Spanja fiton Kupën e Botës për femra për herë të parë, duke mposhtur me meritë Anglinë

Spanja arriti kulmin në Sydney të dielën, duke mposhtur Anglinë 1-0 për të fituar Kupën e Botës për femra për herë të parë, përcjell KultPlus.

Fakti që Spanja kishte kaluar në finale, duke pasur parasysh vitin e trazuar që kishte përjetuar kombëtarja, ishte e jashtëzakonshme.

“La Roja” triumfoi përkundër se Anglia është kampioni në fuqi i Evropës dhe ishte favoritit para ndeshjes, pavarësisht mosmarrëveshjeve dhe ndarjeve që kanë turbulluar kombëtaren spanjolle gjatë gjithë turneut, e bën këtë arritje të jashtëzakonshme.

Goditja e mrekullueshme e Olga Carmona në minutën e 29-të doli të ishte fituese, përkundër faktit që këta të fundit e humbën edhe një penallti në pjesën e dytë, në fund triumfuan duke u shpallur kampion.

As pas liberalizimit, kosovarët nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë

Edhe pse liberalizimi i vizave vlen për të gjitha vendet e zonës Schengen, bartësit e pasaportave të Kosovës, nuk do të mund të udhëtojnë në Spanjë, për shkak se ky shtet anëtar i Bashkimit Evropian nuk ia njeh pasaportat.

Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Komisionit Evropian për Çështje të Brendshme, Anitta Hipper.

E pyetur nëse qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë në Spanjë, ajo nuk e përmendur në mënyrë specifike këtë vend, vetëm ka thënë se liberalizimi nuk do të vlejë për “një shtet”.

“Njohja e dokumenteve të udhëtimit është një kompetencë shtetërore. Në mesin e vendeve të Schengenit, të gjithë, pos një vendi, i kanë njohur dokumentet e udhëtimit të Kosovës. Kjo do të thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën do t’iu mundësojë bartësve të pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza në të gjitha këto vende, pos në njërin prej tyre”.

Spanja, e cila prej 1 korrikut merr edhe kryesimin e Bashkimit Evropian, është më e zëshme sesa katër vendet tjera të BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.

Megjithatë, gjatë procesit të miratimit të vendimit për vizat, Spanja nuk ka kundërshtuar.

Vendet tjera mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës janë: Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia.

Ato i njohin pasaportat e lëshuara nga autoritetet e Kosovës.

Më 18 prill, Parlamenti Evropian e ka miratuar vendimin për vizat, ndërsa dokumenti është nënshkruar më 19 prill.

Vendimi parasheh që qytetarët e Kosovës, të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen, prej 1 janarit të vitit 2024.

Regjimi pa viza mundëson udhëtime vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Udhëtimet pa viza duhet të shërbejnë për vizita turistike, çështje familjare ose të ngjashme, dhe në asnjë rast nuk nënkuptojnë leje pune ose përfitime të tjera.

Kosova, aktualisht, është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen./rel/KultPlus.com

Gjashtë fotografë shqiptarë me porosi për Spanjën: Njihe Kosovën

Në Valencia të Spanjës janë shkrepë fotografitë, ku nëpërmjet gjashtë fotografëve shqiptarë është fokusuar natyra e këtij vendi, fotografi që do të prezantohen nëpërmjet një ekspozite në KultPlus Caffe Gallery.

Në këtë ekspozitë do të prezantohen 12 fotografi nga gjashtë fotografët shqiptarë, por që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës e ata janë: Arben Berisha, Vebi Sulejmani, Jetmir Troshani, Refik Ibrahimi, Ruzhdi Ibrahimi dhe  Sevdail Sulejmani.

Andaj jeni të ftuar që të shihni për së afërmi këtë ekspozitë e cila përpos që ka për qëllim prezantimin e natyrës së Spanjës, ka për qëllim edhe lidhjen e Spanjës dhe Kosovës, pasi që fotografitë e realizuara në Spanjë, për herë të parë po prezantohen në Prishtinë. Dhe qëllimi i kësaj ekspozite në prag të shënimit të 15-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është që ti rikujtojë Spanjës pranimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Natyrë, emocion, bashkëbisedim dhe verë ju pret në këtë mbrëmje artistike, ku do të kemi pak Spanjë në mes të Prishtinës.

Ekspozita do të hapet më 16 shkurt në KultPlus Caffe Gallery në ora 19:00, dhe do të rri e hapur dy javë. / KultPlus.com

Ish-kryeministri spanjoll: ShBA gjithmonë ishte e obsesionuar me Kosovën

Ish-kryeministri i Spanjës, José Luis Rodríguez Zapatero, ka thënë se Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të obsesionuara me Kosovën gjatë mandatit të tij, duke treguar se në bisedimet me përfaqësuesit amerikanë, gjithmonë është përmendur Kosova.

I pyetur për vendimin e kryeministrit të tanishëm spanjoll, Pedro Sánchez, për të mbështetur propozimin e autonomisë marokene për Saharanë Perëndimore, Zapatero tha se në bisedimet me ShBA-në asnjëherë nuk u përmend çështja e Marokut, por se sipas tij, ShBA më së shumti fliste për Kosovën.

“Në gati tetë vitet që isha në qeveri, nëse kishte një temë që nuk u shfaq kurrë në dialogët tanë, marrëveshjet dhe mosmarrëveshjet me Shtetet e Bashkuara, ishte tema e Marokut. Është krejtësisht e lehtë për mua të kujtoj se Kosova ishte një obsesion i madh i Shteteve të Bashkuara me Spanjën. Sigurisht, Amerika Latine, Afganistani, Iraku, po ashtu ishin tema të diskutuara. Por Maroku nuk ishte. Dhe nuk mendoj se është tani”, tha ish-kryeministri spanjoll në një intervistë për elDiaro.

Zaptero shërbeu si kryeministër i Spanjës nga viti 2004 deri në fund të viti 2011, në kohën kur president i ShBA-së ishte Geroge Bush, deri më 2009, dhe pasuesi i tij, Barack Obama. /KlanKosova /KultPlus.com

Spanja përballet me zjarre pas temperaturave të larta

Zjarret e mëdha e kanë goditur Spanjën, shteti evropian po përballet me fillimin e verës me të ngrohtë në dekada.

Pjesë të Evropës Perëndimore kanë përjetuar nxehtësi ekstreme nën një valë ajri të nxehtë që është zhvendosur në veri nga Afrika.

Temperaturat si në Spanjë ashtu edhe në Francë kanë thyer rekorde, duke ushtruar presion mbi spitalet dhe rrjetet e energjisë. /Express / KultPlus.com

Sot mbahet tryezë e rrumbullakët mbi letërsinë dhe kulturën mes Kosovës dhe Spanjës

Sonte me fillim nga ora 19:00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, zhvillohet ‘Tryeza e Rrumbullakët Mbi Letërsinë dhe Kulturën mës Kosovës dhe Spanjës’.

Në këtë tryezë do të diskutohet gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.

Për këto tema do të lfasin, Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe njohëse e botës latino-amerikane, dhe Sylë Maxhera, ish sportist i njohur në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant dygjuhësh, në shqip e spanjisht. /KultPlus.com

Mehaj falënderon Torres për fushatën lobuese ndaj Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka falënderuar kongresistin amerikan Ritchie Torres, për fushatën lobuese që ky i fundit po e bën rreth anëtarësimit të përshpejtuar të Kosovës në NATO dhe BE, shkruan KultPlus.

“Miku im, Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, vazhdon fushatën lobuese për anëtarësimin e përshpejtuar të vendit tonë në NATO e BE”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

Ai gjithashtu ka shtuar edhe pjesën se Torres së fundmi ka kërkuar edhe njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e Evropës, për të cilën është shumë falënderues.

“Ju faleminderit shumë miku im Ritchie Torres, që demonstroni vlerat më të larta të përfaqësuesit të denjë të lirisë, paqes dhe demokracisë amerikane”, ka shkruar Mehaj.

Kongresisti amerikan Ritchie Torres, i cili po bën fushatë që Kosova të anëtarësohet në BE dhe NATO, u ka dërguar letra ambasadorëve të pesë vendeve të BE-së që ta njohin Kosovën si shtet i pavarur, gjithashtu ai i dërgoi letër edhe Presidentit Joe Biden dhe sekretarit të shtetit të Amerikës, Antony Blinken. /KultPlus.com

‘Hispanokosovar’, tryezë e rrumbullakët mbi letërsinë dhe kulturën mes Kosovës dhe Spanjës

Më datë 16 mars, në orën 19.00, në mjediset e KultPlus Caffe Gallery, zhvillohet ‘Tryeza e Rrumbullakët Mbi Letërsinë dhe Kulturën mës Kosovës dhe Spanjës’.

Në këtë tryezë do të diskutohet gjerësisht për lidhjet kulturore dhe letrare midis Kosovës, Spanjës dhe botës hispanike, përmes krijimit të urave të reja falë letërsisë, përkthimit e kulturës, në këtë kontekst.

Për këto tema do të lfasin, Juan Manuel Montoro, gazetar dhe studiues, njohës i Kosovës dhe realitetit të saj, nga Santiago de Compostela, në Spanjë, Elvi Sidheri, shkrimtar e përkthyes shumëgjuhësh, Jehona Kadriu, përkthyese dhe njohëse e botës latino-amerikane, dhe Sylë Maxhera, ish sportist i njohur në Spanjë, gjithashtu poet e muzikant dygjuhësh, në shqip e spanjisht. /KultPlus.com

Pas shfaqjes në kinematë e Spanjës, ‘Zgjoi’ merr vëmendjen e mediave spanjolle

Filmi ‘Zgjoi’ me regji dhe skenar nga Blerta Basholli bëri që emri i Kosovës të përmendet në vende të ndryshme të botës vitin e kaluar dhe një gjë e tillë po e përcjell edhe këtë vit, shkruan KultPlus.

Aktualisht, ‘Zgjoi’ është duke u shfaqur nëpër kinematë e Spanjës, derisa atje ka marrë vëmendjen e shumë mediave spanjolle.

Këtu mund të gjeni shkrimet e disa prej tyre:

“Një grua kundër patriarkatit në Kosovë. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli na shfaq luftën në vendin e saj nga këndvështrimi i grave, duke marrë si referencë një histori të vërtetë, atë të një të veje që ka hapur një biznes në kundërshtim me përditshmëritë e shoqërisë” – El Periodico

“Blerta Basholli: ‘Komuniteti i grave është ashtu siç duhet’. Regjisorja kosovare, Blerta Basholli debuton në metrazh të gjatë me një film të bazuar në realitet, një histori frymëzuese që u jep të drejtë grave dhe denoncon shoqërinë patriarkale” – La Gran Ilusion

“’Zgjoi’ i bazuar në një histori të vërtetë, tregon vështirësitë e një gruaje që kërkon të punojë në një mjedis patriarkat” – La Vanguardia

“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: Politikanët serbë shfrytëzojnë inatet e vjetra për të fituar vota. I shpërblyer në Festivalet e Filmit në Sundance dhe atë në Valladolid, kineastja kosovare është frymëzuar nga një historie e vërtetë e një gruaje e cila hapi një biznes bashkë me gra të tjera në një shoqëri rrënjësisht patriarkale” – El Espanol

“Blerta Basholli, regjisorja e ‘Zgjoit’: “Shpresoj që kjo histori të jetë frymëzues për gratë” – Abc.es

“Blerta Basholli: Është një brez i tërë që nuk e di se çfarë ka ndodhur në Kosovë” – Larazon

“’Zgjoi’: Gruaja që sfidoi shoqërinë patriarkale, duke mësuar që të vozisë veturë, në Kosovën e pas luftës. Filmi i Blerta Bashollit, kandidati i Kosovës për ‘Oscars’ shpalos rrëfimin e grave që bashkohen në kohë lufte” – El Diario

“Filmi i parë i gjatë i regjisores kosovare, Blerta Basholli, tregon historinë frymëzuese të një grup grash dhe luftën, këmbënguljen e zgjuarsinë e tyre” – Cineuropa

“Zgjoi” konsiderohet si filmi më i suksesshëm i shtetit të Kosovës, ku është shpërblyer me shumë çmime ndërkombetare dhe gjithashtu arriti të nominohej në listën e ngushtë për çmimiet Oscars. /KultPlus.com

Pas NATO-s, Mehaj kërkon njohjen e Kosovës nga pesë shtete të BE-së

Një postim i publikuar nga Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj në të cilin kërkohet anëtarësimi sa më parë i Kosovës në NATO, ka bërë jehonë të madhe në rrjetet sociale, shkruan KultPlus.

E gjithë kjo bujë ka ndikuar që rrjetet sociale të pushtohen nga postimet ku kërkohet anëtarësimi i Kosovës në NATO, e tani Mehaj ka bërë edhe një postim të ri.

Ministri ka kërkuar njohjen e pesë shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën, përfshirë Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron.

Postimi i tij i plotë (pa ndërhyrje):

“Qytetarë të dashur,Bashkëkombës nga mërgata jonë kudo në Botë,Miq tanë ndërkombëtar,Ju bëjë thirrje si bashkëqytetar, bashkëkombës dhe mik i juaj,Të ftoni, kudo që jeni dhe nga cilado pozitë që keni, miqtë tuaj spanjoll, grek, rumun, sllovak dhe qipriot, ta dëgjojnë të vërtetën e Kosovës dhe popullit tonë:- Republika e Kosovës dhe populli ynë, ndajnë vlera të përbashkëta euroatlantike të lirisë, të paqes dhe të demokracisë.- Republika e Kosovës është partner i besueshëm, e këtë e kemi dëshmuar në vazhdimësi në secilin projekt të përbashkët në funksion të humanitetit, paqes, sigurisë, stabilitetit dhe demokracisë.- Republika e Kosovës, historikisht dhe kulturalisht, është pjesë e pandarë dhe e natyrshme e familjes evropiane. Të gjithë së bashku, në profilet tona të rrjeteve sociale të vendosim:#KosovoInNATO#KosovoInEU”.

Diplomacia digjitale kohët e fundit është duke u përdorur nga shtete të ndryshme të botës, gjë të cilën po e bën edhe Kosova. /KultPlus.com

Sportistja shqiptare shkëlqeu në Spanjë, tani bën hapin gjigant në Amerikë

Pas eksperiencës brilante në Spanjë, Astera Tuhina ka bërë një hap edhe më gjigant në karrierën e saj në basketboll. Basketbollistja e gjatë 188 centimetra që i është bashkuar ekipit të femrave nga Amerika, “Palouse”, derisa do të jetë pjesë e tyre zyrtarisht nga fillimi i sezonit 2022-23.

Tuhina arriti të bije në sy të Washington State Cougars me paraqitjet e saj në Kampionatin Evropian për Shtetet e Vogla 2021 në Qipro dhe ndihmoi Kosovën të fitojë medaljen e bronztë në këtë ngjarje.

“Jam e emocionuar të njoftoj për një tjetër prurje në klasën tonë të rekrutimit 2022, Astera Tuhina”, u shpreh Ethridge. “Babai i Asterës, Astrit Tuhina, ka qenë një pjesë integrale në rritjen e basketbollit të të rinjve në Kosovë.  Si fëmijë, ajo ka zhvilluar instinktet që nuk mund të mësohen. Ajo zgjodhi të largohej nga vendlindja në moshën 13 vjeçe për të ndjekur mundësi më të mira basketbolli në Spanjë. Astera ka cilësi speciale që duam në programin tonë. Ajo ka pasion, këmbëngulje, ashpërsi dhe një përpjekje të pamëshirshme për të bërë gjithçka që duhet që ekipi i saj të ketë sukses. Ajo ka një mentalitet pasues, megjithatë, ajo është një lojtare e talentuar sulmuese.  Ajo mund të gjuajë për treshe dhe është shumë kreative në lëvizjet e saj drejt koshit. Energjia me të cilën luan Astera është drithëruese dhe tifozët tanë do ta pëlqejnë mënyrën e saj të të luajturit. Jemi të emocionuar që kemi fituar besimin e Asterës dhe familjes së saj. Ajo do të jetë një përforcim i shkëlqyer për familjen tonë Coug”.

Për më tepër, Tuhina ishte gjithashtu anëtare e Përfaqësueses U-20 të Kosovës në evenimentin e FIBA ​​U-20 për “Women’s European Challengers 2021” në Shkup. Basketbollsitja shpërtheu në këtë eveniment që u mbajt në Maqedoninë e Veriut, pasi ajo shënoi mesatarisht 7.7 pikë, 7.3 asistime dhe 6.3 kërcime në tre ndeshje. Tuhina dha gjashtë ose më shumë asistime në të tre ndeshjet. Ajo shënoi 10 pikë personale dhe dha nëntë asistime në një fitore ndaj Rumanisë, ndërsa realizoi edhe dhjetë pikë kundër Sllovakisë.

Në moshën vetëm 16-vjeçare, Tuhina bëri debutimin e saj në Ligën Elite të Basketbollit spanjoll me Deportivo Promete. Tuhina ishte lojtarja e tyre më e re në listë, por megjithatë arriti të depërtojë suksesshëm në ligën më të mirë të basketbollit të femrave në Spanjë.

Tuhina bëhet transferimi i katërt për Washington State, pasi asaj i bashkohen edhe Krya Gardner, Lauren Glazier dhe Kaia Woods./ KultPlus.com

Në vitin 2022, adoleshentët në Spanjë do të marrin një leje kulturore me vlerë 400 euro

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, ka njoftuar se në vitin 2022, adoleshentëve që mbushin 18 vjeç do t’u jepet një kartë 400 euro për të shpenzuar për çdo gjë, duke filluar nga librat, koncertet dhe biletat e kinemasë, transmeton KultPlus.

Në vitin 2022, adoleshentët në Spanjë që mbushin 18 vjeç do të marrin një leje kulturore me vlerë 400 euro si pjesë e një skeme të re mbarëkombëtare prej 200 milion euro.

Përafërsisht 500,000 adoleshentë kanë të drejtë të marrin lejen për vitin e ardhshëm, e cila po jepet nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e Spanjës.

“Është si një dhuratë për ditëlindjen e 18 -të dhe do të më pëlqente shumë nëse do ta kalonin në operë ose në një koncert të muzikës klasike”, thotë ministri spanjoll i kulturës, Miquel Iceta Llorens.

Kur shpalli skemën, kryeministri Sánchez tha se masa do të përmirësonte qasjen e të rinjve në kulturë, ndërsa do të ndihmonte gjithashtu industrinë spanjolle të kulturës, e cila ka vuajtur financiarisht gjatë pandemisë Covid-19.

Si Franca ashtu edhe Italia kanë prezantuar skema të ngjashme, por Spanja është e para që është një hyrje reaksionare për shkak të pandemisë.

Të rinjtë do të jenë në gjendje të shpenzojnë kalimin në aktivitetet kulturore, të tilla si blerja e librave, shkuarja në kinema, ose ndjekja e koncerteve dhe operës live.

Nënkryetarja Yolanda Diaz shkroi në Twitter se: mbështetja e arteve dhe e ardhmja e të rinjve ishte një kusht thelbësor i buxhetit, i cili duhet të shërbejë si një shtysë për kulturën.

Paratë do të ndahen në seksione kulturore, në mënyrë që shuma totale e kalimit të shpenzohet për aktivitete të shumta kulturore, në vend që të gjitha të vendosen në një. Këto pjesë ende nuk janë shpallur.

Njoftimi i kalimit të kulturës vjen disa ditë pas një njoftimi të një skeme të strehimit të drejtuar nga qeveria, e cila do t’u japë 18 deri 35-vjeçarëve me të ardhura mesatare një zbritje mujore prej 250 euro nga qiraja e tyre./ KultPlus.com

Liceu Grand Theatre in Barcelona. Foto: Getty

Ermonela Jaho mahnit publikun në “Teatro de la Maestranza” në Spanjë (VIDEO)

Soprano e njohur shqiptare Ermonela Jaho ka performuar mbrëmjen e djeshme në “Teatro de la Maestranza” në Spanjë.

E veccanta e këtij koncerti ishte prania e publikut, i cili prej kohësh i ka munguar artistëve.

“Faleminderit të gjithëve të përfshirë në këtë prodhim të bukur të “Madam Butterfly”. Sa më ka marrë malli për teatrin me publik, si jehona e të kënduarit tim, si pasqyra e interpretimit tim. Faleminderit që u rikthyet”, ka shkruar Jaho në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com

Promovohet ‘Spanjës me Dashuri’ nga Elvi Sidheri, shpaloset thelbi i tre dashurive shqiptaro-spanjolle

Era Berisha

Romani ‘’Spanjës me Dashuri’’  (A España con Amor) i shkrimtarit dhe përkthyesit shumëgjuhësh Elvi Sidheri, që në vete ngërthen ndaras tre pjesë përbërëse të shtjellimit të ngjarjeve dhe personazheve të tij ku tre dashuri, tre kohë, tre periudha historike dhe tre pikëtakime shqiptaro-spanjolle, të sendërtuara në jetët, dashuritë, ngjarjet mbresëlënëse dhe historitë e tre grave, mishërojnë thelbin e këtij libri dhe urat lidhëse midis kulturave shqiptare dhe spanjolle, me ç’rast promovimi i këtij libri mbrëmë u bë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus.

Ky roman përbëhet nga tre periudha të ndryshme kohore, që rrëfehen përmes historive të tre grave, tre femrave të cilat simbolizojnë në mënyrë të përkryer këtë origjinë kaq unike, të shpërfaqur me rrugëtimin e tyre jetësor, me kryeneçësinë burimore shqiptaro-spanjolle, me pasionet e zjarrta, antikonformizmin e përhershëm dhe karakterin e paepur tipik të këtyre dy popujve dhe kulturave.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen duke nisur nga ndodhitë e vrullshme të fillimit të Luftës Civile Spanjolle, me takimin e parë shqiptaro-spanjoll mes flakëve të këtij konflikti që pati shënjuar thellësisht shekullin XX, dhe vijojnë me vazhdimësinë e këtyre lidhjeve shqiptaro-spanjolle, përmes një tjetër figure femërore, në Tiranën e viteve 1970, mes mugëtirës së regjimit monist, dhe kulturës tiranase që nuk iu përkul diktaturës, ndërsa pjesa e tretë e librit shënon kthimin në Spanjë të ngjarjeve, përmes personazhit të tretë femëror, në kërkim të rrënjëve të saj në Madridin e ditëve të sotme.

Të pranishmit mbrëmë patën rastin të dëgjojnë dhe të bashkëbisedojnë në lidhje me përmbajtjen e këtij romani që autori e ka sjell para publikut shqiptar. Ndërsa, të pranishëm në këtë promovim ishin gazetarja e njohur Vera Pelaj dhe poeti, muzikanti dhe ish sportisti i njohur kosovar me banim në Madrid, Sylë Maxhera.

Fillimisht, mbrëmja nisi me fjalimin e gazetares Vera Pelaj e cila fillimisht kujtoi takimin e parë me autorin e tutje vazhdoi të fliste rreth romanit të tij.

“Para disa vitesh ishim në mbrëmje në një tavolinë krijuesish pas përurimit të krijimtarisë të një autori që u mbajt në Bibliotekën Kombëtare. Në atë tavolinë kishte botues, shkrimtarë, studiues, profesorë universitar, unë gazetare dhe Elvi. Nuk e njihja por ma morri mendja që edhe Elvi do të duhej të ishte nga bota krijuese”, ka thënë Pelaj.

Sipas saj, Elvi është një erudit i jashtëzakonshëm, poliglot i cili me punën e tij ditë e natë gjen libra nëpër stepa që ti përkthej e t’ia ofroj lexuesit shqiptar.

“Në romanin ‘Spanjës me dashuri’, ai ngërthen tre periudha që ndërlidhen ngjarjet e ndryshme mes Spanjës dhe Shqipërisë me personazhe interesante. Përmes romanit ai sjell botën spanjolle dhe shqiptare përmes tri periudhave të ndryshme kohore me breza të ndryshëm. Në letërsinë moderne shqipe Elvi sjell ngjarje, imazhe, personazhe e dashuri, kulturë madrilene e tiranase përmes romanit. Elvi ka stil të veçantë të të shkruarit, narracionit e trajtimit të ngjarjeve e personazheve. Ka fjalor shumë të pasur që lexuesi përveç kënaqësisë për të lexuar këtë roman, do të mësoj shumëçka tjetër”, përfundon Pelaj.

Ndërsa, muzikanti Sylë Maxhera i cili mezi priste të këndonte këngë spanjolle romantike, fillimisht ndau një kujtim dhe foli rreth rëndësisë që një autor si Elvi ekziston.

“Nuk kam absolutisht asgjë të përgatitur se është lehtë të flas për dikë si Elvi, si mik e si poet. Ai është një yll. Djali im 13 vjeçar më pyeti se pse Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës, dhe unë iu përgjigja se ka ca çështje politike. Ai më thotë se ‘’Jo babi, por janë trullana’’ në gjuhën shqipe. Prandaj, kemi njerëz si Elvi që është gjëja më e mirë që po na ndodh”, ka thënë Maxhera.

Tutje, vetë autori i këtij romani, Elvi Sidheri foli rreth përmbajtjes së librit dhe mesazhit të tij.

“Titulli i romanit nuk është thjeshtë dashuria ime si autor për Spanjën por është një libër ku dashuria shqiptaro-spanjolle është thelbi i librit. Janë tre breza të ndryshëm të mishëruar nga tre gra në tre kohë të ndryshme. Janë tre periudha historike e tre dashuri shqiptaro-spanjolle. Ngjarjet nisin në fillimin e luftës civile spanjolle. Unë desha të ringjallja në pjesën e parë të romanit dashurinë shqiptare-spanjolle mes një shqiptari idealist që shkon në luftën e Spanjës dhe një spanjolle aristokrate”, thotë Sidheri.

Sipas tij, këta dy personazhe janë dy njerëz të ndryshëm me dy filozofi të kundërta jete e dy vende të ndryshme që takohen dhe që në atë pikë dashuria e tyre shndërrohet në luftën e tyre.

“Kjo dashuri shqiptaro-spanjolle pastaj vazhdon në vitet e 70-ta në Tiranë pasi vajza e këtyre të dashuruarve lind në Tiranë dhe është brezi i dytë i këtij libri. Jam përpjekur që ta vë theksin në jetën kulturore të Tiranës së viteve 70-të sepse ka një problem pasi që pas viteve 90-ta me përshkrimin letrat të diktaturës është parë gjithmonë bardh e zi”, thotë ai.

Për Sidherin, brezi i tretë në këtë libër është mbesa e tretë shqiptaro-spanjolle ku më pas në vitet 2000 ajo kthehet në Spanjë në rrënjët e saj dhe kështu është sjell romani në ditët e sotme. Pra, janë tre breza, tre gra, tre lidhje kulturore shpirtërore shqiptaro-spanjolle.

Po ashtu, nëna e autorit, Luiza Sidheri e cila njëkohësisht është edhe redaktorja e këtij romani, foli për rëndësinë e grave dhe vajzave që shtypen në një shoqëri të tillë patriarkale.

“Pavarësisht zhvillimeve industriale e artit që lëviz përpara e mirëqenies në disa shtresa, jetojmë në shoqëri thellësisht patriarkale. Jemi vende me mendësi patriarkale andaj roli i fuqishëm i grave nuk dihet ose thjesht margjinalizohen. Prandaj, Elvi tek romanet e veta promovon gratë e vajzat që kanë guxim e dinë të shohin përtej humbjes së tyre e dinë të kërkojnë me dinjitet të drejtat e tyre”, thotë ajo.

Ndërsa, ëmbëlsia e natës ishte performanca muzikore e këngëtares së vogël Anna Krasniqi, e cila interpretoi këngët si: ‘Snowman’ nga Sia dhe ‘Tumankuqe’ duke kapluar tërësisht atmosferën në KultPlus Caffe Gallery me talentin e saj të veçantë e zërin që nuk njihte kufij.

Kështu, krejt në fund duartrokitjet ishin ato që zëvendësuan fjalimet ku të pranishmit patën rastin të shtrojnë pyetje ndaj autorit. Pastaj, nata vazhdoi tutje me biseda mes miqsh dhe artdashës të cilët u shoqëruan me meloditë e këngëve spanjolle ku kënga ‘No Volvere’ nga Gipsy Kings pushtoi atmosferën në KultPlus Caffe Gallery.

Elvi Sidheri është shkrimtar, përkthyes letrar, folës i pesëmbëdhjetë gjuhëve të huaja, me një bagazh përkthimesh të përbërë nga dhjetëra libra të zhanreve më të ndryshme, të përkthyera nga një sërë gjuhësh. / KultPlus.com

Spanja bllokon shitjen e një pikture të Caravaggios

Qeveria spanjolle ka bllokuar shitjen e një pikture disa orë pas ankandit, duke menduar se mund të ishte vepër e Caravaggios, mjeshtrit italian të dritëhijes.

“Piktura në vaj, e quajtur “Crown of Thorns”, deri më tani e konsideruar si puna e një piktori nga shkolla e José de Ribera, është deklaruar “e paeksportueshme” dhe nuk do të mund të largohet nga Spanja, si një masë paraprake”, thanë burimet qeveritare.

Një vendim i marrë në bazë të një raporti nga Muzeu Prado që thekson “prova të mjaftueshme dokumentare dhe stilistike” për ta konsideruar veprën si të Michelangelo Merisi da Caravaggio.

Sipas burimeve qeveritare, duke pasur parasysh “shpejtësinë e ngjarjeve, një studim i plotë teknik dhe shkencor do të jetë i nevojshëm tani për të përcaktuar, gjatë një debati akademik, nëse atribuimi si Caravaggio është vërtet i besueshëm”./ atsh / KultPlus.com

Spanja nis sezonin veror, maska do të mbahet edhe brenda në ujë

Spanja e ka nisur sezonin veror për këtë vit, ndonëse e goditur më fortë se kurrë në sektorin jetik të saj, turizmin.

Fillimi i pranverës riktheu temperaturat e larta me mot të ngrohtë, mjaftueshëm sa për të shijuar detin, kryesisht në fundjavë. Por nëse vitet e shkuara, Spanja priste turistët e para që në muajin mars, kryesisht pushuesit britanikë, pandemia koronavirus, duket se ka lënë pasojat e saj nga një vit më parë.

Bregdeti i Majorkës është bosh, shumë larg pamjes së zakonshme me turistë, zhurmë, festa e jahte luksoze në portet e tij.

Zakonisht, në muajin prill, janë thuajse 2 milionë britanikë e 1.4 milionë turistë gjermanë, që vizitojnë ishujt e Majorkas por as gjysma e tyre nuk kanë udhëtuar këtë vit drejt Spanjës, pavarësisht heqjes së karantinës së detyruar gjatë udhëtimit nga një shtet në tjetrin.

Numri i vizitorëve të huaj në Spanjë ra në 19 milionë në total gjatë vitit 2020, niveli më i ulët që nga viti 1969, ndërsa kontributi i kësaj industrie në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit kapërceu në 4%, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i të dhënave, shumë larg 12% kontribut në vitin 2019.

Bashkë me rënien e numrit të turistëve, edhe të ardhurat në buxhet nga turizmi ranë ndjeshëm në krahasim me një vit më parë. Por ekspertët e ekonomisë kanë një parashikim edhe më negativ për këtë vit, kur thonë se 2021 pritet të jetë shumë më keq se viti i shkuar. Duke qenë një nga vendet e BE më të vizituar vitet e fundit, Spanja ka vuajtur më shumë se çdo vend tjetër pasojat e pandemisë, bashkë me të edhe Franca.

Agjencitë turistike flasin për një kërkesë të lartë për paketa turistike drejt Spanjës në tremujorin e tretë të këtij viti, pra për periudhën korrik-shtator e deri në fund të vitit por sipas ekspertëve, kaq nuk mjafton për të kompensuar humbjet për më shumë se një vit.

Por këtë vit, duket se edhe argëtimi në plazh do të ketë disa limite. Me rritjen e numrit të rasteve të reja ditore, ministri spanjoll i Shëndetësisë tha se maska mbrojtëse, nga 1 prilli, do të mbahet nga çdo qytetar, edhe në plazh, jo vetëm në ambient publik, por edhe brenda në ujë, kur noton, vendim ky që ka ngjallur kritika dhe panik.

Sipas legjislacionit, tashmë në fuqi, maskat mbrojtëse janë detyruese për çdo të rritur në ambiente të hapura, në plazhe, pishina apo shëtitore buzë bregut të detit. Edhe në rërë, pushuesit duhet të respektojnë distancën sociale, duke qëndruar 1.5 metër larg njëri-tjetrit.

Për disa, kjo masë është e tepërt, për të tjerë e duhura.

Laura Santacana: “Duhet t’i durojmë gjërat deri në një pikë të caktuar. A duhet të jemi të kujdesshëm? Po. Por kjo është e tepërt. E kemi të pamundur të bëjmë një jetë normale”

Patxi Beloki: “Mendoj se gjithçka bëhet për të ndihmuar në këtë situatë, është gjë e mirë. Maskat në plazh apo në ambiente të tjera publike, janë mirë. Duhet të bëjmë gjithçka për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së koronavirusit”.

Në plazhin La Concha, ku shumë banorë shijojnë çdo ditë motin e ngrohtë, sërfisti Jose Aquavivas thotë se maska edhe në plazh, ndihmon në frenimin e përhapjes së Covid-19, edhe pse maska në ujë është bezdisëse. 

Jose Aquavivas: “E di që po bëjmë një përpjekje për të shpëtuar sezonin veror dhe në një kohë kaq të mirë të San Sebastian, mendoj se legjislacioni i ri na mbron sepse është e qartë që të gjithë do vijnë në plazh. Por është pak e bezdisshme sepse nuk mund të hysh në det me maskë, kjo ishte një nga pak liritë që na kishte mbetur. Tani duhet të shqetësohemi se mos marrim gjobë”.

Iban Alonso: “Mendoj se është mirë. Në fund të ditës, është njësoj si të shkosh në një bar. Nëse nuk shkon për të ngrënë, duhet të mbash maskën, njësoj do të jetë edhe kur të notosh. S’ka asgjë ta mbash maskën”.

Jon Ander: “Mendoj se mbajtja e maskës në plazh është njësoj si ta mbash kur ecën në rrugë. Nuk të bezdis aq shumë. Është njësoj si në rrugë. Mendoj se është masë e nevojshme pasi rastet po rriten shumë”.

Vetë agjencitë turistike thonë se masat e reja në fuqi janë kërcënim për këtë sezon veror, pas humbjeve të regjistruara në një vit pandemik. Ata shpresojnë që këto masa të jenë të përkohshme e të mos frenojnë turistët e huaj të vizitojnë Spanjën këtë vit./ KultPlus.com

Televizioni spanjoll me reportazh për Kosovën, shkak një qytetar nga Klina

Televizioni spanjoll “Telemundo 39” i ka kushtuar një kronikë televizive Kosovës, kjo falë një qytetari nga komuna e Klinës, Luan Jagoda i cili ka mësuar të flas spanjollisht dhe është një shikues i rregullt i këtij televizioni.

“Kjo storie që do të transmetojmë është e vështirë për tu besuar por është e vërtetë, bëhet fjalë për një shikues fanatik të Telemundo 39 dhe serialeve tona i cili jeton në anën tjetër të botës. Luani jeton në Kosovë, historia e tij është e mahnitshme” përshkruan prezantuesja tregimin e Luanit, transmeton KultPlus.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Luan Jagoda përmes një postimi në Facebook, i cili u shpreh i lumtur për këtë gjë.

“Nuk kam fjalë me përshkru çfarë ndjenje është kur që nga viti 1997 kur fillova të mësoj gjuhën spanjolle kurr nuk më kish marrë mendja se një ditë një televizion do të më dedikoj kohë e të më falënderoj për përkushtimin tim dhe dashninë që kam për Amerikën Latine, por kjo është Telemundo 39”, ka shkruar Jagoda në Facebook.

Ndryshe ditë më parë është zhvilluar edhe ndeshja futbollistike Kosovë-Spanjë. Kujtojmë se Spanja ende nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës. / KultPlus.com

Dorëzohet Spanja: Kosovës do t’ia respektojë të gjitha simbolet

Qeveria e Spanjës do të lejojë që Kosova të luajë me flamurin dhe himnin e saj në ndeshjen kualifikuese të futbollit për Botëror.

Kosovarët prisnin ndeshjen me Spanjën plot entuziazëm, sepse për kombëtaren që nisi para pak vitesh ndeshjet ndërkombëtare, Spanja paraqet një prej mbretërive të futbollit në Evropë.   

Mirëpo, Federata e Futbollit të Spanjës, përmes një postimi në Twitter tregoi se nuk do të ishte aq miqësore. Ata i referoheshin shtetit kosovar si “territor i Kosovës”.

E tash, mediumi spanjoll El Konfidencial shkruan se Spanja do ta presë Kosovën, duke ia respektuar të gjithë simbolet e shtetit të pavarur, transmeton Gazeta Express.

Mediumi shkruan se ky është një hap në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pasi Spanja, e cila bën pjesë në pesë shtetet e Bashkimit Evropian, që refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Ministria e Punëves të Jashtme të Spanjës, të cilën e citon mediumi, thotë se “politikisht kjo nuk e ndryshon pozicionin e Spanjës për Kosovën as edhe një centimetër”.

Në nëntor 2018, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar kërcënoi të përjashtonte Spanjën nga gara për vendosjen e pengesave në pjesëmarrjen e Kosovës, duke detyruar një përjashtim emergjent me garat Olimpike të mbuluara nga një dekret mbretëror i vitit 1982.

Mediumi spanjoll shkruan se tash janë FIFA dhe UEFA që e detyruan Spanjën të pranojë me vendosjen e të gjithë simboleve kosovare në Sevilje, ku do të luhet ndeshja.

Federata Spanjolle iu referohej Kosovës si “një territor” në rrjetet sociale, e kjo nxiti reagim të menjëhershëm nga rivali i saj i ardhshëm në fushë.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, shkroi federata kosovare në një komunikatë, të cilën e citon mediumi spanjoll.

Kosova është në grupin B për kualifikime në botërorin e vitit 2022, bashkë me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë  /Express/ KultPlus.com

Spanjollët kundër ‘risive’ në katedralen 800-vjeçare

Ka ngjallur shumë reagime, plani për të ndryshuar katedralen e Burgos në Spanjë. Me rastin e 800-vjetorit të ndërtimit, është ideuar edhe  zëvendësimi me tre dyer të reja bronxi, çfarë me sa duket nuk mirëpritet nga qytetarët.

UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara, shumë arkitektë të njohur dhe mijëra spanjollë, kërkuan anulimin e projektit prej 1.2 milionë eurosh.

Nga ana e tyre, autoritetet lokale thanë se projekti i dizajnuar nga artisti Antonio Lopez, përbën një vepër arti bashkohor dhe se, dyert e tanishme prej druri janë të vjetra dhe nuk mund të riparohen.

Në dyert e katedrales shekullore, pasqyrohen Ati, Virgjëreshëa Mari dhe Jezusi, si fëmijë i vogël.

Megjithatë, mbi 31 mijë persona kanë nënshkruar një peticion, duke i konsideruar si të shëmtuara dyert e reja dhe duke shtuar, se trashëgimia po shkatërrohet.

Katedralja u shpall trashëgimi botërore nga UNESCO, më 31 tetor të vitit 1984, si simbol i të krishterëve në Spanjë. /konica/ KultPlus.com

Në Spanjë zbulohet një kamë e kristaltë 5.000 vjeçare

Një ekip studiuesish që po gërmonin në Spanjë, zbuluan një kamë (mjet i mprehtë nga të dy anët) të formuar nga kristalet e shkëmbit.

Ekspertët thonë se kama është ‘mjeti më i sofistikuar teknikisht’ që është zbuluar ndonjëherë në gadishullin Iberik dhe ka kërkuar aftësi të mëdha për të gdhendur.

Objekti, i cili është rreth 5.000 vjeçar, u gjet larg minierave të kristalta, gjë që sugjeron se ai dikur i përkisnin një individi elitar që pagoi çmim të madh për të. Studiuesit gjithashtu spekulojnë se kristali i shkëmbit gjatë kësaj kohe mund të ketë pasur një rëndësi simbolike dhe përdorej për fuqi magjike dhe lidhje me paraardhësit.

Ata ndoshta paraqisnin objekte funerale të arritshme vetëm për elitën e kësaj periudhe kohore, thuhet në studimin e botuar në revistën “Quaternary International”.

“Lidhja e tehut të kamës me një dorezë të bërë prej fildishi, gjithashtu një lëndë e parë jo-lokale që duhet të ketë pasur një vlerë të madhe, sugjeron fuqimisht statusin e rangut të lartë të njerëzve që përdorin objekte të tilla”, thonë studiuesit.

Gërmimi në jugperëndim të Spanjës ishte bashkëpunim i studiuesve nga Universiteti i Granadas, Universiteti i Sevillas dhe Këshilli i Lartë i Kërkimeve Spanjolle. /a2news/ KultPlus.com

Vazhdojnë sukseset e Dua Lipës, fiton dy çmime ndërkombëtare në Spanjë

Sukseset e Dua Lipës nuk kanë të ndalur. Këngëtarja shqiptare ka arritur të fitoj dy çmime në Spanjë, shkruan KultPlus.

Lipa ka arritur të rrëmbej çmimet “Albumi ndërkombëtar më i mirë” dhe “Artistja ndërkombëtare më e mirë” në Los Mucis Awards 2020.

“Wow faleminderit për @LOS40SPAIN  faleminderit!!! Albumi ndërkombëtar më i mirë dhe artistja ndërkombëtare më e mirë 😭😭 Gjithashtu faleminderit që më kishit prapë në skenë!!! Shpresoj që herën e ardhshme do të mund të vij prapë në një ndër vendet e preferuara në botë-MADRID dhe të ju shoh të gjithëve!! Faleminderit faleminderit faleminderit ❤️”, ka shkruar Lipa.

Këto janë vetëm disa nga sukseset e saj, teksa ajo dje rrëmbeu një çmim ndërkombëtar edhe në Francë. / KultPlus.com

Spanja i bën maskat të detyrueshme derisa të mposhtet koronavirusi

Mbajtja e maskave në publik do të mbetet e detyrueshme në Spanjë, pasi gjendja e jashtëzakonshme e vendit të përfundojë më 21 qershor, derisa të gjendet një kurë ose vaksinë për koronavirusin, tha të martën ministri i Shëndetësisë, Salvador Illa, shkruan Reuters.

Spanjollët duhet të vazhdojnë të mbajnë maska ​​brenda dhe jashtë nëse nuk mund të garantojnë një distancë prej 1.5 metrash nga njerëzit e tjerë, si pjesë e një dekreti nga qeveria, tha Illa në një konferencë për shtyp.

Detyrimi për të mbajtur maska ​​do të mbetet derisa “ne ta mposhtim përfundimisht virusin, i cili do të jetë kur kemi një terapi efikase ose një vaksinë efektive”, tha Illa.

Rregulli vlen për të gjithë mbi moshën gjashtë vjeç.  Shumica e kufizimeve në lëvizje do të hiqen më 21 qershor, kur të përfundojë gjendja e jashtëzakonshme, por qeveria dëshiron të mbajë rregulla për të parandaluar raste të reja të virusit, përcjell tutje albinfo.ch. /KultPlus.com

Spanja premton siguri për turistët

Të gjitha plazhet në Spanjë rihapën nesër, me përjashtim të Barcelonës. Muzeu Guggenheim në Bilbao do të hapë dyert e tij për herë të parë pas shumë muajve, pasi Spanja ndërmori hapa për tu përballur me koronavirusin.

Të ardhurat e Spanjës nga turizmi u përgjysmuan në katër muaj, asnjë turist nuk udhëtoi për në Spanjë gjatë gjithë këtij muaji për shkak të një bllokimi të rreptë që filloi në mes të marsit.

Qeveria tha të hënën se po punonte shumë për t’iu garantuar turistëve kushtet më të mira shëndetësore.

“Nuk është çështje të jesh i pari në rihapjen, por të rihapim duke e ditur se ne garantojmë shëndetin jo vetëm të banorëve, por edhe të vizitorëve”, tha ministri i Industrisë dhe Turizmit, Reyes Maroto, për Telecinco TV, transmeton reuters, përcjell albinfo.ch.

Turizmi përbën një në tetë punë në Spanjë, vendi i dytë më i vizituar në botë pas Francës, dhe kontribuon më shumë se 12% të PBB-së spanjolle. Disa plazhe tashmë ishin rihapur gradualisht dhe nga e hëna, të gjitha nga Costa del Sol në Mesdhe deri në Bregun verior të Baskeve u hapën për aktivitete të kohës së lirë, përveç në zonën e qytetit të Barcelona, ​​ku koronavirusi ende nuk është zbutur mjaftueshëm.

Sidoqoftë, njerëzit ende nuk do të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në Spanjë për disa javë të tjera, përcjell tutje albinfo.ch. /KultPlus.com