Filmi “Era” mbështetur nga Qendra Kinematografike do ta ketë premierën në Brooklyn Film Festival, Nju Jork, përcjell KultPlus.
Filmi “Era” është film i metrazhit të gjatë me regji dhe skenar nga Parta Kelmendi.
Ngjarja e filmit përcjell dramën e viteve të 90-ta në Kosovë, kur populli i Kosovës ballafaqohej me ndjekjet dhe nxjerrje nga puna në mënyrë masive.
Përmes personazhit kryesor Era, trajtohet jo vetëm ngjarja, por edhe psikologjia dhe ndikimi i tjetërsimit të vlerave kulturore dhe njerëzore të asaj kohe.
Filmi u xhirua me mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe të Qendrës Kinematografike të Maqedonisë së Veriut.
Producente e filmit është Afërdita Saraçini Kelmendi./ KultPlus.com
15 maji shënon përvjetorin e themelimit të njërit prej institucioneve kryesore në sportin e Kosovës – Departamenti i Sportit në Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport.
I themeluar më 15 maj të vitit 2000, për një çerek shekulli, ky Departament ka qenë shtyllë e rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e sportit në Kosovë.
Gjatë këtyre 25 viteve, Departamenti ka udhëhequr procese të rëndësishme për ndërtimin e sistemit sportiv në vend, përfshirë organizimin e strukturave sportive në nivel lokal dhe qendror, përgatitjen e bazës ligjore për sportin dhe nxitjen e pjesëmarrjes masive në aktivitete sportive.
“Falënderojmë gjithë udhëheqësit dhe punonjësit e këtij Departamenti për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe përkrahjen ndaj KOK-ut dhe lëvizjes olimpike, duke besuar se përkushtimi i përbashkët do të vazhdojë të sjellë suksese të reja për Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Urime dhe suksese në rugëtimin e mëtejshëm!”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Në një hapësirë që nuk është as shtëpi, as galeri, por një terren neutral ku gjithçka shpërfaqet, tre miq përballen me vetveten dhe njëri-tjetrin. Shfaqja “Art”, vepra e famshme e autores franceze Yasmina Reza, vjen në skenë me një regji nga Bashkim Ramadani që nuk nguron të gërmojë thellë nën sipërfaqen e një konflikti të vogël – një pikturë e bardhë që bëhet katalizator për shpërbërjen e një miqësie. Shfaqja “Art” është një komedi tragjike – ose një dramë e mbështjellë me humor të zi. Situatat janë absurde, por ndjenjat që i nxisin ato janë të vërteta dhe të thella.
Në qendër të shfaqjes është një “art i bardhë”, një tablo e diskutueshme, që për të tre protagonistët (Ard Islami, Ylber Bardhi, Butrint Lumi) shndërrohet në pretekst për të rihapur plagët e vjetra të një miqësie. Regjisori Ramadani e zgjedh këtë tekst pikërisht për mënyrën se si ai zbërthen tensionet e pathëna mes njerëzve: “Nuk është debati për pikturën që më intereson, por gjithçka që ajo shpërfaq teksa hesht.”
Autoria franceze Yasmina Reza njihet për stilin e saj minimalist e të drejtpërdrejtë. Regjisori Ramadani nuk e trajton “Art”-in si një komedi klasike apo dramë të rëndë, por si një zonë gri ku humori i zi, ironia dhe zhgënjimi bashkëjetojnë në një ekuilibër të brishtë. “Kjo është një komedi tragjike,” – shprehet ai – “ku qeshja nuk është zbavitje, por një reagim ndaj ndjenjave që nuk guxojmë t’i themi me zë.”
Skenografia nga Burim Arifi është e menduar për të reflektuar boshllëkun që rritet mes personazheve, ndërsa ndriçimi dhe tingujt nga kompozitori Tomor Kuçi vijnë kujdesshëm dhe pasqyrojnë trazimin e brendshëm. Vetë piktura, si objekt i debatit, trajtohet si një figurë e katërt – një prani e heshtur që ndikon në gjithçka pa thënë asgjë.
“Kam dashur ta ruaj thjeshtësinë e hapësirës, por në mënyrë që të krijojë thellësi, jo sterilitet. Skenografia është menduar si një fushë neutrale – jo banesë, e as galeri – por një vend kalimi, ku personazhet përballen me veten dhe njëri-tjetrin.”
Gjithçka ka nisur me analizë të thellë të tekstit – duke ndërtuar historitë e përbashkëta të personazheve, çka i ka lidhur dhe çka i ka larguar me kalimin e kohës.
Regjisori Ramadani punon ngushtë me aktorët për të zhvilluar dinamika të ndërlikuara – aty ku fjala s’është e mjaftueshme dhe ku shikimi, pauza, gjesti bëhen më elokuentë se çdo debat filozofik. Ai shton: “Miqësitë këtu nuk thyhen nga grindja, por nga pamundësia për të parë tjetrin me sytë e duhur.”
Në thelb, “Art” nuk merret me definimin e artit, por me nevojën për pranim dhe miratim. Pyetja nuk është nëse tabloja është “e mirë” apo jo, por pse kaq shumë na dhemb kur dikush nuk ndan shijen tonë.
“Art” është reflektim i ndjeshëm mbi identitetin, vetminë dhe iluzionin e intimitetit. Një shfaqje që nuk kërkon të bindë, por të trazojë. “Art” nuk është vetëm një shfaqje për një pikturë të bardhë. Është një përballje me veten, një pasqyrë e marrëdhënieve tona, dhe një reflektim i heshtur mbi atë që kemi humbur në emër të “civilizimit” shoqëror.
Në fund, publiku ndoshta nuk do të largohet me një përgjigje, por me një ndjesi: se diçka brenda tyre është lëkundur.
“Shpresoj të largohen duke menduar për miqësitë e tyre – sa janë të vërteta, sa janë kompromise? A kemi guximin të jemi të sinqertë me ata që i duam, apo jemi bërë të kujdesshëm deri në pikën që fshehim veten? Po ashtu, dua që të largohen me ndjesinë se arti nuk është një luks, por një mënyrë për të zbuluar vetveten dhe tjetrin. Shpresoj të dalin me ndjenjën që diçka u lëvizi brenda, por pa mundur ta emërtojnë menjëherë. Të mendojnë për marrëdhëniet e tyre, për kompromiset, për të vërtetat që i kanë lënë pa u thënë. Dhe të pyesin veten: a e duam shokun për atë që është, apo për atë që duam të jetë?”, thotë Ramadani.
Në këtë intervistë për KultPlus, regjisori Ramadani ka thënë se shfaqja “Art” është një ftesë për të parë më thellë.
“Më tërhoqi mënyra se si një tekst që në pamje të parë duket i thjeshtë – një debat mbi një pikturë të bardhë – zbërthen me delikatesë mekanizmat e brendshëm të miqësisë. Shfaqja “Art” nuk flet vetëm për artin, por për ndjeshmërinë, krenarinë, heshtjet dhe tensionet që rrinë nën sipërfaqe mes njerëzve që pretendojnë se e njohin njëri-tjetrin. Shumë mirë që tani vendoset në skenë sepse jetojmë në një kohë kur marrëdhëniet shpesh janë sipërfaqësore, të fragmentuara, dhe të kushtëzuara nga pritshmëritë. Kjo shfaqje është një ftesë për të parë më thellë – jo vetëm te ajo çka quajmë “art”, por edhe te ajo çka quajmë “miqësi””, thotë ai.
Sipas tij, autorja e shfaqjes, Reza, shkruan me një intensitet të heshtur. Dialogët e saj janë të mprehtë e të drejtpërdrejtë, por nën sipërfaqe fshehin shtresa të thella emocionale. Ajo kap tensionet e vogla që gërryejnë marrëdhëniet – jo shpërthimet e mëdha, por çarjet e heshtura që i ndiejnë të gjithë. Ajo e ka sfiduar Ramadanin si regjisor dhe aktor sepse e ka detyruar të mos mbështetet te fjalët/teksti, por te çka është mes tyre – nënteksti.
“Për një audiencë moderne, mësuar me zhurmë dhe fjalë të tepërta, kjo mënyrë e të shkruarit është një pasqyrë ironike dhe e dhimbshme mbi egoizmin, krenarinë dhe frikën nga vetmia.”
Shfaqja ka zgjedhje të veçanta stilistike – ndriçimi, tingulli, lëvizja – që ndihmojnë në nxjerrjen në pah të ndryshimeve emocionale midis personazheve.
“Çdo element stilistik është përdorur me kujdes për të pasqyruar klimën emocionale. Ndriçimi ndryshon gradualisht – sa më shumë tension, aq më të thella bëhen hijet. Tingulli është minimalist, më shumë zhvendosje zhurmash sesa muzikë, për të rritur ndjesinë e vetmisë. Lëvizjet e aktorëve janë të kontrolluara dhe të përmbajtura, që përplasjet emocionale të ndihen më fort – jo përmes zhurmës, por përmes heshtjes dhe përmbajtjes”, thotë Ramadani.
“Art” prek me delikatesë dhe tallet me temën e snobizmit dhe mënyrën se si njerëzit përdorin shijet për të ndërtuar identitetin. Shfaqja sfidon me pyetjet: a e vlerësojmë një vepër sepse na flet realisht, apo sepse shoqëria thotë që duhet? Dhe kur dikush nuk pajtohet me ne – a e dëgjojmë, apo e përjashtojmë?
“Nuk është kritikë e drejtpërdrejtë, por një ftesë për reflektim mbi nevojën njerëzore për me u ndjerë i kuptuar, përmes artit apo miqësisë.”
Po ashtu, konsiderohet se shfaqja ka shumë momente të forta, që vijnë njëra pas tjetrës dhe e mbajnë publikun të angazhuar gjatë gjithë kohës. “Art” nuk mbështetet te një moment i vetëm, por ndërton tensionin në mënyrë të qëndrueshme. Çdo skenë sjell diçka të re – një thyerje, një përballje, një ndjesi që nxit reflektim. Janë situata që flasin qartë, pa u mbështetur te dramatizimi i tepërt, por me një intensitet që rritet gradualisht.
Premiera e shfaqjes epet me 16 maj (e premte), në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke filluar nga ora 20:00./ KultPlus.com
Bëhet e ditur se politikani shqiptar, Gino Mulliqi është zgjedhur nga anëtarët e këshillit për të shërbyer si zëvendëskryetar komune në qytetin e Wyliet në Texas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.
Mulliqi, falënderoi kolegët e tij për besimin dhe mundësinë e dhënë për ta marrë përsipër rolin e nënkryetarit të komunës e cila ka rreth 60 mijë banorë.
“Gjithashtu dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për ish-nënkryetarin e komunës, Tem Jeff Forrester, për shërbimin e tij dhe udhëheqjen e qëndrueshme. Jeff ka dhënë një shembull të fortë dhe jam mirënjohës për themelet që ka hedhur”, shkroi Mulliqi.
Ai është shprehur se është privilegj që t’i shërbejë komunitetit të qytetit të Wylie, teksa shtoi se është i përkushtuar që detyrën ta kryej me integritet, transparencë dhe bashkëpunim./Albinfo.ch/ KultPlus.com
Me rastin e botimit në anglisht të “Kosovës I, II, III” të Jusuf Buxhovit nga botuesi “Jalifat Publishing” – Houston.
Nga Ramadan Musliu
Botimi i çdo libri në një gjuhë të madhe të shkencës, çfarë është sot anglishtja, paraqet një ngjarje kulturore. Botimi i Librit të Jusuf Buxhovit, “Kosova I,II,III” nga Shtëpia botuese “Jalifat Publishing”, (Houston, 2013), e tejkalon edhe këtë definim, ngase nuk është përkthim e botim i një libri të rëndomtë, por afirmim i një historie të panjohur të Kosovës dhe popullit të saj.
Libri i studiuesit Buxhovi doli në shqip në fillim të vitit 2012 dhe deri në përkthimin dhe botimin anglisht pati një receptivitetit nga nivele të ndryshme të publikut me një histori shumë komplekse dhe shumë paradoksale. Reagimi i parë ndaj botimit erdhi nga Akademia dhe Shkencave dhe e Arteve të Serbisë, si mohuesit e pare i një pune kolasale të autorit.
Reagimet pasuese janë të qarqeve të brendshme: institucioneve shkencore të Kosovës, të segmenteve të caktuara qeveritare, të qerthujve (pseudo)kulturorë të diasporës, disa medieve shqipe në Kosovë, segmenteve të caktuara joformale të kishës katolike e deri te Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës.
Ndërkaq “Kosova” në tri vëllime e Buxhovit, përkundër kësaj fushate të orkestruar përjeton një seri ribotimesh si asnjë libër më parë, duke u bërë një bestseler i veçantë.
Reagimi negativ i qarqeve të përmendura nxjerr në shesh një gjë: përceptimi i ri i problemeve të këtij botimi rrezikon dijen zyrtare, veçmas atë kahe që e ka burimin në mendimin albanologjik që është imponuar nga studimet sllave.
Që të gjitha këto reagime e kanë një gjë të përbashkët: janë protestë kundër një libri pa e lexuar fare atë.
Debati dhe kritika principiele mungoi, mungoi nga shkaku se libri u mor si një subverzion ndaj një mendësie të klishetizuar të shkencës historiografike ruso-serbe, që ishte instaluar në shkencat albanologjike brenda dhe jashtë.
Dardanët në lashtësi
Vëllimi i parë i kësaj vepre kapitale historiografike “Kosova – Dardania in Ancient and Medieval Times” ka për objekt trajtimi dy periudhat historike, Antikën dhe Mesjetën
Kur është fjala për kufinin inicial kronologjik duhet kujtuar faktin se Jusuf Buxhovi është ndër historianët e parë tanë që mëton, madje me shumë sukses, të bëjë një lëvizje të kufijve kronologjikë të shfaqjes së vazhdimësisë shqiptaro-arbëror-ilir, duke e inkuadruar idenë e përkatësisë pellazge të shqiptarëve aktual, që dalin se janë një rudiment i drejtpërdrejtë, së paku gjuhësor, i popullatës pellazge.
Motivin inicial për ta përqafuar këtë tezë autori e gjen në studimet e Johan Georg von Han-it, dhe librit të tij “Albanesische Studien” (1854) dhe të përqafuar nga rilindasit tanë të shquar Sami Frashëri, Vaso Pasha, Dhimitër Kamarda, etj. që vijojnë me Gjeçovin e në kohët e vona më Spiro Kondën, Robert D’Angelin, Dhimitër Pilikën, Giuzepe Catapano-n, Petro Zhejin, Metju Arefin e pasues të tjerë.
Buxhovi me një sistem të fuqishëm argumentacioni vë në pah kontinuitetin pellazgo – iliro- arbëror-shqiptar, duke vënë në qarkullim tezën për grupimet e fiseve pellazge si ilirët, maqedonet, epirotët, dardanët, dako-mizët, thrakët, të gjitha këto në Ilirik, e që kanë lidhje të drejtpërdrejta me grupimet pellazge të Anatolisë, si hetitët, huritët, fenikasit, lidiasit, nga të cilët dalin tyrenët, frigjiasit, që janë pjesë e brigëve të Ilirikut dhe këmbimet e vazhdueshme kulturore mes veti.
Për ta konkretizuar pohimin mbi kontinuitetin pellazgo-ilir-shqip, shpesh të kontestuar, sidomos në planin gjuhësor, Buxhovi përdor katër nivele argumentimi: historik, arkeologjik, gjuhësor dhe mitologjik.
a) Argumenti historik
Kur është fjala te argumenti historik Buxhovi gjurmon dëshmitë e dijetareve antikë, veçmas të dhënat e Herodotit, Tukididit, por edhe te pjesa “letrare” që ofrojnë veprat e Homerit dhe Hesiodit, por edhe të atyre latinë. Duke u mbështetur në këto dëshmi pohon kohën e ekspansionit pellazg si vala e pare ariane nga thellësia e Azisë dhe si valë e pare invazive që daton nga mileniumi i gjashte.
Në këtë gjurmim të origjinës dhe madhështisë pellazge autori ndalet të modelimi civilizues, duke identifikuar strukturat e kulturës materiale dhe shpirtërore, po edhe shtetërore, madje edhe monarkike, që shtriheshin nëpër gjithë Gadishullin Ilirik. Po këtu autori e demaskon falsifikatin e madh shkencor të identitetit helen të trashëgimisë shtetërore, po edhe kulturore, gjuhësore dhe shpirtërore të pellazgëve.
b) Argumenti mitologjik
Në procesin e objektivizmit të tezave mbi origjinalitetin e kulturës pellazge dhe filiacionit iliro – dardan J, Buxhovi shfrytëzon edhe empirine mitologjike, e cila paraqet segment tejët të rëndësishëm të trashëgimisë shpirtërore pellazge, duke nxjerrë në shesh mitet mbi lindjen e popujve themeltarë, çfarë është ai mbi të bijtë e Polilemat dhe Gallatës : Ilirit, Galit dhe Keltit. Ndërkaq Ilirit, gjithnjë sipas Strabonit, i lindën fëmijët Enkeleu. Autarieu, Dardani, Medi, Taulanti dhe Perebi, nersa nga vajzat : Partha. Daortha dhe Dasara. Po kaq me rëndësi është përmendja edhe e pasardhësit e Autarieut : Panoni dhe Pajoni dhe nipat e tij, të bijtë e Pajonit, Skordisku dhe Tribali. Normalisht se vëmendje më të madhe do t’i kushtohet Dardanit, pararadhësit hyjnor, emrin e të cilit e bart fisi i tij, themeluesi i Trojës dhe dinastisë që do ta pushtojë Europën me ‘lozën’ e tyre sunduese.
c) Argumenti arkeologjik
Krahas dëshmive shpirtërore e kulturore, çfarë ishin mitet, religjioni, doket e zakonet, autori teorinë e vet mbi lidhjet pellazgo-iliro-dardane i mbështet edhe në argumentimin arkeologjik, duke identifikuar deri edhe ndërtimet e njohura ciklopike, (mbetjet të të cilave i kemi deri në kohën tone edhe në Kosovë), që në Troja (identifikimi i Trojës nga Shlimani), Kretë , Mikenë, së pari si vendbanime e pastaj edhe si mbetje të formave të tjera, Të kujtojmë vetëm të ashtuquajturën “kulturën e Vinçës” dhe arsenalin e tërë të figurave zoomorfe dhe antropomorfe si dhe pllakave ku dëshmohet alfabeti i lashtë pellazg ende i padeshifruar që daton nga periudha e neolitit dhe që thyen mitin mbi huazimin e alfabetit fenikas nga Kadmi. Këto gjetje, bashkë me të tjerat të periudhës së broncit, dëshmojnë procesin e formimit të identiteteve parahistorike e që, siç thotë autori, do t’u prijnë atyre historike. Në këtë plan edhe gjetjet në Kosovë nuk janë të parëndësishme, veçmas figurinat zoomorfe që verifikojnë tezën mbi vjetërsinë e padiskutueshme të pranisë pellazge më të gjitha derivatet në këto troje.
Ç) Argumenti gjuhësor
Pa dyshim se argument më i fuqishëm për lidhjet e drejtpërdrejta pellazge -ilire dhe pellazge-dardane është ai gjuhësor. Këto lidhje, po qe se duam t’i kthehemi historisë së problemit, duhet marrë parasysh pohimin e këtyre lidhjeve që i gjen Jo han Gorga vona Han-i mes gjuhës shqipe dhe mbetjeve të gjuhës pellazge, e cila nuk është asgjë tjetër, pos gjuha e vjetër e quajtur gabimisht “greqishtja” e vjetër. Po edhe enigma e dëshmive gjuhësore të Linearit A dhe të Linearit B që shpie nga shqipja si i vetmi çelës për zbërthimin e kësaj enigme.
Po kaq vëmendje autori i ka kushtuar edhe zgjidhjes së problemit të dallimit mes ilirishtes dhe shqipes, ku para i takonte grupit centruam të gjuhëve, kurse shqipja atij sitëm, me ç ‘rast thërret në ndihme filologun e njohur serb me reputacion evropian, Milna Budizmi, i cili kishte dhënë kahe këtij problemi, duke identifikuar te shqipja ekzistencën e tre rrathëve të guturaleve të shqipes, me të cilën bëhet pajtimi dhe ruhet kontinuiteti pellazgo-iliro – dardano – shqip.
Shteti dardan dhe roli i tij në perandorinë romake
Një pjesë të konsiderueshme të vëllimit të parë të historisë së Kosovës i kushtohet identitetit dardan dhe dallimit të specifikave që e veçojnë nga degëzimet e tjera pellazge, ilirët, epirotët dhe maqedonët, por gjithnjë me një përpjekje për t’i gjetur edhe përkimet, qofshin ato të karakterit etnik apo edhe gjuhësor.
Mirëpo Dardanët në antikitet dëshmohen si një popull i organizuar që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit. Kur flitet për organizimin shtetëror, politik dhe ekonomiko – shoqëror gjithnjë duhet nisur nga dëshmia homerike, ku kemi të dhëna mbi formën monarkike të organizimit shtetnor dhe bartjen e këtij modeli nëpër vendet nga shtegtuan dardanët. Po edhe në shekujt pasues Dardanët, gjykuar sipas të dhënave të tërthorta, qoftë kur flitet për historinë e popujve të tjerë dhe fërkimet e tyre me fqinjët, kryesisht me maqedonët (sipas Justinit, Epitoma Historiarum Philippicum Pompei Trogi, Libri I VIII.6), por edhe nga burime të tjera, në radhë të parë romake (Straboni, Ptolemeu) ata kanë paraqitur shtetin rival me maqedonët apo me romakëve, më vonë.
Mbase në këtë moment duhet kërkuar arsyen në lidhjet e hershme dardano romake, që nga Eneu, traditë nderimi (M.Budimir) që është kultivuar edhe nga Cezari, Oktavian Augusti, Klaudi dhe shumë të tjerë. Këto lidhje të hershme janë arsye pse Dardanët integrohen brenda kësaj perandorisë dhe në një periudhë prej disa shekujve, që nga Diokleciani, Konstandini Madh e deri te Justiniani që njihen si restuarues të Perandorisë Romake. Pikërisht ata shekujt e errët, të cilët historianët i gjejnë në kontinuitetin ilir përgjithësisht duhet gjetur në integrimin e ilirëve në strukturat e larta të Perandorisë Romake sa ajo shpesh cilësohej edhe si Perandori Iliro-Romake. Brenda shekujve të përmendur pikërisht Dardanët janë ata që i japin kahe zhvillimit dhe ruajtjes së konceptit të perandorisë botërore.
Dardanët në Mesjetë
Periudha e Mesjetës trajtohet nga Buxhovi nën një optikë tjetër ngase kjo është periudhë kur në skenën botërore për herë të dytë Iliriku bëhet qëndër e zhvillimeve botërore. Nuk është e rastit pse në këtë periudhë ndodhin ngjarjet kyçe për civilizimin botëror: shndërrimi i “Bizantit ilir” (term i Milan Budimirit, me gjase i huazuar nga Maltën ( L. Malten, Archiv f. Religionsëissensch. 29, 57 i St. Casson, Macedonia, Thrace and Illyria 325,-), i cili zbardh lidhjet e lashta Dardano – Romake. Kësaj ngjarje të madhe i kanë paraprirë edhe Edikti I Milanos, (313), ku feja e krishterë bëhet një ndër besimet e barabarta në perandori, sikundër edhe organizmi i Koncilit të Nikesë, viti 325), me të cilat perandoria jo vetëm se fiton themelet e forta në Ilirik, por edhe rimodifikon modelin civilizues që ka zanafillën në atë pellazgjik.
Vulë gjithë këtij procesi të ridefinimit të trashëgimisë pellazge është periudha e Bizantit, kur drejtohet nga perandori më i madh, pothuajse në gjithë historinë romako-bizantine, Jusitiniani nga Taurisiumi iliro-dardan. Derisa Diokleciani arrin që të ndryshojë politikat e qeverisjes, duke sjellë në krye një formë të administrimit nga aristokracia ushtarake, ku mekanizmat e tjerë qeverisëse si senati, etj margjinalizohet, kurse Konstantini i Madh bën ridefinimin e perandorisë në planin shpirtëror dhe administrativ, Justiniani është ai që do t’i japë formë perandorisë në planin legjislativ, sepse është koha kur ai tubon dhe kryeson punët rreth përpunimit dhe risistemimit të ligjeve të vjetra, por edhe të krijimit të një legjislacioni bazik të shtetit të rigjeneruar.
Duhet kujtuar kësaj radhe kodet e njohura si “Corpus iuris civilis”, që sot njihen si “E drejta romake”.
Kontributi pamohueshëm i Justinianit është i madh edhe në përpjekjen e forcimin e perandorisë në planin shpirtëror. Pos ndryshimeve që ka bërë në doktrinën teologjike, ai ndërtoi një kompleks të tërë kishtar nëpër Dardani, madje duke e transferuar edhe qendrën episkopale nga Ohri në Justiniana Prima, për t’i dhënë hov rimëkëmbjes shpirtërore të Dardanëve. Pikërisht ky kompleks kishtar i shpërndarë nëpër qytetet dhe vendbanimet e Dardanisë do të jetë ai që do të përvetësohet në shekujt e mëvonshëm nga historiografia spekulative sërbo-ruse dhe sot paraqet krimin më të madh që po vazhdon në Kosovë më përvetësimin arbitrar të serbëve, edhe me pëlqimin e faktorin ndërkombëtar, pikërisht të kësaj trashëgimie justiniane. Këtu mbështet edhe argumenti i autorit, që bën ridefinimin e statusit të kompleksit kishtar në Kosovë, pronar të vërtetet të të cilit janë pikërisht shqiptarët. Identitetin dardan brenda perandorisë bizantine autori e sheh në tri forma:
q) identiteti vetëqeverisës,
b) identiteti administrative, dhe,
c) identiteti kishtar.
Këto tri identitete argumentojnë praninë dardan-ilire në “errësirën” spekulative të historiografisë së njëanshme.
Po aq sa kanë rëndësi këta perandorë, po aq duhet kushtuar rëndësi edhe dinastive të mëvonshme bizantine që bartin identitetin ilir-dardan.
Në “Kosova-1” Buxhovit vëmendje të duhur i kushton edhe periudhave të krizës së Perandorisë bizantine dhe përpjekjeve dispersive dhe homogjenizuese, njëkohësisht të popujve për vetorganizim, veçmas përpjekjet e vetorganizimit të dardaneve gjatë periudhave të vërshimit të masave sllave. Një përpjekje e tillë ishte edhe krijimi i identitetit tribal, që është pjesë e bashkësisë dardane. Pikërisht këtu buron ai problemi i një mosmarrëveshjeje të madhe mes historiografisë sllave dhe asaj shqiptare mbi identitetin etnik të Rashkës mesjetare. Pikërisht identiteti dardan, shpesh i pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe të tërthortë të shumë historianeve serbë të periudhave të ndryshme, është ai që e aktualizon Buxhovi. Këtu autori pikas edhe gabimet e një pjese të historiografisë sonë, e cila Dardaninë mesjetare, që njihet si principatë rashiane, e trajtojnë me identitet të falsifikuar serb, kur dihet se dokument dhe gjurmë të këtij identiteti nuk ekziston në asnjë dokument. Të gjitha dokumentet bizantine, qoftë “zhupaninë” apo edhe dinastinë “nemanjide” e identifikojnë si tribalë, madje këtë identitet e njohin edhe vetë historianët sllavë, por duke ia tjetërsuar bazën etnike se kinse tribalët janë sllavë. Trajtimi dhe emërtimin si tribal e gjejmë site Joan Kantakuzeni, po aq edhe dëshmitë e Theodor Matohitit, (1270–1332), patriku Filoteu, Gregor Palameu,etj.
Në kuadër të krizës dhe dezintegrimit të Perandorisë bizantine, veçanërisht me shfaqjen e sllavëve dhe inkursionit të njohur në vitin 626, me lejen e perandorit Herakli, dhe kthimit të tyre në brigjet e Danubit e prej aty në pjesët kontinentale të Kroacisë dhe Bosnjes së sotme, por edhe vërshimit të forcave selgjuke të Osmanit, shfaqen edhe principatat e para arbërore, si Despotati I Epirit, mbretëria e Arbërit, etj, të cilat ia hapin rrugën edhe luftërave të Skënderbeut kundër perandorisë pothuajse të konsoliduar otomane në kufijtë bizantin, si vazhduese e Perandorisë bizantine. Me rënien e Bizantit, si një perandori me identitet iliro-dardan, arbrit fillojnë përpjekjet e tyre për ridefinimin e interesave të tyre vitale, duke u kthyer kah perëndimi dhe duke mbetur i vetmi grupim etnik properëndimor.
Me ardhjen e turqve në Gadishullin Ilirik (termi Ballkan ka filluar të përdoret nga viti 1810 nga një historian gjerman) dhe rënia e Kostandinopojës në vitin 1443, mbaron Mesjeta, Këtu përputhet kufiri kronologjik i historiografisë botërore me ngjarjet konkrete qe lidhen me fatin e ekzistencial të iliro-dardanëvë që shfaqen me i identitetin e ri, atë arbëror.
Faktori arbëror-shqiptar brenda perandorisë osmane
Vëllimi i dytë i “Kosova-perandoria otomane” trajton ekspansionin osman, mbindërtimin e perandorisë së re mbi mbetjet e Perandorisë bizantine, me një element të ri, inkuadrimin e islamizmit si një lloj të ri të universalizmit, që e kishte humbur Bizanti, por edhe me implikimin dhe të elementeve barbare sllave, avare dhe mongole. Edhe vetë turqit ishin një fis mongol, ata arritën të transformohen pikërisht nga aftësia për të përthithë përvojat perandorake të Bizantit. Ardhja e tyre në Ilirik, ballafaqimi me mbetjet bizantine që e kishin sjellë vetën vetëm në suaza të një kryeqyteti, çfarë ishte Kostandinopoja, ballafaqimi me principatat e dala pas shkapërderdhjes së Bizantit, duke shfrytëzuar armiqësitë e tyre të brendshme, bëri që ata të behën në njëfarë mënyrë edhe trashëgimtar së paku i administratës së vjetruar, të cilës i dhanë gjak të ri. Perandoria otomane fillimisht do të mbështet në aleancën me sllavët dhe në refuzimin e ashpër arbëror. Mirëpo dardane – arbëroret me kohë do të diferencojnë dy prirjet: atë integruese, si element shtetformues që përfaqësohej nga aristokracia e mbetur kalorësiakë, dhe, prirjen e kundërte, orientimin properëndimor, si një përpjekje të re për rrumbullakimin e identitetit. E tillë, sipas autorit, është edhe rezistenca e Skënderbeut, i cili lë të gjitha pozitat e larta brenda Perandorisë otomane, për t’u lidhur me prirjet e reja nga perëndimi, i cili kishte filluar profilizimin civilizues në mbështetje të parimeve themelore që ishin formuluar që nga Diokleciani, Konstandini dhe Justiniani. Megjithatë, Iliriku, më konkretisht territori i Dardanisë antike prapë do të mbetet arena kryesore e zhvillimeve politike. Të gjitha luftërat dhe ballafaqimet civilizuese do të ndodhin në Dardani, dy beteja të njëpasnjëshme, po kaq edhe kërkesa që këtë element ta integrojë brenda strukturave drejtuese do të jetë po aq i rëndësishëm. Këto dy prirje shpesh do të bien ndesh, sepse njëkohësisht elementi arbëror do të jetë edhe shtylla kurrizore e administratës otomane, edhe për shkak të superioritetit racor. Ky është edhe një ndër faktorët pse forca kryesore e Perandorisë Otomane qëndron në pjesën europiane, mu pse mbështetej në trashëgiminë e lashtë pellazgjikë, bartës të të cilës kanë qenë ilirët, dardanët po edhe dako mizët, thrakët, etj. Më të drejtë konstatohet edhe ndryshimi racor i popullatës mongole dhe shfaqja e tipareve dominuese të
indigjenëve të Ilirikut. Duke qenë edhe faktori kryesor të të gjitha zhvillimeve të rëndësishme brenda kësaj perandorie mbështeten mbi kurriz të popullatës arbërore. Mirëpo kthesë tejet e rëndësishme ndodh me shfaqjen e Rusisë si faktor i politikës Europiane, veçmas në Ilirik, nga mesi I shekullit XVIII-te e sidomos gjate Krizës Lindore.
Jusuf Buxhovi jo pak hapësirë i kushton edhe periudhës së zgjimit kombëtar dhe përpjekjeve për pavarësi. Edhe këtu Iliriku shfaqet si një skenë e zhvillimeve të mëdha dhe të implikimeve edhe ta faktorit europian, po edhe rus, viktimë e të cilit do të jenë pikërisht vetë shqiptarët. Rëndësi të veçantë ka prania e faktorit austro-hungarez dhe gjerman dhe ndihmesa e tyre për krijimin dhe profilizimin etnik të shteteve nacionale, më së shpeshti në dëm të shqiptarëve. Roli austro-hungarez dhe gjerman do të jetë aktiv, veçanërisht duke u nisur nga fakti se implikimi rus në Ballkan duhej vënë një digë, po edhe inercionit sllav që të lidhen me popullin me të cilin kanë afërsi gjaku, me Rusinë cariste. Edhe këto ndërhyrje, sidomos përpjekjet për ndikim në profilimin e identiteteve nacionale, si në planin kulturor-gjuhësor, po aq edhe në stimulimin e prirjeve perëndimore do të shkojnë huq ngase investimi i tyre , si në Greqi, e cila falë angazhimit europian, do të fitojë pavarësinë më 1821, në dëm të shumicës arvanitase. Po kështu do të ndodhë edhe me krijimin e shtetit serb në një territor ku ata ishin minoritet. Çdo konsultim i literaturës historiografike që merret me aspektet demografike të shekullit XIX do të ballafaqohen me faktin se serbët në këtë territor gjatë kohës kur u themelua principata serbe ishte i banuar më pak se një të tretën me serbë. Krijimi i një shteti pa serbë, sepse ata tradicionalisht ishin të vendosur në territorin e Kroacisë së sotme, Bosnjës dhe Hercegovinës, bëri që shteti i ri serb të kalojë nën tutorinë ruse, të cilët bëhen edhe hartues të programeve megalomane nacionale, si “Naçertania”, (1844) , por edhe të “Megaliidesë” greke. Po pas kësaj ideja e krijimit të shtetit nacional dhe e zgjimit kombëtar i përfshiu edhe shqiptarët, të cilët që me 1836 me “Ençiklikën” e Naum Panajot Bredhit, shtrojnë programin për një çlirim nacional, ide që propagandohej njëkohësisht edhe nga arbëreshet e Italisë, të cilët kanë një kontribut të pamohueshëm. Si Lidhja Shqiptare e Prizrenit, po ashtu edhe rezistenca e zhvilluar në dekadën e parë e shekullit XX, gjeti truall në tokën e Dardanisë antike, duke u bërë arenë edhe ngjarjeve politike.
Jusuf Buxhovi në këtë vëllim normalisht se shtron probleme që prekin të gjitha segmentet e jetës, prej sferës politike, ekonomike, ushtarake, kulturore etj, duke e spikatur edhe rolin e diplomacisë ndërkombëtare në zgjidhjen e problemeve ballkanike. I vetmi popull europian, për të cilën gjë bënte përpjekje Perandoria otomane ta bëjë pjesë të vetën etnitetin shqiptar, mbeti me një përkujdesje minimale ndërkombëtare. Hyrja e shqiptarëve në një planimetri më të gjerë gjeostrategjike i gjeti ata jo të përgatitur sa duhet për profilizim identitar, po aq sa i gjeti edhe një pjesë të tyre në strukturat e larta të shtetit, të kulturës dhe të zhvillimeve shpirtërore sa elementi shqiptar llogaritej si I vetmi gjenerues të procesit të përtëritjes së Perandorisë Otomane. Një hapësirë të madhe autori i kushtoi zhvillimeve që shpijnë në pavarësi, por edhe konflikteve të brendshme, që ishin rezultat i ndërhyrjeve nga jashtë.
Me shpalljen e pavarësisë, ku Vilajeti i Kosovës mbetet jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar, edhe pse ishte agjenci kryesor i Krizës Lindore në kohën e ridefinimit të identiteve të reja shtetnore dhe nacionale në Ballkan, Kosova fillon rrjedhën e vet bifurkative, që do të çojë në rifillimin e përpjekjeve të reja, por pa asnjë ndihmesë nga “shteti amë”, duke luftuar herë për ekzistencë, ngase i nënshtrohej proceseve të vazhdueshme gjenocidale, katra me radhë, e herë duke fituar ngapak subjektivitet, që
varej nga ndryshimet në skenën politike të Ballkanit, duke kaluar nëpër një luftë ballkanike, dy luftëra botërore, për të arritur deri në periudhën kur Kosova lufton për subjektivitet të plotë shtetëror.
Kosova ne shekullin XX
Vëllimi i tretë “Kosova – Nga okupacioni në protektorat ndërkombëtar” autori më një përqendrim të mbështetur në faktografi të dorës së parë merret me ngjarje relevante, siç është mbetja e Kosovës jashtë kufijve të shtetit, organizimi i mekanizmave të ndryshëm që do të luftojnë për një integrim të mundshëm, sikundër edhe më qëndrimin pragmatik e më pak kombëtar të qeverive shqiptare në raport me Kosovën, veçanërisht të Zogut si kryeministër, president e pastaj edhe mbret për një dekadë .
J. Buxhovi vëmendje të posaçme vë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, ngjarjeve kapitale të saj, siç është Konferenca e Bujanit dhe vendimeve të saj, që paraqesin një bazë të pamohueshme në shkallët nga realizmi i aspiratave të shqiptarëve të Kosovës për mëvetësi, duke trajtuar edhe akterët kryesor të kësaj ngjarjeje. Po kaq vëmendje I kushtohet edhe ngjarjeve kapitale, si Konferencës së Bujanit ,integrimit të Kosovës brenda federatës serbo-jugosllave përmes futjes së gjendjes ushtarake dhe “legjitimimit” të aktit të aneksimi i Kosovës në Kuvendit të Prizrenit, sikundër edhe lëvizjeve për shkëputje nga administrimi gjenocidal serb.
Po kështu autori, duke pasë mundësi më të madhe të dokumentimit të procesit historik, periudhën e pasluftës e sheh edhe si pjesë të luftës brenda institucioneve të sistemit, me ç’rast Kosova arrin të ridefinojë statusin e vet nga statuti si territor i ngushtë administrative e deri tek kushtetuta e vitit 1974, me të cilën subjektiviteti i saj arrin të jetë si pjesë përbërëse e federatës jugosllave, fakt që do të merret parasysh edhe nga Komisioni Badinterit, por edhe nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës (më 2008), ndonëse nga Komisioni i Badinterit nuk mori përgjigje pozitive, pos as iu mohua e drejta për vetëvendosje. Po kaq autori ndjek me vëmendje zhvillimet politike që shkojnë ndesh subjektivitetit të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, veçanërisht hartimin e projektit për rrënimin e statusit kushtetues, nga i skicuar në të ashtuquajturin “Libri i kaltër”, (viti 1978). Këto zhvillime u forcuan posaçërisht në vitet e tetëdhjeta, mbas vdekjes së J.B. Tito, dhe në fillim të të nëntëdhjetave, kur filloi dezintegrimi i përgjakshëm i ish federatës jugosllave.
Një pjesë të rëndësishme të librit zë trajtimi i organizmit të rezistencës institucionale në fund të viteve të tetëdhjeta dhe fillim të nëntëdhjetave me krijimin e LDK-se dhe fillimin e luftës institucionale për shtetin e Kosovës.
Po ashtu Buxhovi trajton edhe organizmin e rezistencës së armatosur që shpie deri në intervenimin forcave të NATO-s.
Po kaq objekt shqyrtimi në këtë libër bëhet edhe trajtimit të Kosovës në planin ndërkombëtar.
Historinë e vet Buxhovi e shpie deri të fundi i kufirit kronologjik, deri të intervenimi I forcave ushtarake të NATO-s dhe vendosjen e protektoratit ndërkombëtar në Kosovë Përkufizime
Historia trevëllimshe e Kosovës e Jusuf Buxhovit, është një histori e shtetit që ka kaluar nëpër faza të ndryshme, që nga Mbretëria dardane e periudhës së hershme të hekurit, për të vijuar me formimin e mbretërisë Trojane, pas dyndjes së madhe të Egjeut, që pas rrënimi të saj për t’u shpërndarë nëpër gjithë vendet europiane , duke themeluar dinasti të shumta mbretërore.
Po kjo “Histori e Kosovës ofron edhe një pasqyrë tjetër, çështjen dardane, përndjekjen e një populli që me shfaqjen e sllavëve në Ilirik, duke u përpjekur ta fshijnë nga faqja e dheut këtë popull, siç e kanë quajtur të gjithë autorët antik, si hyjnor. Katër gjenocide vetëm brenda një shekulli mbi shqiptarët e Kosovës të zhvilluar para syve të gjithë botës dhe të mjegulluar nga propaganda ruso – serbe me të vetmin qëllim, të bahen pronar të historisë së tyre sepse nga dardano-shqiptarët vetëm kanë marrë (shenjtorët si Shën Konstandini, Shën Helena, shenjtori rus – shqiptari Mihal Artioti, dinastia e Karagjorgjeviqve, etj).
Historia e Jusuf Buxhovit, në momentin aktual shtron edhe çështje të tjera:
idenë për ridefinimin e trashëgimisë shpirtërore, në rend të parë atë materiale, si është kompleksi ekleziastik i Kosovë që është përvetësuar përmes falsifikimeve të ndryshme historike nga shteti serb që nga shekulli i XIX-të, ku ky kompleks duhet të ketë status të dyfishtë: monumente kulturore shqiptare dhe objekte kulti ortodoks.
Ridefinimi edhe i politikave të bashkësisë ndërkombëtare që kanë për Ballkanin sepse me defalsifikimin del në shesh realiteti i ri historik dhe e drejta e vërtetë historike ndaj Kosovës.
Duke u marrë me historinë e shtetësisë së Dardanisë –Kosovës libri i Buxhovit nxjerr nga loja mendësinë sllave nga shkenca nacionale shqiptare, duke treguar një itinerar të ri shkencor nga duhet vajtur mendimi shkencor jo vetëm historiografik.
Çka don te unë? Se di… Ndoshta nëse mendohem gjatë, më bien n’mend plot sene. Sytë? Po, aty e shoh botën unë. E buzëqeshja? Magjike. Ajo m’deh… Asht si me pa jetën tu u ringjall pas nji stuhie t’djeshme. Buzët? Jo. S’i due. Le t’mbetet mister. Po tjetër? Ka shumë. Unë t’du. Pse po m’pyet tash? Çka s’don te unë? S’flas? Ndoshta… nëse m’pyet a t’urrej najsen, kam me ta thanë. Çka pra? Faktin që m’len me t’dashtë. Këtë… e urrej./ KultPlus.com
Më 15 maj të vitit 1923 lindi Guri Madhi, një prej artistëve më të rëndësishëm në historinë e artit shqiptar (1921 – 1988).
Piktori Guri Madhi është nga më të rëndësishmit e realizmit socialist. I përket brezit të piktorëve shqiptarë që në vitet ’60–’80, trajtuan temat kompozicionale historike duke ndërtuar karaktere dhe tipare fizionomike të shqiptarëve të kësaj periudhe.
Guri Madhi lindi në qytetin e Korçës ndërsa studimet e larta i kreu në Bashkimin Sovjetik, në Leningrad, ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera. Pas studimeve u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij. Gjithë jetën ia kushtoi krijimtarisë, e cila jo pak herë kapërceu kufijtë e realizmit socialist, duke sjellë edhe përjashtimin nga Partia e Punës. Por arti i Guri Madhit i mbijetoi sfidave dhe u flet ende brezave, edhe tashmë që autori nuk është më.
Galeria e Artit në Korçë mban emrin e tij./ KultPlus.com
Më 15 maj 1890 lindi gazetari dhe atdhetari Sali Nivica, një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, shkruan KultPlus.
Ai ka themeluar gazetën “Populli”, në të cilën artikuloheshin fuqishëm përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar, duke u mbështetur fuqishëm në Programin Politik të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.
Sali Nivica ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt me Hoxhë Kadri Prishtina, Kel Marubi, Gjergj Fishta, Bajram Curri, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Viçens Prenushi, Ndre Mjeda e atdhetarë të tjerë të kohës.
Gazetari Sai Nivica u vra në moshën 30 vjeçare, më 10 janar 1920 në Shkodër nga armiqtë e Shqipërisë./ KultPlus.com
Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer do të vizitojë sot Shqipërinë. Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare.
Starmer dhe delegacioni që e shoqëron do të takohen fillimisht me presidentin Bajram Begaj në orën 10:30.
Pas takimit me kreun e shtetit, Steimer do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama, ndërsa së bashku do të dalin në konferencë për mediet në orën 12:40.
Vizita e Keir Starmer i paraprin edhe Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet nesër në Tiranë, më 16 maj.
Sot liderët europianë dhe ata të Ballkanit Perëndimor pritet të vijnë në Shqipëri në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Europian, i cili do të mbahet në Shtëpinë e Europës të zhvendosur në Sheshin “Skënderbej”. / KultPlus.com
Dita Ndërkombëtare e Familjes festohet më 15 maj. Ajo është shpallur si dita e familjes nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkura në vitin 1993 me rezolutën A/RES/47/237.
Ajo pasqyron rëndësinë që u jep familjeve bashkësia ndërkombëtare. Dita Ndërkombëtare e Familjes ofron një mundësi për të promovuar ndërgjegjësimin për çështjet dhe njohuritë të proceseve shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet. / KultPlus.com
Tek ti, unë, dashuroj siluetën e anijes nisur për në pol Tek ti, unë, zbulimet aventuriere prej kumarxhinjsh Tek ti, largësinë. Tek ti, unë, dashuroj të pamundurën. Të kridhem në sytë e tu, ashtu si në një pyll plot dritë. Mes djersës, urisë e irritimit, me uri gjahtari të ta kafshoj mishin Tek ti unë, dashuroj të pamundurën, Por kurrë pesimizmin./ KultPlus.com
E para nga gratë shqiptare që studioi Shkenca Politike në Firencë gjatë shekullit XIX.
Shaqe Çoba (Shkodër, 1875 – 1954) qe e para grua intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë.
U lind në Shkodër, ishte e bija e Zef Shirokës dhe halla e poetit rilindas, Filip Shiroka. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa të mesmen në një kuvend në Zagreb, ku mesoi italishten, gjermanishten dhe serbo-kroatishten. Më 1904 shkoi në Itali që të vijonte shkollimin e lartë, në Venecia. Atje u takua me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Ndoc Çobën, të cilit i la mbresë formimi i Shaqes dhe i kërkoi dorën familjes së saj.
Më 3 gusht të vitit 1920 themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi Habibe Bekteshin, sekretare Paulina Lekën dhe llogaritare Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim nistor mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik. “Gruaja shqiptare” mblidhte fonde në qytet e krahinë dhe ua shpërndante ushtarëve, vullnetarëve dhe familjeve që u kishte mbetur ndonjë dëshmor në luftë. Për të informuar publikun lidhur me punën e bërë nga «Gruaja Shqiptare», nga nëntori i vitit 1920 deri në korrik të 1921 komiteti botoi edhe revistën «Gruaja shqyptare». Në vitet 1925 – 1939 ishte nënkryetare e degës së Shoqërisë «Gruaja Shqyptare» për Shkodrën.
Mori pjesë në luftë bashkë me të shoqin, Ndoc Çobën. Pas luftës u dënua për qëndrimin kundër pushtetit komunist. / Albanian Women – Instagram / KultPlus.com
Oh! kurrë mos e fyeni ju një grua që bie! E di dot sa ka hequr? Sa ka vojtur urie? Sa net si ferr ka gdhirë në ankth e drithërim? Virtytin kur ua tund Mjerimi me tërbim, E kush nga ne s’ka parë të tillë gra të mjera Si rreken që të mbahen, me ngulm, me duar të ndera? Sikundër buzë degës shohim varur tek ndrin Një pikë shiu si lot, kur dielli vetëtin, Q’e tundin tok me pemën e që dridhet, po mbahet, Perlë, pa rënë akoma, dhe baltë, passi ndahet!
Fajin e kemi ne. Ti kamës! Ari yt! Po uji i pastër gjindet dhe aty në llom të ndyt. Dhe që kjo pikë loti të dalë nga ka rarë, Të bëhet prapë perlë me atë shkëlqim’n e parë, Mjafton – Ja kështu rihet e ngrihet, passi bie – Një rreze djelli ose një rreze dashurie!
Me kënaqësi ju njoftojmë se “Zbardhje”, filmi i regjisores Kaltrina Krasniqi dhe producentit Ares Shporta, do të jetë pjesë e Producers Network në Marché du Film, në kuadër të Festivalit të Filmit në Cannes 2025.
Kjo përfshirje në një prej platformave më të rëndësishme të industrisë ndërkombëtare të filmit përfaqëson një mundësi të çmuar për zhvillimin e mëtejshëm të projektit dhe për afirmimin e kinematografisë kosovare./KultPlus.com
Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i rrjetit social Facebook, Mark Zuckerberg, sot feston ditëlindjen e 41-të, shkruan KultPlus.
Mark Elliot Zuckerberg ka lindur më 14 Maj,1984. Ai është një sipërmarrës amerikan i teknologjisë dhe filantropist.
Lindur në White Plains (New York), Zuckerberg ndoqi studimet në Harvard. Ai nisi të themelojë Facebook-un nga dhoma e tij e konviktit më 4 Shkurt të vitit 2004 me shokët e dhomes Eduardo Saverin, Andrew McCollum, Dustin Moskovitz dhe Chris Hughes.
Fillimisht i nisur për të zgjedhur kampuset universitare, websajti u përhap shpejt duke arritur një miliard përdorues në 2012-ën. Zuckerberg e çoi kompaninë në bursë në Maj 2012 me shumicën e aksioneve.
Të ardhurat e tij neto vlerësohen të kenë qenë 55 miliardë dollar, deri në 30 Nëntor 2018, duke rënë gjatë vitit të fundit bashkë me aksionet e Facebook-ut në tërsi. Në 2007-ën, në moshën 23 vjecare ai u be miliarderi më i ri i vetërealizuar.
Në Dhjetor 2016, Zuckerberg ishte në vëndin e 10-të të listës së personve më të fuqishëm në botë nga revista Forbes.
Zuckerberg e braktisi shkollën në vitin e dytë në mënyrë që të mbaronte projektin e tij. Në Janar të 2014, ai do kujtonte:
“Më kujtohet atëherë një ose dy ditë pasi fillova Facebook, po haja pica me shokët dhe po mendoja Dikush duhet të krijoj një shërbim të tillë për botën. Por kurrë nuk mendoja se do ishim ne ata që do e bënim një gjë të tillë.Ne ishim më të predispozuar për ta realizuar.”
Në 28 Maj 2017, Zuckerberg mori një diplomë honorare nga Harvard.
Historiku i krijimit të facebook:
Në 4 Shkurt 2004, Zuckerberg hodhi në Internet Facebook, foto nga dhoma e tij e konvinktit në Harvard. Një inspirim për krijimin e Facebook mund të ketë ardhur që nga Philips Exeter Academy,shkolla para-universitare ku Zuckerberg kishte diplomuar në vitin 2002. Aty shkolla kishte publikime “Libri me Foto”,të cilin studentët e quanin si “The Facebook”. Foto të tilla ishin një pjesë e rëndësishme e eksperiencave sociale në shumë shkolla private. Me anë të tyre,studentët mund të shënonin detaje si viti i mbarimit, shokët dhe numrat e telefonit.
Kur nisi Facebook, Zuckerberg mendoi se do ishte thjeshtë ” një gjë Harvardi”, derisa vendosi që ta përhapte edhe nëpër shkolla të tjera, duke u ndihmuar nga shoku i dhomës Dustin Moskovitz. Ata filluan me universitet Columbia University,New York, University, Standford, Dartmouth, Cornell.
Më pas Zuckerberg, Moskovitz dhe disa shok u transferuan në Palo Alto, Kaliforni, në Silicon Valley ku morën me qera një shtëpi të vogël që shërbente si zyrë. Gjatë verës, Zuckerberg u takua me Peter Thiel, i cili investoi në kompani. Ata morën zyrën e tyre të parë diku nga mesi i 2004-ës. Sipas Zuckerberg-ut, grupi planifikonte të kthehej në Harvard, por përfundimisht vendosën të qëndronin në Kaliforni. Ata kishin refuzuar oferta nga korporatat kryesore për të blerë kompaninë. Në një intervistë të 2007-ës, Zuckerberg shpjegoj arsyen: “Nuk ishte për sasinë e parave. Për mua dhe kolegët e mi, gjeja më e rëndësishme ishte të krijonim fluks informacioni të hapur për njerëzit. Të pasurit e korporatave të mediave që zotëroheshin nga konglomeratët nuk ishte një ide tërheqse për mua.”
Ai i ritheksoi këto qëllime edhe në 2010-ën në gazetën Wired: “Gjëja që me të vërtet më intersonte ishte misioni,të bërit një botë të hapur. Në 21 Korrik 2010, Zuckerberg deklaroi se kompania kishte arritur kuotën e 500 milion përdoruesve.I pyetur nëse kompania mund të gjeneronte më shumë të ardhura nga reklamat si pasojë e rritjes galopante,ai shpjegoj:
“Them se po…nese shikon se sa faqet tona klikohen krahasuar me faqet e zakonshme.Kjo është gjeja më e thjeshtë që mund të bënim.Por nuk jemi për të tilla gjëra.Ne bëjmë para mjaftueshëm.Dua të them se po e menaxhojmë mirë dhe se po rritemi aq sa duam.”
Revista Vanity Fair e emëroi Zuckerberg si numrin 1 në listën e 2010-ës të 100 njerëzve më me influencë të epokës së informacionit. Zuckerberg ishte në vendin 23-të në po të njëjtën listë të një viti më parë (2009). Në 2010-ën, Zuckerberg u zgjodh në vendin e 16-të në sondazhin vjetor të ew Statesman si një ndër 50 personat më me infuencë në botë./KultPlus.com
Sot bota e muzikës dhe kinemasë ka përkujtuar 27-vjetorin e ndarjes nga jeta të këngëtarit të paharrueshëm për shumë breza, Frank Sinatra, sipas britannica.com.
Sinatra, emri origjinal i të cilit është Francis Albert Sinatra, u lind më 12 dhjetor 1915, në Hoboken, SHBA dhe vdiq më 14 maj 1998, në Los Anxheles.
Sinatra e filloi karrierën e tij si këngëtar në mesin e viteve 1930 dhe u zbulua nga trumpetisti Harry James, i cili e rekrutoi menjëherë.
Sinatra arriti popullaritet të gjerë kombëtar në vitet 1940-42, ndërsa këndonte me orkestrën ”Tommy Dorsey”.
Ai këndoi në programin radiofonik ”Your Hit Parade” (1943-45), ndërsa u bë një interpretues i preferuar në teatro dhe klube nate.
Në vitet 1940 ai luajti bashkë në një numër filmash muzikorë me balerinin Gene Kelly.
Popullariteti i tij ra papritur rreth vitit 1948, por performanca e tij në filmin “From Here to Eternity” (1953, Çmimi i Akademisë) ia ringjalli karrierën në rënie dhe më vonë ai luajti në shumë filma të vlerësuar, duke përfshirë “Guys and Dolls’’ (1955) si dhe dramën “The Manchurian Candidate” (1962).
Pas vitit 1953, ai performoi dhe regjistroi duke përdorur aranzhime nga Nelson Riddle, Billy May dhe Gordon Jenkins, duke arritur kulmin në albume si “Only the Lonely” (1958).
Në vitin 1961, ai themeloi “Reprise Records”.
Interpretimet e tij mjeshtërore, të alternuara me ritëm të lartë dhe melankoli prekëse, i sollën një sukses të pakrahasueshëm në historinë e muzikës amerikane.
Sinatra vdiq më 14 maj 1998 në Los Anxheles, pasi pësoi një atak në zemër.
Në pllakën e varrit të tij janë shkruar fjalët “Më e mira ende nuk ka ardhur”./ atsh/ KultPlus.com
Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.
E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma.
Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:
“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”
“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”
“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”
“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com
Poezi e shkruar nga Maya Angelou. Përktheu: Beti Njuma
Kam mësuar se çfarëdo që të ndodhë, apo sado e padurueshme të ngjajë sot, jeta vazhdon dhe e nesërmja më e mirë do jetë.
Kam mësuar se mund të kuptosh mjaftueshëm nga një njeri nga mënyra sesi i përballon këto tri gjëra: një ditë me shi, humbjen e bagazheve dhe dritat lëmsh e li të pemës së Krishtlindjes.
Kam mësuar, sa i takon marrëdhënieve me prindërit, se malli për ta do t’na marrë kur të jenë larguar nga jetët tona. Kam mësuar se të jesh gjallë s’është njësoj si të jetosh.
Kam mësuar se jeta ndonjëherë të jep një mundësi të dytë. Kam mësuar se jeta s’mund të përballohet me doreza beisbolli në të dy duart: gjithmonë duhet të jesh e aftë të hedhësh diçka pas krahëve…
Kam mësuar se sa herë marr një vendim me zemër, përgjithësisht bëj zgjedhjen e duhur. Kam mësuar se edhe kur jam ligsht, s’kam pse rri vetëm.
Kam mësuar se çdo ditë duhet të dalësh për t’u pjekur me dikë. Njerëzve ua ka ënda një përqafim, ose thjesht një rrahje supesh….
Kam mësuar se kam ende shumë për të nxënë. Kam mësuar se njerëzit do ta harrojnë ç’ke thënë, apo ç’ke bërë, por s’do ta harrojnë kurrë si i ke bërë të ndihen./ KultPlus.com
Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters në Timișoara zhvillohet nën titullin Bounding Histories. Whispering Tales., një propozim kuratorial i formësuar nga një lexim i afërt i strukturës urbane të qytetit të Timișoarës dhe historive të shumta të shtresuara në të. Kuruar nga Ana Janevski dhe Tevž Logar, Bienalja aktivizon tre hapësira ekspozimi—Komanda e Garnizonit (një ndërtesë e mëparshme ushtarake), FABER (një fabrikë e transformuar), dhe Fondacioni Art Encounters (një ish-kopsht)—si dëshmitarë të gjallë të transformimeve sociale, kulturore dhe politike të qytetit.
Duke reflektuar mbi atë që këto vende na tregojnë sot dhe se si ato mund të banojnë në një kontekst të një ekspozite ndërkombëtare arti, koncepti i jehonës udhëhoqi qasjet kuratoriale dhe artistike të këtij edicioni. Konsideruar si një tingull që është njëkohësisht përsëritje dhe përgjigje e ndryshuar, një jehonë është një agjent ndryshimi dhe krijimtarie i formësuar nga mjedisi i saj—një sinjal marrëdhënieje më shumë sesa një transmetim i drejtpërdrejtë. Si metaforë dhe metodë, jehona nxit lidhje të reja ndërmjet veprave të artit, hapësirave të ekspozitës dhe publikut.
Artistët pjesëmarrës: Lawrence Abu Hamdan, Ana Adam, Alle Dicu, Marina Abramović & Ulay, Bora Baboçi, Maja Bajević, Mona Benyamin, Željka Blakšić, Pavel Brăila, Geta Brătescu, Brief Histories (Isak Berbic, Fawz Kabra), Cian Dayrit, Christine Cizmaș, Marieta Chirulescu, Clément Cogitore, Lorena Cocioni, Moriah Evans, Simone Forti, Jošt Franko, Robert Gabris, Alicia Mihai Gazcue, Ladislava Gažiová, Jean Genet, Liam Gillick & Anton Vidokle, Karpo Godina, Maria Guțu, Petrit Halilaj, Veronika Hapchenko, Sky Hopinka, Loredana Ilie, Siniša Ilić, Joan Jonas, Hassan Khan, Dana Kavelina, Belinda Kazeem-Kamiński, Kapwani Kiwanga, Ana Kun, David Maljković, Jumana Manna, Teresa Margolles, Silvia Moldovan, Alban Muja, Oscar Murillo, Andrei Nacu, Marina Naprushkina, Eduardo Navarro, Christian Nyampeta, Mila Panić, Manuel Pelmuș, Gavril Pop, Raluca Popa, Ghenadie Popescu, Komiteti i Ringjalljes (Ovidiu Țichindeleanu, Raluca Voinea), Larissa Sansour, Ștefan Sava, Selma Selman, Larisa Sitar, Bojan Stojčić, ŠKART, Nora Turato, Johanna Unzueta, Mark Verlan, Cecilia Vicuña, Rosario Zorraquin.
Edicioni i gjashtë i Bienales Art Encounters Biennial 2025 i titulluar “Bounding Histories. Whispering Tales, do të mbahet nga 30 maj deri më 13 korrik./ KultPlus.com
Në një shtëpizë tradicionale në lagjen e vjetër “Dunavat” në zemër të Gjirokastrës, qëndistarja Hëna Gega mishëron frymën e një qyteti me histori, tradita dhe elegancë të rrallë.
E lindur dhe rritur në këtë lagje, ajo përfaqëson gruan me një pasion të veçantë për artin e punimeve me gjilpërë, një teknikë delikate që ka zbukuruar për shekuj veshje, perde, mbulesa dhe çarçafë në shtëpitë gjirokastrite.
“Unë këtë zanat e kam mësuar që në moshën 6-vjeçare. Është një punë e veçantë që duhet ta duash, ta dashurosh dhe ta bësh. Nuk bëhet sepse është një punë që duhet të tërheqë për ta bërë. Nuk është si punët e tjera që mund t’i bëjë çdo njeri. Kjo është një gjë shumë e veçantë që duhet ta duash me shpirt për ta mësuar”, thotë Hëna Gega.
Qëndisjet tradicionale me gjilpërë kërkojnë orë të tëra përkushtimi dhe mjeshtëri të lartë. Kjo ka bërë që ndër vite, artizania e saj të jetë simbol i finesës, por gjithashtu një produkt i kërkuar kryesisht nga të huajt.
“Ishte një bum i madh, që nga Greqia kërkonin shumë prodhim të tillë, bënin këllëfë, çentro tabakaje, dhe mua më vinin porositë në shtëpi. Unë i bëja, por nuk është punë që vlerësohet. Është një punë që do shumë kohë dhe nuk ka shumë lekë”, thotë ajo.
Megjithëse e pranon se është vështirë të nxjerrësh të ardhura duke ndjekur pasionin, qëndistarja ende vazhdon të përcjellë këtë vlerë të traditës. Ajo shpreson se interesimi në rritje i turistëve për kulturën dhe artizanatin do të japë frytet e veta dhe do t’u japë kuptim dekadave të punës me gjilpërë ndër breza.
“Unë e kam pasion, unë këtë e kam jetë. Nuk mund të rri nëse jam e shqetësuar apo kam një mërzitje. Nuk mund të rri pa punëdore, nuk mund të rri një ditë pa punëdore. Edhe do ta vazhdoj patjetër”, thotë Hëna Gega.
Artizania gjirokastrite e qëndisjes karakteristike dëshiron që kjo mjeshtëri të mos harrohet, por të transmetohet në breza si një vlerë e çmuar e traditave të Gjirokastrës./euronews./ KultPlus.com
Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit 1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.
E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma. /KultPlus.com