Sot është bërë një vit prej kur regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave”, Arzana Kraja ishte gjetur e vdekur në banesën e saj, shkruan KultPlus.
Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit me anë të një postimi në Facebook ka përkujtuar Krajën duke shkruar se ajo ka lënë pas vetes një kontribut të jashtëzakonshëm në kinematografinë e vendit.
“Kujtojmë sot në një vjetorin e ndarjes nga jeta regjisoren Arzana Kraja.
Regjisorja Kraja la pas një kontribut të jashtëzakonshëm për kinematografinë në Kosovë. Ajo ka pasuruar skenën filmike në Kosovë me një mori filmash të metrazhit të shkurtë, dhjetra realizime televizive si dhe iku duke na lënë filmin e saj të parë e të fundit të metrazhit të gjatë “Fusha e mëllenjave”, i përkrahur nga MKRS përmes QKK-së.
I përjetshëm kujtimi!”, thuhet në postim/ KultPlus.com
Njëri nga filmat e regjisores tashmë të ndjerë, Arzana Krajës, “Kulla e Sahatit”, tashmë është publikuar edhe online në VIMEO, shkruan KultPlus.com
Ky film është me skenar dhe regji të regjisores Arzana Kraja, e cila ka vdekur së fundmi si dhe njëkohësisht pjesë e aktorëve që luajnë në këtë film është edhe Leze Qena, e cila është ndarë nga jeta dje.
Lajmin për publikimin e filmit edhe online është dhënë nga Gresa Kraja- familjare e Arzana Krajës përmes një statusi në Facebook.
Ishte një emocion më i veçantë në mbrëmjen e së premtes në Teatrin “Dodona” të Prishtinës, ku po prezantohej prova gjeneralë e shfaqjes “Liza në botën e çudirave”, shfaqje kjo që ishte punuar me dramatizim të Arzana Krajës, e cila vdiq qysh në nëntorin e kaluar, por këtë projekt e kishte lënë të përfunduar për këtë teatër, qysh në muajin shtator.
Meli Qena ka bërë regjinë e kësaj shfaqje, e cila bashkë me Arzanën patën aplikuar për këtë projekt vitin e kaluar, por premiera e kësaj shfaqje erdhi pa praninë e Arzanës.
Familjarë të Arzanës kishin zënë vendet e tyre në sallën e këtij teatri, për të parë nga afër emocionin e kësaj shfaqje, dhe për të ndjerë nga afër edhe njëherë mjeshtërinë e familjares së tyre.
Por dramatizimi i Arzana Krajës dhe regjia e Meli Qenës, kishin sjell një mrekulli brenda mureve të këtij teatri, pasi që aktorët e kësaj shfaqje, me lojën e tyre sollën aq emocion, sa zërat e fëmijëve , bashkë me ata të prindërve, dëgjoheshin pothuajse gjatë gjithë kohës.
Edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me bashkëshorten e tij, kishin sjell vajzën e tyre që për aq kohë sa zgjati shfaqja, u argëtuan me lojën e aktorëve.
Shfaqja ‘Liza në botën e çudirave’ trajton temën e një vajze e cila një ditë shikon një lepur të bardhë dhe bëhet kurioze, duke ndjekur lepurin, ajo bie në botën magjike të mrekullive ku takon krijesa nga më çuditshmet, kjo botë magjike futi thellë edhe fëmijët që ishin prezent. Liza një vajzë me imagjinatë tejet të zhvilluar ngjallte një entuziazëm të pashoq tek fëmijët që ishin të pranishëm në këtë shfaqje.
Ajo çfarë e bëri edhe më interesante këtë shfaqje ishte mesazhi që ajo përçonte. T’i duam prindërit tanë dhe t’i respektojmë ashtu siç janë, pa u shkaktuar telashe, sepse në fund jemi ata të cilët duam t’i kemi gjithmonë afër dhe të mos jemi asnjëherë larg tyre.
Me këtë lloj porosie përfundon edhe shfaqja, duke u lënë fëmijëve prezent një mesazh shumë të fortë.
Aktorët që luajtën në këtë shfaqje ishin: Njomza Tmava, Allmir Suhodolli, Avni Hoti, Roza Berisha Fejzullahu, Avdi Azemi, Faik Gashi. Shfaqja ështe edhe libër i cili është shkruar nga Leëis Caroll, dhe pritet të shfaqet këtë të shtunë prej orës 12:00 dhe 13:00 në teatrin Dodona. / KultPlus.com
Fizikisht ajo nuk do të jetë më, zëri i saj nuk do të dëgjohet, por në vend të saj do të flasin veprat që la pas. Regjisorja Arzana Kraja, vdiq ditën e mërkure për të lënë një zbrastirë të pa zëvendësueshme tek të gjithë miqtë, bashkëpunëtorët dhe familjarët e saj, shkruan KultPlus.
Komuniteti
artistik kishte organizuar sot mbledhje komemorative për nder të regjisores
Kraja. Në Teatrin Kombëtar të Kosovës ishin mbledhur një numër i madh njerëzish
ku shprehja e fytyrës së tyre fliste më shumë se gjithçka.
Teatri ishte
mbushur me njerëz e në rendin e parë po qëndronin familjarët të cilët po
mundoheshin të përmbaheshin në mesin e kësaj dhimbje të madhe. Në sfond po dëgjohej
kënga e preferuar e Arzanës që shoqëroi secilin fjalë që u tha sot për të.
Zana
Radogoshi, mikja e ngushtë e Arzanës në mënyrë krejt natyrale para të pranishmëve
shpalosi disa momente e natyrën e butë e të buzëqeshur të saj.
“Arzana e ka
dashtë shumë muzikën, asaj i ka pëlqy me vallëzu me këngët e Shakirës, ajo e ka
pasur vallëzimin më të bukur, ka vallëzuar me shpirt. Ajo nuk ka qenë vetëm një
artiste, ajo ka qenë shumë e veçantë. Ajo ka pasur një shprehi, në çdo fletë që
ka pasur përpara ajo ka vizatuar një pemë me disa gjethe, dje kur ne ja dhamë lamtumirën
Arzanës, e pamë që Arzana e kish gjet pemën e saj”, përfundoi mes lotësh fjalën
e saj Radogoshi.
Një ndër bashkëpunëtorët
më të afërt të Arzanës ka qenë edhe aktori Shkumbin Istrefi. Ata punuan bashkë
për 10 vite te “Kafeneja jonë” e për të vazhduar bashkëpunimin edhe tek filmi “Fusha
e Mëllenjave”. Istrefi e kishte shumë të vështirë të flas për miken e tij. Në
pamundësi t’i ndalte lotët ai shpesh pushonte për disa sekonda për të vazhduar
prap të tregojë sa humbje e madhe është kjo e fundit.
“Arzana kërkonte
vlerë dhe sukses çdokund. Mua personalisht ma ka dhuruar një rol jetësorë,
rolin e Sylës në filmin e saj të mrekullueshëm “Fusha e Mëllenjave”. Përmes bashkëpunimit
që kemi pasur kam arritur ta njoh më mirë”, ka thënë Istrefi duke vazhduar të përmednë
disa nga vlerat e saj.
“Arzana ishte e përkushtuar në punë në kohën kur kjo cilësi nuk vlerësohet, lexonte kur leximi konsiderohej humbje kohe, kërkonte dije kur dija nuk është në modë, ishte shok kur ky virtyt është shëndërruar në interes, insistonte në vlera edhe atëherë kur të gjithë ishin të gatshëm të hiqnin dorë, nuk bënte kompromis me vlerat por në fund bëri kompromis me jetën.”
Gjatë kësaj mbledhje u tha se Arzana ishte artiste që në thellësi të karakterit të saj modest dhe të heshtur vlonte nga revolta ndaj padrejtësive shoqërore që e nxiten të bëhet zëri i të heshturve. Fjalia e saj e fundit që ju mbeti njerëzve në mendje me rastin e premierës së filmit të saj “Fusha e Mëllenjave” në PriFest ishte: Na duhen më shumë idealist, na duhet zëri i tyre. Arzana ishte idealiste, kishte ideale për një botë më të drejtë, ku shemben padrejtësitë.
Krejt për
fund, në emër të familjes, forcat për të thënë një fjalë i mblodhi motra e saj
e vogël Gresa Kraja e cila me pak fjalë por e përmbledhur u shpreh falënderuese
për të gjithë që po ndajnë dhimbjen me ta, ndërsa kërkoi që Arzana të kujtohet
gjithmonë e buzëqeshur, duke vallëzuar e kënduar.
“Arzana
ishte një shpirt i bardhë e cila na la fizikisht, por nuk do të na lërë kurr
shpirti i saj. Ajo do të jetë gjithmonë me neve, e buzëqeshur, duke vallëzuar e
kënduar dhe ashtu, vetëm ashtu duhet kujtuar, në asnjë rrethanë tjetër”, u
shpreh Gresa duke falënderuar të gjithë në emër të familjes Kraja.
Për të përmbyllu
këtë mbledhje, në një ekran të madh u shfaq puna e Arzanës që bëri për gjithë këto
vite në fushën e kinematografisë. Fryma e saj artistike e fuqia e të bërit art
folën për pak minuta me të pranishmit të cilët ishin zhytur në lot.
Kraja ishte
regjisore e filmit dhe e televizionit. Studimet i kishte përfunduar në Degën e
Regjisë në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës. Ishte regjisore,
asistente e regjisë e producente në disa televizione e produksione vendore.
Ishte njëra ndër themelueset dhe udhëheqëse e departamentit të filmit në
festivalin ndërkombëtar studentor për film dhe teatër, “Skena UP”, nga vitit
2002 deri më 2007.
Kraja është
autore e tetë filmave të shkurtër, midis tyre “Kulla e sahatit”, “Shkurta”, e
tre filmave dokumentarë, midis tyre, “Përmes syve të mi” e “Kosova ime”. Në
korrikun e këtij viti filmi i saj debutues i metrazhit të gjatë artistik,
“Fusha e mëllenjave”, ishte dhënë premierë në festivalin ndërkombëtar të filmit
“PriFilmFest” në Prishtinë. Bashkë me Shkumbin Istrefin ishin regjisorë të
serialit “Kafeneja jonë”.
Vdekja e saj është përshkruar si një humbje e madhe për kinematografinë e Kosovës. / KultPlus.com
Sot në orën 14:00 në varrezat e kryeqytetit u bë varrimi i regjisores Arzana Kraja.
Qindra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit regjisores së njohur.
Familjarët kanë njoftuar poashtu se dyert e familjes do të jenë të hapura për ngushëllime në lagjen Ulpiana D9, pranë klinikës “Fati im, shkruan rtv21.tv
Regjisorja e filmit “Fusha e Mëllenjave” është gjetur e vdekur dje në banesën e saj në lagjen Kalabria në Prishtinë./KultPlus.com
Arilena Ara është këngëtarja e re që arriti të depërtojë shpejtë në skenën muzikore, ndërsa hovin e suksesit e arriti pikërisht me këngën “Nëntori”, me të cilën u paraqit në festivalin “Kënga magjike”, shkruan KultPlus.
Kënga që në çdo tingull e fjalë shpalosë ndjenjën e këngëtares, arriti të prek shpejtë publikun veçmas ata që ky muaj u ka lënë një boshllëk. Këtë baladë këngëtarja Ara ia kushtoi babait të saj. Pasi që kënga u mirëprit nga publiku, këngëtarja Arilena Ara shumë shpejtë e realizoi një version edhe në gjuhën angleze ndërsa kënga e saj arriti shumë shpejtë të depërtojë edhe jashtë Kosovës.
Muzika dhe produksioni i kësaj këngë është punuar nga Darko Dimitrov kurse teksti është shkruar nga Lindon Berisha.
Arilena Ara është fituese e edicionit të dytë i “X Factor Albania”.
Më poshtë ju rikujtojmë këtë këngë me interpretimin fantastik të këngëtares Arilena Ara.
Lotët më janë tharë Buza mu bë varr Dielli nuk më ngroh Dielli nuk më ngroh
Dhimbje sa një mal Zemra nuk ma fal Ty më nuk të shoh Ty më nuk të njoh
(Ref) Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë Nëntori , ma mori mua dashurinë e parë! Nuk e dua këtë muaj më në kalendar! Nëntori , ma mori , u shua dhe ky zjarr , nëntoriiiii..
Ishin plot me zjarr Muajt n’kalendar Kur ishim ne bashkë , sa ishim ne bashkë
E lumtur duke qarë Pas teje si e marrë Gjithëve ua thashë , për ne të dy ua thashë
(Ref) Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë Nëntori , ma mori mua dashurinë e parë Nuk e dua këtë muaj më në kalendar Nëntori , ma mori , u shua dhe ky zjarr
Nuk e dua më ktë muaj, nuk e dua më ktë muaj, nëntori, nëntori, nëntoriiiii..
(Bridge) Vitin më t’bukur shkatërroi Vulën e hidhur shkaktoi Ky muaj i gjori, t’gjitha mi mori Në djall le të shkoi Nëntoriiiiiii…..!
(Ref) Nuk e dua këtë muaj, nuk e dua këtë muaj, nëntori ,ma mori, nëntori.. Mallkuar qoftë ky muaj që më la të vetme përgjithmonë Nëntori, ma mori mua dashurinë e parë Nuk e dua këtë muaj, nuk e dua më ktë muaj Nëntori, nëntori, nëntoriiiiii.. / KultPlus.com