Kalaja e Lezhës, një tjetër thesar i historisë sonë, ka përfituar nga paketa e rindërtimit pas tërmetit, përmes programit EU4Culture të financuar nga BE, në bashkëpunim me UNOPS Albania.
Projekti i quajtur “Stabilizim emergjent i murit verior të Kalasë së Lezhës” kishte si qëllim: Sigurimin dhe mbrojtjen e strukturave historike; Konservimin arkitektonik të monumentit; Rikthimin e territorit në gjendjen e tij origjinale.
Muret perimetrale të kalasë kanë rilindur me një pamje të përmirësuar dhe të qëndrueshme, duke nxjerrë në pah çdo vlerë dhe fazë historike të këtij monumenti unik. Këto punime u realizuan nga ADStar, me mbështetjen e DRTK Shkodër, për riparimin e infrastrukturës së dëmtuar.
Kalaja e Lezhës, tashmë jo vetëm një simbol historie, por edhe një shembull i përkushtimit për ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Kalaja e Lezhës është ndër objektet më të vizituara të trashëgimisë kulturore në qarkun e Lezhës./ KultPlus.com
Sot nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nga ora 12:00.
Dje ishte edhe dita e fundit e legjislaturës së tetë e Kuvendit të Kosovës meqë sipas ligjit zgjedhjet e rregullta për Kuvend mbahen më së voni 30 ditë para përfundimit të mandatit.
Siç ka njoftuar Komisioni Qendror Zgjedhor gjithsej 2.075.868 votues brenda dhe jashtë Kosovës do të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1.280 kandidatë që do të garojnë për 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Partitë politike sot hapin zyrtarisht fushatat e tyre për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë hapjen zyrtare të fushatës zgjedhore në sallën “Shani Nushi” në Gjakovë, duke filluar nga ora 18:00.
Partia Demokratike e Kosovës do ta bëjë hapjen zyrtare në sallën “1 Tetori” në Prishtinë me fillim nga ora 16:30.
Lidhja Demokratike e Kosovës bën hapjen zyrtare nga Pallati i Rinisë në Prishtinë me fillim nga ora 17:00.
Koalicioni AAK – Nisma – Konservatorët – Forumi Intelektual E-30 dhe Lista Ideal sot bëjnë nderime në memorialin e familjes Jashari në Prekaz nga ora 10:45, ndërsa tubimin e mban nesër në sallën “1 Tetori” nga ora 13:30.
Po ashtu, Koalicioni për Familjen hap zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e përgjithshme nga ora 18:30 në Klan Arena.
Më 9 janar ka filluar procesi i votimit jashtë Kosovës përmes postes./Express/ KultPlus.com
Më 11 janar të vitit 1946, Qeveria Komuniste e Kryeministrit, Enver Hoxha, shpalli Shqipërinë Republikë, përcjell KultPlus.
Enver Hoxha me anë të një “Asambleje Kushtetuese” të përbërë nga 82 deputetë të dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, shpalli Shqipërinë Republikë.
Në seancën e mbledhjes së datës 11 janar 1945, në sallën e Akademisë së Arteve ku ishin mbledhur asokohe Asamblea me 82 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, ishin dhe përfaqësuesit e misioneve të huaja të akredituara në Tiranë.
Përpara kësaj lufte, Populli Shqiptar, për 15 vjet me rradhë lëngoi nën regjimin monarkist të Ahmet Zogut. /KultPlus.com
Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor, publiku do të mund të ndjekë disa shfaqje artistike që do të ngjiten në skenë për të gjithë dashamirësit e artit.
Sipas kalendarit artistik të publikuar në rrjetet sociale të TKOBAP, muaji janar nis me një dialog të fuqishëm muzikor mes dy legjendave të kompozicionit të periudhës romantike: “Rachmaninoff & Tchaikovsky”.
Tingujt magjikë të muzikës së dhomës do të përhapen në hollin koncertor, si pjesë e një bashkëpunimi emocionues me mikun e përhershëm të institucionit, Institutin Italian të Kulturës.
Gjithashtu, Ansambli Popullor, e hap vitin e ri me koncertin e veçantë “Trëndafilin kur ta dhashë”, një udhëtim emocionues që përfshin të gjitha trevat shqiptare./atsh/KultPlus.com
Si njëra prej grave më me ndikim në modë, Gabrielle Bonheur ‘’Coco’’ Chanel kishte shumë për të ndarë gjatë jetës së saj. E lindur në vitin 1883 në Francë, Coco hapi dyqanin e saj në vitin 1910 dhe shpejtë u bë e njohur për stilin e saj të thjeshtë por elegant dhe me rroba të modës.
Jo vetëm që dizajnet e saj e dërgojnë luksin dhe modën në një nivel që bota nuk e kishte parë më parë, por ajo u bë zëri i grave.
Coco ishte një dizajnere, ndërmarrëse dhe një shembull. Keni shumë për të mësuar nga pionerja e modës.
Shikoni këto 10 thënie nga Chanel.
Për të qenit vetvetja
‘’Ngjyra më e mirë në botë është ajo e cila ju rri më mirë’’.
Për të qenit proaktiv
‘’Mos shpenzoni kohë duke goditur murin, duke shpresuar që do të transformohet në një derë.’’
Për suksesin
‘’Në mënyrë që të jeni të pazëvendësueshëm ju duhet të jeni gjithmonë ndryshe nga të tjerët’’.
Për fuqizimin
‘’Jeta ime nuk më kënaqte, kështu që e krijova atë’’.
Për udhëheqjen
‘’Akti më i guximshëm është ende të mendoni për veten tuaj’’.
Për mentalitetin
‘’Butësia nuk përfundon punët përveç nëse jeni një pulë e cila bën vezë’’.
Për kohën
‘’Nuk ka kohë për monotoni. Ka kohë për punë. Dhe kohë për dashuri. Ajo nuk lë kohë tjetër’’.
Për mundësinë
‘’Vishuni sikur do t’a takoni armikun tuaj më të keq sot’’.
Për lumturinë
‘’Ka njerëz të cilët kanë para dhe ka njerëz të cilët janë të pasur’’.
Për dështimin
‘’Suksesi shpesh arrihet nga ata të cilët nuk e dinë se dështimi është i paevitueshëm’’./ KultPlus.com
“Mehmet Shehu është helmuar dhe pastaj është qëlluar me dy plumba”. Kështu është shprehur i vëllai i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në lidhje me vdekjen ende misterioze të Mehmet Shehut. Sipas tij, urdhri është dhënë nga Enver Hoxha, por këmbëzen e pistoletës e ka shkrepur Kadri Hazbiu.
“Cili është njeriu që ka qëlluar mbi të? Në fillim dukej se çështja ishte e koklavitur, por unë kam bërë hetimet e mia dhe kam pyetur shumë njerëz. Nga të gjitha këto, kam dalë në përfundimin se urdhri për ekzekutimin e tij është dhënë nga Enver Hoxha, ndërsa këmbëzën e ka shkrepur ‘Jagoja’, Kadri Hazbiu.
Por, në marrjen e vendimit, ka qenë edhe një i tretë, ‘Hrushovi’, Ramiz Alia. Unë theksoj atë që kam thënë edhe herë të tjera: Të gjithë shqiptarët, jo vetëm ata që jetonin kur ishte Mehmet Shehu gjallë, por dhe që kanë lindur pasi ai u vra, kam bindjen po t’i pyesësh (se do u kenë treguar nënat, baballarët, gjyshërit) mbi këtë çështje do të thonë se mbi Mehmet Shehun nuk mund të vinte dot dorë njeri, pa lejen e Enver Hoxhës”, është shprehur ai për gazetën “Dita”, një vit më parë.
Sipas tij, “Shumëkush mund të mendojë se urdhri u dha për shkak të fejesës së djalit të tij, Skënderit, me një vajzë nga Turdinjtë, familja e së cilës kishte biografinë me probleme. Por nuk është kështu”. Ai tregon se urdhri për eliminimin e tij është shumë i largët, pasi përpjekjet për eliminimin e tij kanë filluar që në ’48-n. “Ishte Koçi Xoxja me klanin e tij. Pra nuk ishte e rastit vrasja e Mehmet Shehut. Plani për eliminimin e tij ka filluar që në atë kohë”, thotë Duro Shehu.
KUJTIMET
Vite më parë, Duro Shehu botoi një libër kujtimesh “Mehmet Shehu, im vëlla”, (“Bota Shqiptare”), ku ndër tjera rrëfen për ditën e vetë/vrasjen së Mehmet Shehut, takimin me Fiqretin, të bijtë, shërbyesen, etj. Duro Shehu thotë se oficerët e Sigurimit që kishin mbushur vilën e Kryeministrit të vdekur, nuk e kishin lënë t’i afrohej trupit të pajetë të të vëllait, për të parë se si e kishte marrë plumbi. Në librin e tij, ai rrëfen: “Sa hymë në shtëpi, pyeta Fiqretin se si ndodhi, ç’ngjau? Ajo nuk foli fare, por vuri gishtat e duarve te veshët si për të thënë se shtëpia përgjohej dhe nuk duhej të flisnim. Pyes Vladimirin, djalin e madh të Mehmetit, dhe ai më thotë: “Xhaxhi, nuk dimë gjë. Unë dhe Bardha (gruaja) nuk fjetëm tërë natën. Dhomën e kishim ngjitur me atë të babit, por nuk dëgjuam asgjë”. Pyes Farien, punëtoren që kishte shërbyer 30 vjet në shtëpinë e Mehmetit. Ajo tha: “Shoku kryeministër ishte shumë mirë, para një jave i kërkoi leje shokut Enver të shkonte për gjah në Elbasan. Vajti në mëngjes dhe erdhi në darkë. Më parë shkonte të shtunave dhe kthehej të dielave në darkë. S’di ç’të them! Kryeministri u vra. Më tepër nuk di ç’të them…”. E pyeta prapë Farien se kush ishte me shërbim mbrëmë këtu. Unë isha në shtëpi, tha. Me shërbim ishte një vajzë e re, ajo që pe ti para se të shkoje në Vjenë, por ajo vajza iku natën, iku natën, nuk e di ku e çuan…
Pyeta Ali Çenon, truprojën kryesore të Mehmetit dhe ai më tha po ato fjalë që ka deklaruar edhe në shtyp: Unë, sipas grafikut të shërbimit, isha në shtëpinë time. Më kërkuan të vija dhe erdha. Pashë që nga dhoma e shokut Mehmet doli Kadri Hazbiu me një çantë të zezë në dorë… Sipas Gani Kodrës, përgjegjësit për sigurimin e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiu në gjyq i kishte mohuar thëniet e Ali Çenos, duke thënë se atë natë ai kishte qenë në ditëlindjen e Elit, sekretares së tij, në Laprakë. Eli e mohoi. Kadriu tha se tek Eli vajti me vonesë… Ku ishte vonuar Kadriu? Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë që bëheshim gjithsej dhjetë veta që po rrinim dhe 20 e ca oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e na përgjonin ne. Nuk njihja asnjërin prej tyre. I them pas një copë here përgjegjësit të tyre: “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” “Jo, më thotë. Në asnjë mënyrë. Rri e përgjoje. Vetëm kaq”. Po ta kisha parë plagën e Mehmetit, si ushtarak që isha, mund të kuptoja diçka më shumë, pavarësisht se nuk isha ekspert kriminalist.
* * *
Pak pasi kisha pyetur përgjegjësin e oficerëve të Sigurimit për të parë plagën e Mehmetit, vjen një oficer tjetër i Sigurimit, më nxjerr në dhomën tjetër e më thotë: “Duro, kam urdhër të të them se që tani duhet të shkosh në shtëpinë tënde”.. Mbi varrin e Mehmetit foli Vladimiri, djali i Mehmetit, ndërsa nga Kryeministria nuk u tha asnjë fjalë, nuk u vendos asnjë lule, asgjë. Nuk u lejuan të merrnin pjesë në varrim të afërm të tjerë të familjes, as miq e shokë që Mehmeti i kishte pasur me shumicë. Ishin marrë masa shumë të rrepta në Tiranë, por sidomos në zonat jugore të vendit. Në Tiranë nga shtëpia e Mehmetit e deri në varreza ishin bërë gardh njerëzit e Sigurimit e të Policisë, të cilët nuk lejonin askënd, jo të kalonte atë gardh të tyre, por as të shikonte”.
INTERVISTA
Pas botimit të kujtimeve të tij “Mehmet Shehu, im vëlla”, Duro Shehu ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, përmes së cilës ai rikthehet në kohë, duke kujtuar veprimet e para që bëri menjëherë pasi mori vesh vetë/ vrasjen e të vëllait-kryeministër. Duro Shehu, oficer, kishte mundësi të komunikonte me emrat më të pushtetshëm të kohës. “I telefonova Veli Llakës për të ma sqaruar më mirë lajmin që më kishte dhënë pak çaste më parë. ‘Të lutem, i thashë, më ndihmo të takohem me Kadri Hazbiun’. Në atë kohë ai bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes. Veliu, pasi më tha se Kadriu ndodhej në zyrë, më premtoi se do t’ia transmetonte kërkesën time. Prita në çaste të tëra në ankth. Shpresoja shumë se kontakti me të do të më orientonte për shumë gjëra. Kishin kaluar gati 40 minuta, kur më telefonoi Veliu e më tha se më priste në zyrë ministri i Mbrojtjes. U nisa me një frymë. Rrugës sillja ndërmend lloj-lloj dilemash e qëndrimesh për atë që kishte ndodhur. Kadri Hazbiu që do të takoja kishte qenë një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe familjes sonë. Fakti që pranoi të më takonte, më lehtësoi disi për gjëmën që parandieja. Po, çuditërisht, këtë radhë do të takoja një Kadri tjetër…”, tregon Duro Shehu. Sipas tij, Hazbiu i kishte thënë vetëm se Mehmeti ishte vetëvrarë dhe arsyeja ishte e bija e Turdive. “Aty për aty, gati pa vetëdije, i thashë se nuk dinim gjë përse bëhej fjalë, po Kadriu, që mesa dukej nuk fliste vetëm në emër të tij, kaloi nga momentet e sqarimit për atë që kishte ndodhur, te porositë zyrtare për atë që duhej të bënim ne familjarët pas këtyre çasteve.
‘Tani, më tha, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë për atë fejesën, mund të dalë se ka qenë armik’. Këmbëngula për t’i kërkuar edhe diçka tjetër, me bindjen që tek ai, pavarësisht këtyre rrethanave, nuk mund të ishte fshirë çdo gjë nga lidhjet shpirtërore me Mehmetin, por ishte e kotë. Atë çast Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzat dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”. Ai kujton se Hazbiu e kishte porositur që ai vetë, si komunist, nuk duhet të merrte pjesë në varrimin e të vëllait, por vetëm të shkonte në shtëpinë e tij për të përgjuar trupin e pajetë. I ndjekur nga njerëz të Sigurimit ai u drejtua për në shtëpinë ku kishte rënë zia. “Ishte një urdhër që të linte të kuptoje se ishte pleqëruar me majën e kupolës. Deshifrimi i tij më shkoqur do të thoshte se ceremoninë mortore do ta bënim vetëm ne familjarët. Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi.
Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar tërë mjedisin”, është shprehur Duro Shehu për “Panoramën”./ KultPlus.com
Të rinj aventurierë të borës dhe lartësive janë ngjitur në këto ditë të para janari në Majën e Qorres, e ndodhur në lartësinë 2018 metra mbi nivelin e detit, një ndër destinacionet më të bukura dhe të vështira të Parkut Kombëtar të Llogorasë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau në rrjetet sociale foto nga ky mal, ku turistët shijojnë një pamje të magjishme nën petkun e dëborës.
Të shumtë janë turistët të cilët zgjedhin ta provojnë këtë sfidë, pavarësisht kushteve atmosferike, për të marrë kështu më të bukurën e kësaj pasurie natyrore.
Rrugëtimi drejt Majës së Qorres kërkon përgatitje të mirë fizike, veshjen e duhur si dhe guida të licensuara për të realizuar kështu një eksperiencë sa më të sigurt.
Nga Maja e Qorres ofrohet një pamje magjepsëse, nga ku duken lumi i Vlorës me fshatrat dhe zonën përreth.
Parku Kombëtar i Llogorasë është një nga hapësirat natyrore më të vizituara nga turistë vendas e të huaj në çdo stinë të vitit./atsh/KultPlus.com
Ka kohë që yjet s’ulen përmbi tokë, ka kohë që njerëzit s’rrijnë me krye përpjetë tue pritë me u ra ndër dhambë kafshat’e shkretë – dhe vjershat janë lirue: pesë groshë një okë…
Me duer ndër xhepa poetët trokë shetisin rrugve t’errta, krejt të qetë; askush s’i nget, askush s’po don me i pyetë ç’ka kanë në zemër e ç’ka kanë në kokë…
Urdhno, zotni, pak dritë n’mos daç errsinë! Pesë groshë një okë . – Nji andërr e tanë rinije! Tridhet vjet – e tridhet okë dashnije! Urdhno, zotni, nji kangë për njerëzinë! Pesë grosh nji okë – nji jetë e tanë dlirsije! Tridhet vjet – e tridhet okë marrije!… /KultPlus.com
Gjiganti amerikan i teknologjisë ”Amazon” ka njoftuar planet për të investuar 11 miliardë dollarë në shtetin amerikan Xhorxhia për të zgjeruar dhe përmirësuar infrastrukturën e inteligjencës artificiale të njësisë së saj ”Amazon Web Services” (AWS).
”Amazon” tha se kjo njësi ”cloud” planifikon të investojë 11 miliardë dollarë për të zgjeruar infrastrukturën e saj në Xhorxhia për të mbështetur teknologjitë kompjuterike ”cloud” dhe inteligjencën artificiale.
Investimi pritet të krijojë të paktën 550 vende të reja pune me aftësi të larta.
”Amazon” tha se inteligjenca artificiale produktive rrit kërkesën për infrastrukturë të avancuar të hapësirës ‘cloud’ për ruajtje të dhënash digjitale, si dhe theksoi se investimet e AWS-së do të mbështesin të ardhmen e inteligjencës artificiale në qendrat e të dhënave në Xhorxhia.
“Qendrat e të dhënave AWS janë mjaft fleksibël për të drejtuar në mënyrë efikase njësitë e përpunimit grafik për ngarkesat tradicionale të punës ose inteligjencën artificiale dhe modelet e mësimit të makinerive”, tha ”Amazon”, duke shtuar se kjo infrastrukturë moderne e inteligjencës artificiale do të forcojë pozicionin e shtetit si një qendër inovacioni.
Investimet e kompanisë ”Amazon” dhe punësimi që krijoi u vlerësuan, pasi kompania që nga viti 2010 ka investuar 18,5 miliardë dollarë në këtë shtet.
Kompanitë e mëdha të teknologjisë po shpërndajnë burimet e tyre për të përmirësuar aftësitë e tyre në infrastrukturën e inteligjencës artificiale.
Javën e kaluar, gjiganti i teknologjisë Microsoft njoftoi se planifikon të investojë 80 miliardë dollarë në teknologjitë e inteligjencës artificiale në vitin 2025./KultPlus.com
Sot është dita e lindjes e shkrimtarit, përkthyesit, dramaturgut, regjisorit, diplomatit dhe publicistit Pëllumb Kulla, i cili mbushi 85 vjeç.
“Krahas kontributeve të shumta në disa fusha në rrafsh kombëtar, në Fier veçanërisht, ai ka meritën e veçantë, se e ngriti Estradën dhe Teatrin Bylis në majat më të larta, duke krijuar personazhe që janë skalitur në kujtesën e publikut në mbarë Shqipërinë”, shkruan në urimin e tij, kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi, duke i uruar artistit jetë të gjatë.
Pëllumb Kulla punoi për 18 vjet si regjisor i Estradës dhe Teatrit të Fierit.
Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit arriti majat e suksesit. Gjatë kësaj kohe shkroi rreth 300 skeçe dhe komedi me një akt, 40 kuplete dhe 23 monologë, shumica e të cilëve u shfaqën në TV.
Nga 1977 deri më 1990, Kulla ishte bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH-së për spektaklin e Vitit të Ri. Paralelisht me punën në Estradë, realizoi dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij.
Në vitet ’80, humori i Kullës kaloi edhe në kinema. Me skenar të tij u xhiruan kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park”.
Më 1990 u largua nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë. Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë pasi në 1992 u emërua Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bonn dhe një vit më pas ambasador në misionin shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Është vlerësuar me titullin “Nderi i Qarkut” Fier (2005) dhe me dekret të Presidentit Alfred Moisiu i është akorduar titulli “Mjeshtër i Madh” (3 dhjetor 2003)./KultPlus.com
Në se të duhen trena për t’ia mbathur botës E anije me vela që udhëtimesh të shpien larg Për të kërkuar diell që t’a mbash në sy E kengë që ti lehte mund t’i kendosh atëhere …
Në se të duhet agimi për të besuar të nesërmen Dhe të nesërmen që të mundësh të shpresosh Për të gjetur shpresën që të kap për dore Për të gjetur dorën që ti ke braktisur Atëhere …
Në se do të dëgjosh rrëfime e fjalë të moçme pleqsh Për t’u ngushëlluar për ato që s’ke bërë dot Në se poezia për ty humbet vlerë e bëhet lojë E në se jeta jote nuk është veç një pleqëri Atëhere …
Në se do të duhet pak mërzitje për t’u dukur i thellë A rrëmujë qytetesh për të harruar çdo zhgënjim E pastaj delikatesë për t’a ndjerë vehten të denjë E pastaj zjarr e nevrik per t’u dukur i fortë trim Atëhere…
Sot bëhen 105 vite që nga vrasja e gazetarit dhe atdhetarit Sali Nivica, një ndër themeluesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, me seli në Shkodër, shkruan KultPlus.
Ai ka themeluar gazetën “Populli”, në të cilën artikuloheshin fuqishëm përpjekjet dhe aspiratat e kombit shqiptar, duke u mbështetur fuqishëm në Programin Politik të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”.
Sali Nivica ka redaktuar edhe gazetën “Zgjimi” si dhe ka qenë korrespondent i gazetës “Liria”, që botohej në Janinë.
Sali Nivica ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të afërt me Hoxhë Kadri Prishtina, Kel Marubi, Gjergj Fishta, Bajram Curri, Sotir Peçi, Elez Isuf Ndreu, Viçens Prenushi, Ndre Mjeda e atdhetarë të tjerë të kohës.
Gazetari Sai Nivica u vra në moshën 30 vjeçare, më 10 janar 1920 në Shkodër nga armiqtë e Shqipërisë./ KultPlus.com
Me këtë frazë, 54 vjet më parë, Coco Chanel, shpirti më luftarak dhe më i pamëshirshëm i modës, vdiq në moshën 87-vjeçare në një dhomë në hotel ”Ritz” në Paris, shkruan othersouls.com.
Edhe atë mëngjes ajo ishte simpatike, në një mënyrë që ishte e natyrshme vetëm për të.
Ajo doli elegante si gjithmonë, për t’u bashkuar me një mik të dashur për një shëtitje me makinë përgjatë Senës.
Shoferi udhëtoi me makinë nëpër Paris derisa zonja Chanel, e rraskapitur, i kërkoi të kthehej në hotelin që kishte qenë shtëpia e saj gjatë gjithë jetës.
Ajo u shtri në krevat dhe tha fjalinë e saj të fundit fatale.
Ajo që e kishte gjithmonë gati fjalën e fundit, nuk mundi ta shmangte atë as në aktin e fundit të jetës së saj të jashtëzakonshme.
Pse po flitet për Coco Chanel në revistat kulturore?
Sepse ajo ishte një personazh shumë më revolucionar sesa mund të mendohej. Në jetën dhe veprën e saj gjejmë gjithçka: anarkinë, luftën feministe, revolucionin e zakoneve dhe jetës shoqërore, historinë e madhe të shekullit të kaluar, dashurinë për të bukurën dhe përkushtimin ndaj pasionit të gjithë jetës së saj.
Lindja e Gabrielës dhe shndërrimi në Coco
Gabrielle Bonheur Chanel, e regjistruar si Coco për të gjithë të tjerët, Chanel u lind më 19 gusht 1883 në një bujtinë. Ky ishte vetëm preludi i një fëmijërie fatkeqe që pa vdekjen e parakohshme të nënës së saj, braktisjen e babait të saj Henri-Albert Chanel dhe vitet e kaluara me Motrat e Zemrës së Shenjtë në Aubazine.
Në moshën 18-vjeçare, Gabrielle është e lirë të largohet nga jetimorja dhe të jetojë jetën e saj.
Ajo gjen punë si shitëse në dyqanin Maison Grampayre në Moulins dhe, në të njëjtën kohë, këndon në një kafene: kënga e saj me firmë është ”Qui qu’a vu Coco?”.
Legjenda thotë se ishte që nga ky moment që të gjithë filluan ta quajnë atë Coco.
Është gjithashtu periudha në të cilën ajo u lidh me Étienne de Balsan, djalin e sipërmarrësve të tekstilit, i cili e shpërnguli në kështjellën e Royallieu dhe u bë jo vetëm i dashuri i saj, por mbi të gjitha financuesi i saj.
Chanel ishte shumë e mirë në prodhimin e kapelave dhe së shpejti gratë e shoqërisë së lartë vendase ranë në dashuri me krijimet e saj.
Suksesi e shtyu atë në Paris në 1908 dhe në Deauville në 1914, ku hapi dyqanet e saj të para, e ndjekur në 1916 nga një sallon i modës së lartë në Biarritz.
Ajo grua rebele dhe kokëfortë, gjithmonë revolucionare në suksesin e saj të pamohueshëm, sfidoi modën e kohës.
Në kundërshtim me këto kafaze, në të cilat gratë mbylleshin me vullnetin e tyre, Chanel filloi të propozonte modele sportive, linja të thjeshta dhe të buta pa kufizime.
Sukseset e Chanel
Ngjyrat ishin pika e saj e dobët dhe veshjet e larmishme filluan të ishin tipari dallues i modës së saj.
Në vitin 1916, Rodier, një industrialiste franceze e tekstilit, i dha asaj të drejtën ekskluzive për të përdorur fanellën krejt të re, pëlhura që përmirësoi më së miri krijimet e Chanel, në një përzierje të prerjes dhe pëlhurës që çliroi fizikun e gruas.
Bluzat e lirshme u bënë modeli i parë i veçantë i modës Chanel.
Fundet e gjata të drejta, xhaketa, rripat e lidhur në bel, triko dhe tweed përfaqësonin zërin e emancipimit femëror në stilin Chanel vazhduan për një kohë të gjatë.
Coco në botën e modës
Shenjtërimi u bë në vitin 1920: butiku i parë në Paris në ”31 Rue de Cambon”.
Në muajt në vijim, Coco nënshkroi krijimin e parfumeve më të mirë dhe më të pavdekshëm: Chanel n.5 – të cilin ajo gjithashtu e shenjtëroi me frazën “Një grua duhet të hedhë parfumin e saj kudo që ajo pëlqen të puthet”.
Chanel përjetësoi veshjen ikonë që çdo femër do të donte në gardërobën e saj, sepse Coco ishte një besimtare e zjarrtë e idesë së një mode demokratike, e lidhur me propozimin e të njëjtave modele në të cilat pëlhurat dhe detajet veprojnë si variante.
Nuk është rastësi që kredo e saj ka qenë gjithmonë ”moda zbehet, stili mbetet”, siç mund të shihet edhe në kostumet e saj të jashtëzakonshme./KultPlus.com
Më 10 janar të vitit 1893, në qytetin e Korçës, u lind mësuesi, përkthyesi, politikani dhe historiani Xhevat Korça.
Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes dhe ndoqi mësimet në gjimnazin Zosimea në Janinë. Studimet universitare i ndoqi në Vjenë në Fakultetin e Filozofisë dhe ishte një nga studentët që i paraqitën letrën presidentit amerikan Willson në lidhje me çështjen shqiptare.
Me kthimin në atdhe u emërua mësues në qytetin e Shkodrës dhe drejtor i Gjimnazit të Shkodrës. Në aspektin politik, ai ishte një nga mbështetësit e Lëvizjes së Qershorit dhe përkrahës i Nolit, dhe për këtë arsye u detyrua të largohej nga vendi pas rikthimit të Ahmet Zogut në pushtet. U vendos në Beograd për disa vjet, ku shërbeu edhe si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në universitet, më tej emigroi në Vjenë, Graz dhe Fiume (Rijeka), dhe për disa kohë ishte edhe anëtar i KONARE-s.
Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 1939, kthehet në atdhe dhe më 1942 mori postin e ministrit të arsimit në qeverinë e Mustafa Krujës, ku ndihmoi në lirimin e disa patriotëve shqiptarë me profesion mësues, të internuar nga italianët. Ishte një nga themeluesit dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, duke dhënë kontributin e tij shkencor. Xhevat Korça ka dhënë një kontribut të madh dhe në fushën e përkthimeve, një pjesë e madhe e të cilave ruhen në dorëshkrim në AQSH. U dënua nga Gjyqi Special në prill të 1945 me vdekje, por që iu konvertua në burgim të përjetshëm. Ndërroi jetë në Burgun e Burrelit në korrik të vitit 1949.
Imazhet ilustruese të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave janë nga një letër që Fan Noli i dërgon Xhevat Korçës në lidhje me përkthimet e tij dhe probleme të tjera. / KultPlus.com
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj përmes një postimi në rrjetet sociale, i ka uruar ditën e lindjes, aktorit të qindra roleve në teatrin, filmin dhe kinemanë shqiptare, Robert Ndrenika.
“Gëzuar Ditëlindjen maestro Robert Ndrenika! Ikonë e artit shqiptar, që vijon të frymëzosh njësoj”, shkruan Veliaj në postimin e tij.
Ndrenika lindi më 10 janar të vitit 1942, në Vuno. Pas diplomimit për aktor, ai nisi të punonte në teatrin “Skampa” në Elbasan. Ndërsa në Teatrin Kombëtar ai nisi të punonte që prej vitit 1974 deri sa doli në pension. “Shumë zhurmë për asgjë”, “Nata e dymbëdhjetë”, “Prefekti”, “Familja e peshkatarit”, “6 vjet shtatzënë”, “Jashtë bie borë” janë disa nga veprat teatrore ku ai ka interpretuar.
Ndrenika ka dhuruar edhe një trashëgimi të pasur kinematografike, duke intrepretuar në role të larmishme, tragjike e komike. Karakteret e realizuara me mjeshtëri nga Ndrenika kanë bërë që jo vetëm rolet, por edhe filmat të bëhen të pavdekshëm.
Në kinematografi numërohen mbi 30 filma, si: “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Mësonjtorja” etj. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm Robert Ndrenika mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit”./atsh/KultPlus.com
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes rrjeteve sociale ka shprehur mirënjohjen dhe krenarinë për gratë dhe vajzat që shërbejnë në Policinë e Kosovës, duke theksuar kontributin e tyre të çmuar në mbrojtjen e rendit, ligjit dhe kufijve të vendit. Deklaratat e tij erdhën në kuadër të shpalljes së vitit 2025 si “Viti i Grave” nga Kryeministri Albin Kurti.
Sveçla vlerësoi rolin e 1,247 grave dhe vajzave që shërbejnë në Policinë e Kosovës, përfshirë 4 kolonele, 3 nënkolonele, 8 majore, 15 kapitene, 27 togere, 95 rreshtere, 746 police të larta dhe 251 police të reja. Ai theksoi gjithashtu pjesëmarrjen e tyre në njësitë speciale dhe patrullat kufitare.
“Ju jeni shembulli më emblematik se si vajzat dhe gratë e kryejnë detyrën për atdheun. Ju jeni ura që lidh besimin dhe sigurinë mes policisë dhe qytetarëve,” deklaroi Sveçla.
Ministri lavdëroi kontributin e grave në sektorë të ndryshëm të policisë, nga patrullat në komunitet, hetimet dhe mbrojtjen e kufirit, deri te njësitë speciale. Ai theksoi rolin e tyre si frymëzim për brezat e ardhshëm.
“Ju keni hapur me kurajo një rrugë për gjeneratat e ardhshme të vajzave dhe grave, duke u bërë shembull i guximit, përpjekjes për barazi, përkushtimit dhe profesionalizmit.”
Sveçla siguroi mbështetje të plotë për policet dhe ftoi vajzat e reja t’i bashkohen radhëve të Policisë së Kosovës.
“E ne do të vazhdojmë të qëndrojmë krah jush, krenarë për shërbimin tuaj, të frymëzuar nga sakrificat dhe guximi juaj, e të përkushtuar për t’ju mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi”, ka shkruar ai./KultPlus.com
Carl Ritter von Ghega (Karl Gega, Carlo Ghega) ishte një inxhinier dhe arkitekt austriak me prejardhje shqiptare. Ai studioi në Padova (Itali), ku qysh në moshën 17 vjeçare e mori titullin Doktor i shkencave matematikore. Karrierën si inxhinier e filloi me ndërtime rrugësh dhe ujësjellës në Venedik.
Gega u bë i njohur për punën e tij në hekurudhën Semmering në Alpet Austriake. Ai lindi në Venecia në vitin 1802 dhe vdiq në vitin 1860. Ai konsiderohet si një nga inxhinierët më të rëndësishëm të shekullit të 19-të, pasi ka projektuar dhe ndërtuar një sërë linjash të rëndësishme hekurudhore në Perandorinë Austriake, shkruan KultPlus.
Hekurudha Semmering, për të cilën ai është më i njohur, ishte një nga hekurudhat e para malore në botë dhe konsiderohet një arritje pioniere në inxhinierinë civile. Hekurudha u ndërtua midis 1848 dhe 1854 dhe konsiderohej një mrekulli teknike në atë kohë, me disa tunele dhe viadukte që duhej të ndërtoheshin përmes terrenit të vështirë dhe të thyer. Hekurudha ishte një hap i rëndësishëm në zhvillimin e Perandorisë Austriake, duke e bërë më të lehtë udhëtimin nëpër male dhe duke lidhur Vjenën me bregun e Adriatikut.
Përveç hekurudhës Semmering, Ghega projektoi dhe ndërtoi gjithashtu linja të tjera të rëndësishme hekurudhore, duke përfshirë hekurudhën Trieste-Opicina, hekurudhën Gloggnitz-Neuberg dhe hekurudhën Klagenfurt-Villach. Ai u përfshi edhe në projekte të tjera inxhinierike, si në ndërtimin e kanaleve dhe rrugëve.
Puna e tij në hekurudhën Semmering u njoh dhe u nderua nga qeveria austriake duke e caktuar hekurudhën si një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s në 1998.
Ghega gjithashtu projektoi dhe ndërtoi shumë ndërtesa, kryesisht Vila dhe Kështjella për fisnikërinë lokale dhe për veten e tij, gjithashtu disa prej tyre u njohën gjithashtu nga UNESCO, si Schloss Wilhelminenberg.
Ghega vdiq më 14 mars 1860 në Vjenë nga pasojat e sëmundjes së tuberkulozit. Ceremonia fetare është zhvilluar në Katedralen kryesore të Vjenës, Shën-Stefan (Stephansdom), kurse trupi u varros në varrezat e Währinger-it ne Vjenë. Më 1887, kur këto varreza u shpërngulën, sarkofagu me eshtrat e Ghegës u vendos në panteonin e njerëzve më te shquar të Austrisë, pranë Mozart-it, Beethoven-it, Schubert-it, Strauss-it, Brahms-it dhe Alois Negrell-it (projektuesit të kanalit të Suezit)./ KultPlus.com
Aleksandër Gjoka, një zë i thellë e fort i veçantë i ka dhënë shumë muzikës shqiptare. Duke mbetur i tillë për vite të tëra në skenë, ka mbetur i pakrahasueshëm në mesin e artistëve shqiptarë, shkruan KultPlus.
Me stilin e paraqitjet e tij, ai shpesh është veçuar në festivalet jo dhe të pakta ku është prezantuar. Performancat e tij si i vetëm e me grupin “Tre musketierët” kanë lënë shije ttë paharruar tek publiku shqiptar.
Gjoka i i ka kënduar dashurisë së shkuar, zemrës së një gruaje, shiut e pranverës. Më së shumti, ai mbahet mend për këngën e dimrit, për zbrazëtinë e ikjes.
KutlPlus sot ua rikthen nostalgjinë për zërin e Gjokës, duke e risjell ‘Ditë Dimri’, këngë kjo që vazhdon të mbetet ndër më të dëgjuarat e Gjokës.
Më poshtë gjeni videon dhe tekstin e këngës.
Ditë Dimri
Në jetën time ka qenë një çast kur unë për ty pata nevojë jo për të tua gjeste e fjalë por ti pranë meje t’më qëndroje
2x
E kundërta ndodhi ti ike larg ato ditë dimri të jetës sime gjithmonë gëzimet i ndanim bashkë përse më ike më braktise. / KultPlus.com
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) nënshkruan sot një marrëveshje bashkëpunimi për shkëmbimin e dokumenteve mbi strehimin në Shqipëri të refugjatëve bashkëkombas, në arrati nga luftimet e vitit 1998-1999.
Në këtë ceremoni të mbajtur në Prishtinë ishin të pranishëm drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido dhe kreu i IKKL-së, Atdhe Hetemi.
Në fjalën e tij, Bido theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje, duke e konsideruar si një mundësi për shpalosjen e dokumentacionit ilustrues dhe për shkëmbimit e ekspertizës mes dy institucioneve.
“Është detyrë për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave që të ndihmojnë punën tuaj, duke mundësuar jo thjesht dokumentacionin që zotëron dhe që është i shumtë, veçanërisht mbi mënyrën sesi u pritën refugjatët shqiptarë të Kosovës gjatë Luftës, në vitin 1999, por edhe përmes ekspertizës sonë të mirëfilltë arkivore, të cilën ne e kemi të njëjtë dhe të bashkëndashme me homologët tanë të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Pranojmë që jemi dy shtete, por kur vjen fjala për histori, për trashëgimi kulturore, ne nuk mund të jemi ‘dy’, sepse nuk mund të kuptohet asnjë zhvillim i këtej anës së Drinit, pa bashkëveprim”, tha Bido.
Bido u shpreh se “është kënaqësi të nënshkruajmë këtë marrëveshje. E nisëm që sot. Sollëm 100 dokumentet e para që gjenden në Arkivin Qendror Shtetëror për Luftën në Kosovë. Është krejt normale, pasi në fund të ditës, nga ana tjetër e këtij ambienti, ka Këndin Arkivor, si një prej dy institucioneve të vetme, së bashku me ambasadën e Republikës së Shqipërisë, me prani fizike në Kosovë”.
“Ne do të jemi në mënyrë të vijueshme krah punës që jeni duke kryer, në të mirë të profesionit, në të mirë të studimit dhe hulumtimit të historisë sonë kombëtare”, përfundoi Bido.
Ndërkaq, Hetemi u shpreh se në sajë të kësaj marrëveshjeje synohet dokumentimi dhe ruajtja e të vërtëtave historike lidhur me Luftën në Kosovë.
“Kjo marrëveshje forcon lidhjet tona institucionale, duke kontribuar në dokumentimin dhe ruajtjen e të vërtetave historike, lidhur me krimet e kryera gjatë Luftës në Kosovë. Kjo marrëveshje, veç të tjerave, mundëson edhe shkëmbimin e materialeve arkivore dhe të ekspertizës ndërmjet dy institucioneve tona. DPA-ja me një përvojë mbi 75-vjeçare, ka një rëndësi të madhe në këtë drejtim, pasi përmban dokumente të vlefshme edhe të periudhës 1998-1999, kur Shqipëria u mobilizua për të mirëpritur qindra mijëra refugjatë shqiptarë”, tha Hetemi.
Bazuar në këtë marrëveshje dypalëshe, DPA-ja dhe IKKL-ja angazhohen për shkëmbimin e specialistëve, me qëllim përsosjen e praktikave arkivore në dokumentimin, hulumtimin dhe arkivimin e dokumenteve. Në fokus të këtij bashkëveprimi do të jenë mikrofilmimi, ruajtja, restaurimi, digjitalizimi, trajnimi i punonjësve, përgatitja e ekspozitave, mbajtja e konferencave, si edhe botimi i përmbledhjeve të dokumenteve.
Në funksion të një qasjeje të integruar në menaxhimin e informacionit, DPA-ja dhe IKKL-ja marrin përsipër unifikimin e shërbimeve studimore lidhur me pasuritë dokumentare që zotërojnë.
Në përputhshmëri me qëllimin e saj parësor marrëveshja parasheh hartimin e punimeve akademike mbi krimet gjatë luftës së Kosovës.
Palët nënshkruese ndajnë aspiratën për krijimin e partneriteteve me institucione rajonale dhe ndërkombëtare, të ngarkuara me ruajtjen dhe promovimin e kujtesës kolektive./atsh/KultPlus.com
Më 10 janar 1504 në Venedik u botua latinisht vepra e Marin Barletit, “De obsidione Scodrensi”- “Rrethimi i Shkodrës”, i vlerësuar si një nga veprat më të njohura historike që bëri të njohur luftën e shqiptarëve kundër perandorisë osmane në mesjetë.
Libri është ndarë në tre kapituj, dhe përshkruan kujtimet e autorit për ngjarjet e rrethimit të dytë të Shkodrës në vitin 1478. Në kapitullin (librin) e parë është parathënia që i kushtohet dukës së Venedikut Leonard Loredano, ndërsa më pas teksti bën fjalë për prejardhjen e turqve, deri me pushtimin e Konstantinopojës me 1453, për të përfunduar me shënimet historike rreth Shkodrës dhe përshkrimin e pozitës së saj. Në kapitullin e dytë që është më voluminozi dhe pjesa qendrore e librit, flitet konkretisht mbi rrethimin e Shkodrës në vitin 1474 dhe 1478.
Aty përshkruhen operacionet e rrethimit, sulmet, dhe mbrojtja heroike e Kalasë nga shqiptarët. Ndërsa në fund, në kapitullin e tretë, prezantohen në formë të sintezës ngjarjet e rrethimit të Shkodrës, si dhe dorëzimin e saj nga ana e venedikasve përfaqësuesve të Perandorisë Osmane. Kjo vepër është shkruar në latinisht dhe u botua për herë të parë në Venedik më 1504, pothuajse 100 vjet pas lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Përkthimin e saj në shqip për herë të parë e realizoi studiuesi i shquar Henrik Lacaj më 1962, në përvjetorin e 50-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
Më vonë është ribotuar në gjuhën shqipe shtëpia botuese Onfuri më 2012, duke u mundësuar lexuesve shqiptarë për ta njohur përmes saj historinë e vendit e vlerat e kombit shqiptar.
Dom Marin Barleti (rreth 1450 – 1512), i njohur edhe si Dom Marinus Barletius, çmohet si historiani i parë shqiptar. Prift katolik dhe qytetar i Shkodrës, ai qe dëshmitar e luftëtar në dy rrethime osmane të këtij qyteti. Kur Venediku, së fundmi, ua dorëzoi Shkodrën osmanëve, si shumë bashkatdhetarë të tjerë të rinj, ai emigroi në Itali. U vendos në Padova e në këtë dioqezë kishtare, Dom Marin Barleti, apo Barleci, shërbeu i prift famullitarë e më vonë, si rektor i Kishës së Shën Shtjefnit.
Megjithëse “Rrethimi i Shkodrës” ishte vepra e tij e parë, ai njihet më shumë për veprën e tij të dytë “Historia e Skënderbeut”. Barleti tërhoqi vëmendjen e lexuesit europian të shekullit XVI, i cili me turqit në portat e Vjenës më 1529, po shqetësohej gjithnjë e më shumë për mundësinë e pushtimit të të gjithë Europës Perëndimore nga osmanët. /dp/ KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale imazhet Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale imazhet mbresëlënëse të “Albergo Difusso” në qytetin e Krujës, i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe Ballkan.
“Albergo Diffuso” është një tipologji hotelesh e përhapur kohët e fundit në Itali dhe Evropë, e cila bazohet në idenë e shfrytëzimit të shtëpive të braktisura për qëllime turistike.
Ideja lindi në Itali, ku nisën të përdoreshin shtëpitë bosh të rinovuara me fondet e dhëna pas tërmetit të Friulit (1976).
“Albergo Diffuso” i Krujës rierdhi në jetë falë Bonusit të Rijetësimit, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, një nismë e pervitshme e qeverise shqiptare, për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendra historike në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin.
“Albergo Diffuso” gjendet brenda mureve të Kalasë së Krujës.
Ministri Gonxhja e cilësoi atë si “një përvojë unike ku historia dhe mikpritja bashkohen për t’ju ofruar një ekperiencë të paharrueshme”.
Nga “Albergo Diffuso” në Krujë, mund të nisësh një itinerar fantastik nga kështjella, muzeu historik, Pazari me famë i Krujës, për të udhëtuar drejt Parkut Natyror të Qafshtamës. Një vit më parë, National Geographic e renditi atë ndër 22 eksperiencat më të mira të hotelerisë.Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau sot në rrjetet sociale imazhet mbresëlënëse të “Albergo Difusso” në qytetin e Krujës, i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe Ballkan.
“Albergo Diffuso” është një tipologji hotelesh e përhapur kohët e fundit në Itali dhe Evropë, e cila bazohet në idenë e shfrytëzimit të shtëpive të braktisura për qëllime turistike.
Ideja lindi në Itali, ku nisën të përdoreshin shtëpitë bosh të rinovuara me fondet e dhëna pas tërmetit të Friulit (1976).
“Albergo Diffuso” i Krujës rierdhi në jetë falë Bonusit të Rijetësimit, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, një nismë e pervitshme e qeverise shqiptare, për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendra historike në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin.
“Albergo Diffuso” gjendet brenda mureve të Kalasë së Krujës.
Ministri Gonxhja e cilësoi atë si “një përvojë unike ku historia dhe mikpritja bashkohen për t’ju ofruar një ekperiencë të paharrueshme”.
Nga “Albergo Diffuso” në Krujë, mund të nisësh një itinerar fantastik nga kështjella, muzeu historik, Pazari me famë i Krujës, për të udhëtuar drejt Parkut Natyror të Qafshtamës. Një vit më parë, National Geographic e renditi atë ndër 22 eksperiencat më të mira të hotelerisë. të “Albergo Difusso” në qytetin e Krujës, i pari i këtij lloji në Shqipëri dhe Ballkan.
“Albergo Diffuso” është një tipologji hotelesh e përhapur kohët e fundit në Itali dhe Evropë, e cila bazohet në idenë e shfrytëzimit të shtëpive të braktisura për qëllime turistike.
Ideja lindi në Itali, ku nisën të përdoreshin shtëpitë bosh të rinovuara me fondet e dhëna pas tërmetit të Friulit (1976).
“Albergo Diffuso” i Krujës rierdhi në jetë falë Bonusit të Rijetësimit, pjesë e Fondit Kombëtar të Kujdesit të Trashëgimisë Kulturore Materiale, një nismë e pervitshme e qeverise shqiptare, për restaurimin dhe rijetëzimin e objekteve në qendra historike në modele të qëndrueshme biznesi, që gjenerojnë të ardhura dhe punësim për komunitetin.
“Albergo Diffuso” gjendet brenda mureve të Kalasë së Krujës.
Ministri Gonxhja e cilësoi atë si “një përvojë unike ku historia dhe mikpritja bashkohen për t’ju ofruar një ekperiencë të paharrueshme”.
Nga “Albergo Diffuso” në Krujë, mund të nisësh një itinerar fantastik nga kështjella, muzeu historik, Pazari me famë i Krujës, për të udhëtuar drejt Parkut Natyror të Qafshtamës. Një vit më parë, National Geographic e renditi atë ndër 22 eksperiencat më të mira të hotelerisë./ KultPlus.com
Ambasadori italian në Tiranë, Fabrizio Bucci u vlerësua nga bashkia e Gjirokastrës me titullin “Qytetar Nderi”.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në ambientet e muzeut “Kadare” në Gjirokastër ishin të pranishëm ambasadori Fabrizio Bucci, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, drejtues të lartë vendorë, qytetarë, etj.
Ambasadori Bucci u vlerësua me titullin “Qytetar nderi” me motivacionin “Për kontributin e dhënë në forcimin e lidhjeve historike dhe të bashkëpunimit aktual mes Italisë dhe Gjirokastrës. Mirënjohje për vëmendjen dhe iniciativat e tij me ndikim në ngritjen në një nivel edhe më të lartë të marrëdhënieve, falë realizimit me sukses të programeve dhe projekteve në fushat e kulturës, turizmit, ekonomisë dhe edukimit”.
“Jam ndier si në shtëpinë time në Gjirokastër, pas 5 vitesh mbarova mandatin tim dhe Shqipërinë do ta kem në zemrën time. Ka qenë një periudhë që ne kemi bërë shumë për marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipëri. Jemi vendi i parë furnizues dhe klient i Shqipërisë nga ana ekonomike. Gjysma e ndërmarrjeve ekonomike private të huaja në Shqipëri janë italiane. Italianët janë grupi më i madh i turistëve që vijnë në Shqipëri. Marrëdhëniet politike midis Shqipërisë dhe Italisë janë forcuar akoma edhe më shumë’, tha Bucci.
I pyetur për situatën politike në Shqipëri, ambasadori Bucci u shpreh se “pas pak muajsh do të jenë zgjedhjet dhe shpresoj të jetë një fushatë e bazuar në programe, sepse qytetarët duhet që të kuptojnë se kush është programi i partive politike dhe të kuptojnë se çfarë do të bëjë politika për ta”.
Në fjalën e tij, kryebashkiaku Golemi vlerësoi kontributin e ambasadorit Bucci në këto katër vite të qëndrimit të tij në Shqipëri dhe sidomos kontributin që ka dhënë për Gjirokastrën./ KultPlus.com
Ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare akademik emeritus Jani Vangjeli, botanist dhe specialist i florës së Shqipërisë.
Jani Vangjeli lindi në Tiranë, më 23 qershor 1945. Studimet e larta i kreu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, të Universitetit të Tiranës, ku dhe u diplomua në degën biologji në vitin 1967. Në vitet 1969-1982 punoi si pedagog në katedrën e Botanikës të Universitetit të Tiranës dhe prej vitit 1980 e deri në vitin 2007 ka punuar si kërkues shkencor në Institutin e Kërkimeve Biologjike, duke qenë edhe përgjegjës i Sektorit të Florës, gjatë viteve 1990-1993 dhe drejtor e kryetar i Këshillit Shkencor të këtij Instituti në vitet 1993-1998.
Në rolin e drejtuesit të Institutit hapi drejtime të reja shkencore në fushën e studimeve ekologjike të formacioneve bimore, të dinamikës së vegjetacionit etj.
Për veprimtarinë e tij të gjerë shkencore e të dalluar ai fitoi titullin profesor në vitin 1994 dhe u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në vitin 2008.
Me punimet e tij, akademik Jani Vangjeli ka dhënë kontribut për studimin e florës dhe të vegjetacionit, duke u përqendruar sidomos në studimin e bimëve të rralla dhe të kërcënuara, të biodiversitetit e të vegjetacionit potencial natyror. U nderua me çmimin më të lartë të Akademisë së Shkencave në fushën e shkencave natyrore-teknike me çmimin “Petrit Radovicka”.
Akademia e Shkencave u shpreh përmes rrjeteve sociale se, me ndarjen nga jeta të akademik emeritus Jani Vangjelit, Akademia humbi një nga anëtarët e vyer të saj./ KultPlus.com