займ на карту онлайн потребительский кредит

Anda Kryeziu dhe Nemanja Radiovejovic shpallen fituesit kryesorë të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë

Mars 29, 2019 - 11:50 pm

Gili Hoxhaj

Gara e kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP) erdhi për herë të parë në Prishtinë, organizuar nga festivali DAM që ka nisur para katër netëve në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Çmimi kryesor është “Rrëqebulli i Argjendtë” i punuar nga Lekë Berisha, i është ndarë kompozitores kosovare Anda Kryeziu për veprën  “Time- Change- Rate” dhe kompozitorit serb Nemanja Redivojevic për veprën “Salvation Craek”.

Para se të ndahen çmimet veprat e pesë kompozitorëve nga Kosova dhe vendet e rajonit u interpretuan para publikut nga ansambli holandez Oerknal, nën dirigjimin e dirigjentit amerikan me bazë në Holandë Gregory Charette. Pikërisht anëtarët e këtij ansambli dhe dirigjenti Charette kanë bërë edhe ndarjen e çmimit kryesor të Garës së Kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë.

“Rrëqebulli i Argjendtë”  është simboli i kësaj gare, i punuar nga Lekë Berisha, ndërsa në çdo edicion të ardhshëm do të punohet nga artizanët e Kosovës.

“Kjo për të promovuar filigranin por edhe Rrëqebullin si specie në zhdukje e që përveç tjerash jeton edhe në një pjesë të territorit të Kosovës.  Qëllim është krijimi i një programi bashkëpunimi në mes të kompozitorëve që vijnë nga 6 vende të Ballkanit perëndimor dhe krijimi i marrëdhënieve substanciale midis tyre dhe institucioneve muzikore në Ballkan dhe Evropë”, është shprehur Dardan Selimaj, drejtori aritstik i DAM-it në një intervistë për KultPlus.

Nemanja Radivojevic,  njëra nga fitueset  e këtij çmimi  tha se vepra është riaranzhim i një vepre që e ka shkruar para disa vitesh, dhe titull ka kuptimin e një shtëpie dritash dhe inspirimi i Radivojevci është shpërndarja e dritave që  krijon pamje të ndryshme.

“ E kam riaranzhuar duke e bërë si të re. Nuk kam ndonjë koncept specifik për të por është muzikë që ka një kohë e harmoni përbrenda. Mendoj se neve në Ballkan na duhet bashkëpunimi midis artistëve të vendeve tona. E sidomos midis Kosovës e Serbisë. Mendoj që është e rëndësishme të tregojmë se mund të punojmë së bashku. Besoj se muzika i ndryshon mendjet e njerëzve”, ka thënë kompozitori Nemanja Radivojevic.

Anda Kryeziu për KultPlus ka thënë se vepra e saj është shkruar dy vite më parë, në vitin 2017 dhe është pjesë e një cikli  për ansambël e live elektronikë. Ajo tregoi se vepra është luajtur disa herë ndërsa është premierë për Kosovë.

“Ka qenë pjesa e fundit e këtij cikli i cili ka disa kohë tjera. E kam zgjedhur këtë pjesë që të konkurroj në këtë garë. Në shqip i bie shkronja S që nënkupton sound dhe i gjithë cikli është i bazuar në aspektin e tingullit. Do të thotë aspekti harmonik, aspekti fizik, ritmik, të rezonancës e efektin e tingullit në hapësirë.  Këtë këtu, nuk e kam konsideruar si garë, por kam respekt për këtë ansambël e këtë festival. Dhurata më e mirë për mua ka qenë mundësi të punoj me ata për këtë javë. Cikli ëhstë prezantuar disa herë në Zvicër”, tregoi Kryziu.

Çmimi i publikut shkoi për kompozitorin kosovar Ylli Daklani për veprën “The Newborn”, kurse çmimi i Filharmonisë së Kosovës shkoi për kompozitorin nga Maqedonia e Veriut, Angel Spiroski  për veprën  “Salvation Creak” dhe çmimi i Dam Festivalit u nda për Damjan Jovicin për veprën “Pharos 0.2”.

Gara e kompozitorëve të Ballkanit në Prishtinë (BCCP)  që është konkurs/ rezidencë për kompozitorë synon të bëhet tradicionale. E themeluar në vitin 2018 nga Dardan Selimaj, drejtor i Festivalit DAM dhe Rreze Kryeziu- Breznica, drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM ka për qëllim të krijojë një program për kompozitorë nga gjashtë vende të Ballkanit (Shqipëri, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Nga 2021, BCCP do të jetë e hapur për të gjithë kmpozitorët që jetojnë në vendet e Ballkanit (Shqipëria, Bulllgaria, Greqia, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Rumania, Sllovenia dhe Turqia. Aplikacionet për BCCP 2021 do të priten nga 1 qershori deri më 20 nëntor 2021./ KultPlus.com

Të ngjajshme