Çfarë na mëson Heminguej për guximin dhe rënien

Nga Spanja e luftës, në Karaibet e peshkimit, deri në Parisin bohem dhe Kubën e tij të dashur, Ernest Heminguej mbetet një nga figurat më karizmatike dhe më të diskutueshme të letërsisë amerikane të shekullit XX.

Një autor që nuk shkruante thjesht, por që jetonte siç shkruante në kufijtë e rrezikut, pasionit dhe të vërtetës. I lindur më 21 korrik 1899 në Illinois, Heminguej do të rritej mes pyjeve dhe liqeneve të veriut amerikan, ku do të formonte dashurinë për natyrën dhe aventurën. Pas një lëndimi në Luftën e Parë Botërore, ai nisi të shkruante në mënyrë të pandalshme, duke i sjellë botës një stil krejtësisht të ri: të thjeshtë, të prerë, por emocionalisht goditës. Ai e quajti këtë teknikë “teoria e ajsbergut” ku më e rëndësishmja është ajo që nuk thuhet. Romane si “Lamtumirë armë”, “Për kë bie kambana” dhe “Plaku dhe deti” janë tashmë klasike të padiskutueshme, ku përmes personazheve të thjeshtë e dialogëve të ftohtë, Heminguej rrëfen ndjenja të mëdha, dilema ekzistenciale dhe sfida njerëzore. “Plaku dhe deti” i dha çmimin Pulitzer në vitin 1953 dhe ishte arsyeja kryesore pse ai fitoi edhe çmimin Nobel në Letërsi një vit më vonë. Ai nuk ishte vetëm një autor ishte reporter lufte, udhëtar, gjahtar, peshkatar dhe piroman emocional.

Jetoi në Parisin e viteve ’20, ku frekuentonte rrethet e Gertrude Stein dhe F. Scott Fitzgerald. Raportoi nga Lufta Civile Spanjolle dhe zbarkimi në Normandi gjatë Luftës së Dytë Botërore. U plagos disa herë, përfshirë një aksident ajror në Afrikë, dhe mbeti gjithmonë i obsesionuar nga vdekja dhe sfida me të. Jeta e tij e mbushur me drama dhe alkol nuk e kurseu nga dhimbjet mendore. Në moshën 61-vjeçare, në vitin 1961, ai vendosi të mbyllte jetën e tij me një armë gjuetie një mjet që e shoqëroi gjatë gjithë ekzistencës së tij. Vdekja e tij u përjetua si një tronditje kulturore. Por Heminguej nuk vdiq. Ai mbeti në çdo faqe që shkroi, në çdo fjali të qartë, në çdo njeri të zakonshëm që përballet me stuhitë e jetës. Ai na mësoi se guximi nuk është mungesa e frikës, por përballja me të. Dhe ndoshta, përmes rrëfimeve të tij, e kuptuam pak më mirë çfarë do të thotë të jesh njeri.

Vitet e fundit të shkrimtarit, frika, ankthi dhe depresioni që e ndalonin të shkruante

Në çdo brez shkrimtarësh lind një zë që nuk flet vetëm për kohën e vet, por edhe për një botë të brendshme universale të heshtur, të thyer dhe të pamëshirshme. Për shekullin XX, ky zë kishte një emër: Ernest Heminguej. I gjatë, me mjekër të dendur dhe sy që shihnin drejt e në thelb të gjërave, Heminguej ishte më shumë se një autor: ishte një mënyrë jetese, një filozofi maskiliste dhe ekzistencialiste e përmbledhur në fjali të shkurtra, por që zhurmojnë gjatë në vetëdijen tonë. “Njeriu shkatërrohet, por nuk mposhtet”, shkruante ai një pohim që dukej si besimi i fundit i një njeriu që jetoi gjithë jetën në përpjekje për të mos u thyer, dhe përfundoi duke u thyer vetë. Ai nuk shkroi për të zbukuruar botën. Ai shkroi për ta zbërthyer atë. Stili i tij i ftohtë, i prerë, i zhveshur nga zbukurimet, është cilësuar si “teoria e ajsbergut”: 1/8 shihet, 7/8 janë nën ujë ashtu si ndjenjat, dhimbjet, heshtjet, brishtësitë që ai i shfaqte vetëm në nëntekst. Ai e dinte që njeriu nuk shpëton nga vetja, por të paktën mund ta kuptojë më mirë përmes një historie. Ai kaloi nga fushat e betejës në Parisin artistik, nga Karaibet në Kubë, nga peshkimi me tonelata në biseda të heshtura me veten. Në dukje jetonte jetën që çdo burrë do të kishte zili: me aventura, gra, famë dhe adrenalinë. Por përbrenda, Heminguej ishte gjithnjë në luftë me kujtimet, me depresionin, me trashëgiminë familjare të vetëvrasjeve që e ndiqte si një mallkim i heshtur.

U martua katër herë, e donte fuqishëm gruan e radhës derisa nuk e duronte më. Kishte nevojë të dashuronte për të shkruar, dhe kishte nevojë të shkruante për të mos u rrëzuar. Gratë e tij nuk ishin vetëm të dashura ishin muza, shpëtim, dështim, pretekst dhe pasqyrë. Ai nuk e përballonte mirë rutinën. Qetësia e vriste, stabiliteti e mërziste. Prandaj kërkonte gjithmonë një tjetër vend, një tjetër luftë, një tjetër rrezik, një tjetër grua. Ishte gjithmonë në kërkim jo të diçkaje që mungonte, por ndoshta të një versioni të vetes që mund ta mbante më gjatë. Në vitet e fundit u përball me ankthin, paranojën, harresën. Kishte frikë se nuk mund të shkruante më. E përjetoi këtë si një fund, jo vetëm të karrierës, por të ekzistencës. Në vitin 1961, në një mëngjes pa shumë fjalë, vendosi të mbyllte llogaritë me jetën jo nga frika, por nga bindja se tashmë kishte dhënë gjithçka.

Katër dashuritë e dështuara të Ernest Heminguejt, tradhtitë dhe pasionet

Në letërsi shkroi si askush tjetër. Në jetë dashuroi si i çmendur dhe u rrëzua si legjendë. Ernest Heminguej ishte një nga ata burra që nuk i përkisnin vetëm epokës së tyre, por që e shtrinë hijen nëpër dekada edhe me librat, edhe me jetën e çrregullt, të dhimbshme dhe të paparashikueshme. Nuk është e lehtë të ndash Heminguejn nga mitet që vetë ndërtoi. Por në qendër të gjithçkaje, ishte një burrë që dashuroi gratë po aq fort sa dashuroi luftën dhe rrezikun. U martua katër herë, dhe të katra gratë qëndruan pranë një njeriu gjenial, por edhe të vështirë, impulsiv, egocentrik, që shpesh ndante më shumë emocione me letrën sesa me njeriun përballë. Hadley Richardson, gruaja e tij e parë, ishte një pianiste e butë nga Çikago, të cilën e njohu në Paris në vitet e “gjeneratës së humbur”.

Ajo e përkrahu në vitet e para të shkrimit, kur Heminguej jetonte me para borxh, por martesën e tyre e rrëzoi një tjetër grua: Pauline Pfeiffer, një gazetare elegante e “Vogue”, që u bë gruaja e dytë. Ajo i solli edhe suksesin, por edhe një jetë më të ftohtë, më borgjeze, nga e cila ai u mërzit shpejt. Me Martha Gellhorn, gruaja e tretë dhe korrespondente lufte si ai, ndanë jo vetëm fjalë dhe seks, por edhe frikën e vdekjes në vijën e parë të zjarrit në Spanjë dhe Normandi. Ajo ishte ndoshta e vetmja që nuk i duronte kapriçot e tij, dhe në fund ishte ajo që iku. Heminguej, me ego të lënduar, e quajti “grua e padukshme” për pjesën tjetër të jetës. Mary Welsh, gruaja e katërt, ishte e vetmja që qëndroi deri në fund, edhe pse nuk ishte më Heminguej i viteve të lavdisë.

Në atë kohë, ai ishte një burrë i plakur para kohe, me kujtesë të turbullt, i lodhur nga alkooli, ilaçet dhe frika se nuk mund të shkruante më si dikur. Gratë në jetën e tij nuk ishin thjesht partnere ishin pretekste për të dashuruar, për të urryer, për të frymëzuar apo për t’u arratisur. Ai nuk e kërkoi kurrë stabilitetin; ai kërkonte përjetësinë. Por përjetësia nuk vjen me një grua të vetme. Ai donte gjithçka dhe kur gjithçka nuk mjaftonte më, mbeti vetëm. Përtej martesave, Heminguej kishte një marrëdhënie të ndërlikuar edhe me seksualitetin, që disa studiues e kanë komentuar si të ngarkuar me kontradikta.

Ai urrente dobësinë, por brenda vetes ndiente krisje që s’mund t’i pranonte dot. Kjo e bënte jo vetëm të paarritshëm, por edhe të rrezikshëm për këdo që e donte vërtet. Ai pinte pa masë, fliste me cinizëm, shkruante si burrë, dashuronte si poet dhe ikte si fëmijë. U përpoq disa herë të vetëvritej përpara se ta realizonte më 1961, duke e mbyllur jetën me të njëjtën armë që e kishte shoqëruar në Afrikë, në peshkim dhe në dhomat e vetmisë. Ernest Heminguej nuk ishte burri ideal. Ai ishte një zjarr që digjte veten dhe të tjerët. Por është e pamundur të flasësh për të dhe të mos ndjesh një përzierje habie, dhimbjeje dhe admirimi. Ai nuk e la pas një martesë të përkryer, por la një jetë që rrëfehet ende, si një roman i madh, i çarë në mes, por i paharruar. /Konica.al/ KultPlus.com

Pas Sarandës, kroçera ‘National Geographic Orion’ ankorohet në Durrës

Në portin detar të Durrësit mbërriti kroçera eksploruese “National Geographic Orion”, pas qëndrimit dyditor në portet shqiptare.

Anija, e gjatë 102 metra dhe e gjerë 14 metra, me 50 dhoma dhe një ekuipazh prej 70 marinarësh, do të vijojë më pas lundrimin drejt Kroacisë.

Kjo është vizita e parë që “National Geographic Orion” realizon në Shqipëri, duke sjellë në bord 108 turistë amerikanë të interesuar për turizmin e aventurës dhe ekspeditave.

Durrësi është porti i dytë, pas Sarandës, ku ankoron kjo kroçerë. Turistët do të kryejnë një tur 8-ditor në vende të ndryshme të Mesdheut, përfshirë edhe Shqipërinë.

Pas ndalesës në Durrës, udhëtimi i tyre do të vazhdojë drejt Divjakës, ku do të vizitojnë lagunën e Karavastasë dhe pelikanin kaçurrel, ndërsa qyteti i radhës që do eksplorojnë është Kruja.

Gjatë qëndrimit në Durrës, në bord të anijes u zhvilluan shkëmbime kortezie mes kapitenit të anijes, Alex Dudov, dhe kapitenit të Portit të Durrësit, Taulant Allkja.

Ky i fundit theksoi se “National Geographic Orion” do të vizitojë portet shqiptare edhe pesë herë të tjera gjatë këtij viti dhe është planifikuar të rikthehet edhe vitin tjetër. Ai e përshkroi anijen si një simbol të turizmit të aventurës dhe ekspeditave, që po sjell në Shqipëri vizitorë të shumtë nga SHBA.

Kapiteni Alex Dudov u shpreh se shpreson të kthehet shpesh në këtë vend të veçantë të Adriatikut dhe Jonit. Ai nënvizoi se në itinerarin e saj janë përfshirë edhe vende si Greqia, Mali i Zi dhe Kroacia, ndërsa synimi i tij është të tregojë “Shqipërinë reale” për turistët, duke inkurajuar kështu rritjen e numrit të vizitorëve në vend.

Një nga veçantitë e “National Geographic Orion” është pajisja me mjete zhytjeje dhe mjete të vogla transporti, të cilat u ofrohen turistëve kuriozë për të eksploruar vende dhe relikte nënujore gjatë udhëtimeve të tyre.

Pas qëndrimit dy ditor në portet shqiptare, anija do të vazhdojë lundrimin e saj drejt Kroacisë, duke mbajtur në agjendë edhe shumë vizita të tjera në portet e Mesdheut./atsh/ KultPlus.com

Sonte, hapet ekspozita e fotografit Wade Goddard ‘Fotografi të Luftës së Kosovës’

Sonte, bëhet hapja e ekspozitës personale e fotografit Wade Goddard, të titulluar “Fotografi të luftës së Kosovës“, e cila do të mbahet në Qendrën Barabar.

“Dy dekada pas fotografive të Wade Goddard nga lufta e Kosovës, imazhet e tij ende tronditin me përjetimin e drejtpërdrejtë të vuajtjeve që ai ka kapur. Puna e tij përfaqëson ndoshta regjistrimin më gjithëpërfshirës të një konflikti relativisht të shkurtër por brutalisht të eger që shkaktoi më shumë se 10,000 viktima në më pak se tre vjet dhe ndoshta shkatërroi përgjithmonë marrëdhënien gjithmonë të brishtë mes fqinjëve shqiptarë dhe serbë që jetojnë në këtë territor diskutabil.

Imazhet e tij kapin si momentet ikonike të lidhura me luftën—forcat e ushtrisë serbe të armatosura rëndë, rebelët e UÇK-së me flamurin e tyre të kuq shqiptar, refugjatët e dëshpëruar, hyrja triumfuese e forcave të NATO-s – por edhe aspektet më pak të njohura dhe më të pakëndshme të konfliktit, si hakmarrjet e përhapura të kryera ndaj fshatarëve serbë dhe romë në Kosovë pas luftës, duke çuar në shpërnguljen dhe ikjen e tyre masive. Në formën më të thjeshtë, historia e Kosovës është një histori gjakderdhjeje dhe urrejtjeje, dhe jo triumfi.” – Shkëputur nga teksti i Peter N. Bouckaert, Ish-drejtor i Emergjencave, Human Rights Watch. 

Hapja organizohet sonte, 25 qershor, në ora 19:00, në Grand Hotel – Kati 4, në Barabar Centre./ KultPlus.com 

Paketa e Maleve, Bashkitë identifikojnë zonat prioritare për zhvillim ekonomik

Të gjithë bashkitë në vend janë angazhuar për të përcaktuar zonat malore që do të zhvillohen për investime.  Ndërsa është botuar në Fletoren Zyrtare, udhëzimi për përcaktimin e rregullave të hollësishme për dokumentacionin dhe procedurën e shpalljes së zonës me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore nga të gjitha bashkitë në vend.

Sipas procedurave të identifikimit të zonave të zhvillimit, brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, kryetarët e bashkive do të urdhërojnë ngritjen e grupeve të punës për identifikimin dhe hartëzimin e zonës së zhvillimit brenda territorit të bashkisë.

Procesi do të realizohet në bashkëpunim me drejtorinë përkatëse vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të verifikuar statusin e pronës së poseduar nga pretenduesi për t’u njohur posedues jo pronarë në atë pjesë të territorit që synohet të shpallet zonë zhvillimore.

Sipas udhëzimit, kryetari i bashkisë do të paraqesë pranë ministrit përgjegjës për pushtetin vendor kërkesën për shpalljen e zonës zhvillimore në territorin e bashkisë.

Në dosje do të jenë të përfshira: raporti përmbledhës i procedurës së ndjekur nga bashkia, hartën e zonës së propozuar, dokumenti analizues mbi efektet e pritshme dhe se si shpallja e zonës së zhvillimit mund të kontribuojë në nxitjen dhe realizimin e potencialit për zhvillim ekonomik, industrial apo turistik të zonës.

Nga paketa e maleve qeveria pret një ofertë turistike edhe më të larmishme. Një pjesë e investimeve do të kenë formën agroturistike, një formë investimi që ka gjetur zbatim në vitet e fundit gjerësisht në vendin tonë.

Qeveria ka parashikuar që 500 aplikimet e para do të jenë pa taksa. Synohet që një pjesë e emigrantëve të kthehen në vend për të përfituar nga nisma./atsh/ KultPlus.com

‘Syrigana: Operë në pesë akte’ nga Petrit Halilaj që bën bashkë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen

Filharmonia e Kosovës ka ndarë posterin zyrtar të operës “Syrigana: Një operë në pesë akte” – një ngjarje e papërsëritshme që do të zhvillohet për vetëm një natë në fshatin Syriganë, në zemër të Drenicës.

Sipas një njoftimi për media kjo vepër e re performuese, e bashkëkrijuar me Filharmoninë e Kosovës, sjell një rrëfim dashurie të frymëzuar nga mitet lokale dhe kujtesa personale e kolektive, të vendosura në një peizazh që flet për historinë e një rajoni të tërë.

“Me një skenë të ndërtuar nga vagona traktorësh, pjesëmarrje nga artistë lokal dhe tinguj të gjallë nga Filharmonia, “Syrigana” është një ftesë për të imagjinuar të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen ndryshe”, thuhet në njoftim.

Fituesit e edicionit të 8-të të “International Tirana Photo Festival”

Konkursi i fotografisë “International Tirana Photo Festival” ndau çmimet e edicionit të tij të 8-të.

Në Kategorinë “Single”, fitues u shpall Denis Morina dhe e dyta u rendit Florie Cenaliaj.

Ndërsa në Kategorinë “Foto Stories” vendin e parë e fitoi Radoje Jovanociv dhe të dytin Mehmet Uluyurt. Juria vendosi të vlerësonte me çmim inkurajues Esmeralda Korinin, ndërsa çmimi i publikut shkoi për Giulia Forza-n. Gjithashtu pati edhe një çmim për videon më të mirë, të cilin e meritoi Altin Serani.

Tema kuratoriale e këtij edicioni ishte “Mesdheu”, temë e cila kërkoi nga fotografët, shqiptarë apo të huaj, pa dallim nëse ishin amatorë, profesionistë apo thjesht entuziastë të këtij medium, të sillnin prirjet e tyre artistike në të treja kategoritë e Festivalit; Foto Singles, Foto Stories dhe Short Video.

Çmimet e edicionit të 8-të u ndanë në një atmosferë të ngrohtë me komunitetin e fotografëve të këtij festivali. Ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Bashkisë, Andi Seferi, fotografi Roland Tasho i cili së bashku me Rozafa Shpuzën ishin në jurinë e festivalit, e gjithashtu shkrimtari Ben Blushi e kuratori i ekspozitës Elton Koritari.

Punët pjesëmarrëse në festival u stampuan në një album fotografik të titulluar “Mediterranean”.

Muzika që u reziston shekujve – 15 kryeveprat klasike më të dëgjuara të të gjitha kohërave

Muzika klasike vazhdon të magjepsë breza të tërë, duke tejkaluar kohën dhe teknologjinë. Të dëgjuara në koncertet më të mëdha, përdorur në filmat më të famshëm dhe shpesh të luajtura në ceremoni apo momente të veçanta, këto kompozime nuk janë vetëm tinguj por janë histori, emocione artistike të përjetshme.

Këto vepra përfaqësojnë jo vetëm kulmin e mjeshtërisë muzikore, por edhe fuqinë e muzikës për të lidhur njerëzit përtej kohës, gjuhës dhe kulturës.

Antonio Vivaldi, “La Primavera” (Pranvera) – Nga cikli “Le Quattro Stagioni” (Katër Stinët), kjo pjesë është një nga më të njohurat e muzikës baroke.

Ludwig van Beethoven, “Sonata e Hënës” (Sonata Nr. 14 në Do Minor “Quasi una fantasia”, Op. 27 Nr. 2) – Një nga veprat më të famshme për piano, me një ndjesi melankolike dhe të qetë.

Claude Debussy “Arabesque Nr. 2 në Mi maxhor” – Një pjesë impresioniste që shquhet për finesën dhe lëvizjen e lehtë melodike.

Ludwig van Beethoven,  “Für Elise” – Një nga veprat më të njohura për piano solo, shpesh e njohur nga fillestarët e pianos.

Ludwig van Beethoven, “Simfonia Nr. 5 në Do minor, Op. 67” – Me hyrjen ikonike kjo simfoni është simbol i triumfit ndaj fatit.

Felix Mendelssohn “Ëndrra e Natës së Verës: Marshi i Dasmës” – Një pjesë që luhet shpesh në dasma, me tone magjike dhe romantike.

Johann Sebastian Bach “Toccata dhe Fuga në Re minor, BWV 565” – Një pjesë dramatike për organo që shpesh përdoret në filma dhe skena horror.

Johannes Brahms , “Vallet Hungareze Nr. 5” – Një vals plot energji dhe ritëm folklorik.

Wolfgang Amadeus Mozart  “Sonata për Piano Nr. 11 në La maxhor, K. 331: III. Alla Turca” – E njohur si “Rondo alla Turca”, kjo pjesë është mjaft ritmike dhe e gjallë.

Franz Schubert “Ave Maria” – Një pjesë vokale e thellë dhe e ndjerë, shpesh e interpretuar në ceremoni fetare.

Wolfgang Amadeus Mozart “Eine kleine Nachtmusik” (Serenata Nr. 13 për Orkestër në Sol Majore, K.525) – Një serenatë e lehtë dhe e njohur që simbolizon klasikën vjeneze.

Niccolò Paganini “Caprice Nr. 24 në La minor” – Një nga pjesët më të vështira për violinë solo, e famshme për virtuozitetin e saj.

Pyotr Ilyich Tchaikovsky “Liqeni i Mjelmave” – Një balet romantik dhe tragjik, me muzikë që është bërë ikonike për kulturën klasike.

Johann Strauss II , “Danubi Blu” (An der schönen blauen Donau, Op. 314) – Valsi më i famshëm në botë, simbol i elegancës vjeneze.

Wolfgang Amadeus Mozart, “Simfonia Nr. 40 në Sol minor, K. 550” – Një simfoni dramatike dhe plot tension që tregon mjeshtërinë e Mozartit. /rtsh.al/ KultPlus.com

Vdes aktori, Joe Marinelli

Joe Marinelli ka vdekur.

Aktori ishte më i njohur për punën e tij në telenovela si “Santa Barbara”, “General Hospital” dhe “Guiding Light”. Krahas punës së tij në telenovela, ai u shfaq edhe në serialin “The Morning Shoë”.

Gruaja e Joe, Jean Marinelli konfirmoi në një deklaratë për The Hollywood Reporter se ai kishte vdekur të dielën në moshën 68-vjeçare pas një beteje me kancerin në stomak, transmeton Klankosova.tv .

Midis viteve 1980 dhe 2000, Joe u shfaq në një numër serialesh të ndryshme, duke bërë fillimisht emër për veten si Bunny Tagliatti në “Santa Barbara”. Kohët e fundit, aktori luajti rolin e Donny Spagnoli në The Morning Shoë të Apple TV+ së bashku me Reese Witherspoon dhe Jennifer Aniston.

16 vite nga vdekja e Michael Jackson, ikonës së muzikës pop

Michael Joseph Jackson, lindi më 29 gusht 1958 në Gary, Indiana.

Ai ishte muzikant, këngëtar, autor, producent, kompozitor, koreograf, prodhues, valltar amerikan.

I pagëzuar si Mbreti i Popit, apo siç kanë dëshirë ta quajnë adhuruesit e kësaj muzike, King of Pop, ai njihet si një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

Kontributet e Jackson në muzikë, kërcim, modë, e kanë bërë atë një figurë globale në kulturën botërore për më shumë se katër dekada.

Michael Joseph Jackson vdiq më 25 qershor 2009 në Los Anxhelos, Kaliforni./ KultPlus.com

Kuvendi tenton konstituimin për herë të 37-të

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot, në përpjekjen e 37-të me radhë për ta konstituar legjislaturën e nëntë të këtij institucioni.

Procesi vazhdon të mbetet i bllokuar në votimin e Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit: PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe deri më tani nuk kanë propozuar as anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë dhe as nuk kanë marrë pjesë në votim. Si pasojë, sa herë që kjo çështje është hedhur në votim, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Në seancën e fundit, propozimi për themelimin e Komisionit nuk arriti të kalojë, pasi 53 vota ishin për, një kundër dhe asnjë abstenim.

George Orwell dhe alegoria politike te vepra monumentale, ‘Ferma e Kafshëve’

Letërsia botërore ka tituj dhe autorë, të cilët kanë vënë gurthemele të mëdhenj të mendimit dhe shprehjes, të idesë dhe filozofisë, të mesazhit dhe figurshmërisë, alegorisë dhe groteskut… të gjithë atij ansambli vlerash dhe qëllimsishë. Në këtë univers të parrokshëm, “Ferma e Kafshëve” e George Orwell ka ardhur për të mbetur një shënjim të atij misioni të lartë që pena mëton, urtësisht, artistikisht dhe kurajshëm.

“Ferma e Kafshëve” është një novelë alegorike nga George Orwell. Ajo u botua s’pariherë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas shkrimtarit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell si një socialdemokrat, ishte një kritik i ashpër i Josif Stalin, gjithashtu dhe armiqësor ndaj Moskës, drejtuar stalinizmit. Qëndrim, i cili ishte formuar në mënyrë kritike nga përvoja e tij personale gjatë Luftës Civile Spanjolle. Ai besonte se në Bashkimi Sovjetik ishte instaluar një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori. Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi librin “Ferma e Kafshëve” si një përrallë satirike kundër Stalinit. Në esse-në e tij “Pse unë shkruaj ” (1946), George Orwell shkroi se “Ferma e Kafshëve” ishte i pari libër, në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen e plotë të asaj që po bënte, “për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi”.
“Ferma e Kafshëve” ka fituar statusin si një prej 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze, sipas “Time Magazine.

Idenë e këtij libri ai e kristalizoi në kohën kur ai detyrohej që të ikte nga spastrimet e komunistëve në Spanjë, e kishte inspiruar atë që të kuptojë se “sa lehtë propaganda totalitare mund ta kontrollojë mendimin e njërzve të ditur në vendet demokratike”.

Për këtë ‘përrallë satirike në fermë’ Orwell u inspirua pasi që e pa një djalë të vogël që e rrahte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”. Orwell fillimisht kishte shumë vështirësi në marrjen e dorëshkrimit për këtë libër, e kryesisht kjo frikë ishte për shkak të ndjenjave të tij anti-ruse.
Libri më në fund u pranua për t’u botuar nga botuesi britanik, Jonathan Cape. Mirëpo edhe kësaj kompanie nuk i’u deshtë shumë për të ndryshuar mendje. Kjo sepse botuesi u kërcënua nga Peter Smollet, një zyrtar i qeverisë ruse.

Bota përball këtij libri u nda më dysh. Kritika nuk u kursye ta fshikullojë. E megjithatë ai pati një sukses të padikutueshëm. Ai vërtetë nuk arriti të rrëzonte stalinizmin nga sundimi gjakatar dhe mizoritë që ushtroi ndaj popullit rus, por ama e denoncoi atë botërisht. Si pakkush, ai guxoi të sulmonte me penë një armik dhe një barbar. Gjithashtu ai i dha botës një mësim të vyer. “Ferma e Kafshëve” është alegoria politike më e famshme e shekullit të XX. /Albert Vataj/ KultPlus.com

Shqipërinë në maj e vizituan 1 milion turistë të huaj, 95 për qind prej tyre nga Europa

Në majin e vitit 2025, Shqipëria ka përjetuar një fluks të lartë vizitorësh, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Shqipërisë (INSTAT). Gjatë këtij muaji, në vend kanë hyrë mbi 1,6 milion shtetas shqiptarë dhe të huaj që shënon një rritje prej 4,3 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Vetëm turistët e huaj kanë qenë mbi 987 mijë, që përfaqëson një rritje prej 1,4 për qind krahasuar me majin e vitit të kaluar. Ndër ta, 95 për qind kanë qenë shtetas nga vendet e Europës, konkretisht 72 për qind nga Europa Jugore dhe 14 për qind nga Europa Perëndimore, raporton Trt global, transmeton Klankosova.tv.

Qëllimi kryesor i vizitave ka qenë turizmi. Hyrjet për pushime përbëjnë 98 për qind të rasteve, me një rritje prej 0,9 për qind krahasuar me majin e vitit 2024.

Gjithashtu, gjatë periudhës janar–maj 2025, Shqipërinë e kanë vizituar gjithsej 3,4 milionë turistë të huaj – 3,9 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Pritshmëritë e turoperatorëve mbeten të larta, veçanërisht për muajt e verës, kur Shqipëria zakonisht regjistron flukset më të mëdha turistike.

Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 89-të

Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 88-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com

Vdes Alvaro Vitali, ikona e kinemasë italiane 

Alvaro Vitali, aktori dhe komediani italian shumë i dashur për rolin e tij si Pierino dhe personazhet e tij të shumtë në filmat e zhanrit komedi vdiq sot pasdite në Romë në moshën 75-vjeçare, sipas “ilsole24ore”.

I lindur më 3 shkurt 1950, Vitali ishte shtruar në spital dy javë më parë për bronkopneumoni të përsëritur.

Alvaro Vitali lindi në një familje të klasës së mesme, babai i tij ishte pronar i një kompanie të vogël ndërtimi ndërsa nëna e tij drejtonte një fabrikë të vogël “Titanus”.

Pasi mbaroi klasën e tetë, ai la shkollën dhe pasi punoi për një periudhë si elektricist, talenti i tij si komedian u zbulua nga Federico Fellini gjatë një audicioni.

Në vitin 1969, Vitali bëri debutimin e tij në kinema me një rol të vogël në filmin “Fellini Satyricon”.

Më pas ai u shfaq në “I clowns” (1971), në filmin “Roma” (1972), në të cilin ai luan rolin e një balerini, një rol që ai e luajti edhe në vitin pasardhës në filmin “Polvere di stelle”, me regji dhe protagonist Alberto Sordi, dhe në filmin “Amarcord” (1973), me Ciccio Ingrassia.

Fama e Vitali është e lidhur ngushtë me komedinë italiane. Pasi luajti në filmin “La poliziotta” (1974), me regji të Stefano Vanzina, Vitali tërhoqi vemendjen e producentit Luciano Martino. Që nga ai moment, Vitali filloi të punojë me kompaninë e prodhimit të filmave “Dania-Film”.

Alvaro Vitali ka luajtur në mbi 150 filma. Në vitet 2004-2005, ai u rikthye në “Striscia la Notizia” në rolin e Jean Todt, atëherë drejtor i Scuderia Ferrari.

Në vitin 2006, ai mori pjesë në edicionin e tretë të reality show-t “La Fattoria”, por iu desh ta braktiste për shkak të problemeve me astmën./KultPlus.com

Ernesto Sabato: Shumë i vështirë zanati i të jetuarit

Është e çuditshme, por të jetosh do të thotë të krijosh kujtime të së ardhmes; pikërisht tani , këtu përballë detit, di që jam duke përgatitur kujtime të vogla, që ndonjëherë do më sjellin melankolinë dhe zhgënjimin. Jeta është kaq e shkurtër dhe zanati i të jetuarit kaq i vështirë saqë sapo njeriu fillon ta mësojë, i duhet të vdesë.

Në jetë janë më të rëndësishme iluzioni, imagjinata, dëshira dhe shpresa. Tek mirësia fshihen të gjitha llojet dijes. Me masën që i afrohemi vdekjes, njëkohësisht i afrohemi tokës… copëzës së tokës në të cilën rrodhi fëmijëria jonë, në të cilën kemi luajtur… magjia e parikuperueshme e të parikuperueshmes fëmijëri.

Çfarë maske vendosim, apo çfarë maske ka për të na mbetur kur të jemi vetëm, kur të besojmë që askush, askush nuk na sheh, nuk na kontrollon, nuk na dëgjon, nuk na kërkon, nuk na lutet, nuk na detyron, nuk na sulmon? Zoti im, Zoti im. Vdekja as nuk është tipi im, megjithëse shpesh herë më tërheq.

E kam thënë edhe më parë dhe e rikonfirmoj: kërkimi i një jete humane, duhet të fillojë nga edukimi. Atëherë, të privuar nga afërsia e një përqafimi, apo e një tavoline të përbashkët, do na mbeten “mjetet e komunikimit”./KultPlus.com

Java Franceze e Kulturës përmbyllet në qytetin e Korçës me videoprojektime dhe magjinë e filmit

Galeria e Arteve Digjitale në Korçë u kthye në një pikë referimi bashkëpunimi artistik mes Shqipërisë dhe Francës, duke sjellë ekspozita interaktive dhe projekte digjitale.

Hapësira moderne dhe teknologjikisht e avancuar e galerisë u vu në funksion të artit bashkëkohor francez, ku artistë nga studio Pil’z në Chambery sollën krijime që ndërthurin vizualen me teknologjinë.

Videoprojektime në mur e shumë elementë interaktivë e transformuan galerinë në një botë virtuale arti dhe ndjesish.

 “Jemi këtu për të sjellë këtë projekt, veçanërisht dy videot e Damien Traversaz, që sjell dy përvoja unike. Ne realizuam këto video në mur. Përdorëm këtë dhomë të magjishme. Për mua është vërtet kënaqësi të jem këtu. Edhe qyteti është shumë miqësor’, tha Julien Cuny, artist.

Ky bashkëpunim, në kuadër të Javës së Kulturës Franceze, nuk solli vetëm prezantim të teknologjisë artistike franceze, por edhe një frymëzim për të ardhmen e artit digjital në Shqipëri, shkruan shqiptarja./KultPlus.com

Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin gjerman Jörn Rohde

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, z. Jörn Rohde.

Në fokus të takimit ishin zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë te procesi i konstituimit të institucioneve të reja. Me këtë rast, u diskutua edhe për implikimet e moskonstituimit të institucioneve në procese të tjera të rëndësishme për vendin.

Gjatë diskutimit, u trajtuan gjithashtu mundësitë për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, në dritën e një qeverie të re në Gjermani, si dhe për angazhimin e përbashkët në fusha të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Presidentja Osmani falënderoi Gjermaninë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe rikonfirmoi gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në dobi të të dyja vendeve./KultPlus.com

QKK me ftesë për diskutim publik ‘Hartimi i çmimores së re të industrisë së filmit’

Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë gjithë filmbërësit, artistët, autorët, punëtorët e filmit dhe industrisë audiovizuale të marrin pjesë në diskutimin publik ‘Hartimi i çmimores së re të industrisë së filmit’, përcjell KultPlus.

Diskutimi do të mbahet më 1 korrik 2025 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Në vijim gjeni njoftimin e QKK-së:

Ftesë për diskutim publik: Hartimi i çmimores së re të industrisë së filmit

Qendra Kinematografike e Kosovës fton të gjithë filmbërësit, artistët, autorët, punëtorët e filmit dhe industrisë audiovizuale, si dhe të gjithë të interesuarit, të marrin pjesë në diskutimin e parë publik drejt hartimit të çmimores së re, si dokument udhëzues për mbështetjen financiare të projekteve filmike dhe formave të ngjashme audiovizuele.

QKK-ja si fondi kryesor publik për filmin në Kosovë, synon që përmes këtij procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës, të ndërtojë një çmimore që pasqyron realitetin aktual të punës krijuese dhe të prodhimit në këtë fushë, duke garantuar barazi, transparencë dhe qëndrueshmëri.

Deri tani është pranuar një propozim për çmimoren e re nga Shoqata e Producentëve, e cila do të ndahet me pjesëmarrësit për diskutim dhe reflektim të përbashkët.

Diskutimi do të mbahet më 1 korrik 2025, nga ora 13:00 deri në 15:00, në amfiteatrin e Teatrit Kombëtar në Pallatin e Rinisë, Prishtinë.

Njëkohësisht, për qasje më të lehtë në dokumentacionin ekzistues, gjeni më poshtë vegëzën për të parë çmimoren aktuale: https://qkk-rks.com/uploads/files/2018/March/13/Lista_e_Pagesave_e_Aprovuar_nga_QKK1520945400.pdf?fbclid=IwY2xjawLH0cxleHRuA2FlbQIxMABicmlkETBhcXJjc2Z3WGI3b2w0ajJsAR58huF1LITg06JFvIEd46bco1aRYmk2-NPFqiNX-0I1Ma-N9n69caXacwNhjg_aem_Ta6Rm4UcG_tSoukqoEOI2Q/KultPlus.com

Sadri Ahmeti, poeti që nuk i përngjau kurrë askujt

Në poezinë e Sadri Ahmetit të bën përshtypje realizimi dhe thellimi në dramën e jetës njerëzore, përpjekja për të mos i ngjarë askujt tjetër, veç vetes. Poezia e tij e ndjerë dhe e ngrohtë, përsërit vetë jetën, një oshtimë e fuqishme e vetë asaj.

Fantazia e poetit, nuk fluturonte nëpër qiejt e trëndafilta të ëndërrimeve romantike e të zbrazëta, madje nuk mbyllej as në guaskën e egocentrizmit për t’u bërë jehonë e dhimbjeve dhe e gëzimeve të qenies së tij të vetmuar.

Veten Sadriu e vështronte gjithnjë të lidhur me hallka të pazgjidhshme, me fatin e mijëra njerëzve të tjerë, që vërtiteshin nën të njëjtën kube të qiellit ballkanik e që përjetonin çdo ditë fatin e hidhur, që banorëve të këtij gadishulli të lashtë, ua gatoi historia e tyre gjithë luftëra e përpjekje mbinjerëzore për liri, demokraci e diplomaci, si dhe intrigat e Fuqive të Mëdha, të cilat deshën që Ballkani të ishte gjithmonë një mollë sherri, një fuçi baroti në bri të Evropës.

Më fort se kudo, kjo trysni satanike për ta gjymtuar njeriun e për të thyer karakterin e shpirtin e kombit, u ndie nëpër rrathët e ferrit të diktaturës, nëpër burgjet dhe nëpër kampet e përqendrimit. Golio Otoku, ku ndiheshin thikat e dhëmbët kërcënonjëse prej përbindëshi të UDB-së, serbomadhe, ishte pjella më e shëmtuar e shtypjes dhe e poshtërimit njerëzor.

Për çudi, me të përngjasonte mjaft tepër Makronisi grek dhe Spaçi i mijëra viktimave të mjera shqiptare. Ngjet kjo poemë e Sadri Ahmetit me përmbajtjen që na zbulojnë poezia dhe poemat e Ricosit, të Vretakosit dhe të N. Hikmetit. Është po i njëjti realitet i dhimbshëm dhe i llahtarshëm, po e njëjta lëndë jetësore dhe po i njëjti brumë njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm.

Kujtojmë vetë, ndjejmë frymëmarrjen e një poeti tjetër, që na shfaqet me diçka të veten, jo vetëm në temperament dhe botë të brendshme, por edhe në strukturën e poezisë që na shkruan. Ndihet nëpër këtë poezi shpërthimi i gjakut arbër, më rebeli e më i fismi nga çdo lloj gjaku tjetër, ajo mençuri e filozofi, që në popullin tonë përpunoi jeta e kohërat që jetoi.

Nga fizionomia, poezia e Sadri Ahmetit, është aq brenda frymës së poezisë shqiptare, sa edhe moderne e krejtësisht e tij. Shkrihen nëpër fijezat e nënshtresat folklorike përfitimi nga studimi i poetëve më të dashur për të, ndikimi i De Radës dhe i Mjedës, i Migjenit dhe i Esat Mekulit, por edhe i Ricosit e i Kërlezhës. Sadri Ahmeti nuk pati kohën e mjaftueshme për t’u marrë krejtësisht me poezi, jeta e tij kaloi nëpër mundimet e burgjeve dhe të internimeve, në luftën e përditshme për të fituar bukën e gojës, larg sallave të bibliotekave e të një jete komforte. Poezia e tij përjetoi fatin që përjetoi një popull i tërë dhe ndoshta kjo e afroi më pranë me realitetin tonë dhe e ndihmoi për të mos rënë në kurthin e një poezie thjesht personale dhe egocentrike.

Poeti tregon: “Në vitin1963, kur ndodhesha me punë në Berat, kam shkruar poemën për Golio Otokun, ku u torturuan në mënyrë çnjerëzore dhjetëra mijëra njerëz të pesëmbëdhjetë kombësive. Ata që kishin ngritur këtë kamp të tmerrshëm, donin të përtërinin kampet famëkëqija të nazizmit, ashtu siç u përpoqën dhe në tërë format e politikës me gjithë sloganet e lustrën që mundoheshin t’i jepnin fasadës së jashtme. Njerëzit që vuajtën dhe lënguan në Golio Otok, unë i kam parë me sy, që kur isha çunak, në trevat e vendlindjes sime.

Ata ishin kufoma të gjalla memece, që mund t’i shihje në çdo fshat e qytet të Jugosllavisë. Endeshin si të topitur e zemërvrarë nëpër rrugë dhe mua më dukej, se përmes syve e fytyrës së tyre lexoja si nëpër faqet e një gazete tërë jetën e tyre të pashkruar. U mësova t’i lexoja këto sy e këto fytyra. Përfytyrimi i tyre më ndiqte kudo, zgjuar dhe në gjumë. Në Shqipëri, ku erdha më gëzim, se kisha shpëtuar nga thonjtë e ferrit titist, përjetova me dhimbje pothuaj të njëjtin realitet.

Më vonë, m’u desh të vuaja dhe nëpër galeritë dhe qelitë e ftohta e të tmerrshme të Spaçit. Të tëra këto, më shtynë të shkruaja këtë poemë. Ishte një jetë e tërë, që kërkonte të futej nëpër faqet e vargjet e saj dhe mua m’u desh të vrisja mendjen, se në ç’forma e në çfarë struktura vargëzimi duhej derdhur e gjithë kjo lëndë e bollshme e dhimbshme dhe tragjike, që e përjetoja me vite thellë vetes, e cila s’më linte as edhe një çast të qetë”.

Forma kompozicionale e poemës, që do më pëlqej ta quaj “Dielli nuk lind nga Golio Otoku”, pasi më duket si titull më poetik e më intrigues, ka lindur vetvetiu nën trysninë e vazhdueshme të lëndës jetësore, për të gjetur shtratin, se ku do të derdhej e plotë dhe dramatike, me një ngarkesë të bollshme përshtypjesh e njohje të shumta psikologjie njerëzish, që jetuan këtë ferr të llahtarshëm. Forma e saj është krejtësisht e veçantë. Ajo të kujton më fort strukturën e një romani modern, sesa të një poeme sintezë.

Autorit s’i ka pëlqyer të përmbahej vetëm në kumtimin e një ideje thelbësore, por është munduar të na japë të gjallë gjithë atë tmerr e ato drama të dhimbshme, që ditët luanin për çdo grimcë të kohës nëpër muret e shkëmbinjtë e thiktë e të thatë gëlqeror të Golio Otokut. Nga struktura kompozicionale poema i përgjigjet një mozaiku, por pjesët e këtij mozaiku plotësojnë njëra-tjetrën. Ndeshim nëpër këtë mozaik edhe përshkrime mjedisi e peizazhi, edhe monologë të brendshëm e personazhe të skicuar me mjeshtri e thellësi psikologjike. Lënda jetësore është derdhur me maturi e kursim.

Skëterrës s’iu mbush mendja se ia kish arritur qëllimit.

Ishte dashuria e thellë për jetën, për njerëzit që i prisnin përtej mureve me tela gjembash e kulla vrojtimi, ishte malli për nënat që i prisnin të ktheheshin, malli për motrat e për vajzën e zemrës, ishte besimi e përkushtimi ndaj një ëndrre fisnike e një ideali të madh, ajo forcë që i mbante gjallë këta njerëz të torturuar e të munduar në mënyrat më çnjerëzore. Këtë të vërtetë, poeti na e pohon nëpërmes mjaft faktesh bindëse, atë e gjejmë të shprehur në mënyrë simbolike dhe tek “Kënga e ringjalljes”:

Dikush i ka dhënë nënës besën

Dhe po vdiq i varrosur në gropë kolektive,

Do të ringjallet duke e çliruar

Nga ata që e mbulojnë,

Duke shtyrë shumë këmbë e duar,

Duke këputur pastaj telat me gjemba

E duke vrapuar me shpejtësinë e erës,

Drejt motrave që e presin,

Dhe të pashpresa si qyqet baresin.

Poema na skalit me mjeshtri një varg njerëzish, portreti i tyre na mbetet në mëndje, në saje të tipizimit të karaktereve e të intensitetit të ndjenjës e të mendimit filozofik. Ajo na befason me pasurinë e imazheve e me krijimin e skenave aq realiste e të gjalla, me ndërthurjen e dramës, që zotëron nëpër të gjitha faqet e saj, me tonalitetet lirike e epike.

Herë-herë ritmi i vargut gjallërohet dhe merr intonacionet e rapsodive popullore, vargu i nënshtrohet një ritmike më rigoroze e rimave të rregullta. Kjo veçanti krijon një përthyerje në strukturën e saj, përthyerje që lehtëson frymëmarrjen dhe u jep zhdërvjelltësi monologëve e fragmenteve mozaikale.

Gjuha me të cilën është shkruar, është gjuha e njësuar letrare, por, në të, ndihet në mënyrë tepër të dukshme gjallëria e ngjyrave që ka fituar poezia nga shfrytëzimi në mënyrë krijuese i shtresave të fjalorit aq të pasur verior, si dhe të ndikimeve të sintaksës poetike të gurrës folklorike të vendlindjes, të krahinave të Plavës e të Gucisë.

Poeti Sadri Ahmeti pas viteve 1990 botoi “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Masakra e Tivarit”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Tek lahem në dritën e hënës” etj. Është vlerësuar me çmimin “Onufri” në vitin 1994 nga Galeria Kombëtare e Arteve dhe Ministria e Kulturës. /konica.al/ KultPlus.com

Anija turistike “National Geographic Orion” ndalet në Sarandë, 106 pasagjerë kryesisht amerikanë

Në portin e Sarandës mbërriti sot në mesditë anija turistike “National Geographic Orion” me 106 pasagjerë, kryesisht amerikanë.

Një anije autentike ekspeditash, “National Geographic Orion” shërben si një kamp bazë luksoz për udhëtime në Paqësorin Jugor, Azi, Mesdhe dhe rajonet polare.

Kjo anije është ndërtuar posaçërisht për eksplorim, e pajisur me kajakë, një flotë Zodiacs dhe një automjet të drejtuar nga distanca me pajisje të sofistikuara video.

Turistët pas mbërritjes në port u drejtuan për të vizituar në pikat turistike të Sarandës dhe Gjirokastrës.

Çdo nisje e anijes “National Geographic Orion” shoqërohet nga një specialist nënujor, një instruktor fotografie i certifikuar nga “National Geographic-Lindblad”, një ekspert i fotografisë së National Geographic dhe një profesionist mjekësor me kohë të plotë.

Në udhëtimet në Paqësorin Jugor, 2 mjeshtra zhytjeje do t’i bashkohen çdo ekspedite.

Kjo javë nisi dje me mbërritjen në portin e Sarandës edhe të anijes turistike “L’Austral” me 264 turistë./atsh/KultPlus.com

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’ do të paraqitet për herë të parë në Poloni

Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve ‘Shota’ do të marrë pjesë në Festiavlin Ndërkombëtar të Folklorit ‘Bota nën Kyczera’ në Poloni, përcjell KultPlus.

Në festivalin i cili do të mbahet nga 27 qershor deri më 6 korrik, ‘Shota’ do të performojë më 30 qershor.

Në vijim gjeni postimin e plotë të Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Varshavë:

 ANSAMBLI KOMBËTAR I KËNGËVE DHE VALLEVE NGA KOSOVA “SHOTA” VJEN PËR HERË TË PARË NË POLONI

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe i Valleve “Shota” nga Kosova do të marrë pjesë në edicionin e XXVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit “Bota nën Kyczera”, i cili do të zhvillohet nga 27 qershori deri më 6 korrik 2025 në Legnica, Poloni.

Ky festival është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, i cili mbledh ansamble nga mbarë bota për të prezantuar pasurinë e trashëgimisë popullore përmes këngës, valles dhe kostumit tradicional.

🗓️ Data: 30 qershor, 2025

📍Vendi: Legnica 🇵🇱

Jemi shumë të entuziazmuar që Ansambli “Shota” do të performojë në Poloni trashëgiminë tonë të pasur kulturore, përmes valleve tradicionale, kostumeve autentike dhe muzikës folklorike që rrënjoset thellë në historinë dhe shpirtin tonë kombëtar. 🩰 💃🏼 🕺 🌎./KultPlus.com

Komuna e Prishtinës prezanton orkestrën ‘Orkestra Prishtina’, një hap i ri për jetën muzikore në kryeqytet

Flonja Haxhaj

Prishtina shënoi dje një moment historik në skenën e saj kulturore teksa u prezantua për herë të parë orkestra e kryeqytetit “Orkestra Prishtina (OPR)”, një ansambël i zgjeruar kamertal që synon të japë një hov të ri zhvillimit të muzikës artistike në kryeqytet, shkruan KultPlus.

E themeluar me iniciativë të Komunës së Prishtinës, kjo orkestër vjen si një përgjigje e kërkesës gjithnjë e në rritje për hapësira të mirëfillta kulturore në qytet. Themelimi i saj është realizuar në bashkëpunim me Organizatën për Bashkëpunime Artistike – EHO, me drejtoreshë Gresa Broqin, e cila është gjithashtu edhe pjesë e orkestrës.

Orkestra e kryeqytetit prezantohet me Genc Salihu, si drejtor i orkestrës, dhe violinisti Visar Kuçi, në rolin e koncertmjeshtrit.

Mbrëmja e debutimit nisi simbolikisht me nënshkrimin e marrëveshjes mes kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtoreshës së EHO, Gresa Broqi, të cilët vulosën zyrtarisht fillimin e rrugëtimit të kësaj orkestre.

Në hapje të kësaj mbrëmje, i pari i Prishtinës, Përparim Rama, u shpreh i lumtur që kryeqytetit i është shtuar një derë e re e artit dhe kulturës.

“Në një kohë kur gjithnjë e më shumë të rinj po e zgjedhin artin si gjuhën e tyre dhe inspirohen me mënyrën e tyre të shprehjes dhe publiku ynë po rritet, kemi menduar që edhe Prishtina ta krijojë orkestrën e vet”, u shpreh Rama i cili mes tjerash shtoi se ky nuk është vetëm një institucion i ri, por edhe një premtim që kultura në Prishtinë do të ketë gjithmonë vendin e merituar.

Ndërkaq, koncerti i parë i OPR-së u karakterizua nga një program i përzgjedhur për të reflektuar diversitetin dhe gjallërinë e muzikës klasike. Mbrëmja nisi me veprën ikonike “Brandenburg Concerto No. 3 in G major” nga Johann Sebastian Bach, e ndarë në tri pjesë: Allegro, Adagio dhe Allegro.

Repertori vijoi me një nga veprat më të njohura të Benjamin Britten, “Simple Symphony”, ku publiku pati mundësinë të shijojë katër pjesët karakteristike të saj: Boisterous Bourree, Playful Pizzicato, Sentimental Saraband dhe Frolicsome Finale.

Në përmbyllje, orkestra solli ngjyrat folklorike të Evropës Lindore përmes veprës “Romanian Folk Dances” të Béla Bartók, me interpretimin e pjesëve: Jocul Cu Baya, Braul, Pe Loc, Buciumeana, Parga Romaneasca dhe Maruntel.

Pas koncertit, drejtori i Orkestra Prishtina, Genc Salihu, u shpreh i lumtur që më në fund u është realizuar një ëndërr që e kanë pasur prej kohësh, themelimi i kësaj orkestre.

“Jam shumë i lumtur që më në fund po realizohet një ëndërr që e kemi pasë tash e një kohë të gjatë, ka kohë që me Visar Kuqin dhe Gresa Broqin që ta bëjmë një orkestër e cila ia bën një contrast muzikës simfonike të cilën e përfaqëson denjësisht Filharmonia e Kosovës, duke luajtur veprat të cilat janë më kompakte, më të vogla, të cilat e turbullojnë atë kufirin midis muzikës kamertale dhe simfonike. Prej janarit fillon sezoni ynë zyrtar, do të kemi një numër të konsiderueshëm të koncerteve dhe të punëtorive në vit për shpresojmë për shumë vite me radhë”, theksoi Salihu.

Ndërkaq, koncertmjeshtri i kësaj okestre, Visar Kuçi, u shpreh për KultPlus, se kjo orkestër synon që ta përfaqësojë Kosovën edhe ndërkombëtarisht.

“Ky është një hap shumë i madh, ideja e kësaj orkestre është që kjo të vazhdojë përjetësisht, do të thotë ne që jemi të parët që po e fillojmë, e kemi për detyrë që të fillojmë dhe ta ngrisim në një nivel sa më të lartë të mundshëm, që të vazhdojë edhe në gjeneratat e ardhshme dhe të ketë edhe njohje ndërkombëtare”, tha Kuçi duke shtuar tutje, se shpresojnë që kjo orkestër t’i japë qytetit dhe shtetit një përfaqësim të denjë dhe profesional.

Për KultPlus foli edhe drejtoresha e EHO, Gresa Broçi e cila shpjegoi rëndësinë e themelimit të kësaj orkestre dhe për planet e saj në të ardhmen.

“Gjithçka sonte ka shkuar shumë mirë, ishte shumë artistike, kishte emocione shumë të bukura. Në prespektivën e instrumentistes, në aspektin profesional, është shumë e rëndësishme që të krijohen sa më shumë orkestra të reja, dhe jo vetëm për mua por për  të gjithë kryeqytetin dhe të gjithë artistët është një iniciativë mjaft e mirë që është realizuar me një punë të madhe ekipore dhe që në të ardhmen të ketë mundësi, të jetë një derë e re që të integrohen instrumentistët. Planet janë shumë interesante, kemi përpiluar programin, do të paraqitemi me koncerte në një të ardhme shumë të afërt, do të integrohen solistë, dirigjentë të njohur, por gjithashtu kemi edhe plane edhe në aspektin edukativ ku do të realizojmë edhe punëtori”, tha Broqi./KultPlus.com

Qeramika e Picasso-s tejkalon pritshmëritë në ankandin në Gjenevë

Shtatë pjata dhe enë unike qeramike të pikturuara nga artisti i famshëm spanjoll Pablo Picasso, të krijuara midis viteve 1947 dhe 1964, janë shitur në Gjenevë të Zvicrës, për një total prej 290,000 euro.

Qeramika e pikturuar me dorë, e paparë më parë, që paraqet zogj, peshq dhe dhi, u dizenjua në Punëtorinë e Qeramikës Madoura në Vallauris. Ato ishin mbajtur privatisht për gati 40 vjet.

Piguet i Gjenevës i cili drejtoi shitjen, vuri në dukje në një njoftim për shtyp se çmimi i parashikuar për lotet ishte 154,000 euro duke e bërë ankandin një sukses të habitshëm. 

Shuma e shitur në ankand, “pasqyron entuziazmin e publikut për veprat e mjeshtrit në të gjitha format e tyre”, deklaroi Piguet.

 “Picasso ishte tashmë një artist me famë ndërkombëtare. Ai kishte hapur tashmë një numër të madh rrugësh për të gjithë artistët; veprat e mëdha dhe të njohura ishin krijuar dhe ai po kërkonte mjete të reja shprehjeje për artin e tij”-tha drejtuesja e pikturave dhe skulpturave në Piguet.

Në mediumin qeramik, rekordi për një vepër të Picasso-s është 980,275 paund për prototipin e vazos së artistit të vitit 1950, që u shit në Londër në vitin 2013./KultPlus.com