Opera e Kosovës prezanton Ognian Draganoff si regjisor të operës ‘Carmen’

Katër aktet e veprës ‘Carmen’ të kompozitorit francez Georges Bizet do të interpretohen në Prishtinë më 22 dhe 24 korrik, nën organizimin e Operës së Kosovës, në ambientet e AMC Hall.

Opera ‘Carmen’, e adoptuar nga novela e Prosper Mérimée, është një nga veprat më ikonike të muzikës klasike dhe realizmit në operë dhe mbetet një nga kryeveprat më të interpretuara në gjithë botën.

Ndërkaq sot Opera e Kosovës ka prezantuar Ofnian Drafanoff si regjisor të operës ‘Carmen në Prishtinë.

Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e Operës së Kosovës:

Opera e Kosovës ka nderin të prezantoj OGNIAN DRAGANOFF si regjisor të operës „Carmen“

Ognian Draganoff është regjisor bullgar me karrierë të gjatë dhe të pasur në teatrin operistik. Ai studioi performancë muzikore dhe regji operistike në Bullgari me Plamen Kartaloff dhe Vanya Bachvarova, duke u diplomuar në Akademinë Shtetërore të Muzikës “Panço Vladigerov” në Sofje, në klasën e Pavel Gerdzhikov. U specializua më tej në Opera du Rhin në Strasburg nën drejtimin e Albert-André Lheureux.

Pas një periudhe si anëtar i Orkestrës së Operës Kombëtare të Sofjes, ai u përkushtua regjisë dhe menaxhimit artistik. Nga viti 1996 deri në 2002 shërbeu si drejtor i përgjithshëm i Operës Kombëtare të Sofjes. Ka qenë gjithashtu drejtor i ftuar dhe rezident në shtëpi operistike në Greqi, Maqedoni dhe Rumani (2008–2012), si dhe drejtor kryesor i Operës në Sarajevë në të njëjtën periudhë.

Nga viti 2013 deri në 2015 drejtoi Operën Shtetërore Ruse në Bullgari, ndërsa prej vitit 2015 është drejtor i Operës Shtetërore të Stara Zagorës. Me mbi 80 produksione operistike në repertorin e tij, Draganoff njihet për vizionin e tij regjisorial dhe për shfaqje që janë prezantuar me sukses në shumë skena të Evropës Perëndimore, veçanërisht në Holandë./KultPlus.com

’Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…/KultPlus.com

Parku Natyror i Porto Palermos tërheq vizitorë përmes historisë dhe artit

Parku Natyror i Porto Palermos është një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, mes ujërave të kristalta të Jonit.

Plazhet e kristalta dhe natyra e paprekur plotësojnë një ofertë të përkryer për të gjithë vizitorët, qofshin vendas apo të huaj. Shumë shpejt ky vend special, i cili është kthyer në një skenë të përkryer për evente kulturore dhe artistike, do të mikpresë edicionin e pestë të Porto Palermo Festival, ideuar nga violinisti i mirënjohur Olen Cesari.

Festivali sjell çdo vit artistë virtuozë si dhe vizitorë nga e gjithë bota, për të ndjekur festivalin e njëkohësisht për të zbuluar këtë vend duke ndjerë frymën e historisë në çdo cep, shkruan atsh.

Festivali zhvillohet në kalanë e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë. Arkitektura e veçantë e kalasë tregon për mjeshtërinë e ndërtimit dhe inteligjencës strategjike. Nga kullat e larta dhe muret mbrojtëse syri sheh një horizont të pafund, ku deti dhe qielli bashkohen në një pamje mahnitëse./KultPlus.com

MKRS publikon rezultatet preliminare për OJQ, në thirrjen publike për përkrahje të projekteve në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka publikuar rezultatet preliminare për OJQ, në thirrjen publike për përkrahje të projekteve në Art, Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore.

Bashkangjitur gjeni linkun me rezultatet: https://mkrs-ks.org/repository/docs/3578.pdf

Afati i ankesave është 5 ditë pas shpalljes së rezultateve preliminare. Ankesat duhet të dërgohen në emailin: [email protected]./KultPlus.com

“Lucid Air Grand Touring” thyen rekordin për udhëtimin më të gjatë me një karikim të vetëm

Një makinë elektrike nga prodhuesi amerikan “Lucid” ka thyer rekordin për udhëtimin më të gjatë me një karikim të vetëm, duke udhëtuar nga qyteti zviceran i Saint Moritz-it përmes Austrisë në qytetin jugor gjerman të Mynihut.

Kompania tha sot se automjeti përshkroi gjithsej 1,205 kilometra, duke tejkaluar Rekordin Botëror të mëparshëm të Guinness-it prej 1,045 kilometrash – të arritur nga një Mercedes në Japoni në qershor.

Modeli “Lucid Air Grand Touring” vendosi rekordin e ri fundjavën e kaluar.

“Ky rekord i autonomisë përfaqëson një moment të rëndësishëm. Është një tjetër demonstrim i qartë i avantazhit teknologjik që përcakton “Lucid”, tha nënkryetari i lartë Eric Bach, duke argumentuar se teknologjia e kompanisë lejon që një automjet “Lucid” të udhëtojë më tej me më pak energji sesa çdo automjet tjetër.

“Kompania me qendër në Silicon Valley është pak e njohur në Evropë, me rreth 500 automjete elektrike të regjistruara në Gjermani”, sipas shifrave zyrtare në muajin prill.

Modeli “Air Grand Touring” është i shtrenjtë, me një vlerë rreth 130,000 euro (152,000 dollarë).

Ekspertët e industrisë gjermane reaguan me kujdes ndaj shifrës rekord.

Ferdinand Dudenhoffer nga Qendra për Kërkime Automobilistike theksoi se autonomia e automjeteve të reja elektrike është përmirësuar ndjeshëm gjatë tre ose katër viteve të fundit dhe nuk është më shumë larg autonomisë së një automjeti me naftë.

Përveç kësaj, kohët e karikimit po bëhen gjithnjë e më të shkurtra. Si rezultat, aspekti i autonomisë po bëhet më pak i rëndësishëm për të bindur klientin për të blerë mjetin./KultPlus.com

Gonxhja takon Kryepeshkopin Joan, bashkëpunim për trashëgiminë kulturore

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja, zhvilloi sot një takim me Kryepeshkopin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturinë e Tij, Joanin, me të cilin pati një bashkëbisedim të frytshëm mbi çështje me rëndësi të veçantë për misionin shpirtëror dhe rolin shoqëror të Kishës.

Në qendër të bisedës ishte rëndësia e aseteve dhe pavarësisë ekonomike në funksion të fuqizimit të kapaciteteve misionare, si dhe roli që mund të luajnë këto kapacitete në shërbim të komunitetit dhe trashëgimisë.

Ministri Gonxhja vlerësoi kontributin e deritanishëm të Kishës Orthodhokse në fushën kulturore, humane dhe sociale, duke shprehur angazhimin e Ministrisë për thellimin e bashkëpunimit në këto drejtime.

“I shpreha gatishmërinë e MEKI dhe vlerësimin për kontributet e derisotshme, duke nisur punën menjëherë për projektet në vijim. Mes vrapit të përditshëm ishte një ndalesë shpirtërore me shumë vlerë”, theksoi ministri. /KultPlus.com

Kampi veror i Hollivudit në Tiranë

Në Tiranë mbërrin kampi veror i Hollivudit.

Çdo fëmijë dhe i ri, nga mosha 5 deri në 17 vjeç do të mund të bëhet pjesë e një kampi unik veror, ku do të mësojnë si funksionon një set filmi, si zhvillohen provat për rolet dhe si realizohet një film artistik.

Kampi organizohet nga “Catalyst Story Institute” në Kinostudio dhe ofron mundësinë për të konkurruar në përzgjedhjen e aktorëve për një film të shkurtër amerikan që do të xhirohet këtë vit në Shqipëri.

Grup-moshat që do të përfshihen në këtë kamp veror janë: 5-8 vjeç, 9-12 vjeç dhe 13-17 vjeç.

Kjo do të jetë një përvojë e vyer për fëmijët të cilët do të mund të punojnë me regjisorë dhe producentë profesionistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Shqipëria./KultPlus.com

Vera


Poezi nga Ndre Mjeda

Vera

A zverdhe fusha, e nder grunore
Po velojne korrcat porsi zogj;
Kendojne katundcat me malcore
Pa u kujtue si dielli i dogj
Vec n’at are, porsi nji e tretun
Zi nder petka e ne fetyre terr
Korre nji cuce pa shoqe,vetun
Me hije t’vet qe mbrapa e merr
Tjetra here tri vet e treta
Korrshe o bij me motra n’shend
Si vjet vetun tiu korr t’gjeta
Pa nji moter, pa gazmend./KultPlus.com

“Open Cinema” nis nga qyteti i Gramshit

Aktiviteti i përvitshëm veror “Open Cinema”, këtë sezon do të nisë nga qyteti i Gramshit.

Aktiviteti do të vazhdojë për tri net rresht, 10, 11 dhe 12 korrik. Filma, muzikë, artistë dhe kineastë të ftuar do të jenë pjesë e edicionit të nëntë të “Open Cinema”.

Mbrëmja e parë do të çelet me praninë e regjisorit të mirënjohur Esat Musliu, si dhe të aktorit të dashur për publikun Ndriçim Xhepa. “Open Cinema” do të sjellë filma të njohur për publikun. Nën sloganin “Kinemaja shëtitëse nëpër Shqipëri”, aktiviteti vazhdon të jetë urë mes brezave dhe një homazh i gjallë për trashëgiminë filmike.

Mbrëmjet e kinemasë shëtitëse do të shoqërohen me muzikë live, përpara çdo projeksioni nga një grup artistësh të njohur si Irma dhe Eranda Libohova, Maya Aliçkaj, Megi Laska, Liljana Kondakçi etj. Ndërsa violinistja virtuoze Aiola Leska do të sjellë kolonat zanore më të ndjera nga kinematografia shqiptare dhe ajo ndërkombëtare.

Fëmijët do të kenë gjithashtu hapësirën e tyre në këtë aktivitet, me animacionet shqiptare klasike dhe bashkëkohore që do të projektohen në ekranin e madh./atsh/KultPlus.com

Mediet shtetërore të Kosovës, Malit të Zi dhe të Shqipërisë me memorandum, hapin zyre të përbashkët në Ulqin 

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Malit të Zi, Boris Raoniq, Drejtori i Radio Televizionit të Kosovës, Hysen Hundozi, dhe Drejtoresha për Marrëdhënie me Jashtë dhe Projektet në Radio Televizionin e Shqipërisë, Ervjola Osmanaj, firmosën memorandumin e bashkëpunimit në fushën e medias dhe informimit publik.

Hapja e zyrës së përbashkët në Ulqin, ndërmjet mediave shtetërore të Malit të Zi, Shqipërisë dhe Kosovës, hap një kapitull të ri dhe përfaqëson një model bashkëpunimi rajonal në fushën e medias dhe informimit publik. Prezantimi i Ulqinit me vlerat e tij turistike, kulturore dhe natyrore do të jetë i pranishëm dhe më afër kryeqyteteve si Podgorica, Prishtina dhe Tirana./ KultPlus.com 

Shfaqja e tre çmimeve vjen në “Etnofest”, “Engjëjt” me tekst të Odise Plakut e regji të Naser Shatrollit shpërfaqë dhimbjen e Kosovës

“Identiteti” është tema e sivjetme e Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “EtnoFest” e që mbahet për të pesëmbëdhjetin vit me radhë në fshatin Kukaj. 

Fillon më 10 korrik e do të zgjasë deri më 20 po të këtij muaji, dhe ky festival ka ngërthyer shumë ngjarje kultureore që do të prezantohen përgjatë këtyre ditëve. 

Një prej projekteve kulturore që do të shfaqet në këtë edicion është edhe shfaqja “Engjëjt”, shfaqje me tekst të Odise Plakut e regji të Naser Shatrollit. 

Kjo shfaqje do të prezantohet më 18 korrik, prej orës 20:00 si projekt mysfair nga Tirana, e që tashmë është vlerësyar me dy çmime në festivalin “Flasim shqip” në Tiranë: Regjia më e mirë dhe aktorja më e mirë si dhe çmimin “Grand Prix” shfaqja më e mirë në Festivalin Ndërkombëtar MONOAKT. 

Drama flet për gratë kosovare dhe për fëmijët e pagjetur të Kosovës – më aktuale se aktualiteti! Dhe kjo shfaqje ka veçantinë e saj edhe për një ndërlidhje tjetër, pasi që protagonistët që realizuan këtë shfaqje vijnë nga tri vende të ndryshme. Tekstshkruesi Odise Plaku vjen nga Tirana, regjisori Naser Shatrolli nga Prishtina dhe aktorja e kësaj shfaqjeje Vefi Redhi vjen nga Athina. 

Për programin e EtnoFest mund të vizitoni edhe linkun e këtij festivali që e gjeni më poshtë. / KultPlus.com 

Akropoli mbyllet përkohësisht për shkak të të nxehtit

Akropoli do të qëndrojë i mbyllur të martën, për shkak të temperaturave shumë të larta që kanë përfshirë Greqinë.

Ministria e Kulturës në Greqi njoftoi se monumenti i njohur në Athinë do të mbyllet nga ora 13:00 deri në 17:00, sipas kohës lokale.

Temperatura deri në 42 gradë Celsius priten të martën në disa pjesë të Greqisë, ndërsa për disa rajone është shpallur alarmi i nivelit katër për zjarre – që nënkupton rrezik shumë të lartë.

Zjarre tashmë kanë shpërthyer edhe në vende të tjera të Evropës, si Franca dhe rajoni i Katalonjës në Spanjë, pak javë pasi këto zona u përballën me një valë të të nxehtit që shkaktoi edhe viktima.

Mbyllja e Akropolit të martën – kur në qytet priten temperatura deri në 38 gradë Celsius – nuk ndodh për herë të parë.

I nxehti ekstrem e ka detyruar mbylljen e këtij atraksioni të njohur edhe në qershor, edhe në korrikun e kaluar.

Autoritetet thanë se mbyllja bëhet për “sigurinë e punëtorëve dhe vizitorëve” në këtë vend, i cili vizitohet nga dhjetëra mijëra njerëz çdo ditë.

Gjatë vitit 2024, atë e vizituan gjithsej 4.5 milionë njerëz.

Ministria e Punës e Greqisë ka vendosur tashmë edhe një ndalesë të detyrueshme të punës për pesë orë për punëtorët që punojnë jashtë, në zonat ku temperaturat pritet të jenë të larta.

Vala aktuale e të nxehtit do të vazhdojë deri të mërkurën, me temperatura që do të arrijnë deri në 40-42 gradë Celsius në jug të vendit. Pastaj, nga e enjtja, temperaturat pritet të bien gradualisht.

Një valë e fortë nxehtësie goditi pjesën perëndimore dhe jugore të Evropës në fillim të kësaj vere, duke shkaktuar evakuime masive dhe shkatërrime të shtëpive dhe bizneseve.

Sipas Panelit Ndërqeveritar të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, valët e të nxehtit janë duke u shtuar për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njerëzit.

Ai paralajmëron se moti i nxehtë do të bëhet më i shpeshtë dhe më intensiv në të ardhmen, ndërsa temperatura globale vazhdon të rritet./REL

Festivali “Kah Drita”, edicioni i dytë që do të shtrijë aktivitete kulturore në zemër të Junikut 

Në kuadër të projektit “Mirdita Junik” që funksionon si një urë bashkëpunimi Ndërkufitar mes Shqipërisë e Kosovës, organizohet edhe edicioni i dytë i festivalit “Kah Drita”.

Festivali “Kah Drita” është një festë dyditore që mbahet në Junik të Kosovës duke bashkuar muzikën, artin dhe kulturën në një përjetim të veçantë, ndërthurur mes bukurisë përrallore të bjeshkëve të Junikut dhe kulturës autentike të Dukagjinit.

Kjo festë, ku bukuria natyrore dhe trashëgimia, arti e kultura shkrihen në një harmoni të plotë mbahet në datat 19-20 korrik 2025, me performanca të paharrueshme të figurave më autentike të muzikës shqip.

Edicioni i dytë i festivalit do të hapet nga Agona Shporta e Ilir Bajri, më 19 korrik, në ora 18:00 në Junik, me një performancë të larmishme kulturash e tingujsh. Kjo performancë, duke përfshirë edhe këngë të folklorit shqiptar shënjon një udhëtim të veçantë muzikor të artistëve.

Nga ora 19:00, në Kullën e Isufajve, tingulli do të përjetësohet në vargje poezish. Në skenë do të ringjallen edhe njëherë poezitë e Din Mehmetit, me interpretim nga Alban Krasniqit.

Përpos Kullës së Isufajve edhe Amfiteatri i Moronicës do të gëzojë shpërfaqjen kulturore dhe muzikore me bendin “BLLA BLLA BLLA” , grupi rok shqiptaro-maqedonas nga Shkupi, me performancë nga ora 21:00.

Në po të njëjtën datë dhe vend në orën 22:00 do të jemi nën tingujt më të veçantë të muzikës shqipe nga Dren Abazi dhe Zig Zag Orchestra. Dren Abazi me orkestër do të vjen bashkë me origjinalitetin dhe energjinë, me multikulturalitin që bart arti i tyre muzikor, i servuar edhe në skena të ndryshme në gjithë botën.

Kurse me datë 20 korrik, në kuadër të laramanisë kulturore, do të performojë grupi “Rilindja” në ora 19:00 në Kullën e Isufajve, duke sjellë këngë që burojnë nga zemra dhe rrënjët kulturore.

Në këtë llojllojshmëri muzike dhe kulture festivali “Kah Drita” do të mbajë dy netët më të magjishme në Junik. “Kah Drita” niset prej motos “T’andrrum prej zanave t’veshuna me t’bardha që knonin maleve n’tingujt e lahut’s e ladronin nëpër fusha”, për të arritur kështu te drita e vërtetë e kulturës, te rrënjët, te zanat me lahuta, te artisët me kryeveprat e tyre./ KultPlus.com 

U larguan dhunshëm nga lufta, Zeqirja Rexhepi pas 26-të viteve me ekspozitë retrospektive në Gjilan 

Zeqirja Rexhepi tash e shumë vite është aktiv në komunitetin artistik, i cili shumë shpesh është prezantuar me ekspozita personale e kolektive për audiencën kanadeze, por një gjë e tillë i ka munguar për vendlindjen e tij, pasi që bashkë me familjen e tij ishte dëbuar nga forcat serbe, në vitin 1999, dhe prej atëherë artin e tij e ka zhvilluar përtej oqeanit.

Por ëndrra e tij po merr formë, pikërisht më 15 korrik do të prezantohet me ekspozitë retropsektive, i cili nëpërmjet kësaj ekspozitë po shënon edhe 45 vjetorin e krijimtarisë e 70-të vjetorin e lindjes.

Me kurator Avni Xh Behluli, ekspozita “Zeqa” do të hapet në Galerinë e Arteve në Gjilan dhe do të rri e hapur deri më 28 korrik të këtij viti. Hapja e ekspozitës do të bëhet në ora 19:30./ KultPlus.com 

Berati në UNESCO, 17-vjetori i regjistrimit në trashëgiminë botërore

Më 8 korrik të vitit 2008 qyteti i Beratit iu bashkëngjit listës së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, ishte shpallur qytet-muze që në vitin 1961. Kalaja e Beratit, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj, përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2400-vjeçar.

Pas hyrjes në UNESCO (Organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara), ku vendi ynë aderon që prej vitit 1958, qyteti i “një mbi një dritareve” do të promovonte vlerat monumentale dhe do të përfaqësohej ndërkombëtarisht së bashku me qytetin e Gjirokastrës, si një sit i vetëm për shkak të ngjashmërisë arkitektonike dhe historike.

Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve. Në kriterin e tretë të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se; Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës të cilat sot pothuajse janë zhdukur.

Kriteri i katërt thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës Klasike Osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë. Ky është një vlerësim mjaft i rëndësishëm për qytetin e Beratit i cili renditet kështu midis 600 vendeve të botës që janë në UNESCO si rrjedhojë e trashëgimisë së tyre universale./ KultPlus.com

Hapet edicioni i 24-të i Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës

Në amfiteatrin e Fakultetit të Edukimit të UP-së u zhvillua ceremonia e hapjes së edicionit të 24-të të Universitetit Ndërkombëtar Veror të Prishtinës.

Gjatë dy javëve në vijim, pjesëmarrësit do të ndjekin kurse që variojnë nga lidershipi i brezit Z e teknologjitë financiare, te inteligjenca artificiale, arkeologjia, efektet speciale filmike dhe drejtësia tranzicionale.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, në fjalën e tij para të pranishmëve, shprehu mirënjohjen për profesorët dhe studentët vendorë e ndërkombëtarë që i janë bashkuar këtij edicioni për të ligjëruar dhe mësuar. Ai theksoi se Universiteti Ndërkombëtar Veror përfaqëson ambasadorin kryesor të ndërkombëtarizimit të UP-së, duke qenë jo vetëm një platformë akademike, por edhe një hapësirë për ndërtimin e miqësive të reja dhe shkëmbimeve kulturore e shoqërore.

Duke uruar mirëseardhjen e mysafirëve nga bota akademike ndërkombëtare, rektori Hajrullahu ndau me ta një këshillë miqësore: që gjatë vizitës në Prizren të ndalen te shatërvani dhe të pinë ujë aty, sepse, sipas legjendës, kush e bën këtë, rikthehet patjetër në Kosovë.

Ai gjithashtu inkurajoi profesorët dhe studentët ndërkombëtarë që t’i përqafojnë shijet dhe tingujt e kulturës vendase: të shijojnë flinë tradicionale, të përjetojnë meloditë karakteristike të çiftelisë dhe të zbulojnë simbolin antik të Prishtinës, „Hyjnesha në Fron”.

Në ceremoni foli edhe zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Liza Gashi, ndërsa për nder të të ftuarve, prof. Dukagjin Muhaxheri nga Fakulteti i Arteve interpretoi disa melodi me saksofon.

Profesorët ndërkombëtarë të edicionit të 24-rt të Universitetit Veror të Prishtinës vijnë nga Japonia, Polonia, Spanja, Franca, Greqia, Turqia, Britania e Madhe, Gjermania dhe Italia. Po ashtu, mbi 130 studentë të huaj marrin pjesë, duke përfaqësuar vende të ndryshme të Evropës dhe kontinente të tjera./ KultPlus.com

Edicioni i pestë i “Rame Lahaj International Opera Festival” edhe përtej Prishtinës, Gala Mbrëmja më 2 gusht 

Muzika, duke qenë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të kulturës dhe artit në përgjithësi, arrin të lë gjurmë me elementet determinuese të saj. Një zhvillim i tillë i muzikës si art e kulturë vjen me festivalin “International Opera Festival” organizuar tash e pesë vjet nga tenori Rame Lahaj.

Edicioni i pestë i “Rame Lahaj International Opera Festival” vjen me moton “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, duke përçuar kështu jo vetëm një moto por edhe përpjekjen për të promovuar frymën muzikore të Kosovës.

Ky festival i organizuar nga data 23 korrik deri më 2 gusht, për plot 10 ditë do të promovojë aktivitete muzikore e të larmishme për pjesëmarrësit dhe dashamirët e artit të muzikës. Për herë të parë Kosova gëzon festivalin edhe në komuna tjera përpos Prishtinës, si në Pejë e Mitrovicë. Festivali kurorëzohet me mbrëmjen e Gala Night më 2 gusht, mbrëmje që do të prezantohet prej orës 20:30, në sheshin Sënderbeu në Prishtinë.

Gala Night “Rame Lahaj & Friends” ka rezervuar për pjesëmarrësit një mbrëmje të paharrueshme me performancën madhështore të Nino Machaidze, një prej artisteve dhe sopranove që ka interpretuar në skenat më të mëdha botërore. Performanca e muzikës së lartë klasike do të na sjell edhe figura të tjera të shquara si Dario Russo një bas italian i specializuar në repertorin bel canto, Rame Lahaj dhe dirigjenti Roberto Rizzi Brignoli, i cili edhe do të dirigjojë mbrëmjen e festës së artit.

Motoja “Rame Lahaj Friends” i thërret jo vetem idesë së promovimit të kulturës klasike por edhe më gjerë, bashkimit të kulturave të ndryshme si një e vetme. Andaj Gala Night përpos rëndësisë muzikore, bart edhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Tri netët e para të festivalit, më 23 korrik në hapsirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, 24 korrik në American Retail Park Interex, Pejë dhe 25 korrik në Pikën kryesore Interex, Mitrovicë, do të vijnë me homazh për figurën madhështore të muzikës e kulturës shqipe, Nexhmije Pagarushës. 

Përpos shpalosjes së vlerave muzikore shqipe, shohim se Lahaj synon të shpalos edhe kujtesën kolekive, ruajtjen dhe trashëgiminë e të kaluarës dhe personazhet kryesore që e përfaqësojnë. Arti i Pagarushës rikthehet edhe një herë i gjallë në skenë me pjesëmarrjen e artistëve të njohur brenda dhe jashtë vendit: Gala El Hadidi, Edona Reshitaj, Arbëreshë e Adhurim Grezda.

Kurse 27 korriku vjen me natën Educating the audience for the future, një natë kushtuar audiencës dhe publikut me ç’rast edhe shpërfaqet rëndësia edukative që ka festivali, ku pos të tjerave ofrohet edhe mundësia e aplikimit në Masterklasë Këndimi me mjeshtrin Ramon Vargas. Mundësi kjo që i hap rrugët për studiuesit e muzikës, nga datat 24 korrik deri më 29 korrik, si nata e New Generation, Univertiteti i Arteve në Prishtinë.

Më 28 korrik në orën 20:30 mbahet Opera Night në hapësiren e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, dhe udhëhiqet nga një prej sopranove më të sukseshme të Kosovës në skenat ndërkombëtare, Marigona Qerkezi, e cila do të sjellë në skenën shqiptare kryevepra botërore nga Bellini, Verdi, Puccini, pjesë nga kompozitorë shqiptarë dhe tingujt satirikë të Bernstein-it dhe Gershëin-it.

Skena shqiptare e Kosovës dominohet nga yjet e skenës botërore edhe më 30 korrik. Në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, në 20:30, në skenë ngjitet edhe Anita Rachvelishvili. 

Anita Rachvelishvili si artiste e shkëlqyer e Sony Classical përfshin albumet e shumëvlerësuara Anita ( 2018) dhe Elegie ( 2021), gjithmonë duke na dëshmuar aftësinë dhe ambiciet e rralla të zërit të saj. Ajo na paraqet prezencën e saj magjepsëse me zërin e saj për herë të parë në Kosovë e shoqëruar gjithashtu nga Ansambli i Festivalit Rame Lahaj. 

Festivali i Rame Lahaj , si pjesë e ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës, vjen edhe një herë me tërë madhështinë e tij në një përvjetor jubilar , duke kryqëzuar figurat ndërkombëtare nën rëndësinë muzikore dhe duke lënë gjurmë në organizimet kulturore në Kosovë dhe më gjerë./ KultPlus.com 

ASK-ja: Mbi 207 mijë banesa të blera, por të pabanuara në Kosovë

Foto: Arben Llapashtica

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin me të dhëna të detajuara për banesat dhe ndërtesat sipas komunave, në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2024.

Ky publikim ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse mbi strukturën e banesave në nivel kombëtar dhe komunal, duke përfshirë tregues të rëndësishëm që ndihmojnë në analizimin e zhvillimeve në sektorin e banimit dhe planifikimin urban.

Sipas të dhënave të publikuara, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 581 mijë  e 95 banesa, nga të cilat 356 mijë 959 janë të banuara nga një ose më shumë banorë.

Ndërkohë, 207 mijë e 165 banesa, që përbëjnë 35.7 për qind të totalit, rezultojnë të pabanuara, përfshirë ato të destinuara për shitje, dhënie me qira apo përdorime të tjera.

Raporti përfshinë informacione të detajuara për: numrin e përgjithshëm të banesave sipas komunave, shpërndarjen e banesave në vendbanime urbane dhe rurale, klasifikimin e banesave në të banuara dhe të pabanuara, llojin e furnizimit me ujë, llojin e sistemit të shkarkimit të ujërave të zeza, mënyrat e ngrohjes në banesa dhe numrin e dhomave në banesat e zakonshme.

ASK-ja ka theksuar se këto të dhëna janë një burim i rëndësishëm për politikat zhvillimore, si dhe për hartimin e strategjive për përmirësimin e kushteve të banimit dhe menaxhimin e qëndrueshëm të hapësirës.

Analiza e shpërndarjes së banesave të banuara dhe të pabanuara shërben gjithashtu për të kuptuar trendët e zhvillimit urban dhe rural, duke ndihmuar komunat në planifikimin e nevojave të ardhshme për infrastrukturë dhe shërbime publike./ KultPlus.com

UNI-Universum International College, institucioni nr.1 në Kosovë për projektet Erasmus+ të financuara nga Bashkimi Evropian

UNI Universum International College është renditur institucioni numër një në Kosovë për numrin më të madh të projekteve Erasmus+ të financuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas të dhënave të publikuara në ErasmusPlusKosovo, UNI Universum kryeson me më së shumti projekte të miratuara në kuadër të programit Erasmus+ International Credit Mobility, i cili mundëson shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik me universitetet më të mira evropiane.

Kjo arritje është dëshmi e përkushtimit të UNI Universum për ndërkombëtarizim dhe për ofrimin e mundësive konkrete për zhvillim akademik dhe profesional të studentëve dhe stafit të tij. Përmes këtyre projekteve, studentët kanë mundësi të ndjekin studime në Evropë, të fitojnë përvoja ndërkombëtare dhe të rrisin aftësitë e tyre për tregun global të punës.

UNI Universum International College shprehet krenar për këtë rezultat dhe vazhdon të investojë në partneritete ndërkombëtare që avancojnë cilësinë e arsimit në Kosovë.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu! 

Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, [email protected] ose ndiqni UNI – n në facebook & instagram./ KultPlus.com

Fëmijët e “Summer of Talents 2025” përjetojnë një aventurë të paharrueshme në liqenin e Batllavës

Programi veror edukativo-argëtues “Summer of Talents 2025” ka përmbyllur me sukses javën e parë të aktiviteteve me një ditë të veçantë në natyrë, në brigjet e liqenit të Batllavës.

Aktiviteti kryesor i ditës ishte kayaking-u, i cili u shndërrua në një aventurë emocionuese për fëmijët pjesëmarrës. Përveç lundrimit në kajak, dita ishte e mbushur me aktivitete të ndryshme relaksuese dhe argëtuese buzë liqenit.

Ekipi organizues kishte përgatitur një drekë të shijshme nga skara, ndërsa për fëmijët u organizuan lojëra interaktive dhe aktivitete që përforcojnë bashkëpunimin dhe kreativitetin. “Synimi ynë është që fëmijët të mësojnë përmes përvojës, argëtimit dhe eksplorimit të natyrës. Kjo ditë ishte shembull i përkryer i kësaj filozofie,” thanë organizatorët e programit. Ky aktivitet shënoi përmbylljen e suksesshme të javës së parë të “Summer of Talents 2025”, që ofron një sërë punëtorish, lojërash edukative dhe ekskursionesh për fëmijët gjatë pushimeve verore. Organizatorët kanë paralajmëruar se edhe java e ardhshme do të sjellë surpriza dhe aventura të reja për pjesëmarrësit e programit./ KultPlus.com

https://www.facebook.com/reel/504335186071685

Vasfije Krasniqi në ‘Photo Vogue’ me shqiponjë me 250 të mbijetuara

Vasfije Krasniqi – Goodman është në mesin e 250 të mbijetuarave të dhunës seksuale, të cilat me portretet dhe deklaratat e tyre kanë shpalosur rrëfimin jetësor në artikullin e “Photo Vogue” me titullin “Le të flasim me dhunën”.

E mbijetuara e parë e dhunës seksuale në luftën e Kosovës, e cila rrëfeu në mënyrë publike tmerrin nga forcat serbe, është shfaqur me veshje kombëtare dhe duke bërë shqiponjën me duar.

Autorja e këtij projekti, fotografja dhe aktivistja Jadwiga Brontē e cilëson këtë projekt si përballje me heshtjen, duke krijuar një hapësirë ​​ku dëshmia, solidariteti dhe dukshmëria bashkohen.

“Çdo pjesëmarrës zgjedh se si të shihet – si të pozojë, çfarë të zbulojë dhe çfarë të thotë. Imazhet nuk janë klinike ose voajuriste; ato janë të prekshme dhe të qeta, shpesh të qeta, herë pas here konfrontuese, gjithmonë dinjitoze. Shikuesit nuk i jepet qasje me forcë, por ftohet të dëshmojë me kujdes”, thotë ajo.

Më tej, ky projekt nuk cilësohet vetëm si akt rezistence por si “një gjest politik dhe hartë mbijetese”.

“Më e rëndësishmja, është një ftesë: të dëgjosh, të flasësh dhe të mos e largosh më shikimin”, vazhdon artikulli./Rtk live/ KultPlus.com

“Kurrizi” do të përurohet me muzikë rock, grupi “Minatori” pjesë e këtij koncerti 

Drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës Sibel Halimi ka njoftuar se më 13 korrik, prej orës 20:00 do të bëhet përuruimi i nënkalimit në Dardani, i njohur si Kurrizi, ngjarje kjo që do të përfshijë muzikë dhe ekspozitë. 

KultPlus ju sjell njoftimin e plotë për këtë ngjarje kulturore. 

“Kurrizi” nuk ka qenë kurrë vetëm një shtegkalim. Ka qenë zemra alternative e qytetit, një udhëkryq idesh, ku muzika rock, kafenetë, ndejat spontane, ekspozitat e artit modern dhe lëvizjet e reja kulturore kanë gdhendur një frymë të lirë qytetare. 

Me renovimin e tij, është krijuar një hapësirë e re që nuk ringjallet vetëm si vend takim për artin, por edhe si urë për kujtesën tonë kolektive, një epokë që na rikujton se liria dhe kultura janë gjithmonë të ndërlidhura, po aq sa e kaluara me të tashmen.

Le të fillojmë me një ekspozitë fotografish që ruan gjurmët e atyre që e bënë “Kurrizin” një hapësirë të gjallë alternative. 

Grupi Minatori, që me tingujt e tyre rock dhe tekstet që këndonin, u kthyen në zë simbol të një brezi që nuk pranoi heshtjen.

DJ James, që solli rrymat elektronike dhe rock underground për ta mbajtur gjallë këtë puls.

Oda Haliti, që me performancën e saj sjell artin bashkëkohor dhe tingullin eksperimental si një vazhdim të gjallë të frymës që ky vend ka kultivuar.

Eja dhe përjeto këtë udhëtim përmes dy epokave, aty ku rock-u, elektronika dhe performanca bashkohen në një narrativë të vetme, që kujton të kaluarën dhe të tashmen përmes artit./ KultPlus.com

Puthja qi m’bani me faj

Albert Vataj

U gjindëm nji ditë të dy njaq ngat,
njaq sa fryma m’frymonte në frymën e saj,
njaq sa syt, shkreptinin n’detin e dhanun tallaz,
ishim njaq ngat, sa me mujt me e ndigjue shkulmin e kurmit
mishit qi epshëm i kridhej në zjarm.

N’kyt tërbim e trazim gjimueshëm n’zemër e gjak,
hutimi, ngurimi e cytje me ngulm,
u epëm pa ja da t’anshmeve dëshirime,
syt, syt prekën tue u dridh tulin e hepuem t’buzëve,
buzëve qi epshi i kuqlonte, me adh, tue i kall.

U epëm n’kyt çast pror, si pend sfinksi, nderej mbi prush,
dhe… ngulmueshëm e rrëmbeva kryet e saj,
qafën qi i’u kput, mbi mua u prarua si nji han,
gishtat i’a ngërtheva rrëmbyeshëm mbi floknajë,
t’mijat buzë i’a ngjesha ngulmueshëm mbi buzët e saj.

I’a nduka me zjarm e afsh t’lumet buzë, shpuzë,
t’amlat buzë, qi njaq fort andës po mi hidhnin prush,
dhe t’mija buzë kafshonte ajo me huj,
u puthëm, u puthëm hujshëm e mujshëm… s’di se sa.

Pambarim i’u dhamë atij ngazëllimi epshi, n’hy blatue
njaq, sa edhe tash…
n’buzt e mia e ndjej zjarmin e buzëve t’saj,
përskuqjes s’hepueme qi struket e djeg,
nën hinin e atij çasti që e kallën ato puthje, ai purtek.

Ndalëm s’di se kur njat turr me huj e újë,
tue lan, sa shumë eshkë e etje në buzë,
e harruem me u pa në sy t’përshkënditur Vezuv,
heshtëm, ndonji fjal s’xumë mes vedi me than,
me buzët e shkrumuna, n’zjarmin e epjes s’mbram.

Ndërmendem se munda me than vetëm një fjalë,
kurrnji ma shumë jo, vetëm nji… m’fal!
Atëditë e sot
tue kafshu n’buzt e mija puthjen e saj
hala ndihem i xanun n’faj./KultPlus.com

Së shpejti edicioni i pestë i Porto Palermo Festival që organizohet nga Olen Cesari

Parku Natyror i Porto Palermos është një nga zonat më të bukura të bregdetit shqiptar, mes ujërave të kristalta të Jonit.

Plazhet e kristalta dhe natyra e paprekur plotësojnë një ofertë të përkryer për të gjithë vizitorët, qofshin vendas apo të huaj. Shumë shpejt ky vend special, i cili është kthyer në një skenë të përkryer për evente kulturore dhe artistike, do të mikpresë edicionin e pestë të Porto Palermo Festival, ideuar nga violinisti i mirënjohur Olen Cesari.

Festivali sjell çdo vit artistë virtuozë si dhe vizitorë nga e gjithë bota, për të ndjekur festivalin e njëkohësisht për të zbuluar këtë vend duke ndjerë frymën e historisë në çdo cep.

Festivali zhvillohet në kalanë e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të 19-të, si dhuratë për gruan e tij, Vasiliqinë.

Arkitektura e veçantë e kalasë tregon për mjeshtërinë e ndërtimit dhe inteligjencës strategjike. Nga kullat e larta dhe muret mbrojtëse syri sheh një horizont të pafund, ku deti dhe qielli bashkohen në një pamje mahnitëse.