Qasje transdiciplinare ndaj dijes, shpirtërores dhe vetëdijes globale në veprën “Ani” të Fahredin Shehut

Nga Rahoveci i vogël i Kosovës, i njohur për heshtjen e mençur, vreshtat e tij të përjetshëm dhe gjurmët e thella shpirtërore , ka shpërthyer një zë që tejkalon kufijtë kombëtarë dhe disiplinorë, zëri i Fahredin Shehut. Në këtë vend të heshtur, ku fryma e natyrës jehon më thellë se zhurma e qyteteve, është pjekur një vetëdije që rezonon me universin.. Rahoveci nuk është vetëm vendlindje e autorit; është trualli metafizik ku është ngjizur mendimi i tij. Aty ka marrë frymë për herë të parë dija që më pas u artikulua në veprën ANI!, një nga librat më të guximshëm dhe origjinalë të mendimit bashkëkohor shqiptar dhe më gjerë.

Shkruan: Musa Bushrani

Libri ANI! i autorit Fahredin Shehu është një ndër veprat më novatore të mendimit bashkëkohor filozofik, shpirtëror dhe kognitiv. Strukturuar në dymbëdhjetë libra tematikë, ai përshkon një udhëtim tridhjetëvjeçar që tejkalon kufijtë e letërsisë, shkencës, mistikës dhe estetikës, për të ndërtuar një paradigmë të re që autori e quan Observimi i një Universi Asemik. ANI! nuk është thjesht libër, por një manifest meditativ dhe epistemologjik, që trajton temat e mistikës, okultizmit, teurgjisë, mirëmbajtjes së trupit e mendjes dhe shpalos nocione origjinale si Këtutania, Vetëmashtrimi, Zoorkanah dhe ANI – një formulë e përmbledhur e vetëdijes kozmike.

Libri ANI! i Fahredin Shehut shpaloset në formën e një udhëtimi të thellë shpirtëror dhe filozofik, të ndarë në dymbëdhjetë libra tematikë që përbëjnë bashkë një korpus unik të dijes dhe të ndërgjegjes. Secila pjesë ndërton shtresë mbi shtresë një vizion të ri për njeriun, universin dhe vetëdijen.

Pjesa hyrëse vendos themelet e kësaj vepre monumentale. Ajo përvijon qëllimin e përgjithshëm të librit: të zgjojë vetëdijen universale përmes një paradigme të re që autori e quan “observim asemik”. Kjo hyrje nuk është vetëm prezantim, por manifest filozofik që sfidon kufijtë e sistemeve tradicionale të mendimit.

Më tej, kjo pjesë shpalos Zoorkanah-in si një udhë drejt ndriçimit të brendshëm, ku njeriu shndërrohet në një qenie që harmonizohet me frekuencat e universit.. Zoorkanah përfaqëson fuqinë krijuese që zhvillohet në heshtje dhe vepron në thellësi të shpirtit.

Në pjesën që trajton Vetëmashtimin, autori na përball me dramat e brendshme të ekzistencës. Ai eksploron mekanizmat e vetëkufizimit dhe iluzionet që njeriu ndërton rreth vetes, duke theksuar se vetëmashtimi është një nga pengesat më të mëdha në rrugën drejt qartësisë shpirtërore.

Këtutania, një nga konceptet origjinale të Shehut, paraqitet si një topografi e shpirtit. Ajo është hapësira imagjinare ku ndërtohen peizazhet e brendshme të përjetimit. Kjo pjesë i fton lexuesit të ecin në një hartë poetike të shpirtërores, ku çdo vend ka domethënie simbolike dhe përvojë të thellë.

Pjesa mbi Teurgjinë zhbiron ndërveprimin e njeriut me forcat e padukshme përmes riteve të pastra dhe qëllimeve të ndriçuara. Teurgjia këtu nuk është thjesht ritualizim, por një akt krijues që bart përgjegjësi të thellë shpirtërore dhe etikë hyjnore.

Marrëdhënia mes trupit dhe shpirtit trajtohet në një mënyrë të veçantë në kapitullin përkatës. Trupi, sipas Shehut, nuk është thjesht materie e rëndomtë, por një tempull i ndërgjegjes — një instrument përçues i energjisë hyjnore që duhet trajtuar me dashuri dhe vetëdije.

Në pjesën për etikën kozmike, autori ndërton një koncept të moralit që shkon përtej ligjeve njerëzore. Ai propozon një sistem të brendshëm harmonie dhe drejtpeshimi, të rrënjosur në strukturën shpirtërore të qenies dhe në rezonancë me ligjet universale.

Fjala, si një nga elementët themelorë të komunikimit dhe krijimit, trajtohet si një entitet i gjallë. Ajo ka energji, vibrim dhe ndikim real. Gjuha për Shehun është portë drejt transformimit dhe një ndër mjetet më të fuqishme për të shprehur të padukshmen.

Kapitulli mbi numerologjinë e trajton numrin si shprehje të rendit hyjnor. Kjo pjesë paraqet një vizion të thellë të lidhjes mes strukturës matematikore të realitetit dhe kuptimit të brendshëm që ajo mbart — një kod ezoterik për të lexuar jetën.

Kujtesa gjenetike është një nga pjesët më origjinale të librit, ku autori e sheh vetëdijen si bartëse të informacioneve të lashta përtej biologjisë. Shehu propozon që njeriu mund të qaset në këtë arkiv shpirtëror për të njohur më mirë veten dhe origjinën e vet.

Arti, sipas Shehut, nuk është thjesht përjetim estetik, por një gjuhë e të padukshmes. Në këtë pjesë, ai e koncepton artin si meditim, si mjet shpërfaqës i shenjtës dhe si mënyrë për të kapur atë që fjalët nuk arrijnë ta shprehin.

Libri përmbyllet me kapitullin për harmoninë, që paraqet një vizion të shoqërisë së ardhshme, ku dijet shkencore dhe përvojat shpirtërore bashkëjetojnë në ekuilibër. Harmonia për Shehun është qëllimi i lartë i evolucionit të vetëdijes njerëzore — një epokë e re teurgjike ku njeriu i ri do të jetojë në rezonancë me gjithësinë.

Nëpërmjet një qasjeje integruese ndaj dijes, Shehu sintetizon burime nga traditat lindore dhe perëndimore: nga filozofia klasike te neuroshkenca moderne, nga sofizmi te gnosticizmi, nga kabala e numerologjia, nga Pitagora e Ibn Sina te Tesla, Gregg Braden e Carl Sagan. Ai ndërton një estetikë artistiko-kognitive dhe artikulon një filozofi sintetike post-Spenceriane, duke çliruar vetëdijen nga iluzionet e modernitetit përmes një gjuhe poetike dhe reflektimi të thellë shpirtëror.

Autori vetë e përkufizon veprën si një DIVAN bashkëkohor, ku proza, poezia, eseja, drama, aforizmi, metafora dhe ndikimet janë të ndërthurura për të artikuluar të heshturën, të dukshmen, gjysmë të dukshmen dhe të padukshmen. Ky është një mekanizëm i tërë qenësor që ngërthen tinguj, vibrime, imazhe dhe e vendos lexuesin përballë një vetëdijeje që është fraktal i universit, ku artikulohet shenjtëria e hapësirës dhe relativizohet koha.

Fahredin Shehu i percepton brezat e njerëzimit si valë vetëdijeje. Ai fillon nga zaratustrianët dhe magët – dijetarët e Iranit të Lashtë – si bartës të dijes ezoterike dhe etikës kozmike. Brezat pasues janë mistikët e mëdhenj, të cilët transmetuan dijen hyjnore përmes formave fetare dhe rrugëve shpirtërore. Ndërkohë, brezi modern jeton në një krizë ku informacioni e ka zëvendësuar përvojën dhe fjala e tepërt e ka zbehur kuptimin: “Jetojmë në teprinë e informacioneve… në këtë shumësi fjalësh njeriu ndien nevojën që të izolohet, të dëgjojë vetveten.”

Në vizionin e Shehut, brezat e ardhshëm janë thirrur për të ndërtuar një vetëdije globale, ku dija dhe shpirti bashkëjetojnë në ekuilibër, në një epokë teurgjike të njerëzimit të ri.

Në këtë vepër, Shehu i ndan brezat sipas thellësisë së vetëdijes:

Zaratustrianët / Magët: bartës të dijes së heshtur dhe të ndriçuar.

Mistikët e mëdhenj: përçues të dijes hyjnore në format shpirtërore.

Brezat modernë: të zhytur në sipërfaqësi informacioni dhe imazhesh.

Brezat e ardhshëm: të thirrur për harmonizimin shkencor-shpirtëror.

Për lexuesin që pas ANI! kërkon të vazhdojë udhëtimin e vetëdijes dhe eksplorimit shpirtëror, pasues të natyrshëm janë vepra si The Book of Secrets nga Deepak Chopra, The Fourth Way nga G.I. Gurdjieff dhe Masnavi e Rumi-t. Këto vepra gërshetojnë përvojën mistike dhe qasjen holistike ndaj qenies njerëzore, duke e zgjatur jehonën që Shehu e fillon me ANI! – një jehonë që vazhdon të thërrasë lexuesin në një përfshirje të brendshme dhe universale.

Fahredin Shehu e shkroi veprën ANI! jo për t’u bërë i lexuar, por për t’u kuptuar. Ai e shkroi për kërkuesit që nuk kënaqen me dogma, që kërkojnë domethënie përtej fjalës, dije përtej librit dhe njohje përtej mendjes. “Nëse do të përmblidhej në një fjali thelbësore, atëherë: “Shehu e shkroi veprën ANI për ta shpëtuar të padukshmen nga heshtja dhe për t’i dhënë formë asaj që nuk ka fjalë.

Në fund të këtij udhëtimi përmes faqeve të librit ANI!, nuk mbetet veçse ta falënderojmë Fahredin Shehun,  jo vetëm si autor, por si një mik të dijes, një njeri që e ka kthyer jetën në përsiatje dhe përsiatjen në dritë. Ky libër nuk është një përmbyllje, por një fillim për të gjithë ata që guxojnë të mendojnë përtej të dukshmes, që kërkojnë të shohin atje ku të tjerët shohin errësirë. Me ANI!, Shehu na fton të bëhemi bashkudhëtarë në një univers të brendshëm ku fjala nuk mbaron te tingulli, por fillon te kuptimi. Ky është një libër që të shikon ndërsa ti e lexon dhe një mik që të flet edhe kur je vetëm./KultPlus.com

Pablo Picasso dhe gratë, ana e errët e artistit të madh

Më 25 tetor 1881, lindi Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj të historisë, themeluesi i kubizmit. Ai hapi studion e tij të parë në moshën 16-vjeçare dhe vdiq në moshën 92-vjeçare, duke lënë rreth pesëmbëdhjetë mijë vepra, përfshirë piktura, vizatime, skica, qeramikë. Fiksimi i tij – përveç artit – ishin femrat, burimi i krijimtarisë së tij.

“Për mua, ekzistojnë vetëm dy lloje të grave: perëndesha dhe lecka”, tha Pablo Picasso. Burri që i donte gratë, ose ndoshta i urrente ato. Në moshën 85-vjeçare, në një intervistë të rrallë televizive, ai tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është dashuria”.

Gjatë gjithë ekzistencës së tij, eksperimentimi i shkëlqyer artistik i piktorit që simbolizon shekullin e njëzetë, shkon paralelisht me udhëtimin e bërë në kufijtë ekstremë të universit femëror. Gruaja, dashnorja, partnerja, frymëzuesja, gruaja për t’u përdorur, intelektualja, muza, modelja. Gratë në zemër të imagjinatës së tij, nga periudha blu dhe rozë deri te kubizmi, nga përvoja e Guernicës te qindra vizatime dhe skica, por edhe gra me të cilat u martua, i tradhtoi, i la, i çmendi.

Gratë me të cilat ai pati përvojat e para seksuale përmes shtëpive publike kur ishte 13 vjeç, së bashku me të atin. Femra të tërhequra nga gjenialiteti i tij, të joshura nga sytë e tij të ndezur nga pasioni. Gratë që kur ishte fëmijë ishin në qendër të një ekzistence unike: doña Maria, nëna që ai adhuronte dhe nga e cila mori mbiemrin, tezja Pepa, motrat Lola dhe Conchita.

“Ndjeshmëria e Picasso-s ndaj grave varionte nga butësia ekstreme në njërën anë deri tek urrejtja e dhunshme në tjetrën. Rruga e mesme ishte e pamundur, nëse jo e egër”, shkroi Patrick O’Brian, një nga biografët e tij.

“Pas Pikasos vetëm Zoti”, tha Dora Maar, një nga perëndeshat e shumta të tradhtuara, e paaftë për të pranuar botën pa të. Edhe ajo, si gjithë të tjerët, është viktima e një ndërthurjeje fatale të trupit dhe shpirtit, mishit të gjallë dhe përfaqësimit në imazh, të rrëmbyer nga një forcë jetike, e cila më pas shndërrohet në të kundërtën e saj. Artisti i madh andaluzian joshi, por nuk ia lejoi vetes, të shihte të tjerët të shndërroheshin në të varur nga Pikaso.

Në vitin 1881, kur u transferua në Paris në moshën 19-vjeçare, talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por gjithashtu edhe oreksi i tij i pangopur seksual. Pasioni i tij i parë i vërtetë ishte për modelen Fernande Olivier. Ishte viti 1904, të dy ishin 23 vjeç. Ai i dashuruar marrëzisht nuk donte që ajo të pozonte për të tjerët. Ishin tetë vite intensive, por të mjaftueshme për të shteruar shtytjen erotike të Pikasos, i cili e braktisi papritur të dashurën e tij të parë në vitin 1912. Një histori, ajo e Fernandes, e cila vdiq në vitin 1966 e varfër dhe e vetme, është një ogur i asaj që do të ndodhë në vijim, nga ato që iu afruan shumë piktorit. Por për cilën muzë e la Pikaso modelen? E dashura e re quhej Marcelle Humbert, por ai e quajti atë Evë dhe për artistin ajo ishte perëndeshë e dashurisë.

“Bota fillon tani dhe ti je Eva”, tha ai. Ajo e frymëzoi atë me një seri pikturash që shënuan një kthim në ngjyra të ndritshme, në pointilizëm. “J’aime Eva”, “Ma jolie”, gjejmë të shkruara në shumë prej veprave të tij, sikur të ishte një tatuazh dashurie: një pasion i dëshpëruar dhe i shkurtër, që kur Marcelle vdiq nga tuberkulozi në 1915.

Për Pikason humbja ishte e madhe. Por ndërsa Lufta e Parë Botërore po përparonte në Evropë dhe artisti po punonte në skenografinë e Paradës me muzikantin Erik Satie dhe shkrimtarin Jean Cocteau, për kompaninë “Ballets russes” nga Sergej Djagilev, gjatë një qëndrimi në Romë ai u mahnit nga balerina Olga Khokhlova. Ishte viti 1917. Rusja e ndoqi në Barcelonë dhe më pas në Paris, ai u martua me të vitin e ardhshëm në prani të Guillaume Apollinaire dhe Cocteau. Në një kohë kur arti i tij luhatet midis natyralizmit dhe kubizmit, ai pikturoi “Portreti i Olgës në një kolltuk”. Një martesë që nuk ishte në gjendje të frenonte vrullshmërinë e saj: instinkti erotik u sublimua duke krijuar qindra vizatime grash lakmitare, të rrethuara nga simbole falike apo figura groteske të organeve gjenitale femërore.

Në vitin 1921 lindi Paulo, djali i parë i Pikasos, i përfaqësuar në krahët e nënës së tij në veprat simbolike të pikturës moderne. Dhe ndoshta atëherë Picasso ishte shumë i matur në lidhje me punët e tij dashurore, por teksa shëtiste nëpër bulevard, artisti pa një pamje të re. Ishte Marie-Thérèse Walter, një vazjë e mitur bionde, me sy blu.

“Unë jam Picasso, do të doja të të pikturoja një portret”, i tha ai. Për vajzën, e cila jetonte me nënën e saj dhe nuk e kishte njohur kurrë të atin, transferimi me atë burrë tridhjetë vjet më të madh se ajo ishte i menjëhershëm.

Marie-Thérèse, dashnorja-fëmijë, e portretizuar në piktura të tilla si “Brenda me një vajzë që vizaton”, i riktheu piktorit energjinë e humbur. Picasso filloi të përjetonte një rigjenerim të jashtëzakonshëm të stilit që e çoi në simbolikën e minotaurit dhe krijimin e Guernicës. Marie-Thérèse, e cila pranoi të jetonte në hije pa ndërhyrë në jetën e të dashurit të saj, ishte perfekte për Picasso-n. Por kur ajo i tha se ishte në pritje të një fëmije dhe Olga e mori vesh, nisi ferri. Gruaja e tërhoqi zvarrë piktorin në gjyq dhe ia vulosën të gjitha pronat në emër të saj, përfshirë bojërat, penelat dhe pikturat në punim e sipër.

“Sa herë që ndërroj femrat, duhet ta djeg të parën. Kështu që unë do t’i hiqja qafe dhe nuk do të ishin të gjithë aty për të komplikuar ekzistencën time. Kjo ndoshta do të më rikthente edhe rininë. Gruaja vritet dhe e kaluara që ajo përfaqëson, fshihet”, tha Picasso. Fjalë profetike. Olga, e cila e kishte bërë të jetonte atë që ai e quajti “koha më e keqe e jetës së tij”, vdiq e çmendur 20 vjet më vonë. Edhe Walter nuk kaloi më mirë. Në fakt Pikaso, të cilit Maya e vogël i lindi në 1935, nuk u ngop kurrë.

Në vitin 1936, një grua tjetër i ndryshoi jetën. Ishte Dora Maar, 29 vjeç. Ai e takoi atë në një kafene në Paris. E shkurtër, me kurba, brune, sy blu, ajo ishte e kundërta e Marie-Thérèse dhe përfaqësonte sfidën intelektuale që kërkonte Picasso. Fotografe, elegante, e kulturuar, e pavarur, ajo ishte vajza e një arkitekti kroat, që kishte jetuar në Argjentinë dhe fliste spanjisht. Pa ndërprerë lidhjen me Walter-in, për të cilën ai  gjeti hapësirën për të enjten dhe të dielën edhe për të parë vajzën e tij, Picasso filloi lidhjen me Dorën.

Një histori që zgjati 7 vjet në të cilën artisti gjithmonë e vinte përballë me Marie-Thérèse, duke i detyruar të dy gratë të darkonin së bashku. Ose i ka çmendur nga xhelozia duke i portretizuar në të njëjtën pozë, deri në përplasje fizike. “Vetëm unë e di se çfarë është ai. Është një instrument vdekjeje. Nuk është burrë, është sëmundje”, tha më vonë Dora, e cila në atë kohë u bë subjekti kryesor femëror i pikturave të tij.

Ndërkohë, i tronditur nga Lufta Civile Spanjolle, në vitin 1937 Picasso kishte pikturuar Guernicën, telajon që denonconte masakrën e civilëve në qytetin bask pas bombardimeve ajrore gjermane. Dhe Dora ishte aty, duke fotografuar fazat e veprës në një seri fotosh që janë bërë legjendare. Megjithatë, pak pasi ai e bindi atë të braktiste fotografinë dhe të rifillonte pikturën, duke e detyruar atë të vuante kritikat e tij shkatërruese. Por fati po përgatiste një hakmarrje për Pikason mizor.

Një tjetër grua që shenjoi jetën e tij quhej Françoise Gilot. Një nxënëse e një mikut të tij piktor kur e takoi, në vitin 1944, ai ishte 63 vjeç dhe ajo 22. Ata e gjetën veten të ngatërruar në një dashuri që për Picasson-n përfaqësonte një rinovim të ngarkesës sensuale. Françoise i lindi dy fëmijë të tjerë: Claude (1947) dhe Paloma (1949). Në pikturat e kësaj periudhe u kthyen temat e nënës me fëmijën. Por edhe me Françoise mekanizmi i vëmendjes së pakufishme dhe mizorisë së pashoqe u riaktivizua: kur ishte shtatzënë, Picasso e adhuroi, e refuzoi pas shtatzënive. Tejet xheloz, ai donte që ajo të vishej në mënyrë monastike, duke ndërthurur marrëdhëniet me të tjerët.

“Gratë vinin e shkonin në jetën e tij si xixëllonja të tërhequr nga një fener; i shikonte në telajo, i përdorte seksualisht dhe kur lodhej i hidhte”, tha Françoise, tashmë njëqindvjeçare. Paloma ishte 4 vjeç kur Gilot bëri një gjest të paprecedentë. Ajo u largua nga Picasso, duke i thënë gjithashtu se e urrente pikturën e tij. Nga inati i fiku një cigare në faqe dhe u përpoq ta bindte të qëndronte. Por Françoise nuk u dorëzua dhe u lirua duke u martuar me një tjetër dhe duke botuar Vita con Picasso, librin për të cilin piktori e çoi në gjykatë.

Në moshën 70-vjeçare, gratë nuk ishin një kapitull i mbyllur për Picasso-n. Ai iu afrua atyre, edhe kur ato ishin shumë të reja. Takimi me perëndeshën e fundit u zhvillua në vitin 1954 në rivierën franceze, ku ajo kishte jetuar prej vitesh midis Antibes, Mougins dhe Vallauris, duke krijuar qeramikë. Dashuri me shikim të parë mes vazove me 28-vjeçaren e divorcuar Jacqueline Roque. Për të ai bleu një kështjellë përrallash në Vallauris. Ai u martua me të në vitin 1961, pas vdekjes së Olgës më 1955, nga e cila nuk ishte divorcuar kurrë.

“I pabesi i pashërueshëm”, Pikaso kishte marrëdhënie të tjera. Por Jacqueline kurrë nuk e la atë dhe artistja kaloi periudhën më paqësore të jetës së saj me të. Kur vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, sikur ajo që kishte mbjellë në jetë vazhdonte të prodhonte fruta të helmuara. Në vitin 1975, djali i tij Paulo vret veten. Në 1977 Marie-Thérèse u vetëvar. Në vitin 1986, Jacqueline bëri vetëvrasje me një të shtënë pistolete. Dora, e cila kishte bërë trajtime psikoanalitike, elektroshok, konvertime fetare, vdiq e vetme në vitin 1997, e harruar nga bota, por besnike e një pakti me veten: “Të gjithë menduan se do të vrisja veten pas braktisjes së tij. Pikaso gjithashtu. Arsyeja kryesore për të mos e bërë këtë ishte për t’i hequr atij këtë kënaqësi”. /a2news/ KultPlus.com

Letër dashurie e shkruar në një ndërtesë që digjet

Nga: Anne Sexton

Përktheu: Roland Gjoza

Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë
mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile
troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë
dhe unë kam filmat në sytë e mi
dhe ti ke vezët në tunelin tënd
dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë
tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë.
Por sot e lashë shtratin në flakë
dhe tymi mbushi dhomën.
Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë
dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.

Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit
që janë për ty dhe i vendos
në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet.
Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit.
Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur.
Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë
fustanet e natës janë grirë e bërë
letra; të verdha, të kuqe, të purpurta
shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar-
në ar të forte, të fortë dhe dysheku
po puthet me një gur.

Sa për mua, i dashur Foxx
vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit.
Dhe shpresa për një përjetësi divine
a është e mjaftueshme për ty?
Po emri yt krahas emrit tim
për të drejtat e autorit?
Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot
unë do të tregoj tërë historitë-
jo vetëm historinë e çarçafëve
po dhe historinë e bizhusë në kërthizë
dhe historinë qepallave të lyera
të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve-
ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.

Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti
nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi
arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht
sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo
krematoriumin e dashurisë.
Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi
flakët nxjerrin fshikullima
kamzhikësh mbi kuaj
kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim
të triumfit njerëzor
ndersa mizat presin, plima plima vijnë
drejt e nga United Fruit, Inc./KultPlus.com

‘Besoj’

Poezi nga Andon Zako Çajupi

Vanë mënt e mija vanë!
Një mejtim më prishi trutë:
gjithë profitët pse janë
ja Arapë, ja Çifutë?
Pse s’ka profitë të tjerë?
Këtë s’e kupëtoj dot…
Gjëra q’u bënë njëherë,
pse nukë bënen dhe sot?Gjëra që s’i kupëtoj, –
mos u habitni me mua, –
ndë duhet që t’i besoj,
do t’i besoj dua, s’dua.
Do të besoj Shën Marinë,
këtë grua të bekuar,
e cila polli Mesinë
me Frymën e Shëntëruar!
Do të besoj, or të mjerë,
Krishti vdiq (gjë e vërtetë),
dhe, që të mos zëmëroni,
besoj q’u ngjall prapë vetë!
Si gjithë besoj dhe unë
sa shëntorë kanë qënë,
po besoj dhe tjatër punë,
besoj që mëndja na ka lënë!./KultPlus.com

Cilat janë sekretet e jetës sipas Tolstoyt

Ka shumë gjëra për të mësuar në lidhje me Artin e të Jetuarit nga Lufta dhe Paqja e Tolstoit – për kotësinë dhe budallallëkun, xhelozinë seksuale dhe marrëdhëniet familjare. Por ne mund të mësojmë gjithashtu nga jeta e vetë mjeshtrit të romaneve.

Roman Krznaric

Tolstoi është anëtar i fisnikërisë ruse, nga një familje që zotëronte një pronë dhe qindra shërbëtorë. Jeta e hershme e kontit të ri ishte e zhurmshme, imorale dhe e dhunshme. “Unë vrisja njerëz në luftëra dhe i sfidoja njerëzit në duele me qëllim që t’i vrisja”, shkruante ai.

“Unë humbisja në bixhoz, konsumoja punën e fshatarëve, i dënoja me ndëshkime, jetoja i lirë, dhe i mashtroja njerëzit… kështu jetova për dhjetë vjet.” Por ai gradualisht filloi t’i largohej këtij stili jete prej racisti dekadent dhe i hodhi poshtë besimet e marrë prej tabanit aristokratik, duke adoptuar një këndvështrim jotradicional të botës, i cili i trondiste bashkëmoshatarët. Ja çfarë këshillash mund të na ofrojë rrugëtimi personal i Leon Tolstoit, për të riparë filozofinë tonë të jetës.

1. Qëndroni mendjehapur

Një nga dhuntitë më të mëdha të Tostoit ishte aftësia dhe dëshira e tij për të ndryshuar mendjen, bazuar në eksperienca të reja. Gjakderdhja e tmerrshme që ai pa ndërsa luftonte në Luftën e Krimesë në 1850-ën e shndërroi në një pacifist për gjithë jetën.

Në 1857-ën, pasi pa një ndëshkim publik në gijotinë në Paris – ai nuk e harroi kurrë zhurmën e kokës së prerë ndërsa binte në kutinë poshtë – ai u bë një kundërshtar i bindur i shtetit dhe i ligjeve të tij, duke besuar që qeveritë nuk ishin vetëm brutale, por në esencë i shërbenin interesave të të pasurve dhe të fuqishmëve. “Shteti është një komplot,” i shkroi ai një miku.

“Prandaj, unë kurrë nuk do t’i shërbej ndonjë qeverie ndokund”. Tolstoi ishte në rrugën e shndërrimit në anarkist. Ai ishte i pari që do të na nxiste të vinim në dyshim besimet themeltarë dhe dogmat me të cilat jemi rritur.

2. Praktikoni ndjeshmërinë

Tolstoi shfaqi një kapacitet të pazakontë për t’u prekur duke e vënë veten në vendin e njerëzve, jeta e të cilëve ishte shumë e ndryshme nga e tija. Në 1860-ën ai jo vetëm adoptoi veshjen fshatare, por filloi të punonte krahpërkrah me punëtorët e sapoemancipuar në pronën e tij, duke punuar me parmëndë fushat dhe duke riparuar shtëpitë e tyre me duart e tij.

Sigurisht që kishte një element paternalizmi, por e vërteta është se ai e shijonte shoqërinë e fshatarëve dhe në mënyrë të vetëdijshme i largohej elitës letrare dhe aristokratike në qytete. Tolstoi besonte se ju nuk mundet kurrë të kuptoni realitetin e jetës së njerëzve të tjerë, nëse nuk e provoni vetë atë.

3. Bëni ndryshimin

Ai u dallua nga moshatarët e tij të kastës së lartë duke ndërmarrë veprime praktike për të lehtësuar vuajtjen e njerëzve të tjerë, më evidente ishte puna e tij për lehtësimin e urisë. Pas dështimit të të lashtave në 1873-shin, Tolstoi ndaloi së shkruari Ana Kareninë-n për një vit, me qëllim që të organizonte ndihmë për ata që vdisnin urie.
Në këtë kohë, ai i shkruante një të afërmi: “Nuk mund të shkëputem nga krijesa që janë reale, për t’iu kushtuar krijesave imagjinare”. Shokët e tij, ashtu si edhe familja, menduan se ishte çmenduri që njëri nga romancierët më të mirë t’i vendoste veprat e tij gjeniale në plan të dytë.

Ai e përsëriti këtë gjë gjatë zisë së bukës së 1891-shit, kohë kur kaloi dy vite duke punuar në “kazanët e supës” dhe për mbledhje fondesh. A mund ta imagjinoni dot një shkrimtar të sotëm, nga ata që shesin shumë kopje, që të lënë mënjanë librin dhe t’i kushtohen për dy vite punës humanitare?

4. Zotëroni artin e të jetuarit thjeshtë

Pas një krize nervore në fundin e vitit 1870, Tolstoi hodhi poshtë gjithë fenë e organizuar, duke përfshirë Kishën Ortodokse në të cilën ai ishte rritur. Ai adoptoi një lloj revolucionar të Kristianizmit i bazuar në jetën e thjeshtë shpirtërore e materiale. Ai i dha fund alkoolit, duhanit dhe u bë një vegjetarian.

Tolstoi frymëzoi gjithashtu krijimin e komuniteteve utopike të jetesës së thjeshtë, ku pasuria ishte e përbashkët. Këto komunitete “Tolstojane” u përhapën rreth e rrotull botës dhe e shtynë Gandin të themelonte një vendbanim fetar në 1910-ën, me emrin Ferma “Leo Tolstoi”.

5. Kujdes nga kontradiktat tuaja

Kjo jetë e re, më e thjeshtë nuk ishte pa mundime dhe kontradikta. Tolstoi predikonte dashuri universale, megjithatë ishte në mënyrë konstante në luftë me të shoqen. Veç kësaj, apostulli i barazisë nuk ishte kurrë i aftë të braktiste plotësisht pasurinë dhe jetën e privilegjuar.

Ai jetoi deri në moshë të madhe në një shtëpi të madhe me shërbëtorë. Por në fillim të 1890-ës ia doli – kundër dëshirës së familjes së tij – të hiqte dorë nga e drejta e autorësisë për një pjesë të madhe të veprave të tij letrare, si pasojë duke sakrifikuar një pasuri të tërë. Duke marrë me mend pozicionin e privilegjuar në të cilin Tolstoi e filloi jetën, transformimi i tij shpirtëror, gjithësesi është për t’u admiruar.

6. Bëhuni zanatçi

Tolstoi kuptoi që arritja e një ekuilibri midis mendjes dhe trupit ishte një pjesë thelbësore e procesit të tij krijues. Ai jo vetëm e linte vazhdimisht penën për të marrë plugun mespërmes fushës, por mbante një kosë dhe priste me sharrë duke u mbështetur pas murit ngjitur me tavolinën e shkrimit.

Në vitet e tij të fundit, kur gazetarë e shkrimtarë vinin të respektonin plakun e zgjuar me mjekër, ata gjithmonë befasoheshin kur gjenin një nga autorët më të famshëm botërorë të mbledhur kruspull mbi veglat e punës, duke bërë një palë çizme.

Nëse Tolstoi do të ishte këtu sot, ai pa dyshim do të na sugjeronte të fusnim ndonjë zanat në jetën. Më mirë se sa të kalonim kaq shumë kohë në twitter apo duke bërë mesazhe. /KultPlus.com

‘Vala Fest’, turistët e huaj dhe pushuesit mbushin sheshin ‘Sfinksi’ në Durrës

Nata e parë e “Vala Fest” solli një atmosferë fantastike në sheshin “Sfinksi” në Durrës, së cilës iu bashkuan turistë dhe pushues të shumtë.

Kryebashkiakja Emirana Sako tha se Durrësi mirëpret sot, në natën e dytë të festivalit, të gjithë dashamirësit e muzikës, teksa artistë si Alban Skënderaj dhe Semi Jaupaj, apo grupet Hot Stuff Band dhe DJ Wise & Vlnondrums do të dhurojnë performancat e tyre artistike.

Sheshi “Sfinksi” u kthye mbrëmjen e kaluar në fokus të argëtimit, teksa nisi nata e parë e festivalit “Vala Fest”. Qytetarë durrsakë dhe turistë të shumtë, që po e vizitojnë qytetin bregdetar në këto ditë të nxehta vere, kanë krijuar një atmosferë të zjarrtë nën ritmet e muzikës më të mirë shqiptare.

Për disa orë me radhë, të pranishmit kanë kërcyer dhe kënduar bashkë me këngëtarët dhe DJ-të më të njohur të skenës muzikore shqiptare, duke e shndërruar sheshin në një hapësirë festive dhe energjike.

Në këtë event kulturor, që tashmë po kthehet në një traditë të dashur për qytetin bregdetar, nata e dytë sot pritet të sjellë edhe më shumë emocione./atsh/ KultPlus.com

Dita Botërore e Bikinit, historia e një veshjeje ikonike

Kostumi i plazhit, bikini, i shpikur më 5 korrik 1946 në Paris “mbush” sot 79 vjeç. Një veshje ikonike dhe sinonim i lirisë dhe emancipimit, sipas “iodonna.it”.

Një veshje e preferuar e yjeve të Hollivudit dhe çdo gruaje të zakonshme, të çdo moshe dhe origjine, bikini u shfaq në verën e vitit 1946 – falë stilistit francez i cili krijoi prototipin e parë, të quajtur Atome.

Më 5 korrik, Louis Réard i ofroi një striptisteje 18-vjeçare nga Casino de Paris – Micheline Bernardini, të pozonte me rroba banje më të vogla se prototipi ekzistues.

Një prototip që vetë rrobaqepësi e kishte përcaktuar si “rrobat e banjës më të vogla në botë”.

Parada në ambjentin e pishinave Molitor ishte e paharrueshme, aq sa në vitin 2015, në të njëjtin vend, u mbajt një festë për atë ngjarje historike.

Ndërsa shumë figura e quajtën atë një skandal – Vatikani e quajti atë një veshje imorale dhe mëkatare – suksesi ishte i pabesueshëm.

Vetë Micheline Bernardini mori 50 mijë letra, shumë deklarata dashurie dhe po aq shumë propozime martese.

Prototipi i Réard – i përbërë nga trekëndësha pëlhure të fiksuara së bashku me spango – u quajt “bikini”, njësoj si Atoli i Paqësorit – ku vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin kryer bombardimin e parë të “Operacionit Crossroads”, si një test bërthamor.

Kontributi i kinemasë dhe Brigitte Bardot

Një nxitje e rëndësishme drejt hyrjes së bikinit në kulturën e kostumeve të banjos popullore – erdhi falë kinemasë.

Ndër aktoret e para që shpallën publikisht dashurinë e tyre për këtë veshje inovative – ishte Brigitte Bardot.

Ajo e veshi atë në Rivierën Franceze gjatë pushimeve të saj dhe gjithashtu në filmin “Manina, Vajza me Bikini” në vitin 1952.

Në ato vite, shumë plazhe në Australi, Belgjikë, Spanjë, Portugali dhe Itali ende e kishin të ndaluar përdorimin e këtij kostumi në publik.

Ndërsa vitet kalonin, gjithnjë e më shumë aktore e zgjodhën atë në ekranin e madh dhe në jetën reale.

Ndër më ikoniket në vitin 1962, ishte Ursula Andress – e veshur me një bikini të bardhë me kupa të mbushura – në “Dr. No”, seria e parë e sagës “James Bond”.

Bikini tani është një nga artikujt e veshjeve më “popullor” dhe sinonim i normalitetit për shumë gra me pushime në plazh.

Por për të arritur në këtë pikë, iu desh t’i rezistonte kohës, të kapërcente paragjykimet, të ecte në valën e emancipimit femëror./atsh/

Osmani: Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik të shtetit

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në takim përfaqësuesit e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave të Pacientëve, me të cilët diskutoi për sfidat aktuale në sistemin shëndetësor dhe nevojën për fuqizimin e të drejtave të pacientëve në vend.

Sipas një njoftimi nga ana e Presidencës, në takim Osmani theksoi rëndësinë e ngritjes së vetëdijes publike për të drejtat e pacientëve, si dhe nevojën për përmirësimin e qasjes në shërbime cilësore, transparente dhe të barabarta shëndetësore për të gjithë qytetarët, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, sipas njoftimit, Osmani ritheksoi përkushtimin e saj për një sistem shëndetësor që vendos pacientin në qendër të vëmendjes dhe garanton trajtim dinjitoz për çdo qytetar, pa dallim.

Mbrojtja e të drejtave të pacientëve, sipas presidentes është një indikator i rëndësishëm i funksionimit demokratik dhe etik të shtetit.

Voskopoja, një nga thesaret më të bukura shqiptare që mikpret vizitorë çdo ditë të vitit

 Fshati turistik i Voskopojës në Korçë, mbetet një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, artistike e historike të Ballkanit, një perlë e kulturës ballkanike dhe evropiane.

Ky fshat malor ofron mundësi për të shijuar natyrën, kulturën dhe historinë dhe mund të vizitohet çdo periudhë të vitit pasi secila stinë sjell një përvojë të veçantë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale ndau sot pamje nga turistët e shumtë që po vizitojnë kishat dhe manastiret në zonë.

Gonxhja thekson se Voskpoja është “një nga thesaret më të bukura të juglindjes shqiptare që mikpret vizitorë çdo ditë të vitit”, shkruan Gonxhja.

E veçanta e Voskopojës, janë objektet e kultit, kishat, të cilat i kanë shpëtuar deri diku rrënimit dhe këto janë: ”Shën Nikolla”, ”Shën Maria”, ”Shën Ilia”, manastiri i ”Shën Prodhromit”, ”Shën Thanasi”, ”Shën Mehilli”, të cilat janë monument kulture të kategorisë I dhe për të cilat në vazhdimësi është treguar kujdes për t’i restauruar dhe për t’i ruajtur vlerat arkitekturore të këtyre monumenteve.

Në fshatin turistik të Voskopojës, përveç bukurisë, argëtimit me dëborën shijohen edhe gatime tradicionale si lakrorët e ushqime të tjera me produkte bio të prodhuara në fshat.

Poetë të rinj, ju lutem lexoni gjithçka

Adam Zagajewski (1945 – 2021), poet, përkthyes dhe esesit polak.

POETË TË RINJ, JU LUTEM LEXONI GJITHÇKA

Nga Adam Zagajevski

Ndiej të paktën një rrezik këtu. Duke diskutuar mënyrat e leximit, ose thjesht duke skicuar një portret të një “lexuesi të mirë”, unë mund të jap përshtypjen, pavetëdijshëm, se unë vetë jam një lexues i përsosur. S’ka asgjë më larg së vërtetës se kjo. Unë jam lexues kaotik dhe vrimat në edukimin tim marrin frymë më thellë se sa Alpet zvicerane. Vërejtja ime pra mund të shihet thua se i përket mbretërisë së ëndrrave, një lloj utopie personale, më parë se sa si një përshkrim i togës sime njëmend të vockël të virtyteve.

Të lexosh në mënyrë kaotike!

Kohë më parë i hoqa gjërat nga valixhja e pushimeve verore. Le t’ua hedhim një sy librave që i kisha marrë me vete në Zvicër, bri liqenit të Gjenevës. Me gjasë duhej të kisha marrë Jean-Jacques Rousseaun, Byronin, Madame de Staëlin, Juliusz Slowackin, Adam Mickiewiczin, Gibbonin dhe Nabokovin, duke qenë se të gjithë këta janë të lidhur me këtë liqe me nam në një mënyrë a tjetër. Por asnjëri prej tyre në të vërtetë nuk u mbudh me mua. Në vend të tyre shoh në dyshemenë e studios sime Grekët dhe qytetërimi grek të Jacob Burckhardit (po, në përkthimin në anglisht, e pata gjetur në një librari të librave të përdorur në Houston); një përzgjedhje të eseve të Emersonit, poezi të Baudelairet në frëngjisht, poezitë e Stefan Georget në polonisht, librin klasim mbi gnosticizmin të Hans Jonasit (gjermanisht), disa poezi të Zbigniew Herbertit dhe Veprën komplete voluminoze të Hugo von Hofmannsthalit (Gesammelte Werke) që përmban esetë e tij të paharrueshme. Disa prej këtyre librave u përkasin biblotekave të ndryshme parisiene. Kjo nënkupton se unë jam më shumë një lexues kaotik që shpesh shmang përgjegjësitë e zotërimit në favor të librave të bibliotekave, thua se leximi i librave që nuk më përkasin mua më dhuron njëfarë mase shtesë të lirisë (bibliotekat – skena e vetme ku projekti socialist ka korrur sukses).

Por pse lexoj unë? A kam nevojë përnjëmend të përgjigjem në këtë pyetje? Më duket se poetët lexojnë për të gjitha arsyet e mundshme, ca nga të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me punën dhe nuk dallojnë nga motivet e çdo vdekatari tjetër. Por, leximet tona zënë vend kryesisht përposh dy shenjash: shenjës së kujtesës dhe shenjës së ekstazës. Ne lexojmë më shumë kujtime (për njohuri, edikim), ngase jemi kureshtarë rreth asaj se çka kanë prodhuar shumë pararendës tanë para se të hapeshin mendjet tona. Kjo është ajo që ne e quajmë traditë – ose histori.

Ne po ashtu lexojmë për ekstazë. Pse? Thjesht ashtu. Ngase librat përmbajnë jo vetëm mençuri dhe informacione të rregulluara mirë, por po ashtu edhe një lloj energjie që është afër vallëzimit dhe dehjes shamanistike. Kjo është posaçërisht e vërtetë për (një pjesë të) poezinë. Ngase ne vetë i përjetojmë ato momente të çuditshme kur udhëhiqemi nga një forcë që kërkon dëgjueshmëri strikte dhe nganjëherë, pra jo gjithmonë, lë mbrapa vetes njolla të zeza në letër ashtu siç zjarri lë hirin (noircir le papier, siç e quajnë francezët aktin fisnik të shkrimit). Dhe kur e ke pësuar njëherë një moment të shkrimit ekstazik, atëherë nis të veprosh si një i varur nga droga që lakmon gjithnjë e më shumë. Do të bëje çkado për pak më shumë nga ajo gjë; e leximi nuk duket si një flijim i tepërt.

Librat që unë i lexoj – nëse një rrëfim i tillë është i kërkuar dhe dëshiruar – përkasin në këto dy kategori, libra kujtese dhe ekstaze. S’mund të lexosh një libër ekstazik natën vonë: pason pagjumësia. Mund të lexosh histori para se të biesh në gjumë dhe ta ruash Rimabaudin për në mesditë. Marrëdhënia mes kujtesës dhe ekstazës është e pasur, paradoksale dhe angazhuese. Nganjëherë ekstaza rritet nga kujtesa dhe atëherë shpërthen si zjarr pylli – një sonet i vjetër i kapur nga një sy lakmitar mund të ndezë shkëndijën e një poezie të re. Por kujtesa dhe ekstaza nuk përkojnë gjithmonë. Nganjëherë i ndan një det indiference.

Ka studiues kujtesa e të cilëve është habitshmërisht e gjerë dhe prapëseprapë ata prodhojnë bukur pak. Nganjëherë në bibliotekë mund të ta zërë syri ndonjë të moshuar që mban një kravatë flutur, i kërrusur nga pesha e viteve, dhe ti mendon: Ky person i di të gjitha. Dhe disa prej atyre lexuesve të moçëm me syze të trasha njëmend i dinë bukur do gjëra (megjithëse ndoshta jo ai burri i vogël i moçëm që të ra në sy dje). Por kjo është me lega larg kreativitetit. Në skajin tjetër të spektrit i kemi adoleshentët që hallakaten pas hip-hopit, por ne nuk presim të kemi të vjela artistike nga një pasion i këtij lloji.

Me gjasë kujtesa dhe ekstaza ia kanë nevojën njëra-tjetrës dëshpërimisht. Ekstaza kërkon një njohje të vogël dhe kujtesa nuk humb asgjë kur ngjyroset nga emocionet e forta. Problemi i leximit është aq vital për ne – ne do të thotë poetët, por po ashtu thjesht njerëzit që kanë qejf të mendojnë, të meditojnë – ngase edukimi ynë ka qenë aq i mangët. Shkollat liberale që ju i ndiqni (ose shkollat komuniste ku kam studiuar unë) s’e çajnë kokën fort për klasikët dhe janë fare pak të interesuara për gjigantët e modernitetit. Shkollat tona janë krenare që nxjerrin anëtarë efikasë të asaj Kafshës së Madhe, shoqërisë së re të konsumuesve krenarë. Është e vërtetë se ne nuk jemi torturuar si adoleshenët në shekullin XIX në Angli (ose Francë, Gjermani, ose mbase edhe në Poloni): s‘ishim të detyruar të mësonim përmendësh tërë Virgjilin a Ovidin. Duhet të jemi të vetë-edukuar; dallimi mes dikujt si Josef Brodskij, i cili e kishte lënë shkollën në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare dhe kishte vijuar së lëxuari gjithçka që i kishte rënë në dorë dhe dikujt ka kaluar me sukses nëpër të gjithë arsimimin modern amerikan, përfshirë Ph.D-në, pa e nxjerr pothuajse këmbën jashtë gardhit të sigurt të Ivy League, nuk ka nevojë për shumë koment. Ne i bëjmë leximet tona kryesisht jashtë kampusit dhe në jetët tona të post-kamousit. Poetët amerikanë që unë i njoh janë shumë të lexueshëm po prapë e shoh qartë se ata i kanë fituar njohuritë e tyre në inervalin mes diplomimit dhe hyrjes në zonën e moshës së mesme. Shumica e stuentëve të diplomua ramerikanë dinë bukur më pak, më pak se kundërpjesa e tyre evropiane, por shumë prej tyre do të do ta kompensojnë këtë në vitet në vijim.

Po ashtu kam përshtypjen se shumë poetë të rinj amerikanë lexojnë më shumë vetëm gjëra të caktuara sot; kryesisht lexojnë poezi dhe jo shumë nga fushat e tjera, përveç ndoshta pakëy kritikë. Që të jemi të sinqertë, s’ka asgjë të keqe të lexosh poezi nga Homrei te Zbigniew Herberti dhe Anne Carson, po prapë më duket se se kjo mënzrë e leximti është tejet e specializuar. Është njëjtë si kur një student biologjiej ju thotë: unë lexoj vetëm biologji. Ose një astronom i ri që lexon veç astronomi. Ose një atlet që lexon vetëm rubrikën e sportit të The New York Timesit. S’ka asgjë tmerrësisht të gabuar të lexosh “vetëm” poezi – po prapë një hije e profesionalizimit të parakohshëm rri pezull mbi këtë praktikë. Një hije e cektësisë.

 Të lexosh “vetëm” poezi nënkupton se ka diçka të ngurrtë dhe të veçuar rreth natyrës praktiksës së poezisë bashkëkohore, se poezia është ndarë nga pyetjet themelore të filozofisë, nga ankthet e historianit, mëdyshjet e piktorit, skrupujt e politikanit të ndershëm, për shembull, nga burimi i thellë i përbashkët i kulturës. Mënyra se si një poet i ri e organizon leximin e tij është në të vërtetë thelbësore për vendin e poezisë në mesin e arteve të tjera. Mund të përcaktojë – dhe jo vetëm për një individ të vetëm – nëse poezia është një disiplinë qendrore (edhe nëse lexohet prej pak vetave të lumtur), duke iu përgjigjur impulseve çelës të njoë momenti të dhënë historik, ose të një forme pak a shumë interesante të angarisë që për ndonjë arsye vazhdon të tërheqë pak adhurues të palumtur.

A me gjasë është krejt e kundërta. Modelet tona të leximti reflektojnë konkluzionet tona më të thella, ndoshta jo tërësisht të vetëdijshme, mbi vendin qendror – ose periferik – të poezisë. A jemi të kënaqur me qasjen e druajtur specialistike, me marrëdhënien sektare të kujdesshme me letërsinë, tipike për ata shkrimtarë që pajtohen ta kufizojnë veten në rrëfime të vockla zemërthyese? Apo më parë do të aspirojmë stancën gjeneroze të poetit të cilit i pikon zemra të mendojë, të këndojë, të ndërmarrë rrezikun, të përqafojë bujarisht dhe guximshëm njerëzimin heqakeq të kohës sonë (pa i harruar yemrat e thyera)? Pra, poetë të rinj, ju lutem, lexoni gjithçka, lexojeni Platonin dhe Ortega y Gassetin, Horacin dhe Hölderlinin, Ronsardin dhe Pascalin, Dostojevskin dhe Tolstoin, Oscar Miloszin dhe Czeslaw Miloszin, Keatsin dhe Wittgensteinin, Emersonin dhe Emily Dickinsonin, T. S. Eliotin dhe Umberto Saban, Tukididin dhe Coletten, Apollinairen dhe Virginia Woolfin, Anna Akhmatovan dhe Danten, Pasternakun dhe Machadon, Montaignen dhe Shën Agustinin, Proustin dhe Hofmannsthalin, Safon dhe Szymborskan, Thomas Mannin dhe Eskilin, lexoni biografi dhe traktate, ese dhe analiza politike. Lexoni për veten tuaj, lexoni për hir të frymëzimit tuaj, për trazinë e ëmbël në trurin tuaj të dashur. Po po ashtu lexoni kundër vetes suaj, lexoni për të vënët në pikëpyetje dhe nga impotenca, lexoni nga dëshpërimi dhe për shkak të erudionit, lexojini vërejtjet e thata sardonike të filozofëve cinikë si Ciorani, madje edhe si Carl Schmitti, lexojini gazetat, lexojini ata që përçmojnë, e përjashtojnë, ose thjesht e injorojnë poezinë dhe mundohuni ta kuptoni pse e bëjnë atë gjë. Lexojini armiqtë tuaj dhe miqtë tuaj, lexojini ata që e përforcojnë ndjesinë tuaj mbi atë se çka është të evoulosh në poezi dh epo ashtu lexojini ata zymtësinë ose dashakeqësinë ose marrëzinë ose madhështinë e të cilëve s’mund ta kuptoni, ngase vetëm në këtë mënyrë do të rriteni, do ta tejkaloni veten dhe do të bëheni ata që jeni.

/Adam Zagajewski, ‘A Defense of Ardor’, Ferras, Strauss and Giroaux, 2005

Gazeta Express

Në konferencën e Romës, Nora Visoka-Weller kërkon kthimin e artefakteve të mbajtura peng nga Serbia

Nora Visoka-Weller, eksperte në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, kërkon bashkëpunim nga Komanda e Karabinerëve italianë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, në kthimin e artefakteve nga Serbia në Muzeun Kombëtar të Kosovës.

Më 1-2 korrik 2025, Komanda e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Instituti Ndërkombëtar i Trashëgimisë kanë organizuar një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë mbi Parandalimin e Trafikimit të Paligjshëm të Trashëgimisë Kulturore.

Eventi u hap nga Presidenti i Rajonit të Lacios, Francesco Rocca, dhe Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Edmondo Cirielli.

Fjala kryesore u mbajt nga Dr. Nora Visoka-Weller, eksperte kosovare për mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore me bazë në Universitetin e Kembrixhit, e cila diskutoi heqjen e objekteve të çmuara nga Muzeu Kombëtar i Kosovës gjatë vitit 1998, nga Ushtria Serbe. Në këtë ngjarje ishte e pranishme edhe Ambasadorja e Kosovës në Romë, znj. Nita Shala dhe z. Lorik Cana, filantrop dhe ish-lojtar profesionist i futbollit.

Kjo ishte një mundësi për të diskutuar rëndësinë e kthimit të thesareve të Kosovës, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe parimet morale që i detyrohen popullit të Kosovës, në prani të akterëve të rëndësishëm ndërkombëtarë. Dr. Visoka-Weller, është pedagoge në Universitetin e Kembrixhit, dhe është zë i fuqishëm në skenën diplomatike ndërkombëtare rreth politikave mbi mbrojtjen e trashegimisë kulturore të Kosovës.

Aktori australian, Julian McMahon vdes në moshën 56-vjeçare

Aktori australian Julian McMahon, i famshëm për rolet në seriale të njohura si “Nip/Tuck” dhe “Charmed”, ka vdekur në moshën 56-vjeçare, sipas BBC.

Bashkëshortja e tij tha se aktori vdiq të mërkurën në Clearwater, Florida. Ai ishte diagnostikuar me kancer.

“Julian e donte jetën. Ai e donte familjen e tij. Ai i donte miqtë e tij. Ai e donte punën e tij dhe i donte fansat e tij. Dëshira e tij më e thellë ishte të sillte gëzim në sa më shumë jetë të ishte e mundur”, tha Kelly Paniagua në një deklaratë të publikuar nga “Deadline”.

Karriera e McMahon mori hov me serialin televiziv mbinatyror “Charmed” përpara se të fitonte njohje më të gjerë me “Nip/Tuck”, dramën mjekësore në të cilën ai luajti rolin e kirurgut plastik, Dr. Christian Troy.

Për gjashtë sezone nga viti 2003 deri në vitin 2010, seriali i dha atij një nominim për “Golden Globe”.

McMahon gjithashtu luajti rolin e Dr. Doom në dy filma “Fantastic Four” në 2005 dhe 2007 dhe më vonë u shfaq në tre sezone të “FBI: Most Wanted”.

McMahon ishte djali i një ish-kryeministri australian. Ai luajti rolin e një kryeministri australian në “The Residence” në Netflix – një nga rolet e tij të fundit.

McMahon u martua tre herë – bashkëshortja e tij e parë ishte këngëtarja dhe aktorja australiane Danni Minogue, e cila është motra e Kylie Minogue. /atsh/ KultPlus.com

Java e Evropës – ‘Kanga eme’, shfaqja që solli në skenë zërin e një vajze 23-vjeçare në Shqipërinë e viteve 40

“Kanga eme”, e grupit ATA dhe Elsa Demos, një shfaqje teatrale minimaliste solli në skenë këtë ‘Javë të Evropës’ zërin e një vajze 23-vjeçare në Shqipërinë e viteve 40.

E bazuar në ditarin intim të Bedi Pipës, vepra u rrëfye përmes një kori zërash mbi lirinë, ndjeshmërinë dhe të drejtën për të ndier e menduar lirshëm.

“Kanga eme”, vjen në skenë për ‘Javën e Evropës’. Ky produksion sjell në jetë fjalët e saj përmes zërave të tre aktoreve, në një skenografi minimaliste.

Përmes një game të pasur dhe të larmishme disiplinash artistike, temash dhe vendndodhjesh, ‘Java e Evropës 2025’ shfaqi fuqinë transformuese të kulturës në shoqëri. Programi syno të frymëzonte kreativitetin, të promovonte diversitetin, të nxiste dialogun progresin, si dhe të inkurajonte reflektimin dhe të menduarit kritik./atsh/ KultPlus.com

Liqeni i Zi në Radomirë, një perlë e fshehur mes maleve të Dibrës

Fshati i Radomirës, 37 km nga Dibra është kthyer vitet e fundit në një destinacion të preferuar për të pasionuarit pas ngjitjeve në mal.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla ndau sot në rrjetet sociale pamje nga liqeni i zi në Radomirë, si një ftesë për t’u vizituar nga turistë vendas e të huaj.

Liqeni i zi, një mrekulli natyrore e fshehur në fshatin Radomirë të Dibrës, është një destinacion përrallor.

Liqeni në dimër ngrin në sipërfaqe dhe ka një hapësirë prej 0.8 ha. Është i pasur me një botë të gjallë. Ka vlera shkencore gjeologjike, hidrologjike, biologjike, estetike, didaktike, ekologjike dhe kulturore.

Ky liqen është i rrethuar nga një masiv pyjor me pishë të zezë. Për vlerat e veçanta natyrore gëzon statusin Monument Natyre.

Radomira, pjesë e parkut natyror Korab-Koritnik, shënon hyrjen në rrugën turistike që ngjitet drejt malit të Korabit.

Pranë këtij fshati sidomos gjatë stinës së verës vijnë shumë turistë vendas e të huaj. E vendosur rrëzë malit të Korabit, majës më të lartë në Shqipëri dhe e rrethuar nga pisha është Radomira magjike.

Ajri i pastër, burimet e ujit, kullotat dhe pyjet në anët e Korabit përbëjnë burime të çmuara që mund të kontribuojnë në zhvillimin e zonës, duke e kthyer Radomirën në një destinacion turistik gjatë gjithë vitit.

Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë.

40 mijë vizitorë në Muzeun ‘Onufri’, kryesojnë polakët

Muzeu Ikonografik “Onufri” është i pozicionuar në zemër të Kalasë së Beratit dhe mirëpret çdo ditë vizitorë nga e gjithë bota.

Drejtori i Qendrës Muzeore Berat, Miklor Pasku, tha për ATSH-në se Muzeu i Ikonografisë “Onufri”, 6-mujorin e parë të vitit u vizitua nga 40 mijë persona.

Sipas drejtorit Pasku, shumicën e vizitorëve, edhe në këto ditë të nxehta vere, e përbëjnë turistët e huaj. Nga vizitorët e huaj kryesojnë polakët dhe më pas renditen francezët, italianët, vizitorët nga SHBA dhe nga Azia.

Muzeu “Onufri” është një destinacion i dashur për ata që kërkojnë historinë, bukurinë dhe shpirtin e ikonave. Ky muze u çel më 27 shkurt të vitit 1986, me nismën e shumë personaliteteve e specialistëve të kulturës, të cilët bënë të mundur që thesari i madh i ikonave dhe objekteve liturgjike që rrinin të arkivuara prej vitesh, pas ndalimit të ushtrimit të besimit, të ekspozoheshin për publikun në këndvështrimin artistik e historik.

Ky muze, i cili aktualisht gëzon statusin Muze Kombëtar, është një nga muzetë më të vizituar në Shqipëri. I vendosur në ambientet e Katedrales “Fjetja e Hyjëlindëses” e shekullit të 18-të, ky muze është një nga emblemat e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe krenaria e pasurive historike e fetare të Beratit. /atsh/ KultPlus.com

Një nga 27 fustanet e nusërisë së Lauren Sanchez u zhduk gjatë dasmës

Një nga 27 fustanet e nusërisë së Lauren Sanchez u zhduk gjatë dasmës së saj me Jeff Bezos. Fustani u zhdukur që nga dita e ceremonisë dhe mediave ai ishte vjedhur nga një “mysafir i paftuar i veshur me stil”. Megjithatë, kjo teori nuk konsiderohet më si e mundshme dhe nuk është paraqitur asnjë raport zyrtar policor.

Nuk dihet se cili nga fustanet mund të ketë humbur, por me siguri nuk është fustani i bardhë me dantellë me jakë të rrumbullakët nga Dolce & Gabbana, të cilin 55-vjeçarja e veshi në dasmën e saj me themeluesin e Amazon në Venecia të premten, më 27 qershor. Çifti u martua në ishullin e San Giorgio Maggiore.

Lauren Sanchez postoi një foto të saj dhe Jeff Bezos në Instagram menjëherë pas ceremonisë, së bashku me datën e dasmës. Në foto, Sanchez tregoi fustanin e saj mahnitës të nusërisë. Ajo u fotografua me fustanin e nusërisë para dasmës për Vogue. Duke folur për revistën, ajo kujtoi se u ndje si një “princeshë” gjatë provës së përgjithshme, e cila u zhvillua në Milano.

“Ishte më tronditëse nga sa prisja”, – tha ajo për momentin kur e veshi për herë të parë. Ajo zbuloi gjithashtu se Jeff Bezos iu lut t’ia tregonte fustanin, por, siç është zakoni ajo shpjegoi se nuk do t’ia zbulonte para ditës së madhe. “Gati sa nuk u dorëzova”, – pranoi ajo, duke shtuar: “Por doja që të ishte një surprizë. Teksa plakesh, nuk ka shumë surpriza në jetë. Mezi prisja të shihja fytyrën e tij”.

Lauren Sanchez gjithashtu bëri përshtypje me një fustan rozë prej mëndafshi muslini Atelier Versace, të dizenjuar nga vetë Donatella Versace, për dasmën e fundit. Fustani kishte një korse, të qëndisur me dorë me kristale Swarovski ngjyrë ari rozë./lapsi.al/ KultPlus.com

Virginia Woolf, gruaja që besonte kaq shumë te dashuria dhe bëri jetën e librave që shkroi

Pati një fëmijëri të vështirë. Bëri një jetë plot peripeci dhe brenga shëndetësore. Tentoi dy herë të vetëvritej, por “e treta e vërteta” e çoi atë në udhën pa kthim. Iku më 28 mars 1941 duke lënë pas një letër mirënjohjeje për bashkëshortin dhe një vepër, e cila më shumë se për gjithçka tjetër, flet për jetën e saj.

Bëri një jetë përpëlitjesh nëpër dallgë duke ndjekur brigjet që gjithnjë i fashiteshin sapo e kaplonin në behje. Jo dhe aq e ndëshkuar nga fati se sa nga joshja e një loje rreziku që i’u bashkëngjit pandashëm në andjen për ballafaqje dhe krisje në copëzat më të brishta dhe ndjesitë prej prushi të atij kurmi që digjej si prej pasionit ashtu edhe prej dhimbjes.

Letërsia që shkroi Virginia Woolf nuk ndryshon shumë nga jeta që ajo bëri. Mendimi filozofik e i ndjeshëm që përshkonte trupin e kësaj anglezeje, që iluminoi Britaninë e shekullit XX, e bënte atë të ishte ndryshe.

Ashtu e veshur me fustanet e saj të thjeshta, të mbërthyera deri nën qafën e hollë, ecte çdo mbrëmje rrugëve të Londrës. Ashtu si zonja Dolloway, një prej personazheve më të njohura të letërsisë së saj, Virginia Wolf besonte te dashuria. Dhe kur kjo forcë që e lidhte më shumë me të shkruarin kishte ikur prej saj, ajo u ngjasonte gërmadhave të një qyteti, që nuk do të ringrihet.

Ditarët që ajo ka lënë pas, tregojnë se gruaja gati e trishtuar në kujtesën e bashkëkohësve të saj, kishte bërë një jetë si në librat që shkroi.

Asgjë nuk e kishte penguar të ndiqte rrugën drejt shtigjeve të fshehura të zemrës. Klarisa Dalloway, gruaja që u end gjatë rrugëve të Londrës, duke u endur kujtimeve të rinisë së hershme dhe dyzimit në duhet të takonte të dashurin e saj të parë tani që ishte në qytet, është vetë Woolf.

Vetëm mendimi se ai ishte në qytet, e kishte bërë të mos ndihej e qetë; takimi me të do të ishte një ringjallje e asaj që kishte kaluar. Iu desh kaq kohë ta harronte, dhe ja ai është sërish aty. Duket sikur ca fije të padukshme lidhin nga larg shpirtrat që ndajnë të njëjtën ëndërr. Ai ishte aty si për t’i kujtuar se ishte koha për të shkruar. “Nëse duhet të jem e lumtur, është e nevojshme që çdo ditë të merrem me nga pak letërsi”, i thoshte ajo dikur.

Virginia Woolf lindi në Londër, më 25 janar 1882, nga prindër me përvoja të tjera martesore. Julia Prinsep, e ëma, një grua mjaft e bukur dhe e kultivuar, vejushë kishte pasur tre fëmijë George, Gerald e Stella, në martesën e dytë lindi vajzat Virginia dhe Vanessa (me të cilën raporti i Virginia-s ishte mjaft i ngushtë) dhe djemtë Thoby e Adrian. Kurse Leslie Stephen, i ati, historiograf dhe kritik, i ve edhe ai, gjatë martesës së parë kishte pasur një vajzë me të meta mendore, Laura.

Virginia u edukua në shtëpi nga prindërit, sipas traditave viktoriane. Dhembjet e para të jetës së saj, qenë vdekja e së ëmës kur ishte vetëm 13 vjeçe dhe menjëherë më pas e së motrës, Stella, që i shkaktuan kriza të mëdha pasigurie. Gjatë periudhës së zisë, i ati nuk arriti të ishte aspak një mbështetje e mirë, as për Virginia-n e as për fëmijët apo thjeshtrit e vet, dhe ajo, e vetme, e pambrojtur, nisi të vuante nga indiferenca e botës mashkullore.

Edhe pas vdekjes së të atit, depresioni i saj u thellua, duke u ndier në faj se pse nuk ia kishte shprehur plotësisht dhembshurinë e saj. Virginia arriti që gjithsesi të jetonte një jetë normale, të ishte aktive dhe e impenjuar me të shkruarin apo udhëtimet. Në vitin 1904 tentoi për të parën herë të vriste veten; ngushëllimi më i madh ishte miqësia me Violet Dickinson-in, që e mirëpriti në shtëpinë e saj, e kuroi dhe pastaj e prezantoi në “Guardian”, të përjavshmen londineze. Në vjeshtën e këtij viti, së bashku me të motrën Vanessa dhe vëllezërit Thoby dhe Adrian, Virginia u shpërngul në Gordon Square, në lagjen angleze të Bloomsbury-t, ku mori jetë grupi “Bloomsbury”, një rreth intelektual shkrimtarësh dhe artistësh, që për një tridhjetëvjeçar i dha zë skenës kulturore angleze, duke u mbledhur çdo javë në shtëpinë e botuesit Leonard Woolf për të diskutuar për artin, letërsinë dhe politikën. E lirë më në fund nga prania e të vëllezërve, si ajo ashtu edhe Vanessa, u stimuluan nga ambienti i ri ku ishte futur, me një entuziazëm të rigjetur. Ajo nisi të botonte në suplementin letrar të “Times” të parat kritika letrare. Më 10 gusht të vitit 1912 u martua me Leonard Woolf-in, por shumë shpejt filloi të jepte shenjat e para të një çekuilibrimi mendor dhe tentoi për të dytën herë vetëvrasjen me helm. E mori veten edhe në sajë të të shoqit, që për ta bërë të rifitonte besimin dhe ekuilibrin, i propozoi të themelonin një shtëpi botuese. Kështu lindi “Hogarth Press”, që botoi vepra shkrimtarësh të talentuar, mes të cilëve edhe Mansfield dhe Eliot.

Në vitin 1922, kushtet e saj të brishta mendore pësuan një goditje tjetër, kësaj radhe nga kritikët, mes të cilëve edhe vetë Mansfield-i, të cilët bënë copash romanin e saj “Night and Day” (Natë dhe ditë). Asaj kohe i takon edhe miqësia e saj me Vita Sackville-West-in, shkrimtare dhe poeteshë, nënë e dy fëmijëve me tendenca lesbike të pafshehura (por edhe Woolf-i në rininë e saj kishte qenë e tërhequr nga gratë), me të cilën Virginia nisi një marrëdhënie që nuk e dëmtoi marrëdhënien me Leonardin e që u bë burim frymëzimi. Ishte ajo që e krijoi personazhin Orlandon në romanin me të njëjtin emër. Me kalimin e viteve, edhe pse e vijoi aktivitetin letrar, krizat depresive u bënë gjithnjë e më të shpeshta, duke u përkeqësuar për shkak të fobive që lindnin nga Lufta e Dytë Botërore (Virginia ishte edhe pacifiste e bindur), derisa më 28 mars të vitit 1941, pasi i shkroi një letër lamtumire të shoqit, mbushi xhepat e xhaketës me gurë dhe humbi në lumë.

“E ndiej se po çmendem përsëri. Kësaj radhe nuk do të shërohem. Po filloj të dëgjoj zëra. Nuk arrij të përqendrohem. Prandaj po bëj atë që duket gjëja më e mirë për t’u bërë. Ti më ke dhënë më të madhen lumturi që mund të jepet. Nuk besoj se dy persona do të mund të kishin qenë më të lumtur përpara se të arrinte kjo sëmundje e tmerrshme. Nuk mund të luftoj më… Ajo që dua të them është se gjithë lumturinë e jetës sime e kam prej teje. Ke qenë plotësisht i urtë me mua dhe pabesueshmërisht i mirë. Nëse ndokush do të kishte mundësi të më shpëtonte, do të ishe ti…”.

Ishte 63 vjeçe. Ndarja e saj nga jeta nuk ishte e lehtë për burrin që i kishte kushtuar gjithë jetën kësaj gruaje të pazakontë, që e kishte dashur që ditën e parë kur e pa të hynte në takimet letrare në apartamentin e tij, me një fletore të vogël në dorë. Vite më vonë, mes koleksionit të letrave të tij, u gjet kjo letër…

“E di që Virginia nuk do të vijë nga studioja e saj përmes kopshtit, e megjithatë shoh në atë drejtim duke e kërkuar. E di që është e mbytur e megjithatë pres ta dëgjoj të hyjë. E di që libri ka mbaruar, megjithatë e kthej faqen.”

Virginia Woolf vazhdon të mbetet edhe sot si një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë. Libri i saj “Një dhomë më vete”, hyn në ato traktate që sollën ndryshime në emancipimin e gruas, dhe rolin e saj në shoqëri. “Që një grua të shkruajë letërsi, duhet të ketë para dhe një dhomë më vete”, shkruan Woolf. / Albert Vataj / KultPlus.com

Pas një mungese prej 30 vitesh, studiuesit e trashëgimisë kulturore janë rikthyer në Kalanë e Gjirokastrës

Pas një mungese prej 30 vitesh, studiuesit e trashëgimisë kulturore janë rikthyer në Kalanë e Gjirokastrës për të rinisur gërmimet dhe studimet arkeologjike në një nga monumentet më të rëndësishme historike të Shqipërisë.

Ekspedita e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore ka për qëllim të nxjerrë në dritë gjetje të reja që do të pasurojnë njohuritë mbi origjinën dhe zhvillimin e kalasë, e cila përmendet për herë të parë në dokumente të shekullit XIV, por besohet se rrënjët e saj shtrihen shumë më përpara.

Aktualisht, punimet po zhvillohen pranë hyrjes kryesore të kalasë, ku janë zbuluar fragmente të një kulle guri që datojnë në periudhën IV-VI pas Krishtit, duke hapur një dritare të re mbi epokën e hershme të këtij monumenti historik.

Gërmimet do të vazhdojnë gjatë gjithë muajit korrik në pika strategjike të kalasë, duke synuar jo vetëm evidentimin e artefakteve, por edhe përmirësimin e infrastrukturës për vizitorët, në mënyrë që ky thesar kulturor të mbahet gjallë dhe të promovohet më mirë, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Kalaja e Gjirokastrës, e njohur si një qendër e rëndësishme për ngjarje kulturore dhe historike, pritet të ofrojë zbulime që do të shtojnë vlerë trashëgimisë shqiptare dhe do të tërheqin interesin e turistëve dhe studiuesve nga e gjithë bota.

Liverpooli bën veprimin e paimagjinueshëm për familjen e Diogo Jotas

Pas ndarjes tragjike nga jeta të sulmuesit portugez Diogo Jota, Liverpooli ka njoftuar zyrtarisht se do të ofrojë mbështetje të plotë për familjen e tij.

Në një veprim solidar dhe fisnik, klubi ka vendosur të transferojë mbi 15 milionë euro në llogaritë e fëmijëve të Jotës, si pjesë e përkujdesjes për të ardhmen e tyre.

Për më tepër, Liverpooli ka konfirmuar se do të respektojë të gjitha detyrimet kontraktuale ndaj lojtarit të ndjerë, duke vijuar pagesat e kontratës deri në vitin 2027, siç ishte parashikuar në marrëveshjen e fundit me sulmuesin.

Ky gjest është pritur me emocione nga komuniteti sportiv dhe tifozët në mbarë botën, duke e përshkruar si një akt të jashtëzakonshëm respekti për një futbollist që dha gjithçka për klubin dhe që la gjurmë të pashlyeshme në “Anfield”.

Liverpooli, përmes një komunikate, ka bërë të ditur se do të qëndrojë pranë familjes së Jotës në çdo hap, duke ofruar mbështetje financiare, emocionale dhe ligjore, si pjesë e vlerave që klubi promovon në raport me lojtarët dhe familjet e tyre.

Po ashtu, klubi anglez ka pensionuar numrin 20 në fanellë, numër ky që bartej nga Diogo Jota./telegrafi/ KultPlus.com

Me “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” kuruar nga Erzen Shkololli filloi “Autostrada Biennale”

“Autostrada Biennale” ka filluar sot, e dyert e kësaj ngjarje të rëndësishme kulturore do të jenë të hapura për tre muaj, shkruan KultPlus.

E kuruar nga artisti Erzen Shkololli, ky edicion i titulluar “Rrymat që Shpalosen: Pulsi i Kohës” ka nis në Prizren, sikurse edhe vitet e shkuara dhe brenda kësaj ngjarje kulturore janë përfshirë vepra bashkëkohore të artit që tashmë janë të prezantuara brenda hapësirës së këtij organizimi kulturor.

Hapësirat ekspozuese përfshijnë Autostrada Hangar e cila është qendra e artit bashkëkohor në ITP dhe hapësirat tjera në zonën historike të Prizrenit./ KultPlus.com 

EtnoFest fillon me 10 korrik, shumë aktivitete nëpërmjet temës “Identiteti” deri më 20 korrik 

Edicioni i 15-të i Festivalit “EtnoFest” do të fillojë më 10 korrik dhe për dhjetë ditë do të ketë aktivitete të shumta kulturore, e që do të mbahen në fshatin “Kukaj”.

Organizatorët tashmë kanë bërë të ditur një pjesë të programit të këtij edicioni, dhe sipas njoftimit, ky edicion do të fillojë me performancën e Malda Susurit. 

Ka edhe shumë grupe të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare që do të jenë pjesë e këtij festivali, edhe pse, ende nuk është publikuar programi i plotë I këtij edicioni. 

KultPlus ju sjell edhe linkun e faqes së festivalit ku mund edhe të njoftoheni me programin e plotë./ KultPlus.com 

https://www.facebook.com/EtnoFest

Pishina zvicerane kufizon notin për të huajt pasi grupe të ndryshme shkaktojnë probleme

Një pishinë e hapur në Zvicër thuhet se ka ndaluar shumicën e shtetasve të huaj dhe shumë turistë për periudhën e verës, duke i fajësuar ata për shpërthime të sjelljes antisociale.

Këshilli bashkiak ka kufizuar aksesin në pishinën në Porrentruy, në komunën Jura, që është afër kufirit me Francën, midis 4 korrikut dhe 31 gushtit, raportoi Aargauer Zeitung.

Vetëm qytetarët zviceranë, ata që kanë qëndrim të përhershëm dhe personat me një leje pune të vlefshme zvicerane do të lejohen të përdorin pishinën gjatë kësaj periudhe.

Turistët e huaj që qëndrojnë në një hotel ose kamping në Porrentruy gjithashtu mund të blejnë një kartë pushimesh, e cila do t’u lejojë atyre të përdorin pishinën.

Herën e fundit që të huajve iu ndalua përdorimi i pishinës ishte në vitin 2020, kur u mor vendimi për të lejuar aksesin vetëm për qytetarët zviceranë si rezultat i pandemisë Covid-19, transmeton albinfo.ch.

Pra, çfarë çoi në ndalim? Sipas Lionel Maitre, kreu i kohës së lirë në Shoqatën Bashkiake të Distriktit Porrentruy dhe kryetar bashkie i Boncourt, kjo ndodhi për shkak të sjelljes së keqe të një numri të rinjsh francezë nga përtej kufirit, tha gazeta.

Mbyllja e përkohshme e një pishine të hapur përtej kufirit në Delle e ka përkeqësuar situatën, por autoritetet presin që problemet të përsëriten edhe atje, pas rihapjes së saj më 8 korrik, tha Maitre.

Maitre raportoi se kishin parë raste të shumta sjelljeje të keqe në pishinën e Porrentruy nga të rinj, kryesisht nga departamentet franceze të Territoire de Belfort dhe Doubs, dy rajonet fqinje të Francës.

Incidentet përfshijnë “ngacmim të grave të reja, gjuhë të papërshtatshme, not me të brendshme dhe madje sjellje të dhunshme pasi u qortuan”, tha ai, raportoi gazeta.

Më shumë se 20 persona janë përjashtuar nga pishina dhe u është mohuar hyrja, sipas një deklarate nga autoritetet.

Në një përpjekje për të menaxhuar situatën, pishina punësoi roje sigurie, por zbuloi se kjo nuk ishte e mjaftueshme.

“Nga të gjithë njerëzit që u ndalohet hyrja, jo të gjithë vijnë nga Franca fqinje, por pak nga Zvicra janë një pakicë e qartë”, shpjegoi Maitre për gazetën, duke shtuar se kufizimi i aksesit ndihmoi gjithashtu në mbajtjen e numrit të vizitorëve në një nivel të menaxhueshëm./albinfo.ch/ KultPlus.com

Puna e fotografëve Pietro dhe Kel Marubi në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës pranë UNESCO 

Puna e Pietro e Kel Marubi që vlerësohet të jetë një pasuri për populli shqiptar, dhe jo vetëm, tashmë ka marr edhe një vulë ndërkombëtare, shkruan KultPlus.

Nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”, është bërë e ditur se puna e tyre tashmë është vlerësuar edhe nga UNESCO. 

Më poshtë po sjellim të plotë njoftimin për këtë arritje të nivelit ndërkombëtar. 

Jemi të lumtur të ndajmë me ju certifikatën e regjistrimit të arkivit të negativëve, objekteve dhe dokumenteve të Pietro dhe Kel Marubi në Regjistrin Ndërkombëtar të Kujtesës së Botës pranë UNESCO

Një vlerësim i jashtëzakonshëm për trashëgiminë kulturore shqiptare, një pasuri që na përket të gjithëve🇦🇱📷

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani: Sot, edhe Kosova feston krah për krah me Amerikën, aleatin tonë më të madh

Presidentja e Republikës së Kosovës,Vjosa Osmani nëpërmjet një postimi ka thënë se për Ditën e Pavarësisë së ShBA-ve, edhe Kosova është duke festuar krah për krah me Amerikën. 

Postimi i plotë i presidentes Osmani. 

Sot, edhe Kosova feston krah për krah me Amerikën, aleatin tonë më të madh, që qëndroi pranë nesh në orët tona më të vështira dhe vazhdon të qëndrojë e palëkundur me ne edhe sot. 🇽🇰🤝🇺🇸

Faleminderit Ambasadës Amerikane për organizimin e festës së veçantë në nder të Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve këtë javë!/ KultPlus.com