme. Rrënjët çfarë na duhen? Me siguri për të na i ruajtur varret.

I vunë një kryq varrit dhe me kaq përfundoi kjo punë.

……….

Nën blirin që i bënte hije varrit pa emër, nën marramendjen e aromës së këndshme të tij, ne filluam një bisedë. Mbase më seriozja prej kur Maria ka ardhur këtu. Më ishte bërë pjesë e familjes, ani pse shpesh nuk pajtoheshim. Ja, për shembull, si në këtë bisedë që qëlloi të ishte e fundit nga bisedat e gjata që i kemi zhvilluar.

Erdhi fundi, ne po zhvendosemi, më tha ajo.

Si erdhi fundi, çfarë po mendon? – e pyeta unë.

Misioni ka përfunduar, ajo.

Cili mision? Ku ka përfunduar? Këtu apo atje prej nga vjen ti? – unë.

Këtu përfundoi – më tha.

I thashë nëse e kishin kuptuar të vërtetën për ne.

Të vërtetat – ma preu ajo në shumës.

Kemi luftëra të tjera para nesh. Na duhen edhe ca për ta argumentuar tezën tonë – fliste e sigurt ajo.

Cilën tezë? – i thashë unë.

Që lufta është çështje perspektive, ja ku po ta them – ajo.

Edhe Lufta e Dytë Botërore ishte çështje perspektive? –unë.

Ma merr mendja që po – ajo.

Sheh gjëkundi shenja të saj ti? Unë kam udhëtuar në gjithë Evropën dhe nuk pashë gjë, veç hamendësime.

Po të gjitha këto vrasje, tërë kjo dhimbje a nuk mjafton? – unë.

Si pa të keq, u shkëput nga biseda e u përfshi në urgjencat e momentit.

Disponimi më ka rënë për toke, më tha. Më nuk e di çfarë të mendoj. Me të gjithë këta njerëz që kam punë këtyre ditëve kam marramendje. Shumicën prej fakteve jam duke i harruar. Ndihmë nuk pres prej askujt. Nuk kam para për t’i paguar, nuk kam as për vete dhe nuk e di si do t’ia dal. Presionin prej familjes e kam të madh. Po më thonë të gjej një punë për të qenë Maria. Njerëzit e vdekur askujt asgjë nuk i kanë sjellë.

Gjatë gjithë kohës Maria më pati përkrah. As kjo distancë minimale nuk mjaftoi për ta kuptuar që plagët e luftës më përkisnin edhe mua. Isha tepër e lodhur t’ia vë fajin vetes, ta gjykoja si të paaftë për të transmetuar dhimbjen. Me sa duket distanca në mes nesh s’kishte fare lidhje me hapësirën. Ne thjeshtë s’ndanim të njëjtën kohë.

Këtë e gjeta në shënimet e Marisë:

Nuk dyshove kurrë që djalin ta mbytën?

Jo – përgjigja e saj me gjysmë zëri.

Ishte i pashëm, një ushtar i mirë do të bëhej. Se mendove që për këtë ai më nuk është në këtë botë?

Jo – ajo, shkurt.

E kishe të vetmin mbase e menduan të të mundonin me këtë?

Jo – ajo.

Këto janë shënimet për gruan që humbi djalin e saj të vetëm në spital, në atë që mendohej se ishte luftë dhe e cila ishte në vlugun e saj.

Mendoni se ju bëtë punën tuaj në mënyrë profesionale?

Ishte luftë – ai.

E çka ka të bëjë kjo me ju? – Ti nuk je ushtar, je mjek.

Isha mjek në kohë lufte.

Shënim: Djali vdiq në spital, është ndër të vdekurit e thjeshtë, jo viktimë lufte.

Shënim: Në këto hapësira nuk ka pasur luftëra ashtu siç pretendohet. Ndërhyrjet nga të gjitha palët edhe ato ndërkombëtare krijuan bindje te popujt e këtij rajoni që këtu kishte pasur luftë.

Unë me ekipin po zhvendosemi në hapësira të reja. Atje ku mendohet që janë zhvilluar luftime. Jam pa gjumë dhe e turbulluar./

Tregimi “Nën hije”, është përzgjedhur në mesin e tregimeve më të mira të konkursit “Biber”, që këtë vit shënoi edicionin e tretë, që ka karakter garues në nivel rajonal./ KultPlus.com

Si fisi Kuikuro po e lufton vetëm COVID-in

Komunitetet autoktone në Brazil janë një përparësi për vaksinimin kundër COVID-19. Por komuniteti Kuikuro është një hap përpara – në vend që të presin ndihmën e qeverisë, ata kanë mbledhur fonde për furnizime mjekësore vetë, kanë bllokuar fshatra dhe kanë përdorur përvojën me epideminë e lisë për të luftuar Coronë-n herët.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 45,000 raste të infektimit me koronavirus dhe 620 vdekje u regjistruan midis gjysmë milioni njerëz nga territoret indigjene të Brazilit.

Shoqata Kombëtare e Indigjenëve pretendon se numri real i vdekjeve është edhe më i lartë. Sidoqoftë, nga rreth 900 njerëz Quiokuro që jetojnë në tetë fshatra përtej pellgut të lumit Shingou e Epërme, nuk ka pasur vdekje nga COVID-19 dhe ka pasur vetëm 160 raste të infeksionit.

Suksesi i tyre në luftimin e pandemisë ndryshon nga pjesa tjetër e Brazilit, ku më shumë se 295,000 njerëz kanë vdekur dhe Presidenti Bolsonaro kundërshton mbylljen, refuzon vaksinat dhe promovon trajtimet e paprovuara.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i këtij komuniteti indigjen brazilian, Janama Kuikuro, i tha gazetarit të BBC Pablo Uchoi se si ata e luftuan virusin.

World Indigenous Games draw 2,000 athletes amid protests over groups' rights | Indigenous peoples | The Guardian

“Unë jetoj në fshatin kryesor të Ipatse – ka 390 njerëz në të, përfshirë fëmijët. Vitin e kaluar, pashë lajme për një rritje të numrit të rasteve COVID-19 në Brazil. Unë fola me vëllanë tim dhe kryetarin e fshatit Ipatse, Afukak Kuikura, i cili gjithashtu ndoqi lajmet. Shumë njerëz u shuan dhe ne ishim të vetëdijshëm për rrezikun. Dhe kjo është arsyeja pse komuniteti ynë u bashkua disa herë para se virusi të mbërrinte tek ne, në mënyrë që të mund të mendonim së bashku: si mund ta trajtojmë këtë virus të ri,” thotë ai.

Ata më pas menduan se kush mund t’i ndihmonte.

“Kur isha fëmijë, babai im më fliste për epideminë e lisë që vrau shumë njerëz këtu në pellgun e lumit Shingou të Epërm. Shumë njerëz vdiqën, Kalapalo dhe Kamajuras. Dhe kështu kur dëgjuam për këtë virus të ri, pleqtë tanë menjëherë e kujtuam atë. Ne menduam: duhet të organizohemi. Duhet të mbyllemi. Nëse do t’i kishim kërkuar qeverisë ndihmë, ajo nuk do të mbërrinte shpejt”.

Ata ndërtuan një shtëpi ku pacientët mund të izolohen.

“Si president i Shoqatës Kuikuro, unë kam kontaktuar partnerë (në universitete dhe në OJQ). Ata mblodhën 200,000 reais (rreth 36,500 euro) përmes projektit Amazon Hopes Collective, ne blemë shishe oksigjeni, një koncentrator oksigjeni dhe punësuam një mjek dhe një infermier. Qeveria ndau pajisje për COVID-19 (një përzierje e trajtimeve të paprovuara anti-virus), por ne nuk e pranuam sepse nuk u konfirmua nga studimet.”

Covid-19: Desamparados pelo governo, indígenas Kuikoro venceram a pandemia com base na ciência e ajuda de financiamento coletivo - BBC News Brasil

Ata hartuan protokollin e tyre, i cili ndryshonte nga ai i qeverisë.

“Disa njerëz nga komuniteti ishin të zemëruar me mua, sepse u thashë të mos largoheshin nga fshati, u kërkova atyre të mbajnë maska ​​dhe të lajnë duart gjatë gjithë kohës. Shumë menduan se po i gënjeja. Dhe pastaj arriti virusi dhe ata më besuan. Të parët që u infektuan ishin njerëzit e Kalapalos”.

Rastet ishin shumë të rënda dhe njerëzit u transferuan në spitale jashtë territorit vendas për t’u intubuar.

“Disa pacientë na dërguan mesazhe audio duke thënë që spitalet nuk kujdesen siç duhet për ta dhe nuk marrin ushqim. Disa njerëz u trajtuan në spitalin tonë, por askujt nuk iu desh të vihej në oksigjen. Rreth qershorit ose korrikut, virusi hyri në fshatin tonë përmes njerëzve që e sollën atë nga komuna të tjera. Mjeku ynë bëri një test të shpejtë dhe ky ishte pozitiv. Familja shkoi në izolim. ”

Në total, rreth 160 njerëz u infektuan në fshatin e tyre dhe të gjithë u izoluan.

“Ne tashmë ishim të përgatitur për këtë dhe blemë ushqim nga komunat përreth. Ekipi mjekësor që i mbikëqyri u solli atyre gjithçka që duhej. Ne grumbulluam përsëri fonde, kësaj here rreth 8,000 dollarë. Me ato para, organizata e komunitetit tonë bleu të gjitha gjërat që ne kemi zakon të blejmë në qytete: grepa peshku, shkrepëse, një lloj ushqimi, karburant për gjeneratorin tonë dhe varkën tonë motorike. Gjithçka u dërgua në fshatin tonë dhe dezinfektua para se ta sjellim.”

Takumã Kuikuro: Covid-19 Brazil - An Amazonian perspective - YouTube

Ministria e Shëndetësisë i informoi ata se popujt indigjenë, punëtorët shëndetësorë dhe quilombolas (bashkësitë e pasardhësve të skllevërve) do të ishin grupet përparësore në procesin e vaksinimit. Disa vaksina mbërritën me aeroplan, disa me makinë, disa me anije.

“Me mbërritjen e vaksinave, shumë gënjeshtra u përhapën, shumë lajme të rreme… shumë njerëz u thanë vendasve që të mos merrnin vaksinën, dhe disa i besuan ato. Por Afukaka dhe unë nuk besoj në këtë. Ne biseduam shumë me anëtarët e komunitetit dhe u thamë atyre se nuk u besonim lajmeve të rreme. Ne tashmë kemi marrë dozat e para të vaksinës (Biri). Ne postuam fotografi në faqen e internetit se si e marrim, si një shembull ky për të tjerët në Shingo në mënyrë që ata të vaksinohen gjithashtu.

Kur mora vaksinën, mendova për historitë që dëgjova nga babai im. Lisë vrau shumë njerëz, pleq që dinin historinë dhe kulturën. Por pas vaksinës, nuk kishte më vdekje. Kur pashë përhapjen e COVID-19, mendova: nëse të gjithë pleqtë dhe udhëheqësit vdesin, ne nuk do të kemi më kulturën tonë. Vaksinat na kanë ndihmuar. Sot, fëmijët tanë rriten pa këto sëmundje nga e kaluara, të tilla si lisë, kollës, lisë. Sot, fëmijët rriten të shëndetshëm”./ konica.al/ KultPlus.com

Edi Rama: Me Dua Lipën rrugës për në Fier (VIDEO)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, duke dëgjuar këngën e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipës, gjatë udhëtimit të tij për në Fier, raporton Express.

Në Shqipëri zgjedhjet do të mbahen më 25 prill, ku tani janë duke zhvilluar takimet me qytetarë të ndryshëm, Rama postoi videon gjatë rrugës së tij për në Fier, ku do të bëj takimin e radhës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar një video në rrjetin social “Facebook”, duke dëgjuar këngën e këngëtares kosovare me famë botërore, Dua Lipës, gjatë udhëtimit të tij për në Fier, raporton Express.

Në Shqipëri zgjedhjet do të mbahen më 25 prill, ku tani janë duke zhvilluar takimet me qytetarë të ndryshëm, Rama postoi videon gjatë rrugës së tij për në Fier, ku do të bëj takimin e radhës.

“Me Dua Lipën për në Fier”, ka shkruar kryeministri Rama në mbishkrimin e videos.

Edi Rama tani është në përfundim të mandatit e tij të dytë, duke i fituar zgjedhjet në vitin 2013-të dhe në 2017-tën.

Fitnete Rexha kishte lindur më 3 prill, këngëtarja e shumë perlave shqiptare (VIDEO)

Kënga ‘Fërfëlloj fëllënza n’ujë’ do të mbahet mend gjithmonë nga interpretimi i zërit të këndshëm e unik të Fitnete Rexhës, shkruan KultPlus.

Fitnete Rexha është njëra ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së Mesme. Ajo lindi në vitin 1933 dhe vdiq në vitin 2003.

Sot për nder të ditëlindjes së këngëtares së madhe shqiptare, KultPlus ju sjell këngën ‘Fërfëlloi fëllënza n’ujë’.

Çesk Zadeja ka thënë se sa herë të dëgjohet kënga popullore e Shqipërisë së Mesme, gjithmonë do të kujtohet këngëtarja Fitnete Rexha.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës.https://www.youtube.com/embed/OdHEWdAJlq4?feature=oembed

Fërfëlloj fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall për flokësh o të përkasë
Të të shof a je e bardhë
A je e ambël porsi dardhë

Fërfëlloi fëllanza
Në ujë x2
Fëllanzo fëllanzo x2
Dil prej ujit o
Mos dalsh kurrë x2
Fëllanzo fëllanzo x2

Tybe unë ty nuk të ngasë
Sall për dore të përkasë
Të të shof a je e zeshkë
A je e butë porsi pjeshkë. / KultPlus.com

“Puthja e jetës”, fotografia me historinë e jashtëzakonshme që intrigon publikun tash e 50 vite

Fotografia e realizuar në vitin 1967 e shkrepur përmes objektivit të Roko Morabit quhet “Puthja e jetës”,  dhe  ka intriguar publikun për më shumë se 50 vjet. Ajo  fsheh  në vete një histori të jashtëzakonshme të dy punëtorëve.

Një vit pasi u shkrep fotografia, fotografi mori çmimin Pulitzer dhe më pas ajo u botua në gazeta nëpër botë.

“Puthja e jetës”

Puthja e jetës  shfaq elektricistin J. D. Thomson duke i  dhënë frymëmarrje artificiale bashkëpunëtorit të tij Randall G. Champion, pasi ai humbi vetëdijen pas kontaktit me një tel të tensionit të ulët.

Të dy ata po bënin mirëmbajtje rutinore kur Champion aksidentalisht preku njërin prej telave të tensionit të ulët që ndodhej në majë. Ai humbi vetëdijen, për fat të mirë, rripi i sigurimit e pengoi që të binte. Thompson, i cili ishte poshtë tij, shpejt arriti lart dhe filloi t’i japë frymëmarrje artificiale, transmeton reporteri.

Duke parë rrethanat nuk ishte në gjendje të përdorte dhe duart për frymëmarrje artificiale por vazhdoi të fryjë në mushkëritë e Champions deri kur ndjeu një puls, më pas ia zgjidhi rripin që e mbante lidhur me shtyllën dhe zbriti me të në shpatulla.

Ai jetoi edhe për 35 vjet të tjerë pas kësaj ngjarje. Vdiq më 2002 në moshën 64 vjeç.

Rreth fotografit

Rocco Morabito ishte duke vozitur në West Street në korrik  të vitit 1967. Në një moment, ai ngriti kokën dhe pa elektricistin që ishte goditur nga rryma. Ai thirri menjëherë ambulancën dhe kapi aparatin për të shkrepur foton.

“Unë kalova pranë këtyre njerëzve që po punonin dhe vazhdova me punën time. Kam bërë tetë foto. Mendova të kthehem dhe të shoh nëse mund të bëj një foto tjetër. Atëherë dëgjova një ulërimë. Ngrita sytë dhe pashë që burri ishte varur. Oh Zoti im, nuk dija çfarë të bëja. Unë bëra një fotografi menjëherë, pastaj Thomson zbriti shkallët. Shkova në makinën time dhe thirra një ambulancë. U ktheva aty kur Thomson po i jepte frymë artificiale shokut të tij. E shkrepa një fotogravi kur dëgjova “Po merr frymë”.

Rocco Morabito mori çmimin Pulitzer të vitit 1968 për fotografinë “Puthja e jetës”. Fotografia u botua në  shumë gazeta nëpër botë. / KultPlus.com

Korçari që u bë biznesmeni më i fuqishëm në Rumani

Janë të shumtë patriotët që shkrinë pasurinë dhe mundin e tyre, për të mirën e çështjes kombëtare. I tillë ishte dhe Anastas Avramidhi – Lakçe. Ai lindi në Korçë në vitin 1821 dhe vdiq në vitin 1890. 

Lakçe njihet si një nga bamirësit dhe patriotët më të mëdhenj që ka pasur Shqipëria. Anastas Lakçe emigroi që në rini, drejt Rumanisë. Aty ai nisi të merret me shumë me çështjen kombëtare shqiptare. Me një punë të palodhur, Lakçe arrin të bëhet një nga njerëzit më të pasur të Rumanisë dhe një nga shtyllat e lëvizjes patriotike në atë vend. Edhe pse larg atdheut, Lakçe nuk reshti së punuari për Korçën dhe Shqipërinë.

Këtë e dëshmojnë donacione e shumta për ndërtime rrugësh e shkollash në Korçë si dhe ndihmonte me të holla familjet e varfëra duke përgatitur pajën për vajzat e tyre, që martoheshin, pavarësisht nëse ishin të krishtera apo myslimane. Ja çfarë thoshte Lasgush Poradeci për kontributin e veçantë të Lakçes:

“Mbledhja e madhe e paralajmëruar u bë në të vërtetë pa as më të voglin vonim me 27 Dhjetor 1884 dhe u themelua zyrtarisht Shoqëria e Pavarur – “Autoqefale” – e Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, me kryetar plakun milioner Anastas Avramidhi Lakçe – Korçën. Ky i pari mbi të gjithë, fali një shumë prej 200 napolonash, që në krijim të shoqërisë, ku u mblodhën me tepër se 15 mijë franga ari. Emri i shoqërisë i pranuar midis entuziazmit me zëra të përbashkët u vendos të jetë “Drita”, simbol i ndritjes, që sot e tutje të popullit shqiptar nga errësira shekullore. Përveç kryetar Lakçes dhanë njëkohësisht shuma të mira të hollash, 49 anëtarë nga më të flaktit.”


Kjo shoqëri më pas do ta ndryshojë emrin nga “Drita” në “Dituria” dhe do të arrijë të nxjerrë edhe 12 numra të revistave me të njëjtin emër.
Më 1888-ën, Lakce publikoi edhe një libër të vetin në shqip, që u përkthye me pas edhe në gjuhët frënge, greke dhe rumune me titull “Për shqiptarët nga një shqiptar”, ku ai tregonte rëndësinë e edukimit në gjuhën shqipe. Një nga veprat më të mëdha që njihet nga Lakçe është financimi për ndërtimin e katedrales të Shën Gjergjit në Korçë, një kryevepër arkitekturore, nga më të bukurat e madhështoret jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Kisha e vjetër me këtë emër datonte që në Mesjetën e Hershme, me 1253. Më 1875-ë, u prish kisha e vjetër dhe u rrethua vendi për ndërtimin e katedrales së re, mbi rrënojat e saj.

Por, ndërtimi i saj u ndërpre. Dikush ishte ankuar në Portën e Lartë në Stamboll se të krishterët e Korçës po ndërtonin një kështjellë.
Kur u ndaluan punimet, Mitropolia e Shenjtë e Korçës, i kërkoi Patriarkanës së Shenjtë të Kostandinopojës, që të ndërmjetësonte pranë qeverisë turke për të rimarrë lejen dhe për të vazhduar punimet. Këtu ndërhyri sërish Lakçe. Njeriu, të cilin edhe vetë mbreti i Rumanisë e priste menjëherë, edhe në këtë rast ndërhyri fuqishëm pranë Portës së Lartë. Ajo u detyrua të dërgonte në Korçë, një grup arkitektësh specialistë, të cilët raportuan se ajo çka po ndërtohej nuk qe kështjellë, por një kishë. Filantropi dhe patrioti i madh Anastas Lakçe, financoi që në fillim punimet me 5 000 napolona flori, ndërkohë që shuma të konsiderueshme dhanë edhe shumë qytetarë të tjerë korçarë.

Ndërtimi i Katedrales përfundoi më 1905, vit në të cilin edhe u përurua. Mbi portën e brendshme të kishës ishte vendosur edhe një pllakë e madhe, në të cilën ishte shkruar emri i bamirësit Lakçe dhe viti i ndërtimit.

Më 1914, te kjo kishe u mbajt mesha e parë në gjuhën shqipe, kurse më 1923, Fan Noli, dorëzohet kanonikisht peshkop nga dy mitropolitë të dërguar nga Patriarkana e Kostandinopojës. Kjo mrekulli arkitekturore nuk i shpëtoi inatit të komunizmit pasi u hodh në erë me dinamit, më 1971. Anastas Lakçe nuk u martua kurrë, por tërë pasurinë e vet e shkriu për të tjerët dhe tokën e të parëve.

Në testamentin e tij të fundit, donte tua linte pasurinë e tij shoqatave për promovimin e arsimit shqiptar, por testamenti i tij u bllokua nga Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës./ konica.al KultPlus.com

Problemet me shëndetin dhe borxhet e shumta të gjeniut francez

Nga Aurenc Bebja

“La Revue politique et littéraire” ka botuar, më 5 dhjetor 1903, në faqet n°4 dhe 5, letërkëmbimin e Honoré de Balzac me nënën e tij, në fund të gushtit dhe fillim të shtatorit 1849, gjatë kohës kur gjeniu francez ndodhej në Ukrainë.

Z. H. de Balzac,
në Kështjellën Wierzchownia (Verkhovnia), Ukrainë.

foto galeri
foto galeri

Paris, 20 gusht 1849.
Si, biri im i dashur, akoma dy muaj e gjysmë pa të parë ty ? Unë po filloja të isha e lumtur për ardhjen tënde, dhe ne ende duhet të presim ! Përveç kësaj, ajo që ti më tregon për shëndetin më gëzon. Oh, po, duhet ta ndjekësh dietën tënde, saktësisht, dhe deri në fund. Sa e lumtur për mua që e di që ti do të jesh shëruar plotësisht në një kohë të shkurtër ! Nuk ka fjalë për të shprehur mirënjohjen time për të gjithë kujdesin që miqtë e tu të kanë dhënë. Vetëm mund ta kuptojnë atë që ndiej dhe jo ta shprehin. Do të doja që të jepja nga ekzistenca (jeta) ime atyre që më shpëtuan dhe më mbajtën gjallë birin tim të dashur !

Dje, mora një mijë e njëzet franga që më dha z. Souverain. I dhashë faturën time. Ai nuk donte të më ribënte faturën dhe ta paguante. Meqë njerëzit e Rothschild-ave kërkojnë dy fatura, z. Souverain nuk deshti kurrë të më jepte asgjë tjetër përveç asaj që po bashkangjis këtu.

Nuk dua ta vonoj as më së paku këtë letër, kështu që do të të tregoj shumë shkurt për shtëpinë. Ajo është në gjendje të mirë; jashtë, gjithçka është krejtësisht e freskët. Vazot janë vendosur. Kupola gri është në të gjitha stolitë e saj. Paillard ka vendosur gjithçka. Është e bukur, e këndshme dhe me shije. Në fund të muajit, ai do të sjellë zbukurimin e oxhakut të sallonit. Grohé duhet të japë atë që mbetet [të sigurohet nga vetë ai] këtë javë. Shpresoj që kur të mbërrish të mos kesh asgjë për të dëshiruar.

Z. Fessart e ka vënë në zjarr çështjen Hubert. Unë shpresoj gjithashtu se do ta gjesh të mbyllur [në këtë anë]. Z. Gavault të ka shkruar dje, kështu më tha znj. Gavault, të cilën unë shkova ta takoj, duke mos qenë në gjendje të kontaktoja burrin e saj. Administrata e Sauveur-it nuk ekziston më.

Z. Fessart më tha se kishte mjaft para për momentin. Atij do t’i mbeten edhe pak për momentin [me aferat në mbarim]. Ai do të më paralajmërojë në lidhje me çështjen Hubert. Ai mendon se do t’i duhen vetëm një mijë deri në 1.200 franga. Unë e kam paralajmëruar z. Souverain dhe, nga tre mijë frangat e mia, do të paguaj vetëm pjesën time, dhe unë do të pres, për të paguar pjesën tjetër, derisa të përfundojë çështja, në mënyrë që të arrij, nëse Souverain nuk mund të [siguronte] gjithçka, ose se do të duhej më shumë.

I dashuri im, nuk e njeh më nënën tënde, që nga koha kur nuk e ke parë ! Çfarë, ti më kërkon të kujdesem për punëtorët ! Por, i dashur, nuk po i lë asnjë minutë vetëm. Unë u detyrova, gjatë erës (aromës) së madhe të bojës, të flija tek Laura për dy netë dhe vija për një shëtitje gjatë ditës tek shtëpia jote. Qëndro i qetë. Sipas letrës tënde të fundit, unë do ta organizoj shtëpinë në mënyrë të përsosur dhe nuk do t’i braktis punëtorët.

Do të duhet të fërkosh sytë për t’u kthyer në Parisin tënd të vjetër. Për të të dhënë një ide, unë do të them se, në rrugën Richelieu, nga Bulevardi në Palais-Royal, – çfarë po them, mbretëror ! duhet thënë nacional, – ka tridhjetë e dy dyqane të mbyllura, dhe tregtarët që rezistojnë mbyllin në prag të natës, kështu që mbetet vetëm gazi që ndriçon mbrëmjen. Sidoqoftë, thuhet se ka pak gjallërim. Souverain-it i vjen keq. Ai më tha se ishte vetëm një botues në Paris që ende guxonte të rrezikonte veten, por vetëm që u paguante autorëve një të katërtën e vlerës së librave që u blen. Teatrot janë gjithashtu shumë të sëmurë; pa para, pa spektatorë !

Përveç hidhërimit duke të ditur të sëmurë dhe duke të mos parë, miku im, unë isha shumë e lumtur të di të qetë, pranë miqve të tillë të mirë. Ti do të kishe pasur pikëllim të vërtetë këtu.

Lamtumirë, i nderuari im Honoré. Tani do të numëroj ditët me padurim.

Nëna jote

Letra Nena E Balzak

Letra Nena E Balzak

Wierzchownia (Verkhovnia), 2 shtator 1849.

Nëna ime e dashur,
Sot, unë kam shkruar shumë. Kështu që do të të tregoj pak gjëra, asgjë përveç asaj që është e nevojshme.

Shëndeti im kërkon të paktën një muaj tjetër të plotë trajtimi dhe nuk mund të nisem para datës 15 të muajit tjetër; kështu që, pasi duhet të paguash tetëqind franga më 1 tetor, për kamatën (interesin) e Damet, do të duhet t’i dërgoj. Pra, të paralajmëroj që z. Gavault do të marrë, disa ditë pas marrjes së kësaj letre, një shumë prej një mijë frangash, të cilën ai do të duhet të t’a japë. Teprica e tetëqind frangave do të duhet të vendoset në arkë (kasafortë).

Unë ndoshta do të jem në Paris në ditët e fundit të tetorit. Por nëse, për shkak të rrethanave të panjohura për mua, ardhja ime do të vonohej më tej, unë do të kujdesem të të dërgoj ato që do të jenë të nevojshme për shpenzimet e shtëpisë.

Megjithëse sëmundja është ndërprerë, si të thuash, mbetet ende të zbulohen vetë shkaqet e sëmundjes, sepse, në gjendjen aktuale, është e pamundur që të ec shpejt, të ngjitem, madje të flas me zë të lartë gjatë ecjes, pa mu marrë fryma. Është e vështirë të shërosh brenda disa muajsh një sëmundje që ka vite që ka filluar.

Sa për shpresat e mia, ato nuk po bëjnë ndonjë përparim. Jam duke u ndeshur me vështirësi të jashtëzakonshme, të panumërta që nuk mund të thuhen, por burimi i të cilave nuk është, sigurisht, në zemrat e njerëzve. Ai është vetëm në afera, aferat që janë për momentin në një situatë të keqe !

Sapo të jem në Paris, do të duhet të kthehem në punë, dhe me më shumë zell se në 1841, sepse puna ime duhet të më nxjerrë nga situata në të cilën ndodhem. Dhe çfarë ka ndryshuar ? Asgjë. Të gjesh veten para njëqind mijë frangave për të paguar ose para katërqind mijë, si në 1840, janë gjithmonë të njëjtat dhimbje, të njëjtat hidhërime, të njëjtat punë. Vetëm se jam në një pozitë më të mirë për të punuar. Unë kam më pak probleme (telashe). Por gjithashtu kam tre mijë e gjashtëqind franga interes për të shërbyer (paguar), pa llogaritur 1.200 frangat që shtëpia kushton në taksa, ujë, e harxhime, etj. Pastaj, ti. Duhen gjetur 6.000 franga para se të menduarit për të jetuar. Kështu që duhet të gjej një mijë franga në muaj, mesatarisht, sidomos tani që nuk mund të eci më. E gjitha kjo është e trishtueshme. Për të mos përmendur që kur të arrij atje do të duhet të shlyej rreth dhjetë mijë franga në llogari të papaguara, tezes (hallës) sime, etj. Unë e bëra dhe rregullova këtë djall shtëpie tre vite para kohe. Por kush mund t’i parashikonte ngjarjet ?

Gjithsesi, lamtumirë, Nëna ime e dashur! Jetoj me shpresën se je mirë. Një mijë dashuri dhe respekt për Laurën dhe vajzat e saj, të cilat nuk më shkruajnë më. Tani mund të them : shihemi së shpejti, sepse shpejt do të kalojnë dy muajt.

Pres një letër nga ti, dhe pastaj unë do të shkruaj, më gjatë, dhe ty dhe Laurës
Një mijë përqafime të ngrohta.
Honoré/ KultPlus.com

Këtë fëmijë e vranë serbët, atltetet e Shqipronit pjesë e ekspozitës

22 vite më parë, 2 prill 1999 rreth orës 01:00 të mëngjesit, Nagavci një fshat i vogël afër Prizrenit, ato ditë strehonte rreth 15.000 refugjatë po bombardohej nga ajri, nga shteti serb.

Si pasojë e sulmit u vranë 47 qytetarë, prej tyre 12 fëmijë. Ajo natë ishte e kobshme edhe për familjen Berisha nga e cila u vranë 5 motrat: Adelina, Elhamja, Shkurtesa, Njomëza, Lezija dhe kushërinjtë e tyre: Dafinën, Valmirën, Shqipronin dhe Valonin.

Në foto janë atletet e Shqipronit të vogël, ashtu siç i ka lënë, njërën te lidhur e tjetrën jo.

Fotografia te Muzeu Kombëtar i Kosovës në 2019, gjatë ekspozitës për fëmijët e vrarë në luftën e Kosovës.

Lavdi lulëve të lirisë!/ KultPlus.com

Përkthehen tregimet e moçme të Kutelit

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë, i biri i Mitrush Kutelit, Pandeli Pasko ka ndarë me Qendrën e Botimeve për Diasporën mbresa tejet të veçanta lidhur me ngjizjen dhe daljen në dritë të veprës “Tregime të moçme shqiptare”.

Pandeli Pasko, në lidhje me këtë projekt, shprehet kështu:

Libri “Tregimet e moçme shqiptare” i Mitrush Kutelit e arriti qëllimin e vet: ju ngjalli dashuri për Shqipërinë brezave të tërë.

Për këtë arsye botimi i 10 tregimeve të këtij libri në 5 gjuhë të huaja, në një kohë kur qindra mijë fëmijë shqiptarë po jetojnë jashtë atdheut, është me të vërtet një veprim i lavdërueshëm dhe njëkohësisht barrë e nderuar për përkthyesit.

Si dëshmitar dhe nga lexuesit dhe “diskutuesit” e parë të këtij libri, në dorëshkrim apo në fletë të daktilografuara me shënime me stilograf ose me laps, së bashku me motrat e mia, kemi ndjerë ngazëllim të madh kur ky libër na erdhi në shtëpi. Tërë ato libra që patën ndenjur gjatë mbi tryezë me “Këngë Legjendare”, “Folklor shqiptar”, “Folklor arbëresh”, “Visaret e Kombit” e të tjera, si në një proces alkimie Kuteli i pati distiluar për t’u dhënë fëmijëve ushqimin shpirtëror për të cilin kishin aq shumë nevojë.

Ky libërth i vogël në dukje, ishte fryti i dashurisë të madhe për gjuhën shqipe, për historinë e saj dhe aty bënin pjesë edhe mundimet reale të Kutelit: ai mund t’i kushtohej tregimeve vetëm mbasi të mbaronte normën e përkthimeve. Vetëm një njeri sistematik dhe me kulturë të gjerë mund ta ndante kohën në këtë mënyrë. Dhe madje edhe të gjente kohë e të na i tregonte ne…

Këtë proces krijimi e ka rrëfyer me vërtetësi të madhe vetë babai, kur ne i kërkonim të na tregonte përralla “të padëgjuara e të palexuara” dhe si thotë vetë …” për ta përgatitur këtë vëllim, unë mora një udhë tjetër: hyra punova e vola një vresht të huaj, të madhe, të harlisur: vreshtën e popullit tonë, dua të them folklorin tonë të begatë, me hardhi shqiptare, të mbjella apo të shartuara nga gjyshstërgjyshët tanë. Kofinën e parë të mbushur me rrush të tillë po ia kthej përsëri popullit tonë, dua të them, fëmijëve tanë, pronarëve të vërtetë të tyre”.

Edhe shtysa e çastit pat qenë në suazën familjare: joshja magjike për të dëgjuar në radio këngën e njohur arbëreshe ‘O lule, lule..’.

Por (dhe këtu vijmë përsëri në rëndësinë e këtij botimi 5 gjuhësh), Kuteli e pat ndjerë etjen për fjalën shqipe në mërgim: …ngjarja e asaj dite, kur të katër fëmijët vërshuan në dhomë nga dritarja për të dëgjuar këngën arbëreshe, më ngjalli diçka që rrinte e përgjumur në zemrën dhe mendjen time. Vjete të tërë – dhe këta s’janë të pakët – por plot njëzet e dy – të kaluar jashtë vendit, në mërgim, kisha pasur në krye të shtratit që të m’i shohë gjithnjë syri dhe të m’i zërë dora sa më lehtë, përmbledhje të ndryshme të folklorit shqiptar, duke filluar me ato të arbëreshëve e duke vazhduar me këngët e kreshnikëve dhe i lexoja sidomos natën për të nxjerrë mallin e Shqipërisë, për të mos u shkëputur nga fjala e ëmbël e shqipes, që duket edhe më e dhembshur jashtë. Këngët tona të moçme që më gumëzhinin gjithnjë në mendje më jepnin një ndjenjë të çuditshme: sikur hyja thellë në atmosferën e moçme të Shqipërisë.

Falë Qendrës së Botimeve për Diasporën, tashmë ky libër fort i njohur në viset rreth Shqipërisë të banuar nga shqiptarë e që Kuteli i quante “Shqipëria e jashtme”, pritet të kapërcejë të tjerë kufij nëpër botë, atje ku tashmë jeton një Diasporë fort e madhe, nga më të mëdhatë në botë krahasuar me numrin e banorëve në Shqipëri.

Jam i sigurt se këto botime dygjuhëshe jo vetëm që do të joshin vogëlushët shqiptarë drejt mësimit e shijimit të gjuhës amtare, por do të ngjallin kureshtje edhe tek fëmijët edhe publiku i huaj. Dhe më tej, në kërkimin e rrënjëve të këtyre tregimeve, në leximin e folklorit mahnitës shqiptar, kryesisht në dialektin gegë, në të cilin janë ngjizur, ashtu siç ishte edhe porosia e vetë Kutelit. (Pandeli Pasko, për Qendra e Botimeve për Diasporën)

Përrallat e “Tregimeve të moçme shqiptare” vijnë në botimin dygjuhësh shqip-frëngjisht, përkthyer nga Evelyne Nouges dhe redaktuar nga Saverina Pasho në gjuhën franceze. Së shpejti dhe në shtyp.

“Tregime të moçme shqiptare” është pjesë e projektit të botimeve dygjuhëshe, ndërmarrë nga QBD-ja. Dhjetë tregime të përzgjedhura nga vëllimi “Tregime të moçme shqiptare”, me autor Mitrush Kutelin, të përkthyera në pesë gjuhë: anglisht, italisht, greqisht, gjermanisht dhe frëngjisht.

Këto tregime dhe përralla do të shërbejnë për zgjerimin e njohurive, marrjen e informacionit dhe kultivimin e dijeve të nxënësve në Diasporë për gjuhën, letërsinë dhe kulturën amtare. Ky botim shërben edhe si tekst ndihmës për shkollat në Diasporë, me qëllim thellimin e njohurive të tyre mbi gjuhën shqipe. Vepra e njeh brezin e ri të Diasporës me një autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe, si dhe me një gjuhë të pasur, duke kultivuar ndjenjën e krenarisë për identitetin kombëtar shqiptar në Diasporë, duke i njohur ata me pasurinë e tregimeve të moçme shqiptare, si dhe me madhështinë e trashëgimisë sonë popullore. Botimi përfshin ilustrimet e Gazmend Lekës.

Në këtë projekt janë angazhuar përkthyes të rëndësishëm e me përvojë nga gjuha shqipe: Andrea Grill në gjuhën gjermane, Evelyne Noygues në gjuhë franceze, Eugenio Scalambrino në gjuhën italiane, Ron Berisha në gjuhën angleze dhe Eleana Zhako në gjuhën greke.

“Duke përkthyer tregimet e Kutelit, tashmë unë kam fatin të hyj thellë në prozën e tij lidhur me baladat, këngët e kreshnikëve qe i përkasin traditës gojore të letërsisë shqipe.

Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimeve të tyre, ruan lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet. Botimi dhe shpërndarja e librave shqip, si dhe e përkthimeve të tyre, ruan lidhjet gjuhësore me diasporën nëpër botë, e cila gjithnjë kërkon të ruajë identitetin e vet.

Qendra e Botimeve për Diasporën po bën një punë shumë të dobishme, duke propozuar dhe shpërndarë tekstet letrare dhe shkollore. Është një ndihmë e madhe për të gjithë ata që duan të rrinë në kontakt me kulturën shqiptare”, shprehet ndër të tjera përkthyesja në frëngjisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-frëngjisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Evelyne Noygues është studiuese e letërsisë dhe e historisë, si dhe përkthyese e letërsisë shqipe. Lindi në Francë dhe gjuhën shqipe e mësoi në Paris (Institut national des langues et civilisations orientales -INALCO-) ku u diplomua me një gradë Master në studime historike evropiane dhe gjuhë shqipe. Është një nga themelueset e një shoqate kulturore franceze kushtuar të gjitha aspekteve të kulturës shqiptare dhe që nga viti 2009 menaxhon faqen në internet: Association-albania.com. Jeton dhe punon në Francë.

Noygues e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1988 për të kryer studimet e saj dhe ka jetuar në vendin tonë që nga viti 1991 deri në vitin 1994. Tani ajo kthehet rregullisht në Shqipëri për projekte letrare dhe artistike.

Ka përkthyer në frëngjisht një veprash e artikuj të autorëve shqiptarë, si: Ridvan Dibra, Jeton Neziraj, Dashnor Kokonozi, Maks Velo etj.

“Përkthimi i kësaj vepre të Kutelit ishte një kënaqësi dhe njëherësh një sfidë e madhe. Ky publikim është fryt i një motivimi dhe pune skrupuloze si dhe i sinergjergjisë së përsosur me përkthyesen Evelyne Noygues, njohëse e mirë e gjuhës shqipe. Por ishte edhe dëshira për t’u ofruar qindra fëmijëve të diasporës një libër kaq të dashur të fëmijërisë sime, që çoi në realizimin me sukses të kësaj ndërmarrjeje të vështirë. Këto tregime që të mahnisin me stilin elegant, gjuhën e pasur, magjinë e pashmangshme të përrallës, janë një thesar që nuk duhet t’u mungojë fëmjëve tanë, janë një trashëgimi që u pasuron shpirtin e mendjen duke i futur në një univers sa të largët e fantastik aq edhe real e të prekshëm. Ky libër i ndihmon të kuptojnë nga kanë ardhur dhe si të rriten mirë e të virtytshëm, si trashëgimtarë të një vendi të vogël me vlera të mëdha”, shprehet ndër të tjera Prof. Dr. Saverina Pasho, redaktorja në frëngjisht e tregimeve të Kutelit, sjellë në botimin dygjuhësh (shqip-frëngjisht) nga Qendra e Botimeve për Diasporën.

Prof. Dr. Saverina Pasho është pedagoge pranë Departamentit të Gjuhës Frënge të Universitetit të Tiranës dhe përkthyese e një sërë veprash nga letërsia franceze. Ajo ka një përvojë të pasur 35-vjeçare, veçanërisht në fushën e letërsisë moderne dhe të historisë së Francës si dhe komunikimit e përkthimit. Saverina Pasho ka një kontribut të konsiderueshëm në kërkimin shkencor me artikuj e studime të shumta, ku mund të veçojmë monografinë për I. Kadarenë “Kadare midis miti dhe romanit të shkruar” në gjuhën frënge dhe të botuar jashtë vendit. / Diaspora shqiptare / KultPlus.com

Për ta shkarkuar ose shfletuar librin, kliko këtu: https://drive.google.com/file/d/1qWFxtDgc2rNtOZwj37lu8jn_gAGLis_v/view. / KultPlus.com

Rinovohet shtëpia e Shën Terezës

Komuna e Gjakovës, ka planifikuar të bëjë një investim në shtëpinë e nënës së Nënës Terezë, në Novosellë, që gjendet në afërsi të këtij qyteti.

Kulla që besohet të jetë e vjetër më shumë se 200 vjet, do të shndërrohet një pjesë në bujtinë, e tjetra në muze ku do të vendosen të dhëna për Nënën Terezë e familjen e saj.

Sipas familjes që tash ndanë të njejtin oborr me kullën, vizitorë ka vazhdimisht, teksa shtëpia ka nisë të shkatërrohet për shkak të kushteve natyrore.

Për fillimin e punimeve janë destinuara 30 mijë euro, 20 prej të cilave janë fond i fituar./ KultPlus.com

Fotografia e dhimbjes, Dezi Bekteshi: Nuk guxuam të ndalonim, ferri ishte në tokë

Dezi Bekteshi dhe Sheherzade Bekteshi janë vajza të tezës, dhe lufta e fundit në Kosovë i kishte zënë bashkë, të cilat bashkë me familjarë të tjerë dhe fqinjët e tyre kishin përjetuar rrethimin nga serbët, ndarjen e grave nga burrat, dëbimin drejt Shqipërisë, vrasjen e dhjetë të rinjve dhe shumë tmerre të tjera.

Dezi Bekteshi ka ndarë me KultPlus fotografinë e 15 prillit të vitit 1999, ku shihet bashkë me vajzën e tezës së saj, e cila kishte humbur ndjenjat përgjatë ikjes për Shqipëri, por që nuk iu ishte lejuar që të ndaleshin e ti jepnin ndihmën e parë, dhe këtë ndihmë i kishin ofruar në ecje e sipër.

Bekteshi kujton për KultPlus se para 15 prillit, kishte disa net më parë që forcat paramilitare kishin filluar spastrimin etnik në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicë, ku shihnin edhe shtëpitë e djegura të fqinjëve.

“Në shtëpinë tonë kishin ardhë për strehim, gjoja si një vend më i sigurt, axha me familje, të cilët jetonin në veri, halla me familjen e saj dhe një e afërme me djalin e saj, të cilit kishin ardhë nga Drenica”, kujton Bekteshi.

Në mëngjesin e 15 prillit, kujton Bekteshi se në shtëpinë e tyre u futën paramilitarët serb të cilët i urdhëruan që ti marrin vetëm gjërat esenciale dhe i urdhëruan që ti lëshojnë shtëpitë.

”Keni dashur NATO”, ja ku e keni”, kujton fjalët e paramilitarëve serb, Dezi Bekteshi e cila shpjegon se ata më pas i urdhëruan që të niseshin për Shqipëri.

“Kështu ndodhi më të gjitha familjet e Lagjes së Boshnjakeve. Na mblodhën të gjithëve dhe na bashkuan në një shtëpi të fqinjëve, ku edhe na ndanë, burrat në njërën anë e gratë në anën tjetër. Nuk e dinim se çfarë nënkuptonte kjo, dhe gjithçka dukej si ëndërr. U detyruam të jepnim të gjitha gjërat e çmueshme dhe paratë. Pas maltretimeve të shumta, u urdhëruam që vetëm gratë, vajzat dhe disa burra më të moshuar të dilnim nga ajo shtëpi e të vazhdonim në këmbë deri në stacion të autobusëve, pasi që nga atje do të niseshim me transport të “organizuar” në Shqipëri”, shpjegon më tutje Dezi Bekteshi.

Mirëpo, nga shtëpia e fqinjëve nuk u lejuan të dalin edhe dhjetë të rijnë shqiptarë, ku Dezi tregon se dy prej tyre i kishte djem të axhës.

“U munduam të rezistonim, të niseshim të gjithë bashkë, mirëpo ishim të kërcënuar se po qe se rezistojmë tutje do ta pësojnë të rinjtë…, dhe u nisëm”, tregon për këtë ndarje me të rinjtë shqiptarë që mbetën me paramilitarët serb.

Ajo, rrugën deri te stacioni i autobusëve e përshkruan si të ishte ferri në tokë.

“Dëgjonim të shtëna armësh që supozonim se u ishin drejtuar të rinjve që mbetën në shtëpi. Rrahje pa pikë faji, vetëm pse ishin shqiptarë, të qara e mërzi e pashpjeguar me fjale. Thonë se shpresa vdes e fundit, dhe besonim se djemtë tanë do t’i lirojnë dhe se sigurisht do të “organizonin transport” edhe për ta për në Shqipëri”, tregon Dezi Bekteshi.

Ajo më pas rrëfen se në stacionin e autobusëve mund të zinin vend vetëm ata që jepnin para të bollshme. “U organizuam të gjithë që të siguroheshim që mos të na mbetej asnjë jashtë, dhe dhamë çfarë patëm, dikush byzylyk, e dikush qafore vetëm për të siguruar transportin për të gjithë. Që nga ajo ditë e urrej autobusin”, tregon më tej rrëfimin, që sipas saj, edhe udhëtimi në autobus ishte traumë në vete, edhe pse u premtonin se po i dërgonin në Shqipëri, ata kishin frikë se mos po ju ndodhtë ndonjë e keqe.

Ajo kujton kohën se si të rraskapitur zbritën në Morinë, dhe se ajo ecje i ishte dukur se kishte zgjatë sa një jetë e tërë.

“Pleq, plaka dhe gra të sëmura që nuk mund të ecnin. Çfarëdo që ndodhte, nuk guxonim të ndaleshim,  sepse kishim frikë mos po ndahemi nga familjarët.  Vajza e tezes, Sheherzadja, në atë kohë 17 vjeçare, nga të qarat e pafundme u alivanos. Krejt çka mund të bënim, ishte ti ofronim ndihmë në ecje e sipër.  Më kujtohet që njerëz të panjohur, që e kishin fatin tonë u mundonin t’i jepnin frymëmarrje artificiale,  duke e mbajtur ashtu para duarsh. Pak më tej e pamë një pikë të Kryqit të Kuq dhe aty morën ndihmë mjekësore të gjithë ata që kishin nevojë”, kujton Dezi, e cila shpjegon më tutje se me mjete të ndryshme të transportit ishin dërguar në Kukës.

Duke mos harruar asnjëherë zemrën e madhe të kuksianëve, e më pas edhe atyre të Peshkopisë, familjet kosovare qëndruan atje për dy muaj, për tu kthyer më pas, pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës.

Dezi Bekteshi tregon për KultPlus se kthimi ishte rrëfim në vete, pasi që gjetën shtëpitë e djegura, siguria jo aq stabile dhe e favorshme.

“Mbrëmja na zinte duke i kërkuar familjarët e fqinjët tanë, për të cilët nuk dinim nëse janë të gjallë apo të vdekur. Shtëpitë dalëngadalë shndërroheshin në vatër banimi, por flinim dhe zgjoheshim duke pyetur e kërkuar dhjetë të rinjtë shqiptarë që i kishin mbajtur peng serbët”, thotë Bekteshi.

Dhe për dhjetë të rinjtë shqiptarë, që u mbajtën peng në vitin 1999, Dezi Bekteshi tregon se tek pas dhjetë viteve e mësuan se të dashurit e tyre të zhdukur ishin vrarë, kurse për njërin nga ta, edhe sot e asaj ditë nuk kanë kuptuar asgjë.

Dezi Bekteshi e cila sot punon si menaxhere e projekteve, kurse Sheherzadja që jeton tash e shumë vite në Londër, punon si grimere kanë ndarë këtë fotografi të dhimbjes së vitit 1999, e pos kësaj fotografie, kjo dhimbje ka edhe Shtëpinë Muzë, pikërisht shtëpinë në të cilin i kishin mbledhur shqiptarët e kësaj lagjeje.

“Plagët e asaj kohe do ti varrosim vetëm kur të ndalojmë së fryumuari”, thotë Bekteshi, e cila këtë fotografi e ka siguruar nga fqinji i Bekteshit, Emir Azemi, vëllau i Minir Azemit, ku ky i fundit është vrarë në mesin e dhjetë të rinjve.

Dhe kjo fotografi që ka dërguar Dezin 22 vite pas, nuk dihet se nga kush është shkrepur, pos asaj se e kanë parë në një faqe të rrjeteve sociale, pamje që ka memorizuar tmerrin e popullit shqiptar./ KultPlus.com

Kjo aktore amerikane ishte e njohur për çdo familje shqiptare, Fadil Berisha i realizoi fotosesion

Fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha njihet për punën e tij të madhe në këtë fushë, duke vënë në fokus shumë figura të njohura botërore, por duke mos harruar edhe ato shqiptare, shkruan KultPlus.

Së fundi ai ka realizuar një fotosesion me aktoren e njohur Joan Collins, e cila, te audienca shqiptare ishte e njohur për rolin e sa në serialin e famshëm “Dynasty”.

Dynasty ishte një ndër serialet më të shikuara në vitet e 80-ta,  ku një ndër rolet kryesore kishte edhe kjo aktore amerikane e cila ishte e njohur me rolin e Aleksisës. /KultPlus.com

Çajupi, korifeu i gjuhës shqipe në 155-vjetorin e lindjes

Poeti, publicisti dhe dramaturgu Andon Zako Çajupi, në më shumë se një shekull e gjysmë me krijimtarinë e tij letrare, ka zënë një vend të veçantë në historinë e letërsisë shqiptare e ndaj, sot në kuadër të Muajit të Poezisë, Muzeu Historik Kombëtar organizoi aktivitetin përkujtimor “Çajupi në 155-vjetorin e lindjes”.

Aktiviteti me rastin e 155-vjetorit të këtij poeti kombëtar u hap nga Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili referoi kumtesën me temë: “Pse duhet të lexojmë Çajupin”. Ndër të tjera drejtori Koçi tha: “Pse duhet ta lexojmë Andon Zako Çajupin? Në këtë kohë të modernitetit kur letërsia, kultura, tradita ecin me hapa të shpejtë duket sikur poetët tanë të traditës janë të distancuar e pra është pikërisht detyra jonë të bëjmë të mundur që këto figura të rëndësishme jo vetëm të mos harrohen por të lexohen edhe nga brezi i ri.

Në kritikën shqiptare besoj se Çajupi, si një nga përfaqësuesit e një alter egoje të brendshme të lexuesve të vet (ku gjen jo vetëm motivet romantike, pastorale e lirike, por edhe frymën kritike, sarkazmën, humorin shpotitës ndaj veseve të shoqërisë), meriton një vëmendje të veçantë për t’u lexuar dhe shijuar si tekst, si autor dhe si përfaqësues i një epoke”.Kryetari i shoqatës atdhetare “Çajupi”, z. Andon Pango, referoi kumtesën me titull: “Zagoria –vatra dhe tharmi frymëzues i atdhedashurisë në krijimtarinë e Çajupit”. Z. Pango, e filloi kumtesën duke thënë: “Veprat që ka lënë Çajupi janë si një thesar floriri që vetëm shkëlqejnë me kalimin e viteve.

Thjeshtësia e vargut të Çajupit, bukuria shprehëse e gjuhës përmbajtja dhe stili i qartë janë mirëpritur nga lexuesi shqiptar i çdo kohe kjo vihet re edhe në një nga xhevahirët e poezisë shqiptare “Mëmëdheu”. Kanë kaluar 155 vjet nga lindja e tij dhe sot së bashku po flasim për freskinë dhe ndjeshmërinë që përcjell tek lexuesi jonë edhe ai i huaj krijimtaria letrare e këtij zagoriti të nderuar”. Më tej ai vijoi duke thënë se: “Në vitin 2013 në Sheper të Zagorisë iu dha titulli “Nderi i Kombit”, si një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të letërsisë Shqiptare i cili në fillim të shekullit të kaluar kontribuoi jo vetëm në edukimin e ndjenjave atdhetare por edhe në ndriçimin e shoqërisë shqiptare. Kjo dekoratë, në vitin 2016, i është dhuruar Muzeut Historik Kombëtar për tu bërë pjesë e fondit muzeor të tij”.Dr. Ermir Nika, pedagog dhe studiues letërsie referoi mbi temën: “Fryma kombëtare në krijimtarinë e Çajupit”. “Në këtë 155 vjetor të lindjes së tij përsëri Çajupi na mbledh të gjithëve bashkë, nisi në fjalën e tij z. Ermir Nika. “Na mbledh për të na kujtuar që ne pikëtakohemi në një koordinatë shumë të rëndësishme atë të Zagorisë. Ishte nje karakter i paepur, një personalitet që nuk dorëzohej kollaj dhe përfaqëson një ndër mendjet më të emancipuara të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shek të XX. Çajupi nuk mbeti vetëm romanik, ai nuk mbeti vetëm klasicist ai solli realizmin në letërsinë shqipe solli natyrën, solli njeriun ai vizatoi Shqipërinë e vërtetë”, përfundoi ai.Z. Spiro Nika, specialist pranë Muzeut Historik Kombëtar, tek fjala e mbajtur prej tij e vuri theksin tek gjithë ndikimi që kishte ambienti ku lindi dhe u rrit Çajupi si shtëpia, shkollat, natyra, kultura në talentin dhe veprën e tij./KultPlus.com

Propozohet pushim pranveror për të gjitha shkollat

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Arbërie Nagavci ka mbajtur takim ku kanë marrë pjesë zyrtarë të MASh, përfaqësues të Kolegjiumit të DKA-ve, SBAShK-ut, Këshillit të Prindërve, IKShPK-së, drejtorë të shkollave dhe mësimdhënës.

Në komunikatën e MASh-it thuhet se takimi i sotëm është vazhdimësi e takimit të së premtes për të shqyrtuar mundësitë e organizimit të mësimit gjatë ditëve në vijim, respektivisht mundësinë e pushimit pranveror, zëvendësimin e ditëve të humbura gjatë këtij viti shkollor dhe mësimin plotësues për nxënësit e nivelit fillor dhe atyre që kanë mbetur prapa në mësime.

Ministrja Nagavci theksoi brengën e saj për cilësinë e mësimnxënies gjatë këtij viti të vështirë dhe sfidues shkollor, por theksoi se primar mbetet shëndeti i personelit arsimor dhe i nxënësve.

Ministrja, po ashtu, kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve, në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë që të jetë e mundur situata dhe të arrihet cilësi në mësimnxënie për aq sa është e mundur.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim u pajtuan se është i nevojshëm pushimi pranveror për shkak të ngarkesës së madhe të mësimdhënësve gjatë punës me grupe, dezinfektimit të shkollave, si dhe për të zbutur situatën aktuale pandemike në arsim dhe atë në përgjithësi, shkruan atv.

Ministrja Nagavci kërkoi nga Kolegjiumi i DKA-ve që të deri nesër të dalin me rekomandime rreth çështjeve që u diskutuan, në mënyrë që të merret një vendim i qartë dhe të gjithë akterët e përfshirë në arsim të informohen me kohë./ KultPlus.com

“Nuk skuqem nga rrëfimi im”

(Meri LALAJ: Dashuri e ndaluar, roman,  Filara, Tiranë)

Shkruan: Gentiana Softolli

Meri

Meri Kristaq Lalaj u lind në Pogradec (1943). Shkollimin e mesëm e  ndoqi në vendlindje, ndërsa studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi Angleze. Përreth tri vjet ka punuar në gjimnazin e Korçës, pastaj shtatë vite ka qenë në internim me ish-bashkëshortin e saj, për të vazhduar punën e saj në një shkollë tetëvjeçare në Pogradec nga ku edhe doli në pension. Meri, gjatë viteve sa ka punuar si mësuese, ka botuar shumë shpesh në gazeta të ndryshme artikuj, që kanë të bëjnë me problemet jetësore të vendit, gjë të cilën vazhdon ta bëjë ende edhe sot. Që nga vitet e ‘90-të ka botuar dhe përkthyer shumë libra, ndër të cilët mund të përmendim këtu, si: “Lasgushi në Poradec” (ditar), “Qentë nuk magullijnë më” (roman), “Gjethe vjeshte” (poezi), “Esenin – një jetë” (përkthim monografi), “Betoveni dhe Revolucioni Frëng” (përkthim), “Romeo dhe Xhulieta takohen” (mbresa për Kosovën), “Dashuri e ndaluar” (roman) etj. Gjatë krijimtarisë së saj letrare, ajo është nderuar me disa çmime letrare, si: Çmimin Kombëtar për vëllimin me tregime, Çmimin për poezinë më të mirë si dhe çmime të tjera.  

Romani

Dashuri e ndaluar është një roman ku rrëfehet një relacion dashurie të cilin Meri e cilëson si të ndaluar, duke u bazuar në rrethanat kontekstuale, pra kohën kur ndodhin ngjarjet dhe duke marrë parasysh kontekstet  të tjera në të cilat gjendeshin personazhet.

Periudha e komunizmit, internimet, burgosja, braktisja e punës dhe familjes, shtatzënia e paplanifikuar, ikja, bashkimi, ndarja e ritakimi janë disa nga pikat mbështetëse në bazë të të cilave autorja ka arritur të thur këtë rrëfim, duke na e ofruar në nivel romani me shenja të forta autobiografike, sepse nga një pikëvështrim mund ta pranojmë si një pjesë e shkëputur nga një libër jete i autores në fjalë. Peripecitë sfidat dhe aventurat kalitëse duket sikur nuk kanë fund asnjëherë për personazhet e këtij romani.  Një vepër shpreh jo një zhanër apo teknikë, mirëpo, shpreh tërësinë e personalitetit ashtu siç arrin edhe Meri që t’i gërshetojë identitetin e saj si autore dhe narratore me identitetin e personazheve brenda në roman.

Prandaj, nëse duhet ta tipizojmë në bazë të tematikës, ky është një roman i dashurisë së përvuajtur, ndërsa tipologjikisht një roman a novelë autobiografike, ndërsa sipas karakterit, roman i personazhit. Personazhi ka ngjashmëri të forta me personin, i cili objektivisht identifikohet me narratorin autobiografik.

Një gjysmë jete nga jeta

Në kuadër të këtij romani rrëfehet historia e dashurisë ose thënë më mirë një gjysmë jete nga jeta e Amblës, e cila dashurohet me një minator, Agronin. E gjithë ngjarja e paraqitur brenda këtyre faqeve është e periudhës së komunizmit në Shqipëri, detaj ky që e plotëson tej mase dramaticitetin brenda romanit. Dashuri e ndaluar pretendohet të jetë e strukturuar në nivel romani, por që nga hyrja, për të vazhduar në shtjellimin e ngjarjes, të cilin e pasqyron me emocion dhe figura tejet realiste e të ndjeshme e gjer në fund, arrijmë që gjatë gjithë kohës të dallojmë elemente autobiografike, që asociojnë në një ditar i cili përmbledh një epokë sa të dashur e shpirtërore, aq edhe të trishtë. Pra, Dashuri e ndaluar i plotëson të gjitha kriteret për të qenë roman autobiografik, duke u nisur nga dedikimi i këtij romani drejtuar bijës së saj, ‘për të cilën mbeti gjallë’, siç pohon autorja, pastaj me njoftimin që “sekretet e saj ka vendosur të mos i marrë në varr, por t’i lë këtu mbi tokë”, një guxim ky që Meri Lalajn e bën Zonjë të madhe në letërsi dhe në jetë. Përveç kësaj, roman autobiografik e bën edhe rrëfimi në vetën e parë, normë e kërkuar nga tekstet autobiografike, tutje emocioni dhe ligjërimi pasionant i autores për jetën e kaluar, që arrin ta përcjellë te lexuesi, përshkrimi i detajuar retrospektiv i ngjarjeve, i veprimeve apo situatave, teknika e njohjes me personazhet dytësore (reale), që janë kryesisht familjarë, rrëfimet e të cilëve si rrallëherë ajo i dallon me kursiv si dhe shumë detaje të tjera. Ngjarjet zhvillohen në një kronologji të rregullt me përjashtim të ndërfutjes së rrëfimeve për personazhet nga e kaluara.  Dashuria bëhet shkak për pasojat, një luftë e madhe e shpallur e ideologjisë me të dashuruarit në frymën “dekadente”, jashtë skemave të ideologjisë së diktaturës, e cila dashuri përkthehet në dhunë, në proces të torturës.

Non erubesco evangelium

Duket se për Merin vlen konstatimi i Kazanova-s: non erubesco evangelium (nuk skuqem nga rrëfimi im). Pra, edhe autorja në fjalë nuk skuqet nga rrëfimi i saj duke e shpalosur atë në formën më të sinqertë të mundshme.

Te romani Dashuri e ndaluar veprimet dhe vendimet e Amblës na shpalosin “mitin e kryeneçësisë” duke e identifikuar kështu personazhin kryesor si një femër kryeneçe, e cila përkundër pasojave që mund t’i sillnin veprimet e saj, ajo sërish nuk zmbrapset. Estetika psikologjike e romaneve apo shkrimeve autobiografike specifikon shprehjen e personalitetit në formën më të sinqertë të mundshme, e cila në një mënyrë apo tjetër na shfaqet edhe si sprovë e vërtetësisë të cilën, siç duket, autorja e përballon goxha mirë. Ata që e njohin mirë jetën e kësaj autoreje dhe e kanë lexuar ditarin e saj  “Lasgushi në Pogradec”, e dinë që Meri Lalaj është ndër të rrallët njerëz të kulturës, ndër të rrallët miq, që kur Lasgush Poradeci u braktis në vetminë e tij të madhe, ajo iu gjet pranë, si njeri e familjar, si një dëshmitare e gjallë e ditëve të pleqërisë së poetit më të madh në letërsinë shqipe.

Koha e zhvillimit të ngjarjeve dhe koha e shkrimit të ngjarjeve sigurisht se shpërfaqin dallimet e veta. Koha e ngjarjeve në roman gjatë gjithë kohës është objektive, por në mënyrë indirekte, natyrshëm arrijmë ta shohim qasjen e autores kundrejt ngjarjeve në kohën e tyre të zhvillimit, në krahasim me kohën kur ajo vendos që ‘sekretet’ e saja t’i hedhë në letër.

Ambla dhe Agroni

Dashuri e ndaluar  është një roman në epiqendër të të cilit është dashuria e pamundshme e Amblës dhe Agronit.  Gjatë rrëfimit, autorja përveçse na ofron personazhe episodikë, pra na njofton me një rreth  më të gjerë familjar dhe histori që mendohen se kanë ndodhur në të kaluarën, shpesh jep shenja  që provojnë ta pasqyrojnë jetën dhe problemet e popullit  nën diktaturë. Kështu nga tema individuale e diskursi personal zgjerohet në tematikën e përgjithshme, e diskursin e shumëllojshëm, historik, politik dhe ideologjik. Personazhi i Amblës, në këtë roman, na shfaqet si një vajzë plot jetë, e dashur, ambicioze, e mençur dhe tejet luftarake për ëndrrat e saj. Një femër që nuk rresht së dashuruari e së luftuari për qëllimet e saja deri në fund. Ajo shndërrohet në figurë emblematike për të gjitha ato gra, që kurrë nuk iu tremb syri nga fjalët dhe fyerjet e maskarenjve të monizmit, që i adresojnë kundrejt tyre kur ato ndahen nga bashkëshortët e tyre apo kur vendosin të mos i nënshtrohen një regjimi të caktuar. Vendosmëria, puna dhe sakrifica e Amblës, bëhen shëmbëlltyrë e fuqisë, luftës dhe rezistencës së gruas karshi çdo pengese. Agroni, ani pse një minator i thjeshtë dhe përherë një i përndjekur e i internuar nga policia, përfaqëson burrin i cili është pothuaj fillikat i vetëm në këtë botë, derisa takohet me Amblën. Dashurohet shumë me të edhe pse historia e tyre e paarritshme e dashurisë fillon në spital, ata nuk i ndalon ky fakt dhe bëjnë çdo lloj përpjekje për të vazhduar tutje. Agroni dhe Ambla jetonin vetëm për njëri-tjetrin dhe për çdo veprim, qoftë i mirë apo i keq, ishin vetëm ata të dy. Ambla ishte dashuria dhe shpresa e vetme për Agronin, ndaj edhe ndarja prej saj ishte tejet e rëndë.

Megjithatë, historia e dashurisë së këtyre dy protagonistëve rrodhi jo aq zakonshëm sa dashuritë e tjera, ata u takuan dhe u njohën në spital, aty u dashuruan dhe aty njohën lumturinë, të cilën ndoshta përherë e kishin ëndërruar por që përherë u kishte munguar. Mirëpo, nganjëherë Zoti thjesht nuk do ose si themi nuk qe e shkruar, ndaj kështu ishte edhe për Amblën dhe Agronin. Ata u deshën shumë e u munduan pa fund, por më kot, sërish i priti ndarja aty ku ata edhe menduan. Rrugët e tyre u ndanë për t’u takuar prapë pas 20 vjetësh, atëherë kur bija e tyre, Elira, ishte martuar dhe po jetonte e lumtur ne Angli, ndërsa ata të dy kishin arritur që sadopak t’i stabilizonin jetët e tyre. Por, një gjë ishte ende e njëjtë për të dy, ende duheshin po aq shumë dhe ende kishin mall për njeri-tjetrin.

Përfundim

“Ai që është penduar për mëkatet që ka bërë është më i pastër se ai që nuk ka bërë kurrë mëkate” dhe “siç duket edhe me Zotin e paskërkan mirë këta mëkatarët” thotë Meri Lalaj, por dashuria e ndaluar, e pamundur dhe e paarritshme e Amblës dhe Agronit, nuk arriti dot që të gjejë një happy end. Ata nuk bënin bashkë, ndoshta nuk arritën ta mbanin njëri-tjetrin pranë dhe zgjidhja e vetme ishte ndarja. Ndonjëherë gjërat kështu shkojnë dashuro, vuaj, duro dhe duaj  qoftë edhe nga larg, sepse afria jo gjithmonë të sjellë paqe. Sidoqoftë,  shkrimtarja dhe përkthyesja jonë, Meri Lalaj, me ketë roman evokon kohën e diktaturës, duke qenë e hapur deri në rrëfimet më të ndjeshme, pa fshehur, por si një autore eksplicite që rrëfen përvoja jete kur edhe dashuria luftohej nga ideologjia dhe literatura nga diktatura. Meri Lalaj është njëra ndër autorët më të veçanta që i bëri ballë këtij presioni të dyfishtë, për të na dëshmuar sot e gjithë jetën.

(Autorja është studente e vitit të dytë në Fakultetin e Filologjisë, Dega e Gjuhës shqipe)/ KultPlus.com

Hetime ndaj një profesori rus që e mohoi Holokaustin

Në Shën Petersburg, qytetin e dytë më të madh të Rusisë, një profesor është nën hetim pasi ka mohuar publikisht Holokaustin. Gjatë një seminari, ky profesor kishte deklaruar se Holokausti gjatë Luftës së Dytë Botërore është “një mit” dhe “trillim”.

Me të marrë informacionin për këto deklarata, zyra e prokurorit rajonal të Leningradit filloi hetimet. Një njoftimin e kësaj prokurorie nuk u bë i ditur identiteti i profesorit.

Por, kryeredaktori i radios Ekho Moskvy në Shën Petersburg, Valery Nechai, tha në fillim të janarit se trajnimi në fjalë u mbajt nga profesori, Vladimir Matveyev, i Universitetit Shtetëror të Ekonomisë të Shën Petersburgut dhe Akademisë Ruse të Ekonomisë Kombëtare dhe Administratës Publike.

Nechai, duke iu referuar një videoje të siguruar nga trajnimi, tha se Matveyev ka deklaruar aty se numri i hebrenjve të vrarë gjatë luftës ishte “i ekzagjeruar”, duke bërë një përfundim se “gjenocidi ndaj hebrenjve” nuk mund të quhet Holokaust.

Por, kryeredaktori i radios Ekho Moskvy në Shën Petersburg, Valery Nechai, tha në fillim të janarit se trajnimi në fjalë u mbajt nga profesori, Vladimir Matveyev, i Universitetit Shtetëror të Ekonomisë të Shën Petersburgut dhe Akademisë Ruse të Ekonomisë Kombëtare dhe Administratës Publike.

Nechai, duke iu referuar një videoje të siguruar nga trajnimi, tha se Matveyev ka deklaruar aty se numri i hebrenjve të vrarë gjatë luftës ishte “i ekzagjeruar”, duke bërë një përfundim se “gjenocidi ndaj hebrenjve” nuk mund të quhet Holokaust.

Qëllimi i ligjeratës së tij ishte përgatitja e mësuesve për mësimet mbi historinë e Holokaustit dhe çlirimin e të burgosurve nga Ushtria e Kuqe në kampin e përqendrimit në Aushvic më 1945.

Matveyev u pushua nga puna pas skandalit që shpërtheu në muajin janar . Ai po hetohet sipas një ligji të vitit 2014 kundër rehabilitimit të nazizmit. Ai mund të përballet me burgim deri në pesë vjet burg nëse shpallet fajtor.

Holokausti është vrasja masive e rreth 6 milionë hebrenjve, vrasje kjo e organizuar nga partia naziste e liderit gjerman, Adolf Hitler, nga viti 1933 deri më 1945. Gati 7 nga çdo 10 hebrenj që ka jetuar në Evropë është vrarë gjatë kësaj kohe.

Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar. Me këtë datë, në vitin 1945, forcat sovjetike e çliruan kampin në Aushvic-Birkenau.

Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara./KultPlus.com

“70 vjet arkiv”, ekspozita që shpërfaqë dokumentacion të rëndësishëm

Me rastin e përvjetorit të themelimit të Agjencisë shtetërore e arkivave e Kosovës, pas Akademisë solemne të mbajtur në Teatrin Faruk Begolli, sot, kushtuar 70-të vjetorit si aktivitet, u hap ekspozita e titulluar ’70 vjet arkiv’, e cila përfshin tërë dokumentacionin dhe legjislacionin e saj, shkruan KultPlus.

Me evoluimin e kohës, qysh nga dorëshkrimet më të vjetra që kanë ekzistuar rreth 600 vjet, dokumentacioni i parë ishte fjalori arabisht-persisht, kurse më i vjetri është i vitit 1608 i Mehmet Pashë Kaçanikut, duke vazhduar me përmbajtjen e cila kryesisht përmban dokumente pas Luftës së Dytë Botërore, por edhe periudhën e mëhershme, e cila përfshin dokumentet në gjuhën osmane.

Të pranishëm në këtë ekspozitë ishin kryeshefi i Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj dhe Ardit Bido, drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, i cili uroi këtë moment të rëndësishëm për dokumentimin e historisë kombëtare shqiptare e cila është e ndarë në disa arkiva.

“Themelimi i Arkivit të Kosovës është shumë i rëndësishëm, duke përfshirë edhe  Arkivin e Maqedonisë, këto dy institucione kanë dokumente mbi shqiptarët, sikurse që kanë edhe dokumentacionin kombëtar. Në këtë ditë të shënuar për kombin tonë, shpresoj që arkivi të ketë një jetë të  gjatë dhe begatë për ruajtjen e historisë sonë të përbashkët”, përfundon Bido.

Kurse në emër të drejtorit së Arkivit shtetëror të Maqedonisë, u soll përshëndetja për përvjetorin e sotshëm, dhe urimi që në të ardhmen, njëlloj si do të forcohet shteti i Kosovës, të forcohet edhe arkivi i saj. Po ashtu përfaqësuesi i Drejtorit të Arkivit të Maqedonisë, i ftoi të pranishmit që të vinë edhe në përvjetorin e Arkivit të tyre, e cila shënohet me 1 Prill.

Pas urimeve të secilës palë, të pranishmit u ftuan që si pjesë e dytë e aktiviteteve, të shikojnë nga afër edhe promovimin e librit të titulluar “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” me autor dhe aktivsitin turk, Tahir Sezen i njohur për botimin voluminoz ku përmblodhi të gjitha emrat e vendbanimeve më të rëndësishme të Perandorisë Osmane, kurse përkthimin e bëri të mundur Hatixhe Mehmeti.

Libri i botuar në gjuhën shqipe e cila është pjesë e botimit më të vëllimshëm të autorit Tahir Sezen, përmban njohjen e vendeve dhe problematikat që sjellin ato, e sidomos në hapësirat shqiptare dhe ballkanike ku shumë vende janë ndërruar dhe tjetërsuar me prezencën e sunduesve në këto treva. Ky botim po ashtu tregon bashkëpunimin në mes të Arkivit të Kosovës dhe asaj së Turqisë.

Shtrirja gjeografike e trojeve shqiptare është edhe e madhe, prandaj në të ardhmen premtohet se autorja do ta sjell veprën e plotë të përkthyer nga autori turk duke dëshmuar autoktoninë e hapësirave turke dhe shqiptare.

Mes të tjerash kryeshefi i Arkivave të Kosovës veçoi detyrën kryesore të Agjencisë shtetërore e Arkivave e Kosovës, “Një prej detyrave kryesore, përveç grumbullimit dhe përpunimit të lëndës arkivore është edhe veprimtaria botuese që lidhet kryesisht me fushë veprimtarinë e Agjencisë. Me veprimtarinë botuese dhe publikimin e kontributeve dhe rezultateve të Arkivit, ky institucion synon përhapjen e njohurive për të kaluarën historike dhe për  ti shërbyer të ardhmes së Kosovës edhe më gjerë”, tha Zymberaj.

Ai tutje ftoi që recensionin për librin ta shpalos doktori, Sadik Mehmeti i cili për librin vlerësoi emërtimin e vendeve me emrat gjeografik ku janë dëshmi e historisë dhe kulturës shqiptare të kaluar, ku nëpërmjet ndarjes administrative dhe statusit të saj përfshin periudha nga më të ndryshmet, me një numër më të madh vendesh sesa që sot janë të njohura për shqiptaret.

Ekspozita e shpallur sot si ’70 vjet arkiv’, do të jetë e hapur përgjatë javës për të interesuarit por gjithmonë duke zbatuar masat parandaluese të COVID-19./ KultPlus.com

Deputetet e VV-së në të bardha: Të gjitha bardhë, për gatishmërinë tonë për barazi

Deputetet e VV-së sot kanë marë pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ku edhe kanë zgjedhë kryetarin e Kuvendit të Kosovës, njëherit që do të jetë edhe ushtrues detyre i Presidentit të Kosovës, mandat që i është besuar Glauk Konjufcës që vjen nga VV-ja, shkruan KultPlus.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka tetë deputetë. 20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.

Mirëpo në këtë seancë, shumica dërmuese e deputeteve nga VV, ishin veshur me të bardha, e deputetja Tinka Kurti ka shpjeguar rëndësinë e kësaj ngjyre me të cilën janë veshë gratë deputetet nga partia fituese e këtyre zgjedhjeve.

“Të gjitha bardhë. Për shprehjen e gatishmërisë tonë për barazi. Bardhë për rëndësinë historike që ka kjo ngjyrë veshjesh për gratë krah për krah.

Sot në Kuvend 40%, për barazi kudo”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

PEN Qendra e Kosovës me telegram ngushëllimi për vdekjen e Sazana Çapriqit

Sot, pas një sëmundjeje të rëndë, në moshën 58 vjeçare, vdiq Sazana Çapriqi.

Profesoresha universitare, studiuesja dhe përkthyesja pasionante nga gjuha angleze në shqipe dhe anasjelltas, ishte anëtare e PEN Qendrës së Kosovës dhe aktviste e këtij asociacioni që nga themelimi i tij.

Vdekja e saj bëhet edhe më rëndë, sidomos për fëmijët e saj, por edhe për kolegët, pasi që e ndjera e përjetoi shumë rëndë vdekjen e bashkëshortit të vet tri vjet më parë, Basri Çapriqi, ish- kryetar i PEN Qendrës.

PEN Qendra e Kosovës me këtë rast ngushëllon familjen Çapriqi dhe merr pjesë në pikëlliminin e saj.

Sazana Çapriqi ishte kryetare e Komitetit të Grave Shkrimtare të PEN Qendrës së Kosovës./ KultPlus.com