Koncerti i parë i Bryan Adams në Tiranë, mbi dy orë me hite dhe emocione të fuqishme

Bryan Adams një nga artistët më me ndikim dhe me disqet më të shitur të të gjitha kohërave, me llojin e tij të rok-ut të butë që e çoi atë në majat e muzikës botërore, pasi pushtoi zemrat e miliona fansave gjatë karrierës së tij prej gati pesë dekadash, performoi dje në Tiranë.

Për herë të parë, Adams u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve ku biletat për të ndjekur performancën e tij ishin shitura të gjitha.. Koncerti zgjati mbi dy orë i cili përshkroi kufijtë e diskografisë së gjerë të kanadezit.

Adams e filloi shfaqjen e tij me hitin “Let’s Make A Night To Remember”, e cila ishte hapja perfekte e koncertit, ndërsa salla u mbush me tingujt e kitarës. Energjia ishte fantastike që nga fillimi i koncertit dhe vazhdoi të rritej ndërsa Adams performonte me hitet e tij duke e bërë të gjithë turmën të këndonte së bashku me “Everything i do, i do it for you”.

Zëri i Adams jehoi në të gjithë Pallatin e Kongreseve me “Please forgive me”, ndërsa fuqia e këngës dhe muzikës iu bashkua edhe më tej publiku që këndoi me gjithë shpirt. Ishte një moment magjik.

Është e mahnitshme të mendosh se sa shumë hite ka Adams gjatë karrierës së tij dhe ai i luajti pothuajse të gjitha, përfshirë edhe bashkëpunimet e shumta si dhe këngë, kolona zanore të filmave të njohur të Hollivudit.

E pabesueshme se sa i ngjashëm tingëlloi zëri i Adams dje me albumet që ai ka bërë dekada më parë dhe se si ai po njësoj, këndoi në skenë përballë një publiku qe e admiroi gjatë gjithë kohës.

Edhe pse Adams nuk e pati të nevojshme të performonte ndonjë cover duke pasur parasysh diskografinë e tij të jashtëzakonshme, ai këndoi një superhit të tij me Tina Turner, “It’s Only Love”, një moment i ndjeshëm dhe për vetë këngëtarin.

Ai e mbajti audiencën në këmbë ndërsa nisi të këndojë “Summer of ’69”.

Adams e mbylli koncertin me këngën “Straight from the Heart” të cilën ia dedikoi nënës së tij 97-vjeçare. Mënyra e tij e thjeshtë për ta mbyllur natën dhe komunikimi fantastik gjatë gjithë koncertit, u shpërblye me të njëjtën dashuri edhe nga publiku.

Bryan Adams, një këngëtar i mezipritur në Shqipëri, shkëlqeu me vokalin dhe muzikalitetin e tij me vetëm një kitar dhe një piano.

Për publikun, koncerti i mbajtur në “Pallatin e Kongreseve”, ishte gjithçka që mund të kërkonte nga një këngëtar i këtij niveli ndërkombëtar, dhe e vetmja gjë që mund të shpresojmë është që kjo të mos jetë hera e fundit./atsh/ KultPlus.com

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit

3 Maji është një datë që feston parimet themelore të lirisë së shtypit, për të vlerësuar lirinë e shtypit në mbarë botën, për të mbrojtur median nga sulmet ndaj pavarësisë së saj dhe për të nderuar gazetarët që kanë humbur jetën në ushtrimin e profesionit të tyre.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1993 pas një Rekomandimi të miratuar në sesionin e 26-të të Konferencës së Përgjithshme të UNESCO-s në vitin 1991.

Tema e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit për vitin 2025 është “Raportimi në Botën e Re të guximshme – Ndikimi i inteligjencës artificiale në lirinë e shtypit dhe median”.

OKB thotë se, rritja e shpejtë dhe përdorimi i Inteligjencës Artificiale (IA) po ndryshon gazetarinë, median dhe lirinë e shtypit në mënyra të mëdha. Ndërsa parimet e medias së lirë, të pavarur dhe pluraliste mbeten vendimtare, ndikimi i IA në mbledhjen, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit është i thellë, duke paraqitur si mundësi novatore, ashtu edhe sfida serioze.

Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë në mbështetjen e lirisë së shprehjes duke e bërë më të lehtë aksesin e informacionit, duke lejuar më shumë njerëz të komunikojnë në të gjithë botën dhe duke ndryshuar mënyrën se si informacioni rrjedh globalisht.

Në të njëjtën kohë, IA sjell rreziqe të reja. Mund të përdoret për të përhapur informacione të rreme ose mashtruese, për të rritur gjuhën e urrejtjes në internet dhe për të mbështetur lloje të reja të censurës./ KultPlus.com

Media britanike “Rest Less”: Shqipëria mes vendeve më tërheqëse për t’u vizituar në Evropë

Udhëtimi mund të jetë i kushtueshëm, por nëse e zgjidhni destinacionin tuaj me kujdes, mund të jetë më i përballueshëm nga sa mund të mendoni, shkruan Selene Nelson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Rest Less”.

Ekzistojnë shumë vende të mrekullueshme, tërheqëse dhe me kosto efektive për t’u eksploruar – shumë prej të cilave janë pikërisht në Evropë.

Nëse jeni gati të planifikoni udhëtimin tuaj, ju sugjerojmë 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë mes të cilave është renditur edhe Shqipëria.

Shqipëria

E izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit për pjesën më të madhe të shekullit XX, Shqipëria ka qenë prej kohësh një nga sekretet më të ruajtura të Evropës.

Por sot, dyert e Shqipërisë janë të hapura dhe nuk do të kalojë shumë kohë përpara se vendi të mbipopullohet nga turistët.

Bregdeti i saj i quajtur Riviera Shqiptare – është i mbushur me plazhe mahnitëse dhe ujëra të kristalta blu.

Vendpushimet më të njohura të plazhit janë, Dhërmiu dhe Ksamili, të cilat nuk janë prekur ende nga turizmi masiv. Si rezultat, akomodimi, ushqimi dhe udhëtimi mbeten mjaft të lira.

Në brendësi të vendit, do të gjeni male të larta, qytete fortesash, kështjella të rrënuara dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

Pavarësisht nëse jeni – i apasionuar pas i historisë, një aventurier apo një adhurues i plazhit – ka diçka për të gjithë.

Kryeqyteti i gjallë, Tirana, është një bazë e shkëlqyer për të eksploruar pjesën tjetër të Shqipërisë dhe është një nga vendet më të përballueshme në Evropë për të ngrënë jashtë.

Revista britanike “Rest Less” rekomandon 14 vendet më të lira për t’u vizituar në Evropë;

Shqipëria, Mali i Zi, Portugalia, Malta, Republika Çeke, Greqia, Sllovakia, Bullgaria, Polonia, Rumania, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Sllovenia, Estonia.  / KultPlus.com

‘Pas Zotit, Shekspiri është krijuesi më i madh’

Kjo shprehje e Xhojsit, do ta përcaktone më saktë ndikimin e fuqishëm dhe gjurmët pashlyeshme në art, histori dhe letërsi. Shekspiri e ngriti artin poetik në majat më të larta. Të gjitha studimet e analizat e veprës së tij, kanë emërues të përbashkët: vepra shekspirane është e admirueshme si tërësi dhe në të gjithë përbërësit e veçantë. Vepra e tij, së bashku me Biblën dhe Deklaratën e të Drejtave të Njeriut, janë shtyllat mbi të cilat formohet identiteti historik i Evropës.

Shekspiri konsiderohet si shkrimtari më brilant i gjuhës angleze, në mënyrë absolute, një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Një ndër shkrimtarët më të famshëm në botë. Ai ishte qenë komedian, dramaturg, por edhe aktor. Shkroi disa tragjedi të jashtëzakonshme, që përfaqësojnë historinë e letërsisë botërore, si edhe shumë komedi dëfryese, që nuk u shfaqen kurrë nëpër skenat angleze.

Krijimtaria e tij, përmbledh 37 vepra për teatrin, prej të cilave 13 tragjedi, 10 drama historike dhe 14 komedi. Pjesa tjetër e krijimtarisë përfshin 154 sonete, që mbahen si realizimi poetik më i çmueshëm i gjithë kësaj periudhe dhe 2 poema.

Aftësia e tij qëndronte në të hedhurit e rrëfimit përtej, për të përshkruar kështu pamjet e brendshme dhe të thella të natyrës njerëzore. Mendohet se pjesën më të madhe të veprave, t’i ketë shkruar midis viteve 1585-1611 dhe pse, kronologjia e veprave që i atribuohen nuk njihet me saktësi, duke shkaktuar kështu mangësi në lidhje me hartimin e një biografie të thellë dhe të plotë, për këtë figurë madhështore të letërsisë.

Shekspiri përdori rreth 20 mijë unitete gjuhësore ndërkohë që e folmja e asaj kohe, nuk përmbante më shumë se 1,500 fjalë. Kishte një gjuhë jashtëzakonisht të gjallë dhe të pasur në neologjizma, lojë fjalësh, si dhe fjalë me shumë kuptime.

Për lexuesin shqiptar është e njohur mirë gjenia dramatike e Shekspirit, nga përkthimet e mjaft prej dramave të tij, sidomos nëpërmjet përkthimeve mjeshtërore të at Fan S. Nolit. Nëpër të 36 dramat e tij janë të shpërndara qindra këngë dhe pasazhe lirike (si kënga e Ofelisë së marrosur te “Hamleti”, profetizimi i magjistricave te “Makbethi” mjaft pasazhe tek “Antoni dhe Kleonatra”).

Veprat e para të Shekspirit në zhanrin e poezisë u shkruan dhe u botuan pasi ai kishte arritur të njihej si dramaturg. Në vitin 1593 u botua “Venusi dhe Adonisi” në vitin 1594 – “Përdhunimi i Lukrecias”, në vitin 1598/9 – 20 këngë lirike (midis tyre disa sonete) në “Pelegrini i apasionuar”, në vitin 1601 – “Feniksi dhe breshka”. Në këtë periudhë, me ndërprerje, Shekspiri filloi të shkruante sonetet, që i vazhdoi deri në vitin 1600. Ato qarkulluan për një kohë të gjatë në rrethin e miqve të tij dhe u botuan vetëm në vitin 1609. Ato u shkruan në kohën kur Shekspiri pati arritur pjekurinë e tij të plotë dhe paraprinë drama të tilla si “Hamleti”, “Makbethi”, “Otello”, “Antoni dhe Kleopatra”./ Konica.al / KultPlus.com

88 vjet nga lindja e kompozitorit Agim Krajka

Agim Krajka u lind në Kavajë, më 3 maj 1937, në një familje me origjinë dibrane. Babai i tij ishte i pasionuar pas muzikës, dhe si amator luante në disa instrumente muzikore, si violinë, mandolinë, fizarmonikë.

Dashuria dhe pasioni për muzikën tek Agimi lindën që në fëmijëri, të cilën ia ushqeu edhe vetë i ati. Fizarmonika u bë shkak që vajti në Shtëpinë e Pionierit, ku filloi të merrej seriozisht me të.

Në vitin 1963 Agimi fillon studimet për teori e kompozicion. Degën e Kompozicionit e ka kryer nën drejtimin e të madhit Çesk Zadeja. Në vitin 1964 kalon pranë Ansamblit të Këngëve dhe Valleve popullore; në fillim si instrumentist, e më pas si kompozitor dhe drejtues orkestre.

Veprimtaria e tij muzikore është shumë e gjerë dhe përfshin një periudhë prej tri dekadash. Ka shkruar muzikë në shumë lloje dhe është bërë i famshëm si me muzikën e lehtë, ashtu edhe më atë popullore, të përpunuar e orkestrale.

Ka kompozuar mjaft pjesë orkestrale për fizarmonikë dhe me qindra këngë të muzikës së lehtë. Ka marrë pjesë në shumë festivale të muzikës deri në festivalet e fundit të pasviteve ‘90, duke filluar me këngën e famshme “Lemza”, kënduar nga Vaçe Zela në Festivalin e Parë të Këngës në Radio më 1961.

Ai është nderuar me mbi 15 çmime të dyta, 3 çmime të treta dhe vetëm një çmim të parë në Festivalin e vitit 1987, me këngën “Nuk e harroj”, të kënduar nga motrat Libohova. Agim Krajkës i është dhënë titulli “Artist i Popullit”. / KultPlus.com

Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje, 62 vite nga lindja e Agim Ramadanit

Sot janë bërë 62 vite nga lindja e Heroit të Kosovës Agim Ramadanit.

Agim Ramadani (3 Maj 1963 – 11 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën “KATANA”, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës së Koshares.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, ai zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake kundër forcave serbe përreth kufirit Kosovë–Shqipëri dhe ai gjithashtu udhëhoqi Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies heroike të tij. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmor më 11 Prill 1999 në fshatin Koshare të Komunës së Gjakovës gjatë një luftimi ballë për ballë me forcat serbe.

Të parët e Familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai e braktisi ish–Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit–KATANËS./ KultPlus.com

Çelja e sezonit turistik në Himarë, aktivitete të shumta argëtuese dhe promovuese

Himara ka qenë kryeqendra e festimeve gjatë kësaj fundjave me rastin e çeljes së sezonit turistik të këtij viti.

Përgjatë dy ditëve në Himarë po zhvillohen festimet, të cilat synojnë të promovojnë Himarën si një nga destinacionet më tërheqëse në Rivierën shqiptare.

Në kuadër të kësaj feste po mbahet dhe festivali dyditor i titulluar “Magji mbi Jon”.

Festimet e çelura dje vijuan edhe gjatë ditës së sotme me aktivitete të ndryshme, ku në fokus ishin fëmijët.

Ngjyra, krijimtari dhe shumë buzëqeshje nga më të vegjlit, të cilët u bënë pjesë e atmosferës festive përmes pikturave plot fantazi në fytyrat e tyre. Ata përjetuan momente të bukura që e bëjnë këtë fillim sezoni edhe më të veçantë.

WebikeAlbania bëri të mundur në Himarë edhe pedalimin virtual që i dha energji hapjes së sezonit turistik.

Të rinj, fëmijë e vizitorë provuan një eksperiencë ndryshe – një udhëtim imagjinar mbi biçikletë, përmes peizazheve shqiptare. Kjo ishte një mënyrë argëtuese dhe miqësore me mjedisin për të promovuar lëvizjen e qëndrueshme dhe eksplorimin aktiv.

Hapja e sezonit turistik në Himarë u shoqërua me një aktivitet ndërgjegjësues për fëmijët, të organizuar nga Shoqata Shqiptare për Mbrojtjen nga Zjarri (AFPRA) dhe organizata gjermane Olam Aid, në bashkëpunim me Bashkinë Himarë.

Fëmijët morën pjesë në një trajnim edukues mbi parandalimin dhe rrezikun nga zjarret, ku nëpërmjet lojërave, demonstrimeve dhe pyetjeve interaktive, mësuan si të reagojnë në situata emergjente dhe si të kujdesen për natyrën gjatë sezonit të verës.

Ky aktivitet synon të rrisë ndërgjegjësimin që në moshë të vogël për mbrojtjen e mjedisit dhe rëndësinë e një sjelljeje të kujdesshme ndaj zjarrit.

Mbrëmjen e djeshme në Himarë performoi këngëtarja Aurela Gaçe, ndërsa sonte në mbrëmje skena do t’i takojë këngëtarit të njohur grek, Kristos Mastoras./ KultPlus.com

William Shakespeare: Ferri është i zbrazët, të gjithë djajt janë këtu


“Mos keni frikë nga madhështia. Disa lindin të mëdhenjë, e disa e arrijnë, ndërsa të tjerët e kanë madhështin të ngulur mes tyre.”

“Ferri është i zbrazët. Të gjithë djajt janë këtu.”

“Ne e dim çka jemi, por nuk e dim çka mund të bëhemi.”

“Frikacakët vdesin mijëra herë para vdekjes; guximtari vdekjen e shijon vetëm njëherë.”

“Mos e humb dashurinë tënde aty ku ajo nuk vlerësohet.”

“Nuk dashurojnë atë që nuk e shfaqin dashurinë e tyre.”

– William Shakespeare / KultPlus.com

Gjirokastra zhvillohet edhe po shkëlqen, 600 mijë turistë në 2024

Gjirokastra pas investimeve të kryera vitet e fundit nga 6 mijë turistë në vit që e vizitonin para 2013, vitin e kaluar arriti në 600 mijë.

Kështu deklaroi sot kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim në Gjirokastër për prezantimin e arritjeve kyçe për sektorët më të rëndësishëm dhe sfidat e Shqipërisë 2030 në BE.

“Pyetja që më vjen natyrshëm është po pse votojnë njerëzit. Faktikisht besoj që njerëzit votojnë në shumicë sepse kur ne themi gjëra me të cilat të tjerët qeshin, këta të berbehaneve përqeshin, kjo është propagandë. Edhe pse shumë nga gjërat që bëhen nuk dalin nëpër këto pasqyrat e kënetave faktikisht prekin drejtpërdrejt njerëz edhe arrijnë drejtpërdrejt tek njerëzit”, tha Rama.

Përshembull, vijoi Rama, kur ne themi që Gjirokastra kur ne morëm detyrën kishte 6 mijë turistë në vit, ndërkohë që vjet kishte 600 mijë, këtë berbehanet e përqeshin ndërkohë që gjirokastritët e dinë dhe jetojnë përditë dhe e shohin përditë faktin që këtij qyteti i ishte vënë shkelmi në fyt dhe ngjante sikur po jepte shpirt.

“Sot Gjirokastra merr frymë, rritet zhvillohet edhe shkëlqen hap pas hapi në pjesë të caktuara të tij dhe për këtë arsye thashë se ç’mund të bëjmë ne në këto ditë që kanë mbetur dhe do të ishte e udhës në situata bashkëbisedimi dhe duke shfrytëzuar edhe praninë e mediave për t’iu treguar sa më shumë njerëzve disa fakte dhe të dhëna që nuk i dine”, tha Rama./ KultPlus.com

Më 3 maj 1877, u themelua Komiteti i Janinës për bashkimin e shqiptarëve

Më 3 maj të vitit 1877, në Janinë, nën kryesinë e Abdyl Frashërit, u formua Komiteti i Janinës.

Qëllimi i komitetit ishte mbrojtja e tokave shqiptare nga rreziku i copëtimit nga shtetet fqinje.

Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.

Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve për të përfshirë në shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve./ Diaspora shqiptare/ KultPlus.com

Bob Dylan edhe me ekspozitë pikture

Ylli i muzikës, kantautori amerikan, Bob Dylan do të hapë në Londër një ekspozitë me piktura që, sipas tij, janë krijuar me rezonancë emocionale.

Fituesi i Çmimit Nobel për Letërsi, 83 vjeç, do të sjellë 97 vepra origjinale që paraqesin personazhe dhe objekte në galerinë ”Halcyon”.

Ekspozita e tij personale “Point Blank”, e cila kap njerëz që luajnë instrumente, çifte, sportistë burra dhe gra, së bashku me dhoma dhe vende, bazohet në skica origjinale të krijuara midis viteve 2021 dhe 2022.

”Këto vizatime u pikturuan më pas me ngjyra, për të krijuar entitete të gjalla, që marrin frymë dhe kanë rezonancë emocionale, ngjyra të përdorura si armë dhe përcaktuese të humorit, një mjet për të treguar histori”, thotë Dylan.

“Ideja nuk ishte vetëm të vëzhgoja gjendjen njerëzore, por të hidhesha në të me një urgjencë të madhe”, tha ai.

Disa nga vizatimet janë ripunuar si studime monokromatike me blu, të kuqe dhe neutrale, të cilat mund të kujtojnë Periudhën e hershme Blu të Pablo Picasso-s.

Kate Brown, drejtoreshë dizajni në galerinë Halcyon, tha se “këto vepra në letër ndihen si kujtime, dritare të paprekshme në jetën dhe imagjinatën e njërit prej rrëfimtarëve më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”.

Paul Green, president dhe themelues i ”Halcyon”, tha se “kanë kaluar gati 18 vjet që kur ‘Halcyon’ filloi të punonte për herë të parë me Bob Dylan dhe ka qenë një përvojë e jashtëzakonshme të shikosh këtë ikonë kulturore të zhvillohet në një artist vizual kaq të respektuar dhe të rëndësishëm nga kritika”.

Dylan, i cili ka fituar 10 çmime Grammy dhe është nominuar 38 herë, është një nga kompozitorët më të vlerësuar dhe u fut në Sallën e Famës së Rock and Roll në vitin 1988.

Këngët e tij janë regjistruar më shumë se 6 000 herë, me artistë të ndryshëm si ”The Byrds”, Jimi Hendrix dhe Adele, që kanë gjetur sukses si komercial ashtu edhe kritik me këngët e interpretuara nga artistë të tjerë.

Dylan e filloi karrierën e tij në vitin 1962 me këngën ”Mixed-Up Confusion”, e cila nuk arriti të renditej në top listat e Britanisë së Madhe ose SHBA-së – përpara se të bëhej yll me një sërë këngësh të tjera në vitin 1965, duke përfshirë ”The Times They Are A-Changin”, ”Subterranean Homesick Blues” dhe ”Like A Rolling Stone”./ KultPlus.com

Giro D’italia, Gonxhja: Emocion, pasion dhe vëmendja e gjithë botës në Shqipëri

Vetëm 1 javë ka mbetur nga nisja e garës çiklistike Giro D’italia e cila vjen për herë të parë në Shqipëri.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, u shpreh në një postim në rrjetet sociale se aktiviteti më i famshëm sportiv në botë, do të mbledhë në datat 9, 10 dhe 11 maj çiklistët më të mirë të botës në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, ku do të përshkojnë terrene të ndryshme për të arritur në pikën finale.

Gonxhja tha se, “nga Durrësi në Tiranë e deri në Vlorë, më 9, 10 dhe 11 Maj, 180 çiklistë profesionistë do të garojnë në rrugët tona, duke sjellë emocion, pasion dhe vëmendjen e gjithë botës”.

“Gara çiklistike Giro D’italia është një ngjarje e madhe që do të bashkojë 3 qytete në 3 ditë”, u shpreh Gonxhja.

“Giro D’italia” një nga ngjarjet më të mëdha vjetore të sportit do të kontribuojë në promovimin e Shqipërisë, duke nxitur kështu edhe më shumë turizmin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. / KultPlus.com

“Giro d’Italia 2025” nis më 9 maj në Durrës dhe mbyllet në Vlorë

“Giro d’Italia 2025” do të nisë më 9 maj në Shqipëri, ku do të zhvillohen tri etapat e para, dhe do të përfshijë 21 etapa duke përfunduar më 25 maj në Romë.

Prezantimi i ekipeve pjesëmarrës në aktivitet do të bëhet në datën 7 maj, në orën 20:30 në sheshin “Skënderbej”.

ETAPA 1: Durrës – Tiranë (9 maj)

Xhiro do të nisë rreth orës 13:10 që nga Porti i Durrësit, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në Durrës nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë drejt Malit të Robit, në Kavajë, Rrogozhinë, Peqin, Papër, Bradashesh, Gracen, Mullet, TEG, Sauk, Surrel, Tiranë. Në Tiranë, ata do të rrotullohen nga Surreli, në rrugën “Xhanfize Keko”, drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pastaj sërish në rrugën e “Rexhekrit”, drejt Surrelit, në rrugën “Xhanfize Keko” e në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:03 në sheshin “Nënë Tereza”.

ETAPA 2: Tiranë – Tiranë (10 maj)

Gara nis që nga sheshi “Skënderbej” rreth orës 13:30, në drejtim të bulevardit “Gjergj Fishta”, pastaj nëpërmjet bulevardit “Bajram Curri” drejt sheshit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Elbasanit drejt Saukut, rikthehen në bulevardin “Bajram Curri”, nga Ura e Brrylit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri tek sheshi “Nënë Tereza”, ku rreth orës 17:15 është parashikuar të përfundojë xhiroja.

ETAPA 3: Vlorë – Vlorë (11 maj)

Xhiroja do të nisë rreth orës 13:15, nga Lungomare, ku do të bëhet nxehja dhe pedalimi i ekipeve deri sa të arrijnë në KM 0, në rrugën “Demokracia”, nga ku do të startojë gara. Sportistët do të vijojnë itinerarin drejt Kotës, në Brataj, drejt Qeparoit, më pas nga Porto Palermo në Himarë, e më pas do të kthehen nga Qafa e Llogorasë, drejt Orikumit, e nëpërmjet rrugës “Murat Tërbaçi” do të kthehen në Vlorë. Përfundimi i garës parashikohet të jetë rreth orës 17:26 në rrugën “Sadik Zotaj”./ KultPlus.com

OSBE: Mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ripohon se liria e shprehjes dhe media e pavarur janë thelbësore për një demokraci të gjallë dhe të qëndrueshme.

“Ne mirëpresim hapat e fundit të ndërmarra për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve, duke përfshirë caktimin e një pike kontakti të dedikuar të Policisë së Shtetit për sigurinë e gazetarëve. Këto janë zhvillime të rëndësishme, por disa sfida mbeten. Profesionistët dhe organizatat e medias vijojnë të përballen me kërcënime dhe trysni, duke nënvizuar nevojën urgjente për të garantuar sigurinë e tyre dhe për të mbështetur një mjedis mediatik pa presione politike dhe ekonomike, ku të mund të lulëzojë gazetaria e pavarur”, thekson OSBE në njoftimin për shtyp.

OSBE thekson se “po aq jetik është edhe roli i raportimit të saktë, të paanshëm dhe etik përmes mekanizmave efektivë vetërregullues që mundësojnë debat publik të informuar dhe angazhim qytetar. Gazetarët luajnë një rol kyç në vënien e pushtetit përballë llogaridhënies dhe besimi i publikut në punën e tyre varet nga përkushtimi i fortë ndaj standardeve profesionale dhe etike”.

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri thekson mbështetjen e saj për nismat reformuese dhe platformat e dialogut që mbrojnë lirinë e shtypit dhe promovojnë gazetarinë e përgjegjshme në Shqipëri./ KultPlus.com

‘Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë’

I vogli i familjes Franklin nuk i lexonte librat, ai i përpinte ato. Ai ngrihej në 5:00 të mëngjesit çdo ditë dhe lexonte një libër, përmbajtjen e të cilit ia rrëfente të atit ndërsa ai merrte kafenë.

Benjamin Franklin ishte më i vjetri nga burrat e shquar që themeluan shtetin amerikan dhe i pari amerikan i nderuar në Evropë si shkencëtar dhe burrë shteti, si mbrojtës i të drejtave të kolonive amerikane para mbretit të Anglisë.

Benjamin Franklin përfaqëson suksesin amerikan: nga djali i një sapunbërësi, me punë të madhe, e të pavarur ai e ngriti veten në lartësinë e madhështisë.

Biografi i tij Alfred Tamarin e përmbledh kështu rritjen e personalitetit të Benxhamin Frenklinit.

“Benjamin Franklin ishte amerikani i parë që u bë figurë botërore. Nga një djalë i ri me prirje për shkollë ai u bë shkencëtar, shpikës, legjislator, diplomat dhe burrë shteti me famë botërore”.

Emri i Benxhamin Franklinit është i vetmi emër të cilin e shohim në katër dokumentet kryesore të themelimit të Shteteve të Bashkuara: Deklaratës së Pavarësisë, Kushtetutës, Traktatit të Aleancës me Francën dhe Traktatin e paqes me Anglinë. Derisa sot shënohet përvjetori i vdekjes së tij, plot 232 vite që kur ai vdiq.

40 thënie nga Franklin

1. Fshatari mes dy avokatëve është sikur peshku mes dy macesh.

2. Zemra e një të çmenduri është në majën e gjuhës së tij, por gjuha e një të mençuri është në zemrën e tij.

3. Mësoji tët biri/vajzës të heshtë, të flasë mëson vetë.

4. Të rebelohesh ndaj tiranëve është t’i bindesh Zotit.

5. Nëse macja mban doreza, zor se do të zërë minj.

6. Tragjedia e jetës është se plakemi shumë herët dhe mësojmë shumë vonë.

7. Çdo gjë që nis me tërbim, mbaron me turp.

8. Një varkë me vela dhe një femër shtatzënë, janë gjërat më të bukura që mund të shihen.

9. Nëse e dashuron jetën, mos e shpërdoro kohën, pasi koha është substanca nga e cila përbëhet jeta.

10. Kujdes me shpenzimet e vogla, pasi një peshë e vogël mund të fundosë një anije të madhe.

11. Tre persona mund ta mbajnë një sekret, nëse dy prej tyre janë… të vdekur.

12. Ata që mund të heqin dorë nga liria thelbësore për të fituar pak siguri të përkohshme, nuk e meritojnë as lirinë e as sigurinë.”

13. Kurrë s’ka ekzistuar paqe e keqe ose luftë e mirë.

14. Nëse dështon të planifikosh, ti je duke planifikuar të dështosh.

15. Investimi në dituri paguan interesin më të mirë.

16. Luftoji gjithnjë veset e tua, jeto në paqe me fqinjët e tu dhe bëj që çdo vit i ri të të gjejë më të mirë.

17. Shtëpia nuk është vendbanim, përveç nëse ka ushqim dhe ngrohtësi për mendjen edhe për trupin.

18. Një lek i kursyer është një lek i fituar.

19. Të jesh i ngadalshëm në përzgjedhjen e shokëve, edhe më i ngadalshëm në ndërrimin e tyre.

20. Bukuria dhe marrëzia janë miq të vjetër.

21. Të jesh injorant nuk është turp aq i madh, sa të mos duash të mësosh.

22. Zoti u ndihmon atyre që ndihmojnë veten.

23. Mysafirët, si peshqit, fillon t’u vijë era pas tri ditësh.

24. Gjysmë e vërteta shpesh është një gënjeshtër e madhe.

25. Të jesh i varfër nuk është turp, por të turpërohesh për atë, është.

26. Ai i cili i ekspozon shumë shpesh gruan dhe kuletën është në rrezik t’i huazohen që të dyja.

27. Ai i cili është i mirë për arsyetime, rrallë është i mirë për ndonjë gjë tjetër.

28. Kush jeton veç nga shpresa do të vdesë nga uria.

29. Ai i cili ngrihet vonë, duhet të ecë shpejt gjithë ditën.

30. Kush dashurohet me veten e tij nuk do të ketë asnjë rival.

31. Nëse njeriu zbraz kuletën në kokë, askush nuk mund t’ia marrë.

32. Nëse nuk rrimë bashkë, patjetër duhet të rrimë të ndarë.

33. Nëse dëshiron shumë gjëra, shumë gjëra do të duken pak.

34. Nëse dëshiron të jesh i dashur, duaj dhe bëhu i dashur.

35. Mosha e humbur nuk është gjetur asnjëherë përsëri.

36. Shumë njerëz mendojnë se po blejnë kënaqësinë, kur ata në të vërtetë i shesin veten asaj.

37. Asnjë komb nuk është shkatërruar ndonjëherë nga tregtia.

38. Vrojto të gjithë njerëzit, veten më së shumti.

39. Mos fol keq për asnjë njeri, por i thuaj të gjitha të mirat që i di, për të gjithë. / KultPlus.com

Da Vinçi: Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja

“Asgjë më shumë se heshtja nuk e forcon autoritetin”.

“Asgjë nuk mund të urrehet ose të dashurohet nëse fillimisht ajo nuk kuptohet.”

“I dua ata që mund të qeshin në vështirësi, ata që mund të fitojnë forcë nga vuajtja dhe të rriten trimërisht nga reflektimi.”

“Sa më e thellë është ndjenja, aq më e madhe është dhimbja.”

“Do të vijë koha kur njerëzit njësoj sikur unë tani, kafshën e vdekur do ta shohin ashtu siç e shohin tani njeriun e vdekur.”

“E gjithë dija jonë origjinën e saj në përceptimet tona.”

“Të padobishme dhe përplot gabime janë të gjitha ato shkenca që nuk janë të lindura nga përvoja – nëna e gjithë dijes.”

“Unë u zgjova vetëm për ta parë se pjesa më e madhe e botës ishte ende në gjumë.”

“Ai që dëshiron të bëhet i pasur brenda një dite, do të jetë i varur brenda një viti.”

“Mençuria është bija e përvojës.”

– Leonardo da Vinçi

/KultPlus.com

502 vite nga vdekja e Leonardo Da Vinçit, gjeniu i Rilindjes

Sot janë bërë 506 vite nga vdekja e njërit ndër personalitetet më të shquara perëndimore dhe botërore – Leonardo Da Vinçi.

Ai lindi në kohën dhe vendin e duhur – Anchiano/Fiorentinë. Qytetin simbol të kulturës së atëhershme.

Në 502 vjetorin e vdekjes së njërit nga artistët më me ndikim në historinë e artit botëror, KultPlus ju sjell disa fakte interesante mbi jetën e artistit.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pak ka arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur./KultPlus.com

“Substanca”, ekspozitë një vit pas ndarjes nga jeta të piktorit Ali Oseku

Video, fotografi dhe piktura që sjellin në vëmendje Ali Osekun në 1-vjetorin e ndarjes nga jeta të artistit u prezantuan në ekspozitën multimediale “Substance/In memoriam” të çelur në galerinë FAB të Universitetit të Arteve.

“Substance” e artit të Ali Osekut mblodhi miq të artistit dhe familjarët për testamentin e tij artistik një vit pa piktorin.

Vizatime, portrete, autoportrete janë pjesë e kësaj ekspozite ku nuk mungoi dhe prania e vetë artistit përmes një videoje realizuar me inteligjencë artificiale.

Mjediset e universitetit janë skena ku ai kaloi pjesën më të madhe të jetës, duke mësuar breza artistësh e duke mos e humbur asnjëherë dimensionin e lirisë që e kishte të shenjtë.

Ekspozita “Substance” është homazh për mikun, artistin si një akt kujtese.

Një njeri dhe artist i madh, Oseku nuk mund të përmblidhet në një ekspozitë retrospektivë, por sjell për dashamirët jetën dhe veprën e tij të ndarë në dy kohë.

Në qendër të kësaj ekspozite ndodhet një vepër e hershme, puna e diplomës, gjetur rastësisht në oborrin e shkollës e vendosur në tokë si një objekt që përçon peshën e kujtesës, tejkalon subjektin e pikturuar dhe tregon të gjithë historinë e ëndrrës së artistit të thyer e përthyer në kohë të errët. Në muret përreth saj qëndrojnë disa vepra të kohës se re, ku drita dhe hapësira mbizotërojnë, ku ngjyra bëhet gjuhë, dhe heshtja-mesazh.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 10 maj në galerinë FAB.

‘Essence’, ekspozita 1 vit nga vdekja e Ali Osekut, foto: Agim Dobi./atsh/KultPlus.com

Eja ashtu si je

Poezi nga Rabindranath Tagore.

Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet,
Nëse gërsheti t’është prishur, apo flokun s’e ke drejt,
Nëse kordelin në bel s’e ke lidhur, nuk ka dert,
Eja ashtu si je, mos humb kohë me tualet.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë,
Nëse këmbët t’i njomë vesa, nëse mbetesh pa sandale,
Nëse perlat të këputen nga xherdani, mos ki dert.
Eja mbi bar me hapa të shpejtë.

A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?
Varg lejlekët fluturojnë lart dhe era shpejton mbi shkurre.
Kafshët të trembura nisen vrap në stane.
A po i sheh retë duke u mbledhur në qiell?

Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.
E kush mund ta vërejë se bloza qepallën s’ta ka prekur?
Se sytë i ke më të zi se retë e shiut?
Ti kot ndez llambën për t’u stolisur; ajo dridhet dhe e fikë era.

Eja ashtu si je, mos u vono me tualet
Nëse kurorën s’e ke thurur, s’ka dert?
Nëse zinxhirin e dorës s’e ke lidhur, ashtu lëre.
Është vonë; qielli u bë terr nga retë.
Eja ashtu si je, mos u vono me tualet./KultPlus.com

Përkthyer nga Ag Apolloni.

Etërit na ikën, në ditëvite të ndryshme

Poezi nga Zhuliana Jorganxhi

Etërit na ikën…
Në ditëvite të ndryshme.
Me vdekje të thjeshta,
si jeta e tyre.

Na ikën…
Cdo ditë e më shumë
ua numërojmë të mirat…
Ku ishim më parë
ne bijtë, ne bijat?!

Tani, që s’i kemi,
ah, dhe një çast t’i kthenim!
Të bëjmë ca rrugë
andej nga Liqeni,
t’iu japim një kafe,
që s’ua dhamë te “Rinia”
dhe tutje më shumë
t’iu bëjë pleqeria…
Rradhëve mos t’i lodhim
në asnjë lloj dyqani,
Mbrëmja mos heshtojë
me sy tek ekrani.
Të nisim udhë bisedash
për botën anembanë,
një gotë, çdo mbrëmje
ta pimë me etërit tanë…

Cfarë s’japim,
t’iu jepnim,
ato, që dot s’ua dhamë!
Të urtëve,
të pafjalëve,
të mirëve,
etërve tanë!/ KultPlus.com

Kë doni ta fitojë Eurovision? Shqipëria me rezultat befasues në sondazhin e huaj

Provat për Eurovision 2025 do të fillojnë së shpejti në Bazel. Brenda dy javëve të ardhshme, do të merren vendime që do të përcaktojnë fituesin nga 37 artistët konkurrues.

Shqipëria këtë vit përfaqësohet nga grupi Shkodra Elektronike me këngën “Zjerm”, e cila është mirëpritur gjerësisht nga publiku dhe kritika. Madje, në një sondazh të zhvilluar së fundmi nga portali i njohur evropian Wiwibloggs, “Zjerm” ka dalë në krye si kënga më e preferuar për të fituar festivalin.

Sipas rezultateve të sondazhit, kënga shqiptare ka marrë 2,106 vota, që përbëjnë 11.11% të totalit të votuesve, duke lënë pas konkurrentë të fortë si Finlanda dhe Suedia. Vendi i dytë i takon Finlandës me 1,969 vota (10.39%), ndërsa Suedia renditet e treta me 1,620 vota (8.55%).

Rezultatet:

Shqipëria – 11.11%, 2,106 vota
Finlanda – 10.39%, 1,969 vota
Suedia – 8.55%, 1,620 vota
Austria – 6.38%, 1,210 vota
Spanja – 4.64%, 879 vota
Holanda – 3.65%, 692 vota
Izraeli – 3.61%, 685 vota
Franca – 3.32%, 630 vota
Greqia – 3.28%, 622 vota
Polonia – 3.10%, 588 votat
Malta – 3.10%, 587 vota
Gjermania – 3.06%, 580 vota
Mbretëria e Bashkuar – 2.78%, 526 vota
Australia – 2.58%, 488 vota
Estonia – 2.46%, 467 vota
Lituania – 2.11%, 400 vota
Norvegjia – 2.11%, 399 vota
Danimarka – 2.03%, 384 vota
Irlanda – 2.02%, 383 vota
Çekia – 1.95%, 369 vota
Islanda – 1.75%, 332 vota
Zvicra – 1.50%, 285 vota
Ukraina – 1.35%, 256 vota
Belgjika – 1.35%, 256 vota
Luksemburgu – 1.32%, 251 vota
Letoni – 1.31%, 248 vota
San Marino – 1.21%, 229 vota
Qipro – 1.03%, 196 vota
Kroacia – 0.94%, 178 vota
Portugalia – 0.78%, 148 vota
Mali i Zi – 0.77%, 146 vota
Sllovenia – 0.77%, 145 vota
Armenia – 0.75%, 142 vota
Azerbajxhani – 0.73%, 138 vota
Serbia – 0.62%, 117 vota
Gjeorgjia – 0.28%, 53 vota

Gjithsej vota: 18,951/KultPlus.com

Ura më e lartë në botë që tejkalon edhe rrokaqiejt më të famshëm në planet

Quhet Ura e Kanionit Huajiang dhe do të jetë ura më e lartë në botë, jo për sa i përket lartësisë së shtyllave, madje as lartësisë së tyre mbi nivelin e detit, por në lidhje me distancën vertikale mbi të cilën do të vendoset kuverta.

”Plot 625 metra, domethënë distanca që do të ndajë sipërfaqen e rrugës nga pika më e ulët e tokës, në këtë rast lumi Beipan”, shkruan focus.it.

Me fjalë të tjera, ajo që e bën atë një përsosmëri inxhinierike është boshllëku poshtë strukturës.

Vepra kineze (43 nga 50 urat e varura “më të larta” në planet ndodhen në Kinë) do ta kalojë me 60 metra mbajtësen aktuale të rekordit, Urën Duge (565 metra), e ndërtuar në vitin 2016 afërsisht 200 kilometra më në veri, përsëri për të kaluar kanionin e thellë nëpër të cilin rrjedh Beipan.

Struktura masive u ndërtua vetëm tre vjet, duke kushtuar afërsisht 283 milionë dollarë, dhe është planifikuar të hapet për trafik deri në qershor të vitit 2025.

Për të kuptuar lartësinë marramendëse që po mbulon tashmë, mund të bëjmë një krahasim me disa nga rrokaqiejtë më të lartë në planet: Qendra Botërore e Tregtisë në Nju Jork, për shembull, mat “vetëm” 541 metra dhe, midis të gjithave, vetëm tre kanë numra më të mëdhenj (Burj Khalifa në Dubai, 830 metra, Merdeka 118 në Kuala Lumpur 680 metra, dhe Kulla e Shangait, 632).

Në përgjithësi, ura e varur është 2 890 metra e gjatë, me një hapësirë ​​kryesore prej 1 420 metrash dhe dy kulla mbështetëse me lartësi 262 metra./KultPlus.com

Rekord “Guiness” dhe panair, Himara çel sezonin turistik

Himara çel sot sezonin turistik me festivalin dyditor “Magji mbi Jon”.

Në kuadër të çeljes së sezonit do të mbahen edhe një sërë aktivitetesh të ndryshme.

Aktiviteti i parë ishte ai në orën 9:00 ku njeriu i rekordeve botërore dhe të Guinness-it, Agim Agushi, pas shumë sukseseve edhe ndërkombëtare, ishte në Himarë ku edhe fitoi rekordin e 16-të botëror të xhonglimit të topit me kokë duke veshur 14 bluza në një hapësirë vetëm 1 m2.

Në një performancë në qendër të qytetit bregdetar, Agushi ia ka arritur të fitojë certifikatën botërore, duke lënë një shenjë të suksesit të tij edhe në qytetin bregdetar.

“Është rekordi i 16-të, i cili u arrit në Himarë, në një disiplinë e cila është kërkuar nga selia e librit të Guiness në Londër, veshja e 14 fanelave duke xhongluar me top dhe duke qëndruar në një hapësirë 1 m2.  Prej sot Himara do të jetë në librin e Guinness. Certifikatën me emrin e Himarës do t’ia sjell kryetarit të bashkisë”, tha Agim Agushi.

Kryetari i bashkisë Himarë shprehet i lumturi që Agim Agushi ka zgjedhur Himarën për këtë rekord, duke e nisur me këmbë të mbarë çeljen e sezonit turistik

“Kënaqësi për mua dhe Himarën. Ky nuk do të jetë rekord i Agimit, por rekordi i Agim Agushit në Himarë”, tha Vangjel Tavo.

Agim Agushi është fitues edhe i rekordeve të tjera Guinness në disiplinat e lira, pasi ka mundur të lërë pas polakun Dariusz Kolodziczyk.

Gjithashtu, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo vizitoi sot edhe panairin e ngritur në zemër të Himarës “Shije, art dhe traditë”.

Panairet e çeljes së sezonit sjellin prodhime vendase, zeje artizanale dhe shumë ngjyra që pasqyrojnë shpirtin e jugut, theksoi Tavo në një postim në rrjetet sociale./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani përkujton masakrën e Studimes: “Plagët nuk shërohen, por e vërteta do të jetojë brez pas brezi”

Në 26-vjetorin e masakrës së Studimes në komunën e Vushtrrisë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar me nderim dhe dhimbje viktimat e asaj që ajo e cilësoi si një nga aktet më mizore të regjimit gjenocidal serb.

Në një deklaratë publike, Presidentja rikujtoi se më 2 maj të vitit 1999, brenda vetëm dy orësh, 116 civilë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë mizorisht vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

“Plagët e asaj dite të kobshme nuk do të shërohen kurrë, por e vërteta për mizoritë e kryera do të mbahet gjallë e do të përcillet brez pas brezi”, u shpreh Osmani.

Ajo nënvizoi gjithashtu se drejtësia për viktimat mbetet një ndër prioritetet kyçe të shtetit të Kosovës, ndërsa martirët e Studimes i cilësoi si “testament i përjetshëm i lirisë sonë”.

“Qoftë i përhershëm kujtimi për martirët e Studimes,” përfundoi ajo.

Masakra e Studimes mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, që vazhdon të kërkojë drejtësi ndërkombëtare dhe njohje historike të dhimbjes së popullit shqiptar./KultPlus.com