Stèphane Mallarmè, poeti që mëkoi në vargje shpirtin ëndrrtar

Nga Albert Vataj

“Akti poetik konsiston në shikimin e papritur, se një ide shpërbëhet në një sërë motivesh të barabarta dhe në grupimin e tyre; ata përtërihen” do të mëtonte Stèphane Mallarmè. Kjo nuk ishte thjeshtë një maksimë e poetit, por krejt konstelacioni i botëpërshkrimit ideor dhe estetik, e pse jo një postulat për çfarë ai do të ishte dhe të mbeste në poezi.

Ndër eksponentët kryesorë të simbolizmit francez, së bashku me Paul Verlaine dhe Arthur Rimbaud, Stèphane Mallarmè i ka dhënë një gjuhë tjetër poezisë, duke zhvilluar një shprehje shumë të kërkuar dhe ndonjëherë hermetike, e cila falë kontributit të tij ka hapur rrugën drejt horizonteve të reja letrare, jo vetëm në Francë, por në të gjithë territorin evropian.

I përulur dhe i rezervuar, Mallarmè konsiderohet babai i poezisë moderne dhe do të ketë shumë artistë që do të kuptojnë trashëgiminë e tij dhe do ta përkthejnë furinë e momentit në partitura reale muzikore të lirikave emocionuese.

I pa kuptuar nga shumë prej bashkëkohësve të tij, për shkak të kombinimeve delikate të fjalëve që shpesh e bëjnë të vështirë leximin e rreshtave të tij, ai i cakton poezisë misionin e sugjerimit të objekteve, duke shfrytëzuar kështu imagjinatën tonë e cila, e tërhequr zvarrë nga fuqia e një tërësie të ndryshme nga fjalët e rastësishme, zgjon evokime të objekteve të përfaqësuara në një mënyrë absolutisht personale. Në fakt, Mallarmè e kufizon veten të sugjerojë dhe të mos shprehë kurrë ide, duke lënë kështu secilin prej nesh të kërcejë në ato vargje sublime, duke shprehur brendësinë e tij dhe duke mbledhur një ose më shumë fragmente të përvojës, ose, më thjesht, duke e braktisur veten në një ëndërr.

Dhe përballë vargjeve të një bukurie sublime nuk duhet të flasim, që të shmangim prishjen me fjalë të asaj që, e shpjeguar me terma të përdorimit të zakonshëm dhe kombinime “të ndjeshme”, do të zhvlerësohej. Ashtu si të gjitha poezitë e mëdha, tekstet e Mallarme thjesht duhet të mendohen. Këto vargje që duhen shijuar dalin ngadalë fillimisht nga ndikimi i Charles Baudelaire dhe Edgar Allan Poe, për të marrë më pas origjinalitetin e vet që lëshohet me një stil revolucionar, të thellë dhe të fshehtë, në të cilin fuqia e fjalëve shprehet me sugjerime aluduese, mezi pëshpëritëse.

Mallarmè-s, vdiq më 9 shtator 1898 për shkak të një spazme të faringut. Një ditë më parë, nga frika se mos mbytej, kishte ftuar gruan dhe vajzën që t’i shkatërronin të gjitha shkrimet e tij, sepse besonte se trashëgimia letrare nuk ekzistonte. Për fat të mirë kjo nuk ndodhi. Testamenti i tij letrar mbeti një gurthemel i rëndë i poezisë.

Nga Apollinaire te Ungaretti, shumë do të ndikohen nga ky poet i madh francez, të cilin e rekomandojnë sem mund të lexohet dhe të shijohet vetëm në gjuhën origjinale, pasi shumë studiues pohojnë se muzikaliteti i vargjeve të tij nuk mund të përkthehet në gjuhë të tjera. Gjithsesi ai shpirt krijues ka arritur të rrëzojë muret e përkatësisë së tij gjuhësore, për të arritur të këndohet, mendohet dhe përjetohet njëjt si në frëngjisht edhe në gjuhë të tjera, madje edhe në shqip./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takoi Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, flasin për sukseset e artistëve nga Kosova

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, Katarzyna Wielga-Skolimowska dhe krijuesin e programeve të zhvillimit në këtë fondacion, Nuno de Brito Rocha, të shoqëruar nga artisti vizual dhe kuratori shqiptar, Erzen Shkololli.

Në një bisedë miqësore diskutuan rreth zhvillimit të artit përmes mbështetjes institucionale dhe për sukseset që artistët nga Kosova kanë shënuar viteve të fundit në arenën ndërkombëtare të artit, shkruan Arbresh.info.

Ndër to, një sukses i veçantë u shënua në edicionin e 60-të të Bienales së Artit të Venedikut, Pavijoni i Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror.

“Vendi i vetëm nga Evropa që këtë vit fitoi në Bienale, në mesin e 86 pavijoneve shtetërore garuese.”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i njoftoi për shtimin e investimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kulturë dhe art dhe mbështetjes instititucionale për trashëgimi kulturore, filharmoni e film, muze e galeri, skenën e pavarur.

Ai vlerësoi punën dhe kontributin e rëndësishëm që secili prej tyre i ka dhënë provimit të kulturës dhe artit përmes projekteve në Gjermani, Poloni, Brazil e gjetiu, dhe bashkë trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës dhe  Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë.

Romë – Dy euro për të parë shatërvanin ‘Trevi’?

Në shatërvanin ”Trevi” në Romë është tradicionale të hedhësh një monedhë mbrapsht mbi supe në ujë.

Por, së shpejti turistët mund të humbasin monedhat në një mënyrë shumë moderne, pasi kryeqyteti italian po mendon të tarifojë hyrjen falas.

”Ideja jonë është të prezantojmë një biletë prej dy eurosh (2,20 dollarë) për të hyrë në zonën përreth pellgut të ujit të shatërvanit”, njoftoi sot në median sociale këshilltari i qytetit përgjegjës për turizmin, Alessandro Onorato.

Roma, si shumë qytete të tjera në Itali, po lufton kundër turizmit masiv.

Këtë verë, turizmi në qytet ka shënuar shifra rekord.

Venecia i është përgjigjur turizmit masiv duke futur një tarifë hyrje prove prej pesë eurosh  për vizitorët ditorë.

Shatërvani i Trevit është një nga pamjet më të famshme në Romë.

Zona përreth shatërvanit monumental, i cili u ndërtua në shekullin XVIII, është vazhdimisht i mbipopulluar.

Turistët nxitojnë rreth sheshit përballë pellgut të ujit nga mëngjesi në mbrëmje.

”Ne duam ta bëjmë vizitën një përvojë të vërtetë dhe jo një përplasje kaotike mes turistëve në kërkim të selfie-ve më të mira”, tha Onorato.

“Por, tani ne duhet të sigurojmë që turizmi të jetë në përputhje me jetën e romanëve”, tha Onorato.

Hyrja në shatërvan do të mbetet e lirë për romanët.

Onorato tha se të ardhurat nga biletat turistike do të riinvestoheshin për të mbrojtur shatërvanin dhe për të punësuar staf sigurie dhe për të menaxhuar fluksin turistik, duke krijuar kështu vende pune.

”Deri më tani, kjo është ende vetëm një ide”, tha administrata e qytetit.

Por, kryebashkiaku i Romës Roberto Gualtieri tha, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, se është një “ide shumë konkrete” që qyteti po heton dhe eksploron.

Nuk është ende e qartë se kur mund të vendoset dhe të hyjë në fuqi një tarifë e tillë hyrjeje./ atsh/ KultPlus.com

‘Vepra që më përjashtoi nga shkolla’, Anastas Kostandini: Piktura e Lasgushit në shtratin e vdekjes dhe historia e veçantë e ‘ringjalljes’ së tij

“Unë Nuk jam rob i një territori gjeografik por kam nevojë të mbaj këmbët diku”. Nga shtëpia që ka moshën e tij në Pogradec, në rrugicat ku si vogël luante a ndiqte Lasgush Poradecin, Anastas Kostandini sjell në Tiranë gjithë frymëzimet e jetës së tij në një ekspozitë. Piktura, vizatime, personazhe e histori bashkohen në tri salla të COD-it, duke ritakuar publikun në një tjetër përmasë. Artisti që I ka dhënë provincës ku jeton një vulë arti në vijim të traditës së Lasgushit që mori emrin e qytetit, vjen në një rrëfim ku intimitetet e tij tregojnë detaje të një kohe të largët, ku një eremit si Lasgushi kthehet në mit. “Ai ishte si një ikonë që duhej ti faleshim, ta adhuronim pa kushte. Ai është apostull… ”, thotë ai për poetin, ndërsa e vizitoi në shtratin e vdekjes, për ta përjetuar atë imazh në një tablo që tani shfaqet mes veprave të tjera.

Anastas Kostandini zbulon veprën me këpucarë që e përjashtoi nga shkolla dhe simbolikat që u keqkuptuan. Raporti me bashkëshorten që krijoi kushtet që ai të ishte artist, të rendte pas artit deri në marrëzi, zë po ashtu vend në bisedë. Rimarrja e metaforës së ringjalljes së Llazarit nga Bibla rivjen përmes ringritjes së Lasgushit (Llazar Gushos) nga shtrati i vdekjes dhe vizita në ekspozitën e Kostandinit, takimi me Kadarenë e nxitja për të shkruar dhe ditari që ruan kujtesën e jetës së përditshme.

“Nuk më lejonin ta hapja ekspozitën se aty në sallën ku do ekspozoja unë, ata thanë se do të bënin homazhe për Lasgushin. Ai ishte gjallë ende, por ishte i sëmurë pas një hemorragjie cerebrale, por ndërkohë ishte bërë gati salla për homazhet, fjala e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe prisnin që ai të vdiste. Por për çudinë e tyre, ai doli nga ajo situatë dhe unë e hapa ekspozitën e madje ai erdhi ta vizitonte”, tregon Kostandini.

Ankthet e dilemat që përjeton artisti gjatë procesit krijues gjejnë forma të përjetësohen në art, duke sfiduar izolimin e duke e kthyer atë në potencial dhe shpesh rrekja për të përkufizuar lirinë./ balkanweb/ KultPlus.com

‘Summer Cult XI’ shpërblen artistët e rinj të teatrit

Edicioni i sivjetmë i Festivalit “Summer Cult” vjen me risi. Pjesëmarrësit do të garojnë nga ky vit, për disa çmime, që do të jepen për shfaqjet dhe artistët më të dalluar. “Summer Cult XI” u dedikohet regjisorëve të rinj dhe kontributit që po japin ata në skenën teatrore. Shfaqje nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova, vijnë në skenën e Teatrit “Dodona” me 16,17 dhe 18 shtator.

Në Programin e Festivalit, si edhe vitet e kaluara, nuk mungojnë as aktivitetet e tjera interesante. Dy punëtori me emra të njohur të koreografisë dhe pikturës, do të mbahen me 16 dhe 17 shtatore në CNP, në Prishtinë (Center for Narratives Practices). Dhjetëra të rinj, kanë shprehur interesimin e tyre për të mësuar më tepër rreth këtyre zhanreve të artit.  Arjan Syknej, profesor universitar dhe koreograf i njohur si dhe Adriana Sedaj, piktore e shpërblyer me çmime për veprat e saj, do të ndajnë me pjesëmarrësit përvojën e tyre të gjatë. Ndërkohë në ditën e fundit të Festivalit do të mbahet në Institutin Albanologjik, Konferenca Teatrore-Edicioni VI. Tema e konferencës sivjet është- Orientimi në të Ardhmen: Sfidat dhe Mundësitë për Gjeneratën e Re të Regjisorëve të Teatrit. Në dy sesione, profesorë të Fakultetit të Arteve, artistë të njohur të teatrit, regjisorë të rinj, përfaqësues nga institucionet, do të diskutojnë dhe nxjerrin rekomandime.

Programi me 16 shtator

Shfaqja e parë që do të jepet, është“Katër trëndafilat” nga Kosova, në orën 17:00. Autore: Julia Cameron, Regjia: Erleta Rexhepi. Luajnë: Donikë Zeqiri, Gresë Gashi, Uratë Shabani, Albana Gashi, Fitore Jashari, Erza Sejdiu. Subjekti i shfaqjes është intrigues për publikun. Në një udhëtim tundues mes varësisë dhe shërimit, vihet në sfidë forca e shpirtit njerëzor dhe i rimëkëmbjes së gjashtë grave, të cilat i gjejnë rrugët e tyre që kryqëzohen në një qendër rehabilitimi, teksa ato përballen me demonët e tyre të brendshëm, traumat dhe pasiguritë…

Po të njëjtën mbrëmje, në Teatrin “Dodona: jepet shfaqja “ Në të njëjtën kohë, vitin tjetër” nga Kosova. Autor: Bernard Slade, Regjia: Blerta Cakaj. Luajnë: Blerta Cakaj & Elton Tahiri. Në qendër të rrëfimit është një histori komplekse dashurie. Doris dhe George, dy të huaj që takohen rastësisht në një hotel krijojnë një lidhje të veçantë që i bashkon çdo vit në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. Edhe pse të martuar dhe të përkushtuar ndaj familjeve të tyre, ata e vazhdojnë këtë marrëdhënie për 25 vite, të shtyrë nga ndjenja të pavetëdijshme që i ndihmojnë të kërkojnë vetveten dhe të plotësojnë boshllëqet në jetët e tyre të zakonshme.

Programi me 17 shtator

Të martën me 17 shtator, do të jepet prej orës 17:00 shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria. Autor: Jane Genet, Regjia: Klajdi Malollari. Interpretojnë:  Xhoana Karaj. Erina Lazi. Fabiana Proi. Pushteti, është lajtmotivi i veprës. Solange dhe Claire janë dy motra që janë shërbyese shtëpie. Kur zonja e tyre (Madame) është larg, ata me radhë luajnë rolin e Zonjës, ndërsa tjetra luan rolin e shërbëtores së saj. Në këtë mënyrë, ata portretizojnë të dyja anët e ndarjes së pushtetit. Qëllimi përfundimtar i lojës së tyre me role është kryerja e vrasjes së vërtetë të Zonjës si e vetmja mënyrë për të çliruar veten nga nënshtrimi.

Po në këtë mbrëmje, në orën 20:00, jepet shfaqja “Pacienti i doktor Frojdit” nga Maqedonia e Veriut. Autor: Miro Gavran,Regjisor: Gent M. Çajani. Interpretojnë: Muzafer Etemi, Adrian Aziri dhe Linda Shabani. Ngjarja groteske zhvillohet në Vjenë në zyrën e Zigmund Frojdit. Tridhjet vjeçari Adolf Hitler vjen në zyrën e Frojdit për të kërkuar ndihmë, jeta e tyre seksuale nuk po funksionon siç duhet me të dashurën e tij Kristinën dhe si do dëshironte ai.Personazhet e diktatorit të ri të ardhshëm dhe psikiatrit më të famshëm në botë përshkruhen me shumë humor.

Programi me 18 shtator

Të mërkurën me 18 shtator nga ora 17:00 jepet shfaqja nga Kosova, “Një dorëzim në Spokan” . Regjia: Blendi Arifi , Aktorë: Alban Shahiqi, Florent Salihu, Djellza Dema, Blendi Arifi. Një njeri misterioz kërkon dorën e tij që prej 27 vitesh në një qytet fiktiv- Tarlington, Amerikë. Një çift të dashuruarish kuptojnë se ka një njeri në qytet që kërkon një dorë dhe është i gatshëm të paguaj për të. Ngjarja zhvillohet në një hotel ku pritet të ndodhë “dorëzimi” dhe aty ndodhet edhe një sportelist i cili prish planet e dy palëve.

Ndërsa prej orës 20:00 është shfaqja “Impromptu” nga Shqipëria. Autor: Tad Mosel, Regjia: Artemis Beluli. Luajnë: Erina Lazi, Klodian Çelmeta, Eva Gjika, Ronaldo Kolgjokaj, Shandi Ismailaj.Nje kast aktoresh te rinj jane te detyruar te improvizojnë një pjesë për të argëtuar publikun por jo vetëm. “Impromptu” është një shfaqje brenda shfaqjes ku asgjë nuk shkon ashtu si duhet.

Në ditën e fundit të festivalit, prej orës 21:30 jepet edhe premiera e leximit skenik “Anija nuk kthehet më”. Autore, regjisore: Elmaze Nura. Interpretojnë: Hazir Haziri, Anisa Ismajli. Në qendër është drama e emigracionit. Dy prindër rrezikojnë gjithçka për t’u bashkuar me fëmijët e mbetur në atdheun e përfshirë nga lufta. Sakrificat e babait dhe nënës janë të paimagjinueshme. Fati i tyre, është i rëndë, si dallgët që trazojnë anijen me emigrantë.

Ndarja e çmimeve të festivalit, bëhet pas leximit skenik. Me grupin muzikor “Third Stream”, mbyllet edicioni i njëmbëdhjetë i Festivalit “Summer Cult”.

Në jurinë e Festivalit janë : Besar Zahiti, aktor dhe producent, Profesor në Fakultetin e Arteve – Kosovë, Suela Konjari, aktore -Shqipëri, Ylber Nuredini, aktor, regjisor-Maqedonia e Veriut.

Festivali “Summer Cult”, është  pjesë e Programit Vjetor të organizatës kulturore Cult Club, që mbështetet nga MKRS dhe komuna e Prishtinës./ rtk/ KultPlus.com

7 vite nga vdekja e aktores Hajrie Rondo

Sot janë bërë 7 vite nga vdekja e artistes shqiptare, Hajrie Rondo.

Artistja lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në Qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në “Institutin e Lartë të Arteve” për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumë vjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë arriti të lëvronte në të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet më rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së teatrit të Fierit, që në periudhën kua ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rrolet e saj më të rëndësishëm janë,

Mara, Vëllezër dhe shokë 1980

Xifja, Agimet e stinës së madhe 1981

Lima, Nëntori i dytë 1982

Tana, Përrallë nga e kaluara 1987

Pesha e kohës, 1988

Ne dhe Lenini 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo rikthehet sërish në skenë në shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe më filmin “Buka” interpretime të cilat i realizoj pas një pauze disa vjeçare që ajo bëri për shkak të një beteje që fitoj me një sëmundje të rëndë. Ajo ndahet nga jeta më 9 shtator të vitit 2017.

Princesha Kate mbaron kimioterapinë, thotë se është ‘e fokusuar të qëndrojë pa kancer’

Princesha e Uellsit ka thënë se fokusi i saj është të “qëndrojë pa kancer” pas përfundimit të trajtimit të kimioterapisë.

Ajo e bëri njoftimin në videon e saj më personale familjare deri më tani, duke treguar se ajo kalonte kohë private me Princin William dhe fëmijët e saj, transmeton klankosova.tv.

Videoja tepër e sinqertë dhe intime tregon princeshën, Princin William, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis duke kaluar kohë së bashku në Norfolk me një mesazh të shprehur nga Kate.

“Ndërsa vera po mbaron, nuk mund t’ju them se çfarë lehtësimi është që përfundimisht kam përfunduar trajtimin tim të kimioterapisë. Nëntë muajt e fundit kanë qenë tepër të vështira për ne si familje. Jeta si ju e dimë se mund të ndryshojë në një çast dhe na është dashur të gjejmë një mënyrë për të lundruar në ujërat e stuhishme dhe rrugën e panjohur”.

Në mars, princesha konfirmoi se qelizat parakancerogjene ishin gjetur pas operacionit abdominal dhe se asaj do t’i duhej t’i nënshtrohej një kursi kimioterapie parandaluese.

Ministri Çeku pret në takim kampionin Enver Idrizi: Me kënaqësi i dëgjova rrëfimet e tij për karrierën plot suksese e sfida

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka zhvilluar një takim me ikonën e karatesë, ish kampionin e botës në këtë sport, Enver Idrizin.

Ministri Çeku përmes një shkrimi në Facebook, bisedën me kampionin e karatesë e ka quajt ur takim të këndëshm, në të cilin u diskutua edhe për zhvillimin e këtij sporti në Kosovë.

“Me kënaqësi i dëgjova rrëfimet e tij për karrierën plot suksese e sfida, ndërsa diskutuam për zhvillimin e sportit të karatesë në vendin tonë dhe punët që po bëhen në fushën e sportit.

Idrizi mbetet shembull frymëzues për të gjithë ne”, ka shkruar Ministri Çeku./ KultPlus.com

‘Impromptu’, nga fondi i të rinjve, në teatrin ‘Zihni Sako’ të Gjirokastrës

 “Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/ KultPlus.com

Festivali ‘Hardh Fest’ përfundon me sukses

Ka përfunduar festivali i rrushit “Hardh Fest 2024”.

Përmes një komunikate për media, policia thotë se festivali i cili u mbajt nga data 6 deri më 8 shtator në Rahovec, mblodhi një numër të madh vizitorësh dhe pjesëmarrësish, përfshirë personalitete të njohura nga fusha e politikës, kulturës dhe artit, e gjatë së cilit nuk është shënuar asnjë incident serioz.

“Për garantimin e sigurisë dhe rendit publik, Drejtoria Rajonale të Policisë në Gjakovë ka zbatuar një plan operativ të mirë organizuar, ku një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kanë qenë të angazhuar për kontrollin dhe rregullimin e trafikut, parandalimin e dukurive negative dhe parandalimin e akteve të mundshme kriminale. Bashkëpunimi i ngushtë me organizatorët e festivalit ka qenë një faktor kyç në ruajtjen e qetësisë publike dhe mbarëvajtjen e këtij eventi”, thotë më tej policia, njofton Klankosova.tv.

Falë kulturës qytetare të treguar nga vizitorët dhe përkushtimit të organizatorëve, festivali ka kaluar pa asnjë problem. Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët dhe pjesëmarrësit për respektimin e rregullave dhe sjelljen e përgjegjshme, duke kontribuar kështu në një atmosferë të qetë dhe festive.

Projekti “Heavy Metals – Gurët e Mitrovicës” prezantohet si instalacion në Muzeun e Qytetit

Me 13 Shtator në ora 19:00, në hapësira të Muzeut të Qytetit Mitrovicë prezantohet projekti “HEAVY METALS – Gurët e Mitrovicës”.

Ky është projekti i parë i një serie hulumtimesh afatgjata nga znj. Philine Rinnert (nga Gjermania) mbi lëndët e para. Ky projekt do të shfaqet si një instalacion në Muzeun e Qytetit dhe gjithashtu do të prezantojë rezultatet e një punëtorie me studentë dhe banorë të qytetit.

Në bashkëpunim me organizatën lokale 7Arte, banorët e qytetit dhe gjeologët nga miniera, projekti eksploron dhe thekson identitetin e gurëve të gjetur në Trepçë dhe ndjek kujtimet e tyre të skalitura në tokën përreth qytetit të Mitrovicës.

Për HEAVY METALS, Philine Rinnert bashkëpunon me artizanin zviceran Daniel Heer, duke sjellë së bashku materialin, zanatin, hapësirën dhe lidhjet sociale e lokale. Ata hapin një hapësirë pjesëmarrëse për publikun për të ndarë dhe shkëmbyer histori, gurë dhe burime.

Një bashkëpunim i Philine Rinnert dhe 7Arte, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Goethe-Institut, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Muzeut të Qytetit Mitrovicë./express/KultPlus.com

Festivali i Teatrove në Suharekë sjell edicionin e 5-të 

Festivali i Teatrove Suharekë këtë vit organizon edicionin e tij të 5-të i cili fillon më 9 shtator deri më 13 shtator.

Edhe këtë vit synohet që pjesë Festivali të jetë i mbushur me një program të pasur me shfaqje teatrale të larmishme nga të gjitha trevat shqiptare.

Festivali i Teatrove në Suharekë fillon programin me shfaqjen “Audienca” me regji të Bashkim Ramadanit, e cila luhet më 9 shtator nga ora 20:00 në ‘Shtëpia e Fellbahut’./KultPlus.com

“Impromptu”, nga fondi i të rinjve, në teatrin “Zihni Sako” të Gjirokastrës

“Fondi i Teatrit për të Rinj” me mbështetjen e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, sjell shfaqjen “Impromptu”, të autorit Tad Mosel.

Shfaqja me regji të Artemis Belulit, do të vihet në skenën e teatrit “Zihni Sako” të Gjirokastrës. Ajo tregon historinë e katër aktorëve dhe administratorit të cilët duhet të improvizojnë një shfaqje, ku ashtu si jeta, perceptohet si një argëtim i pastër por papritur transformohet në një dramë në “modalitetin Pirandello”.

Procesi i arritjes së qëllimeve për çdo personazh vjen parësore, madje më e rëndësishme se vetë përfundimi i tyre si karaktere, për shkak të kompromiseve që ata kanë bërë me administratorin, në një luftë për të ekzistuar para publikut.

Shfaqja ngre një pyetje ekzistenciale: “Cili duhet të jetë raporti i duhur i së vërtetës kundrejt iluzionit drejt një jete të balancuar?”. Me anë të saj vihet në pah vetëdija e gjithësecilit dhe raporti i tyre me kompromiset e skenës. Kjo pyetje e shtyn shfaqjen të ketë komponentë të një teatri absurd, duke sulmuar komoditetin e personazheve ndaj vetëkënaqësisë, me qëllim vendosjen e publikut përballë sfidave njerëzore, si: izolimi i individit, dëshpërimi dhe përpjekja për gjetjen e vetëvetes në këtë realitet./atsh/KultPlus.com

Nisi edicioni i 15-të i “Javës së Albanologjisë”

Instituti Albanologjik i Prishtinës nisi edicionin e 15-të të “Javës së Albanologjisë”, duke mbledhur më shumë se 90 studiues në sesionet e gjuhësisë, letërsisë, historisë, etnologjisë, folkloristikës dhe etnomuzikologjisë. Për tri ditë, ata do të paraqesin punime që pritet të pasurojnë ndjeshëm këto fusha studimore.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri Albin Kurti, ministri Çeku, ministrja Nagavci, profesorë e albanologë. Kryeministri Kurti, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë historike të albanologjisë në ndërtimin e vetëdijes kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Ballkan. Ai rikujtoi kontributin e rilindësve shqiptarë, të cilët shfrytëzuan arritjet shkencore të albanologjisë për të forcuar identitetin kombëtar.

Java e Albanologjisë shërben si një platformë e rëndësishme për të nxitur diskutime të thella dhe për të promovuar studime të reja në fushën e albanologjisë. Kjo ngjarje kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin e kulturës dhe shkencës sonë, duke forcuar lidhjet mes studiuesve dhe institucioneve akademike./ KultPlus.com

Eva Alikaj sjell Maria Callas në skenën e TKOB-së

U mbajt mbrëmë premierë absolute në TKOB, vepra Master Class – Maria Callas me autor Terrence McNally, nën interpretimin e aktores së mirënjohur Eva Alikaj.

Vepra është një dramë teatrale e frymëzuar nga klasa të vërteta mësimore që sopranoja legjendare, Maria Callas mbajti në fillim të viteve 1970 në Shkollën e Muzikës Juilliard në New York.

Në skenë, ajo shfaqet si një mësuese karizmatike, por e rreptë dhe shpesh cinike, që u mëson nxënësve jo vetëm teknikën vokale, por edhe kërkesat emocionale dhe shpirtërore që kërkon performanca operistike.

Përmes dialogjeve dhe monologjeve, u shfaqën kujtime nga jeta e saj personale dhe karriera e saj madhështore, duke përfshirë sukseset dhe sfidat e saj, marrëdhënien me Aristotel Onassis dhe humbjet e saj personale.

Një vepër e jashtëzakonshme, e cila rikthen në skenë aktoren e mirënjohur Eva Alikaj në rolin e legjendës Callas me një kast të mirënjohur artistësh dhe bashkëpunëtorësh nga pas./atsh/KultPlus.com

Letrat më të famshme të dashurisë: Nga Tolstoy deri te mbreti Henry VIII i Anglisë

Vincent Van Gogh, artisti i famshëm holandez i shkruan Theos, vëllait të tij, duke i përshkruar dashurinë për kushërirën e tij Kee, e cila nuk e pranoi kurrë, 1881.

I dashur Theo. Jeta është bërë shumë e dashur për mua, dhe jam shumë i lumtur që kam rënë në dashuri. Jeta ime dhe dashuria ime tani janë një. “Por ti je përballur me një ‘kurrën e kurrës’, më përgjigjesh ti. Përgjigjja ime për ty është: “Çunak i vjetër, tani për tani unë shikoj në ‘kurrën e kurrës’ një bllok akulli, të cilën zemra ime mund ta shkrijë.

Mark Twain, letër për Olivia Langdonin – bashkëshorten e tij të ardhshme, 1869

Përtej thellësive të zemrës sime të lumtur rrjedh një rrymë dashurie dhe lutjeje për këtë thesar të paçmuar që i është lënë në mirëbesim gjithë jetës sime. Ti nuk mund t’i shohësh valët e saj të pakapshme që rrjedhin drejt teje, e dashur, por në këto rreshta ti do ta dëgjosh valëzimin e largët të sipërfaqes.

***

Shkrimtari rus, Leo Tolstoy,, për të fejuarën e tij Valeria Arsenev, 1856

Tashmë unë dashuroj bukurinë tënde, por ky është vetëm fillimi i dashurisë në ty në atë çfarë është e përjetshme në zemrën dhe shpirtin tënd. Për bukurinë, njerëzit mund të bien në dashuri brenda një ore, dhe po aq shpejt kjo dashuri mund të mbarojë. Por shpirtin, njerëzit duhet të mësojnë ta njohin.
Besomë, asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria, ndjenja më e bukur dhe më e natyrshme.

Johann Wolfgang von Goethe u njoh me Charlotte von Steinin, në vitin 1775, teksa jetonte në Vajmar. Ajo u bë frymëzimi për shumë heroina të veprave të tij, si dhe bashkëshortja e tij, 1784

Letrat e mia duhet të kenë treguar se sa i dashuruar jam. Nuk drekoj, takoj pak njerëz dhe për shëtitje dal vetëm dhe çdo vend i bukur që shoh ma shton dëshirën që ti të ishe aty. Nuk mund të mos të të dashuroj më shumë se sa duhet. Do të ndjej gjithë lumturinë kur të të shoh sërish. Jam gjithmonë i ndërgjegjshëm për afërsinë ndaj teje, prezenca jote nuk largohet asnjëherë.

Në ty, unë kam masën e çdo gruaje, për çdo njeri. Në dashurinë tënde, kam masën e gjithçkaje. Jo në kuptimin që pjesa tjetër e botës është një libër i madh e i mugët, përkundrazi, dashuria jote ma qartëson. Kuptoj qartë se si janë burrat dhe çfarë planifikojnë, dëshirojnë, bëjnë dhe çfarë i kënaq ata. S’i kam zili për çfarë kanë dhe duke i krahasuar me veten, është një gëzim i fshehtë për mua që kam një thesar aq të madh. Ti, në shtëpinë tënde, duhet të ndjehesh ashtu siç ndihem unë në punët e mia. Ne shpesh nuk i vëmë re disa sende, sepse nuk zgjedhim t’i shikojmë ato.

Por gjërat marrin kuptim, sa më shpejt të kuptojmë qartë mënyrën se si janë të lidhura me njëra-tjetrën. Ne na pëlqen gjithmonë t’i bashkohemi një grupi, dhe një burrë i mirë ka kënaqësi kur rregullon, përshtat të drejtën dhe drejtimin e tij të paqtë. Mirupafshim, ty të cilën të dashuroj me mijëra herë.

***

James Joyce i shkruan të dashurës që do të bëhet gruaja e tij, disa muaj takimit, 1904

E dashura ime Nora. Thjesht, më ka goditur. Erdha në 11 e gjysmë. Që atëherë jam i ulur në një karrige të thjeshtë si i budallepsur. S’mund të bëj asgjë. Nuk dëgjoj asgjë tjetër, përveç zërit tënd. Jam si një budalla duke të dëgjuar ty që më thua “i dashur”. Ofendova dy burra sot, duke i lënë në të ftohtë.

Doja të dëgjoja zërin tënd, jo të tyrin. Kur jam me ty e lë mënjanë natyrën time përçmuese dhe dyshuese. Do të doja të ndjeja kokën tënde në shpatullat e mia. Besoj tani do shkoj në krevat. Kam gjysmë ore duke shkruar këtë letër. Do të më shkruash diçka? Shpresoj që po. Si do ta nënshkruaj emrin tim? Nuk do ta nënshkruaj fare, sepse nuk di çfarë të nënshkruaj.

***

Shkrimtari francez Honore de Balzac, letër për konteshën polake Ewelina Hanska, 1836

Engjëlli im i dashur. Po çmendem për ty, aq sa një njeri mund të çmendet. Nuk mund t’i bëj bashkë dy ide pa qenë ti në mes të tyre. Tashmë s’mendoj dot asgjë për ty. Pavarësisht nga dëshira ime, imagjinata më sjell tek ty. Të shtrëngoj, të puth, kujdesem për ty, një mijë përkujdesje dashurie më kapin. Sa për zemrën time, aty do jesh gjithmonë. Kam një ndjesi të këndshme të të pasurit ty atje.

Por, Zot, çfarë do të bëhet me mua, tani që ti më ke privuar nga arsyeja? Kjo është mania që më ka terrorizuar këtë mëngjes. Çohem çdo moment duke i thënë vetes: “Hajde të shkojmë atje”. Më pas, ulem përsëri nga detyrimet e mia. Është një konflikt i frikshëm. Kjo s’është jetë. S’kam qenë kurrë më parë kështu. Ti ke gllabëruar gjithçka. Ndjehem i budallepsur dhe i lumtur sapo mendoj për ty. Sillem vërdallë në një ëndërr të këndshme në të cilën në një moment jetoj mijëra vjet. Çfarë situate e tmerrshme!

I mbuluar me dashuri, duke ndjerë dashuri në çdo gjë, por, duke jetuar vetëm për dashurinë, duke parë veten të konsumuar nga brengat, e gjej veten të kapur në njëmijë rrjeta merimangash. O, Evë e dashur, ti nuk e di. E mora kartolinën tënde. Është këtu para meje dhe unë flas me ty sikur t’i të ishe aty. Të pashë ty, si dje, të bukur, mahnitërisht të bukur. Dje, gjatë gjithë mbrëmjes i thashë vetes sime “ajo është e imja!” Ah! Engjëjt nuk janë aq të lumtur në parajsë, siç isha unë dje!

***

Mbreti Henry VIII i Anglisë u divorcua nga bashkëshortja e tij Chatherine, për t’u martuar me Anne Boleyn, 1528

E dashura dhe shoqja ime. Unë dhe zemra ime e vendosim veten tonë në duart e tua, duke t’u lutur që ti të kujdesesh për ne me mirësinë tënde dhe të mos lesh mungesën të zvogëlojë dashurinë tënde për ne. Për mua sëmbimi që më shkakton mungesa është shumë i madh, dhe kur mendoj për rritjen e asaj që më bën të vuaj, do të ishte krejt e patolerueshme nëse s’do ishte shpresa ime e vazhdueshme për të pandryshueshmen dashurinë tënde.

***

Shkrimtari i famshëm francez, Gustave Flaubert. i shkruan bashkëshortes së tij, Louise Colet, 1846

Do të të mbuloj me dashuri kur të të shoh herën tjetër. Me përkujdesje, me ekstazë. Dua të të mbush me gjithë gëzimet e mishit, aq sa ty të të bjerë të fikët e të vdesësh. Dua që ti të mahnitesh nga unë, dhe t’i thuash vetes tënde që as nuk i ke ëndërruar ngazëllime të tilla… Kur të plakesh, dua që ti t’i kujtosh ato pak orë. Dua që kockat e tua të thata të mbushen me gëzim kur të mendosh për to.

***

Dramaturgu irlandez, George Bernard Shaw, aktores Beatrice Campbell së cilës i drejtohet me pseudonimin “Stella”, 1913

Për Stelën,
Dua vagabondin zuzar brenda meje,
Dua zonjën time të errët
Dua engjëllin tim, joshjen time
Dua dritën e shtatë llambave: të bukurisë, të nderit, të qeshurës, të muzikës, të dashurisë, të jetës dhe të pavdekshmes…
Dua frymëzimin tim, marrëzinë time, gëzimin tim
hyjninë brenda meje, çmendurinë time, egoizmin tim
mendjen time të shëndoshë, shenjtërimin tim,
shpërfytyrimin tim, purfifikimin tim,
dritën time në mes të detit,
palmën time në mes të shkretëtirës
kopshtin tim me lulet e dashura
një mijë gëzimet e mia të paemërta
dërdëllitjet e mia të ditës,
ëndrrat e mia të natës
të dashurën time dhe yllin tim… Filzofial.al / KultPlus.com

Java Kulturore Holandeze, udhëtim mes traditave dhe inovacionit

Aktualisht jemi në Javën Kulturore Holandeze, e cila do të vazhdojë deri më 11 shtator, në një udhëtim të pasur mes traditave dhe inovacionit të një vendi që ka lënë gjurmë të rëndësishme në historinë e artit, muzikës dhe kinemasë.

E njohur për mjeshtërinë e piktorëve të mëdhenj si Van Gogh, për festivalet e saj të famshme të jazz-it dhe për inovacionin e vazhdueshëm në dizajn dhe arkitekturë, Holanda është një burim frymëzimi për të gjithë botën. Në Tiranë, Shkodër dhe Korçë, do të vijë një pjesë të këtij thesari kulturor, pjesë e magjisë holandeze.

Dita e sotme e kalendarit kulturor shënon këto aktivitete:

Seminari njëditor për kulturën e biçikletave dhe ndihmën në krijimin e një infrastrukture të sigurt në Shkodër. Aktiviteti u mbajt në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ku ekspertët e Mobycon nga Holanda ndanë njohuritë e tyre për ndërtimin e rrugëve të përshatshme për biçikleta, si  një hap i madh drejt një qyteti më të gjelbër dhe më të shëndetshëm.

Në Tiranë do të shfaqet filmi “Take me somewhere nice”, ku pas shfaqjes në qendrën Destil, spektatorët do të mund të bashkëbisedojnë me regjisoren e filmit.

Një tjetër aktivitet në Tiranë është ekspozita World Press Photo 2024, e pozicionuar në sheshin “Skënderbej”, pranë bashkisë./atsh/KultPlus.com

Letër dashurie e shkruar në një ndërtesë që digjet

Poezi nga Anne Sexton

Përktheu: Roland Gjoza

Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë
mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile
troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë
dhe unë kam filmat në sytë e mi
dhe ti ke vezët në tunelin tënd
dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë
tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë.
Por sot e lashë shtratin në flakë
dhe tymi mbushi dhomën.
Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë
dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.

Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit
që janë për ty dhe i vendos
në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet.
Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit.
Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur.
Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë
fustanet e natës janë grirë e bërë
letra; të verdha, të kuqe, të purpurta
shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar-
në ar të forte, të fortë dhe dysheku
po puthet me një gur.

Sa për mua, i dashur Foxx
vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit.
Dhe shpresa për një përjetësi divine
a është e mjaftueshme për ty?
Po emri yt krahas emrit tim
për të drejtat e autorit?
Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot
unë do të tregoj tërë historitë-
jo vetëm historinë e çarçafëve
po dhe historinë e bizhusë në kërthizë
dhe historinë qepallave të lyera
të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve-
ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.

Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti
nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi
arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht
sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo
krematoriumin e dashurisë.
Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi
flakët nxjerrin fshikullima
kamzhikësh mbi kuaj
kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim
të triumfit njerëzor
ndersa mizat presin, plima plima vijnë
drejt e nga United Fruit, Inc./KultPlus.com

Aktivitetet e Muzeut “Marubi” që stimulojnë kreativitetin

Në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” çdo fillimviti shkollor shënon dhe fillimin e një viti të ri të programit të edukimit të muzeut, me vizita, punëtori e aktivitete të tjera.

Përmes tyre ky institucion shfrytëzon koleksionin “Marubi” për stimulimin e kreativitetit në trajtimin e materialit fotografik, si një pikënisje për ndërtimin e historive të tjera.

“Marubi” si edhe më parë, do të ketë një program që i drejtohet cikleve të ndryshme të edukimit, që nga parashkollorët tek universitarët.

Por, risia e këtij viti do të jenë një sërë aktivitetesh me pjesëmarrje të lirë për grupmosha të ndryshme për të cilat muzeu fton të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e tyre.

Me këtë rast Muzeu “Marubi” ndau në rrjetet sociale punime arkiv nga punëtoria “Marubi Coloring Book”, shtator 2016./atsh/KultPlus.com

Majlinda Kelmendi vjen me ekspozitën “Hapësirë Sfiduese, Standard për Asgjë”

“Hapësirë Sfiduese, Standard për Asgjë” është ekspozita e radhës e artistes Majlinda Kelmendi, e cila do ta prezantojë në Galerinë e Arteve “Vilson Kilica” në Fier të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Ekspozita do të hapet më 10 shtator, prej orës 19:00, dhe sipas Kelmendit, në botën e artit bashkëkohor, konceptet dhe format shpesh sfidojnë kufijtë e njohur dhe krijojnë hapësira të reja për të menduar dhe përjetuar.

“Ekspozita me titull “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” përfaqëson një udhëtim artistik që sfidon perceptimet tradicionale dhe vendos në pikëpyetje standardet e vendosura. Veprat e paraqitura trajtojnë tematikën që përfshin tensionin mes rregullit dhe kaosit, mes të njohurës dhe të panjohurës, dhe mes pritshmërive shoqërore dhe realiteteve individuale. Hapësira e krijuar përmes këtyre veprave nuk është një vend ku standardet e përhershme mbizotërojnë, por një sfidë ndaj gjithçkaje që është konsideruar normë. Ajo është një reflektim i ambivalencës që përshkon jetën moderne, ku standardet dhe pritshmëritë shpesh janë të padukshme, por megjithatë përcaktojnë mënyrën tonë të jetesës”, ka shpjeguar Kelmendi rreth ekspozitës së radhës.

Teknikat dhe materialt e përfshira në këtë projekt krijojnë një dialog të hapur me audiencën, duke i ftuar ata të reflektojnë mbi vetëdijen, përvojat personale dhe kufijtë e brendshëm.

Ekspozita “Hapësirë sfiduese, standard për asgjë” është një ftesë për të hyrë në një botë ku rregullat nuk ekzistojnë, dhe ku sfidat bëhen standardi i vetëm. Ajo është një udhëtim artistik që eksploron të panjohurën dhe i sfidon shikuesit të përballen me sfidat e tyre personale dhe të rishikojnë mënyrën se si ata ndërveprojnë me botën përreth tyre./ KultPlus.com

Fjala e poetit Lulzim Tafa, me rastin e pranimit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë

I nderuar z. kryetar, z. nënkryetar, z. sekretar dhe anëtarë të Akademisë së Shkencave,

Shkëlqesia Juaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri,

Të nderuar miq,

Zonja dhe Zotërinj.

Duke qenë poet me përgatitje profesionale të juristit, gjithmonë kam qenë i intriguar për ta gjetur përkufizimin më të saktë për poezinë. Kam lexuar shumë teoricienë të njohur të letërsisë, të artit në përgjithësi, estetë e filozofë të ndryshëm, dhe, në fund, përgjigja më e mirë që e kam gjetur deri më tani rrjedh pikërisht nga pyetja: “A thua do ta dimë ndonjëherë se çka është poezia?”

Edhe  pse kjo pyetje vazhdon të qëndrojë prej kohësh, misionin që ka poezia, unë e kam kuptuar herët, qysh kur kam filluar të shkruaj, si fëmijë, si nxënës. Pra, atë mision që t’i bëj bashkë fjalët që kurrë më parë nuk kanë qenë pranë njëra-tjetrës dhe me to të thuhen bukur gjërat.

Pra, jo domosdoshmërisht të thotë vetëm gjëra të bukura, por e rëndësishmja, atë që e thotë, ta thotë bukur. Pra, njësoj si kur flet për jetën, dashurinë e gëzimin, ashtu edhe kur flet për vdekjen, dhimbjen e trishtimin.

Por, edhe misionin tjetër të letërsisë si një botë paralele, ta bëjë imagjinaren të duket si reale, e realen si imagjinare.

Që imagjinarja të jetë më e bukur se realja ndodh shpesh, por vetëm në raste të rralla si ky rast, ndodh që realja të jetë më e bukur se imagjinarja.

Pse e them këtë? Sigurisht jo vetëm për të përçuar një emocion të ngrohtë që unë tani e ndiej, por sepse për ne kosovarët që e kemi jetuar kohën e robërisë e të represionit, vetëm në ëndrrat tona më të bukura kemi mundur të ëndërrojmë që një ditë, të papenguar nga askush, të mund të vijmë në Tiranë, ta shohim Tiranën, ta shohim Shqipërinë, e lëre më që një kosovar apo disa kosovarë (sepse kjo Akademi ka edhe kosovarë të tjerë, të cilët janë pjesë e këtij tempulli) të jenë pjesë e institucionit më të lartë të dijes, shkencës, artit e kulturës së kombit.

Dhe, e them tani, pa frikën se mund të rrëshqas në patetizëm, pasi e them nga zemra, se për ne shqiptarët e Kosovës, Shqipëria ka qenë dhe mbetet dashuri e madhe.

Z. kryetar, z. nënkryetar, anëtarë të Akademisë, me mirënjohje dhe respekt, e pranoj këtë nderim.

Natyrisht, është privilegj i jashtëzakonshëm për mua të jem pjesë e këtij institucioni që përfaqëson arritjet më të larta të shkencës, artit dhe kulturës së kombit tonë.

Ky nder më bën të reflektoj për përgjegjësinë që ka ky anëtarësim dhe përkushtimin që duhet të tregoj, për të kontribuar në mënyrë domethënëse për avancimet e gjithanshme.

Do të angazhohem për të qenë në lartësinë e besimit që keni vendosur tek unë dhe për të punuar me pasion e përkushtim, në emër të asaj që kjo akademi përfaqëson.

Ju falënderoj për këtë nder dhe për mundësinë që më jepni për të bashkëpunuar me ju.

Me padurim po pres të ndaj idetë dhe përvojat e mia me ju dhe të kontribuoj për të ardhmen e shkencës, artit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, në përputhje me misionin që ka kjo akademi.

Ju faleminderit!/ KultPlus.com

Parku Kulturor “Ali Podrimja” ndërpren të gjitha aktivitetet: Në mungesë të mbështetjes, është bërë e pamundur të vazhdojmë punën

Parku Kulturor “Ali Podrimja” në Gjakovë, ka njoftuar se pas tetë edicioneve të suksesshme, parku ka ndërprerë aktivitetet dhe nuk do të ketë edicione të tjera në vazhdim.

Në njoftim, ata janë shprehur se në këtë rrugëtim madhështor, parku është cilësuar dhe vlerësuar si një nga projektet më të mira jo vetëm në Gjakovë, por në mbarë Kosovën.

“Parku u nis si një iniciativë qytetare vullnetare në vitin 2016 dhe gjatë këtyre tetë viteve, kemi sjellë mbi 500 ngjarje kulturore dhe artistike”, thuhet në njoftim.

Tutje, ata janë shprehur se përballë mungesës së vazhdueshme të mbështetjes financiare dhe logjistike, mosrespektimit të punës dhe angazhimit, është bërë e pamundur të vazhdojnë punën. Ata thanë se me gjithë problemet e përvitshme, janë angazhuar pafund deri sa iu janë shterrur të gjitha energjitë.

“Ky vendim nuk është marrë lehtë, sepse kemi dashuri dhe pasion për parkun, por duke pas parasysh kushtet dhe sfidat e vazhdueshme, është momenti i duhur për ta mbyllur këtë kapitull. Ka qenë kënaqësi për 8 vite me mbajtë gjallë qytetin me kulturë dhe art, duke dhuruar momente dhe netë që do të qëndrojnë gjatë në memoriet tona, momente këto që kanë qenë shtysë e madhe drejt një programi atraktiv që kemi shfaqur në çdo edicion”, thuhet tutje në reagimin e tyre./KultPlus.com

Fragment nga libri ‘Anna Karenina’ nga Leo Tolstoy

Në 196 vjetorin e lindjes së shkrimtarit rus, Leo Tolstoy, KultPlus ua risjell një fragment nga kryevepra e tij ‘Anna Karenina’.

“Zemra e trembur dhe e ngazëllyer i tha se ishte ajo. Kishte qëndruar dhe po bisedonte me një zonjë në anën tjetër të sheshit. Si në të veshur, ashtu edhe në sjelljen e saj nuk kishte asgjë të veçantë, por Levini e njohu  menjëherë mes tollovisë si trëndafilin mes hithrave.

Sheshi shëndriste nga ajo, buqëshja e saj ledhatonte çdo gjë përreth. “Pse, a mundem t’i afrohem, ti qëndroj pranë në akull?” tha me vete. Ai vend i saj iu duk i shenjtë, aty s’mund të shkelte këmba e tij; qe një qast sa për pak iku, aq u frik.

Me sforcim të madh e përmbajti veten, arsyetoi: meqë rreth saj silleshin gjithfarë njerëzish, edhe ai mund të shkonte të bënte patinazh. U lëshua tatëpjetë kodrës, u përpoq të mos e shihte, siç bëjmë me diellin, por ja që e shihte, siç e shohim diellin edhe pa e vështruar.”/KultPlus.com

Mbi 100 mijë vizitorë zgjodhën Parkun Arkeologjik Shkodër

Parku Arkeologjik Shkodër priti 108,037 vizitorë që eksploruan thesaret e lashta që mbart ky vend, plot histori dhe rrëfenja.

Ky numër i lartë vizitorësh u regjistua për periudhën janar-gusht 2024, që rezulton të jetë 25% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Parku Arkeologjik Shkodër është një destinacion ku historia dhe natyra krijojnë peizazhin perfekt. Kalaja, ajo që vazhdon të tërheqë më shumë vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj, është një nga më të bukurat në rajon, duke qenë se edhe pozicioni i saj strategjik ofron një fushëpamje mahnitëse. Numri i vizitorëve në Kalanë e Rozafës, vitet e fundit ka qenë gjithnjë në rritje.

Parku Arkeologjik Shkodër, ka një sipërfaqe prej rreth 70 ha. Rozafati, me një sipërfaqe prej 3.6 ha dhe një perimetër muresh rrethues prej 881 m, është objekti më i rëndësishëm i Parkut. Ajo dominon mbi një kodër shkëmbore ndërmjet lumenjve Drin dhe Buna, në hyrjen juglindore të qytetit të Shkodrës.

Gjurmët antike të saj, teknika e mureve me blloqe poligonalë, ruhen pranë hyrjes kryesore dhe datojnë të shek. IV p.e.s. Kalaja kishte një rol të rëndësishëm si qendër e fortifikuar ilire gjatë periudhës së mbretit Ilir Genti në mesin e shek. II p.e.s. Historiani romak Tit Livi e quante Shkodrën vendin më të fortifikuar të fisit Ilir të Labeatëve.

Kalaja njihet me emrin Rozafa, të cilin duhet ta ketë marre aty mes shek. V-VI-të./atsh/KultPlus.com