105-vjetori i Bibliotekës Kombëtare

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë sot feston 105-vjetorin e themelimit të saj.

10 korriku i vitit 1920 çeli një kapitull të rëndësishëm e të përjetshëm në historinë e librave, periodikëve dhe trashëgimisë kulturore të vendit, përmes themelimit të institucionit më të rëndësishëm kulturor në vend, Bibliotekës Kombëtare (BKSH).

Grumbullimi i fondit të kësaj biblioteke nisi me dhurimet e mandej përmes përpjekjeve të vazhdueshme të intelektualëve të kohës për ta pasuruar koleksionin e saj. Sot Biblioteka Kombëtare ruan një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh, inkunabulash të rralla, rreth 2900 antikuarë, hartash dhe kopjesh për çdo botim në Republikën e Shqipërisë.

Institucioni i BKSH, fton në këtë ditë të kujtojmë e reflektojmë mbi vlerat e pakrahasueshme të librit, leximit, studimit e mbi të gjitha, njohjes së historisë së kulturës sonë shkrimore.

Gjithashtu Biblioteka Kombëtare bën të ditur se do të zhvillohen një sërë aktivitetesh në vijim të këtij përvjetori të rëndësishëm./atsh/KultPlus.com

Bylisi, qyteti antik ku historia është qëndisur me gurë

Bylisi, një nga qytetet antike dhe më të rëndësishëm në Shqipëri, më në fund po merr vëmendjen që meriton.

Në pamjet e shpërndara online nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, duket qartë madhështia e Bylisit, e kësaj trashëgimie që na e kanë lënë të parët dhe që na bën krenarë që jetojmë këtu dhe krenarë kur e vizitojnë udhëtarë nga e gjithë bota.

Parku Arkeologjik i Bylisit është një pasuri të rrallë e trashëgimisë kulturore shqiptare dhe një nga qytetet më të ruajtura të Ilirisë.

Bylis është i ndërtuar mbi një kodër që mbikëqyr luginën e Vjosës, me mure monumentale të shekullit IV para Krishtit, me një teatër mbresëlënës, mozaikë të rrallë dhe pesë bazilika paleokristiane.

Falë Planit të Menaxhimit 2024–2029, në kuadër të programit IPA “BE për zhvillimin ekonomik – drejtuar nga turizmi”, të zbatuar nga ‘AICS’, Bylisi dhe qyteti antik i Klosit po shndërrohen në qendra të reja zhvillimi, edukimi dhe bashkëpunimi.

Plani i Menaxhimit përfshin: restaurim profesional dhe mbrojtje të qëndrueshme; përmirësim të infrastrukturës dhe shërbimeve për vizitorët; mbështetje për komunitetin në fushën e turizmit dhe artizanatit; programe edukative për brezat e rinj./atsh/KultPlus.com

73 vjet nga themelimi i Kinostudios, shtëpisë së filmit shqiptar

Më 10 korrik 1952, filloi punën industria e filmit shqiptar me inaugurimin e ndërtesës “Shqipëria e Re” dhe me kompleksin e studiove filmike Kinostudio, në periferi të Tiranës.

Filmi i parë i prodhuar ishte “Skënderbeu”, bashkëpunim ky me sovjetikët në vitin 1953, ndërsa filmi “Tana” i vitit 1958 mban vulën e prodhimit shqiptar duke u ndjekur nga 270 filma me metrazh të gjatë, 700 dokumentarë dhe 150 filma të animuar.

Në vitet ’80 Kinostudio “Shqipëria e Re” arriti një prodhim prej 14 filmash në vit. Pas ndryshimit të sistemit, ajo u transformua në “Albafilm”, ekzistenca e së cilës zgjati deri në vitin 1996.  Në vitin 1996 kjo qendër u quajt Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Nga janari i vitit 2015 në këtë godinë të stilit neoklasik, e cila është konsideruar si unikale nga arkitektët, ndodhet Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare Shqiptare e Kinematografisë, Instituti i Monumenteve të Kulturës, etj.

“Shqipëria e Re” lë në trashëgim mbi 200 filma, një pjesë e të cilëve ishin prodhim i propagandës shtetërore, filma të realizuar me mungesa jo të vogla teknike, por me gjithë kornizat ideologjike dhe autocensurën e kineastëve, trashëgimia e Kinostudios “Shqipëria e Re”, mbetet në kujtesën e shumë brezave./KultPlus.com

Kalaja e Gjirokastrës plot me turistë të mahnitur nga pamja që ofron

Kalaja e Gjirokastrës priti një numër të madh vizitorësh, ashtu siç ndodh shpesh këto ditë të sezonit turistik. “DRTK Gjirokastër” publikoi pamjet plot jetë, histori dhe zëra nga e gjithë bota, që enden mureve të gurta.

Vizitorë vendas dhe nga bota që ecin mbi gurët shekullorë, grupe turistike që vizitojnë dhe prijnë drejt historisë, aparate që shkrepin kujtime, kjo është pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

Që në hyrje të kështjellës gjendet galeria e topave dhe një koleksion i armëve që janë mbledhur që nga lashtësia e deri në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore. Pranë mureve, në pjesën ku qëndron aeroplani shpaloset një peizazh mahnitës i të gjithë luginës së lumit Drino dhe maleve gjetkë.

Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota./atsh/KultPlus.com

Dervishi ‘fluturues’ magjeps qytetarët në sheshin ‘Skënderbej’

 Vallëzimi sufi me ngjyrat dhe tingujt e traditës egjiptiane solli atmosferë të pazakontë sot për të gjithë qytetarët dhe vizitorët që mbushnin pasditen e sotme sheshin “Skënderbej” në kryeqytet.

Pas nisjes në sallën “Tonin Harapi” një natë më parë, “Java Egjiptiane vijoi sot në sheshin qendror të Tiranës me performancat “Tanoura”.

Qytetarët të befasuar u përfshinë në përvojë unike shpirtërore dhe artistike, me lëvizjet rrotulluese të dervishit “fluturues”.

Mjaft prej tyre u bashkuan në lëvizje të ftuar nga ritmi i valles.

Vallëzimi tregon historinë e lidhjes midis tokës dhe qiellit, njeriut dhe Zotit. Valltari rrotullohet rreth vetes dhe duket sikur nuk është më në këtë botë. Ai rrotullohet për gati 30 minuta dhe më pas ndalon pa shfaqur asnjë shenjë marramendjeje.

Vallja mahnitëse Tanoura, është një performancë tradicionale që bashkon shpirtin dhe lëvizjen, e frymëzuar nga rrotullimi sufi.

Vetë fjala do të thotë fund, pasi valltari vishet me funde shumëngjyrëshe e shtresa të shumëfishta për ta bërë rrotullimin Akoma edhe më hipnotizues.

Java Egjiptiane do të vijojë me të tjera ngjarje ku përfshihet edhe eksplorimi i shijeve të pasura, aromave të forta dhe recetave autentike, pa lënë mënjanë dhe shfaqjen e prodhimeve të kinematografisë egjiptiane./atsh/ KultPlus.com

Anibar shpalos programin e edicionit të 16-të, pjesë e festivalit mbi 25 filma në tre programe të veçanta

Festivali Ndërkombëtar i Animacionit “Anibar” shpalos zyrtarisht përmbajtjen e tre programeve të veçanta të titulluara Palestine Animated, Shorty and Trashy dhe WTF OFF, që këtë vit sjellin në ekranet e Pejës 28 filma nga më shumë se 16 vende të botës, të cilët sfidojnë perceptimin tonë mbi realitetin.

Filmat e përzgjedhur për këto tri programe në këtë edicion të 16-të, eksplorojnë absurditetin njerëzor,
frikën, dhimbjen, shpresën e rezistencën e njeriut edhe atëherë kur ndjehet plotësisht i harruar nga bota.
Ndër to, prodhime të veçanta i japin zë popullit palestinez i cili vazhdon të krijojë art edhe nën kushte
gjenocidiale.

Pjesë e programit “Palestine Animated” janë 8 filma që ofrojnë një pasqyrë të realitetit në Palestinë dhe
përballjes së përditshme me terrorin e luftës. Filmi “Night” përçon vuajtjen e një nëne që pret kthimin e
djalit të saj, kurse “The Tower”, është një rrëfim i ndjerë për jetën në kampet e refugjatëve, i treguar
përmes syve të një vajze të vogël.

Filmi “Grandmother wore us out” është një animacion i krijuar nga artistë të rinj në bashkëpunim me
UNRWA-në. Pastaj “Uncle, Give Me a Cigarette” frymëzohet nga jeta e shkrimtarit palestinez Walid Daqqa dhe eksploron betejat e burgosjes. “Mariam”, ekranizon një histori për trashëgiminë kulturore si formë e qëndresës ndaj humbjes dhe dhunës.

Po ashtu përfshihen edhe “Memory of the Land”, “Limitless” dhe “Zoo”, që trajtojnë temat e lirisë së
kufizuar dhe përballjes me realitetin e ashpër.

Në anën tjeter, Programi “Shorty and Trashy” kuruar nga Miyu Distribution shpalos filmat si “Animals”
nga Danimarka, ku një udhëtim i zakonshëm në metro shndërrohet në një betejë për mbijetesë. “The
Night I Dance with Death”, është një eksplorim i frikës së brendshme përmes një udhëtimi psikedelik
ndërsa në “Deadman’s Reach”, shfaqet udhëtimi i një burri ne një shkretëtirë pas një dashurie të
humbur.

Nga programi “WTF OFF” do të shfaqen gjithsej 12 filma përfshirë “Little Donnie” apo kukulla e
animuar Donald Trump që terrorizon vendin, “Corn Man” një njeri misri që lufton me rosa, dhe
“Satellite Jockey – Paix Sociale”, që e paraqet presidentin francez Emmanuel Macron si një valltar
diskoje, vampir-bankier dhe si një ekstremist i skijimit në ujë.

Këto janë vetëm disa nga shumë udhëtimet në tema që kanë në qendër shumë pikëpyetje të realitetit tonë.

Peja do të jetë nikoqiri juaj nga 14 deri më 20 korrik./ KultPlus.com

Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk: DokuFest shpalos temën e edicionit 24

Lakmi, Pafund Çmendi, Boshllëk, një deklarim i gjendjes shpirtërore dhe politike përmes të cilës edicioni i sivjetmë i festivalit DokuFest reflekton klimën e kohës sonë të dominuar nga lufta të vazhdueshme, apatia dhe boshllëku emocional.

Kjo temë nuk është koncept, por një tog fjalësh që pasqyrojnë pafuqinë tonë për të reaguar ndaj padrejtësive dhe për të ruajtur shpresën në një botë të mpirë nga dhuna dhe konsumimi vizual i saj.

Përmes filmave, diskutimeve dhe muzikës, DokuFest 2025 vjen si një protestë e vetëdijshme ndaj harresës, si një thirrje për të mos u shkëputur nga realiteti dhe për t’iu rikthyer gjuhës dhe fjalëve, rëndësisë së të dëgjuarit dhe të treguarit të këtij momenti në historinë tonë të përbashkët. 

 Deklarata e plotë e drejtorit artistik, Veton Nurkollari

Lakmi Pafund Çmendi Boshllëk

Programimin e këtij edicioni e patëm nisë me dy lufta në zhvillim. Kur mbërritëm në fazën e
fundit, shpërtheu e treta, katastrofike në përmasa. Lufta sot nuk është më episodike. Është bërë
e përhershme. Klimë e kohës tonë, e ushqyer nga lakmia dhe e strukur në një gjuhë që përpiqet
ta justifikojë të pajustifikueshmen.

Titulli që e kemi zgjedhë nuk është tematik. Është konstatues. Lakmi Pafund Çmendi Boshllëk
nuk është koncept. Është gjendje. Pasqyrim i vështirësisë për të menduar qartë përballë
fatkeqësive të pafundme. Është dëshmi e paaftësisë tonë për të reaguar në mënyrë
proporcionale ndaj gjithë kësaj llahtarie.

Si festival filmi nga Kosova, i një shoqërie dhe konteksti të pasluftës, ne nuk mund të jemi
dëshmitarë neutralë ndaj asaj që po ndodhë në botë. Ne vet kemi jetuar mes tmerrit. Ja njohim
fort mirë gjuhën. Lufta që po shohim sot nuk është e re. Por ajo që është e re është sa shpesh
po e hasim dhe sa shpesh po e shohim, dhe sa pak rëndësi po ka kjo gjë. Po kalojmë nëpër të
me agoni përmes scrolls nëpër telefonat tanë mobil. Po e thithim padrejtësinë. Po jetojmë
përmes kësaj plogështie të vazhdueshme.

Në Hold Everything Dear, John Berger shkruan:
“Turpi, ashtu si po e kuptoj unë, është një ndjenjë specifike që… e gërryen aftësinë për me
shpresu.”

Kjo është atmosfera në të cilën po punojmë. Me shpresë të gërryer. Me paralizë në të folur.
Asnjëherë më parë nuk kemi hezitu kaq shumë për ta shpallë një temë. Jo sepse na mungon
vizioni, por sepse kemi dyshimet tona në vetë vizionin. Cili është roli i artit, i kinemasë, i
dokumentimi dhe diskutimeve? Nuk e bëjmë këtë pyetje retorikisht, por si kërkesë. Ia
parashtrojmë vetes.

Programi i këtij viti është përpjekje për t’u përgjigjë, për t’i rezistu mpirjes, për ta shpëtuar gjuhën
nga manipulimi. Për të këmbëngulur se akti i të treguarit, të dëgjuarit dhe të qenit bashkë
vazhdon të ketë shumë rëndësi.

Sivjet, filmat, bisedat dhe muzikën i prezantojmë si protestë, si thirrje. Kundër boshllëkut.
Kundër dëshirës për t’u shkëputur nga realiteti. Kundër përsëritjes së vazhdueshme të aktit të
harresës./ KultPlus.com

NOW IS NOT NOW – Nga Muri i Prishtinës në Alleen e Berlinit

NOW IS NOT NOW është një vepër që fton për reflektim mbi natyrën e kohës, kujtesës dhe perceptimit. Fillimisht e prezantuar si një veprim efemere në hapësirën e Qendrës Barabar në Prishtinë, gjatë ekspozitës “I NOW” të kuruar nga Prof. Arta Agani. Ne vepren NOW IS NOT NOW u përdor gjuha e te përkohshmës – letër ngjitëse (ne murë) me jetë të kufizuar – për të adresuar pikërisht atë çfarë është rrëshqitëse dhe e paqëndrueshme: Tani.

Me këtë gjest, Globalodromia FILOART ndërton një tension të heshtur ndërmjet çastit të tanishëm dhe perceptimit të tij – një pyetje që mbetet thellësisht filozofike dhe ekzistenciale.

Kur vepra zhvendoset në një hapësirë publike siç është Frankfurter Allee në Berlin – një rrugë me ngarkesë historike dhe vizuale – ajo përfiton një tjetër shtresë përjetimi. Tani shfaqet si një instalacion ndriçues me shkronja të kuqe – ngjyrë që tërheq vëmendjen dhe mbart tension estetik – duke krijuar një kontrast midis dritës, hapësirës dhe përmbajtjes. Por kur lexuesi-sja ndalet dhe dekodon mesazhin NOW IS NOT NOW, ndjenja e parë e qartësisë transformohet në një shqetësim të brendshëm.

Në traditën e veprës ikonike HOW LONG IS NOW (mbi murin e famshëm të Kunsthaus Tacheles në Berlin 2006-2019), NOW IS NOT NOW ndërton një dialog të heshtur por të fuqishëm. Ajo e zëvendëson pyetjen me një përgjigje që, në vend të sqarojë, e komplikon më tej natyrën e përjetimit kohor.

Nga një këndvështrim bashkëkohor, kjo vepër mund të konsiderohet si një shembull i artit publik që synon të hap një mundësi reflektimi dhe ndërveprimi me ndjenjat dhe mendimet që ngjall në kalimtarin-en e rastësishëm. Një akt poetik që shndërrohet në ndërhyrje filozofike urbane, duke sfiduar jo vetëm vështrimin, por edhe vetë ndjesinë tonë për të tashmen.

Inaugurimi i vepres NOW IS NOT NOW:

E Enjte 17.07. 2025,  në orën 19:00

Bürgerhaus

Frankfurter Allee 40

10247 Berlin

Veprat në hapësira publike të grupit Globalodromia FILOART gjenden në Prishtinë dhe Prizren. “HOW LONG IS NOW” është e vendosur në Sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë, „O“ ne Galerin Kombetare te Kosoves ndërsa “WHERE IS I” gjendet në rrugën Adem Jashari në Prizren – jane keto ndërhyrje që vazhdojnë të eksplorojnë temën e kohës dhe vetëdijes në kontekste të ndryshme urbane dhe përjetuese./ KultPlus.com

Për herë të parë në 900 vjet! Tapeti i Bayeux do rikthehet në Britaninë e Madhe si ‘hua’ nga Franca

Vepra e qëndisur e artit mesjetar, e njohur si Tapiceria e Bayeuxsë – një kryevepër që paraqet Pushtimin Norman të Anglisë në vitin 1066 – do të rikthehet në Britani për herë të parë pas shekujsh, sipas Muzeut Britanik, ku do të ekspozohet në Londër duke filluar nga viti i ardhshëm

Huazimi, i cili u shpall të martën si pjesë e vizitës shtetërore të Presidentit francez, Emmanuel Macron, shënon herën e parë që vepra do të jetë në Britani që nga krijimi i saj, më shumë se 900 vjet më parë.

Tapeti i Bayeux është një vepër e rrallë qëndisjeje e shekullit XI, rreth 70 metra e gjatë, që rrëfen ngjarjet që çuan në pushtimin e Anglisë nga normandët në vitin 1066 – përfshirë Betejën e

Hastings-it dhe ngjitjen në pushtet të Ëilliam Pushtuesit.

Ajo konsiderohet një nga burimet vizuale më të rëndësishme të periudhës mesjetare.

Vepra do të ekspozohet në Muzeun Britanik në vitin 2026 dhe pritet të qëndrojë atje për rreth një vit.

Autoritetet britanike e kanë përshëndetur huazimin si një simbol të fortë të historisë së përbashkët dhe të bashkëpunimit kulturor me Francën.

Ndërkohë, Muzeu i Bayeux në Francë do të mbyllet për restaurim në fund të gushtit dhe planifikon të rihapet në vitin 2027, në kuadër të 1000-vjetorit të lindjes së Williamit, mbretit të parë norman të Anglisë, që e pushtoi vendin pas fitores në Hastings.

Paralelisht, drejtuesit e Muzeut Britanik po zhvillojnë bisedime me qeverinë greke për huazimin e përkohshëm të disa skulpturave nga Parthenoni, si pjesë e një marrëveshjeje të re për shkëmbimin e artefakteve historike./oranews/ KultPlus.com

Kosova nikoqire e Kampionatit Evropian të Esports, Ministri Çeku: Kosova e gatshme për organizime të mëdha ndërkombëtare

 Këtë vit Kosova është nikoqire e Kampionatit Evropian të Esports, një prej ngjarjeve më të mëdha të lojërave elektronike.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se 35 ekipe nga 24 shtete janë duke marrë pjesë në këtë organizim të veçantë të lojërave elektronike.

“Komuniteti ynë i Esports ka bërë rrugë të gjatë drejt një organizimi kaq të veçantë. Jemi krenarë që si Ministri kemi qenë gjithmonë pranë tyre, me mbështetje konkrete, besim dhe hapësirë për zhvillim.

Kjo ngjarje është një tjetër dëshmi se Kosova, edhe pse vend i vogël, është e gatshme për organizime të mëdha ndërkombëtare, dhe se rinia jonë është forca që po e çon vendin përpara”, thuhet në shkrimin e Ministrit Çeku./ KultPlus.com

Nga jeta, vepra dhe budallallëqet e një gjeniu, Jean de La Fontaine, poetit dhe fabulistit të shquar francez

Nga Albert Vataj

Jean de La Fontaine u lind më 8 korrik 1621 në Château-Thierry dhe u nda nga jeta më 13 prill 1695 në Paris. Ai qëndron si një nga emrat më të shquar të letërsisë franceze, një prej fabulistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave dhe pa dyshim një nga poetët më të dashur dhe të lexuar të shekullit të XVII-të. Veprimtaria e tij letrare, e përqendruar sidomos në “Fabulat”, shënoi jo vetëm një kulm artistik për këtë zhanër klasik, por edhe një themel i qëndrueshëm mbi të cilin u ndërtuan veprat e fabulistëve të mëvonshëm në të gjithë Evropën. Këto krijime, të përkthyera, të ripërpunuara dhe të interpretuara në gjuhë të ndryshme, përfshirë dialektet rajonale të Francës, vijojnë të jetojnë si thesar i mendimit universal dhe mençurisë popullore.

Pavarësisht një fillimi të ngadaltë në skenën letrare dhe njëfarë hezitimi nga oborri mbretëror, La Fontaine përfundimisht u pranua në Akademinë Franceze në vitin 1684, një nder që përfaqësonte njohjen më të lartë të kohës për kontributin në letërsi. Prej asaj kohe e deri më sot, emri dhe figura e tij nuk janë zbehur kurrë në kujtesën kulturore të Francës. Statujat, medaljet, monedhat dhe pullat postare që i janë kushtuar, dëshmojnë për këtë nderim të pashuar dhe për vendin e veçantë që ai zë në ndërgjegjen estetike dhe qytetare franceze.

Personazhi i La Fontenit është përthithur në një lloj legjende, siç ndodh shpesh me figurat që sfidojnë format konvencionale të jetës. Ai është paraqitur nga bashkëkohësit si një shpirt i lirë, i pakujdesshëm për çështje praktike, i përhumbur në botën e ideve dhe fabulave të tij, shpeshherë deri në shkallën e harresës apo ekscentrizmit. Gédéon Tallemant des Réaux, i pari që nisi të dokumentonte këtë tipar të tij, rrëfen për një La Fontaine që i thotë të birit: “Ah, po, më duket se të kam parë diku!”, apo për ngulmimin për të sfiduar në duel një burrë që ai e dyshonte se kishte admirim për gruan e tij, vetëm për t’i kërkuar më pas të vazhdonte ta vizitonte shtëpinë si më parë.

Anekdotat e shumta, si ajo e shfaqjes në publik me çorape të palidhura apo me veshje të çrregullta, e rrethojnë figurën e tij me një aureolë çuditshmërie, që në vetvete kontraston me qartësinë therëse dhe ironinë e hollë të fabulave të tij. Ai ishte një njeri që përkonte më shumë me thelbin e artit sesa me skemat e jetës së përditshme, një prani delikate e heshtur në shoqëri, por një zë i fuqishëm në letërsi.

Jean de La Fontaine nuk ishte thjesht fabulist. Ai ishte një vëzhgues i thellë i natyrës njerëzore, që përmes gjuhës së kafshëve dhe alegorisë satirike, foli për veset, padrejtësitë dhe marrëzinë njerëzore me një mençuri që i mbijetoi kohës. Në fjalët e tij gjejmë shpesh atë që Voltaire më vonë do ta quante “arti për të thënë të vërtetën me elegancë”.

ANEKTODAT

Vizitë në shtëpinë e mikut të vdekur
* La Fonteni si njeri i hutuar që ishte, tetë ditë pasi varrosi një mik vajti tek shtëpia e tij për darkë siç bënte shpesh herë.
– Por, – u përgjigj i hutuar kamarieri kur ai pyeti për shokun e tij, – zotnia im dhe miku juaj shkoi në varreza tetë ditë më parë.
-Nuk e dini?
– Ah, po nuk ma mori mendja se ai do të rrinte kaq gjatë.

Debati me të birin
* La Fonteni ishte njëherë në shtëpinë e Dupinit, doktor i shkencave në Sorbonë, bashkë me të birin e vet. Ky në fjalë e sipër bëri disa vërejtje për të atin. Kur djali u largua, La Fonteni, që e kishte përshëndetur me respekt të madh, u drejtua nga i zoti i shtëpisë dhe e pyeti se kush ishte ai djalë që iku. Tjetri e shikoi i habitur dhe thirri:
– Si, po a nuk ishte yt bir ai?
– Po, po – u përgjigj La Fonteni, – tashmë po më duket se e kam parë
edhe herë të tjera atë njeri dhe pamja e tij nuk m’u duk e re.

Bullallëqet e komedianit
Kur La Fonteni u sëmur rëndë, prifti i rrinte shumë rreth e qark për t’i bërë shërbimet e shëlbimit të shenjtë. Infermierja që i shërbente të sëmurit i tha priftit:
O atë! Lëreni të qetë e mos e mundoni shumë, se ai në jetë bëri më shumë budallallëqe se mëkate, dhe Zoti nuk do të ketë kurrë guximin që ta dënojë.

Epitafi për varrin e tij
* La Fonteni e kishte bërë vetë epitafin ku thuhej: “Këtu shtrihet ai që iku ashtu sikurse kishte ardhur. Hëngri trashëgiminë dhe kapiti duke besuar se pasuritë janë gjëra fare të panevojshme. Kur arriti të gjente kohë të mirë, atë e ndau në dy pjesë, njërën e përdori për të jetuar dhe tjetrën për të mos bërë asgjë”./ KultPlus.com

COD, 10 vjet nga hapja e Këshillit të Ministrave për artin dhe publikun

Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) kremtoi 10-vjetorin e krijimit.

“Në këtë përvjetor të veçantë, u rikthyem te rrënjët për të reflektuar mbi një dekadë pune, krijimtarie dhe bashkëpunimi”, shkroi drejtoresha e COD-it, Jetona Koçibelli, në profilin online të kësaj qendre.

COD-i lindi 10 vjet më parë, në 8 korrik 2015, si një nismë vizionare për të hapur godinën e Këshillit të Ministrave për publikun.

Prej vitit 2015, COD është kthyer në një model të veçantë të ndërthurjes së politikës me artin, kulturën dhe dialogun, duke mirëpritur mijëra vizitorë, figura publike, artistë e krijues nga mbarë bota. Gjatë kësaj dekade, COD ka qenë një tribunë e hapur për ide të reja, ekspozita, diskutime publike dhe promovime që nxisin frymën e gjithëpërfshirjes dhe transparencës.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, bashkëpunëtorë të COD-it ndër vite u mblodhën në mjediset e Këshillit të Ministrave për të ndarë kujtime, ide dhe mesazhe frymëzimi për të ardhmen e kësaj qendre jo vetëm si një hapësirë, por si një vizion i përbashkët për dialog dhe zhvillim kulturor./atsh/ KultPlus.com

Presidentja Osmani në Washington: Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me ShBA-në

Presidentja Vjosa Osmani është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se është takuar me Ndihmës Sekretarin e Shtetit në detyrë, Brendan Hanrahan, në Departamentin e Shtetit.

Osmani shtoi se me Hanrahan ritheksuan përkushtimin për thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyçe si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”.

“Qëndrojmë krah për krah me SHBA-të në vlera, në vizion dhe në veprim”, u shpreh Osmani.

ECMWF: Evropa Perëndimore përjetoi qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë

Evropa Perëndimore pa qershorin e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa dy valë masive të nxehtësisë përfshiu kontinentin, deklaroi Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Koperniku i BE-së.

Temperaturat mesatare arritën në 20,49 gradë Celsius, mbi rekordin e mëparshëm prej 20,43 gradësh në vitin 2003.

“Qershori 2025 pa një valë të jashtëzakonshme të nxehtësisë që ndikoi në pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore, me pjesën më të madhe të rajonit që përjetoi stres shumë të fortë të nxehtësisë”, theksoi Samantha Burgess nga Qendra Evropiane për Parashikime të Motit me Afat Mesëm (ECMWF), e cila drejton shërbimin e BE-së.

“Kjo valë e nxehtësisë u bë më intensive nga temperaturat rekord të sipërfaqes së detit në Mesdheun perëndimor. Në një botë që po ngrohet, valët e nxehtësisë ka të ngjarë të bëhen më të shpeshta, më intensive dhe të ndikojnë më shumë njerëz në të gjithë Evropën”, shtoi ajo.

Globalisht, muaji ishte qershori i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, pas viteve 2023 dhe 2024, me temperatura mesatare të ajrit në sipërfaqe prej 16.46 gradësh.

Raporti zbuloi se temperaturat e ajrit në qershor 2025 ishin mbi mesataren në pjesë të mëdha të Evropës perëndimore dhe qendrore.

Dy valë të forta të nxehtësisë goditën pjesë të mëdha të Evropës perëndimore dhe jugore në mesin e qershorit dhe në fund të muajit.

Një valë e jashtëzakonshme e nxehtësisë detare u zhvillua në Mesdheun perëndimor, duke çuar në temperaturën mesatare ditore të sipërfaqes së detit më të lartë të matur ndonjëherë në rajon, me 27 gradë Celsius./ atsh/ KultPlus.com

Këngët që bënë epokë, hitet më të mëdha të viteve ‘60

Muzika e viteve ’60 mbetet një gur themeli i kulturës moderne një periudhë që solli revolucion në zhanre të ndryshme dhe ndikoi thellësisht në shoqëri.

Nga rock-u rebel i The Beatles dhe The Rolling Stones, te tingujt shpirtërorë të Aretha Franklin dhe Marvin Gaye, kjo dekadë mbushi botën me himne që sot janë pjesë e historisë.

Sot, më shumë se 60 vjet më vonë, këto këngë vazhdojnë të dëgjohen, të analizohen dhe të frymëzojnë brezat e rinj. Vitet ’60 nuk janë thjesht një dekadë e kaluar ato janë një epokë që jeton përmes tingullit të saj të pavdekshëm.

Marvin Gaye – ‘I Heard It Through the Grapevine’ – I publikuar fillimisht nga “Gladys Knight and the Pips” në vitin 1967, versioni i Marvin Gaye doli një vit më vonë dhe qëndroi në krye të listës së këngëve pop të Billboard për shtatë javë.

The Mamas & the Papas – ‘California Dreamin’ – E publikuar në vitin 1965, kënga u bë shenja kryesore për Kaliforninë dhe lëvizjen kundër kulturore të asaj kohe. U fut në Sallën e Famës së Grammy në vitin 2001.

James Brown & the Famous Flames – ‘It’s a Man’s Man’s Man’s World’ – Një klasik i muzikës soul, kjo melodi e fuqishme u shkrua nga James Brown dhe Betty Jean Newsome dhe u publikua në vitin 1966. Ajo arriti vendin e parë në listën R&B të Billboard dhe vendin e tetë në Billboard Hot 100.

Aretha Franklin – ‘Think’ – Aretha Franklin solli muzikën funk me këngën e vitit 1968. Kënga u bë hiti i saj i shtatë në 10 vendet e para në SHBA, duke arritur vendin e 7-të në Billboard Hot 100.

Louis Armstrong – ‘What a Wonderful World’ – E publikuar në vitin 1967 si këngë e vetme, ajo kryesoi listat në Mbretërinë e Bashkuar, por pati një performancë të dobët në SHBA, pasi presidentit të shtëpisë diskografike nuk i pëlqeu kënga dhe refuzoi ta promovonte atë.

Led Zeppelin – ‘Dazed and Confused’ – E shkruar fillimisht nga kantautori amerikan Jake Holmes në vitin 1967, Led Zeppelin i dha këngës një version të ri në albumin e tyre debutues të vitit 1969. Kënga u bë një nga hitet e tyre më të mëdha.

Ike & Tina Turner – ‘River Deep – Mountain High’ – Hiti i vitit 1966 ‘River Deep – Mountain High’ konsiderohet si një nga këngët më të mëdha të të gjitha kohërave. U fut në Sallën e Famës së Grammy në vitin 1999.

Elvis Presley – ‘Suspicious Minds’ – E përfshirë në albumin e tij “68 Comeback Special”, kënga “Suspicious Minds” ishte një nga këngët që ringjalli suksesin e Presley-t në top lista, duke e bërë atë një nga këngët e tij më të paharrueshme.

Creedence Clearwater Revival – ‘Fortunate Son’ – E publikuar në vitin 1969, kënga u bë shpejt një himn i lëvizjes kundër luftës dhe një simbol i kundër kulturës që kundërshtonte përfshirjen e SHBA-së në Luftën e Vietnamit.

Jimi Hendrix – ‘Manic Depression’ – E shkruar dhe e regjistruar nga Jimi Hendrix në vitin 1967, ‘Manic Depression’ shfaq në mënyrë të përkryer teknikat unike të kitarës dhe melodinë të Hendrix./rtsh/ KultPlus.com

‘Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë’

Dhjetë fragmentet më të bukura nga librat e Stefan Zweig.

“Vetëm fatkeqësia e mërgimit mund të jua japë thellësisht kuptimin dhe pasqyrimin e realiteteve të kësaj bote.”

“Shpirti i lirë dhe i pavarur, i cili nuk beson në dogma dhe nuk vendos në favor të asnjë partie, nuk mund të gjejë shtëpi në këtë botë.”

“Vetëm personi që e ka provuar dritën dhe errësirën, luftën dhe paqen, ngritjen dhe rënien, vetëm ai e provuar vërtetë jetën.”

“Kisha mbërritur në një moshë në të cilën të tjerët tashmë veç ishin të martuar për kohë të gjatë, kishin bërë fëmijë dhe mbanin pozita të rëndësishme dhe që kishin qenë të obliguar ta prodhonin më të mirën që ka qenë brenda tyre, me energjinë e tyre të plotë.

Ndërsa unë ende e konsideroja veten të ri, një amator që e kishe kohën e pakufishme, dhe që hezitoja për çfardo vendimi përfundimtar.”

“Bota e djeshme”, Stefan Zweig

“I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe netë, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtim për ju – një grua, një e huaj.

Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qënies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj.

Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndërrat e tua.

Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni mashkull i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qënie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj.

Është i kotë tentimi i juaj si mashkull për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju.

Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo.”

“Kujdes dhe Keqardhje”, Stefan Zweig

“Forca e një dashurie nuk mund të matet kurrë saktë, kur njeriu e vlerëson atë nga forca që e lind dhe jo nga tensioni që ndjehet më parë, nga ajo hapësirë e zgavërt dhe e errët zhgënjimi e vetmie, që u paraprin të gjitha ngjarjeve të mëdha të zemrës.

Edgarin e mundonte prej kohësh pesha e tejrëndë e ndjenjave të pakonsumuara dhe tani ai u derdh krahëhapur drejtë njeriut, të parë, që dukej se e meritonte dashurinë.”

– “E fshehta përvëluese”Stefan Zweig

“Unë nuk e di, në e më njeh me të vërtetë. Nuk besoj. Gjithmonë mendoj se ti më mbivlerëson. Unë nuk jam ndonjë njeri i madh dhe nuk bëj pjesë tek ata që… që e sundojnë jetën të kënaqur dhe të sigurtë në vetvete.

Do të desha të isha si ata, por nuk jam. Unë i përshtatem jetës, unë jam nga ata që lakmojnë atë që duan. Thjesht jam si të gjithë burrat; kur dua një grua, unë nuk kënaqem vetëm duke e adhuruar, por unë… unë edhe e dëshiroj atë…

Dhe… unë nuk dua të të gënjej me gjëra që janë të huaja për mua. Nuk dua që ti të më përbuzësh. Ti më je shumë e shtrenjtë. Nuk dua të të humbas.”

“Dashuria e Erikës”, Stefan Zweig

“Ajo ishte në atë momentin kritik, kur një grua fillon të pendohet që i ka qëndruar besnike një burri të cilin nuk e ka dashur vërtetë, atëherë kur ngjyrat shkëlqyese të bukurisë së saj i ofrojnë asaj një zgjedhje urgjente të fundit, mes dashurisë amënore dhe asaj femërore.

Në momente të tilla, vihet edhe një herë në pikëpyetje rruga e një jete, e cila ishte menduar se moti është përcaktuar.

Për herë të fundit gjilpëra e kompasit të vullnetit rri pezull mes dorëheqjes përfundimtare dhe shpresës për një përvojë erotike.”

“E fshehta përvëluese”, Stefan Zweig

“Njerëzit më braktisnin, gratë vinin dhe shkonin, nuk ndihesha aspak ndryshe, nga ai që rri në dhomë dhe e sheh shiun në xhama, mes meje dhe ngjarjeve të papritura gjendej diku një mur i qelqtë, të cilin nuk kisha forcë ta shembja me vullnet.

Megjithëse e ndjeva qartë këtë tani, kjo njohje nuk më solli asnjë shqetësim, meqenëse, e thashë pra, që unë dhe gjërat që më përkisnin i merrja me indiferencë.

As për të vuajtuar nuk më kishin mbetur më ndjenja.

Me mjaftonte që ky defekt shpirtëror ishte shumë pak i dukshëm jashtë, pak a shumë si impotenca fizike e një mashkulli që kuptohet vetëm në çastet intime, dhe unë qëndroja shpesh në shoqëri duke e demostruar admirimin përmes një pasioni artificial, përmes ekzagjerimeve spontane të mallëngjimit për të fshehur, se sa i thatë dhe sa mospjesmarrës isha përbrenda.

Ne dukje jetoja përsëri jetën time të vjetër, të këndshme, të shpenguar, pa e ndryshuar drejtimin e saj; javë, muaj, shkisnin lehtë dhe ktheheshin ngadalë në vite pa e kuptuar.”

“Natë fantastike”, Stefan Zweig

“Kur një grua i reziston një pasioni të paftuar, ajo është duke iu bindur plotësisht ligjit të gjinisë së saj; veprimi fillestar i refuzimit, në mënyrë që ato të flasin, është instikt i lashtë në çdo femër dhe nëse ajo e refuzon madje edhe pasionin më të zjarrtë, ajo nuk mund të quhet jo-njerëzore.

Por, sa shkatërruese është atëherë kur, fati e ç’rregullon balancën, kur një grua e mposht modestin e saj natyrale, duke ia zbuluar pasionin e saj një mashkulli, atëherë kur pa qenë e sigurt se pasioni do t’i kthehet, ajo e ofron dashurinë e saj, ndërsa ai, mbetet i ftohtë dhe në mbrojtje.

Një lëmsh i pazgjidhshëm ky, gjithmonë, sepse të mos ia kthesh dashurinë një gruaje, do të thotë të ia thesh krenarinë, ta dhunosh modestinë e saj.

Mashkulli, i cili nuk i pranon përparësitë e një gruaje, e plagos atë në ndjenjat e saj më fisnike. Rezistenca e tij, në mënyrë të padukshme, bëhet mizori.”

“Kujdes dhe Keqardhje”, Stefan Zweig

“Asgjë nuk e zgjon më shumë inteligjencën se sa dyshimi pasionant, asgjë nuk i zhvillon më shumë aftësitë e një mendjeje rinore, se sa gjurmët që ikin drejt errësirës.”

“E fshehta përvëluese”Stefan Zweig

“Duket pothuajse një hakmarrje e ligë e natyrës ndaj njeriut kur vë re se tërë arritjet e teknologjisë, falë të cilave ai ka mundësi të bëhet zot i forcave më misterioze të saj, çorodisin njëherazi shpirtin e tij.

Teknologjia s’na ka hedhur mallkim më të keq se sa duke mos na lënë, qoftë edhe për një çast të vetëm, të shkëputemi nga e tashmja.

Në kohë katastrofash, brezat e mëparshëm mund të iknin larg e të strukeshin sërish në vetmi, ndërsa ne jemi të detyruar të dimë e të ndiejmë brenda orës, madje brenda sekondës, çdo gjë të keqe që ndodh në planetin tonë.”

“Bota e djeshme”Stefan Zweig

“Duhej luftuar kundër luftës! E kisha njohur kundërshtarin që do ta luftoja – heroizmi i rremë, që preferon t’i dërgojë të tjerët drejt vuajtjes e vdekjes, optimizmi bajat i profetëve të pandërgjegjshëm, politikë dhe ushtarakë, të cilët, duke premtuar pa skrupuj fitoren, zgjatin kasaphanën dhe pas tyre kori i paguar i tërë atyre “fjalshumëve të luftës”, siç i damkoste me turp Verfeli në poezin e vet të bukur.

Kushdo që shprehte ndonjë dyshim, i bezdiste në allishverishin e tyre patriotik; këdo që paralajmëronte për ndonjë rrezik, e quanin pesimist dhe talleshin me të; këdo që dilte kundër luftës, nga e cila ata nuk vuanin fare, e stigmatizonin si tradhëtar.

Ishte gjithnjë e njëjta klikë, ajo klika e përjetshme përmes epokave, klika e atyre që quajnë frikacakë të kujdesshmit dhe të dobët humanët, për të mbetur pastaj edhe vetë të hutuar në çastin e katastrofës që e kanë shkaktuar me mendjelehtësin e tyre.”

– “Ai brez të cilit morali i’a ndalonte çdo shpjegim ose çdo afrim të padjallëzuar me seksin tjetër, qe njëmijë herë më i dhënë pas erotizmit se sa rinia e sotme, që ka liri më të madhe në dashuri.

Kjo ndodhte sepse, vetëm gjëja e refuzuar e nxiste dëshirën, vetëm e ndaluar e shtonte lakminë, dhe, sa më pak të shihte syri, sa më pak të dëgjonte veshi, aq më shumë ushqehej mendimi me ëndërrime.

Me një fjalë, ajo trysni mbi rininë tonë bëri që të ngjizej tek ne jo një moral më i lartë, por vetëm mosbesim e zemërim kundër tërë atyre instancave të shoqërisë.” / KultPlus.com

Anton Pashku dhe absurdi në letërsisë shqipe

“Njeriu absurd është ai që pa e mohuar, nuk bën asgjë për përjetësinë.”

                                                                                                                -Albert Kamy

Diellza Gashi

Vepra letrare e Anton Pashkut, sidomos në kohën e shfaqjes së vet të parë ishte e re për letërsinë  shqipe në të gjitha aspektet.

Pashku, fillim e fund e shkruan letërsinë si figurë, si kërkim të kuptimeve të thella jetësore e njerëzore, si strukturë të situatave simbolike dhe simbolizuese. Me refuzimin e formave klasike të të krijuarit letërsi, Pashku krijimtarisë së vet ia falë tiparet e formave post-moderniste, sidomos me krijimet e dramave absurde apo tragjedive moderne “Gof” dhe “Sinkopa”. Në fillimet e veta, absurdi, shihet si filozofi, që përçon një ide: mungesën e kuptimit. Pikërisht me këtë mungesë përballen personazhet e Pashkut.

Këto dy drama na vënë para një kërkimi, një pavetëdijeje, një dobësie duke shpërfaqur personazhe të rrënuara, të humbura, në kërkim të vetes dhe arsyes. Personazhet e Pashkut ndërtohen fund e krye si absurde: heronj me frikën për jetën. Personazhe të tjetërsuara e të shumëfishuara në alter-ego. Personazhe që në botë nuk krijojnë relacione me të tjerët, krijojnë relacione me veten. Vihemi para një Unë dhe një Uni si një Tjetër.

Nëse në tragjedinë klasike heroi paraqitet përherë në një rënie, në një disfatë, si një fajtor pa faj, një vetësakrificë për të tjerët, në tragjedinë moderne, në anën tjetër, nuk krijohen personazhe të ngritura me synim të vlerave morale. Karakter i kësaj tragjedie është përherë një karakter i thjeshtë që para konflikteve me kohën dhe botën, dalin konfliktet me veten. Po këto karaktere i hasim në dramat e Pashkut. Drama këto, të krijuara në variantin e absurdit tragjik duke në vënë para deformimeve shoqërore, melankolisë, demotivimit.

Pashku me veprat e tij arrin të krijoj një sfond më ndryshe të letërsisë shqipe, duke na vënë para filozofisë së absurdit si një kërkim i pandalshëm, një vend në të cilën personazhi nuk përket, një luftë mes vetes me veten, një ide në të cilën personazhi ka një qëndrim ekzistencial apo ndjenjë konfuzioni, orientimi a frike përballë një bote dukshëm të pakuptimtë. 

Në të dy dramat e Pashkut, theksi bie mbi krizën ekzistenciale, që prek më së tepërmi shfaqjen e dyfishtë të identitetit të personazhve. Kjo krizë shënjon edhe thelbin e krijimit absurdist, përballja e vetes së rëndomtë me veten absurde. Kështu të dy dramat paraqesin konfliktin midis prirjes njerëzore për kërkimin e vlerave dhe kuptimit në jetë dhe paaftësinë njerëzore për t’i gjetur ato në një univers të pakuptimtë, irracional dhe kaotik, paraqesin botën si të egër, të hidhur, boshe. Botë në të cilën pohohet se ekzistenca njerëzore është në thelb një çështje e kuptimit dhe e gjetjes së kuptimit të jetës./ KultPlus.com

‘Kush ta fali bukurinë’

Poezi nga Lasgush Poradeci

Kush ta fali bukurinë
Qe t’ë më trerosh te zinë!

Kur të pashë për të vluar,
Pëllumbeshë pendë-shkruar,
Bubu! Plumb në kraharuar,
Plumb që vret dyke gjemuar!

Mbledhur shoqet me një qoshe,
Dic, m’ju flisje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e-llerë-e-gji-bardhoshe.

Pa me syckëzat e tua,
Sy-larme! C’më fole mua.

Leshrave t’ju binte hija,
Yll i ndezur me shkëndija,
Ndezur mun në mes ne ballë,
Të më vesh në dhe të gjallë. /KultPlus.com

Studio Dizajn Grafik, Dizajn Mode, Dizajn Interier në UNI-Universum – me program amerikan nga Arizona State University!  

UNI – Universum International College është i vetmi institucion në Kosovë me partneritet direkt me Arizona State University (ASU) – universiteti Nr.1 për inovacion në SHBA!

✅ Diploma amerikane me vlerë globale
✅ Përmbajtje dhe platforma të ASU
✅ Praktika dhe punësim gjatë studimeve
✅ Mundësi për të vazhduar studimet apo punuar jashtë vendit

Zgjidh programin që të përshtatet më shumë:

🎨 Dizajn Grafik – zhvillo kreativitetin tënd, mëso softuerët më të kërkuar dhe ndërto portofol profesional për tregun global.

👗 Dizajn Mode – krijo koleksione unike, mëso teknika bashkëkohore dhe përgatitu për industrinë ndërkombëtare të modës.

🏠 Dizajn Interier – koncepto hapësira funksionale dhe estetike, përdor teknologji moderne dhe ndërtokarrierë si profesionist i dizajnit të brendshëm.

UNI – Universum International College është i menaxhuar dhe fuqizuar nga Universiteti Shtetëror i Arizonës (ASU), i njohur si Universiteti Nr.1 në SHBA për inovacion.

Krijo suksesin tënd, me edukim amerikan. Fuqizohu nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA. Studio në UNI duke aplikuar këtu!

📞 Për më shumë informata rreth programit kontakto +383 44 144 062, 📧 [email protected] ose ndiq UNI – n në Facebook & Instagram.

Studio me standarde amerikane, në Kosovë. E ardhmja jote në dizajn nis sot!/ KultPlus.com

Ndërhyrje konservuese në muralin e Manastirit të Shën Mërisë në Apolloni 

Ndërtuar majë një kodre, me peizazhin që përfshin rrënojat mijëra vjeçare të Parkut Arkeologjik të Apollonisë, fushën e myzeqesë dhe detin Adriatik, Manastiri i Shën Mërisë përbën një nga komplekset fetare më mbresëlënëse. Ndërtuar qindra vjet më parë, ai mban nën vete, si në “një djep të përmbysur”, qytetin antik të Apolonisë, nga i cili ato pak rrënoja te mbetura duken sikur tretin vështrim tej në detin Adriatik. 

Në këtë kryevepër të artit bizantin, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka nisur punimet konservuese. Sektori i Veprave të Artit në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Apolonisë, po zhvillon punime konservimi në pikturën murale të trapezërisë së Manastirit.  

Kjo murale, e krijuar në gjysmën e dytë të shekullit XIII përfaqëson një nga veprat më të rralla dhe më të çmuara të trashëgimisë sonë kulturore, duke zënë një vend të veçantë në historinë e artit bizantin në Shqipëri.  

IKTK bëri të ditur se, aktualisht po kryhet konsolidimi i shtresave përgatitore të pikturës me suportin në murin jugor dhe verior të objektit. 

Mozaikët pranë trapezërisë (mencës së murgjëve), portiku i kishës me kolonadën elegante prej tetë shtyllash, ikonat dhe pikturat murale së bashku krijojnë një kompleks të jashtëzakonshëm dhe tejet tërheqës. 

Ndërthurja unike e këtij ndërtimi, mes pasurisë së Antikitetit dhe arkitekturës bizantine, së bashku me Muzeun Arkeologjik, pozicionuar brenda Manastirit, e kthejnë kompleksin në një pikë të rrallë referimi për vlerat historike, arkitekturore, artistike dhe shpirtërore që bart. 

Andaj, edhe kjo ndërhyrje konservuese synon ruajtjen e kësaj pasurie kulturore, duke e mbrojtur nga dëmtimet e kohës dhe duke e rikthyer në vëmendjen e publikut e studiuesve. / KultPlus.com

Rama ndan pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil

Në zonat bregdetare të vendit këtë vit ka më shumë plazhe publike në dispozicion të pushuesve, në dallim nga vitet e kaluara.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga plazhet publike në Vlorë, Sarandë, Ksamil, të mbushura me pushues vendas e të huaj, të cilët shijojnë ditët me diell.

Këtë vit përveçse ka hapësira më të shtuara të plazheve publike, bashkitë bregdetare kanë siguruar edhe çadra falas për qytetarët dhe turistët e huaj që mbushin plazhet çdo ditë e çdo orë deri në perëndimin e diellit.

Gjithashtu bashkitë kanë vendosur edhe tabela identifikuese, në mënyrë që turistët të kenë informacion përpara se t’i frekuentojnë këto plazhe. Kjo është një ofertë më e mirë për të gjithë ata që duan të kalojnë pushimet në stacione publike plazhi.

Në qarkun e Vlorës këtë vit janë 973 stacione plazhi publike, ndërsa sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit është vendosur që në 1 km vijë bregdetare 300 metra të jenë plazh publik.

Këto ditë në të gjithë vendin ka nisur aksioni për lirimin e plazheve dhe hapësirat publike,  pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama./atsh/KultPlus.com

“Pushka e parë e lirisë”, festivali homazh për figurën madhështore të luftëtarit e dëshmorit Zahir Pajaziti

Lufta në Kosovë qëndron si plaga më e madhe kombëtare, duke qenë një ndër ngjarjet më tragjike të historisë së popullit shqiptar në Kosovë.

Kujtesa kolektive në anën tjetër është ajo që i mban gjallë ngjarjet, sakrificat dhe historinë e përgjakshme drejt pavarësisë dhe çlirimit. 

Historia na rrëfen se krisma e parë e pushkës, e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shkrep nga Zahir Pajaziti, luftëtari dhe dëshmori i paharrueshëm, si nisma e parë për liri.

Për nder të kësaj nisme, për nder të figurës madhështore të Zahir Pajazitit dhe sakrificës sakramentale të tij, Shoqëria Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti”, në Podujevë organizon edicionin e dytë të festivalit “Pushka e parë e lirisë”.

Kjo festë dyditore premton promovimin e vlerave kulturore, këngëve e valleve më 1 dhe 2 gusht 2025, në ora 20:00, në sheshin “Bulevardi i dëshmorëve”, në Podujevë.

Pjesëmarrës të festivalit do të jenë ansamblet e rajoneve të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë, si: Ansambli “Dardanët” Düsseldorf, “Qendra Kulturore e Fëmijëve” Kurbin, SHKA “Tingujt e Vendlindjes” Stagovë, “Qendra Kulturore Kaqaniku”, SHKA “Bilbilat e Pashtrikut” Nashec, Ansambli “Zëri i Kosovës” Fushë-Kosovë, AKV “Deçani”, Ansambli “Librazhdi” Librazhd, si dhe performanca e veçantë e ansamblit të Podujevës, përkatësisht shtëpisë kulturore që realizon organizimin, “Zahir Pajaziti”.

Kjo festë, ky homazh, bart në vete jo vetëm rikujtimin për dëshmorët e rënë, por edhe vlerat kulturore që mbijetuan falë sakrificës së tyre. Është një përkujtim që shkon përtej dhimbjes, duke shndërruar kujtimin në frymëzim. 

Nëpërmjet këngës, valleve dhe artit, festivali shpërfaq jo vetëm nderimin e atyre që dhanë jetën për liri, por gjithashtu edhe afirmimin e identitetit dhe trashëgimisë kombëtare

Promovimi i artit kombëtar, në këtë rast, synon jo vetëm të ruajë kujtesën historike, por edhe tv frymëzoj brezat e rinj të lidhen me rrënjët e tyre, të krijojnë mbi ato rrënjë dhe të jenë pjesë aktive e një kulture që jeton, zhvillohet dhe ndriçon përmes brezave./ KultPlus.com 

Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar…

Jorge Luis Borges

A i ke parë ndonjëherë fëmijët duke luajtur?
Vallë a e ke dëgjuar tiktakun e shiut?
A e ke ndjekur ndonjëherë fluturimin e një fluture?
Vallë a e ke vështruar perëndimin e diellit?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Çdo ditë e jeton gjithmonë duke rendur?
Kur pyet veten kush je, a e dëgjon përgjigjen tënde?
Kur dita mbaron shtrihesh në shtrat apo zhytesh në mijëra mendime?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Ditët e tua rrjedhin shfrenueshëm?
A i ke thënë ndonjëherë fëmijës tënd “e bëjmë nesër”
Dhe në kotësinë tënde nuk e ke parë trishtimin?
Nganjëherë për mungesë mirësjelljeje a e ke lënë një mik të dashur
Të ketë vdekur pa e thirrur dhe pa i thënë lamtumirë?
Ndalo, pra, mos vallëzo me ngutje.
Koha është e pakët, muzika nuk zgjat shumë.
Kur ti rend tepër me ngutje për të arritur çfarëdo vendi,
Ti humb gjysmën e zbavitjes për të arritur atje.
Nëse je i shqetësuar, nëse rend gjithë ditën e lume
Është njëlloj si të hedhësh jetën tënde në koshin e plehrave.
Jeta është një rendje, por do jetuar dhe përjetuar me qetësi.
Dëgjoje muzikën përpara se kënga të ketë mbaruar. / KultPlus.com

Tapiceria e Bayeux rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh

Tapiceria e Bayeux do të rikthehet në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se 900 vitesh nga krijimi i tij, konfirmon Departamenti për Kulturë, Media dhe Sport (DCMS).

Kjo kryevepër 70 metra e gjatë, tregon historinë e pushtimit norman të Anglisë në vitin 1066, që do të huazohet në një marrëveshje historike me nënshkrimin mes qeverisë franceze dhe asaj britanike.

Kjo qëndismë gjigante, që besohet se është krijuar në Kent, do të ekspozohet në Muzeun Britanik në Londër vitin e ardhshëm. Kjo tapiceri do të qëndrojë e ekspozuar nga vjeshta e ardhshme deri në korrik të 2027, ndërkohë që shtëpia e tij aktualr, Muzeu i Bayeux, po rinovohet. Viti i 2027 është gjithashtu 1000-vjetori i lindjes së William Pushuesit.

Kryetari i bordit të Muzeut Britanik, George Osborne, është shprehur se ekspozita “do të jetë shfaqja më e madhe e brezit tonë”, duke e krahasuar me Tutankhamun-in dhe Ushtrinë e Luftëtarëve Terrakota.

Tapiceria e Bayeux, që daton që nga shekulli 11, dokumenton periudhën më të diskutueshme në marrëdhëniet Anglo-Franceze, kur dominimi anglo-sakson u zëvendësua nga sundimi norman. Edhe pse pjesa e fundit e qëndismës mungon, ajo përfundon me ikjen e anglosaksonëve në fund të Betejes së Hastingsit, në vitin 1066.

58 skenat e saj, me 626 personazhe dhe 202 kuaj, japin një pasqyrë të periudhës mesjetare në Normandi dhe Angli si asnjë vepër tjetër, duke ofruar jo vetëm informacion mbi traditat ushtarake, por edhe detaje të çmuara të jetës së përditshme. Kjo vepër ka frymëzuar shumë krjime dhe artistë gjatë shekujve, dukë përfshirë artistin David Hockney.

Për ekspozimin e kësaj vepre arti, Nicholas Cullinan, Drejtor i Muzeut Britanik u shpreh: “Ky është pikërisht lloji i partneritetit ndërkombëtar që dua ta mbështesim dhe të marrim pjesë: të ndajmë të mirën e koleksionit tonë sa më gjerë që të jetë e mundur dhe në këmbim të ekspozojmë thesare botërore që nuk janë parë kurrë më parë këtu.”

Fokusi i kësaj ekspozite qëndron te pjesa që Muzeu Britanik pret të jetë një nga muzetë më të vizituar ndonjëherë, një shfaqje që ndodh vetëm një herë në një gjeneratë.

Periudha që i parapriu Betejës së Hastingsit është një nga më të njohurat në historinë britanike.

Siç e tha Osborne: “Nuk ka asnjë objekt tjetër të vetëm në histrinë britanike që të jetë kaq i njohur, kaq i studiuar në shkolla, kaq i kopjuar në art, sa Tapiceri i Bayeux. Megjithatë, për gati 1000 vjet nuk është kthyer kurrë në këto brigje. Vitin tjetër do të kthehet dhe mijëra vizitorë, veçanërisht nxënës të shkollave, do ta shohin me sytë e tyre.”/ KultPlus.com