Mbi 1000 të pranishëm duartrokitën gjatë Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës në Casino Bern

Mbi 1000 të pranishëm kanë duartrokitur gjatë paraqitjen e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në Casino Bern, të mërkurën mbrëma.

Nën drejtimin e Antoine Marguier, koncerti, i cili u mbajt në kuadër të festimeve të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nisi me intonimin e himneve të Kosovës, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit, për të vijuar më pas me “Bareshën” e Rexho Mulliqit.

Orkestra solli traditën muzikore kosovare përpara publikut në kryeqytetin zviceran me Koncertin për saksofon, harqe dhe perkusione të Valton Beqirit, me solist saksofonistin Vitaly Vatulya. Sopranoja Besa Llugiqi mbizotëroi skenën me interpretimin e saj, duke filluar me arien “Un bel dì vedremo” nga opera Madama Butterfly dhe “È strano… Sempre libera” nga La Traviata e G. Verdit, ku iu bashkua tenori Oscar Esmerode. Në bis, Llugiqi interpretoi “Agimet shqiptare” të Avni Mulës.

Në pjesën e parë të koncertit, orkestra interpretoi gjithashtu uverturën e operës Nabucco të G. Verdit.

Ndërsa në pjesën e dytë, Orkestra u rikthye në skenë me interpretimin e Simfonisë nr. 2 të kompozitorit Kreshnik Aliçkajt dhe e mbylli mbrëmjen me suitën nr. 2 nga “The Three-Cornered Hat” e kompozitorit Manuel de Fallas.

Të pranishëm në koncert, përveç personaliteteve nga jeta kulturore zvicerane, diplomatëve, numrit të madh të diasporës shqiptare, qe edhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.

Filharmonia e Kosovës do të rikthehet me koncerte në Kosovë gjatë muajit mars, fillimisht me koncertin e Korit të Filharmonisë dhe ansamblit harkor nën drejtimin e Hajrullah Sylës në Rahovec (26.03.2025), si dhe me koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e dirigjentit italian Marco Crispo, me solistë Liza Kerob dhe Altin Tafilaj, në mbyllje të Javës së Frankofonisë në Prishtinë. (28.03.2025).

Fotografitë: Arben Llapashtica/ KultPlus.com

Promovohet libri ‘Një kosovar si Radomiri’, Dimiq: Kam kryer obligimin tim qytetar ndaj Kosovës

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, është promovuar libri “Një kosovar si Radomiri- Radomir Dimiq, përmbledhje shkrimesh”, nga Radomir Dimiq, emër i njohur në politkë, gazetari e shoqëri civile, shkruan KultPlus.

Në librin “Një kosovar si Radomiri” janë të përmbledhura disa nga shkrimet dhe intervistat që Dimiq i ka bërë për mediat kosovare në gjuhën shqipe, të botuara ndër vite në gazeta të ndryshme si”: Koha Ditore, Info Press, Zëri, Ekonomia Online, Kosova Press dhe Kosova Sot.

Gjatë ceremonisë promovuese u tha se Radomir Dimiq ka qenë i njohur edhe si drejtues ndërmarrjesh shtetërore para luftës në Kosovë.  Ndërkaq, tash e 25 vite  ai me vullnet, e pa frikë angazhohet publikisht për një shoqëri kosovare të pandarë, për një shoqëri që sheh nga e ardhmja, por nuk e harron të kaluarën.

Kryeministri Albin Kurti gjatë fjalimit të tij librin e cilësoi si testament të guximit, të së vërtetës dhe të shpirtit të pathyeshëm të njeriut.

“Radomir Dimiq ishte një emër i dalluar në politikë e në gazetari, por edhe një njeri që guxoi të sfidonte narrativat e kohës, të ngrinte zërin kur shumëkush heshti dhe të shihte Kosovën me sy dhe zemër të hapur. Ky libër përmbledh shkrimet e tij, rrëfimet dhe bindjet e tij, angazhimin dhe betejën e tij për drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, ka thënë kryeministri Kurti.


Kryeministri Kurti gjithashtu ka thënë se angazhimi i Dimiq nuk ishte i lehtë, pasi Dimiq pagoi çmimin e guximit të tij duke u shpallur tradhtar në Beograd dhe duke u sulmuar nga strukturat nacionaliste shtetërore dhe para-shtetërore, para të cilave ai nuk u ndal kurrë.

“Ai kërkoi që Serbia të pranonte përgjegjësinë për krimet e kryera në Kosovë, që të ndalej propaganda që i ndante komunitetet dhe që të hapeshin rrugët e pajtimit. “Serbia duhet të kërkojë falje për frigoriferët me kufoma shqiptarësh, për dhunimin e grave” – shtonte ai”, ka thënë kryeministri Kurti.

Tutje, kryeministri Kurti tha se libri “Një kosovar si Radomiri” është një përmbledhje tekstesh që i sfidon të gjithë, duke pyetur se çfarë bëhet me të vërtetën, se a do të vazhdohet me heshtje para padrejtësive apo të ngrihet zëri në shoqëri?

“Shkrimet e tij janë dëshmi e një njeriu që nuk u nënshtrua kurrë. Ai nuk e mohoi asnjëherë realitetin e dhimbshëm, por u përpoq ta ndryshonte atë. Ai e dinte që pajtimi nuk mund të ndodhë pa drejtësi dhe që drejtësia nuk është hakmarrje, por një akt përgjegjësie, qytetërimi dhe reflektimi”, ka thënë Kurti, duke potencuar se guximi për ta thënë të vërtetën nuk është i shpeshtë, ashtu skurse guximi për ta dëgjuar seriozisht atë.

“Shumica e njerëzve duke sfiduar bëhen të guximshëm por përshtypja ime për Radomirin është që, ky sfidon për shkak se është i guximshëm”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërkaq, Ambasadori i Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami ka thënë se libri është përmbledhje shkrimesh ku evidentohet konsistenca dhe vendosmëria e Dimiq në qëndrimet e tij, të nxjerra para publikut si gjithherë me fjalë të qarta e pa ekuivoke. Botimin e librit “Një ksovar si Radomiri” e ka cilësuar si një publikim me rëndësi të madhe.

“Bëhet fjalë për një libër dëshmi që risjell fjalët e shkruara nga një autor, gazetar dhe aktivist serb i Kosovës që është kritik i hapur, i pa kompromis, konsekuent i politikave anti-kosovare dhe anti-shqiptare të liderëve dhe elitës intelektuale të Serbisë ndër dekada duke filluar nga Millosheviq, Akademia e Dobrica Qosiq e deri tek Vuqiq, Dodiku dhe elita e sotme politike dhe intelektuale në Serbi, e cila fatkeqësisht mbetet e kapur nga idologjia serbomadhe dhe shqiptarourrejtëse”, ka thënë ambasadori Bajrami, duke potencuar se në të gjitha shkrimet dhe deklarimet e tij, Dimiq, jo vetëm që ekspozon këtë realitet idologjik dhe politk të serbisë por edhe del hapur kundër tij.

“Nxjerr në pah helmin racist që vlon në lëkurën e retorikës politike të shteti serb dhe lidërve të tij, ndaj shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Në këtë kuptim shkrimet e tij janë antidot i këtij helmi. Ai po ashtu hedh dritë mbi errësirën ku qëndrojnë të heshtur ata që janë kapur peng nga politika zyrtare e Serbisë në Kosovë. E, ky është komuniteti serb i Kosovës, sepse Dimiq në esence është një kryqtar në betejë për të shpëtuar komunitetin e tij nga kthetrat e pushtetarëve nacionalist e militant në Beograd, të cilët këtë komunitet e keqpërdorën dhe vazhdojnë ta keqpërdorin e sakrifikojnë për ta luftuar Kosovën e lirë, demokratike dhe evropiane”, ka thënë ai.

Sipas ambasadorit Bajrami, në këtë kryqëzatë të Dimiq kundër politikës agresive antishqiptare të shtetit serb, arma kryesore e tij është fjala e lirë, dhe e vërteta e plotë. Sipas Bajramit shkrimet e Dimiq, të hartuara me saktësinë e një gazetari dhe pasionin e një aktivisti e qajnë dhe shpërndajnë mjegullën e urrejtjes zyrtare ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Ky libër, ky rrëfim i Radomirit dhe për Radomirin është relevant jo vetëm për Kosovën dhe bashkejtesën shqiptaro-serbe në Kosovë, në Kosovën e Pavarur Demokratike dhe Evropiane, mendoj se rrëfimet si ky duhet përquar tutje dhe shpresoj se së shpejti do të mund t’i kemi këto shkrime të publikuara edhe në gjuhën serbe, angleze, franceze, italiane, spanjolle, gjermane etj, sepse fjala e lirë e Radomirit që sjellë të vërtetën për Kosovën përmes syve të tij, është e vërtetë që flet qartë pa ekuivoke e ambiguitete. Kjo është ajo për çka kemi nevojë sot”, ka thënë ai.

Ndërsa, Radomir Dimiq në fjalën e tij, ka thënë se ky libër është biografia e tij kundër luftës dhe obligimi i tij qytetar ndaj Kosovës.

“E falenderoj gazetën Koha Ditore, Info Pres, Ekonomia Online, Kosova Sot dhe të gjithë të tjerët që morën pjesë në publikimin e shkrimeve të mia. Ky libër sqaron hapësirën e lirisë, është biografia ime kundër luftës, rezistenca ime, e vërteta, drejtësia, solidariteti dhe mospranimi ndaj gënjeshtrave. Ky është obligimi im qytetar ndaj Kosovës, dhe falënderimi i tij për ata që e kanë përhapur në një kohë të trishtueshme, gjatë viteve të 90-ta të regjimit kriminal të diktatorit Slobodan Milošević”, ka thënë Dimiq, i cili në fund të ceremonisë ka recituar vargjet e poezisë “Mëmëdheu”, të Andon Zako Çajupit.

Promovimin e librit “Një kosvar si Radomiri” e ka mundësuar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Integra”, “Rockefeller Brothers Fund” dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Pjetër Bogdani”. / KultPlus.com

Media franceze “EnVols”: Vizitoni Parkun magjik Kombëtar të Dajtit në Shqipëri

Jo shumë larg nga Tirana, ndodhet mali i Dajtit, i cili premton një arratisje të paharrueshme në natyrën shqiptare, shkruan Estelle Brana  në një artikull të botuar në revistën franceze “EnVols”.

Mes pamjeve mahnitëse, ndalesave kulturore dhe ecjeve soditëse, ky park kombëtar është ideal per adhuruesit e aventurave dhe turistët që kërkojnë paqe dhe qetësi.

Mali i Dajtit, një masiv gëlqeror i zhytur në historinë shqiptare, zbulon kontrastet e tij natyrore 26 kilometra larg Tiranës.

Parku i gjelbër me pamje nga kryeqyteti, ofron eksplorimin mes qiellit dhe tokës.

Ballkoni i Tiranës

E quajnë “Ballkoni i Tiranës” për shkak të lartësisë prej 1 613 metrash, ku duket sikur shtrihet e gjithë Shqipëria, kryeqyteti si një model i animuar, fushat si një mozaik i gjallë dhe, në një ditë të kthjellët, deti Adriatik që shkëlqen në horizont.

”Dajti Ekspres” ju çon nëpër pyje dhe lugina për 15 minuta. Ky teleferik i gjatë lidh periferinë e Tiranës me stacionin e sipërm.

Alpinistët me përvojë mund të vazhdojnë deri në majën kryesore, mali i Dajtit ose në majën e Tujanit, këndvështrime ku Shqipëria zbulon natyrën e saj të vërtetë.

Një vend i shenjtë dhe biodiversiteti

Një park kombëtar që nga viti 1996, Dajti është shtëpia e më shumë se 1 000 llojeve bimore me një sipërfaqe prej 29 384 hektarësh, duke përfshirë disa endemike.

Ahu, lisi dhe pisha e zezë mbizotërojnë në këtë peizazh ku derrat e egër, dhelprat dhe ndonjëherë ujqërit bredhin nën hije.

Ornitologët kanë regjistruar 180 lloje zogjsh atje, duke përfshirë shqiponjën e artë që fluturon mbi relievet gëlqerorë 65-milionë vjeçarë.

Aktivitetet sportive përfshijnë: ecje, kalërim dhe hedhje me parashutë në zonën rreth pishave shekullore.

Natyra në buzë të parkut

Përtej masivit kryesor shtrihet një territor me shumë pamje. Në veri, Kanioni i Brarit të tërheq me muret e tij marramendëse të shtrira – një lidhje mes epokave – një urë osmane e gërryer ndër shekuj.

Jo shumë larg, Shpella e Pëllumbasit mahnit me galeritë e saj gëlqerore, një vend i shenjtë nëntokësor ku paraardhësit gjetën strehim më shumë se 10 000 vjet më parë.

Shtegu rrethor i Shpellës së Zezë përshkon rrugën drejt një formacioni gjeologjik që daton në epokën e Jurasikut, dëshmi e mëtejshme e pasurisë nëntokësore shqiptare.

Në verë, kur dielli shkëlqen me rrezet e tij të zjarrta, ujërat bruz të Kanionit të Erzenit ofrojnë freski për notarët e guximshëm, ndërsa Ujëvara e Shëngjergjit, e arritshme pas një shëtitjeje të shkurtër, magjeps me ujërat e pastra kristal në një amfiteatër gjelbërimi.

Këto strehë natyrore, ende të paprekura nga turizmi masiv, ruajnë gjurmën e një natyre që, në këto lugina të thella, vazhdon të diktojë ligjin e saj.

Mes tavolinave dhe traditave

Mali i Dajtit ruan në mënyrë të çmuar identitetin shqiptar. Në restorantet malore si “Ballkoni Dajtit” – pjatat tradicionale si tava e kosit, turshitë dhe trileçja – tregojnë historinë e kuzhinës së vendit, shoqëruar me një panoramë që të lë pa frymë.

Në fundjavë, shëtitjet, një traditë vendase e një pikniku të gjatë, i jep jetë maleve.
Familje dhe grupe miqsh mblidhen aty nga Tirana për barbekju.

Në fshatrat përreth, larg qarqeve turistike, koha kalon ndryshe. Aty do të ndesheni me një mikpritje thuajse të shenjtë që e shndërron të huajin në mik.

Gjurmët e historisë

Nga rrënojat ilire të shekullit VI para erës sonë e deri te instalimet ushtarake tashmë të braktisura komuniste, Dajti mban gjurmët më të hershme të epokave.

Gjatë periudhës komuniste (1944-1991), mali strehonte bunkerë dhe poste vëzhgimi strategjike, tashmë ato janë të populluara, por ende të dukshme për syrin e vëmendshëm.

Dajti shërbeu edhe si strehë për luftëtarët e rezistencës gjatë pushtimit osman dhe më pas gjatë Luftës së Dytë Botërore, siç dëshmohet nga gurët përkujtimor të shpërndarë përgjatë shpateve të pyllëzuara.

Këta gurë të rraskapitur pëshpërisin historinë e një Shqipërie elastike, një udhëkryq mes Lindjes dhe Perëndimit, që ka kaluar nëpër epoka pa humbur kurrë shpirtin, si ky mal që, i patrazuar, vazhdon të vëzhgojë Tiranën. /KultPlus.com

Vatikani publikon informacione të reja për shëndetin e Papës

Nata kaloi e qetë, njoftoi sot Vatikani në lidhje me gjendjen shëndetësore të Papa Françeskut, i cili po trajtohet në Poliklinikën Gemelli në Romë që nga 14 shkurti, raporton Vatican News.

Raporti mjekësor me shumë mundësi nuk do të publikohet sonte, por zyra e komunikimit të Vatikanit, si gjithmonë, do t’u japë gazetarëve informacione të përgjithshme, raporton i njëjti burim.

Një deklaratë e mëparshme që përmbante një raport mjekësor, të lëshuar mbrëmjen e së mërkurës, 12 mars, thoshte se “gjendja klinike e Atit të Shenjtë, në përgjithësi, mbetet e pandryshuar”.

Një rreze X e gjoksit e marrë të martën konfirmoi përmirësimet e vërejtura në ditët e mëparshme. Ati i Shenjtë vazhdon me terapinë me oksigjen me fluks të lartë gjatë ditës dhe ventilim mekanik joinvaziv gjatë pushimit të natës.

Në të njëjtën deklaratë thuhet se mëngjesin e së mërkurës, “pas ushtrimeve shpirtërore që ndoqi me video link live nga salla Pali VI, mori Eukaristinë, iu përkushtua lutjes dhe fizioterapisë motorike”. Pasdite, pasi iu bashkua ushtrimeve shpirtërore të Kurisë, vazhdoi me lutje, pushim dhe fizioterapi respiratore”./ KultPlus.com

60 vjet pa Fan Nolin, një prej figurave më të shquara kombëtare

13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.

Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.

Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com

EU4Culture trajnon të rinjtë për interpretimin e trashëgimisë dhe tregimin e historive

Organizatat Durrësi Aktiv dhe MuZEH Lab organizuan trajnimin “Interpretimi i Trashëgimisë dhe Tregimi i Historive”.

Ky aktivitet u zhvillua si pjesë e projektit “Trashëgimia Epidamn: Lidhja mes të shkuarës dhe të ardhmes”, në kuadër të programit të granteve EU4Culture, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Pjesëmarrësit, gjatë këtij aktiviteti eksploruan teknika mbi tregimin e historive, zhvilluan ushtrime praktike dhe shëtitën në “Shtegun e dyerve të vjetra” të Durrësit, duke rijetësuar historinë.

Gjatë aktivitetit u diskutua mbi tema që përfshijnë fuqinë e tregimit të historive në përvojat e trashëgimisë, rëndësinë e interpretimit në ruajtjen e identitetit kulturor si dhe për krijimin e shtigjeve ndërvepruese dhe përfshirëse të trashëgimisë. /KultPlus.com

‘Në kaltërsinë e qiellit, i ngatërruar në yjet dhe në erërat është ngritur varri yt’


Poezia ‘Interpretimi i natës’ nga Jean-Joseph Rabearivelo

Do të vijë një ditë kur ndonjë poet i ri
Do të lexojë vjershat tua të pamundura
Për të njohur librat tu
Të rrallë si lulet e nëntokës
Librat tu të shkruar për disa miq
Ai do të të lexojë
Në hijen e gjirit
Në dritën drithëruese të zemrës së tij përmes së cilës
do të rrahë zemra jote

Ai nuk do të të kërkojë
Në dallgët e mëdha
Plot humbella detare pa rreze dielli
As në rërë e as në tokën e kuqe
As nën shtigjet e mbuluara me leshterikë
Të cilët përhapen në të gjitha anët
Deri tek toka e të gjallëve
Të verbër e të shurdhër që nga zanafilla e Botës

Ai do të ngrisë kokën
Dhe do të kuptojë që në kaltërsinë e qiellit
I ngatërruar në yjet dhe në erërat
është ngritur varri yt.

Përktheu: Osman Gashi / KultPlus.com

Pesë vjet nga përhapja e pandemisë së COVID-19

Kanë kaluar pesë vjet që kur bota u përball me pandeminë e COVID-19, e cila ndryshoi rrënjësisht jetën e miliarda njerëzve dhe sfidoi sistemet shëndetësore në çdo cep të globit. Virusi, i cili u shfaq në fund të vitit 2019 në Wuhan të Kinës, u përhap me shpejtësi, duke shkaktuar një krizë shëndetësore. Në mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli COVID-19 si pandemi, duke detyruar shumicën e vendeve të vendosnin masa të rrepta kufizuese.

Kosova konfirmoi rastin e saj të parë me COVID-19 më 13 mars 2020, dhe menjëherë autoritetet vendosën masa të ashpra për të frenuar përhapjen e virusit.

Kufizimet në lëvizje, mbyllja e shkollave, ndalimi i grumbullimeve dhe ndërprerja e aktiviteteve ekonomike krijuan një situatë të panjohur për qytetarët. Sistemi shëndetësor, i cili tashmë përballej me sfida të shumta, u gjend nën një presion të madh për të trajtuar pacientët e infektuar dhe për të siguruar pajisjet mjekësore të nevojshme.

Gjatë pandemisë, Kosova ka regjistruar mbi 270 mijë raste të konfirmuara me COVID-19 dhe më shumë se 3,200 viktima. Numri real i të infektuarve dhe viktimave mund të jetë edhe më i lartë, duke marrë parasysh rastet e paidentifikuara.

Një nga sfidat më të mëdha gjatë pandemisë ishte procesi i vaksinimit

Kosova filloi fushatën e vaksinimit në mars të vitit 2021, fillimisht me furnizime të kufizuara, duke u mbështetur në donacione dhe mekanizmat ndërkombëtarë si COVAX.

Deri në vitin 2023, vetëm rreth 60% e popullsisë kishte marrë të paktën një dozë të vaksinës./ KultPlus.com

Paralajmërimi për erëra të forta, Komuna e Prishtinës bën apel për kujdes

Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga qytetarët që të kenë kujdes gjatë ditës së sotme pasi parashikohet  të këtë erëra të forta.

Sipas parashikimeve të motit, sot në Prishtinë priten erëra të forta deri në 32 km/h.

Njoftimi i plotë i Komunës së Prishtinës:

“Për sigurinë tuaj, ju lutemi:

Të shmangni qëndrimin pranë objekteve të larta, pemëve dhe strukturave të paqëndrueshme.

Të siguroheni që dritaret dhe dyert e shtëpive apo bizneseve tuaja janë mirë të mbyllura.

Të bëni kujdes gjatë qarkullimit.

Ju faleminderit për bashkëpunimin! Qëndroni të sigurt!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com

Rilindje

Poezi nga Martin Camaj

Dielli herët depërtoi ndër dej!
Si mbas nji cipe të hollë mendimi
E ndriti rrugën tonë nga lindja
E këndej.

Erdhi koha e zgjimit!
Nji rreze e vetme përpara
Mbi mur
Ndriti dhena t’panjehuna përmbas,
mungullim bimësie e filiza shum
me krena gacash përmaje: rreziqe!/ KultPlus.com

Tetë vite nga vdekja e emrit të madh të teatrit, Hadi Shehu

Figura pionere e Hadi Shehut është sinonim i zhvillimeve të rëndësishme në skenën tonë të kulturës teatrore, kinematografike e televizive ku ka lënë gjurmë të mëdha si aktor dhe themelues i Teatrit profesionist të Gjakovës që sot me të drejtë bartë emrin e tij. Humbje kjo për kulturën e teatrit dhe kinematografinë e Kosovën të cilës tash i mungon një personalitet i çmuar me kontribut të pandalshëm.

Ai ka drejtuar Teatrin profesionist të Gjakovës prej 1981 – 1996 dhe prej vitit 1999 – 2006, e me mbi 170 role, kariera e tij si aktor ka përfshirë teatrin, filmin dhe mediumin televiziv.

Në mes të kësaj veprimtarie kolosale me role në Teatrin e Gjakovës, Teatrin Kombëtar, Teatrin Kombëtar të Tiranës, dhe në Teatrin e Pejës veçohen: – “Fisheku në pajë” (Gjeloshi), “Epoka gara Gjyqit” (Sulejman Vokshi), “Pjata e drunjtë” (Lon Denisoni), “Dragoi i Dragobisë” (Bajram Curri),”Pirrua” (Pirrua), ”Armiku i popullit” (Dr. Stokmani), “Monserati” (Monserati), “Halili e Hajria” (Halili), ndër të tjera.

Hadi Shehu gjithashtu ka shkëlqyer në role filmike si “Si të vdiset” (1972), “Kur pranvera vonohet” (1979), “Era dhe Lisi” (1979), “Gjurmë të bardha” (1980), “Përroi vërshues” (1983), “Pikniku” (1986), “Era e mollës” (1995), “Kur shpirti ndërron jetë” (2001), “Azem Galica” (2011) dhe poashtu në video-filmat “Buka e hidhur”, “Rruga pa kthim”, “Fantazmat lodrojnë”, “Vrasësit bëjnë dasëm natën”, etj.

Veprimtaria e tij e bujshme është shpërblyer me çmime të ndryshme si “Shpërblimi i Dhjetorit”, “Medalja e Punës”, “Çmimi për të Arriturat Artistike” (Beograd) për rolin e Betim Kosovës në filmin “Kur pranvera vonohet”, “Shenja e Artë” (Trebinje), si dhe me mirënjohje të shumta në festivale të ndryshme.

Ai është nderuar poashtu me “Çmimi për Vepër Jetësore” (2005) nga Kuvendi Komunal i Gjakovës, “Statuja e Nënë Terezës” në spektaklin televiziv “Me shumë dashuri” (2008) në Tiranë (Shqipëri), “Medalja Presidenciale e Meritave” (2013) nga Presidenca e Republikës së Kosovës, “Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore” (2012) nga MKRS.

Kontributi i tij per zhvillimin e kulturës Kosovare në profilet e teatrit dhe kinematografise do të mbetet si një prej shembujve më të fuqishëm për tu pasuar nga gjeneratat e reja. /KultPlus.com

Autostrada Biennale dhe QRTK Prizren nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi për promovimin kreativ të trashëgimisë kulturore

Autostrada Biennale dhe Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren (QRTK) kanë formalizuar një bashkëpunim të ri me synimin për të promovuar dhe ri-funksionalizuar në mënyrë inovative objektet me vlerë të trashëgimisë kulturore.

Ky memorandum përcakton angazhimin e përbashkët për ta shndërruar trashëgiminë kulturore në një hapësirë të gjallë ndërveprimi, ku arti bashkëkohor dhe historia e qytetit ndërthuren për të frymëzuar krijimtari dhe zhvillim social.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, gjatë edicionit të pestë të Autostrada Biennale kuruar nga Erzen Shkololli, i cili do të mbahet nga 5 korriku deri më 5 tetor 2025, do të organizohen një sërë aktivitetesh, përfshirë ekspozita, vizita grupore dhe programe edukative, me qëllim të angazhimit të komunitetit lokal dhe profesionistëve të fushës.

“Vazhdimi i bashkëpunimit me Autostrada Biennale është një hap i natyrshëm në përpjekjet tona për të integruar trashëgiminë kulturore të Prizrenit në një nivel më të gjerë dhe ndërkombëtar. Ky bashkëpunim ka treguar se lidhja midis artit bashkëkohor dhe trashëgimisë kulturore mund të krijojë një sinergji të fuqishme, e cila ka pasur një ndikim të thellë në zhvillimin e qytetit dhe në forcimin e lidhjeve tona me komunitetin global”, është shprehur drejtori i QRTK Prizren, Samir Hoxha.

Ndërkohë, Leutrim Fishekqiu, bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv i Autostrada Biennale, e cilësoi këtë memorandum si një mundësi për të promovuar trashëgiminë kulturore përmes artit bashkëkohor dhe për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave kulturore.

“Ky bashkëpunim na jep mundësinë të eksplorojmë mënyra të reja se si arti bashkëkohor mund ta sjellë trashëgiminë kulturore më pranë njerëzve. Përmes projekteve të përbashkëta, do të punojmë që këto hapësira të mos jenë vetëm kujtesë e së kaluarës, por edhe pjesë e përvojës së përditshme kulturore, të hapura dhe të afërta me komunitetin”, u shpreh ai/KultPlus.com

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj, pesë ditë para se të shuhej

Albert Vataj

Fjalët e fundit që shkroi Martin Camaj pesë ditë para se të shuhej, më 12 mars të vitit 1992 në moshën 67-vjeçare.

Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve.

Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: Ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.

Martin Camaj

7 Mars 1992./ KultPlus.com

Nesër mbahet diskutimi “Kontributi i Grave Queer në Kauzën Feministe”

Të enjten, me datë 13 mars, duke filluar nga ora 17:00, do të mbahet diskutimi “Kontributi i Grave Queer në Kauzën Feministe”.

Në këtë diskutim, që do të mbahet në Bubble Pub, do të jetë në qendër të vëmendjes roli dhe kontributi i grave në kauzën feministe.

Në panel do të jenë aktivistja Rajmonda Sylbije, regjisorja Arlinda Morina dhe gazetarja Dafina Halili.

“Ky event organizohet nga Indefinite Institute në partneritet me CEL Kosova, në kuadër të projektit Women’s History Month, pjesë e fushatës ndërkombëtare #AccelerateAction  – International Women’s Day 2025″, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Memorandum mirëkuptimi për ngritjen e Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit

Instituti i Arkeologjisë (IA), pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim (AICS) nënshkruan memorandum mirëkuptimi për planin e konservimit të objekteve të zbuluara dhe projektin e ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit, ku përfshihen qytetet antike Bylis dhe Klos.

Memorandumi i mirëkuptimit u nënshkrua nga drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së Stefania Vizzaccaro dhe Adem Bunguri, drejtori i Institutit Arkeologjik, pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Ky memorandum ka si objekt vendosjen e marrëdhënieve të bashkëpunimit tekniko-shkencor mes palëve, në kuadër të realizimit te projektit të BE-së për Parkun Arkeologjik Bylis dhe Klos, orientuar nga turizmi me fokus trashëgiminë kulturore.

Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim do të bashkëpunojë dhe koordinojë informacionin, arkivin dhe asistencën teknike në veprimtaritë në terren, të cilat i shërbejnë AICS-së dhe nënkontraktorëve apo partnerëve si ndihmë për hartimin e projekteve në respekt të të drejtave të autorëve që kanë zhvilluar veprimtarinë arkeologjike në Bylis.

Në ceremoninë e rastit të zhvilluar në Institutin e Arkeologjisë, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi falënderoi Bashkimin Europian për mbështetjen dhe për investimet edhe në drejtim të zhvillimit të kërkimit shkencor në Shqipëri dhe veçanërisht për investimet për pasqyrimin e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Gjinushi shprehu kënaqësinë që pas negociatave të vazhdueshme, një projekt kaq i rëndësishëm, siç është kthimi i Bylisit në një Qendër Multifunksionale, do të bëhet me kooperacionin italian.

“Kjo është një marrëveshje model, për të cilën vetë Instituti i Arkeologjisë dhe punonjësit e tij janë më se të interesuar, sepse pritet që puna e tyre shumëvjeçare të jetë sa më e aksesueshme dhe e ekspozuar ndaj publikut te gjerë. Si rrjedhojë, realizimi i projektit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë për pjesën shkencore është mënyra më e mirë për të rivlerësuar dhe pasqyruar gjerësisht trashëgiminë tonë. Siti arkeologjik i Bylisit është një nga sitet kryesore, krahas atyre më të njohura të vendit, si Butrinti e Apolonia. Kështu që në zbatim të kësaj marrëveshjeje Bylisi do zërë vendin që i takon, duke shërbyer si pikë referimi për studime, kërkime dhe për promovimin e trashëgimisë sonë arkeologjike”, theksoi Gjinushi.

Gjinushi u shpreh më tej se pas realizmit të projektit për muzeun qendror të Bylisit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mirëpresë edhe bashkëpunime të tjera në të ardhmen, me perspektivën për t’i dhënë dimensionet e duhura edhe Muzeut Arkeologjik pranë Institutit Arkeologjik, pjesë e ASHSH-së, këtu në Tiranë.

Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së, Stefania Vizzaccaro, shprehu entuziazëm për memorandumin, të cilin e vlerësoi si një hap thelbësor për realizimin e projektit të ngritjes së Qendrës Multifunksionale në Parkun Arkeologjik të Bylisit. Ajo tha se projekti në thelb synon zhvillimin ekonomik vendor drejtuar nga turizmi, por që gjithmonë përqendrohet tek trashëgimia kulturore.

Drejtoresha e Zyrës Rajonale të AICS-së njoftoi të pranishmit se projekti do të realizohet me fondet e BE-së, të cilat arrijnë shifrën 6.15 milionë euro.

Ajo falënderoi kryesinë e Akademisë së Shkencave për bashkëpunimin dhe veçanërisht kryetarin e ASHSH-së  Skënder Gjinushi, zv.kryetarin Vasil Tole, si dhe Adem Bungurin e  Gëzim Hoxhën për punën e çmuar në bashkëpunimin për konsultimin e projekteve të konservimit dhe të hartimit të strategjive për Qendrën Multifunksionale të Bylisit.

Me këtë rast ajo vlerësoi kontributin për dekada me radhë të punës kërkimore të Institutit Arkeologjik që ka krijuar një trashëgimi të pasur njohurish e praktikash të suksesshme e ekspertizash shkencore, të cilat do të kontribuojnë në mënyrë ekskluzive në këtë projekt.

Pas nënshkrimit të memorandumit u zhvillua një vizitë në muzeun dhe fondin arkivor të Institutit Arkeologjik./atsh/KultPlus.com

‘Diç më thanë, mbrëmja dhe mali’

Jorge Luis Borges

Përktheu Edon Qesari

1.

Diç më thanë
mbrëmja dhe mali.
Por e kam humbur.

2.

Nata e pacak
tash s’është gjë tjetër
veç një amësim.

3.

Është apo s’është
ëndrra që harrova
para agimit?

4.

Të pazë telat.
Muzika e dinte
atë që ndiej.

5.

Sot s’po qesh
bajamishtja në kopsht.
Është kujtimi yt.

6.

Nëpër terr
libra, vula, çelësa
ndjekin fatin tim.

7.

Prej asaj dite
s’i kam prekur gurët
mbi fushë të shahut.

8.

Mbi shkretëtirë
po ndodh agu mëngjesit.
Dikush e di.

9.

Shpata bjerraditëse
ëndërron betejat e saj.
Tjetër është ëndrra ime.

10.

Njeriu ka vdekur.
Mjekra nuk di gjë.
Rriten thonjtë.

11.

Kjo është dora
që herë-herë prekte
flokët e tu./ KultPlus.com

Zonat arkeologjike “A” dhe “B” të Lezhës shpallen “Pasuri Kulturore të Paluajtshme”

Këshilli i Ministrave deklaroi “Pasuri Kulturore të Paluajtshme” zonat arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave gjeografike të përcaktuara.

Gjithashtu u miratua plani për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e këtyre zonave dhe u ngarkua Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”.

Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor u ngarkua të publikojë hartat e qendrës historike dhe zonës mbrojtëse në Gjeoportalin Kombëtar.

Me këtë vendim, shfuqizohet vendimi nr.728, datë 1.9.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonave arkeologjike “A” dhe “B” të qytetit të Lezhës, ndërkohë që për zbatimin e këtij vendimi u ngarkuan Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkia Lezhë./atsh/KultPlus.com

Unë pashë lulet e para

Poezi nga Ismail Kadare

Unë pashë lulet e para
që çelen kudo përmbi dhe
Pashë zogjtë e parë shtegtarë
q’u kthyen sërishmi tek ne.

Në brigje, në kopshte, në ara
gjithçka është e parë, gjithçka
Ndërmend dashuria e parë
ato kur i pashë më rà.

Do vyshken të gjitha të parat
dhe prap do kthehen ato
përveç dashurisë së parë
as vyshket, as kthehet ajo…/ KultPlus.com

Koncert i Ansamblit Popullor për përcjelljen e artit folklorik tek brezi i ri

Në kuadër të projektit “Edukim përmes Artit”, Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve ka përcjellë për muaj me radhë vlerat e kulturës dhe traditës shqiptare tek brezi i ri.

Në përmbyllje të këtij programi, artistët e Ansamblit Popullor, së bashku me brezat e rinj të talentuar, do të sjellin nesër (13 mars), në skenën e TKOBAP-së, një mbrëmje kushtuar pasurisë sonë folklorike.

Nga veriu në jug, tradita do të bashkojë në një skenë të vetme: Shkollën Kombëtare të Baletit, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, Shkollën “Qemal Stafa”, Shkollën “Ismail Qemali”, Shkollën “Gramoz Palushi”, International Dance Academy Albania, Virtuozët e vegjël, ALBA FOLK, Liceun Artistik “Jordan Misja”, trupën e valles dhe korin e Ansamblit Kombëtar.

Ansambli Popullor i Këngëve dhe Valleve premton një mbrëmje të veçantë, ku arti dhe tradita vijnë së bashku për të vijuar brez pas brezi./atsh/KultPlus.com

Tri dekada pas premierës, “Lamerica” nxit reflektimin mbi vitet `90 dhe ëndrrat e shqiptarëve

Mbrëmjen e djeshme në mjediset e organizatës “Tek bunkeri” u shfaq filmi “Lamerica” i regjisorit Gianni Amelio, një film që na rikthen në Shqipërinë e viteve ’90, kur shumë shqiptarë ëndërronin një jetë më të mirë matanë detit.

Pas filmit u zhvillua një bisedë me regjisorin Pirro Milkani, një nga figurat më të rëndësishme të kinemasë shqiptare, i cili ka sjellë disa prej filmave të suksesshëm të viteve ’70-’80, por gjithashtu ai është edhe një nga aktorët e filmit. Biseda hapi një reflektim mbi periudhën që filmi trajton dhe ndikimin e saj në shoqërinë shqiptare.

Ky projekt u financua nga Bashkimi Evropian, pjesë e programit të EU4Culture, zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit.

I vlerësuar me Golden Osella për Regjinë më të Mirë në Festivalin e Filmit në Venecia dhe zgjedhur si përfaqësuesi i Italisë për Çmimet Oscar, ky film përçon një histori të thellë mbi identitetin, zhgënjimin dhe shpresën.

Filmi vendos përballë pasqyrimit të një kohe kur mijëra shqiptarë kërkonin një të ardhme më të mirë, dhe në fund, mbetet një reflektim mbi fatin e përbashkët të njerëzve në kërkim të një vendi që shpesh ekziston vetëm në ëndrra./atsh/KultPlus.com

Mirash Ivanaj, reformatori i arsimit shqiptar

Më 12 mars të vitit 1891 lindi reformatori i arsimit shqiptar, Mirash Ivanaj (12 mars 1891 – 23 shtator 1953).

Ivanaj ishte një personalitet i shquar në kohët kur jetoi e punoi por jehona e veprimtarisë dhe e përpjekjeve të dalluara të tij, sidomos në fushën e Arsimit, do të ndihej më shumë në vitet që do të pasonin edhe pse i harruar dhe mbase për shumë shqiptarë i panjohur deri në ditët e sotme.

Mirash Ivanaj, lindur në Podgoricë, ridhte nga një familje patriotike prej viseve shqiptare të Malit të Zi. Studimet e larta i kreu me anën e një burse në Universitetin e Romës, ku fitoi dy diploma, për letërsi-filozofi dhe jurisprudencë duke përfunduar me rezultate të shkëlqyera pavarësisht jetesës së vështirë prej bursisti në shtet të huaj.

Në këtë kohë Ivanaj zotëronte afro dhjetë gjuhë të huaja. Në vitin 1923, u vendos në Shkodër ku themeloi, bashkë me të vëllain, Martinin, revistën “Republika” si një mjet për të shpalosur idetë e lirisë, demokracisë dhe të atdhedashurisë në realitetin e ndërlikuar shqiptar dhe për të ndriçuar me idetë republikane me të cilat ishte njohur e formuar në Itali, botën shqiptare në përgjithësi dhe politikën në veçanti.

Në vitin 1932, u bë pjesë e politikës dhe e jetës parlamentare. Projektligji i 11 prillit 1933 që u quajt “Reforma Ivanaj”, u sulmua jo vetëm në shtypin e kohës, por edhe në arenën ndërkombëtare, duke u bërë subjekt gjykimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, si rrjedhojë e kyçjes së shkollave fetare në vend.

Pushtimi italian do të sillte largimin e Ivanajt nga Shqipëria drejt Lindjes së Mesme. Në vitin 1945 do të rikthehej në tokën mëmë, pas garancisë së qeverisë së re për pushimin e procesit gjyqësor kundrejt tij. Emri i tij, si pjesë e listës së intelektualëve, do të përfshihej në listat e sigurimit të kohës. Si rezultat, “Profesori” do të arrestohej më 15 maj 1947.

U akuzua si mbështetës i regjimit të shkuar si edhe bashkëpunëtor i anglo-amerikanëve. U dënua me 7 vjet heqje lirie dhe në prag të përfundimit të dënimit, humbi jetën në burg./atsh/KultPlus.com

Tre vepra të reja i shtohen botimeve të Akademisë së Shkencave

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, përmes rrjeteve sociale promovoi disa prej botimeve të fundit të saj. Bëhet fjalë për tri vepra të reja: dy nga fusha e historisë së artit dhe një nga mjekësia, të cilat i shtohen kolanës së botimeve të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

“Veshjet tradicionale në artin pamor shqiptar” me autor piktorin e mirënjohur Abaz Hado, është botim i ASHSH, në vitin 2024.

Vepra, me 291 faqe, synon të pasurojë me informacionin e nevojshëm njohjen, ndikimin, bashkëpunimin dhe pasurimin e artit pamor me bukurinë, larminë dhe pasurinë e veshjes tradicionale. Ajo ka përmbledhur në mënyrë selektive veprat kryesore të artit shqiptar, prej mbi 150 vjetësh, por dhe më parë, ku qartësisht është i dukshëm ndikimi nga vlerat, fryma dhe larmia e artit popullor.

Sipas recensentes së këtij botimi, Afërdita Onuzi, ky studim afron analizën konkrete, duke sjellë konkluzione mbi atë produkt tashmë të krijuar, si formë origjinale e artit pamor, përmes së cilës ka shprehur një unitet etnik kombëtar.

Një tjetër botim interesant është “Piktura e kishave e shekujve V-XV në Shqipëri” me autore Dhorka Dhamon. Edhe ky është një botim i ASHSH, i vitit 2024.

Në një studim prej 295 faqesh, Dhamo sjell pikturën mesjetare shqiptare, në të cilin lexuesi do të informohet për monumentet kryesore të pikturës që mbushin muret e kishave e manastireve në periudhën e sipërpërmendur. Ky botim u vlen studiuesve, historianëve të artit, bizantinologëve anembanë botës, studentëve e promovuesve të turizmit kulturor në Shqipëri.

Dy recensentët e botimit, Aleksandër Meksi dhe Pirro Thomo, kanë vlerësuar veprën për trajtimin që i bën artit kishtar në të gjitha shfaqjet e tij gjinore e tipologjike, në mozaikë, miniatura, ikona etj. Sipas tyre, analizat për monumente të veçanta shoqërohen me një material të bollshëm ilustrues dhe nga një bibliografi e pasur, që i bën bindëse përfundimet e arritura. Informacioni i shumanshëm që përftohet, si dhe gjuha e kuptueshme e përdorur, bën që monografia të jetë e vlefshme jo vetëm për specialistët e fushës, por dhe për opinionin e gjerë shoqëror të interesuar për njohjen e pasurisë kulturore të vendit. Gjithashtu, ajo mund të shërbejë edhe për hartimin e teksteve mësimore për studentët e degëve përkatëse.

Një botim i këtij viti i Akademise së Shkencave është “Protokollet e trajtimit sistemik të kancerit” me autorë Bledi Kreka dhe Manika Kreka Face.

Libri prej 446 faqesh është konceptuar në kapituj lehtësisht të kuptueshëm për mjekët dhe stafet mjekësore, renditur sipas peshës specifike të çdo patologjie, trajton 17 neoplazitë më të shpeshta në adultët: kanceri i gjirit, i pulmonit, i traktit digjestiv, i gjakut, i aparatit urogjenital, të lëkurës.

Ky manual, sipas recensentes dr. Anila Kristo, është një instrument i mirë pune për onkologët mjekësorë dhe personelin infermieror në spitalin onkologjik, onkopediatri dhe në qendrat e trajtimit me kimioterapi në spitalet rajonale./atsh/KultPlus.com

“Marubi” me një seri ekspozitash përgjatë vitit 2025

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka publikuar programin vjetor të ekspozitave për vitin 2025, duke premtuar një sezon me aktivitete të shumta dhe të larmishme.

Ekspozita më e afërt në kalendar është “Venus” e cila nis në datën 20 mars dhe do të qëndrojë e hapur deri më 1 qershor 2025.

Kjo ekspozitë e kuruar nga Lek Gjeloshi, është rezultat i një kërkimi të gjatë në koleksionet e Dedë Jakovës, Gegë Marubit dhe Pjetër Rraboshtës. Repertorin e tyre fotografik, në një moment të caktuar, e përshkon prania e një skulpture: hyjnisë antike, Venusit, e cila kundron e palëvizshme disa ngjarje që, njëherë e njëkohë u zhvilluan në oborrin e një shtëpie të rëndësishme qytetëse, ku edhe u dokumentuan ngjarje të përveçme dhe ndryshimet e forta politike.

Projekti i ekspozitës mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.

Ndërkohë ekspozita që parashikohet të çelet në qershor për të qëndruar deri në shtator 2025, titullohet “Pazari i humbur i Shkodrës- Ringjallja e një kujtese”, me kuratore Kim Knoppers dhe që mbështetet nga MEKI, Muzeu Etnografik, Ambasada Holandeze, Ambasada e Hungarisë, Instituti i Antropologjisë dhe Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit.

Nga shtatori deri në nëntor, “Marubi” do t’i ofrojë publikut një tjetër ekspozitë, “Drejt shtëpisë”. Ekspozita vjen si prodhim i artistëve nga programi i rezidencës së Art House School, kuruar nga: Niovi Zarampouka-Chatzimanou, Luçjan Bedeni, Tea Paci, Zef Paci.

“Olbania” do të përmbyllë ekspozitat e këtij viti, madje do të jetë e pranishme edhe në 2026-ën. Ekspozita nga Alterazioni Video çelet në nëntor 2025 – shkurt 2026 dhe do të kurohet nga Sara Dolfi Agostini, në bashkëpunim me MEKI-n dhe Institutin Italian të Kulturës./atsh/KultPlus.com

Mahir Domi, dijetari dhe intelektuali shqiptar

Nga: Emil Lafe

Mahir Domi dijetar me mendje të kthjellët një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar.

Prof. Mahir Domi gjithnjë do të kujtohet si dijetar me horizont të gjerë e njeri me zemër të pastër, me mendje të kthjellët e pa paragjykime, me fjalë të ngrohtë dashamire dhe me kurajë intelektuale dhe me integritet moral. Ky dijetar është një nga shembujt tipikë të intelektualit shqiptar që, edhe kur arrin t’i përkasë krejt kombit, e mban qendrën shpirtërore të rëndesës te mjedisi shoqëror e njerëzor i vendlindjes. Mahir Domi mbeti gjithë jetën një bir i Elbasanit, ashtu si edhe një varg intelektualësh të tjerë të mirënjohur që i ka dhënë kombit shqiptar ky qytet i përmendur për dije, arsim e atdhesi – për ta thënë me një fjalë të A. Xhuvanit. Në shoqëri me bashkëvendësit e brezit të vet sikur tjetërsohej, bëhej gazmor e i qeshur, sikur nuk ishte më ai profesori serioz që kurdo e kudo do të bluante në mendje ndonjë problem shkencor që e mundonte.  M. Domi erdhi në jetë më 12 mars 1915, në prag të Ditës së Verës, si shtetas i shtetit të porsalindur shqiptar, por që nuk qe ngritur dot ende më këmbë. Në korrik të atij viti, po në Elbasan, do të vinte në jetë edhe Dhimitër Shuteriqi, shkrimtari dhe studiuesi i njohur i letërsisë, edhe ai anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Jeta e brezit të tyre është e ndërthurur me ëndrrat, me shpresat entuziaste e me zhgënjimet e hidhura, që ndërkëmbeheshin sipas rrethanave të brendshme e të jashtme. Por ai brez e shtrëngoi fort flamurin e idealeve të Rilindjes Kombëtare dhe Shqipërisë së mitur i dha mendjen e kthjellët dhe energjitë rinore për të përballuar furtunat e kohës. M. Domi mori një formim të shëndoshë në Liceun Kombëtar Francez të Korçës dhe gjatë studimeve të larta në Grënoblë të Francës (1937-1941) për filologji klasike dhe franceze u bë pjesëmarrës aktiv i rretheve të studentëve me ideale demokratike, që kundërshtuan pushtimin italian dhe morën pjesë në demonstrime e veprimtari antifashiste si në Francë, ashtu dhe në Shqipëri. Për këto Mahir Domi dhe një varg intelektualësh të tjerë, provuan dhe internimin në kampin e përqendrimit të Porto Romanos (pranë Durrësit).

Në vitet e para pas luftës (1945-1947) M. Domi ishte drejtor i Normales së mirënjohur në Elbasan.

Më pas kaloi në Ministrinë e Arsimit, në drejtorinë e teksteve e të programeve mësimore (1947-1950). Atje kreu një punë cilësore dhe themelvënëse së bashku edhe me shkrimtarin Sterjo Spasse. Të dy ishin të lidhur me një miqësi kolegjiale të çiltër, të qëndrueshme e prekëse. Brezi im, që u ul në bankat e shkollës së mesme më 1951, dhe të tjerët më pas vijimisht, deri nga fundi i viteve ’60, morën njohuri të gjera  për letërsinë europiane nga tekstet e përpiluara nga M. Domi e S. Spasse, duke nisur me letërsinë klasike greko-latine, e në vijim me Rilindjen, Klasicizmin, Iluminizmin, Romantizmin e Realizmin. Këto tekste të hartuara me qartësi e me metodikë të admirueshme jepnin një pamje mjaft të qartë të historisë së drejtimeve e rrymave letrare, të parimeve krijuese e të përfaqësuesve më të shquar të tyre. Ato kanë qenë njëkohësisht edhe antologji me pjesë të zgjedhura nga autorët përkatës. Nëpërmjet tyre disa breza nxënësish të shkollave tona të mesme në vitet ‘50-’60 dhe në Kosovë e Maqedoni në vitet ’70-’80, kur u ribotuan dhe u përdorën ato tekste atje, njohën dhe admiruan një letërsi të madhe, formuan kulturën e tyre të përgjithshme letrare. Për sa i takon letërsisë shqipe, mund të them se prof. M. Domi nuk kishte lënë autor pa lexuar dhe ishte në gjendje të gjykonte për karakteristikat kryesore të veprimtarisë letrare të tyre.Me këto cilësi ai u bë njëri ndër hartuesit dhe njëkohësisht redaktorët kryesorë të veprës “Historia e letërsisë shqipe” (vëll. I e II), që u botua nga Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i Universitetit të Tiranës në vitet 1959-1960, si përpjekje e parë për të hartuar një histori të letërsisë e të mendimit letrar shqiptar. Në këtë vepër M. Domi shkroi pjesën e letërsisë së vjetër shqipe dhe redaktoi pjesën më të madhe të letërsisë së Rilindjes Kombëtare, autorët e së cilës i njihte me hollësi. Letërsinë M. Domi e vështronte si element të rëndësishëm të historisë së mendimit e të kulturës së një populli dhe në këtë drejtim ai ishte gjurmues i zellshëm. E përmenda që në fillim këtë anë të veprimtarisë së prof. M. Domit në fushën e letërsisë shqipe dhe në hartimin e teksteve shkollore të letërsisë së huaj, sepse ai tani njihet kryesisht si gjuhëtar dhe vlerat e punës së tij në fushën e letërsisë në vitet ’50-’60 mbeten pak si në hije ndaj vlerave të veprimtarisë së gjerë në fushën e gjuhësisë.Duhet theksuar ndërkaq se prirja e tij ndaj letërsisë ka lidhje të ngushtë edhe me dy drejtime të veprimtarisë në gjuhësi: së pari, me çështjet e normës letrare (veçanërisht në fushën e drejtshkrimit) dhe, së dyti, me sintaksën: në të dyja këto drejtime studimesh ai u mbështet shumë si në letërsinë e mëparshme, ashtu edhe në letërsisë e re të pasluftës. Ai e shihte letërsinë si farkën e përpunimit e të kristalizimit të normës letrare në tërësinë e saj. Si një nga lexuesit më të zellshëm e më të vëmendshëm të letërsisë shqipe, ai ishte njëkohësisht një nga vrojtuesit e mprehtë të risive, po edhe të mangësive gjuhësore të saj. Kur kaloi nga Ministria e Arsimit në Institutin e Shkencave më 1950, M. Domi pati dy detyra kryesore, të lidhura njëra me tjetrën: fjalorin e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimin. Kur u nda nga jeta K. Cipoja (kryetar i komisionit hartues) në janar 1952, fjalori kishte përfunduar, por nuk kishte arritur njësinë dhe njëtrajtësinë e brendshme; veç kësaj ishte vërejtur se mungonin mjaft fjalë të nevojshme dhe, nga ana tjetër, ishin përfshirë jo pak fjalë, të cilat nga kuptimet e përhapja do t’i takonin një fjalori më të madh. M. Domit i ra barra kryesore për rishikimin dhe redaktimin tërësor të veprës.

  1. Domi ka pasur një rol qendror në përpunimin dhe stabilizimin e rregullave të drejtshkrimit.

Atij i detyrohet hopi cilësor nga drejtshkrimi i vitit 1951 te drejtshkrimi i botuar më 1956, por i përpunuar prej tij më 1953 e 1954 dhe i zbatuar te “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), i cili shërbeu edhe si fjalor drejtshkrimor deri në daljen e fjalorit të parë drejtshkrimor të mirëfilltë (1976). Me këtë rast le të përmendim se dallimet e drejtshkrimit të sotshëm (d.m.th. të vitit 1973) nga drejtshkrimi i vitit 1956 nuk janë të shumta. Prandaj nuk është as e saktë e as e drejtë të flitet për drejtshkrimin e botuar pas Kongresit si për diçka krejt të re. Lidhja e M. Domit me shkollën ka qenë e vijueshme, e pashkëputur. Ajo u bë edhe më e fortë me themelimin e Universitetit të Tiranës më 1957, kur ai u ngarkua si përgjegjësi i parë i katedrës së gjuhës shqipe (1957-1962) dhe mori përsipër lëndën e rëndësishme të sintaksës, për të cilën kishte botuar edhe tekstin e shkollave të mesme. Sintaksa u bë fusha kryesore e punës së tij për shqipen e sotme, ku ai solli ide e vështrime të reja dhe material të pasur, sidomos nga letërsia. M. Domi ndiqte me vëmendje trajtesat sintaksore të gjuhëve të ndryshme, sidomos të rusishtes, të frëngjishtes, të rumanishtes, po edhe të gjuhëve të tjera, duke u përpjekur të sillte në gjuhësinë tonë risitë e kësaj disipline e duke nxitur përpunimin e një mendimi të ri në gjuhësinë tonë. Ai shtroi si detyrë të dorës së parë përshkrimin sa më të plotë të strukturës dhe të semantikës sintaksore të shqipes, prandaj, edhe kur nisej për të hartuar një kapitull teksti, përfundonte gati në një studim monografik.Me gjithë vështrimet e ndryshme për një varg çështjesh të sintaksës, ai ishte bashkëpunues shembullor me kolegët e fushës, si S. Floqi, S. Prifti etj. Te zhvillimi i sintaksës M. Domi shihte një anë thelbësore të zhvillimit të gjuhës në tërësi dhe njëkohësisht një pasqyrim të zhvillimit intelektual dhe të integrimit të shprehjes sonë gjuhësore në sisteme më të gjera e më të përpunuara. Në fushën e gramatikës ai e orientoi punën drejt trajtesave monografike, mbi të cilat do të mbështetej vepra përgjithësuese normative “Gramatikë e gjuhës shqipe” e tipit teorik e përshkrues, që do të paraqiste kategoritë dhe strukturën gramatikore kryesisht të shqipes së sotme letrare. Si kryeredaktor i kësaj vepre komplekse M. Domi diti të organizojë grupin hartues dhe të drejtojë diskutimin paraprak të një vargu çështjesh problemore. Kësaj vepre i priu ngritja e Kartotekës së gramatikës me disa qindra mijëra skeda, që dolën nga vjelja sistematike e qindra veprave letrare e të gjinive të tjera, përsëri nën drejtimin dhe me pjesëmarrjen e tij. M. Domi ka qenë i bindur për rëndësinë e shumanshme të njohjes së plotë e sa më të hollësishme të ligjërimeve dialektore të shqipes, qoftë për studimet diakronike, qoftë për studimet në fushën e gjuhës së sotme.Ai luftoi me këmbëngulje për të zgjeruar sektorin (asnjëherë kjo nuk ka qenë punë e lehtë) dhe ndërtoi një program shumëvjeçar për të mbuluar gjithë territorin e vendit me skica e monografi dialektore. Diskutimet e punimeve dialektologjike nën drejtimin e tij dhe përfundimet e relacionet vjetore që nxirrte ai, kanë qenë një shkollë kualifikimi jo vetëm për ne të brendshmit, por edhe për një varg bashkëpunëtorësh të jashtëm. Ai ideoi edhe serinë “Dialektologjia shqiptare”, që u botua në vitet 1971-2005 (7 vëllime me rreth 3300 faqe gjithsej) krahas dhjetëra punimeve dialektologjike të botuara në revistën shkencore të Institutit. Kjo veprimtari e ndikoi për zhvillimin e hulumtimeve dialektologjike edhe në Kosovë e në Maqedoni. Kështu, me kujdesin dhe nën drejtimin e tij, dialektologjia shqiptare pati një rritje jo vetëm sasiore (numri i punimeve dhe numri i hulumtuesve), por edhe cilësore, duke kaluar nga monografitë përshkruese në punime përgjithësuese ose për çështje problemore. Të gjitha këto hapën rrugën për të ndërmarrë një vepër përgjithësuese e cilësore si “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe” në dy vëllime e me mbi 1000 faqe. Vepra u hartua në vitet ’80, por u botua më 2007-2008. M. Domi ka shkruar parathënien paraqitëse e arsyetuese; gjejmë këtu një dëshmi tjetër për lidhjen e tij të ngushtë me letërsinë, kur citon shkrimtarin e shek. XIX Charles Nodier, akademik i Francës, që ka shkruar: “Kushdo që nuk ka hulumtuar me kujdes të folmet e gjuhës së vet, nuk e di këtë veçse përgjysmë.” Me këtë bindje për vlerën e madhe të fjalës së popullit, ai bashkë me mikun e tij të rinisë e të zemrës, të paharruarin Qemal Haxhihasani, redaktuan me kujdes fjalorin e fjalëve e të shprehjeve popullore që kishte lënë Aleksandër Xhuvani në copa skedash dhe e botuan pjesë-pjesë në “Studime filologjike”, gjithsej rreth 600 faqe. M. Domi ka ndihmesa të rëndësishme edhe në fushën e historisë së gjuhës shqipe. Ai dha lëndën e morfologjisë historike në Universitet dhe hartoi tekstin e saj, shkroi artikuj kumtesa e referate për çështje të marrëdhënieve të shqipes me ilirishten, për formimin e gjuhës shqipe dhe prejardhjen e saj, për marrëdhëniet dhe ngjashmëritë e shqipes me rumanishten, për evolucionin historik të strukturës gramatikore, për çështje të toponimisë së lashtë etj

  1. Domi ka qenë i mirëpritur në Prishtinë e në Shkup.

Vizitat dhe ligjëratat e tij atje përbënin ngjarje. Kolegët dhe studentët e rrethonin me një dashuri prekëse dhe përpiqeshin të përfitonin sa më shumë. Gjithmonë tregonte shumë dashamirësi ndaj tyre dhe kthehej përherë i ngazëllyer. M. Domi është edhe një nga gjuhëtarët shqiptarë më të njohur në botën e jashtme. Kishte marrëdhënie të drejtpërdrejta me mjaft kolegë në lindje e në perëndim dhe në botën arbëreshe. Ka botuar një varg artikujsh në revista e përmbledhje studimesh me njohje ndërkombëtare dhe ka përfaqësuar e nderuar albanologjinë tonë në disa kongrese e veprimtari shkencore ballkanike e europiane. Në çdo rast përpiqej të sillte sa më shumë informacion të dobishëm nga veprimtaritë ku merrte pjesë dhe diskutonte se çfarë mund të bënim edhe sipas përvojave që kishte njohur. Ndiqte me rregull të rejat në ballkanistikë e në gjuhësi përgjithësisht dhe mbante herë pas here informacione në institut, të cilat i botonte në shtypin shkencor. Njeri sistematik e i rregullt mbante gjithnjë një ditar pune, ku shënonte me shpjegime të shkurtra punët e tij të ditës. Ditarët e tij me të dhënat e pasura e të përpikta janë një kronikë e vyer për historinë e shkencave filologjike në Shqipëri.

  1. Domi kishte një varg cilësish të admirueshme në personalitetin e në karakterin e tij.

Ishte kurdoherë i pakursyer për të dhënë ndihmesën e tij në punë nga më të ndryshmet. Ngarkohej me detyra në lloj-lloj komisionesh e forumesh dhe i kryente me përpikëri. Nuk dinte të thoshte jo, dhe kjo mirësi ndaj të tjerëve e shmangte nga punët që kishte në duar. Më 1965 në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një konferencë për të shënuar 50-vjetorin e tij. Mbaj mend se auditori i madh në katin e tretë të Fakultetit qe mbushur plot edhe me pedagogë e studentë.Fjalën e rastit e mbajti Eqrem Çabej. Duke folur për kolegun dhe mikun, të cilit i detyrohej shumë, ai vërejti (edhe me njëfarë qortimi për ta vënë pak në sedër) se “profesor Domit i mungon edhe doza më e vogël e egoizmit, ose e egotizmit, për ta thënë me një fjalë të Stendhalit.” Ndërkaq duhet njohur se autoriteti i tij i padiskutueshëm si përgjegjës i Sektorit të gramatikës e të dialektologjisë (që ishte atëherë sa gjithë Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë sot), por edhe në Institut, në Fakultet, në Universitet e në rrethe të tjera shoqërore e zyrtare, buron edhe nga ky tipar i karakterit të tij. M. Domi ka ditur të ruante, edhe në rrethana të vështira, frymën e kolegjialitetit e të bashkëpunimit dhe atmosferën pozitive të punës në sektorin që drejtonte.


Vepra shkencore e Mahir Domit është pasuri kombëtare. Ashtu si edhe vepra e themeluesve të tjerë të kësaj Akademie, ajo ka zbritur në fondin e artë të thesarit të shkencës e të kulturës sonë dhe shërben si një garanci për qëndrueshmërinë e vlerave shkencore të sotme. Por ndryshe nga ari i thesarit të shtetit që vetëm duhet të ruhet me kujdes, fondi i artë i shkencës duhet të bëhet sa më i njohur, në radhë të parë nëpërmjet botimeve të denja me kritere dhe me cilësi akademike. Lumturisht, në rastin e veprës shkencore të Mahir Domit  këtë detyrë e ka marrë përsipër akademia e Shkencave dhe po e kryen me sukses një redaksi e përbërë nga nxënësit dhe kolegët e tij,  prof. Enver Hysa, prof. Seit Mansaku e prof. Remzi Përnaska.  Vëllimet I (2013) e II (2016) të “Veprës” përmbajnë studimet sintaksore të M. Domit, vëllimi III (2018) përmban tekstin e sintaksës për shkollat e mesme (sipas botimit të vitit 1957). Teksti është një shembull i përkryer për parashtrimin  e qartë e metodik  të strukturës sintaksore të gjuhës shqipe, me ilustrime nga pjesët më të bukura e më edukative të shkrimtarëve shqiptarë. Breza të tërë nxënësish kanë fituar njohuri të plota e të sakta për ndërtimin e fjalisë e të periudhës, për të parashtruar qartë, rrjedhshëm e bukur mendimet, çka është edhe detyra kryesore praktike e mësimit të sintaksës në shkollë. Ndërkaq redaksia e lartpërmendur vijon punën për vëllimet e tjera të trashëgimisë shkencore të prof. Mahir Domit. /KultPlus.com