Produksioni “Buka” rikthehet në Festivalin e Filmit në Sarajevë me filmin “Vidra”

Produksioni kosovar ‘Buka’ do të jetë për here të dytë pjesë e Festivalit të Filmit në Sarajevë, këtë here në konkurencën kryesore për film të gjatë artistik.

Filmi ‘’Vidra’’(Otter), një bashkëprodhim ndërkombëtar i Malit të Zi, Kosovës, Bosnjës,Kroacisë dhe Italisë, me regji nga Srdan Vuletić, do të ketë premierën botërore më 16 gusht 2025 në këtë festival të njohur ballkanik, përcjellë KultPlus

Kosova përfaqësohet nga Buka Production me producentin Fatmir Spahiu, ndërsa pjesë e ekipit janë edhe Pëllumb Ballata si production sound mixer dhe Nok Selmani si boom operator. Në ekip përfshihen emra të njohur nga rajoni si:

– Filip Tot (drejtor fotografie, Kroaci)
– Ognjen Smolović (skenograf, Mali i Zi)
– Andrea Samardžić (kostumografi, Mali i Zi)
– Nataša Sevčnikar (grimi, Slloveni)
– Vlado Gojun (montazhi, Kroaci)

Filmi është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra e Filmit të Malit të Zi, Ministria e Kulturës së Italisë, Apulia Film Commission, HAVC (Kroaci), si dhe institucione kulturore të Bosnjës.
Produksioni Buka falënderon nga zemra të gjithë bashkëpunëtorët dhe ekipin që e bëri të mundur këtë projekt, përfshirë: Pëllumb Ballata, Nok Selmani, Aurita Agushi, Edona Reshitaj, dhe shumë të tjerë./KultPlus.com/

Sa mirë, atëherë

Poezi nga Zef Zorba

Sa mirë, atëherë, o mite, kur isha fëmi; 
i lodhur prej lodrimesh gjithë ditën, 
nën hije të një shelgu bija këputur gjumi: 

ëndrra 
gjithfarë, plot ndriçime. I pezmatuar 
tash vetëm ndrydhi, e nata, e ditës lubi, 
shpirtin ndër helme përkundë, 
e arsyeja brehet 
panda, e brenë. 
E në agim shiroku, 
një mbas një, sy lotues ngulitë mbi xhame; 
bie ora pesë: unë kryqin marr në krah 
e më pak frymë fillohen për Kalvar. 

Eci. Dhe me ngadalë e lehtë një këngë sajohet 
ndër dej: “ad adiuvandum me festina”. 
E këmba përmbi baltë len gjurmë të thella.  /KultPlus.com

Edicioni i 9-të i ZA Fest ndizet në Kalanë e Rozafës këtë korrik

Edicioni i nëntë i ZA Fest do të vijë për publikun përsëri nga Shkodra në datat 24, 25, dhe 26 korrik.
Zëri që kumbon prej kalasë së Shkodrës për tri net do të sjellë artistët më në zë të momentit duke bashkuar arti modern me traditën, në një skenë plot emocione, intimitet e energji shpërthyese njëherësh.

Pjesë e këtij festivali do të jenë emra si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj etj.

ZA Fest është aktivitet kulturor i përvitshëm, krijuar nga pasioni i artistit Vlashent Sata.

Skenë e këtij eventi është bërë Kalaja e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, lugina e Thethit etj.
“A jeni gati të përjetuar kujtime të paharrueshme në netët plot art, muzikë të mirë dhe ju, publiku më zemërbardhë?”, thotë drejtuesi i festivalit, Vlashent Sata nga Kalaja e Rozafës, në videon promovuese të aktivitetit./atsh/

Shqiptarët nga viti 1908 me alfabet por pa abetare 

Rrugëtimi ynë kombëtar, deformimi psikologjik i shkaktuar nga mungesa e shkollimit dhe projektimi i të ardhmes:

Shkruan: MsC. Mark Lucgjonaj

Shqiptarët, në gjithë historinë e tyre, jo vetëm gjeografikisht por edhe kulturalisht e shpirtërisht, kanë qenë dhe janë pjesë e kontinentit të Evropës. Qysh në fillimet e shkrimeve të para, përpjekjeve për t’u bërë komb në hap me shtetet e Evropës, shqiptarët janë të lidhur me rrënjët e këtij kontinenti. Rrugëtimi i kombit shqiptar ka qenë i vështirë. Në kohën kur kombet e tjera kishin marrë iniciativa për mësim në gjuhët e tyre amtare, edhe shqiptarët, hap pas hapi me ta, filluan mësimin në shqip. Por, përkundër fqinjëve të tyre perëndimorë, të cilët luftonin mes vete për ide të ndryshme, shqiptarët përballeshin me një kulturë tjetër, të kundërt me atë evropiane. Vetëm prej vitit 1908 kemi një alfabet unik, falë intelektualëve që vunë themele të shëndosha kombëtare, duke u mbështetur në shembujt e kombeve të tjera evropiane. Ata, themeluesit e shqiptarisë, duke ditur shumë mirë sa shekuj kishim humbur, duke ditur se sa njerëz të mëdhenj nga gjaku ynë i kishin përvetësuar kombet e tjera, të vendosur për ta ringritur shqiptarinë evropiane, zbritën në rrënjët e popullit tonë dhe nga aty e filluan procesin e Rilindjes Kombëtare. Të nisur nga parimi evropian, gjuhën e vendosën në radhë të parë. Gjuha shqipe, si njëra nga gjuhët më të lashta të kontinentit, përveçse kishte përjetuar tkurrje, ishte një gjuhë e padokumentuar. Kështu ndodh kur nuk ke një administratë tënden, ose kur ke një administratë që nuk e lejon shkrimin e gjuhës. Andaj, alfabeti u bë themeli i ringritjes gjuhësore, i cili u kthye edhe në katalizatorin kryesor për pastrimin e gjuhës shqipe nga shumë fjalë të huaja, që kishin depërtuar deri në palcën e fjalëformimit. Kjo është edhe arsyeja kryesore përse sot një numër i madh i bashkëkombësve tanë, në vend se ta duan veten dhe historinë e tyre, gjuhën dhe kulturën e identitetit të tyre autokton, janë cekëtisht të lidhur me një kulturë tjetër – të imponuar ndër shekuj nga pushtuesit. Madje, ky grupacion edhe pushtimin e sheh si shpëtim. Shpesh, në të njëjtin shesh, ngrihen përmendore kundërshtuese te shqiptarët: njëra palë adhuron kryeheroin tonë, kurse pala tjetër adhuron kundërshtarin e tij më të madh – masakruesin e kombit të vet. Arsyet janë të qarta: cektësia e njohjes dhe mungesa e shkollimit ndër shekuj. Viti 1908 është një vit relativisht i vonë për kontinentin evropian për të krijuar një alfabet.

Me këtë alfabet do të fillonte të shkruhej e rishkruhej e gjithë letërsia shqipe. Do të rishkruhej me alfabetin shqip gjithë letërsia që, deri në standardizimin e alfabetit, ishte shkruar me shumë shkronja dhe me disa alfabete evropiane – latine, sllave, greke dhe arabe. Me gjuhën shqipe do të shkruheshin rreshtat e parë të historisë shqiptare, ku në rrënjët e saj do të vendoseshin kokat e shquara të dala nga gjaku ynë: Aleksandri i Madh, Genti, Teuta, Pirroja i Epirit e shumë figura – shtylla të lashtësisë sonë, të ndritura e të vuajtura. Kërthiza e kombit të ri me emër, që doli nga formula Ilir–Arbën–Shqiptar, do të vendosej te ai që do të quhej Ati i Kombit – Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Deri këtu duhet ta kemi të qartë se dy nivele bashkëpunuan në formë të barabartë me njëra-tjetrën: patriotët me pushkë në dorë dhe patriotët intelektualë. Betejat ishin pothuajse të barabarta për të dyja grupet, sepse shumë prej patriotëve intelektualë u vranë dhe u likuiduan në katër anët e botës, kudo që ata merreshin me veprimtarinë e tyre kombëtare. Duhet ta kemi të qartë se e vetmja gjuhë dhe e vetmja shkollë që ishte e ndaluar gjatë pushtimit pesëshekullor ishte gjuha shqipe. Të drejtë në shkollim në gjuhën amtare kishin të gjitha kombësitë e tjera – edhe serbët, edhe grekët – përveç shqiptarëve. Kosova do të priste edhe më gjatë për një ligj që lejonte shkollën në gjuhën shqipe – shumë më gjatë se viti 1912.

Kapitulli i ri për shqiptarët ishte futja e gjuhës shqipe në shkolla, ose hapja e shkollave shqipe në mbarë vendin. Vatra e gjuhës shqipe lindi atë ditë që u hap shkolla e parë shqipe në Shqipërinë e lirë – për të mos u mbyllur më. Kjo frymë e intelektualëve shqiptarë e kishte të qartë se politika kishte fushën e vet të veprimit, duke e lënë të lirë anën kulturore, ta përkrahnin dhe ta nxisnin për të punuar sa më shumë e sa më fort për atdheun. Ata synonin të merrnin nga kjo gurrë njerëz të formuar, të cilët do të ishin menaxherët më të mirë të shtetndërtimit dhe zhvillimit të vendit. Ata e dinin më së miri – sepse jetonin e vepronin në shtete evropiane ku demokracia kishte filluar të ishte e avancuar – andaj artin, kulturën, historinë dhe ligjin i lanë të pavarura, duke i shpallur të shenjta. Këto do të ishin arma e kombit, krenaria e të gjithëve, dhe assesi një mjet i politikës – siç do të bëheshin më pas. Shtypi, arti, kultura, shkenca dhe ligji i lirë do të ndërtonin një shtet që kishte nevojë të arrinte kohën e humbur. Kjo lloj qasjeje na bën të kuptojmë se rilindësit e dinin ç’është integrimi – ose më qartë ta themi, rikthimi i shqiptarëve në gjirin e Evropës. Ata nuk do ta besonin se sot, pas kaq shumë vitesh, mbi një shekull, ne ende nuk jemi integruar në shtëpinë tonë evropiane. Në shumë aspekte kemi bërë edhe hapa pas. Por devijimi më i madh është devijimi psikologjiko-kulturor, pra adhurimi i kulturës së pushtuesit. Dihet se gjuha shqipe u ruajt nëpër shkolla të ndryshme të improvizuara, nga intelektualë e patriotë që shkrinë pasurinë dhe jetën e tyre për ta mbajtur të gjallë pishtarin e kombit shqiptar. Pa sakrificën e tyre, me siguri sot nuk do të flitej as për Shqipëri, as për gjuhë shqipe, e as për shqiptarë. Pra, Rilindja e shqiptarëve nuk ishte një farë që shpërtheu bimën e kombit, por ishin shumë të mbjella që shuheshin herë pas here nga armiqtë e popullit autokton – i cili jetonte i ndarë në pesë vilajete, me një territor dhe natyrë mahnitëse, me pasuri tokësore, nëntokësore dhe ujore, aq sa edhe njerëzore.

Gjuha, gojëdhënat, përrallat, këngët, vajtimet, doket, ritet pagane e fetare u ruajtën nga populli. Por u dokumentuan nga intelektualët. U shpëtua ajo që mund të shpëtohej nga gurra popullore. Duke mos pasur forcën e mendjes për t’u bashkuar si komb rreth çështjes më të madhe e jetike për një popull – vetëqeverisjes – ne humbëm mjaft asete nga kultura dhe tradita që patëm. Humbëm manastire e kisha, varreza dhe kala, qytete të lashta, turma njerëzish që largoheshin nga beteja në betejë. Themeluam koloni nëpër Itali, Kroaci, Ukrainë e gjetiu. Humbëm mundësinë e dokumentimit të masakrave të shumta që u kryen ndaj kombit tonë – nga pushtues dhe dhunues që nuk ishin të paktë. U çoroditëm si popull dhe nuk po ia dilnim të bëheshim komb. Madje, duke përkrahur pushtues të ndryshëm, luftuam edhe kundër njëri-tjetrit, duke shkrirë jetët kot – për t’u kujtuar si heronj të kombeve dhe idealeve të huaja, e jo të atyre me të cilat sot do të krenoheshim. Në rrëmujën e madhe të Luftrave Ballkanike – të cilat ishin orkestruar për të shpërbërë shtetin shqiptar – ishin pikërisht intelektualët shqiptarë ata që ngritën zërin nëpër kancelaritë e Evropës, që kjo masakër, ky gjenocid i orkestruar nga fqinjët, të ndalej.

Kështu, në pushtet erdhi Ahmet Zogu. Me të filloi ngritja e shtetit shqiptar – e Shqipërisë Londineze. Prej këtu, fati i shqiptarëve filloi të shkruhej ndaras e ndryshe. Shqiptarët që mbetën jashtë kufijve vazhduan të jenë të pushtuar dhe nën sundimin e tjetrit. Nëse shqiptarët në Shqipëri po ndërtonin shtetin e tyre – në mes të varfërisë së madhe – po ndërtonin diplomacinë e parë shqiptare, ushtrinë, policinë dhe organet e tjera shtetërore, për shqiptarët e tjerë, mjerimi ishte i dyfishtë. Mbi të gjitha, rreziku nga asimilimi ishte shumë agresiv. Alfabeti i gjuhës shqipe ia doli të shkruhej vetëm në Shqipëri, dhe po ashtu shkolla shqipe ishte mundësi vetëm për shqiptarët e Shqipërisë. Por patriotët shqiptarë dhe intelektualët nuk pushuan së punuari për mbijetesën e kombit, duke vazhduar luftën për ëndrrën e madhe – të lirisë dhe pavarësisë.  Ahmet Zogu do të qëndronte në krye të shtetit shqiptar prej vitit 1920 deri në vitin 1939, në forma të ndryshme të qeverisjes. Ai u rikthye në fron me ndihmën e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, pasi Fan Noli nuk ia doli ta mbante pushtetin pas Revolucionit. Në kohën kur Zogu po ringrinte Shqipërinë nga humnera e errësirës, shqiptarët jashtë Shqipërisë ishin në zjarr. Atje po kryheshin masakra, djegie fshatrash dhe dëbime. U instalua regjim ushtarak serb, për të nënshtruar, shfarosur dhe asimiluar shqiptarët. Librat shqip dhe shkollat shqipe u ndaluan. Nëse në Shqipëri emrat e mbiemrat po shqipëroheshin, për shqiptarët në Kosovë, Luginë, Maqedoni, Plavë, Guci, Ulqin e Malësi, ata po sllavizoheshin dhe po asimiloheshin. Në ditët e sotme ka përplot shqiptarë anembanë ish-Jugosllavisë, të cilët nuk duan ta kthejnë mbiemrin dhe ta shkruajnë në gjuhën shqipe.

Kolonizimi i tokave shqiptare filloi me vendosjen e serbëve dhe malazezëve, me qëllim ndryshimin e përbërjes etnike. Figurat e rezistencës si Azem Galica dhe Shote Galica (si prijës) u shuan dhe u përsekutuan. Kështu, në Shqipëri, libri shqip po hapte petalet e veta, duke arsimuar brezat e rinj, por shqiptarët e tjerë ndodheshin në kushte çnjerëzore. Në Kosovë, libri i parë shqip i botuar ishte “Doktrina e Krishterë” – Gjon Nikollë Kazazi, më 1743, i cili u ndalua. U desh të pritej viti 1945, që të shtypej libri i dytë shqip: Abetarja. Ndërsa më 1953, erdhi edhe libri i parë artistik, “Një fyell ndër male” i Martin Camajt. Në Ulqin, që prej Buzukut (1555) dhe Hafiz Ali Ulqinakut (shek. XIX), u desh të pritej viti 1938, kur botoi Hajro Ulqinaku. Në Malësi, libri i parë shqip, “Malësori këndon”, u botua nga Gjergj Hasanaj, në vitin 1971. Ndërsa në Guci, Idriz Ulaj, në vitin 1978, botoi përmbledhjen “Këngë popullore nga Gucia”. Kjo pasqyrë është e qartë: prej shpalljes së pavarësisë nuk ka filluar ringritja e kombit, por vetëm ka lindur qeliza ose bërthama e saj – shteti shqiptar, i cili me varfëri të madhe e me vështirësi të shumta, filloi ngritjen nga pluhuri.

Në vitin 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste, duke krijuar probleme të tjera, ndarje të reja dhe ideologji të panjohura për popullin shqiptar. Italia Fashiste dhe Gjermania Naziste, pasi pushtuan tokat shqiptare, krijuan një hartë të re për shqiptarët, ku, në këtë kohë, qeveria shqiptare fashiste (e pushtuar) hapi shkolla shqipe në Kosovë dhe në vendet e tjera të banuara me shqiptarë. Filloi një periudhë katërvjeçare me një administratë të re, e cila e njihte gjuhën dhe kombin shqiptar dhe i favorizonte ato. Duke ditur se asnjë pushtues nuk është i mirë dhe as nuk vjen për të shpëtuar ndonjë popull, shqiptarët u munduan të ishin sa më neutralë, por nuk shpëtuan pa u lagur. Jugosllavia ishte e fortë dhe me rrënjë e mbështetje nga Rusia. Lufta e shqiptarëve bashkë me jugosllavët për çlirim nga Gjermania Naziste solli në pushtet komunizmin – me program antishqiptar, të përpiluar në Beograd.

Në pushtet erdhi Enver Hoxha. Tashmë, mjerimi për shqiptarët u kthye në makth. Shqiptarët, në tokat e veta autoktone – përfshi edhe Shqipërinë – humbën lirinë e tyre. Të vetmit shqiptarë të lirë ishin përsëri shqiptarët në mërgim. Intelektualizmi shqiptar në Shqipëri u kthye të punonte kundër shqiptarëve. Por qeliza e dritës shqiptare, në gjithë atë katrahurë, u bë Prishtina. Fatmirësisht, ishte Shqipëria ajo e cila – në frymën e saj të fundit, para mbytjes së plotë moniste – dha një dorë të madhe në hapjen e shkollave shqipe në Kosovën e Jugosllavisë. Shqipëria komuniste ndryshoi gjuhën standarde shqipe, duke eliminuar standardin e Elbasanit, të vendosur më përpara. Kosova e përqafoi fuqishëm gjuhën standarde, duke mos u ndarë nga trungu gjuhësor. Në këtë kohë, shqiptarët e Sanxhakut ishin duke u shuar. Brezi i fundit që fliste shqip po vdiste. Pas rënies së komunizmit, shqiptarët e Shqipërisë ia mësynë Evropës, duke iu bashkuar mërgatës shqiptare, e cila prej dekadash ishte themeluar nga shqiptarët jashtë Shqipërisë.Deportime, vrasje dhe krime antishqiptare ishin kryer nga Jugosllavia, por Shqipëria nuk ishte aty për t’i njohur, për t’i bërtitur dhe për t’i gjykuar.

Mendësia e shqiptarëve në Shqipëri kishte ndryshuar, falë dhunës së egër komuniste të Enver Hoxhës, i cili kishte ushtruar dhunë dhe pastrim intelektual shqiptar. Ata nuk kishin ndjenja patriotike e as atdhetare ndaj shqiptarëve në përgjithësi – e sidomos ndaj shqiptarëve të ngelur në Jugosllavi. Nuk hezitonin t’i quanin jugosllavë. Ata urrenin pothuajse çdo gjë që ishte shqiptare, ngase ajo përfaqësonte komunizmin dhe Enverin. Ndërsa shqiptarët në Jugosllavi, për shkak të mungesës së informacioneve të sakta, kishin idealizuar Shqipërinë e TVSH-së së Enverit, duke parë atje një lider dhe një shtet të fortë si çeliku, që kur të nisej në sulm, do t’i shpëtonte shqiptarët. Shqiptarët nuk njiheshin mes vete, por me shembjen e komunizmit, filloi procesi i rinjohjes. Lufta në Kosovë i vuri shqiptarët në një pozitë të re. Intelektualizmi shqiptar filloi të aktivizohej fuqishëm edhe brenda vendit, në veçanti përmes lobimit të fuqishëm të shqiptarëve të mërgatës, të cilët, përmes mjeteve të shumta, arritën të depërtonin në të gjitha skutat dhe pozitat shtetërore anembanë botës. Kjo ndodhi edhe me vetë shtetin amë të tyre. Mërgata shqiptare, veçanërisht ajo nga Mali i Zi, ishte motori kryesor i lobimit tek kongresmenë, senatorë e zyrtarë të lartë të Pentagonit. Kjo mërgatë nuk humbi kohë dhe nuk u kursye në asnjë moment për ta bërë luftën për çështjen shqiptare të njohur në gjithë botën. Mbledhje, grumbullime fondesh për lobim dhe për front, darka e protesta të shumta ishin vetëm maja e ajsbergut – pjesa e dukshme e asaj që ishte punuar për dekada në kohët e errëta të komunizmit, kur haptazi shantazhoheshin, përndiqeshin e madje edhe vriteshin nga shërbimet sekrete, si ato jugosllave, ashtu edhe ato të Partisë Komuniste Shqiptare. Vetë Nënë Tereza u aktivizua për çështjen e Kosovës, dhe porosia e saj drejtuar Presidentit Bill Klinton do të mbetet urata më e shenjtë e kombit shqiptar, sidomos për shqiptarët e Kosovës. Kjo frymë, kjo arterie e gjallë e mërgatës, zgjoi nga gjumi edhe administratën e përgjumur të shtetit të lodhur të Shqipërisë, e cila, në momentet më delikate për Kosovën, u vu në dispozicion – jo ashtu siç do të kishte qenë ideale, por shumë më mirë nga sa në realitet pritej. Kryeministri Pandeli Majko do të mbahet mend si një ndër më të dashurit për shqiptarët, për vetë faktin se nuk u tremb, por veproi si një burrështetas i vërtetë. Shumë gjëra janë thënë për kontributin e tij dhe të patriotëve shqiptarë nga Shqipëria, e shumë të tjera do të dalin në dritë nga historia. Por në thelb, Shqipëria u zgjua nga gjumi.

Mërgata shqiptare, veçanërisht ajo nga Malësia, meriton një studim të veçantë për këtë kontribut, sepse përndryshe, shumë fakte do të humbasin. Emrat e shumë individëve që punuan me shumë mish e shpirt për atdheun, do të shuhen bashkë me veprën e tyre, e kjo nuk na shërben. Shembujt e mirë duhen ruajtur, trashëguar e promovuar, sepse nga këta mësojmë. Kosova u çlirua. Ndërkohë, shqiptarët në Mal të Zi, që prisnin më të keqen nga Batalioni famëkeq i njohur si “Batalioni i Shtatë”, i formuar nga vullnetarë për të vrarë shqiptarë, nuk e panë të realizohej dëshira e përgjakshme për spastrim etnik. Diplomacia dhe puna e mençur e Gjukanoviqit gjatë kësaj kohe ishte mbresëlënëse, pasi ai ia doli që ta nxirrte Malin e Zi nga katrahura e Jugosllavisë, pa luftë dhe me shumë pak viktima. Por shqiptarët në Mal të Zi, si edhe në troje të tjera, vazhduan të largoheshin masivisht. Këto largime ishin të dhimbshme, sepse ajo rini që largohej, rrallëherë kthehej në trojet e veta.

Pasi shqiptarët në Kosovë u liruan nga lufta e UÇK-së dhe Aleatëve të NATO-s, ishin shqiptarët në Maqedoni ata që nuk mund të duronin më padrejtësitë që po u bëheshin nga maqedonasit. Organizimi i mërgatës dhe Shqipërisë vazhdoi edhe për ta, por tani me një dorë shtesë – atë të Kosovës. As sot nuk njihen mirë nga shqiptarët jashtë Maqedonisë ngjarjet e masakrat që kanë ndodhur me shqiptarët atje. Por pas nënshkrimit të paqes, gjendja e shqiptarëve në Maqedoni filloi të ndryshojë. Gjatë kësaj kohe, shkollat, universitetet dhe zhvillimi kulturor në mbarë shqiptarinë ishin të paralizuara. Në fakt, studentët diplomoheshin, por një numër i madh i tyre largohej, ose edhe ata që mbeteshin, përballeshin me kushte dhe rrethana jonormale, e jeta e tyre linte shumë për të dëshiruar. Pas shpalljes së Pavarësisë nga Mali i Zi, për shqiptarët atje nisi një kapitull i ri – një luftë politike me qeverinë e Gjukanoviqit, të cilit i kishin qëndruar besnik për afro 25 vite. Tashmë kërkonin të drejtat e tyre si popull autokton, paqedashës, e që ishte i vetmi që nuk fliste sllavisht. Të drejtat e tyre u avancuan sado pak, por duhej pritur deri në rënien nga pushteti të Gjukanoviqit (thuajse plotësisht, pasi humbi zgjedhjet), që shqiptarët të fitonin disa të drejta si: përdorimin e gjuhës shqipe në administratë në komunat ku përbënin 5% të popullsisë, përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar dhe festimin e festave të tyre kombëtare. Para shpalljes së Pavarësisë nga Mali i Zi, kur në pasaportë ende figuronte emri “Serbia dhe Mali i Zi”, në vitin 2004 në Podgoricë u hap Programi i Mësuesisë në Gjuhën Shqipe në kuadër të Universitetit të Malit të Zi, ku mësimi zhvillohet 80% në gjuhën shqipe dhe 20% në atë malazeze. Profesorët erdhën kryesisht nga Shkodra, falë bashkëpunimit të dy universiteteve.

Fitorja më e madhe e shqiptarëve në Mal të Zi, që nga shpallja e Pavarësisë—ku vota e tyre ishte vendimtare—është themelimi i Komunës së Malësisë, me emërtimin Komuna e Tuzit. Malësisë iu dha e drejta për vetëqeverisje lokale, duke u nda nga Komuna e Podgoricës dhe ajo e Gollubovcit. Megjithatë, përveç shumë diskriminimeve, iu mohua e drejta për t’u quajtur “Komuna e Malësisë”. Gjashtë vite më pas u themelua Komuna e Zetës, por aty s’ngeli emri “Gollubovac”; iu dha e drejta ta quajnë “Komuna e tyre” me emrin e lashtë dhe historik të rajonit. Megjithatë, që nga themelimi i Komunës, shqiptarët në Malësi kanë bërë të gjithë dokumentacionin e administratës në gjuhën shqipe, ndonëse në Ulqin, që kishte vetëqeverisje lokale prej dekadash, administrata mbante kryesisht gjuhën malazeze. Zhvillimi i Malësisë nisi me një hov të madh. Mërgata e Malësisë dha shembullin më të bukur në rajon për mënyrën si duhej udhëhequr vendi dhe si duhej vepruar për vendlindjen. Në zgjedhjet e para të Komunës së lirë, ata udhëtuan dhe mbështetën partitë shqiptare, dhe për herë të parë në histori administruan Malësinë. Edhe në rundin e dytë, partitë shqiptare dolën edhe më të forta dhe, pa nevojë për koalicion, vazhduan mandatin e tyre. Për herë të parë u formuan lidhje kulturore, shkencore e administrative me Shqipërinë dhe Kosovën. Komuna e Tuzit organizoi Panairin e parë të librit në Malësi, mirëpriti aktivitetin vjetor të Arkivit Shtetëror të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe organizime të Unionit të Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon (ku u anëtarësua). U botua monografia për figura kulturore si Gjelosh Gjokaj dhe një monografi për Xhubletën, për të cilën u organizua një ngjarje kulturore me përmasa kombëtare. Ekipi i futbollit “Deçiq” u ngrit nga kategoria e dytë në atë elitare, u shpall kampion i Malit të Zi dhe fitoi Kupën e Malit të Zi, duke luajtur edhe ndaj klubeve evropiane dhe duke fituar pikë në duelit kokë më kokë. U ndërtua stadiumi i ri, u përmirësuan ujësjellësit për zonat rurale; u rinovua infrastruktura rrugore me asfaltim në gjithë Malësinë. U ndërtua Sheshi “Gjergj Kastriot Skënderbeu”, i financuar nga Bashkia e Tiranës, dhe në të u vendos përmendorja e tij, gjithashtu financuar nga mërgata shqiptare.

Rruga drejt Bashkimit Europian po avancon, veçanërisht për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Duke pasur ura dhe kanale të bashkimit, është koha që kultura shqiptare të mbështetet nga shtetet përkatëse, duke i lënë pavarësi veprimit akademik, kulturor dhe artistik – në një qendër bashkëkombëtare. Qeveritë e rajonit dhe donatorët e BE-së dhe SHBA-së mund të ndihmojnë akademitë, arkivat, universitetet, muzetë, shtëpitë e kulturës, botuesit, festivalet koreografike e përkthimore, etj., për të ndërtuar një të ardhme bashkëkohore dhe të qëndrueshme.

Sipas regjistrimit të fundit në Mal të Zi, shqiptarët përbëjnë 4.97% të popullsisë: 15 078 në Ulqin, 8 119 në Tuz, dhe në pakicë në komunat tjera: Guci (1 352), Rozhaje (1 176), Plavë (853), Tivar (1 919), Podgoricë (1 780), në total 30 978 shqiptarë të deklaruar. Në Shqipëri jetojnë 2 186 917 banorë (94% shqiptarë të deklaruar). Në Kosovë ka rreth 1 457 000 shqiptarë. Në Maqedoninë e Veriut janë 446 245, ndërsa në Serbi 61 687 shqiptarë të regjistruar.

Nëse shqiptarët në Ballkan udhëhiqen nga një politikë e mençur dhe diplomaci vigjilente, me një platformë bashkëpunimi kulturore, artistike dhe shkencore, kjo do të forconte statusin e tyre në rajon dhe mërgatë. Me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe SHBA-së, mërgata mund të investojë dhe të rikthehet në vendlindje. Ky është një vizion afatgjatë: një komb prej 4 milionësh brenda Ballkanit, që do të kontribuonte paqe dhe stabilitet, duke treguar se shqiptarët janë popull paqëdashës dhe jo diskriminues.

Nëse vazhdohet me trendin aktual – me lëvizje të popullsisë, rënie demografike – brenda 20 vjetësh popullsia shqiptare mund të përgjysmohet. Në Mal të Zi dhe Serbi mund të zhduken, ndërsa në Shqipëri dhe Kosovë do të mungojë fuqia punëtore. Në Maqedoninë e Veriut do të ketë rënie për shkak të largimit dhe asimilimit. Kjo është për shkak të sistemeve edukativo-universitare të dobëta. Për rrëmbimin e standardit gjuhësor, ripastrimin e historisë dhe edukimin e brezave të rinj me të vërtetën historike, nevojiten shkolla dhe universitete të forta. Unë shpresoj që intelektualët shqiptarë të marrin pushtetin – sepse nëse hyjmë në BE si një komb gjysmak, rrezikojmë të shuhemi./ KultPlus.com

“Në tokë”, fjalët e fundit të Dikens

Charles Dickens (Carls Dikens), është një ndër shkrimtarët anglez më të njohur që zhvilloi romanin shoqëror.

Fëmijëria e tij e mjerueshme, varfëria dhe puna që në moshë të re janë motivet që e kanë shtyrë shkrimtarin të krijojë personazhe fëmijërorë. Ngjarjet e jetës së tij ndoshta përbëjnë edhe çelësin e suksesit në veprat ku ai pasqyroi dhe rishkroi fëmijërinë e tij duke i dhënë një fund të lumtur. Njihet për vepra si: “David Koperfild”, “Oliver Tuist” etj. Ai krijoi disa nga personazhet imagjinar më të njohur në botë dhe konsiderohet nga shumë si romancieri më i madh i epokës viktoriane. Veprat e tij gëzonin popullaritet të paparë gjatë jetës së tij dhe, në shekullin e 20-të, kritikët dhe studiuesit e kishin njohur atë si një gjeni letrar.

Romanet dhe tregimet e tij të shkurtra lexohen gjerësisht sot. I lindur në Portsmouth, Dickens la shkollën në moshën 12 vjeçare për të punuar në një fabrikë çizmesh kur babai i tij u burgos në një burg të borxhlinjve. Pas tre vjetësh ai u kthye në shkollë, para se të fillonte karrierën e tij letrare si gazetar. Dikens botoi një revistë javore për 20 vjet, shkroi 15 romane, pesë novela, qindra tregime të shkurtra dhe artikuj jo-fiktive, ligjëroi dhe lexoi gjerësisht, ishte një shkrues i palodhur letrash dhe bëri fushatë energjike për të drejtat e fëmijëve, për arsimin dhe për reforma të tjera sociale.

SUKSESI
Suksesi letrar i Dikens filloi me botimin serial të “The Pickwick Papers” në vitin 1836, një fenomen botues – falë prezantimit të personazhit Sam Weller në episodin e katërt – që ndezi mallrat dhe spin-off të Pickwick. Brenda pak vitesh Dickens ishte bërë një personazh i famshëm letrar ndërkombëtar, i famshëm për humorin, satirën dhe vëzhgimin e mprehtë të karakterit dhe shoqërisë. Romanet e tij, shumica e tyre të botuara në këste mujore ose javore, ishin pionierët e botimit serial të trillimeve narrative, i cili u bë mënyra dominuese viktoriane për botimin e romaneve. Përfundimet e Cliffhanger në botimet e tij serike i mbanin lexuesit në pezullim. Formati i kësteve i lejoi Dikensit të vlerësonte reagimin e audiencës së tij, dhe ai shpesh e modifikonte komplotin e tij dhe zhvillimin e karakterit bazuar në reagime të tilla.
Për shembull, kur kiropodisti i gruas së tij shprehu shqetësimin se si Miss Mowcher në David Copperfield dukej se pasqyronte aftësitë e saj të kufizuara, Dickens e përmirësoi karakterin me karakteristika pozitive. Komplotet e tij u ndërtuan me kujdes dhe ai shpesh gërsheti elemente nga ngjarjet aktuale në narrativat e tij. Masat e të varfërve analfabetë do të paguanin individualisht një gjysmë qindarke për t’u lexuar çdo episod të ri mujor, duke hapur dhe frymëzuar një klasë të re lexuesish. Novela e tij e vitit 1843 A Christmas Carol mbetet veçanërisht popullore dhe vazhdon të frymëzojë përshtatje në çdo zhanër artistik.
Oliver Tëist dhe Great Expectations gjithashtu përshtaten shpesh dhe, si shumë prej romaneve të tij, ngjallin imazhe të Londrës së hershme viktoriane. Romani i tij i vitit 1859 A Tale of Two Cities (i vendosur në Londër dhe Paris) është vepra e tij më e njohur e trillimeve historike. I famshëm më i famshëm i epokës së tij, ai ndërmori, në përgjigje të kërkesës së publikut, një seri turne leximi publik në pjesën e mëvonshme të karrierës së tij. Termi Dikensian përdoret për të përshkruar diçka që të kujton Dikensin dhe shkrimet e tij, të tilla si kushtet e këqija sociale ose të punës, ose personazhet komikisht të neveritshëm.

VEPRA
Gjatë gjithë jetës së tij artistike bie në sy apo del në pah njëfarë ambicie për të botuar botime të shumanshme; një suazë e madhe për mjaft tablo; një sistem rrëfenjash që përmbajnë tregime si “Netët Arabe”. Pikërisht është ambicia që e shtyn më pas të bëhet botues i dy revistave, “Bota shtëpiake” dhe “Një vit plot”. Te këto revista bie në sy kuptimi fillimor i ndjesisë së shitores; dhe aluzioni tjetër i dëshirës së pafre për të mbajtur një tregtore në të cilën të shitet gjithçka. Dikensi bëri emër me romanin “Nikolas Nikëllbi”. Ndërsa plani tjetër që do të quhej “Sahati i pronarit Hamfri”, do të përbëhej nga histori të ndryshme treguar nga një tokicë miqsh. Me mendimin për t‘i bërë ato sa më miqësore ai i ktheu disa prej tyre në miq të vjetër; duke rifutur zotin Pikuik dhe dy uellërët, ndonëse këto personazhe vështirë se mund të quheshin të punuar mjeshtërisht, autori e kishte përqendruar vëmendjen në gjëra krejt të tjera.
Njëra prej këtyre qe një roman historik, ngjizur mbase më shumë sipas stilit të Skotit se sa stilit prozaik të Smolletit6, stil të cilin Dikensi zakonisht ndoqi. Romani në fjalë quhej “Barnabi Ruxh” (1840) dhe ajo që ngjallte më shumë interes tek ai ishin Rrëmujat e Gordonit dhe turma e prishësve të rendit e qetësisë na udhëhiqej nga një i marrë, i cili kishte një hajmali dhe një dell për letërsi të lirë të bujshme që e shfrytëzonte për ta zbavitur veten. Por romani i sipërpërmendur ka gjithashtu një fabul, që ndonëse është e ndërlikuar, prapëseprapë është më e qartë se subjekti i “Oliver Tuistit”; një intrigë që i ngjalli së tepërmi interesin mendjes hetuese të Pouit. Asgjëmangut, Barnabi Ruxhi s‘është edhe aq dikensian sa romani që e parapriu apo romani tjetër që e pasoi.

Romani i dytë, shtrënguar pasigurtshëm në kornizën e “Sahatit të mjeshtërit Hamfri”, ishte “Shitorja me gjëra të vjetra, të rralla” (1841), siç kuptohet vagullisht nga ndoca prej përmendjeve të historisë. Pritja botore e këtij romani sqaron tej mase qartë çka është thënë për tiparin e dyfishtë të suksesit të tij. Në njërën anë qëndronte suksesi i tij i përnjëmendtë si mjeshtër në gdhendjen e figurave të personazheve të ndryshme, përgjithësisht groteske dhe fort shëmtaraqe. Ndërsa në anën tjetër qëndronte suksesi i tij më i vogël si mjeshtër për gjithçka që prirej të kthehej më së shumti në një tregtar shëtitës (që shet mallra të lira). Në të vërtetë, romani “Shitorja me gjëra të vjetra, të rralla”, përmban humorin më tërheqës e më të përfytyruar në të gjithë veprat e tij argëtuese; në asnjë vend tjetër s‘gjejmë një shërbim më të përkryer se sa ai që i bën zoti Suivwl kusarit ose fjalimi që zoti Bras mban në varrimin e picingulit.

GODITJA
Më 8 qershor 1870, Dikens pësoi një goditje tjetër në shtëpinë e tij pas një pune të plotë në Edwin Drood. Ai kurrë nuk u rikthye në vetëdije, dhe të nesërmen, pesë vjet deri në ditën pas rrëzimit të hekurudhës Staplehurst, ai vdiq në Gads Hill Place. Biografi Claire Tomalin ka sugjeruar se Dikens ishte në të vërtetë në Peckham, kur ai pësoi goditje, dhe zonja e tij Ellen Ternan dhe shërbëtoret e saj e kishin kthyer atë në Gadin Hill kështu që publiku nuk do të dinte të vërtetën rreth marrëdhënies së tyre. Ndryshe nga dëshira e tij për t’u varrosur në Katedralen e Rochester “në një mënyrë të lirë, të paqëndrueshme dhe rreptësisht private”, ai u preh në Poets’ Corner të Westminster Abbey. Një epitaf i shtypur që qarkulloi në kohën e varrimit thotë: Në kujtim të Çarls Dikens (autori më popullor i Anglisë) i cili vdiq në rezidencën e tij, Higham, afër Rochester, Kent, 8 qershor 1870, në moshën 58-vjeçare.

Ai ishte një simpatizant i të varfërve, të vuajturve dhe të shtypurve; dhe me vdekjen e tij, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Anglisë humbet në botë. Një letër nga Dikens drejtuar Nëpunësit të Privy Council në mars tregon se atij i ishte ofruar dhe kishte pranuar një baronetizëm, i cili nuk ishte marrë parasysh përpara vdekjes së tij. Fjalët e tij të fundit ishin “Në tokë”, në përgjigje të kërkesës së kunatës së tij Georgina që ai të shtrihej. Të dielën, 19 qershor 1870, pesë ditë pasi Dickens u varros në Abbey, Dekani Arthur Penrhyn Stanley mbajti një elegji përkujtimore, duke lavdëruar “humoristin gjenial dhe të dashur për të cilin ne tani vajtojmë”, sepse tregoi me shembullin e tij “se edhe në trajtimin e skenave më të errëta dhe personazheve më të degraduar, gjeniu mund të ishte ende i pastër, dhe gëzimi mund të jetë i pafajshëm”. Duke treguar lulet e freskëta që stolisnin varrin e romancierit, Stanley siguroi të pranishmit se “vendi do të ishte që tani një vend i shenjtë si me Botën e Re ashtu edhe me të Vjetër, si ai i përfaqësuesit të letërsisë, jo vetëm të këtij ishulli, por të të gjithë ata që flasin gjuhën tonë angleze.”

TESTAMENTI
Në testamentin e tij, të hartuar më shumë se një vit para vdekjes së tij, Dikens ia la kujdesin e pasurisë së tij prej £80,000 (£8,143,500 më 2021) kolegut të tij të vjetër John Forster dhe “mikut të tij më të mirë dhe më të vërtetë” Georgina Hogarth, së bashku me dy djemtë e Dikensit, morën, gjithashtu, një shumë pa taksa prej 8,000 £ (ekuivalente me 814,000 £ në 2021). Megjithëse Dikens dhe gruaja e tij ishin ndarë për disa vite në kohën e vdekjes së tij, ai i siguroi asaj një të ardhur vjetore prej £600 (£61,100 në 2021) dhe i bëri asaj pagesa të ngjashme në testamentin e tij. Ai, gjithashtu, la trashëgim £19 19s (£2,000 në 2021) për çdo shërbëtor në punësimin e tij në kohën e vdekjes së tij./Konica.al/

“Madona dhe Fëmija” e Antonio Solarios rikthehet në Itali pas 51 vitesh zhdukjeje

Pas më shumë se një gjysmë shekulli në mungesë, piktura “Madona dhe Fëmija” e artistit italian të Rilindjes, Antonio Solario, është rikthyer në shtëpinë e saj të dikurshme, Muzeun Qytetar të Bellunos.

Kryevepra e shekullit të 16-të u vodh nga muzeu në vitin 1973 dhe mbeti e humbur deri kur, pas një beteje të gjatë ligjore dhe bindjes morale, u kthye vullnetarisht nga pronarja britanike Barbara de Dozsa.

Veprën e trashëgoi nga ish-bashkëshorti i saj, Baroni i ndjerë de Dozsa, i cili e kishte blerë në mënyrë të pandërgjegjshme menjëherë pas grabitjes. Për dekada, vendndodhja e saj mbeti e panjohur derisa në vitin 2017, De Dozsa u përpoq ta shiste në një ankand rajonal. Por piktura ndodhej në listën e artit të vjedhur të Interpolit, duke e pamundësuar shitjen.

Kthimi i saj u bë i mundur falë këmbënguljes së Christopher Marinello-s, avokat dhe themelues i Art Recovery International, i cili trajtoi çështjen pro bono dhe është krahasuar shpesh me “Sherlock Holmes” të botës së artit. “Kur bëhet fjalë për kthimin e veprave të vjedhura, mund të jem tepër këmbëngulës”, tha ai, duke përgëzuar vendimin e De Dozsës si një akt “të mençur dhe me integritet”.

Kryebashkiaku i Bellunos, Oscar de Pellegrin, e quajti ditën e rikthimit të veprës si “një ditë feste” për qytetin. Ndërkohë, muzeu e cilësoi rikthimin si rezultat i “besimit të mirë” të pronares britanike. Piktura do të ekspozohet në muze deri më 27 korrik, përpara se t’i nënshtrohet restaurimit profesional./syri.net/

“Baresha” – Melodia e përjetshme e Nexhmije Pagarushës

Kënga “Baresha” është një prej perlave më të dashura të muzikës shqiptare, një këngë që ka shënuar breza me zërin e mrekullueshëm të Nexhmije Pagarushës, ikonës së madhe të muzikës shqipe. Me melodinë e saj të thjeshtë dhe emocionale, “Baresha” ka mbetur një simbol i dashurisë për natyrën, tokën dhe jetën rurale shqiptare.

Nexhmije Pagarusha, e njohur si “Diva e muzikës shqiptare”, ka sjellë në këtë këngë një interpretim të thellë dhe të pasur me ndjenja, duke i dhënë jetë një historie të thjeshtë por me kuptim të thellë, që përçon lidhjen e ngushtë mes njeriut dhe natyrës së tij. Teksti dhe melodia e “Baresha” na rikthejnë në bukurinë e fshatit dhe traditave të lashta shqiptare, duke përhapur një ndjesi nostalgjie dhe krenarie kombëtare, shkruan KultPlus.

Përmes zërit të saj unik dhe interpretimit të pakrahasueshëm, Nexhmije Pagarusha ka bërë që “Baresha” të mbetet një këngë ikonë që vazhdon të dëgjohet dhe të dashurohet nga gjenerata të ndryshme, duke shërbyer si një urë që lidh të kaluarën me të tashmen e muzikës shqiptare.

KultPlus është krenar të ndajë këtë pjesë të rëndësishme të trashëgimisë sonë muzikore me të gjithë lexuesit dhe adhuruesit e muzikës shqiptare./KultPlus.com

‘Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty’

Poezi nga Jim Morrison

Duke shikuar dallgët rrokullisur në oqeanin blu
Me një buzëqeshje në fytyrën time vetëm duke menduar për ty
Kujtimet e ëmbla, momentet e ëmbla që kemi ndarë
Më përkëdhelin si fllad i butë që mbush ajrin
Ndjenja e dashurisë që kam kur mbaj dorën tënde
Natë vere kur ecë në rërë
Valët që derdhen mbi shkëmbinjtë përgjatë vijës bregdetare
Më sjellë lot në sytë e mi duke e ditur që je imja
Ndarja e një dashurie si e jona, zemra ime e lumtur psherëtin
Duke shikuar retë vjollcë që lundrojnë shkujdesshëm/ KultPlus.com

Një ikonë e rikthyer: Christina Aguilera në fustanin legjendar të Versace pas dy dekadash

Christina Aguilera është rikthyer në mënyrë magjepsëse, duke dëshmuar se është ende “e bukur në çdo kuptim”, sipas E! News.

22 vjet pas fushatës ikonike të Versace për vjeshtën 2003, këngëtarja e “Genie in a Bottle” u shfaq me të njëjtin stil në premierën londineze të “Burlesque: The Musical” më 21 korrik. Me një fustan pa rripa, korse të kryqëzuar dhe fund me volane, ajo e kompletoi pamjen me çizme të zeza të gjata dhe buzë të errëta, ndërsa flokët biond platin i la të rrjedhin natyrshëm — një homazh i qartë për dukjen e dikurshme.

Christina, producente e shfaqjes skenike të filmit të vitit 2010 ku luajti me Cher, riktheu jo vetëm stilin, por edhe frymën krijuese. Donatella Versace, e cila e zgjodhi atë për fushatën e vitit 2003, u shpreh: “Zëri i saj është i jashtëzakonshëm. Doja të ishim mikesha, kjo ishte më e rëndësishmja”.

Christina tha atëherë se ishte e emocionuar për të eksploruar një fushë të re, dhe ky vizion i saj vazhdon: “Jam më e përqendruar se kurrë në atë që dua të bëj”, tha ajo për Vogue. “Gjithmonë kam dashur të zbuloj pjesë të reja të vetes”./KultPlus.com

‘Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit’

Thënie nga Herakliti:

Njeriu bëhet më së shumti vetvetja kur arrin seriozitetin e një fëmije që është duke lozur.

Askush nuk mund ta kalojë të njëjtin lum dy herë, sepse ai rrjedh, dhe nuk është i njëjti lumë, dhe ai vetë ndryshon, nuk është më i njëjti njeri.

Nuk ka asgjë të përhershme, përveç ndryshimit.

Koha është një lojë që fëmijët e luajnë bukur.

Bollëku i informacionit nuk garanton urtësinë te njeriu.

Karakteri yt o njeri, është fati yt!

Është nëpërmjet ndryshimit që ne gjejmë qëllimin.

Shpirti është pikturuar me ngjyrat e mendimeve të tij.

Heshtja, shëron.

Çfarë është ndarë do të bashkohet, dhe çfarë është bashkuar do të shpërthejë.

Të zgjuarit ndajnë të njëjtën botë, ndërsa të fjeturit janë secili në botën e vet.

Rruga për t’u ngjitur dhe rruga për të zbritur është një dhe e njëjta.

Të gjitha gjërat vijnë në ekzistencë si konflikt midis dy të kundërtave.

Sytë dhe veshët janë dëshmitarë të këqinj për njeriun me shpirt barbar.

Historia është një fëmijë që bën kështjella prej rëre në breg të detit, ndërsa ai fëmija është gjithë madhështia e pushtetit të njeriut.

Nuk është asnjëherë tepër vonë për të kërkuar një botë të re.

Zjarri jeton për shkak të vdekjes së Tokës, ajri jeton për shkak të vdekjes së zjarrit, uji jeton prej vdekjes së ajrit, dhe Toka jeton prej vdekjes së ujit.

Natyrës i pëlqen të fshihet.

Njerëzit duhet t’i mbrojnë ligjet ashtu siç mbrohen muret e qytetit.

Pendimi

Poezi e shkruar nga Jorge Luis Borges.

Përktheu: Orjela Apolloni.

E kam ba nji prej mëkateve ma t’mëdhá
që nji njeri mundet me ba: s’kam qenë
i lumtun. Akullnajat e harresës m’gjejnë,
m’zvarrisin e pamëshirshëm m’lânë me ra.

Prindët m’lindën që ta lu’j
Nji lojë t’rrezikshme e t’bukur në këtë botë,
për tokë, ajër, zjarm e ujë.
I mashtrova. S’qeshë i lumtun.

Qe e kotëdëshira e tyne e rinisë. Trunin tim
ia fala me vullnet e këmbëngulje
simetrive t’artit gjithë lajlelule.
Ata m’lanë trashëgim vlerat. Unë s’kam qenë trim.

Nuk më braktis kurrë, gjithmonë më rri pran’
hija e të qenit nji mjeran.

Parku Kombëtar i Butrintit hap dy prej mozaikëve për publikun

Parku Kombëtar i Butrintit njoftoi vizitorët e tij, përmes rrjeteve sociale, për hapjen e dy prej mozaikëve të tij.

Mozaikët e hapur rishtazi për publikun janë: mozaiku i Termës Romake dhe mozaiku i Gjimnazit. Të dy këta mozaikë, të cilët u hapën dje (22 korrik) do të qëndrojnë të hapur deri më datën 15 gusht dhe më pas mbulohen përsëri për t’u ruajtuar.
Parku Kombëtar i Butrintit fton të zbuloni nga afër bukurinë dhe historinë që fshehin këto mozaikë të rrallë, të cilët gjatë një pjese të vitit qëndrojnë të mbyllur, mbuluar me rërë, për t’i ruajtur. Kjo ndodh edhe për shkak të nivelit të lartë të ujit të liqenit.

Butrinti është një nga qendrat arkeologjike dhe natyrore më të vizituara të Shqipërisë, që mbrohet nga UNESCO. Ritmi i turistëve këtë vit vlerësohet të jetë më i lartë se vitet pararendëse.

Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s./atsh/KultPlus.com

Aristoteli, babai i logjikës dhe përplasjet me Platonin: Një ndikim që ka mbijetuar shekuj

Aristoteli lindi në vitin 384 p.e.s. në qytetin Stageira të Maqedonisë, në Greqinë e lashtë. Ishte biri i Nikomakut, një mjek oborri i mbretit të Maqedonisë, gjë që i dha Aristotelit qasje të hershme në rrethin e dijes dhe elitës.

Në moshën 17-vjeçare u dërgua në Athinë për të studiuar në Akademinë e Platonit, ku qëndroi për rreth 20 vjet. Megjithëse ishte nxënës i devotshëm, Aristoteli shpesh nuk pajtohej me mësuesin e tij, duke zhvilluar një qasje më empirike ndaj dijes në kontrast me idealizmin e Platonit. Pas vdekjes së Platonit, Aristoteli u largua nga Athina dhe u thirr nga mbreti Filipi II i Maqedonisë për të qenë mësuesi i djalit të tij, Aleksandrit të Madh. Kjo periudhë pati ndikim të madh në mendimin e Aristotelit, por edhe në përhapjen e ideve të tij më vonë, përmes ekspeditave të Aleksandrit. Pas kthimit në Athinë, ai themeloi shkollën e tij filozofike, Liceun, ku ligjëroi dhe shkroi për gati 13 vjet. Aristoteli kontribuoi në mënyrë madhore në një gamë të gjerë fushash: filozofi, logjikë, etikë, politikë, metafizikë, fizikë, biologji, retorikë dhe estetikë.

Ai është i njohur si themeluesi i logjikës formale përmes sistemit të silogjizmave dhe për trajtimin e lëndëve shkencore me metodë sistematike e të bazuar në vëzhgim. Ndryshe nga Platoni që mbështeste ekzistencën e botës së ideve, Aristoteli këmbëngulte se realiteti duhet studiuar në formën e tij konkrete. Në “Etika Nikomake”, një nga veprat e tij më të njohura, ai zhvillon konceptin e “mesit të artë”, duke theksuar se virtyti qëndron në ekuilibrin ndërmjet dy ekstremeve. Ndërkohë, në “Politika”, ai analizoi sistemet e qeverisjes, duke e përkufizuar njeriun si një “qenie politike” që lulëzon vetëm në shoqëri. Ai e shihte shtetin si mjetin kryesor për realizimin e të mirës së përbashkët. Në biologji, Aristoteli ishte një nga të parët që përshkroi me saktësi shumë specie kafshësh dhe hodhi themelet e klasifikimit natyror, një gjë e jashtëzakonshme për kohën, shkruan panorama.

Ai studioi gjithashtu letërsinë dhe në “Poetika”, ai dha një analizë të thellë të tragjedisë, duke prezantuar terma kyç si “katharsis”, “mimesis” dhe struktura dramatike. Pas vdekjes së Aleksandrit, klima politike në Athinë u bë armiqësore ndaj maqedonasve. I përballur me kërcënime, Aristoteli u largua në Kalkidë, ku vdiq në vitin 322 p.e.s. Trashëgimia e Aristotelit është monumentale. Veprat e tij u ruajtën pjesërisht nga nxënësit e tij dhe u rishfaqën në Europë gjatë Mesjetës përmes përkthimeve arabe. Ai u bë figura më e rëndësishme për mendimin mesjetar, duke ndikuar thellësisht në filozofinë islame dhe atë perëndimore. Qasja e tij empirike mbeti bazë e kërkimit shkencor deri në epokën moderne. Aristoteli mbetet një nga mendimtarët më me ndikim të historisë, një figurë që ndryshoi mënyrën se si njerëzimi e sheh vetveten, botën dhe dijen.

“Dasma shkodrane” – Vepra që mishëron kulturën dhe historinë e Shkodrës

Nga Albert Vataj

Ka çaste kur një vepër arti bëhet më shumë se një dritare mbi të shkuarën; ajo kthehet në një rit të gjallë, një këngë pa zë që rreh në zemrën e kujtesës. “Dasma shkodrane”, kjo kryevepër e Kol Idromenos e vitit 1924, është një prej atyre mrekullive ku historia dhe arti bashkëjetojnë në një përqafim të rrallë. Një kanavacë ku ngjyrat janë të rrahura nga drita e një qyteti që mbartte mbi supe peshën e traditës dhe hijeshinë e një elegance qytetare, që e shndërron momentin e dasmës në një ikonë të shpirtit kombëtar.
Vështroni këtë peizazh të gjallë: oborri me kalldrëm, muret e larta, portiku që hapet si një skenë teatri, aty ku përplasen zërat e këngëve dhe hapa të veshjeve të trasha, të gjera e të hijshme. Femrat me çitjane të zeza e përparëse të bardha, me shallin e mbështjellë rreth kokës, ecin në një ritëm solemn, një koreografi e lashtë që përçon rregulla dhe krenari. Fëmijët e vegjël, të veshur me rroba festive, mbahen prej dore nga nënat apo qëndrojnë kureshtarë në skaj, duke marrë pjesë pa e ditur në një liturgji të përjetshme. Në sfond, një minare e hollë përshëndet qiellin dhe tingujt e largët të qytetit.

Idromeno nuk e pikturoi thjesht një dasmë; ai ngriti një monument të një qytetërimi të tërë, një kod të heshtur zakonesh e marrëdhëniesh që merr formë përmes veshjes, qëndrimit dhe hapit. Dhe kjo tablo, e veshur me atë tejdukshmërinë e kujtesës që na bën të ndjehemi sikur jemi të fshehur pas xhamit të një dritareje, ose hipur mbi një pemë të lagjes, është një dëshmi e rrallë se si arti shndërrohet në dokument dhe rit njëherësh.
Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një pikturë, por një mjet për të eksploruar shpirtin e një bashkësie. Në fjalët e antropologut Clifford Geertz, një vepër arti është një mekanizëm që forcon rregullat, vlerat, lidhjet shoqërore. Dhe “Dasma shkodrane” bën pikërisht këtë, na lejon të lexojmë kodin e heshtur të një shoqërie ku familja, nderi dhe riti janë të shenjtë.
Nga kjo tablo mësojmë se si ndërtohej marrëdhënia midis fiseve, si peshoheshin rolet gjinore, si merreshin vendimet që mbartnin peshën e një fisi të tërë. Dhe ndonëse sot emocionet tona janë të tjera, ndonëse syri ynë modern sheh më shumë folklor se sa kod social, fuqia e kësaj vepre është se ajo i tejkalon kohët, ajo na lidh me një identitet që, edhe pse i kaluar, është ende i gjallë në rrënjët e shpirtit shqiptar.
Kështu, Kol Idromeno nuk na la thjesht një pikturë; ai na la një rrëfim të përjetshëm, një akt solemn dashurie ndaj qytetit të tij dhe kulturës që e ushqeu. Dhe çdo herë që sytë tanë ndalen mbi këtë kryevepër, ne bëhemi pjesë e asaj dasme, dëgjues të këngëve të vjetra, pjesëmarrës në një vallëzim që nuk resht kurrë.
“Dasma shkodrane” mbetet kështu një dritare drejt një kohe kur arti, tradita dhe jeta ishin një, dhe ku çdo hap i nuseve e çdo vështrim i burrave ishte një poezi e shkruar me ngjyrë e dritë.

Klementi XI Albani, papa me origjinë shqiptare

Muzeu Historik Kombëtar kujtoi sot papa Klementin XI (1649-1721) me rastin e përvjetorit të 376- të të lindjes, duke e cilësuar atë si një simbol të urtësisë, besimit, kulturës dhe diplomacisë evropiane.

Papa Klementi XI lindi më 23 korrik 1649, në Urbino (Itali), në një familje fisnikësh me origjinë shqiptare nga Laçi i Kurbinit. Emri i pagëzimit ishte Xhovani Françesko Albani.

U emërua kardinal nga papa Inocenti XI në vitin 1690, dhe u zgjodh papë më 23 nëntor 1700, rreth dy muaj pas vdekjes së Inocentit XII. Papa Klementi luftoi kundër nepotizmit brenda Kishës Katolike. Gjatë viteve 1715–1718, ai mbështeti Republikën e Venedikut dhe perandorin Karl VI në luftën kundër Osmanëve.

Ideoi dhe mbështeti projektin Illyricum Sacrum, një vepër monumentale historike me qëllim dokumentimin tërësor të historisë kishtare të trevave ilire përfshirë Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.

Gjatë pontifikatit të tij, nën drejtimin e kryeipeshkvit të Tivarit, Vinçenc Zmajeviq, u mblodh Kuvendi i Arbërit në vitin 1703, dhe procesverbali i tij u botua më 1706, në shqip dhe latinisht.

Ky dokument me vlerë të dyfishtë, shërben si burim historik i rëndësishëm për traditën kishtare shqiptare dhe si dëshmi e hershme e përpjekjeve për ruajtjen e gjuhës amtare, arsimimin dhe vetëdijen kombëtare.

Papa Klementi XI i ashtuquajturi papë Albani, krenohej vazhdimisht me origjinën e tij kur pohonte se “me gjak ishte shqiptar”. Ai u nda nga jeta më 19 mars 1721, në Romë./atsh/KultPlus.com

Bashkëthemeluesit dhe fansat nderojnë Ozzy Osbourne, ikona e rock-ut

Ozzy Osbourne, vokalisti legjendar i grupit ikonik të heavy metal Black Sabbath, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare. Lajmi i hidhur ka tronditur botën e muzikës, ndërsa yje të shumtë, fansa dhe ish-anëtarë të grupit i kanë bërë homazhe figurës së pazëvendësueshme të skenës rok.

“Ne humbëm vëllain tonë,” u shpreh me dhimbje Tony Iommi, bashkëthemelues i grupit. Basisti Geezer Butler kujtoi me mall koncertin e fundit të tyre, ndërsa bateristi Bill Ward ndau një fotografi të vjetër që i tregonte së bashku në ditët e lavdisë, transmeton KultPlus.

Vdekja e ikonës së muzikës erdhi më pak se tri javë pas koncertit të lamtumirës në qytetin e tij të lindjes, Birmingham, ku Black Sabbath u rikthyen në skenë për herë të fundit. “Ai e donte muzikën dhe e jetonte skenën. Jam mirënjohës që u ribashkuam për t’i dhënë atij lamtumirën që e meritonte,” shtoi Iommi.

Grupi Metallica reagoi gjithashtu me një deklaratë emocionale në rrjetin X, ku e përshkruan Osbourne si “hero, ikonë, pionier, frymëzim, mentor dhe, mbi të gjitha, mik”.

Black Sabbath ishin pionierë të zhanrit heavy metal, me këngë të paharrueshme si Paranoid, War Pigs dhe Iron Man. Pas largimit nga grupi në vitin 1979 për shkak të mosmarrëveshjeve, Osbourne nisi një karrierë të suksesshme solo, ku kënga e tij e parë Crazy Train mbetet ndër më të famshmet.

Në vitet 2000, publiku e njohu ndryshe përmes reality-show-t të MTV-së The Osbournes, ku ai u portretizua si një baba i dashur dhe shpesh i hutuar, duke fituar zemrat e një brezi të ri fansash.
Ozzy Osbourne la pas gruan e tij Sharon Osbourne dhe gjashtë fëmijë nga dy martesat e tij. Muzika e tij do të jetojë gjatë, ndërsa trashëgimia që la pas do të frymëzojë breza të tërë artistësh./KultPlus.com

Muzika e filmave shqiptarë në koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të japë një koncert të veçantë në parkun “Rinia”.

Repertori i zgjedhur me këtë rast do të jetë me pjesë nga kolonat zanore të filmave më të dashur të kinematografisë shqiptare.  Mjedisi, muzika dhe interpretimi “live” premtojnë për një mbrëmje magjike me “Retro Film”.

Orkestra Simfonike e RTSH-së ftoi artdashësit të përjetojne emocionet e kinemasë përmes muzikës në zemër të Tiranës.

Orkestra Simfonike e RTSH-së u themelua më 16 maj të vitit 1962. Ajo mban titullin e lartë “Nderi i Kombit”, akorduar nga Presidenti i Shqipërisë. Në radhët e saj marrin pjesë instrumentistë virtuozë.

Këtë sezon veror, një tjetër angazhim i rëndësishëm për këtë orkestër do të jetë koncerti i datës 2 gusht, në sheshin “Skënderbej”, në kuadër të edicionit të pestë të Ramë Lahaj & Friends Concert, ku do të jenë të ftuar interpretues të mirënjohur të muzikës klasike nga vendi dhe bota./atsh/KultPlus.com

“Mua besoj më shpëtoi portreti” me regji nga Alban Muja në programin konkurrues në Sarejevo Film Festival 

Pas shumë sukseseve nëpër festivale ndërkombëtare, filmi i shkurtër dokumentar “Mua besoj më shpëtoi portreti” me regji nga Alban Muja, do të shfaqet në Programin Konkurrues (Competition Programme – Documentary Film) të Filmit Dokumentar në Sarajevo Film Festival 2025. 

Filmi është prodhuar nga 038STUDIO në bashkëprodhim me AsfaltFilms, me producent Edon Rizvanolli dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës. / KultPlus.com 

FIFA dënon FSHF-në për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se është njoftuar zyrtarisht nga FIFA për një vendim disiplinor në lidhje me ndeshjen Shqipëri-Serbi që u zhvillua më 7 qershor 2025 në stadiumin “Air Albania”.

Sipas vendimit të FIFA-s, FSHF dënohet me një gjobë prej 161,500 franga zvicerane dhe me detyrimin që ndeshja e radhës në shtëpi ndaj Letonisë të zhvillohet me të paktën 20% të kapacitetit të stadiumit të mbyllur për publikun.

“Ky penalizim vjen si pasojë e sjelljeve të përsëritura të papërshtatshme dhe diskriminuese të një pjese të tifozëve shqiptarë, përfshirë: këngë me përmbajtje diskriminuese, hedhje objektesh, ndezje fishekzjarrësh, përdorimin e gjesteve dhe mesazheve të papërshtatshme për një ngjarje sportive, si dhe ndërprerje gjatë ekzekutimit të himneve kombëtare”, njofton FSHF.

Federata e konsideron këtë vendim një penalizim serioz për gjithë komunitetin futbollistik, që dëmton jo vetëm institucionin, por mbi të gjitha Kombëtaren shqiptare.

Në reagimin e saj, FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve kuqezi të shmangin çdo veprim që mund të dëmtojë skuadrën, të respektojnë rregullat ndërkombëtare dhe të kontribuojnë për një atmosferë dinjitoze në mbështetje të Shqipërisë.

“Vetëm të bashkuar dhe të përgjegjshëm mund ta mbështesim Kombëtaren siç ajo e meriton,.”, thekson Federata në komunikatën e saj./ KultPlus.com

“Sytë e Bernës” me regji të Ermal Gërdovcit me premierë në Sarajevo Film Festival 

Filmi “Sytë e Bernës” me regji nga Ermal Gërdovci dhe skenar nga Patrik Lekaj, do ta ketë premierën e tij në edicionin e sivjetmë të Sarajevo Film Festival.

Filmi është prodhim i kompanisë Kandërr, në bashkëprodhim me Filmik dhe Sloboda Film, me producente Trëndelina Halili, ndërsa bashkëproducente është Marija Dimitrova.

Në rolet kryesore luajnë: Arta Selimi, Tristan Halilaj, Ervin Shala, Gramos Malaj dhe Altin Vraniqi.

Filmi është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Sytë e Bernës është një rrugëtim psikologjik drejt zemërimit, të kaluarës dhe një katarsisi të errët. E përndjekur nga trauma dhe e rraskapitur nga pagjumësia, Berna zhytet në vizione të dhunshme ku kufiri mes reales dhe hakmarrjes zhduket.

Filmi është pjesë e Competition Programme – Short Film dhe do të konkurrojë në mesin e 10 filmave të tjerë të përzgjedhur në këtë kategori.

Urime dhe suksese të gjithë ekipit në vazhdim!/ KultPlus.com 

“Mos harro…” – Zbulohet letra e panjohur e Lasgush Poradecit

(Fragment nga një letër e pabotuar e Lasgush Poradecit)

As një detyrë qoftë ajo sado e vështirë, sado kundërshtonjëse s’mund të na ndalojë – s’DUHET të na ndalojë në qëllimin t’onë. Mos harro, se qëllimi jonë, – (ne, të cilët pat qënë shkruar të jemi fatosët mistikë në tempullin e IDESË, të IDESË që shpirtëzon… përmban… dhe rilind jetën e gjithësisë), – është: DESTINI jonë. DESTINI jonë na URDHËRON, me një urdhër IMPERIOS, t’i çfaqim botës idenë t’onë. T’i-a çfaqim, dyke i-a IMPOZUAR me dy mënyra të njëshme. Ata, që janë para-lindur ose pàs-edukuar për kuptimin e idesë s’onë, e kanë pranuar impozimin vetvetiu, pá e ndjerë si një element të TË RI të vetëvetes; po atyre, të cilët, – të greminë-udhëhequr (jo të udhë-hequr!) gjithënjë as prej paralindjes ose pasedukimit, po vetëm prej GJYSMALAKËRISË së qënjes së tyre së mos-qënur, d.m.th. prej mëndjes së tyre të cekët, prej zemrës së tyre së cekët, prej vullnetit të tyre të cekët, prej trupit të tyre të cekët, mendje, zemër, vullnet dhe trup ku VEGJETON (jo JETON) një shpirt PA DASHURI për idenë, PA DASHURI për jetën, PA DASHURI PËR DASHURINË VETË…, – atyre, ne do t’i-a u IMPOZOJMË idenë… IMPOZIMËRISHT, do t’i-a u ngulim në shpirt me fuqinë mposhtëse të saj, do t’i RILINDIM me gjeniun rilindës të DRITËS SË MADHE ku po përvëlohemi.
Gjeniu jonë, është gjeniu i racës shqipëtare. Raca shqipëtare, për ne, është gja ku që na këndon nër dej, dyke na falur IMPULSIN E VEPËRIMIT. Impulsi i vepërimit t’onë është REALIZIMI I IDESË s’onë. IDEJA JONË, është MUNDIMI dhe PËRPJEKJA jonë e palodhur, e pa dëshpëruar, e padëshpëruarshme…për të bërë VETËVETEN dhe për të bërë TË TJERËT dita-me-ditën MË TË MIRË… MË TË PASTËR… MË TË NDRITUR… QËLLIMI FUNDOR (FINAL) I IDESË S’ONË, ËSHTË DRITA E PËRJETËSISË!
Për këtë DRITË GAZMORE, na duhet – e di ç’na duhet??? Studentërija, d .m.th. STUDIMËRIJA e përjetëshme! Ja, kjo është UDHA – Udha e ZOTIT – së CILËS duhet t’i bjemë PAS! Në KËTË udhë DO MË KESH, SHOK TË SHPIRTIT! “Janë të pakë ata që na kuptojnë” thua në poshtallkën t’ënde të 14 Janarit??? Ha!!, i dashuri im!! Të pakët qofshin, ose të shumë, ne do t’i-u rrëfejmë IDENË t’onë, UDHËN t’onë, të gjithëve!! Ata, që do na kuptojnë “para-lindursisht” ose “pas-edukimërisht”, janë T’ANËT!!; ata që s’do na kuptojnë “gjysmalakërisht” ose “vegjetimërisht” janë T’ANËT!!: t’anët, Ha!!. IMPOZIMËRISHT!!
Sepse ZOTI, kur s’”dashuron” – IMPOZON. Dhe kur impozon ZOTI, domethënë se ZOTËRON ZOTËRIJA. Dhe zotërija, domethënë: ZOTËSIJA!!

*Marrë nga faqja në Facebook e bijës së Lasgushit, Marie Lasgush Poradeci

Dashuri pas dashurie

Poezi nga Derek Walcott

Do të vijë koha
kur me një gëzim të papërshkruar
do të përshëndesësh veten teksa mbërrin
tek dera jote, në pasqyrën tënde
dhe secili do të buzéqeshë për ardhjen e tjetrit

dhe të thuash, ulu këtu. Ha, pi.
Dhe ta duash përsëri té panjohurin
që ishte vetja jote.
T’i japësh verë, bukë. T’i japësh zemrën tënde
kësaj vetje, të panjohurit që të ka dashur.

të gjithë jetën, të cilin e ke shpërfillur
për një tjetër, ai që të njeh përmendësh
Merri letrat e dashurisë nga rafti,

fotografitë, shënimet e dëshpërimit,
qëroje imazhin tënd nga pasqyra.
Ulu. Gëzoju jetës tënde!/ KultPlus.com

Përvjetori i ndarjes nga jeta e Amy Winehouse: Kujtojmë një zë që nuk vdes kurrë

Sot shënohet përvjetori i ndarjes nga jeta e Amy Winehouse, një prej zërave më të veçantë dhe më të dhimbshëm të muzikës bashkëkohore. Më 23 korrik 2011, bota humbi jo vetëm një këngëtare të talentuar, por edhe një shpirt të trazuar që me muzikën e saj la gjurmë të pashlyeshme në zemrat e miliona fansave.

E lindur në Londër më 14 shtator 1983, Amy Winehouse shpërtheu në skenën ndërkombëtare me albumin e saj të dytë “Back to Black”, i cili u shndërrua në një sukses global dhe i solli asaj pesë çmime Grammy, një rekord i rrallë për një artiste britanike në atë kohë. Këngë si “Rehab”, “You Know I’m No Good”, dhe “Tears Dry on Their Own” nuk ishin thjesht hite, por rrëfime të sinqerta të shpirtit të saj, të mbushura me dhimbje, dashuri, vuajtje dhe ndjeshmëri të thellë. Vokali i saj i pasur me ndikime soul, jazz dhe R&B e bëri të dallueshme menjëherë dhe e shndërroi në një ikonë kulturore të papërsëritshme, shkruan KultPlus.

Por fama dhe suksesi u shoqëruan me beteja të ashpra personale. Lufta e Amy-t me varësinë, vështirësitë emocionale dhe presioni i jashtëzakonshëm i medias krijuan një rreth vicioz nga i cili ajo nuk arriti të çlirohej. Vdekja e saj në moshën 27-vjeçare e bëri pjesë të asaj që shpesh quhet “Klubi 27”, një listë tragjike artistësh të mëdhenj që u ndanë nga jeta në të njëjtën moshë. Megjithatë, trashëgimia që ajo la pas vazhdon të jetojë.

Çdo vit, në këtë datë, fansat në mbarë botën ndezin qirinj, dëgjojnë këngët e saj dhe e kujtojnë me mall, por edhe me mirënjohje për artin që na dhuroi. Amy Winehouse ishte më shumë se një këngëtare – ajo ishte një shpirt i trazuar që përdori muzikën për të folur për të vërtetat që shumë të tjerë i fshehin. Në këtë përvjetor, nuk kujtojmë vetëm fundin e saj tragjik, por mbi të gjitha jetën dhe artin e saj të pavdekshëm. Në skenën e përjetshme të muzikës, zëri i Amy-t nuk do të shuhet kurrë./KultPlus.com

Nën tingujt e Pagarushës – Nis sonte edicioni i 5-të i Festivalit ‘Rame Lahaj’

Sonte, më 23 korrik nga ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ngrihet sipari i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Nën moton inspiruese “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, festivali hapet me një koncert të veçantë, dedikuar ikonës së pavdekshme të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus

Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike ku emocionet dhe nderimi ndërthuren në mënyrë të paharrueshme. Në skenë do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës operistike dhe moderne, përfshirë mezzosopranon e njohur egjiptiane Gala El Hadidi, e cila për herë të parë do të këndojë në gjuhën shqipe, një moment historik dhe emocionues për artdashësit vendas. Ajo do të shoqërohet nga artistë të afirmuar shqiptarë si Edona Reshitaj, Adhurim Grezda dhe A R B Ë R E SH Ë, nën përcjelljen muzikore të Gent Rushi Group.

Ky koncert i parë do të sjellë në skenë interpretimet e disa prej këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, duke ringjallur frymën, pasionin dhe artin e saj përmes një qasjeje të re muzikore që bashkon traditën me modernitetin.

Pas Prishtinës, festivali do të vazhdojë më 24 korrik në Pejë dhe më 25 korrik në Mitrovicë, duke përhapur emocionin e operës dhe muzikës shqiptare në qytete të ndryshme të Kosovës.

Edicioni i këtij viti do të zgjasë deri më 2 gusht, kur do të përmbyllet me një natë të madhe gala “Rame Lahaj & Friends – Gala Night”, një mbrëmje kulmore që premton interpretim të nivelit ndërkombëtar dhe një përvojë muzikore që nuk duhet humbur.
Prishtinë – Pejë – Mitrovicë | 23 korrik – 2 gusht
Opera shqiptare jeton, frymon dhe ndërton ura pa kufij, pa mure./KultPlus.com