Në Bibliotekën “Zoja e Shkodrës” u promovua libërthi me ngjyrosje “Skicura”, i cili sjell trashëgiminë kulturore shqiptare në duart e të vegjëlve, përmes lojës, ngjyrave dhe imagjinatës.
“Skicura” përmban skica të muzeve, kullave, banesave historike dhe urave, duke nxitur dashurinë për historinë dhe identitetin tonë kombëtar që në moshë të hershme.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin shumë fëmijë si dhe prindërit e tyre të cilët pas promovimit të librit, patën mundësinë të vizitonin edhe Muzeun Dioqezan, ku u njohën nga afër me objekte të trashëgimisë kulturore, duke e përforcuar më tej përvojën e tyre edukative.
Libri “Skicura” (Udhëtim me ngjyra në Shkodër) është i përshtatshëm për fëmijë të moshës nga 5 deri në 8 vjeç, të cilët duke u bazuar tek numrat mbi figura, do të mund të ngjyrosin objektet e ndryshme kulturore./atsh/KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kroacisë, nënshkruan “Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimi” midis dy institucioneve, me qëllim thellimin e bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve në fushën e librit dhe kulturës.
Memorandumi i Mirëkuptimit për Bashkëpunim, u nënshkrua në Zagreb të Kroacisë, nga drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Pirro Misha dhe drejtore e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kroacisë, Ivanka Stricevic.
Gjatë takimit mes delegacioneve të dy vendeve, u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit bibliotekar mes dy institucioneve, zhvillimi i aktiviteteve me interes të përbashkët, mundësinë e shkëmbim-huazimit bibliotekar, si dhe inkurajimi i shkëmbimit të eksperiencave përmes specialistëve të dy institucioneve respektive.
Në përfundim të takimit, delegacioni shqiptar, pjesë e së cilës ishte edhe zv. drejtorja e BKSH, Majlinda Toçi, pati mundësinë e një vizite në ambientet e Bibliotekës, si dhe njohjen nga afër me koleksionet e rralla e të ekspozuara aty./atsh/KultPlus.com
Universiteti i Harvardit ngriti sot padi kundër vendimit të qeverisë amerikane për të bllokuar studentët ndërkombëtarë nga ndjekja e institucionit elitar.
Padia akuzon qeverinë se po përpiqet ta vërë universitetin nën presion me një “shkelje flagrante” të kushtetutës amerikane, duke shkaktuar “efekt të menjëhershëm dhe shkatërrues për Harvardin dhe më shumë se 7 000 mbajtës vizash”.
Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Harvardin dhe universitete të tjera elitare amerikane se lejojnë antisemitizmin në kampus.
Administrata e tij i dërgoi një listë kërkesash më 11 prill Harvardit, të cilat institucioni ka refuzuar t’i miratojë.
Sekretarja e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Kristi Noem, tha të enjten se administrata po “e konsideron Harvardin përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe koordinimin me Partinë Komuniste Kineze në kampusin e tij”.
Ajo revokoi certifikimin e universitetit për të pritur studentë të huaj dhe për të shkëmbyer vizitorë për atë që ajo e quajti “sjellje pro terroriste”.
Kjo do të thotë që studentët ndërkombëtarë të Harvardit do të duhet të transferohen në universitete të tjera ose rrezikojnë të humbasin statusin e tyre ligjor.
“Me një të rënë të stilolapsit, qeveria është përpjekur të fshijë një të katërtën e trupit studentor të Harvardit, studentë ndërkombëtarë që kontribuojnë ndjeshëm në Universitet dhe misionin e tij”, tha Harvard në padi./ KultPlus.com
Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të qëndrueshme në sektorin e turizmit, me 820 mijë vizitorë të huaj vetëm gjatë muajit prill 2025.
Kjo e çon në 2,45 milionë numrin total të turistëve që kanë hyrë në vend gjatë katër muajve të parë të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kjo rritje është dëshmi e stabilitetit dhe konsolidimit të Shqipërisë si një destinacion turistik në rritje në Europë.
“820 mijë vizitorë të huaj shijuan Shqipërinë gjatë muajit prill duke e çuar në 2,45 milionë shifrën totale të flukseve turistike hyrëse gjatë këtyre 4 muajve të vitit 2025, një rritje që tregon stabilitet, tregues se Shqipëria ka konsoliduar një pasaportë të udhëtimeve të qëndrueshme, ndërsa vazhdon të jetë surpriza më emocionuese e destinacioneve europiane”, u shpreh Rama.
Për të njëjtën periudhë të vitit 2023, vendi numëroi 1,68 milionë turistë, ndërsa në 2024, 2,3 milionë turistë.
Këto zhvillime pasqyrojnë përparimin që vendi ka bërë vitet e fundit në infrastrukturë, promovim ndërkombëtar dhe përmirësim të shërbimeve turistike.
Autoritetet presin që trendi pozitiv të vijojë edhe në sezonin veror, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë kombëtare./atsh/ KultPlus.com
Edicioni i 82-të i Turit të Shqipërisë do të nisë këtë të hënë, në një maratonë 5 ditore, që do të dhurojë shumë adrenalinë për sportistët nga mbarë Europa.
5 etapat nga 26-30 maj priten me plot rivalitet, që do të regjistrojnë një edicion që do të prekë mbarë Shqipërinë.
Ky event organizohet nga Federata Shqiptare e Çiklizmit, që drejtohet nga Skënder Anxhaku.
Rrethi Çiklistik i Shqipërisë, një prej garave më të vjetra në Evropë, do të përbëhet nga 15 skuadra dhe 96 sportistë, të cilët do të nisen të hënën nga Tirana, për etapën e parë e cila do të jetë e gjatë 151 km e do të vijojë drejt Rrëshenit, për tu mbyllur në Shkodër.
Më pas etapa e dytë do të jetë nga qyteti verior drejt Elbasanit, e gjatë 188 km. Dita e tretë do të ketë si intenerar Elbasan-Vlorë, me një distancë prej 149 km, për të shkuar më pas në etapën e katërt, e cila do të ketë shumë magji e adrenalinë pasi çiklistët do të tregojnë veten në terrenin e vështirë mes Vlorës dhe Himarës, duke ngjitur dhe Llogaranë, në një distancë prej 153 km.
Turi i Shqipërisë do të përfundojë të premten e ardhshme me etapën e pestë dhe të fundit me nisje në Vlorë dhe përfundim në Fier, ku do të kurorëzohet dhe fituesi i këtij edicioni të 82-të.
Ky tur vjen vetëm pak ditë pasi në Shqipëri u mbajt ‘Hapja e Madhe’ e ‘Giro d’Italias’, me 3 etapa që nisën në Durrës, vijuan në Tiranë dhe përfunduan në Vlorë./atsh/ KultPlus.com
Me temën “Paqja përmes syve të fëmijëve”, sot është hapur ekspozita e punimeve artistike të fëmijëve nga shkollat fillore të Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve që shënohet më 1 Qershor.
Në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare Colors for Peace, në këtë aktivitet mbi 1000 piktura të realizuara nga fëmijët të moshës 6-14 vjeç, do të ekspozohen në hapësirat publike në Prishtinë gjatë periudhës 23 Maj – 12 qershor 2025, përkatësisht në Sheshin Zahir Pajaziti dhe Sheshin Xhorxh Bush në Prishtinë.
Kjo ekspozitë e organizuar nga Luljeta Muçaj – Ambasadore e Kosovës për Colors for Peace, është një thirrje për paqe dhe kreativitet, e cila përçon mesazhet e fëmijëve për një botë më të mirë përmes artit të tyre.
Për herë të parë në Kosovë këtë vit organizohet Festivali i Koreve të Fëmijëve “Crescendo Choir Festival”, në të cilin do të marrin pjesë: Siparantum Kids, Okarina, White Voice dhe Amadeus, shkruan KultPlus.
Ky festival unik promovon edukimin muzikor, artin koral dhe talentet e reja përmes performancave magjike të koreve nga fëmijët dhe të rinjtë, duke i dhënë zë pasionit të tyre për muzikën. Kjo ngjarje e pasur kulturore synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi, shkëmbimi përvojash dhe frymëzimi për të rinjtë, dirigjentët dhe edukatorët artistikë.
Në këtë edicion, do të marrin pjesë mbi 200 fëmijë dhe adoleshentë nga katër kore të mirënjohura të shkollave të muzikës dhe institucioneve kulturore në Kosovë. Koret pjesëmarrëse do të interpretojnë një përzierje të veçantë këngësh shqiptare dhe ndërkombëtare, me repertor origjinal dhe të larmishëm.
Ky festival përfaqëson një platformë artistike që promovon talentin, edukimin dhe bashkëpunimin kulturor, duke sjellë repertor kombëtar dhe ndërkombëtar për publikun e gjerë.
“Crescendo Choir Festival” mbahet më 28 maj në Kishën “Shën Ndou”, në ora 18:00./ KultPlus.com
Shumë nga ju e kanë parë këtë foto, por pak publikues e kanë trajtuar të detajuar historinë e kësaj fotoje dhe jetën e këtij burri me pamje të ashpër dhe jetë sfiduese. “Malësor, me të cilin u njohëm në shpellën sipër Lumit të Shalës dhe që na këndoi kënga për Durgut Pashën” shkruan shkrimtarja amerikane Rose Wilder Lane, e cila vizitoi Shqipërinë e Veriut në vitin 1922.
Një letër e sapo ardhur nga Shqipëria më sjell lajmin se ai ka prerë mjekrën, ka varur pushkën në mur (kur u çarmatosën malësorët qeveria shqiptare bëri një përjashtim në rastin e tij) dhe tani po drejton me sukses të konsiderueshëm, një sharra në Mat, shkruan Rose Wilder Lane.
Rose Wilder Lane duke udhëtuar në Veri nga Shkodra, të shtërnguar nga koha e keqe dhe rruga e gjatë, të nxitur nga rrëfimet e atyre që kishin takuar, për njeriun e shpellës, bashkë me ato, të cilët e shoqëronin bujtën në shpellën e komitit.
Ajo shkruan mes të tjerash në librin e saj “Majat e Shalës”: “Unë nuk isha një njeri i pasur,” filloi ai, “por siç është thënia jonë: “Flokët më të vegjël kanë hijen e tyre”. Në shtëpinë time kishte dele dhe ishte një shtëpi me dy dhoma dhe arat na paguanin mundin. Kutia e duhanit në brezin tim nuk ishte kurrë bosh dhe kishte bukë në tavën e pjekjes. Ishte një djalë në djep dhe një tjetër pranë zjarrit dhe jeta ishte e qetë si Lumi Shala në verë, deri në ardhjen e Durgat Pashës.
“Pas kësaj erdhi tradhtia e Esad Pashës dhe, duke mos pasur as shtëpi, as dele, as djem, as duhan, por vetëm pushkën time…
Duhet ta ndërpresim, për ta kthyer te Durgat Pasha, dhe ai u habit që duhej më shumë se ai emër për të kuptuar. A nuk i kishim dëgjuar kurrë këngët e Durgat Pashës?
Durgat Pasha, i cili në vitin 1912 erdhi nga Sulltani i Turqisë për të nënshtruar Bijtë e Shqiponjës, dogji e vrau.
“Kur u ktheva në shtëpi nga luftimet, njerëzit e Durgat Pashës ma kishin djegur shtëpinë, gruaja ime dhe djemtë kishin vdekur. Pikërisht atëherë i dhashë besën vetes që të mos e varja kurrë pushkën në mur dhe të mos më prisja mjekrën derisa të çlirohej e gjithë Shqipëria.
Pasi na tregoi se si siguronte mbijetesën, duke plaçkitur dhe vrarë, duke bërë gjëra që nuk e nderonin malsorin, Perolli, një nga shoqëruesit e mi i tha: “Por është koha për të prerë mjekrën dhe për të varur pushkën në mur”, sugjeroi . Tashmë ka një qeveri të lirë shqiptare.
“Por jo një Shqipëri e lirë”, tha komiti. “Qeveria e harron këtë dhe ulet në këshill me Fuqitë që na shitën në Itali dhe na dhanë te Serbia. A e keni harruar Kosovën dhe një milion vëllezër tuaj që janë skllevër të serbëve?”
Administrata Trump i ka hequr Universitetit të Harvardit të drejtën për të regjistruar studentë të huaj – mes mosmarrëveshjeve në rritje me shkollën elitare.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka akuzuar Harvardin dhe universitete të tjera elitare amerikane se ndjekin një ideologji të krahut të majtë dhe lejojnë antisemitizmin në kampus. Administrata e tij i dërgoi një listë kërkesash më 11 prill shkollës, të cilat Harvardi ka refuzuar t’i miratojë.
Sekretarja amerikane e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem tha se administrata e ka shpallur Harvardin përgjegjës për nxitjen e dhunës, antisemitizmit dhe koordinimin me Partinë Komuniste Kineze në kampusin e saj.
“Është një privilegj, jo një e drejtë, që universitetet të regjistrojnë studentë të huaj dhe të përfitojnë nga pagesat e tyre më të larta të shkollimit për të ndihmuar në plotësimin e fondeve të tyre multimiliardë dollarëshe”, shkroi Noem në X.
“Harvardi kishte mundësinë për të bërë gjënë e duhur, por ai refuzoi”, tha ajo.
Universiteti ka humbur certifikimin e Programit të Studentëve dhe Vizitorëve të Shkëmbimit dhe studentët ekzistues ndërkombëtarë do të duhet të transferohen në universitete të tjera ose rrezikojnë të humbasin statusin e tyre ligjor”, tha Noem.
“Le të shërbejë kjo si një paralajmërim për të gjitha universitetet dhe institucionet akademike në të gjithë vendin”, shtoi ajo.
Në një deklaratë, Harvard tha se veprimet e qeverisë ishin të paligjshme.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar për të ruajtur aftësinë e Harvardit për të pritur studentët dhe studiuesit tanë ndërkombëtarë, të cilët vijnë nga më shumë se 140 vende dhe e pasurojnë Universitetin – dhe këtë komb – pa masë”, tha deklarata.
“Ky veprim hakmarrës kërcënon dëm serioz për komunitetin e Harvardit dhe vendin tonë, dhe minon misionin akademik dhe kërkimor të Harvardit.”
Më parë këtë vit, administrata Trump ngriu më shumë se 2 miliardë dollarë në grante dhe kontrata federale në Harvard. /atsh/ KultPlus.com
Në një kodër përballë Gazës, një çift përqafohet, të pavetëdijshëm për bombardimet në distancë.
Me filmin ”Yes” një afresk radikal i prezantuar në Kanë, regjisori izraelit Nadav Lapid thotë se dëshiron të dërgojë një elektroshok kundër verbërisë së vendit të tij që nga 7 tetori.
”Verbëria në Izrael është për fat të keq një sëmundje mjaft kolektive”, tha regjisori 50-vjeçar, i cili tashmë i kishte analizuar të këqijat e vendit të tij në filmin ”Synonyms”, i cili fitoi Ariun e Artë në Berlin në vitin 2019, dhe ”Ahed’s Knee” (2021).
Në filmin ”Yes”, të prezantuar në sesionin ”Filmmakers’ Fortnight”, ai përshkruan një shoqëri të varrosur nga ana e saj e errët që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 dhe e cila zgjedh të mbyllë një sy ndaj luftës në Gaza me më shumë se 53 000 vdekje deri tani.
“Ajo që ndodhi më 7 tetor, niveli i tmerrit dhe mizorisë, e vendosi gjithçka në një nivel biblik”, shpjegon ai.
“Fantazia e madhe izraelite (…) për t’u zgjuar një ditë kur palestinezët nuk do të jenë më aty është shndërruar në një program”, thekson Lapid.
Për gati dy orë e gjysmë kaosi, filmi i tij ndjek një muzikant të quajtur Y, i cili ngarkohet nga autoritetet me detyrën e rishkrimit të himnit kombëtar izraelit për ta shndërruar atë në një copë propagande që bën thirrje për zhdukjen e palestinezëve. Ai pranon.
Dhe “Yes”-i në titull i referohet të vetmes përgjigje që u mbetet artistëve në Izrael, sipas aktorit kryesor Ariel Bronz, i cili shkaktoi një stuhi në vitin 2016 duke futur një flamur izraelit në anusin e tij gjatë një shfaqjeje në Tel Aviv.
”Detyra e parë e një artisti është të mos ecë me rrjedhën”, siguron ai.
“Duhet ta paguash çmimin. Është një sprovë e vërtetë të mbijetosh në këtë situatë ku je plotësisht i izoluar në vendin tënd. Ka shumë pak njerëz që ngrihen dhe thonë se ajo që po ndodh në Gaza është e padurueshme”, thotë Nadav Lapid, i cili beson se në vendin e tij ekziston ”një formë unanimiteti në lidhje me superioritetin e jetës izraelite mbi jetën palestineze”./atsh/ KultPlus.com
Më 23 maj te vitit 1820 Ali Pashë Tepelena mobilizoi forcat për një front antiosman.
Ali Pasha u gjend përballë përplasjeve të njëpasnjëshme me Portën e Lartë dhe synimit të armikut të tij të betuar, Mehmet Sait Halet Efendi, për ta fundosur figurën e tij.
Para klimës së pasigurisë në oborr, Ali Pasha e gjykoi me dobi bashkëpunimin me forcat kryengritëse arvanitase, në sajë të të cilit do të siguronte mbajtjen e sundimit në zonën e jugut deri në Thesali.
Lajmet morën udhë deri në oborrin e Sulltan Mahmudit të II-të dhe ky veprim i përafrimit me “rebelët”, do të vendoste përfundimisht fatin e hidhur të tij në vitet që pasuan.
Përpjekjet për ngritjen e frontit antiosman përkujtohen si një prej zhvillimeve më të rëndësishme të historiografisë shqiptare./atsh/ KultPlus.com
“Zullulandia” është produksioni i Teatrit Kombëtar Eksperimental që do të shfaqet për publikun në datat 22, 23, 24 dhe 25 maj, në ArTurbina.
Shfaqja bazohet mbi motivet e veprës së Faik Konicës dhe vjen me regji dhe dramatizim të Endri Çelës, interpretuar nga aktorët: Sokol Angjeli, Neritan Liçaj, Adriana Tolka, Brendi Bega, Katerina Fili, Anxhelo Dauti.
“Zullulandia” është një festë e madhe me nota satirike dhe një zgjim mbi realitetin ku po jetojmë. E punuar mbi motivet e veprës së Faik Konicës, “Zullulandia” është plotësuar me ngjarje të realitetit të sotëm shqiptar.
Zullulandia, një vend në Afrikën e Lindjes, me popullin e saj të prapambetur e të nënshtruar, kërkon më shumë të drejta nga Evropa. Prandaj dërgon në Paris dhe në Londër ambasadorin e saj, Denizullu-Serpen. Ky fodull dhe injorant vihet në lojë prej kancelarëve të huaj, ndërsa, kur kthehet në Zulluland, mirëpritet prej zulluve me festa e nderime për “lavdatat” e marra. I vetmi që e ka kuptuar talljen është Plugu. Tani atij i duhet që t’u hapë sytë një populli të tërë zullush për talljet e Evropës ndaj Zullulandisë./atsh/ KultPlus.com
Në qytetin e Përmetit u përurua përmendorja e Laver Bariut, një prej ikonave më të ndritura të muzikës popullore shqiptare. Ceremonia solemne mblodhi figura të shquara të artit, përfaqësues të institucioneve lokale si dhe dhjetëra qytetarë të cilët nderuan mjeshtrin e madh të klarinetës.
Përmendorja, vepër e skulptorit Alem Toska, u realizua pas një pune disa mujore dhe tashmë zë vend në një nga hapësirat publike më të rëndësishme të qytetit.
“Ishte një projekt, një punë e cila zgjati 6-7 muaj”, u shpreh skulptori, Alem Toska.
Në ceremoni morën pjesë edhe të afërm të artistit, mes tyre vajza e tij, e cila shprehu mirënjohje për këtë nderim të bërë figurës së të atit.
Organizator Bledi Mane, ndau një kujtim personal nga fëmijëria me mjeshtrin, duke e përshkruar atë si një simbol frymëzimi artistik dhe njerëzor.
“Është një emër i madh i flokorit shqiptar, një njeri që ka rritur breza të tërë me muzikën e tij”, u shpreh organizatori Bledi Mane.
Usta Laver Bariu ishte jo vetëm një klarinetist i madh, por edhe një kapiten i madh i sazeve përmetare. Brezat e klarinetistëve shqiptar do e shohin gjithmonë si një monument të madh kulture që mbajti gjallë shpirtra të miliona njerëzve.
Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish sot në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 20-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë. Vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të nisë në orën 11:00.
Të mërkurën ka dështuar përpjekja e 19-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Nën drejtimin kryesuesit Avni Dehari, seanca nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.
Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, votuan 54 deputetë, një votoi kundër, ndërsa abstenime nuk pati.
Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet tash e 19 herë, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike./rtk/ KultPlus.com
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro uroi sot koreografin e famshëm me origjinë shqiptare, Angelin Preljocaj, i cili është pranuar zyrtarisht si anëtar i Akademisë së Arteve të Bukura të Francës.
Në një postim në rrjetet sociale, Kumbaro tha se ky lajm na mbush me krenari.
“Zgjedhja e Angjelin Preljocajt si anëtar në Akademinë Franceze të Arteve të Bukura është një lajm që na mbush me krenari si një tjetër dëshmi se arti i tij i jashtëzakonshëm dhe rrënjët e tij shqiptare flasin gjuhën universale të bukurisë”, theksoi Kumbaro.
Kumbaro u shpreh se “Kushëriri i Engjëjve” e pagëzoi Ismail Kadare – sepse diti ta kthente lëvizjen në poezi dhe skenën e baletit në një hapësirë të përbashkët njerëzore. Urime mik i dashur, me fat që të kemi”.
Që nga fillimet e tij, Prejlocaj ka krijuar 61 vepra koreografike, duke filluar nga solo në formacione më të mëdha duke përfshirë Romeo & Juliet, Borëbardha, Liqeni i Mjellmave. Atij i pëlqen të alternojë balete të mëdhenj narrativë me pjesë më abstrakte si Empty Move, Still Life, Deleuze/Hendrix.
Prejlocaj ka marrë çmime të shumta dhe ka drejtuar disa filma të shkurtër dhe filma me koreografi të tij. Kompania që Preljocaj themeloi ka 30 kërcimtarë të përhershëm dhe performon mesatarisht 120 shfaqje në vit, në mbarë botën./atsh/ KultPlus.com
Gjithsej gjashtë vepra brilante janë ndërthurur me mjeshtëri në programin e zgjedhur për koncertin e veçantë të Orkestrës së Operës së Kosovës. Ky koncert, i mbajtur brenda një atmosfere të thellë muzikore, dëshmoi për një interpretim që kapërcen kufijtë e zakonshmes, duke u shndërruar në një përjetim të rrallë artistik. Nën drejtimin finesë të dirigjentit të njohur Oleg Arapi dhe me pianisten e talentuar Lule Elezi në qendër të vëmendjes, skena u shndërrua në një univers emocionesh të pastra, ku secila vepër mori frymë me një shpirt të vetin. E gjithë nata u kthye në një dialog të fuqishëm mes muzikës dhe shpirtit, një simfoni e harmonisë që jehonte thellë në zemrat e të pranishmëve, shkruan KultPlus.
Fillimisht, të pranishmit nisën të mbërrijnë një e nga një, duke u ulur me kujdes në karriget e vendosura me përpikëri në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit në Prishtinë. Sallës iu rikthye zëri i gjallë i artit, e çdo cep i saj u mbush me praninë e atyre që e ndjejnë thellë nevojën për të qenë dëshmitarë të magjisë së muzikës së gjallë. Perdet e zeza në sfond qëndronin si gardianë të elegancës, ndërsa reflektorët në ngjyrë vjollcë ndriçonin me një dritë ëndërrimtare, duke e kthyer hapësirën në një altar të tingujve.
Ora shënoi 20:00. Heshtja zuri vend në mënyrë solemne. Celularët u fikën, zërat u fashitën, dhe një pritje e ëmbël filloi të lëkundej në ajër. Duartrokitjet shpërthyen me ngrohtësi në momentin kur instrumentistët zunë vendet e tyre në skenë. Mes tyre, u shfaq dirigjenti Oleg Arapi, me një prani të qetë por të fuqishme, i përshëndetur me përzemërsi nga publiku. Me një buzëqeshje të përmbajtur, ai iu përgjigj brohoritjeve, si një poet që sapo ka hyrë në skenën e fjalëve të tij të heshtura – tingujt.
Vepra e parë që u interpretua në këtë mbrëmje të veçantë ishte uvertura nga opera “Don Pasquale” e kompozitorit italian Gaetano Donizetti. E krijuar në mesin e shekullit XIX, kjo uverturë i paraprin një prej komedive më të njohura të repertorit operistik belkantist dhe është një shembull i mrekullueshëm i finesës dhe gjallërisë që karakterizon stilin e Donizettit. Qysh në notat e para, muzika u shpalos me një dritë lozonjare dhe një elegancë të lehtë, si një shëtitje e qetë përmes rrugëve të Romës së vjetër. Fijet e violave dhe violonçelëve sollën një fillim të ngrohtë, teksa frymorët i shtonin ngjyra një tabloje që rritej gradualisht në temperament dhe dinamizëm. Kjo uverturë është një hyrje e shkëlqyer në botën satirike të operës, e cila përmes tingujve ndriçon karakteret plot humor dhe situatat absurde që pasojnë.
Pas uverturës plot sharm e gjallëri të Donizettit, nata vijoi me një kthesë dramatike dhe emocionale përmes tingujve të “Sonatës Patetike për piano dhe harqe” nga Ludwig van Beethoven. Në këtë vepër, ndjeshmëria e thellë e mjeshtrit gjerman u shpalos me një fuqi që kapërcen kohën, ku çdo akord i pianos, në dialog të ngushtë me harqet, sillte një përzierje të dhimbjes së përmbajtur dhe krenarisë njerëzore. Lule Elezi, me prekje të butë dhe të sigurtë, gdhendi me ndjeshmëri secilën frazë, duke krijuar një hark emocional që zgjaste përtej skenës dhe përfshinte çdo zemër të pranishme.
Më pas, nën dritën e një qetësie të brendshme, nisi të rridhte “Nocturne në cis-mol, B.49” nga Frederic Chopin – një gjuhë muzikore e ëndërruar, plot melankoli dhe hijeshi. Kjo vepër, e butë si një pëshpëritje nate, u shtri si një qilim heshtjeje mbi sallë, ndërsa çdo tingull i pianos dukej se vinte nga një tjetër botë, një kujtim i largët e i shenjtë. Në të pasuan ngjyrat intime të “Intermezzos nr. 1” të Manuel Ponce, ku melodia me nuanca latine lundronte si një vallëzim i heshtur ndërmjet harqeve dhe pianos, duke përqafuar thellësinë shpirtërore me një thjeshtësi mahnitëse.
Ky udhëtim muzikor u ngrit në një frymë teatrale me “Suitën nr.1 nga Carmen” e Georges Bizet – një shpërthim ngjyrash dhe ritmesh që mbushën hapësirën me gjallëri dramatike, pasion dhe temperament jugor. Tingujt ikonikë të Bizet-it sollën në sallë aromën e flaktë të Spanjës, ndërsa performanca e orkestrës, nën drejtimin preciz të Oleg Arapit, ringjalli fuqinë e narrativës së “Carmen”. E gjithë mbrëmja u përmbyll me një vrull festiv e triumfues përmes “Uverturës Light Cavalry” nga Franz von Suppé – një vepër që ngërthen humorin, shpejtësinë dhe elegancën në një ndjesi finale përplot me energji e gëzim, si një përshëndetje e hareshme nga muzika drejt audiencës së saj të magjepsur.
E njohur për lojën e saj të fuqishme dhe njëkohësisht delikate (FCE – Luksemburg), e cilësuar si virtuoze në interpretim (Momag – Austri), dhe e vlerësuar për emocionin e thellë e të përshkueshëm në veprat e Chopin (Bergedorfer Zeitung – Gjermani), pianistja e mirënjohur Lule Elezi u ngjit për herë të parë në skenë me Orkestrën e Operës së Kosovës, në një koncert që solli një përjetim të pasur estetik për publikun e Prishtinës.
Në duart e saj, secila vepër u shndërrua në një rrëfim dramatik, ku forca dhe ndjeshmëria bashkëjetonin në çdo frazë; një pikturë e gjallë e shpirtit të kompozitorit. Ajo gdhendi tinguj që rrëshqisnin butësisht si hije nate mbi harqet, duke krijuar një përhumbje të ëmbël, melankolike dhe intime. Interpretimi i saj ishte si një kujtim i ngrohtë, i thjeshtë në dukje por i mbushur me ngjyrime të heshtura, që ndizeshin lehtë mes harmonive të harqeve, duke e kthyer veprën në një copëz të vogël kohe të ndalur. Ndërsa koncerti lëvizte drejt temperamentit të gjallë, loja e saj mori ngjyra teatrale, të mprehta dhe plot ngarkesë dramatike, duke ruajtur gjithmonë elegancën e premtuar nga fillimi. Ajo përfundoi interpretimin e saj me një gjurmë të pashlyeshme, ku çdo vepër e kaluar përmes duarve të saj u shndërrua në një rrëfim poetik – të fortë, të ndjerë, dhe të paharrueshëm.
Për të folur më shumë rreth pjesëmarrjes së tij në kuadër të Operës së Kosovës, për KultPlus foli vetë dirigjenti Oleg Arapi.
“Ishte një kënaqësi për mua, bashkëpunimi me Orkestrën e Operës së Kosovës. Ky bashkëpunim u realizuar falë pianistes të talentuar shqiptare nga Kosova, Lule Elezi, me të cilën kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë në disa koncerte në Prizren dhe Tiranë. Një falënderim shumë të madh për istrumentistët e talentuar të orkestrës, të cilët me përkushtim dhe profesionalizëm, performuan një program të bukur muzikalisht dhe të vështirë teknikisht, për një periudhë shumë të shkurtër kohe. Performanca e pianistes Lule Elezi, u duartrokit pa fund nga spektatorët artëdashës.”
Gjithashtu, pianistja Lule Elezi për KultPlus tregoi përshtypjet e saj rreth koncertit.
“Ishte një mbrëmje shumë e veçantë për mua, sepse isha solistja e parë instrumentiste që performova me Orkestrën e mrekullueshme të Operës së Kosovës, nën dirigjimin fantastik të Maestro Oleg Arapi. Me Maestro Oleg Arapi kam pasur kënaqësinë të bashkëpunojë edhe më herët, me koncertet që i kemi mbajtur në Prizren dhe disa koncerte në Tiranë, dhe e vlerësojë maksimalisht punën e tij të palodhur dhe shumë, shumë profesionale. Falënderoj përzemërsisht stafin e Operës së Kosovës, e në veçanti kryetaren e Bordit, Rreze Kryeziu Breznica dhe drejtorin, Meriton Ferizi për organizimin e shkëlqyer të këtij koncerti, të cilët u përpoqën shumë që kjo mbrëmje të kishte këtë glamor.”
Poezi nga Viktor Hygo Përktheu nga origjinali Ermira Xhomaqi
Të uroj
Të uroj më së pari të duash E duke dashur, do të të duan edhe ty Dhe ata që s’të duan, harroji E përtej harrimit, mëritë e vjetra kurrë mos t’i kujtosh!
Të uroj të vazhdosh të duash pa u dëshpëruar Të uroj që edhe sikur mes miqve të tu Të ketë të pasjellshëm, të pamatur e t’pamend Ti, ti… qëndro gjithmonë trim e besnik Pse mes tyre ka për të qenë edhe një i vetëm Tek i cili ti mund të besosh padyshim Pse jeta vetë është e tillë.
Të uroj gjithashtu të kesh armiq Të shumtë, a një të vetëm, aq sa ti të kuptosh. E kështu të mund të mësosh zemërgjerësinë prej tyre Dhe ndër ta, të jetë qoftë edhe një i drejtë, Aq sa ti të mos ndjehesh krejt i sigurt.
Të uroj më shumë të jesh i vlefshëm, po jo i pashembullt E në çaste të vështira Kur asgjë nuk shkon si duhet Vlera jote të të japë forcë e kurajo të vazhdosh.
Të uroj po ashtu të jesh zemërgjerë Jo me ata që lajthisin pak Sepse kjo është e lehtë Por me ata që gabojnë trashë e janë të pandreqshëm Dhe duke shprehur zemërgjerësinë tënde Ti mund të shërbesh si shembull për të tjerë.
Të uroj gjithashtu që duke qenë i ri Të mos rrekesh të piqesh me të shpejtë E kur rritur të jesh Të mos këmbëngulësh të hiqesh më i ri E duke qenë plak, të mos pushtohesh prej dëshpërimit Sepse çdo moshë ka bukurinë e dhimbjen e saj.
Nuk të uroj të jesh i trishtuar. Oh jo! Jo gjithë vitin, por ta njohësh trishtimin veç një ditë! E kështu të çmosh Që e qeshura e rigjetur është edhe më e mirë Se një e qeshur e rëndomtë, e vakët, e shpëlarë që të dëmton.
Të uroj mes tjerash të mbjellësh një farë Një farë të vockël fare E ta shoqërosh gjithë rritjen e saj Për të zbuluar prej sa shumë jetësh është ndërtuar një pemë.
Të uroj gjithashtu të kesh edhe pak para Aq sa nevojiten e t’ia dalësh mbanë E që së paku një herë në vit të reflektosh Mbi ato para e të thuash: “Janë të miat, i kam fituar vetë!” Për ta bërë të qartë e të njohur: Se kush është pronar i kujt!
Të uroj gjithashtu të mbash sa më gjatë t’jetë e mundur Gjithçka që dashuron E nëse dashuritë shkojnë, të mund të qash pa u ankuar E të vuash pa u ndjerë fajtor!
Të uroj së fundmi Që nëse je një burrë, të kesh një grua të mirë E nëse je një grua, të kesh një burrë të mirë. Nesër, pasnesër e sërish të pasnesërmen Edhe sikur rraskapitur të jeni Ta gjeni buzëqeshjen si në t’parën ditë dashuruar të jeni gjithnjë!
E nëse të gjitha këto ndodhin për ty Atëherë, s’do të kem më asgjë të të uroj!/ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka vijuar ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër me vizita në kantonet Thurgau dhe St. Gallen, ky i fundit edhe vendlindja e Presidentes së Zvicrës, Karin Keller-Sutter.
“Ditën e dytë të vizitës shtetërore në Zvicër e filluam në kantonin e Thurgau dhe atë të St. Gallen, njëherit vendlindja e Presidentes Karin Keller-Sutter”, ka shkruar Osmani.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani u shpreh e impresionuar nga historia, kultura dhe inovacioni që karakterizojnë këto rajone, duke theksuar se Zvicra mbetet një shembull frymëzues për gjithë botën.
Vizita shtetërore e Presidentes Osmani në Zvicër synon forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme./KultPlus.com
Të premten, më 23 maj, në ora 18:00, në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të promovohet libri “Libri im i kujtimeve” nga kompozitori dhe dirigjenti i njohur Rafet Rudi.
Libri paraqet një kronikë të jetës muzikore në Kosovë nga vitet ’70 deri në vitin 1999, përmes kujtimeve personale të autorit dhe shkrimeve të tij që datojnë nga viti 1975. Përmes këtij botimi, Rudi ndan rrëfime mbi zhvillimet artistike në një kontekst të gjerë shoqëror, politik e kulturor, duke ofruar informacione të rralla që shpesh mungojnë në burimet zyrtare.
Në panelin diskutues do të marrin pjesë: autori Rafet Rudi, filozofi dhe kritiku Shkëlzen Maliqi, kompozitori dhe studiuesi Nestor Kraja, si dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj. Moderatore e panelit do të jetë muzikologia Rreze Kryeziu Breznica.
Të gjithë dashamirët e librit dhe të muzikës janë të ftuar të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë kulturore, ku do të kenë mundësinë të diskutojnë me autorin dhe ta marrin librin me nënshkrimin e tij./KultPlus.com
Aktori Ray Stevenson ka vdekur para dy vitesh në moshën 58-vjeçare, vetëm disa ditë para ditëlindjes së 59-të.
Stevenson ka luajur në një varg filmash aksion dhe fantazi, duke përfshirë filmat si “Punisher: War Zone”, “King Arthur” dhe serialin “Ahsoka”.
Pas paraqitjes si mysafir në shfaqje të ndryshme televizive dhe filma televizivë, ai bëri debutimin e tij në ekranin e madh në vitin 1998 në “Theory of Flight”, si një zhigolo, duke luajtur përballë Kenneth Branagh dhe Helena Bonham Carter.
Ai fitoi një punë të qëndrueshme më pas duke u shfaqur në seriale të ndryshme televizive britanike.
Ai në vitin 2004 luajti në King Arthur. Pas kësaj, ai filloi të fitonte më shumë pjesë aksioni, duke luajtur një ushtar trupmadh me një zemër të artë në mini-serialin fitues të Emmy-t “Roma”, dhe më vonë si hero aksioni Frank Castle në “The Punisher”./KultPlus.com
Rreth 400 mijë euro do të financohen nga Agjencia Franceze e Zhvillimit (AFD) dhe Ministria Shqiptare e Turizmit dhe Mjedisit për hartimin e një masterplani për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në rajonin e Korçës.
Me rastin e vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Shqipëri, AFD dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nënshkruan një marrëveshje për të mbështetur këtë projekt për rajonin e Korçës.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro dhe Drejtori i Përgjithshëm i Grupit AFD, Rémy Rioux.
Projekti do të përfshijë planifikimin strategjik, një plan investimesh dhe bashkëpunim teknik me autoritetet lokale franceze, siç janë qyteti i Chambéry dhe departamenti i Savoie.
“Ky partneritet pasqyron ambicien tonë të përbashkët për të vendosur mbrojtjen e mjedisit dhe trashëgiminë kulturore në zemër të zhvillimit të turizmit”, deklaroi Rioux.
Rioux u shpreh se “duke lidhur institucionet dhe ekspertizën tonë, ne synojmë të ndërtojmë një urë midis rajoneve tona për të mbështetur rritjen gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Shqipëri”.
Marrëveshja do të mbështesë hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për të udhëhequr zhvillimin e turizmit në rajonin e Korçës gjatë viteve në vijim. Plani do të kombinojë mbrojtjen e mjedisit, planifikimin e qëndrueshëm territorial dhe vlerësimin e trashëgimisë arkitektonike dhe natyrore të rajonit.
“Ky projekt është një hap i madh për rajonin e Korçës dhe për Shqipërinë. Ai sjell një vizion evropian në strategjinë tonë të turizmit, të mbështetur në qëndrueshmëri dhe bashkëpunim. Jemi krenarë që punojmë krah për krah me partnerët tanë francezë për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe më tërheqëse për territoret tona”, tha Kumbaro.
Një element kyç i projektit është bashkëpunimi teknik mes institucioneve shqiptare dhe atyre franceze, përmes shkëmbimeve ndërmjet palëve, duke përfshirë aktorë nga rajoni Alpin si Parku Natyror Rajonal i Maleve Bauges. Këto shkëmbime synojnë forcimin e kapaciteteve lokale dhe nxitjen e transferimit të njohurive në turizmin e qëndrueshëm dhe zhvillimin territorial.
Nisma plotëson gjithashtu përpjekjet e tjera të udhëhequra nga Franca në rajonin e Korçës, përfshirë rihapjen e planifikuar të Liceut Francez dhe bashkëpunimin e decentralizuar në vazhdim të mbështetur nga Ambasada Franceze.
Grupi AFD kontribuon në zbatimin e politikave të Francës për zhvillim të qëndrueshëm dhe solidaritet ndërkombëtar. Grupi përfshin Agjencinë Franceze të Zhvillimit (AFD), e cila financon sektorin publik, OJF-të, kërkimin shkencor dhe trajnimin; filialin e saj Proparco, i cili është financon sektorin privat; dhe Expertise France, një agjenci për bashkëpunim teknik. Grupi financon, mbështet dhe përshpejton tranzicionet e nevojshme për një botë më të drejtë dhe më të qëndrueshme.
Që nga viti 2019, Grupi AFD është i pranishëm në Ballkanin Perëndimor dhe ka marrë mandatin për të mbështetur vendet e rajonit në përmbushjen e standardeve të BE-së dhe në zbatimin e Marrëveshjes së Parisit për ndryshimet klimatike, me qëllim ndërtimin e një trajektore zhvillimi gjithëpërfshirës dhe me pak karbon. Që atëherë, më shumë se 1.6 miliardë euro janë angazhuar nga Grupi AFD në rajonin e Ballkanit Perëndimor, nga të cilat 340 milionë euro në Shqipëri.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është institucioni qeveritar përgjegjës për hartimin dhe zbatimin e politikave që synojnë mbrojtjen e mjedisit, mbrojtjen nga ndryshimet klimatike, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave, monitorimin e cilësisë së ujërave, si dhe hartimin dhe zbatimin e politikave të turizmit.
Ministria funksionon në përputhje me legjislacionin përkatës për natyrën dhe biodiversitetin, duke përfshirë florën dhe faunën, mbrojtjen e tokës nga erozioni dhe degradimi, mbrojtjen e peizazhit natyror, mbrojtjen e faunës së egër dhe specieve të rrezikuara, si dhe menaxhimin e zonave të mbrojtura./atsh/Kultplus.com
1. “Ka vetëm një gjë që e bën të pamundur një ëndërr që të arrihet: frika nga dështimi”.
2. “Gjithkush duket se ka një ide të qartë se si njerëzit e tjerë duhet të udhëheqin jetën e tyre, por nuk kanëasnjë në lidhje me atëtë tij ose të saj”.
3. “Mos e humbni kohën tuaj me shpjegime: njerëzit dëgjojnë vetëm ato që duan të dëgjojnë”.
4. “Miqtë tanë të vërtetë janë ata që janë me ne kur ndodhin gjërat e mira. Ata na brohorasin dhe janë të kënaqur nga triumfet tona. Shokët e rremë shfaqen vetëm në periudha të vështira, me fytyrat e tyre të trishtueshme, mbështetëse, kur, në të vërtetë, vuajtja jonë po shërben për t’i ngushëlluar ata për jetën e tyre të mjerueshme”.
5. “Dhe, kur ju doni diçka, i gjithë universi komploton ndaj jush për ta arritur atë”.
6. “Sekreti i jetës, sidoqoftë, është të rrëzoheni shtatë herë dhe të ngriheni tetë herë.”
7. “Mos harroni se kudo që të jetë zemra juaj, atje do të gjeni thesarin tuaj”.
8. “Askush nuk humbet asnjërin, sepse askush nuk zotëron asnjërin. Kjo është përvoja e vërtetë e lirisë: të kesh gjënë më të rëndësishme në botë pa e zotëruar atë”.
9. “Cila është gënjeshtra më e madhe në botë? … Ështëkjo: që në një moment të caktuar të jetës sonë, ne e humbim kontrollin e asaj që po ndodh me ne, dhe jeta jonë kontrollohet nga fati”.
10. “Dy testet më të vështira në rrugën shpirtërore janë durimi për të pritur momentin e duhur dhe guximi për të mos u zhgënjyer me ato që hasim”.
11.”Ju keni dy zgjedhje: për të kontrolluar mendjen tuaj ose për të lënë mendjen tuaj t’iu kontrollojë ju”.
12. “Gjithçka që ndodh një herë nuk mund të ndodhë më. Por gjithçka që ndodh dy here, me siguri do të ndodh edhe për herë të tretë”.
13. “Ji i çmendur! Por mësoni si të jeni të çmendur pa qenë në qendër të vëmendjes. Jini të guximshëm për të jetuar ndryshe”.
14. “Pasioni e bën një person të ndalojë së ngrëni, të flejë, të punojë, të ndjehet në paqe. Shumë njerëz janë të frikësuar sepse, kur ai shfaqet, ai shkatërron të gjitha gjërat e vjetra që gjen në rrugën e vet”.
15. “Nëse e doni dikë, duhet të jeni të gatshëm për t’i lënë ato të lirë”.
16. “Pra, unë ju dua sepse i gjithë universi komplotoi të më ndihmojë që t’ju gjej.”
17. “Një fëmijë mund t’i mësojë një të rrituri tre gjëra: të jetë i lumtur pa asnjë arsye, të jetë gjithmonë i zënë me diçka dhe të dijë të kërkojë me gjithë fuqinë e tij atë që ai dëshiron”.
18. “Pranoni atë që ju ofron jeta dhe përpiquni të pini nga çdo kupë. Të gjitha verërat duhet të shijohen; disa duhet të pihen vetëm pak, por me të tjerët, pini të tërë shishen”.
19. “Të presësh është e dhimbshme. Harrimi është i dhimbshëm. Por të mos dish se çfarë të bësh është lloji më i keq i vuajtjeve”.
20. “Kjo është ajo që ne e quajmë dashuri. Kur ju duan, ju mund të bëni cdo do gjë në krijim. Kur ju duan, nuk ka nevojë aspak të kuptoni se çfarë po ndodh, sepse gjithçka ndodh brenda jush”.
21. “Dashuria është një forcë e pazbutshme. Kur përpiqemi ta kontrollojmë, ajo na shkatërron. Kur përpiqemi ta burgosim, ajo na skllavëron. Kur përpiqemi ta kuptojmë, ajo na lë të ndjehemi të humbur dhe konfuz”.
22. “Asgjë në botë nuk është kurrë plotësisht e gabuar. Edhe një orë e ngecur është e saktë dy herë në ditë. ”
23. “Në jetën reale, dashuria duhet të jetë e mundur. Edhe nëse nuk kthehet menjëherë, dashuria mund të mbijetojë vetëm kur ekziston shpresa se do të jeni në gjendje të fitoni mbi personin që dëshironi”.
24. “Në çdo moment të jetës sonë, të gjithë kemi një këmbë në një përrallë dhe tjetrën në humnerë”.
25. “Gjërat e thjeshta janë gjithashtu gjërat më të jashtëzakonshme, dhe vetëm të mençurit mund t’i shohin ato”.
26. “Mos dëgjoni komentet e këqija të atyre miqve, të cilët, duke mos marrë asnjë rrezik vetë, mund të shohin vetëm dështimet e njerëzve të tjerë.”
27. “Unë nuk jetoj as në të kaluarën time, as në të ardhmen time. Unë jam i interesuar vetëm për të tashmen. Nëse mund të përqendroheni gjithmonë në të tashmen, do të jeni një burrë i lumtur. Jeta do të jetë një festë për ju, një festival i shkëlqyeshëm, sepse jeta është momenti kur po jetojmë tani”.
28. “Askush prej nesh nuk e di se çfarë mund të ndodhë edhe në minutën tjetër, megjithatë, ne përsëri vazhdojmë përpara. Sepse ne besojmë. Sepse kemi Besim”.
29. “Kur duam, gjithmonë përpiqemi të bëhemi më të mirë se sa jemi. Kur përpiqemi të bëhemi më mirë seç jemi, gjithçka rreth nesh bëhet edhe më e mirë”.
30. “Fal, por mos harro, ose do të lëndohesh përsëri. Falja ndryshon perspektivat. Të harruarit humbet mësimin”.
31. “Disa gjëra në jetë thjesht duhet të përjetohen- dhe kurrë nuk shpjegohen. Dashuria është një gjë e tillë”.
32. “Mos u shqetësoni duke u munduar për të shpjeguar emocionet e tua. Jetoni gjithçka aq intensivisht sa mundeni dhe mbani gjithçka që ndjeni si dhuratë nga Zoti. Mënyra më e mirë për të shkatërruar urën midis të dukshmes dhe të padukshmes është duke provuar të shpjegoni emocionet tuaja”.
33. “Një njeri dashurohet sepse e dashuroni. Asnjë arsye nuk është e nevojshme për të dashuruar”.
34. “Kur çdo ditë është e njëjtë me ditën tjetër, kjo është për shkak se njerëzit nuk arrijnë të njohin gjërat e mira që ndodhin në jetën e tyre çdo ditë që dielli lind”.
35. “Kur e presim më së paku, jeta na bën një sfidë të provojmë guximin dhe gatishmërinë tonë për të ndryshuar; në një moment të tillë, nuk ka asnjë kuptim të pretendosh se asgjë nuk ka ndodhur ose të themi se ne nuk jemi akoma të gatshëm. Sfida nuk do të presë. Jeta nuk shikon prapa”.
36. “Është mundësia për të realizuar një ëndërr ajo që e bën jetën interesante”.
37. “Unë mund të zgjedh ose të jem viktimë e botës ose një aventurier në kërkim të thesarit. Është e gjitha një pyetje se si e shoh jetën time”.
38. “Ndonjëherë, ne jemi aq të lidhur me mënyrën tonë të të jetuarit, saqë ne hedhim poshtë mundësi të mrekullueshme thjesht sepse nuk dimë se çfarë të bëjmë me të”.
39. “Nëse filloni të premtoni ato që nuk keni ende, do të humbni dëshirën për të punuar drejt arritjes së saj”.
40. “Mos u frikësoni nga mendimet e njerëzve të tjerë. Vetëm mediokriteti është i sigurt në vetvete, prandaj merrni rreziqe dhe bëni atë që dëshironi të bëni”.
41. “Kurdo që të doni të arrini diçka, mbajini sytë hapur, përqendrohuni dhe sigurohuni që e dini saktësisht se çfarë dëshironi. Askush nuk mund të arrijë objektivin me sy të mbyllur”.
Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara në vend.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale disa foto nga Alexander Uhrin nga Sllovakia, i cili u prezantua në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania 2” dhe është një nga fituesit e çmimit “Ambasador në Promovimin e Turizmit Shqiptar”.
Konkursi Ndërkombëtar i Fotografisë dhe Videove Reels “Wanderlust in Albania” u rikthye për të dytin vit, pas suksesit të edicionit të parë, duke zbuluar bukuritë e Shqipërisë përmes syve të vetë udhëtarëve dhe vizitorëve me fotografi dhe video reels që ata kanë realizuar gjatë udhëtimeve të tyre në Shqipëri.
Fotografë dhe videografë (profesionistë dhe amatorë) nga Shqipëria dhe 36 vende të botës sollën edhe këtë edicion, imazhe dhe filmime të mrekullueshme, që shpalosin Shqipërinë përmes bukurive të natyrës dhe të trashëgimisë kulturore e historike.
Disa prej tyre ishin edhe imazhet e fotografit sllovak, Alexander Uhrin, i cili zgjodhi promovimin e Zvërnecit, një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike.
Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.
Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit. Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com