Si vdiq Faik Konica i vetëm dhe me vetëm 15 dollarë e 54 cent në xhep

Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj. Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë. Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në garderobën e tij kishte ndonja dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash. Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden. Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.
Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij. Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral. Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 cent në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra. Oden tha se do të bëhej vetë garant.

Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë. Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë. Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur. Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane. Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Çertifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste. Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta. Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllanë, Mehmetin. Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditëshme me Ann Corion. Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin. Washington Post-i përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington. Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti. Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur. Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar. Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë. Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara. Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht”.
(Nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington”, botim i dytë, UET Press 2017)./ KultPlus.com

“KultStrofa” edhe sot pret aplikimet, konkursi mbyllet në mesnatë

Fotografia nga nata finale e edicionit të tretë “KultStrofa”.

“KultStrofa”, konkursi mbarëkombëtar i poezisë, që këtë vit shënon edicionin e katërt, fton të gjithë poetët që të konkurrojnë me poezi, shkruan KultPlus.

Konkursi mbarëkombëtar që konsiderohet si një ndër konkurset me prurjet më serioze të poezisë, do të jetë i hapur deri më 15 dhjetor, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj gare të madhe poetike, mund ta dërgojnë nga një poezi, dhe që nuk duhet të jetë e botuar në asnjë botim më të hershëm. Poezitë duhet të dërgohen me emër dhe mbiemër në [email protected].

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, që është edhe organizatore e këtij konkursi ka thënë se kjo garë poetike tashmë ka marrë përmasa të mëdha, pasi që nga viti në vit, aplikimet për këtë konkurs kanë shënuar një rritje të madhe.

“Që nga edicioni i parë kemi pas një interesim të madh të poetëve që kanë aplikuar në konkursin “KultStrofa”, duke përfshirë poetët nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Në edicionin e fundit kemi pas mbi 200 aplikantë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka thënë se përpos prurjeve të mëdha poetike, ky konkurs ka shumë kujdes edhe në përzgjedhjen e jurisë profesionale, ku në vitin e fundit, juria ishte në përbërje të Mirela Kumbaros, Bardh Rugovës dhe Anton Berishës.

“Edhe këtë vit, KultPlus do të kujdeset që të ketë emra të rëndësishëm në juri, të cilët edhe do të vlerësojnë poezitë e këtij edicioni”, ka thënë Pajaziti.

Si çdo vit, juria profesionale do të zgjedhë dhjetë poezitë më të mira të edicionit, ku edhe do të ftohen të dhjetë poetët që të lexojnë poezitë e tyre, kurse nga dhjetë poezitë finaliste, do të shpërblehen tre poezitë më të mira, me vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Ceremonia e këtij edicioni do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Në edicionin e parë, me vendin e parë është shpërblyer Ragip Sylaj, në edicionin e dytë Arjola Zadrima, kurse në edicionin e tretë është shpërblyer Merita Bërdica. / KultPlus.com

“Gjuhët e rrezikuara dhe Diaspora” nis nesër në Tiranë konferenca ndërkombëtare

Për herë të parë në Shqipëri, për katër ditë radhazi, nga data 16-19 dhjetor 2021, Tirana do të kthehet në kryeqendrën e tubimit më të madh akademik ndërkombëtar, ku diskutohet mbi gjuhët që rrezikojnë të zhduken. FEL (Foundation for Endargered Languages) me seli në Londër dhe Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) organizojnë konferencën ndërkombëtare: “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora”, ku një vëmendje e madhe do t’i kushtohet edhe një problemi shumë të mprehtë, të patrajtuar asnjëherë më parë në trajtë akademike të këtyre përmasave, pikërisht temës: “Gjendja e arbërishtes dhe studimet mbi të si gjuhë e rrezikuar e diasporës”.

Mes 70 studiuesve pjesëmarrës të konferencës, 54 prej tyre janë akademikë, sociolinguistë e linguistë që vijnë nga universitetet më të rëndësishme të botës, përkatësisht prej vendeve nga Europa, Azia, Amerika, Zelanda e Re dhe Australia.

Konferenca “Gjuhët e rrezikuara dhe diaspora” realizohet rregullisht çdo vit nga Fondacioni për Gjuhët e Rrezikuara (FEL) në bashkëpunim me universitetet dhe qendrat shkencore më të mira të botës dhe sivjet shënon edicionin e saj të 25-të. Në këtë vit jubilar, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) është zgjedhur zyrtarisht si institucioni pritës organizator i kësaj konference, gjë që përbën një mundësi të artë për kthimin e vëmendjes ndaj studimit të thelluar të gjuhës dhe të kulturës shqiptare edhe në arenën ndërkombëtare.

Konferenca nis  ditën e enjte, datë 16 dhjetor, ora 09.30, në mjediset e godinës universitare “Liria” (në hyrje të Qytetit Studenti).

Programin e plotë të konferencës e gjeni ketu:http://qspa.gov.al/wp-content/uploads/2021/12/Program_5-December.pdf?fbclid=IwAR1D-AFEn5dZ_lBc2jGyLdE2l3iX96UkXvQJdnbAee9DsNibPM_SESQKDWE

O moj Shqypni, e mjera Shqypni, kush te ka qitë me krye n’hi, ti ke pas kenë një zojë e randë, burrat e dheut të thirrshin nanë

Poezi e shkruar nga Pashko Vasa.

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
Kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
Burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
Me varza t’bukura e me djelm t’ri,
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
Me armë të bardha, me pushkë ltina,
Me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
Zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti
Ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
E dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
I ka shti dridhën gjithë Rumelisë;
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
Me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe,
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
E nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
Ke pas qenë veshun, sot je me crule,
E s’të ka mbetun as em’n as besë;
Vet e ke prishun për faqe t’zezë.

Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
Ndër nji qind ceta jeni shpërnda;
Ca thone kam fè ca thonë kam din;
Njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
Por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
Për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
Me ju turpnue me grue e motër,
E për sa pare qi do t’fitoni,
Besën e t’parëve t’gjith e harroni,
Baheni robt e njerit t’huej,
Qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
Shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
Se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
As zjarm në votër, as dritë, as pishë;
As gjak në faqe, as nder ndër shokë,
Por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
M’ata sy t’bukur q’dini me qa,
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
Qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder;
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
Ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
Kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
Qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do
Këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
Me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Coniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
Të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu,
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
Gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë,
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lanë
Kush mos na e preki, se desim t’tanë
Të desim si burrat që vdiqnë motit
Edhe mos marrohna përpara zotit./KultPlus.com

Filmi i shumëpritur i Marvel, Spider-Man: No Way Home, impresionon kritikët e filmit

Nga 16 dhjetori nis të shfaqet edhe në Cineplexx

Spiderman: No Way Home, nis shfaqjen e tij këtë javë edhe në Kosovë, dhe nga 16 dhjetori do të mund ta shikoni çdo ditë në Cineplexx. Me vlerësimet e para të filmit, ai po konsiderohet si një nga filmat më spektakolar të vitit.

Spiderman: No Way Home, filmi i fundit me superheronjë nga Marvel për këtë vit, dhe i treti nga trilogjia e filmave që përqendrohet në personazhin e Spiderman, arrin më 16 dhjetor në Cineplexx me eventin Spiderman Day në të dy kinematë, në Prishtinë dhe Prizren ku do të ketë edhe shpërblime.

Filmi ka thyer rekord të shitjeve paraprake të biletave, duke tejkaluar kështu edhe filmat e mëdhenjë si Avengers: Infinity War, Star Wars: The Rise of Skywalker, e të tjerë.

Gazeta e njohur, Guardian tha se filmi i fundit i Spiderman është vazhdimisht konsistent në cilësinë që ofron, ndërsa gazeta tjetër e madhe, The Wrap, u shpreh se “filmi arrin të mbajë në balancë të jashtëzakonshme aksionin e mahnitshëm përmes kohë-hapësirës dhe emocioneve që aktorët përqojnë dhe storja krijon”.

Gazetarja Perri Reminoff shprehet se filmi është në fillim i ngadaltë deri në shpërthimin e pjesës së dytë që më pas bëhet një nga filmat më argëtues të vitit me të gjitha shpalosjet impresive për botën e “Multiverse”.

Në Rottentomatoes filmi vazhdon ti mbajë kritikat 100% pozitive ku deri më tani mbi 47 kritikë kanë shkruar vlerësimin e tyre për filmin.

Përveç premierës botërore të këtij filmi, Cineplexx gjatë eventit Spiderman Day më 16 dhjetor do të dhurojë shpërblime të ndryshme në të dy kinematë, ku në kinemanë në Prishtinë, dyqani online E-BAA (Insert hyperlink https://e-baa.com/) do t’i dhurojë 5 kupona në vlerë nga 50 EUR ndërsa Marso Merch do t’i dhurojë 10 duksa të ndryshëm, ndërsa në kinemanë në Prizren, brendi i njohur si Aztech (insert hyperlink: https://aztechonline.com/), do të dhurojë 3 kupona në vlerë nga 50 EUR.

Filmi Spiderman: No Way Home gjatë këtij eventi në Cineplexx do të shfaqet në 9 orare të ndryshme.

Biletat për filmin mund t’i blini çdo ditë prej orës 15:00 në Cineplexx, apo përmes aplikacionit CINEPLEXX KS. Për më shumë rreth eventit, klikoni këtu mund t’i gjeni në webfaqën e Cineplexx.

https://cineplexx-ks.eu/Content.Node/ks/events/items/Black_Widow-_Premiere_Night.sq-KS.php

Andrea Bocelli performoi në një darkë private, bileta kushton 20 mijë dollarë

Tenori i famshëm italian, Andrea Bocelli, mbrëmë ka performuar në një darkë private me 50 persona në Hunt & Fish Club, ku 20 mijë dollarë kushtoi vetëm çmimi i biletës, sipas Page Six.

Evenimenti thuhet se ishte i mbushur me njerëz të famshëm dhe se bashkë me të këndoi edhe artistja e kantautorja amerikane, Amelia Milo. Milo po promovonte këngën e saj të re “The First Time I Saw Snow”, të cilën e solli vetëm disa ditë më parë. Biletat dolën në shitje në FlatterNFT , një faqe interneti që shet të tilla për çdo organizim që bëhet. Këngëtari i nominuar për ‘Grammy’ të mëkurën dhe të enjten do të jetë prezent për të interpretuar edhe në Madison Square Garden, përpara se të shkojë në një turne mbarëkombëtar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai e kaloi pjesën tjetër të vitit duke bërë turne në Evropë. Ylli italian po ashtu para pak muajsh u bë e ditur se do të performojë në Botëror 2022, përkrah emrave të mëdhenj si Lady Gaga e bendit Aerosmith./lapsi.al/ KultPlus.com

“Gruaja ime ende i dëgjon hapat e tij gjatë natës”, storia e TV francez për të zhdukurit në Kosovë

Kanë kaluar më shumë se dy dekada që kur lufta copëtoi Kosovën, por trauma e shkaktuar nga ajo vazhdon ende për Bajram Çerkinin dhe të afërmit e tjerë të atyre që ende konsiderohen të zhdukur.

“Lufta nuk ka përfunduar ende në familjen time”, thotë 82 vjeçari, djali i të cilit, Reshati, është në mesin e të zhdukurve. “Gruaja ime ende i dëgjon hapat dhe zërin e tij gjatë natës”.

Kështu fillon shkrimin për historinë e Çerkinit dhe të zhdukurve të tjerë nga lufta, televizioni francez “France 24”, njofton Klan Kosova.

Mijëra të tjerë u zhdukën – shumë prej të cilëve u rrëmbyen gjatë kohës së spastrimit etnik dhe më vonë u vranë derisa trupat e tyre o hodhën në varre masive, puse uji ose u dogjën.

Në vitet pas luftës, ekspertë të mjekësisë ligjore nga e gjithë bota shkuan në Kosovë në një përpjekje për të identifikuar mbetjet dhe për t’i kthyer në familjet e tyre, si dhe për të dokumentuar krimet e mundshme të luftës. Në disa raste, vetëm copa të vogla eshtrash u gjetën dhe iu dorëzuan familjeve.

Por jo të gjitha u gjetën, 1625 persona janë ende të pagjetur zyrtarisht, sipas autoriteteve të Kosovës.

Mediumi francez vazhdon rrëfimin duke thënë se fati i të zhdukurve është një nga çështjet e shumta të nxehta që pengon bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Zyrtarët e Kosovës vazhdojnë të kritikojnë Serbinë për zvarritjen e saj, shpesh duke i akuzuar zyrtarët e saj se refuzojnë të zbulojnë vendndodhjet e më shumë vendeve të varrimit.

Gjatë momenteve të fundit të luftës derisa forcat serbe u tërhoqën nga Kosova në mes të bombardimeve të NATO-s, varrezat masive në gjithë Kosovën u zbuluan shpejt për të marrë eshtrat dhe për t’i kthyer me kamionë në Serbi me synimin për të fshehur provat e krimit.

Që nga fundi i luftës, rreth 1000 trupa të shqiptarëve të Kosovës janë zhvarrosur nga disa vende në të gjithë Serbinë, përfshirë edhe qindra nga një varr masiv në një postë të njësisë speciale të policisë pranë Beogradit.

“Duke u përpjekur të fshehin një krim, ata kryen një tjetër”, thotë Andin Hoti, kryetar i komitetit të Kosovës për personat e zhdukur, babai i të cilit mbetet ende i pagjetur.

Probleme të ngjashme vazhdojnë me Bosnjën fqinje, ku ekspertët ende po përpiqen të gjejnë varre masive afër Srebrenicës, ku rreth 8000 burra dhe adoleshentë myslimanë u vranë nga forcat serbe.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për të gjetur varre masive. Ne jemi ende duke kërkuar për më shumë se 1000 njerëz”, tha Almasa Salihoviq, zëdhënëse për Qendrën Përkujtimore të Srebrenicës.

Por edhe kur mbetjet më në fund zbulohen, shpesh shkaktohen trauma të reja.

Në tetor, Vesel Rukolli u informua se eshtrat që i përkisnin babait dhe dajës së tij ishin nxjerrë nga një varr muaj më parë në Kizhevak të Serbisë.

Eshtrat e tyre erdhën pesë vjet pasi disa nga eshtrat e xhaxhait të tij ishin gjetur në një fshat tjetër në Serbi.

Xhaxhai i tij ishte vrarë në prill të vitit 1999 pasi forcat serbe masakruan rreth 40 persona në fshatin Rezallë të Kosovës.

Derisa forcat serbe u larguan nga vendi i ngjarjes, ata përdorën një buldozer për të nxjerrë trupat, duke copëtuar shumë nga viktimat e tyre.

Edhe pse shumica e të vrarëve dhe të zhdukurve nga lufta janë shqiptarë etnikë, shumë serbë janë ende të pagjetur – një pikë që Beogradi e ngre shpesh në luftën me fjalë me zyrtarët e Kosovës.

Zyrtarët në Prishtinë këmbëngulin se po e marrin seriozisht çështjen, me pesë lokacione të pazbuluara në Kosovë që po gërmohen në kërkim të viktimave serbe të luftës.

Për më shumë se 22 vjet, Svetlana Marinkoviq ka pritur të marrë lajm për fatin e bashkëshortit të saj pasi ai u zhduk vetëm disa ditë pas përfundimit të konfliktit.

“Ndoshta nesër do ta zbulojmë”, tha Marinkoviq nga Graçanica për AFP.

“Shpresa vdes e fundit”.

Elon Musk u zgjodh si njeriu i vitit, kritikohet revista “Time”

Revista Time po përballet me një rrebesh kritikash për faktin që e zgjodhi shefin e Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, si “Njeriun e vitit” 2021.

Disa ligjvënës menjëherë ngritën pyetje sesa taksa ka paguar ai lidhur me pasurinë e vet të përgjithshme.

“Nuk mund ta besojmë që Time zgjodhi Elon Muskun; ai është njeriu më i pasur i botës e kur vjen fundi, bënë gjithçka për të shmangur taksat në një kohë kur familjet e varfra mezi vënë ushqim në tryezë e luftojnë për të paguar qiranë”, tha republikania, Pramila Jayapal.

ProPublica nxori në muajin qershor një raport mbi taksat e paguara nga amerikanët më të pasur përfshirë Musk. Sipas raportit, miliarderi kishte paguar vetëm $68,000 dollarë taksa federale në 2015, $65,000 dollarë në 2017 dhe asnjë taksë federale në 2018.

Musk u përpoq të shpjegonte se “gjatë pandemisë, të pasurit u pasuruan më shumë dhe fitimet e tyre ishin marramendëse, në një kohë kur mjaft njerëz humbën vendet e punës në Amerikë, si dhe mundësinë e kujdesit shëndetësor”.

Ligjvënësja republikane u shpreh se fare mirë, në kopertinën e kësaj reviste mund të ishin shfaqur heronjtë e frontit të parë të luftës anti-Covid, e jo miliarderë si Musk./ KultPlus.com

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për ditën e nesërme

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për ditën e nesërme si pasojë e pakënaqësive për sektorët e hotelierisë dhe gastronomisë.

Hysen Sogojeva , Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, ka thënë se protesta do të mbahet nesër në ora 13:00 në sheshin “Skënderbeu”, para Qeverisë së Kosovës.

“Pasi që pas shumë përpjekjeve që me dialog e me takime të gjejmë zgjedhje të pranueshme (gjë që nuk është arritur), zëri i antarësisë sonë na obligon që të bëjmë aktivitete duke shprehur pakënaqësinë tonë për situatën e krijuar”, thuhet në njofrimin e OHT-së.

“Biznese e punëtorë, të bashkuar si asnjëherë më parë i thanë BOLL MA’ izolimit të padrejtë!”./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti emëron Elizabeth Gowing, këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Elizabeth Katherine Gowing, këshilltare politike për Çështjet e Komuniteteve.

Siç bëhet e ditur nga komunikata, Elizabeth Gowing ka studiuar në Magdalen College, Oxford, dhe ka përfunduar studimet master në Institutin e Arsimit, Universiteti i Londrës.

Ka punuar në politika arsimore dhe në arsimin fillor në Britani të Madhe.

“Që nga viti 2006, kur është zhvendosur në Kosovë, znj. Gowing është angazhuar në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale, me fokus te komunitetet joshumicë. Është autore e pesë librave, nga të cilët katër janë për Kosovën dhe Ballkanin. Ka përkthyer edhe dy libra nga shqipja – biografinë e Adem Demaçit, dhe kujtimet e Hasan Prishtinës”, thuhet tutje në njoftim./ KultPlus.com

Brad Pitt nuk mjaftohet vetëm me aktrimin

Brad Pitt nuk mjaftohet vetëm me aktrimin dhe tashmë po i hedh sytë edhe nga industria e muzikës. Aktori 57-vjeçar është bashkuar me producentin muzikor fitues të çmimit “Emmy” Damien Quintard për të rihapur “Miraval Studios” – objekti legjendar i regjistrimit të vendosur në Château Miraval në Correns, Francë, që ka organizuar seanca për Pink Floyd, Sting dhe Cranberries – pas një ridizajni të plotë.

Studioja muzikore, e cila u ndërtua në vitin 1977 nga pronari i atëhershëm i Château Miraval, Jacques Loussier, mbeti kryesisht e papërdorur për dy dekada derisa Pitt dhe Quintard vendosën të rinovojnë hapësirën për muzikantët për të bërë regjistrime të reja.

Në një deklaratë për shtyp, Quintard tha se ai u kuptua menjëherë me Pitt kur të dy u takuan në Paris.

“Ishte një moment intensiv ku ne thjesht folëm dhe folëm për zërin. Isha i habitur se sa i ndjeshëm dhe i saktë ishte ai në analizën e tij të muzikës”, tregoi ai.

Studioja e përditësuar do të shfaqë shumë nga pajisjet e saj origjinale të regjistrimit të integruara në një mjedis modern—duke përfshirë një tavolinë të projektuar personalisht nga Pitt dhe Quintard. Ambienti do të ketë gjithashtu kabina të shumta regjistrimi, stacione pune për redaktimin e zërit dhe videove, pajisje dhe sintetizues të rrallë muzikor dhe një kat i ndërmjetëm me pamje nga e gjithë studioja.

Hapja e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, do të jetë jashtë stadiumit

Organizatorët e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, kanë vendosur që ceremoninë e hapjes së Olimpiadës most ë bëjnë në stadiumin olimpik, por në brigjet e lumit Sena. Ata parashikojnë deri në 600 mijë tifozë të pranishëm përgjatë dy brigjeve të lumit Sena, përgjatë kohës që do të zgjasë ceremonia e hapjes dhe parakalimi i delegacioneve olimpike.

Me këtë rast më shumë se 160 anije me sportistë, trajnerë dhe drejtues do të lëvizin përgjatë lumit Sena me përfaqësuesit e mbi 200 shteteve pjesëmarrëse gjatë ceremonisë së hapjes.

“Olimpiada është një eksperiencë unike dhe duam që nejrëzit ta ndjejnë atë. Sportistët do të lëvizin përgjatë lumit dhe do të shohin Kullën Eifel, Katedralen Notre Dame, muzeun e Luvrit, poshtë disa urave etj. Do të jetë një ceremoni e hapur, popullore, ku kushdo mund të marrë pjesë, ndërkohë që do të montojmë 80 monitorë të mëdhenj”, janë shprehur organizatorët .

Kjo do të jetë hera e parë në histori që ceremonia e hapjes së një olimpiade verore, të zhvillohet jashtë një stadium olimpik./ KultPlus.com

Gjykata Themelore e Mitrovicës gjobiti aktivistet për grafitet kundër dhunës ndaj grave, Gjykata e Apelit e anulon këtë vendim

Me nga 100 euro gjobë ishin dënuar aktivistet e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, pas grafiteve Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg! ; Virgjiniteti është shpikje e burrave! ; Gruja nuk o rob i burrit! ; Gratë e kanë vendin kudo që dojnë! ‘; Trupi jem e drejta jem! ‘; Ai që të don, nuk të rreh!, por të njëjtin vendim e ka anuluar Gjykata e Apelit, shkruan KultPlus.

Për këtë vendim ka njoftuar vetë organizata, dhe më poshtë po e sjellim të plotë njoftimin mbi këtë ngjarje.

GJYKATA E APELIT ANULON AKTGJYKIMIN QË I CILËSOI SI TË TURPSHME GRAFITET E KOLEKTIVIT FEMINIST

Dje, me 13 dhjetor 2021, aktivistet/ët e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist pranuan vendimin e Gjykatës së Apelit me të cilën u anulua aktgjykimi që u shqiptoi gjobë për kundërvajtje katër aktivisteve/ëve të Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist të përfshirë/a në aksionin e grafiteve kundër shtypjes dhe dhunës ndaj grave.

Haram është me i mshelë gratë! Dhunuesit e grave në burg!

Virgjiniteti është shpikje e burrave!

Gruja nuk o rob i burrit!

Gratë e kanë vendin kudo që dojnë!

Trupi jem e drejta jem!

Ai që të don, nuk të rreh!

Këto grafite Gjykata Themelore në Mitrovicë i kishte cilësuar si të turpshme, duke i gjobitur secilin/ën veç e veç me nga 100 euro gjobë. Katër aktivistët/et, të përfaqësuar nga Avokatja Rina Kika parashtruan ankesë të përbashkët ndaj këtij vendimi duke e kontestuar ligjshmërinë e tij.

Gjykata e Apelit e aprovoi si të bazuar ankesën e përbashkët të aktivistëve dhe e anuloi aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, duke kthyer kështu lëndën në rivendosje. Gjykata e Apelit ka kërkuar që Themelorja të vërtetojë se kush është ofenduar e turpëruar nga grafitet dhe të konstatojë nëse qëllimi i aktivistëve/eve ka qenë prishja e qetësisë publike.

Në ankesë mes tjerash theksohet: “Mbishkrimet feministe në Mitrovicë kanë pasur për qëllim të ngrisin vetëdijen shoqërore ta ndryshojnë mendësinë shtypëse ndaj grave e cila është shkaku rrënjësor i dhunës që e përjetojnë gratë për çdo ditë. Aktgjykimi i gjykatës që i cilëson si të turpshme këto mbishkrime është mohim i këtij problemi kaq të madh, për të cilin nuk flitet sa duhet.” Ndërkaq për sa i përket çështjes se kush mund të jetë ofenduar e turpëruar nga grafitet, në ankesë theksohet: “Ndoshta burrat që i mbyllin gratë në shpi, dhunuesit e grave, burrat që i konsiderojnë gratë rob, ata që mendojnë se i takon të përcaktojnë se ku e ka vendin gruaja si dhe ata që i rrahin gratë janë ndier të ofenduar dhe mbase edhe i kanë konsideruar si të turpshme këto mbishkrime. Por është krejtësisht absurde që një Gjykatë në Kosovë t’i konsiderojë këto mbishkrime të turpshme dhe ofenduese, t’i cilësojë si kundërvajtje dhe ta censurojë përmbajtjen e tyre me gjobë.”

Vendimi i Gjykatës së Apelit që ka aprovuar si të bazuar këtë ankesë, dëshmoi se aktgjykimi i Themelores i bazuar në vlerësimin e grafiteve nga Policia si “të turpshme” si cak të vetëm kishte disiplinimin e aktivitetit feminist. Andaj, ne si aktiviste/ë feministe/ë do ta vazhdojmë rezistencën tonë të përbashkët në kundërshtim të dhunës dhe shtypjes ndaj vajzave dhe grave dhe identiteteve tjera të paprivilegjuara në vend dhe kudo tjetër./ KultPlus.com

Ndahet nga jeta poeti Arben Duka

Poeti i njohur Arben Duka ka ndërruar jetë. Mësohet se Duka ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. 

Arben Duka lind në Labovë të Gjirokastrës. Ka mbaruar Akademinë Ushtarake dhe Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Është autor i mbi pesëdhjetë vëllimeve poetike të botuara e të ribotuara gjer në pesë herë. Duka është bashkëautor në rreth tre mijë këngë të të gjitha zhanërve duke filluar qysh nga viti 1974. Ka dhjetra çmime si autor dhe bashkëautor në gjininë e këngës, ku spikasin shtatë çmime të para në Festivalet Kombëtare të këngës në Radiot Televizionin Shqiptar./lapsi.al/ KultPlus.com

Maluma publikon datat e koncertit, një prej atyre vendeve Tirana

Maluma, ka konfirmuar zyrtarisht se do të vijë në Tiranë. Koncerti i tij ishte paralajmëruar shumë kohë më pare, por pandemia bëri të anulohej.


Pak orë më parë, këngëtari ka publikuar të gjitha datat e turit të tij në botë.

Edhe vihet re që më 14 mars 2022 do të jetë në Shqipëri. Pikërisht, kjo datë konsiston edhe Ditën e Verës./lapsi.al/ KultPlus.com

Kadare: Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale

KultPlus ju sjell një pjesë të bisedës së Ismail Kadaresë me Alda Bardhylin, që është botuar nëpërmjet librit “Koha për rrëfim”.

Kur e keni shkruar poezinë e fundit?

-Nuk e mbaj mend.

Si i zgjidhni titujt e librave tuaj?

-Nuk kam pasur ndonjë vuajtje për titujt asnjëherë, as ndonjë ngulmim, që ata të jenë të bujshëm.

Hemingueji e shkroi 47 herë fundin e romanit Lamtumirë armë, për të mbërritur te fjalia: “Pas pak, e braktisa spitalin dhe nën shi u ktheva në hotel.” Për shumë autorë, fundi i një libri është mundim. Si ka qenë ky proces në krijimtarinë tuaj?

-Fundi i një libri nuk më lodh, më jep gjithnjë një kënaqësi. Fundet janë diçka e afërt me mua, ndihem i afërt me to dhe përkundrazi, kam një lehtësi. I vetmi mundim, nëse mund të quhet i tillë, është një zgjedhje që për mua është e këndshme gjithmonë.

Zakonisht i pëlqej fundet, është një element që, siç duket, te shkrimtari e shkakton lëvrimi i poezisë. Një shkrimtar i lidhur

me poezinë i ka më të lehta fundet. Më është krijuar kjo ngulitje në mendjen time.

Në vitet ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar filozofë, si Uolter Benjamin, folën për vdekjen e romanit. Vetë postmodernizmi do të ndikonte në një ikje prej realizmit. Si e shihni ju romanin sot?

-Romani në letërsi është një gjini e rëndësishme. Mendoj se të gjithë shkrimtarët kanë një tërheqje gati magjike nga kjo fjalë, ky koncept, ky përfytyrim. Fjala roman ka dalë nga letërsia për t’u përdorur në pjesët më delikate të jetës njerëzore.

Kjo tregon atë hijen e tij, që unë e quajta të mbarë në jetën njerëzore. Për mua fraza e njohur në të gjitha gjuhët, roman, është një nder që letërsia i ka bërë vetes, duke arritur që t’i japë tingëllim kësaj fjale. Nuk mendoj se do të ketë ndonjëherë vdekje të romanit.

Cesare Pavese ka thënë se ajo që kujtojmë nuk janë ditët, por çastet. Cila është vlera e çasteve në histori?

-Në histori, në jetë, në kalendarin e jetës njerëzore, çastet shfaqen në mënyrë shumë kapriçioze. Ato janë shpesh më të thella sesa duken, ose e thellë është vonesa e tyre, siç mund të jetë vërtetuese për diçka, ose e rreme. Do të doja që të mos flisja për këtë gjë të pashtershme.

Çfarë vlere kanë pasur çastet në jetën tuaj?

-Sigurisht që kanë pasur vlerë. Ndonjëherë e kam kuptuar këtë vlerë dhe ndonjëherë jo.

A keni ju një kufi midis trillimit dhe realitetit gjatë procesit të shkrimit?

-Unë përpiqem ta mendoj këtë gjë pa kufi, të pakufizuar.

Përse shkrimtarët e kanë të vështirë të shkruajnë për seksin?

-Është një pyetje, në pamje të parë e thjeshtë, por që në një bisedë me një shkrimtar ka brenda saj pamundësinë për t’u përgjigjur. Vetë etja për të lexuar për seksin ka në vetvete diçka anormale. Rrjedhimisht, edhe dialogët për të bëhen të tillë.

Sa i rëndësishëm ka qenë seksi në veprat tuaja?

-Nuk kam asnjë ide në ka qenë apo jo i rëndësishëm.

Çfarë ju tremb tani?

-Asgjë! Më tremb vetë ecja e jetës, ashtu siç më gëzon e më hidhëron.

Për çfarë ju merr malli?

-Më merr malli shpesh, por e kam të vështirë ta gjej. Njëherë më merr për diçka e herë për një gjë tjetër, ngjarjet ndërrojnë rolet./ KultPlus.com

‘Zemra e gruas si një portokalle, dikujt një thelë, dikujt një cohë’

Fqinjët tanë përtej detit i kanë dhënë shumë botës. Jo pak prej mendjeve më të ndritura të botës kanë qenë pikërisht ata, italianët e artit, shkencës, filozofisë, lista vazhdon gjatë.

Po e sjellim sot një koleksion përfaqësues nga urtësia e popullit italian.

Miku i priftit humbet fenë , miku i mjekut humbet shëndetin, miku i avokatit humbet trashëgiminë.

Ai që nuk ndërron mendje ndoshta nuk ka fare.

Ankohemi për mungesë kohe por e humbim si të ish me tepricë.

Dëshira për të dhjerë dhe për t’u martuar vjen befas.

Durimi është një bimë e mirë, por që nuk del në çdo kopsht.

Dysho te miqtë dhe mos beso tek armiqtë.

Dhelprës nuk i pëlqejnë qershitë sepse s’di të hipë në pemë.

Engjëll në rini, dreq në pleqëri.

Gratë dhe pëlhurat mos i shih në dritën e qiriut.

Janë tre lloje tradhtie: të kënaqur, të zemëruar dhe ata që nuk dinë.

Jeto dhe lëri të tjerët të jetojnë.

Kujtimi i vuajtjave e dyfishon lumturinë.

Kur armiku largohet, lehtësoja rrugën.

Kur liria s’di të mbrojë vetveten, atëherë s’është më e vlefshme.

Kur zemra ngulitet te dashnori, s’ka rëndësi rangu i tij.

Kush di pak e thotë shpejt.

Kush di, urdhëron, kush nuk di, bindet.

Kush hipën më lart se i takon, bie më poshtë sa nuk beson.

Kush ka para dhe lidhje miqësore, nuk ka nevojë të brengoset për shoqërinë.

Kush kërkon grindje gjen menjëherë shkak.

Kush mundet – nuk don, kush don – nuk mundet, kush din – nuk bën, kush bën – nuk din dhe kështu bota shkon mbrapsht.

Kush qesh të premten, qan të dielën.

Kuvendi i dhelprave, batërdija në pula.

Lavdërimet janë të dobishme për të mençurit, ndërsa shumë të dëmshme për të marrët.

Liria e tepruar është nëna e shkatërrimit./ KultPlus.com

Mbështesin filmin “Zgjoi”, Moss dhe McManus do ta udhëheqin kampanjën për Oskar

Aktorja Elizabeth Moss si dhe producentja Lindsey McManus janë bërë producente ekzekutive të filmit “Zgjoi” të Blerta Bashollit.

Ndër të tjera, kjo do të thotë se ato do ta udhëheqin kampanjën e këtij filmi për çmimin Oskar për filmin më të mirë të huaj.

“Zgjoi” është filmi më i suksesshëm kosovar deri tash, duke fituar mes shumë çmimesh tjera, edhe atë të filmit më të mirë në festivalin prestigjioz të filmave të pavarur, “Sundance”.

Moss është aktore tejet e dëshmuar në ekranin e vogël amerikan, duke fituar çmimet më të vlefshme për punën e saj, si Emmyn dhe Globin e Artë.

Këtë lajm e ka publikuar “Deadline”, si dhe të njëjtin e ka shpërndarë vetë Basholli në profilin e saj në Facebook./ KultPlus.com

‘Kisha frikë se do bëhesha si babai im’, Ermal Meta rrëfen pse s’ka dashur të ketë fëmijë

I ftuar në emisionin italian “Verissimo”, Ermal Meta foli për jetën e tij deri tani, dëshirën për t’u bërë një ditë baba dhe sa i shenjtë është normaliteti. I pyetur si kanë qenë 40 vitet e tij të para, këngëtari shqiptar tregoi një udhëtim të bukur, por edhe shumë të vështirë.

“Sapo kam hyrë në të dyzetat. Ndihem mirë. Ishte një rrugëtim i bukur, por sigurisht edhe i vështirë. Në muzikë shikon vetëm atë që bën në skenë, por pas saj ka shumë gjëra që nuk sheh. Për të shkruar duhet të shkatërrohesh brenda dhe ndonjëherë e lëndon shumë veten. Këngët janë lule kur dalin, por shpeshherë rrënjët e tyre janë shumë të hidhura. Nuk mund t’i shohësh, por të dhembin. Ti jeton me to, të bëjnë më të fortë. Kur vendos të bëhesh muzikant, vendos të hapesh totalisht. Nuk e kuptova që duhej të ishte kështu deri para disa vitesh. Mendova se mjaftonte vetëm të notoja në sipërfaqe. Ndonjëherë mjafton, por diçka nuk shkonte. Nuk shkoja te njerëzit. Pyesja veten: ‘Pse askush nuk ma var? Ndoshta nuk vlej ose ndoshta nuk po jap diçka që vlen.’ Mendova se duhet t’u japësh njerëzve diçka të vërtetë. Kur ia heq vetes për t’ia dhënë dikujt tjetër, domosdoshmërisht dhemb. Është një pjesë e jotja. Kur e bëra, ndodhi një mrekulli. Fillova të gris copa nga vetja. Dhe njerëzit më donin, por gjithçka ka një kosto,” -është shprehur ai.

Ermal Meta nuk e ka fshehur asnjëherë se ka pasur një baba të dhunshëm, me të cilin i shkëputi të gjitha marrëdhëniet në vitin 1990. Artisti shpjegoi se për një kohë të gjatë ishte i bindur se nuk donte të bënte fëmijë, pikërisht sepse ishte i ndikuar nga marrëdhënia konfliktuale me babain e tij:

“Kam menduar për një kohë të gjatë që nuk doja të bëhesha baba. Nuk doja kurrë të rrezikoja që një fëmijë të mendojë për mua, atë që kam menduar gjithmonë për babain tim. Kisha shumë frikë nga kjo gjë. Por prej disa kohësh, diçka brenda meje ka ndryshuar. Ndoshta! Megjithatë, nuk e di. Do t’ju thoja që po, do ta bëja, por kur, nuk e di.”

Ermal Meta foli edhe për periudhën e vështirë të pandemisë dhe mënyrën sesi i ktheu vlerat normalitetit, që në të kaluarën shoqërohej me mediokritetin:

“Po pres të rifilloj të jetoj plotësisht, si të gjithë ne. Po flas për koncerte, takime me fansat, e kam fjalën për të bërë aktivitetin më të dashur për mua, koncertet. Por flas edhe për përditshmërinë, atë që nuk e kishim kuptuar dikur: normalitetin. Kur e humbëm, të gjithë e kuptuam se normaliteti është një gjë vërtet e çmuar. Fillimisht përdorëm termin normal për të përcaktuar një gjë mediokre. Në fakt, atëherë kuptuam që normaliteti është një gjë e shenjtë, sepse ju lejon të riorganizoni veten çdo ditë, për të zgjedhur atë që është e duhura për ju çdo ditë. Me shumë përpjekje dhe shpresë, ne presim vitin e ardhshëm dhe shpresojmë të pushtojmë këtë normalitet të shumëdëshiruar.”

Gradohet komandanti i FSK-së Bashkim Jashari

Komandanti i FSK-së, gjeneral major Bashkim Jashari, me dekret të Presidentes avancohet në gradën Gjenerallejtënant.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, njëherësh komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në një ceremoni të veçantë shtetërore, gradoi sot Komandantin e FSK-së, gjeneral major Bashkim Jasharin, në gradën Gjenerallejtënant.

Me këtë rast, Presidentja Osmani-Sadriu tha se tashmë gjeneral Jashari është graduar në gradën më të lartë dhe u shpreh e bindur se Forca e Sigurisë së Kosovës do të udhëhiqet nga ai me profesionalizëm dhe nder.

“Kjo gradë bartë një detyrim të madh dhe jam e bindur si Presidente e vendit së bashku me qeverinë që e ka bërë këtë rekomandim se me aftësinë tuaj do të udhëhiqni me nder, krenari dhe integritet një Forcë e cila është ndërtuar mbi një sakrificë të madhe të popullit tonë”, theksoi Presidentja Osmani-Sadriu në këtë ceremoni.

Në këtë ceremoni gjithashtu morën pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, si dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe stafi i lartë ushtarak i FSK-së./ KultPlus.com

“KultStrofa” e hapur për poetët, konkursi mbyllet më 15 dhjetor

Fotografia nga nata finale e edicionit të tretë “KultStrofa”.

“KultStrofa”, konkursi mbarëkombëtar i poezisë, që këtë vit shënon edicionin e katërt, fton të gjithë poetët që të konkurrojnë me poezi, shkruan KultPlus.

Konkursi mbarëkombëtar që konsiderohet si një ndër konkurset me prurjet më serioze të poezisë, do të jetë i hapur deri më 15 dhjetor, dhe të gjithë ata që dëshirojnë të jenë pjesë e kësaj gare të madhe poetike, mund ta dërgojnë nga një poezi, dhe që nuk duhet të jetë e botuar në asnjë botim më të hershëm. Poezitë duhet të dërgohen me emër dhe mbiemër në [email protected].

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus, që është edhe organizatore e këtij konkursi ka thënë se kjo garë poetike tashmë ka marrë përmasa të mëdha, pasi që nga viti në vit, aplikimet për këtë konkurs kanë shënuar një rritje të madhe.

“Që nga edicioni i parë kemi pas një interesim të madh të poetëve që kanë aplikuar në konkursin “KultStrofa”, duke përfshirë poetët nga: Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe diaspora. Në edicionin e fundit kemi pas mbi 200 aplikantë”, ka thënë Pajaziti, e cila ka thënë se përpos prurjeve të mëdha poetike, ky konkurs ka shumë kujdes edhe në përzgjedhjen e jurisë profesionale, ku në vitin e fundit, juria ishte në përbërje të Mirela Kumbaros, Bardh Rugovës dhe Anton Berishës.

“Edhe këtë vit, KultPlus do të kujdeset që të ketë emra të rëndësishëm në juri, të cilët edhe do të vlerësojnë poezitë e këtij edicioni”, ka thënë Pajaziti.

Si çdo vit, juria profesionale do të zgjedhë dhjetë poezitë më të mira të edicionit, ku edhe do të ftohen të dhjetë poetët që të lexojnë poezitë e tyre, kurse nga dhjetë poezitë finaliste, do të shpërblehen tre poezitë më të mira, me vendin e parë, të dytë dhe të tretë. Cermonia e këtij edicioni do të mbahet në KultPlus Caffe Gallery.
Në edicionin e parë, me vendin e parë është shpërblyer Ragip Sylaj, në edicionin e dytë Arjola Zadrima, kurse në edicionin e tretë është shpërblyer Merita Bërdica. / KultPlus.com

Si sot, 42 vjet më parë, Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe (FOTO)

Më 10 dhjetor të vitit 1979, e Shenjta Nënë Tereza mori Çmimin Nobel për Paqe në Oslo të Norvegjisë. Ndërsa po dilte nga manifestimi solemn, pasi iu dorëzua Çmimi Nobel, në një foto portret të saj shkroi këto fjalë:

“Unë gjithmonë e kam në zemër popullin tem Shqiptar. Shum luti Zotin që paqja e Tij të vijn në zemrat tona, në gjitha familjet tona, në gjithë botën. Lutnu shum për fukarat e mij dhe për mua dhe motrat e mija. Une lutem për juve”./ KultPlus.com

“Albanian Excellence 2021” themelon çmimin “Të jesh lider në kohë pandemie”

Albanian Excellence”, do të evidentojë këtë fundvit liderët që kanë spikatur me punën e tyre, në periudhën më të vështirë në 100 vitet e fundit. Pandemia ka sfiduar çdonjërin prej nesh dhe kjo e ka bërë edhe më të rëndësishme suksesin e gjithëkujt që gjendej i angazhuar në këtë realitet të ri.

Pavarësisht periudhës së rëndë e sfiduese, Albanian Excellence arriti të fusë për herë të parë Shqipërinë në hartën e karikatuës botërore, me themelimin e Bienales Ndërkombëtare të karikaturës (Shtator 2020) dhe Konkursit Mbarëkombëtar të Letërisë Satiriko-Humoristike,(Shtator 2021). Qëndra numëron tashmë të paktën 12 botime në fushën e shqiptarëve të suksesit, ideoi dhe themeloi këtë Dhjetor çmimin “Të jesh lider në kohë Pandemie”.

I gjithë eventi në thelb do të jetë një homazh dhe nderim për të sakrifikuarit dhe luftën e hapur ndaj virusit të padukshëm, nga njerëz e kompani që sfiduan këtë pandemi. Por është shumë e rëndësishme të kuptohet se, njëherazi ky çmim është dhe nderim për të gjithë shoqërinë, për të gjithë njerëzit kudo që janë, të cilët ditën ta kapërcejnë pasigurinë e jetës që solli virusi që pushtoi planetin, pa dashjen e askujt.

“Individi është shembull, por individi bën shoqërinë”, është një nga temat e këtij aktiviteti, i cili do të shpallë gjithashtu edhe një mega projekt shumë të rëndësishëm kushtuar pandemisë gjatë vitit 2022.

Aktiviteti do të zhvillohet me 20 Dhjetor në Mak Albania Hotel në Tiranë, ku pritet të nderohen në një atmosferë të admirueshme, sipërmarrës, drejtues kompanish, menaxherë, personalitete të angazhuara në fushën sociale dhe në veçanti me kontribut në fushën e shëndetit.

“Albanian Excellence gati 10 vite më parë, themeloi këtë qendër me një mision të rëndësishëm, zbulimin e vlerësimin e historive të suksesit të shqiptarëve kudo janë.

Sot me krijimin e enciklopedisë të suksesit të shqiptarëve kudo janë, bazuar në botimin e 12 vëllimeve që bartin këtë sukses, drejtuesit e Albanian Excellence, menduan të themelojnë çmimin e liderit, çmim në shkallën më të lartë të vlerësimit deri më tani, përqëndruar në një  rreth më të vogël individësh e kompanish, por të një cilësie më të lartë”.

AE ka publikuar disa libra si: “100 histori suksesi në 100 vjetorin e Pavarësisë”, promovuar me një mbrëmje Gala në Teatrin e Operas dhe Baletit në Nëntor 2012., vellimet, “Berati-Histori suksesi”(2013), Fieri-Histori Suksesi(2014), Vlora-Histori suksesi 2014, “Zonjat që bëjnë Shqipërinë”, “Zonjat që bëjnë Shqiptarinë”, “121 Foto në 121 jetë” , “Të vërtetat e një suksesi”, “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, etj.

Në shkurt të vitit 2022, Albanian Excellence, do të botojë Librin “Të jesh lider në kohë pandemie”, me të gjithë fituesit që do të shpallen këtë 20 dhjetor.

AE ka themeluar edhe çmimet “Zonjë që bën Shqiptarinë”, në kuadër të projektit që zhvilloi në Manhattan –  New York të titulluar , “Zonjat shqiptare në Nju Jork”, ku u përfshinë 60 zonja të suksesshme që kanë arritur të jenë të barabarta me shtetasit amerikanë në mjekësi, financë, politikë, shkencë, gazetari, mësuesi dhe që ju përkasin të gjitha trojeve shqiptare.

AE, është e vetmja organizatë nga Shqipëria, që inicioi dhe hartoi në New Jersey në SHBA, tre vite më parë, peticionin kundër dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999, peticion që vijon të nënshkruhet nga shumë personalitete të shquara dhe nga disa mijëra njerëz, për t’i dhënë pozicionin e duhur, individëve që u dhunuan gjatë kësaj lufte të padrejtë në fund të një shekulli.