Nuk dua trëndafila, deri sa t’ketë trëndafila. I dua veç kur nuk mund t’i kem ato. Çfarë të bëj me gjëra të tilla, që mund t’i mbledhë kushdo?
E dua natën veç pse agu e hollon dritën në ar dhe në blu. Ajo që shpirti im e injoron është ajo që do të doja ta kisha këtu.
Pse? Nëse do ta dija s’do të shkruaja kot vargje për të thënë atë që akoma nuk e di. E kam shpirtin të shkretë dhe të ftohtë… Ah me çfarë lëmoshe ta ngroh tani?…
Më 9 tetor 1940 lindi në Liverpul një djalë që më pas u bë një legjendë, John Lennon. Yoko Ono dhe ish-“The Beatles” u takuan për herë të parë gjatë një performance të Ono në “Indica Gallery” në Londër, më 9 nëntor 1966. Nisën të frekuentohen dy vjet më vonë. Kjo letër është një dëshmi e vyer e dashurisë së tyre.
“Në 10 vjetët e fundit kemi arritur të kuptojmë se çdo gjë që dëshironim ishte e përkohshme, e mirë apo e keqe, në një mënyrë apo në një tjetër. Vazhduam t’i thoshim njëri-tjetrit se në një nga këto ditë duhet të organizoheshim dhe të dëshironim vetëm gjëra të mira. Më pas lindi fëmija ynë. Ishim shumë të lumtur dhe në të njëjtën kohë ndiheshim shumë përgjegjës. Tani dëshirat tona do të ndikonin edhe mbi të. E ndjemë se kishte ardhur koha mos të debatonim më, por të rishikonim mekanizmat tona të dëshirave, duhej të bënim pastrim me themel në mendjen tonë. Ishte një detyrë e madhe.
Rastiste të gjenim në dollapin e madh të mendjes sonë gjëra që nuk e dinim që i kishim. Duke bërë pastrime, nisëm të vinim re shumë gjëra që nuk rrinin mirë në shtëpinë tonë. Ishte një raft që as nuk duhej të ishte aty fare; një tablo që kishte filluar mos të na pëlqente dhe ishin dy dhoma të zymta që u shndërruan në plot dritë e ajër kur hodhëm poshtë murin që i ndante. Nisëm të pëlqenim bimët dhe të mendosh që në fillim ishim të bindur se ato na vidhnin ajrin. Nisëm të vlerësonim ritmin e shfrenuar të qytetit që zakonisht na bezdiste. Bënim shumë gabime dhe ende bëjmë. Në të shkuarën kemi harxhuar shumë energji për të kërkuar diçka që mendonim se e donim, na kërkonin që të rrezikonim për ta pasur, për të zbuluar më pas që s’e donim fare. Një ditë morëm një rrebesh shiu çokollatash nga njerëz nga e gjithë bota. “Çfarë janë këto gjëra? Ne nuk hamë gjëra të ëmbla. Kush i ka kërkuar”? Sa kemi qeshur! Zbuluam se kur të dy dëshironim një gjë njëkohësisht, realizohej më shpejt.
Filluam gjithnjë e më shumë të dëshironim dhe të luteshim. Gjërat që i kishim dëshiruar në të shkuarën, duke bërë shenjën e paqes, tani i kërkojmë përmes dëshirave. Nuk e bëjmë më sepse kështu është më thjesht. Të dëshirosh është më efikase se të valëvitësh flamuj. Funksionon. Është si magji. Magjia është e thjeshtë, është reale. Sekreti është ta dish që është e thjeshtë dhe jo ta vrasësh me rituale të përpunuara që janë shenjë pasigurie. Kur dikush është i inatosur me ne, i pikturojmë në mendjen tonë një aureolë përreth kokës. Dhe ai ndryshon qëndrim? Epo, s’i dihet. Por, dimë se kur ia vizatojmë aureolën befas na ngjason me një engjëll. Kjo na ndihmon të kemi ndjenja për njerëzit, të kujtojmë se secili ka një mirësi brenda vetes dhe se të gjithë ata që vijnë te ne janë engjëj të maskuar që na sjellin dhurata e mesazhe nga universi. Magjia është logjike. Provojeni ndonjëherë!
Kemi ende shumë rrugë për të bërë. Me sa duket, sa më shumë pastrime bëjmë aq më shpejt funksionon procesi i të dëshiruarit dhe marrjes. Shtëpia tani është bërë shumë e rehatshme. Sean është i mrekullueshëm. Bimët rriten. Macet përkëdhelen. Qyteti shkëlqen, qoftë diell, shi apo dëborë. Jetojmë në një univers shumë të bukur.
Çdo ditë jemi mirënjohës për plotësinë e jetës sonë. Nuk është eufemizëm. E dimë se qyteti, shteti dhe bota po përballen me kohë të vështira dhe mbretëron terrori. Por dielli ende shkëlqen, ne jemi ende bashkë dhe mes nesh mbizotëron dashuria. Po ashtu edhe në qytetin tonë, në vendin tonë dhe në botë. Nëse dy persona si ne jetojnë jetën e tyre siç bëjmë dhe ne çdo mrekulli është e mundur. Është e vërtetë, në këto momente do të bënte punë një mrekulli shumë e madhe. Dua të them, ta vlerësosh kur të ndodh dhe të jesh mirënjohës. Fillimisht manifestohen në formë të reduktuar, në përditshmëri, por më pas rrjedhin si lumenj e oqeane.
Gjithçka do të shkojë mirë! E ardhmja e botës është në duart e të gjithëve ne!
Edicionin e tij të shtatë, projekti magjik i Prishtinës “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë ‘KultPlus’, e që sjell artistët më të suksesshëm shqiptarë nëpër botë, mbrëmë e shënoi me një interpretim dhe bashkëbisedim të ngrohtë e intim nga balerini i njohur shqiptar, Eno Peçi. Si fluturimi i një dallëndysheje të brishtë, ka qenë interpretimi që ka dhuruar ai mbrëmë dhe rrëfimi i tij jetësor mbushur me elemente patriotike ka qenë diçka që ka mbushur zemrat e të pranishmëve deri në skutat e fundit, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet perlave shqiptare dhe ato të huaja, këndshëm të përzgjedhura në një mënyrë të përsosur, mbrëmja ka kulmuar me interpretimin e balerinit Peçi. Në linjat e fytyrës së tij shihej një pasion, një dashuri që s’mund të përshkruhet. Këmbët e tij preknin shpesh tokën, edhe gjatë kërcimit por edhe gjatë rrëfimit të tij. Talenti i tij ishte i spikatur qysh si fëmijë teksa mëngjesi e darka e kanë gjetur atë duke vallëzuar, dhe mirë që ka ndodhur pikërisht ajo. Tanimë ne mund ta përjetojmë magjinë e tij, talentin, dhuntinë e pastër si loti, nëpërmjet krijimeve të tij por edhe interpretimeve. Ai mbrëmë për herë të parë ka ardhur në rolin interpretues në Kosovë, dhe e gjitha kjo falë punës së gazetës ‘KultPlus’, nëpërmjet projektit “Ta zbardhi ftyrën”, që vjen si projekt serioz dhe arrin të krijojë mbrëmje magjike që çelin si lule në pranverë.
E gjithë salla jehonte me duartrokitje të kohëpaskohshme të publikut. E kjo shënohej nga rrjedha që merrte rrëfimi i jetës së Peçit, që nga fëmijëria e deri më sot. Teksa fliste, dukej qartazi që ai frymon për të bukurën e baletit dhe skena për të është një parajsë të cilën ai e prek çdo herë. Audienca përjetoi një mbrëmje të rrallë ku interpretimi nga shqiptarët e suksesshëm në botë ka ardhur si diçka unike dhe tejet e nevojshme për kulturën e vendit.
Salla brenda Teatrit Oda në Prishtinë ka mirëpritur një numër tejet të madh të të pranishmëve që enkas kanë ardhur për të dëgjuar rrëfimin dhe interpretimin e balerinit Peçi.
Fytyra të reja, njerëz të moshuar dhe mosha nga më të ndryshmet, kanë mbushur hapësirën qosh më qosh. Dalja në skenë e artistit Peçi ka qenë diçka që mezi prisnin të ndodhte. Të pranishmit kanë përjetuar një mbrëmje të paharrueshme, duke marr parasysh edhe ambientin e ngrohtë të krijuar nga ngrohtësia e dy llambave në dy skajet e karrigeve dhe reflektorët që binin poshtë skenës për të potencuar magjinë e interpretimit.
Teksa ora po shënonte 20:00, duartrokitjet e shumta zënë vendin për të hapur këtë mbrëmje që u transmetua drejtpërdrejt në Radio Televizionin e Kosovës. Padurimi për të parë sa më shpejt balerinin në skenë, qe e lartë, dhe kjo më së miri vërehej në sytë e çdokujt që lëvizte kokën majtas e djathtas.
Moderatorja, Fëllënza Çitaku, qe ajo që bëri hapjen e kësaj mbrëmjeje mbushur plot shkëlqim e magji.
“Të nderuar të pranishëm, mirë se vini në edicionin e shtatë të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, një ndër mbrëmjet artistike më të dashura në vend, e që këtë vit, sikurse vitet e kaluara, vjen nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë, KultPlus. Përveç audiencës në sallë, këtë mbrëmje artistike do të kenë mundësi të gjithë ta ndjekin në shtëpitë e tyre në RTK. ‘Ta zbardhi ftyrën’ është formati që na sjellë figurat më të mëdha shqiptare që shkëlqejnë nëpër botë dhe po atë shkëlqim e zbresin në Kosovë, për të ndarë me ne sakrificën, suksesin, dëshpërimin, zhgënjimin e triumfin, pra copëza që e ndërtojnë një artist ndër vite. Këtë vit, në këtë edicion është zgjedhur balerini i njohur, Eno Peçi, i cili është një figurë e çmuar për kulturën tonë. Me punën dhe angazhimin e tij, ai ka performuar në skena të mëdha të teatrove, herë si balerin e si koreograf. Një ngjitje skenike të cilën shpesh e kujtojmë është performanca e tij në koncertin e Filharmonisë së Vjenës, koncert ky festiv i Vitit të Ri, që shpesh e përcjellim edhe ne në Kosovë. Balerini Peçi bart primatin si balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin prestigjioz në Vjenë. Për herë të parë, Enon e kemi rastin ta shohim në skenën e Kosovës me performancë skenike, duke kujtuar se i njëjti ka realizuar koreografi për Baletin Kombëtar të Kosovës. Pra, ‘Ta zbardhi ftyrën’ ka sjell emrat më të spikatur, dhe këtë prurje, me angazhimin, besimin e përgjegjësinë, ka arritur ta bëj të mundur Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e gazetës KultPlus”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, hapjen zyrtare të edicionit të shtatë të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” e nisi drejtoresha e gazetës online për art dhe kulturë KultPlus, Ardianë Pajaziti, e cila ka shprehë falënderimin e saj për prezencën e Enos, duke bëre thirrje që krijimi i skenës së Operës të kalojë në një gjendje më serioze.
“Ky projekt për mua është një mishërim dhe është një kënaqësi shumë e madhe që ta organizojmë këtë mbrëmje tash e shtatë vite, duke sjellë figurat më të rëndësishme të kulturës tonë që veprojnë në shtete të ndryshme të Evropës dhe jo vetëm. Sivjet jemi të privilegjuar që ta kemi balerinin Eno Peçi, i cili më ka mahnitë që nga momenti i parë kur nisëm diskutimet për këtë mbrëmje e deri në fund. Më ka mahnitë me modestinë e tij dhe ai është patjetër një shembull i mirë i cili do të duhej të jetë patjetër një model për ne. Njerëzit sa më shumë që po i prekin skenat e mëdha dhe po e shijojnë shkëlqimin, aq më shumë po bëhen njerëz me dy këmbë në tokë dhe për këtë jam shumë mirënjohëse ndaj Enos për këtë. ‘Ta zbardhi ftyrën’ po vazhdon të jetë formati me një sakrificë shumë të madhe për redaksinë tonë sepse kërkon një mund. Problemi kryesor ka qëndruar tek mungesa e një salle të mirëfilltë dhe unë i kam kërkuar falje Enos kur e kam ftuar, duke marr parasysh se në çfarë salla performon. Unë shfrytëzoj rastin që edhe nëpërmjet kësaj skene, të bëj një thirrje që ndërtimi i një skene operistike duhet të merret seriozisht, për faktin që këta artistë po e “heqin” krenarinë e suksesit dhe po vinë në këto rrethana për të ofruar dashurinë e tyre dhe talentin, vetëm për faktin që nuk i harrojnë rrënjët e tyre”, ka thënë Pajaziti.
Pas këtyre fjalimeve, në sallë mbizotëruan brohoritjet dhe u krijua një energji e hatashme, kur balerini Eno Paçi doli në skenë. Mbrëmja u zhvillua fillimisht me një rrëfim jetësor dhe më pastaj me një interpretim, duke krijuar kështu copëza kujtimi që gjatë do mbahen mend për shumëkënd. Balerini Eno Peçi, ka rrëfyer se si e gjeti vetën brenda profesionit të balerinit, ka treguar momente e vështirësi që i ka hasur përgjatë emigrimit në Austri, por ka treguar edhe momente nga jeta e tij që jo domosdo ndërlidhen me baletin. Si një fener në errësirë ka qenë biseda me të. Drita sa shkonte e bëhej më e madhe teksa audienca përjetonte jetën e tij teksa përmendeshin kujtimet jetësore që e skalitën atë në një yll që po shkëlqen në skena të ndryshme të botës.
Tutje, në një bashkëbisedim me moderatoren, Fëllënza Çitaku, balerini Peçi ka thënë se në rolin e artistit, pjesa më e mirë për të, mbetet ajo ngrohtësia që e ofron një mbrëmje si ‘Ta zbardhi ftyrën’.
“Është kënaqësi të jem mes juve këtu dhe faleminderit shumë për ftesën. Unë fillimisht mora një telefonatë nga Ardiana dhe folëm bashkë për këtë mbrëmje artistike dhe më pëlqeu shumë formati pasi që ishte diçka që nuk kishte shumë zhurmë por kishte shumë intimitet. Mbase mua si artist më intereson më shumë kjo pjesë sesa ato gjërat e mëdha që bëjnë shumë zhurmë sepse ka atë emocionin e ndjesinë e vetë”, ka thënë ai.
Me imazhet në ekranin në prapavijë që ndërroheshin kohë pas kohe, audienca hyri në fëmijërinë e Peçit, duke njohur edhe zemrën e vogël të Enos në moshë të re, por edhe dashamirësinë që ai portretizonte tani. Fotografia e parë shpërfaqi Enon e vogël, i buzëqeshur, në sheshin e Tiranës.
Fëmijëria
“Kjo foto është shkrepur në Tiranë tek sheshi Skënderbe. Atëherë në atë kohë ka qenë pak ndryshe pamja e sheshit dhe tani është krejt tjetër. Ka qenë ai momenti kur fëmijët janë dërguar në fundjavë dhe bënin fotografi aty. Unë mbaj mend edhe babin që më thoshte pikërisht në at moment ‘Zogu zogu shiko xhaxhin’, dhe këto kujtime patjetër që mbesin”, ka thënë balerini Peçi.
Fillet e baletit – Tiranë
“Pasioni për baletin erdhi shumë natyrshëm por më vonë. Në fillim nuk kisha ide se çfarë ishte baleti, por kam qenë shumë i lëvizshëm si fëmijë dhe luaja futboll. Në atë kohë fëmijëria ka qenë komplet ndryshe. Ne hipnim nëpër pemë, nëpër mure, hidheshim andej e këtej duke u bërë pis. Në të njëjtën kohë, në vitet e 90-ta më pëlqente të kërceja rok, rep dhe kisha gjithmonë atë kasetën time me muzikën e viteve 90-të. Kur kishim ditëlindjet, ftonim shokët dhe fillonim të kërcenim derisa djersiteshim. Aty e panë edhe prindërit që unë po hidhesha nga mëngjesi e deri në darkë dhe më quan në shkollën e baletit”, ka thënë ai.
Sipas tij, kur fillimisht shkoi në Akademinë e Arteve, aty ka qenë profesori Donald Martin, dhe ai ka qenë me një grup të vetin. Enoja ishte bë gati dhe ishte veshur, pati kasetën me vete e filloi të kërcente derisa i thanë mjaft. E panë që ai kishte shumë vesh për muzikë, e panë që kishte një lloj vazhdueshmërie në lëvizjet që ai bënte. I thanë që të vazhdonte në Shkollën e Baletit, dhe ai e pranoi.
“Në Shkollën e Baletit nuk e dija se çfarë bëhej por e dija se po merr rrugë diçka. Shkuam në Shkollën e Baletit dhe sa hyn aty, djathtas është një dhomë e vogël ku unë prita aty profesorët. Më thanë që të zhvishesha dhe unë e hoqa shallin e xhupin dhe po prisja, derisa më thanë prapë që të zhvishesha komplet që të më shohin trupin. Nuk e imagjinoja dot që baleti ka të bëjë edhe nga ana estetike për pamjen e fizikut. Aty e mora vesh që baleti ka një lloj drejtimi ndryshe por nuk e dija tamam”, thotë ai.
Aty pastaj ishte një konkurs që ai e fitoi mes shumë nxënësve të tjerë dhe për të ishte ballafaqimi i parë ku ai kishte veshur geta.
“I thashë atyre që si është e mundur që një mashkull t’i vishte ato. Unë si balerin do të duhesha që të kapesha te leva, të dëgjoja muzikë klasike, por e gjitha kjo mu dok e çuditshme dhe u thashë atyre se nuk është balet, dhe i pyeta se kur do të fillojmë të kërcejmë. Ky ishte ballafaqimi i parë, por ngadalë me kalimin e kohës, mësova çdo gjë. Mund të them që kam pasur një fëmijëri shumë të mirë, shumë të këndshme”, thotë Peçi.
Trazirat e 90-ta në Tiranë – Emigrimi në Austri
“Kanë qenë vitet e 97-të, 98-të dhe ishin shumë të komplikuara. Kanë qenë shumë të këqija për shqiptarët në atë kohë. Çdo gjë u mbyll dhe nuk funksiononte. U mbyllën teatrot, dyqanet dhe njerëzit filluan të blinin miell për bukë e shumë të tjera. Për mua ishte diçka shumë e trishtë sepse në atë moshë unë isha rreth pesëmbëdhjetë vjeç dhe në atë moshë ke akoma ato shpresat për të arritur diçka në jetë dhe kështu vjen një moment që ta ndalon atë. Pra, është momenti kur ti humbet çdo shpresë dhe sheh bosh. Nuk sheh asgjë dhe ndjehesh si i paralizuar në atë moment”, ka thënë Peçi.
Në ato vitet e trazirave, ai nuk kishte më shpresë për asgjë dhe prindërit në këtë rast u munduan që ta dërgonin jashtë. Ai dëshironte që ta linte atë vend vetëm që të mos dëgjonte më krisma. Ashtu ndodhi, shkoi në Austri dhe i thanë që të fillonte një jetë të re. E vetmja mënyrë për të ishte që ai të linte atë vend. Motra e tij ishte e martuar më herët në Austri, dhe e vetmja shpresë për të ishte që të shkonte në Austri.
“Kur shkova në Austri ishte diçka shokuese. Në fillimet e para, çdo gjë ishte komplet ndryshe. Atje flitej gjermanisht dhe pastaj kultura, mentaliteti, kultura, mënyra e të menduarit, infrastruktura, dhe për moshën time në atë kohë, çdo gjë ishte shumë mbytëse. Thashë me vete që tani jam këtu dhe fillova e hapa librin nga fillimi e mësova shumë. Ishte pikëpyetje e madhe sepse nuk dija çfarë të bëja në Austri. E vetmja gjë që dija të bëja ishte kërcimi, andaj motra ime më tha që të shkoja në Shkollën e Baletit, por unë i thosha që kishte kaluar kohë që ushtroja balet dhe për ata që e dinë, nëse e le një ditë, atëherë e ke lënë një muaj. Baleti është shumë vështirë sepse forma humbet menjëherë. Por, për mua ishte e vetmja mënyrë, andaj vendosa që të shkoja në Shkollën e Baletit”, tregon ai.
Ai tutje rrëfeu për mënyrën se si kishte dy vite pa ushtruar, mirëpo asnjëherë nuk gjeti veten të dorëzuar. Rrëzohej por qohej prapë, njashtu si vetë lëvizjet brenda një baleti.
“Në fillim aty, prisja audicionin dhe ishin pak skeptik kur u thashë që jam nga Shqipëria. Aty pastaj fillova klasën dhe fillova të bëja ushtrimet me ta por më bëheshin gati dy vite pa ushtruar dhe normalisht që të tjerët ishin perfekt. Nuk isha në formën e duhur dhe fillova provat. Nuk e di sa herë kam rënë në tokë sepse nuk e kisha kontrollin e trupit në total. Mundohesha të mos dëmtohesha por nuk funksiononte. Bija në tokë, qohesha prapë, bija në tokë e prapë qohesha në këmbë dhe kjo u përsërit gati mbi tridhjetë herë. Ata më shihnin mua çuditshëm, por e vetmja mënyrë për mua ishte që ta kapja atë vend për të qëndruar në Austri. Doja t’i bëja ushtrimet siç duheshin sepse unë doja të rrija aty. Në fund pastaj erdhi një moment që nuk funksiononte më dot gjë dhe ika pastaj me pak inat. E përplasa derën dhe thashë se baleti nuk është për mua. Ika poshtë sepse motra më printe poshtë. Ndërkohë, ishte një profesor dhe erdhi afër e i tha motrës time në gjuhë tjetër që Peçi ka shumë mangësi por ai ka shumë vullnet. Ai kujtonte që unë i bëja gjërat që më pëlqente baleti, dhe ashtu ishte, mirëpo kisha arsye shtesë që më duhej të qëndroja në atë vend”, rrëfen ai.
Ajo ishte shkaku që pastaj ai vazhdoi aty një muaj tjetër. Ajo ishte bileta e tij të cilën e shfrytëzoi që nga mëngjesi deri në darkë. Kur mbaronte mësimet, ai vazhdonte deri në darkë që t’i bënte ata të bindur që Peçi ka përmirësime.
Një emigrant fiton rolin e Spartakut në moshën 21 vjeçare
Balerini Peçi tutje tregoi për veçantinë që ka një rol kryesor, e sidomos në një periudhë ku vetën nuk e sheh të denjë për një të tillë.
“Ka qenë diçka shumë e veçantë sepse unë atëherë kam qenë si gjysmë-solist dhe kemi pasur një drejtor italian, dhe ai më ka ndihmuar shumë. Më vëzhgonte gjithmonë në Shkollën e Baletit, shikonte ecurinë time dhe nuk thoshte gjë. Erdhi një moment kur më dha kontratën që të futesha në Teatrin e Operës dhe Baletit në Vjenë, dhe më dha mundësinë që të kërceja shumë role. Pastaj, erdhi një moment kur më tha që ta luaj Spartakun, një krijim i ri për vetë drejtorin aty. Më tha që më donte tek ajo pjesë, unë isha akoma 21 vjeç dhe nuk merrja vesh gjë. Normalisht, Spartaku është një rol ku duhej të kishe shumë eksperiencë, shumë përvojë sepse ka elemente shumë nga ana teknike dhe artistike. Unë këto gjëra nuk i kisha por fillova të punoja shumë. U zhvillova nga ana teknike, nga ana artistike, mora shumë mësime nga artistë të tjerë por në anën tjetër më duhej të jepja diçka artistike nga vetja ime. U mundova dhe besoj se ka dalë shumë mirë”, thotë ai.
Por, tani që ai e mendonte mbrëmë se nëse sot do e luante atë rol, beson se do ishte më ndryshe pasi tani ai ka eksperiencë, dhe gjithçka do të dukej ndryshe. Ai beson se ai rol ka qenë atëherë një shtytje shumë e fortë në karrierën e tij.
Opera Shtetërore e Vjenës
Kur ai fillonte të krijonte shoqërinë e tij në Vjenë, të gjithë austriakë. E pyetnin se nga vinte, dhe u thoshte se është nga Shqipëria. Ata rrudhën fytyrat dhe e pyetën se ku i binte Shqipëria.
“Në atë moment që më pyetën atë gjë më erdhi një ndjesi e nxehtë dhe i thashë se si ka mundësi që një student në këtë vend të kulturuar të mos e dinte se ku i binte Shqipëria. Këto kanë qenë ballafaqimet e mia në fillim, shto këtu edhe burokracitë e mëdha të tjera, por kuptova një gjë. Unë kisha vajtur në Austri dhe ata nuk kishin ardhur në Shqipëri. U mundova që t’i përshtatesha kulturës sepse isha unë që isha i ardhur”, ka treguar Peçi.
Balerini i parë në Koncertin Festiv në Filharmoninë e Vjenës
Ka qenë në Tiranë kur si i vogël ndiqte koncertin festiv të Vjenës, dhe atë kohë balerini Peçi e kujton me nostalgji.
“Unë e mbaj mend në Shqipëri kur jepej koncerti i Vitit të Ri, e shikonim stemën dhe ka qenë një fotografi me çifte që kërcenin vals. Që atëherë kur e shikoja këtë koncert, e kisha një ndjesi të mira. Pastaj kur shkova në Vjenë, më ra në mend që mbahet ky koncert. Erdhi momenti që më zgjodhën për të performuar në atë koncert dhe u befasova shumë sepse isha shqiptar dhe nuk ma kapte dot mendja. Koncerti i Vitit të Ri në Vjenë është diçka tradicionale dhe unë u gëzova shumë. Isha i emocionuar që u zgjodha”, tregon ai.
Teknika – Sparkata në ajër
Në pjesën e bashkëbisedimit me balerinin, e pashmangshme ishte paraqitja e fotografisë së tij në ajër, një teknikë kjo e vështirë për t’u arrirë, por ai vetë e konsideron edhe si të lehtë në një farë forme.
“Ta bësh Sparkatën edhe është e vështirë por edhe nuk është. Arrihet nëpërmjet metodave të ndryshme dhe mendoj që çdo balerin profesionist mund ta bëj sparkatën, sigurisht ka mënyra të ndryshme se si mund ta bësh një të tillë.”
Ato vështirësitë që konsiderohen, ai i ka të gjitha në kokë, pavarësisht se në fytyrë duket mirë. Ai beson se për një balerin profesional është shumë e rëndësishme që ana teknike të jetë në rend të parë, pastaj nëse arrin një nivel të anës teknike, atëherë duhet të arrihet ana artistike. Janë dy gjëra që janë shumë vështirë të koordinohen me njëra-tjetrën, pasi që ka balete që duhen luajtur në bazë të njërës apo tjetrës.
“Fati është gjithmonë aty, por fatin duhet të dish ta kapësh, normalisht me shumë punë.”
Ai konsideron se ka teknika të ndryshme por që gjithçka varet nga balerini. Në qoftë se vjen koordinimi i lëvizjes që mund të bësh një hedhje të madhe, atëherë ekziston mundësia që ta mbash në ajër. Në qoftë se ka lëvizje të shkurtra, atëherë mbase është edhe më vështirë. Gjithçka varet nga lëvizjet brenda koreografisë.
“Duhet shumë disiplinë, duhet shumë motivim që të kesh një fizik të mirë. Janë dy gjëra që bashkëpunojnë shumë me njëra-tjetrën por duhet patjetër sepse motivimin nuk e gjen ditë përditë, por ai humbet dhe nuk mund ta marrësh çdo ditë. Prandaj, kur humbet motivimi, ke disiplinën. Nëse aq më shumë ke disiplinë, aq më shumë ke dhe motivim”, shpalos Peçi.
Shfaqja “Exil” – roli i koreografit
Exil-i i Eno Peçit rrëfen trazirat e një vendi, dhe lidhet me temën e emigracionit. Një rrëfim për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre dhe tragjedinë e popujve që emigrojnë.
“Exili ka lindur nga një ide. Ka qenë një festival në Zvicër dhe kisha kohë që punoja me drejtorin e festivalit atje dhe ai donte të dinte më shumë rreth historisë time. Fillonte të merrte vesh për fëmijërinë time dhe se si unë shkova atje. Dolëm pak te trazirat e viteve 90-të dhe ideja për një koreografi atij i pëlqeu shumë. Ai donte që unë të krijoja një koreografi me këtë koncept. Ky ishte fillimi i parë, dhe premiera e Exil-it ka qenë në Zvicër, pastaj u mundova ta jap në Tiranë. Pas Tiranës, mendova ta sjellë këtë patjetër edhe në Kosovë”, thotë ai.
Sipas tij, baleti Exil nuk është biografia e tij por i përshtatet shumë asaj kohe. Është një biografi e të gjithë shqiptarëve. Ka elemente të ndryshme dhe ai ka futur shumë intervista të kohës atje, ka adaptuar shumë krisma, shumë tekste, dhe pastaj është bërë koncepti i baletit.
“Elementi shqiptar në baletet e mia jam unë. Pavarësisht mënyrës se si unë mendoj apo kërcej, ka një moment që mua më dërgon tek rrënjët e mia, atje ku unë vij. Kjo më inspiron shumë, edhe nga ana e të shprehurit por edhe nga ana e të zhvilluarit artistikisht, si në kërcim, edhe në krijim. Është shumë e rëndësishme për mua që të dish nga ku vjen, sepse është një bazë shumë e fortë që e ke prapa shpinës që të shtyn përpara”, rrëfen balerini.
Valvimi i flamurit shqiptar në Piazza Degli Albanezi në Itali
“Kjo foto ka qenë në Itali dhe ka qenë një ditë përpara se unë të shkoja në Austri. Kemi qenë me një grup balerinësh, me ish drejtorin e Shkollës së Baletit”, tregon balerini Peçi.
Shkuan në Itali për të kërcyer valle popullore dhe të prezantonin Shqipërinë. Ai mban mend që në këtë foto, ai fillimisht ishte prapa por pastaj doli para për të mbajtur flamurin.
“Më thanë ta ngrija dorën lartë dhe mua mu shtyp një buton brenda dhe fillova ta mbaja lartë dhe nuk e ulja dot aspak. Doli shumë spontan kjo pjesa e krenarisë apo ndoshta ishte diçka që duhej ta bëja patjetër. Shqipëria është identiteti im, është vendi nga i cilin vij unë”, thotë ai.
Çmimet, dekoratat në Shqipëri dhe Austri
Eno Peçi është dekoruar me “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Asutrisë për Shkencë dhe Art”, titull i ndarë në vitin 2019, dhe për këto ai ndjehet shumë mirënjohës.
“Për mua sigurisht që çmimet janë të rëndësishme. Është diçka shumë mirënjohëse që një artist merr në jetë. Jam mirënjohës për shkak se e di që po vlerësohet një punë shumë e madhe që është bërë.”
Takimi me Papën
Për këtë fotografi më lartë, balerini Peçi tregon që ka qenë një event në Vatikan, ku morën pjesë disa shqiptarë dhe mes tyre ishte edhe Inva Mula, Dua Lipa, Lorik Cana, Genc Tukici.
“Kemi qenë një dorë e mirë shqiptarësh aty dhe dhamë një shfaqje dhe pastaj patëm takimin me Papën. Ishte diçka e veçantë.”
Ndërsa, teksa fliste për bashkëpunime të radhës në përgjithësi, balerini na tregoi se baleti është një degë e artit që përshtatet me çdo gjë, andaj për bashkëpunime është i hapur. Ndërsa, na shpalosi se për momentin është duke punuar një projekt me Baletin në Vjenë por që akoma nuk është fiksuar saktë.
“Kërcimi është shpresë të cilën ne e flasim nëpërmjet gjuhës së trupit.”
Po ashtu, teksa u pyet nga moderatorja Çitaku për baletin e tij Exil që e ka sjellë në Shqipëri dhe Kosovë, balerini Peçi tregoi se është ndjerë shumë mirë në dy vendet.
“Janë dy kompani të ndryshme. Në Tiranë kanë qenë balerinët tejet të gatshëm për të krijuar diçka dhe unë këtë e kam ndjerë. Është diçka shumë e bukur dhe të njëjtën gjë e kam ndjerë edhe në Kosovë. E mendoj një provë që e kemi bërë këtu për Exil-in dhe isha duke e parë dhe ishte një moment i anës artistike që ma mori mendjen shumë dhe nuk shikoja më dot gjë tjetër”, thotë ai.
Balerini Peçi në fund të krejt bisedës që qe bashkëbisedim që tregoi për fëmijërinë, sfidat, sukseset, ëndrrat, pengesat dhe triumfin, e dha një mesazh për të gjithë ata të rinjtë që ëndërrojnë profesionin e njëjtë.
“Mund të them që Baleti nuk ka moshë, kërcimi është për të gjithë dhe shijojeni nga ana fizike dhe shpirtërore që ta vazhdoni sa më gjatë.”
Tashmë, dukej se çdo gjë ndali dhe erdhi koha për të shijuar deri në maksimum. Balerini Peçi vazhdoi në prapaskenë që të bëhej gati për të interpretuar. Në ndërkohë, në skenë dolën balerinat e vogla të kompanisë “Behi’s Dance” që i dhanë një lezet të këndshëm skenës. Me një vepër me melodi festive, ato interpretuan para audiencës dhe mbushën skenën me një ngrohtësi unike. Fytyrat e tyre, lëvizjet që krijonin, dëshmuan se e ardhmja jonë janë ata fëmijë të cilët e duan artin dhe me art arrijnë të qëndrojnë në këmbët e tyre. Interpretimi i balerinave të vogla arriti që të krijojë buzëqeshje në fytyrën e gjithsecilit në sallë. Dalloheshin prindërit krenarë që shikonin fëmijët e tyre të performonin, teksa artdashësit kanë përjetuar një mbrëmje të paparë.
Ndërkaq, radha për pushimin e skenës iu lëshua yllit kryesor, balerinit Eno Peçi, i cili shpalosi interpretimin e tij si një pëshpëritje në lëvizje. Trupi i tij tregonte diçka, një histori të gdhendur brenda vetes por që synonte të jetë e përjetshme. Skena për të u bë një kanavacë e bukur në të cilën ai vetë dhuroi ngjyrat më të bukura. Hija e tij, drita e ngrohtë e bën atmosferën akoma më të bukur. Ai erdhi i përgatitur dhe dhuroi një spirale emocionesh që na bën të mendonim që ishim buzë një ëndrre. Krahët e tij lëviznin si petale, çelnin sa majtas e djathtas, teksa ritmet i kapte në çdo moment. Hapat e këmbës së tij që mbulonin skenën, krijonin një jehonë që buroi plotësisht. Çdo lëvizje e tij krijonte një dialog me publikun, teksa dukej se rrëfente thellësitë më të fshehura të shpirtit. Koha në ato vepra, dukej se ngadalësohej dhe i përkulej interpretimit të balerinit Peçi. Tingujt e Chopin-it dhe melodia e këngëtares Elina Duni, zhbllokuan ajrin qartazi. Shprehja e trupit të balerinit krijoi emocione që vështirë se i shohim dot më. Nëpërmjet forcës fizike të madhe erdhi magjia delikate e shpirtit të tij dhe brenda mbretërisë së tij sublime, ai na lejoi që ne të hynim.
Për ta shpërblyer balerinin Peçi me çmimin tradicional të mbrëmjes artistike ‘Ta zbardhi ftyrën’, në skenë doli drejtoresha Ardianë Pajaziti.
“Kur kam qenë këtu për projektin në TKK, kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe e kam ndjerë energjinë që ata më kanë dhënë mua, dhe për një krijues i cili jep diçka e i kthehet prapa dyfish, është diçka shpirtërore që nuk mund të krahasohet me asgjë”, kanë qenë fjalët që i tha balerini Peçi kur e pranoi këtë çmim.
Por, nuk mbaroi gjithçka me kaq, pasi që të pranishmit u ftuan në koktelin që ishte organizuar në KultPlus Caffe Gallery, ku balerini Peçi gjithashtu u mirëprit me duartrokitje të forta e ku vazhdoi pastaj takimin me njerëzit dhe nënshkrimin e autografeve e një numër të pafund fotosh me gjithsecilin që shprehte dëshirë për të biseduar me të.
Ndërsa për KultPlus, balerini Eno Peçi ka potencuar se mbrëmja “Ta zbardhi ftyrën” ishte një natë e veçantë.
“Për mua ishte një natë e veçantë sepse për mua ishte hera e dytë që erdha në Kosovë dhe ishte diçka intime, një ballafaqim me publikun. Ishte një rrëfim i historisë time që unë kam kaluar dhe fillimet e mia si balerin profesionist dhe si një koreograf. Ishte edhe një performancë që unë i tregova publikut. Atmosfera ishte shumë e këndshme dhe më preku shumë. Performanca që unë bëra ka qenë nën muzikën e Frederic Chopin, nga një projekt që unë me një pianiste në Vjenë e kemi krijuar. Vepra ka humor, ka të gjitha gjendjet emocionale.Pjesa e dytë ishte nën tingujt e Elina Dunit, një këngëtare fantastike dhe brenda albumit ‘Matanë malit’, kënga ime e preferuar është ‘Unë për ty moj’ që unë e zgjodha meqë erdha në Kosovë”, ka thënë ai për KultPlus.
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa, Elbenita Kajtazi, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare.
Projekti “Ta zbardhi ftyrën” u organizua nga gazeta online për kulturë dhe art KultPlus, dhe kjo mbrëmje është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte, Radio Televizioni Publik i Kosovës, Ujë Rugove. / KultPlus.com
“Ti mund të thuash se jam një ëndërrimtar, por unë nuk jam i vetmi. Shpresoj se një ditë do të na bashkohesh. Dhe bota do të jetojë pastaj si një e vetme.”
“Llogarite kohën tënde përmes miqve që i ke dhe jo përmes viteve. Llogarite jetën përmes qeshjeve dhe jo përmes lotëve.”
“Janë dy forca bazike motivuese: dashuria dhe frika. Kur kemi frikë, ne tërhiqemi nga jeta. Kur jemi të dashuruar, me pasion, ngazëllim dhe miratim hapemi përballë gjithçkaje që na e ofron jeta. Kemi nevojë që fillimisht të mësojm ta duam veten, me të gjithë lavdinë dhe papërsosmërinë tonë. Nëse nuk mund ta duam veten, nuk mund të hapemi plotësisht ndaj aftësisë sonë për t’i dashur të tjerët ose ndaj potencialit tonë për të krijuar. Evolucioni dhe të gjitha shpresat për një botë më të mirë, qëndrojnë mbi guximin dhe vizionin zemër-hapur të njerëzve që e përqafojnë jetën.”
“Kur isha 5 vjeçar, nëna gjithmonë më thoshte se lumturia është çelësi i jetës. Kur shkova në shkollë, ata më pyetën se çfarë dëshiroja të bëhesha kur të rritesha. Unë e shkrova: “I lumtur”. Ata më thanë se nuk e kisha kuptuar detyrën dhe unë ju tregova se ata nuk e kuptonin jetën.”
“Një ëndërr që e ëndërroni i vetëm, është thjeshtë një ëndërr. Një ëndërr që e ëndërroni bashkë me të tjerët është realitet.”
“Jeta është e lehtë, kur e jeton me sy të mbyllur.”
“Në fund gjithçka do të jetë në rregull. Nëse nuk është në rregull, atëherë nuk është fundi.”
“Kur bëni diçka fisnike dhe të bukur dhe askush nuk e vë re, mos u mërzit. Edhe dielli çdo mëngjes e ofron një spektakël të bukur mirëpo prap pjesa më e madhe e audiencë është në gjumë.”
“Zoti është një koncept përmes së cilit ne e masim dhimbjen tonë.”
“Dashuria është një lule që duhet ta lësh të rritet.”
“Jetojmë në një botë në të cilën për të bërë dashuri duhet të fshihemi, përderisa dhuna manifestohet përgjatë gjithë ditës.”
“Ndershmëria ndoshta nuk do të u’a sjell miqt më të mirë, po gjithmonë do t’i sjell ata të duhurit.”
“Nuk ka rëndësi se kë e dashuron, ku e dashuron, pse e dashuron, kur apo si e dashuron. Rëndësi ka që dashuron.”
“Roli im në shoqëri, apo roli i artistit apo poetit në shoqëri është të provojë ta shpreh atë që ne të gjithë e ndjejm. Jo për tu treguar njerëzve se çfarë të ndjejn. Jo si një predikues, jo si një lider, por si një reflektim i gjithë neve.”
“Nëse e dëshiron paqe, nuk do ta marrësh atë me dhunë.”
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishte në Muzeun Kombëtar “Shtëpia me Gjethe,” ku së bashku me studentët e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë zhvilloi një diskutim mbi ngjarjet e 8 Dhjetorit 1990.
Gonxhja u shpreh se 8 Dhjetori 1990 ishte “një moment historik që ndryshoi drejtimin e Shqipërisë, duke na kujtuar vlerën e shpresës dhe përpjekjeve për të ardhmen, pa harruar rëndësinë e reflektimit”.
“Ky bashkëbisedim ishte një mundësi për të ndarë mendime, kujtime dhe për të frymëzuar brezat e rinj të mbajnë të gjallë frymën e demokracisë. Sepse guximi për të vepruar është forca që sjell ndryshimin dhe e ardhmja i përket atyre që nuk hezitojnë të ndërmarrin hapa përpara”, nënvizoi Gonxhja./ KultPlus.com
Shumë studiues, besojnë që ne nuk jemi qytetërimi i parë i përparuar që ka ekzistuar në Tokë. Ata pretendojnë se në prehistori, historinë e paregjistruar, mund të kenë ekzistuar, lulëzuar, rënë dhe humbur një ose më shumë civilizime të përparuara. Ndërsa ky është një koncept i çuditshëm për shumicën e njerëzve, nuk është dhe aq i çmendur sa duket në pamje të parë, shkruan Listverse.
Sidomos nëse kemi parasysh se ajo që mund të ndodhë me ne, mund të shpaloset pa ndonjë paralajmërim. Shanset janë, që nëse jeta fillon përsëri, askush nuk do të mbante mend që ne kishim ekzistuar ndonjëherë. Nëse është kështu, atëherë, kush mund ta thotë se siguri se nuk kanë ekzistuar qytetërimet e përparuara mijëra vjet para historisë sonë të regjistruar?
Stacionet energjitike do të mbyllen shpejt
Nëse bota do të prekej nga një virus i papritur super-ngjitës, do të goditej befas nga meteor, një shpërthim diellor, një luftë bërthamore, apo edhe një pushtim alien, jeta do të zhdukej. Sidoqoftë, shumë prej nesh nuk e kuptojnë se sa e paqëndrueshme është ekzistenca jonë këtu në Tokë.
Le të themi, që shumica dërrmuese e jetës njerëzore do të zhduket, nga ndonjë nga situatat hipotetike të përmendura më lart. Por me siguri që do të kishte të mbijetuar, apo jo? Dhe ata nga do e merrnin energjinë e nevojshme? Meqë nuk do të ketë asnjë person që do të kujdeset për to, stacionet e energjisë, dhe bashkë me të, furnizimi me energji elektrike në botë, do të ndërpritej relativisht shpejt.
Në fakt, shumë prej tyre do të fikeshin për të shmangur ndonjë katastrofë tjetër. Sidoqoftë, me askënd që t’i mbikëqyrte këto procedura, termocentralet bërthamore, ujërat e tyre ftohëse, do të shkonin drejt një shkrirje. Skenarët e llojit të Çernobilit, do të shiheshin kudo përreth planetit.
Të gjitha objektet e krijuara nga njeriu do të zhdukeshin, dhe mbijetonin vetëm objektet e lashta prej guri
Shumica e objekteve të bëra nga njeriu, qoftë nga druri, plastika, metali, ose ndonjë gjë tjetër përveç gurit thjesht do të zhduken. Madje edhe në rrugët që do të pushtohen nga bimësia brenda disa dekadash. Brenda vetëm 10.000 vjetësh, nga të gjitha mbjetjet do të ekzistojnë vetëm ato prej guri.
A është ndonjë çudi që strukturat që kemi trashëguar nga bota e lashtë janë ndërtesat, monumentet dhe statujat e gdhendura nga guri? Por sa prej strukturave tona moderne mund t’i mbijetojnë mijëra, madje qindra mijëra vjetëve në të ardhmen? Ironikisht, do të ishin më së shumti ndërtesat që nga antikiteti, ato që do të mbijetonin ende.
Mitet dhe legjendat
A ka pasur vërtet një përmbytje të madhe, edhe pse vetëm në formën e disa episodeve të përmbytjeve të lokalizuara por të konsiderueshme, që mund të kenë zhdukur tërësisht komunitete të tëra? Fatkeqësi të tilla natyrore, do të dukeshin me siguri si fundi i botës për ato qytetërime që i përjetonin ato.
Dhe çfarë lidhje kanë ato me tregimet e “perëndive” – qenie më të larta me një teknologji të përparuar që sunduan mbi njerëzimin? A janë të vërteta këto legjenda? Apo mund të ketë ndonjë të vërtetë për histori të tilla? Më pak fjalë, do të shohim mundësinë e të mbijetuarve, nga një situatë e tillë e “fundit të botës’.
Po sikur “zotat” e së kaluarës, të ishin të mbijetuarit e një qytetërimi edhe më të vjetër të përparuar? A mund të shpjegojë kjo fuqinë (apo teknologjinë e përparuar) të Zotave? Apo njohuritë e përparuara të perëndive? Sigurisht që ky është një koncept interesant.
Egjipti i lashtë
Nëse shohim egjiptianët e lashtë, është krejtësisht e dukshme dhe madje e pranuar nga dijetarët kryesorë, se ata e kanë nisur qytetërimin e tyre tashmë në kulmin e fuqisë së tyre, dhe më pas pësuan një rënie të përhershme. Për disa studiues, të cilët janë mënjanuar nga shumica e ekspertëve kryesorë, kjo sugjeron që egjiptianët “morën” mbetjet e një qytetërimi të lashtë, “të humbur”.
Nga këto lloje teorish, përgjithësisht pranohen pretendimet e mëtejshme se struktura të tilla të lashta si Piramidat e Gizës, kanë më shumë gjasa të jenë monumente dhe ndërtesa të një shoqërie të tipit Atlantease, në krahasim me punën e vetë egjiptianëve.
Të mbijetuarit, do të reduktoheshin në njerëz të shpellave
Tani, le ta pranojmë që disa njerëz i kanë mbijetuar katastrofës hipotetike të botës moderne. Çfarë do të bëhet me ta? Ata me gjasë nuk do të merren me rikuperimin e teknologjisë së dikurshme, apo gjërave të asaj natyre. Shanset janë, që pasi sistemi të jetë zvogëluar dhe energjia të jetë jashtë funksionit, ata të shqetësohen vetëm për mbijetesën e tyre.
Ata nuk do të jenë më në krye të zinxhirit ushqimor. Pa ndihmën e bollëkut modern të pajisjeve teknologjike dhe ndërtesave të përparuara, shumë njerëz të mbijetuar do të jenë një pre e lehtë për kafshët e egra të uritura. Çdo i mbijetuar, do të ishte i preokupuar me gjuetinë dhe grumbullimin e çfarëdolloj ushqimi, që mund të gjente dhe për strehimin e tij.
Ndërsa brezat zëvendësojnë njëri-tjetrin, do të rikthehej lidhja e njerëzimit me botën “e vjetër”. Nga brezi i tretë dhe i katërt, shanset janë që kujtimet për katastrofën para Tokës, nuk do të qenë të ndryshme nga ajo që mitet dhe legjendat janë për ne tani. Shkurt, jeta do të fillonte sërish nga e para.
Teknologjia e lashtë e avancuar
Shumë nga historianët e mirënjohur, nuk e pranojnë konceptin se shumë nga qytetërimet e lashta, përfshirë egjiptianët dhe sumerët e lashtë, në një moment në të kaluarën e largët, kanë pasur një teknologji të përparuar. Megjithatë, ky koncept mbështet nga shumë dëshmi. Ne mund të shohim në pajisje të tilla si “Bateria e Bagdadit’ ose gjurmët e acideve në tunelet e brendhshme të Piramidës së Gizës, që sugjerojnë një lloj brezi të energjisë elektrike.
Po ç’mund të thuhet për sitet e shumta arkeologjike në mbarë botën, që thuhet se tregojnë shenja të shpërthimeve bërthamore në të kaluarën e largët? Një shembull i shquar është Mohenjo-Daro, të cilin disa studiues, sidomos Dejvid Davenport në librin e tij “Shkatërrimi atomik 2000 vjet Para Krishtit”, kanë vënë në dukje se armët bërthamore janë ndërtuar dhe përdorur shumë kohë më parë. Kjo natyrisht, do të sugjeronte, siç thotë Davenport, se ekzistonte një qytetërim shumë i avancuar./ KultPlus.com
Sot, në Ditën Kombëtare të Rinisë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj përkujtoi lëvizjen studentore antikomuniste të Dhjetorit ’90, që shënoi fillimin e vendosjes së pluralizmit në Shqipëri.
Në një mesazh të posaçëm, Presidenti Begaj nderon të gjithë të rinjtë që 34 vjet më parë u ngritën kundër regjimit diktatorial dhe frymëzuan lëvizjen popullore, e cila çoi në rrëzimin e komunizmit.
Presidenti Begaj vlerëson guximin e atij brezi studentësh me vizion perëndimor, që kërkonin liri e demokraci, ndërsa shprehet se “sot festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”.
“Sot, – shkruan Presidenti i Republikës, – të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
“34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë. Lëvizja popullore, që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore”, thuhet në mesazhin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
“Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë”, shkruan Begaj.
“Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa! Nder përjetë!”, përfundon mesazhi i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj./ KultPlus.com
Dashuria fillon në shtëpi, dhe nuk është se sa bëjmë ne … është sa dashuri vendosim në çdo veprim
Gëzimi i thellë i zemrës është si një magnet që tregon rrugën e jetës
Vuajtjet tona janë përkëdheljet e mira të Zotit, duke na thirrur që t’i drejtohemi Atij dhe të na bëjnë të pranojmë që nuk jemi ne që kontrollojmë jetën tonë, por është Zoti që kontrollon dhe ne mund t’i besojmë plotësisht
Unë nuk kërkoj ar për sukses, kërkoj lumturi
Falja është një vendim, jo një ndjenjë, sepse kur falim nuk e ndiejmë më ofendimin, nuk ndiejmë më inat. Fal, duke falur do ta kesh shpirtin tënd në paqe dhe ai që të ofendoi do ta ketë atë
Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni
Ne e dimë shumë mirë se ajo që po bëjmë është veç një pikë në oqean. Por nëse ajo pikë nuk do të ishte atje, oqeanit do t’i mungonte diçka
Ju kurrë nuk do të jeni aq të zënë sa të mos mendoni për të tjerët
Dashuria, për të qenë autentike, duhet të na kushtojë
Jetoni thjesht që të tjerët të jetojnë thjesht
Nuk mund të ndaloj së punuari. Unë do të kem gjithë përjetësinë për të pushuar
Ka gjëra që do të dëshironit të dëgjonit dhe nuk do t’i dëgjoni kurrë nga personi që dëshironi t’i dëgjoni prej tyre. Por mos u bëj aq i shurdhër sa të mos i dëgjosh nga ai që i thotë nga zemra e tij
Ne nuk duhet të lejojmë që dikush të largohet nga prania jonë pa u ndjerë më mirë dhe më të lumtur
Revolucioni i dashurisë fillon me një buzëqeshje. Buzëqeshni pesë herë në ditë dikujt me të cilin vërtet nuk doni të buzëqeshni. Ju duhet ta bëni atë për paqe
Për të bërë një llambë është gjithmonë e ndezur, ne nuk duhet të ndalemi së vendosuri vaj mbi të
Mos i jepni vetëm të tepërtat, jepni zemrën tuaj
Paqja fillon me një buzëqeshje
Çdo punë e dashurisë, e kryer me gjithë zemër, gjithmonë do t’i sjellë njerëzit më pranë Zotit
Gëzimi është forcë
Në dashuri është vendi ku gjendet paqja
Jepni derisa të dhemb dhe kur ju dhemb jepni edhe më shumë
Nuk mund ta ndryshoj botën vetëm, por mund të hedh një gur nëpër ujë për të krijuar shumë valëzime
Dhënia e dashurisë për dikë nuk është kurrë një garanci se ai do të të dojë edhe ty; Por mos prisni që ata t’ju duan, thjesht shpresoni që dashuria të rritet në zemrën e tjetrit. Dhe nëse nuk rritet, jini të lumtur sepse u rrit në tuajat
Gëzimi është një rrjet dashurie në të cilin mund të kapen shpirtrat
Uria për dashuri është shumë më e vështirë të eleminohet sesa uria për bukë
Nëse nuk mund të ushqeni njëqind njerëz, ushqeni vetëm një
Fryti i heshtjes është lutja. Fryti i lutjes është besimi. Fryti i besimit është dashuria. Fryti i dashurisë është shërbimi. Fryti i shërbimit është paqja
Nëse nuk kemi paqe në botë, është për shkak se kemi harruar që i përkasim njëri-tjetrit, se ai burrë, ajo grua, ajo krijesë është vëllai ose motra ime.
Ajo që kërkon vite për t’u ndërtuar mund të shkatërrohet brenda natës; le të ndërtojmë gjithsesi.
Shumë herë mjafton një fjalë, një vështrim, një gjest për të mbushur zemrën e atij që duam
Paratë mund të blejnë vetëm gjëra materiale, të tilla si ushqim, veshje dhe strehim. Por duhet diçka më shumë. Ka të këqija që nuk shërohen me para, por vetëm me dashuri
Ka shumë njerëz të gatshëm të bëjnë gjëra të mëdha, por ka shumë pak njerëz të gatshëm të bëjnë gjëra të vogla.
Dashuri derisa të dhemb. Nëse dhemb është një shenjë e mirë
Nëse jeni i përulur, asgjë nuk mund t’ju dëmtojë, as lavdërimi, as turpi, sepse ju e dini se çfarë jeni
Unë mund të bëj gjëra që ju nuk mund t’i bëni, ju mund të bëni gjëra që unë nuk mund t’i bëj; së bashku mund të bëjmë gjëra të mëdha
Mungesa e dashurisë është varfëria më e madhe
Ekzaminimi ynë i ndërgjegjes është pasqyra në të cilën ne shohim arritjet dhe vështirësitë tona. Kjo është arsyeja pse ne duhet ta përballojmë atë me sinqeritet dhe dashuri
Shkenca më e madhe në botë, në qiell dhe në tokë; eshte dashuri
Dashuria është virtyti më i mirë i një personi
Jini besnikë ndaj gjërave të vogla, pasi në to qëndron forca
Ekziston një gjë shumë e bukur: ndarja e gëzimit të dashurisë
Puna pa dashuri është skllavëri
Dashuria nuk mund të mbetet në vetvete. Nuk ka kuptim. Dashuria duhet të marrë masa. Ky aktivitet do të na çojë në shërbim
Le të takohemi gjithnjë me buzëqeshje, buzëqeshja është fillimi i dashurisë
Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba për të sjellë paqe, ne kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri
Ajo që ka rëndësi është sasia e dashurisë që ne i kushtojmë punës që bëjmë
Që dashuria të jetë e vërtetë, duhet të na kushtojë. Duhet të na dëmtojë. Duhet të na zbrazë nga vetja
Dashuria është një frut që piqet në të gjitha stinët dhe është brenda mundësive të të gjitha duarve.
Disa njerëz vijnë në jetën tonë si bekime. Disa vijnë në jetën tonë si mësime
Pemët, lulet, bimët rriten në heshtje. Yjet, dielli, hëna lëvizin në heshtje. Heshtja na jep një perspektivë të re
Disiplina është ura midis qëllimeve dhe arritjeve
Fjalët e mira mund të jenë të shkurtra dhe të lehta për tu thënë, por jehonat e tyre janë vërtet të pafundme.
Unë jam vetëm një laps i vogël në dorën e shkrimeve të Zotit
Përhap dashurinë kudo që të shkosh
Ne mësojmë përmes përulësisë, të pranojmë poshtërimet me gëzim
Ne nuk mund të bëjmë gjithnjë gjëra të mëdha, por gjithmonë mund të japim diçka nga vetja
Ndonjëherë mendojmë se ajo që bëjmë nuk ia vlen. Por gjithmonë është dikush që do ta vlerësojë atë.
Si mund të ketë shumë fëmijë? Kjo është si të thuash se ka shumë lule
Dashuria është një fryt sezonal në të gjitha kohërat dhe brenda mundësive të të gjitha duarve
Ne kurrë nuk do të dimë të gjitha të mirat që mund të bëjë një buzëqeshje e thjeshtë./ KultPlus.com
Një jetë e kushtuar pikturës. Është historia e piktorit vlonjat Avenir Troqe. Gjithçka ka nisur që kur ai ishte i vogël. Është rritur duke parë të atin, i cili ishte mjek me profesion, por pikturën e kishte pasion. E ajo që filloi si një dëshirë për artin është kthyer në një punë gati 40-vjeçare.
Thotë se Vlora e frymëzon dhe e vlerëson si një nga qytetet më të bukura në Shqipëri. Por nuk harron të përmendë as fshatin ku ka lindur, Tragjasin.
40 vite pasion për pikturën nuk janë pak. Dhe artin e hedhjes në telajo e ka ushtruar në disa teknika. Disa prej tyre normalisht i ka edhe më të preferuarat.
Ajo që nisi fillimisht me skica, tani është shtrirë edhe te skulptura. Aveniri na tregon se çdo vit merr pjesë në aktivitete të ndryshme dhe panaire që zhvillon në qytetin bregdetar. Për veprat ka interes kryesisht nga vizitorët e veçanërisht të huajt të cilët vijnë në Vlorë për të pushuar.
Pasioni dhe puna e tij në pikturë i kanë kaluar kufijtë. Ai ka përfaqësuar vendin tonë edhe në organizime në Kinën e largët.
Shprehet se i vjen keq për brezin e ri të cilët i shikon larg nga arti. Aveniri është i mendimit se autoritetet duhet të bëjnë më shumë për të nxitur të rinjtë që të merren me art e veçanërisht me pikturën.
Piktori vlonjat thotë se nuk do të ndalet dhe do ta vijojë punën në art në studion që ka ngritur në qytetin bregdetar./KlanNews/ KultPlus.com
Shënohet sot 8 dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore dhe të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë dhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur.
Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë vlera kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera 8 dhjetori nuk pati dy palë, një fituese dhe një të humbur./ KultPlus.com
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka postuar një fotografi në Facebook, ku shihet mes presidentit të zgjedhur të SHBA’së, Donald Trump, dhe presidentit të Francës, Emanuel Macron.
“Aleanca euroatlantike”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka marrë pjesë në rihapjen e katedrales Notre Dame në Paris./ KultPlus.com
”I just shot John Lennon” (”Sapo kam qëlluar John Lennon”), ishin fjalët të shqiptuara me ton të ftohtë dhe cinik, më 8 dhjetor 1980, nga Mark David Chapman, i cili i dha fund jetës së ish-Beatles.
Lennon kishte mbushur 40 vjeç vetëm dy muaj më parë, më 9 tetor.
Dhe 44 vjet më parë vdekja e tij tronditi botën dhe veçanërisht një brez, e cili ishte rritur duke u ushqyer me idealet e paqes, që gjithashtu frymëzoi albumin e tij më të suksesshëm ”’Imagine”’ (1971), kënga me të njëjtin titull i të cilit u shndërrua në një himn ndërkombëtar të pacifizmit.
Natën e 8 dhjetorit 1980, Lennon ishte në shoqëria e bashkëshortes, Yoko Ono, pasi të dy po ktheheshin në banesën e tyre, brenda ndërtesës ”Dakota”, përballë njërës prej hyrjeve në Parkun Qendror, në rrugën 72.
Atë mëngjes fotografja e famshme e portreteve, Annie Leibovitz kishte qenë në shtëpinë e çiftit për të bërë një set fotografik për kopertinën e revistës ”Rolling Stone” dhe kishte realizuar foton e famshme në të cilën Lennon krejtësisht i zhveshur përqafon dhe puth Onon, e veshur plotësisht në të zeza.
Rreth orës 22:50, Chapman u afrua në hyrje të ndërtesës ”Dakota”.
Pas hyrjes së Lennon me Ono, ai nxori një pistoletë të kalibrit 0,38 milimetra dhe gjuajti me pesë fishekë.
Katër prej tyre kapën Lennon në shpinë, ndërsa një shpoi aortën. Ish-Beatle mezi shqiptoi fjalën ”Më qëlluan…”, para se të ndërronte jetë.
Ai u dërgua menjëherë nga një patrullë policie në spitalin ”Roosevelt”, ku u shpall i vdekur në orën 23:15.
Në 1969 Lennon kishte thënë se ”nuk kam frikë të vdes”.
Sidoqoftë, 40 vjet më vonë, miti i John Lennon vazhdon të frymëzojë brezat.
Ai mbetet një nga ikonat më të fuqishme ndonjëherë prodhuar nga kultura popullore, një njeri që falë muzikës dhe angazhimit për paqen ndryshoi botën. / KultPlus.com
Antropologia dhe albanologia e njohur amerikane, Janet Reineck, do të jetë mysafire e radhës e programit të ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”
Instituti Albanologjik i Prishtinës, Dega e Etnologjisë, vazhdon organizimin e ligjëratave dhe takimeve shkencore “Leksione albanologjike”.
Tema e ligjëratës së saj do të jetë: “Antropology and Activism: My Kosova Journey 1980s, 1990s, and Now”.
Ligjërata do të mbahet më 9 dhjetor nga ora 11:00 në Sallen e konferencave të Insitutit Albanologjik./ KultPlus.com
“Kur të mbush 33 vjeç, do të dal në pension. Nuk mund të jesh një yll rocku gjatë gjithë jetës tënde”, thoshte Mick Jagger, në mënyrë sfiduese, në fillim të viteve shtatëdhjetë. Një auto-profeci që duhej të ishte realizuar në vitin 1976, por gjërat shkuan ndryshe, ashtu si për Who e Roger Daltrey dhe Pete Townshend, të cilët në himnin e tyre rebel të vitit 1965, My Generation, thërrisnin: “Shpresoj të vdes para se të plakem.
“Është më mirë të digjesh se sa të venitesh ngadalë” këndonte më vonë Neil Young në këngën e famshme Hey Hey, My My (Into the black), por më pas, megjithëse me disa pauza për shkak të problemeve shëndetësore, në moshën 80-vjeçare, ai ende vazhdon e udhëton në shoqërinë e kitarës elektrike.
Ata shkruajnë këngë të reja, bëjnë disqe, hipin në aeroplan dhe shkojnë në turne, ndërsa ende argëtohen, duke sfiduar kohën, abuzimet e së kaluarës dhe ligjet e fizikës (sprintet dhe kërcimet e Mick Jaggerit në skenë në moshën 81-vjeçare nuk kanë të ngjashme). Ata janë të guximshmit e rock and roll-it, një klub ekskluziv i shtatëdhjetëvjeçarëve dhe tetëdhjetëvjeçarëve që ende mbushin arena, stadiume dhe teatro.
Dhe jo vetëm për para, sepse sigurisht që ato nuk u mungojnë. Në ato fytyra të shenjuara pashmangshmërisht nga rrudhat është historia e rock-ut, një zhanër që këtë vit mbush të shtatëdhjetat dhe mbi të ardhmen e të cilit hidhen shumë hije.
Pas AC/DC që mbledh njëqind mijë spektatorë për koncert, pas David Gilmour që mbushi plot gjashtë herë Circus Maximus në Romë dhe katër herë Madison Square Garden në Nju Jork, pas Bob Dylan (83 vjeç) që mban vazhdimisht koncerte në çdo cep të globit ose Guns N’ Roses që mblodhën turma të mëdha me hitet e tyre të publikuara në vitet Tetëdhjetë dhe Nëntëdhjetë, ekziston një nga levat më të fuqishme të tregut: nostalgjia.
Gjë që përkthehet në dëshirën për të dëgjuar Paul McCartney-n të këndojë edhe një herë Hey Jude, për të shijuar një copëz të Led Zeppelin në shfaqjet e jashtëzakonshme solo të Robert Plant ose për të ringjallur plotësisht emocionet e The Wall nëpërmjet Roger Waters. Skena e sotme e rock-ut paraqet një panteon përbindëshash të shenjtë, dëshmitarë të epokës së artë të një mënyre për të bërë art: ata janë muzikë klasike e destinuar të mbetet përgjithmonë.
Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për gjeneratat e reja, grupe që kanë një ndjekje jo vetëm të zbehtë, por që nuk ka forcën dhe kreativitetin e atyre që ishin para tyre. Nuk ka Rolling Stones të ri, por as Metallica, Deep Purple, U2, apo ndonjë të afërt me David Bowie dhe Lou Reed.
Për shumë arsye. E para është se ka mungesë nxitjeje nga publiku më i ri, i cili sot tërhiqet kryesisht nga tingujt e muzikës pop, kërcimi dhe sharmi i metrikës së repit dhe hip hopit. Zhanret, këto të fundit, që jetojnë më shumë me rima dhe fjalë sesa me muzikë, ndaj djali që i bie kitarës është “më pak i lezetshëm” se ai që bën diss.
Pastaj është faktori kohë: ndërtimi i karrierës së një grupi ose një artisti rock kërkon muaj, vite, javë provash dhe studio regjistrimi. Këto kosto janë pothuajse të papajtueshme me modelin e sotëm të biznesit. Sot duhet një single që funksionon menjëherë, që ka ndikim në mediat sociale. Pas të gjithë emrave klasikë që përmendëm, ekziston një alternim i dështimeve dhe sukseseve globale, i përpjekjeve të dështuara dhe intuitave të shpejta.
Kur Rolling Stones u përpoqën të imitonin Beatles, duke regjistruar një album jashtëzakonisht eksperimental të bazuar në psikideli, beats, mellotron dhe ide të çuditshme etnike, ata u përplasën me një nga lëvizjet më fatkeqe të karrierës së tyre. Ishte viti 1967, dhe pavarësisht Their Satanic Majesties Request, ata janë ende në qarkullim. Nëse do t’i ndodhte një grupi sot, do të ishte fundi i gjithçkaje.
Krahasuar me të tashmen ekziston përjashtimi i Måneskin: nga koncertet në rrugët e Romës, te X Factor, te Sanremo, te shitjet në mbarë botën. Por është një përjashtim. Siç janë Muse, Linkin Park ose Arctic Monkeys. Në të kundërt, Radiohead, i lindur si një grup mjaft tradicional rock, por i aftë rekord pas rekordi për të shpikur një gjuhë të re muzikore, duke e projektuar veten përpara si askush tjetër. Një paraqitje e shkurtër e realitetit mbi të ardhmen e rrokut ofrohet nga nominimet shumë të fundit në kategorinë “Albumi më i mirë Rock” për çmimet Grammy 2025 Midis shtatë të nominuarve janë… Rolling Stones, Green Day (me 32 vjet karrierë), Pearl Jam (albumi i parë u publikua në 1991), Black Crowes (grupi u formua në Atlanta në 1984), kitaristi-kompozitor Jack White (49 vjeç) dhe, më në fund, Fontaines D.C. (rreth vitit 2014) dhe Idles (2009). Gjithçka e qartë.
Teknologjia ka ndryshuar muzikën, por edhe mënyrën se si ne e shijojmë atë. Artistët e “shkollës së vjetër” shtyheshin, promovoheshin, futeshin nëpër shtëpi e në veshët e publikut me punë të përpiktë, gati artizanale. Sot, muzika, me përjashtim të emrave të konsoliduar, tenton të jetë zhurma e dhjetëra mijëra këngëve të reja që pushtojnë platformat e transmetimit çdo javë: është shumë e ndërlikuar që një grup rock të shfaqet, të zgjidhet, të bëhet një pikë referrimi. Dhe jo vetëm sepse prapa janë hijet e gjigantëve të zhanrit.
“Dëshira për të qenë të famshëm ka zënë vendin e bukurisë, të madhështisë. Regjistrohen këngë për të shkuar në Tik Tok”, thotë Jimmy Iovine, një nga producentët më të rëndësishëm të muzikës të të gjitha kohërave (John Lennon, Bruce Springsteen, Patti Smith, Dire Straits, U2)
Prandaj, asgjë nuk është përgjithmonë, madje as rock and roll, i lindur shtatëdhjetë vjet më parë dhe i sjellë me forcë në krye të top-listave amerikane dhe angleze në vitin 1954 nga Rock Around the Clock, i regjistruar me nxitim nga Bill Haley & The Comets në Phythian Temple Studios në Nju Jork. Fillimisht ishte pjesa B e një kënge tjetër që u konsiderua shumë, shumë më e fortë, por që askush nuk e mori: Trembëdhjetë Gra (dhe vetëm një burrë në qytet). Pas disa muajsh, ajo anë B e kasetës u përfshi në titullin e hapjes së filmit “blackboard Jungle”. Dhe asgjë nuk ishte më si më parë./bota.al/ KultPlus.com
Charles Bukowski ka shkruar romane, tregime dhe poezi për një total prej mbi 60 veprash. Përmbajtja e veprave të tij i përket më tepër jetës personale, varësisë me alkoolin dhe marrëdhënieve me personat e tjerë, të shprehura këto në mënyrë tepër realiste dhe pa shumë eufemizma.
Krijimi i mëposhtëm i tij është ndër më të bukurit që mund të jenë shkruar. Bëhet fjalë për përshkrimin e një femre nga një mashkull që e dashuronte atë. Është përshkrimi thuajse i çdo femre të pavendosur, por edhe tepër të fortë në të njëjtën kohë. Është përshkrimi i çdo femre që ekziston, në gjithë dimensionet e saj, ndaj jemi të sigurtë se të gjitha femrat duhet ta lexojnë një krijim të tillë.
“E ke dashur, apo jo?”, – psherëtiu ajo
“Si mund të të përgjigjem? Ajo ishte e çmendur”, – tha ai duke kaluar dorën në flokë, – “Edhe pse ishte e çmendur, çdo ditë ishte një femër ndryshe. Një herë plot guxim, një herë e stepur. Një herë e nxituar dhe herë tjetër e ndrojtur. E pasigurtë dhe e vendosur. E ëmbël dhe arrogante. Ajo ishte mijëra femra të bashkuara në një të vetme, por parfumi i saj ishte përherë i njëjti. Ai nuk mund të ngatërrohej. Parfumi i saj ishte siguria ime e vetme. Më buzëqeshte duke ditur si të luante me mua përmes buzëqeshjes së saj. Kur ajo qeshte, unë nuk kuptoja më asgjë. Nuk dija më si të flisja, apo të mendoja. Asgjë, zero. Në atë moment ishte vetëm ajo. Ishte e çmendur, e gjitha e çmendur. Disa herë qante. Thuhet se në ato çaste femrat duan vetëm një përqafim, ndërsa ajo jo. Ajo nevrikosej, nëse e përqafoje. Nuk e di ku ndodhet tashmë, por vë bast se është në kërkim të ëndrrave.
Ajo ishte e çmendur, totalisht e çmendur, por e kam dashur çmendurisht”. / KultPlus.com
Pas dy netëve gjysmëfinale, sonte në Pallatin e Kongreseve do të mbahet finalja e “Këngës Magjike”.
Pas një votimi nga Juria, artistët pjesëmarrës dhe publiku, sonte në skenën e madhe të Kënges Magjike do të ngjiten 23 finaliste, që do të interpretojnë sërish live, kësaj here në garë për trofeun kryesor.
Do të ketë tre çmime të para dhe do të shpallet Top 10 më e mirë e edicionit “Kënga Magjike 2024”.
Ashtu si dy netët e kaluara edhe sonte nuk do të mungojnë surprizat./klanhd/ KultPlus.com
NASA ka shtyrë misionin kyç në programin e saj “Artemis”, i cili synon të kthejë astronautët në Hënë.
Misioni “Artemis II” me ekuipazh, i planifikuar fillimisht për në shtator 2025, tani është caktuar të zhvillohet pas prillit 2026.
Në mënyrë të ngjashme, misioni “Artemis III”, i cili përfshin një ulje të planifikuar hënore, është shtyrë deri në vitin 2027.
Administratori i NASA-s, Bill Nelson shpjegoi se vonesat rrjedhin nga problemet me mburojën e nxehtësisë së kapsulës Orion, të identifikuara gjatë fluturimit testues “Artemis I” në 2022.
Nelson theksoi se nevojitet më shumë kohë për të siguruar që anija kozmike mund të mbajë në mënyrë të sigurt astronautët në misionet e thella në hapësirë.
NASA po kryen gjithashtu teste të gjera për të adresuar çdo rrezik me të cilin mund të përballen astronautët, veçanërisht në lidhje me anijen kozmike dhe pajisjet e astronautëve.
Programi “Artemis” është i fokusuar në dërgimin e astronautëve në polin jugor të Hënës, ku besohet se është i pranishëm akull uji, duke ofruar burime të mundshme për misionet e ardhshme.
Faza e parë e programit Artemis, “Artemis I”, përfundoi me sukses në dhjetor 2022, duke shënuar një moment historik të madh me një fluturim testues pa ekuipazh./ KultPlus.com
Platforma e rrjeteve sociale në pronësi kineze, TikTok, ka pësuar një humbje në betejën e saj kundër një ligji në Shtetet e Bashkuara që kërkon shitjen apo ndalimin e këtij aplikacioni popullor.
Gjykata e Apelit në Uashington tha se legjislacioni për shitjen e TikTok-ut është i ligjshëm.
Tani, i vetmi opsion për TikTok-un është që t’i drejtohet Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara.
Platforma në pronësi të kompanisë kineze, ByteDance, argumentoi në padi se ligji shkelë lirinë e fjalës së garantuar në Kushtetutën amerikane. Megjithatë, gjykata theksoi se ligji është në përputhje me praktikat dhe rregulloret që janë në fuqi për një kohë të gjatë dhe që Kongresi amerikan nuk ka pasur për qëllim të shtypë liri të caktuara.
Sipas ligjit, që hyri në fuqi në prill, ByteDance ka rreth një vit kohë për të shitur aksionet e tij që ka në TikTok para se aplikacionit të ndalohet në të gjitha dyqanet e aplikacioneve në SHBA. Ligji thirret në rrezikun që Kina mund të ketë qasje në të dhënat amerikane dhe përmes tyre të ushtrojë ndikim politik.
Në padinë e TikTok-ut, mes tjerash u tha se ndarja nga ByteDance, siç propozohet në ligjin amerikan nëse ky aplikacion dëshiron të ketë qasje në SHBA, “thjesht nuk është i mundur: as në aspektin komercial, as në atë teknologjik e as në aspektin ligjor”.
Fillimisht, ligji i kishte dhënë ByteDance 270 ditë kohë që të shesë aksionet që ka në TikTok. Presidenti amerikan, Joe Biden, mund të zgjasë afatin për tre muaj të tjerë nëse ka përparim në bisedimet për shitjen e aksioneve. Megjithatë, TikTok ka deklaruar se nga perspektiva e kompanisë, kjo gjë nuk do të ndodhë.
“Nuk ka dyshim, ky ligj do të detyrojë mbylljen e TikTok-ut deri më 19 janar 2025, duke heshtur 170 milionë amerikanë që përdorin platformën për të komunikuar në mënyra që nuk mund ta bëjnë me aplikacione të tjera”, u tha në padinë e kompanisë.
Më 20 janar, republikani Donald Trump do të marrë detyrën e presidentit të SHBA-së. Gjatë mandatit të tij presidencial, administrata e tij kishte dështuar që përmes gjykatave të detyronte shitjen e TikTok-ut.
Gjatë fushatës zgjedhore për presidencialet e këtij viti, ai është shprehur kundër ndalimit të platformës. Megjithatë, ai nuk mund ta tërheqë ligjin.
ByteDance konsiderohet kompani kineze nga të dyja partitë kryesore në SHBA.
TikTok-u argumenton se afër 60 për qind e aksioneve në ByteDance janë të investitorëve perëndimorë. Selia e kompanisë është në Ishujt Kajman në Karaibe.
Por, politikanët amerikanë kanë argumentuar se themeluesit kinezë kanë kontroll, për shkak të drejtës së tyre të votës në bord pasi kanë 20 për qind të aksioneve, duke shtuar se selia kryesore e ByteDance është në Pekin, ku kompania nuk mund t’i ikë ndikimit të autoritete. /REL/ KultPlus.com
Shqipëria do të mikpresë në vitin 2025 për herë të parë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), eventin më të rëndësishëm global në fushën e sigurimeve, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga mbi 150 autoritete mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe përfaqësues të industrisë së sigurimeve.
Në mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të IAIS-it, zhvilluar këtë javë në Cape Town, drejtoresha e përgjithshme ekzekutive e autoritetit, Mimoza Kaçi, prezantoi platformën dhe vizionin e autoritetit për organizimin e këtij eventi vitin e ardhshëm në Shqipëri.
Në fjalën e mbajtur, Kaçi theksoi marrëdhënien e shkëlqyer me IAIS, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Autoritetit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe harmonizim të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare në sigurime.
Gjatë vitit 2024, bazuar në rekomandimet e “Raportit të vlerësimit të përputhshmërisë” të IAIS, janë hartuar dhe propozuar ndryshimet përkatëse, si në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, ashtu edhe në ligjin “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator.
“Qëndroj sot përpara jush si dëshmitare e transformimit të jashtëzakonshëm të vendit tim, Shqipërisë, të cilën do ta quaja thesari i vogël në zemër të Europës. Trashëgimia jonë kulturore është po aq e pasur, sa dhe unike. Ne jemi vendlindja e Nënë Terezës, shpirti i së cilës vazhdon të na frymëzojë dhe udhëheqë. Dëshiroj të jemi të gjithë bashkë vitin e ardhshëm për të përjetuar magjinë e vendit, që do të lërë gjurmë dhe do të mbetet gjatë në mendjen tuaj”, tha Kaçi në fjalën e saj.
Konferenca Vjetore IAIS 2025, do të mbledhë në Tiranë mbi 500 drejtues të nivelit të lartë nga autoritetet mbikëqyrëse dhe tregu i sigurimeve nga mbarë bota, për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat në fushën e sigurimeve. Njëkohësisht, ky event do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion të ri në fushën e turizmit. Pjesëmarrësit në aktivitet, shprehën interes të lartë, ndërsa vizituan stendën promovuese të Shqipërisë./atsh/ KultPlus.com
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ka njoftuar se ka zhvilluar disa materialedidaktike për edukatorë/mësimdhënës dhe këshilla e udhëzime për nxënës e prindër, prandaj kërkojmë që rreziqet online dhe edukimi për përdorimin e sigurt e të dobishëm të internetit, të trajtohet me efikasitet në shkolla dhe shtëpi.
MASHTI tha se janë të shqetësuar si pasojë e rasteve të lëndimeve të nxënësve.
“Sa u përket materialeve didaktike, ka kohë që MASHTI ka hartuar pakon e udhëzuesve ”Udhëtimi nëpër internet” (2 udhëzuesit për nxënës, 1 për mësimdhënës dhe 1 për prindër), me të cilën ofrohen alternativat e përdorimit të internetit në mënyrë të dobishme e të përgjegjshme, duke trajtuar këtë tematikë me qasje ndërkurrikulare, ekstrakurrikulare dhe me mësim zgjedhor”, thuhet në njoftim./ KultPlus.com
Ekspozita “Mediterraneo” e gazetarit dhe folësit të lajmeve në Top Channel, Ilir Paço është çelur në qytetin e Pogradecit.
35 grafika të realizuara mbi fletët e lajmeve përgjatë kohës kur ai përcjell informacionin për publikun vijnë si një ditar vizatimesh me tematika të ndryshme.
Mes tyre qëndrojnë të vendosura disa ekrane ku shfaqen në mënyrë të përsëritur momente kur Ilir Paço është në transmetimin e lajmeve të Top Channel.
Tematika e grafikëve është e shumëllojshme por në qendër vendos dashurinë e tij për Ballkanin
Në ditën e parë të çeljes, pjesëmarrësit tregojnë se ekspozita që vjen si një arratisje shpirtërore e gazetarit nga presioni i zhvillimeve të lajmeve është shumë interesante
Ekspozita do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë muajit të festave kur edhe qyteti i Pogradecit ashtu si në gjithë vendin ka ndezur dekorin festiv dhe mirëpret vizitorët./Topchanel/ KultPlus.com
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, shpreh shqetësim për përhapjen e lojës së rrezikshme që po qarkullon në TikTok “Superman challenge”, ku deri më tani janë raportuar disa raste të nxënësve që kanë pësuar lëndime fizike nga përfshirja në këtë lojë.
KOMF iu është drejtuar të gjithë nxënësve, se kjo nuk është një “lojë” dhe nuk është as “sfidë”.
“Luajtja e kësaj loje, ju dëmton fizikisht dhe mund të keni pasoja për shëndetin tuaj”, thuhet në njoftimin e KOMF-it.
KOMF u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që të raportojnë tek prindi apo mësimdhënësi, nëse kanë informacion se shokët apo shoqet janë të përfshirë në këtë lojë, dhe që të përfshihen në lojëra që i ndihmojnë të rriten të fortë e të shëndetshëm, duke ju bërë thirrje dhe një herq që të qëndrojnë larg këtyre mashtrimeve.
KOMF i bën thirrje prindërve:
-Monitoroni fëmijët gjatë qëndrimit të tyre në internet dhe flisni me fëmijët për “lojrat” apo “sfidat” e papërshtatshme, rreziqet dhe dëmet që sjellin ato.
KOMF i bën thirrje mësimdhënësve:
-Mbani sesione informuese dhe vetëdijësuese me nxënësit mbi pasojat që mund të kenë nga lojrat e papërshtatshme dhe se si të zëvendësohen ato me lojëra argëtuese e të shëndetshme;
-Siguroni mbikëqyrje të nxënësve në klasë, gjatë pushimeve dhe në ambiente të tjera të shkollës për të parandaluar rreziqet e tilla;
-Keni vëmendje dhe kujdes të shtuar për të parandaluar raste të reja të fëmijëve që mund të manipulohen nga kjo lojë;
-Siguroni koordinim intensiv dhe të vazhdueshëm me nxënësit dhe prindërit për këtë çështje.
“Heshtja”, “Gjurmë”, “Mbështetja”, “Karroca”, “Labirinthi”, ishin emrat e disa prej punimeve grafike të ekspozitës që u hap mbrëmë në hapësirat e KultPlus Cafe Gallery. Kjo ekspozitë shënon edicionin e dytë, me kurator Basri Mekolli.
Ekspozita “Grafika bashkëkohore e grafistëve të rinjë kosovar” u hap nga drejtoresha e KultPlus, Ardianë Pajaziti, bashkë me kuratorin Mekolli. Ajo u shpreh se kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur për dy javë, për të gjithë ata që duan ta shijojnë.
Rezultatet e praktikave të këtij hulumtimi ishin të shumëfishta duke i përfshirë, por jo i ku- fizuar vetëm me vështrimet “brenda” proceseve artistike, por edhe duke hulumtuar dimensionet socio-kulturore, produktet e reja artistike, identitetet, narrativat, transformimet, hapësirat, kohët dhe relacionet ndërmjet tyre.
Kuratori Mekolli u shpreh se në këtë edicion të ekspozitës janë përfshirë 24 grafist me punime të ndryshme, të cilat janë të punuara me mjeshtëri dhe me përkushtim. Ai tha se ky projekt i ka marrë rreth 3 muaj kohë.
“Me këtë projekt jam marrë që nga shtatori, me hulumtimin e grafistëve, përzgjedhjen e punimeve dhe prezantimin e tyre. I kam përzgjedh dhe seleksionu grafikat më të suksesshme”, tha ai për KultPlus.
Tutje, Mekolli shtoi se ka pasur artistë që është dashur me qenë të pranishëm me punimet e tyre në këtë ekspozitë, por që për arsye të caktuara kanë ndërruar mendje dhe i kanë tërhequr punimet që t’i prezantojnë në ekspozitat personale jashtë shtetit.
Sa i përket vazhdimësisë së edicioneve edhe më tutje, ai u shpreh se është shumë e vështirë sepse është zvogëluar numri i artistëve dhe se ka edhe vështirësi financiare.
“Është vështirë me zgjat edicione sepse duhet gjithmonë të ketë artistë të rinjë, tani është zvogëluar numri i artistëve grafist dhe ata që studiojnë në Fakultetin e Arteve po i lënë studimet dhe po ikin jashtë shtetit. Sfidë në vete është edhe aspekti ekonomik, sepse është profesion shumë i shtrenjtë dhe materialet janë që gjenden vetëm jashtë shtetit. Kjo po ndikon në punën e grafistëve”, shtoi Makolli.
“Botën jo lëndore të këtij abstraksioni më së miri e paraqesin grafikat “Në Mes” të autorit Adhurim Maliqi; Ardiana Vishi me grafikën “Dëshprimi”, dhe autorja e grafikës “Kompozicion”, Miradije Morina. Besime Haxha me grafikën “Figurat në Hapësirë”, Berat Bajrami me grafikën “Malet e Kujtesës” dhe shumë grafistë tjerë gjithashtu prezantohen me mënyrën abstraksioniste të të shprehurit, por që në vete bartin pamjet me primesa asociative. Në mesin e grafistëve të rinjë, gjithashtu dallohet autorja e grafikave, Arbenita Kuliqi me fletëgrafikat “Labirinthi” dhe “Rilindje e Egër” e cila shpërfaq botën psikologjike të mveshur me petkun e revoltës personale ndaj dukurive të rrethit shoqëror, brenda së cilës ndodhet edhe vet ajo”, është shprehur Mekolli në hyrje të katalogut që është realizuar për këtë ekspozitë.
Teknikat e përdorura në këtë edicion janë kryesisht teknikat e shtypit të thellë: xhilpërës së thatë, monoshtypit, bakërshkrimit, akuatintës dhe shtypit të depërtueshëm.
Ndërsa, njëri nga 24 pjesëmarrësit e ekspozitës, Festim Matoshi, tregoi se ka marrë pjesë me dy punime të tij, të cilat janë punuar gjatë vitit 2016. Ai tha se punimet e tij quhen “Heshtja” dhe “Gjurmë”, për të cilat është frymëzuar nga dashuria e tij për natyrën.
“Jam pjesëmarrës në edicionin e dytë, marr pjesë me dy punime të ndryshme të teknikave të ndryshme. Unë kam përzgjedh formën e shtypit të depërtueshëm që është formë e grafikës dhe është vështirë e realizueshme dhe në pubil quhet seriografi. Njëra quhet “Heshtja” dhe tjetra “Gjurmë”, janë punuar në vitin 2016 me ngjyra të ndryshme. Punimet paraqesin kompozicion të veçantë, zakonisht natyren e kam për qejfi por brenda asaj e zhvilloj edhe një temë tjetër të heshtur, të fshehtë”, u shpreh Matoshi për KultPlus.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për dy javë./KultPlus.com