Ambasada britanike në Kosovë, ka njoftuar se ka vdekur komandanti i parë i KFOR-it, Gjenerali Sir Mike Jackson, në moshën 80-vjeçare.
Sir Mike Jackson ishte komandanti i parë i KFOR-it, i cili më 1999 kishte drejtuar forcat ndërkombëtare në Kosovë, të kryesuara nga NATO, pas tërheqjes së forcave serbe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, e cila u kishte dhënë fund bombardimeve të NATO-s 78-ditore kundër caqeve dhe forcave serbe e jugosllave për shkak të fushatës së spastrimit etnik kundër popullatës shqiptare të Kosovës.
Kur u urdhërua të pengonte forcat ruse në Aeroportin e Prishtinës pasi ato hynë në Kosovë pa marrëveshjen e NATO-s, ai refuzoi.
“Nuk do të filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, i tha ai gjeneralit Clark.
Mike Jackson la gruan e tij Sarah, djemtë Mark dhe Tom, vajzën Amanda dhe katër nipër e mbesa.
Majori Andrew Fox, një ish-komandant kompanie në Regjimentin e Parashutës, e kujtoi Jacksonin, duke thënë: “Më vjen shumë keq që mësova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”.
“I nderuar që kam kaluar kohë në shoqërinë e tij në disa raste”, tha Majori Fox
Zëvendës-Marshalli Ajror Mick Smeath, Komandanti i Përgjithshëm i Regjimentit të RAF, tha: “Shumë i trishtuar kur dëgjova për vdekjen e gjeneralit Sir Mike Jackson”./KultPlus.com
Filmi shqiptar “Yjet e së ardhmes” u vlerësua si “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” i edicionit të 8-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI), që u zhvillua më 4-11 tetor në Ariccia (Romë).
Ky film ka skenar të Uli Bree, regjisor dhe producent Edmond Topi, drejtor fotografie Leonard Qendro, konsulent artistik Mirela Oktrova, kompozitor Saimir Çili, montazhi: Eliodor Markja, grimi dhe kostumet – Bebeka Alla.
Në film interpretojnë Tinka Kurti (Nderi i Kombit), Reshat Arbana (Nderi i Kombit), Margarita Xhepa (Nderi i Kombit), Luftar Paja (Mjeshtër i Madh), Gazmend Paja, Elia Zaharia, Ema Andrea, Sadush Ylli, Karafil Shena, Bajram Dosti, Igli Zarka, Jorida Meta.
Filmi ia doli të rrëmbente zemrat e publikut dhe të tërhiqte vëmendjen e jurisë.
Publiku roman dhe jo vetëm u entuziazmua dhe emocionua nga historia e bandës së të moshuarve “të rinj”, “Robi dhe Trinitrina” dhe vullneti i tyre për ta jetuar jetën deri në fund dhe me të gjithë fuqinë…, pavarësisht të papriturave të jetës… interpretuar me mjeshtëri nga Tinka Kurti, Reshat Arbana, Margarita Xhepa dhe Luftar Paja.
Bashkudhëtari dhe nxitësi i tyre, Robi (Gazmend Paja) është një artist ende i “pashpërthyer”. Prej vitesh bën muzikë, por ende nuk është i njohur. Mendon se kjo mundësi do t’i krijohet nëse, me formacionin e tij muzikor arrin të fitojë konkursin kombëtar “Yjet e së ardhmes”. Por sherrosja në një lokal e shpie në gjyq, ku i kanoset burgu… . Kur gjykata ia konverton dënimin me punë në dobi të komunitetit, ai përfundon në një shtëpi të moshuarish, ku ka shefe fqinjën (Elia Zaharia), të cilën e “torturon” përnatë me muzikën tij. Temperamenti prej artisti e miqëson shpejt me të moshuarit, të cilëve u rizgjon dëshirën për të jetuar dhe e afron me vajzën, e cila e njeh nga një plan tjetër.
Po puna është me orë të zgjatura, ndaj formacioni i tij e zëvendëson… Tentativa për të bërë një kor me të moshuarit, shihet si shkelje nga drejtoresha (Ema Andrea), e cila e largon nga puna dhe njofton gjykatën. Pa formacion dhe me një këmbë në burg, duket se ëndrra u gropos përfundimisht, derisa “miqtë“ e moshuar e ftojnë të krijojë një formacion me ta.
Sado e çmendur, ideja funksionon: ata ushtrohen rregullisht fshehurazi drejtoreshës që mbikëqyr të moshuarit dhe policisë që kërkon artistin. Edhe “zbulimi“ dhe më pas përplasja me drejtoreshën, jo vetëm që nuk i paralizon, por i bën të moshuarit “heronj“, të publikut dhe të të rinjve…, pavarësisht moshës dhe të papriturave, që ajo „ruan“ për ta…
Konkurrimi i filmave në festival u zhvillua në kategoritë e filmit të shkurtër dhe filmit me metrazh të gjatë, ku u përfshinë 54 filma të shkurtër, nga mbi 15 vende të botës dhe 11 filma me metrazh të gjatë, nga Shqipëria, Italia, Bullgaria, Gjermania dhe Franca.
Oferta filmike u ndoq nga publiku në Grottaferrata – Cinema Alfellini, Frascati – Cinema, pallati Chigi – Ariçia dhe online në CROFFI TV.
Konkurrimin në këto kategori e ndoqi juria qendrore e përbërë nga: Mimmo Calopresti – president (regjisor, skenarist dhe aktor), Janet De Nardis – regjisore dhe skenariste, Stefano Masciarelli – aktor, Stefano Reali – regjisor, Stefania Casini – regjisore, aktore, Blas Roca Rey – aktor, Josephine Alessio – gazetare (Rai News 24), Massimo Spano – regjisor dhe producent, Morena Gentile – aktore dhe producente, Alessandro Pondi – regjisor dhe Teresa Razzauti – regjisore kastingu dhe juria e medias, e përbërë nga: Elisabeth Missland, Dundar Kesapli, Luciano Sciubra, Sergio Fabi, Flavia Arcangeli, Alba Kepi, Ettore Giuffrida,l Vera Naydenova, Paola Medori dhe Marta Coco.
Në konkurrimin e Filmit të Shkurtër u ndanë 22 çmime, tetë prej të cilëve çmime për aktorët protagonistë dhe joprotagonistë, çmimet “Filmi më i Mirë”, “Fotografia më e Mirë” dhe “Regjia më e Mirë”, disa çmime karriere si edhe çmimet e Kritikës, Medias dhe Publikut.
Në konkurrimin e filmit me metrazh të gjatë u ndanë 23 çmime, tre prej të cilëve çmime karriere për aktorët protagonistë, joprotagonistë dhe ndërkombëtarë, çmimet “Filmi më i Mirë”, “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar” dhe “Regjia më e Mirë” si edhe çmimet e Kritikës, Medias, Publikut dhe rrjeteve sociale.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI) – është një ngjarje e rëndësishme kinematografike, me fokus kryesor te produksionet e pavarura.
Duke e konsideruar kinemanë si një mjet i rëndësishëm promovimi për rajonin Castelli Romani, i njohur për veçoritë e tij historike, kulturore, arkitekturore dhe ofertat eno-gastronomike, organizatorët e festivalit (shoqata “Punto e Virgola 2017”) synojnë që përmes personaliteteve të njohura të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare, të tërheqin më shumë vëmendjen e turistëve, të cilët shpesh ndalen vetëm në Romë pa zbuluar thesaret e mrekullueshme të Castelli Romani.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Castelli Romani” (CRoFFI) e zhvilloi ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Edicionit të tij të Tetë (4-11 tetor 2024) në mjediset e mrekullueshme të Pallatit dukal Ariccia (Romë) – një shembull unik i një rezidence baroke të konservuar në kontekstin e saj arkitekturor e urban.
Amatorët e kinemasë e kanë të njohur pallatin, si kulisën historike të njërit prej filmave më të ndjekur të kinematografisë italiane dhe botërore “Leopardi” (“Il Gatopardo”, Luchino Visconti – 1963), me të paharrueshmit: Burt Lancaster, Alain Delon dhe Claudia Cardinale. /atsh/ KultPlus.com
“Inteligjenca Artificiale” është arsyeja dhe motivi i Bienales Ndërkombëtare të Artit, ku artistë nga mbarë bota do të mblidhen në Durrës.
Për të kuptuar më shumë mbi organizimin dhe atë çfarë pritet të ndodhë i ftuar në studion e lajmeve në “Ora Neës” ishte artisti dhe kuratori i saj Oltsen Gripshi.
“Ju falënderoj shumë për ftesën dhe falëminderti për hapësirën, ku përmes një ekranit tuaj të vogël, por të një impakti shumë të madh bën të njohur një bienale që është në edicionin e saj të parë, siç është Bienalja e Artit Bashkëkohor të Durrësit, një qyteti antik, një qyteti i cili shkëlqimin nuk e ka humbur ndër shekuj dhe mbërrin në ditët e sotme me këtë aktivitet kaq të rëndësishëm, ku bën bashkë 17 kombe të botës dhe me 40 artistë nga vende të ndryshme.
Pasi pavioni shqiptar dhe ai i Italisë ka më tepër artistë bashkë me atë të Kinës, kështu që përpos numrit të kombeve artistët janë disi më tepër dhe ata janë ftuar për të interpretuar inteligjencën artificiale dhe të ardhmen hibride./oranews/ KultPlus.com
Ato hedhin zaret, por nuk pyesin nëse duam të marrim pjesë në lojë. Nuk duan t’ia dinë nëse ke lënë një burrë, një shtëpi, një punë, një karrierë, një ëndërr. Perënditë nuk duan t’ia dinë për faktin se ti do një jetë ku çdo gjë të jetë në vendin e duhur, ku çdo dëshirë mund të arrihet me punë dhe këmbëngulje. Perënditë nuk i kushtojnë rëndësi planeve dhe shpresave tona. Në një vend të universit, ato hedhin zaret, dhe rastësisht të zgjedhin ty… Nga ai moment e më vonë, të humbasësh apo të humbësh është çështje mundësish. Perënditë hedhin zaret dhe lirojnë dashurinë nga kafazi i saj. Kjo forcë mund të krijojë ose shkatërrojë, në varësi të drejtimit, nga i cili fryn era në momentin kur lirohet nga burgu i saj. Dashuria mund të na shpjerë në ferr ose në parajsë, gjithsesi na çdo gjithmonë në një vend. Është e rëndësishme ta pranosh gjithsesi, sepse ajo ushqen ekzistencën tonë. Nëse nuk e pranojmë, do të vdesim urie duke parë degët e pemës së jetës plot me fruta: nuk do të kemi guximin të zgjasim dorën dhe t’i mbledhim. Është e rëndësishme ta kërkojmë dashurinë atje ku ndodhet, edhe pse mund të duhen orë, ditë, javë zhgënjimi dhe trishtimi. Sepse në momentin kur nisemi në kërkim të dashurisë, edhe dashuria lëviz për të na ardhur pranë. Dhe na shpëton. Dhe në dashuri nuk ka rregulla. Mund të përpiqmi të ndjekim manuale, të kontrollojmë zemrën, të krijojmë strategji për sjelljen tonë, por të gjitha janë të parëndësishme. Vendos zemra dhe ku ajo vendos, vetëm ai vendim ka rëndësi… / bota.al/ KultPlus.com
Për të profilizuar një identitet kaq të jashtëzakonshëm të historisë së shkencës, për të hedhur dritë mbi terrin e shumë hamendësimeve dhe dilemave, për të kapur fillin që përshkon tërësinë e një identiteti kaq kompleks dhe të larmishëm, më mirë se sa një intervistë, më mirë se prononcimi i vetë personazhit, askush tjetër nuk mund të jetë më i besueshëm, asnjë vërtetë s’mund t’i mbivendoset asaj që përbën dëshminë e së vërtetës së vërtetave.
Eshtë fjala për gjeniun Nikola Tesla. Të gjitha hulumtimet, zbulimet dhe projektet që i kanë ngecur në nivel idesh, Nikola Tesla-n e bëjnë njërin prej gjenive të rrallë në tërë historinë e njerëzimit. Përditë dalin në pah gjëra të reja në lidhje me të dhe sa herë del në dritë diçka e re, edhe respekti shtohet.
Ndërsa ‘sekreti’ i fundit që është zbardhur është intervista e një gazetari që e kishte bërë me të para 120 viteve. Inteligjenca i reflekton në përgjigjet, të cilat edhe sot e kësaj dite, na e mbajnë frymën pezull.
Ja intervista e plotë:
Gazetari: Z. Tesla, për ju thonë që jeni përzier në çështjet kozmike. Në të vërtetë kush jeni ju?
Tesla: Kjo është një pyetje e mirë dhe do të mundohem të përgjigjem në të gjitha pyetjet tuaja.
Gazetari: Disa thonë se ju jeni kroat dhe keni lindur në një katund të vogël. A është e vërtetë kjo?
Tesla: Po të gjitha janë të sakta. Jam me origjinë nga Serbia, por atdheu im është Kroacia dhe me këtë ndjehem krenar.
Gazetari: Futuristët, thonë se shekulli i 20 u lind në kokën tuaj. E bekojnë fushën magnetike dhe thurin himne për motorin e induksionit. Energjia aktuale të cilën e keni zbuluar ju, sot mund të mbizotërojnë mbi gjysmën e botës fiziko-kimike. Industria është gati t’u shpallë juve si bamirësi më i madh. Për herë të parë e keni thyer atomin në laboratorin Tesla. Keni bërë një pajisje që mund të shkaktoj dridhje tërmeti. Keni zbuluar rrezet e zeza kozmike. I keni hetuar ekzistencën e Empedocles, e cila zbulon sekretet e 5 elementeve. Jeni si një figurë hyjnore për shumë njerëz.
Tesla: Po, të gjitha këto që i keni cekur janë vetëm disa nga zbulimet e mia më të mëdha. Megjithatë unë tash më jam një njeri i mundur sepse nuk i kam bërë gjërat më të mëdha që kam pasur forcë t’i realizoj.
Gazetari: Cilat janë ato, z Tesla?
Tesla: Kam dashur ta ndriçoj gjithë botën. Kemi një energji të mjaftueshme që mundëson që e gjithë bota të ndriçoj si dielli. Po të më kishin lejuar t’i bëja ato që kam dashur, ashtu siç e ka Saturni, edhe bota do kishte një hallkë të ndriçuar në pjesën e ekuatorit. Por njerëzimi nuk është gati për këtë. Në një studim që e kam bërë në Kolorado Springs, e kam zhytur e gjithë botën në rrymë elektrike. Po ashtu mund t’i ofrojnë njerëzve një energji pozitive mendore.
Në pjesën e brendshme të botës, ekziston energji, energjia e paqes, dashurisë dhe gëzimit. Kam kaluar shumë vite për të studiuar si ndikon kjo energji tek njerëzit. Trëndafili, i përdorë rrezet e diellit si ushqim dhe për këtë arsyeje është kaq i bukur dhe ka aromë të këndshme. Në jetë ekziston në numër i pa fund të shkencave dhe shkencëtarët duhet të punojnë për t’i kuptuar ato. Këtu ekzistojnë tri pika thelbësore. Ajo që po e bëj unë është vetëm një hetim.
Ka disa gjëra që e di se nuk mund t’i gjej, por përsëri nuk do të ndalem së hetuari.
Gazetari: Cilat janë ato?
Tesla: Çështja e parë është ushqimi. Çfarë sasie të energjisë ose sa yje nevojiten për të ushqyer me dritë një botë të uritur? Një tjetër është shkatërrimi i fuqisë së të keqes dhe vuajtjeve. Kjo është si një epidemi apo sëmundje e fshehur në hapësirën e thellë të gjithësisë. Së treti, a posedon universi dritë me fuqi të jashtëzakonshme.
Kam zbuluar një yll i cili nuk ndryshon. Nuk mund ta ndikosh as me ligje astronomike, as me ekuacione matematikore. Ky yll është në galaktikë. Është e madhe sa një mollë dhe peshon sa i gjithë sistemi diellor. E di që për të fluturuar, duhet ti tejkalojmë ligjet e ligjet e gravitetit të tokës.
Por unë nuk jam duke u munduar t’i mundësoj njerëzve fluturimin në mënyrë fizike, por, po mundohem t’u mundësojë njerëzve të fluturojnë nga një vend në tjetrin duke e përdorur fuqinë mendore. Jam duke u përpjekur ta zgjoj energjinë e ajrit.
Gazetari: Thuhet se zogjtë vijnë çdo ditë në dritaren e shtëpisë suaj.
Tesla: Njeriu duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zogjve. Ata lajmërojnë ardhmërinë.
Gazetari: Nuk e keni lënë fluturimin që nga ajo kohë kur ishit në Similjan.
Tesla: Si fëmijë kam tentuar të fluturoj nga kulmi i shtëpisë, por u rrëzova. Nuk i kisha bërë llogaritjet në mënyrë të duhur. Mos harro rinia është krahu më i fortë i jetës.
Gazetari: Jeni Martuar ndonjëherë?
Tesla: Jo
Gazetari: Tifozët tuaj ankohen se keni asgjësuar teorinë e relativitetit. Pse nuk e shohim këtë energji që gjendet gjithkund?
Tesla: Së pari formohet energjia dhe prej saj përbëhet trupi. Universi është përbërë nga një energji origjinale dhe të përjetshme të cilën ne e quajmë dritë. Universi ka katër ligje themelore. E para, ka një masë matematikore. E dyta, përhapet në errësirë . E treta, drita shndërrohet në një element radial. E katërta, nuk ka fillim dhe nuk ka fund. Krijimi i tij është i pafund.
Gazetari: Pse nuk i ligjëroni njerëzit në lidhje me këtë teori?
Tesla: Mbani në mend; arsyeja se pse nuk e kuptojmë pafundësinë, nuk është se bota ka një strukturë të lakuar, por është vet mendja e njeriut. Unë jam një pjesë e dritës. Universi është në rregull dhe harmonik njësoj si një simfoni.
Gazetari: Z. Tesla, jeni duke dëgjuar ndonjë zë?
Tesla: Kam dëgjuar gjithmonë. Veshi i shpirtit tim është i madh sa qielli. Ajnshtajni ka bëri disa punë shumë të mira dhe nuk jam kundër kësaj. Mirëpo është gabim i madh që mendonte se “eteri” nuk ekziston.
Gazetari: A është e vërtet se jeni sëmurë shpeshherë gjatë rinisë suaj?
Tesla: Po është e vërtetë se fuqia e jetesës më ka ra shpesh herë. Ndonjëherë njeriu ka nevojë për dhimbje. Kurrë mos nënçmoni fuqinë e mendjes së një personi.
Gazetari: Z. Tesla, kjo është një lojë apo? Më flisni mua për fuqinë e të menduarit…
Tesla: Po është një lojë, unë kam luajtur dhe e kam zgjidhur sekretet e rrymës elektrike. Mos harro, Nikola Tesla është njeriu i parë që i ka gjetur të vërtetat e rrufesë.
Gazetari: Çka është energji elektrike për ju?
Tesla: Rryma elektrike është gjithçka. Së pari drita është një gjë e pafund që përfaqëson botën. Kurse ngjyra e zezë është fytyra e vërtetë e dritës, por ne nuk e shohim këtë.
Gazetari: Më duket se çështjen e rrymës elektrike po e teproni pak a shumë…
Tesla: Unë jam rrymë elektrike. Mund të them se jam rrymë elektrike që është shndërruar në njeri. Edhe ju jeni ashtu, por nuk e keni vërejtur ende.
Gazetari: A mund t’i përballoni rrymës elektrike me një milion volt?
Tesla: Trupi i njeriut është përbërë nga rryma elektrike. Po ashtu edhe truri ynë punon me rrymë elektrike. Një ditë do ta shohim se kjo ndodhë me të vërtetë.
Gazetari: Stafi i hotelit ne të cilën jetoni, na kanë thënë se kur moti është me shi dhe rrufe, ju gjithnjë flisni me dikë. A është e vërtetë kjo?
Tesla: Po, unë flas me rrufe dhe bubullima.
Gazetari: Si kështu?
Tesla: Shpesh herë flas me ta në gjuhën time amtare.
Gazetari: Lexuesit tanë do të befasohen shumë kurrë e lexojnë këtë shkrim.
Tesla: Rrufe dhe bubullimat janë vetëm dy nga forcat më të fuqishme të natyrës.
Gazetari: Por cili është elementi?
Tesla: Ajo që më intereson mua, është se çfarë ndodhë në gjithësinë e yjeve. Çfarë ndodhë kurrë një yll shuhet dhe në atë moment kurrë i zbulojmë këto, atëherë do të fillojmë t’i zbulojmë edhe elementet dhe sekretet e botës.
Gazetari: Por çfarë do të ndodhë më pas?
Tesla: Perëndia do të tallet me ne dhe do të na arrestojë. (e thotë duke qeshur)
Gazetari: A nuk janë këto fjalë, të kundërtat e atyre që i keni thënë në librin “Dhimbje Kosmike”?
Tesla: Jo sepse ne ende po jetojmë në botë. Ekziston një sëmundje që shumica e njerëzve ende nuk e dinë. Dhe pikërisht për këtë arsyeje ekzistojnë edhe shumë sëmundje tjera siç janë, vuajtjet, mjerimet, luftërat etj. N
doshta kjo sëmundje nuk mund të shërohet plotësisht , por nëse vetëdijesohemi në lidhje me këto sëmundje, atëherë mund t’i parandalojmë ato. Ndonjëherë i ndjej në trupin tim vuajtjet e të afërmve të mi. Arsyeja kryesore e kësaj, është se trupi dhe shpirti ynë është përbërë nga elementet që i përngjanë njëri tjetrit.
Pamja e zhdukjes së një ylli, tek ne ndikon në atë mënyrë sa që nuk mund ta imagjinoni. Lidhja që e kanë krijesat e botës me njëri-tjetrin, është shumë më e madhe sa sa që e dimë ne. Kemi shumë gjëra që duhet t’i mësojmë për të krijuar një të ardhme sa më të mirë. Filozofia.al / KultPlus.com
Emma Goldman lindi më 27 qershor të vitit 1869 dhe vdiq më 14 maj të vitit1940. Goldman ishte një anarkiste e njohur për aktivizmin e saj politik, me shkrime dhe fjalime, shkruan KultPlus.
Ajo luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e filozofisë politike anarkiste në Amerikën e Veriut dhe Evropë në gjysmën e parë të shekullit të 20. Lindur në Kovno, Perandoria Ruse (sot Kaunas, Lituani), Goldman emigroi në Shtetet e Bashkuara në vitin 1885.
E tërhequr nga anarkizmi pas aferës Haymarket, Goldman u bë një shkrimtare dhe një lektore e njohur në filozofinë anarkiste, të drejtat e grave, dhe çështjet sociale, duke tërhequr mijëra turma.
Më poshtë po i sjellim disa thënie të kësaj aktivisteje të njohur:
“Njerëzit kanë aq liri sa guxojnë për ta kërkuar dhe për ta marrë”
“Më shumë do të doja të kisha trëndafila në tryezën time sesa diamante në qafë”
“Para se ta falim njëri-tjetrin, duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin”
“Elementi më i dhunshëm në një shoqëri është injoranca” /KultPlus.com
Po më mirë të isha horizontale. Une nuk jam pemë me rrënjë në dhe që dashuri thith, e minerale, prej tokës amë e që çdo mars rrezëllinë në shpërthime fletësh. As nuk jam bukuria e një valleje në lulishte, që vjel psheretima me ngjyrat mahnitëse, e paditur për petalet që shpejt zhvishen. Ballë meje, pema është e pavdekshme e një kompozitë s’është më e lartë, por më magjepse… …e unë dua jetëgjatësinë e pemës e guximin e tjetrës.
Sonte, nën dritën aq të vockël të yjeve, pemët e lulet i shpërhapin aromat e freskëta. Mes tyre eci e s’më vëne re. Nganjëherë, them se u ngjaj me shumë kur fle: mendimet zbehen atëherë. Është më e natyrshme për mua të jem shtrirë, se çelim një bisede qielli . E do të jem e dobishme kur të bie më në fund: Pemët do të mund të më prekin e lulet do të kenë kohë për mua më shumë.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja priti në një takim ish-Presidentin Alfred Moisiu.
Gjatë takimit Gonxhja dhe Moisiu diskutuan për një sërë aktivitetesh dhe botimesh në nderim të 145-vjetorit të lindjes së aktorit të njohur, Aleksandër Moisiu.
“Një nga pikat më interesante të bisedës sonë ishte angazhimi për ngritjen e një muzeu, që do të nderojë krijimtarinë e këtij artisti të shquar në qytetin e tij të origjinës, Kavajë”, tha Gonxhja.
Ministri Gonxhja u shpreh se “kjo nismë do të kontribuojë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe do t’i ofrojë brezave të ardhshëm mundësinë për të njohur më mirë jetën dhe veprën e Aleksandër Moisiut, duke lënë një gjurmë të përhershme në historinë tonë”.
Aktori me origjinë shqiptare, Aleksandër Moisiu lindi më 2 prill të vitit 1879 në Trieste.
Moisiu performoi në skenën austriake, ku mishëroi role kryesore të një spektri të gjerë të veprave të letërsisë europiane, duke nisur që prej tragjedive antike greke e deri tek bashkëkohësit. Karriera e tij do të niste në moshën 19-vjeçare, kur filloi të ekzekutonte role minore si figurant në skenën e Burgtheatër.
Më pas u angazhua në teatrot e Pragës dhe të Berlinit, ku u shqua për zotësi aktoriale, veçanërisht në interpretimin e rolit të Edipit mbret dhe të Hamletit./atsh/ KultPlus.com
Të hënën filloi në Paris panairi i makinave ku dominuan ato elektrike, duke dëshmuar kështu angazhimin e industrisë së makinave për t’u bërë plotësisht elektrike deri në vitin 2035. Në çeljen e panairit ishin të pranishëm emra të njohur si Presidenti francez Emmanuel Macron, aktorja franceze Juliette Binoche dhe ish-fubollisti Eric Cantona.
Në edicionin e 90-të të panairit të makinave në Paris u paraqitën disa nga modelet më të fundit të prodhuesve të automobilëve.
Presidenti francez Emanuel Macron ishte i pranishëm për të treguar mbështetjen e tij për kompanitë franceze të prodhimit të makinave. Ai madje u ul për të provuar një prototip të kompanisë Peugeot.
Kompanitë franceze patën një paraqitje të mirë. Kompanitë si Renault dhe Citroen paraqitën makina të reja elektrike, që nga ato për tregun e përgjithshëm evropian dhe deri tek makinat e vogla të projektuara për përdorimin në qytetet evropiane.
Vizitorët shohin nga afër makinat elektrike Renault R4 E-Tech
Ky është aktiviteti më i mirë që prodhuesit të vendosin kontakte të drejtpërdrejta me konsumatorët thotë Serge Gachot, drejtori i Panairit të Makinave në Paris.
“Mendoj se është e rëndësishme që kompanitë të nxjerrin në pah produktet e tyre më të reja dhe që drejtuesit e tyre të kenë mundësi për të trajtuar edhe tematika më politike. Sapo patëm zgjedhje në Evropë rishtazi, do të ketë zgjedhje në SHBA për pak javë. Mendoj se është e rëndësishme të flitet për çështje të caktuara, për orientimin deri në vitin 2035 drejt makinave plotësisht elektrike”, thotë zoti Gachot.
Sipas planit të miratuar nga Bashkimi Evropian për eliminimin e ndotjes deri në vitin 2050, shitja e makinave të reja me naftë dhe benzinë pritet të ndalet deri në vitin 2035.
Ashtu si kompanitë franceze, edhe ajo gjermane BMW, ka investuar shumë në teknologjinë e makinave elektrike. BMW-ja paraqiti veturën e re Neue Klasse që shfrytëzon të gjithë gjatësinë e xhamit të përparmë për të paraqitur informacione dixhitale.
Makina BMW Vision Neue Klasse X e prezantuar në panairin e Parisit
Edhe MINI Cooper, makina e preferuar e aktores franceze Juliette Binoche, është tashmë elektrike dhe me një kapacitet më të madh baterish, me distanca maksimale në deri 371 kilometra.
Kompania tjetër gjermane Audi paraqiti versionet e reja të makinave të saj elektrike, si Q6-ta. Makina elektrike paraqiti madje edhe kompania çeke Skoda.
Kompanitë evropiane kanë investuar burime të shumta tek makinat elektrike dhe tashmë po rrisin trysninë ndaj qeverive që t’i mbështesin me subvencione përpjekjet e tyre, thotë Mark Tisshaw, redaktor në revistën Autocar.
“Jemi tashmë përtej pikës së novacionit fillestar dhe gjendemi në fazën e prodhimit masiv për tregun. Dhe mënyra për t’i tërhequr njerëzit në këtë treg është nëpërmjet ofertave. Kompanitë e prodhimit të automjeteve thonë se tashmë e kanë bërë pjesën e tyre dhe po u kërkojnë qeverive që t’i mbështesin këto makina elektrike që kushtojnë më shumë se makinat me karburant”, thotë zoti Tisshaw.
Krahas kompanive evropiane, në panair morën pjesë edhe kompanitë nga Amerika dhe Azia. Kompania kineze XPeng paraqiti veturën e saj të drejtuar nga inteligjenca artificiale.
Vëmendje tërhoqën kompania Tesla, me kamionin e saj të shumëpritur Cybertruck, kompania Cadillac me makinën e saj të re elektrike Lyriq, si dhe kompania Ford e cila riprezantoi për publikun, me ndihmën e futbollistit francez Eric Cantona, versionin e ri elektrik të makinës së njohur 1969 Capri. /VOA
Nga Roma në Nju Jork për 55 minuta dhe nga Londra në Pekin në pak më shumë se një orë: jo fantashkencë, por realitet, për sa kohë që udhëtoni me 7400 kilometra në orë, shkruan risia shkencore e përcjellë nga gazeta italiane corriere.it.
Ky është premtimi i kompanisë amerikane ‘’Venus Aerospace’’, e cila prezantoi një motor ‘’shpërthyes’’ revolucionar të quajtur VDR2.
I përcaktuar nga kompania si “një hap i dukshëm i fluturimit super supersonik ai në fakt është krijuar për t’ju lejuar të arrini shpejtësinë afërsisht gjashtë herë më shumë se ajo e zërit.
Në bazë të revolucionit (të mundshëm) është një sistem shtytës futuristik i cili, në vend që të shfrytëzojë djegien e ngadaltë të karburantit, sipas projektuesve do të jetë në gjendje të gjenerojë valë shpërthimi të cilat do të përhapen në mënyrë ciklike brenda qarkut, duke garantuar kështu performanca rekord.
“Ky motor e bën shpejtësinë hipersonike një realitet”, deklaroi bashkëthemeluesi i ”Venus Aerospace”, Andrew Duggleby.
“Mezi presim të punojmë edhe më në thellësi, për të fluturuar shembullin e parë dhe në fund për të përsosur një motor koncepti që deri më tani ka ekzistuar kryesisht në tekstet shkollore, por kurrë si një njësi prodhimi’’, thekson Eric Briggs, shefi operativ i një kompanie tjetër të përfshirë në projekt të quajtur Velontra.
Kompania do të nisë testimet e para në vitin 2025. /atsh/ KultPlus.com
Pas suksesit në Tiranë, episodi i parë i serialit “Prokurori” me regji të Fatmir Dogës dhe producentëve Ylli Ujka dhe Çesk Ivanaj, u shfaq edhe në Prishtinë. Ky serial vendos në qendër luftën kundër krimit dhe korrupsionit politik, duke trajtuar tema të ndjeshme për shoqërinë shqiptare.
“Është kënaqësi e veçantë të prezantojmë projektin tonë këtu në Prishtinë. Kjo ka vlerë për çdo shqiptar, por për mua dhe Çeskun, që nga origjina jemi nga Malësia e Shkrelit, Kosova na është dyfish në zemër. Seriali do të vazhdojë të shfaqet në të gjitha qytetet dhe vendet e Europës ku ka diasporë, dhe gjithashtu do të ketë audicione dhe shfaqje të vazhdueshme. Janë projekte ambicioze për të cilat jemi të bindur se do të kenë sukses,” deklaroi producenti Ylli Ujka.
Bashkëproducenti Çesk Ivanaj theksoi rëndësinë e këtij projekti për shoqërinë shqiptare në të dy vendet. “Shpresojmë që pjesa e parë ka transmetuar emocionin e këtij filmi unik. Shqipëria dhe Kosova e kanë vuajtur këtë situatë dhe me ndihmën e drejtësisë dhe seriozitetit të njerëzve do të kalojnë çdo vështirësi. Populli ynë meriton të ecë përpara dhe të bëhet një nga vendet më unike në Europë dhe në botë,” u shpreh Ivanaj.
Filmit “Prokurori” po vijon të shfaqet në të gjitha kinematë kryesore në Tiranë dhe në Prishtinë, duke sjellë një projekt unik që bashkon talentet shqiptare dhe ndërkombëtare. Biletat janë tashmë në shitje dhe mund të blihen online ose në kinematë e Shqipërisë dhe Kosovës. Seriali “Prokurori” pritet të vazhdojë me shfaqje të tjera në vendet ku ka komunitet shqiptar./balkanweb/ KultPlus.com
Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në Kalanë e Shkodrës u pa nga një numër i larte vizitorësh vendas e të huaj. Ajo ishte një mundësi për t’u njohur me objekte unike nga koleksionet e Muzeut Historik Kombëtar, përmes 25 imazheve.
Këto thesare përfshijnë artefakte nga pavijonet e Lashtësisë, Mesjetës dhe ikonave Pasbizantine, si dhe objekte etnografike nga Periudha Osmane, duke ofruar një dritare komunikimi në historinë dhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore shqiptare.
Ekspozita “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar” ishte një bashkëpunim mes Muzeut Historik Kombëtar dhe DRTK Shkodër, duke sjellë në jetë një përvojë të veçantë për të gjithë vizitorët që eksplorojnë thesaret e së kaluarës sonë./atsh/KultPlus.com
Vizita e fundit në shtëpinë ku kishte vdekur Balzak, kishte qenë ajo e Viktor Hygosë. Ishte data 18 gusht 1850. Gruaja e tij kishte qenë paradite te Hanska, e cila i kishte thënë se Balzaku ishte në grahmat e fundit.
Po atë ditë, Hygo kishte shkruar në ditarin e tij: «I rashë ziles. Ishte një hënë e plotë me re. Rruga ishte e shkretë. Prita. Askush nuk e hapi. I rashë prapë. Porta u hap. Duke qarë, një shërbëtore me shandan në dorë pyeti: Çfarë doni zotëri? I thashë emrin. Më çuan në sallon, ku përballë oxhakut ishte një bust i madh në mermer i Balzakut. Një grua tjetër u afrua duke thënë:
“Ai po vdes. Zonja ka ikur në dhomë, po kështu dhe mjekët, ikën që dje. Ai nuk flet më. Prifti erdhi dhe i bëri shërbimin e fundit.»…Një erë kufome ishte shpërndarë në dhomë. Kërkova ta takoj Balzakun. Kaluam një korridor dhe ngjitëm shkallët. Ishte atje, me kokën e zhytur në jastëk. Kishte një fytyrë ngjyrë violet, gati të zezë, të parruar dhe me flokët gri, të prera. Ngjante me perandorin. Një erë e padurueshme kundërmonte nga krevati. Ngrita jorganin dhe mora dorën e tij. Ishte gjithë djersë. E shtrëngova. Nuk m’u përgjigj. Zbrita duke mbajtur në kujtesë atë fytyrë të zbehtë. Ishte e diel. Duke hyrë në shtëpinë time njerëzit më prisnin. Ju thashë: «Zotërinj, Europa do të humbë një shpirt të madh!”
Balzaku vdiq pak kohë pasi u largua Hygo, i cili ishte dhe vizitori i fundit në botën e të gjallëve. Në orën 23.30, ai dha shpirt. «E pashë në profil, i ngjante Perandorit», kishte shkruar Hygo. Të nesërmen, arkivoli i tij u vendos në kishën Saint-Nicolas. Pastaj lumi i njerëzve që shoqëronte funeralin, kaloi përmes Parisit drejt varrezave të «Père Lachaise». Pikonte shi. “Ishte një nga ato ditët kur të duket se dhe qielli derdh lot”, – shkruante Hygo. Në varreza, përballë gropës së hapur dhe turmës njerëzore që nderonte autorin e Komedisë Njerëzore, Viktor Hygo u shfaq para tyre dhe foli: “Ky punëtor i jashtëzakonshëm dhe asnjëherë i lodhur, ky filozof, ky poet, ky gjeni, ka jetuar midis nesh një jetë stuhish, luftërash, zënkash, betejash. Sot më së fundi ai është në paqe: ai iku nga kundërshtitë dhe urrejtjet. Dhe në të njëjtën ditë ai hyn në lavdi dhe në varr!”…/express/KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti ka vizituar ekspozitën dokumentuese “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, ekspozitë që është hapur së funi në Berlin të Gjermanisë, e që është kuruar nga Shkumbin Brestovci.
Më poshtë është njoftimi i plotë nga kryeministri Kurti.
Historia e rezistencës paqësore dhe e shtetformimit në Kosovë gjatë dekadës së fundit para fillimit të luftës sonë çlirimtare, pra nga viti 1988 e deri më 1998, është konceptuar dhe paraqitur para publikut gjerman në Berlin, përmes një ekspozite dokumentuese. E kuruar nga autori Shkumbin Brestovci dhe e titulluar “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, në të janë ekspozuar fotografi dhe materiale të tjera dokumentare, përmes së cilave publiku ndërkombëtar mund të njihet me një nga historitë më autentike të një rezistence paqësore kundër një regjimi të apartheidit në Evropë, çfare ishte ajo e popullit të Kosovës në dekadën e fundit të shekullit XX.
Gjatë qëndrimit tim në Berlin, e vizitova këtë ekspozitë bashkë me ministrin Hajrulla Çeku dhe me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i cili edhe e hapi këtë ekspozitë. “Rezistenca paqësore dhe shtetformimi në Kosovë 1988 – 1998”, është organizuar pikërisht nga një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Berlin, Fondacionit Friedrich Ebert-Stiftung dhe Institutit Leibniz për Kërkimet e Evropës Lindore dhe Juglindore në Regensburg.
Në kuadër të ekspozitës, mbrëmë u mbajt edhe një panel diskutimi në të cilin morën pjesë Geert Ahrens, diplomat gjerman, që përfaqësoi OSBE-në gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luajti një rol kyç në ndërmjetësimin e fillimviteve ‘90-ta, Rafael Biermann, politolog dhe Linda Gusia, aktiviste për të drejtat e njeriut dhe profesoreshë e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Rruga e ndjekur nga vendi ynë Kosova si dhe nga populli dhe liderët politikë të saj në të kaluarën, janë historia e domosdoshme prej nga nisemi për të ardhmen tonë politike krah vendeve të Bashkimit Evropian. E në këtë rrugë, shumçka kalon kah Berlini dhe Gjermania, vendi ynë mik dhe aleat sikur në vitet tona më të vështira, ashtu edhe sot kur synojmë integrimin dhe anëtarësimin në strukturat euro-atlantike./ KultPlus.com
Të dua në dhjetë të mëngjesit, edhe në njëmbëdhjetë dhe në dymbëdhjetë të ditës. Të dua me gjithë shpirt dhe me gjithë trup, ndonjëherë në mbasditet me shi. Por në orën dy të mbasdites, ose në tre, kur mendoj për ne të dy dhe ti mendon për ushqimin ose për punët e përditshme, ose për zbavitjet që të mungojnë, ia nis të të urrej shurdhërisht, me gjysmën e urrejtjes që ruaj për veten.
Pastaj të dua sërish, kur shtrihemi dhe ndjej se je bërë për mua, që në njëfarë mënyre ma thonë gjuri dhe barku yt, që duart e mia më bindin për atë dhe nuk është asnjë vend tjetër ku unë të vij, apo ku unë të shkoj, më i mirë se trupi yt. Ti vjen e plotë në takimin me mua dhe të dy zhdukemi për një çast, i bindemi Urdhrit të Zotit deri kur unë të të them se kam uri, apo më vjen gjumë.
Të gjitha ditët të dua dhe të urrej pandreqshëm. Dhe gjithashtu, ka ditë, ka orë në të cilat nuk të njoh, kur më je e largët si gruaja e tjetrit. Më shqetësojnë njerëzit, shqetësohem unë, më shpërqendrojnë dhimbjet e mia. Ka mundësi që shpesh nuk mendoj për ty. Tashmë e sheh. Kush mund të të dojë më pak se unë, e dashura ime? /KultPlus.com
I njohim për talentin kinematografik, apo mjeshtërinë e penës, por shpesh pasioni për muzikën, madje edhe kompozimi mbeten të panjohur. Fridrih Niçe, Klint Istvud, Çarli Çaplin janë kompozitorët që fshihen pas emrave të mëdhenj të kulturës.
I përshëndetur gjithë jetën si mësues i famshëm kimie, Aleksandër Borodin ëndërronte veçse një gjë: të kompozojë. Madje, u kërkonte miqve të mos i thoshin më: “Uroj të jesh mirë”, por përkundrazi: “Uroj të jesh sëmurë”, që të qëndronte në shtëpi dhe të kompozonte muzikën që dëgjonte në kokë. Mirëpo, Borodini nuk është i vetmi që kompozoi në kohën e lirë. Aktorë, shkrimtarë, janë të shumë emrat e artistëve dhe intelektualëve që fshehin talentet muzikore.
Kështu kompozonte Niçe
Filozofi dhe filologu gjerman, Fridrih Niçe iu bashkua panteonit të intelektualëve për veprat, si “Perëndimi i idhujve”,“Shkenca e gëzuar” dhe “Kështu foli Zarathustra”, veçse shkrimtari i famshëm fsheh po ashtu talentin muzikor, që e ka ushtruar që në moshën 9-vjeçare. I dhënë pas pianos, ai kompozoi rregullisht pjesë të vogla, prej të cilave edhe fantazi dhe mazurka. Në vitin 1872 kompozoi “Manfred-Meditation” për piano me katër duar, të cilën ia dorëzoi dirigjentit Hans von Bulow. Ky i fundit i dha një opinion aspak lajkatar: “Meditimi juaj, nga pikëpamja muzikore, nuk ka tjetër vlerë, veç atij të një krimi në rendin moral”. Disi i dekurajuar, Niçe i ofroi shumë nga kompozimet e tij Cosimas dhe Riçard Vagnerit, gjithnjë admirues i madh i këtij të fundit. Pavarësisht nga vlerësimi dhe respekti midis Niçes dhe Vagnerit, thuhet se Riçardi nuk arriti t’i dëgjonte plotësisht pjesët, pasi e kapi gazi teksa filloi t’i dëgjojë. Pa u ndikuar nga opinionet e Bulow dhe Vagnerit, muzika e Niçes mund të dëgjohet nga gjithkush, për kënaqësinë e atyre që kërkojnë një surprizë të këndshme…
Çarli Çaplin, diktatori, kompozitori
Mustaqet dhe shkopi njihen menjëherë në mbarë botën, por kush do ta njihte Çarli Çaplinin nga muzika e tij? Megjithatë, prej vitit 1931, ai është përgjegjës për çdo kolonë zanore të filmave të tij, madje kompozoi edhe muzikën e filmave të vjetër pa zë. I kujdesshëm ndaj futjes së zërit në kinema, ai specifikon në autobiografi: “një nga avantazhet me ardhjen e tingullit ishte se unë mund ta kontrolloja muzikën, pra e kompozova vetë”. Muzikant autodidakt që adoleshent, mësoi violonçelin dhe violinën me dorën e majtë (instrument kyç në punën kinematografike të Çaplinit). I aftë të luante në instrument, por i paaftë të lexonte partitura, madje nuk shkruante dot qoftë edhe një kompozim. Si rrjedhojë, ishte aranzhuesi ai që diktonte me saktësi temat dhe tingujt e imagjinuar prej tij. Në të gjallë, Çaplini do takohej me shumë titanë të muzikës, si Debysi, Rahmaninof, Kazal, Karruzo, Stravinski dhe Shoenberg. Ky i fundit admironte humorin e Çaplinit, por shton se muzika ka cilësi shumë të dobët!
Antoni Burges, muzikë portokalli
Nga pena e Antoni Burges lindi një nga romanet më domethënës të shekullit të 20-të, “Portokalli mekanik”, historia e një krimineli të dhunshëm i pasionuar pas muzikës klasike, veçanërisht muzikës së Ludvig van Bethovenit. Mirëpo, nëse Antoni Burges nuk ndan cilësitë e dhunshme të personazhit të tij imagjinar, ai ndan katërcipërisht pasionin muzikor. Muzikant autodidakt, ai kompozoi pjesë të shumta klasike, përfshi simfoni, koncerte dhe kantata, por edhe muzikë dhome dhe pjesë solo. Kaq i apasionuar ishte pas muzikës, saqë në 1991 shkroi në “The Economist”:“Do të doja që njerëzit të më shihnin si një muzikant që shkruan libra, sesa një shkrimtar që shkruan muzikë në kohën e tij të lirë”. Mjerisht, suksesi i veprës letrare të Antoni Burges e tejkalon reputacionin e kompozimit, ndaj emri i tij lidhet me letërsinë, pavarësisht ëndrrës.
Klint Istvud, i miri, i egri dhe kompozitori
I njohim fare mirë kolonat zanore të Enio Morikones, që shoqëron “Njeriu pa emër” nga Klint Istvud. Por dimë fare pak për muzikën e kompozuar nga ky i fundit për filmat e tij, përfshi “Mystic River”, “Million Dollar Baby”, “Flags of Our Fathers”, “Grace Is Gone”, “Changeling”, “Hereafter”, “J. Edgar” dhe “In the Line of Fire”. Njëlloj si Çaplini, Istvudi kompozoi me ndihmën e një aranzhuesi për të hedhur në fletë secilën prej pjesëve origjinale të kompozuara për filmat e vet.
Antoni Hopkins, muzika e qengjave
Bëhet fjalë për një nga aktorët më të mëdhenj të shekullit të 20-të. “Unë doja të bëhesha kompozitor, por u bëra aktor si parazgjedhje. Më ofruan një bursë për t’u regjistruar në një kolegj muzike dhe drame, me shpresën se do zgjidhja muzikën. Por, përfundimisht e gjeta veten student teatri, kësisoj e ndoqa këtë rrugë për 60 vjet”, – shprehet aktori.
Mirëpo, kjo nuk e pengoi legjendën e kinematografisë të përmbushte dëshirën për të kompozuar përgjatë rrugëtimit të karrierës së tij. Madje, ai shkroi kolonat zanore për projektet e tij kinematografike, përfshi filmat “August” (1996) dhe “Slipstream” (2007). Për këtë të fundit, Hopkins nuk do të jetë vetëm kompozitori i kolonës zanore, por edhe orkestruesi, madje edhe dirigjenti. Në vitin 2011, Hopkins synoi të luante për herë të parë valsin e tij: “And The Waltz Goes On”, i kompozuar në 1964, nga Andre Rieu dhe orkestra e tij. Një vit më vonë, botoi një përmbledhje të kompozimeve, titulluar “Kompozoj”. Pas gati 7 dekadash, i themi lamtumirë aktorit Antoni Hopkins dhe i urojmë mirëseardhjen kompozitorit eponim! /Konica.al / KultPlus.com
Sopranos Ermonela Jaho do ti ndahet edhe një çmim i rëndësishëm, kësaj radhë në Spanjë, shkruan KultPlus.
Çmimi “Gran Teatre del Liceu” do ti ndahet nëpërmjet një mbrëmje gala, mbrëmje që do të mbahet më 22 tetor, ne Teatro de la Zarzuela në Madrid të Spanjës.
Ky çmim për Ermonela Jahon do të ndahet në kategorinë: Çmim për Artisten më të mirë të huaj, me dedikim për kontributin e saj të veçantë për lirikën e Spanjës. / KultPlus.com
Në Teatrin Oda në Prishtinë, jepet premiera e shfaqjës më të re teatrore të Qendrës Multimedia, ‘Të gjashtët kundër Turqisë”, e qw do tw prezantohet mw 16 tetor. Reprizat e radhës janë me 17 dhe 18 tetor, po në teatrin “Oda” në Prishtinë. Drama është shkruaar nga Jeton Neziraj, regjinë e ka bërë Blerta Neziraj, kurse luajnë: Adrian Morina, Ernest Malazogu, Shpetim Selmani, Verona Koxha, Albina Krasniqi dhe Don Shala.
Shfaqja është krijuar nga një kolektiv ndërkombëtar teatror me artistë/e nga Kosova, Turqia dhe vende të tjera të BE-së. Ajo eksploron degradimin e demokracisë dhe ngritjen e regjimeve populiste-nacionaliste dhe autoritarizmit në Evropë.
Në vitin 2018, gjashtë mësues turq u arrestuan në Kosovë dhe u deportuan në Turqi. Lejeqëndrimet e tyre të lëshuara nga shteti i Kosovës u revokuan mbi argumentin e supozuar se përbënin rrezik për sigurinë kombëtare. Gjashtë burrat kërkoheshin në Turqi për shkak të gjoja lidhjeve të tyre me klerikun në ekzil Fetullah Gulen, lëvizja e të cilit fajësohej nga shteti turk për grusht shtetin e dështuar të vitit 2016. Dhjetra e mijëra mbështetës të dyshuar të Gulenit janë arrestuar apo kanë humbur vendet e tyre të punës në Turqi që nga grusht shteti i dështuar. Shumica janë deklaruar të pafajshëm. Guleni e ka mohuar se ai dhe mbështetësit e tij janë prapa përpjekjes për rrëzimin e qeverisë së Erdoganit.
Kur televizionet në Kosovë dhanë pamjet e shtetasve turq të arrestuar, njerëzit pyesnin me të drejtë; si ishte e mundur që në një shtet demokratik, siç proklamonte se ishte Kosova, të ndodhte një rrëmbim i këtillë, mafioz, që sigurisht po kryhej me dijeninë dhe autorizimin e krerëve të shtetit. Rrëmbimi dëshmoi brishtësinë e institucioneve të shtetit në Kosovë, të cilat janë rob i hegjemonive politike e ekonomike të shteteve të fuqishme. Por incidenti është edhe një mësim për të gjithë ne: që autoritarizmi nuk është një ‘ishull i izoluar’, ai ka tendencë të kopjohet e importohet, mu siç ndodhte dikur me fashizmin.
Që nga ardhja në pushtet në vitin 2002, Recep Tayyip Erdogan ka mbikëqyrur një transformim radikal të Turqisë, që i ka hapur udhë një udhëheqjeje të stilit “një njeri i vetëm”. Sipas Institutit Ndërkombëtar për Demokraci dhe Asistencë Zgjedhore, numri i shteteve që po lëvizin kah autoritarizmi është më shumë se dyfishi i atyre që po lëvizin kah demokracia ndërkohë që regjimet autoritare në botë e kanë thelluar shtypjen e tyre.
E frymëzuar nga “Të shtatët kundër Tebës” së Eskilit, shfaqja ‘Të gjashtët…” përmban një shikim të nuancuar në Turqinë e Erdoganit dhe shtron pyetje se pse shoqëritë e themeluara mbi parimin e pluralizmit dështojnë të mbajnë premtimet e veta? Pse shumë politikanë sot po shkojnë gjithnjë e më shumë kah ideologjitë shtypëse?
“Të gjashtët kundër Turqisë” shtron pyetje kohërisht relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse edhe përtej kufinjve. Kjo nuk është një shfaqje për njerëzit e thjeshtë që i kundërvihen një qeverie a një shteti, por është shfaqje për qeveritë a shtetet autoritare që duke ndjellur terror, dhunë, përndjekje e luftë, i çojnë në shkatërrim njerëzit e vet.
Ndjeshmëria e kësaj çështjeje në Turqi – dhe jo vetëm – nënkupton se edhe rrugëtimi deri tek bërja e kësaj shfaqjeje në Kosovë nuk ka qenë i lehtë, madje sfidues./ KultPlus.com
Mbrëmë në skenën e Teatrin Shqiptar Shkup, u hap edicioni i 18-të i FNT Skupifestivalit. Në hapjen solemne morën pjesë numër i konsiderueshm artdashësish sidomos atij teatrorë, si dhe musafirë të festivalit nga vendi dhe jashtë.
Në hapjen solemne drejtori i Skupifestivalit Muzbajdin Qamili- Muçi, shpalosi programin e këtij ediocioni, falemderoi të pranishmit për mbështetjen dhe pjësmarrjen e vazhdueshme ndër vite.
Programi vazhdoi me shfaqjen “1984”, vepër nga autori Xhorxh Orwell, me regji të francezit Igor Menxhiski. Shfaqja që u soll në Skupifestival nga Teatri Kombëtar i Kosovës, e cila flet për fuqinë, identitetin, vetminë dhe kërkimin për veten përmes kërkimit për të tjerët. Në të eksplorohet dashuria, politika, fëmijëria dhe telashet e saj.
Ky këndvështrim është një satirë, e cila me kalimin e viteve është shëndrruar në një roman pritjeje, një afresk metafizik, të gjallë, të frikshëm dhe prekës. Si çdo roman i madh, ky rrëfim mban brenda vetes të gjitha temat kryesore të gjendjes njerëzore, ndoshta me një dëshirë për të parandaluar të keqen. Sipas konceptit regjisorial të Menxhiskit, fokusi në këtë shfaqje është historia e dashurisë në mes të Vinstonit dhe Julias. Por e gjithë satira dhe parashikimi që e karakterizojnë këtë vepër, janë pothuajse gjatë gjithë kohës në këtë shfaqje, ku flitet për politikën, për fuqinë, për ligjin, për këtë histori dashurie.
Në role janë Adrian Morina, Arta Selimi, Basri Lushtaku, Edona Reshitaj, Flaka Latifi, Shpejtim Kastrati, Xhejlane Godanci dhe Ylber Bardhi. Skenograf në shfaqje Mentor Berisha, kostumografe Yllka Brada, kompozitor Trimor Dhomi.
Sonte në natën e dytë të Skupivestivalit gjithnjë në ora 20:00, po në teatrin shqiptar në Shkup, do të vazhdojë me shfaqjen teatrore “Nyja e Gidionit”, përshtatur nga vepra e dramaturges amerikane Johnna Adams dhe regji të Selma Alispahić, inskenuar nga Produkuksioni Intermeco & Mess Sarajevë- Bosna dhe Hercegovina./KultPlus.com
Mbrëmë, sopranoja e njohur Adelina Paloja solli koncertin e saj recital “Eternal Echoes” në hapje të edicionit të shtatë të Prishtina International Vocal Festival, nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula- Kasapolli dhe Kuartetit Harkor “AMATI”.
Rreth orës 19:00, koncerti grumbulloi familjarë të solistes Paloja, miq, dhe artdashës në përgjithësi në sallën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, të cilët pak para koncertit me kënaqësi shfletonin programin i cili përmbante 12 vepra të kombinuara me kompozitorë shqiptarë dhe botërorë.
Dritat u fikën, dhe për njëfarë kohe në sallë dominonte ngjyra vjollcë. Kjo ngjyrë përshtatej bukur me mbrëmjen “Jehona të Përjetshme” të artistes Adelina Paloja, pasi në botën e ngjyrave vjollca simbolizon shpirtëroren, mendimin e thellë, lluksin, prestigjin dhe elitën.
Kurse shkëlqimi i vërtetë skenës iu dha qysh me paraqitjen e parë të solistjes Adelina Paloja, nga shpirti i saj rrezatues, që shpesh herë paraqet një dashuri të madhe, të pastër me frekuenca engjëllore. Këtë aurë të saj e kompletonte fustani i argjendtë, i mbështjellë me një pelerinë vezulluese.
Koncerti filloi me interpretimin e veprave nga repertori rus, me atë të Sergei Rachmanioff- Polybila ya na pechal svoyu op. 8,no.4 Zdes Khorosho op. 21, no.7 për të vazhduar më pas me Antonín Dvořák- Měsíčku na nebi hlumbokem (Rusalka’A Aria from opera ‘Rusalka’). Interpretimi i këtyre veprave paraqiste kapacitetin artistik të artistes Paloja, dhe vokalin e saj që herë pas here shpërthente në kristale tingujsh.
Kurse, vepra e kompozitorit Léo Delibes Les filles de cadix The maids of cadiz- poésie d’ Alfred de Musset tërhoqi vëmendjen nga një vibrim i bukur i notave muzikore, që përcillej nga lëvizje skenike prej një profesionisteje. Ky koncert nuk do të kishte këtë peshë artistike po qe se do të mungonin perlat e kompozitorëve shqiptarë si Nikolla Zoraqi-Mall’ dashurie, Halit Kasapolli-Bash zemani (arr Hajrullah Syla), Avni Mula-Shqipëri o vendi im (arr.Genc Tukiqi), Agimet shqiptare, Feim Ibrahimi- Rrjedh në këngë e ligjërime (arr. Genc Tukiqi).
Ishte vepra e Johannes Brahms- 16 Waltez op.39, no.3,4 e cila u interpretua vetëm nga pianistja Lirika Pula Kasapolli, e cila sillte në pah përgatitjen e pianistes, që i dha koncertit finesë dhe virtuozitet. Kurse vepra e Astor Piazzolla- S.V.P Tango nga harmonia grupore e Kuartetit Harkor “Amati” i dha koncertit një shije të veçantë.
Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e parë të PriVocalFest, i cili këtë vit vjen me një mision të veçantë, duke e përdorur fuqnë e artit në mbështetje të ndërgjegjësimit për Koncerin e gjirit, ishin nga kompozitorët: Giacomo Puccini- Chi il bel sogno di doretta (Magda’s aria from opera ‘La Rondine)’, Francesco Cilea- Ecco: Respiro Appena…Io son l’lumile ancella (Adriana’s Aria from opera Adriana Lecouvreur dhe Augustin Lára-Granada.
Pas përfundimit të këtij koncerti me 12 vepra sfiduese nga kompozitorë vendorë e botëror, në një prononcim për KultPlus sopranoja Adelina Paloja tha se ndihej e plotësuar.
“Jam e përmbushur. Jam një muziktare e cila përherë kërkon më tepër nga vetvetja, jam kërkuese dhe nuk kënaqem lehtë. Kur e kam përpiluar këtë koncert recital kam përzgjedhur këto vepra solistike, që në repertorin për soprano secila prej tyre njihen që janë më të vështirat. Në mesin e tyre janë pesë apo gjashtë gjuhë me të cilat kam interpretuar, rrjedhimisht janë edhe pesë apo gjashtë kultura të ndryshme. Janë histori të ndryshme, ku secila të ngërthen në vete, me të cilat ti duhet të mishërohesh”, ka thënë sopranoja Paloja.
Më tej, sopranoja Paloja ka thënë se duartrokitjet e publikut të cilat i mori në këtë mbrëmje do t’i shërbejnë si motiv për të dhënë edhe më shumë nga kapaciteti i saj artistik edhe në të ardhmen.
“Ka qenë një punë jo e lehtë, pa modesti. Por jam shumë e lumtur që mendoj se ja dola mbarë, të cilën gjë e konfirmuan ndoshta edhe duartroktitjet e publikut tim. Të them të drejtën më kishte marrë malli që të kthehem me një koncert recital, andaj mora shumë nga kjo dashuri dhe mendoj që do të jetë motivi, refreni i cili do të më mbajë përgjatë muajve të ardhshëm, në përgatitjet e mija për të tjera angazhime”, ka thënë artistja Paloja.
Kurse, pianistja Lirika Pula Kasapolli ka thënë se bashkëprezantimi me sopranon Adelina Paloja për të paraqet gjithmonë kënaqësi.
“Është hera e dytë që ne realizojmë një recital bashkë. Hera e parë ka qenë para katër vitesh gjate pandemisë, kur koncerti është realizuar në formë të mbyllur. Kështu që sot për herën e dytë bashkëprezantimi ishte akoma më i thjeshtë. Është gjithmonë shumë kënaqësi të punosh me muzikantë që janë të formuar, me ide dhe forma muzikore gjithmonë shumë të qarta sa i përketë frazimeve, këndimit dhe shumë të përgatitur. Kështu që është gjithmonë kënaqësi për mua”, ka thënë pianistja Pula- Kasapolli.
Ndërkaq, drejtori i Festivalit Pishtina Internationa Vocal Festival, Hajrullah Syla tha se ndihej i lumtur që programi të cilin e kishte përzgjedhur së bashku me sopranon Paloja u pëlqye nga puliku dhe se gjithçka shkoi mbarë.
“Programi i natës së sotme ishte mjaft mirë i realizuar. Përmes duartrokitjeve u pa që publiku ishte shumë i kënaqur me performancën. Kjo ishte nata e parë po shpresoj që edhe vazhdimi do të jetë ashtu siç edhe e kemi përgatitur” ka thënë drejtori artistik duke bërë të ditur se të gjitha koncertet pasuese janë të veçanta në llojin e vet.
“Këtë vit për herë të parë po mbahet masterclass-i për këngëtarët e rinj, me studentë kryesisht që janë nga Fakulteti i Arteve, të cilët kanë rastin që të punojnë me maestro Raul Gimenez, një vocal koach shumë i rëndësishëm. Po besoj që janë duke u kënaqur shumë sepse po e shoh gjatë masterclassit që janë duke e shijuar shumë. Zakonisht kemi pasur garën për kompozitor dhe këtë vit kemi vendosur që të kemi masterclass. Në vitet në vijim do të kemi një vit garën për kompozitor dhe në vitin tjetër masterclassin me profersorë të ndryshëm të cilët do të arrijmë t’i sjellim këtu”, ka përfunduar drejtori Syla.
Ndërsa, prezantueset e festivalit Dea Xhemaili dhe Lirdina Kukaj kanë njoftuar se këtë edicion PriVocal Fest ka vendosur të përdor zërat, muzikën, dhe fuqinë e artit në mbështetje për të rritur ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit.
“PRIVOCALFEST tash e shtatë vite me radhë mbetet një ngjarje e veçantë që krijon një platformë të mrekullueshme për artistët e muzikës vokale, duke ndarë zërat e tyre me audiencën dhe për të ndërthurur emocionet me muzikën; duke zgjeruar horizontet, për të arritur nëpër kufijtë e muzikës dhe për të promovuar artistët e rinj dhe kulturën në mënyra të reja dhe inovative. PrIVocalFest është ngjarje që sjell së bashku artistë nga këndvështrimet më të ndryshme të muzikës vokale, duke krijuar një mjedis të pasur kulturor dhe artistik”.
“PriVocalFest” në edicionin e shtatë përmbanë pesë mbrëmje artistike dhe zhillohet në datat 14- 20 tetor, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare. Koncerti i radhës do të prezantojë një mbrëmje shumë të veçantë, “Opera Night”, më 16 tetor, në ora 19:00./ KultPlus.com
Fotografi britanik që dokumentoi rrethimin e Sarajevës, Paul Lowe, ka ndërruar jetë sot në moshën 61-vjeçare në Los Anxheles të SHBA-ve.
Lajmin për vdekjen e tij e ka publikuar VII Academy përmes profilit të saj në Facebook, duke shprehur trishtim për humbjen e mikut dhe kolegut të dashur.
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin për vdekjen e mikut dhe kolegut tonë të dashur, Paul Lowe, jeta brilante e të cilit u ndërpre të shtunën në Los Anxhelos. Paul ishte një shok trim dhe i dashur, dhe një baba e bashkëshort thellësisht i përkushtuar. Humbja është tronditëse dhe e madhe, dhe zemrat tona janë me bashkëshorten dhe familjen e tij – thuhet në postim.
Organizatorët e festivalit FOTOIST në Kosovë gjithashtu u përshëndetën me Lowe, duke vlerësuar kontributin e tij për kulturën e kujtesës dhe rolin e tij si mik i festivalit. “Paul Lowe ishte anëtar bordi i FOTOIST dhe ekspozita e tij “Rrethimi i Sarajevës” u ekspozua më 2023 në Prishtinë.
Humbje e madhe për fotografinë botërore” – deklaroi miku i tij, fotografi Burim Myftiu
Paul Lowe ishte një nga reporterët e luftës që arriti në Sarajevë gjatë rrethimit, ku qëndroi deri në vitin 1996, duke dokumentuar jetën e përditshme të banorëve të qytetit dhe luftën e tyre për të mbijetuar në kushte jashtëzakonisht të vështira. Punimet e tij përfshinin momente të rëndësishme historike, duke përfshirë rënien e Murit të Berlinit, lirimin e Nelson Mandelës, urinë në Afrikë, si dhe luftën në ish-Jugosllavi dhe shpërbërjen e Groznit./ KultPlus.com
Aktorja e mirënjohur e teatrit dhe filmit shqiptar Yllka Mujo, feston sot ditëlindjen. Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ndau në rrjetet sociale një kolazh imazhesh nga interpretimet e shumta të aktores në kinematografinë shqiptare.
“Me talentin dhe përkushtimin për skenën dhe ekranin, me një sërë rolesh dhe personazhesh, Yllka është ndër aktoret më të vlerësuara dhe të dashura të artit skenik. Rrugëtimi i saj artistik ka frymëzuar breza të tërë, duke sjellë emocione të paharrueshme në çdo interpretim. Edhe 100 Yllka!”, shkroi ministri Gonxhja duke uruar aktoren.
Yllka Mujo lindi në Tiranë, më 15 tetor 1953. Pas përfundimit të studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, më 1974 u emërua në Teatrin Popullor, ku interpretoi në dhjetëra shfaqje, midis të cilave te “Orët e Kremlinit” e Pogodin, “Luiza Miler” e Shilerit, “Përmbytja e Madhe” e K. Jakovës, “Vizita e Inspektorit” e Pristlit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Zbutja e kryeneçes” e Shekspirit, “Natë me hënë” e Kadaresë, “Këngëtarja tullace” e Ioneskos, “Zonjusha Zhuli” e Stinbergut, “Kujdes! Kafshon” e A. Gernit.
Gjithashtu Yllka Mujo ka interpretuar në filmat “I teti në bronz”, “Malet me blerim mbuluar”, “Zonja nga qyteti”, “Kur hidheshin themelet”, “Taulanti kërkon një motër” etj. Publiku e ka ndjekur dhe duartrokitur në transformimet e saj nga drama në komedi, të cilat Yllka Mujo i realizon mjeshtërisht./atsh/KultPlus.com
“Nuk jam i hidhëruar me ju sepse më keni gënjyer, jam i mërzitur sepse nga tani e tutje nuk mund të ju besojë më.”
“Ata shiheshin duke vallëzuar, mendoheshin si të çmendur prej atyre që s’mund ta dëgjonin muzikën.”
“Ti ke rrugën tënde, unë rrugën time. Sa për rrugën e drejt, rrugën e duhur, ajo nuk ekziston.”
“Duhet të kesh kaos përbrenda për t’i dhën jetë një ylli vallëzues.”
“Ndonjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë të vërtetën sepse nuk duan që iluzionet e tyre të shkatërrohen.”
“Njeriu i dijes jo vetëm që duhet të jetë në gjendje t’i dojë armiqt e vetë, por gjithashtu edhe ti urrejë miqt e vetë.”
“Nuk mund të besoj në një Zot i cili përgjatë gjithë kohës dëshiron të jetë i lavdëruar.”
“Kur jemi të lodhur, ne sulmohemi nga idetë të cilat i kemi pushtuar shumë kohë më parë.”
“Gjarpëri që nuk mund ta flak tutje lëkurën e tij, vdes. Njësoj është edhe me mendjet të cilat pushojnë së ndryshuari mendimet e tyre; ato pushojnë së qenuri mendje.”
“Tek individët, marrëzia është e rrallë; mirëpo tek grupet, partitë, kombet dhe epokat, ajo është rregull.”
“Përparësia e një kujtese të dobët është se njeriu, i shijon disa herë gjërat e njejta sikur për herë të parë.”
“Njeriu është kafsha më mizore.”
“Besimi: të mos duash ta dish cila është e vërteta.”
“Një shëtitje e zakonshme nëpër çmendinë tregon se besimi nuk vërteton asgjë.”
“Keni kujdes kur i luftoni bishat, që edhe ju vetë të mos bëheni bishë pastaj…. Sepse kur e vështron me ngulm për kohë të gjatë humnerë, edhe humnera ju vështron juve.”
“Nuk ekzistojnë sipërfaqe të bukura pa thellësitë e tmerrshme.”
“Në botë ekzistojnë dy lloje njerëzish: ata që duan të dijn dhe ata që duan të besojnë.”
“Ajo që është bërë nga dashuria, është gjithmonë përtej së mirës dhe së keqe.”
“Heshtja është më e keqja; të gjitha të vërtetat që mbahen të heshtura bëhen helmuese.”
“Fijet e padukshme janë lidhëset më të forta.”
“I vetmuari i’a zgjat dorën shumë shpejt kujtdo që e ndesh.”
“Ndoshta unë e di se përse vetëm njeriu qesh; vetëm ai vuan aq thellë sa që i është dashur ta shpik qeshjen.”
“Në fund të fundit është dëshira, dhe jo e dëshiruara ajo që e dashurojmë.”
“Edhe sot si gjithmonë, njerëzit ndahen në dy grupe: skllevërit dhe të lirët. Kushdo që nuk i ka 2/3 e ditës për veten e vetë, është skllav, pavarësisht nëse është burrështetas, biznesmen, zyrtarë ose profesor.”
“Ata e turbullojnë ujin për t’u dukur më i thellë.”
“Ekziston më shumë mençuri në trupin tuaj se sa në filozofinë tuaj më të thellë.”
“Në të vërtetë, shpresa është më e keqja sepse ajo i zgjat vuajtjet e njeriut.”