Poezia madhështore për Kosovën nga Ismail Kadare

Një nga vjershat e rralla të Kadaresë ku përmendet Kosova. Përgjithësisht tema e Kosovës në atë kohë, konsiderohej tabu në letërsi.

E hidhur vjeshtë e këtij viti
Kosovën gjeti nën terror.
Korba të zez mbi të ia mbërritën,
Hetues, gjykatës e prokurorë.

Me dhjetë vjet burg, me tetë, me shtatë,
Me dymbëdhjetë dënojnë diku.
Kështu mes jush shekullin ndani,
Dhe mijëvjeçarin ndani ju.

Kështu e prekni historinë,
Mbi supe e mbartni ju sërish.
Prangat në shkollë që i mësonit
Në duar ndjetë befasisht.

Dhe patë se koha e mesjetës
S’qe larg dhe veç në libra s’qe,
Dhe u kthye nata e Prishtinës
Në natë Shën Bartolemeu.

U ngritët ju viganë, fisnikë
Me korrektesë e madhështi.
Ngaqë kërkuat Republikë,
U shtypët si në monarki.

Por koha kurrë s’vjen përgjysmë,
Natë e masakrës vetëm s’mbërrin,
Se pas Dushanit car të frikshëm
Rrufeshëm Skënderbeu arrin.

S’kish dëshmitarë, TV nuk pati
Zinxhiri i tankut kur ju griu,
Por retë e globit veg ju panë,
Ndërgjegje e botës te ju mbërriu.

Kështu në vorbull të epokës
U ngritët ju si monument,
Ju që e prekët historinë,
Dhe n’histori u kthyet vetë. / KultPlus.com

‘Nëse Roosevelt-i dëshiron të bëhet mbret i Shqipërisë, ne do ta vendosim atë përpara të gjithë kandidatëve të tjerë të përmendur” — Intervista ekskluzive me Ismail Qemalin në hotelin “Cecil’, në Londër

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Nëntor 2024

“St. Louis Post-Dispatch” ka botuar, të dielën e 11 majit 1913, në faqen n°8, intervistën ekskluzive me Ismail Qemalin në hotelin Cecil, në Londër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Theodore Roosevelt mund të jetë mbret (i Shqipërisë) nëse kërkon punë

Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e diel, 11 maj 1913, faqe n°8
Burimi : St. Louis Post-Dispatch, e diel, 11 maj 1913, faqe n°8

“Ai thjesht duhet të na afrohet,” deklaron lideri i kombit në kërkim të një monarku të fortë.

“Vendi im ka nevojë për një njeri”

Shpresojmë që ish-presidenti amerikan të përfitojë nga kjo hapje.

Kabllo speciale për The Post-Dispatch dhe New York World.

Copyright, 1913, nga Press Pub. Co. (New York World.)

Londër, 10 maj. — The Post-Dispatch dhe New York World janë në gjendje t’i ofrojnë fronin e Shqipërisë Theodore Roosevelt-it. Negociatat janë çuar tashmë deri në atë pikë sa koloneli duhet vetëm të nënkuptojë gatishmërinë e tij për të pranuar dhe kurora është e tij.

Nëse Roosevelt-i dëshiron të bëhet mbret i Shqipërisë, ne do ta vendosim atë përpara të gjithë kandidatëve të tjerë të përmendur. Personalisht, do ta votoja me siguri.

Roosevelt-i është një nga njerëzit më të jashtëzakonshëm në botë, duke qenë për nga natyra në një nivel më të lartë se princat e thjeshtë.

Këtë e deklaroi sot me forcë Ismail Qemali, presidenti i përkohshëm i Shqipërisë dhe kreu i delegacionit të popullit shqiptar përgjegjës për gjetjen e një lideri të pranueshëm për ta nga konferenca e ambasadorëve të Fuqive të Mëdha. Qemali i shoqëroi fjalët e tij me gjeste dramatike, sikur ta kishte vendosur me vendosmëri Roosevelt-in në fron.

Audienca e korrespondentit të The Post-Dispatch dhe The World me Qemalin u zhvillua në Hotelin Cecil, ku ai po qëndron, i shoqëruar nga bashkëdelegatët Luigj Gurakuqi, ministër i Arsimit dhe Noga, Konica dhe “Deletgus”. Ata e përshëndetën korrespondentin e The Post-Dispatch me përzemërsi dhe mirësjellje të theksuar. Qemali është një zotëri flokëbardhë, mjekërbardhë, me të folur të ngadaltë, dinjitoz dhe sjellje oborrtare (mbretërore). Djali i tij, i cili është me të, është një djalë i shkurtër, esmer, rreth 30 vjeç, vigjilent dhe i gjallë. Gurakuqi është më i gjati i delegacionit, me mbi gjashtë këmbë. Ai është i zgjuar dhe i fortë, me një çehre të bronztë dhe mustaqe të zeza të trasha. Noga është një diplomat, i butë, i lëmuar dhe i rezervuar. Konica dhe “Deletgus” janë ushtarakë në dukje, me tipare të zbehta dhe trupa të thurur mirë.

I interesuar për sugjerim.

Të gjithë ata shprehën interesin më të madh dhe u befasuan dukshëm nga sugjerimi i The Post-Dispatch në lidhje me Roosevelt-in. Ismail Qemali tha duke buzëqeshur me kënaqësi :

Kjo është me të vërtetë një ide amerikane, por përse duhet të kujdeset Roosevelt-i për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë kur ai tashmë është pothuajse një Mbret në vendin e tij ?

Korrespondenti shpjegoi se perspektiva e mbretërimit shqiptar dukej më e prekshme. Qemali u gudulis nga risia e sugjerimit, të cilin ai e pranoi si kompliment për vendin e tij. Anëtarët e tjerë të grupit u ulën me padurim përpara në karriget e tyre, me ankth të mos humbisnin asnjë fjalë nga biseda, e cila u zhvillua në frëngjisht, pasi delegatët flisnin pak anglisht. Korrespondenti sugjeroi disa nga kualifikimet e veçanta të Roosevelt-it për këtë pozicion. Për shembull, ai do të ishte plotësisht i pamposhtur nga ndikimet evropiane. Qemali u pajtua, duke thënë :

Ajo që thoni është e vërtetë. Roosevelt-i do të ishte i lirë nga ndikimi dinastik, i tillë që mund të binte mbi të emëruarit e tjerë, të cilët mund të kenë interesat e tyre për të mbrojtur.

Korrespondenti vuri në dukje se Roosevelt-i kishte një forcë të madhe karakteri dhe nuk do të duronte asgjë të pakuptimtë nga jashtë, duke qenë si vetë shqiptarët, një luftëtar i lindur. Kësaj Qemali iu përgjigj :

Kjo është e vërtetë. Roosevelt-i është një njeri i madh, i guximshëm dhe i drejtë; ai zotëron pikërisht karakterin e përshtatshëm për mbretin tonë.

Doli nga populli.

Korrespondenti dha më pas emra monarkësh të ardhur nga njerëz që kishin arritur famë të pavdekshme, ndaj të cilëve Qemali ngriti supet si për të thënë se nuk ishte i aftë të kundërshtonte të padiskutueshmen. Ai shtoi :

Unë pajtohem që Roosevelt-i është një njeri i jashtëzakonshëm, i aftë për të përballuar një situatë të jashtëzakonshme dhe se ai është njeriu që i duhet vendit tim në këtë moment, kur ne kemi nevojë për një burrë të fortë. Roosevelt-it i mbetet vetëm të na afrohet. Unë nuk e propozoj atë, por nëse ai do të propozojë veten, kjo është çështje tjetër. Ju ma keni sugjeruar emrin e tij dhe përgjigja ime është, pse jo ?

Nuk ka njeri më të përshtatshëm se ai për t’u ngjitur në fronin tonë. Unë ju them, nëse Roosevelt-i sugjeron veten, ne do ta vendosim atë përballë të gjithë të tjerëve. Nuk ka asnjë formë të veçantë etiketimi që duhet respektuar në paraqitjen e kandidaturës së tij, sepse në krizën që po përballet Shqipëria nuk mund të bëjmë asnjë ceremoni se si mund të na paraqitet emri i Roosevelt-it.

Korrespondenti vuri në dukje se Roosevelt-i nuk ishte një njeri që të qëndronte në ceremoni, nëse donte diçka. Ai nuk ishte skllav i mirësjelljes më shumë se shqiptarët. Qemali vazhdoi :

Roosevelt-i është një gjuetar i madh dhe njerëzit tanë janë të famshëm për entuziastët e tyre të gjuetisë, kështu që kjo lidhje simpatie na bashkon.

Ismail Qemali shtoi me entuziazëm : Nëse ai pranon të prezantohet, unë do të shkoj ta marr. Unë dëshiroj shumë të vizitoj Shtetet e Bashkuara.

Deri te Roosevelt-i i ri.

Pastaj dyshimi i çastit dukej se e pushtoi Ismail Qemalin, i cili pyeti : Unë e di që Roosevelt-it i përshtatet karakteri, trajnimi dhe aftësia dhe se ai mund të përshtatej me çdo rrethanë, megjithëse historia ka treguar se princat e importuar rrallë kanë qenë në gjendje ta bëjnë këtë në mënyrë të kënaqshme, por a do të kishte para të mjaftueshme ? Unë kurrë nuk kam dëgjuar se ai është një nga milionerët amerikanë. Do t’i duheshin mijëra e mijëra dollarë për të mbajtur një oborr mbretëror, qoftë edhe në Shqipëri. Kjo është një pikë që, për fat të keq, duhet ta kemi parasysh në zgjedhjen e një mbreti.

Korrespondenti guxoi të sugjeronte se Partia Republikane, nga mirënjohja ndaj shërbimeve të kaluara të Roosevelt-it, pa dyshim do të ishte e gatshme ta subvenciononte atë për sa kohë që ai të qëndronte në Shqipëri. Qemali replikoj :

Ah, kjo është mirë. Sugjerimi juaj na intereson thellësisht. Shpresoj se Roosevelt-i do të përfitojë nga mundësia që po i ofrojmë përmes The Post-Dispatch për t’u bërë lider i vendit tonë.

Qemali nuk ishte në gjendje të thoshte se sa do të qëndrojë delegacioni në Londër, por ndoshta do të qëndrojë për të paktën dhjetë ditë. Aktualisht ata janë në pritje të çështjes së konferencës së ambasadorëve. Lëvizja tjetër qëndron tek Roosevelt-i./ KultPlus.com

BKK në prag të 80-të vjetorit, drejtoresha Blerina Rogova- Gaxha paralajmëron program të veçantë për përvjetor jubilar

Vjollca Duraku

Institucioni më i madh bibliotekar në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” e cila është edhe një ndër objektet më ikonike në vend këtë fund nëntor organizon një festë të veçantë, me rastin e 80-të vjetorit të themelimit të saj, shkruan KultPlus.

25 Nëntori është Dita e Bibliotekës, dhe për këtë përvjetor jubilar ky institucion arsimor e kulturor i rëndësishëm për komunitetin shqipfolës në rajon po organizon një festë të madhe, në kuadër të së cilës do të bëhet edhe përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale dhe web-faqes së re të institucionit.

Biblioteka e parë e Kosovës është themeluar në vitin 1944, kurse “Pjetër Bogdani” është hapur në vitin 1982. Njihet për stilin unik të ndërtesës të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakovic, dhe paraqet një shprehje autentike arkitekturore kombëtare, e cila është projektuar në vitin 1971. Kupolat e saj e kategorizojnë atë në monument kulmor të arkitekturës sonë.

Lidhur me organizimet e kësaj feste mediumi KultPlus ka realizuar një intervistë me drejtoreshën e Bibliotekës, Blerina Rogova- Gaxha, e cila ka njoftuar se në këtë ditë të shënuar do të promovohet edhe Platforma Digjitale e Bibliotekës Kombëtare.

“80 Vjetori i themelimit, Bibliotekën e gjen me Qendrën e Digjitalizimit, si një ndër të arriturat kryesore në proceset transformuese të Bibliotekës. Në synimet tona për përmbushjen e objektivave strategjike, një ndër aktivitetet tona më të rëndësishme që është realizuar në vitin e fundit është edhe zhvillimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale” ka thënë Rogova- Gaxha, e cila është emëruar drejtoreshë e institucionit në korrik të këtij viti.

Drejtoresha e Bibliotekës gjithashtu ka njoftuar se në këtë ditë do të përurohet edhe Web-faqja e re e BKK-së, e cila pritet të lehtësojë qasjen dhe punën për këtë institucion me peshë të madhe për qytetarët e vendit.

“Aktivitet tjetër në shënimin e 80 Vjetorit të themelimit Bibliotekës është Përurimi i Platformës së Bibliotekës Digjitale, e cila, nga Dita e Bibliotekës do të ofrojë qasje të lehtë dhe të shpejtë në objekte digjitale, përmes teknologjive të avancuara të informacionit duke respektuar standardet dhe normat ligjore”.

Ceremonia solemne do të nisë pasdite në orën 17.00,dhe të gjitha aktivitetet kryesore për këtë festë janë përfshirë në këtë ditë. Biblioteka Kombëtare e Kosovës, në 80 vjetorin e themelimit të saj, gjithashtu është duke përgatitur ekspozitë me një përzgjedhje të koleksioneve të veçanta të fondit të saj. Antologjia e koleksioneve, përfshin botime të shtypura, dorëshkrime dhe materiale origjinale nga fondi i BKK-së.

Drejtoresha Rogova- Gaxha, në këtë intervistë për KultPlus ka bërë të ditur se përgatitja e Ekspozitës është duke u realizuar në bashkëpunim me Hana Halilaj, kuratoren e Galerisë së Arteve të Kosovës dhe arkitektin Okan Xhemajli.

Një koncert i veçantë artistik festiv do të jepet nga Filharmonia e Kosovës në Hollin e bukur të Bibliotekës, mozaiku i të cili për vite me radhë ka shërbyer si vend me një enterier të jashtëzakonshëm, të përshtatshëm për dhjetëra mijëra ngjarje intelektuale dhe kulturore.

Për këtë përvjetor jubilar drejtoresha Rogova- Gaxha është përkujdesur që festa të ketë edhe llogo të veçantë me sipirale të cilat gjenden sipër hollit të Bibliotekës, domethënia e të cilave lidhet kohën e neolitit të vonë.

“Inspiruar nga arti shkëmbor i Vlashnjes, spiralet të cilat thuhet se janë punuar midis neolitit të vonë (rreth 3600 pes) dhe epokës së hershme të bronzit (rreth 2000 pes). Vlashnja gjindet 6km nga Prizreni. Ka shumë teori se çfarë mund të reprezentonin në kohërat e lashta këto spirale: diellin, lindjen-rritjen-vdekjen-rilindjen dhe botën e përtejshme, pastrimin shpirtëror, etj. Por më së shumti që më ka lënë përshtypje është “rruga drejt iluminizmit”, ka bërë të ditur dizajneri Dardan Luta.

Një dokumentar për Bibliotekën Kombëtare me rastin e 80 vjetorit, i cili i referohet rolit dhe rëndësisë së Bibliotekës në kontekstin kulturor e historik të Kosovës, është duke u përgatitur nga Radio Televizioni i Kosovës-RTK. Në këtë dokumentar figura kontributdhënëse në zhvillimin e BKK-së do të pasqyrojnë zhvillimin e institucionit ndër vite.

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka një rol të veçantë kulturor, kërkimor, shkencor dhe arsimor, qëllim kryesor i së cilës është mbledhja dhe ruajtja e trashëgimisë intelektuale në Kosovë./ KultPlus.com

Spiropali dhe Gashi vizituan Panairin e Librit: Ngjarje e rëndësishme kulturore e letrare

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali dhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi vizitua sot Panairin e 27-të të Librit në Tiranë.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali tha se ngjarja e rëndësishme kulturore e letrare si panairi ndodh në prag të Ditës së Alfabetit.

Panairi i 27-të i Librit “Tirana 2024”, ngjarja më e shënuar për kulturën dhe letërsinë shqiptare u hap sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

Janë gjithsej 90 botues pjesëmarrës në panair, një pjesë e tyre edhe Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Gashi ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë me ftesë të kryeparlamentares Spiropali.  Gjatë takimit mes tyre Spiropali e vuri theksin te bashkëpunimi dypalësh në fushën e integrimit evropian dhe krijimi i mekanizmave të përbashkët për shkëmbimin e informacionit e përvojave, të cilat do të rrisin efikasitetin e reformave./atsh/KultPlus.com

Fryn moj erë

Poezi nga Fan Noli

Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

Agron Peni publikon albumin e ri, “Amantia”

Agron Peni, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se ka publikuar albumin e tij më të ri. Ky album është i katërti me radhë nga artisti, të cilin vetë ai e ka cilësuar më ndryshe se të tjerët.

“Ky është albumi im i katërt personal, pak më ndryshe nga të tjerët ,përmban 8 krijime të mia origjinale të incizuara me shumë kujdes dhe pasion nga miku im Shpejtim Gashi”, ka shkruar ai.

Ky album mban emrin “Amantia” nisur nga krijimi i instrumentalit me po të njejtin emër që ka realizuar në vitin 2020.

“Sikurse ky instrumental edhe të tjerët do të publikohen bashk me video të cilat i ka realizu me shumë shije miku im Elbasan Kryeziu ,në këtë mënyrë duke e perkrahë muzikën time e gjithashtu përmes tyre duke prezantu edhe bukuritë natyrore të vendit tone”, ka shkruar tutje ai.

Realizimi i këtij projekti është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Florentina Ademi sjell “Përshëndetje Fëmijë”, projekt dedikuar fëmijëve për zhvillimin dhe mësimin e gjërave të reja

Aktorja e njohur shqiptare, Florentina Ademi Beck, e cila tashmë jeton dhe vepron në Los Angeles, pas shumë projekteve të suksesshme, së fundi ka filluar një projekt të ri që quhet “Pëshëndetje Fëmijë”, që është një projekt me përmbajtje edukative. Duke prekur tema të ndryshme që ndikojnë në mësimin e gjërave të reja dhe zhvillimin e fëmijëve, Ademi me projektin e ri e bën më të lehtë këtë proces.

Deri tani, në platformen “Youtube” janë publikuar tri episode të këtij projekti, që i dedikohen numrave, shkronjave dhe këngës.

Në një intervistë për KultPlus, aktorja Ademi ka treguar se ideja për këtë projekt ka ardhur nga një dëshirë e madhe për të krijuar përmbajtje edukative në gjuhën shqipe për fëmijët.

“Vura re që shumë përmbajtje edukative në internet janë kryesisht në gjuhë të huaja dhe fëmijët shqiptarë shpesh nuk kanë mundësi të mësojnë në gjuhën e tyre amtare përmes videove të dizajnuara për ta”, u shpreh Ademi.

Tutje, ajo tha se ka parë nevojën që edhe fëmijët e saj të mësojnë në gjuhën shqipe dhe për këtë arsye ajo ka vendosur që të krijoj një projekt, që jo vetëm që të mësojnë për numrat e shkronjat por edhe që të ndihen të lidhur me gjuhën dhe kulturën e tyre.

“Ky projekt u krijua kryesisht nga un dhe Skender Beck. Unë interpretoj , ndërsa Skenderi është përgjegjës për të gjithë punën kreative—nga idetë, kamera, regjia, montimi, dizajni, animacionet, muzika deri te tekstet e këngëve. Është një projekt që është punu me shumë dashuri dhe përkushtim”, tha aktorja.

Sa i përket episodeve që kanë filluar të publikohen, Ademi u shpreh se është planifikuar  që në total të publikohen rreth 24 episode, të cilat parashihet të mbulojnë tema të ndryshme, por që nuk përjashtohet mundësia që ky numër të rritet në bazë të reagimeve dhe kërkesës së prindërve por edhe fëmijëve.

“Qëllimi është të ofrojmë një spektër të gjerë temash që do të përfshijnë bazat e arsimit parashkollor, nga numrat dhe shkronjat deri te format, planetët dhe konceptet e tjera themelore,por natyrisht gjithnjë duke ndjekur reagimet e publikut, mund të shtojmë edhe tema të reja që janë të rëndësishme për zhvillimin e fëmijëve”, tha ajo.

Ndërsa, duke qenë se projektet e tilla zakonisht po realizohen në gjuhë të huaja dhe jo në atë shqipe, Ademi na tregoi se ky projekt është mirëpritur shumë mirë. Ajo u shpreh se ka marrë shumë mesazhe me urime dhe lëvdata nga prindër që vijnë nga shumë shtete të botës.

“Në kohën e sotme, shumë prindër shqiptarë janë të shqetësuar për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës së tyre dhe dëshirojnë që fëmijët të kenë një lidhje të fortë me gjuhën amtare. Në tregun e sotëm të përmbajtjes për fëmijë, shumica e materialeve janë në anglisht apo në gjuhë të tjera të huaja. Prandaj, “Përshëndetje Fëmijë” është një mënyrë që prindërit të kenë një alternativë edukative cilësore në shqip. Shpresojmë që projekti të jetë një urë lidhëse ndërmjet brezave, duke e bërë mësimin në gjuhën shqipe një eksperiencë të këndshme dhe të rëndësishme për fëmijët”, shtoi aktorja Ademi.

Siç edhe dihet, cdo ditë e më shumë po bëhet e pamundur që fëmijët t’i mbajmë larg ekraneve dhe tashmë në rrjete sociale ka shumë llojshmëri të programeve që ndiqen nga mosha të ndryshme. Sa i përket “Përshëndetje Fëmijë”, Ademi u shpreh se është një projekt i dedikuar për fëmijët e moshës 3 deri në 8 vjet.

“Përmbajtja është dizajnuar që të jetë e lehtë për t’u ndjekur nga fëmijët e vegjël, ndërkohë që prindërit mund të jenë bashkë me ta gjatë shikimit. Kjo ndihmon që edhe prindërit të bëhen pjesë e procesit edukativ”, tha ajo.

Programet për fëmijë mund të përmbajnë tema të ndryshme, të cilat ndikojnë pozitivisht në  zhvillimin e tyre. Tri episodet e para të publikuara i janë kushtuar numrave, shkronjave dhe këngës, dhe sa i përket atyre të radhës, Ademi tregoi se do të ketë tema të ndryshme.

“Episodet e ardhshme do të përfshijnë ngjyrat, format gjeometrike, planetet, kafshët, pemët, perimet, stinët e vitit, ditët e javës dhe gjithashtu konceptet sociale si miqësia e të tjera. Kemi në plan të përfshijmë edhe tema të thjeshta të shkencës, siç janë elementet natyrore, për të nxitur kuriozitetin tek fëmijët për botën përreth tyre. Përmes këtyre temave, synojmë t’u ofrojmë fëmijëve njohuri të dobishme, ndërkohë që i mbajmë të angazhuar dhe të argëtuar”, shtoi aktorja e njohur.

 Duke e ditur se ajo se çfarë po shohin fëmijët në ekrane, po ndikojnë në mënyrën se si i përceptojnë gjërat dhe se efekti mund të jetë jo gjithmonë më i miri, varësisht nga ajo që iu servohet, Ademi tha se kanë për qëllim që videot të kenë efekt pozitiv dhe të nxisin dëshirën për të mësuar në mënyrë të natyrshme.

“Duke përdorur ngjyra, muzikë dhe personazhe tërheqëse, synojmë të përfshijmë fëmijët emocionalisht në përvojën e të mësuarit. Shpresojmë që, përveç njohurive bazë, këto video të ndihmojnë në zhvillimin e aftësive si përqendrimi, dëgjimi aktiv dhe ndërtimi i vetëbesimit për të mësuar gjëra të reja”, shtoi ajo.

Duke i marrë shembull fëmijët e saj, aktorja u shpreh se ka provuar që t’u lexojë libra në gjuhën shqipe atyre, por që ky emision duket se po bën një magji që i tërheq ata natyrshëm drejt të mësuarit.

“Kjo mënyrë i angazhon ata më shumë dhe i motivon të eksplorojnë konceptet e reja me kureshtje dhe dëshirë për të mësuar”, u shpreh aktorja.

“Për të mësuar më shumë rreth projektit dhe për të ndjekur episodet e reja të “Përshëndetje Fëmijë,” vizitoni faqen tonë të internetit ku mund të gjeni informacione shtesë mbi çdo episod dhe qëllimet tona edukative. Gjithashtu, na ndiqni në kanalin tonë zyrtar në YouTube për t’u abonuar dhe për të parë videot e reja sa më shpejt që publikohen. Jemi të hapur për komente dhe sugjerime nga prindërit, të cilët mund të na kontaktojnë drejtpërdrejt në YouTube për çdo pyetje apo ide që mund të kenë”, tha Ademi në fund./KultPlus.com

Vendi i ëndrrave

Sot shënohen gjithsej 174 vite nga lindja e novelistit, eseistit, poetit dhe shkrimtarit skocez, Robert Louis Stevenson, shkruan KultPlus.

Më poshtë KultPlus ua sjell poezinë ‘Vendi i ëndrrave’ nga Robert Louis Stevenson.

Ha mëngjezin dhe gjithë ditën
Brenda në shtëpi rri, me miqtë:
Por nisem, sapo bëhet natë
Për te vend i ëndrrave, larg.

Dhe vetëm fare, fillikat,
S’më rrëfen kush, poshtë, a lart,
Vetëm ndër përrej të furishëm,
A shkrepa malesh të magjishëm.

Ç’më pret andej, asgjë nuk di,
Çfarë do të shoh, ç’do ha, ç’do pi,
Sa herë gjaku do t’më ngrijë,
Në atë vend, gjersa të gdhijë.

Dhe të mundohem sa të dua,
S’shkoj dot andej pasi jam zgjuar,
S’më vjen ndër mend asnjë nga këngët
Që më mrekullonin në ëndërr.

Përktheu: Maksim Rakipaj / KultPlus.com

Pesë vite nga vdekja e regjisores Arzana Kraja

Sot janë bërë pesë vite prej kur regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave”, Arzana Kraja ishte gjetur e vdekur në banesën e saj, shkruan KultPlus.

Regjisorja Kraja la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë.

Ajo ka pasuruar skenën filmike në Kosovë me një mori filmash të metrazhit të shkurtë, dhjetra realizime televizive si dhe iku duke na lënë filmin e saj të parë e të fundit të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, i përkrahur nga MKRS përmes QKK-së. / KultPlus.com

Pavlina Mani, aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar

I  madh e i vogël kanë në kujtesë të paktën disa prej batutave të komedive ku ka interpretuar ylli i skenës dhe ekranit, aktorja Pavlina Mani. Në një galeri të gjatë shfaqjesh e filmash, Pavlina Mani ka veshur petkun e dhjetra roleve e karaktereve si e papërkulura, e brishta, gërnjarja apo lozonjare, duke i interpretuar të gjithë me mjeshtëri.

Ajo lindi më 13 nëntor të vitit 1948 në Lushnjë.

Roli i parë që realizoi ishte ai i Larisës në “Vajza pa prikë” e Ostrovskit, ndërsa karrierën e mbylli me rolin e nënës së Florit, në serialin “Njerëz dhe fate”.

Përveç se në teatër, Pavlina Mani ka interpretuar në 13 filma artistikë, ku spikati fillimisht me rolin e zonjëzës Lulushe, në filmin “Pas vdekjes”, me regji të Kujtim Çashkut.

Me rastin e datëlindjes, aktoren e uroi edhe ministri Blendi Gonxhe, i cili në një postim në rrjetet sociale shkroi: “Gëzuar Ditëlindjen Pavlina Mani! Aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar, me rolet e mirënjohura dhe të dashura për publikun, si Liria në komedinë “Pallati 176”, apo Drita në serialin “Njerëz dhe Fate”. I urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme artistes!”/atsh/KultPlus.com

Një rekord i ri për Shqipërinë Turistike, 10,4 milionë të huaj deri në tetor

Kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale bëri të ditur që Shqipëria ka thyer rekordin e vitit 2023 për numrin e turistëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë.

Sipas Ramës, ky është një rekord i ri për Shqipërinë, teksa shtoi se përtej shifrave synohet modeli.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik”, shkruan Rama në postimin e tij.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro më herët ka bërë publike shifrat e vizitorëve të huaj, ku përgjatë periudhës janar-tetor 2024, Shqipëria është vizituar nga 10,4 milionë vizitorë të huaj.

“Vizitorët e huaj thyen rekordin e gjithë vitit 2023 duke shënuar shifrën e 10,4 milionë turistëve ose 16,2% më shumë se periudha janar-tetor e vitit të shkuar, edhe pse qëllimi ynë i vetëm nuk janë numrat, por ky model i mirë që po krijojmë e që sërish na jep medaljen si destinacioni më i dëshiruar turistik” është shprehur ministrja Kumbaro përmes një reagimi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, gjatë muajit tetor vendin e vizituan 761 mijë vizitorë të huaj, ose 9,3% më shumë se tetori i vitit 2023.

Pak ditë më parë, ishte Organizata Botërore e Turizmit që në Barometrin Global e renditi Shqipërinë të parën në Europë dhe të dytën në botë sa i takon normës së rritjes së vizitorëve ndërkombëtarë. Po ky barometër e klasifikoi Shqipërinë të parën përsa i përket rritjes së të ardhurave nga sektori i turizmit krahasuar me periudhën e para-pandemisë.

Në fund të muajit tetor, revista e njohur e udhëtimeve “Wanderlust” i akordoi Shqipërisë medaljen e argjendit si vendi më i dëshirueshëm për t’u vizituar nga turistët, përmes një votimi nga lexuesit britanikë./atsh/KultPlus.com

MASHTI: Nuk ka kurrikulë të veçantë për edukim seksual

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka reaguar ndaj diskutimeve të fundit për edukimin seksual në shkolla, duke theksuar se nuk ekziston një kurrikulë e veçantë për këtë temë, as tekste shkollore që e trajtojnë atë siç është raportuar.

Në një njoftim për media, MASHTI sqaroi se edukimi seksual trajtohet si një çështje ndërkurrikulare në kurrikulën arsimore të Kosovës dhe përfshihet në lëndë të ndryshme mësimore nga perspektiva shkencore, shëndetësore dhe shoqëroro-kulturore, për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga rreziqet që mund të dëmtojnë shëndetin e tyre.

MASHTI theksoi gjithashtu se, në vitin 2016, është formuar një grup punues që ka hartuar disa doracakë për mësimdhënës dhe broshura për prindër, të cilat janë miratuar nga MASHTI më 2020. Këto materiale janë opsionale dhe nuk janë pjesë e kurrikulës së detyrueshme për nxënësit. Për më tepër, MASHTI siguroi se do të vazhdojë rishikimin e këtyre dokumenteve dhe teksteve shkollore për të siguruar përmbajtje të përshtatshme dhe të saktë.

Miratohet rregullorja për të drejtën në rabat për prodhimet kinematografike, Çeku: Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka njoftuar se sot është miratuar rregullorja për të drejtën në rabat për prodhimet kinematografike dhe audio-vizuele.

Ministri Çeku ka thënë se Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është prezente dhe e gatshme për të ngritur industrinë në nivele ende më të larta.

“Përmes rabatit synojmë të tërheqim investime të huaja në Kosovë, duke siguruar që 30% e shpenzimeve të pranuara t’i kthehen direkt investuesit të huaj, shpenzime që bëhen për shërbime dhe fuqi punëtore lokale. Kjo nuk është vetëm për filma e seriale, por edhe për videoklipe muzikore, reklama dhe së fundmi, për zhvilluesit e lojërave, një përfshirje që pasqyron kohën moderne dhe diversitetin e industrisë kreative”, thuhet në njoftimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Balada e dashurisë së vonë

Poezi e shkruar nga Dulce Maria Loynaz.

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje:
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime?
Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën
e largët… Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj. /KultPlus.com

“Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”, konferencë shkencore e ISKK

Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nisi sot konferencën shkencore “Artet, letërsia dhe propaganda në diktaturë”.

Konferenca e cila vijon edhe ditën e nesërme, synon të ofrojë një platformë për ekspertët për të diskutuar çështje të kulturës në komunizëm: artet, letërsia dhe përdorimi i tyre si instrumenta propagande. Konferenca përbëhet nga disa sesione, secila me një temë të ndryshme, duke përfshirë: vendosja e arteve dhe letërsisë nën kontrollin e regjimit komunist, organizimi strukturor i organeve të kontrollit mbi artet dhe kulturën, objekti, qëllimi dhe misioni i veprimtarisë së shoqatave kulturore, marrëdhëniet e artistëve dhe shkrimtarëve me regjimin, e drejta e shprehjes dhe censura, roli i arteve në krijimin e narrativave historike në shërbim të regjimit, kontributi i arteve dhe letërsisë në formimin e njeriut të ri.

“Kulti i individit në shekullin XX” ishte tema e ligjëratës nga drejtori i zyrës së KAS për Shqipërinë, dr. Thomas Kunze, i cili hapi konferencën shkencore. Kunze referoi edhe pjesë nga libri i tij dhe Thomas Vogel “Oh ti, i dashur udhëheqës! Kulti i individit në shekujt XX dhe XXI”, i cili shqyrton mënyrën se si kultet e individit lindin, zhvillohen dhe përshtaten në kultura të ndryshme.

Libri po ashtu analizon mënyrat se si udhëheqës të ndryshëm, që nga diktatorë si Hitleri, Stalini dhe Maoja, deri te figura moderne si Kim Jong-un, Fidel Castro apo Hugo Chavez, përdorën kultin e individit për të manipuluar opinionin publik dhe për të ruajtur pushtetin politik./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani riafirmon përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim delegacionin e Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë, të udhëhequr nga senatorja belge Anne Lambelin.

Në këtë takim sipas njoftimit, presidentja Osmani ka riafirmuar përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave frankofone dhe ka theksuar se  Kosova aktualisht  është anëtare e asocuar në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë, ndaj pranimi me të drejta të plota në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare Frankofonisë është jo vetëm një prioritet kyç, por edhe hap thelbësor për forcimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si vlera të përbashkëta të vendeve frankofone

Ndër të tjera, e para e vendit e ka njoftuar delegacionin edhe për avancimin e agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, duke theksuar se Kosova tashmë është shndërruar në shembull pozitiv në nivel global.

Në këtë frymë, presidentja ka theksuar se përmes ngritjes së statusit të Kosovës në ONF, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi me shtete tjera anëtare në zhvillim të qëndrueshëm, promovimin e diversitetit kulturor e gjuhësor, arsim e hulumtime shkencore, si dhe në fusha tjera të interesit të ndërsjellë.

‘Nuk ekziston gjë tjetër përveç dashurisë së Zotit’

Robert Louis Balfour Stevenson ishte shkrimtar, novelist, poet, skenarist skocez që ka shkruar mjaft vepra, që u bënë të njohura.

Po ashtu veprat e tij ishin shumë të lexuara në Mbretërinë e Bashkuar, Amerikë e Francë kurse shumë prej tyre u përkthyen në gjuhë të ndryshme.

Sot, KultPlus sjell disa nga thëniet e tij të famshme:

“Nuk kërkoj as pasuri, as shpresë, as dashuri, as ndonjë mik që të më kuptojë. Gjithë çfarë kërkoj është qielli sipër meje dhe një rrugë nën këmbët e mia.”

“Tundimi për të bërë atë që është e ndaluar, thjesht pse është e ndaluar, përbën një ndër tundimet më të mëdha që mund të ekzistojnë.”

“Frikën mbaje vetëm për vete, por guximin ndaje me të tjerët.”

“Nuk ka vende të huaja. I huaj është vetëm udhëtari.”

“Nuk ekziston gjë tjetër përveç dashurisë së Zotit: ecim mbi të, e thithim si frymë, jetojmë dhe vdesim brenda saj. /KultPlus.com

Ndërhyrje emergjente për restaurimin e Urës së Përroit të Bënjës

DRTK Gjirokastër ka filluar ndërhyrjen emergjente për restaurimin në shpatullën e majtë të Urës mbi Përroin e Bënjës (Monument Kulture Kategoria I), duke evituar shembjen pas gërryerjes nga prurjet e përroit.

Ura është e pozicionuar në të hyrë të fshatit Bënjë, në lagjen e poshtme të tij, ku përroi kalon nëpër një grykë të ngushtë e derdhet në lumin e Lengaricës. Ura ka një harmonizim të bukur me ambjentin rrethues.

Ura ngrihet mbi një hark të vetëm me hapësirë drite 6.4 m, ku qemeri i harkut përfshirë dhe arkivoltën ka trashësi 70 cm .

Arkivolta shkel me dhëmbë 7 cm mbi harkun e poshtëm dhe në ngritjen e urës është patur parasysh ngushtica minimale e përroit si dhe fortësinë e brigjeve duke e ndërtuar në pjesën më të ngushtë dhe duke u mbështetur në brigjet shkëmbore të qëndrueshëm.

Në pjesën qëndrore të arkivoltës janë inkastruar katër kollona të vogla prej shtufi që sigurojnë një lidhje të mirë të muraturës së urës. Kollona të tilla formë brezash vertikalë vërehen dhe të tjera në muret bregore të urës./ KultPlus.com

Gonxhja: Buxheti 2025 me 56 miliardë lekë, fondet më të larta për projektet e kulturës

Në prezantimin që i bëri projektbuxhetit të vitit 2025, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se për këtë projektbuxhet ministria është përpjekur të integrojë maksimalisht zhvillimin ekonomik me kulturën, duke barazpeshuar nevojat për një zhvillim të qëndrueshëm me presionin pozitiv që përbën nga ana e vet inovacioni në ekonominë moderne, si dhe urgjencën në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Gonxhja renditi si objektiva: rritjen ekonomike të qëndrueshme, përmirësimin e klimës së biznesit, ndërtimin e një modeli të ri të miradministrimit të kulturës e trashëgimisë, stimulimi i mëtejshëm i inovacionit, rritja e aksesit në arsimin e mesëm profesional, financimi i politikave për strehim social.

Për vitin 2025, tavani buxhetor i MEKI-t planifikohet të arrijë në 56 miliardë lekë ose 12,5% më shumë se në vitin 2024. Kjo rritje është e njëtrajtshme dhe përfshin pjesën më të madhe të programeve të ministrisë së re.

Fondet më të larta për investime janë alokuar për projektet e kulturës, art dhe trashëgimi (së bashku) dhe ato të arsimit të mesëm profesional, përkatësisht: 1,78 miliardë dhe 1,37 miliardë lekë secila.

Sa i përket artit e kulturës, objektivi kryesor është të zhvillojë e mbështesë aktivitete artistike në Shqipëri, forcimi i rolit të këtij sektori si një komponent kyç në ruajtjen e identitetit kombëtar dhe promovimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Tavani buxhetor është 3 mld lekë, 4,2 % më i lartë krahasuar me vitin 2024. 50% e këtij tavani shkon për investime publike në art dhe kulturë me 1,5 mld lekë dhe 471,9 milionë lekë për thirrjet në kuadër të Programit të Ri Kombëtar të Granteve, i cili synon rritjen e mbështetjes financiare për artistët e organizatat.

Ministri Gonxhja tha se do të vazhdojë projekti i Javëve Kulturore Ndërkombëtare ku do të shtohet edhe Java Kulturore e UNESCO-s.

Ndër projektet në vazhdim, Gonxhja përmendi rikonstruksionin e Muzeut të Galerisë së Arteve të Bukura siç njihet ndryshe Galeria Kombëtare e Arteve e cila do të vazhdojë të financohet për tre vitet e ardhshme. Financimet do të vazhdojnë edhe për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve e Teatrin e Kukullave, në qendrën e re pranë Gardës, për projektin më të madh të Kulturës që është godina e Teatrit Kombëtar, ndërsa nga projektet që rikthehen janë: Rijetëzimi për Artin e Kulturën, me një vlerë totale prej 596,2 mln lekë të përfshirë në 3 vitet e PBA-së, projekti për mbrojtjen nga zjarri në ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare, ku do të ketë një ndërhyrje të pjesëshme pasi aty do të ketë një riorganizim hapësirash.

Një tjetër projekt me rëndësi të madhe është ai i Bibliotekës Kombëtare të re, e cila do të ketë mbi 20 mijë m² hapësirë, pranë Gardës. Ministri theksoi se biblioteka aktuale nuk do të largohet por do t’I jepet një theks muzealizimi dhe ekspozimi, për ta hapur Pallatin e Kulturës për turistët që gjenden përditë në Sheshin Skënderbej./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nga sot fillon një etapë e re për industrinë e kinematografisë në vend.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës është miratuar rregullorja për të drejtën në rabat, instrument që synon të tërheqë investime të huaja në Kosovë.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të tij:

Kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre filmike në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.

Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është e pranishme dhe e gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele ende më të larta. Me rabatin nuk synojmë vetëm mbështetje, por investim direkt në talentin kreativ vendor. E në të njëjtën kohë, është edhe ftesë për botën që të vijnë e të krijojmë së bashku në Kosovën tonë.

Urime gjithë komunitetit të kineastëve dhe ju priftë e mbara në bashkëpunimet që do të vijojnë./ KultPlus.com

Nis sot Panairi i Librit 2024: Të lexosh do të thotë të jetosh, të zbulosh, të rritesh

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit njoftoi rikthimin e Panairit të 27-të të Librit, njërës prej ngjarjeve madhore të librit në Shqipëri.

Panairi, i cili nis sot, ashtu si edhe në edicionet e mëparshme, do të zhvillohet në hapësirat e Pallatit të Kongreseve. Motoja e panairit të këtij viti është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.

Nën mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit dhe Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, kjo festë e librit do të vijojë deri më 17 nëntor, për t’u dhënë mundësi lexuesve të njihen me plot botime të reja.

Edicioni i 27-të i panairit përveç titujve të rinj për lexuesit sjell edhe takime me autorë e përkthyes, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare, etj.

Pjesë e aktiviteteve të panairit do të jetë edhe “Sofaja e Librit”, që mirëpret shkrimtarë të ndryshëm.

Panairi do të finalizohet me ndarjen e çmimeve letrare./ KultPlus.com

Ardianë Pajaziti: Balerini i njohur shqiptar Eno Peçi, ylli i mbrëmjes artistike “Ta Zbardhi Ftyrën”

Fotografia në ballinë: Ashley Taylor

Gazeta online për art dhe kulturë KultPlus është në përgatitje intensive për organizimin e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”, e që këtë vit do ta sjell balerinin e njohur shqiptar Eno Peçin.

“Ta zbardhi ftyrën” këtë vit do të shënojë edicionin e shtatë, dhe ky edicion do të ketë emocione skenike me balerinin shqiptar Eno Peçin, balerin që shkëlqen nëpër shumë skena të mëdha të teatrove prestigjioze, duke u prezantuar edhe si balerin por edhe si koreograf shumë i suksesshëm.

Mbrëmja e veçantë e “Ta Zbardhi Ftyrën” që ka për qëllim prurjen e artistëve shqiptarë nga vende të ndryshme të botës, përpos bashkëbisedimit audienca do të ketë rast që për së afërmi të përjetojë edhe magjinë skenike të këtyre artistëve, e që këtë vit do të kenë rastin të dëgjojnë rrëfimin e balerinit Eno Peçit, por që të shijojnë edhe performancën e tij të jashtëzakonshme.

Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe organizatore e kësaj mbrëmje të madhe artistike është shprehur të jetë e lumtur që për gjithë këto vite janë prezantuar emra kaq të mëdhenj nga skena të mëdha botërore, e që nëpër vite, protagonistë të këtyre mbrëmjeve kanë qenë: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci, Erza Muqolli, Gjon’s Tears, Gëzim Myshketa dhe Elbenita Kajtazi.

“Eno Peçi vetëm sa po e vulos edhe më tutje rëndësinë e kësaj mbrëmje artistike, e që nëpër vite ka pas figura dhe profile shumë të rëndësishme, që janë inspirim për shumë artistë të rinj, që nëpërmjet kësaj mbrëmje mund të marrin edhe shkëndijat skenike”, ka thënë Pajaziti.

Ajo është shprehë tejet e vlerësuar që bashkë me ekipin e KultPlus po sjellin artistë të këtij kalibri, gjithnjë duke pas parasysh agjendat e tyre të stërmbushura.

Eno Peçi është balerin në Operën Shtetërore të Vjenës dhe është balerini i parë shqiptar që ka performuar në koncertin e përvitshëm të Filharmonisë së Vjenës që prezantohet më 1 janar. Është i dekoruar me Dekoratat: “Kalorës i urdhrit të Skënderbeut“, dekoratë që i është dhënë nga presidenca e Shqipërisë dhe “Kurora e Nderit të Austrisë për Shkencë dhe Art”, titull që i është ndarë në vitin 2019.

“Ta Zbardhi Ftyrën” do të mbahet në dhjetor të këtij viti,  përkatësisht më 7 dhjetor. Mbrëmja artistike do të mbahet në Teatrin “ODA”, ndërkaq për detajet e mëtutjeshme, KultPlus do të ju mbajë të informuar.

Edicioni i sivjetmë i “Ta Zbardhi Ftyrën” mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Fotografitë: Ronnie Boehm

Publikohen rezultatet preliminare të konkursit për dizajnimin e logos së Muzeut të Artit Bashkëkohor

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se janë publikuar rezultatet preliminare të konkursit për dizajnimin e logos së Muzeut të Artit Bashkëkohor.

Bashkëngjitur gjeni linkun me rezultatet: https://shorturl.at/r0p8h

Aplikantët e përzgjedhur duhet të paraqiten në adresën [email protected], më së largu deri më 20.11.2024 në ora 16:00./ KultPlus.com

Fahredin Spahija boton librin “Shpirti Dervish”, promovohet më 18 nëntor në Shkodër

Fotografi i njohur, Fahredin Spahija së fundi ka botuar librin e tij “Shpirti Dervish”, që fillimisht ishte hapur si ekspozitë personale e tij në KultPlus Caffe Gallery. Gjithsej 50 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që shpalosen nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Libri “Shpirti Dervish” nisë me parathënien e poetit të mirënjohur, Fahredin Shehu dhe me botues Alphabet JH. Libri përmbanë, përveç parathënies, 50 fotografi nga cikli “Shpirti Dervish” me një shtyp tejet cilësor si dhe të dhënat biografike të autorit.

Libri do të promovohet më 18 nëntor, në Bibliotekën Publike “Marin Barleti”, në Shkodër ku njëkohësisht do vazhdoj ekspozimi i ekspozitës fotografike me të njëjtin titull./ KultPlus.com