Shpia jem me rranjë

Elife Krasniqi

Nji ditë kam me e pasë nji shpi
Nji shpi që rranjët thellë në tokë ka me i pasë
Nji të vockël, të ngrohtë e me shum dritë
Me kulm të kuq, pa maje
Mbrenda shpisë, ehoja e bekimit të babës ka me u ndi
E ka pasë shprehi në krye me na puthë e mandej
‘Zotin e paç me vete’ me na thanë
Tana kujtimet me te, korniza në mur kam me i varë

Kur të zgjohem në mëngjes në shpinë me rranjë
Nanës kam me i marrë erë në qafë
Çdo muej kam me ia ngjyrosë flokët ngjyrë gështenje
Çdo ditë nëpër kopsht kemi me ecë
E nën strehë të pemëve që ambël pikojnë
Gjatë kemi me pushu

Në shpi ai nuk ka me qenë
S’ka gja, bahem kinse parës ka qenë
Grindjet e ambla se kush i pari kandin e shkrimit me zaptu
Lojën me fëmijë. Stinët në ballin e tij
Idealet e mbetuna peng
Tana në kujtime kam me i shndërru

Në tavanin e shpisë teme me rranjë
Kofera madhësish të ndryshme, paluet kanë me ndejtë
Nuk kanë me u fërfllu e zvarritë nëpër dynja
Pluhni qetësisht ka me i mbulu
E në kapakë kam me ua shkrujtë emnat e qyteteve
për të cilat malli nuk ka me më marrë

Shpia jeme
Stacione autobusësh afër nuk ka me pasë
As hekurudha gjarpnore, as aeroporte
Veç tokën përfundi e qiellin përmbi
Shpia asht ku asht nana
E rranjët aty kanë me mbi./KultPlus.com

Rita Ora donte t’i digjte flokët në Met Gala

Rita Ora njihet për stilin e saj shumë të veçantë.

Ylli i muzikës pop njihet për veshjet e saj jashtëzakonisht dramatike dhe shumë unike, në baza ditore.

Prandaj, çdo kush që ka supozuar se Met Gala e këtij viti me temën “Camp: Notes on Fashion”është një mundësi e jashtëzakonshme për të që ta shfaqë gjithë kreativitetin ka pasur shumë të drejtë.

Por, derisa Katy Perry vendosi të vishet si llambadar dhe Zendaya si ‘Hirushja’, këngëtarja 28 vjeçare u paraqit në shkallët e Muzeut Metropolitan të Arteve e veshur e gjitha në ar.

Këngëtarja e hitit “Let Me Love You” kishte zgjedhur një fustan të gjatë ngjyrë ari të Marc Jacobs duke sjellë kështu në tapetin e kuq të Met Gala shumë elegancë dhe bukuri njëkohësisht.

Megjithatë Rita Ora duket se u pendua për këtë zgjedhje, transmeton Klan Kosova.

“Ishte shumë bukur sepse të gjithë ishin veshur shumë ndryshe ndërsa unë për herë të parë në jetën time u ndjeva e veshur në mënyrë shumë të zakonshme. Shikova rrotull dhe thashë me vete ‘Duhej t’ia kisha vënë zjarrin flokëve ose diçka të ngjashme’”, ka thënë ajo në këtë intervistë.

Tema e Met Gala ndryshon çdo vit, ndërsa sivjet ishte “Camp: Notes on Fashion” që është inspiruar nga një ese e vitit 1964 e filozofes Susan Sontag, në të cilën ajo e përshkruan këtë fenomen estetik si diçka që nuk duhet të flitet për të. “Të flasësh për Camp është sikur ta tradhtosh atë”.

Camp është i ngjashëm me kiçin, mirëpo derisa kiçi ka të bëjë me vetë veprën, camp është mënyrë e performansës.

Ndoshta veshja e Rita Orës ishte zgjedhja më “camp” nga të gjithë./Klan Kosova

Shqiptarja e Microsoft, inxhiniere e dalluar në Luginën e Silikonit

Teuta Hyseni nga Gjilani ka ligjëruar këtë muaj në një ngjarje të madhe të teknologjisë në Shtetet e Bashkuara. Ajo foli për të ardhmen e sigurisë kibernetike dhe inteligjencës artificiale në konferencën “Women of Silicon Valley 2019”.

Kosovarja e re, e cila punon me gjigantin Microsoft, është nga inxhinieret më premtuese në Luginën e Silikonit. Detyra e saj është të mbrojë të dhënat tona nga duart e këqija.

Ajo ka arritur këtu pas një rruge të gjatë. Rreth një dekadë më parë, Teuta mbërriti në Amerikë për të studiuar shkencat kompjuterike. Ishte ndër bursistët e përzgjedhur të programit “Arsimim për paqe”, që po dërgonte në Universitetin Luterian të Teksasit studentë të dalluar nga Kosova. Këta do të dalloheshin dhe në Amerikë.

Teuta u zgjodh senatore në qeverinë studentore, shërbeu si studente ambasadore për universitetin, dhe u angazhua në komitetin e teknologjisë. Gjatë studimeve, bëri punë praktike si analiste e investimeve në Bulldog Investment Group, programere në organizatën Make-A-Wish Foundation, si dhe asistente e notuese në lëndën e statistikës.

Falë arritjeve akademike dhe përkushtimit ndaj profesionit, u punësua menjëherë pas diplomimit: inxhiniere softveri në Rackspace Hosting Company, ndërmarrje e specializuar në ruajtjen e të dhënave në re. Teuta ndihmoi kompaninë për të zhvilluar një sistem të avancuar të faturimit për klientët. Më pas, u angazhua për gati 5 vjet si inxhiniere në Denim Group, ku u shërbeu klientëve të mëdhenj si qeveria amerikane dhe kampionati Ultimate Fighting. Në ndërkohë, Teuta punoi si konsulente edhe për kompaninë Google.

Çdo klient kishte kërkesat e veçanta, por të gjithë përballeshin me një sfidë të përbashkët: të dhënat e tyre rrezikoheshin nga sulmet dashakeqe. WikiLeaks kishte arritur të shtie në dorë mijëra dokumente të klasifikuara të qeverisë, sulmuesit kishin prekur listat e votuesve dhe plaçkitësit kishin depërtuar brenda institucioneve financiare. Kjo e shtyri Teutën të profilizohej si inxhiniere e sigurisë kibernetike, që do të zbulonte zbrazëtitë në teknologji para se sulmuesit t’i keqpërdornin ato.

“Puna është emocionuese dhe intriguese. Duhet me mendu jashtë kornizave kur je duke vepru si haker,” thotë Teuta. “Sot, gati çdo gjë, nga veturat e pajisjet mjekësore e deri te termocentralet, punon me aplikacione softverike. Këto gjëra janë shumë të rrezikshme nëse bien në duart e gabuara.”

Në një intervistë dhënë gazetës së universitetit ku u diplomua, Teuta shpjegoi se brenda një viti “ka pasë rreth 450 miliardë dollarë humbje shkaku i vjedhjes së të dhënave. Krimi kibernetik po kthehet në luftë mes shteteve, dhe këtë çështje duhet ta trajtojmë tani në nivel botëror. Interneti është i hapur për këdo, dhe hakerët mund ta përdorin si armë për manipulim dhe kontroll, andaj është me rëndësi të bëjmë çdo gjë të mundshme me i parandalu.”

Në nëntor 2017, Teuta la Teksasin, shtetin ku kishte kaluar një dekadë, për të marrë një punë të re në San-Francisko, në Luginën e Silikonit të Kalifornisë, djepin e teknologjisë informative. Tani Teuta është inxhiniere e sigurisë së produkteve për kompaninë Microsoft.

Dhe ndonëse e re në gjigantin e softverit, puna e saj është shpërblyer dhe Teuta është shquar ndër kolegët e vet. Në verën e 2018-ës, me grupin e saj zuri vendin e parë në garën botërore për blockchain — “World Blockchain Hackathon at the Blockchain Economic Forum”. Si gara, ashtu dhe puna e grupit të Teutës ka karakter global: ata zhvilluan një platformë për të luftuar korrupsionin dhe për të nxitur transparencën në organizatat jofitimprurëse.

Përveç punës në Microsoft, Teuta është përkushtuar të edukojë të tjerët për kërcënimet e sigurisë dhe praktikat më të mira, përmes ligjëratave, shkrimeve dhe mentorimit. Falë kontributit të saj në industri, ajo është ndër finalistet e nominuara për çmimin “Kampione e Sigurisë”, shpërblim prestigjioz që jepet në kuadër të programit “Women in IT Awards” apo Çmimet për gratë në teknologjinë informative.

Teuta beson se shoqëria duhet t’i inkurajojë vajzat e gratë që të zgjedhin një karrierë në shkencë e teknologji. “Sa më shumë gra që kemi në fushën e teknologjisë dhe shkencave ekzakte,” thotë ajo, “aq më mirë do të jetë ekonomia globale. Vajzat duhet me i inkuraju qysh në fëmijëri, dhe me i tregu se teknologjia e inxhinieria nuk janë vetëm për djemtë.”

Së fundmi, një shkrim i inxhinieres kosovare është përfshirë në librin “Tribe of Hackers” (Fisi i hakërreve). Në këtë botim, 70 profesionistë me nam botëror, siç janë David Kennedy, Wendy Nather e Lesley Carhart, ndajnë përvojat dhe këshillat e tyre rreth teknologjisë.

Këtë muaj, Teuta ligjëroi në konferencën më prestigjioze të grave në teknologji, “Women of Silicon Valley 2019”. Ekspertën e çmuan lart kumtesën e saj rreth sigurisë kibernetike dhe mundësive për ta mbrojtur njerëzimit nga inteligjenca artificiale gjatë dekadës që vjen/.insajderi


Romani “Kukulla” i Ismail Kadaresë është përkthyer në gjuhën maqedonase

Romani i shkurtër “Kukulla” me nëntitullin “Portreti i nënës sime” i Ismail Kadaresë, njëri nga shkrimtarët më eminentë shqiptarë dhe evropian, është përkthyer në gjuhën maqedonase. Veprën më të re të romanit me përmbajtje autobiografike e ka përkthyer Alida Muça, informon Koha.mk

“Në romanin të publikuar në vitin 2015, Kadare i kthehet vendlindjes Gjirokastër dhe shtëpisë familjare të tij tre shekuj të vjetër, me imazhe të jashtëzakonshme dhe me një sërë gjërash të pathëna. Në këtë atmosferë Kadare e zbulon sjelljen personale ndaj nënës së tij Hatixhe Dobi-Kadare, gruan të cilën asnjëherë nuk arrin ta kuptojë deri në fund. Në këtë hapësirë të brendshme të të pathënave funksionon tensioni psikologjik i përrallës së autorit në këtë roman të veçantë. Autori, nënën e tij e përjeton si të heshtur, kukull të brishtë nga letra. Nga këtu edhe titulli i romanit të tij i rëndësishëm intim, kumtoi “Ars Lamina” për veprën e re të Kadaresë, që është mes shumë romaneve kushtuar temës nëna dhe deri më tani i përkthyer në gjuhën franceze, italiane, spanjolle, kroate dhe gjuhën rumune. (koha.mk)

Studio e arkitekturës në Kosovë FERIZI + FERIZI ARCHITECTS bën Tiranën me Shtëpinë e Evropës

Zyra arkitektonike FERIZI + FERIZI ARCHITECTS nga Prishtina, një firmë tashmë ndërkombëtare së fundmi ka bërë projektimin dhe implementimin e zyrave të reja për Bashkimin Evropian në Shqipëri,  përkatësisht ne Tiranë, shkruan KultPlus.

Ernest Ferizi, udhëheqës i zyrës arkitektonike Ferizi+Ferizi Architects ka njoftuar për KultPlus për rrugëtimin e procesit të këtij projekti në mes të Tiranës.

“Fillimisht kërkesa e Ambasadorit te BE-së Luigi Soreca dhe ekipit të tij ishte krijimi i ambienteve të punës, konkretisht të një “shtëpie” të vërtetë: plot jetë, pasion dhe debat, e që duhet të reflektoheshin në hapësira të ndryshme publike: sallë të konferencës, hapësira për ekspozita artistike, kënd multimedial, klube libri, kënd për fëmijë si dhe hapësira për diskutime të të gjitha llojeve”, ka thënë Ernest Ferizi.

Sipas tij, kërkesat specifike të BE-së si dhe projekti i parë i realizuar mu në qendër të Tiranës nga kjo zyre arkitektonike, nga njëra anë ishin sfiduese por nga ana tjetër edhe shumë joshëse për tu bërë një punë e mirë, duke e pasur parasysh edhe afatin e shkurtër kohor për implementim, prej 45 ditëve.

“FERIZI + FERIZI ARCHITECTS gjeten edhe përkrahjen e zyrës vendore Studiocityproject nga Tirana, e cila u ofroi eksperiencat vendore, e qe ishin të domosdoshme për mbarëvajtjen dhe suksesin në përgjithësi te projektit. Mund të thuhet se bashkëpunimi mes dy zyrave nga Prishtina dhe Tirana është edhe një prej shembujve më të mirë të bashkimit kombëtar në nivele arkitektonike. Që nga kjo javë, qytetit të Tiranës ju shtua edhe shtëpia e Evropës , në hapësirat e se cilës çdo tiranas mund të mbaj seminare te ndryshme , takime joformale dhe të jetë pjesë e ngjarjeve kulturore.

Shtëpia e Evropës është përuruar gjatë kësaj jave në Tiranë ku edhe po mbahen aktivitet të ndryshme, shtëpi kjo që është përuruar nga ambasadori i BE-së Luigi Soreca, sikurse që ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gent Cakaj.

FERIZI + FERIZI ARCHITECTS, njihet si studio arkitektonike me një bagazh të madh të projekteve, projekte këto që vlerësohen lartë nga profesionistët e kësaj fushe./KultPlus.com

NATO nderon shqiptaren Zarife Hasanaj, ul flamurin shqiptar në gjysmë shtizë

Në respekt të Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj, flamuri i Shqipërisë në selinë e NATO-s është ulur në gjysmështizë.

Me vendim të Këshillit të Ministrave, dita e premte, u shpall dite zie kombëtare në nderim të nëntetares Zarife Muharrem Hasanaj, rënë në krye të detyrës gjatë misionit të saj në Letoni.

Ndërkohë, në Pallatin e Kongreseve u zhvilluan homazhe në nder të ushtarakes Hasanaj.

Çmim i madh për Vasfije Krasniqi Goodman, Kim Bok-Dong për paqe 2019

Vasfije Krasniqi Goodman – aktiviste e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës-QKRMT, e cila avokon për të mbijetuarit e dhunës seksuale në nivel global, është fituese e Cmimit Kim Bok-dong për Paqe.

Këshilli Korean për Drejtësinë dhe Përkujtimin për Çështjen e Skllavërisë Seksuale Ushtarake nga Japonia (Këshilli Korean) ka zgjedhur të mbijetuarën e Kosovës Vasfije Krasniqi-Goodman si fituese të Çmimit të Paqes Kim Bok-dongit për vitin 2019. 
Ky çmim nderon individët apo organizatat që kanë qenë të angazhuar në lëvizje për të zgjidhur çështjen e dhunës seksuale gjatë luftës dhe për të siguruar të drejtat e njeriut të grave në konfliktet e armatosura anembanë botës.

Kujtojmë që, Vasfija ishte personi i parë që ndau publikisht historinë dhe traumën e saj të dhunës seksuale që kishte përjetuar gjatë luftës në Kosovë. Më pastaj u bë zë I fuqishëm i fushatës Bëhu Zëri Im – në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës, dhe përpjekjet e palodhshme të saja në luftimin e stigmatizimit që rrethon këtë kategori shoqërore. Përveç që ka përfaqësuar zërin e të mbijetuarve të dhunës seksuale, nga koha e luftës në Kosovë, nëpër shumë konferenca, forume dhe simpoziume ndërkombëtare, Vasfija ka dhënë dëshmitë e saja edhe para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, dhe së fundmi para Kongresit Amerikan./KultPlus.com

Dy pulla postare me pamje të zogjve më karakteristik të Kosovës

Turitulli, Mëllenja e Gurit, Bishtlëkundësi i verdhë, Huta në pullat postare Me rastin e Ditës së Evropës, Filatelia e Postës së Kosovës lëshoi në qarkullim të rregullt emisionin e pullave postare të titulluar “Evropa 2019 – Zogjtë nacional”.

Në kuadër të këtij emisioni të pullave postare, Posta ka prezantuar Turitullin (Turtle dove), Mëllenja e Gurit, Bishtlëkundësi i verdhë, Huta (Buteo Buteo), Larashi Kurrizkuq. “Ndonëse Kosova është një vend i vogël, shquhet për një biodiversitet të pasur.

Pozita gjeografike, faktorët gjeologjik, pedologjik, hidrologjik, relievi dhe klima, janë disa prej faktorëve që kanë mundësuar krijimin e habitateve natyrore si të “Bjeshkëve të Nemuna” dhe ”Malet e Sharrit” që ofrojnë vendstrehim për shumë lloje të shpendëve. Deri më sot janë vrojtuar 148 lloje, por mendohet të ketë mbi 200 lloje. Mbrojtja e tyre ka karakter internacional, për këtë arsye “Bjeshkët e Nemuna” janë të evidencuara në listat ndërkombëtare si IBA rajon (Important Bird Area). Posta e Kosovës përmes këtyre dy pullave postare me pamje të zogjve më karakteristik të Kosovës, prezanton para botës bukuritë natyrore të faunës, si dhe promovon shtetësinë së saj”, thuhet në njoftimin e postës.

Modelja serbe ndihmon një nënë shqiptare

Modelja shqiptare Emine Çunmulaj siç dieht prej kohësh është marrë me bamirësi dhe ka ndihmuar shumë familje shqiptare nëpërmjet kontributit  të saj në Fundjava Ndryshe.

Mbrëmjen e djeshme ajo ka mbajtur një event ku ka prezantuar  një rast të një nëne shqiptare e cila kishte mbetur e vetme me fëmijët e saj, ajo ishte pa shtëpi dhe pa të ardhura.

Të gjithë ata që kanë qenë pjesëmarrës në event kanë shprehur dëshirën për ta ndihmuar atë. Një ndër tyre ka qenë edhe modelja e njohur serbe e cila ka shprehur dëshirën të jap kontributin e saj  monetary për nënën shqiptare.

“Ivana Korab është nga Serbia dhe po më mbështet mua  dhe Fundjava Ndryshe. Kështu duhet të jetë bota, ne të gjithë duhet ta duam dhe ta mbështesim njëri-tjetrin. Dashuria nuk njeh kujfij dhe fe. Së bashku jemi më  të fortë “, ka shkruar Emina pranë videos me modelen./insajderi

The Sun: Rita Ora paguan plot 1.5 milionë paund për shtëpinë luksoze në Prishtinë

Vera Ora, nëna e këngëtares së njohur shqiptare me famë botërore Rita Ora, ka publikuar në rrjetet sociale fotografinë e shtëpisë së tyre të re në Prishtinë.

“Shtëpia është aty ku është zemra. Edhe pse jetojmë në Londër është shumë e rëndësishme për ne dhe fëmijët tonë të kemi mundësi të vizitojmë vendlindjen, Prishtinë, Kosovë”, ka shkruar Vera Ora në mbishkrimin e fotografisë.

Sipas “The Sun”  ka qenë Rita ajo që ka paguar plot 1.5 milionë paund për shtëpinë luksoze që është publikuar më herët.

Ndërsa burimet bëjnë me dije se shtëpia e blerë ndodhet në Parkun e Bërnicës në Prishtinë.

Sot nis Polip

Pjesëmarrëse 20 shtete të ndryshme të botës.

Edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar i Letërsisë – polip fillon këtë të premte, në Prishtinë, ku do të marrin pjesë rreth 40 shkrimtarë e artistë të stripit e romanit grafik, nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës.

Sivjet polip fokusohet në nocionion e “ujdisë letrare” dhe botëkuptimeve rreth saj si një proces negiciator artistik që u mundëson shkrimtarëve e artistëve ballkanikë që (vetëm) me veprat e tyre të shpërthejnë kufinjtë e t’i plasojnë vlerat letrare në pjesët e “zhvilluara” të botës. Rreth 40 shkrimtarë e artistë të stripit e romanit grafik, nga rreth 20 shtete të ndryshme të botës, do të marrin pjesë sivjet në këtë edicion të radhës të festivalit polip dhe në edicionin debutues të Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik – GRANFest, i cili po ashtu fillon këtë të premte. Ndër mysafirët e shumtë, sivjet do të vijnë edhe: Besnik Mustafaj nga Shqipëria, Sreten Ugricic nga Serbia, Tom Kaczynski nga Amerika, Lindita Ahmeti nga Maqedonia, Tanja Raich nga Austria, Olga Grjasnoëa nga Azerbejxhani e shumë të tjerë. “Procesi i marrëdhënieve është i pandalshëm. Festivali polip sivjet po i mbush dhjetë vjet që nga edicioni i parë në 2010, i organizuar nga dy grupe të pavarura letrare nga Beogradi dhe Prishtina.

Ai tashmë i ka tejkaluar kornizat rajonale”, thuhet në editorialin e sivjetshëm të festivalit. Këtë vit, përveç mbrëmjeve të leximit, polip sjell edhe diskutime mbi letërsinë e artet. Në panelin e parë “Epoka e opinioneve” që mbahet të shtunën do të diskutijnë të ftuarit Melinda Nadj Abonji, Olga Grjasnowa, Besnik Mustafaj e Robert Prosser. Po të njejten ditë mbahet edhe paneli i radhës, “Ujdia letrare – Rruga revolucionare” me të ftuarit Veton Surroi e Sreten Ugriciq, me moderator Sasha Iliq.

Në panelin e tretë të dielën do të flitet mbi temën “Informata kreative kundër asaj manipulative” me të ftuarit Fumio Obata, Dave McKean, Sarah Hehir, Ville Ranta, Tom Kaczynski e Marcello Quintanilha, kurse moderohet nga Gani Jakupi. Paneli i fundit “Paralelni polis – një koncept disident që e ndjek të tashmen” mbahet po ashtu të dielën dhe dikuston me të ftuarit Alida Bremer, Lena Dorn, Marek Šindelka e Shkëlzen Maliqi, kurse moderohet nga Matteo Colombin. Të shtunën nga ora 20:00, mbahet një “Homazh për Bekim Lumin”, në të cilin, aktorë kosovarë do të lexojnë për herë të parë poezitë ende të pabotuara të regjisorit tashmë të ndjerë Bekim Lumi. Polip e GRANFest këtë edicion kanë organizuar edhe programin plotësues në Prishtinë, Prizren e Graçanicë ku do të organizohen orë leximi, ekspozita të novelës grafike e sesione diskutimi mbi letërsinë e krijimtarinë letrare.

Duaje jetën…

Nëna Terezë

Duaje jetën ashtu siç është
duaje plotësisht, pa pretendime;
duaje kur të duan apo kur të urrejnë,
duaje kur askush nuk të kupton,
apo kur të kuptojnë të gjithë.

Duaje kur të gjithë të braktisin,
apo kur në qiell të ngrenë si mbret.
Duaje kur të vjedhin gjithçka,
apo kur të dhurojnë.
Duaje kur ka kuptim
apo kur ngjan se nuk ka një fije.

Duaje në lumturi të plotë
apo në vetminë absolute.
Duaje kur je i fortë,
apo kur ndihesh i pafuqishëm.
Duaje kur ke frikë,
apo kur ke një mal guximi.
Duaje jo vetëm për kënaqësitë e mëdha
e sukseset e mrekullueshme;
duaje edhe për gëzimet e vogla.

Duaje edhe pse nuk të jep çka mundet,
duaje edhe pse nuk është siç do ta dëshiroje.
Duaje sa herë që lindesh
 e sa herë që je duke vdekur.
Por mos duaj kurrë pa dashuri. /KultPlus.com

Papa Françesku për Shën Nënën tonë Tereze gjatë vizitës së tij në Shkup

Vizita e parë historike e një Pape në Maqedoninë Veriore, në Shkup (7 maj 2019), dikur selia e Ipeshkvisë sonë Shkup – Prizren, ishte një lloj shtegtimi i tij në vendlindjen e Gonxhe Bojaxhiut, tash Shën Nënës Tereze, si rast dhe mundësi  e jashtëzakonshme për të theksuar rolin, rëndësinë, kuptimin dhe domethënien e saj për Kishën Katolike ndër ne dhe në botë, për të krishterët, besimtarët, por edhe për çdo njeri të vullnetit dhe zemrës së mirë.

Do t’i citoj pjesët më të rëndësishme të porosive të Papës Françeskut në Shkup për Shën Nënën tonë Tereze.

Në aeroportin e Shkupit

Në përshëndetjen në aeroportin e Shkupit, Papa Françesku e tregoi një ndër motivet bazë të vizitës së tij apostolike në Shkup, duke folur për Nënën Tereze, si një model jete dhe bashkëpunimi, bashkëjetese, për Maqedoninë dhe mbarë Ballkanin, edhe më tepër, për Kishën dhe njerëzimin. Ai me fjalë prekëse, domethënëse, kuptimplote dhe emocionuese shprehu nderimin, admirimin, dashurinë për Nënën Tereze duke thënë:

“Dua të nderoj në mёnyrё të veçantë bashkëqytetaren tuaj të shquar e cila, dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj të tjerëve e bëri ligj  më të lartë, duke fituar admirimin në mbarë botën. I referohem në mënyrë të qartë asaj që universalisht njihet si Nëna Tereze e Kalkutës “.

“Ajo  lindi në një lagje të Shkupit në vitin 1910, me emrin Anjeze Gonxhe Bojaxhiu, dhe e zhvilloi apostullimin e saj, bërë me dhurimin e përvuajtur e tё plotë tё vetvetes, në Indi, dhe  përmes motrave të saj mbërrini nё kufijtë më të skajshëm gjeografik dhe ekzistencial tё njerizimit”.

“Jam i lumtur qё pas pak do tё mund tё shkoj për t’u lutur te Memoriali kushtuar asaj, ndërtuar në vendin ku dikur ishte Kisha e Zemrës së Krishtit,  Kishë kjo në të cilën  u pagëzua Nёna Tereze”

Ju me të drejtë jeni krenarë për këtë Grua të madhe. Prandaj, ju ftoj të vazhdoni të punoni me angazhim, përkushtim dhe shpresë, që bijtë dhe bijat e kësaj toke tё mund, sipas shembullit tё saj, të zbulojnë, të arrijnë dhe të rrisin e përforcojnë thirrjen që Zoti ka ëndërruar për ta. Nëna Tereze   diti t’u bënte mirë më të varfërve”.

Në Qendrën Memoriale “Nëna Tereze” në Shkup

Para  Shatores së Nënës Tereze, si dhe gjatë vizitës së Qendrës Memoriale “Nëna Tereze”, Papa Françesku u ndal në lutje dhe në meditim. Ai ndër të tjera tha:

“Të falënderojmë o Zot për dhuratën e jetës, të karizmës e të dëshmisë së  dashurisë të Nënë Terezës ndërmjet të varfërve më të varfër të Indisë e të mbarë botës. Ajo pa në çdo burrë e çdo grua ‘fytyrën e Birit tënd’, duke u bërë zë lutës i të varfërve dhe i gjithë atyre, që kanë uri dhe etje për drejtësi. Duke iu përgjigjur britmës së Jezusit mbi kryq, ‘Kam etje!’, Nënë Tereza e shuajti etjen Krishtit, duke kryer vepra dashurie përdëllyese”.

“Na dhashtë edhe ne hirin të jemi shenjë dashurie e shprese në kohën  tonë, që shikon një mori nevojtarësh, të braktisurish, të shtypurish emigrantësh. Bëftë që dashuria jonë të mos shprehet vetëm me fjalë por të jetë e frytshme, e vërtetë,  e aftë të japë dëshmi të besueshme për Kishën, që ka për detyrë t’ua predikojë Ungjillin të varfërve, lirimin të burgosurve, gëzimin të mjeruarve, hirin  e shëlbimit, të gjithëve!”.

“O Shën Nëna Tereze,  lutu për këtë qytet, për këtë popull, për Kishën e tij e për të gjithë ata, që dëshirojnë ta ndjekin Krishtin, si nxënës të Bariut të Mirë, duke bërë vepra dashurie e shërbimi  si Ai, që nuk erdhi për t’i shërbyer, por për të shërbyer e për të dhënë edhe jetën për shumëkënd”.

Mesha e Papës në Sheshin “Maqedonia”

Gjatë meshës, që e kremtoi Papa Françesku në sheshin “Maqedonia”, së bashku me kardinaj, ipeshkvijë, meshtarë dhe besimtarë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Kroacia, në pretkun e rastit ai rishtas foli për Nënën Tereze kështu:

Në çdo Eukaristi, Jezusi thehet dhe shpërndahet dhe na fton edhe ne që të thehemi dhe të ndahemi së bashku me Të, që të marrim pjesë në mrekullinë e shumëzimit të bukës, për të arritur dhe prekur çdo kënd këtij qyteti, të këtij vendi, të kësaj toke me butësi dhe dhembëshuri.

Uri për bukë, uri për vëllazëri, uri për Zotin. Si e njihte kaq mirë Nëna Tereze këtë uri, ajo që ka dashur që jetën e saj ta themelonte në dy shtylla: Jezusi i mishëruar në Eukaristi dhe Jezusi i mëshëruar në të varfër. Dashuri që marrim dhe dashuri që dhurojmë. Dy shtylla të pandashme që e kanë karakterizuar ecjen e saj, e kanë lëvizur, edhe ajo me dëshirë për ta shuar etjen dhe urinë e Tij. Ka shkuar te Zotëria dhe në të njëjtën kohë ka shkuar te vëllau i nënçmuar, i padashur, i vetmuar dhe harruar; ka shkuar te vëllau dhe e ka gjetur fytyrën e Krishtit…

 Ajo mirë e dinte që dashuria për Zotin dhe dashuria për të afërmin themelohen së bashku: në më të vegjëlit e takojmë  vetë Jezusin dhe në Jezusin e takojmë Zotin” dhe kjo dashuri është e aftë për ta shuar urinë e Tij”.

Takimi i Papës Françesku me rininë në “Qendrën baritore”

Gjatë takimit me rininë, prapë Papa Françesku e kishte në mend dhe në zemër Nënën Tereze. Duke folur për “ëndrrat e rinisë” ai ndër të tjera nënvizoi këtë:

“Mendojeni Nënën Tereze.  Kur ajo jetonte këtu, nuk mund as ta përfytyronte si do të ishte jeta e saj, por nuk pushoi kurrë së ëndërruari e së përpjekuri për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe, Jezusin, në fytyrat e të gjithë atyre, që qenë flakur në hendeqet e rrugëve. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej lapës i vogël në duart e Zotit. Ja, kjo ishte ëndrra e saj themelore,si kryevepër!”.

“Secili prej jush, si Nëna Tereze, është i thirrur ta punojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën, ta bëjë diçka vërtet të bukur. Mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. E mos luftoni kurrë të vetëm. Bashkimi bën fuqinë, bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”.

“Ja një fshehtësi tejet i këndshme për të ëndërruar e për ta bërë jetën tonë një aventurë të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës i izoluar, nuk mund t’i jetojë fenë as ëndrrat, pa bashkësinë, vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që të na mbështesë, të na ndihmojë për të ecur përpara krah për krah njëri-tjetrit”.

Në përfundim të takimit Papa Françesku i ftoi të rinjët që së bashku me Të ta lusin uratën e Nënës Tereze:

Të duhen duart e mia, o Zot?

Të duhen duart e mia, o Zot

për t’i ndihmuar

të sëmurë e të varfër,

që kanë aq shumë nevojë?

Merri, janë tuajat,

unë duart t’i dhuroj.

Të duhen këmbët e mia

që të më çojnë ku dikush

kërkon emrin tënd?

Dhe këmbët t’i fali, o Zot!

Të duhet zëri, që sot të flas

fjalët e tua të dashurisë?

Merre, Zot, zërin tim!


Të duhet kjo zemër,

që të duash çdo njeri?

E jotja qoftë

dhe zemra ime, o Zot!

Takimi i Papës Françesku me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare

Në takimin me meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, si dhe me familjarët e tyre, rishtas Papa Françesku e paraqiti Nënën Tereze si model jete, shërbimi, flijimi, dashurie, misioni, dëshmie dhe shenjtërie, si dëshmitare dhe apostull shumë aktuale për Krishtin dhe Kishën e Tij.

 “Kjo tokë diti t’i dhurojë botës dhe Kishës, në Nënë Terezën, pikërisht një shenjë konkrete se si brishtësia e një njeriu, të shuguruar prej Zotit, është e aftë t’i japë aromë gjithçkaje, përmes parfumit të lumnive, që përhapet mbi këmbët e lodhura të njerëzimit. Sa vetë u qetësuan nga ëmbëlsia e vështrimit të saj, u ngushëlluan nga përkëdhelja e saj, u lehtësuan nga shpresa, e sa edhe u ushqyen nga guximi i fesë së saj, në gjendje t’i bëjë të harruarit ta ndiejnë se nuk ishin harruar nga Zoti! Historinë e shkruajnë këta njerëz, që nuk kanë frikë ta humbasin jetën për dashuri”.

Papa Françesku në audiencën e përgjithshme, (Romë, 8 maj 2010)

“U preka thellë, kur shkova të vizitoj Motrat e Nënë Terezës. Ishin me të varfërit e tyre. Më mrekulloi dhembshuria ungjillore e këtyre grave. E kjo dhembshuri lind nga lutja, nga adhurimi. Ata i mirëpresin të gjithë, ndjehen nëna e motra të të gjithëve, ia dhurojnë dashurinë e tyre të gjithëve. Shpesh ne, të krishterët, e humbasim këtë përmasë. E, kur na mungon dhembshuria, bëhemi tepër seriozë, tepër të thatë. Këto motra janë të ëmbla e bëjnë vepra të ëmbla dashurie. Bamirësi me dhembshuri, jo me hipokrizi. Ndërsa kur bën mirë pa dhembshuri, pa dashuri, është njëlloj si të hedhësh një gotë me uthull të thartë sipër veprës së mirë.  Jo! Bamirësia e tyre është gazmore. Nuk është e ithtë!”/drita.info

Përgatiti për Dritën: Don Lush GJERGJI

Krahasoi djalin e Harry-Meghan me shimpanzën, pushohet nga puna prezantuesi i BBC

Krahasoi beben e porsalindur të çiftit Princ Harry-Meghan me një shimpanze, shkarkohet menjëherë. Nuk bëhet fjalë për një njeri dosido, por një personalitet radiofonik në Britaninë e Madhe, prezantuesin e BBC-së Danny Baker.

Shkak u bë një “cicërimë” në rrjetin social “Twitter”, që më pas u fshi, ku shfaqej një foto e një çifti që mbante prej duarsh një shimpanze të veshur me rroba, e që shoqërohej me fjalët “Bebja mbretërore del nga spitali”.

Sulmi ndaj fëmijës së Dukës dhe Dukeshës së Sussex shkaktoi një “lumë” kritikash, kryesisht sepse ironizohej me prejardhjen e dukeshës, nëna e së cilës Doria Ragland është shtetase afro-amerikane.

Shefat ekzekutivë të BBC-së u shprehën se prezantuesi tregoi “një gabim tejet serioz në gjykim”. Një gabim që e kuptoi edhe vet Baker, pavarësisht se me shumë vonesë, pasi dëmi tashmë ishte bërë.

Statusin e tij, ai e quajti “një gabim të pafalshëm, padyshim”, teksa shtoi se kërkonte ndjesë. “Do të kisha përdorur të njëjtën foto të kotë edhe për çdo fëmijë tjetër nga familja mbretërore, apo për fëmijën e Boris Johnsonit, apo edhe për fëmijën tim. E mendova si një foto argëtuese, ndaj nuk ishte në kontekstin negativ”, u justifikua më tej ai.

Baker, 61 vjeç, prezantonte një shfaqje në fundjavë në BBC Radio 5, për të cilën ka fituar edhe shumë çmime, qoftë për shfaqjen, ashtu edhe për veten si personalitet radiofonik./tch/

Mos luani me Ferdonije Qerkezin

Veton Surroi

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush

Mos luani me Ferdonije Qerkezin.

Ka njëzet vjet që i kanë trokitur në derë njerëz me uniforma të shtetit serb dhe ia kanë marrë burrin dhe tre djemtë. Dy prej tyre janë kthyer si eshtra, në kamionë të ndërmjetësuar prej Kryqit të Kuq. Dy meshkujt e tjerë të shtëpisë janë eshtra ende të paidentifikuar, qoftë në njërën prej varrezave masive në Serbi, qoftë si eksponate morgu, duke pritur ndërmjetësimin e Kryqit të Kuq.

Prej njëzet vjetësh, ajo shtron darkën për të katërt. I pret në shtëpi të vet, ku e kanë vendin. Është komunikimi i saj i vetëm me ta. Është pika e dinjitetit që e mban të presë njërin dhe pastaj mëngjesin tjetër.

Mos u përpiqni ta mashtroni, tash pas njëzet vjetësh, duke i thënë se do ta themeloni një Tribunal ndërkombëtar për krimet që Serbia i bëri në Kosovë. Mos e ngacmoni plagën e saj, duke i premtuar se ju, me Rezolutën tuaj, që do të kalojë në Kuvendin e Kosovës, do t’i sillni para drejtësisë përgjegjësit për zhdukjen e burrit dhe tre djemve të saj.

Nuk e keni as edhe më të voglën kompetencë për të themeluar një Tribunal ndërkombëtar. E përfaqësoni një shtet që me keqdashësit e jashtëm dhe keqbërjen tuaj është aq i izoluar sa që nuk bën pjesë në sistemin e organizuar ndërkombëtar. Një shtet që është në OKB e Këshill të Evropës, madje një në BE, do të hiqte të zitë e ullirit për të krijuar një Tribunal ndërkombëtar; ato krijohen vetëm me aleanca të forta shtetesh, vendime të Këshillit të Sigurimit. Një shtet si ky yni e ka gëzimin më të madh kur anëtarësohet në ndonjë federatë sporti; me distancë kozmike prej shkronjës T të tribunalit.

Nuk do ta themeloni Tribunalin. E as do ta bëjë këtë dikush në emër tuajin. Po përpiqeni ta kërkoni vëmendjen e Ferdonije Qerkezit dhe familjarëve të tjerë të viktimave, për të treguar se ja, pas njëzet vjetësh, do të luftoni për drejtësi. Dhe, kur nuk do të themelohet Tribunali, do ta fajësoni bashkësinë ndërkombëtare, këtë masë amorfe, e cila edhe ashtu është fajtore për çdo gjë tjetër, për liberalizim vizash e më së shumti për faktin që ka themeluar një Gjykatë Ndërkombëtare, e cila duhet të merret me akuzat ndaj jush.

Tribunali dhe Rezoluta për ju janë tema që zgjasin, në rastin më të mirë, disa ditë. Brenda atyre ditëve Tribunali do të zërë më pak vend se skandali i radhës që e keni prodhuar, bankrotimi i Telekomit, punësimi i një teze a balldëske, a vëllai, a djali të axhës, falje të milionave eurove për këtë gabim dhe miliona të tjerë për atë gabim. Pushteti juaj e ka të garantuar mundësinë që një temë kaq e madhe si Tribunali e gjenocidi ndaj këtij populli të fshihen brenda një duzine skandalesh që i prodhoni çdo ditë, sepse pushteti juaj është i ndërtuar mbi padrejtësi dhe nuk mund të prodhojë gjë tjetër, pos padrejtësive.

Në themelet e pushtetit tuaj janë vrasja e civilëve serbë e romë dhe e kundërshtarëve politikë shqiptarë, vjedhja e uzurpimi i çdo gjëje që është publike dhe çdo gjëje private që është e mundur të gllabërohet me kërcënim e dhunë. Në themelet e pushtetit tuaj është vjedhja industriale e votave dhe shteti i kapur. Në themelet e pushtetit tuaj është shkatërrimi i arsimit dhe shëndetësisë, është sundimi i shtresës më injorante të shoqërisë, është degradimi i shprehjes bazike kulturore, deri te gjuha amtare, në nivelin ofendues të primitivizmit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se çdo gjë shitet dhe blihet: vota, historia, statusi shoqëror, shteti, tërësia tokësore e vendit. Në themelet e pushtetit tuaj është besimi se nuk ka nevojë për sundim të ligjit, ka nevojë për sundim tuajin.

Si mund të kërkoni drejtësi e Tribunal e Rezoluta ju, që sundoni mbi themele të padrejtësisë?

Dhe për çka i kërkoni?

Për Ferdonije Qerkezin jo. Dini edhe vetë se gjasat që të bëni ndonjë gjë me rezoluta të kota të Kuvendit janë të barasvlershme me zero.

Keni pasur mundësi të pyesni për burrin dhe djemtë e saj. Për njëmbëdhjetë vjet pavarësie të vendit, nëse jo më herët, keni mundur të shtroni së paku në një vend pyetjen, se ku i ka Ferdonije Qerkezi djemtë dhe burrin? Keni mundur ta bëni kur diskutonit për Gjashtë pikat e Ban Ki Moon-it, për targat e veturave të Kosovës e Serbisë që mund ta kalojnë kufirin, për rrethrrotullimin e Mitrovicës veriore dhe të gjitha kotësitë e tjera për të cilat keni biseduar. Për tërë një dhjetëvjetësh të shpenzuar në degradimin e shtetësisë e pavarësisë së Kosovës, deri në hapjen e çështjes së kufijve të saj, keni pasur mbi 3.600 ditë për ta ndarë një, së paku një, në të cilin do të pyesnit se ku i ka djemtë Ferdonije Qerkezi.

Keni mundur që në vend se të bisedoni për çdo gjë tjetër me përfaqësuesit e Serbisë, të bisedoni për të zhdukurit, përfshirë edhe ata të zonjës Ferdonije; që të gjithë të zhdukurit, romët dhe serbët dhe shqiptarët. Nuk e keni bërë, sepse nuk keni menduar për shtetin, keni menduar për pushtetin, e pushteti juaj, siç thashë, i ka themelet në padrejtësi. Dhe, padrejtësia e radhës do të jetë që për djemtë e Ferdonije Qerkezit të miratohet një Rezolutë e radhës, një që nuk obligon për gjë tjetër pos për harresë.

Mos luani me zonjën Ferdonije e as mos e ofendoni, siç bëni për 20 vjet. Tragjedia e familjes së saj dhe tragjedia e familjeve të Kosovës, të grave e fëmijëve dhe burrave të këtij vendi, pa dallim kombi a feje, është e integruar në themelet e shtetit të Kosovës. Të luash me ta është të luash me themelet e shtetit.

Dhe shteti i Kosovës u obligohet të gjallëve dhe të vdekurve të saj: është përgjegjësi e shtetit të Kosovës të kuptojë se kush i mori djemtë dhe burrin e Ferdonije Qerkezit, ku i çoi, si i vrau, me urdhër të kujt? Është përgjegjësi e shtetit të Kosovës që t’i kthejë djemtë e Ferdonije Qerkezit në paqen e njohurisë dhe të drejtësisë; ata nuk bënë të rrinë as në harresë, e as në mungesë llogaridhënie.

Nuk ekziston rrugë e shkurtër as për paqe e as për pajtim me Serbinë. Nuk ka rezolutë e ide 24-orëshe për tribunale e as këmbime territoresh, që do ta krijojë paqen e qëndrueshme mes shteteve e kombeve.

Është një rrugë e mundimshme dhe e pazëvendësueshme. Një pjesë e rëndësishme e asaj rruge kalon kah kuzhina e Ferdonije Qerkezit. Mos luani me të, mos luani me klithmën e heshtur për drejtësi e paqe.

Alban Muja u jep zë refugjatëve të Kosovës në Bienalen e Venecias

Alberina Haxhijaj
Fotografitë: Arben Llapashtica

Artisti Alban Muja me vite ka mbajtur distancë nga përjetimet që ka pasur gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke mos dashur që këto të fundit të ndikojnë në punën e tij. Si artist ai njihet për trajtimin e Kosovës si një hapsirë territoriale, mirëpo duke mos u fokusuar tek historia që ka prapa vendlindja e tij. Mirëpo,  Bienalja e Venecias këtë vit e ka thyer këtë trajektore të punës së artistit pasi që ai në projektin e tij të ri të realizuar për Pavijonin e Kosovës e që u hap sot në Venecia rikthehet tek e kaluara e vendit të tij,  si një thirrje për të mos e harruar atë. Përmes tri videoinstalcioneve ai solli një retrospektivë të tri ngjarjeve që kanë ndodhur 20 vite më parë,  e që përveç se janë histori personale, zbërthejnë edhe memorien kolektive duke vënë në pyetje edhe ndikimin që kanë imazhet dhe mbulimi medial, sidomos gjatë luftërave dhe konflikteve.

Ideja për këtë projekt, artistit Alban Muja i kishte filluar në kohën kur ai ishte duke shfletuar albumin e tij familjar dhe kishte gjetur një fotografi të tij së bashku me kryeministrin e Spanjës (Jose Maria) Aznar, në vitin 1999. Mirëpo,  sipas tij, përdorimi i kësaj fotografie mund të shihej si një projekt politik pasi që babi i tij ishte një ish i burgosur politik si dhe mund të ishte subjektive. Në anën tjetër, në atë kohë kryeministri i Spanjës kishte ofruar përkrahje për kosovarët ndërsa tani rrethanat politike janë të kundërta. Prandaj projekti mori një drejtim tjetër, mirëpo duke mbajtur lidhje me përjetimet që vet artisti kishte si refugjat. Muja në hapje të Paviljonit theksoi se “Albumi Familjar” nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën por edhe me të sotmen.

“Shpresoj që kemi arritur të sjellim diçka, jo vetëm për ta treguar një realitet të kaluarës së Kosovës, por edhe të sotmen. Shpresoj që kemi arritur t’i justifikojmë taksapaguesit e Kosovës që e kanë paguar këtë. Ne jemi shumë të nderuar dhe ndoshta herën e ardhshme mund edhe të rritemi, por tash e kemi bërë një përvojë të mirë që t’u ndihmojmë edhe artistëve tjerë”, ka thënë Muja.

Kosova përmes Mujës u prezantua për herë të katërt në Bienalen e Venecias, ku prezantimet e mëparshme përbëheshin nga prezantimet solo të punimeve të Petrit Halilaj (2013), Flaka Haliti (2015) dhe Sislej Xhafa (2017).  Mirëpo, sipas presidentit të Bienales së Venecias, Paolo Baratta  i cili po ashtu ishte i pranishëm në hapjen e Pavijonit të Kosovës, në këtë edicion të 58-të e që si titull ka “Jetofsh në kohëra interesante” – pjesëmarrja e vendeve të reja në Bienale, ashtu siç është Kosova nënkupton që akoma ka besim në punën që bëhet në këtë Bienale.

“Është shumë mirë kur shtetet e reja marrin pjesë në Bienale, pasi që kjo nënkupton që ata po besojnë në atë qe ne po bëjmë. Të ardhurit në Bienale nënkupton një gjë të vetme e ajo është se ne dëshirojmë që të bisedojmë përmes artit dhe jemi gati që ta bëjmë këtë, jemi gati që të pranojmë sfidën”, tha presidenti Baratta.

Në fillim të Pavijonit të Kosovës që është vendosur në Arsenale vizitorët mund të dëgjojnë historinë e Besës e cila tregon sesi fotografi Damir Sagolj kishte fotografuar nënën e saj duke i dhënë gji Besës, gjersa ecnin në kolona për të kaluar kufirin. Për më shumë se 24 orë nëna e Besës, Sherife Luta kishte ecur me vajzën e saj në krah për të arritur në Bllacë, madje në një moment ajo kishte menduar se vajza e saj (Besa) kishte vdekur nga të ftohtit,  pasi që nuk po lëvizte. Ky mendim e kishte tmerruar atë dhe asaj i kishte rënë të fiktë,  derisa vajzën e saj një fqinje e ka vendosur në furrë për disa sekonda e pastaj Besa kishte filluar të qajë.

REUTERS/Damir Sagolj 

Videoja e dytë zbërthen fotografinë e fotografit Peter Turnley. Besimi dhe Jehona për 14 minuta tregojnë historinë e babit të tij, përjetimit që ai kishte pasur si i burgosur. Turnley e kishte fotografuar atë duke mbajtur në duar dy fotografitë e fëmijëve të tij në momentin kur ai ishte ndarë nga kolona pasi që ai i kishte ndihmuar një të moshuar, për këtë arsye atë e kishin lidhur për një dritë në rrugë dhe të gjithë të burgosurit është dashur që ta godasin, fytyra e tij e skuqur vërehet edhe në imazhin e shkrepur nga gazetari amerikan i cili pastaj edhe e kishte ndihmuar atë. Besimi dhe Jehona tregojnë sesi nuk kanë ditur për njëri-tjetrin nëse janë gjallë.

Photo Peter Turnley

Në videon e tretë, Agimi tregon sesi ia kanë vendos emrin e xhaxhait i cili kishte vdekur aksidentalisht. Pikërisht për shkak të emrit, lidhja e tij më gjyshin dhe gjyshen ka qenë më e madhe dhe Carol Guzy, fotografja e vetëm me të cilin artisti Muja nuk ka arritur që të komunikoj, ka kapur momentin kur ai është në duar të djalit të axhes duke kaluar në mes të telave në mënyrë që gjyshi dhe gjyshja ta puthnin,  pasi që ata nuk ishin lejuar që të hynin në kamp.

Carol Guzy/The Washington Post/Getty Images

Këto tri videoinstalacione i japin një pamje të thjeshtë Pavijonit të Kosovës, mirëpo gjithashtu ju lënë hapësirë vizitorëve që të eksplorojnë tutje historitë e këtyre katër personazheve, pasi që pikërisht tri fotografitë emblematike nuk zbulohen në Pavijon.  Pikërisht këtë thjeshtësi e vuri në pah edhe kuratori i ekspozitës Vincent Honore.

“Jemi krenarë për shkak të substancës dhe jemi krenarë edhe me minimalizmin e veprës. Është pavijon shumë i thjeshtë, sepse duam të koncentrohemi në veprën, në artistin, në rrëfimet dhe subjektet dhe duam të koncentrohemi në Kosovën, që është një vend fantastik me shumë artistë të mirë që vijnë prej atje”, ka thënë Honore.

Sipas ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit ky prezantim i denjë i Kosovës në Bienale ka ardhur si rezultat i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi punues.

 “Padyshim që Albani,  bashkë me këtë ekspozitë, me këtë projekt, bashkë me Arta Aganin dhe kuratorin kanë paraqitur disa përjetime të refugjatëve kosovarë në luftën e viti 98-99. Na kanë dhënë mundësi që të shohim atë pjesën që për ne është ende e freskët,  ndërsa ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës së Kosovës, veçanërisht vizitorët do të kenë se çfarë të shohin e të përjetojnë”, tha ai. I pranishmen në hapje të Pavijonit ishte edhe kryeparlamentari Kadri Veseli , i cili theksoi se Muja përmes “Albumit Familar” ka sjellë një pjesë të realitetit kosovar.

Bienalja e Venecia do të hapet për vizitorë më 11 maj dhe do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor. Vitin e kaluar mbi 275 mijë veta e kanë vizituar Bienalen që nënkupton se po kaq njerëz edhe këtë vit do të kenë mundësinë që të eksplorojnë historinë e Kosovës dhe të refugjatëve të saj, të kaluarën e Kosovës duke shikuar edhe nga e tashmja./ KultPlus.com

“Pristine Conditions” me koreografi të Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

“Pristine Conditions” me koreografi të  Arthur Kuggeleny do të prezantohet nesër me premierë

Arthur Kuggeleny nesër do të prezantojë punën e tij koreografike që e ka realizuar tash e sa kohë brenda Baletit Kombëtar të Kosovës e për audiencën kosovare do të vjen premierë nëpërmjet shfaqjes “Pristine Conditions”.

Është hera e tretë që koreografi Arthur Kuggeleny po vjen me punën e tij në Kosovë, mirëpo shfaqja e tij e fundit po shënon premierën e dytë për këtë sezon në kuadër të këtij institucioni kulturor.

“Jam shumë i emocionuar, mezi po pres të shoh reagimet e publikut nga kjo shfaqje”, ka thënë Arthur Kuggeleny, i cili tha që ndjehet i lumtur për rikthimin e tij në Prishtinë, tash e tri herë. Ai ka thënë se nëpërmjet kësaj shfaqje ai do të sjellë një ndjenjë ndryshe dhe ka shprehur dëshirën që këtë shfaqje ta shohin sa më shumë njerëz.

Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi ka thënë se me këtë premierë do të prezantohen në mënyrën më të mirë.

“Kjo është premiera e dytë për vitin 2019, jam i bindur që nesër para publikut do të dalim në mënyrën më të mirë të mundshme” tha Kajtazi.

Ai po ashtu shtoi që Arthur është një koreograf i njohur evropian dhe se që nga 1 prilli është duke u përgatiture për këtë shfaqje.

“Arthuri është një koreograf i njohur evropian, ne jemi me fat qe kemi punuar me të, jam shumë i bindur që nesër do të prezantohemi me një shfaqje të re” u shpreh ai.

E balerini Kreshnik Musolli tha që për të ka qenë një përvojë e mirë pjesëmarrja në këtë shfaqje.

“Ka qenë përvojë e mirë sepse është stil i veçantë i tij dhe jo gjithçka është e përgatitur paraprakisht”, ka thënë Musolli, duke shpjeguar se çdo ditë kanë zbuluar diçka të re me këtë koreograf, duke nisë nga lëvizjet e vogla për ti shndërruar më pas si pjesë të rëndësishme të projektit.

Kjo premierë shfaqet të enjten, në ora 20:00, kurse reprizat e kësaj shfaqje do të jenë në kuadër të Baletit Kombëtar të Kosovës. / Gzim Mujaj/ KultPlus.com

Ramë Lahaj me “La Traviata” në Teatrin e Los Angeles

Tenori i njohur shqiptar do të ngjitet së shpejti në skenën e Teatrit në Los Angeles, shkruan KultPlus.

Në këtë teatër ai do të luaj në shfaqjen “La Traviata”, dhe për këtë angazhim ka njoftuar vet Lahaj nëpërmjet faqes së tij në facebook.

Lahaj ka bërë të ditur se për këtë paraqitje është ftuar nga artisti i njohur Placido Domingo, kurse për detajet e tjera se kur do të jetë kjo shfaqje, ai ka thënë se do të bëhet e ditur së shpejti./KultPlus.com

121 foto të zonjave shqiptare në 121 histori suksesi në shekullin XXI

Albanian Excellence do të çelë këtë fund qershori në Tiranë një Ekspozitë Ndërkombëtare kushtuar suksesit të gruas shqiptare kudo është. Ky është një event logjik dhe shumë i rëndësishëm i punës më se shtatë vjeçare që kjo Qendër ka realizuar nga krijimi i saj , në nëntor të vitit 2012, në 100 vjetorin e shtetit shqiptar, duke krijuar një data base të vyer suksesi, tashmë edhe për ta treguar në foto, ka njoftuar Flora Nikolla, organizatore e këtij eventi të madh.

Ky është një gëzim pune në fakt për stafin e Albanian Excellence, sepse zonjat që do të jenë pjesë e kësaj Ekspozite, janë më së shumti histori suksesit të zbuluara e të hulumtuara prej saj, të nderuara nga Albanian Excellence me tituj, medalje dhe ajo që është më e rëndësishmja, të intervistuara dhe të botuara në librat e Albanian Excellence, të cilat deri më tani arrijnë në nëntë botime shumë cilësore. Në fakt prej rreth një viti drejtuesit e kësaj qendre kanë pohuar në disa media se , “tashmë ka ardhur koha që historitë e suksesit të hulumtuar dhe intervistuar nga Albanian Excellence të dalin nga librat dhe të jenë në ndihmë e në mbështetje të komunitetit”.

Kjo Ekspozitë , duket një tentativë më shumë drejt kësaj iniciative shumë të vyer pas krijimit në dhjetor të vitit të kaluar të orkestrës Albanian Excellence, me pjesëmarrjen e instrumentistëve shqiptarë në botë kurorëzuar me një koncert të organizuar nën kujdesin e Presidentit të Republikës, shkëlqesisë së tij , z.Iir Meta , apo edhe me krijimin në mes të muajit prill të Aleancës Globale ët Gruas së Suksesit shqiptar, një organizëm vullnetar për marrjen e iniciativave globale në mbështetje të gruas shqiptare kudo është.

Janë 121 zonja të suksesit shqiptar 2019, që do të marrin pjesë në Ekspozitën Ndërkombëtare të Gruas së Suksesit Shqiptar, që do të hapet në Tiranë në kuadër të vitit 2019, shpallur si , “Viti i Gruas nga Albanian Excellence” dhe në kuadër të Çmimit të madh të dhjetorit , “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë “.

Ekspozita mendohet të çelet në 30 qershor në Tiranë, në një vend të rëndësishëm me pjesëmarrjen e personaliteteve të rëndësishme të jetës së vendit , por që do të vijojë të prezantohet mbi bazë të një axhende që është duke u përpunuar në shumë vende në botë. Ajo që ka shumë rëndësi është edhe fakti se, tema e Fotografisë është prezantimi i Zonjave shqiptare që i përkasin , të gjitha trojeve shqiptare dhe të gjitha vendeve të botës është prezantimi artistik përmes detajit i cili tregon dhe shpreh suksesin.

Kjo Ekspozitë pas qëndrimit të saj në Tiranë prej disa ditësh , do të vijojë të hapet në disa vende të tjera si në Prishtinë, Ulqin, Strugë, Zvicër , SHBA, me idenë e botimit të këtyre fotove në një album fotografik që do të mbajë autorësinë e Albanian Excellence.

Të gjithë fonografët që do të jenë realizues të fotove të këtij eventi do të jenë autorë të shpallur të tyre duke gëzuar të gjitha të drejtat autoriale. Ndërkohë një grup fotosh do të realizohen dhe nga fotografi zyrtar i Albanian Excellence, Olsi Beci.

Ne mesin e muajit Prill, Albanian Excellence, organizoi me sukses të plote Konferencën Ndërkombëtare, “Vlera e të qenit grua në shekullin e XXI”, një aktivitet nga e cila u krijua Aleanca e Gruas së suksesit shqiptar në botë si dhe u rivitalizua nënshkrimi i Peticionit “Në Mbështetje të grave të dhunuara gjatë luftës së Kosovës së vitit 1999”, një iniciative e Albanian Excellence që nisi në qershor të vitit të kaluar në Nju Jork të SHBA.

Albanian Excellence metodikën e saj në mbështetje të Gruas mbarëshqiptare e mbështet në Memorandumin e nënshkruar tri vite më parë 2016, në Manhattan –Nju Jork, kur u nënshkrua Memorandumi, “Të qenit grua në shekullin e XXI”. Ky memorandum i organizuar në kuadër të Mbrëmjes Gala që promovoi librin , “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, u nënshkrua në prani të Presidentit të Republikës së asaj kohe Shkëlqesisë së tij zotit, Bujar Nishani.

Në këtë kuptim, të gjitha aktivitetet e zhvilluara në vijimësi të këtij eventi i cili u komentua për suksesin e tij absolut, janë në përputhje me nënshkrimin e këtij memorandumi. Një vit më parë në këtë kuadër, Albanian Excellence organizoi në Hotel Sheraton në Tiranë, aktivitetin shumë planësh , Zonjat që bëjnë Shqipërinë, kur u nderuan me këtë titull të paktën 23 zonja shume të rëndësishme të jetës shumë planëshe shqiptare. Këtë dhjetor, po në këtë kuadër, në një mbrëmje Gala në 12 dhjetor, do të shpallet çmimi mbarëkombëtar, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, në disa fusha. Ky është i pari çmim i këtij lloji që promovon gruan shqiptare dhe suksesin e saj kudo ajo është./KultPlus.com

Kosovarja i ligjëron NATO-s për trashëgiminë e shkatërruar gjatë luftës në Kosovë

Nora Visoka-Weller flet për rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë fushë

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, një pjesë e thesarit arkeologjik të Kosovës, me pasuri etnografike dhe arkeologjike u ekspozua në Beograd dhe që nga ajo kohë objektet kanë mbetur atje.

Të gjitha eksponatet e ekspozuara në Beograd janë origjinale, përveç monedhave të arit dhe medaljonit të perandorit Prob. Në lidhje me kthimin e artefakteve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, ka folur edhe Nora Visoka-Weller, e cila është e specializuar në ligjet mbi artin dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

“Jam gjithmonë e lumtur të ligjëroj në vende të ndryshme, por është shumë e rëndësishme për mua të ngris vetëdijen për trashëgiminë e shkatërruar gjatë luftës së fundit në Kosovë dhe rëndësinë e përkrahjes së Kosovës në këtë fushë”, thotë Visoka-Weller.

Nora Visoka-Weller nga Kosova është ligjëruese në akademinë prestigjioze për Studime të Sigurisë Shtetërore në Romë të Italisë. Me ftesë të shtetit Italian, gjegjësisht Ministrisë së Mbrojtjes ajo tani u ligjëron trupave të NATO’s dhe Interpolit mbi ndalimin e kontrabandimit të artefakteve dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vendet e pas luftës.

Visoka-Weller gjithashtu është studiuese brenda Kolegjit Selwyn në Universitetin e Kembrixhit. Sipas regjistrimit të eksponateve të bërë në vitin 1990, në Muzeun e Kosovës janë evidentuar 7.290 eksponate.

Ndërsa pas përfundimit të luftës, gjatë muajit qershor 1999, 13 arka me material etnologjik janë bartur nga Muzeu i Kosovës-Prishtinë, në Muzeun Etnologjik – Beograd.

Kjo histori nuk ka të bëjë vetëm me procesin teknik të rikthimit, por ka të bëjë edhe me zotërimin e së kaluarës, gjë me të cilën merret arkeologjia. Është thënë vazhdimit se Beogradi i mban këto artefakte për mbrojtje fizike, por edhe për mbrojtjen e identitetit kulturor serb, gjë që është e kërcënuar në Kosovë.

Është shumë e rëndësishme që këto artefakte të kthehen, për shkak se janë disa kryevepra, artefakte me vlerë e të rëndësishme dhe mbi të gjitha janë pjesë e kulturës së Kosovës. Ato janë një shpjegim i gjithë kulturës, nga sfondi historik dhe vlera e tyre është e pazëvendësueshme.

Kreu studimet në Europë, botoi tre libra, por në Kosovë nuk i plotësoi kushtet për punë

Alketa Spahiu, 29-vjeçare nga Prishtina  nuk ka mundur që të pranohet si punëtore në Ministrinë e Punëve të Jashtme për pozitën si “Zyrtar të Misionit Diplomatik”. Ani se Alketa kishte  përgaditje profesionale, përvojë pune, cv mjaftë të pasur të pasur, e dhjetëra aktivitete të tjera që do t’i mundësonin asaj që ta fitonte pozitën e punës për të cilën ajo ka aplikuar.

E diplomuar në studimet bachelor e master në njërin prej universiteteve më prestigjioze në Europë me notë mesatare shumë të mirë për ‘Diplomaci Diplomaci Multilaterale e Siguri Kolektive, 29-vjecarja nga Kosova nuk po mund të gjejë punë në vendlindje.

Ajo u kthye nga Europa për të dhënë kontribut në Kosovë, ansi se posedon pasaportë të huaj.

Por, Alketa u dëshpërua kur aplikoi në një konkurs publik të cilin e kishte hapur, Ministria e Punëve të Jashtme në Kosovë për pozitën e punës si ‘Zyrtar të Misionit Diplomatik”.

Por nga ky institucion kosovar ajo mori përgjigje se nuk i ka përmbushur kriteret përe t’i vazhduar procedurat e tjera të konkursit.

E Alketa, e cila ka mbikualifikime për ktë pozitë të punës, thotë se konkursit ia ka bashkangjitur të gjitha përvojat e saja.

Ajo në një postim të gjatë në Facebook, ka shpjeguar përvojat e saja si dhe ka shprehur zhgënjimin për nepotizmin që i ka kapluar institucionet kosovare.

Ky është postimi i plotë i saj:

VEC TE ISHA KON EDHE E KOMORANIT :p

Dje pasdite, pranova kete email nga Ministria e Puneve te Jashtme qe une nuk i plotesoj kriteret as edhe per test dhe interviste ne konkursin per zyrtar te misionit diplomatik ku do te pranoheshin 15 sosh (e un aplikova e nxitur nga disa miq sepse e di qe nuk ka meritokraci) edhepse:

1. Posedoj summa cum laude (kualifikimi me i larte akademik) bachelor ne Shkenca Politike dhe Komunikim Nderkulturor ne Universitetin e Perugias te perfunduar para kohe ne nje prej universiteteve me te vjeter ne Europe dhe i ranguar shume mire, studente me burse te dyfishte per merite;

2. Posedoj magjistrature ne Diplomaci Multilaterale e Siguri Kolektive me note shume te larte ne te njejtin universitet, studente me burse te dyfishte per merite;

3. Flas e shkruaj rrjedhshem tre gjuhe te huaja, prej te cilave dy jane gjuhe zyrtare te Kombeve te Bashkuara dhe njera e Bashkimit Evropian;

4. Pervoje pune profesionale pese vjecare si e angazhuar me UNDP, programe te qeverise italiane, programe te Komisionit Evropian, Ministri e Drejtesise se Kosoves duke perfshire edhe programet me te mira te Diplomacise Publike e Digjitale brenda Ministrise se Puneve te Jashtme si dhe pervoje praktike me ambasadat e Kosoves;

5. Aktivisite qysh si femije ne organizata si Scouts, Kryqi Kuq, organizata te ndryshme per demokratizim e aktivitete rinore;

6. Autore e kater librave letrare;

7. Aktive ne komunitet qysh ne moshe te hershme;

8. Pjesemarrese ne konferenca te ndryshme nderkombetae te nivelit te larte;

ETJ ETJVLEN TE CEKET QE JAM VETEM 29 VJEC

Edhepse une kam nje pune qe e dua shume dhe vleresohem jashtezakonisht nga shefi, menaxhmenti dhe partneret per performancen time keshtuqe edhe nese do ma ofronin, gjasat maksimale do te ishin qe nuk do ta pranoja, kam aplikuar ne kete pozite vetem si lloj testi per nepotizmin dhe korrupsionin qe ka kapluar kete vend.

Sepse une u ktheva ne kete vend per t’u bere diplomate por fale politikave llum partiake, nuk arrita asnjehere dhe sepse jam njeri i principeve dhe nuk kam pranuar asnjehere oferta ne kembim te sherbimeve partiake.

Te gjithe ankoheni per rrahjet neper ambasada, pijandurat qe bejne skandale e per mungesen e kapaciteteve te diplomateve kosovare e nese kjo shkelje flagrante nuk ju ben pershtypje, uroj qe kurre te mos pajiseni me viza per Gjermani e te vuani pasojat e mosreagimit tuaj.

Une kam derguar gjithe dokumentacionin qe eshte kerkuar per kete pozite konform konkursit dhe nuk ka patur asnje baze per moskonsiderim te pakten per test dhe interviste.

Vlen te ceket qe edhe pervojat qe i kam patur brenda institucioneve te Kosoves i kam zhvilluar ne cilesine e ekspertes se angazhuar nga organizata nderkombetare ku pozitat fitohen me merite dhe se as edhe nje here te vetme nuk kam pranuar te behem servile e partive politike.

Gjithashtu, mua kjo pune nuk ma nderron jeten. Une si banore e BE kam te drejte pune ne 28 shtete. Une do te ankohem sepse e dua kete vend dhe sepse mendoj pertej komoditetit personal. Qytetaria aktive eshte baza e demokratizimit te nje shoqerie. Perndryshe, une nuk dua te akuzoj individe instuticional e partiak por korozionin e sistemit qe eshte krijuar nder vite.

Ftoj Jeta Xharra Insajderi Gazeta Express Berat Buzhala Dimal Basha dhe te gjithe mediate interesuara qe ta percjellin kete rast per te miren kolektive.

Ftoj edhe ata qe shpenzojne para nga taksapaguesti e tyre per transparence e qeverisje te mire si Ruairí O’Connell U.S. Embassy Pristina, Kosovo

Ju falemnderit

Nipi i Nënës Terezë: Nëna Terezë humanizmin e ka trashëguar nga nëna e saj, gjithmonë kishte përgatitur dreka për të varfërit

Një shenjë e Nënë Terezës është familja Gombar, gjegjësisht kryefamiljari i saj Alojz Gombar, që është një familjar, apo disa e konsiderojnë si nipi i Gonxhe Bojaxhiut.

Familja e shenjtores dhe nobelistes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza nuk ka ndonjë shenjë të theksuar që mund të evidentohet në Shkup. Ajo dikur ishte në zemër të Shkupit, sot lokacioni afër Qendrës së Vjetër Tregtare apo vetëm pak hapa afër përmendores së Aleksandrit të Madh në shesh.

Aty ka ngelur vetëm një pllakë me mbishkrimin “këtu ka qenë shtëpia e Nënë Terezës – Gonxhe Bojaxhiu”. Kjo pllakë është vendosur në një qoshe, dhe disa herë ka qenë pre e akteve vandale.

Një shenjë e Nënë Terezës është familja Gombar, gjegjësisht kryefamiljari i saj Alojz Gombar, që është një familjar, apo disa e konsiderojnë si nipi i Gonxhe Bojaxhiut.

Ai thotë se gjyshja e tij dhe babai i Nënë Terezë ka qenë motër dhe vëlla, pra një lidhje e afërt familjare. Sipas tij bëhet fjalë për një familje të pasur e cila ka pasur shumë pasuri në Shkup dhe në Kosovë, që janë marrë me artari dhe filigrane.

“Por familja jonë ka qenë shumë humane dhe se Nëna Terezë e humanizmin e ka trashëguar nga nëna e saj, e cila gjithmonë kishte përgatitur dreka me kazane për të varfërit. Fryma e ndihmës ndaj të varfërve ka mbetur edhe tek ne”, theksoi Gombar. Ai shton se është një moment i veçantë që për së dyti herë takon Papën dhe se ndjehet shumë i emocionuar. “Me shumë gëzim e presim ardhjen e tij unë dhe familja ime”, theksoi Gombar./voal/KultPlus.com

Teatrot i dikton iftari, regjisori Ben Apolloni këtë vendim e sheh si tallje me Teatrin

Teatri Kombëtar i Kosovës, ai i Gjilanit dhe i Ferizajt tashmë kanë zhvendosë oraret për shfaqje për një orë më vonë, duke iu referuar riteve fetare, atë të muajit të Ramazanit, shkruan KultPlus.

Teatri Kombëtar i Kosovës tashmë ka publikuar repertorin e muajit maj dhe të gjitha shfaqjet që do të reprizohen brenda muajit të Ramazanit do të jenë prej orës 21:00.

Por jo njëjtë ka vepruar Baleti Kombëtar i Kosovës, institucion ky që vepron brenda Teatrit Kombëtar të Kosovës. Shfaqjet e Baletit Kombëtar të Kosovës kanë mbetur me orarin e mëparshëm të shfaqjeve, atë prej orës 20:00.

Paralajmërime për shfaqje me orar prej orës 21:00 ka bërë edhe Teatri i Gjilanit por edhe ai i Ferizajit.

Dhe pikërisht për këtë ndërrim orari ka reaguar edhe regjisori Ben Apolloni, i cili këtë vendim e quan si tallje.

Më poshte mund ta lexoni të plotë reagimin e tij mbi këtë cështje.  

Nje muaj pa teater

Shtyrja e shfaqjeve nga terminet e zakonshme per nje termin pas iftarit, nuk eshte aspak ide e mire, madje eshte tallje me Teatrin si intstitucioni kryesor kulturor i nje shteti qe veten e quan shtet sekular. 
Kolege te dashur, keni gabuar shume me kete gjest./KultPlus.com