Finlanda miraton një ligj për kufizimin e përdorimit të telefonave në shkolla

Parlamenti finlandez ka miratuar një ligj të ri që ndalon përdorimin e telefonave dhe pajisjeve të tjera mobile nga nxënësit gjatë orarit të shkollës, në përpjekje për të përmirësuar mirëqenien dhe përqendrimin e tyre në mësim.

Sipas legjislacionit të ri, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, përdorimi i pajisjeve mobile do të lejohet vetëm me lejen e mësuesit dhe vetëm për arsye shëndetësore ose qëllime mësimore. Mësuesit dhe drejtuesit e shkollës do të kenë të drejtën të konfiskojnë pajisjen nëse ajo përdoret për të ndërprerë procesin mësimor.

Shkollat finlandeze do të detyrohen gjithashtu të vendosin rregulla të qarta për përdorimin dhe ruajtjen e celularëve gjatë mësimit, vakteve dhe pushimeve.

Kjo lëvizje vjen pas shqetësimeve të shtuara rreth ndikimit të telefonave tek fëmijët, përfshirë uljen e vëmendjes, dëmtimin e vetëvlerësimit dhe rritjen e varësisë nga platformat dixhitale. Finlanda i bashkohet një numri gjithnjë në rritje vendesh evropiane që po ndërmarrin masa të ngjashme. Më herët këtë vit, Danimarka njoftoi një ndalim të plotë të telefonave në shkolla, duke i quajtur ata “pushtues dixhitalë” të hapësirës arsimore.

Autoritetet finlandeze shpresojnë që ky ligj do të rikthejë vëmendjen e nxënësve në mësim dhe do të përmirësojë ambientin psikologjik në shkolla./ KultPlus.com

E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 mln dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./ KultPlus.com

Makinë e memorjes

Argëzon Sulejmani 

Kur zemra e tij 
S’jepte më shumë se një shirit të drejtë 
Në diagramin e ritmit të jetës  
Ajo e puliti për herë të mbrame 
Ngrohtësinë parzmore të diellit të vet  
Shqepi vetëm unazën dhe celularin nga 
Anatomia që i kishte lënë të gjitha 
U gjymtos dhe mori e hyri 
Në atë qark floriri tanësisht 
Po me atë gjymtyrë mori e fshiu gjithçka 
Nga telefoni i tij 
Veç vetes 
Në atë makinë tashmë do ishin veç ata dy 
Si në përrallat me dashuri e pa botë: 
Do niste vërtitjen nëpër 
Bisedat e tyre mbi dritën e vetme 
Që do i tokëzonte nga tash e tutje 
Ajo zhagitje i përngjante 
Ngjitjes me litar drejt qiellit 
Do niste jetën mbrapsht  
Mbrapsht deri ditën që 
Bisedat do soseshin dhe 
Për hak të tyre do duhej shkuar 
Me ngut te ai trup i ftohtë në gjumë 
Sikur mëngjeseve të vona kur 
Matanë receptorit vinte një zë i rreptë zyrtar 
Që kërkonte arsyetimin e mospranisë  
Së tij 
Përmendu, zgjohu, çakordohu: 
“Më janë sosur të gjitha përgjigjet e kësaj bote!”/KultPlus.com

Sunny Hill po afron! Biletat “Believer” përfundojnë pas 48 orësh!

Vetëm 48 orë ju ndajnë nga mbyllja përfundimtare e shitjes së biletave “Believer” – mundësia juaj e artë për të siguruar hyrjen në Sunny Hill Festival me çmimin më të mirë! Mos e lini pas dore, pasi me përfundimin e kësaj oferte ekskluzive, do të nisin zbulimet e artistëve të mëdhenjë ndërkombëtar që do t’i ndezin skenat e edicionit të këtij viti.

“Erdhi momenti. Pjesëmarrësit e këtij edicioni të Sunny Hill Festival kanë vetëm edhe 48 orë kohë për të marrë biletat ‘Believer’ me çmimin më të lirë të mundshëm, prej rreth 30 euro mesatarisht në ditë. Shitjet mbyllen zyrtarisht më 2 maj 2025, në orën 20:00. Bëhuni gati, sepse menjëherë pas kësaj, do të fillojmë të zbulojmë disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare që do të jenë pjesë e magjisë së Sunny Hill Festival këtë vit” – thuhet në njoftimin e festivalit.

Rerzervoni datat! Nga 1 deri më 3 gusht, Sunny Hill Festival do të rikthehet në Sunny Hill Festival Park në Bërnicë, me një atmosferë elektrizuese dhe performanca të paharrueshme nga emra të njohur botërorë dhe emrat më të mirë të skenës vendore. Festivali vazhdon rritjen, famën dhe jehonën ndërkombëtare, duke ofruar një përvojë festivali të nivelit botëror.

Edicioni i 2025-ës do të jetë një miks i fuqishëm i ikonave globale dhe zërave të rinj nga emra të mëdhenj të muzikës pop, hip-hop dhe muzikës elektronike.

A mund ta imagjinoni energjinë në skenat e Sunny Hill këtë vit?
Detajet e plota të line-up-it mbahen ende nuk janë zbuluar, por organizatorët garantojnë një listë artistësh që do ta bëjnë këtë edicion absolutisht të paharrueshëm.

Merrni biletat tuaja tani në këtë link: https://ticketing.festtix.co.uk/events/sunny-hill-festival-2025
Pas biletave “Believer”, mos humbisni shansin për të kapur biletat “Early Bird”, të cilat do të pasohen nga biletat “Regular” dhe “VIP”./KultPlus.com

Artizanati shqiptar, përçues i kulturës ndër shekuj

Nisi me një atmosferë festive, në mjediset e Hotel Rogner, panairi i artizanatit shqiptar ZAN’ART.

40 artizanët e përzgjedhur kanë prezantuar me krenari prodhimet e tyre që paraqesin mjeshtërinë por dhe kulturën e shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.

ZAN’ART synon të krijojë një urë të gjallë ndërmjet brezave, duke i rikthyer artizanatit shqiptar vendin që meriton në shoqëri.

Në këtë aktivitet të mbështetur nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA), Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ishte i pranishëm edhe ministri Blendi Gonxhja.

Përveç prezantimit të veshjeve tradicionale, qëndismave, gdhendjeve etj., panairi përfshin edhe seminare të cilat janë parë si një mundësi e shkëlqyer për të mësuar më shumë rreth kulturës dhe traditave shqiptare. Për këtë arsye, do të zhvillohen 11 të tilla, prej mjeshtrave të artizanatit.

ZAN’ART synon të promovojë artizanatin shqiptar dhe mjeshtrinë tradicionale që përfaqëson identitetin tonë kulturor; të nxisë ruajtjen dhe zhvillimi e zanateve të trashëguara brez pas brezi; pasurimin e ofertës turistike të Shqipërisë duke sjellë produkte autentike dhe eksperienca unike për vizitorët; të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë kulturore dhe ekonomike të artizanatit; të shtojë kërkesën për produktet artizanale në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar./atsh/KultPlus.com

Kur Drajzeri erdhi në shqip

Në fundprillin e vitit 1957 lexuesi shqiptar mori romanin e shkrimtarit amerikan Teodor Drajzerit “Një tragjedi amerikane” në dy vëllime, të shqipëruar nga Bujar Doko. Po nga ky autor në vitin 1965 u përkthye dhe u botua romani “Gjeniu”. Të dy veprat janë ribotuar disa herë në vendin tonë. Ato janë përkthyer e botuar edhe në Prishtinë.

“Një tragjedi amerikane” u botua në dhjetor 1925 në dy volume. Me këtë vepër, Drajzer krijoi një rrëfim prekës dhe në të njëjtën kohë të fuqishëm mbi rininë në shoqërinë industriale amerikane. Për vite të tëra, Drajzer kishte mbledhur të dhëna mbi histori të ndryshme të djemve të rinj të dëshpëruar për një vend në shoqëri. Në veçanti, vëmendjen e autorit e tërhoqi çështja e Chester Gillette. Në rajonin Herkimer, Nju Jork, në vitin 1906, Gillette nxori për shëtitje në liqen të dashurën e tij shtatzënë dhe e la të mbytej. Autori i krimit makabër u zbulua shumë shpejt dhe Gillette u dënua me vdekje në karrigen elektrike, vendim që u zbatua në mars 1908.

Gillette ishte personazhi mbi të cilin u krijua Klajdi i Drajzerit. Një i ri i cili fillon punë në fabrikën e xhaxhait të tij dhe që dyzohet mes ndjenjës për një vajzë të thjeshtë dhe ambicies për lidhje me një vajzë të shoqërisë së lartë. Ambicia rezulton më e fortë. Klajdi mëson për shtatzëninë e të dashurës punëtore dhe vendos ta heqë qafe, në kuptimin e parë të fjalës. Klajdi e lë vajzën shtatzënë të mbytet në liqen, megjithatë shpresat e tij për t’u bërë pjesë e shoqërisë së lartë mbyten bashkë me vajzën: Klajdi arrestohet, dënohet dhe ekzekutohet në karrigen elektrike.

Për të shkruar romanin e njohur, Drajzer bëri muaj të tërë kërkime në të dhënat gjyqësore dhe raportimet e gazetave mbi çështjen Gillette-Brown. Qëllimi i Drajzerit nuk ishte të tregonte një histori pasioni dhe krimi, një histori të një vrasësi gjakftohtë. Ndërsa lexon librin, nuk i shpëton dot një lloj keqardhjeje për Klajdin, edhe pse krimi që kreu është makabër. Klajdi ishte fajtor, por edhe viktimë në të njëjtë kohë, viktimë e sistemit, kohës, shoqërisë në të cilën jetoi./Hejza/KultPlus.com

Ernesto Sabato kur iu nda çmimi “Kadare” në Shqipëri: Ky ishte më i madh se çmimi Nobel

“Jam kthyer nga Shqipëria ku u nderova me Çmimin Kadare. Isha i dërrmuar, por shkova atje për të respektuar atë vend të varfër e heroik, i cili e jepte për herë parë për mua atë çmim.
Në qytetin e Tiranës m’u bënë nderimet më emocionuese në jetën time. Ky popull i vuajtur nga një tirani e egër, ku ende duken gjurmët e diktaturës: fytyra të prishura nga heqkeqja, bunkerë të përzishëm, me të cilët diktatori kishte mbushur vendin, më priti si një mbrojtës, si një mbret, si birin e saj të dashur.

Në dorëzimin e këtij Çmimi pati këngë dhe valle që s’do t’i harroj kurrë. Shkrimtari shqiptar, Visar Zhiti, më dorëzoi një urnë me dhé që e kishte sjellë nga vendlindja e nënës sime. Ai më tregoi një fletore që e kishte mbajtur fshehur në burg; me ca germa të vockla kishte kopjuar një tekst nga Kamy dhe fragmentin “Djalosh i dashur dhe i largët” nga libri im «Engjëlli i skëterrës». Me lot në sy, më tha se për shumë vjet që kishte qëndruar si i burgosur politik në qelitë e errëta, çdo ditë lexonte këto faqe, fshehtas, që të mund të rezistonte. U trondita dhe u mallëngjeva njëherazi, që me fjalët e mia i paskësha shërbyer atij heroi nga të shumtët të tillë që banojnë në atë vend, sot përsëri në luftë.

Të nesërmen na përcollën me muzikë e me lule; pata aq shumë emocione sa në korridoret e aeroportit të Vjenës më ra të fiktë. Elvira vrapoi të gjente një mjek dhe vetëm pas disa orësh mundëm të niseshim për në Madrid.

Jam kthyer përsëri në shtëpi dhe mendoj për ato që pashë në atë tokë të të parëve të mi, një popull që vjen nga vuajtje e nënshtrim për dekada të tëra; dhe nuk do t’i harroj kurrë ato nëna që kanë parë bijtë e tyre të vdesin në mënyrat më barbare e, megjithatë, vazhdojnë të jenë aq shpirtmëdha. Në vetminë e dhomës sime, zemërpërvëluar nga vdekja e Horhes, po pyes veten se cili Zot fshihet pas vuajtjes.”

– ERNESTO SÁBATO (pjesë nga libri i tij “Përpara fundit”)

Më 30 prill 2011 u nda nga jeta Ernesto Sábato (24 qershor 1911 – 30 prill 2011) shkrimtari dhe eseisti argjentinas me prejardhje arbëreshe. Për veprën e tij letrare është nderuar me shumë çmime kombëtare e ndërkombëtare, midis të cilëve me çmimin Romani më i Mirë i Huaj, në Paris (1976) për romanin “Ëngjëlli i skëterrës” dhe Çmimin Migel Servantes (1984). Në vitin 1995 u ftua të vinte në Shqipëri, ku iu dha çmimi Kadare dhe u nderua me titullin Nderi i Kombit, për të cilin, i entuziazmuar, u shpreh se për të ky ishte më i madh se çmimi Nobel. / KultPlus.com

150 thënie të mrekullueshme që duhen lexuar nga të gjithë

Çdo mendje e ndritur e kohërave ka lënë trashëgiminë personale. Për disa janë veprat, për disa të tjerë aseti më i madh janë thëniet në letër. Shumë prej tyre janë sfiduese, frymëzuese dhe interesante, optimiste, por vetëm të vërtetat, ato që i rezistojnë brezave janë më të vlefshmet.

Sokrati

– Jam më i dituri ndër të gjallët, se e di një gjë, e di se nuk di asgjë.
– Ka vetëm një të mirë: dituria. Dhe vetëm një të keqe: padituria.
– Mos u ngut të zësh miq, por, kur t’i zësh, mos i braktis
– Ai që dëshiron ta ndryshoje botën, fillimisht duhet të ndryshojë veten e tij.
– Për ta gjetur vetveten, mendoni për vetveten.
– Fitimi i emrit përkthehet në përpjekjet për të qenë çka dëshiron.
– Gjithë shpirtrat e njerëzve janë të pavdekshëm, por shpirtrat e të drejtëve janë edhe të pavdekshëm, edhe hyjnorë.
– Lëviz vetë, përpara se të lëvizësh botën.
– Për sa i përket martesës ose beqarisë, vendos vetë, o njeri, por ta dish mirë se ke për t’u penduar.
– Martohu, patjetër. Por të ra gruaja e mirë, do të jesh i lumtur; po të ra e keqe, do të bëhesh filozof.

Albert Ajnshtajn

-E vetmja gjë që bie ndesh me diturinë time është arsimimi.
-Për sa i përket përputhjes së ligjeve të matematikës me realitetin, ato nuk janë të sigurta; për sa i përket sigurisë së tyre, ato nuk përputhen me realitetin.
-Logjika praktike është mbledhja e paragjykimeve të përfituara në moshën 18-vjeçare.
-Çlirimi i energjisë atomike nuk ka krijuar një problem të ri. Ka bërë më urgjente nevojën për të zgjidhur një ekzistues.
-Nëse jeni në botë të përshkruani të vërtetën, lërjani elegancën rrobaqepësit.
-Nuk e di se me cilat armë do të bëhet Lufta III Botërore, por Lufta IV Botërore do të luftohet me shkopinj dhe gurë.
-Marrëzia: të bësh të njëjtën gjë përsëri dhe përsëri dhe të presësh rezultate të ndryshme.
-Sekreti i krijimtarisë është të dish të fshehësh burimet.
-Vendose dorën mbi furrë për një minutë dhe të duket si një orë. Ulu pranë një vajze të bukur për një orë dhe të duket si një minutë. Ky është relativitet.
-Nëse faktet nuk përputhen me teorinë, ndrysho faktet.
-Kushdo që s’ka bërë asnjë gabim nuk ka provuar asgjë të re.

Fridih Niçe

– Ajo që nuk na vret, na bën më të fortë.
– Nuk ka fakte, vetëm interpretime
-Ah gratë. Ato i bëjnë lartësitë më të larta dhe ultësirat më të sheshta.
-Mashkulli i vërtetë do dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Për këtë arsye ai do gruan, si lojën më të rrezikshme.
-Mënyra më e mirë për të korruptuar një të ri është ta udhëzosh të ketë mendim më të lartë për ata që mendojë si ai se sa ata që mendojnë ndryshe.
-Çfarë është djallëzi. Çfarëdo që del nga dobësia.
-Shumë janë kokëfortë në kërkim të rrugës që kanë zgjedhur, pak në kërkim të qëllimit.
-Arma më e mirë kundër një armiku është një tjetër armik.
-Avantazhi i një kujtese të keqe është se mund të shijosh disa herë të njëjtën të mirë si për herën e parë.
-Nuk vritet me zemëratë, por me qeshje.

Mark Tuein

-Kujdes kur të lexoni libra shëndeti. Mund të vdisni për një gabim shtypi.
-Unë nuk mora pjesë në funeral, por dërgova një letër të këndshme kur thuhej se e miratova.
-Nuk e kam lejuar asnjëherë shkollimin të ndërhyjë me arsimimin.
-Njeriu që nuk lexon libra të mirë nuk ka asnjë avantazh ndaj atij që s’mund t’i lexojë.
-“Përse rrini heshtur me pamjen e një zarfi pa adresë sipër?”
-Problemi me këtë botë nuk është se njerëzit dinë shumë pak, por se dini kaq shumë gjëra që s’qëndrojnë.
-Është shumë e lehtë ta lësh duhanin. Unë e kam bërë me qindra herë.
-Blini tokë. Askush s’e prodhon më.
-Nga të gjitha gjërat që kam humbur, më ka marrë malli më shumë për mendjen.
-Vera gjermane dallohet nga uthulla nga etiketa.
-Mos u sillni rrotull duke thënë se bota ju detyron jetesën. Bota nuk ju detyron asgjë. Ishte këtu para jush.
-Gjithmonë falini armiqtë, asgjë s’i mërzit më shumë.
-Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit.

Volteri

-Asnjë flokë bore në një ortek nuk ndjen se ka përgjegjësi.
-Triumfi i vërtetë i arsyes është se ne aftëson të vazhdojmë rrugën me ata që nuk e kanë.
-Ka njerëz që nuk mendojnë më thellë se një fakt.
-Gjithkush që ka pushtetin të të bëjë të besosh absurditete ka pushtetin të të bëjë të marrësh përsipër padrejtësi.
-Çdo gjë shumë koti për t’u thënë këndohet.
-Me anë të vlerësimit, e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.
-Qeveritë duhet të kenë edhe barinj edhe kasapë.
-Kur bëhet fjalë për paratë, të gjithë kanë të njëjtën fe.
-Paragjykimet janë ato që budallenjtë përdorin për arsye.
-Nëse Perëndia nuk do të ekzistonte, do të ishte e nevojshme ta shpiknim.
-Çdo njeri është fajtor për të gjitha të mirat që s’ka bërë.

Napoleon Bonaparti

-Duhet të qeshim me njeriun që të mos qajmë për të.
-S’duhet të luftoni shumë shpesh me një armik, përndryshe do t’jua mësojë të gjitha marifetet e luftës.
-Kurrë mos e ndalni armikun kur po bën një gabim.
-Aftësia nuk ka shumë vlerë pa mundësinë.
-Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord.
-Në politikë, absurditeti nuk është handikap.
-Njerëzit e famshëm e humbasin dinjitetin kur i sheh nga afër.
-Kushtetuta duhet të jetë e shkurtër dhe e paqartë.
-Një lider është një tregtar me shpresë.
-Një njeri do të luftojë më shumë për interesat se sa për të drejtat.
-Froni është vetëm një stol i mbuluar nga kadifja.

Uinston Çurçill

-Është thënë se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç gjithë të tjerave që janë provuar.
-Një komb që i vë taksë vetes për prosperitetin është si një njeri brenda në kovë, që përpiqet ta ngrejë veten nga doreza.
-Një paqësor është dikush që ushqen një krokodil, me shpresën se do të jetë i fundit që do të hahet
-Gënjeshtra ka bërë gjysmën e rrugës rreth e qark botës, kur e vërteta sapo është nisur.
-Keni armiq? Mirë. Kjo do të thotë se keni luftuar për dikë dikur në jetën tuaj.
-Argumenti më i mirë kundër demokracisë është një pesë-minutësh muhabet me një votues të zakonshëm.
-Të përmirësosh do të thotë të ndryshosh; të jesh i përsosur do të thotë të ndryshosh shpesh.
-Politika është aftësia për të parashikuar atë që do të ndodhë nesër, javën tjetër, muajin tjetër dhe vitin tjetër. Dhe të kesh aftësinë që më pas të shpjegosh pse nuk ndodhi.
-Ngrënia e fjalëve kurrë nuk më ka shkaktuar mostretje.
-Më pëlqejnë shumë derrat. Qentë na shohin me sy ngritur. Macet na shohin me sytë poshtë. Derrat na konsiderojnë si të barabartë.
-Kam marrë më shumë nga alkooli, nga sa ka marrë alkooli nga unë.
-Në luftë mund të vritesh vetëm një herë, por në politikë shumë herë.

Xhorxh Karlin

-“Pa koment” është një koment.
-Nëse një person buzëqesh gjatë gjithë kohës, me siguri po shet diçka që s’punon.
-Arsyeja pse e quajnë “Ëndrra amerikane” është se duhet të jesh në gjumë ta besosh.
-Si ka mundësi që nuk e kuptojmë asnjëherë kur fillon dashuria, por gjithmonë e dimë kur mbaron
-Ah, ata francezët. Kanë një fjalë të ndryshme për gjithçka!
-Azia: Katër shkronja të vogla, tre miliardë njerëz të vegjël.
-Unë nuk i dalloj ngjyrat. Njerëzit më thonë se jam i bardhë dhe unë u besoj, sepse policët më thërrasin “zotëri”.
-Gjithkush do të kishte besim tek vetja me një kokë plot me flokë. Por një qeros plot besim – ky është diamanti i dorës së parë.
-Nëse një grua ju thotë se është njëzet dhe duket gjashtëmbëdhjetë vjeç, është dymbëdhjetë. Nëse ju thotë se është njëzet e gjashtë dhe duket si njëzet e gjashtë, është afër të dyzetave.
-E gjithë bota çmendet kur reperi më i mirë është i bardhë, lojtari më i mirë i golfit është i zi, më i gjati në “NBA” është kinez, zviceranët fitojnë Kupën e Botës, Franca akuzon SHBA-në për arrogancë dhe Gjermania s’do të shkojë në luftë.

Benxhamin Franklin

-Nëse do të kuptosh të metat e një vajze, lavdëroje tek shoqet.
-Birra është prova se Perëndia na do dhe dëshiron që të jemi të lumtur.
-Ka vetëm tre miq besnikë, një grua e vjetër, një qen i vjetër dhe para në dorë.
-Eksperienca është një mësuese e dashur dhe vetëm budallenjtë mësojnë nga gjëra të tjera.
-Të zgjuarit nuk kanë nevojë për këshillat. Vetëm budallenjtë nuk duan t’i marrin.
-Tragjedia e jetës është se plakemi shpejt dhe bëhemi të urtë shumë vonë.
-Miqtë, ashtu si peshku, fillojnë t’u vijë erë pas tri ditëve.
-Bëjini sytë katër para martese, dhe mbajini gjysmë mbyllur pas martese.

Xhorxh Bernard Shou

-Nuk luajmë më sepse plakemi. Plakemi sepse nuk luajmë më.
-Gazetat duket se e kanë të pamundur të diskriminojnë mes një aksidenti me biçikletë dhe kolapsit të një qytetërimi.
-Kërcimi: Shprehja vertikale e një dëshire horizontale të legalizuar nga muzika.
-Sikur të gjithë ekonomistët në botë të ishin vënë njëri pas tjetrit, nuk do të arrinin asnjë konkluzion.
-Rregulli i artë është se nuk ekzistojnë rregullat e arta.
-Një jetë e kaluar me gabime jo vetëm që është më e ndershme, por më e vlefshme se një jetë e kaluar duke mos bërë asgjë.
-Koha është një mësues i mirë, por i vret të gjithë nxënësit e saj.
-Rinia është e mrekullueshme. Sa krim që shpenzohet më kot tek fëmijët.
-Martirizimi është e vetmja mënyrë si një njeri mund të bëhet i famshëm pa aftësi.
-Nëse s’e hiqni qafe një skelet të familjes, mund ta bëni të kërcejë.

Platoni

-Ky qytet është ai që është sepse qytetarët tanë janë ata që janë.
-Kurajoja është të dish se çfarë mos të kesh frikë.
-Vlera e një burri është ajo që bën me pushtetin.
-Vëmendja ndaj shëndetit është pengesa më e madhe në jetë.
-Një prej dënimeve për refuzimin e pjesëmarrjes në politikë është se përfundon e qeverisesh nga inferiorët.
-Mund të zbulosh më shumë për atë person në një orë lojë se në një vit bisedash.

Leksionet e jetës sipas Bill Gates

Rregulli 1: Jeta nuk është e drejtë, duhet të mësoheni me të.
Rregulli 2: Bota nuk do të kujdeset për vlerësimin tuaj personal. Bota pret që ju të bëni diçka, përpara se të ndjeheni mirë me veten.
Rregulli 3: Ju nuk do të fitoni sapo të mbaroni shkollën, menjëherë për punën që bëni, 60.000 dollarë në vit. Ju nuk do të bëheni as menjëherë, sa të mbaroni shkollën, zëvendëspresident i firmës me telefon në makinën tuaj. Ju do t’i fitoni me shumë mundim të dyja.
Rregulli 4: Nëse mendoni se mësuesi juaj apo prindi janë të ashpër, prisni deri sa të keni një shef në punë.
Rregulli 5: Të paguheni më pak sa ju takon, nuk është në dinjitetin tuaj, gjyshërit tuaj përdornin fjalën “mundësi“ në vend të pagesës më pak se të takon.
Rregulli 6: Nëse gaboni apo futeni në telashe, nuk është faji i prindërve tuaj, kështu që mos u ankoni për gabimet, por mësoni prej tyre.
Rregulli 7: Para se të kishit lindur, prindërit tuaj nuk kanë qenë kaq të mërzitshëm sa janë tani. Ata u bënë të tillë nga pagesa e faturave tuaja, pastrimi i rrobave, si dhe duke ju dëgjuar kur thoni aq shpesh se sa “cool“ dhe të zotët jeni.
Rregulli 8: Shkolla juaj mund t’ju ketë bërë fitues apo humbës në shumë gjëra, por jeta, akoma jo. Në disa shkolla i kanë hequr fare notat që sanksionojnë dështimin, duke ju dhënë shanset deri sa ju të merrni notën kaluese. Por mos harroni, kjo që ndodh në shkollë nuk ka as ngjashmërinë më të vogël me jetën reale, që do të thotë se shanset nuk të jepen shumë herë në jetë!
Rregulli 9: Jeta nuk është e ndarë në semestra. Ju nuk i ndalni dot stinët e vitit dhe vetëm shumë pak prej punëdhënësve tuaj janë të interesuar t’ju ndihmojnë për të gjetur vetveten. Prandaj gjejeni vetveten se kush jeni në kohën e duhur.
Rregulli 10: Televizioni nuk është jeta e vërtetë. Në jetën reale njerëzit nuk kanë kohë të rrinë gjatë nëpër kafene dhe restorante sepse duhet të shkojnë në punë.
Rregulli 11: Silluni mirë me “budallenjtë”, sepse shanset janë që ju të punoni për njërin prej tyre.

Oscar Wilde

– Bëhu vetja, të gjithë të tjerët janë zënë
– Të moshuarit besojnë se dinë, të moshës mesatare dyshojnë se dinë, të rinjtë mendojnë se i dinë të gjitha.
– Përvoja është emri që u japim gabimeve tona.
– Kur isha i ri mendoja që paraja ishte gjëja më e rëndësishme në jetë. Tani që jam rritur jam bindur se ashtu është vërtet.
– Askush nuk është aq i pasur, sa të mund të blejë të kaluarën e vet.
– Këshilla më e mirë që mund t’u japësh të rinjve për karrierën është: Zbuloni çfarë ju pëlqen të bëni më shumë dhe pastaj gjeni dikë t’ju paguajë për këtë.
– S’ka asgjë më të rrezikshme sesa të jesh tepër modern. Rrezikon të dalësh jashtë mode nga një moment në tjetrin.
– Pas gotës së parë, i shikon gjërat ashtu siç do të doje të ishin. Pas gotës së dytë, i shikon gjërat ashtu siç nuk janë. Në fund i shikon gjërat ashtu siç janë në realitet, dhe kjo është gjëja më e shëmtuar në botë
– Miqtë e vërtetë nuk ta ngulin thikën pas shpine, por përballë.
– Dallimi i vetëm ndërmjet shenjtorit dhe mëkatarit është që çdo shenjtor ka një të kaluar dhe çdo mëkatar një të ardhme.
– Ai që s’di të mësojë, jep mend.

Aristoteli

– Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.
– Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.
– Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.
– Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.
-Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.
– Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.
– Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

Makiaveli

– Politika nuk ka lidhje me moralin.
– Një princi nuk i mungojnë kurrë arsyet legjitime për të thyer premtimin e tij.
-Një sundimtar i mençur nuk duhet ta mbajë besën kurrë nëse duke bërë kështu do të jetë kundër interesave të tij.
-Para së gjithash, armatosu.
-Përfitimet duhet të jepen gradualisht, dhe në këtë mënyrë ato do të shijohen më mirë.
-Sipërmarrësit janë thjesht ata që e kuptojnë se ka pak ndryshim mes pengesë dhe mundësisë. Dhe janë në gjendje t’i kthejnë të dyja në avantazhin e tyre.
-Urrejtja është fituar me anë të veprave të mira aq shumë sa me anë të veprave të këqija
-Ai që dëshiron të jetë i bindur duhet të dijë se si të komandojë.
-Kështu del se pothuaj që të gjithë Profetët e armatosur kanë qenë fitimtarë, dhe të gjithë profetët e paarmatosur janë shkatërruar.
– Unë nuk jam i interesuar në ruajtjen e status quo-së, unë dua ta shkatërroj atë.
– Nëse duhet bërë një lëndim ndaj një njeriu, atëherë ai lëndim duhet të jetë shumë i rëndë saqë nga hakmarrja e tij të mos kesh aspak frikë.
-Është kënaqësi e dyfishtë të mashtrosh mashtruesin.
– Është shumë më e sigurt kur ta kanë frikën, sesa kur të duan.
– Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt.
-Njerëzit janë shumë të thjeshtë dhe shumë të prirur për t’iu bindur nevojave të menjëhershme saqë një mashtruesi nuk do t’i mungojnë kurrë viktimat për mashtrimet e tij. – “TO”./KultPlus.com

Borges: Një zonjë me një bukuri thuajse alarmuese

“Ndodhesha në Montevideo në një mëngjes shkrimtarësh. Në të vërtetë nuk e di saktësisht sa vite kanë kaluar qysh atëherë, tridhjetë ndoshta, nuk e mbaj mend.

Kish mjaft njerëz të shquar të pranishëm… Më tërhoqi sakaq vëmendjen një zonjë me një bukuri thuajse alarmuese. U ula menjëherë pranë saj. Biseduam për gjithçka bashkë. Për Argjentinën dhe Republikën Lindore (Uruguajin), për shkrimtarët e poetët e vendeve tona. Sigurisht, mbase për të tingëlluar dashamirës apo për ta lajkatuar, i thura lavde poetit uruguajan Herrera y Reissig. Kurse ajo, nga ana e saj lëvdoi poetin argjentinas Leopoldo Lugones.

Ishte një vazhdë shpërfaqje të virtyteve letrare të pareshtura. Teksa bashkëfolësja ime ngulmonte për dhuntitë letrare të argjentinasve, unë theksoja vlerat e Lindorëve të Uruguajit. Vijuam kështu gjatë dy orëve, që fluturuan në çast.

Më vonë, mbase pak i lodhur, e pyeta këtë grua:

– Kush jeni ju vallë?

– Unë quhem Juana de Ibarbourou, po ju?

– Unë quhem Jorge Luis Borges!

Kurrë më nuk do të takoheshim më tutje”.

Përktheu nga spanjishtja:
Elvi Sidheri

PS: Juana de Ibarbourou (1892-1979) është ndër poetet më të shquara latino amerikane të shekullit XX./ KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Tuneli’ i shkrimtarit Ernesto Sabato

KultPlus ua sjell sot një fragment nga libri i Ernesto Sabatos, ‘Tuneli’.

Kur e pashë të ecte në anën tjetër të trotuarit, të gjitha variantet në kokën time u bënë troç dhe u rrotulluan. Mjegulltazi, ndjeva në ndërgjegjen time dallgën e atyre frazave të komplikuara, të përpunuara e të mbajtura mend, përgjatë procesit përgatitor që kisha kaluar: A jeni e interesuar në art? Pse e shikuat vetëm dritaren e vogël?, e kështu me radhë. Dhe, më ngulmuese se secila, më vinte në gojë një frazë që e kisha hedhur poshtë për të vrazhdë, e që, në atë moment, më mbushte turp e më bënte të ndihesha edhe më qesharak: Ju pëlqen Kasteli?

Frazat, të shfrenuara dhe konfuze, formësonin një enigmë fjalëkryqi misterioz, derisa e kuptova se qe e kotë të brengosesha në atë mënyrë: më pas, më ra në mend se ishte ajo e cila do të duhej ta merrte nismën për çfarëdo bisede. Dhe, që nga ai moment, u ndjeva marrëzisht i qetë dhe, madje, munda të mendoja, gjithashtu, marrëzisht: Tani kemi për të parë se si do t’i shkojë kësaj.

Në ndërkohë, pavarësisht këtij gjykimi, aq ndihesha nervoz dhe i emocionuar sa s’isha në gjendje të bëja gjë tjetër përveç ta përcillja marshin e saj anës tjetër të trotuarit, pa menduar se nëse do të doja t’i jepja, të paktën, mundësinë hipotetike të më pyeste ndonjë adresë, më duhej të kaloja në anën tjetër të rrugës dhe të afrohesha. Vërtet, s’kishte gjë më absurde sesa të supozosh se ajo do të bërtiste prej atje për të më kërkuar ndonjë adresë.

Ç’të bëja? Sa do të zgjaste kjo situatë? U ndjeva krejtësisht i mjerë. Ecëm disa blloqe. Ajo vazhdoi të ecte vendosmërisht.

lsha shumë i trishtuar, por më duhej t’i shkoja gjer në fund kësaj pune: ishte e pamundur që, pasi e kisha pritur muaj të tërë këtë moment, ta lija këtë mundësi të më shkiste nga duart. Dhe, të ecurit e shpejtë, derisa shpirti më lëkundej aq shumë, më shkaktonte një ndjesi të pazakontë: mendja ime ishte si një krimb qorr e i ngathët, brenda një automobili me shpejtësi të madhe.

U kthye në qoshen e San Martinit, bëri ca hapa dhe hyri në ndërtesën e Kompanisë T. E kuptova se më duhej të veproja shpejt dhe e ndjeka pas, edhe pse, në ato momente, ndjeva se po bëja diç të tepruar e monstruoze.

E priste ashensorin. S’kishte tjerë njerëz. Njëri brenda meje, më guximtar se unë, shqiptoi këtë pyetje tmerrësisht të marrë: Kjo është ndërtesa e Kompanisë T?

Një tabelë, e madhe ca metra, që mbulonte gjithë pjesën e përparme të ndërtesës, shënjonte se kjo ishte ndërtesa e Kompanisë T.

Sidoqoftë, ajo u kthye me thjeshtësi dhe m’u përgjigj duke pohuar. (Më vonë, duke reflektuar mbi pyetjen time dhe thjeshtësinë e qetësinë me të cilën ajo m’u përgjigj, konkludovase, në fund të fundit, ngjan që shumë herë njerëzit nuk i shohin këto tabela tepër të mëdha se, kësisoj, pyetja s’ishte aq e marrë, siç e mendova në momentet e para.)

Por, menjëherë, kur më shikoi, u skuq aq fort, sa e kuptova se më njohju. Të tillë variant s’kisha paramenduar kurrë. Sidoqoftë, ishte mjaft logjik, sepse fotografia ime ishte shfaqur shumë shpesh nëpër revista e gazeta.

U emocionova aq shumë, sa qeshë në gjendje t’i drejtoja vetëm edhe një tjetër pyetje bajate. E pyeta befas:

Pse u skuqët?

Ajo u skuq edhe më dhe ndoshta deshi të më përgjigjej kur unë, i dalë krejtësisht nga vetja, shtova vrik

 U skuqët ngaqë më njohët. Me gjasë mendoni se kjo ështe një rastësi, por nuk është e tillë, nuk ka rastësi kurrë. Kam menduar rreth jush me muaj të tërë. Sot ju pashë tek ecnit në rrugë dhe ju përcolla. Më duhet t’ju pyes diçka, diçka në lidhje me dritaren e vogël, kuptoni?

Dukej e frikësuar:

– Dritarja e vogël? – belbëzoi. – Ç’dritare e vogël?

Ndjeva këmbët të më dridheshin. Ishte e mundur mOS kujtohej? Pra, s’çonte peshë për të dhe e kishte shikuar veç për kureshtje. U ndjeva qesharak dhe mendova, marramendthi, se gjithë ç’kisha bërë e menduar tërë këta muaj (përfshirë edhe këtë skenë) ishte maja e marrëzisë dhe budallallëkut, një nga ato trillet e mia imagjinare, mendjemadhe aq sa ato rindërtimet e një dionsauri nga një gjetje vertebre të thyer.

Vajza sa s’ia nisi vajit. Mendova se bota do të më shembej mbi kokë, pa më dhënë afat të ndërmirrja gjë efikase. E zura veten duke thënë diçka që tani më vjen turp ta shkruaj:

Shoh se paskam gabuar. Ditën e mirë.

Dola rrëmbimthi dhe eca, pothuajse duke vrapuar, pa cak e adresë. Kisha ecur një bllok të tërë kur dëgjova një zë prapa të thoshte:

Zotëri, zotëri!

Ishte ajo; më kishte ndjekur, pa marrë guximin të më ndalte. Ishte aty dhe s’dinte si ta shpjegonte atë që kishte ndodhur. Me një zë të ulët më tha:

Më falni, zotëri… Faleni marrëzinë time… Isha aq e frikësuar…

Ca momente më parë, bota më ishte një kaos gjërash dhe njerëzisht të padobishëm. Ndjeva sikur tani po formësohej përsëri dhe po rimerrte frerët në duar. E dëgjova i heshtur.

S’e kuptova se po më pyesnit rreth skenës së pikturës – tha, me angështi.

Pa menduar fare, e kapa për krahu.

Atëherë, ju kujtohet?

Ndenji një moment pa e hapur gojën, me sytë mbërthyer në tokë. Pastaj, tha ngadalë:

– Më kujtohet vazhdimisht .

Më pas, diçka e çuditshme ngjau: u duk se u pendua për ato që kishte thënë sepse, papritur,ma ktheu shpinën dhe gati nisi të vrapojë. Pas një çasti habie, vrapova pas saj, derisa ma kapi truri se sa qesharake ishte kjo skenë; shikova majtas e djathas dhe vazhdova të ecja me hapa të shpejtë, por normal. Vendosa kështu për dy arsye: e para, sepse ishte qesharake që një njeri i famshëm të vraponte rrugës pas nje vajze dhe, e dyta, sepse s’ishte e nevojshme. Kjo e fundit ishte më esencialja, mund ta shihja sa herë të doja, kur ajo të hynte apo dilte nga zyrja e saj. Pra, pse të vrapoja si i çmendur? E rëndësishmja këtu, më e rëndësishmja ishte se asaj i kujtohej skena e dritares: I kujtohej vazhdimisht. Isha i kënaqur, ndihesha i gatshëm për gjëra të mëdha, vetëm se e qortoja veten pse kisha humbur kontrollin atje te ashensori dhe tani, përsëri, që vrapova pas asaj sikur buda;;a. kur ishte më se e qartë se mund ta takoja në çfarëdo kohe, në zyrë./KultPlus.com

Del në ankand diamanti i famshëm ”Golconda blue”

Maji është muaji i blerjeve të diamanteve të rralla apo xhevahireve madhështore për miliarderët.

Midis panairit ”GemGeneve”, shtëpisë së ankandeve ”Christie’s” dhe ekspozitave paraprake në Londër, shumë bizhuteri të jashtëzakonshme janë gati për shitje.

Nëse buxheti është midis 30 dhe 50 milionë dollarëve, ekziston një ”copë e fortë” që do të dalë në ankand nga ”Christie’s” në Gjenevë më 14 maj në seksionin e xhevahireve madhështore, një ”Golconda blue”, një nga diamantet më të rralla në histori.

Guri i çmuar në formë dardhe, 23,24 karat dhe i vendosur në mënyrë të përsosur në një unazë, ka një ngjyrë magnetike blu.

Kjo është një kryevepër e vërtetë  falë prejardhjes mbretërore të zbuluar së fundmi, ngjyrës hipnotike dhe dimensioneve të saj sensacionale.

”Është ndër diamantet më të rralla dhe më të rëndësishme të zbuluara ndonjëherë në histori”, thonë analistët.

Në pronësi të Lartësisë së Saj, Sanyogitabai Devi Maharani të Indisë (1881-1949), diamanti i shkëlqyer është i vendosur në një byzylyk.

I rishitur te pronari i tij aktual, guri i çmuar u vendos në një unazë nga stilisti i famshëm parizien Jar, i njohur edhe si Joel Arthur Rosenthal, i konsideruar si mjeshtër i bizhuterive bashkëkohore.

Më shumë se një shekull më vonë, ky diamant legjendar blu po del në ankand për herë të parë dhe do të rrëmbejë zemrat e koleksionistëve dhe miliarderëve, ndoshta midis atyre 3 028 njerëzve në botë që kanë një pasuri neto totale prej 16,1 trilion dollarësh.

”Goloconda Blue” nuk është i vetmi xhevahir që do të dalë në ankand në Gjenevë në maj.

Do të ketë edhe xhevahire të tjera historike me vlerë të jashtëzakonshme./  atsh/ KultPlus.com

50 thënie për jetën nga Aristoteli

Thëniet më të bukura të Aristotelit

1. Është e vështirë që të ndodhë diçka pa një arsye apo pa një parim.

2. Fillimisht ki një objektiv të qartë. Së dyti, gjej mjetet për ta arritur. Së treti përshtat mjetet.

3. Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfrit dhe jo të pasurit.

4. Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

5. Njerëzit i krijojnë zotat sipas vetes, jo vetëm për nga pamja, por edhe për nga mënyra e jetesës.

6. Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës nuk është aspak edukim.

7. Miku i të gjithëve nuk është miku i askujt.

8. Një qytet i madh nuk duhet ngatërruar me një qytet të populluar.

9. Miku i vërtetë është një shpirt në dy trupa.

10. Të gjitha veprimet njerëzore kanë një ose më shumë prej këtyre shkaqeve: fati, natyra, detyrimi, zakoni, arsyeja, pasioni, dëshira.

11. Në më të mirën e tij, njeriu është më fisniku i të gjitha kafshëve; po të mos ishin ligji dhe drejtësia ai do të ishte kafsha më e keqe.

12. Ka vetëm një mënyrë për të shmangur kriticizmin: mos bëj asgjë, mos thuaj asgjë dhe ji thjesht asgjë.

13. Gabimi vjen në shumë mënyra, ndërsa për të bërë gjërat siç duhet ka vetëm një rrugë.

14. Familja është shoqata e krijuar nga natyra për të siguruar nevojat e njeriut.

15. Dinjiteti nuk matet me titujt që zotëron, por me vetëdijen që i meriton.

16. Mirë është që në jetë ashtu si në gosti, të mos dalësh as i etur as i dehur.

17. Të këqijtë binden prej frikës, të mirët prej dashurisë

18. Droja është një stoli për të rinjtë, por një turp për të moçmit.

19. Trimëria është cilësia e parë njerëzore, sepse ajo është cilësia që i garanton të gjitha cilësitë e tjera.

20. Demokraci është atëherë kur sundues janë të varfërit dhe jo të pasurit.

21. Shkollimi është parapërgatitja më e mirë për pleqërinë.

22. Ashtu si sytë e lakuriqëve janë të verbuar nga drita, për të njëjtën arsye edhe shpirtrat tanë janë të verbër përballë gjërave të cilat shihen më qartë se gjithçka.

23. Sikurse një dallëndyshe e vetme nuk sjell pranverë, sikurse si një ditë e vetme nuk sjell pranverë; ashtu një ditë, një kohë e shkurtër nuk e bën njeriun të bekuar e të lumtur.

24. Sikurse ne i duam sa të vërtetën aq edhe miqtë tanë, nderi na thotë që të parën ta respektojmë të vërtetën.

25. Lumturia varet nga ne.

26. Ai që ka shumë miq, nuk ka asnjë.

27. Ai që do të ishte një sundimtar i mirë, duhet së pari të ketë qenë i sunduar.

28. Ai që është i paaftë të jetojë në shoqëri, ose ai që nuk ka nevojë ngaqë i mjafton vetvetja, duhet të jetë ose një bishë, ose një perëndi.

29. Homeri i ka mësuar të gjithë poetët e tjerë artin e të treguarit të gënjeshtrave me zotësi.

30. Shpresa është një ëndërr që nuk fle.

31. E quaj më të zotin atë që i tejkalon dëshirat e tij se atë që i pushton armiqtë e tij; sepse fitorja më e vështirë është ndaj vetvetes.

32. Për të hartuar një fjalim njeriu duhet t’i studiojë tri pika: së pari, mjetet e arritjes së bindjes; së dyti, gjuha; së treti, organizimi i përshtatshëm i pjesëve të ndryshme të fjalimit.

33. Nga nëntë raste në dhjetë, gruaja shfaq më shumë dashuri sesa ndjen.

34. Shtresat e ulëta ngrenë krye për të qenë të barabartë, dhe të barabartët ngrenë krye sepse duan të jenë shtresë sunduese. Kjo është gjendja mendore që i krijon revolucionet.

35. Është shenja e një mendje të ditur të jetë e aftë që ta mirëpresë një mendim pa u pajtuar me të.

36. Njeriu nga natyra është një kafshë politike.

37. Njerëzit veprojnë më shumë për shkak të frikës se për shkak të respektit.

38. Fatkeqësia i tregon ata që nuk janë miq të vërtetë.

39. Shumë njerëz parapëlqejnë të japin më shumë dashuri se të marrin.

40. Nënat janë më të dashura se etërit për fëmijët e tyre, sepse ato janë më të sigurta se ata janë të tyret.

41. Natyra nuk bën asgjë kot.

42. Asnjë shpirt i shkëlqyer nuk është i përjashtuar nga përzierja me çmendurinë. Nuk ka ekzistuar kurrë një gjeni i madh pa njëfarë çmendurie.

43. Bukuria vetjake është rekomandimi më i madh se çdo letër reference.

44. Qëllimi i të mençurve është jo për të sjellë kënaqësi, por për të shmangur dhimbjen.

45. I dituri ndryshon nga i padituri sa i gjalli nga i vdekuri.

46. Rrënjët e shkollimit janë të hidhura, por frutet janë të ëmbla.

47. Sekreti i humorit është befasia.

48. Shpirti nuk mendon kurrë pa një përfytyrim.

49. Ato që i di, bëji. Ato që nuk e kupton, mësoji.

50. Ne bëjmë luftë që të jetojmë në paqe.

Federata Shqiptare e Sporteve me Kuaj zhvillon garat e kapërcimit me pengesa

 Federata Shqiptare e Sporteve me Kuaj ka zhvilluar në ambientet e Equos Resort, garat e kapërcimit me pengesa, ku pjesëmarrësit konkurruan në tre nivele të ndryshme lartësish.

Në këtë aktivitet u përfshinë pjesëmarrës nga të gjitha garat, për fëmijë, të rinj dhe të rritur, që përfaqësonin tre klube sportive: Equos Hipizëm, Klubin “Skënderbeu” dhe Klubin “Ris Ranch” i Kosovës.

Në kategorinë e fëmijëve spikatën Estel Balla, Ari Çollaku dhe Ester Golemi. Në kategorinë për të rinj spikatën Sofia Pesendorfen, me kalin Jelly, Eliza Aliko me kalin Omicron dhe Melina Myrtollari me kalin Nazir.

Për të rritur spikatën Pavlina Jonas me kalin Oxygen, Enis Brahimi me kalin Loris dhe Hilmi Myrtollari me kalin Bora.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishin presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli dhe zv.ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, që shpërndanë edhe çmimet për fituesit.

Prezantohet ”Trump tower” disa javë para vizitës së presidentit amerikan

Organizata ”Trump” po zgjerohet në rajonin e Gjirit me prezantimin e projektit të saj më të fundit të rrokaqiellit në Dubai, vetëm disa javë përpara vizitës së planifikuar të presidentit të SHBA-së, Donald Trump në rajon.

Ndërtesa 80-katëshe do të jetë hoteli i parë i ”Trump tower” në Dubai.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, Eric Trump, nënkryetar ekzekutiv i organizatës ”Trump”, tha se “ky do të jetë projekti i parë ku mund të blini njësi duke përdorur kriptovaluta, përfshirë bitcoin”.

Projekti me vlerë një miliard dollarë pritet të përfundojë brenda pesë vitesh.

”Njësia më e shtrenjtë do të jetë apartamenti në katin e parë, me një kosto prej rreth 20 milionë dollarësh”, sipas gazetës emirate ”The National”.

Edhe pse më parë ka qenë kritik i kriptovalutave, Donald Trump ka mbështetur asetet digjitale gjatë fushatës për një mandat të dytë.

Njoftimi për Kullën e Dubait vjen përpara vizitës së planifikuar të presidentit të SHBA-së Donald Trump në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar, e planifikuar për 13-16 maj.

Vitin e kaluar, zhvilluesi saudit i pasurive të patundshme luksoze ”Dar Global” njoftoi ndërtimin e një kulle ”Trump” me vlerë 533 milionë dollarë në Xhedah dhe një projekti tjetër në Oman që përfshinte një hotel dhe vila banimi./  atsh/ KultPlus.com

1 Maji, ndalohet qarkullimi i veturave në drejtim të Gërmisë

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që nesër me rastin e Ditës së Punëtorëve -1 Majit të ndalojë qarkullimin e të gjitha automjete në drejtim të Parkut të Gërmisë.

Nga ky vendim përjashtohen autobusët e linjës 4 të NPL “Trafiku Urban”, automjetet e policisë, KFOR-it dhe EULEX-it, ata të emergjencës, KRM “Pastrimi”, NPL “Gjelbër”, inspektorëve komunalë, etj.

“ Qytetarët do të mund të udhëtojnë deri te pishinat në “Gërmi” ekskluzivisht me autobusët e Trafikut Urban – Linja 4’, thuhet në njoftim të kësaj komune.

Shfaqja ’13’ sonte në Teatrin Adriana në Ferizaj

Shfaqja “13” prodhim i Teatrit Adriana, është shfaqja fituese e 3 çmimeve kryesore në festivalin “Talia e Flakës” me regji të Sulejman Rushitit dhe me motive nga Kadare, Fishta, Kuteli e Kristo Floqi, e cila jepet sonte nga ora 19:00 në Teatrin Adriana në Ferizaj.

“13” është një reflektim i thellë mbi ciklin historik të shqiptarëve, ndërtuar mbi fabulat e shkrimtarëve dhe poetëve që kanë ndikuar në formësimin e identitetit tonë kulturor. Frymëzuar nga Viti i Mbrapshtë i Ismail Kadaresë, Qerthulli Politik i Kristo Floqit, ABC-ja e Kreshnikëve e Mitrush Kutelit dhe poezi të Gjergj Fishtës, shfaqja zhytet në pasigurinë dhe tragjedinë që ka shoqëruar shqiptarët ndër shekuj.

No description available.

Viti 1913, një moment kyç në historinë tonë, mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si simbol i ndarjes, dështimit, shpresës dhe pasigurisë. Përmes fuqisë simbolike të numrit 13, kjo shfaqje analizon ndërthurrjen mes supersticioneve dhe ngjarjeve historike që kanë përcaktuar fatet e individëve dhe kombit. Me një strukturë dramaturgjike që lëviz mes dramës, tragjedisë, farsës dhe komedisë, “13” pasqyron shumëkuptimësinë e historisë sonë, ku çdo ngjarje humbje, fitore apo përpjekje, shpesh shfaqet si një përzierje e absurdit dhe shpresës.

Qëllimi i saj është të hap një dialog mes të kaluarës dhe të tashmes, për të eksploruar mënyrën se si historia, me dhimbjet dhe triumfet e saj, vazhdon të ndikojë në të ardhmen tonë. Në këtë shfaqje, heronjtë, martirët, trimat, tradhtarët, mitologjia dhe realiteti ndërthurren për të krijuar një pasqyrë të asaj që kemi qenë dhe të asaj që mund të bëhemi, transmeton Klankosova.tv.

No description available.

Kryeministri Kurti bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve në Qirez dhe Likoshan

Nga Gllobari, Vërboci dhe Shtutica, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vijoi drejt Qirezit dhe Likoshanit, ku bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve.

Përmes një njoftimi për medie bëhete, ditur se ai, bashkë me deputetë të Kuvendit të Kosovës, bëri homazhet edhe te lapidari i gjashtë të rënëve në lagjen Ferati, te lapidari i Hamdi dhe Isa Feratit, të cilët u vranë 26 vite më parë, më 30 prill 1999 në luftime nga forcat serbe, dhe te xhamia e Çirezit.

Kryeministri Kurti bën homazhe në Marinë dhe te varri i komandant Ilaz Kodrës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vazhdoi homazhet dhe nderimet gjatë ditës së sotme në Marinë, në kompleksin Memorial dhe te varri i komandantit Ilaz Kodra, në 26-vjetorin e rënies së tij.

“Ilaz Kodra, komandant i Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci”, Zona Operative e Drenicës, ra heroikisht më 30 prill 1999 në luftime për të mbrojtur atdheun dhe popullatën civile kundër forcave serbe”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Kurti nderoi edhe 42 dëshmorët e rënë bashkë më në krye komandant Ilaz Kodrën.

“Në këtë përvjetor të masakrave të Serbisë në Kosovë, nuk harrojmë krimet e së kaluarës dhe sakrificën e bërë për liri. Lavdi për komandant Ilaz Kodrën, bashkëluftëtarët e tij, dhe të gjithë dëshmorët e martirët e kombit”, ka thënë Kurti.

‘Shpirti’ shfaqja premierë sonte në Qendrën Barabar

Në Qendrën Barabar në Prishtinë, sonte nga ora 20:00 jepet premiera e shfaqjes “Shpirti” me regji të Agim Selimit, bashkëprodhim ky me Artpolis.

Kjo shfaqje është e bazuar në veprën e njohur të Brian Weiss, e cila sjell në skenë një rrëfim prekës mbi jetët e mëparshme, rimishërimin dhe fuqinë e dashurisë në përballjen me dhimbjen emocionale dhe çrregullimet mendore. Një udhëtim përmes ndërgjegjes dhe kujtimeve që tejkalojnë kohën!

Në qendër të dramës janë Katerina, një grua e rraskapitur nga ankthi dhe depresioni dhe Dr. Briani, një psikiatër që guxon të eksplorojë kufijtë e shkencës dhe shpirtit. Shfaqja jetësohet nga aktorët Albionë Sahiti dhe Drin Berisha.

“Shpirti” është një histori që trajton thellësisht shëndetin mendor, rimishërimin dhe fuqinë e shërimit përmes dashurisë dhe ndërgjegjësimit shpirtëror.

Osmani: Përkushtimi dhe sakrifica e Ilaz Kodrës janë simbol i luftës për liri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkujtoi sot 26 vjetorin e rënies heroin Ilaz Kodra.

Presidenca bën të ditur se Osmani ka pohuar se përkushtimi dhe sakrifica e Ilaz Kodrës janë simbol i luftës për liri.

“Sot, e kujtojmë me respekt, guximtarin e jashtëzakonshëm dhe udhëheqësin, i cili qëndroi gjithmonë i palëkundur për kauzën për liri e shtet. Si një nga shtyllat e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai besoi, luftoi dhe ra për liri”.

“Në çdo hap të rrugëtimit të tij, Ilazi ishte më shumë se një komandant, një frymëzim, një simbol i guximit të pakufishëm dhe i sakrificës. Me qetësinë dhe forcën që e karakterizonin, ai udhëhoqi radhët e UÇK-së, në fazat e para të organizimit dhe aksioneve luftarake. Por, më 30 prill 1999, heroizmi i tij arriti kulmin, kur ra në betejën e Shtuticës, duke u bërë gardian i përhershëm i lirisë dhe Republikës sonë. Rënia e tij ishte një humbje për të gjithë, por trashëgimia e tij është frymëzim për brezat”, ka thënë Osmani, sipas njoftimit të presidencës.

Panairi i librit “Kamza Lexon”, në edicionin e tij të katërt

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit po përgatit edicionin e katërt të panairit “Kamza lexon”.

Gjatë tri ditëve të panairit, i cili çelet nesër, do të organizohen takime me autorë të bashkëkohësisë, lexime, diskutime, promovime librash dhe ndarje çmimesh.

QKLL publikoi programin e ditës së parë, që do të jetë me temën: “Evolucioni i librit të shtypur në epokën digjitale”.

Takimi në sheshin “Nënë Tereza” në Kamzë do të mbledhë profesorë, autorë, studiues, botues, shkrimtarë dhe gazetarë të njohur. Diskutimet do të fokusohen te libri dhe evolucioni i tij në periudhën digjitale.

Ky takim ka për qëllim të ftojë për diskutime dhe mendime pjesëmarrësit mbi përfitimet dhe sfidat që sjell epoka digjitale për librat dhe lexuesit. Si ka evoluar libri nga forma e tij tradicionale deri në formatin digjital. Tematikat e përzgjedhura në këtë takim letraro-kulturor do të shërbejë si një platformë për të diskutuar dhe reflektuar mbi rëndësinë e librit dhe ndikimi i tij në shoqëri.

Në panel do të jenë: Piro Misha, Fatos Kongoli, Alda Bardhyli, Edon Qesari etj./ KultPlus.com

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me vizitorë nga çdo cep i globit

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” gëlon me turistë nga çdo cep i globit. Në një video që shpërndau ministri Gonxhja në rrjetet sociale dallohet fluksi i lartë i vizitorëve në objektet e trashëgimisë kulturore të qytetit të Krujës.

Ndalesa në këtë muze është pjesë e itinerarit të pjesës më të madhe të turistëve që shkelin në vendin tonë. Së bashku me Muzeun Etnografik, të restauruar rishtazi, si edhe Pazarin karakteristik, Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ka shënuar një rritje të vizitueshmërisë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveç vizitorëve nga vende evropiane si Italia e Spanja, një vend të rëndësishëm zënë edhe vizitorët nga Kina e largët, Kanadaja dhe SHBA.

Kruja njihet për turizmin historik njëditor, por me shtimin e strukturave akomoduese turistët po qëndrojnë më gjatë në këtë qytet historik. Pazari karakteristik i Krujës me rrugicat e ngushta me kalldrëm, ku ofrohen punime artizanale tradicionale, është një ndër të preferuarit e turistëve./ KultPlus.com

Elina Duni nderohet me Çmimin Zviceran të Xhazit 2025

Këngëtarja dhe kompozitorja Elina Duni vlerësohet me Çmimin Zviceran të Xhazit 2025 (Swiss Jazz Award 2025).

Artistja me origjinë shqiptare do të nderohet në Festivalin e Xhazit në Ascona të këtij viti, ku më 28 qershor do të mbajë një koncert, përpara se t’i dorëzohet çmimi.

Duni është nën kontratë me kompaninë e njohur diskografike ECM dhe tashmë ka marrë çmimin zviceran të muzikës në vitin 2017. Në një deklaratë për shtyp që shpërndanë organizatorët e këtij aktiviteti, Elina u vlerësua për aftësinë e saj për të krijuar një gjuhë muzikore poetike dhe emocionale që ndërthur me ndjeshmëri xhazin dhe muzikën tradicionale të atdheut të saj.

Elina Duni ka publikuar në ECM albume si “Matanë Malit” (2012) dhe “Dallëndyshe” (2015). Ajo regjistroi “Partir” në vitin 2018 pasi nisi të bashkëpunonte me kitaristin Rob Luft një vit më parë. Kjo u pasua nga “Lost Ships” (2020) dhe “A Time to Remember” (2023), të dyja me Rob Luft dhe lojtarin e flugelhorn Matthieu Michel.

Duni lindi në një familje artistësh në Tiranë. Me rënien e regjimit komunist, ajo u transferua në Gjenevë me nënën e saj, ku studioi piano klasike përpara se t’i kthehej xhazit. Kjo u pasua nga studimet në Universitetin e Arteve të Bernës, ku Duni u përqendrua te kompozicioni dhe improvizimi.

Së bashku me pianistin Colin Vallon, kontrabasistin Patrice Moret dhe bateristin Norbert Pfammatter, ajo themeloi kuartetin Elina Duni, i cili ndërthur xhazin me tingujt evokues të folklorit ballkanik./ KultPlus.com

Turistët nga Stokholmi në Berat: Ua rekomandojmë të gjithëve ta vizitojnë

Numri i turistëve që zgjedhin të vizitojnë qytetin e Beratit është gjithnjë në rritje. Ata shprehen të mrekulluar me natyrën dhe objektet e trashëgimisë kulturore të këtij qyteti.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, solli opinionet e dy turistëve, Sabina dhe Sindra, që janë mahnitur nga trashëgimia e Muzeut “Onufri” dhe ikonat shekullore që rrëfejnë historinë shqiptare.

Sabina dhe Sindra janë dy turistë suedezë, të ardhur nga Stokholmi, që kanë vizituar Beratin për disa ditë.

“Ishte shumë bukur t’i shihja ikonat fetare nga aq afër, këto punime origjinale. Ua rekomandojmë të gjithëve të vizitojnë Beratin dhe Muzeun”, thotë Sindra në videon e postuar në rrjetet sociale.

Koleksioni i Muzeut “Onufri” përbëhet nga 196 ikona dhe objekte liturgjike të cilat tërheqin gjithnjë e më shumë vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit.

Muzeu i Ikonografisë “Onufri” është organizuar në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Marisë”, në Kalanë e Beratit, prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, kushtuar kryemjeshtrit të pikturës ikonografike shqiptare në shekullin XVI. Katedralja sipas mbishkrimeve që mbart rezulton të jetë rindërtuar në vitin 1797 mbi themelet e një kishe më të vjetër të periudhës bizantine. Ajo përfaqëson një nga arkitekturat më tipike pasbizantine në qytetin e Beratit./ KultPlus.com