Kjo është gjendja e shtatores së Fehmi Aganit

Dëmtimet të cilat i ka pësuar shtatorja e Fehmi Aganit, e cila gjendet në Kampusin Universitar, përballë Fakultetit Filologjik, po i vërejnë edhe kalimtarët e rastit. Edhe më parë për këtë shtatore është raportuar mbi gjendjen e saj, si mungesa e pllakës së emrit pastaj dëmtimin e pllakave përreth shtatores si dhe hedhjen e mbeturinave, përcjell KulPlus.

Janë pikërisht qytetarët të cilët kanë përcjellë fotografi të kësaj shtatore në një gjendje jo të mirë, fotografi këto që i kanë përcjellë nëpër medie. “Në prag të jubileut të pavarësisë, berllogu, shkatërrimi dhe harresa kanë mbuluar memorialin që do të duhej të nderohej. Një prej strategëve më të merituar për këtë pavarësi. Ne e kemi lënë atë në harresë, duke e bërë pasqyrë të turpit për atë qe i kemi bërë shtetit për këto 10 vjet”, është shprehur gazetari Arben Ahmeti duke ndarë shqetësimin e qytetarëve.

Për gjendjen e shtatores për media më parë pati biseduar edhe skulptori i kësaj shtatoreje Luan Mullliqi i cili ishte brengosur më shumë për hapësirën përreth saj me pllaka të thyera e mbeturina.
“Nuk jam i kënaqur me mirëmbajtjen e kësaj shtatoreje ashtu si shumë shtatoreve tjera. Ajo çfarë mua më pengon më shumë është hapësira përreth, ajo duhet të mirëmbahet”, ishte shprehur Mulliqi për shtatoren, përgjegjës për mirëmbajtjen e të cilës është Universiteti i Prishtinës.

Fehmi Agani u lind në vitin 1932, studioi për filozofi, ishte profesor dhe anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Ishte redaktor në gazetën “Rilindja” dhe nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai u vra nga forcat serbe në afërsi të Lipjanit më 6 maj 1999, pas përpjekjeve për të dalë nga Kosova në Maqedoni./KultPlus.com

Diskutohet për Kompleksin memorial “Adem Jashari”

Sot mbahet mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.

Në këtë mbledhje diskutohet gjendja e kompleksit memorial “Adem Jashari” dhe nisma legjislative për Projektligjin për kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Për të diskutuar për gjendjen e kompleksit i ftuar drejtori është drejtori i AMKMK-së./KultPlus.com

Ilire Zajmi në Kroaci me “Një tren për Bllacë”

Libri “Një tren për Bllacë” i autores Ilire Zajmi, libër tashmë i përkthyer edhe në gjuhën kroate do të promovohet në Zagreb të Kroacisë, shkruan KultPlus.

Ky libër do të promovohet në kuadër të kremtes së dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Libri promovohet nga Bashkësia Shqiptare e qytetit të Zagrebit dhe Biblioteka Qendrore Shqiptare e Kroacisë, me mbështetjen e deputetes shqiptare në Parlamentin kroat, Ermina Lekaj Prlaskaj. “Një tren për Bllacë”, do të promovohet të shtunën, në ora 12:00./KultPlus.com

Spektakël me flamuj e parashutistë mbi qiellin e Prishtinës

Në kuadër të aktiviteteve festive, mbi qiellin e Prishtinës do të fluturojnë parashutistë kosovarë me flamuj të Kosovës.

Federata Aeronautike e Kosovës, me parashutistët e saj, sot do të performojë mbi qiellin e Prishtinës për dhjetëvjetorin e Pavarësisë. Ky fluturim i tyre mësohet se po bëhet me kërkesë të Këshillit Organizativ për Shënimin e Dhjetëvjetorit të Pavarësisë.

Fluturimin e nesërm të tyre e ka konfirmuar edhe Adil Behramaj nga Këshilli Organizativ.
“Po, nesër nga ora 12:00 – 13:00, parashutistët e Federatës Aeronautike pritet të fluturojnë mbi Prishtinë, konkretisht mbi zonën e gjerë të qendrës së kryeqytetit. Lejen nga KFOR-i e kanë siguruar dhe parashikimi i motit për nesër është i pranueshëm, prandaj besojmë që edhe fluturimi i tyre do të realizohet”, ka thënë Behramaj për Gazetën Express.

Gjithashtu, Behramaj ka thënë se nesër do të vazhdojnë edhe dekorimet e mbetura, derisa Komiteti Olimpik i Kosovës, në sheshin “Edit Durham” – amfiteatrin e hapur te hoteli “Grand”, do ta bëjë edhe hapjen e Festivalit Olimpik PyongChang 2018, ku do të hapet edhe fusha sintetike për patinazh, hokej dhe karlling, të cilat janë sporte të reja në Kosovë. /KultPlus.com

Ansambli i Forcave të Sigurisë së Kosovës u prezantua me koncert në Washington DC (FOTO)

Ambasada e Republikës së Kosovës në Washington DC, për nder të ditës së Pavarësisë së Kosovës mbrëmë ka organizuar koncert festiv me Ansamblin e tunxhit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Në këtë koncert interpretuan pjesëtarët e ansamblit të FSK-së, Avni Krasniqi dhe Ardit Pira në trumpetë, Bledar Bujupi në korno, Betim Krasniqi dhe Rejhan Rexha në trombon dhe Shkumbin Bajraktari në klarinetë.

Po ashtu dhe ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku mbrëmë ka postuar një fotografi me këtë ansambël. “Me djemtë më të mirë të Kosovës, gati për pritjen për #Kosova10”, kishte shkruar ambasadorja Çitaku. Në këtë koncert që është mbajtur mbrëmë në The Meridian House – Washington, DC, kanë qenë të pranishëm lider nga Kosova dhe edhe shumë personalitete amerikane por edhe dhe shqiptaro-amerikane. / KultPlus.com

Poezia fituese e edicionit të dytë “KultStrofa”


Arjola Zadrima

Po të due unë

Ba me dashtë unë
pranvera zgjohet në mes të dimnit.
Andrrat jargaviten si lule kacavjerrese
ndër muret tuej të naltë.
Ba me dashtë unë liria jote
del prej guackës
e shndrit perlë në qafën teme
të bardhë.
Ba me të dashtë fort unë
jehona e stuhisë tonë
ndihet deri në agim.
Dielli lind në gojën tande
e vdes në gjinjtë e mi.

Por unë nuk due
se poetja në mue, fle nën borën e trishtimit
e të rrëshqet shpinës
veç kur ti e shkrin./KultPlus.com

Fiqiri Kasa: Gati për përurimin e monumentit të Skënderbeut, ndihem i privilegjuar për këtë vepër kaq të rëndësishme

Fiqiri Kasa, skulptori shqiptar që është në realizim e sipër të monumentit të Skënderbut, në një format tjetër nga ato që jemi mësuar ti shohim deri më tashti, për KultPlus ka treguar edhe për periudhën e përurimit të këtij monumenti. Por ai ka treguar edhe për një dëshirë, për realizimin e një monumenti të tillë edhe në Kosovë.

Alberina Haxhijaj

Fiqiri Kasa kishte filluar të krijonte portrete në baltë që kur ishte 10-të vjeçar, duke mos e kuptuar atëherë se pikërisht kjo dëshirë do të ngelej talenti dhe pasioni i tij. Se është i lindur për këtë punë, bindet edhe më shumë pas zhvendosjes së tij nga Seferani i Elbasanit në Tiranë, ku edhe ka ndjekur studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë ku edhe mbaron studimet për skulpturë. Tani, ai një pjesë të punimeve të tij i bazon në elemente të trashëgimisë kulturore.

Përveç skulpturës, ai u kushton një kohë të rëndësishme edhe pikturës, gjersa shprehet për KultPlus se i pëlqen edhe arkitektura. Mirëpo tashmë duart e tij u japin skulpturave forma që kanë një histori të fuqishme prapa tyre.

“ Kryesisht bëjë punime të veshjeve kombëtare sikurse nga: Medvegja, Prizreni, Gjakova deri në Sarandë. Edhe njëra nga skulpturat e mia ‘Ushtari ilir” ishte një ide e imja për të sjellë imazhe të historisë tonë kombëtare, pasi nga koha e Ilirisë nuk kemi shumë skulptura. Madje kam ideuar dhe ndërtuar edhe një amfiteatër dhe statujën e ‘Perëndeshës Afërditë’ në vendlindjen time, ku kam pasur edhe mbështetjen e bashkësisë”, tregoi Kasa, për të cilin skulptura më e dashur mbetet ajo e Skënderbeut, në të cilën edhe është duke punuar aktualisht.

“Me vlerë më të madhe shpirtërore padyshim është monumenti që jam duke ndërtuar aktualisht, heroi jonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu . Është një kënaqësi, kam marrë shumë falënderime dhe ndihem i privilegjuar që po e ndërtoj unë këtë vepër, shpresoj dhe dëshiroj që edhe në Kosovë të realizoj një vepër kaq të rëndësishme. Në Labinot të Elbasanit ku po ndërtohet Skënderbeu do të realizohen shumë vepra të tjera, ne e nisëm nga Skënderbeu, pikërisht sepse përkon me vitin e Skënderbeut, shpresojmë që nga fillimi i muajit mars të këtij viti të mbaroj”, u shpreh ai për KultPlus duke shtuar se dëshiron që skulpturat e tij të vendosen në hapësira ku njerëzit mund ti shohin dhe jo vetëm objekte e hapësira private.

Skulptori Fiqiri Kasa i cili të shumtën e kohës së tij e kalon duke shfletuar studime historike, antropologjike dhe dokumente të tjera të cilat japin fakte dhe imazhe mbi figurat si ato të cilat ai i ka shndërruar në skulpturë, u shpreh se i mbetet historisë dhe historianëve por edhe studiuesve të artit që të vlerësojnë se sa afër origjinalit janë skulpturat e tij.

“Të gjitha figurat janë studiuar dhe bazuar në fakte dhe imazhe me dokumente të mirëfillta. Edhe pse nuk mund të them se skulpturat janë të lidhura me historinë pasi që këtë e dinë historianët dhe historia”, u shpreh ai.

Skulptori Kasa i cili ka një studio në Tiranë pranon kërkesë të ndryshme për veprat e tij gjersa njëkohësisht punon edhe për Fondin e Investimeve në Turizëm (TIFF).

“Meqenëse kryesisht punoj me porosi, një pjesë e vogël e kohës më ngelet për tu marrë me krijimtari. Prandaj edhe që pesë vite kam punuar me gdhendje guri dhe mermeri me figura historike kombëtare për një kompani private në Amadeus Palace. Mirëpo ka po ashtu pesë vite që kur kam filluar të shfaqë idetë e mia të cilat bazohen edhe në elemente të trashëgimisë sonë kulturore. Të gjitha punimet e mia janë në shitje edhe pse numri i punimeve në gjendje është i vogël”, përfundoi ai për KulPlus./KultPlus.com

Sqarim nga kompania Coca-Cola mbi muralin e mbuluar me billboard

Si një kompani që promovon vlera pozitive, sistemi Coca-Cola në asnjë moment nuk kishte për qëllim të mbuloj artin mural në ndërtesën e ish-Slovenia Sportit ose të neglizhojë trashëgiminë e qytetit të Prishtinës. Duke pasur parasysh reagimet e banorëve, ne kemi vendosur të heqim billboardin tonë i cili tashmë është larguar.

Jemi të përkushtuar ndaj zhvillimit të komunitetit lokal dhe ju sigurojmë se planifikojmë të mbështesim shumë iniciativa të fokusuara në filantropinë artistike të komunitetit./KultPlus.com

Disenjatorja shqiptare dhuron fustanin e saj për instalacionin e Alketa Xhafa Mripës në Londër

Në mars të vitit 2018, artistja Alketa Xhafa Mripa do të jetë sërish në vëmendjen e medieve, për instalacionin e famshëm “Thinking Of You”, por tash me dedikim tjetër dhe në një vend tjetër, shkruan KultPlus.

Duke marë si referencë instalacionin e famshëm të realizuar në Kosovë “Thinking Of You”, ku Alketa Xhafa Mripa pat grumbulluar fustane të shumtë nga vajza dhe gra, duke përfshirë edhe fustane nga të famshmet, ajo pat inkurajuar gratë e Kosovës, të cilat mbi supet e tyre bartin tmerrin e dhunimit përgjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo artiste shqiptare nëpërmjet një instalacioni të ngjashëm, ka filluar të grumbullojë fustane në Britani të Madhe për të mbijetuarat e dhunës seksuale. “Jam duke realizuar veprën “Thinking Of You”, në Londër, në bashkëpunim me UN Women UK “For he For she”, që do të mbahet në muajin mars në “Arts Week London””, ka thënë Alketa Xhafa Mripa për KultPlus. Ajo ka thënë se fustanet do të mblidhen me të njëjtën procedurë, sikurse në Kosovë, kurse kampanja e mbledhjes së fustaneve tashmë ka nisë.

Së fundi, një fustan për këtë instalacion të Alketa Xhafës e ka dhuruar edhe disenjatorja shqiptare Laura Imami, e cila njihet për brendin e saj të syzeve në Londër /KultPlus.com

Një malësore shqiptare

Bukuria shqiptare dhe karakteristikat e veshjeve tradicionale kanë një ndërlidhje magjike, shkruan KultPlus.

Veshje të ndryshme tradicionale duke u ndarë me rajone, shumë shpesh janë vënë edhe në fokus të medieve të huaja. KultPlus ju sjellë këtë fotografi nga një malësore shqiptare e cila padyshim duket shumë e veçantë me këtë veshje./KultPlus.com

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Këtë “Himn të Flamurit”, e ka shkruar Eqrem Çabej më 1937, në konkursin e shpallur nga shteti shqiptar “për një himn të ri me frymë thjesht shqiptare”. Çabej e tërhoqi këtë krijim nga konkursi, kur merr vesh se në të merrnin pjesë personalitete të cilët i nderonte e i çmonte lart e me të cilët nuk e quante veten të denjë të matej.

Pas pëlqimit të përgjithshëm të ‘Rreth flamurit të përbashkuar’ si himn kombëtar (1912), në mënyrë të vazhdueshme janë shkruar këngë apo qoftë edhe vetëm poezi për himn kombëtar. Poezi për himn kombëtar kanë shkruar At Gjergj Fishta më 1913, Ernest Koliqi më 1921 si fitues i vendit të parë në konkursin për himn kombëtar shpallur nga Ministria e Arsimit, Fan S.Noli më 14 nëntor 1926 me titull ‘Hymni i flamurit’, Mihal Grameno me titull ‘Kënga Kombëtare’, Hil Mosi me ‘Himn i Bandës së Lirisë’. Himn kemi edhe nga poeti Lasgush Poradeci më 1933, të botuar tek ‘Vallja e yjeve’ etj.

Himni i flamurit që shkroi Çabej, në konkursin e vitit 1937: Atje lidhet besa e Zotit, për liri dhe për Atdhe!

Në vitin 1922, Këshilli i Ministrave shpall konkursin për bërjen e ‘Himnit zyrtar kombëtar’. Për shpalljen e konkursit dhe kriteret e tij caktohet Ministria e Arsimit ku ndër të tjera u përcaktua edhe masa e shpërblimit prej 1000 franga ari për vjershëtarin e himnit dhe 3000 franga ari për kompozitorin e tij. Më tej, në vitin 1937, në përvjetorin e 25 pavarësisë, u organizua një konkurs, me qëllim bërjen e një himni tjetër kombëtar. Sipas arsyetimeve të Komisionit të ngritur për kremtimet e 25 vjetorit të vetëqeverimit, ‘… hymni i sotëm i flamurit kombëtar asht fjalë për fjalë përkëthimi i një marshi rumun dhe gjithashtu melodija e tij asht nji kopjim i plotë i muzikës rumune”’.

Duke e konsideruar ekzistencën e këtij himni ‘… si një cen për ndërgjegjen kombëtare dhe për sedrën t`onë atdhetare”, komisioni i përbërë nga Parashqevi Kyrias, Mati Logoreci, Kol Rodhe, Telki Selenica, Sotir Papakristo, Karl Gurakuqi, Zoi Xoxa, Lasgush Poradeci, Qemal Butka dhe Odhise Paskali në mbledhjen e datës 5 mars 1937 vendosën hartimin e një himni tjetër me frymë thjesht shqiptare. Ky komision ngriti edhe një komisioni e cila do të vendoste për caktimin e krijimit artistik i cili do të ishte himni i ri kombëtar. Komisioni përbëhej nga At Gjergj Fishta, Mid`hat Frashëri dhe Konstantin Cipo. Nga 76 krijime, fitues u shpall himni i krijuar nga Beqir Çela, i cili mbante pseudonimin ‘Osoja i Ri’.

Fakt është se ky konkurs për poezinë e himnit nuk u pasua edhe nga një tjetër konkurs i cili do t`i kushtohej muzikës së tij. Për këtë arsye, duke mbetur vetëm një tekst, kjo poezi nuk pati popullaritet dhe si e tillë u fshi nga qarkullimi, megjithëse pjesëmarrësit dhe krijimet e këtij konkursi u botuan në shtypin e kohës.

Pas çlirimit të vendit më 29 Nëntor 1944, rreth fundit të vitit 1945 dhe fillimit të vitit 1946, u organizua konkursi i parë shtetëror për himn kombëtar. Krahas shumë krijimeve të paraqitura, si krijimi më i mirë u shpall ‘Himni i Shqipërisë së re’, me poezi të Skënder Luarasit dhe muzikë të Kristo Konos, rezultat që u bë i ditur me shpalljen e Shqipërisë republikë më 11 Janar 1946.

Koha tregoi se edhe ky krijim artistik nuk u ligjërua që të zëvendësonte himnin ekzistues për arsye nga më të ndryshmet, megjithëse ‘Himni i Shqipërisë së re’ (në ndonjë rast edhe me fjalë të tjera), pati interpretime të ndryshme, kryesisht nga kori i ushtrisë.

Pas kësaj, përpjekjen tjetër serioze për të shkruar një himn, e kemi në fillim të viteve ’70. Nga Këshilli i ministrave të asaj kohe, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës si dhe Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, u shpall një konkurs për ‘Himnin e Republikës’. Në këtë konkurs morën pjesë ajka e krijuesve tanë, ndër ta Çesk Zadeja, Ismail Kadare, Tish Daija, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Xhevahir Spahiu, Pjetër Gaci, Feim Ibrahimi, Tasim Hoshafi etj. Pas seleksionimit u arrit në dy variante. Në himnin e krijuar nga Çesk Zadeja dhe në atë të Nikolla Zoraqit me poezi të Fatos Arapit të titulluar ‘E lirë u ngrit toka jonë’. Pati mendime që të njihej si himn edhe kënga e Pjetër Gacit: ‘Për ty atdhe’.

Por, historia e himneve vazhdoi pa sjell ndonjë…

Sidoqoftë, në vëllimin ‘Konkursi për Hymnin e Flamurit’ nr. 2, (Tiranë 1937), ku janë publikuar tekstet e konkursit për një himn të ri kombëtar që u shpall me pëlqimin e Këshillit Ministrit të Shqipërisë – ku aplikoi fillimisht edhe Çabej – ngjyra e kuqe cilësohej simbol i sakrificës, flijimit për idealin më të lartë kombëtar – çlirimin e Shqipërisë nga armiqtë.

HIMNI I FLAMURIT

Nga: Eqrem Çabej

Buzë valësh që rreh deti
Përmbi shkrepe mijvjeçare
Përmbi mal ku sundon shqipja
Edhe rrit gjini krenare,
Ku jep burri besa-besën
E ku vdes si vdiq qëmotit,
Po valon e lëshon hije
Flamuri i Kastriotit.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Te kështjell’ e bardh’ e Krujës
Rreth e qark e mbi bedena
U mblodh komb’ i fort’ i Arbrit
Rreth Shqiponjës me dy Krena.
U droth toka fort e vjetër
Kur i ranë kaq dëshmorë
Rreth flamurit të përgjakun
Si dhandurë me kunorë.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!
Ju Shqiptarë djemt e shqipes
Mos harroni se kush jemi.
Këtë flamur kurr të thyem,
Këtë gjak në dej që kemi,
Këtë truell që na dha Zoti,
Bani be se do t’i mbroni,
Dhe sa jet nji frym’e gjallë
Kurrëkuj s’do t’ia lëshoni.
Ku rreh ti, atje po rrahin
Gjithë zemrat e bujarvet,
Ku valon, atje valon dhe
Gjaku i nxeht’ i Shqipëtarvet,
Atje lidhet besa e Zotit
Për liri dhe për Atdhe!
Se Shqipnia asht’ e jona!
Për at gjak e për kët dhe!

Video e rrallë e Aleksandër Stipçeviqit duke folur arbërisht, “E kemi ruajtur gjuhën për 280 vjet” (VIDEO)

Aleksandër Stipçeviq lindi në Arbënesh të Zarës në Kroaci më 1930. Ai rrjedh nga një familje arbëreshë e rrethit të Shkodrës, të cilët treqind vjet më parë u shpërngulën në rrethin e Zarës. Ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj, deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb, shkruan KultPlus.

Aleksandër Stipçeviq është kontribuues më i madh sa i përket veprave për ilirët dhe historinë e librit. Disa nga këto vepra janë: Historia e ilirëve, Arti i ilirëve, Simbolet e kultit te Ilirët, Bibliografi për ilirët, Historia e librit, Censura në biblioteka, Interpretime albanologjike etj. Më shumë se dyzetë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

Aleksandër Shandri Stipçeviq ka vdekur më 31 Gusht të vitit 2015. Ndërsa sot po e kujtojmë me një video të postuar nga Albert Ramaj, ku albanologu arbëresh shihet duke folur arbërisht ndërsa janë shfaqur edhe këngë origjinale arbëreshe që këndohen. Ai përmes kësaj videoje tregon për ruajtjen e gjuhës, dhe se si u tregojnë të gjithëve prejardhjen e tyre.

“Ndër ne arbëreshët flitet edhe arbërisht por pak nga pak po harrohet gjuha. Ne që e dimë nga kemi ardhur, e kush jemi, ne themi se jemi arbëresh, ne flasim për etnikisht kurse në aspektin politik jemi kroat”, thotë albanologu Stipçeviq.

Ai përmes kësaj videoje tregon se si ai dhe disa arbresh të tjerë kanë shkuar në disa fshatra, afër Liqenit të Shkodrës për të parë vendet prej nga e kanë prejardhjen. Ata kanë shkuar në fshatin Kalmeta, prej nga vjen edhe njëri ministër i quajtur Bozhidar Kalmeta, dhe kemi dashur ta shohim se prej nga vjen ai dhe njerëzit e tjerë me këtë mbiemër. Ata më pas kanë vizituar edhe Korçën, e Tiranën ndërsa më pas kanë qenë të ftuar dy herë në një emision të rëndësishme kroate, për të treguar eksperiencën e tyre në Shqipëri.

“Është një traditë shumë e madhe nga kemi ardhur, kush jemi dhe si po flasim. Ne dhe gjenerata ime po flasim arbërisht, por fëmijët e vogël nuk po dinë, janë 280 vjet që ne e kemi ruajtur gjuhën”, thotë Stipçeviq në këtë intervistë.

Lidhur me këngën “Unë jam arbëresh”, ai thotë se kjo është një këngë origjinale që e kanë sjellë nga Shqipëria, ai thotë se me vete e kanë marrë melodinë e kësaj këngë kurse fjalët i kanë shkruar vet, ndërsa Stipçeviq po ashtu tregon se si ai si fëmijë është rritur më këngë arbëreshe.
“Unë kam qenë i vogël dhe kam ditur dy-tri këngë që nëna ime m’i ka mësuar, unë kam ditur t’i këndoj këto këngë”, ka thënë arkeologu Aleksandër Stipçeviq. Ai krejt në fund të intervistës tregoj për ruajtjen e gjuhës arbëreshe, e cila kuptohet nga shqiptarët e Shqipërisë, mirëpo jo edhe arbëreshët e Zarës janë në gjendje ta kuptojnë për shkak se nuk kanë mundur ta përcjellin zhvillimin e gjuhës./KultPlus.com

Erodita Qorkadiu Haxhiu dërgon veshjet tradicionale në Belgjikë dhe Francë (FOTO)

Për nder të dhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, veshjet e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu do të rrugëtojnë në Belgjikë dhe në Francë, përmes ekspozitës dhe një sfilate me këto veshje, shkruan KultPlus.

Veshjet tradicionale të kornizuara janë të punuara nga etnografja kosovare, Erodita Qorkadiu Haxhiu, ndërsa pikturat janë të punuara nga piktorja Valdete Berisha, e cila jeton dhe vepron në Belgjikë.
E veçanta e këtij prezantimi të veshjeve tradicionale nga të gjitha trojet shqiptare, është se etnologia Qorkadiu- Haxhiu do t’i prezantoj ato përmes një sfilate. Për t’i sjellë ato në skenë, tashmë janë paraqitur shumë vajza shqiptare që jetojnë në diasporë.

Erodita Qorkadiu- Haxhiu tregoi për KultPlus se për këtë ekspozitë, asaj me veshje i kanë ndihmuar shoqata të ndryshme të grave, nëna të dëshmorëve e gra kryefamiljare dhe në veçanti Muzeu Etnografik në Pejë, ndërsa nuk ka munguar përkrahja as nga Muzeu Etnografik në Prishtinë. Po ashtu ajo tha se Muzeu Etnografik i Pejës, ka punuar kukulla enkas me veshje kombëtare së bashku me fëmijët me nevoja të veçanta.

Ajo tha se qëllimi i saj është që përmes ekspozitës së saj, e sfilatës ta promovoj kulturën shqiptare sa më mirë dhe që kjo traditë të bartet edhe tek gjeneratat e reja, ashtu siç e kemi trashëguar nga të parët tanë.

Sfilata do të mbahet në Teatrin Mbretëror më 16 Shkurt, kurse ekspozita e përbashkët më 18 Shkurt, në galerinë e quajtur “Art for everyone”,në Namur të Belgjikës. Përveç kësaj ajo po planifikon që këto veshje t’i prezantoj edhe në Francë, në qytetin e Strasbourgut, pikërisht në ditën e Pavarësisë së Kosovës, më 17 Shkurt. Këtë ekspozitë do ta prezentoj në bashkëpunim me etnologen franceze Martina Wolf, ku do të marrin pjesë fëmijë shqiptar dhe francez, që do të veshin veshjet nga koleksionin e etnografes Erodita Qorkadiu Haxhiu./KultPlus.com

14 filma kosovarë do të shfaqen në Kino ABC për shënimin e 10 vjetorit të Pavarësisë

14 filma kosovarë të mbështetur nga QKK do të fillojnë shfaqjen në Kino ABC që nga nesër, 8 shkurt deri me 17 shkurt 2018 për të shënuar 10 vjetorin e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Kjo iniciativë erdhi si rezultat i nënshkrimit të Memorandum Bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Kinemasë ABC.

Për 10 ditë do të shfaqen filmat kosovarë të cilët kanë pasur suksese të jashtëzakonshme ndërkombëtare, si prej nominimit në Oscar, pastaj në festivalet e mëdha si ai i Karlovy Vary-it, Venedikut, Sarajevës, Varshavës, Tallinnit, Kairos, Montrealit etj.

Hapja do të bëhet me 8 shkurt ku do të shfaqen filmat ‘Shok’ nga Jamie Donoughue, ‘Home’ nga More Raça, ‘Ballkoni’ nga Lendita Zeqiraj, ‘Si qeni n’rrush’ nga Driton Hajredini dhe Yll Çitaku duke vazhduar në ditë në vijim me filmat: ‘Kolona’ nga Ujkan Hysaj, ‘Daullet e Rezistencës’ nga Mathieu Jouffre, ‘Me dasht’, me dasht’, me dasht’,’ nga Ilir Hasanaj, ‘Trapped by Law’ nga Sami Mustafa, ‘Home Sweet Home’ nga Faton Bajraktari, ‘Tri Dritare dhe një Varje’ nga Isa Qosja, ‘Martesa’ nga Blerta Zeqiri, ‘T’padashtun’ nga Edon Rizvanolli, ‘Eho’ nga Dren Zherka dhe ‘Babai’ nga Visar Morina./KultPlus.com

Kosova bëhet me ‘gardianë’ të trashëgimisë kulturore

Berat Hadri, Labërie Dakaj dhe Pajtim Zogaj janë inspektorët e parë të cilët janë zgjedhur nga Ministria e Kulturës për të qenë pjesë e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Ministri Kujtim Gashi i cili edhe prezantoi inspektorët para medieve i konsideroi ata gardianë të trashëgimisë kulturore duke theksuar se mendon se janë pikërisht inspektorët e trashëgimisë kulturore ata të cilët mund të mbrojnë trashëgiminë e vendit.

Alberina Haxhijaj

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Kujtim Gashi theksoi se Ministria kan shumë punë për të bërë në këtë fushë dhe tashmë ka ndarë edhe mjete të mjaftueshme nëpër qendra të trashëgimisë kulture të cilët po hartojnë projekte të ndryshme me qëllim që të ruajnë këto asete të çmueshme për Kosovën.

“Deri më tani ndoshta edhe si mungesë e inspektorëve të trashëgimisë kulturore ne kemi pasur herë edhe shkatërrim të trashëgimisë së kulturës, madje edhe dëmtime të pjesshme të aseteve tona të çmuara por veçanërisht viteve të fundit kemi pasur edhe një degradim të madh të trashëgimisë kulturore në disa prej qyteteve të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai duke theksuar se tashme viti 2018 do të jetë vit i trashëgimisë kulturore dhe se ky është vetëm hapi i parë drejt këtij synimi.

“Kosova ka nevojë për gardianë të trashëgimisë kulturore dhe ne kemi menduar se pikërisht këta janë njerëzit të cilët mund ta mbrojnë trashëgiminë tonë kulturore”, u shpreh Gashi i cili tha se ky mekanizëm do të jetë 24 orë në monitorim të aseteve tona të trashëgimisë kulturore.
Ky veprim u konsiderua edhe një përmbushje e detyrave që ka kjo Ministri ndaj plotësimit të kritereve për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

“Ditëve në vazhdim do të kërkojmë edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës por edhe nga Ministria e Financave që të na mundësojnë që të rrisim këtë numër. Ne jemi në proces të marrjes edhe të një inspektori ku do të kemi katër inspektorë dhe një punëtorë administrativ që do e ndihmojë këtë mekanizëm. Kurse muajve dhe viteve në vazhdim ky numër do të rritet sepse Kosova ka një trashëgimi të çmuar dhe ka nevojë për një numër më të madh”, përfundoi ministri Kujtim Gashi.

Berat Hadri i cili do të jetë udhëheqësi i zyrës së Inspektoratiti të Trashëgimisë Kulturore njoftoi se ata tashmë kanë filluar që të hartojnë aktet nënligjore më të cilat do të punojnë si dhe rregulloren e punës së këtij inspektorati.

“Ne jemi në hartim të rregullores dhe tashmë është bërë një draft i rregullores në lidhje me kompetencat dhe detyrat e Inspektoratit për Trashëgimi Kulturore dhe mendojmë se do të jetë gati më 31 mars”, u shpreh ai duke shtuar se pas kësaj do të vazhdojnë tutje me punën në terren dhe monitorimin e aseteve të trashëgimisë kulturore.

Gjithashtu u bë e ditur se së shpejti do të krijohet edhe një komunikim online në kuadër të zyrës së trashëgimisë. Aty, qytetarët do të kenë mundësi që të raportojnë raste të caktuar në mënyrë që inspektorët të veprojnë pastaj. Në vitit 2006, kur edhe është miratuar Ligji për Trashëgimi Kulturore, Inspektorati është paraparë si organ që do të inspektojë monumentet që mbrohen nga shteti./KultPlus.com

Ky ishte aktori amerikan që kishte ndihmuar refugjatët e Kosovës me 250 mijë dollarë

Paul Newman kishte ndihmuar refugjatët e Kosovës me 250 mijë dollarë në kohën e luftës dhe pikërisht për anën humane të këtij aktori të njohur botëror, tashmë është propozuar që një rrugë e Prishtinës të emërtohet me emrin e tij, shkruan KultPlus.

Një propozim i tillë ka ardhë nga Lirak Çelaj, i cili këtë propozim e ka adresuar për Komunën e Prishtinës.

“Propozoj qe ne 10 vjetorin e Pavaresise se Kosoves, Komuna e Prishtines ta emertoje nje rruge me emrin e aktorit te njohur Amerikan Paul Newman i cili gjate luftes ne Kosove ka dhene ndihma per refugjatet Shqiptar nga Kosova, ne vlere prej 250000 dollaresh”, ka shkruar Çelaj./KultPlus.com

Kur xhirohej seriali i famshëm “Fidani”, Faruk Begolli në vitet e 80-ta

Ka qenë seriali i parë në gjuhën shqipe i realizuar në Kosovë, i cili në vitet e 80-ta, mbërthente të gjithë fëmijët para ekranit televiziv, që të shihnin aventurat e Fidanit, i cili ikë nga shtëpia, shkruan KultPlus.

Ky serial është realizuar me skenar të Ibrahim Kadriut dhe regji të Sadedin Prekazit, kurse muzika e këtij seriali është punuar nga Musa Piperku, ku kënga e këtij seriali ishte shndërruar në një hit për atë kohë.

Mirëpo, mbi këtë serial, edhe pse i pari i këtij lloji në Kosovë, nuk ka të dhëna në faqen e Qendrës së Kinematografisë së Kosovës, sikurse që nuk ka të dhëna as në faqet tjera online. Përpos në Wikipedia, që ka informacione të pakta, mbi këtë serial nuk ka ndonjë informatë më të thellë.

KultPlus ka siguruar fotografi të papara deri më tashti,ku shihet Faruk Begolli përgjatë xhirimeve të këtij seriali, ku këto fotografi janë realizuar në banesën e kameramanit Veton Berisha, ku një pjesë e këtij seriali është xhiruar po në banesën e Vetonit./KultPlus.com

Duartrokitje të gjata për Placido Domingon e Ermonela Jahon në Pekin

Sopranoja Ermonela Jaho është ngjitur në skenën e Qendrës Kombëtare të Arteve në Pekin në rolin e Thaïs, personazhit kryesor të operës me të njëjtin titull. Ajo është paraqitur në krah të baritonit me famë botërore Placido Domingo, që në veprën e kompozitorit francez, Jules Massenet, u prezantua me rolin kryesor të murgut, Athanael, shkruan KultPlus.

Ngjarjet zhvillohen në Egjiptin bizantin të shekullit të IV para erës sonë. Murgu Athanael që jeton në Aleksandri, përpiqet të konvertojë kurtizanen e quajtur Thais në krishterim, por zbulon mëkatin trupor dhe e gjen veten të nënshtruar ndaj hijeshisë së saj.

Forca krijuese që fshihet pas prodhimit të ‘Thais’-it nga Qendra Kombëtare e Arteve e Pekinit, është regjisori argjentinas Hugo de Ana. Ai është gjithashtu skenografi dhe kostumografi i shfaqjes.
Opera ‘Thaïs’ është vepra e parë e Qendrës Kombëtare të Arteve të Pekinit për kalendarin e vitit 2018, kurse audienca e atjeshmë është mrekulluar me performancën e kësaj shfaqje, ku duartrokitjet e tyre shihen edhe nëpërmjet videos më poshtë./KultPlus.com

Ismail Kadare nominohet për Çmimin e Letërsisë nga BERZH

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare dhe vepra e tij “Kamarja e Turpit” është përzgjedhur si një ndër gjashtë autorët më të mirë në garë për Çmimin e Letërsisë.

Çmimi do të jepet nga Banka Europiane për Rindërtim e Zhvillim dhe në short-listën prej 6 shkrimtarësh, Kadare garon krahas autorëve të tjerë të njohur, si shkrimtari Orhan Pamuk. Ceremonia e ndarjes se çmimit do të mbahet më 10 prill, ndërsa kjo është hera e parë që BERZH shpall për herë të parë nominimet për çmimet në letërsi, shkruan gazeta shqiptare.

Çmimi do të shoqërohet edhe me vlerën e 20.000 eurove. Vepra “Kamarja e Turpit” është shkruar rreth 40 vite më parë në gjuhën shqipe, si një parodi mbi diktaturën komuniste dhe ëhstë përkthyer vitin e kaluar edhe në gjuhën angleze./KultPlus.com

TO GO WITH STORY BY LAURENT LOZANO
Albanian novelist Ismail Kadare gestures during an interview with AFP on February 8, 2015 in Jerusalem. Born in 1936 in the Albanian mountain town of Girokaster, Kadare has won a number of prestigious prizes including the first international Man Booker Prize in 2005. AFP PHOTO/ GALI TIBBON

Gjurmëve të gjeniut

Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj – Gashi është një kërkim mbi gjurmët e gjeniut gjerman në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Ky kërkim mbi fenomenin Goethe, i bërë sipas metodës integrale, argumenton interesimin e përkthyesve, studiuesve, shkrimtarëve dhe lexuesve shqiptarë për veprën kolosale të autorit gjerman, receptimi, adhurimi dhe ndikimi i të cilit në kulturën shqipe vjen bashkë me konsolidimin estetik të saj.

Profili i studiueses

Studiuesja Albulena Blakaj, profesoreshë e letërsisë gjermane në Universitetin e Prishtinës, ka përkthyer, shkruar dhe botuar shkrime nga dhe për autorë si Goethe, Mann, Trakl, Süskind etj., si dhe ka shkruar një sërë studimesh letrare dhe kulturore nëpër revista shqiptare dhe ndërkombëtare, me të cilat ka zgjuar interesim te lexuesit shqiptarë dhe të huaj. Interesimi kryesor i saj lidhet me figurën e shkrimtarit të madh botëror, Goethe, për veprën e të cilit ka bërë studimin e doktoratës dhe ka publikuar disa studime në gjuhën shqipe dhe gjermane.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare është libri i parë i saj dhe monografia e vetme shqiptare që trajton çështjen e receptimit të kryeshkrimtarit gjerman në kulturën dhe letërsinë shqiptare. Rrjedhimisht, kjo është monografia më e madhe shqiptare e shkruar sipas metodës gjermane të receptimit.

Objekti i studimit

Libri i studiueses Albulena Blakaj, që ka për objekt autorin Johann Wolfgang von Goethe, përkatësisht receptimin dhe ndikimin e tij në kulturën tonë, është një studim që ballafaqon një shkrimtar të madh me kulturën shqiptare, duke shtuar kontributin në shkencën e studimeve mbi Goethe-n dhe duke e lartësuar kulturën shqiptare, e cila ishte mjaft mikpritëse, madje shpesh adhurimtare, ndaj shkrimtarit gjerman. Kështu, ky studim jo vetëm që mbush një vakuum në studimet tona, por edhe nderon letërsinë dhe kulturën tonë me rezultatet që sjell. Derisa receptimi, si tezë primare, është njëri nga segmentet që kërkohen, dokumentohen dhe komentohen në këtë studim, ndikimi, si tezë sekondare, është një fenomen më i vështirë për t’u eksploruar, pasi askund nuk është shfaqur në mënyrë të afishuar, por ka dalë thjesht si i nënkuptuar. Pavarësisht vështirësive, autorja e këtij studimi e ka kaluar këtë sfidë, duke i argumentuar bindshëm hipotezat e saj mbi receptimin dhe ndikimin.
I ndarë në gjashtë pjesë, studimi për Goethe-n sjell portretin e tij të gjallë dhe hijen e tij të madhe të përhapur mbi vende dhe kultura të ndryshme, me theks të veçantë në hapësirën dhe kulturën shqiptare, ku, siç shihet në pjesën e fundit të këtij studimi, edhe pse hija e poetit gjerman nuk ishte shtrirë sa e si duhej, nuk mungonte dëshira për të qenë nën atë hije, prandaj njëri nga kritikët e parë dhe më seriozë të letërsisë shqipe, Krist Maloki, i njohur për edukimin në universitete austriake, ku mori dy doktorata, dhe për tonin e rreptë kritik, i pakënaqur me praninë e vogël të veprës së madhe të Goethe-s në kulturën shqipe, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së poetit gjerman, uron që kjo të ndryshojë me rastin e 200-vjetorit të lindjes së këtij gjeniu dhe të fillojë edhe ner ne një përlindje kulturore, të përhapet i mallshëm goethean, e të na mëlojë një hieje weimar-jane shqiptare!
Studimi interpretues dhe evidentues i studiueses Albulena Blakaj ngrihet mbi hulumtimin nëpër arkiva të ndryshme, prandaj gëlon nga emra të shumtë që janë marrë me veprën e shkrimtarit gjerman, qoftë duke e përkthyer, qoftë duke e analizuar, apo duke e përkujtuar. Kështu, regjistri i emrave meritorë për ardhjen e Goethe-s në kulturën letrare shqiptare është shumë i gjatë dhe përfshin personalitete të mirënjohura, të njohura dhe më pak të njohura, që nëpërmjet punës së tyre traduktore apo interpretative, synonin ta bënin të njohur poetin gjerman te lexuesi shqiptar, i cili për arsye të njohura historike, sociale dhe politike, kishte ngecur pas në receptimin e vlerave estetike të këtij kolosi botëror, fama e të cilit në botë kishte eklipsuar të gjithë bashkëkohësit e tij. Ndër emrat e përmendur, të evidentuar, apo të komentuar në këtë studim janë: Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Hilë Mosi, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Skënder Luarasi, Sejfulla Malëshova, Krist Maloki, Lazër Shantoja, Zef Simoni, Vangjel Koça, Branko Merxhani, Shevki Selenica, Aleks Buda, Hasan Mekuli, Klara Kodra, Shpëtim Çuçka, Përtef Kruja, Fatos Arapi, Petraq Kolevica, Pashko Gjeçi, Arshi Pipa, Petro Zheji, Bujar Doko, Robert Shvarc, Perikli Jorgoni, Aristidh Ristani, Visar Zhiti, Vehbi Bala, Jorgo Bllaci, Anila Omari etj.
Libri mbi Goethe-n i përmbahet një logjike studimore, duke filluar me portretin e autorit të zgjedhur për objekt studimi, për të kaluar te fama, kritika, përkthimi dhe komentimi dhe për t’u mbyllur me evidentimin e teksteve të hershme mbi veprën e autorit gjerman të botuar në shtypin shqiptar, tekste këto që botohen si homazhe dhe që sjellin një frymë adhurimi ndaj këtij shkrimtari, i cili, sipas tyre, por edhe sipas disa studiuesve të huaj, kishte kaluar përmasat njerëzore dhe konsiderohej si gjysmëperëndi, që adhurohej gjithandej nëpër botë.

Metoda e studimit

Ky studim është një kritikë receptive, e bazuar në teorinë e receptimit të teoricienit gjerman Hans Robert Jaus, si një qasje alternative e hermeneutikës së filozofit gjerman Hans-Georg Gadamer. Mirëpo, për shkak të natyrës së objektit, studimi nuk i përmbahet vetëm një metode dhe realizohet qëllimisht si sinkretizëm metodash kritike për të sjellë të plotë portretin e autorit që krijoi konceptin e letërsisë botërore, weltliteratur, dhe u bë pastaj një ndër përfaqësuesit kryesorë të asaj letërsie, krahas Homerit, Dantes dhe Shekspirit.
Studimi Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare, përveç informacionit detajizues mbi ndikimin dhe receptimin e veprave të shkrimtarit gjerman, sjell edhe analiza për veprat e ndryshme të tij nga autorë dhe përkthyes të njohur shqiptarë. Pra, studimi vjen si një kërkim kritik që nënkupton hulumtimin, analizën dhe komentimin. Në këtë mënyrë, studimi ka status të dyfishtë: kritik dhe metakritik. Në të flitet për receptimin nëpërmjet përkthimit dhe kështu zbulohet dëshira e shqiptarëve për ta integruar në kulturën e tyre këtë figurë madhore botërore, si dhe zbulohet kapaciteti i gjuhës shqipe dhe i shkrimtarëve dhe përkthyesve të saj për t’u përballur me përkthimin e kryeveprave të këtij autori.
Nëpërmjet pjesës metakritike të librit, studiuesja Albulena Blakaj bën zigzage metodike, duke e sjellë fillimisht tekstin si rezultat të një hulumtimi, pastaj duke e diskutuar nëpërmjet tri mënyrave interpretuese: leximit, analizës dhe komentimit. Funksioni i leximit kritik është përfolës, funksioni i analizës është shkoqitës, kurse funksioni i komentimit është alternim i dy mënyrave të para.

Rezultatet e receptimit

Ky studim monografik mbi receptimin e një kolosi botëror në kulturën shqiptare, i studiueses Albulena Blakaj, është një kontribut i rëndësishëm shkencor dhe letrar, sepse sjell një burim të pasur informatash mbi receptimin dhe përflet, diskuton, komenton, analizon, interpreton dhe kritikon tekste dhe probleme të kthyera në objekt studimor. Nëpërmjet këtij studimi shihet qëndrimi i shqiptarëve ndaj veprës së Goethe-s, një qëndrim që herë është më entuziast, herë më racional, por gjithmonë adhurues.
I shkruar me sinkretizëm metodash kritike dhe me etikë akademike, ky studim i përmbush kriteret kritike dhe akademike, i plotëson nevojat universitare, hap shtigje në studimet tona krahasimtare dhe, përgjithësisht, nderon studimet shqiptare, pasi që, si për nga metoda, ashtu edhe për nga objekti, sjell përvoja dhe dëshmi për një tendencë të hapur të studiuesve, shkrimtarëve dhe përkthyesve shqiptarë drejt letërsisë botërore.
Monografia Goethe dhe receptimi i tij në kulturën shqiptare i studiueses Albulena Blakaj, është studim i rëndësishëm jo vetëm për rezultatet që sjell, por edhe për shtigjet që hap. Është për t’u lavdëruar që në krye të studimeve tona të receptimit tash e tutje do të jetë figura e atij që është në krye të letërsisë botërore, figura e shkrimtarit botëror Johann Wolfgang von Goethe. /KultPlus.com

Dhimbje e madhe për Tinka Kurtin

Aktorja e madhe shqiptare Tinka Kurti ka humbur djalin e saj të vetëm Zef Kurti, shkruan KultPlus.
Për këtë ka njofrtuar shkrimtarja Flutura Acka, e cila njëherit është edhe mike e aktores Kurti.

“Tinkën, ç’e paska gjetë!
Nuk i bie dot telefonit nga larg e ta ngushëlloj, nuk kam fuqi. “Kam frikë se nuk do të më gjejë djali gjallë kur të vijë,” thoshte ndonjëherë në bisedat tona të shpeshta, dhe fliste, dhe fliste, dhe fliste për Zefin… si nëna për djalin, ka shkruar Acka.

Ndërkohë vetë Tinka Kurti së fundi ishte duke u kuruar, e cila pati probleme shëndetësore, edhe pse ishte në mes të provave të shfaqjes operistike”Carmen”. /KultPlus.com

Njeriu si ingranazh

Ernesto Sabato, i cili pohon ironikisht se njerëzit e sotëm “krenohen me triumfet e mëdha të shkencës së tyre, për faktin e vetëm se kanë zëvendësuar zhvillimin e lisë më atë të kancerit”, insiston se triumfi i vërtetë është që njeriu të sigurojë qenësinë e vet autentike, të mos jetë pjesë e kësaj makinerie të madhe, të mos jetë një ingranazh më shumë i saj

Fatbardha Statovci

Libri problematik i Ernesto Sabatos, “Njerëzit dhe ingranazhet” (botuar nga Shtëpia Botuese “Om” dhe përkthyer prej origjinalit spanjisht nga Orjela Stafasani), ndonëse mund të tingëllojë një klishe, është libri më goditës që kam lexuar deri më sot. Një varg pyetjesh, akuzash e dilemash, mbufatnin mendjen time gjatë takimit me secilën frazë, koncept e ide, që më përplasnin fytyrës të vërtetën e madhe, të hidhur e mizore, se qenësia humane e njeriut po ikën e po transformohet bashkë me Progresin e Madh teknologjik. Ky libër, i ndarë në katër kapituj, me njëzet e katër nënkapituj – pa llogaritur arsyetimin dhe hyrjen – strukturohet mbi bazën e disa dikotomive: shkenca – arti, abstrakja – konkretja, humanja – dehumanizimi, nihilizmi – shpresa, arsyeja – instikti (apo racionalja dhe irracionalja), vlera logjike – vlera etike, që japin të sintetizuar idenë e madhe të Sabatos që konsiston te thirrja për shpëtim, thirrja për rivlerësim të situatës momentale (që embrionalisht është mjaft e moçme) e cila është kaotike deri në skaj dhe e cila e ka ‘çnjerëzuar njeriun’. Por, në një mënyrë apo tjetër, është njeriu vetë ai i cili e solli situatën deri në këtë shkallë. Pra, ekziston kauzaliteti: dëshira e paepur për fuqi, para, avancim, progres teknologjik, si shkak dhe dehumanizimi, humbja në ortekun e madh të abstraksionit, si pasojë.
U dhashë pas rreshtave të librit me tërë qenien time, për dy shkaqe: i besova unit të Sabatos shkencëtar dhe e ndjeva thellë dhe bindshëm unin e Sabatos artist. Në “Arsyetim”, që është njëfarë parahyrjeje e librit, Sabato dëshmon se libri është një autobiografi shpirtërore, ditar i një krize, dhe kjo mban një lloj vule, meqë e dimë se Sabato braktisi shkencën për t’iu dorëzuar i tëri artit (pikturës e letërsisë), duke dëshmuar e vërtetuar se qenia e tij nuk duron kurrëfarë kornizash robotike, çka, për fat të keq, duron pjesa më e madhe e njerëzimit sot. Si derivat i kësaj vjen vetmia e përhershme e Sabatos individ. Në “Hyrje” ai pajtohet me mendimin e Martin Buberit se ‘qenia njerëzore duket se e gjen veten në botë si një i huaj vetmitar dhe i pashpresë’. Sa e madhe duhet të jetë kjo vetmi, ky boshllëk i autorit, që edhe në shkrimet e tij jofiksionale bëhet melmesë bazike. (Te “Tuneli” e gjejmë po kështu, tip vetmitar, me një tip inferioriteti kundrejt njerëzimit, veçse, dikur, e sheh si olimpike vetminë e vet!).

Djalli është zot i tokës

Qysh në hyrje, Sabato e vë në faj njeriun (referimi bëhet në vetën e tretë, duke mos lënë hapësirë për distancë mes tij dhe ‘tjetrit’) për, absolutisht, gjithçka, duke pohuar se “bota është produkt i vullnetit tonë, i përpjekjes sonë për dominim”. Vrazhdë, mizorisht, pozicionohet për njeriun – soj të fëlliqur: “Dy luftërat botërore, diktaturat totalitare dhe kampet e përqendrimit më në fund na kanë hapur sytë për të na zbuluar me vrazhdësi llojin e përbindëshit që e kemi lindur dhe rritur me krenari”, për ta forcuar dhe më tej pohimin, duke e barazuar njeriun modern me djallin: “Ky është njeriu modern. I njeh forcat që e qeverisin botën, i ka në shërbim të tij, është zot i tokës: është djalli.”
Ky historik i Sabatos se si njeriu u shndërrua në një ingranazh, nis nga Rilindja e cila, sipas tij, prodhoi një paradoks të vetëm dhe gjigant: dehumanizimi i humanizmit, që vjen si rezultat i dy forcave dinamike dhe amorale: paraja dhe arsyeja. Në këtë rrjet zinxhiror vjen, më pas, pushteti (që manifestohet në forma të ndryshme, deri te krijimi i atij që quhet Supershtet, i bazuar në makineri e totalitarizëm), i pasuar nga motoja e madhe, që është kulminacioni: “gjithçka është e mundshme”. Si rezultat i kësaj, njeriu e humb përherë e më shumë konkretësinë dhe vjen duke u shndërruar në ‘njeriun-masë’ (sipas konceptit të Sabatos), që s’është gjë tjetër pos një ingranazh i një makinerie gjigante anonime. Bumerangu i tmerrshëm ndodh kur “njeriu sekular – animal instrumentificum – më në fund lëshon makinën kundër natyrës, për ta pushtuar atë, por dialektikisht makina do të përfundojë duke e dominuar krijuesin e saj”. Këtu gjenerohet pastaj mentaliteti llogaritës që përfundimisht pushton njerëzimin, ku dija teknologjike mund ndjesitë metafizike, ku dinamizmi, shpejtësia, efikasiteti, imponohen krejt natyrshëm e konvertohen në praktikë rutinore: “Në një shoqëri në të cilën kalimi i thjeshtë i kohës shumëfishon dukatet, ku “koha është ar”, është e natyrshme ta matësh atë dhe ta matësh me imtësi”. Është, pra, shekulli XV, kur përllogaritja e kohës çon deri te shndërrimi i saj në entitet abstrakt e objektiv, kur matet specifikisht koha e hapësira, kur pushteti është idhulli maksimal.
Dysia kapitalizëm – shkencë, e keqja e madhe, manifestohet së pari me zbulimin e Amerikës, për të përfshirë pastaj gjithë rruzullin tokësor dhe për t’u shndërruar në një “vorbull gjigante” që, si fushë magnetike fort tërheqëse, do të ngrehë qeniet njerëzore brenda. Në këtë drejtim, Sabato vë në sfond jehonën e zërit të Zhak Kërit, i cili me veprimtarinë e tij financon luftërat dhe përfiton prej tyre. Është interesante pikëpamja e Sabatos lidhur me udhën e njeriut drejt pushtetit përmes abstraksionit. Sipas tij, “ideja që pushteti është i lidhur me forcën fizike dhe me materien është besim i njerëzve pa imagjinatë”. Pra, synimi kah abstraksioni, ndarja ekzakte nga konkretja, çon në shterpësi dhe humbet çdo veçanti, sepse, sipas konceptit të tij, të qenit sa më përgjithësues është të qenit aq më abstrakt (theksi vihet te lidhja e ngushtë mes kapitalizmit dhe abstraksionizmit). Dhe, në fund, peshorja mes abstraktes dhe konkretes anon kah abstraktja!

Njeriu, kafsha që e shkatërron mjedisin e vet

Problemi i madh i njeriut, në përgjithësi, ishte në lidhje me receptimin e ideve dhe gjërave. Është interesante se njeriu sa më pak kupton nga një fushë, aq më shumë priret t’i besojë, t’i frikësohet, t’i nënshtrohet… Kështu ngjan edhe me shkencën, ligjin matematikor dhe matematikanët: “Dhe i adhuruan. Sa më pak që i kuptonin” – këlthet dikund Sabato, duke potencuar faktin se, përveç të matshmes, nuk ekzistonte tjetër e vërtetë dhe se “çdo gjë tjetër ishte iluzion i pastër dhe mashtrues i shqisave tona”, për të plasuar pohimin grandioz se “bota e shkencës i injoron vlerat”. Kjo është, pra, vënia përballë e dy kategorive të ndryshme, fort të ndryshme, shkenca ekzakte dhe ajo humane, për të rrëfyer brutalitetin me të cilin “ekzaktësia” mbyt “humanitetin”. Duke qenë se sasiorja apo e matshmja bëhet kult, në skenë vjen njeriu-kukull, që zor se ndien, mendon si njeri, dashuron e ka pasione apo ndjesi, gjë me të cilën Sabato assesi nuk pajtohet, sepse ai nuk e sheh njeriun si një objekt të thjeshtë fizik mu për shkakun se është i pajisur, përveç frymës, edhe me shpirt, fetishizmi për makinën, arsyen e materien. Skenë ku marifetet shkencore janë e vetmja kreni e këtyre njerëzve-robotë. Ironikisht, Sabato pohon: “…krenohen me triumfet e mëdha të shkencës së tyre, për faktin e vetëm se kanë zëvendësuar zhvillimin e lisë më atë të kancerit”. Triumfi i vërtetë është që njeriu të mos jetë produkt i rrethanave, të sigurojë qenësinë e vet autentike, të mos jetë pjesë e kësaj makinerie të madhe, të mos jetë një ingranazh më shumë i saj.
Është shumë e çuditshme: një univers i krijuar nga vetë dora e njeriut dhe një univers në shkatërrim e sipër nga po kjo dorë: “Njeriu është kafsha e parë që e ka krijuar mjedisin e vet. Por, ironikisht, ai është kafsha e parë që në këtë mënyrë po e shkatërron veten.” Sa lexoja këtë fjali, më vërtitej nëpër mendje historia e Çernobilit, fataliteti dhe mizoria e saj. Ajo që, edhe sot, cilësohet një “terra incognita” për sytë e botës, sytë që s’duan të shohin. Sytë që kanë participuar në krijimin e fuqisë nukleare dhe mbyllen lehtazi përballë pasojave të saj, indiferentë e shpërfillës. Një shoqëri ku mbizotëron mentaliteti mekanik, ku “mjetet shndërrohen në qëllime”, ku “ora që doli për ta ndihmuar njeriun, sot është shndërruar në një instrument për ta torturuar atë”, ku “shpejtësia e komunikimeve tona ka valorizuar deri edhe fraksionet e minutave dhe e ka kthyer njeriun në një kukull të çmendur që varet nga marshimi i sekondave”, ku makina u shpik dhe u përsos për qëllimin e vetëm që të kishim më shumë kohë të lirë dhe praktika dëshmoi se “çdo ditë kemi më pak kohë”. (Disa ditë më parë lexova se qenka shpikur një makinë për palosjen e rrobave, me qëllim të kursimit të kohës!). Kështu, tash njeriut-send i liron skenën njeriu universal, këtë skenë të qytetërimit teknolatrik e cila përbëhet nga ajo që Sabato vendos ta quajë “shoqëri fantazmore”. Shoqëri në të cilën s’e gjen një individ “të veshur me elemente konkrete, që do të mund ta dëmtonte funksionimin e Makinerisë së Madhe”, sepse kjo e fundit s’e duron individualitetin, të veçantën njerëzore, sepse “Supershteti ka nevojë për njerëz-sende, të ndërkëmbyeshme, si pjesë rezervë të një makinerie”, ky qytetërim që ka skematizuar gjithçka, sjelljen, mendimin, mënyrën e jetesës, ky qytetërim që ka uniformizuar gjithçka e çdonjërin.

Kuptimi misterioz i jetës

Sabato bën pyetjen e madhe, që lind nga kriza e madhe: për çfarë shërben gjithë ai aparat i dominimit të botës, nëse nuk shërben për ta zgjidhur ankthin para enigmave të përjetshme të jetës dhe vdekjes? Dhe vërtet, cilën situatë kufitare ka zgjidhur shkenca? Cilin fjalëkryq enigmatik, në të cilin kryqëzohen jeta e vdekja, dashuria e dhimbja, sinqeriteti e rrena, e fshehta njerëzore që buron nga ai që ekziston pavarësisht trupit, shpirti pra, që ka tunduar njerëzimin prej filleve të tij deri në ditët e sotme, ka zgjidhur shkenca? Asnjë. Përballë shpirtit njerëzor, sekreteve e fuqisë së tij, shkenca është shumë e varfër. Dhe këtu vijmë te sinteza e famshme që propozon Sabato, te mesi i artë, mesi i harmonishëm: njeriu mes arsyes (racionalitetit) dhe paarsyes (irracionalitetit/instiktit). Racionalizmi i tepruar e bën njeriun automatik e robotik, sepse arsyeja përjashton kategorikisht instiktin dhe, kësisoj, arsyeja mund emocionin, ndjesinë, ndjenjën dhe gjithçka që përbën veçantinë e shpirtit njerëzor. Sabato citon pjesë nga novela “Shënime nga nëntoka” të Dostojevskit, ku, në dobi të instiktit, potencohet: “lypset pranuar se, ndonjëherë, edhe një e një bëjnë tre, s’është keq”. Logjika e hekurt plason njeriun e hekurt.
Njeriu është njeri në thjeshtësinë e tij, i përbërë nga simbioza të ndryshme: mirësi dhe dashakeqësi, ligësi dhe fisnikëri, bujari dhe koprraci, dhe ashtu duhet parë e trajtuar: “Zemra e njeriut është e gjallë dhe kontradiktore, si vetë jeta, thelb i së cilës është”. Dhe këtu mugullon shpresa e vakët e Sabatos, shpresa se “bota duhet ta ketë një kuptim”, se “pozicioni i vërtetë nuk është as njëri as tjetri, por njohja e tjetrit, e bashkëbiseduesit, e të ngjashmit”, se pavarësisht të gjithave, njeriu, nga instikti i jetës vazhdon duke ecur para, “vazhdon të gjurmojë rrugë, të lërojë tokën, të krijojë vepra të bukura, në mes të një bote barbare dhe armiqësore”. Këtu Sabato e gjen kuptimin misterioz të jetës./KultPlus.com

Mrizi i Zanave, reportazh nga Rai Uno

“Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës dhe Altin Prenga në një Reportazh fantastik te realizuar nga kanali televiziv italian RAI UNO.

Tek “Mrizi i Zanave”, i cili ka marrë emrin e veprës poetike të Gjergj Fishtës, nuk mblidhen zanat, por qytetarë shqiptarë nga të gjitha viset e të huaj që vijnë për të shijuar kuzhinën tradicionale me produkte ekskluzivisht të zonës.

Indianët e Amerikës kanë lënë një kod prej 20 pikash për njerëzimin

1. Zgjohu bashkë me Diellin. Lutu vetëm dhe shpesh. Shpirti i Madh do të të dëgjojë, vetëm nëse flet.

2. Ji tolerant me njerëzit që kanë humbur rrugën e tyre. Injoranca, xhelozia, zemërimi dhe babëzia burojnë të gjitha nga një shpirt i humbur. Lutu që ata të gjejnë rrugën.

3. Kërkoje vetveten, ti vetë. Mos lejo që të tjerët të krijojnë rrugën tuaj për ty. Është rruga jote dhe vetëm e jotja. Të tjerët mund të ecin me ty, por askush nuk mund të ecë për ty.

4. Trajtoji mysafirët në shtëpinë tënde me nderime. Shërbeju ushqimin më të mirë, ofroju shtratin më të mirë dhe trajtoi me respekt dhe nder.

5. Mos merr atë që nuk është e jotja, as nga një person, komunitet apo kulturë. Nuk është fituar dhe nuk të është dhënë. Nuk është e jotja.

6. Respekto çdo gjë të vogël mbi tokë.

7. Ndero mendimet, mendimet, dëshirat dhe fjalët e njerëzve të tjerë. Le të shprehë secili vetveten.

8. Asnjëherë mos fol keq për të tjerët. Energjia negative që vendos në univers do të shumëfishohet kur të kthehet tek ti.

9. Të gjithë bëjnë gabime. Dhe të gjithë gabimet mund të falen.

10. Mendimet negative shkaktojnë sëmundje të mendjes, trupit dhe shpirtit. Praktiko optimizmin.

11. Natyra nuk është PER ne, por një PJESE e jona. Kafshët, bimët dhe çdo krijesë tjetër, janë të gjitha pjesë e familjes së botës.

12. Fëmijët janë farat e të ardhmes sonë. Duhet të mbjellësh dashuri në zemrat e tyre, dhe t’i mbushësh me urtësi dhe mësime të vyera për jetën. Kur të rriten, jepu hapësirë të piqen.

13. Mos e lëndo zemrën e të tjerëve. Helmi i dhimbjes që shkakton do të kthehet tek ti.

14. Ji i ndershëm gjithë kohës. Ndershmëria dhe e vërteta janë testet e vullnetit të njeriut në këtë botë.

15. Ruaj ekuilibrin. Stërvit trupin për të fuqizuar mendjen. Pasurohu në shpirt për të kuruar dhimbjen emocionale.

16. Merr vendime të ndërgjegjshëm për atë që do të jesh dhe si do të reagosh. Ji përgjegjës për veprimet e tua.

17. Respekto hapësirën personale të të tjerëve. Mos prek sendet personale të të tjerëve – sidomos objektet e shenjta dhe fetare. Kjo është e ndaluar.

18. Ji i vërtetë, së pari me veten tënde. Nuk mund të ushqesh dhe ndihmosh të tjerët, nëse nuk ushqen dhe ndihmon veten së pari.

19. Respekto besimet e të tjerëve. Mos u përpiq t’u imponosh të tjerëve besimet e tua.

20. Ndaje pasurinë me të tjerët. Bëj bamirësi. / Bota.al