Jorge Palazon, analisti dhe publicisti spanjoll shkruan për këngën Bohemian Rhapsody lidhjen e saj me filmin me po të njëjtin emër, si dhe me “Faustin” e Goethe-s.
Filmi “Bohemian Rhapsody” thotë Palazoni, u publikua më 31 tetor sepse kënga u dëgjua për herë të parë më 31 tetor 1975. Titulli lidhet me fjalën “Rapsodi”, fjalë që ka kuptimin e një pjese muzikore të lirë e të kompozuar në pjesë dhe tema të ndryshme ku duket se asnjë pjesë nuk ka lidhje me tjetrën. Fjala “rapsodi” vjen nga greqishtja dhe do të thotë “pjesë të mbledhura të një kënge”. Fjala “bohemian”, në anën tjetër, i referohet një rajoni të Republikës Çeke të quajtur Bohemi, vendi ku lindi Fausti, protagonisti i dramës që mban emrin e tij, shkruar nga dramaturgu dhe romancieri Goethe. Në veprën e Goethe-s Fausti, protagonisti është një plak shumë i ditur, i cili ka njohuri për gjithçka, përveç misterit të jetës. I dëshpëruar nga ky boshllëk, ai vendos të vetëhelmohet. Por pikërisht në atë moment bien kambanat e kishës dhe ai del në rrugë. Kur kthehet në dhomën e tij, gjen aty një qen misterioz, i cili shndërrohet në një lloj njeriu, djalli Mefistofel.
Mefistofeli i premton Faustit një jetë të plotë, të mbushur me kënaqësi dhe përmbushje, në këmbim të shpirtit të tij. Fausti pranon marrëveshjen, bëhet sërish i ri dhe nis të jetojë me arrogancë. Ai takon Gretchen, me të cilën përjeton dashurinë dhe gëzimin e lindjes së një fëmije. Por tragjedia godet: gruaja dhe djali vdesin.
I shtyrë nga dhimbja dhe kërkimi për kuptim, Fausti udhëton nëpër kohë dhe hapësirë, duke ndjerë fuqinë dhe madhështinë e jetës. Megjithatë, kur plaket sërish, ndjesia e mjerimit e pushton përsëri. Meqenëse ai nuk e theu marrëveshjen me djallin, engjëjt fillojnë të debatojnë e të luftojnë për fatin e shpirtit të tij.
Kjo vepër është themelore për të kuptuar Bohemian Rhapsody, pasi trajton temat e luftës së brendshme, tundimit, pendesës dhe shpëtimit shpirtëror.
Kënga flet për vetë Freddie Mercury. Duke qenë një rapsodi, gjejmë 7 pjesë të ndryshme:
-Akti i 1-rë dhe i 2-të A Capella
-Akti i 3-të Baladë
-Akti i 4-të Solo kitarë
-Akti i 5-të Opera
-Akti i 6-të Rok
-Akti i 7-të “koda” ose akti i fundit
Kënga flet për një djalë të varfër që vë në dyshim nëse kjo jetë është reale apo nëse është imagjinata e tij e shtrembëruar që jeton një realitet tjetër. Ai thotë se edhe nëse ndalon së jetuari, era do të vazhdojë të fryjë pa ekzistencën e tij. Kështu që ai bën një marrëveshje me djallin dhe shet shpirtin e tij.
Pasi merr këtë vendim, ai vrapon t’i tregojë nënës së tij dhe i thotë asaj:
“Mami, sapo vrava një burrë, i vura një armë në kokë dhe tani është i vdekur. E kam hedhur jetën time. Nëse nuk kthehem nesër, vazhdo sikur asgjë nuk ka rëndësi…” Ai burrë që vret është vetë ai, vetë Freddie Mercury.
Nëse nuk e përmbush paktin me djallin, do të vdesë menjëherë. Ai u thotë lamtumirë të dashurve të tij dhe nëna e tij shpërthen në lot, lot dhe të qara të dëshpëruara që vijnë nga notat e kitarës së Brian May. Freddie, i frikësuar, bërtet “mami, nuk dua të vdes” dhe fillon pjesa operistike. Freddie këtu gjendet në një botë shpirtërore astrale ku sheh veten: “Shoh një siluetë të vogël të një burri.” Dhe thotë: “Scaramouche, a do të fillosh një grindje?”
Scaramouche është një përleshje, një mosmarrëveshje, një luftë e vogël mes forcave, midis ushtrive me kalorës (4 kalorës të Apokalipsit të së keqes luftojnë kundër forcave të së mirës për shpirtin e Freddie-t) dhe vazhdon duke thënë “Bubullima dhe vetëtima më frikësojnë shumë, shumë, shumë.”
Kjo frazë shfaqet në Bibël, pikërisht te Jobi 37 kur thotë: “Bubullima dhe vetëtima më frikësojnë: zemra më rrah fort në gjoks.”
Nëna e tij, duke e parë djalin aq të tmerruar nga vendimi që kishte marrë, lutet që ta shpëtojë nga pakti me Mefistofelin. “Ai është thjesht një djalë i varfër…” Ai sakrifikon jetën e tij për këtë përbindësh. Ajo që vjen lehtë, shkon po aq lehtë. A do ta lësh të shkojë?” Lutjet e tyre dëgjohen dhe engjëjt zbresin për të luftuar forcat e së keqes. “Bismilah” (fjalë arabe që do të thotë “Në emër të Zotit”) është fjala e parë që shfaqet në librin e shenjtë të myslimanëve, Kuranin. Kështu që vetë Zoti shfaqet dhe bërtet: “Nuk do të të braktisim, lëre të shkojë!”
Përballë një përplasjeje të tillë midis forcave të së mirës dhe së keqes, Freddie frikësohet për jetën e nënës së tij dhe i thotë: “Mama mia, mama mia, lëre të shkoj” (nënë, më lër të shkoj). Nga qielli dëgjohet përsëri thirrja se nuk do ta braktisin, dhe Freddie bërtet: “jo, jo, jo, jo, jo” dhe thotë: “Beelzebubi (Zoti i Errësirës) mund të ketë vendosur një djall brenda teje, nënë.”
Këtu Freddie i bën homazh Wolfgang Amadeus Mozart-it dhe Johann Sebastian Bach-ut, kur këndon: “Figaro, Magnifico”, duke iu referuar operës Martesa e Figaros të Mozart-it, e konsideruar si opera më e mirë në histori dhe veprës Magnificat të Bach-ut.
Ai përfundon pjesën operistike dhe nis pjesa më rock. Djalli, i zemëruar dhe i tradhtuar nga Freddie për shkak se nuk e përmbushi paktin, i thotë: “A mendon se mund të më fyesh kështu? A mendon se mund të vish tek unë dhe pastaj të më braktisësh? A mendon se mund të më duash dhe të më lësh të vdes?”
Është tronditëse të shohësh se si Zoti i së keqes ndjehet i pafuqishëm përballë një qenieje njerëzore, përballë pendesës dhe dashurisë. Pasi beteja humbet, djalli largohet dhe ne arrijmë në aktin e fundit, ose “kodën”, ku Freddie është i lirë dhe ajo ndjenjë e ngushëllon. Ai bie gongun që mbyll këngën. Gongu është një instrument i përdorur në Kinë dhe në Azinë e Lindjes së Largët për të shëruar njerëzit që ndodhen nën ndikimin e shpirtrave të këqij.
Kënga zgjat 5 minuta e 55 sekonda. Freddie ishte i apasionuar pas astrologjisë dhe numri 555 në numerologji lidhet me vdekjen, jo atë fizike por shpirtërore, fundin e diçkaje ku engjëjt do të të mbrojnë. 555 është i lidhur me Zotin dhe hyjnoren, një përfundim që shënon fillimin e një faze të re.
Kënga u interpretua për herë të parë në mbrëmjen e të Gjithë Shenjtëve (All Saints’ Eve), një festë që nga Keltët quhej “Samhain”, për të festuar kalimin dhe hapjen ndaj botës tjetër.
Keltët besonin se bota e të gjallëve dhe ajo e të vdekurve ishin pothuajse të bashkuara, dhe në Ditën e të Vdekurve të dyja botët takoheshin, duke lejuar shpirtrat të kalonin në anën tjetër. Asgjë në Bohemian Rhapsody nuk është e rastësishme.
Çdo gjë është shumë e menduar, e punuar dhe ka një kuptim që shkon përtej të qenit thjesht një këngë. Është votuar në mbarë botën si kënga më e mirë e të gjitha kohërave.
Kjo këngë përfaqësoi një ndryshim radikal për Queen si të kishin bërë vërtet një pakt me djallin që u ndryshoi jetën përgjithmonë dhe i bëri të pavdekshëm./ KultPlus.com