Bajo Topulli u arsimua në Stamboll që në moshën 11 vjeçare, ku brumoset me idetë përparimtare dhe patriotike të vëllezërve Frashëri, Samiut dhe Naimit, por edhe Jani Vretos.
Sipas këshillave të tyre ai shkon në Selanik, ku fillon një aktivitet të gjerë si propagandues i gjuhës shqipe. Më pas, në vjeshtën e vitit 1904, Bajon do ta shohim në Manastir, ku bëhet pedagog dhe nëndrejtor i gjimnazit të Manastirit. Bashkë me lëndët mësimore, nisi t’iu mësonte edhe gjuhën shqipe djemve të gjimnazit e të shpërndante libra në gjuhën shqipe, edhe pse ishte gjithnjë në shënjestër. Gjatë qëndrimit të tij në Manastir u ngrit “Komiteti për Lirinë e Shqipërisë”(1905), ku mblodhën patriotë shqiptarë. Disa muaj pas krijimit të komitetit, do të ishte vullnetari i parë, në të parën çetë çlirimtare, duke u quajtur “Garibaldi i Shqipërisë”.
Pas aktivitetit në Jug të Shqipërisë dhe vrasjes së Dhespotit të Korçës, për të larë gjakun e Papa Kristo Negovanit, Bajo Topulli e pati shumë të vështirë qëndrimin në Shqipëri, ndaj dhe në fund të nëntorit, Bajo i shoqëruar nga Çerçizi dhe Zeman Haskua udhëtojnë drejt Sofjes, ku e priti një grup shqiptarësh me në krye Shahin Kolonjën. Aty gjejnë një situatë po aq të ndezur patriotike, në Sofje e Bukuresht u njohën me figura të njohura, mes të cilëve dhe Mihal Gramenon (kronikanin e betejave). Ai ndikoi në formimin dhe idetë e veprimtarit Çerçiz Topulli deri në fund. Bajo ndërmerr një udhëtim të gjatë në kryeqendra të Evropës dhe në Amerikë (ku u shoqërua nga Fan Noli), për të gjetur mbështetje për çështjen shqiptare.
Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, madje ai u zgjodh në komisionin e ngushtë të Alfabetit, prej 11 vjetësh, ku ndër të tjerë bënin pjesë edhe At Fishta, Dom Mjeda, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, etj. Bajo Topulli ishte përkrahës i variantit të alfabetit me gërma latine, i cili u pranua si një nga dy variantet, bashkë me alfabetin e Stambollit, që të përdoreshin mes shqiptarëve. Kjo ngjarje e madhe u pasua me hapjen e shkollave dhe klubeve të gjuhës shqipe.
Pas Shpalljes së Pavarësisë për 15 vjet jetoi e punoi në Turqi, ku pati poste të larta drejtuese në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Në vitin 1925 ai kthehet në Gjirokastër, ku e propozojnë për kryetar bashkie, të cilën edhe pse i sëmurë e drejtoi për tri vjet radhë. Gjatë kohës së drejtimit ndërmori një sërë reformash, të cilat lanë gjurmë dhe u bënë traditë dhe pjesë e bashkëjetesës qytetare në Gjirokastër.
I sëmurë rëndë, Bajo Topulli u nda nga jeta në 24 korrik të vitit 1930, në shtëpinë e të vëllait në Sarandë. Një ceremoni lamtumire madhështore u organizua që nga Saranda deri në Gjirokastër. Fjalën e lamtumirës e ka mbajtur Eqrem Çabej, i cili ndër të tjera ka thënë: “Në emër të djalërisë vijnë t’i them Bajo Topullit lamtumirën e fundit. Jo me lot grarie do ta varrosim, se sot nuk është ditë për zi. Ne do ta varrosim si burra, sepse edhe ti, o shpirt bujar, derdhe tërë gazin e jetës për këtë Shqipëri dhe tani, hero re dhe do flesh në këtë tokë që t’i e deshe gjithë jetën më tepër sesa shpirtin”!… / KultPlus.com
Qyteti i Dimalit është bërë pritës i aktivitetit festiv kushtuar trashëgimisë kulturore, ku u shpalosën për pjesëmarrësit traditat, artizanati dhe historia e qytetit.
Pedonalja u ndez nga një festë shumëngjyrëshe ku u ndërthurën këngët popullore, valet e krahinës dhe ekspozitat me punimet artizanale. E veçanta e këtij aktiviteti ishin veshjet tradicionale të zonës të trashëguara brez pas brezi të realizuara nga nxnënësit e shkollave të zonës.
Angazhimi i thuajse të gjithë komunitetit i dha një tjetër dimension festës, duke promovuar trashëgiminë kulturore si një pjesë e pa ndarë e identitetit të qytetit.“Ne ndodhemi në një festë të trashëgimisë kulturore duke prezantuar të gjitha projektet që shkollat kanë prezantuar gjatë gjithë vitit, gjithashtu dhe projektet artizanale në bazë të njësive administrative apo qëndrave artizanale”, tha Albano Kora, organizator.
Organizatorët vlerësuan rëndësinë e këtij aktiviteti, i cili ndërthur traditat e qytetit, të cilat fatkeqësisht po harrohen me kalimin e viteve, transmeton euronews.
“Festa e trashëgimisë kulturore në zemër të Dimalit, ky është një projekt që i cili jetëson jetën e Dimalit, falë projekteve të ndryshme, projekteve rinore të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore janë projekte fantastike të cilat sjellin të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen”, shtoi Vilson Shehu, organizator gjithashtu.
Festa kushtuar trashëgimisë kulturore u mirëprit nga publiku vendas duke dëshmuar lidhjen e fortë të banorëve me historinë dhe traditat e të parëve.
Gazeta prestigjioze amerikane ”New York Times” ka përzgjedhur edhe Dhërmiun ndër destinacionet më të mira turistike globale.
”Një tjetër verë me temperatura përvëluese në të gjithë Evropën i ka nxitur turistët të kërkojnë mënyra krijuese për të mposhtur vapën”, shkruan Gabe Castro-Root për ”New York Times”.
Kur temperaturat rriten ndjeshëm, Akropoli apo maja e Kullës Eiffel ndonjëherë mund të mbyllen, por plazhet janë të hapura dhe në formën e tyre më të mirë.
Mund të vallëzoni gjithë natën në rërë në Shqipëri, të bëni windsurf në Sardenjë ose të bëni ecje në një dunë gjigante në Francë. Ose mund të shijoni ditët e gjata të diellit arktik në Norvegji.
Por, plazhi i Dhërmiut, në Rivierën Shqiptare, tërheq adhuruesit e diellit dhe turistët e shumtë me festivale të shumta muzikore gjatë gjithë verës.
Riviera Shqiptare është vendosur si një alternativë ndaj brigjeve të mbushura me njerëz të Kroacisë dhe Greqisë, falë plazheve si Dhërmiu.
Pak më shumë se një kilometër i gjatë, me shezlongë në dispozicion dhe gjire shkëmbore të izoluara, që shpërndahen në skajin jugor të plazhit, Dhërmiu është gjithashtu një destinacion kryesor për ata që duan të festojnë, pasi zona organizon disa festivale të mëdha muzikore gjatë gjithë verës.
Kajaku dhe zhytja me maskë janë aktivitete të njohura dhe rrënojat e një aeroplani luftarak të epokës sovjetike vetëm disa qindra metra larg bregut të plazhit të afërt të Dhrimadhes janë një atraksion i veçantë për zhytësit.
Shtigjet e ecjes dhe ullishtat në zonë ofrojnë pamje panoramike të detit dhe malet Kerautine, që ngrihen në lindje, janë piktoreske si nga plazhi ashtu edhe gjatë ecjeve përgjatë rrugës dredha-dredha bregdetare./atsh/KultPlus.com
Më 24 korrik 1969, anija kozmike Apollo 11 u kthye me sukses në Tokë, duke përmbyllur misionin e parë historik në të cilin njeriu zbarkoi në Hënë. Pas më shumë se tetë ditësh udhëtim në hapësirë, astronautët Neil Armstrong, Buzz Aldrin dhe Michael Collins u rikthyen të sigurt, duke u ulur në Oqeanin Paqësor, ku u pritën nga forcat amerikane të shpëtimit.
Ky moment kulmoi një nga përpjekjet më të mëdha të njerëzimit dhe u ndoq drejtpërdrejt nga miliona shikues në mbarë botën. Vetëm disa ditë më parë, më 20 korrik, Armstrong kishte hyrë në histori me fjalët e tij ikonike: “Ky është një hap i vogël për njeriun, por një hap gjigant për njerëzimin.
Misioni i Apollo 11 konsiderohet një ndër arritjet më të mëdha shkencore dhe teknologjike të shekullit XX dhe hapi rrugën për misione të tjera në hapësirë. Sot, pas 55 vjetësh, ky sukses mbetet simbol i guximit, bashkëpunimit dhe mundësive të pafundme që ofron shkenca./KultPlus.com
Festivali i njohur i artit dhe muzikës, ZA Fest, do të fillojë sonte në Shkodër dhe do të vazhdojë edhe në datat 25 dhe 26 korrik 2025. Ky festival i veçantë, i krijuar nga artisti i njohur Vlashent Sata, do të sjellë një kombinim të pabesueshëm mes artit modern dhe traditës, duke krijuar një eksperiencë unike për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe kulturës.
Në këtë edicion të nëntë, skena e festivalit është vendosur në disa prej vendeve më ikonike të Shkodrës, përfshirë Kalanë e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, dhe luginën e Thethit, duke ofruar një mjedis magjik për të gjithë ata që do të marrin pjesë. Ky ambient historik do të bashkohet me tingujt e artistëve të njohur dhe do të krijojë një atmosferë të paharrueshme për të gjithë, shkruan KultPlus.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e artistëve të njohur si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj dhe shumë të tjerë. Ky është një lineup i larmishëm dhe i pasur, që do të ofrojë një gamë të gjerë tingujsh dhe energjie për të gjithë të pranishmit.
ZA Fest është një ngjarje që ka fituar popullaritet vit pas viti, duke u shndërruar në një aktivitet kulturor të pashmangshëm, i cili sjell së bashku dashamirësit e artit dhe muzikës në një festë të vërtetë kulturore./KultPlus.com
Një nga objektet më të vjetra dhe më të bukura të arkitekturës tradicionale në kryeqytet, shtëpia e Hyjnilerëve, i është rikthyer shkëlqimit të dikurshëm falë një restaurimi të kujdesshëm nga shteti.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale theksoi rëndësinë historike dhe simbolike që kjo shtëpi ka për qytetin e Prishtinës. “E ruajtur me fanatizëm ndër shekuj nga familja, kjo perlë e arkitekturës tradicionale do të ruhet dhe do të bartet tek brezat e ardhshëm,” u shpreh Çeku, shkruan KultPlus.
Sipas ministrit, për dy dekada trashëgimia kulturore e Prishtinës ishte lënë në harresë dhe rrezikonte shkatërrimin. “Tani, me përkushtim dhe vëmendje të duhur, po i kthejmë kujdesin që e meriton,” shtoi ai.
Pamjet e publikuara tregojnë ndërhyrjen restauruese të bërë me ndjeshmëri dhe respekt ndaj origjinalitetit të objektit, një ndërtesë karakteristike me elementë druri dhe arkitekturë të pasur ballkanike.
Kjo ndërhyrje vjen si pjesë e një procesi më të gjerë të ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore në Kosovë, që përfshin rikonstruksione, restaurime dhe digjitalizime të monumenteve historike në mbarë vendin./KultPlus.Com
“Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal, guximi për të vazhduar përpara ka rëndësi.” – Winston Churchill
“Më mirë të dështosh me origjinalitet, se sa të kesh sukses me imitim.” – Herman Melville
“Rruga te suksesi dhe rruga drejt dështimit janë pothuajse gjithnjë e njëjta.” – Colin Davis
“Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar.” – Henry Thoreau
“Mundësitë nuk ndodhin, ne i krijojmë.” – Chris Grosser
“Mos ki frikë të heqësh dorë nga e mira për të shkuar drejt një të mire më të madhe.” – John Rockefeller
“Kam zbuluar se sa më shumë punoj, aq më shumë fat kam.” – Thomas Jefferson
“Ka dy tipe njerëzish që do të thonë se nuk mund të bësh diferencën në botë: ata që kanë frikë të provojnë dhe ata që kanë frikë nga suksesi jot.” – Ray Goforth
“Njerëzit e suksesshëm bëjnë atë që njerëzit e pasuksesshëm nuk bëjnë. Mos uro që të ishte më e lehtë, uro që ti të ishe më i mirë.” – Jim Rohn
“Mos u bëj një njeri suksesi, bëhu një njeri vlerash.” – Albert Einstein
“Kurrë mos iu ndaj bindjeve të nderit dhe qëllimit të mirë.” – Wiston Churchill
“Boll ndoqe paratë, ndiq pasionin.” – Tony Hsieh
“Sukses do të thotë të kalosh nga dështimi në dështim pa e humbur entuziazmin.” – Winston Churchill
“Kreditet e suksesit tim ia jap këshillës më të mirë.” – GK Chesterton
“Do të të jap një formulë për suksesin? Është e thjeshtë. Dyfisho normën e dështimit. Po mendon për dështimin si armik të suksesit. Por nuk është e gjitha. Mund të dekurajohesh nga dështimi ose të mësosh nga ai, kështu që vazhdo dhe bëj gabimet e tua. Bëj ç’të jetë e mundur. Kështu e gjen suksesin.” – Thomas Uatson
“Nëse nuk do të rrezikosh të zakonshmen, duhet të përshtatesh me të.” – Jim Rohn
“Ata që janë aq të çmendur sa mendojnë se do ndryshojnë botën, ata e bëjnë.” –Anonim
“Bëj çdo ditë një gjë që të frikëson.” – Anonim
“Progresi i vetëm është të dalësh nga zona e rehatisë.” – Muchael Bobak
“Njerëzit që kanë sukses kanë vrull. Sa më shumë arrijnë, aq më shumë duan të arrijnë, dhe aq më shumë e gjejnë mënyrën për të arritur suksesin.” –Tony Robbins
“Mos lër frikën e humbjes të jetë më e madhe se dëshira për të fituar.” – Robert Kuyoaski
“Sukseset më të mëdha nuk ndodhin brenda natës, kërkojnë kohë.” – Steve Jobs
“Testi i vërtetë nuk është si të shmangësh dështimin, sepse s’do mundesh, por si ta përballosh atë.” – Barack Obama
“I vetmi limit për arritjet e së nesërmes, janë dyshimet e së tashmes.” – Franklin Roosvelt
“Karakteri nuk zhvillohet me thjeshtësi, por nëpërmjet përvojës së vuajtjeve dhe gjykimit. Forcohet shpirti, rritet ambicia dhe arrihet suksesi.” – Helen Keller
“E vetmja mënyrë për të filluar është të heqësh dorë nga të folurit dhe të fillosh ta bësh.” – Walt Disney
“Luftëtari i suksesshëm është një njeri mesatar por i fokusuar.” – Bruce Lee
“Nuk ka sekrete për suksesin. Është rezultat i përgatitje, punës së shumtë dhe mësimit nga dështimi.” – Colin Powell
“Suksesi duhet të jetë i lidhur me veprimin. Njerëzit e suksesshëm vazhdojnë të lëvizin. Ata bëjnë gabime por nuk heqin dorë.” – Conrad Hilton
“Nëse me të vërtetë do të bësh diçka do ta gjesh mënyrën. Nëse jo do të gjesh justifikim.” – Jim Rohn
“Nuk mund të të jap formulën e suksesit, por të jap formulën e dështimit që është t’i kënaqësh të gjithë.” – Herbert Suope
“Suksesi nuk është çelësi i lumturisë. Lumturia është çelësi i suksesit. Nëse e do atë që bën atëherë do jesh i suksesshëm.” – Albert Schveitzer
“Suksesi nuk është thjeshtë të arrish në jetën tënde. Por edhe të inspirosh të tjerët t’ia arrijnë”– I panjohur
“Rrëzohu 7 herë e ngrihu 8 herë.” – Proverb japoneze
“Disa njerëz ëndërrojnë për suksesin, ndërsa të tjerët zgjohen dhe punojnë për të.” – I panjohur
“Nëse e ëndërron mund ta arrish.” – Walt Disney
“Ndryshimi mes asaj që je dhe asaj që do është ajo çfarë bën.” – I panjohur
“Një njeri i suksesshëm është ai që ngre një ndërtesë me tullat që hodhën në drejtim të tij.” – David Brinkley
“Për të patur sukses, dëshira për sukses duhet të jetë më e madhe se frika nga humbja.” – Bill Cobsy
“Për të pasur sukses, në fillim duhet të kemi besim se ne mundemi.” – Niko Kazanzaqis
“Shumë nga dështimet në jetë ndodhin nga njerëz që u dorëzuan duke mos ditur se sa pranë suksesit ishin.” – Thomas Edison
“Mos u huto nga kritikat. Kujto që shumë njerëz kanë ecur vetëm për shkak të atyre që e kafshuan.” – Zig Ziglar
“Sekreti i suksesit është ta bësh gjënë e zakonshme në mënyrën më të mirë të mundshme” – Jon Rockefeller
“E di që je në rrugën e suksesit nëse bën punën tënde, dhe nuk pret të paguhesh për të.” – Oprah Winfrey
“Ekziston një forcë e madhe brenda çdo njeriu, që kur lëshohet, mund të bëjë çdo dëshirë, çdo ëndërr realitet.” – Anthony Robbins
“Sekreti i suksesit është të dish atë që askush nuk e di.” – Aristotel Onasssis
“Dështova në mënyrën time për të pasur sukses.” – Thomas Edison
“Asgjë të vlefshme që bëra nuk ishte aksidentalisht, as shpikjet e mia nuk erdhën aksidentalisht. Jo, kur kam vendosur se çfarë rezultati dua, punoj për të deri kur të vijë.” – Thomas Edison
“I vetmi vend ku suksesi vjen përpara punës është vetëm në fjalor.” – Vidal Sassoon
“Vazhdo të ecësh, shanset janë të pengohesh, ndoshta kur nuk e pret. Por nuk kam dëgjuar për një njeri të suksesshëm që të rrëzohet dhe të qëndrojë ulur.” – Charles Kettering/filozofia.al / KultPlus.com
Nuk shtyp, prek lehtazi. Nuk ngallmon, është ngasëse. Nuk është e zgjuar, është e mençur. Nuk miklon, dëften mprehtësisht udhën. Nuk ka ngut, pret dekikën e duhur. Nuk vepron, rrëshqet ngadalë. Nuk fluturon, lëviz dallgë-dallgë. Nuk merakoset për sasinë, pëlqen cilësinë. Nuk shikon, vrojton. Nuk çapitet, shkon e vjen. Nuk mëton, thjesht pëlqen të shijojë. Nuk gjykon, zbërthen. Nuk ngushëllon, ndez zemrën. Nuk kërkon, zgjon ndjesi. Nuk robëron, jep lirì. Nuk josh, magjeps. Nuk është ngulmuese, është përzgjedhëse. Nuk lëshon dritë, është e dritësuar. Nuk pëlqen ta shohin, pëlqen të dëgjohet. Nuk parashikon, rrok me mendje. Nuk flet për seksin, ajo është një mjeshtre në artin e dashurisë. Nuk është e butë, është e epshme. Nuk urdhëron, udhërrëfen. Nuk rilind, është në lulzim të pandërprerë. E s’fundmi një Grua e pjekur është një e tërë e të gjitha bukurive të gjasshme sepse është një Grua.
Kam dashur çdo grua pa masë, Në rrugë, në dhomë e kuzhinë, Madje dhe lart në tarracë, Ku ndejnë rroba e fshijnë. Në zënka s’kam sharë asnjë grua, S’kam shkruar keq në asnjë fletë. Do vdes. Do flasin gratë për mua: “Ky ishte poet i vërtetë”./ KultPlus.com
Tirana, një destinacion i jashtëzakonshëm – për pushime në qytet – që ofron kulturë autentike, peizazhe piktoreske, kuzhinë të shijshme dhe çmime të përballueshme, në zemër të Shqipërisë, sipas “Travel and Tour World” (TTW).
Një thesar i fshehur për turistët me buxhet të kufizuar
Tirana, kryeqyteti i gjallë i Shqipërisë, po fiton shpejt popullaritet në mesin e vizitorëve që duan të eksplorojnë pa shpenzuar shumë.
Ndërsa vendi shpesh vlerësohet për bregdetin e tij mahnitës, ky xhevahir urban i vendosur në zemër të Shqipërisë po vendoset në qendër të vëmendjes.
Ndërsa shumë turistë po bëhen më të kujdesshëm me shpenzimet e tyre dhe kërkojnë përvoja kuptimplote, Tirana ofron një ndërthurje perfekte të kulturës, çmimeve të përballueshme dhe sharmit natyror.
Ripërcaktimi i një udhëtimi miqësor me buxhetin
Ndërsa kostot e udhëtimeve vazhdojnë të rriten në të gjithë botën, shumë turistë po e zhvendosin fokusin e tyre nga pikat tradicionale turistike në qytete më pak të njohura që ofrojnë po aq shumë – por me më pak para.
Një eksperte e udhëtimeve nga Britania e Madhe vizitoi së fundmi Tiranën.
Në vend që të vizitonte qytete të mbipopulluara me çmime marramendëse, ajo eksploroi kryeqytetin shqiptar – i cili ofron akomodim dhe ushqim të përballueshëm.
Vizitorët mund të eksplorojnë kuzhinën tradicionale shqiptare dhe të shijojnë ëmbëlsirat ballkanike për vetëm 45 qindarka.
Një ndërthurje e kulturës dhe kuzhinës
Ajo që e bën Tiranën një vend kaq magjepsës nuk është vetëm çmimi i përballueshëm, por edhe mënyra se si vizitorët njihen me jetën e përditshme autentike, mjedisin e bukur dhe kulturën ushqimore.
I fshehur midis kodrave dhe vargmaleve, ky qytet ofron një arratisje paqësore së bashku me energjinë e gjallë urbane.
Një destinacion i spikatur për adhuruesit e natyrës është Mali i Dajtit, i vendosur jashtë qytetit, i cili ofron ecje fantastike, pamje panoramike dhe një mënyrë të shkëlqyer për të përjetuar bukurinë natyrore të Shqipërisë.
Kultura e kafeneve të kryeqytetit është një tjetër pikë referimi. Rrugët janë të mbushura me vende për t’u ulur në natyrë, ku vendasit pushojnë në diell, pinë kafe dhe bisedojnë me miqtë.
Ndër vendet më të mira për një vakt të shijshëm vendas është “Kernace Zgare Fatosi”, një vend i njohur që ofron qofte të shijshme, bukë të freskët dhe gatime tradicionale me bazë kosi.
Vendasit sugjerojnë ta vizitoni gjatë muzgut, kur mjedisi bëhet vërtet magjik dhe ushqimi është në formën e tij më të mirë.
“Restorant GjinoKastra” shërben pjata tradicionale, për turistët që janë të hapur ndaj përvojave unike kulinare.
Dhe sigurisht, asnjë vizitë në Tiranë nuk do të ishte e plotë pa provuar një filxhan kafe autentike turke.
Megjithatë, udhëtarët duhet të dinë se kafenetë e qytetit janë gjithmonë plot jetë, një shenjë se sa të rëndësishme janë këto kafene në jetën e përditshme.
Eksploroni zemrën e qytetit
Përtej ushqimit, Tirana është e pasur me vende kulturore dhe monumente historike. Vizitorët mund të zbulojnë një ndërthurje të ndikimeve osmane, italiane dhe të epokës socialiste, të gjitha në një vend.
Disa atraksione që duhen vizituar me patjetër përfshijnë:
Sheshi Skënderbej, qendra e qytetit, që mban emrin e heroit kombëtar të Shqipërisë, e rrethuar nga institucione kulturore.
Kalaja e Tiranës ofron një pamje të rrënjëve osmane të qytetit – e shndërruar në një qendër kulturore dhe kulinare.
Pazari i Ri, një treg në ambient të hapur, plot me prodhime të freskëta, produkte të punuara me dorë dhe shije lokale.
Sofra e Ariut – një vend vërtet unik ku vizitorët mund të darkojnë në një mjedis të qetë që i sjell ata afër natyrës dhe jetës së egër.
Këto vende jo vetëm që pasqyrojnë thellësinë e historisë shqiptare, por gjithashtu u lejojnë vizitorëve të lidhen më thellë me mënyrën lokale të jetesës.
Jeta e gjallë e natës
Një nga transformimet më dramatike të Tiranës ka ndodhur në lagjen e Bllokut.
Dikur një zonë e kufizuar për zyrtarët komunistë, tani është lagjja më e gjallë e qytetit, ku ndodhen disa nga baret, restorantet dhe kafenetë më të mira.
Nëse dëshironi të provoni kokteje, birrë artizanale apo thjesht një ekspres të mirë pas darkës, Blloku i ofron me stil dhe shpirt.
Për një mbrëmje më të relaksuar dhe piktoreske, tarraca në “Hotel Xheko Imperial” ofron pamje marramendëse të horizontit të qytetit.
Është vendi i përsosur për t’u çlodhur dhe për të bërë foto të paharrueshme, veçanërisht gjatë perëndimit të diellit.
Kombinimi i flladit të freskët, pijeve dhe pamjeve panoramike e bën atë një vend të preferuar si për vendasit ashtu edhe për vizitorët e huaj.
Tirana, një nga opsionet më të mira në Evropë
Gjithnjë e më shumë, turistët po kërkojnë destinacione që ofrojnë përvoja autentike, mundësi të përballueshme dhe që janë të paprekura nga turizmi masiv – krahasuar me qytetet tradicionale evropiane. Tirana është pikërisht qyteti që i plotëson këto dëshira.
Ndërsa turistët vazhdojnë t’i japin përparësi komoditetit dhe cilësisë – qytete si Tirana ka të ngjarë të gëzojnë një rritje të vazhdueshme të popullaritetit.
Kjo gjithashtu mund të ndihmojë në lehtësimin e barrës së qyteteve të mbipopulluara si Parisi, Roma ose Barcelona, duke lejuar që turizmi të shpërndahet në mënyrë më të barabartë dhe të qëndrueshme, në të gjithë kontinentin.
Në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Meta fshiu deri në 10 milionë llogari, të cilat pretendon se ishin të gjitha për imitim dhe aktivitet spam. Por gjithnjë e më shumë përdorues po pretendojnë se janë shënjestruar pa asnjë arsye.
Më 14 korrik, Facebook njoftoi se dëshiron të “shpërblejë krijuesit origjinalë, jo imituesit”, duke shpjeguar se qëllimi është të pastrojë platformën nga profilet e rreme që paraqiten si autorë të famshëm, si dhe nga ata që përdorin komente dhe aktivitete të rreme për të rritur artificialisht popullaritetin.
Megjithatë, shifrat janë gjigante: 10 milionë profile të fshira, me 500,000 të tjerë me ndalime fitimesh, shtrirje të reduktuar dhe komente të hequra.
Pas njoftimit, mediat sociale u përmbytën me llogari nga përdorues që pretendonin se i kishin humbur llogaritë e tyre – të gjitha pa asnjë bazë. Termi “vala e ndalimit të Meta” u shfaq në Reddit, TikTok dhe rrjetin X, me pretendime se inteligjenca artificiale po i sinjalizonte gabimisht llogaritë reale si shkelëse. Meta konfirmoi se përdor inteligjencën artificiale për të vlerësuar përmbajtjen, por theksoi se nuk kishte prova të gabimeve masive, përveç një problemi teknik që lidhet me grupe të caktuara në Facebook.
Nëse llogaria juaj është me të vërtetë pezulluar ose fshirë, Facebook ju lejon të apeloni brenda 180 ditëve. Platforma deklaron se përdoruesit marrin një njoftim me anë të email-it, si dhe një mesazh kur përpiqen të identifikohen. Megjithatë, ka edhe situata kur një llogari fshihet menjëherë pa paralajmërim, në rast të shkeljeve serioze ose urgjente të rregullave.
Fshirja masive e llogarive ka çuar gjithashtu në shfaqjen e një mashtrimi të ri. Përdoruesit që kërkojnë publikisht ndihmë për llogaritë e humbura shpesh bëhen shënjestra të botëve dhe mashtruesve që paraqiten si “rikuperues” dhe ofrojnë shërbime të rikuperimit të llogarive. Metoda e tyre është gjithmonë e njëjtë: ata kërkojnë qasje në të dhëna, ofrojnë aplikacione të dyshimta ose kërkojnë pagesë.
Meta i paralajmëron përdoruesit të mos klikojnë në lidhjet në mesazhet e dyshimta, por të kontrollojnë mesazhet origjinale në cilësimet e llogarisë së tyre në Facebook. Shkarkimi i aplikacioneve që “ndihmojnë” në rikuperimin e një llogarie pothuajse gjithmonë do të thotë një mashtrim./KultPlus.com
Henrik Johan Ibsen ishte një dramaturg norvegjez dhe drejtor teatri.
Si një nga themeluesit e modernizmit në teatër, Ibsen shpesh quhet “babai i realizmit” dhe një nga dramaturgët më me ndikim të kohës së tij.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura të tij:
“Asnjëherë nuk duhet të vishni pantallonat tuaja më të mira kur dilni për të luftuar për lirinë dhe të vërtetën.”
“Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë.”
“Mendoj se ju nuk do të kundërshtoni faktin se për momentin njerëzit budallenj janë në një shumicë absolutisht dërrmuese në të gjithë botën.”
“E shihni, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm.”
“Ti nuk me ke dashur kurre. Ju keni menduar vetëm se është e këndshme të jesh i dashuruar me mua.”
“Një mijë fjalë nuk lënë të njëjtën përshtypje të thellë si një vepër e vetme.”
“E shihni, ka disa njerëz që dikush i do dhe të tjerë me të cilët ndoshta do të preferonte të ishte me ta.”
“Unë duhet të vendos se kush ka të drejtë – shoqëria apo unë.”
“Burrat më të fortë janë më të vetmuarit.”
“Unë besoj se para çdo gjëje jam një qenie njerëzore e arsyeshme, ashtu si ju-ose, në çdo rast, që duhet të përpiqem dhe të bëhem një.”
“Paraja mund të jetë lëvozhga e shumë gjërave, por jo thelbi. Ju sjell ushqim, por jo oreks; mjekim, por jo shëndet; njohje, por jo miq; shërbëtorë, por jo besnikëri; ditë gëzimi, por jo paqe apo lumturi.”
“Nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga babai dhe nëna jonë që ecën në ne. Janë të gjitha llojet e ideve të vdekura, dhe besimet e vjetra pa jetë, e kështu me radhë. Ato nuk kanë vitalitet, por na ngjiten të gjithë njësoj, dhe ne nuk mund t’i heqim qafe.”
“Opinioni publik është një gjë jashtëzakonisht e ndryshueshme.”
“Me mua mund të ishe një person tjetër.”
“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë mes nesh është shumica kompakte.”
“Kafazoni një shqiponjë dhe do të kafshojë telat, qofshin ato hekuri ose ari.”
“Është çlirim të dish se një akt guximi spontan është ende i mundur në këtë botë. Një akt që ka diçka të bukurisë së pakushtëzuar.”
“Jeta e një personi është një çmimi i rëndë për të paguar që lindëm.”
“Unë jam në revoltë kundër gënjeshtrës shekullore se shumica ka gjithmonë të drejtë.”
“Ka kaq shumë gënjeshtra si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Në shtëpi nuk duhet të flasësh, dhe në shkollë duhet të qëndrojmë dhe t’u themi gënjeshtra fëmijëve.”
“Unë do të rrezikoj gjithçka së bashku me ty.”
“Ka njerëz që i do dhe të tjerë me të cilët të pëlqen të flasësh.”
“Mos më thuaj që hëna po shkëlqen; më trego dritë që shkëlqen në xhamin e thyer.”
“Kushdo që e ka shitur veten për dikë tjetër nuk do ta bëjë përsëri.”
“Njerëzit duan vetëm revolucione të veçanta, në ato të jashtme, në politikë, etj. Por kjo është vetëm ngatërrim. Ajo për të cilën vërtet kërkohet është një revolucion i mendjes njerëzore.”
“Çdo gjë që prek duket se është e destinuar të kthehet në diçka të poshtër dhe farsë.”
“Idhulli i Autoritetit duhet të thyhet në këtë qytet.”
“Shumica gabon gjithmonë; pakica ka rrallë të drejtë.”
“Janë humbjet e vogla në jetë që e prenë zemrën.”
“Burrat janë personazhe qesharakë, ata gjithmonë duhet të kenë diçka për t’i habitur.”
“Ti ke bërë një vend bosh brenda meje; dhe duhet të përpiqem ta mbush me diçka – me diçka që është paksa si dashuria.”
“Mendova se e kuptove se ku e kisha humbur atë që ti e quaje zemrën time në atë kohë.”
“Sado i mjerë të ndihem, dua të zgjas agoninë sa më gjatë që të jetë e mundur. Të gjithë pacientët e mi janë të tillë. Dhe kështu janë ata që janë të sëmurë moralë ..”
“Zot i mirë, njerëzit nuk bëjnë gjëra të tilla!”/ KultPlus.com
Këshilli i Ministrave ngarkoi sot Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për kryerjen e procedurës së prokurimit publik për krijimin e hapësirave të reja për arkivin e Kryeministrisë.
Në njoftimin Këshillit të Ministrave thuhet se në funksion të zbatimit të projektit, Fondi Shqiptar i Zhvillimit ngarkohet të kryejë të gjitha procedurat, sipas legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, duke lidhur edhe kontratën përkatëse, si dhe të ndjekë zbatimin e saj e të projektit përkatës dhe paraqitjen, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, të kërkesave për miratimin e lejeve përkatëse, në funksion të zbatimit të punimeve.
“Kryeministria i vendos në dispozicion Fondit Shqiptar të Zhvillimit të dhënat për specifikimet teknike të projektit”, thuhet në njoftim, ndërsa efektet financiare përballohen nga buxheti i miratuar për Kryeministrinë, për vitin 2025.
Ngarkohet Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./KultPlus.com
Qamili i Vogël – Muhaxhiri është këngëtar shqiptar i muzikës popullore qytetare.
Ai ka lindur në qytetin e Gjakovës në vitin 1923. Pas një frymëzimi nga muzika tiranse, ai së bashku me Ymer Rizën themeluan Shoqëri Kulturo-Artisike anembanë Kosovës, duke dhënë një kontribut të madh për këngën dhe muzikën shqipe.9
Qamili i Vogël ishte këngëtari më emblematik i shek. XX në të gjitha hapsirat shqiptare e më gjërë. Me zërin e tij të ngrohtë lirik të pastër i përvetësoi të gjitha shtresat shoqërore.
Tahir Drenica, Mazllom Mezini, Bajrush Doda, Ismet Peja, Hashim Shala, Nexhmije Pagarusha, janë disa emra me të cilët ai kishte kënduar përgjatë rrugëtimit të tij artistik.
Zëri dhe kontributi i tij në sferën e muzikës shqiptare do të mbeten të paharruara.
Ai vdiq në vitin 1992.
KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën “Maroma nji kafe”:
Maroma nji kafe Dalëngadalë ta pi Se më ka ardhë letra Për me shku n’ushtri
Ani shuj bre djale Çka m’kallxove ti Tash na vjen pranvera Çka do t’baj pa ty
Ushtar unë po shkoj E ty po t’la në shpi Për mall po t’i la Sahat e allti
Për mu kur t’merr malli Ty mor djal i ri Merr shkruma nji letër Pashë dy sytë e mi
Vijnë shoqet e mija ditë për ditë me lu Une dal n’dritare Për ty tuj mendu
Vitet po kalojne Koha s’asht tuj shku E mora nji leter Ty për me ta shkru./ KultPlus.com
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve miratuan dje një vendim që do ta riemërtojë teatrin e operës së qendrës ”Kennedy” për Artet Performuese sipas emrit të Zonjës së Parë, Melania Trump, në ndërkohë që presidenti Trump dhe aleatët e tij rrisin ndikimin e tyre mbi institucionin kulturor të Uashingtonit, sipas cbsnews.com.
Riemërtimi i propozuar u përfshi në një amendament të një projektligji që do të përcaktonte nivelet e financimit për vitin fiskal 2026 për Departamentin e Brendshëm dhe disa agjenci të tjera federale, përfshirë qendrën ”Kennedy”.
Amendamenti – dhe vetë projektligji – u miratuan nga Komiteti i Buxhetit të Dhomës së Përfaqësuesve në një seancë dëgjimore.
Riemërtimi u hartua nga përfaqësuesi republikan, Mike Simpson i Idaho-s, i cili vuri në dukje rolin e Zonjës së Parë si kryetare nderi e bordit të qendrës ”Kennedy”.
”Riemërtimi nuk u kërkua nga administrata Trump”, tha për CBS News në një email drejtoresha e komunikimit të Simpson, Lexi Hamel.
“Emërtimi i një teatri sipas saj është një mënyrë e shkëlqyer për të njohur vlerësimin e saj për artet”, shkroi Simpson, e cila kryeson Nënkomitetin e Brendshëm, Mjedisit dhe Agjencive të Lidhura të Komitetit të Buxhetit.
Demokratja kryesore e nënkomisionit, përfaqësuesja Chellie Pingree e Maine, kritikoi idenë e riemërtimit në seancën dëgjimore të së martës dhe tha se u habit kur mësoi për këtë.
“Republikanët, mendoj, futën fshehurazi diçka që është paksa përçarëse, që është riemërtimi i një pjese të qendrës ‘Kennedy’ sipas një anëtari të familjes së kësaj administrate”, tha ajo.
CBS News i është drejtuar Shtëpisë së Bardhë për koment./KultPlus.com
Shpirti im mbylli sytë avash avash siç fundosesh në ujë zhytu në gjumë lakuriq dhe veshur me të bardha më e bukura ëndërr do të të presë shpirti im mbylli sytë avash avash përhumbu, si në harkun e krahëve të mi në gjumin tënd mos më harro mbylli sytë dalëngadalë sytë e tu të kaftë ku digjet një flakë e gjelbër shpirti im./ KultPlus.com
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur programin e këmbimit të materialeve bibliotekare me Bibliotekën e Kongresit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky program përfaqëson më shumë se një shkëmbim librash. Ai nënkupton njohje ndërkombëtare për autorët, studiuesit dhe botuesit tanë, si dhe mundësi të reja për hulumtim, qarkullim dhe bashkëpunim në nivel global.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi të ri dhe me rëndësi të veçantë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka pranuar titujt e parë nga Biblioteka e Kongresit disa ditë më parë, duke shënuar një moment historik në rrugëtimin e saj.
Aktualisht, Biblioteka është duke përzgjedhur dhe përgatitur dërgesën e saj të parë me botime nga Kosova, të cilat do të bëhen pjesë e fondit të Bibliotekës së Kongresit në Shtetet e Bashkuara. Këta tituj përfaqësojnë me dinjitet pasurinë tonë letrare, shkencore dhe kulturore.
Të qenët pjesë e koleksioneve të një biblioteke me reputacion botëror është një dëshmi e vlerës së botimeve tona dhe një kontribut i çmuar në ndërlidhjen kulturore mes vendeve./KultPlus.com
Më 23 korrik, kujtojmë lindjen e një prej aktorëve më të veçantë dhe të respektuar të kinemasë moderne, Philip Seymour Hoffman, i lindur në vitin 1967.
Edhe pse u nda nga jeta shumë herët në vitin 2014, në moshën 46-vjeçare, trashëgimia e tij artistike vijon të jetojë përmes roleve të tij të jashtëzakonshme dhe ndikimit të thellë që pati në botën e filmit.
Philip Seymour Hoffman u dallua që në fillimet e tij për aftësinë për t’u zhytur thellë në psikologjinë e personazheve që interpretonte. Ai nuk luante thjesht role, i jetonte ato. Qoftë në rolet dytësore apo protagonist, ai i jepte gjithmonë nuanca njerëzore personazheve të tij, transmeton KultPlus.
Në vitin 2005, Hoffman fitoi Çmimin Oscar për Aktorin më të Mirë për interpretimin e Truman Capote në filmin “Capote”. Me një qasje të thellë, të ndërtuar mbi studim intensiv dhe empati, ai e shndërroi këtë rol në një prej performancave më të lavdëruara të dekadës.
Pavarësisht ndarjes së tij të hershme nga jeta, kontributi i tij në artin e interpretimit është i pakrahasueshëm. Çdo rol i tij, nga më të mëdhenjtë deri te më të vegjlit, ishte një dëshmi e përkushtimit të tij ndaj artit dhe të vërtetës njerëzore.
Figura e Philip Seymour Hoffman, mbetet në kujtesë jo vetëm si një aktor brilant, por një njeri që dinte të shihte brenda shpirtit të një karakteri. Philip Seymour Hoffman, mbetet një shembull frymëzues për aktorët e rinj dhe një figurë e paharrueshme për publikun e kinemasë botërore./KultPlus.com
Mbrëmë, Opera dhe Baleti Kombëtar i Kosovës kanë sjellë premierë një ndër operat më të njohura botërore, “Carmen” të Georges Bizet, duke e dëshmuar edhe një herë magjinë e veprës, e cila vazhdon të luhet në teatro me po të njejtën dinamikë që nga viti i largët 1845. E karakterizuar nga elemente të dashurisë obsesive, pasionit, lirisë dhe xhelozisë, historia e “Carmen” që zë fill në një ngjarje tragjike të shekullit XIX në Spanjë, ka ngritur edhe një shkallë më lartë institucionin e Operës së Kosovës, përmes një brumi dhe kapaciteti të lartë artistik.
“Carmen” është personazhi kryesor i operës, një cigane e bukur, e fortë, sfiduese dhe rebele. Karakteri i saj unik e shëndrron atë në një grua të adhuruar nga burrat. Fatet dhe loja e personazheve të tjera të operës sillet rreth sjelljeve dhe rolit të saj, i cili e shëndrron atë në simbol të lirisë, pasionit dhe rebelimit. Refuzimi i saj për të qenë e nënshtruar sjell deri te fundi i saj tragjik, ku i dashuri Don Jose nga inati dhe xhelozia e vret në fund me thikë. Ajo vdes duke e ruajtur lirinë e saj, dhe kështu përjetësohet në një personazh të veçantë operistik “Carmen”, i cili vazhdon të magjeps edhe sot në çdo paraqitje të saj.
Një shije të veçantë artistike, për herë të parë pati rastin të përjetojë edhe publiku i kryeqytetit, përmes institucionit më të ri, të krijuar në vend. E ndarë në katër akte, opera “Carmen” mbrëmë ka nisur brilancën e saj përmes melodisë dhe atmosferës së hatashme të krijuar nga profesionistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e dirigjentit Peter Valentovic. Çdo notë e veprës shënonte një harmoni gati perfekte të realizuar nga muzicientët, të cilët talentin e tyre e shkrinin në një mjeshtëri të jashtëzakonshme për artin e muzikës, e cila në prapavijë i ndiqte edhe ngjarjet e veprës së famshme.
Skena e madhe e “Carmen” e cila erdhi në bashkëpunim me profesionistët e jashtëzakonshëm të Baletit Kombëtar të Kosovës, ka dhuruar pamje të paharrueshme përmes talentit të solistëve, personazheve, korit dhe orkestrës të cilët me magnetizmin e tyre të përthithnin në spektakël, edhe përkundër kushteve aspak adekuate të sallës plotë vapë dhe parregullsi të tjera. Por, megjithatë kjo operë botërore u mundësua falë mjeshtërisë dhe talenit të protagonistëve: Migena Kamenica (Carmen), Carlos Cardoso (Don Jose), Zana Abazi Ramadani (Milaëla), Vitaliy Bilyy (Escamillo), Urata Haziraj (Frasquita), Elonë Sadiku (Mercedës), Shaban Behramaj (Zuniga), Harris Bajraktari (Morales), Ismet Vejseli (Le Dancaire) dhe Rizah Jahaj (Le Remendado).
Akti i parë nis të zhvillohet në sheshin para fabrikës së cigareve në Sevilje të Spanjës, ku ushtarët dhe kalimtarët shijojnë jetën e përditshme. Një gjallëri e energjisë interpretuese vjen kur skenës i bashkangjiten fëmijët të cilët luajnë si ushtarë duke ‘imituar’ rojen e vendit. Në këtë jetë plotë gjallëri shfaqet Micaëla (Zana Abazi Ramadani), ku përmes një paraqitjeje të jashtëzakonshme sopranoja i jep jetë rolit të vajzës së ndershme nga fshati që kërkon Don Jose-në, personazhin kryesor mashkull, një djalë elegant dhe ushtarak i zoti, për t’i dhënë letrën dhe puthjen që nëna e tij e kishte porositur.
Ngjarja plotësohet kur gratë dalin nga fabrika për pushim dhe në mes të tyre hyn Carmen (Vikena Kamenica) duke e shkrirë zërin e saj në arien e famshme “L’amour est un oiseau rebelle”. Burrat të joshur nga bukuria e saj kërkojnë nga ajo të zgjedh njërin prej tyre. Pas shumë lëvizjeve sensuale dhe me takt, të cilat mezzo-sopranoja i ka integruar në krakterin e saj në 20 vite mjeshtëri të interpretimit të këtij roli, sytë i ndalen te Don Jose (Carlos Cardoso), duke shprehur qartë dashurinë e saj për të. Kjo skenë pasohet nga një incident, kur Carmen kjo vajzë rebele sulmon njërën nga gratë me thikë dhe më pas arrestohet. Pas arrestit, përmes bukurisë, lojës dhe vallëzimit të saj e bind Don Jose-në për të ia zgjidhur duart, duke lejuar që ajo të arratiset, por duke e tradhtuar detyrën dhe misionin e tij.
Akti i dytë i operës e zhvendos rrjedhën e ngjarjes në në një mjedis të errët, në botën e kontrabandistëve. Në një tavernë, ku shfaqen ciganët dhe kontrabandistët hynë në skenë Escamillo (Vitaliy Bilyy), një toreador i famshëm që tregon interes për Carmenin, e cila po e priste Don Jose-në. Escamilo, një artist me një zë që e bënte krenarë dhe një pamje prej fisniku përfaqëson një rival të fuqishëm të Don Jose-së, i cili nga një ushtarak i devotshëm nis të marrë elemente të rolit negativ. Me ardhjen e Don Jose-së, Carmeni i kërkon atij të bëhej kontrabandist, gjë të cilën ai e kundërshton fillimisht, për ta pranuar pak më vonë.
Akti i tretë zhvillohet në mal, kur në marrëdhënien e Carmen dhe Don Jose-së ndodhin krisjet e para. Ajo shfaqet shumë e ftohtë emocionalisht dhe e lodhur nga ai, duke i thënë se dashuria për të ka mbaruar, përderisa ai shfaqet i inatosur duke u bërë gjithnjë e më shumë xheloz. Në skenë shfaqen edhe Frasquita (Urata Haziraj) dhe Mercédès ( Elonë Sadiku) duke parashikuar fatin e tyre me karta. Carmen i bashkohet lojës dhe habitet nga ajo që sheh. Ato e parashikojnë vdekjen e saj, e më pas të José-së. Letra që tregon tragjedi përsëritet disa herë në parashikimin e saj. Ndërsa, Micaëla shfaqet për ta ruajtur Don Jose-në nga Carmen, duke e bindur për tu kthyer në shtëpi, pasi nëna e tij është në prag të vdekjes. Në këtë akt rritet tensioni dramatik drejt fatit tragjik.
Akti i katërt shfaq kulminacionin e operës, e cila përfundon me tragjedi. Akti nis me një atmosferë festive, në të cilën shfaqet Escamillo, i cili pritet nga populli si një hero. Në skenë pranë tij shfaqet edhe Carmen jashtëzakonisht e dashuruar pas figurës së tij. Shoqet e saj Frasquita dhe Mercedes i tregojnë Carmen se Don Jose gjendej në turmë duke e vëzhguar atë. Pas pak Carmen mbetet me Don Jose, ku ai i lutet asaj që t’i kthehet. Ajo e refuzon. Pas xhelozisë dhe inatit kur ajo i thotë se e dashuron Escamillon, Carmen në fund të operës vritet me thikë. Kjo skenë njëkohësisht shënon shkatërrimin e Don Jose-së. Pas një pasioni të verbër, nga një njeri i zakonshëm, ai përfundon në vrasës.
Shfaqja në fund u pasua me duartrokitje të gjata për disa minuta rresht, gjë e cila tregonte për përjetimet e publikut dhe afirmimin se ngjarja iu kishte lënë vërtetë mbresa.
Shfaqja “Carmen” e Georges Bizet kishte qenë emocionuese edhe për vetë solisten Vikena Kamenica, e cila këtë mbrëmje mbi supe ka mbajtur peshën e rolit kryesor.
“Është shumë emocion, fillimisht që për herë të parë jam pjesë e Operës së Kosovës. Është një emocion i mbartur, duke pretenduar që kjo gjë duhej të ndodhte shumë më parë, ashtu siç themi gjithmonë edhe për teatrin e operës, që të bëhet sa më shpejtë. Normalisht, kultura arti, artistët e këtij vendi e meritojnë kaq shumë një teatër të operas, e pse jo edhe artistët nga Shqipëria, për të bërë shkëmbime të bukura, profesionale, me shumë dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin. Ishte shumë emocion, një opera e madhe, kisha një kryerol, por për mua nuk kjo nuk ishte hera e parë. Ka 20-vite që e luaj këtë rol. Por emocionet që i përjetova këtu më duket sikur e kam luajtur për herë të parë. Jam ndier shumë mirë nga pritja e publikut. Ndihem shumë e emocionuar, ndjeva lot që më rrjedhnin. Kam marr një nga grimcat e bukura, që në karrierën time shënon një emocion dhe lumuri të veçantë për këtë përformancë të parë” ka thënë Kamenica, karakteri i së cilës nuk dallon shumë nga ai i të fuqishmes “Carmen”.
“Karmen nuk është se më del dhe shumë nga vetja, e jetoj po njësoj lirinë, e jetoj po njësoj rebelizmin. Kështuqë i jetoj vërtetë të gjitha ngjyrat që një grua duhet t’i ketë për të jetuar jetën dhe për ta shijuar ashtu siç duhet. Normalisht është një fund tragjik, dhe i përketë një epoke tjetër, edhe pse edhe në ditët e sotme ndodhin gjëra të tilla, këtë se mohojmë dot. E kam jetuar me një natyralitet dhe i kam shijuar me të vërtetë vlerat e gjithëë kolegëve të mi, vlerat e këtij institucioni që po ngritet. Kështu që kam shijuar çdo gjë të bukur që kjo vepër të ofron. Pres që audienca të merr emocionin. Emocionin real, të pastër pa asnjë lloj filtri, gjë të cilën unë e bëj gjithmonë kur dal në skenë. Unë harroj të këndoj, është emocioni ai që mua më përshkon të tërën”, ka thënë ajo.
E emocionuar pas një përvoje të jashtzakonshme, Zana Abazi Ramadani ka bërë apel për ndërtimin e një shtëpie operistike, ku artistët të kenë mundësi të tregojnë talentin e tyre në kushte adekuate.
“Ku ka më mirë se të interpretosh në vendin tënd. Së pari dua të falënderoj institucionin e operës që më kanë besuar këtë rol dhe më është dhënë mundësia që të interpretoj, megjithëse me institucionin e operës nuk është hera e parë që bashkëpunoj. Por, kësaj here është në një tjetër formë. Ishin emocione të një pasnjëshme. Pas aries mu mbushën sytë me lot, sepse aria është shumë domethënëse dhe shumë prekëse. Faktikisht shumë gra edhe në këtë kohë mund ta gjejnë vetveten. Micaëla lufton për dashurinë e Don Jose, mundohet ta kthej në rrugë të duhur. Sot e asaj dite edhe në këto rrethana ka gra që e bëjnë të njejtën gjë. Ishte një emocion i pa përshkruar. Shpresoj që sa më shpejt do të bëhet diçka për këtë institucion, të bëhet një shtëpi operistike sepse në këtë vapë nuk janë kushtet adekuate për të interpretuar, duke e ditur se veshjet ishin jo të përshtatshme për këtë muaj. Por ia dolëm”, ka thënë sopranoja Abazi Ramadani.
Ndërsa, anëtarja e bordit drejtues të Operës, Rreze Breznica ka thënë se ndihej e lumtur që përkundër kushteve jo adekuate kanë arritur të sjellin në skenë një nga operat më të njohura në botë.
“Kur je pjesë e një organizimi të tillë, sidomos e një produksioni siç është Opera “Carmen”, nuk ndodh që gjatë rrugës, e në fakt as gjatë performancës të mos arrish të kënaqesh apo të përjetosh ngjarjen, ashtu siç ndodh me audiencën. Megjithatë ky produksion më mori shumë me vete. Besoj që ishte i suksesshëm dhe kjo gjë është vërejtur edhe nga vetë përshtypjet e audiencës. Është definitivisht nga tre produksionet e mëdha që i kemi realizuar. Mendoj që nga organizimi e deri te performanca e sotme ishte një nga produksionet më mirë të realizuara. Në fakt, kjo edhe pritej nga ne si institucion i Operës së Kosovës, sepse rrugës ne po zhvillohemi së bashku, institucioni dhe ne që jemi pjesë e tij”, ka thënë Breznica, duke i potencuar edhe aspektet sfiduese të realizimit të një ngjarjeje të tillë.
“Mungesa e shtëpisë operistike është sfida më e madhe. Është sfiduese, ka probleme të jashtëzakonshme, jo vetëm infrastrukturore por edhe në problematikat teknike. Është e vështirë, por vetëm me pasion, dashuri dhe shumë përkushtim ne arrijmë. Andaj, jo rastësisht secilin prej produksioneve të cilat i realizojmë ne i konsiderojmë si fitore me të mirat dhe të metat që mund t’i kenë ato”, ka përfunduar Breznica.
Shfaqja “Carmen” do të jepet edhe më 24 korrik, në ora 20:30 në ambientet e AMC Hall. /KultPlus.com
Shërbimi i videove YouTube ka njoftuar ndryshime të rëndësishme sa i përket kufizimeve të moshës për transmetimet e drejtpërdrejta në platformë.
Duke filluar nga data 22 korrik, krijuesit e përmbajtjes duhet të jenë të paktën 16 vjeç për të transmetuar në YouTube pa praninë apo mbikëqyrjen e një të rrituri.
Deri tani, rregullat kërkonin që fëmijët nën 13 vjeç të shoqëroheshin nga një i rritur nëse donin të realizonin video live. Por sipas ndryshimeve të reja, kjo masë do të zgjerohet dhe do të përfshijë të gjithë përdoruesit nga mosha 13 deri në 15 vjeç, raportojnë mediat ndërkombëtare.
YouTube gjithashtu paralajmëron se pas 22 korrikut, nëse një krijues nën 16 vjeç përpiqet të transmetojë pa një të rritur të pranishëm, funksione si biseda e drejtpërdrejtë do të çaktivizohen, ndërsa pjesa tjetër e funksionaliteteve do të bllokohet përkohësisht. Transmetimet që nuk përputhen me rregullat e reja do të hiqen nga platforma, transmeton KultPlus.
Për të vazhduar transmetimet, përdoruesit nën 16 vjeç mund t’i japin një të rrituri qasje në kanalin e tyre duke e emëruar atë si redaktor, menaxher apo pronar. Kjo do t’i lejojë të transmetojnë përmes një llogarie të lidhur me kanalin zyrtar, duke shmangur kështu shkeljen e rregullave të reja. Më parë, ky proces duhej bërë përmes opsionit Live Control Room.
Gjithashtu, YouTube thekson se të rriturit që bashkëkrijojnë përmbajtje me krijues më të rinj se 16 vjeç duhet të jenë qartësisht të pranishëm gjatë transmetimit dhe të marrin pjesë në mënyrë aktive dhe të barabartë në video live./KultPlus.com
ChatGPT merr 2.5 miliardë kërkesa nga përdoruesit globalë çdo ditë, tha OpenAI.
Rreth 330 milionë prej tyre vijnë nga përdorues në SHBA, shkruajnë mediat e huaja.
Këto shifra tregojnë se sa i kudondodhur po bëhet produkti kryesor i OpenAI.
Kompania mëmë e Google, Alphabet, nuk publikon të dhëna të përditshme kërkimi, por kohët e fundit zbuloi se Google merr 5 trilionë kërkesa në vit, që mesatarisht është pak më pak se 14 miliardë kërkime ditore.
Hulumtuesit e pavarur kanë gjetur trende të ngjashme.
Neil Patel i NP Digital vlerëson se Google merr 13.7 miliardë kërkime çdo ditë, ndërsa hulumtimi nga SparkToro dhe Datos – dy kompani të marketingut dixhital – vlerëson se shifra është rreth 16.4 miliardë në ditë.
Megjithatë, ChatGPT ka treguar një rritje mbresëlënëse të shpejtë.
Në dhjetor, CEO i OpenAI, Sam Altman, tha se përdoruesit dërgojnë mbi 1 miliard kërkesa në ChatGPT çdo ditë.
Sipas fjalëve të Altman, vëllimi i kërkimit të kompanisë është më shumë se dyfishuar në rreth tetë muaj./KultPlus.com
Më 27 dhe 28 korrik, 2025 në Prishtinë vjen premierë shfaqja teatrale “KUJTIME NGA LUMI” – shokut tim Mance, me regji dhe dramaturgji nga Zana Hoxha. Kjo vepër e ndjeshme sjell një rrëfim personal dhe përmes kujtimeve të një miqësie të fëmijërisë që sfidon normat tradicionale dhe stigmat shoqërore.
Në brigjet e një lumi që dikur ishte vend loje, ëndrrash dhe sekretesh, sot mblidhen kujtime, trauma dhe pyetje që s’kanë marrë përgjigje. Kujtime nga Lumi sjell një udhëtim të brendshëm përmes jetëve të dy të rinjve, Hana dhe Mance, të cilët përballen me peshën e pritshmërive shoqërore, krizën e identitetit dhe betejat e padukshme të shëndetit mendor.
Shfaqja do të jepet tek Fontana e Pallatit të Rinisë dhe Burgu i Idealit në Prishtinë.
Shfaqja është pjesë e projektit UNMASC! Promovimi i Drejtësisë Gjinore Përmes Teatrit të Angazhuar Socialisht, i mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Frieda./KultPlus.com