800 mijë turistë vizitojnë Beratin në vitin 2024

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/ KultPlus.com

Në Pejë, të rinjtë kosovarë dhe malazezë bëhen bashkë për trashëgiminë kulturore

Një kamp edukativ dhe shkëmbyes idesh me tema nga trashëgimia kulturore në mes të rinjve nga Kosova dhe Mali i Zi u mbajt më 23 dhe 24 shtator në qytetin e Pejës.

Kampi u zhvillua në hapësirat e Hamamit të Haxhi Beut si një objekt me vlera të mëdha për historinë dhe kulturën e qytetit të Pejës, ndërsa aty u shtjelluan tema të ndryshme që thuhet se kanë ngjallur një reagim shumë pozitiv në bashkëpunimet e mundshme në sektorin e kulturës dhe turizmit.

Pjesëmarrës në kamp ishin studentë nga fakulteti i arkitekturës dhe ai politeknik nga Podgorica si dhe nxënës të Shkollës së Mesme të Lartë të Artit nga Peja.

Në këtë kamp rinor dhe në konferencë prezantuan ekspertë të ndryshëm nga institucionet publike si komuna e Pejës, muzeu i Pejës, sektori privat si tour operatorët, menaxherë të projekteve për të rinj, arkitektë të licencuar për trashëgimi si dhe shoqëria civile të cilët janë të përfshirë në projekte të ndryshme për trashëgiminë dhe turizmin.

Projekti thuhet se synon të përmirësojë ekonominë në zonën kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi, apo më specifikisht zonat ndërkufitare si Peja dhe Berane, duke promovuar turizmin kulturor.

Fokusi i këtij projekti është identifikimi, ngritja dhe prezantimi i trashëgimisë kulturore në Berane përmes antikitetit të krishterë në zonën e Tumbaricës, ndërsa në pjesën e Kosovës në Pejë të intervenohet në mbështjelljen e çatisë së Hamamit të Haxhi Beut me plumb, mbrojtjen dhe promovimin e tij si vlerë e trashëgimisë arkitekturore.

“Me qëllim që të ketë rezultate sa më të mira gjatë punës, por edhe në vizibilitet, ky projekt do të përdorë teknologjinë moderne si modelim 3D për të ndihmuar në ruajtjen dhe dokumentimin e këtyre vendeve. Ky aktivitet do ta bëjë më të lehtë për njerëzit mënyrën e eksplorimit dhe mësimit rreth tyre, qoftë përmes vizitave fizike gjithashtu edhe në mënyrë virtuale përmes paraqitjeve online. Duke bërë këtë, projekti do të mbrojë vendet dhe do të ndajë historinë e rajonit me një audiencë më të gjerë”, thuhet në komunikatë.

Projekti gjithashtu inkurajon bashkëpunimin midis Kosovës dhe Malit të Zi, pasi ekipet nga të dy vendet do të punojnë së bashku në gërmime arkeologjike, aktivitete edukative dhe promovime. Këto aktivitete do të ndihmojnë në rritjen e ndërgjegjësimit dhe tërheqjen e më shumë vizitorëve në këto vende. Që t’i arrijë këto, projekti do të përdorë video, faqe interneti dhe rrjete sociale.

I gjithë qëllimi i këtij projekti është të krijojë mundësi atraktive në tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në këto dy destinacione, gjë që mendohet se do të kontribuojë në ekonominë lokale duke krijuar vende pune dhe mundësi të reja për biznese.

Në të njëjtën kohë, thuhet se projekti siguron që këto vende të rëndësishme kulturore të ruhen për brezat e ardhshëm.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Evokimi dhe Tërheqja e Trashëgimisë Kulturore – Antikiteti i Krishterë dhe Hamami Turk për Turizmin Kulturor” që ka rrjedhur nga një bashkëpunim në mes të Muzeut Polim nga Berane dhe organizatës “Marimangat e Pejës” nga Peja.

Projekti ka shtrirje ndërkufitare ndërsa financohet nga programet e EU-IPA fondet nga programin për bashkëpunim ndërkufitarë në mes të Kosovës dhe Malit të Zi./ KlanKosova/ KultPlus.com

Presidentja Osmani takon mërgatën në ShBA: Mbrëmje madhështore, ashtu si raportet tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në New York është takuar dje me mërgatën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka thënë se kjo mbrëmje ishte madhështore, ashtu si marrëdhëniet Kosovë-ShBA.

“Një mbrëmje madhështore në mesin e mërgatës sonë dje, ashtu siç është edhe lidhja ndërmjet Kosovës dhe Amerikës! Faleminderit Shoqatës ‘Ulqini’ dhe të gjitha shoqatave të tjera pjesëmarrëse për organizimin”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.

Revista ‘Soon magazine’: Linda Rama ka fuqinë të bindë

Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka dhënë një intervistë për revistën “Soon magazine”.

Ajo ka një  aftësi thelbësore për të ndikuar mendimet nga një mendje në tjetrën. E pasionuar dhe e mirëarsimuar, Linda Rama është gjithmonë e motivuar nga ndjeshmëria ndaj grupeve më  vulnerabël: grave, fëmijëve, kategorive më të brishta sociale, personave me aftësi të kufizuara, minoriteteve etj.

Fjalët e Lindës janë të freskëta e unike dhe kur ajo ju drejtohet, është si një ftesë për të ardhur dhe për të zbuluar Shqipërinë.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar nga gazetari Mário de Castro.

Kush është Linda Rama, gruaja e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama?

Linda është një ekonomiste, e diplomuar në vitin 1987 në Universitetin e Tiranës. Ajo ka një Master në Ekonomi nga Universiteti i New  Yorkut dhe Universiteti Qendror Evropian (1993) dhe një Doktoratë në Shkencat Ekonomike (1996). Ka shërbyer si lektore në Financat Ndërkombëtare dhe Financat Publike në Universitetin e Tiranës, si dhe në Politikat Publike dhe Menaxhimin e Riskut Publik në Universitetin Evropian të Tiranës.

Nga viti 1993 deri në vitin 1999, Linda ishte Kryetare e Privatizimit të Kompanive të Mëdha dhe Strategjike dhe Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, duke kontribuar ndjeshëm në reformën e privatizimit masiv dhe duke zhvilluar teknikat e privatizimit për kompanitë e mëdha dhe strategjike, përfshirë rindërtimin financiar dhe menaxhimin e riskut, si dhe themelimin e Regjistrit të Aksioneve dhe Tregut të Aksioneve të Tiranës.

Linda është bashkëthemeluese dhe një nga think tank-et e para në Shqipëri, të  Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) dhe ka kontribuar për një kohë të gjatë në aktivitetet e saj. Ajo është autore, bashkë autore dhe eksperte në shumë studime, kërkime dhe dokumente politike në fushat e Qeverisjes, Zhvillimit Njerëzor, Tregut të Punës, Edukimit, Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit të Sektorit Privat në Shqipëri dhe rajonin përreth.

Linda Rama është gjithashtu një nga bashkëthemelueset e Aleancës Shqiptare për Fëmijët dhe avokate e nismës “Sky Say Yes For Children”, me një angazhim të gjatë në aktivizmin për çështjet e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile, veçanërisht në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe grave.

LINDA RAMA, si mund ta shpjegosh këtë valë solidarizimi dhe interesi për Shqipërinë që po rritet jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën? A ecin së bashku shqiptarët dhe solidariteti, dorë për dore?

Në këto 35 vjet tranzicioni, ne shqiptarët kemi arritur të përballojmë dy sfida historike: të hapim dyert e botës për veten tonë dhe të sjellim botën në derën tonë.

Faza e parë filloi në korrik 1990, kur mijëra shqiptarë mbushnin oborret e ambasadave në Tiranë dhe hipnin  në anijet në Durrës për të shpëtuar nga izolimi komunist dhe varfëria. Më pas, për shumë vite, dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë çdo vit merrnin malet, detin dhe qiellin me padurim për të jetuar ëndrrën evropiane ose amerikane.

Përmes përpjekjeve të panumërta, ata arritën të fitonin të drejtën e qytetarisë në vendet që kishin zgjedhur të jetonin, duke përballuar male dhe dete paragjykimesh.  Teorikisht, në vitin 1990, me rënien e izolimit komunist, Shqipëria hapi dyert e saj për botën. Të parët që erdhën ishin institucionet ndërkombëtare dhe disa të huaj që vinin për punë. Për më shumë se një çerek shekulli, turistët e vetëm në Shqipëri ishin shqiptarët që jetonin jashtë, kur vizitonin familjet e tyre, ose shqiptarët nga rajoni. Mbaj mend një bisedë mes kolegësh rreth vitit 2008, të shqetësuar që bota pothuajse nuk na njihte, dhe se çdo herë që përmendeshim në mediat ndërkombëtare, kjo ndodhte zakonisht për shkak të disa shkeljeve përtej kufirit. Po kërkonim mënyra për ta ndryshuar këtë imazh. Diskutuam gjate derisa një nga kolegët e mi tha: “Mos u përpiq të gjesh një zgjidhje; imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë kur Shqipëria të ndryshojë.”

Shqipëria ka ndryshuar. Sot, Shqipëria është e vizitueshme, e reklamueshme dhe e jetueshme. Rritja e simpatisë dhe interesit për Shqipërinë në Evropë dhe në botë është rezultat i asaj që Shqipëria ofron sot: natyrë, histori, kulturë, shërbime, sport, argëtim, rehati, aventurë, infrastrukturë, arkitekturë, punë dhe siguri. Në Shqipëri, je i sigurt kudo dhe nuk ke arsye të ndihesh i pasigurt. Të sjellësh botën në derën e Shqipërisë dhe të bësh të njohur këtë vend të vogël në botë, besoj se ka qenë rrugëtimi më i paimagjinueshëm, më i vështirë dhe më i dhimbshëm i tranzicionit, që shënon gjithashtu fundin e izolimit ekstrem komunist. Deri para një dekade, ne ishim në rastin më të mirë një potencial; sot, jemi një realitet turistik me shumë mundësi të tjera ende të pashfrytëzuara. Ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit është një produkt i prekshëm i vizionit zhvillimor të lidershipit politik dhe i punës së jashtëzakonshme të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjatë këtyre tre dekadave postkomuniste.

Si një grua e lindur dhe e rritur në Shqipëri, ju keni bërë një kalim të suksesshëm pas-komunist. Cila është vizioni juaj për të ardhmen e grave në Shqipëri?

 Unë u rrita me një gjyshe që punonte me kohë të plotë në shtëpi, e cila investoi të gjithë talentin, inteligjencën dhe autoritetin e saj në familje, pa pasur kurrë mundësinë të provonte veten përtej atyre mureve. Nëna ime është gruaja tipike e realizmit socialist. Ajo punonte në punë dhe në shtëpi, pa e hequr kurrë vëmendjen dhe kujdesin për mirëqenien tonë, duke na inkurajuar të arsimohemi dhe duke na ushqyer ndjenjën e punës dhe përgjegjësisë. Jeta për gratë gjatë komunizmit ishte e vështirë dhe e mundimshme, deri në atë pikë sa çdo grua në ato dekada meritonte të quhej heroinë. Nëna ime ka bërë vetëm një punë gjatë gjithë jetës së saj, atë të zgjedhur nga shteti për të. Sot, duke e parë atë në të tetëdhjetat e saj, si arrin të shfrytëzojë të gjitha avantazhet që teknologjia ofron për informacionin, komunikimin dhe zgjidhjet, ndiej keqardhje që nuk pati mundësinë të zbulonte veten dhe të përdorte potencialin e saj të plotë. Megjithatë, ajo pati fatin të shihte vajzat e saj më të arsimuara se ajo, që bënin punën e zgjedhur prej tyre dhe jo atë që do të kishte zgjedhur shteti ose ideologjia për to, duke përballuar një tranzicion jashtëzakonisht të vështirë në çdo kuptim. Ndërsa për vajzën time dhe dy mbesat, spektri i të drejtave është i pakrahasueshëm, po ashtu si dhe mundësitë ku ato mund të lundrojnë dhe të jetojnë ëndrrat dhe pasionet e tyre. Ajo që përshkrova më sipër është zhvilluar në kontekste shumë komplekse dhe të vështira, me përpjekje gjigante për të arritur në botën e qytetëruar, duke luftuar çdo ditë me të kaluarën e komplikuar otomano-komuniste.

Sot, ende ka vajza dhe gra që përballen me pasojat e kësaj të kaluare, por gjithashtu ekziston një ushtri e madhe vajzash dhe grash të angazhuara në arsim, shëndetësi, shërbime sociale, drejtësi, art e kulturë, deri në nivelet më të larta të administratës publike, qeverisjes dhe politikbërjes. Një përparim kaq i qartë dhe një forcë kaq e madhe e kësaj ushtrie më bën të besoj se të gjitha vajzat dhe gratë e së ardhmes do të kenë kaluar pragun e nënshtrimit dhe do të jenë të afta të krijojnë jetën që zgjedhin, dhe jo atë që është zgjedhur për to. Ndërkohë, asnjë vizion për të ardhmen e grave nuk mund të ndahet nga vizioni për të ardhmen e djemve. Ka ardhur koha të flasim njësoj për të ardhmen e vajzave dhe djemve./atsh/ KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës shënon 24 vjetorin e themelimit

Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës ka shënuar 24 vjetorin e themelimit, nën interpretimin e mrekullueshëm të veprave të Lorenc Antonit dhe Gustav Mahlerit, në drejtimin e dirigjentit japonez Toshio Yanagisawa.

Orkestra Simfonike në hapje të këtij koncerti madhështorë interpretoi veprat ‘Valle shqiptare Nr. 1,’ ‘Në Prizrenin e Vjetër,’ dhe ‘Malësorja’ të Lorenc Antonit, për të vazhduar me premierën kosovare të Simfonisë Nr. 1 të Gustav Mahler-it.

I pranishëm në këtë ceremoni ka qenë edhe Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, meqë rast është shprehur se për dallim nga koha e themelimit me 13 anëtarë, tani ky institucion ka një orekstër të plotë me mbi 100 pjesëtarë.

“Filharmonia e Kosovës para 24 vitesh kishte vetëm 13 anëtarë, tani ka mbi 100 dhe orkestër të plotë. Duke ruajtur standarde të larta artistike dhe prezantuar kryevepra të muzikës klasike dhe moderne, ky institucion ka ndihmuar në forcimin e identitetit kulturor të Kosovës dhe ka pasuruar jetën artistike të shoqërisë sonë.

Urime dhe faleminderit!”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku në facebook./ KultPlus.com

Sot, Dita Ndërkombëtare për Akses Universal në Informacion

Më 17 nëntor 2015, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) shpalli 28 shtatorin si Ditën Ndërkombëtare për Akses Universal në Informacion.

Qasja universale në informacion do të thotë që secili ka të drejtë të kërkojë, të marrë dhe të japë informacion. Kjo e drejtë është pjesë përbërëse e së drejtës për lirinë e shprehjes dhe media luan një rol vendimtar në informimin e publikut për çështjet me interes, por mbështetet edhe në aftësinë për të kërkuar dhe marrë informacion. Prandaj, e drejta për akses universal në informacion është gjithashtu e lidhur me të drejtën për lirinë e shtypit.

Këtë vit theksi vihet mbi inteligjencën artificiale dhe qeverisjen elektronike të cilat mund të luajnë një rol të rëndësishëm për të përmirësuar aksesin në informacion në botën dixhitale.

Ato mund të ndihmojnë në kapërcimin e ndarjes dixhitale, duke u dhënë qytetarëve qasje në informacione të personalizuara dhe të arritshme. Ata mund të sigurojnë shërbime që janë më efikase. Qytetarët mund të marrin informacion dhe shërbimet e sektorit publik pothuajse menjëherë. Bërja dixhitale e shërbimeve qeveritare rrit transparencën dhe aksesin.

Megjithatë, këto zhvillime ngrenë gjithashtu pyetje në lidhje me të drejtat themelore dhe përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale dhe E-Qeverisjes nga institucionet publike. Duke qenë se Inteligjenca Artificiale përdor të dhënat e qytetarëve, ngrihen pyetje mbi mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve./atsh/ KultPlus.com

Ku kemi lerë…

Në c’vend kemi lerë?
Ku na bëjnë nderë?
–Në Shqipëri.

Po njeriu vetë,
cil e do në jetë?
–Do vend’ e tij.

Ku i duket balta
m’ë e ëmbel se mjalta?
–Në vend të tij.

Ku munt te gezoje
dhe me nder te rroje?
–Ne Shqiperi.

Përse të punojë
dhe të lakëmojë?
–Për vend’ e tij./ KultPlus.com

Sekreti i vendit më të lumtur në botë

Finlanda sapo është shpallur vendi më i lumtur në botë nga Raporti i Lumturisë Botërore, i lançuar në vitin 2012 për të promovuar qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB). Të pyeturve iu kërkua të vlerësonin jetën e tyre në një shkallë nga një deri në dhjetë.

Ndërsa vendet skandinave si zakonisht zinin vendet e para, si Amerika ashtu edhe Gjermania ranë nga 20 vendet e para. Afganistani i goditur nga lufta dhe revolucionet mbante vendin e fundit në renditjen e 143 vendeve, me një rezultat prej vetëm 1.7 krahasuar me Finlandën 7.7 dhe Danimarkën 7.6. 

Barazia gjinore, besimi në institucionet kombëtare dhe bashkatdhetarët dhe korrupsioni i ulët janë të gjithë faktorë të rëndësishëm në lumturinë e finlandezëve, thotë Kai Sauer, ambasadori i Finlandës në Gjermani. Në vitin 1906 Finlanda u bë vendi i parë në botë që u dha grave të drejtën e plotë për të votuar dhe për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare. Kur vitin e kaluar një reporter për Reader’s Digest, pretendoi se humbi 12 kuleta me para dhe informacione kontakti në 16 qytete në mbarë botën për të testuar ndershmërinë e qytetarëve, Helsinki, kryeqyteti finlandez, doli të ishte më i sinqerti: 11 nga 12 kuletat iu kthyen. Dhe sipas indeksit të fundit vjetor nga Transparency International, një organizatë me bazë në Berlin, Finlanda është vendi i dytë më pak i korruptuar në botë, pas Danimarkës.

Arsimi i shkëlqyer falas, kujdesi shëndetësor universal dhe politikat miqësore ndaj familjes luajnë një rol të rëndësishëm për t’i bërë finlandezët të kënaqur me jetën e tyre. Sistemi arsimor i Finlandës renditet i teti në mesin e vendeve më të arsimuara në botë sipas Rishikimit të Popullsisë Botërore të OKB-së.

Shërbimet shëndetësore nuk janë falas, por janë të përballueshme. Megjithatë, disa argumentojnë se arsyeja e vërtetë është se finlandezët i largojnë mendimet e tyre negative. Finlanda ka afërsisht 3.5 milionë sauna, më shumë se një për dy finlandez. Të gjitha ndërtesat qeveritare kanë sauna. Një ekspozitë në Berlin e quajtur “Die Sauna. Echt heiss.Echt finnisch”, sponsorizuar nga ambasada finlandeze, po feston kulturën e saunës me foto, video dhe … një sauna. Është një sukses i madh. Të gjitha seancat e mbetura janë të rezervuara. / the economist/ KultPlus.com

Screenshot

Ku t’i vë të flenë kujtimet

Poezi nga Argëzon Sulejmani

Ku t’i vë të flenë kujtimet 
Tash kur Parkut të Ulpianës i është vënë laku   

Ka për t’u folur përgjithmonë
Për këtë pranverë brymsi 
Që me peizazh nënqefini të qorron
Bash si borë e munguar e këtij dimri 

Hapa ikanakësh nga të gjitha anët 
Hapa që e lusin ikjen t’i çojë diku 
Sy që nuk shihen më sy 
Se ndjehen me faj e pa fat 
Ndaloj në mes të xhadesë dhe më marrin për të krisur 
Njëjtë si më pat kujtuar ajo
Kur hiqesha sikur do kërceja nga rrokaqiejtë
Po qe se nuk vinte në një nga kthinat nëntokësore
Ajo pastaj qeshte  
Këta pastaj qeshin po ashtu 

Qytetit të zemrës i ka ngrirë zemra 
Kërkon rruazat e secilit në emër të zembrekut 
E unë ndjehem sall si kanaqe e zhubrosur 
Në koshin e mbetjeve
Që në vend të riciklimit beson alkiminë 

Bëlbëzoj lutjet e të gjitha gjuhëve e zemrave 
Dhe pres qiejtë të ma kumtojnë: 
Ku t’i vë të flenë kujtimet
Tash kur Parkut të Ulpianës i është vënë laku.

Prishtinë, Prill, 2020. / KultPlus.com

“O Zot, O Zot, o zoja e shpisë!”, zhvesh të fshehtat e patriarkatit në “FemArt”

Shkruan: Gili Hoxhaj

Zhurma e gjygymave tok me disa fjalë thumbuese janë të parat që dëgjohen. Ato japin mesazh që gjendja s’është hiq mirë. Aktorja në skenë luan me duart. Dëshmon se duart janë qendra e trupit. Me të njëjtin mesazh i drejtohet dhe një zë nëne. I flet se si duart janë të lidhura me zemrën. Kur kënga pushon ngadalë, burrat e marrin skenën e ajo mbetet një figurë perifikerik që hynë në lojë sa për të u shërbyer çaj. Burrat me plisa e me tirq pleqërojnë të shkuarën e të tashmen që su bie tamam. Kujtojnë kohën e rinisë e u dëgjohen lugët që rrokullisen në gota. Muzika e tingujve e fjalëve shqip mes skenave është fuqia shtesë. “O Zot, O Zot, o zoja e shpisë!” me koreografi të Robert Nuhës e tekst e dramaturgji të Zana Hoxhës, erdhi premierë në ditën e dytë të “FemArt” it në Prishtinë.

Festivali përgjatë gjithë ditës së dytë është shtrirë në tërë qytetin, me punëtori e shfaqje në “Dodona”, performancë te memoriali “Heroinat” e “NewBorn” e diskutim në Institutin Francez me temën “Femicidi – Si ta luftojmë?”. Por, përmbyllja në teatrin “Oda” është e tillë që të largon nga çdo gjë dinamike në të cilën ka kaluar paraprakisht. Për këtë dans-teatër duket sikur krejt folklori shqiptar është hulumtuar e aktorët kanë bashkëjetuar me të. Kaq e natyrshme është gjuha, shakatë, pasthirrmat, gjëmimi, por edhe frymëmarrja. Lëvizjet me koreografi profesionale japin dinamikë plotësuese. Të qeshurat e publikut u bënë dialog i vazhdueshëm me aktorët. Edhe kjo krejt natyrshëm. Shumë tema të tjera dalin në pah – aso krejt të zakonshme për një ambient burrash të ulur këmbëkryq besa edhe përtej asaj. Hisja është “mollë sherri” mes muhabetesh e avancimi i grave akoma gati se krejt i papranueshëm. 

“I ka ardhë fundi kësaj dynjeje. Gratë po mendojnë që janë burra” – Ahmeti i drejtohet Bedriut dhe këtu publiku hyn në thelb të kauzës që bartë shfaqja. Del që është bërë problem që gratë kanë filluar të mendojnë për hise e ta zhvillojnë jetën edhe jashtë dyerve të shtëpisë. S’ka si të mungojë përmendja e kanunit. Shfaqja i ka rrënjët në rregullat shtypëse, por që trungun e zhvillon larg prej tyre. Besa e luajtur nga Altina Binaku përfaqëson personazhin e motrës, e cila ka trashëguar unazën e familjes. Por, vëllezërit Shpendi e Arbeni nuk e shohin si të drejtë. Madje Shpendi është i bindur që i takon edhe toka, edhe shtëpia, edhe unaza. Besa e mban atë, por as kur e pohon vëllezërit nuk binden.

Në raste dhe e shpërfillin derisa ajo luan me fuqinë e unazës deri në atë gjendje që do t’i tranformojë të gjithë. Atëherë, ata do duhej të qeshnin me njëri-tjetrin dhe veten në pasqyrë. Hijet ishin ndërgjegjja përtej tyre. Ky proces me gjithë këtë dinamikë skenike dhe dramturgjike ka pasur sfidat e veta për koreografin Robert Nuha.

“Ka qenë një proces shumë kërkues dhe i lodhshëm – proces në të cilin në thelb jemi munduar në forma komike t’i shprehim temat që janë të rënda për shoqërinë tonë. Ka qenë goxha sfiduese dhe na ka falur momente hareje. Një ndërthurje nëpërmjet artit të lëvizjes dhe artit të fjalës. Është dashur me aktorët ta gjejmë masën e caktuar që ta shprehim mesazhin e duhur dhe ta ruajmë kualitetin intepretativ”, ka thënë ai.

Besa për të ruajtur rrugën e saj me raste është edhe moskokqarëse. Adhuruese e madhe e muzikës rap – ku edhe e gjen revoltën që e shpreh në skenë. Pleqnarët shfaqen mes skenash sa për ta rikujtuar brumin e belasë që më shumë e përçanë se sa e ndërton raportin mes vëllezërve dhe motrës, madje lufta bëhet e ashpër edhe mes vëllezërve. Ata shpesh përfundojnë në një afërsi e situatash që i zhveshë nga maskuliniteti.

“Toka është për burra, për gratë është çaji”-është fjali tjetër me të cilën ironizohen gratë. Me një gërshetim të pasur vizual ku skenat ndërrohen pa u hetuar. NoaDance Theatre Co. me Artpolis bashkuan forcat për një interpretim të guximshëm dhe humoristik mbi maskulinitetin dhe patriarkatin. Duke kombinuar vallëzimin bashkëkohor, gjuhën e trupit dhe video projeksionet, kjo shfaqje riimagjinon praktikat tradicionale shqiptare në një mënyrë provokuese dhe argëtuese. Publiku qesh me ironinë, por hetohet që është i vetëdijshëm për mesazhin.

Hysaj: Shfaqja duhet të lëvizë nëpër qendra 

Dramaturgu dhe regjisori Fadil Hysaj e përshkruan si një shfaqje me shumë finesë, delikatesë ku ironia dhe sarkazma është me masë. Si e tillë, sipas Hysajt shfaqja duhet të bartet edhe në skena të tjera pasi që arrin ta godasë me mesazhin që publiku të zhytet në të.

“Trajtimi i temës në një dimension shpesh mistik, pastaj kalimi prej një niveli në tjetrin, prej ëndrrës në realitet, lidhja e koreografisë me situatat, kanë një artizëm për lakmi – një artizëm jashtëzakonisht të ndërtuar. Ajo që më pëlqeu më së shumti është doza e kauzës delikate, nuk është agresive dhe kjo e bën shfaqjen të komunikueshme me publikun. Është mirë që kjo shfaqje të lëvizë nëpër qendra që të ketë efektet për kauzën prej së cilës ka lindur”, ka thënë Hysaj pas shfaqjes.

Shpendi luajtur mjeshtërisht nga Labinot Raci- vëllau më i madh i familjes dëshmon se e kishte pasur barrën e qëndrimit me babain kur vëllau e motra mendonin për ëndrrat. Flet për vetminë brenda familjes e se ia kanë mësuar që burrëria matet me ton e sjellje të vrazhda. Kështu ia ka mësuar babai dominues e nëna e nënshtruar. Se ndryshe s’mund të pranohet në shoqëri. Arbeni luajtur nga Edlir Gashi mban barrën tjetër të detyrimit të largimit se i rrezikohej fati. Por, ai është më mendjehapur dhe me raste edhe e beson se unaza i përket motrës. 

Regjisorja Zana Hoxha që e ka bërë vetë tekstin dhe dramaturgjinë e shfaqjes “O Zot, O Zot, o zoja e shpisë!” e përshkruan si procesin më sfidues deri tani. Temën e kësaj shfaqje e kishte pasur shpesh pjesë të diskutimeve, por kur bëhej fjalë për skenën ajo ishte përpjekur të mësojë procesin që koreografi dhe regjisori Robert Nuha, së bashku me aktorët e kishin krijuar. “I gjithë procesi ishte shumë horizontal dhe bashkëpunues dhe sfidat ishin të shumta, sidomos duke qenë se ishte një kombinim teknikash të ndryshme si projeksione, vallëzim, aktrim dhe stile të ndryshme artistike.”

“Si regjisore feministe, dhe tani edhe si dramaturge, bashkëpunimi im me Robertin dhe Ansamblin Artpolisit ka qenë një eksperiencë shumë e rëndësishme për mua. Gjithmonë kam qenë e fokusuar në trajtimin e tekstit nga një perspektivë feministe, duke u përqendruar veçanërisht në traditat, zakonet dhe luftën ndaj mentalitetit patriarkal. Kjo është ajo që më frymëzon si regjisore dhe dramaturge – të krijoj një qasje ku humori depërton në fillim, për të tërhequr zemrat e njerëzve. Por, ndërsa zhvillohet shfaqja, gjërat bëhen më dramatike dhe në fund arrin një mesazh i fortë, ku humori zhduket dhe emocioni thellë prek publikun”, ka treguar ajo. Dhe në fakt ashtu dhe ndodhi. Secili gjeti pjesë nga vetja, vëllau, motra, nëna dhe babai.  

Besës nuk i bënte asgjë përshtypje. Luftonte vetëm në përballje direkte. Asnjë bisedë më shumë, kah fundi i shfaqjes zhytej ne pasionet dhe ëndrrat e saj. Një personazh i ndarë nga normat që  më shumë i bëjnë dëm se sa dobi dëshmon që ndonjëherë betejat mund të fitohen edhe duke mos i përfillur. Vajzat si Besa e mbajnë pushtetin, luftën ua lënë të tjerëve. Kjo ndodh sepse ato besojnë në fitoren dhe atë që ju takon. Këtë na mësoi “FemArti” në mbrëmjen e dytë. / KultPlus.com

Kosova dhe Lituania nënshkruajnë marrëveshje për evitimin e imigrimit ilegal në Nju Jork

Kosova dhe Lituania kanë ndërtuar një partneritet të fuqishëm, duke u përqendruar veçanërisht në forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si siguria, ekonomia dhe integrimet euroantlantike.

Kështu ka thënë Ministria e Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) përmes një komunikate.

Thuhet se në margjinat e sesionit të 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, ministrja Donika Gërvalla, u takua me homologun e saj lituanez, Gabrielius Landsbergis, me të cilin kanë nënshkruar marrëveshje për evitimin e imigrimit ilegal, përmes ripranimit të personave që qëndrojnë pa autorizim në vendet përkatëse.

Gjatë takimit, “Gërvalla shprehu mirënjohjen për mbështetjen e palëkundur të Lituanisë për Kosovën, në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin euroantlantik”./ KultPlus.com

Faik Konica: Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku

Faik Konica lindi më 15 mars të vitit 1875 në Konicë. Ai ishte zë i çështjes kombëtare, studiues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Ndër thëniet e Konicës, sot po veçojmë këtë:

“Shqiptarët kur i lë treni, kurrë nuk thonë u vonuam, por na iku”.

Konica vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Washington./ KultPlus.com

Samuel Beckett, ai që i dha njerëzores thelbësoren në art, dhe e çliroi teatrin nga konvencionet

Dramaturgu, romancieri dhe poeti irlandez fitues i çmimit Nobel, Samuel Beckett nderohet si një nga shkrimtarët më me ndikim të shekullit të 20-të.

Ai mbahet mend më së miri si babai i lëvizjes postmoderniste, vepra e së cilës ndikoi në një gamë të gjerë shkrimtarësh dhe kineastësh të mëvonshëm. Ai ishte gjithashtu shkrimtar i “Teatrit të Absurdit”, pjesë të zhanrit të trillimit absurdist. Puna e tij ka qenë e ngulitur me elemente të komedisë së zezë, humor të varur dhe ofron një pamje tragjikomike në natyrën njerëzore. Vepra e tij kryesore “Duke pritur Godet” është një klasik i përjetshëm që thellohej në absurditetin e ekzistencës njerëzore. Samuel Beckett u bë pjesë e lëvizjes së Rezistencës Franceze gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe iku për t’i shpëtuar këtij ferri vrastar. Gjatë viteve të luftës, ai ia kushtoi kohën shkrimit të disa prej veprave të tij më të vlerësuara. U kthye në Paris pasi gjermanët u larguan dhe arriti kulmin e karrierës së tij si shkrimtar. Disa nga veprat e tij më të njohura përfshijnë, “Malone Dies”, “Molloy”, “The Unnameable”, “Watt” dhe drama, “Endgame”. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se njëzet gjuhë.

Ai, Samuel Beckett ishte i zgjedhuri. Vinte për ta kthyer teatrin në një skenë ngjarjesh të mëdha, kumtimesh të epërme dhe transformimesh estetike.

Samuel Beckett, njihet prej mbarë nesh si novelist, dramaturg dhe poet. Djaloshi irlandez i lindur në Dublin rroku të hyjshmen e krijimit me pasionin e ngulmëtarit. Erdhi në letërsi dhe njiherash në artin e dramës, ashtu ngadalë, pa poterë e trumbeta lajmëruese. U ngjit duke sprovuar pa panikun e të pamundurës. Asgjë rastësore nuk vjen me të. Ai përgatitet për të gjitha dhe gjithçka që reflekton protagonismin e tij, është veçse vetja e një Sizifi që ngjitet. Teatri është Olimpi i këtij Zeusi që fal plotpushtetin por nuk i heq nga dora ushtat e zjarrit. Teatri, ai manifestim që përpëlitej në terrin dhe heshtjen, asgjësë dhe mykut të përtej siparit të së shkuarës dhe domosdosë së një shekulli ngulmëtar, kërkonte një zë, një zemëratë, një ëndërr gjërash të thyera që paralajmëronin ribërjen e botës.

***

Messhekulli XX tenton të ringrejë diçkanë në teatër si nga hiri Feniksin mitik. Vendosje elegante, kostume madhështore, intriga të spërdredhura dhe mbarime të lumtura, janë hope filluese. Ardhje që kërkonin të ngrinin të tjera ura komunikimi me një njeri që ndryshonte më shpejt koha, me një botëkuptim që kërkonte të ngrihej mbi gërmadhat e së shkuarës. Vetëdija konfuze e një individi që kërkonte shumëçka pa qenë në gjendje të vizualizonte se çfarë, më shumë se një rebus që kërkon zgjidhje ishte një dhimbjë që kërkon mbivendosjen e një tjetër dhimbje, për ta ndarë ngadalë nga terrori i padurimit të torturës së ferrit që kishte gatuar vetë. Samuel Beckett, ndoshta kishte diçka për të thënë, për të bërë, jo dhe aq për ta çkoduar këtë enigmë, se sa për të ç’burgosur këtë gjendje shpirtërore nga boshi, për t’i kthyer thelbësoren këtij njeriu përmes teatrit.

Ai na qaset me gjëra krejt të tjera, të ngjashme me gjendjen e zhveshur të një peme të vetme, pushtuar nga dy endacakë të rreckosur, që prisnin për dikë që nuk do të vinte kurrë.

Në këtë kohë boshe dhe me këto shpirtra të telendisur, shkrimtari na ofroi ne shëndetin e brutalitetit, dhembshurisë, shpresës dhe dëshpërimit, të gjitha në të njëjtën kohë.

Nga erdhi ky njeri, ky njeri, i cili ishte aq i përqendruar në më të keqen tonë dhe që nuk mund të na ndihmonte ne… për të zbuluar më të mirën. Por ai u përpoq, i bindur se njeriut që kishte marrë arratinë nga vetja, do ti lejohej të rivinte, pa pendim a shpagë.

E hapi derën e atij vendi, që dukej qartë si një dhomë e murrëtyer dhe na ftoi të futeshim brenda. Ngadalë… sytë tanë u mësuan me errësirën, dhe mundëm pak nga pak që t’i shikonim gjërat shumë më qartë.

***

Te teatri bashkëkohor i Samuel Beckett, dikush mund të shikojë se si ai zhvishet nga grackat konvencionale të trillimit artistik, duke u përpjekur tashmë që të zbresë deri te thelbësoren e gjërave. Dhe vërtetë ai e përlan me fushëpamje të gjithën këtë proces krijimi, këtë identitet që rreket të kërkojë të tashmen e vet.

Ndër krejt tekstshkruesit e plotkuptimtë modernë, Samuel Beckett, e veçon veten në një këndshikim të ndryshët të botës, reales, racionales, të kuptueshmes. Qëllimisht ai më bëhet se vendos të qëndrojë nga na e errët, nga ajo pjesë e reales së gjërave dhe gjëndjeve ku pahet fare me dritën, ose e ka refuzuar përgjithmonë këtë thërmi të gjallimit zjarmues.

***

Më 13 prill 1906 u lind ai, Samuel Beckett, novelist, dramaturg dhe poet, fitues i Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 1969, personazh që mban mbi vete ndikesën e fuqishme të një shekulli dhe barrën e rëndë të “teatrit absurd”. I fundmi modernist, i ethshmi tragjikomik, gjithëpoaq një themel i kështjellës së shëmbëllimit të vlerave të tetarit si altar predikimesh.

Vizionet e tij të ngrysura në lidhje me qenien dhe me ekzistencën njerëzore në themel të konceptimit, nxitojnë t’i hedhin mbi supe mantelin e një nihilisti. Sipas tij, fati i njeriut në të tashmen e përgjithmonshme është përgjithësisht i erret, ngase në çdo kapërcyell, në çdo kthinë, në çdo qoshkë e skutë, e përgjon sëmundja, mjerimi, vdekja. Në një njëfarë mënyre, kësaj krijese fatkeqe një Amok i vihet nga pas këmba-këmbës, nga djepi në varr duke mos e lënë për asnjë çast të qetë. Së këndejmi rrekemi të dëshifrojmë tek ai botekuptimin e një pesimisti të pandreqshëm, një lloj predikimi të Zarathustrës si Zot.

Situatat e ngjeshura dramatike në kumtin krijues të Samuel Beckett ngulmojnë të shpërfaqin vetëm episode të ngrysura, shterrur prej gjithëpamjes, të jetës. Vetmia, dobësia, degradimi, humbja e dinjitetit, janë kudhrat ku ai farkëton personazhin e tij absurd, me kast nevojën e tharmit të një mbinjeriu, për të cilin flet Niçe. Humori sarkastik që shoqëron skenat, situatat, gjestet dhe personazhet, e bën më klithës këtë pesimizëm që ngërthen skajet ku tendoset njeriu që ai njeh, njeriu që ai ka takuar, vetvetja që ai rreket ta predikojë si një mundësi për ta çliruar njeriun bashkëkohor nga plogështia, boshi dhe shterrimi.

Beckett duket qartë se është i apasionuar pas shpirtit spartan dhe nuk toleron kundrejt asgjëje që personazhet e tij të vijnë si një forcë që zhvendos atë që rrezikon vërtetë të tashmen duke nxjerrë në dritë një krijesë të gatshme për tu ndeshur. Forca përshkruese dhe thellësia depërtuese e brendisë dhe shpirtit të personazheve të tij e bëjnë Beckettin një ndër penat me të fuqishme të letërsisë moderne.

Ndoshta jo aq i pazakontë se sa i vetvetishëm, Beckett i rrethvjen nevojës së njeriut bashkëkohor të njihet me një pjesë të vetes së tij, të cilën ndonse e ka të vështirë ta pranojë, ai gjithqysh jeton me të. Sipas këtij deshifrimi të absurdit Beckettian, ky njeri duke e pranuar këtë vetvete, nuk ka pse druhet ta njohë, ta shikojë në sy, të flasë për të dhe të ndeshet me të, si me një sëmundje të cilën mund ta luftosh pasi e ke denoncuar, jo duke e fshehur, duke e strukur pas alogjizmit trashanik: se kur diçka e largojmë nga sytë e botës, ajo nuk ekziston. Harrojmë se rrugën për tek mjeku na e tregon gjithnjë sëmundja dhe shërimin na e predikon ndeshja dhëmb për dhëmb dhe jo përpjekja për të fshehur veten pas gishtit.

***

Kësosoj Samule Beckett e vendos veten në rendin e penave më të veçanta,  më origjinalë dhe më të rëndësishëm të shekullit të 20-të.

Ai nuk ishte ekzistencialist si filozofi francez Jean-Paul Sartre.

Puna e tij ngjasonte në disa drejtime me atë të James Joyce, mësuesit të tij të parë, kryesisht në përdorimin e gjuhës.

Me Franc Kafkën ngjasonte në trajtimin e disa situatave herë-herë duke përcjellë frikë e terror.

Me Fjodor Dostojevskin, në nxjerrjen në pah të shpirtit njerëzor, të përjetimeve dhe vështirësive me të cilat ndeshet njeriu në jetë.

Me Dante Aligerin tek kryevepra botërore “Komedia Hyjnore” atë e pikëtakon frymëzimi.

Nëpërmjet romanit “Duke pritur Godonë” e cila është edhe vepra e tij më e suksesshme ai përcjell tek lexuesi shpirtin dramatik ku e konsideron veten një romancier të mirfilltë. “Duke pritur Godon” u shkrua në 5 Janar të vitit 1953 në Paris . Është konsideruar për shumë kohë si “best seller”. Krijimtaria letrare e Samuel Beckettit shpesh herë është përdorur edhe në teatër ku regjisorë me famë botërore kanë ngjitur vepra të ndryshme në skenë të cilat janë pritur mjaft mirë nga publiku dhe kanë patur shumë sukses. Duke bërë një shëtitje “virtuale” përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë ai shkroi poema dhe histori nga më të ndryshmet duke treguar përjetime dhe situata nga më interesantet të cilat i skaliti me mjeshtëri në rrjeshtat që kanë mbushur librat e botuara prej penës së tij.

Ky është Samuel Beckett, predikuesi i absurdit si formë çlirimi e njeriut nga plogështia dhe boshi, sëmundje këto me të cilat e molepsi modernizmi.

Vdiq më 22 dhjetor 1989 në moshën 83 vjeçare në Paris të Francës. Ai u varros së bashku me gruan e tij në Cimetière du Montparnasse në Paris.

Nga Albert Vataj / KultPlus.com

‘You are not alone’, një nga këngët më të bukura të Michael Jackson (VIDEO)

Michael Jackson u lind më 29 gusht 1958, në Gary, Indiana dhe vdiq më 25 qershor 2009, në Los Anxhelos, Kaliforni. Ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, kërcimtar amerikan, shkruan KultPlus.

I pagëzuar si ‘Mbreti i Popit’, siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Kontributet e tij në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Më poshtë gjeni një nga këngët e tij të njohura “You are not alone”, bashkë me tekstin. / KultPlus.com

Një poete franceze e dashuruar me dervishët shqiptar

Dervishi, përballë saj… Në heshtjen e dhomës dhe meditimin e gjatë. Një dialog nën zë, ndërkohë që ajo shkruan vargje. Poetja dhe dervishi. Dervishi otoman, zbarkuar në Paris nga miku i saj, piktori Omer Kaleshi. Dervishi që e ka lënë teqenë e tij, që është larguar nga vallja e tij rrotulluese nën një muzikë “ney” dhe ka ndalur aty në dhomën e saj, një ditë të vitit 2012, ku qëndron ditë e natë brënda një kornize, duke e parë atë me sytë e tij të mbyllur.

«Edhe pse symbyllur, dervishi shikon» – thotë piktori. Magjia e mistikës. Dervishi ka fatin ta shohë poeten dhe në çastet e saj intime, dhe atëherë kur ajo zhvishet, flë, zgjohet, me këmishën e saj të hollë me hiret e saj lakuriq dhe atë trup të hollë si nudot e hershme të vetë piktorit, atëherë kur ishte student, «nudo mjalti» siç i quan ajo, krijuar në vitin 1962.

E kisha fotografuar atë dervish në atelierin e piktorit, kur ai e kishte zbritur atë nga kavaleti i tij i vjetër dhe e kishte vendosur në kornizë. Pastaj një ditë, dervishi, kishte shkuar të gjente një strehë tjetër, më të gëzuar e femërore, një strehë të përhershme, dhomën e poetes që e shikonte me aq kërshëri, poetes që i kishte kënduar aq shumë: « … dervishi ballë shtratit tim nuk është në të zeza veshur me të bardha është gati të vijë rrotull por ai nuk rrotullohet është gati për ekstazën e tij ai qëndron i qetë dhe i paqtë aty duke pritur ceremoninë…”.

Gjithçka kishte një shije dashurie, apo diçka më shumë: sublimja e ngjyrës, figurës dhe fjalës, e poezisë me pikturën, për çka aq shumë kishte shkruar dhe i madhi Leonardo Da Vinci. Atje në atelierin e tij krijohej mrekullia.

A nuk ka shkruar ajo për tablotë e tij se: «Mrekullia mbahet veç në një fill ku ti var nga një breg në tjetrin peshq dhe koka virgjëresha dhe barinj një lot alkimik…» Ja ku kam ardhur tashmë në sallonin e mikes time Laure Cambau.

Dervishi nuk është vetëm. Jemi tre. Ai rri i heshtur dhe dëgjon fjalët tona për atin e tij, krijuesin e tij, Omer Kaleshin. Kur Laure u njoh me Kaleshin dhjetë vjet më parë, kur kisha organizuar ekspozitën e madhe të tij në hollet e bashkisë së Parisit XIII, ky piktor e habiti me kokat e shumta të tij: Omeri i kokave. Vallë përsëri një poemë homerike në kohët moderne?

Shpejt poetja e adhuroi dhe krijuesin e kokave. Ngjiste shkallët e shumta të katit të shtatë atje në bulevardin Arago. Shkonte të shikonte kokat e reja, barinj e dervishë, vajza që shisnin fruta, çobanë të rinj, personazhe të dramës së fundit ballkanike, fëmijë, fytyra ballkanasish të vjetër e të rinj. Atje, në atelier, ajo shijonte dhe rakinë e tij, dhe heshtjen e tij, pasi Omeri flet pak, ose aspak… një “heshtje memece”, siç e cilësonte miku i tij, filozofi Jacques Lacarriere, i cili po ashtu i kishte kushtuar shumë poezi kokave të tij.

Dhe kështu, poetja zbriste pastaj ato shkallë “qiellore” për të shkuar në shtëpinë e saj apo në kafene, për të shkruar vargjet e saj. Kokat e Omerit rijetonin kësaj rradhe brënda vargjeve: “Një podium kokash të vendosura e të futura bashkë një kokë e madhe mbi dy koka dy koka të vogla mbi një të madhe pesëmbëdhjetë koka kokëforta që bëjnë veç me kokë të tyre e nganjëherë të bijen mbi kokë!…”.

Dhe kështu, njëra pas tjetrës ajo krijoi nëntëmbëdhjetë poezi. Atëherë po përgatisja një libër me titull “Fjala e Omerikëve”, duke përmbledhur poezitë e poetëve të ndryshëm, miq të piktorit, si poetë francezë, shqiptarë, turq, maqedonas. Aty u vendosën edhe poezitë e Laure-s: një poezi, një tabllo.

Pas botimit të këtij libri në frëngjisht, shqip dhe maqedonisht, Laure Cambau do të vazhdonte udhëtimin e saj poetik nga atelieri i piktorit në sallonin e saj në Rue Damesme. Poezitë shtoheshin dhe kur takoheshim, unë shpesh e pyesja nëse kishte ende ndonjë poezi të re për mikun e saj. Dhe ajo m’i dërgonte për të shuar kureshtjen time: “Kam ëndërruar se më pikturoje dhe unë kisha frikë në të bardhën e telajos…” Këto poezi u botuan në librin poetik të saj Letra vagabondit qiellor (Lettres au Voyou céleste), të shtëpisë botuese Editions de l’Amandier, një vëllim i ndarë në dy blloqe poetikë, ku blloku i dytë E bardha pa të bardhë (Blanc sans blanc) i kushtohej Omerit dhe tablove të tij. Dhjetra poezi kushtuar Omer Kaleshit.

Por përsëri, kjo aventurë poetike, nga atelieri i bulevardit Arago, në Vavin, Denfert Rochereau apo në Buttes aux Cailles, etj, e pastaj do të vazhdonte në mbrëmjet e vona në Rue Damesme. Kështu u krijuan poezitë e tjera si Sytë e triptikut, Mbi sytë e mi, Tabloja e të katërve, Përse dy data – palimpsest, etj. E kuqe me të kuqe, e zezë pa të zezë… një paletë ngjyrash poetike ngjizur në vargje, si në një pjatancë frutash të Chardin. Piktori gjithnjë e befasonte atë me krijimet e reja të tij, por dhe poetja e befasonte piktorin me vargun e saj. Dhe ishte ai tani që më përcillte poezinë e saj më të fundit, një poezi pas tjetrës: «Merre, lexoje… bukur!»…

Dhe kështu lindi idea e këtij libri poetik, ku çdo poezi do të vendosej përkrah tablosë që e kishte frymëzuar atë, përcjellë nga frëngjishtja në shqip, nga njëri cep i urës gjigande në tjetrën, nga Parisi në Tiranë, në sofrën poetike të Rita Petros… Laure shikonte nuancat e së kuqes, humbiste në të kuq si në ujrat e një deti dhe në mëndje i vinte historia e asaj ngjyre pas së cilës ishte kapur aq shumë ai piktor: ngjyra e përzgjedhur e tij që në vitet e Akademisë së Arteve të Bukura në Stamboll: «Ti bën zjarr me çdo dru nga druri i spatulës tek druri i kavaletit nga këto flakë lind qielli i tablove të tua tabloja që mbushet me gjakun tënd në kufirin e së kuqes dhe të hapësirës nga hauri tek therrtorja fëmija rritet dhe në ditët që zgjohen kërkon ngjyrën e zjarrit gjaku thahet në tas dhe në porta në këmishat dhe në koka spatula vazhdon udhën e saj…”.

Në atelierin e Omerit, çdo detaj kishte për të një domethënie. Shpesh gjendeshim të tre, ulur në minderet otomane, para një rakije që ia sjell piktorit gjithnjë nga Shqipëria.

Ajo vështronte atelierin dhe humbiste në detajet dhe imazhet e çuditshme të një jete, të një historie, në atë Ballkan të vockël, të rikrijuar aty, në katin e shtatë, buzë reve, në prag të qiellit dhe gjithësisë, në natën e yjëzuar… Përse ai kolltuk i rëndë prej druri i piktorit bërë nga duart e tij? Përse ajo musandër, ajo tabelë plot manometra elektrikë të një bote të shkuar, ato kukulla dervishësh, etj, përse syreti i gjyshit i varur në mur, figurinat në miniaturë të çobanëve, shportat ku ai imagjinonte të vendoste kokat e tij, ajo këmbë allçie që varej në tavan të atelierit apo ikona e kokës së prerë të Gjon Pagëzorit?…

Njëmijë “përse” të saj si njëmijë shkallë për tu ngjitur e zbuluar jetën e një njeriu, e një artisti. Dhe kështu, duke kërkuar domethënien e një date, një ngjarje, dhimbje e dashurie, ajo e ktheu këtë histori njerëzore në një poemë të gjatë që s’dihet kur do të mbarojë, pasi piktori është e habitshëm, poetja gjithashtu! Gjithnjë do të ndeshesh me një të papritur. Laure Cambau është një poete e njohur në rrethet letrare e poetike franceze.

Disa çmime ndërkombëtare ndër të cilat dhe çmimet “Poncetton” të SGDL (Shoqatës së të Drejtave Autorëve) për librin e saj Letra vagabondit qiellor më 2010 apo “Simone Laundry”, më 2015, etj, dëshmojnë statusin e kësaj poete në poezinë franceze e frankofone në përgjithësi. Poezinë ajo e përqafoi që në fëmijërinë dhe adoleshencën e saj, kur shtatë vjeçare shkroi poezitë e para e më pas tekste këngësh, kohë kur luante sonatat e para të Chopin në pianon e vjetër familjare.

Ishte biblioteka e madhe e prindërve dhe ajo botë librash që do t’i shpaloste magjinë e leximit dhe të krijimit, dhurata e nënës për ditëlindje me një vëllim të Baudelaire në “Pleiade” të Gallimard. Kështu Baudelaire u bë shpejt i preferuari i saj, ylli polar poetik. Pastaj Verlaine, Rimbaud…

Më vonë poetë të tjerë trokitën në dritaret e shpirtit të saj: Max Jacob, Eluard, Lorca… Çuditërisht dhe një poet mistik spanjoll: Jean de la Croix apo vetë figura e shenjtes Thérèse de Lisieux në Normandi. Poetë, mistikë dhe shenjtë… shenjtë të të gjitha feve dhe kombeve. Libri i parë poetik Bulevarde lunatike (Boulevards lunatiques), u botua në Editions Brocéliande, në vitin 1998, ku poezitë e saj ilustroheshin dhe me fotot e botuesit. Ishte padyshim një ngjarje në jetën e saj duke e frymëzuar për të ngjitur më shpejt shtigjet e reja poetike.

Laure Cambau është gjithashtu pianiste. Jo rrallë ajo të fton në koncertet e saj muzikore apo ato koncerte që ka dhënë nëpër Europë, ku poezia gërshetohet me sonatat e pianos, ku luan muzikë me tekstet e Heine, Holderlin, Eluard, Hesse, Lorca… Ndoshta është dervishi i Omerit ai që e shtyu atë të merrte udhët drejt Shqipërisë dhe t’i ngjitej Malit të Tomorrit, atje ku çdo vit bëhet festa e bektashinjve, atje ku kryegjyshi botëror, Baba Mondi, bën lutjen drejtuar Zotit të tij.

Lutje me aromë paqeje, shpirti që nuk vdes, vere dhe dashurie. Në dhomën e saj, Laure ka madje dhe një diplomë të firmosur nga dora e kryegjyshit për shfaqjen e saj në majën e Tomorrit në atë ditë plot diell të festës së madhe midis mijra besimtarëve. Ajo më tregon diplomën dhe qesh me mirësi.

Një diplomë ndryshe nga diplomat e tjera që shpërndahen në të katër anët e botës… diplomë mistike, sepse ishin dervishët që e nxitën kështu të shkruante për ta dhe për rrugëtimin e tyre të gjatë, nga Bektash Veliu në shekullin e XIII duke kaluar nëpër tokat dhe poemat e sufistit Jonuz Emré, për të ardhur në Malin e Tomorrit në Shqipërinë e vitit 2014.

Legjenda thotë se themeluesi i bektashizmit Haxhi Bektash Veliu, morri një grusht dhé nga varri i Baba Abaz Aliut dhe e vendosi në majën e atij mali, duke krijuar kështu një varr të dytë të shenjtë në malet shqiptare. E megjithatë, duket se jo vetëm dervishi i Omerit e nxitën atë të udhëtonte si të ishte një Aleksandra David Néel, Hester Stanhope, kontesha Gasparin që shkruante për brigjet e thepisura të Jonit shqiptar, Mary Montagy, udhëtare këto të shekullit XIX apo dhe si udhëtaret e kohëve moderne.

Ajo më tregon për profesorin e saj të historisë, kur ishte në shkollë në moshën 13 vjeçare dhe kur ai u fliste me entusiazëm për Shqipërinë maoiste dhe utopinë e një vendi që nuk donte t’ia dinte për superfuqitë dhe kjo tashmë e bën të qeshë me të madhe. Pastaj më tregon për shkrimtarin e njohur Robert Escarpit që i ati, mik i tij, gjithnjë kur e takonte e thërriste «Robert l’Albanais» («Roberti shqiptari»), i cili ishte mahnitur nga Shqipëria e «Gjeneralit të ushtrisë së vdekur».

Më pas ajo vazhdon të më tregojë për udhëtimin e familjes së saj në jahtin e një miku të afërt, kur sëbashku, nga Brindizi, ata u afroheshin brigjeve shqiptare pranë Shkodrës dhe kur shoqëruesi nxitoi t’i largonte nga ato brigje të heshtura pasi «ushtarët e Republikës së «paepur» mund ta kthenin udhëtimin e tyre në një «udhëtim funebër»… kështu, Shqipëria kishte mbetur një mit që gjithnjë e grishte, madje dhe në ditët kur do të shkonte në festivalin poetik të Strugës, aq pranë Shqipërisë mitike, «planetit të pashkelur» nga pinjollja e «princit të vogël»…

Më së fundi, atë gusht të vitit 2014, bashkë me poezitë e dervishëve të saj, ajo shkeli zbathur në tyrben e famshme dhe të shenjtë që ngrihej atje në majë të atij mali si një observator i shenjtë i shpirtrave njerëzore… Atje bashkohej dhe qielli, poezia, piktura e Omerit dhe shpirtra që kishin jetuar në mijra vjet.

Në dhomën e poetes Laure Cambau tabloja e dervishit, tabloja dhuratë e piktorit, është gjithnjë aty, përballë shtratit, varur si në një qiell mistik, i pagjumë e vigjëlues, i paqtë e njëherësh si një ashik i heshtur që vështron përtej brigjeve ballkanase: «… fle dhe vallëzoj dhe ëndërroj në të bardhë dhe ballë meje një dervish më flet fjalët e tij janë karemë memecë një qumësht blu që më bën për vete në një këngë para pemëve në të djathtë kam një plagë në të majtë një “flakë të pikturuar» dhe ballë meje një dervish…

Nga Luan Rama / KultPlus.com

153 vite nga lindja e nobelistes, Grazia Deledda

Shkrimtari Mario Ciuso Romagna, tregon se një të premte të shenjtë, pranë katedrales së Santa Maria della Neve (Nuoro), Grazia Deledda qortohet haptazi në sy të të pranishmëve nga predikuesi, i cili duke e treguar me gisht i thotë se do të ishte më mirë që ajo t’i lutej Zotit, sesa të tregonte interes për disa histori të padenja. Kjo gjë u bëri shumë përshtypje të pranishmëve, të cilët nuk e kaluan pa vënë re këtë fakt.

Zoti Antonio Ballero, një figurë e spikatur e qytetit, iu kundërvu priftit, duke kontestuar ofendimet që ai i drejtonte shkrimtares së re. Në fakt, ky nuk ishte kontestimi i vetëm që iu bë shkrimtares nga kisha. Giovanni Colombo, arkipeshkvi i Milanos gjatë periudhës 1963–1979, nuk ia fali guximin që ajo kishte për të shkruar për priftërinjtë duke e qortuar, për faktin se i konsideronte ata “njerëz të thjeshtë”, duke mos iu atribuuar atyre lëvdata të “karakterit kishtar”, pra me pak fjalë një krim kundër pushtetit të Zotit.

“S’kemi ç’bëjmë” – tha Colombo. – “Deledda ka një besim të cunguar, i cili nuk i vjen natyrshëm dhe shpirti i besimit katolik thuajse nuk ekziston tek ajo”. Një gjykim ky, disi i nxituar, i veshur me një gjuhë retorike klerike, të cilën Deledda e denoncoi në romanet e saj.

xxx

Romani “Nëna” (1920) u bë botërisht i njohur nga përkthimi i shkëlqyer që iu bë në gjuhën angleze dhe falë punës impenjative me frazat, të David Herbert Lawrence, në vitin 1928, vit në të cilin ai shkroi romanin shumë të njohur “L’amante di Lady Chatterley” (I dashuri i Zonjës Chatterley). Shkrimtari anglez u impenjua personalisht për ta bërë të famshëm romanin. Ai e qortoi Deledda-n që nuk i kishte dhënë rëndësinë e duhur primitivitetit dhe pasionit, cilësive më të kërkuara prej Lawrence. Deledda zgjodhi një tjetër rrugë, duke propozuar dy figura, si Maria Maddalena dhe Anjeza, të cilat i paraprinin emancipimit të femrës, shkëndijat e para të të cilit filluan pikërisht në vitet kur u shkrua romani, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore.

Ndërgjegjja e Anjezës, një heroinë moderne

Anjeza është një vajzë e re, me të cilën Paulo, famullitari i Aar, ka një marrëdhënie dashurie. Giovani Colombo e përshkruan si një “femër fatale”, “e tunduar dhe tunduese”, që e kthen priftin në skllavin e saj duke e kërcënuar se do të hakmerrej dhe do të bënte skandal. Në pamje të parë ngjan me klishetë e zakonshme klerike dhe maskiliste, që nuk ndiejnë asnjë keqardhje apo simpati njerëzore. Anjeza nuk është e tillë. Ajo është heroina moderne. Paulo, shkon në shtëpinë e Anjezës me qëllimin ose të paktën kështu shfaqet, për të prishur marrëdhënien midis tyre. Ai përdor një gjuhë fetare, duke thënë se nga pozicioni i priftit, është i detyruar të veprojë kështu. Fjalimi i tij është i mbushur me fjalë të mëdha, të vërteta për Zotin, për sakrificën.

Por Anjeza ia çjerr maskën, duke nxjerr në pah arsyen e vërtetë që e shtyn Paulon drejt ndarjes. Nuk është e vërteta ose frika nga Zoti që e shtyn të ndërmarrë këtë hap, por është frika nga e ëma, nga njerëzit dhe nga plasja e ndonjë skandali. Kështu që Anjeza i përplas në fytyrë një tjetër të vërtetë. “Cila është atëherë e vërteta? Përse nuk flisje kështu edhe dje në mbrëmje? Po mbrëmjet e tjera? Sepse e vërteta është krejt ndryshe. Ndoshta dikush na ka zbuluar, mbase nëna jote dhe ti ke frikë nga bota.

Nuk është frika ndaj Zotit ajo që të shtyn të më lësh”. Anjeza ka të drejtë dhe Paulo e pranon dhe vetë se: “Më shumë se frika apo dashuria ndaj Zotit apo neveria ndaj mëkatit, e tmerronte frika për pasojat e një skandali të mundshëm”. Anjeza është e vetëdijshme që ka dinjitetin e një gruaje të rritur dhe nuk do që ta trajtojnë si një minorene tekanjoze apo si një lodër. Nuk është ajo që e joshi dhe është e ndërgjegjshme për moralin e saj.

“Ndërgjegje? Sigurisht që kam, nuk jam më fëmijë dhe kjo ndërgjegje më thotë se bëra gabim që të besova ty. (…) Mos erdha gjë unë në shtëpinë tënde? Erdhe ti në timen dhe luajte me mua si një fëmijë”. Përballja titanike mes Anjezës dhe Paulos sa vjen e bëhet më e ashpër, duke bërë edhe Zotin të pranishëm në të. Anjeza, si një femër vërtet moderne, vë në dyshim veprimet e Zotit, madje edhe ekzistencën e tij.

“Përse Zoti nuk të ndriçoi më përpara? (…) Zoti. Nëse Zoti ekziston nuk duhej të lejonte që të takoheshim, nëse më pas do të na ndante.” Por në fakt Anjeza, nuk rebelohet kundër Zotit, por ndaj tentativës së Paulos që kërkon ta instrumentalizojë atë. Anjeza nuk pajtohet me gjuhën fetare që ai përdor si një mburojë hipokrite, a thua se Zoti të ishte një klerik.

“Duhet të jemi të pastër dhe të fortë, thua ti, por këtë gjë e thua vetëm tani. Më ngjall neveri. Zhduku sa më larg, që sonte madje, që kur të zgjohem në mëngjes të mos jem e tmerruar nga ideja se do të shfaqesh për të më poshtëruar kështu. (…) Ti mbrëmjen e djeshme thoshe t’ia mbathnim; ti do të punoje dhe ne do të martoheshim. A the kështu? A the? Ndërsa sonte vjen e më përrallis për Zotin dhe për sakrificën. (…) Nëse ti nesër në mëngjes do të mbash sërish meshën në kishën tonë, unë do të vij dhe nga altari do t’i them popullit: Ky është shenjtori ynë, i cili ditën bën mrekullira dhe natën del për të joshur vajzat.”

Një grua e rritur dhe e pavarur

Është viti 1920 dhe ngjarjet zhvillohen në Barbagia. Të kesh këtë lloj këndvështrimi për një çështje tepër delikate dhe të sfidosh skandalin e pashmangshëm në të tilla raste ku përfshihet edhe hierarkia kishtare, kjo nga ana e Deledda-s kërkon një kurajë të madhe dhe një shkallë të lartë vetëdijeje për mendimin dhe artin. Të njëjtën kurajë dhe vetëdije kishte Anjeza. Ajo është një grua e lënduar, e cila luan të gjitha letrat për të mbajtur pas vetes burrin që do, por jo me çdo çmim. Jo në dëm të dinjitetit të saj. Ajo është një femër që ka respekt për veten.

Ndjenjat e saj, edhe pse mund të duket paradoksale, në rrethana të caktuara, janë të pastra dhe fisnike. “Kujton se po flet me një fëmijë? Jam plakë. Më plake ti brenda pak orëve. Rruga drejt jetës ishte kjo? Që do të vazhdonim kështu, fshehurazi apo jo? Unë më pas të gjeja një burrë; ti që do të celebroje dasmën time … dhe do të vazhdonim të takoheshim dhe të mashtronim të gjithë për gjithë jetën? Ik ore, ti nuk më njeh, nëse vërtet ke besuar këtë. (….) Atëherë le t’i japim fund. Le të ndahemi (…). Unë nuk dua të të shoh më kurrë”.

Anjeza bërtet dhe përsërit me pasion dhe dinjitet se është një grua e rritur, madje edhe e pavarur ekonomikisht. Me Anjezën, Deledda do të na sjellë heroinën moderne, e aftë për të marrë vetë vendime për veten, edhe pse gjendet e rrethuar nga një ambient patriarkal dhe maskilist. “Kam para, e di? I kam dhe janë të miat. Dhe nëna jote, vëllezërit e mi dhe gjithë të tjerët do të na kërkojnë falje pasi të shohin dhe kuptojnë se ne kemi dashur të jetojmë të vërtetën”.

Vetë Grazia Deledda, gjatë një interviste të dhënë në radio pas marrjes së çmimit “Nobel” në vitin 1926, deklaroi plot krenari se kishte realizuar atë çka dëshironte. E tërhequr nga bota, zgjodhi të jetonte në Romë, “ku pas shkëlqimit të rinisë, ndërtova një shtëpi timen, ku jetoja e qetë bashkë me shokun e jetës sime”.

Anjeza dhe Paulo qëndrojnë përballë njëri–tjetrit si një burrë dhe një grua, të cilët duhet të bëjnë llogaritë me ndjenjat e tyre. Paulo është mbi të gjitha një burrë, i cili nuk arriti të merrte ndonjë titull kishtar si “don” apo “at”. Deledda guxoi ta çonte përballjen ndërmjet Paulos dhe Anjezës në një rrafsh universal, atë të një burri dhe një gruaje, të cilët gjenden në një situatë jo të zakonshme.

Ata duhen, e kërkojnë njëri-tjetrin, por në të njëjtën kohë edhe shtyhen. Por Anjeza na shfaqet më e qartë dhe e kthjellët, cilësi të cilat Paulo nuk i ka. “Ik! Zhduku! … Nuk isha unë që të thirra. Duhet të bëhemi të fortë, pse u ktheve? Pse më puthe sërish? Nëse mendon se mund të tallesh me mua, gabohesh.

Nëse beson se mund të vish këtu natën dhe ditën të më shkruash letra fyese, përsëri gabohesh. Siç u ktheve sonte, do të kthehesh prapë nesër dhe pastaj çdo natë me radhë. Ti do të më çmendesh. Nuk dua, jo, nuk dua”! Paulo nuk është njeri i keq. Ai thjesht nuk ka kurajën për të bërë atë që duhet (ashtu siç ndodh rëndom me meshkujt kur janë në marrëdhënie dashurie të komplikuara).

Primo Mazzolari

Në familjen e Deledda-s, e përbërë nga “njerëz të mençur, por edhe nga të dhunshëm dhe artistë primitivë”, kishte edhe një dajë prift, Sebastianon. Në bibliotekën e tij, Grazia e vogël gjeti shumë libra, të cilët i lexoi me shumë kuriozitet. Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti se Deledda mbante një korrespondencë të shkruar me Primo Mazzolari-n, një prift shkrimtar dhe partizan, një prej figurave më fisnike të katolicizmit të viteve 1900.

Lidhja e veçantë mes Deledda-s dhe Mazzolari-t, erdhi dhe si pasojë e njohjes që famullitari i njohur i Bozzolos (Mantova) kishte me burrin e Grazia-s, Palmiro Madesani, me origjinë nga rrethinat e Viadanës. Nuk dihen specifikat e korrespodencës ndërmjet tyre, por nëse Grazia dëshironte të mbante një të tillë me një prift të lirë, të sinqertë dhe antikonformiste, Don Primo ishte padyshim më i miri. Por përveç frekuentimeve të saj, Deledda arrin të gërmojë në thellësitë e shpirtit njerëzor dhe të shqetësimeve fshehur brenda tij. Paulo ishte një prift, por mbi të gjitha ishte një qenie njerëzore dhe duke pasur aftësinë për të njohur qeniet, Deledda arrin të njohë dhe priftërinjtë.

Edhe pse hierarkia fetare u irritua ndaj Grazia Deledda-s, shkrimtarja e jetoi jetën e saj në një ndjenjë të thellë fetare, duke deklaruar besimin e saj në Zot. Grazia deklaroi se “ajo ka pasur gjithçka që një femër kërkon nga fati i saj, por mbi të gjitha besimin te jeta dhe te Zoti”. Romanet e Deledda-s janë të mbushura me jetën dhe natyrën, me tema të çmuara që ia vlen të thellohesh brenda tyre. Veprat e saj na flasin për besimin e shkrimtares në Zot.

“Nëna” është një roman i mbarsur nga shpirti fetar, nga thënie dhe imazhe biblike dhe evangjeliste. Deledda ishte gjithashtu një njohëse e mirë e Biblës dhe shumë prej protagonistëve të veprave të saj, kanë emra biblikë. Anjeza është një përjashtim i rrallë prej tyre.

25 gusht 2017/Shqip/ KultPlus.com

“Coldplay” grupi britanik më i dëgjuar i shekullit XXI

“Coldplay” është cilësuar si grupi britanik më i dëgjuar i shekullit XXI – nga kompania e licensimit të muzikës PPL.

“Rock-erët e Pop-it londinez – të përbërë nga solisti Chris Martin, Guy Berryman, Jonny Buckland dhe Will Champion – u transmetuan 40,000 herë më shumë në radio dhe TV në Britaninë e Madhe sesa Rock-erët klasikë “Queen”, të cilët u renditën në vendin e dytë”, sipas kompanisë.

Kënga më e dëgjuar e “Coldplay” ishte hiti numër një i vitit 2008 “Viva La Vida” – e pasuar nga hitet e tjera të tyre si “Paradise”, “Clocks”, “Something Just Like This” dhe “Adventure Of A Lifetime”.

Që nga publikimi i albumit të tyre debutues numër një – me shitje rekord – “Parachutes” në vitin 2000, grupi ka pasur gjithsej nëntë albume rekord të renditura në krye.

“Ky vend ka prodhuar disa nga grupet më ikonike dhe më të suksesshme të të gjitha kohërave, kështu që dokumentimi i tyre është një mënyrë e përsosur për të shënuar Ditën Kombëtare të Albumit të këtij viti”, tha shefi ekzekutiv i PPL, Peter Leathem.

Përfshirë grupe të 60 viteve të fundit, kjo listë është një kujtesë e forcës dhe thellësisë së muzikës britanike gjatë dekadave. “Coldplay” kryesojnë në vendin e parë – pak artistë mund të pretendojnë se kanë pasur një prani të tillë në radio dhe TV e Britanisë së Madhe që nga viti 2000.

Në vendin e tretë në listë renditet grupi i djemve “Take That”, ndërsa grupi i vajzave “Little Mix” pasuan në vendin e katërt dhe “The Beatles” u renditën në vendin e pestë.

Lista e grupeve britanike më të dëgjuara në shekullin XXI si më poshtë:

1. Coldplay

2. Queen

3. Take That

4. Little Mix

5. The Beatles

6. Oasis

7. The Bee Gees

8. The Stereophonics

9. The Eurythmics

10. The Rolling Stones

11. Clean Bandit

12. Duran Duran

13. Sugababes

14. The Police

15. Simply Red

16. Snow Patrol

17. Electric Light Orchestra

18. Keane

19. Wham!

20. Texas

/ KultPlus.com

Kurti takohet me O’Brien, Kasanof e Lajcak në Nju Jork: Kosova konstruktive, Marrëveshja e Aneksi duhet zbatohen të plota

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësen e tij, Donika Gërvalla Schwarz kanë takuar në Nju Jork dy zyrtarët e lartë të SHBA-së, Ndihmës Sekretarin Për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Jame O’Brien, emisarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajcak.

Kurti i ka pritur të tre diplomatët e huaj në konsullatën e Republikës së Kosovës në Nju Jork.

Sipas një komunikate nga zyra për media e kryeministrisë, në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurti në këtë takim ka thënë se Kosova është e përkushtuar dhe angazhohet në mënyrë konstruktive në procesin e dialogut  dhe ka thënë e Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i saj i implementimit duhet të zbatohen të plota.

Në takim është diskutuar edhe për përvjetorin jubilar të Procesit të Berlinit dhe për bashkëpunimin rajonal./ KultPlus.com

Osmani takon presidentin e Malawit: Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se është takuar me presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera.

Ajo tha se përkundër distancës, ata kanë shprehur përkushtimin për thellim të marrëdhënieve.

“Në New York, takova edhe Presidentin e Malawit, Lazarus Chakwera. Pavarësisht distancës midis shteteve tona, përkushtimi për ta thelluar bashkëpunimin në të mirë të qytetarëve tanë, mbetet i palëkundur. Kosova është e bekuar me miq në çdo anë të botës”, tha Osmani.

Ka më shumë se një javë që Osmani po qëndron në SHBA në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 79-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Nga atje, ajo ka njoftuar për një sërë takimesh me liderë botërorë. / KultPlus.com

Vdes aktorja e famshme Maggie Smith

Aktorja Dame Maggie Smith, e njohur për filmat “Harry Potter” dhe “Downton Abbey”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare, ka thënë familja e saj.

“Ajo ndërroi jetë paqësisht në spital herët në mëngjesin e sotëm, e premte 27 shtator. Një person privat, ajo ishte me miqtë dhe familjen deri në fund. Ka lënë dy djem e pesë nipa e mbesa që janë shkatërruar nga humbja e nënës dhe gjyshes së tyre të jashtëzakonshme”, thuhet në deklaratën e djemve Toby Stephens dhe Chris Larkin.

Djemtë e aktores kanë kërkuar mirëkuptim për privatësi, ndërsa kanë falënderuar të gjithë për mbështetjen./rtv21/KultPlus.com

Demo: 800 mijë vizitorë në këta 9 muaj në Berat

Qyteti i një mbi një dritareve ka shënuar një fluks të lartë turistësh vendas e të huaj në janar-shtator të këtij viti.

Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo ndau sot në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, një video me pamje nga vizitat e turistëve në rrugicat dhe pikat turistike të qytetit.

“Dita Ndërkombëtare e Turizmit, ditë e cila kuptimin e plotë e merr pikërisht në Beratin e magjishëm, të turistëve të të gjitha moshave e kombësive e që përgjatë këtij viti, deri tani, ka mirëpritur plot dashuri në hotele, bujtina dhe shumë shtëpi që kanë hapur dyert për vizitorët e shumtë”, tha Demo.

Kryebashkiaku Demo bën të ditur se “vetëm në muzeun Onufri numri i vizitorëve deri më tani është 80 000, ndërsa numri i vizitorëve në territor është afër 800 000”.

Në videon e shpërndarë nga kryebashkiaku Demo një turiste tregon se ajo çfarë e tërhoqi të vizitonte Beratin ishte kalaja dhe shtëpitë e vogla të bardha.

Një tjetër turist u shpreh se “e kam vizituar Beratin në 2012 dhe tani jam rikthyer sërish për të parë të gjitha ndryshimet që qyteti ka pësuar sesi qyteti ka evoluar. Më pëlqeu shumë kalaja herën e parë. Tani do të fillojmë të vizitojmë gjithë qytetin.

“Ka rrugica të vogla shumë të këndshme, më pëlqeu qyteti i vjetër, ka shumë mundësi zgjedhjeje për të dalë për drekë apo darkë me ushqim të mrekullueshëm”, tha një turist.

Edhe pse jemi në ditët e fundit të shtatorit, rrugicat e kalldrëmta të lagjeve “Mangalem” dhe “Gorricë”, si dhe Kalaja janë të mbushura me turistë vendas e të huaj.

E veçanta është se turistët përveç vizitave në këto pika turistike këtë vit janë orientuar edhe ndaj sportit të aventurës dhe degustimit në kantina.

Turistët kanë preferuar këtë vit xhirot me kayak në liqenin e Qafë Dardhës, cooking class në disa prej restoranteve, kanoe e çdo lloj tjetër aktiviteti që është më shumë se material, por transmeton kulturën e qytetit 2400-vjeçar./atsh/KultPlus.com

TIFF, në program edhe prodhime kinematografike të vitit 2024

Në ditën e 5-të të Tirana International Film Festival, në seksionin PerspecTIFF u shfaq filmi Xoftex, prodhim i vitit 2024 nga regjisori argjentinas Noaz Deshe.

Filmi, një prodhim franko-gjerman, trajton temën e emigracionit, por në një mënyrë krejt të pazakontë nga sa kemi parë në filma të tjerë të së njëjtës tematikë.

“Xoftex” rrëfen historinë e Nasser-it dhe miqve të tij që nisën të xhirojnë skeçe satirike e të përgatisin një film horror me “zombie”, ndërsa presin të japin intervistë në zyrën e emigracionit.

Edhe realiteti i kampit i ngjan një skenari horror, me tension në rritje dhe konflikte që mjegullojnë ëndrrat dhe ankthet e protagonistëve.

Një tjetër takim i rëndësishëm me TIFF-in ishte ai i mbrëmjes, në kinema Agimi me filmin e Alessandro Blasetti-t, “Io, io, io…e gli altri”, ku interpreton i mirënjohuri Marcello Mastroianni. Filmi është pjesë e sesionit RetrospecTIFF që vjen në këtë festival si homazh në 100-vjetorin e lindjes së kolosit të kinematografisë italiane./atsh/KultPlus.com

Publikohet kënga “Aria” e Ertan Iliyaz, realizohet me ndihmën e inteligjencës artificiale

Artisti Ertan Iliyaz, ka publikuar videoklipin e tij më të ri të titulluar “Aria” i cili është krijuar me ndihmën e inteligjencës artificiale.

Ky projekt është një ndër realizimet e rralla në Kosovë, që janë përdorur mekanizmat e inteligjencës artificiale. Xhirimet janë zhvilluar në disa vende të Prishtinës si parku i Ulpianës dhe Parku i Qytetit, por që kanë marrë pamje tjetër nga përdorimi i animacionit.

“Muzikantët që kanë kontribuar në këtë projekt janë: Piano- Ertan Iliyaz, Kitare Elektrike- Teoman Globoder, Bass Kitare- Birol Urcan, Trumpet- Avni Krasniqi, Bateri Elektrike dhe Perkusione- Gent Gorani dhe Vokaliste- Fiona Shabani. Kompozimi është bërë nga Ertan Iliyaz, Regjia nga Alban Goranci, ndërsa aranzhimi nga Gent Gorani dhe Ertan Iliyaz”, thuhet në njoftimin për media nga aktori Alban Goranci.

Tutje, në njoftim thuhet se zëri i vokalistes e plotëson rrëfimin dhe evokon ndjesi të ndryshme emocionale.

“Konceptualisht, instrumentistët, vokalistja dhe vajza e cila vallëzon e shoqëruar nga muzika, prodhojnë një botë më të bukur dhe paqësore”, thuhet në njoftim.

Videoklipi i është kushtuar vajzës së ideatorit dhe realiazorit të këtij projekti muzikor, Erta Iliyaz, ndërsa qëllimi kryesor i projektit është nxitja e pozitivitetit te njerëzit nëpërmjet artit muzikor, që në fokus e ka një fëmijë teksa vallëzon me çiltërsi, nën tingujt e instrumenteve, që bëhen bashkë dhe krijojnë një atmosferë të ngrohtë.

Ky projekt është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe Komuna e Prishtinës, për çka u jemi shumë mirënjohës./KultPlus.com

Ti po vjen që prej së largu

Poezi nga Lasgush Poradeci

Ti po vjen që prej së largu magji-plotë e dal-ngadalë.
Ti po vjen që prej së largu dyke shkitur mbi lendina.
Nën thëmbërzat e tua përgëzohet trendelina,
Shtrihet lulja mitare e zambakut qe t’ u fal.

E si shkon me hap te matur, më pushton një dhëmshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbes s’ ate,
T’ i pushtoi i llaftaruar ato hapëza mëkate
Ndaj kalon mbi tufë lulesh madhërisht si yll i ri.

Dhe të qaj me mall të rëndë poshtë teje pa pushim,
Poshtë fillit të poleskës ku do shkeli kamba jote.
Të të shtroj nga dhëmbja ime një cudi prej pikash lote,
Një pluhurë të përvajshme vetëm dhëmbj’ e dëshirim.

Të m’ a shkelish hije- letë ! të m’ a shkelish mes për mes !
Të të shoh si më lekundesh me sy fjetur e fatuar,
Brënda lotëve të mija të të shoh të pasqyruar,
E pastaj le të venitem, le të hesht e le të vdes./ KultPlus.com