Del në dritë dosja hetimore e Maks Velos, historia mes dokumenteve

“Maks Velo dëshmon diktaturën” titullohet ekspozita e çelur në shtëpinë-studio Kadare, kushtuar artistit dhe arkitektit të njohur Maks Velo.

Me rastin e 5-vjetorit të ndarjes së tij nga jeta, për herë të parë është bërë publike dosja origjinale hetimore e Velos, një figurë që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist me 10 vite burg për propagandë kundër shtetit.

Ekspozita sjell për publikun një rrëfim të drejtpërdrejtë të përndjekjes së tij, përmes dokumenteve autentike të dosjes hetimore, të cilat janë ekspozuar në ambientet e shtëpisë Kadare – një godinë e projektuar nga vetë Maks Velo.

“Kjo është godina ndoshta më përfaqësuese e gjithë krijimtarisë së tij. Jemi në apartamentin e shkrimtarit Ismail Kadare – projekt i ndryshëm nga çdo tjetër në këtë ndërtesë – dhe autor i tij është Maks Velo. Ai nuk kishte nevojë për drejtësi publike, sepse me një forcë të jashtëzakonshme e vendosi vetë të tregonte të vërtetën. E deklasifikoi vetë dosjen dhe vendosi ta botonte, duke përfshirë edhe ata që kishin thënë fjalë kundër tij në librin ‘Maks Velo – Jeta Paralele’. Por më e rëndësishmja është që publiku tani ka mundësi të shohë dokumentet origjinale”, thotë Anisa Ymeri, drejtuese e shtëpisë studio-Kadare.

Dokumentet nga dosja e përndjekjes dhe dënimit të Maks Velos janë vënë në dispozicion të publikut nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), për qëllime ekspozimi dhe edukimi.

“Bëhet fjalë për dy dosje të rëndësishme që lidhen me jetën publike dhe private të artistit: dosja formulare 11/705 me 235 faqe dhe dosja hetimore-gjyqësore prej 57 faqesh. Ato përmbajnë survejime të pandërprera, raportime të agjentëve, dhe pasoja që ndikuan thellësisht në jetën profesionale dhe personale të tij: largimi nga puna, dëbimi dhe përpjekjet për ta thyer shpirtërisht”, thotë Altin Hoxha, anëtar i AIDSSH.

Ekspozita “Maks Velo dëshmon diktaturën” sjell një pasqyrë të realitetit të dhimbshëm që përjetoi artisti gjatë komunizmit. Vizitorët mund të njihen me procesverbalet, vendimet e arrestit, dëshmitë kundër tij, si dhe me fotografi e kritika të publikuara në gazetat e kohës.

Maks Velo u arrestua në vitin 1978 dhe u dënua me 10 vite burg për “agjitacion e propagandë”, duke u liruar në janar të vitit 1986. Ndër akuzat ndaj tij ishin përdorimi i gjuhëve të huaja, leximi i literaturës së ndaluar, ndikimi nga filozofia perëndimore, si dhe formalizmi në art – një devijim që regjimi e konsideronte të rrezikshëm. /euronews/KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli i këndonin perëndeshës së bukurisë (VIDEO)

Një figurë si ajo e Nexhmijes kurrë nuk është tepër të kujtohet, të dëgjohet e të përjetohet, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell serenatën korçare ”Perëndeshë e bukurisë”, nën interpretimin e dy zërave të fuqishëm të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha dhe Liliana Çavolli.

Bashkangjitur gjeni videon dhe tekstin e këngës:

Perëndeshë e bukurisë je
un për tynë do t’pëlcas
dashurinë që kam shtënë për ty
u bu bu si do t’ia bëj

Se në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
jak o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bëre të vdes

Ilaçet nuk më bëjnë gjë
s’më shërojnë plagëtë
përveçse syri yt i zi
që më dogji zemrënë

Dhe në ëndërr të shikoj
… e kurr stë’harroj
mos me mundo
o yll o xhan o zemër o

Jak o xhan e jak o shpirt
mjaft o zemra ime
eja të rrojmë që të dy
në këtë botë

Jak o ylli me shkëlqim
Fytyrë e dashurisë
me zënë e ëmbël ti që ke
më bërë të vdes. / KultPlus.com

Ekspozitë, muzikë e diskutim mbi artin, Galeria ‘Qahili’ shënon 12-vjetorin e themelimit

Flonja Haxhaj

Në mbrëmjen e 6 majit, Galeria ‘Qahili’ hapi dyert për të festuar 12-vjetorin e themelimit të saj, duke ofruar një mbrëmje të pasur me art, emocion dhe frymëzim. Që nga ora 17:00, vizitorët u mirëpritën në një atmosferë festive me ekspozitë, muzikë dhe koktej, duke shënuar një kapitull të ri në historinë e kësaj galerie që ka qenë për më shumë se një dekadë një pikë referimi për artin bashkëkohor në kryeqytet, shkruan KultPlus.

Në këtë mbrëmje të veçantë, organizatorët kanë përzgjedhur për temë ‘Tokën’, një koncept që përshkoi çdo element të ekspozitës si një reflektim mbi lidhjen tonë me natyrën, trupin dhe shpirtin.

Koleksioni i ekspozuar për këtë rast përfaqësonte një retrospektivë të veprave të artistit Eshref Qahili, i cili bashkë me familjen e tij, themeluan këtë galeri. Kjo ekspozitë, përfshinte vepra të cikleve të ndryshme dhe që transmetonin një udhëtim me ngjyra, krijimtari dhe përkushtim ndaj promovimit të artit që ndërlidhet me shpresën, natyrën dhe ngjarjet pozitive.

Në kuadër të kësaj mbrëmjeje festive, Galeria Qahili prezantoi për herë të parë edhe një pjesë të re të hapësirës së saj – tarracën, e cila do të shërbejë si skenë alternative për aktivitete artistike gjatë muajve të verës. Kjo hapësirë e hapur, e konceptuar si një pjesë e re e galerisë, synon të krijojë një përjetim të ri , ku arti takohet me hapësirën me qiell të hapur.

Gjithashtu, kjo mbrëmje erdhi edhe si një një pikëtakim frymëzues për artdashësit e kryeqytetit.Të pranishmit zunë çdo cep në hapësirën e brendshme dhe të jashtme të galerisë, për të diskutuar e reflektuar mbi rolin e artit në jetën e përditshme dhe për të shkëmbyer ide mbi drejtimet e reja të krijimtarisë. Ky dimension e ktheu galerinë në një hapësirë dialogu, ku arti u jetësua edhe në fjalë, diskutim dhe takime të rastësishme që lidhin komunitetin artistik.

Në këtë përvjetor, artisti Eshref Qahili, njëherësh edhe themeluesi dhe nismëtari i Galerisë Qahili, foli për KultPlus duke rikujtuar momentin e hapjes së galerisë, lidhjen e saj me ciklet natyrore dhe shpirtërore të kohës, si dhe qëllimin për ta kthyer këtë hapësirë në një vend që ringjall artin dhe shpresën.

“Kur fillimisht është bërë hapja e galerisë, e kemi menduar datën e hapjes dhe kemi vendosur që pikërisht ta hapim më 6 maj, duke llogaritur që kjo datë është dita e verës, nisur nga e kaluara që ka pasë dimër dhe verë, Shën Gjergji dhe Shën Mitri, prandaj kam vendosur që të jetë pikërisht hapja e kësaj galerie si një ringjallje apo rilindje që edhe simbolizon dita e verës. Sot shënojmë 12-vjetorin që kur funksionon kjo galeri, dhe përgjatë këtyre viteve kemi pasur diku rreth 100 aktivitete dhe me shumë artistë që kanë gravuar punimet e tyre në këto ambiente. Unë i përzgjodha që të prezantoj sot disa punime të disa cikleve, të viteve të ndryshme, që prezantojnë një humanizëm, një shpresë, një ngjarje në kuptimin pozitiv, si një mishërim i pikërisht kësaj dite”, shprehet Qahili më tutje, suke shtuar se ka besim se kjo galeri me gjithë veprimtarinë e saj do të ketë një rrugëtim shumë të gjatë.

Në hapje të mbrëmjes, për KultPlus foli edhe koordinatorja e Galerisë Qahili, Nita Qahili, e cila ndau reflektime mbi rrugëtimin dymbëdhjetëvjeçar të galerisë, sfidat dhe arritjet përgjatë këtij udhëtimi, duke vënë theksin edhe te rëndësia e zgjerimit të hapësirës dhe roli i saj si vendtakim për komunitetin artistik.

“Sot po hymë në vitin e 12-të të funksionimit të Galerisë ‘Qahili’, dhe përgjatë këtyre viteve ka qenë një rrugëtim shumë i veçantë si me të luhatura të ndryshme, të mira e më pak të mira, që pak a shumë reflektohet në gjithë atë që kemi arritur të bëjmë deri sot, pa marrë parasysh sfidat. Nuk është vit i zakonshëm apo jubilar, mirëpo sot për ne është e veçantë sepse prezantojmë edhe pjesën e dytë, terasën e galerisë që është një galeri e hapur, e cila mund të shfrytëzohet gjatë veres për aktivitete të ndryshme”, është shprehur Qahili, e cila më tutje shtoi se veçse si një ngjarje manifestimi, ky event të shërbejë edhe si një takim të njerëzve që diskutojnë rreth artit.

Ndërkaq, ju kujtojmë se galeria ‘Qahili’ është hapur me 6 maj të vitit 2013. E krijuar si një galeri dedikuar artit dhe krijuesve, përgjatë këtyre viteve ‘Qahili’ ka qenë një pikë referimi për shumë artistë, duke pasuruar jetën kulturore në vend./KultPlus.com

Bob Dylan: Vdekja, e vërteta e vetme

Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.

‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?

Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:

‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër 

Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hiçi) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundësinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rrjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.

Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “ideja e vdekjes” Ideja e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Ideja e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?

“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:

‘Humanizmi më ka humbur thuajse,
 Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’

Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.

‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat.
Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra.
Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut.
Barra tanimë është bërë e papërballueshme,
Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’

Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.

Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.

Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetëm sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:

“Unë kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”

Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.

Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.

Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.

‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’

Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:

‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’

Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithë ekzistencës është vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.

‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit,
 Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’

Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)

Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme

Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetëm vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë:
“Së paku do hysh ne histori”.

Me të vërtetë? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.

Atëherë cili është qëllimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetësh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.

Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.

Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.

I çmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetësh? Po para 2000 vjetësh?? Kështu edhe unë do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër:  koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?

Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë.

Shkruajti: Ardian Batusha. / KultPlus.com

Dalëngadalë – poezia e fundit e Dritëro Agollit

Poezi nga Dritëro Agolli

Mbaruan të gjitha gjërat që kishte shtëpia:
Në oborr u tha në fillim një dardhë,
U shterr dhe pusi i madh tek avllia
Ku kishte koliben qeni i bardhë.
Dhe vdiqën njëri pas tjetrit

Im atë, vëllezërit e tij, së fundi dhe nëna;
Tani kam mbetur veç unë këtu nga të vjetrit
Tek bulevardi zvarris këpucët e ngrëna.
Kështu, më i vjetri nga fisi jam unë
Gëzohem që rroj me miqtë e mi të hershëm të rrallë,
Por ka edhe të tjerë, madje edhe shumë,
Që thonë: “Ende ky gjallë”

Këta që vdekjen ma ndjellin janë poetët,
Poetët me njëri-tjetrin nuk duhen kurrë!
Kur gripi më zë i ngrenë veshët
Dhë bëjnë sikur u vjen keq: “Vërtet i sëmurë”?/KultPlus.com

‘Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh’

Honore de Balzac është një nga themeluesit e realizmit në letërsinë evropiane. Ka qenë gazetar, industrialist i munguar, krijues i afërsisht njëqind romaneve në 20 vjet, figurë brilante e një shoqërie, së cilës ai përfundon duke iu imponuar. Për bashkëkohësit ishte thuajse një mit: burrë aventurash dhe dëshirash në të njëjtën kohë, ëndërrimtar, i plagosur nga kontradiktat e jetës moderne.

Kryevepra e tij është Komedia Hyjnore, që përshkruan jetën e shoqërisë franceze pas rënies së Napoleonit. Kjo vepër përbëhet nga 90 romane dhe novela dhe përfshinte më shumë se 2000 karaktere, personazhe nga të gjitha klasat dhe profesionet. Romanet kryesore të tij janë: “Luis Lambert”, “Evgjeni Grande”, “Në kërkim të absolutes”, “Xha Gorio”, “Iluzionet e Humbura”, “Kushërira Betë” dhe “Kushëriri Pons”. 

Më poshtë kemi përmbledhur disa nga thëniet e tij më të mençura:

“Femrat, kur nuk dashurojnë, e kanë gjakun e ftohtë si atë të një avokati të vjetër.”

“Shpirtrat e mëdhenj mezi besojnë se ka në botë ligësi dhe mosmirënjohje.”

“I pasur bëhesh, elegant lind.”

“Zgjuarsia është leva me të cilën mund të lëvizësh lëmshin e tokës.”

“Mos vallë dashuria hap në zemër shtigje ku të pëlqen të rikthehesh?”

“Kush di të lajkatojë, di edhe të shpifë.”

“Zakonet që ka njeriu në rini, shfaqen me më shumë forcë në pleqëri.”

“Vullneti i dashnorëve mposht çdo pengesë.”

“Veshja është të shprehurit e shoqërisë.”

“Zemra juaj është një thesar, por po e shpenzuat në një herë të vetme, morët fund.”

“Njerëzit shpirtmëdhenj janë zakonisht tregtarë të pazot.”

“Shpotia vyshk zemrën dhe tret çdo ndjenjë.”

“Mospërfillja është si i ftohti i poleve; ngrin gjithçka.”

“Të pakuptueshmit ndahen në dy kategori: femrat dhe shkrimtarët.”

“Njeriu superior nuk ndjek hapat e askujt.”

“Çelësi i të gjitha shkencave është pyetja.”

“Zemra e një nëne është një abis në fundin e të cilit gjendet gjithmonë një falje.”

“Policia trillon më shumë nga ç’zbulon.”

Qeveria që kupton interesat e të gjithëve është gjë e zakonshme. Qeveria që i parashikon është qeveri e madhe.

Besoni çdo gjë që dëgjoni mbi botën, asgjë s’është aq e keqe sa për të qenë e pamundur.

“Secila orë e humbur gjatë rinisë është një rrezik palumturie për të ardhmen.”

“Opinioni publik është më e llastuara e prostitutave.”

“Sovrani duhet t’i falë gabimet, jo t’i harrojë.”

“Vetëm dashuria e fundit e një femre mund të kënaqë dashurinë e parë të një mashkulli.”

“Të varfrit apo të pasurit, kurrë nuk kanë para për nevojat e jetës, por për kapriçot e tyre i gjejnë përherë.”

“Një natë dashurie është një libër i palexuar.”

“Koha është tërë kapitali i njerëzve që s’kanë tjetër pasuri përveç mençurisë së tyre.”

“Femrat do të ishin për t’u qarë hallin, po të dilnin fajtore për çdo dëshirë që na ngjallin.”

“Privilegji i të qëndruarit, kudo, si në shtëpi të vet, u përket vetëm mbretërve, kurvave dhe hajdutëve.”

“Gjeniu u ngjason të gjithëve, kurse atij askush.”

“Popullit i duhen dhënë festa të zhurmshme. Budallenjtë i duan festat e zhurmshme dhe turmat përbëhen nga budallenjtë.”

“Fama është helm që duhet marrë me doza të vogla.”

“Nëse drita është dashuria e parë e jetës, a nuk është dashuria drita e zemrës?”

“Koprracia fillon aty ku varfëria mbaron.”

“Ka një jetë të tërë në një orë dashurie.”

“Dashuria është poezia e shqisave.”

“Burokracia është një mekanizëm gjigant i vënë në lëvizje nga pigmei.”

“Nuk është skandaloze që disa bankier kanë përfunduar në burg, skandaloze është se gjithë të tjerët janë të lirë.”

“Një bashkëshorte është një skllav që duhet ditur si të vihet në fron.”

“Një shoqëri ateistësh do të shpiknin menjëherë një fe”./KultPlus.com

Presidentja Osmani uron kancelarin e ri gjerman Friedrich Merz: Miqësia Kosovë-Gjermani mbetet e fortë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar kancelarin e ri të Gjermanisë, Friedrich Merz, me rastin e marrjes së detyrës.

“Në emër të popullit të Kosovës, e uroj kancelarin Friedrich Merz ndërsa ai merr detyrën dhe qeveria e re gjermane fillon mandatin e saj”, ka shkruar Osmani

Ajo theksoi rëndësinë e udhëheqjes gjermane për unitetin dhe sigurinë e Evropës. Kancelari Merz i është përgjigjur me mirënjohje, duke falënderuar Osmanin për urimin dhe duke vlerësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Të dy liderët u takuan dhe shtrënguan duart, duke konfirmuar partneritetin dhe miqësinë e fortë mes dy vendeve./KultPlus.com

Kur Nexhmije Pagarusha mbulohej me lule në Shkodër

Personaliteti i parë artistik nga Kosova, që erdhi në Shqipëri në vitet ‘70, ishte Nexhmije Pagarusha, zëri brilant i së cilës dhe emri i saj i madh qarkullonin gojë më gojë.

Shkruan: Isa Alibali

Ishte prilli i vitit 1971

Ardhjen e saj në Shkodër e pritëm si një ngjarje me rëndësi. Jo vetëm thjeshtë se emri dhe kënga e saj ishin kthyer në simbol, por edhe pse vinte nga Kosova jonë. Në repertorin e saj të pasur, një vend të rëndësishëm zinin këngët që ishin krijuar ose krijoheshin e këndoheshin në Shqipëri.

Ylli i këngës shqiptare, Nexhmije Pagarusha (Nexhmije domethënë yll),është lindur në vitin 1933, në Pagarushë të Malishevës. Që në fëmijëri dhe më vonë u vu re një talent i jashtëzakonshëm dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithëve, nga zëri i bukur i saj.

“A thua lindi një yll i këngës” pëshpëritnin njerëzit kur e dëgjonin duke kënduar. Dhe i admironin bukurinë e pamjes, të shpirtit dhe të zërit. E lindur artiste, në fillim u mor edhe me teatër dhe është ndër femrat e para në Kosovë në këtë gjini të artit,

krahas Meribane Shalës dhe Katerina Josipit, të dyja aktore të shquara kosovare. Por ndryshe prej tyre, ajo kishte edhe një aftësi tjetër: kishte zërin e mrekullueshëm. Kishte lindur për t’u bërë këngëtare dhe iu kushtua këngës, që ta këndonte e ta interpretonte atë me mjeshtri. Vetëm 15 vjeçe, me ndrojtje dhe e pasigurt në vetvete, ajo u fut në studion e Radio-Prishtinës.

Hyri në atë sallë të mbyllur e të vogël për t’u bërë e madhe, për të mbetur përjetësisht besnike e këngës. Me zërin e saj të ëmbël, të çiltër dhe kumbues, shpejt i bëri për vete të gjithë admiruesit e këngës shqiptare.

-Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut, se sa tek ajo.

-Ka zë të artë e të kristaltë…

-Kur këndon Nexhmija, heshtin edhe zogjtë këngëtarë.

Kjo jehonë e zërit të saj të veçantë bëri që të quhet me meritë “Bilbili i Kosovës”

Kënga e saj

Kënga e saj jehoi nëpër botë, në Izrael, SHBA, Gjermani, Austri, Itali, Bullgari, Tunizi, Francë, Çekosllovaki dhe, vonë, shumë vonë edhe në Shqipëri. U bë shpejt ambasadore e miqësisë midis popujve, ambasadore e këngës shqipe. Kudo sillte mallin e vendlindjes. Shqiptarët e Kosovës i përtërinte, i mallëngjente, i mbushte me jetë.

…Në hollin e Shtëpisë së Kulturës dhe të Krijimtarisë Popullore të Shkodrës, atë mbasdreke të prillit 1971, ishin mbledhur shumë artistë, për të pritur këngëtaren e madhe.

Nexhmije Pagarusha hyri qetë – qetë në tempullin e kulturës shkodrane, në atë institucion ku prej dekadash kishte ushtuar zëri i qindra artistëve të talentuar, aty ku ishin përgatitur dhe kishin ecur në hapat e tyre të para shumë nga artistët më të shquar të artit tonë kombëtar.

Gjatë përshëndetjes shihej në fytyrën e saj një buzëqeshje e ngrohtë, e çiltër, me lëvizje plot finesë, që shoqërohej me një zë të ëmbël. Edhe kur fliste, sikur këndonte. Ndoshta na dukej ne kështu, nga që e shikonim me adhurim dhe me kënaqësi të veçantë.

Ajo u ndal te secili në veçanti, duke i thënë nga ndonjë fjalë të ngrohtë e të ëmbël. Kaluan vetëm pak çaste dhe ajo na u bë më e afërt, sikur të kishte qenë prej kohësh mes nesh.

Atë natë të ardhjes së Nexhmije Pagarushës në Shkodër të gjithë përjetonim një gjendje të veçantë kënaqësie. Ajo fliste qetë, bukur, këndshëm, hareshëm. Dhe buzëqeshte. Ndiente kënaqësi edhe ajo se ndodhej mes artistëve shkodranë. Na foli, na tregoi shumë gjëra, për veten, por edhe për të tjerët.

– Mbeta jetime nga nëna që në moshën katër vjeçe. Babai im ishte ndër mësuesit e parë të zonës. Kishte dëshirë që edhe unë të bëhesha shembulli i femrës së shkolluar shqiptare…

Kënga e bukur kosovare, shqiptare dhe, në këtë vështrim edhe ajo shkodrane, vulosi fatin tim…. Në vitin 1950 shkova në Beograd, ku këndova këngën “Dashnor t’u bana”, këngën e bukur shkodrane. Kalova me sukses konkursin dhe hyra në rrugën e afirmimit.

Këndoja vetëm shqip, vetëm këngë shqiptare, ashtu si: Marije Kraja e Tefta Tashko Koço, ashtu si Vaçe Zela, Luçije Miloti, Naile Hoxha e Drita Papajani e sa e sa të tjera, ashtu si Bik Ndoja e Xhevdet Hafizi, që i dëgjonim me ëndje e me kënaqësi të veçantë.

Bëri një pauzë, hodhi një vështrim drejt nesh, me sa dukej për të verifikuar në se kishte tërhequr si duhej vëmendjen tonë. Në fakt ne ishim përqendruar aq shumë në fjalët e saj, sa që i përpinim ato me një ndjenjë ngazëllimi. Ajo vazhdoi:

– Dëgjoja këngën e bilbilit. Dëshiroja të bëhesha bilbil… Dëgjoja gurgullimën e përroit, zemrën dëshiroja ta gdhend për atë shushurimë, që vetëm natyra di të na dhurojë…Kur dëgjova zërin tim, nxënëse e gjimnazit, u befasova, u frikësova, këndova edhe një herë, edhe dhjetë herë.

Frika më pështillte, mos vallë është një burim i rastit, do të shteret shpejt? Dhe nisa të këndoj para shoqeve e shokëve, në shkollë e jashtë saj. Njerëzit pas këngës sime duartrokisnin dhe kërkonin të këndoja edhe më!…

Jam munduar ndonjëherë ta fikë atë zjarr vetë, në momente të vështira, që t’i ikë këngës, por thonë se kur e mëson bilbili këngën e tij, të vetmen, nuk i ndahet gjer në vde.kje, e njeriu di aq shumë këngë, të dashura, secila si kënga e bilbilit, si mund të ndahet prej këngëve, si?!… Këndoja sikur kisha në fyt dhjetë, një mijë bilbila…

Fjalë zemre

Ishin fjalë zemre, prandaj ne duartrokitëm fort, gjatë. Ishte një krahasim shumë i gjetur, që na pëlqeu e na bëri përshtypje të madhe.

– Kënga ime është e imja, deri sa gjendet në mua, në zemrën time. Kur niset në udhëtim, ajo është e secilit njeri. Unë humbas e ata fitojnë…Jam e kënaqur kur më falin një lule të vogël dhe një buzëqeshje të madhe. Jam e kënaqur kur dy e tri herë rresht sillet disku me këngën time.

Më pëlqen kur dëgjoj atë fjalën magjike: “Bis, bis, bis” dhe këndoj edhe aq sa nuk mundem. Kënga edhe më lodh edhe është pushim për mua. Kur është e bukur kënga, kur pështillet në zëmrën time, kur ma ndez fytin, dua një minutë e më parë ta hedh prej kraharorit, si një flakë që s’fiket dot, si zjarr e llavë vullkani.

E t’i ndez zemrat e njerëzve, sepse melhem është kënga.( Shih për më gjatë intervistën e bërë nga Maksut Shehu, botuar në Prishtinë në gazetën “RILINDJA”, 14.6.1970) Fliste me emocion, por bukur, qartë dhe kuptueshëm. Fjala e saj e këndshme dhe e ngrohtë të bindte se talenti nuk mësohet, ai është i lindur.

– Kështu ecëm ne, kështu u rritëm, me ju në zemër e në shpirt dhe u bëmë këta që jemi, së bashku me krijuesit tanë që sapo filluan të kompozonin. Ju keni mundësi të shprehni kënaqësinë tuaj, unë…jo, – dhe një lëmsh emocioni e pushtoi në grykë, kurse në sytë e saj të bukur u duken lot. Pastaj, duke e marrë disi veten, shtoi: – Bilbili duhet të këndojë i lirë, s’e duron kafazin…

Nënkuptimi ishte i qartë. Por ende nuk e njihte sa duhet mirë realitetin tonë.

– E ëndërroja ardhjen në Shqipëri. Dhe ja, erdha, së bashku me mikun tim Zef Tupeci. Jam e nderuar që më shoqëron në Shkodër artisti i madh Avni Mula, tek i cili edhe ne, shqiptarët e Kosovës kemi pjesën tonë…

Dhe qeshi, Ne duartrokitëm me entuziazëm.

-Kur isha në Tiranë, më ftuan në koncertin e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, në një koncert të mrekullueshëm, ku e ndjeva veten të lumturuar. Këndova “Bareshën” time të preferuar për mua dhe dëgjuesit e shumtë të saj.

Kur këndova këngën “Unë ty, moj, të kam dashtë”, këngë e mirëfilltë dashurie, më dukej sikur shprehja dashurinë e madhe që kam për Shqipërinë tonë amë, të cilën e kemi të gjithë në mendje e në zemër. /KultPlus.com

Tenori Saimir Pirgu së shpejti në Uashington me veprën korale “Missa Solemnis” të Beethoven-it

Tenori i njohur shqiptar, Saimir Pirgu, do të jetë pjesë e interpretimit të veprës monumentale Missa Solemnis të Ludwig van Beethoven-it në Uashington, në datat 15, 16 dhe 17 maj. Lajmin e ka ndarë vetë artisti në rrjetet sociale.

Nën drejtimin e dirigjentit Gianandrea Noseda dhe në bashkëpunim me Orkestrën Simfonike Kombëtare dhe Kori i Uashingtonit, Pirgu do të interpretojë përkrah solistëve të njohur Erika Grimaldi (soprano), Rihab Chaieb (mezo-soprano) dhe Marko Mimica (bas-bariton).

Saimir Pirgu, me një karrierë të suksesshme ndërkombëtare, vazhdon të jetë një nga emrat më të spikatur shqiptarë në botën e muzikës klasike.

Një numër i kufizuar biletash “rush” me çmim simbolik prej 10 dollarësh do të jetë në dispozicion për publikun, dy orë para fillimit të çdo koncerti./KultPlus.com

Esat Valla sot hap ekspozitën personale “Arti Pamor si Rezistencë (1990–1999)”

Më 7 maj 2025, duke filluar nga ora 19:30, në Open Art Gallery hapet ekspozita personale e artistit Esat Valla, “Artit Pamor si Rezistencë (1990–1999)”, kuruar nga Zeni Ballazhi.

Kjo ekspozitë sjell për publikun një cikël veprash të krijuara në periudhën më të errët të historisë së vonshme të Kosovës, ku arti u bë gjuhë proteste, rezistence dhe mbijetese përballë represionit serb.

Në dekadën vendimtare për fatin e Kosovës, arti i Esat Vallës u shndërrua në një formë të heshtur, por të fuqishme qëndrese. Duke u përballur me censurë dhe përjashtim institucional, ai krijoi vepra që përçojnë dhimbjen kolektive të një populli dhe luftën për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ngjyrat e kuqe, të zeza, të bardha dhe të kaltërta dominuan telajon, duke shprehur tragjedinë, por edhe shpresën për një të ardhme më të mirë.

Temat kryesore të veprave të artit në këtë periudhë të krijuara nga Esat Valla janë:

• Dhuna dhe represioni: Vepra që pasqyronin brutalitetin policor dhe frikën kolektive si: “Thyerje qetësie”, “Sulmi i demit dhe goma”, “Dashi kurban”, “Demi i lënduar”, “Flutura gomë” etj.

• Shpërnguljet dhe mungesa e lirisë: Kompozime me figura të mbyllura, të thyera apo të errësuara si: “Shkëputja”, “Fosilet e dhisë”, “Demolimi i fakultetit teknik” etj.

• Identiteti dhe kultura shqiptare: Përdorimi i simboleve kombëtare, motiveve folklorike dhe elementeve tradicionale si shenjë e qëndresës kulturore: “Kokat”, “Koka e kaltërt”, “Dashi”, “Demonët” etj.

• Shpresa dhe mbijetesa: Përkundër vuajtjes, disa vepra përçuan mesazhe shprese, ringjalljeje dhe besimi në liri: “Fluturat dhe demonët”, “Lumi amshuar”, “R&N”, “Sulmi i kokëboshëve” si dhe pjesa e cikleve të fundit si faza në tranzicion etj.

Esat Valla, me stilin e tij të veçantë dhe përkushtimin ndaj çështjes kombëtare, dëshmon se arti pamor mund të jetë më shumë se estetikë – ai është rezistencë, dokumentim dhe kujtesë. Kjo ekspozitë është një ftesë për të mos harruar, për të reflektuar dhe për të nderuar dinjitetin e njeriut përmes gjuhës universale të artit. /KultPlus.com

Pesë vite nga vdekja e Ahmet Brahimaj, “babai” i baletit në Kosovë

Me 7 maj të vitit 2020, në moshën 66 vjeçare Kosova humbi ‘babain e baletit’, Ahmet Brahimaj.

Ahmet Brahimaj lindi në fshatin Novosellë të Pejës. Lidhja e tij me baletin filloi që në bankat e shkollës së mesme, atëherë kur vazhdoi shkollimin në Shkup për të hyrë në historinë e gjeneratës së parë të Baletit të Kosovës.

Viti 1972 përveç që u bë koha kur u rikthye në Prishtinë, kjo periudhë shënon edhe kohën e formimit të Ansamblit të Baletit, për t’u gdhendur në kujtesën kulturore të vendit.

Si solist i kësaj trupe, Brahimaj ka qenë aty në çdo shfaqje të asaj kohe, duke jetësuar role në 38 premiera të baletit.

Mirëpo, ai nuk mbeti vetëm solist, në vitin 1985 Brahimaj emërohet Shef i Baletit. Për punën e tij krijuese ai mori shumë lëvdata, si dhe për nder të 48 vjetorit, u dekorua me “Plaketën e Teatrit Popullor Krahinor” (1986), dhe me rastin e 60 vjetorit të Teatrit Kombëtar të Kosovës, është shpërblyer për punën artistike e krijuese.

Veprimtaria e tij kulturore nuk mbetet vetëm me kaq. Pas luftës, së bashku me disa nga kolegët e tij, hapin Shkollën e Mesme të Baletit, në kuadër të shkollës së muzikës “Prenkë Jakova”, në Prishtinë.

Klasa e Ahmet Brahimajt u diplomua në vitin 2005, dhe është gjenerata e parë pas luftës e njëherit edhe bërthama e Baletit të Kosovës. Gjithashtu, Brahimaj ka kontribuar dhe në formulimin e Ligjit të Operës, Filharmonisë dhe Baletit, Ligj I cili është në funksion tani dhe është aprovuar në vitin 2005.

Edhe pas vdekjes së tij në moshën 66 vjeçare, të gjithë kolegët e tij e kujtojnë me mall dhe dashuri për përkushtimin dhe mundin e madh që dha në skenë dhe për skenën. Shfaqjet në të cilat ai shkëlqeu me rolet e tij janë listë e gjatë, e që përfshijnë “Karmen” (Don Hose), “Romeo e Xhyljeta” (Romeo), “Zhizela dhe Interplay” (Albert), “Era dhe Kolona” (Komandanti), “Piter Pan” (Kryeplaku Indian),” Kopelia” (Prefekti), “Don Kishoti” (Espado), “Halili e Hajria” (Sadiku), “Bolero e Shtrausiana”, “Vallja pranverore”, “Trëndafili I përgjakur” (Luisillo), “Ritme të zgjuara”, “Kënga e Rexhës” (Valleheqësi), “Besa” (Princi), “Balloja e Kadetëve”, “Zef Lush Marku” (Tri hije të vdekjes), “Loja e Sizifit” (Udhëheqësi I), “E bukura More” (Thanasi), “Legjenda mbi ngadhnjimin” (Vdekja), “Mbrëmje baleti”, kurse Hans Fyelltarin te “Fyelltari” dhe te shfaqja “Tranzicion II” ka luajtur pas luftës, në vitin 2001/02.

Vepra e tij do të mbetet e paharruar për jetën kulturore të vendit./ KultPlus.com

Sot promovohet libri “Mali i Qumështit” i autores Ervina Halili

Sot do të promovohet libri “Mali i Qumështit” i autores Ervina Halili.

Promovimi mbahet duke filluar nga ora 18:00 në librarinë Dukagjini në Prishtinë.

Në këtë ngjarje do të diskutojnë Ernestina Gjergji Halili, Ag Apolloni dhe autorja e librit, Ervina Halili.

Moderator i ngjarjes është Latif Mustafa./ KultPlus.com

Jani Minga, patrioti iluminist që mbrojti dijen dhe gjuhën shqipe

Jani Minga, veprimtar i Lëvizjes Kombëtare, pedagog, iluminist e luftëtar kundër analfabetizmit, u nda nga jeta 78 vjet më parë, më 7 maj të vitit 1947. Minga lindi në fshatin Shënpjetër të Fierit më 1 gusht 1872. I ati, Kostandini, qe mësues i shqipes në Manastirin e Apollonisë.

Shkollën fillore  e kreu në Berat, ndërsa të mesmen në shkollën “Koto Hoxhi” në Qestorat. Studimet e larta i kreu në Universitetin e Athinës, fakulteti filologjik. Njihte greqishten e vjetër dhe të renë, latinishten, italishten dhe frëngjishten.

Jani Minga mori pjesë në të gjitha kongreset arsimore. Ishte nismëtar për krijimin e klubit atdhetar “Labëria” më 1889 dhe i hapjes së shkollës së parë shqipe në Kaninë më 1909, ndërkohë hartoi edhe tekstet shkollore: “Abetare kombëtare shqip përgatitore”, “Abetare shqip këndimore”, “Gramatikë e gjuhës shqipe” etj.

Në korrik të vitit 1911 mori pjesë në Kuvendin e Drashovicës, në mbështetje të Memorandumit të Gërçës. Ndërsa, në vitin 1912 fitoi të drejtën e të dhënit lëndën e historisë dhe gjeografi së, pas një konkursi në Janinë.

Më 1912 Minga mori pjesë në Kuvendin Kombëtar që shpalli pavarësinë. Me hapjen e shkollës së Vlorës, u emërua drejtor i saj. Së bashku me një çetë të Semanit, luftoi në luftën e Vlorës së vitit 1920. Pati nderin të mbante fjalën e fitores në sheshin “Pavarësia”. Më 1922 mori pjesë në kongresin e arsimtarëve në Tiranë. Ishte përkrah Nolit gjatë kryengritjes së qershorit 1924 dhe mbajti fjalën e rastit kur trupat kryengritëse hynë në Tiranë. Vite më vonë iu përkushtua arsimit, si mësues e inspektor dhe kohë më kohë organizonte aktivitete me frymë patriotike. /KultPlus.com

Arti ndikon në mendjen tonë, thotë studimi nga Cambridge

Një studim i realizuar nga Universiteti i Cambridge-it ka zbuluar se vizita në një muze arti mund të ndikojë pozitivisht në mënyrën se si mendojmë dhe e kuptojmë jetën tonë.

Hulumtimi përfshiu 187 pjesëmarrës, të cilët u inkurajuan të vlerësonin bukurinë e veprave artistike në një galeri arti në Cambridge, transmeton klankosova.tv.

Pas kësaj përvoje, studiuesit vunë re një përmirësim të dukshëm në aftësinë e tyre për të menduar në mënyrë abstrakte.

Autorja e studimit, Dr. Elzė Sigutė Mikalonytė, theksoi se proceset njohëse abstrakte po zbehen në një botë të mbushur me ekrane dhe telefona të mençur. Sipas saj, përjetimi i artit mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të stimuluar mendimin më të thellë dhe reflektues.

Studimi sipas bbc, shton rëndësinë e kontaktit me artin në jetën e përditshme, sidomos në një kohë kur teknologjia po e zëvendëson gjithnjë e më shumë përvojën njerëzore të drejtpërdrejtë.

Dua Lipa vlerësohet edhe si intervistuese për letërsi

Këngëtarja e hitit “Houdini” tashmë po shënon sukses edhe në klubin e librit online “Service 95”. Tani intervistat e saj me autorë fitues të çmimit Pulitzer po fitojnë fansa të rinj.

Dua Lipa është e suksesshme në shumë gjëra. Ajo këndon, vallëzon, shkruan dhjetëra këngë dhe ka bashkëdizajnuar një koleksion me Donatella Versace-n. Por nëse dikush do t’ju thoshte se së fundmi kishte dalë e para në një konkurs në stilin e Mortal Kombat si intervistuesja më e mirë letrare, ndoshta do të mendohej se teksti i këngës së saj “Hallucinate” është marrë shumë seriozisht.

Megjithatë, në një video në YouTube që ka mbledhur më shumë se një milion shikime brenda pak javësh, paraqet një argument befasues “Po bëja kërkime për një video-ese rreth cilësisë së intervistave letrare në vende të ndryshme”, ka thënë shkrimtari Blake Lefray, i cili e përgatiti videon për kanalin e tij të ri. Ai hasi intervistën e këngëtares Lipa me Hernan Diaz, autorin e Trustit fitues të çmimit Pulitzer, dhe mbeti “shumë i mahnitur”.

“Edhe pse e kisha parë Diazin të intervistohej disa herë nga gazetarë dhe prezantues televizivë, por intervista me Lipën ishte pa dyshim më e mira. Në fillim, mendova se ta cilësoja Dua Lipën si intervistuesen më të mirë aktuale të romancierëve, do të ishte një lloj “karremi” qesharak, por sa më shumë i shikoja intervistat e saj, aq më shumë e kuptova se, për mua personalisht, ajo është më e mira në këtë gjë. Ajo bën pyetje të zgjuara të zhytura në empati dhe kuriozitet”, ka thënë Leafry.

Në intervistën e Diaz, Lipa pyet nëse një nga personazhet e tij bazohet në një gazetar investigativ, që ndihmoi në shpërbërjen e Standard Oil Trust – një gjë që Diaz, nuk kishte dëgjuar kurrë më parë. Ndërkaq, biseda me laureaten e Çmimit Nobel Olga Tokarczuk përfshin një digresion të gjatë mbi rëndësinë e William Blake si një figurë anti-pushtet në Poloninë komuniste. Një bisedë me Lincoln në autorin e Bardo, George Saunders, vazhdon në një diskutim rreth rëndësisë së të qenit mosgjykues gjatë drafteve, dhe përfshin një Saunders (paksa të mahnitur) i cili e pyet Lipën se si u ndje kur performoi në Glastonbury.

Intervistat e Dua Lipës nuk përmbajnë pyetje standarde që janë të zakonishme në intervistat me autorë. Për shembull emisionet e Jimmy Fallon nisin gjithmonë me ndonjë version të pyetjes “Si ndihesh që ke shkruar një bestseller?”, kurse Seth Meyers e kaloi një pjesë të intervistës me Diazin duke folur për stilolapsin që ai përdor për të shkruar me dorë.

Pra, si po ia del Dua Lipa?

Së pari, Lipa duket se lexon shumë: në një fjalim kryesor mbi fuqinë e leximit në çmimin Booker 2022, ajo ka treguar për rreth të mësuarit të “shpirtit të rezistencës së shqiptarëve” përmes veprës së autorit Ismail Kadare, kur ishte adoleshente. Intervistat e saj janë pjesë e klubit të librit që ajo drejton përmes faqes së saj të internetit të stilit të jetesës Service95. Mbase dikush mund të mendojë se kjo është një mënyrë për të ndërtuar një markë personale ndërsa fiton pak para nga lidhjet e partnerëve (Reese Witherspoon, Dakota Fanning, Natalie Portman dhe vetë Fallon) ajo e filloi klubin e saj të parë të librit me disa miq të ngushtë në vitin 2019.

Ajo postonte rekomandime në Instagram shumë kohë përpara Service95, dhe rafti i saj i librave, i dukshëm në shumicën e intervistave të saj, është i mbushur me një përzierje mbresëlënëse ezoterike librash, nga “The Story of Art Without Men” e Katy Hessel te “Rap Capital” i Joe Coscarelli. Ndoshta, si dikush që ka dhënë qindra intervista në kohën e saj, ajo gjithashtu e kupton se çfarë e bën një intervistë të mirë: pyetjet që artistët i duan dhe i urrejnë, llojet e gjërave që ata do të dëshironin t’u bëheshin dhe gjërat që i bëjnë ata të hapen. Nuk është e qartë nëse ajo i shkruan vetë pyetjet – përfaqësuesit e saj nuk iu përgjigjën një kërkese për koment – por ajo e njeh qartë materialin: ajo është gjithmonë e njohur me personazhet anësore dhe nën-komplotet, dhe nuk duket kurrë e zënë në befasi nga një autor.

Përtej të gjitha këtyre, ndoshta Dua Lipa është një intervistuese e mirë sepse i lexon librat në mënyrën që autorët shpresojnë se do të lexohen: duke u zhytur në personazhet dhe botët e tyre për gëzimin e pastër të përvojës. Është e qartë se ajo lexon me kujdes dhe thellësi, duke e çuar në një kuptim të secilës vepër që e bën natyrshëm të dëshirojë të dijë më shumë. Dëgjoni mjaftueshëm intervista të saj dhe entuziazmi i saj është aq ngjitës sa është e vështirë të mos duash të lexosh më shumë, ose të lexosh më gjerësisht, ose thjesht të lexosh më mirë./ The Guardian/ KultPlus.com

Nga Ballkani në Mesdhe

Nga Jusuf Buxhovi

Libri i Ardian Muhajt “Nga Ballkani në Mesdhe” paraqet një kontribut të rëndësishëm ndriçimit të dimensionit jo gjithaq të qartë të mesjetës sonë me Mesdheun, veçmas kur kihet parasysh fokusimi i tyre apriori te Venediku, duke u anashkaluar kështu faktorët tjerë, që po ashtu kanë qenë të rëndësishëm në këtë zhvillim politik dhe kulturor. Studimi i Muhajt u jep peshë tri çështjeve në shqyrtim për të hedhur dritë në këto raporte.

Çështja e parë ka të bëjë me Ballkanin si teatër rivaliteti, ku paraqiten zhvillimet ekonomike në trojet shqiptare gjatë shekujve XVI-XVIII si dhe rivalitetet mes osmanëve dhe venedikasve në Adriatik, e ku involvohen edhe interesa të tjera të kësaj natyre, që megjithatë nga aspekti politik dhe ekonomik nuk e kanë peshën e tyre. Te kjo problematikë të shumtën përmes skicave prospografike, hedhet dritë mbi aspektet jo gjithaq të njohura të administratës së Shqipërisë venedikase, e ku del në pah edhe ajo që autori e quan “hije e Spanjës mbi Shqipërinë”.

Çështja e dytë lidhet me përpjekjet e nxjerrës në pah historinë e parrëfyer detare të një populli mesdhetar siç ishin shqiptarët, shumë herë të parë si pjesë e periferisë së saj, jashtë ndikimeve politike, shoqërore dhe kulturore, me arsyetimin se shtrirja e tyre përkufizohej në pjesë kontinentale të gadishullit. Ky këndvështrim përqendrohet si te hapësira detare shqiptare ngritja dhe rënia e tij (portet e Vlorës si kryeqendër e detarisë shqiptare në shekujt XV-XVI dhe te Ulqini nga rënia e tij) dhe te detarët shqiptarë në Mesdheun Perëndimor në shekujt XVI-XVII, e ku përfshihen edhe skllevër, pronarë dhe ndërmjetës tregtarë , veçmas në shekullin XVIII. Te ky kapitull, vend të rëndësishëm zë ai që autori e quan “lob shqiptar në oborrin perandorak osman”, me çka hedhet dritë në një kapitull ndër më komplekset të shqiptarëve në hierarkinë më të lartë politike, ushtarake, diplomatike të perandorisë osmane deri te përmasat e akomodimit shoqëror dhe kulturor në to, së cilës i shkon shpjegimi metaforik i Malkomit në librin “Armiqtë e dobishëm”, qëndrim ky që për historiografinë ideologjike shqiptare dhe qasjen e përgjithshme bardh-zi, ende gjithnjë shfaqet heretik! Madje, me anatemën, se dobitë nga sistemi i spahinjve, ngritja në postet më të larta deri te pashallarët dhe sadriazemët përmes rendit të jeniçerëve, shihen “në dobi të pushtuesit” dhe “në dëm të atdheut”! Te kjo çështje, përkufizimi “lob shqiptar” në hierarkinë e lartë perandorake osman, gjithsesi paraqet një referim socio-politik më shumë në kuptimin krahinor dhe vendor se sa te një vetëdije kombëtare, kur dihet se në rrethanat perandorake, ka ekzistuar përkufizimi fetar (mileti osman), ku janë përfshirë edhe shqiptarët e besimit mysliman sado fluid të ketë qenë dhe ai romej (për të krishterët). Pra, referenca “e lobit shqiptar”, mund të ketë sado pak kuptim, vetëm po qe se lidhet me raporte etnike, ku ajo shqiptare përkufizohet në katër vilajetet (Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe të Janinës) të themeluara në gjysmën e shekullit XIX në kuadër të reformave administrative. Madje edhe, vetëdija etnike në kuadër të Perandorisë Osmane, shfaqet te Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e lidhur fillimisht me “mbrojtjen e territoreve nga copëtime”, që pas pak, me kërkesën për bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një, kthehet në vetëdije politike, qe do ta përcjellë gjithë zhvillimin deri te shpallja e pavarësisë kombëtare më 28 nëntor 1912.

Çështja e tretë, në kapitullin e fundit, vëmendjen e bart përtej Mesdheut, tek zbulimet e mëdha gjeografike. Këtu, thuajse për herë të parë jepen hollësi rreth rolit të pashallarëve ose sadriazemëve shqiptarë për zgjerimin e hapësirave të perandorisë osmane drejt Detit të Kuq dhe Oqeanit Indian , të rolit të luftëtarëve shqiptarë në Europën Veriore si dhe të pjesëmarrjes së detarëve shqiptarë në zbulimet e mëdha gjeografike.

Në tre këta kapituj autori përdor kryekreje metodën induktive, që dallon nga ajo deduktive e studimeve tradicionale shqiptare, ku mesjeta shqiptare shihet e lidhur mbi vertikalen e autoktonisë në trungun e brendisë së hapësirës së Ilirikut, e ku horizontalja mesdhetare, të shumtën është parë në raport me praninë e kolonive greke në brigjet e Adriatiku si dhe të pushtimeve të pjesëve të caktuara të bregdetit (Vlorës, Durrësit e Shkodrës me rrethinë) nga Venediku deri tek pushtimet osmane.

Nga prirja që të tejkalojë kufizimet e metodës deduktive, (e keqpërdorur me të madhe nga diktati ideologjik), Muhaj mbështetet tek hulumtimi induktiv, pra tek përqendrimi kah te veçantat, në mënyrë që ato t’i shërbejnë kompletimit të tablosë historike në rrethanat e pushtimeve të njohura (Bizantit dhe të atyre osmane, e ku inkorporohen edhe ato venedikase, gjenoviane dhe spanjolle). Bie në sy se Muhaj duke u marrë me pjesët e një mozaiku të shkapërderdhur nga një trung historik, “devijon” nga koncepti i njohur i shkollës sllaviste të Vjenës nga shekulli XIX dhe ai XX, që historinë e shqiptarëve nuk e sheh në përputhje me trungun e saj nga antikiteti në mesjetë e deri te koha jonë, në kuadër të mbretërive të njohura: Dardanisë, Maqedonisë, Epirit dhe atyre ilire, që do të marrin fund nga pushtimet romake nga shekulli dytë para erës sonë e deri te shekulli parë pas erës sonë (siç ishte me fundin e mbretërisë së Dardanisë), por e sheh të shkapërderdhur tek popujt e terë: grekët, rumunët, sllavët dhe osmanët. Koncepti i shkollës sllaviste të Vjenës, që në njëfarë mënyre vazhdon edhe sot e gjithëditën me disa qëndrime “renovuese” te O. Shmid rreth vazhdimësisë “së mjegulluar” ilire dhe asaj gjuhësore, sipas tij, të pargumentuar midis ilirishtes dhe shqipes, te Muhaj eskivohen me participimin “identitar shqiptar” edhe në rrethanat e sundimit osman, pushtimeve venedikase dhe të faktorëve të tjerë mesdhetar në përputhje me rolin e tyre të rëndësishëm në proceset shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore të kohës. Mbi këtë metodologji, skicat prospografike të administratës së Shqipërisë Venedikase, nxjerrin në pah rolin dhe rëndësinë e madhe të fisnikëve, detarëve, tregtarëve e mbi të gjitha edhe luftëtarëve shqiptarë (stratiotëve, si formacione të njohura në shekujt XV-XVII) në flotat detare të Venedikut, Gjenovës, Firencës, ato Katalne), ku ata ndeshën në krye të regatave po edhe qeveritarë të porteve të njohura në Mesdhe dhe bregdetin afrikan. Shumë prej tyre shfaqen edhe si tregtarë skllavesh në hapësirën e Mesdheut dhe atë të Perandorisë Osmane. Ky dimension ka qenë pak ase aspak i njohur në historiografinë tonë, por me studimin e Muhajt shfaqet në një dimension të ri, që gjithsesi ndryshon stereotipet e deritanishme të paraqitjes së saj.

Ajo që këtë studimi përfshirës, të një rëndësie të veçantë, mund t’i shfaqet “si dëm kolateral” ka të bëjë me diktatin historiografisë serbe të shekullit të kaluar rreth të ashtuquajturit shtet mesjetar serbe në Kosovë, të ndërlidhur me dinastinë Nemanjane të Rashës dhe me të ashtuquajturën autoqefali të kishës mesjetare serbe nga shekulli XIII, kur dihet se, bazuar në dokumentet meritore bizantine dhe shënimet e shumë kronistëve të kohës, Rasha paraqitet si formacion autonom si “rex Rasia”, “Rasien” e të ngjashme jashtë çfarëdo atributi të shtetësisë serbe, siç i imputohen nga studimi i S. Novakoviqit “Zakonik Stefana Dusana, cara srpskog”, Beograd 1870 (Konuni Stefan Dushanit, i perandorit serb)”, gjoja nga shekulli XIV, i shpallur si sajesë e shekullit XIX, ndërkohë që edhe origjina e Nemanjajve, siç shihet nga Historia e perandorit bizantin Kantakutzeni po edhe tek të autorë të tjerë të kohës, të shumtën lidhet me tribalët (sipas Herodotit fis ilir). Ndonëse, shumë nga dokumentet e kësaj natyre, duke përfshirë edhe “zhitijat” e Hilandarit, të fabrikuara nga Kisha Ortodokse Serbe, Akademia Mbretërore Serbe e Shkencave dhe e Arteve me legjitimitet të dyshimtë nga shkolla e sllavistëve të Vjenës e kryesuar nga Shafariku e të tjerë, në saje të rishqyrtimeve të vonshme objektive të këtyre çështjeve, në shumë institucione akademike dhe universitare amerikane, kanë filluar ta humbin kredibilitetin shkencor, megjithatë ato vazhdojnë të përdoren si referenca nga pjesa më e madhe e historianëve nga radhët e institucioneve akademike shqiptare. Natyrisht, se këtij kurthi nuk ka mundur t’i shpëtojë as autori Muaj, kur mbështetet në to./ KultPlus.com

Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Kosovën

Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën.Në këtë dokument kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.Një marrëveshje ligjërisht obliguese – e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

Në të njëjtin dokument, kërkohet edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Thuhet se Kosova i ka përmbushur kriteret për këtë.

Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras, i ka quajtur këto masa të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi.

“Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Rezoluta përshëndet aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mbështet anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe Partneritetin për Paqe të NATO-s. U bëhet thirrje pesë shteteve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën – që ta njohin pavarësinë e saj.

Në dokument shprehet shqetësim për situatën e sigurisë në veri të vendit, veçanërisht pas sulmit në Banjskë dhe incidentit në kanalin Ibër–Lepenc.

Parlamenti shpreh keqardhje që Serbia ende nuk i ka ndjekur penalisht autorët e sulmit terrorist në Banjskë, duke përfshirë edhe Millan Radoiçiqin.

Paralelisht, Parlamenti Evropian ka miratuar edhe një Rezolutë për Serbinë ku Serbia kritikohet për lidhjet me Rusinë dhe për përpjekjet për destabilizim të rajonit.

Kërkohet që ndihma financiare për Serbinë të rishqyrtohet – nëse ajo vazhdon bashkëpunimin me Rusinë.

“Deklaratat e udhëheqësve serbë në lidhje me angazhimin e tyre formal ndaj integrimit evropian tingëllojnë vërtet jo bindëse. Ndërsa po planifikohet një udhëtim në Moskë dhe marrëveshje të reja energjetike me Rusinë këtë javë, nuk ka në horizont reforma të nevojshme që janë thelbësore për një rrugë të suksesshme evropiane. Në fund të ditës, anëtarësimi në Bashkim është para së gjithash përgjegjësi e shtetit anëtar, jo një alibi për të shmangur përgjegjësinë e vet për problemet e vendit”, tha Tonino Picula, raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian.

Rezoluta kritikon edhe të ashtuquajturën “politikë përkëdhelëse” të Komisionit Evropian ndaj Serbisë dhe i bën thirrje Komisionit që të flasë me një gjuhë më të qartë ndaj Beogradit zyrtar./ rtk live/ KultPlus.com

Filmi dokumentar për gruan e vetme shofere në fshatrat e Likovës merr dritën jeshile për Sheffield DocFest

Ibër Deari dhe Mirsad Abazi janë regjisorë të dokumentarit “Antigona” që në thelb ka gruan e vetme shofere të fshatrave të Likovës, e cila me furgonin e saj bën lidhjen e 11 fshatrave, shkruan KultPlus.

Por ky dokumentar tashmë është pranuar në një ndër festivalet më prestigjioze të filmave dokumentar, atë të Sheffield DocFest, e që për këtë arritje ka njoftuar vet regjisori Deari. KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e tij.

Një grua, një taksi furgon dhe lidhja e 11 fshatrave të Likovës.

E vetmja grua që vozit taksi furgon në komunë, çdo ditë lidh njerëzit mes veti. Tash “Antigona” ka marrë rrugën më të gjatë drejt një prej festivaleve më të mëdha në botë për filma dokumentarë: Sheffield DocFest. ❤

Jemi shumë të lumtur të ndajmë me ju lajmin se filmi dokumentar “Antigona” është përzgjedhur zyrtarisht për të marrë pjesë në edicionin e këtij viti të Sheffield DocFest një ndër pesë festivalet më të mëdha dokumentare në botë, që mbahet çdo vit në Mbretërinë e Bashkuar dhe përfshin prodhime nga Netflix, BBC, ARTE, dhe National Geographic.

Film i perkrahur nga NNorth Macedonia Film Agencyi realizuar nga produksioni filmit LLumièreShkup me producent @Avdi Thaçi

në regji të Ibër Deari dhe Mirsad Abazi, drejtor fotografie Fejmi Daut muzike Darko Spasovski-Packikamera e dyte Fisnik HaliliSkenografi Ardian Kadriu

“Antigona” shkon në Sheffield bashkë me të edhe zëri i grave të fuqishme dhe të pavarura që udhëheqin vetë jetën dhe punën e tyre.

“Antigona” sjell portretin e vetmes grua shofer në komunën e Likovës një heroinë moderne që përmes drejtimit të furgonit, lidh 11 fshatra me njëri-tjetrin.

Një histori e thjeshtë, por jashtëzakonisht e fuqishme për forcën, durimin dhe rolin e grave në komunitetet rurale./ KultPlus.com

Baritoni Harris Bajraktari me rolin ‘Il Conte’ pjesë e festivalit ndërkombëtar ‘Pagues Summer Nights’

Baritoni Harris Bajraktari do të jetë pjesë e festivalit ndërkombëtar “Prague Summer Nights”, me aktivitete që do të zhvillohen në Republikën Çeke (Tábor & Pragë) dhe në Austri (Vjenë).

Baritoni Bajraktari do të interpretoj rolin e “Il Conte” në operën “Le Nozze di Figaro”, që për të përbën një nga rolet më të dashura dhe sfiduese.

“Është një privilegj i madh të jem pjesë e këtij festivali të jashtëzakonshëm dhe jam thellësisht mirënjohës për këtë mundësi. Faleminderit për mbështetjen dhe shihemi në skenë”, ka shkruar baritoni Bajraktari.

Ky produksion do të shfaqet në muajin korrik, në ambientin prestigjioz të Haus der Industrie në Vjenë./ KultPlus.com

92 vjet nga lindja e mbretëreshës së këngës shqipe, Nexhmije Pagarushës

Sot janë bërë 92 vjet nga lindja e mbretëreshës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarushës.

Ajo mbetet një nga figurat më të shquara të muzikës shqiptare, e cila sot në këtë përvjetor të lindjes vazhdon të kujtohet si ‘Bilbili i këngës shqipe’ e cila la pas një trashëgimi të pashlyeshme, e cila vazhdon të frymëzojë e të prekë zemrat e shumëkujt.

Nexhmije Pagarusha nuk ishte vetëm një artiste, por një ikonë, një përfaqësuese e muzikës shqiptare. Me zërin e saj të shkëlqyeshëm dhe interpretimin e ndjeshëm, ajo arriti të kapte zemrat e publikut në mënyrë të paimagjinueshme. Këngët e saj, si “Baresha”, ”Ani mori nuse”, ”Mora testin”, “Një lule”, “Zambaku i Prizrenit” dhe shumë të tjera, nuk janë vetëm kompozime muzikore, por janë pjesë e trashëgimisë kulturore të kombit tonë.

Veprimtaria e saj muzikore 40-vjeçare është aq e gjerë, sa që është vështirë të thuhet se cilit zhanër i takon. Është e njohur për interpretimet e saj të shkëlqyera në muzikën popullore dhe opera.

Nexhmije Pagarusha ishte edhe aktore e suksesshme, si në film ashtu edhe në teatër.

Në Beograd vijoi shkollën e muzikës për solo kanto, të cilën ajo e la në vitin e tretë dhe nuk e vazhdoi më. Po ashtu në Beograd kishte paraqitjen e parë muzikore në skenë. Në vitin 1948 është pranuar soliste në Radio Prishtinë.

Bashkëpunoi edhe me këngëtarët nga Shqipëria dhe u paraqit edhe në Shqipëri me ansamblin “Shota” me rastin e një turneu.

”Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike veprat e përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji. Fatkeqësisht, asnjërit nga organizatorët teknikë nuk iu kishte kujtuar që të regjistronte këtë koncert! Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të, vetëm muzika ishte me rëndësi; ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Ajo ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë.

Më 2018 Pagarusha u vlerësua me “Medaljen e Mirënjohjes” nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Përveç talentit të saj të rrallë, Nexhmije Pagarusha ishte gjithashtu një simbol i forcës dhe rezistencës.

Me 7 Shkurt 2020, Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta.

Nexhmije Pagarusha, me zërin dhe frymën e saj të veçantë, do të qëndrojë gjithmonë në kujtesën tonë, si një shembull i vërtetë i talentit dhe integritetit artistik. / KultPlus.com

620-vjetori i lindjes, aktivitete kulturore në nderim të Gjergj Kastriot Skënderbeut

Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, janë zhvilluar një sërë aktivitetesh kulturore në mbarë vendin.

Biblioteka Kombëtare e kujtoi heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, përmes një ekspozite të veçantë e shumëngjyrëshe me historikun e pullave të postës me figurën e Skënderbeut.

Koleksioni i ekspozuar me këtë rast është pjesë e koleksionit privat të filatelistit Hysen Dizdari. Ai përmban pullat postare shqiptare qysh prej vitit 1913 e deri më sot, të emetuara në nder të Heroit tonë Kombëtar.

Me pjesëmarrjen e filatelistëve më në zë të vendit tonë, studiuesve, historianëve dhe të rinjve nga Maarif Tirana Campus, ekspozita ktheu vëmendjen jo vetëm kah heroit tonë kombëtar, por edhe figurave të tjera të rëndësishme kombëtare me prani të gjerë në pullat tona postare.

Edhe Bashkia Lezhë u përfshi në aktivitetet me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Në nderim të kësaj dite, të pagëzuar si “Dritë- Lindje Arbënore”, të rinjtë u njohën jo vetëm me historikun por gjithashtu interpretuan artistikisht veshur me kostume kombëtare.

Ky aktivitet përkujtimor, në nderim të Skënderbeut, u realizua nën kujdesin e Bashkisë Lezhë dhe të Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, në Memorialin e Heroit Kombëtar. Risi e këtij aktiviteti ishte pjesëmarrja e studentëve të Universitetit të Shkodrës dhe nxënësve të shkollave të ndryshme të qytetit. /atsh/ KultPlus.com

Koncertin e 25-vjetorit Filharmonia e Kosovës ia dedikon themeluesit të saj, dirigjentit Bahri Çela

Në kuadër të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Filharmonisë së Kosovës – në nderim të dirigjentit të parë kosovar dhe themeluesit të Filharmonisë, Bahri Çela, Kori dhe Orkestra sjellin interpretimin e oratoriumit “Messiah”.

Nën drejtimin e mjeshtrit Marcio da Silva, Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me ansamblin OrQuesta nga Anglia, do të interpretojnë oratoriumin monumental Messiah, me pjesëmarrjen e një kasti të dalluar solistësh vendorë dhe ndërkombëtarë: Kaltrina Miftari – soprano, Nathan Mercieca – kontratenor, Kieran White – tenor, Jack Lawrence-Jones – bariton si dhe instrumentistët: Cédric Meyer – leut, Stephanie Gurga – çembalo dhe Lekë Salihu – organo/tastierë.

Koncerti mbahet më 9 dhe 10 maj, prej orës 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit./ KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton Betejën e Çabratit: Piedestal i qëndresës dhe lavdisë

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar sot Betejën e Çabratit, në të cilën betejë kanë rënë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, janë vrarë mizorisht 100 banorë dhe janë rrëmbyer me dhunë mbi 300 të tjerë.

Presidentja Osmani ka thënë se Beteja e Çabratit është piedestali i qëndresës dhe lavdisë.

“Në ballë të historisë, aty ku gjaku i lirisë u bë flamur, qëndruan vajzat dhe djemtë e Brigadës 137 “Gjakova”, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Me zemër e besë, ata mbrojtën Gjakovën nga barbaria e regjimit gjenocidal serb.

Në atë betejë të lavdishme ranë heroikisht 26 luftëtarë të UÇK-së, u vranë mizorisht afër 100 banorë dhe u rrëmbyen me dhunë mbi 300 të tjerë.

Çabrati është betim për liri, kujtesë e përhershme dhe thirrje për drejtësi.

Lavdi dëshmorëve! Nderim për të rënët! Drejtësi për të pagjeturit!”, ka thënë Presidentja Osmani./ KultPlus.com