Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur dhe katosur Po vajtonj pa funt, pa shpresë, Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti, Vaj-vatani e mjer mileti, Anës detit i palarë, Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë, Pranë dijes i panxënë, Lakuriq dhe i dregosur, Trup e shpirt i sakatosur.
Se ç’e shempnë derbederët, Mercenarët dhe bejlerët, Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë, Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë, Ç’e shkretuan anembanë, Nënë thundrën e përdhunës Anës Vjosës, anës Bunës.
Çirem, digjem i vrerosur, Sakatosur, çarmatosur, As i gjall’, as i varrosur, Pres një shenj’ e pres një dritë, Pres me vjet’ e pres me ditë, Se ç’u tera, se ç’u mpaka, Se ç’u çora, se ç’u mplaka, Lark prej vatrës dhe prej punës, Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur, Përpëlitur dhe zalisur, ËndËronj pa funt, pa shpresë, Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Dhe një zë vengon nga lumi, Më buçet, më zgjon nga gjumi, Se mileti po gatitet, Se tirani lebetitet, Se pëlcet, kërcet furtuna, Fryhet Vjosa, derdhet Buna, Skuqet Semani dhe Drini, Dridhet beu dhe zengjini, Se pas vdekjes ndriti jeta Dhe kudo gjëmon trumbeta. Ngrehuni dhe bjeruni, Korini dhe shtypini, Katundar’ e punëtorë, Që nga Shkodra gjer në Vlorë!
Ky ilaç e ky kushtrim më bën djal’ e më bën trim, më jep forc’ e më jep shpresë, anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë, që do kthehemi njëherë, pranë vatrës, pranë punës, Anës Vjosës, anës Bunës.
Arratisur, syrgjynosur, Raskapitur e katosur, brohoras me bes’ e shpresë, anës Elbë-s, anës Spree-së./KultPlus.com
Një libër me tregime nga Helena Kadare me titullin “Krimineli nga Kadizi” e sjell atë në panair si shkrimtare pas disa dekadash dhe për herë të parë pa Kadarenë, që u nda nga jeta në korrik. Në një intervistë për “News24” ajo thotë se të shkruarit e ka ndihmuar të kalojë këta muaj.
“Ngjarja e largimit të tij është e afër dhe kam përshtypjen se e zgjodha të bëj këto tregime se është terapia më ë e mirë për t’i bërë kozmetikë shpirtit. Meqë më pyesni për këta muaj në mungesë më duket se nuk e kam gëlltitur, mungesën e tij, e më duket se do kthehet në shtëpi, sikur do të trokasë, e megjithatë në studion e tij nuk kam shkelur ende tamam. E hap derën dhe e mbyll”, tha Helena.
Ardhja në panair, si shkrimtare pa të, është trishtim dhe çlirim njëherësh, çka përshkruan një lloj ambiguiteti që ndjen si grua e si shkrimtare.
“Ndjej këtë gjë, se po ta shihte Ismaili dhe ndjej se i sheh gjërat që ndodhin them se do ti pëlqente por mund të them se krahas asaj mungese, kam një lloj çlirimi që nuk kam syrin e tij kritik për herë të parë u ndjeva e çliruar nga ky ankth, a do ta pëlqejë apo jo”, tha Helena Kadare.
Helena Kadaresë, ishte letërsia që I ndryshoi jetën. Ishin tregimet e lidhën me Ismail Kadarenë dekada më parë duke I ndryshuar jetën. Është sërish letërsia që e ndihmon.
“Siç më tregonte Ismaili ka qenë në Moske më Dhimitër Xhuvanin dhe lexoi tregimin tim “Zbukurimet e tavanit” dhe më bën dy rreshta, lexova tregimin tuaj, sikur ishte mahnit/. Mua leximi, kur kam kaluar periudha të vështira më ka nxjerrë nga depresioni që më shtynte sëmundja”, tha Helena Kadare.
Libri i saj, “Krimineli nga Kadizi” është shkruar muajt e fundit dhe sjell ngjarje të vërteta të vendosura në Spanjë përmes një trilli letrar dhe një kushtim për “Gruan e Lirë”.
Sot është Dita Ndërkombëtare e Tolerancës, bazuar mbi “Deklaratën e UNESCO-s” të vitit 1995 të parimeve mbi tolerancën.
UNESCO thotë se, toleranca është respekt, pranim dhe vlerësim i diversitetit të pasur të kulturave të botës sonë, formave tona të të shprehurit dhe mënyrave të të qenit njerëzor.
Në vitin 1996, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën 51/95 duke shpallur 16 nëntorin si Ditën Ndërkombëtare të Tolerancës. Ky veprim pasoi miratimin e një Deklarate të Parimeve mbi Tolerancën nga Shtetet Anëtare të UNESCO-s.
Ndër të tjera, deklarata pohon se toleranca nuk është as kënaqësi, as indiferencë. Toleranca njeh të drejtat universale të njeriut dhe liritë themelore të të tjerëve. Njerëzit janë natyrshëm të ndryshëm; vetëm toleranca mund të sigurojë mbijetesën e komuniteteve të përziera në çdo rajon të globit.
Po cilat mund të jenë disa nga mënyrat e kremtimit të kësaj dite? UNESCO sugjeron:
Të mësojmë mbi kultura të ndryshme nga e jona.
Të bëjmë punë vullnetare.
Pjesëmarrja në aktivitete mbi diversitetin.
Të ndash ushqimin me të tjerët, si formë shkëmbimi kulturor.
Të ndërgjegjësosh lidhur me tolerancën./atsh/ KultPlus.com
Mbrëmë, në hapësirën e Qendrës së Kulturës në Obiliq, Baleti Kombëtar i Kosovës dha premierën e shfaqjes ‘Terminal’ me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Romane Petit, shkruan KultPlus.
Duke filluar nga emri, “Terminal” vendosi publikun në një sallë simbolike nisjeje, ku çdo element i skenës dhe koreografisë funksionoi si metaforë e udhëtimit të brendshëm të njeriut. Mes ndriçimit dhe tingujve që plotësonin atmosferën, publiku u ftua të reflektojë mbi arsyet dhe qëllimet e udhëtimeve mendore dhe emocionale të ilustruar nëpërmjet një skene që i ngjan aeroportit.
Shfaqja trajtoi procedurat e sigurisë, të cilat shërbejnë si barriera jo vetëm në aeroportet reale, por edhe brenda vetë mendjes sonë. Përmes lëvizjeve të fuqishme dhe të sinkronizuara të trupës së baletit, “Terminal” eksploroi tensionin mes pritjes së ankthshme dhe shpresës së re që çdo udhëtim sjell.
E pranishme në këtë premierë, koreografja Romane Petit, u shpreh se kjo shfaqje ka për qëllim që nëpërmjet lëvizjeve ka për qëllim që të shpjegojë relacionet e njerëze dhe zgjidhjet e tyre në jetë.
“Ne kemi dashur që ta shfaqim një situatë që ndodhë në aeroport, një shfaqje që flet për tranzicionet që ndodhin në jetë, se si edhe pse ne mendojmë ndonjëherë që jemi duke qëndruar në një vend, në fakt ne lëvizim, prandaj flasim shumë për lëvizjet e njeriut në vazhdimësi, po ashtu flet edhe për migrimet që ne duhet të bëjmë të detyruar nga jeta apo nga vendimet që ne marrim, ose në rastet kur nuk kemi zgjidhje, dhe duhet të lëvizim. Shfaqja flet për të gjitha këto dhe për relacionet në mes të njerëzve”, tha koreografja Petit për KultPlus, duke shfaqur konceptin e ‘Terminal’.
Pas shfaqjes, për KultPlus foli drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, i cili fillimisht foli për skenën në të cilën në këtë mbrëmje dha premierën shfaqja ‘Terminal’ “Qendra e Kulturës në Obiliq është një hapësirë komode, shumë e mirë, është një ndërtesë e re ku praktikisht disa shfaqje të repertorit tonë mundemi lirisht t’i shfaqim në këtë qendër të kulturës, për këtë edhe dua ta falënderoj komunën e Obiliqit që na kanë mirëpritur në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Kajtazi, duke shtuar më tutje se i vetmi problem është distanca nga audienca e kryeqytetit.
“Koreografët ma kanë paraqitur si ide ‘Terminalin’, edhe si bashkëpunim nëpërmjet balerinit tonë dhe solistit Sead Vuniqi, i cili ka qenë edhe asistent i koreografëve të shfaqjes, si një projekt që fillon rrugëtimin këtu, për t’u shfaqur më pas edhe në Prishtinë. Po ashtu kjo shfaqje është e ftuar në tri festivale të ndryshme në fillim të vitit të ardhshëm”, tha ndër të tjerash Kajtazi.
Pas një paraqitje si balerin por edhe si asistent i koreografëve, për KultPlus foli edhe Sead Vuniqi, i cili e vlërësoi këtë bashkëpunim si dhe falënderoi Komunën e Obiliqit për mundësinë që këtë premierë ta jepin në qendrën e kulturës së këtij qyteti.
“Së pari dua ta falënderoj Komunën e Obiliqit të cilët na e kanë mundësuar që ta shfaqim ‘Terminalin’ si edhe mikpritja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e madhe sepse trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës po has në vështirësi për shkak të kushteve, mirëpo ne po mundohemi vazhdimisht që të gjejmë alternativa si kjo ose si diku tjetër që ta shfaqim planprogramin. Puna me koreografët ka qenë shumë e mirë, unë koreografët i njoh më herët për shkak të disa bashkëpunimeve që i kemi pasë jashtë vendit dhe për këtë edhe i kam paraqitur tek drejtori i BKK-së dhe është aprovuar që ta shfaqim këtë shfaqje sonte”, u shpreh Vuniqi duke shtuar me tutje se ngaqë e njohin njëri-tjetrin, bashkëpunimi ka qenë edhe më i lehtë.
Ndërkaq balerinët që luajnë në shaqjen ‘Terminal’ janë: Aulonë Nuhiu, Blerta Fanaj, Donmir Bilalli, Fatmir Smani, Fisnik Smani, Isa Beg Gjocaj, Luljeta Ademi, Mërgime Morina, Muhamet Bikliqi, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi dhe Vlora Prizreni./KultPlus.com
Në një përpjekje për të promovuar dhe ruajtur trashëgiminë muzikore të Kosovës, organizohet për herë të parë festivali i vetëm dedikuar kompozitorëve kosovarë, ‘Kompozitorët e Karrierës’, përcjell KultPlus.
Kjo iniciativë shënon një moment historik në skenën kulturore të vendit, duke synuar të kthehet në një traditë të përvitshme që ndriçon krijimtarinë e kompozitorëve shqiptarë.
Festivali do të shtrihet si një seri aktivitetesh gjatë gjithë vitit, me synim krijimin, përhapjen dhe mbrojtjen e veprave muzikore vendase. Përmes kësaj platforme, kompozitorët kosovarë do të kenë mundësinë të prezantohen më fuqishëm në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Edicioni i parë do t’i kushtojë vëmendje të veçantë krijimtarisë së kompozitorëve të njohur kosovarë me karrierë ndërkombëtare. Në koncertin e parë, do të interpretohen veprat e kompozitorëve të shquar Mendi Mengjiqi, Valton Beqiri dhe Drinor Zymberi.
‘Kompozitorët e Karrierës’ do të mbahet më 22 nëntor nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare./KultPlus.com
Historiani Uran Butka ka përmbledhur në një libër gjithë polemikat e tij me gjuhëtarët, historianë, gazetarë dhe shkrimtarë përgjatë 32 viteve.
Polemikat mbajnë tema mbi të kaluarën tonë, ngjarjet dhe debatet e së tashmes, por edhe perceptimin tonë për të ardhmen.
Ka qenë shqetësimi i tij, raporti me të vërtetën historike, mëkatet dhe krimet e diktaturës komuniste, si dhe personazhet simbol të saj.
Libri “Polemika” erdhi si rezultat i gati tre dekadave polemika mbi çështje të nxehta të historisë së luftës, të diktaturës dhe demokracisë. Studiuesi Uran Butka përmes këtij libri ka pasur qëllim të ndërtojë ndër të tjera dhe hartën e të vërtetave të manipuluara të historisë së Shqipërisë, sidomos atë të viteve të komunizmit./TopChannel/KultPlus.com
Conan O’Brien është shpallur prezantuesi i edicionit të 97-të të çmimeve “Oscars”, sipas “The Independent”.
Komediani dhe personaliteti televiziv, 61 vjeç, i cili njihet për show-n “Late Night with Conan O’Brien”, do të pasojë komedianin Jimmy Kimmel, i cili drejtoi edicionin në 2023 dhe 2024.
O’Brien, i cili ka fituar pesë çmime “Emmy” për serialet e tij jo-fiction dhe talk show-t, do të jetë prezantuesi i vetëm i “Oscars”, pavarësisht se yjet e “Deadpool & Wolverine”, Ryan Reynolds dhe Hugh Jackman u përfolen se do të prezantonin ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
“Amerika e kërkoi dhe tani po ndodh: Unë jam drejtuesi i “Oscars”, tha O’Brien duke bërë shaka.
“Ai është personi i përkryer për të drejtuar edicionin e 97-të të ndarjes së çmimeve – me humorin e tij të shkëlqyer, dashurinë e tij për filmat dhe ekspertizën e tij televizive live”, thane CEO i Akademisë, Bill Kramer dhe presidentja e Akademisë, Janet Yang.
“Aftësia e tij e jashtëzakonshme për t’u lidhur me audiencën do t’i bashkojë shikuesit për të bërë atë që “Oscars” bën më së miri – të nderojë filmat dhe kineastët spektakolar të këtij viti”, shtuan ata./ KultPlus.com
Muzeu Historik Kombëtar dhe bashkia Përmet, me rastin e 80-vjetorit të vdekjes së Mary Edith Durham, çelën ekspozitën me titull “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”.
Ekspozita “Miss Mary Edith Durham, Mbretëresha e Maleve (1863-1944)”, e ideuar dhe kuruar nga Muzeu Historik Kombëtar, përmban foto dhe skica të realizuara nga vetë Edith Durham-i gjatë udhëtimeve nëpër viset shqiptare. Po ashtu, duhet theksuar se Mbretëresha e Maleve shqiptare njohu nga afër dhe ka pasur letërkëmbime me shumë prej personaliteteve të shquara të vendit tonë, si me Ismail Qemalin, Kristo Dakon, Dervish Himën, Mit’hat Frashërin, Pandeli Evangjelin, Faik Konicën, Lef Nosin, Mehmet Konicën, motrat Qiriazi, Aqif Pashë Elbasanin, Hil Mosin, Hoxhë Kadrinë, Bajram Currin etj.
Në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite në ambientet e Qendrës Kulturore Multifunksionale “Odhise Paskali”, Përmet përshëndeti kryetarja e Bashkisë Përmet, Alma Hoxha dhe profesor Kastriot Bezati.
Edith Durham e kishte origjinën prej një familjeje të madhe dhe të pasur nga veriu i Londrës. Ajo ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët qenë të suksesshëm në karrierat e tyre.
Vetë Edith-i përfundoi “Bedford College” në Londër (1878-1882) dhe më pas studioi për pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve.
Udhëtimi i parë (1900-1901). Pas vdekjes së të atit, Durhamit iu desh që, për vite me radhë, të kujdesej për nënën e sëmurë. Në moshën 37-vjeçare, me këshillën e mjekut, ajo shkoi për pushime jashtë vendit, për t’u qetësuar. Me anë të rrugëve detare, u nis nga Anglia për në brigjet e Dalmacisë dhe e vazhdoi udhëtimin për në Trieste e Kotor, ndërsa në fund shkoi në Cetinjë, kryeqyteti i Malit të Zi. Kjo pjesë e vogël dhe e harruar e botës do t’i linte mbresa të thella.
Udhëtimi i dytë (1902-1903). Pasi kishte mësuar pak serbisht dhe shumë më tepër për historinë e Ballkanit, Durhami bëri një udhëtim në Serbi, për të mbledhur të dhëna për librin e saj të parë, Përmes trevave të Serbit (Through the Lands of the Serb), Londër 1904. Në libër përfshihen edhe rrëfimet për vizitat e saj në Shkodër dhe në Kosovë. Duhet theksuar se ato udhëtime kërkonin guxim dhe këmbëngulje të madhe, sidomos për një femër që udhëtonte vetëm.
Udhëtimi i tretë (1904). Në fund të vitit 1904 ajo u kthye për një qëndrim pesëmujor në Ballkan, ku punoi për Komitetin Humanitar Maqedonas. Mbresat e këtij udhëtimi përshkruhen në librin Brenga e Ballkanit (The Burden of the Balkans), Londër 1905. Në libër përfshihen edhe rrëfimet e udhëtimit të saj të parë në Shqipërinë e Jugut dhe të Mesme – nga Manastiri në Korçë, Leskovik, Përmet, Pojan, Berat, Mirditë, Tepelenë, Elbasan e Shkodër.
Udhëtimi i katërt (1906-1907). Në vitet 1906-1907 udhëtoi në Mal të Zi dhe Bosnje-Hercegovinë për të mbledhur materialin etnografik që u botua shumë më vonë në librin e saj Disa prejardhje fisnore, ligje dhe zakone të Ballkanit (Some Tribal Origins, Laws and Customs of the Balkans), Londër 1928.
Udhëtimi i pestë (1908). Në verën e vitit 1908, ajo ndërmori një udhëtim tjetër në Malin e Zi dhe prej aty shkoi në Shkodër dhe pastaj, përmes Malësisë së Veriut, shkoi në Kosovë. Këtë udhëtim e ka përshkruar në librin e saj më të njohur, Shqipëria e Epërme (High Albania), Londër, 1909.
Udhëtimi i gjashtë (1911-1913). Ngaqë u sëmur rëndë nga malaria, Edith Durham-i e kaloi dimrin e vitit 1910 në Egjipt, ndërsa një vit më vonë u kthye në Shkodër dhe u strehua në familjen Shantoja. Libri Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë (The Struggle for Scutari: Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, përqendrohej në rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës, në kohën e pavarësisë së Shqipërisë.
Udhëtimi i shtatë (1921). Për herë të fundit erdhi në Shqipëri në vitin 1921, ku u takua me Fan Nolin.
Mary Edith Durham do të mbetet përgjithmonë si një grua e rrallë dhe një kujtim i bukur për shqiptarët, një personalitet i nderuar dhe e dashur. Nga dita që ajo shkeli në tokën shqiptare, u mrekullua jo vetëm nga natyra, por edhe nga shpirti dhe vlerat morale të shqiptarëve. Madje edhe vetë u tregua shqiptare me zemër e me shpirt. Kjo është arsyeja pse të gjithë shqiptarët e nderojnë, e respektojnë dhe e kujtojnë si bijën e tyre. Dhe jo më kot i kanë dhënë titullin e lartë Mbretëresha e Maleve. Prej kohësh ajo është pjesë e historisë së Shqipërisë./ KultPlus.com
“Prishtina Jazz Festival”, festivali më i madh i xhazit në vendin tonë mbrëmë ka shpalosë natën e parë për këtë edicion të ri. Kjo ngjarje e rëndësishme për kulturën dhe muzikën në Kosovë ka përhapur mbrëmë një atmosferë të veçantë në kryeqytet dhe padyshim ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë ata që patën rastin t’i përjetojnë tingujt e meloditë e larmishme që përqafuan imtësitë e shpirtit të gjithsecilit, shkruan KultPlus.
Gjithsej pesëmbëdhjetë muzikantë kanë shkelur skenën në Teatrin Oda, për të shfaq një program të bukur me plot nëntë vepra që rrëshqitshin ëmbëlsisht një nga një në koncertin e dhënë për gati dy orë të plota. Diversiteti i instrumenteve ka qenë diçka fenomenale, e që ka dalë përtej të imagjinueshmes. Nga momenti në moment, gjithçka ndryshonte dhe të rrëmbente pa pikë mëshire, për të t’dhënë diçka që jo lehtë harrohet nga zemra e njeriut. Interpretuesit në anën tjetër, jepnin gjithçka nga vetja, dhe kjo dallohej sa herë që ata mbyllnin sytë dhe dukeshin sikur muzika po ia pushtonte qenien e tyre. Në disa momente, ata edhe ndërlidheshin nëpërmjet tingujve dhe i buzëqeshnin njëri-tjetrit, asisoj që të krijonte një përshtypje se muzika është ajo fija e mëndafshit që po i ndërlidhte pasionet e tyre në një shpërthim ritmik, sharmant e tejet unik.
Fillimisht, para se gjithçka të gjente fillin, në skenë doli aktori i njohur Alban Ukaj, i cili tha se festivali më i dashur për të, përherë do të mbetet “Prishtina Jazz Festival”.
“Jam një ndër ata aktorët që ka pasur gjithmonë ëndërr të bëhet muzicient, por se kam arrirë dhe jam bërë aktor. Dëshira ime e kamotshme ka qenë që ta bëj hapjen e festivalit të xhazit në Prishtinë dhe Xhaferi ma plotësoi atë. Unë gëzohem pa masë që ky festival e ka një vazhdimësi të vetin dhe gëzohem që festivalin po e organizon Armendi, me të cilin njihemi shumë gjatë. Herën e parë që kam shkuar në Sarajevë, ka qenë pikërisht me të dhe më kujtohet që rruga ka qenë shumë e gjatë, por ai flinte gjithmonë shumë. Ai më thoshte se pavarësisht nervozes, gjithmonë vjen koha për të fjetur. Ashtu është edhe muzika e xhazit. Duhesh me qenë i gjerë në mendime, me e dashtë atë në aspektin shpirtëror, për të bërë diçka të tillë. Unë e kam pasur fatin që shumicën e kohës të shoqërohesha më shumë me muzicientë e me pak me aktorë. Kur në Sarajevë nëpërmjet intervistave më pyesin se cili është festivali më i dashur, gjithmonë i them që është Prishtina Jazz Festival”, thotë ai.
Po ashtu, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se “Prishtina Jazz Festival” ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social, andaj dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës.
“Është nder për mua që sonte ndodhem këtu bashkë me ju dhe ta vazhdojmë traditën e zhanrit më demokratik në muzikë, në Kosovë, me këtë festival. Ky festival sjell një gjallëri dhe cilësi të shprehjes muzikore për pesë ditë të mbushura me performime dhe aktivitete. Xhazi ka lind në New Orleans dhe atje është zhvilluar përtej kufijve amerikanë duke iu falënderuar pionierit si Louis Armstrong, që ka sjellë një frymë të re. Meqenëse zgjerohesh përtej atje ku lind, nuk mbetesh i njëjti më asnjëherë. Në vitet e 60-ta, figura të ndryshme kanë përdorur xhazin për të drejtat civile për paqe në shtet. Në vitet e 70-ta e 80-ta, është dhënë një kontribut nga artistë të ndryshëm ku xhazin e kanë kthyer në simbol global të kualitetit artistik”, thotë ai.
Sipas tij, edhe në Kosovë, në vitet e 60-ta, elementet e xhazit janë interpretuar nga artistë si Abdurrahman Shala dhe këngëtarë të tjerë të njohur. Ai ka thënë se ky zhanër ka filluar të rritet dukshëm, duke iu falënderuar pionierëve si Sheki Hoxha dhe artistëve nga gjenerata e parë, ndërkaq intensiteti i xhazit në Kosovë është shumë zhvilluar pas luftës, veçanërisht në dekadën e parë me kontributin e “Prishtina Jazz Festival “që tashmë është bërë një vlerë identifikuese e muzikës në vend.
“Në këto edicione të këtij festivali, duhet të theksojmë se improvizimi xhaz na mëson të provojmë të jemi të rehatshëm në mos-rehati sepse rehatia na largon prej dëgjimit. Pjesëmarrja e orkestrës në ditën e parë të festivalit është një dëshmi e rëndësisë së xhazit për kulturën tonë. Ky festival ka ndikuar në aftësimin shpirtëror dhe komunikim social dhe ngjarjet e tilla do të kenë përherë mbështetje nga Republika e Kosovës. Ftoj që qytetarët që për këto ditë të vijnë në këtë festival dhe të takojnë artistë nga Kosova dhe të huaj e të marrin pjesë në punëtoritë e festivalit. Urimet më të përzemërta për organizatorët e festivalit që mundësojnë bashkimin nëpërmjet muzikës”, përfundon Kurti.
Tutje, pas disa falënderimeve ndaj të pranishmëve dhe artistëve pjesëmarrës e po ashtu edhe shakave të cilat janë të njohura nga kitaristi dhe drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi, nisi koncerti fiks në orën 20:35.
Terri mbuloi vendin për disa sekonda, më pastaj reflektorët në ngjyrë vjollcë ishin ato që shoqëruan të pranishmit brenda hapësirës gjatë gjithë koncertit. Të vendosura në vende të përshtatshme pos njërës në qendër, ato ndihmuan që ne të shihnim nga afër gishtërinjtë që lëviznin si krahë të fluturës, frymëmarrjet e shumta, lëvizjet e kokave që ndjenin emocion e shumëçka tjetër.
“Albinox” (swing) dhe “Lanugo” për violinë me kompozim nga Visar Kuçi, “As Indikalastros”, “Ni sendviq t’shpise” për xhaz orkestër kompozuar nga Librun Jupolli, “Mantija” kompozuar nga Taulant Mehmeti, “Nji Lule”, “Winds of Suxhuk”, “Sharllabuzllat” e “Çaji rus”, ishin veprat që u shpalosën e që arritën të krijojnë tinguj që u duartrokitën vazhdimisht në publik, me ç’rast atmosfera sa vinte dhe bëhej akoma më e ngrohtë, më e gjallëruar dhe krejt madhështore.
Veprat vinin në një kontrast të dukshëm me njëra-tjetrën, por ato njëra pas tjetrës vazhdonin të tejkalonin perfeksionin e dhuruar. Pothuajse të gjitha veprave iu bashkëngjitej instrumenti i parë elektrik në botë, teremin, e që kontrollohej nga kompozitori Librun Jupolli, i cili kishte një fokus të vazhdueshëm ndaj qasjes që e dhuronte dhe kjo e bënte koncertin akoma më të mrekullueshëm. Më pastaj, fronin e merrte vazhdimisht instrumenti i violinës që luhej nga violinisti Visar Kuçi, i cili me një qetësi të paparë dhuronte spektakël mahnitës. Është evidente se violina për të është hyjni në të cilën ai beson plotësisht. Tutje, kitarat elektronike në krye me Armend Xhaferin e Taulant Mehmetin, po elektrizoheshin nga çasti në çast dhe kjo pasonte nga dashuria e dëlirë që ata kanë për muzikën. Sytë e tyre shndritnin vazhdimisht teksa muzika përçonte emocione të llojllojshme.
Përgjatë gjithë koncertit, instrumentistët thuajse ia pasonin “topin” secilit me radhë. Në secilën vepër, mbi secilin instrumentist vihej një “dritë” që i bënte ata fokusin kryesor përgjatë disa minutave.
Armend Xhaferi, Raynald Colom, Daniel Nosig, Dukagjin Muhaxheri, Jure Pukl, John Cushing, Philip Yaeger, Visar Kuçi, Ilir Bajri, Librun Jupolli, Taulant Mehmeti, Driton Bejta, Enver Maxhuni, Nesim Maxhuni, Enes Beu dhe Sam Levin, mbështollën natën e mbrëmshme si një strofull lirike ku secila notë të bënte të çmendeshe por edhe të qonte në “qiellin e shtatë”. Boritë e instrumentistëve lëshoheshin këndshëm në atmosferë duke krijuar shpërthime e kthesa të vazhdueshme me ç’rast rrahjet e zemrave sa vinin e shtoheshin. Çdo notë e saksofonit, sintit, trumbetës, baterive të hynte në brendësi dhe krijonte shtëpinë e vetë.
Nën fishkëllima, brohoritje të kohëpaskohshme dhe duartrokitje të shumta, përfundoi koncerti i parë i “Prishtina Jazz Festival”, e që do të vazhdojë deri më 18 nëntor.
Ndërkaq, për të treguar më shumë rreth emocioneve pas një koncerti të tillë, për KultPlus foli drejtori i “Prishtina Jazz Festival”, Armend Xhaferi.
“Koncerti erdhi nën një kombinim të muzikantëve të Prishtinës dhe muzikantëve të huaj xhaz. Koncerti ka qenë një ide e jona për të krijuar një ansambël me veprat tona. Kësaj here vendosëm që kompozimet tona të jenë pjesë e këtij viti brenda orkestrës dhe ne kemi kontaktuar të gjithë shoqërinë tonë për këtë festival. Ka qenë një xhaz i kombinuar me folklorin tonë në një farë mënyre, pra kemi prezantuar atë se çfarë ne e kemi dëgjuar si fëmijë. Kryesisht, veprat tona janë ndryshe nga to, por ka elemente ngjashmërie. Këto vepra kanë fjetur shumë mirë në konceptin e bendit dhe në repertor. Është hera e parë që e kemi bërë këtë dhe po shpresoj që nuk është hera e fundit. Veprat vijnë të kompozuara nga unë, Taulant Mehmeti, Librun Jupolli dhe Visar Kuçi”, thotë ai.
Sipas tij, ka pasur akoma shumë vepra të tjera të kompozitorëve të tjerë që ishin dashur të luhen, mirëpo tani drejtimi i festivalit parashihet të eci në këtë frymë për të prezantuar muzikën shqiptare.
Po ashtu, violinisti Visar Kuçi për KultPlus ka shprehur emocionet e tij lidhur me paraqitjen e dy kompozimeve të tij.
“Në një farë mënyre më shumë përdoret violina elektrike në muzikën xhaz në këso lloj formacioni. Unë personalisht nuk luaj shumë shpesh në violinë në këto lloj projekte përveç nëse është diçka shumë e veçantë si sonte kur orkestra dhe të gjithë muzikantët i përkasin një niveli të jashtëzakonshëm, andaj edhe ka qenë shumë e përshtatshme me e përdorë violinën sonte. Mendoj që violina i ka dhënë një ngjyrë të veçantë komplet programit, momente-momente. Kur muzikantët i ke të mirë përreth atëherë krijohet një platformë ku edhe ti vetë personalisht shkëlqen, prandaj ishin edhe disa momente shumë të bukura gjatë koncertit. Komplet programi ka qenë me muzikë origjinale, ku dy nga to ishin kompozime të mia. Njëra ka qenë me ritme tradicionale shqiptare/ballkanike, dhe në një moment e kam cituar edhe një temë të njohur popullore, ndërsa tjetra ka qenë e vetmja vepër që erdhi si pardoi e xhazit swing”, thotë Kuçi.
Kujtojmë që nesër (16 nëntor), vjen koncerti i radhës me Erkand Morinën, Xavier Nikçin, Hugo Rehman Langemarnin duke filluar nga ora 20:00, pastaj pason bendi i Raynald Colomit duke filluar nga ora 21:30./ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Drejtorin Rajonal për Evropë dhe Azi Qendrore të Bankës Botërore, Asad Alam.
Kreu i qeverisë prezantoi arritjet e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik, forcimin e institucioneve demokratike dhe avancimin e sundimit të ligjit, dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Bankën Botërore në projekte që synojnë përmirësimin e sektorëve të ndryshëm që rrisin konkurueshmërinë e vendit, njoftojnë nga zyra e kryemisnitrit.
Ndërkaq, Alam vlerësoi përparimin e Kosovës dhe rikonfirmoi angazhimin e Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës të vendit./ KultPlus.com
Bindi erdhi dhe Bindi shkoi, sikur stinat që po vijnë e po shkojnë, në Prishtinë Heret dolëm te kafja “Morena”, te mahalla jonë, me pi një ekspresso, te shkurtë, të gjatë, në gjysë, një shtatëdhjetëshe, çdo vizitor i kryeqytetit luan mendsh me porosinë e kafës, “më të mirën në botë”, dhe muhabetit që zgjatet tu e pi. Bindi pyeti për çmimin e pikturës “Mrapa Morenës”, mori me veti në valixhen e tij pak lindje në perendim, shumë mall për mahallën, dhe shkoi./ KultPlus.com
William Shakespeare ishte një nga autorët më të njohur botëror. Ai e ngriti artin poetik në majat më të larta, përcjellë KultPlus.
Kur flitet për të shumë pak autor i qëndrojnë përkrah dhe asnjë sipër. Studimet, analizat dhe komentet rreth tij janë të panumërta por përfundimi është i njëjtë: vepra shekspiriane është e admirueshme si tërësi dhe në të tërë përbërësit e veçantë.
Gjatë krijimtarisë së tij, Shekspiri realizoi 37 vepra për teatrin, nga të cilat 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshinë 154 sonete që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema të gjata.
KultPlus sot ju sjellë një thënie të këtij autori të madh:
“Duaj, duaj marrëzisht, duaj më shumë se që mundesh dhe nëse të thonë që dashuria është mëkat, duaje mëkatin dhe do jesh i pafajshëm”./KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim një delegacion të grupit Labour Friends of Kosovo nga Mbretëria e Bashkuar, të cilët i ka uruar për fitoren e partisë së tyre në zgjedhjet e fundit.
Sipas Osmanit, themelimi i këtij grupi është një moment i rëndësishëm në raportet ndërmjet të dy shteteve dhe se do të luaj rol të rëndësishëm në partneritetin e qëndrueshëm midis të dy shteteve.
Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Bashkuar për përkushtimin e palëkundur në mbështetjen e Kosovës, si dhe angazhimin e vazhdueshëm për paqe dhe stabiliteti në rajon.
“Me Laburistët erdhi liria”, ka cituar Osmani fjalët e ish-kryeministrit Tony Blair në vitin 1999, ndaj në këtë kontekst ka potencuar domosdoshmërinë e vazhdimit të mbështetjes së Kosovës nga Mbretëria e Bashkuar.
Sipas saj, një Kosovë e sigurt dhe e qëndrueshme kontribuon drejtpërdrejt në një Evropë më të sigurt. Andaj, ka potencuar që në fushën e bashkëpunimit bilateral, bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë duhet të ketë fokus të veçantë.
Në takim, ndër të tjera u diskutua edhe për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të ndërsjellë dhe në dobi të qytetarëve në të dy shtetet./ KultPlus.com
“Ai është zakonisht artizan i shkathët dhe punon në mënyrë industriale. Gati e tërë prodhimtaria e qëndistarisë së bukur nga ari e Ballkanit është vepër shqiptare. Kostumi madhështor i Oborrit të Malit të Zi ishte krijimtari e rrobaqepësve shqiptarë. Shumica e argjendarëve të Ballkanit, gjithashtu, janë shqiptarë apo me prejardhje shqiptare. Dhe, mjaft e çuditshme- siç thotë Mis Durhami – shumica e formësimeve artistike që akoma bëhen nga ata u përngjajnë ornamenteve të gjetura në varreza parahistorike, sa që së bashku shkathtësia dhe stolia duket se janë trashëguar nga ilirët e lashtë. Ajo pastaj vazhdon duke pohuar se pastërtia shtëpiake e shqiptarit mund të jetë shembull për shumë të tjerë.” / KultPlus.com
“The Son” është një film dramë i vitit 2022 me regji nga Florian Zeller nga një skenar i shkruar nga vetë ai dhe Christopher Hampton. Filmi bazohet në shfaqjen skenike të Zeller të vitit 2018. “The Son” pati premierën botërore në Festivalin e 79-të Ndërkombëtar të Filmit në Venecia, ndërkaq një adaptim i ri dhe i veçantë është duke u bërë gati të vihet në skenën e Teatrit të Qytetit të Gjilanit e që vjen si projekt individual i Ernest Zymberit, me mbështetjte të MKRS-së dhe organizatës Anamour. Bëhet fjalë për shfaqjen teatrore “Djali” me regji të Erson Zymberit, i cili synon që secilin shikues ta bëjë të largohet i tronditur nga kjo shfaqje, por mbushur me një reflektim për të kuptuar thellësinë e asaj se çka do të thotë të jesh njeri, shkruan KultPlus.
Në qendër të shfaqjes kemi një familje që përpiqet të ribashkohet pasi është shpërbërë. “Djali” përqendrohet tek Pjeri, jeta e të cilit me foshnjën dhe partneren e tij të re përmbyset kur ish-gruaja e tij shfaqet në derën e tij për të diskutuar djalin e tyre Nikolasin, i cili tani është adoleshent. I riu ka muaj që mungon në shkollë dhe është shumë i shqetësuar. Pjeri përpiqet të kujdeset për Nikolasin ashtu siç do të donte që babai i tij të ishte kujdesur për të. Megjithatë, punët nuk i ecin mbarë.
“Djali” vjen si thirrje që shkon përtej zërit të zakonshëm të skenës, e cila kërkon të zbulojë ato dhimbje të thella që fshihen pas formave apo fasadave të heshtura të familjeve moderne. Regjisori Zymberi ka zgjedhur “Djali-n” për shkak të temës universale dhe prekëse që trajton lidhur me marrëdhëniet familjare dhe vuajtjet e brendshme që shpesh janë të padukshme për të tjerët. Kjo histori duket se e ka sfiduar si regjisor sepse e ka “ftuar” që të eksploroj ndjeshmërinë njerëzore dhe komunikimin e heshtur që, ndonëse i pashprehur, është i thellë dhe emocionalisht i ngarkuar. Pra, kjo është një histori që i përket gjithkujt dhe, në të njëjtën kohë, ndan një intimitet unik për çdo individ dhe familje.
Ajo se çka e ka ngacmuar regjisorin Zymberi për ta vënë në skenë “Djali-in”, është pikërisht tema që synon të shpaloset nëpërmjet tekstit. Shfaqja përbën një eksplorim të veçantë të delikatesës së shpirtit të një të riu që përpiqet të artikulojë dhimbjen e tij përmes një bote që nuk arrin ta dëgjojë.
“Kjo vepër më ngacmoi sepse nuk ka të bëjë thjesht me një marrëdhënie të tensionuar prind-fëmijë, por me atë përballje universale ku çdo individ gjendet mes dëshirës për t’u kuptuar dhe pamundësisë së të tjerëve për të hyrë plotësisht në botën e tij. Kjo është një histori e thellë, ku ndjenjat më të brishta dhe të ndërlikuara shprehen në çdo heshtje, në çdo shikim dhe në çdo lëvizje të ngathët mes personazheve”, ka thënë regjisori Zymberi.
Autori i filmit/shfaqjes, Zeller, ka një tendencë për të dhënë dritë mbi çështjet e shëndetit mendor dhe qasja regjisoriale e regjisorit Zymberi vihet mbi thellimin në atë humnerë të fshehtë që qëndron mes dhimbjes dhe moskuptimit, ku personazhet janë të kapur mes dëshirës për të ndihmuar dhe pafuqisë për ta bërë këtë.
“Po punojmë për të krijuar një atmosferë ku çdo detaj – qoftë ai një dritë e zbehtë, një heshtje e gjatë apo një lëvizje e përmbajtur – të përcjellë ankthin dhe trishtimin që mbush çdo cep të skenës. Synoj që kjo shfaqje të jetë një përvojë teatrale për publikun, ku ata të mund të ndihen pjesë e barrës emocionale që të gjitha këto ndjenja sjellin. Është një lloj zhanri, stili a teatri që i ngjan shfaqjes sime Gishti (që e kam punuar në 2015, në Teatrin Kombëtar të Kosovës), e që po i rikthehem prapë. M’paska marrë malli për këtë teatër”, shpalos ai.
Janë gjithsej pesë personazhe brenda shfaqjes (Pjeri, Ana, Nikolasi, Sofia, Doktori), dhe konsiderohet që çdo karakter në “Djali-n” është një univers emocional në vetvete. Pjeri (Kushtrim Qerimi) një prind që kërkon të jetë mbështetës, është një figurë që ka ndërtuar një mur për të mbrojtur veten nga dhimbja; Ana (Safete Mustafa-Baftiu), nga ana tjetër, është thellësisht empatike, por e konsumuar nga paaftësia për të “shëruar” birin e saj. Nikolas (Yzeir Meha), i mbështjellë në një botë që as vetë nuk e kupton plotësisht, është pasqyrë e të gjithë atyre që ndihen të zhytur në mjegullën e depresionit. Sofia (Tringa Hasani) përfaqëson indiferencën e botës së jashtme, dhe Doktori (Florent Salihu) është kufiri i ashpër mes ëndrrës dhe realitetit.
“Aktorët i përzgjodha me shumë kujdes, me shumicën preh tyre kam punuar disa herë, dhe i njoh shumë mirë, përveç aktorit që luan djalin (Yzeirit) të cilin e kam parë së fundmi në një shfaqje dhe i cili më ka dhënë shumë energji dhe e kam dalluar menjëherë për rolin e Djalit”, tregon Zymberi.
Kur flasim për vështirësitë me të cilat është përballur deri më tani, regjisori Zymberi thotë se ajo kryesorja ka qenë kapja e asaj balancë të brishtë mes vuajtjes dhe bukurisë së heshtjes. Pasi kjo është një vepër që kërkon një ndjeshmëri të veçantë për t’i dhënë çdo fjalë dhe çdo heshtje kuptimin e vet, po punohet intensivisht për krijimin e një ndjenje bashkëpunimi dhe kuptimi mes aktorëve, ku çdo lëvizje dhe çdo shikim është plot kuptim dhe ngarkesë emocionale. Në këtë vepër, komunikimi është aq i rëndësishëm sa edhe moskomunikimi.
Provat për “Djali-n” tashmë kanë filluar dhe po jepet shumëçka nga secili për të arritur në drejtim të premierës, që do shfaqet më 22 nëntor. Ekziston një përkushtim i madh i aktorëve, dhe sipas regjisorit Zymberi, ata janë zhytur thellë në emocionet e personazheve të tyre. Besohet që secili prej tyre ka kaluar përtej skenës, duke u bërë një me ndjesinë e rolit. Momentalisht, ata janë në një fazë ku çdo provë sjell diçka të re dhe të papritur, që kontribuon në ndërtimin e një përvoje unike për premierën.
Kompleksitetet familjare shpeshherë njihen si tabu në vendin tonë. Regjisori Zymberi synon që shfaqja të jetë një pasqyrë e ndershme e realiteteve tona të brendshme.
“Në vendin tonë, shpesh përpiqemi t’i shmangim këto tema të vështira, por në këtë shfaqje, ndjej që është koha për t’i hapur këto dyer dhe për të treguar se edhe ne jemi të brishtë, edhe ne kemi dhimbjet tona të fshehura. Kjo vepër është një thirrje për të pranuar që ndjesitë njerëzore nuk duhet të fshihen; ato janë pjesë e natyrshme e jetës”, thotë ai.
Për regjisorin Zymberi, pritet që kjo shfaqje të shpalosë tek publiku një ndjesi të thellë të lidhjes emocionale që ngrihet mbi çdo element të skenës.
“Shfaqja është krijuar në mënyrë të tillë që çdo spektator të ndiejë barrën dhe bukurinë e brishtë të ndjenjave njerëzore. Ata do të përjetojnë një përvojë ku emocioni i pashprehur, vuajtja dhe gëzimi bashkohen në një të vetme”, përfundon Zymberi.
“Djali” është projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me bartës Ernest Zymberi./ KultPlus.com
Sa të rëndë janë ditët. Në asnjë zjarr nuk mund të ngrohem, nuk më qesh më asnjë diell, gjithçka është bosh, çdo gjë është e akullt e pa mëshirë madje edhe të shtrenjtat yje të qarta më shikojnë pa ngushëllim, qysh kur kam kuptuar në zemrën time, që edhe dashuria mund te vdesë./ KultPlus.com
Nxënës dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit kanë organizuar aktivitete festive në kuadër të Festave të Nëntorit.
Një ndër to ka qenë edhe gara për Kupën e 80-Vjetorit të Çlirimit në shkollat e vendit, ku ekipet e volejbollit dhe futbollit po përballen për të fituar trofeun që mban peshën e këtij përvjetori historik për vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga aktivitetet e organizuara në shkollat e vendit.
“Nëntori i Festave vjen me ngjyrat kuqezi në shkollat tona, me ekspozita, aktivitete kulturore dhe sportive në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit dhe Ditës së Pavarësisë”, u shpreh Rama.
Atmosfera e festave të 28-29 Nëntorit ndjehet në çdo institucion arsimor të vendit, ku po organizohen aktivitete të ndryshme me ngjyrat kuqezi./atsh/KultPlus.com
Eqrem Basha, poet, prozator, skenarist e akademik, u lind më 15 nëntor 1948 në Dibër, Maqedoni, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen.
Në vitet 1967-1971 studioi gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Gjatë studimeve botoi tregime, vjersha dhe kritikë për film e televizion. Më 1972 punon në gazetën Rilindja, në të cilën shkruan për artet figurative. Nga janari i vitit 1974 deri më 5 korrik 1990 (kur u përjashtua me dhunë) punoi në TV Prishtina, në fillim redaktor i redaksisë së dramës, kurse në fund redaktor përgjegjës i Programit Kulturo- Artistik. Gjatë kësaj periudhe (në vitin 1992 në Arl dhe në vitin 1994 në Paris) disa herë qëndron në Francë me punë në projekte përkthimesh të dramaturgjisë frënge, kurse pas kthimit kryen punën- redaktor i kulturës në revistën javore Koha.
Në vitin 1994, bashkë me Gani Bobin, Rexhep Ismajlin dhe Shkëlzen Maliqin, themelon shtëpinë botuese Dukagjini të Pejës, ku edhe sot është redaktor përgjegjës. Ka marrë pjesë në shumë takime letrare dhe në festivale ndërkombëtare të poezisë (Paris, Bruksel, Amsterdam, Varshavë, Lion, Die, Grënobël, Leuven, Lodeve, Seyni, Bukuresht, Konstancë, Vjenë, Grac, Gjenevë, Stavanger, Barcelonë, etj.), në festivale filmi e televizioni, në tryeza dhe debate ndërkombëtare.
Basha shkruan tregime, romane, vjersha, skenarë për film e TV, radiodrama dhe kritikë për artin figurativ. Përkthen nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave.
Eqrem Basha është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ku u zgjodh në vitin 2004. / KultPlus.com
Gavril Dara i Riu ka lindur në Palac Adriano të Sicilisë, më 8 janar 1826. Studimet i kreu në Seminarin arbëresh të Palermos. Vite më vonë mbrojti doktoraturën në drejtësi.
Më 1858 botoi fletoren letrare “Palingenesi” (përtëritja e jetës) dhe vite më vonë (1871-1874) drejtoi gazetën “La Riforma”, e cila botohej në Romë. Më 1864 shkroi një poemë prej 1300 vargjesh, e cila titullohej “Ana Maria“.
Pasioni i tij ishte poezia dhe folklori. Kështu ai ka lënë në dorëshkrim veprën “Kënga e sprapsme e Balës”, e cila është botuar e plotë në vitin 1906. Gavril Dara është marrë me gjuhësi, filozofi dhe arkeologji.
Ai ka vdekur në Girgeti, më 15 nëntor të vitit 1885. / KultPlus.com
Tahir Dizdari është një figurë e shquar e shkencave albanologjike, ndër të vetmit që studioi fjalët turke në gjuhën shqipe. Ai ka lindur në Shkodër më 15 nëntor 1900 dhe mbylli sytë në Tiranë më 9 maj 1972.
Mësimet e para i mori në vendlindje dhe u vu re një prirje e tij ndaj gjuhëve të huaja.
Punoi në administratë, iu kushtua krijimit dhe funksionimit të administratës së re shqiptare, më 1929 botohet “Ligja e katundarive dhe e komunave”, ku luajti një rol kryesor në përpilimin e saj, një vepër që, duke bërë fjalë mbi formimin, organizimin dhe funksionimin e organeve lokale, hedh bazat e strukturave administrative të qëndrueshme e moderne. Më vonë, më 1935 boton broshurën “Udhëhjekës për konferenca”. Më 1930 qe dalluar për organizimin e regjistrimit të popullatës. Për këtë mori një përgëzim të veçantë: “Duke iu transmetue mesazhin e N. M. Tij Mbreti, ju përgëzoj për gjithë aktivitetin e ndihmën që treguat në veprën e kryeme për regjistrimin e përgjithshëm të popullsisë”.
Po kështu në revistën “Ekonomia Kombëtare” lexojmë se Ministria e Ekonomisë Kombëtare e përgëzoi Dizdarin nënprefekti i Fierit për organizim garash hipizmi me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë.
Si monarkist dhe mbështetës i Mbretit Zog, Dizdari mori pjesë në qëndresën e armatosur kundër pushtimit italian të Shqipërisë në prillin e 1939. Duke e ditur qëndrimin e tij pro-zogist dhe përfshirjen në pritjen me armë të italianëve në Gomsiqe, u arrestua dhe u internua nga autoritetet fashiste. Me qeverisjen mike me gjermanët pas kapitullimit italian, iu rikthye studimeve mbi orientalizmin dhe shkrimeve në shtypin shqiptar.
Në maj të vitit 1945 bëhet bashkëpunëtor i gazetës “Bashkimi” dhe në tetor bëhet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë. Gjatë viteve 1946-1951 merret me skedimin e fjalorit dhe me folklor. Në vitet 1946-1949 shëtit nëpër gjithë Shqipërinë, merr pjesë dhe në aksionet e rinisë, duke mbledhur nga goja e popullit material folklorik dhe etimologjik. I dorëzon Institutit të Folklorit një material të pasur prej 800 faqesh të daktilografuara.
Në shkurt të vitit 1951 arrestohet dhe mbahet për disa muaj në hetuesi në lidhje me të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, por lirohet për mungesë provash. Fitoi pafajësinë në pikëpamje juridike, por jo nga ana politike. Pasojat do të tronditnin krejt jetën e tij dhe të familjes. Do të nxirrej nga shtëpia private, gruaja do t’i transferohej në Kukës me punë si mami. Një familje e tillë me “njollë” në biografi s’lejohej të jetonte në Tiranë (edhe fëmijët më vonë do të shpërndaheshin me punë, kush në Veri e kush në Jug). Në këto kushte ai do të detyrohej të flinte në një dyqan librarie e bukinistike, që kishte hapur që më 1952.
Në buletinin USHT (seria shkencore-shoqërore) e viteve 1960 dhe më vonë në Buletinin “Studime filologjike” (vitet 1964-1966) fillon botimi i një pjese të fjalorit të ardhshëm. Merr pjesë aktive dhe diskuton në të tri konferencat e studimeve albanologjike, që u zhvilluan në Tiranë në vitet 1962, 1968 dhe 1969.
Instituti i Gjuhësisë, duke i parë më së fundi aftësitë e Dizdarit, veçanërisht vlerën e fjalorit, i kapërceu rezervat në biografi dhe vendosi ta angazhojë në punë si bashkëpunëtor i vjetër shkencor në sektorin e leksikologjisë, duke filluar nga viti 1965 dhe deri më 9 maj 1972, kur ndërroi jetë.
Prof. J.Nemeth i Akademisë Hungareze të Shkencave e vlerëson veprën e Dizdarit, si një material jashtëzakonisht të pasur dhe me vlerë. Njëkohësisht shprehet, se në asnjërën prej gjuhëve të gadishullit të Ballkanit, nuk janë mbledhur elementët turk, në mënyrë kaq të përsosur.
Gjatë vitit 1944 boton në gazetën “Bashkimi i kombit” rubrikën “Pyes vetveten”, rubrikë që vazhdon në gazetën “Bashkimi” në vitet 1945-1946 me pseudonimin Hijekakeqi. Gjatë vitit 1944, po në gazetën “Bashkimi i kombit” ushqen me material rubrikën gjuhësore “Fjalë iranishte në gjuhën shqipe” me pseudonimin Bishtiqindija. Boton studimet toponomastike “Kraja” në gazetën “Bashkimi i kombit” dhe të “Katër Balët” në revistën “Bota e re”. Po kështu, gjatë vitit 1944 botoi artikujt me karakter satirik, “Bishtmbledhësit e cingareve” dhe “Me këta miq që janë sot” në “Bashkimin e kombit”. Pat vazhduar të shkruajë artikuj të ndryshëm në shtypin periodik, si në revistat “Kultura islame”, “Bleta”, etj.
Puna e tij e madhe dhe voluminoze 30-vjeçare (1941-1971) përfundoi me përpilimin e veprës madhore “Orientalizmat në gjuhën shqipe”, të cilën në dorëshkrim e depozitoi pranë Institutit të mësipërm. Pak kohë para se të vdiste, dorëzoi në atë institucion dorëshkrimin e punimit tjetër të gjatë në leksikografi me titull “Fjalë të pambledhura nga fjalorët e deritanishëm”.
Pak ditë pas vdekjes nga Instituti francez me prestigj “Colege de France” i erdhi ftesa për të marrë pjesë në Kongresin e XXIX Ndërkombëtar të Orientalistëve, që do të mbahej në Paris më 1973./ KultPlus.com
Mbrëmë është mbyllë thirrja për konkursin mbarëkombëtar të poezisë “KultStrofa” thirrje që ka pranuar mbi 180 poezi nga shtete të ndryshme të rajonit, Evropës dhe nga ShBA-të, shkruan KultPlus.
Ky konkurs vazhdon të mbetet një prej konkurseve më të kërkuar të poetëve në nivel mbarëkombëtar, ku për këtë edicion kanë ardhë poezi nga poetë të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, shteteve të ndryshme të Evropës dhe të ShBA-ve.
Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe njëherit themeluese e këtij konkursi që sivjet po shënon edicionin e shtatë është shprehë të jetë e lumtur me arritjet e shumta të poezive, e cila ka paralajmëruar edhe për ceremoninë kryesore të kësaj ngjarje të madhe kulturore
“Ceremonia e edicionit të shtatë të KultStrofa” do të mbahet më 22 nëntor në KultPlus Caffe Gallery, ku pritet të jetë një mbrëmje e ngrohtë poetike”, ka thënë Pajaziti, e cila ka njoftuar se kjo mbrëmje do të shoqërohet edhe me performancën e “Dhjetorit” dhe Bekës, njëherit edhe fituesit e Festivalit të RTK-së.
Ceremonia e kësaj mbrëmje do të mbahet prej orës 19:00 ku edhe do të shpallen dhjetë finalistët e edicionit të shtatë, sikurse që do të shpërblehen edhe tri poezitë kryesore të këtij edicioni, vendi i parë, i dytë dhe i tretë.
Poezitë e këtij edicioni do të vlerësohen nga juria profesionale në përbërje të: Entela Kasi, kryetare e jurisë, Lulzim Tafa dhe Vlora Konushevci.
Kujtojmë që fituesi i konkursit të parë ishte poeti i njohur Ragip Sylaj. Pas tij, vazhduam rrugën me krijimtarinë e poetëve të tjerë si: Arjola Zadrima, Merita Berdica, Gentiana Bajrami Atashi, Zhaneta Barxhaj dhe Rudina Çupi. Edicioni i shtatë i KultStrofa mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte./ KultPlus.com
Fotografia shqiptare ka rrëmbyer lavdi në një tjetër përballje dinjitoze. Në një nga aktivitetet më prestigjioze ndërkombëtare, në “Geneva Photo Awards 2024”, ajo ka ardhur me punë të fuqishme dhe është larguar, jo vetëm me fitore, por edhe me një zë që ngre arti pamor dhe shpirtja shqiptare.
Në ekspozitën ndërkombëtare, ku fotografë nga gjithë bota ballafaqojnë punët e tyre më të mira, për një vlerësim dhe çmim, ka qenë fotografi shqiptar, Ruzhdi Ibrahimi, i cili jeton dhe punon në Basel, i cili fitoi vendin e tretë për fotografinë e tij të veçantë “Ballë përballë.” Ky çmim e vendos Ibrahimin ndër artistët më të dalluar të këtij konkursi prestigjioz.
“Ballë përballë”, më shumë se një foto e jashtëzakonshme, mesazhi që përcjell imazhi, merr një kuptim dhe vlerësim të disafishtë, pasi bëhet fjalë për një shqiponjë që sfidon një dhelpër. Shqiponja, shpendi ynë i flamurit dhe simboli ynë kombëtar, në këtë moment të fiksuar nga Ruzhdi Ibrahimi, tregon jo vetëm një çast të natyrës së egër, shpërfaqë gjithashtu mesazhin e betejave të pafundme që shqiptarët kanë patur dhe triumfuar në dhelpëri që janë bërë dhe bëhen fatit tonë historik.
Ruzhdi Ibrahimi, jo vetëm ka fituar me një foto të tillë një trofe, por ka arritur të realizojë një imazh ikonik, që meriton të jetë shumë më shumë se foto, një shprehje e natyrshme e ndeshjes dhe triumfit, e asaj që përfaqëson fati ynë. Ky fokus mund të jetë i rastësishëm, por nuk mund të lexohet vetëm si një ligjësi e jetës së egër.
Fotografia “Ballë përballë”, e cila ka tërhequr vëmendjen e publikut edhe gjatë pjesëmarrjes së saj në “Fokus Award 15” është një punë artistike që shpreh një emocion të thellë dhe një histori të fortë, si një film që i mbetet mendjes, e pse jo edhe si një përfytyrim që del nga imagjinata.
Fotografitë e Ruzhdi Ibrahimit kapin momente të rëndësishme, përmes së cilave ai përcjell një mesazh të qartë dhe një emocion të ndjeshëm kombëtar. Vizitorët e Photo Awards Geneva u ndalën për ta admiruar këtë vepër, duke e konsideruar një nga më të mirat e ekspozitës.
“Ruzhdi Ibrahimi ka arrit një sukses të madh për fotografinë shqiptare, duke fituar vendin e tretë në Geneva Photo Awards 2024 me fotografin e tij “Ballë përballë”, Ky çmim është një njohje e talentit dhe përkushtimit të tij, duke e vendos atë ndër artistët më të dallum të konkursit. Kjo arritje jo vetëm që përfaqëson suksesin e tij personal, por gjithashtu ndihmon në ngritjen e zarit të artistëve shqiptarë në skenën ndërkombëtare të artit pamor.”, shkruan në një postim në Facebook, miku dhe kolegu i tij, Jetmir Troshani.
Ky aktivitet, kjo fotografi, kjo fitore e fotografit shqiptar, është gjithëpoaq mbështetje dhe inkurajimi për fotografët e “Jetës së Egër”, është një zë i fuqishëm në mbrojtje të natyrës dhe botës së egër, të habitatit të tyre, që kërcënohet nga shkatërrimi./KultPlus.com