‘Heshtja e sirenave’ premierë në natën e katërt në PriFest

‘Heshtja e sirenave’ është në garë në kategorinë kryesore të filmave ballkanik, film ky nga Gazmend Nela dhe vjen si premierë kosovare në natën e katërt të festivalit.

Filmi trajton temën e korrupsionit dhe sfidave morale që përballen personazhet në një mjedis ku ligji dhe morali shpeshherë vihen në pikëpyetje.

Avniu është një polic trafiku në një qytet të vogël në Kosovë, një njeri i zakonshëm, as shumë i ndershëm e as shumë i guximshëm. Së bashku me partnerin e tij, Gëzimin, pranojnë ryshfete të vogla nga shoferët që i ndalojnë për tejkalim shpejtësie. Një natë, duke menduar se po bëjnë gjënë e duhur, ata shoqërojnë në stacion një prokuror të një gjykate ndërkombëtare, i cili ishte duke vozitur i dehur me një çantë plot me para në makinën e tij. Të dy pastaj shpejt do të gjenden të përfshirë në një rast korrupsioni që tejkalon përmasat e tyre.

Gazmend Nela është regjisor dhe skenarist i filmit, producentë Valon Bajgora dhe Arben Shala.

Ky film është bashkëprodhim mes Kosovës, Zvicrës, Maqedonisë e Veriut dhe Shqipërisë.

Sunaj Raça, Allmir Suhodolli, Amernis Nokshiqi dhe  Rina Krasniqi janë kasta kryesore e filmit.

Filmi do të shfaqet më 13 shtator nga ora 19:30 në Kino Armata./ KultPlus.com

‘Për kokërr t’qefit’, nis Hardh Festi në Rahovec

Edhe sivjet në Rahovec po mbahet festivali i rrushit “Hardh Fest”. Qindra e mijëra qytetarë ia kanë mësyrë këtij festivali për të shijuar verën e rakinë, por edhe për t`u argëtuar me programin që ka ky festival i rrushit. Radiotelevizioni i Kosovës sivjet është sponsor medial, dhe që përgjatë gjithë programit të saj do t`ju mbajë të informuar për zhvillimet atje.

Festivali i rrushit, Hardh Fest, këtë vit feston 10-vjetorin e themelimit që mbahet në Rahovec. Ky festival përveç pjekjes së rrushit, ngërthen në vete edhe aktivitete të tjera kulturore, e të cilat bëjnë bashkë me qindra e mijëra dashamirë të verës e rakisë, dhe kulturave të tjera.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smalj Latifi tha se ka shumë ma shumë prezencë të vreshtarëve dhe vertarëve e po ashtu ka edhe prodhime të ekspozuara.

“Sivjet këto prodhime janë shumë kualitative numri i këtyre që ekspozojnë wshtw shumë më i madh sikurse edhe infrastruktura është më e mirë”, tha ai.

Festivali cilësohet se ka një ndikim edhe në zhvillimin ekonomik të vendit, i cili përgjatë këtyre viteve është shndërruar në një platformë kyçe për promovimin e prodhimeve vendore, duke kontribuar në rritjen e sektorit të bujqësisë dhe verarisë në Kosovë

“Neve na gëzon fakti këtë vit ka qenë  një vit shumë i begatë për të gjitha kulturat dhe sektorët dhe nënsektorët në këtë rast edhe mbi bazën e diskutimit parashihet që mes tjerash përveç cilësisë të mirë të rrushit të verës së begatë dhe cilësia e verës do të prodhohet këtë vit do të jetë e një kualiteti më të lartë përshkak të kushteve te favorshme atmosferike por edhe njëkohësisht përkrahjes qe ne i kemi dhënë”, tha Faton Peci, ministër në Ministrin e Bujqësisë, Pylltrisë dhe Zhvillimit Rural.

Vreshtarët theksojnë se me mbështetje të shtuar nga institucionet dhe investime të qëndrueshme në teknologji moderne të kultivimit, si dhe qasje më të mirë në tregje, ata mund të rrisin prodhimin dhe të përmirësojnë cilësinë e verës.

“Sivjet rrushin e kemi të  mirë po sasi nuk kemi shumë se ka pas shumë thatësi po kualitetin e kemi shumë të mirë”, tha Vllazënim Canziba – Vreshtarë.

” Vallahin me mujt me na pru pak ujin nëpër vadë për vreshta sidomos viteve të fundit kemi pas shumë thatësi me pas mujt qëto me na pru ishim dal në Evropë me rrush kishim dal shumë mirë”, shprehet Avdurrahman Ejupi.

Gjatë këtyre tre ditëve festivali do të përfshin aktivitete të ndryshme, ekspozita të prodhimeve lokale duke i ofruar vizitorëve një përvojë të pasur me kulturë dhe me shije unike të verërave, gjithashtu në hapjen zyrtare të festivalit u ndanë dhe mirënjohje për vreshtarët më të mirë./rtk/ KultPlus.com

34 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Kaçanikut

7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës.

Më 7 shtator të vitit 1990 delegatët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, që kishin shpallur Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik të atij viti, e formalizuan atë deklaratë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Nga protagonistët e miratimit të saj, 7 Shtatori është cilësuar si identitet i historisë së re të Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shpallur në Kaçanik, pasi ishte qyteti më i afërt me kufirin me Maqedoninë dhe mundësia e shpalljes së Kushtetutës ishte më e lehtë.

Në atë kohë, Kosova ishte e okupuar tërësisht nga forcat policore dhe ushtarake të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë, pasi nga 2 korriku, kur u lexua deklarata e pavarësisë, kishte filluar një aparteid i regjimit të Millosheviçit ndaj Kosovës dhe qytetarëve shqiptarë./ KultPlus.com

Sot në Podujevë zbulohet shtatorja e ish-presidentit Rugova

Në 34-vjetorin e shpalljes së Kushtetutës së Kaçanikut, sot Podujeva organizon ceremoninë e zbulimit të shtatores së ish-presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Me pjesëmarrës zyrtarë të lartë shtetërorë, ceremonia do të mbahet në Parkun e Qytetit, afër ish-objektit të vjetër të administratës komunale.

Zbulimi i shtatores fillon në orën 13:00.

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka

Poezi nga Naim Frashëri

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka
Më je nënë, më je motër, më je vlla.
Nga ç’ka rrotull më i shtrenjti ti më je,
Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.
Ty përditë të pat parë ime nënë,
Dheu yt në fund atë e pati ngrënë.
Nëmëruar t’i pat lulet syri i saj.
Te ti lindi, te ti vdiq ajo pastaj.
Ti i ke parë gjysh stërgjyshërit e mi,
Edhe eshtërat tretur ua ke po ti.
Nga ti, o shpirt-o kurrë s’qenë ndarë.
Pranë teje patën qeshur, patën qarë.
Nëna ime vdiq, ndaj ty të kam sot nënë,
Nënë që s’ke vdekje kurrë, faqehënë,
Numri prapë në vend mbetet kurdoherë.
Begatoje, o Zot, ti këtë vend!
Epu njerëzve të tij ti mbroth e shend!
Hi u bëfshin gjithmon’ armiqtë e tij!
Gas përjetë paçin zotërit e tij!
I begatë, i lulëzuar qoftë ai,
Një të ardhme pastë plot me lumturi!/KultPlus.com

Kalendari artistik i shfaqjeve të muajit shtator

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, publikoi sot kalendarin e ri artistik.

Rikthehemi në skenë. Pas një sezoni veror të gjatë, ku shëtitëm qytet më qytet. Një gamë e gjerë shfaqjesh, nga festivalet letrare tek baleti, muzika, ekspozitat dhe shfaqet për fëmijë, që sjellin për të gjithë ju emocione të paharruara”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale.

Ai i ftoi të gjithë artdashësit të bëhen pjesë e këtij kalendari, të cilin e quajti një udhëtim magjik në botën e artit dhe shfaqjeve.

Një pjesë të madhe të këtij kalendari e zënë ngjarjet artistike të Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit e Ansamblit Popullor.

Krahas tyre gjejmë aktivitete të Teatrit Eksperimental, Qendrës Kombëtare të Librit e Leximit me Varg Festival, vëniet në skenë të Teatrit Kombëtar e shumë aktivitete të institucioneve të tjera artistike e kulturore./KultPlus.com

Përfundon me rezultat 0-3 ndeshja Kosova – Rumania

Kombëtarja e Rumanisë ka arritur fitore të madhe në Prishtinë.

“Trikolorët” triumfuan 3-0 ndaj Kosovës, në një ndeshje mjaftë të lehtë për ta.

Fillimisht, rumunët nisën epërsinë në minutën e 40-të, kur Dennis Man e mposhti Aro Muric, pasi ai nuk arriti të ndalë goditjen e tij “jo shumë të fortë”.

Pas pauzës prej 15 minutash, me një ndërhyrje të dobët nga Valon Berisha, Rumania shënoi nga penalltia me anë të Marin.

Ky gol edhe i demotivoi lojtarët dardanë, të cilët nuk arritën të kthehen në lojë.

Kështu, Rumania e shfrytëzoi mundësinë dhe arriti të shënojë edhe golin e tretë më anë të Dragus.

Lajmet e këqija s’u ndalën këtu, pasi Mërgim Vojvoda u ndëshkua me të kuq në minutën e 85-të.

Kështu, Rumania e Qipro kryesojnë tabelën në grupin e Kosovës, e cila mbetet e fundit, derisa Lituania zë vendin e tretë.

Kosova do të luajë ndeshjen e dytë të shtatorit ndaj Qipros të martën në Larnaca./Express/KultPlus.com

Mendjemadhi

Roque Dalton, përktheu Manjola Brahaj.

Unë do isha një i vdekur i madh.
Veset e mia atëherë do shëndrisnin si stoli antike
me ngjyrat e ëmbla të helmit.
Do kishte lule të gjitha ngjyrave në varrin tim
dhe adoleshentët do imitonin gjestet e mia gazmore,
të errtat fjalët e mia të ankthshme.
Ndoshta dikush do të thoshte që isha besnik e i mirë.
Por vetëm ti do të mbash mend
mënyrën time të parit në sy. /KultPlus.com

Vdes reperi, Rich Homie Quan

Homazhe të shumta janë bërë për reperin amerikan Rich Homie Quan, pasi vdekja e tij u konfirmua nga autoritetet të enjten.

Artisti, i cili ishte në fillim të të 30-ave, ndërroi jetë në Atlanta, Georgia, tha Ekzaminuesi Mjekësor i Qarkut Fulton, transmeton Klankosova.tv.

Shkaku i vdekjes së tij nuk dihet, ndërsa autoritetet mjekësore lokale thanë se autopsia është planifikuar për të premten.

Rich Homie Quan, emri ligjor i të cilit ishte Dequantes Devontay Lamar, ishte një nga reperët modernë më të njohur të Atlantës./KultPlus.com

Kënga e burrit të pabesë


ALDA MERINI / Përktheu Beti Njuma

Burri im është i barabartë me Zotin.
Burri im është i barabartë me perënditë.
Nëse më prek
unë ndjehem grua
dhe ndiej ujin që rrjedh
në liqet e jetës.
Burri im është një kalë race që vrapon
ndërsa unë kalorëse e pavlerë
përdhe s’luaj vendit
burri im është një kitarë e lumtur
dhe unë jam kënga e tij
por ai s’më këndon asnjëherë
përse?
Pres që kitara të bëhet copë e çikë
për të jetuar…
Burri im është një burrë katil
burri im është lutja ime
është i njëjtë me Rilken dhe Garsian
është i njëjtë me Savonarolën
por burri im prek të tjera baqthe e të tjera flokë
është bujar me vashat e praruara
dhe mua më lë të mjerë
prej pleqërisë dhe jetës të vdes për të.
Burri im nëse zhvishet
e ka kraharorin leshtak si shqiponjat
por një sqep që të lëndon thellë
dhe ndëshkon pendesat e dashurisë
atëherë unë i tregoj mishrat e mi të plagosur
dhe fatin mallkoj,
por nëse burri im buzëqesh
unë sërish lulëzoj dhe bëhem një hënë e bardhë
që në det pasqyrohet./KultPlus.com

Legjenda e muzikës braziliane Sergio Mendes vdes në moshën 83-vjeçare

Muzikanti dhe pianisti i Jazz-it Sergio Mendes ka vdekur në moshën 83-vjeçare në Los Anxhelos, njoftoi familja e tij në një deklaratë, sipas TMZ.

Mendes ishte një muzikant brazilian me famë botërore, i cili bashkëpunoi me artistë të mëdhenj të Jazz-it si, Herb Alpert dhe Cannonball Adderley gjatë karrierës së tij gati 60-vjeçare.

Ai fitoi një “Grammy”, dy “Latine Grammys” dhe u nominua për një çmim “Oscar” në 2012 me këngën “Real in Rio” – kolona zanore në filmin e animuar “Rio”.

Grupi i tij me famë botërore “Brasil ’66” ndihmoi në popullarizimin e Bossa Nova, një stil Jazz i sambas.

Albumi i vitit 1966 “Herb Alpert Presents Sergio Mendes & Brasil ’66” regjistroi 1 milion shitje –  dhe kënga e tij në krye të listës “Mas Que Nada” u ripërpunia më vonë me grupin amerikan “Black Eyed Peas”, në 2006.

Mendes ishte subjekt i filmit dokumentar të vitit 2020 “Sergio Mendes: In the Key of Joy”. Ai filloi karrierën e tij si pianist klasik përpara se të kalonte në Jazz dhe Bossa Nova.

Ai publikoi albumin e tij debutues “Dance Moderno” në vitin 1961, dhe bashkëpunoi me muzikantët e Jazz-it Cannonball Adderley dhe Herbie Mann.

Interpretimi i tij në vitin 1967 i këngës së Burt Bacharach “The Look of Love” u bë më popullor se regjistrimi i Dusty Springfield, i cili u shfaq në filmin “Casino Royale” të James Bond të vitit 1967.

Mendes ishte i martuar me Gracinha Leporace, një këngëtare braziliane, me të cilën kishte pesë fëmijë./KultPlus.com

“Hardh Talk” diskuton për trashëgiminë kulturore dhe historike të kultivimit të hardhisë së rrushit dhe prodhimit të verës

Në kuadër të festës tradicionale të rrushit, Hardh Fest, sot në sallën e kuvendit të Komunës së Rahovecit u mbajt “Hardh Talk” – tryeza shkencore për kultivimin e hardhisë, ku mes tjerash u fol për traditën e lashtë, të tashmen dhe të ardhmen e kësaj kulture bujqësore strategjike.

Ideuar dhe prezantuar nga Prof. ass. Dr. Hamëz Rama, tema u prit me interes nga të pranishmit.

Ndër të tjera ai potencoi nevojën e ndërmarrjes së disa hapave, siç janë ligj i veçantë për trashëgiminë e kultivimit të hardhisë, mbështetje institucionale, ngritje profesionale e kuadrit të ri, hulumtime shkencore – dokumentare, pjesëmarrje në panaire e tregje ndërkombëtare të prodhuesve e përpunuesve të rrushit, përfshirja e palëve të interesit në proces, edukim dhe trajnim të prodhuesve të rrushit, nxitja e turizmit të verës dhe stimulimi institucional i këtij sektori./KultPlus.com

Grupi U2 dhe Luciano Pavarotti me këngën ‘Miss Sarajevo’ i bënë jehonë luftës së Bosnjës (VIDEO)

Grupi i njohur botërisht U2 dhe tenori Italian Luciano Pavarotti  këngën “Miss Sarajevo”ia kanë kushtuar Sarajeves dhe luftës mizore që ka ndodhur në atë vend, transmeton KultPlus.

Fillimisht shkrimtari dhe regjisori amerikan Bill Carter i cili ka realizuar filmin për vuajtjet dhe tmerret që kanë përjetuar qytetarët e Bosnjës në luftën e tyre kundër Serbisë, dhe këto pamje kanë lënë gjurmë të përjetshme te regjisori i cili ka vendodur ti paraqesë në ekran dhe tu tregoj gjithë botës një realitet të vrazhdë dhe të hidhur ku vetëm kështu mund të ndalohet e mos të përseritet dicka e tillë, diku tjetër. 

Kënga “Miss Sarajevo” i është kushtuar vajzave të bukura të Bosnjës të cilat kanë thirrur: “Mos lejoni të na vrasin!”.

Carterit i është dukur që botës nuk është duke i interesuar ajo cfarë ka ndodhur në Bosnjë andaj përmes bashkëpunimit me U2 kanë vendosur t’ua bëjnë me dije të gjithëve për vuajtjet e njerëzve. / KultPlus.com

Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar shkojnë drejt Shkodrës

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” vjen në Shkodër.

Në kuadër të sezonit turistik 2024, më datë 10 shtator, pranë sheshit përpara Bashkisë Shkodër, Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitën fotografike “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Ekspozita përbëhet nga 27 stenda që shfaqin fotografi të objekteve të rralla nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë do të jetë si një udhëtim në kohë dhe një mundësi për t’u njohur nga afër me thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.

Muzeu, bashkia dhe organizatorët e tjerë të aktivitetit ftuan artdashësit të marrin pjesë dhe të zbulojnë historinë dhe pasurinë kulturore të Shqipërisë./KultPlus.com

Një tjetër dritare, ku ende nuk flihet…


KultPlus ju sjellë një poezi të poetes ruse Marina Tsvetaeva. Shkrimet e të cilës janë çmuar shumë sidomos në literaturën ruse të shekullit XX.

Marina Tsvetaeva – Pa titull

Ja …, një tjetër dritare,
ku ende nuk flihet.
Ndoshta -verë pijnë,
ndoshta -thjesht rrinë,
ose krejt thjesht-dy duart shtrënguar.
Ka një dritare të tillë,
në çdo shtëpi, miku im.
As qirinj, as llampa
ndezin errësirën:
por sy të pagjumë!
Pasthirmë ndarjesh e takimesh:
ti, dritare e natës.
Ndoshta qindra qirinj,
ndoshta tre…
Nuk ka, nuk ka qetësi mëndja ime.
Hyri edhe në shtëpinë time diçka e tillë.
Lutu, mik, për shtëpinë e pagjumë,
për dritaren me dritë./KultPlus.com

Ndërtohet ora atomike më e saktë në botë

Prodhohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ora atomike më e saktë në botë, e para orë e aftë të zbulojë në një shkallë mikroskopike efektet e gravitetit të parashikuara nga teoria e relativitetit të përgjithshëm.

Ora u zhvillua nga studiues në Institutin e Astrofizikën Laboratorike duke përdorur një rrjet drite që na lejon të kapim dhe matim njëkohësisht dhjetëra mijëra atome individuale.

Rezultati premton të hapë skenarë të rinj për fizikën, nga ripërcaktimi në llogaritjen kuantike e deri tek eksplorimi i Marsit.

Ora e re atomike është dy herë më e saktë se sa ora e mëparshme e thyerjes së rekordeve e bërë gjithashtu nga JILA.

Sekreti i saj qëndron në kapjen e atomeve me një rrjet më të cekët dhe më delikat të dritës lazer se sa orët e mëparshme të rrjetës optike.

Kjo karakteristikë e saj zvogëloi ndjeshëm dy burimet kryesore të gabimit: efektet e atomeve që kapin dritën lazer dhe përplasjet midis atomeve që përplasen kur janë shumë afër njëri-tjetrit.

“Kjo orë është aq e saktë sa mund të zbulojë efekte të vogla të parashikuara nga teoritë si relativiteti i përgjithshëm, madje edhe në një shkallë mikroskopike”, theksoi Jun Ye, një fizikan në NIST dhe JILA.

”Aftësia për të vëzhguar efektet e relativitetit të përgjithshëm në një shkallë nënmilimetër (të barabartë me trashësinë e një qime floku) do të jetë në gjendje të kapërcejë hendekun midis botës kuantike dhe fenomeneve në shkallë të gjerë të përshkruara nga relativiteti i përgjithshëm. Për më tepër, të kesh një orë atomike ultra të saktë do të lejojë gjithashtu lundrim më të saktë në hapësirë. Nëse duam të ulim një anije kozmike në Mars me saktësi maksimale, do të na duhen orët që janë urdhra të përmasave më të sakta se ato që kemi sot në GPS”, shton Ye.

Sipas studiuesve, ora e re atomike do të jetë gjithashtu në gjendje të japë një kontribut të rëndësishëm në kërkimin mbi lëndën e errët dhe energjinë.

Për më tepër, të njëjtat metoda të përdorura për të kapur dhe kontrolluar atomet mund të prodhojnë gjithashtu përparime në fushën e llogaritjes kuantike./KultPlus.com

Ekspozitë e artistes hungareze tek Piramida e Tiranës

Sot përmbyllet ekspozita dhe workshop-i i artistes së talentuar hungareze Anna Konya, titulluar “Otthonuk – our home”.

Tema e workshop-it ishte “Shtëpia është aty ku ndodhet zemra”, ku pjesëmarrësit shprehën me anë të pikturës atë cfarë ata quanin “shtëpi”, përmes krijimeve personale.

Ekspozita u realizua në kuadër të Javës Kulturore Hungareze.

Prej vitesh artistja Anna Konya ka zgjedhur të jetojë në Shqipëri, e cila sipas saj e frymëzon në artin e pikturës.

Anna tha se, përmes kësaj ekspozite synon të tregojë vendin ku gjen qetësinë.

Hapësirat e Piramidës, ku pikturat e saj u ekspozuan, artistja i cilësoi si një vend i mrekullueshëm, për të cilin mendon se shqiptarët duhet të krenohen. Javët kulturore ndërkombëtare rifilluan pas një pushimi veror, me Hungarinë, aktivitetet e së cilës përmbyllen sot dhe më pas do të vazhdojnë me vendet e tjera./atsh/KultPlus.com

Të rejat e edicionit të 22-të Tirana International Film Festival 2024

Edicioni i 22-të i “Tirana International Film Festival – Oscar® & European Film Awards qualifying” do të mbahet nga data 22-28 shtator 2024.

Filmi më i mirë i shkurtër do të kualifikohet për Çmimet Oscars 2025 si dhe European Film Awards 2024.

Filmat studentorë të përzgjedhur zyrtarisht në TIFF kanë të drejtë të konkurrojnë për Çmimet Student Academy (SAA).

TIFF është gjithashtu që prej vitit 2013 pjesë e 110 festivaleve më të rëndësishme në botë, që ndiqen me vëmendje të posaçme online, por edhe fizikisht nga HFPA – Hollywood Foreign Press Associations.

Programi Ditor i TIFF kombinon mbi 200 premiera të filmave në konkurim në të gjitha kategoritë dhe zhanret. Kalendari i këtij viti është pasuruar me një program special ekskluziv:

  • Homazh për një nga aktorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave Marcello Mastroianni. Në 100 vjetorin e lindjes së tij do të shfaqim një program special me 4 filma:

8 e Mezzo by Federico Fellini

La Dolce Vita by Federico Fellini

Che ora è by Ettore Scola

Io, Io, Io e gli Altri by Alessandro Blasetti

  • Premiera botërore e filmit të mirënjohur KAPEDANI të restauruar në 4K do të ketë shfaqjen e vet ekskluzive gjatë TIFF në kinema Millenium. Komedia më e suksesshme e kinematografisë shqiptare mbetet akoma një referencë për të gjithë brezat.
  • Kosova’s Young Film Talents – program special me filmat e shkurtër nga studentët më të shquar të Fakultetit të Arteve, dega Regji filmi gjatë 4 viteve të fundit si dhe studentët Master, program i cili sapo u prezantua në Festivalin e Kanës 2024.
  • “SCREENPLAY ContesTIFF” synon të vlerësojë nga prodhuesit dhe distributorët tanë partnerë skenarin më të mirë dhe të mundshëm për t’u prodhuar prej tyre me shanset më të mëdha për t’u shpërndarë me sukses në festivalet më të njohura ndërkombëtare të filmave të shkurtër.
  • Partnerët tanë kanë nominuar 10 skenarë për Pitching dhe në Ceremoninë e Ndarjes së Çmimeve, 28 shtator 2024 do t’i shpërblejnë skenarët fitues me Distribution Award dhe mundësinë e nënshkrimit të një kontrate prodhimi ose shpërndarjeje me fituesit.
  • ICDA’s Semiramis Award for Excellence in Casting:

Kemi kënaqësinë të presim 40 anëtarë të ICDA – International Casting Directors Association, si pjesë e ceremonisë së ndarjes së çmimit të ICDA’s Semiramis Award for Excellence in Casting, për të vlerësuar arritjet e jashtëzakonshme në casting.

Qëllimi i ICDA në krijimin e këtij çmimi ishte të ndriçonte rolin kryesor që luajnë regjisorët e kastit në procesin krijues të filmit.

Një prani e dukshme e drejtuesve të kastingut në festivalin tonë është automatikisht një mundësi për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e casting-ut për realizimin cilësor të filmit.

  • Rrjeti i Festivaleve në Rajonin e Adriatikut

Tirana International Film Festival është tani pjesë e Rrjetit të Festivaleve në Rajonin e Adriatikut, që është programi i përbashkët i tre festivaleve themelues – Festivali i Filmit në Sarajevë (BiH), Festivali i Filmit Auteur (Serbi) dhe Festivali i Filmit në Zagreb (Kroaci). me anëtarë të asociuar Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Lubjanë (Slloveni) Festivali i Filmit Vëllezërit Manaki (Maqedonia e Veriut) dhe ambasadorët e Çmimit të Audiencës Adriatik, Festivali i Filmit Herceg Novi (Mali i Zi) dhe Festivali i Filmit Pesaro (Itali).

Secili nga tetë festivalet mban një program special të përbashkët, ndërsa filmat më të mirë do të zgjidhen nga publiku në të pesë vendet. Duke numëruar votat e audiencës, filmi më i mirë do të nderohet me çmimin e publikut Adriatik, që i jepet fituesit në Festivalin e Filmit Autor në Beograd.

Experimental and Personal Filmmaking – Masterclass nga Rouzbeh Rashidi, themelues i Experimental Film School, Iran-Irlandë.

Promovim i eksperiencës së suksesshme të degës të regjisë së filmit në një takim të hapur me studentë, regjisorë e kineastë shqiptarë e të huaj në praninë e z.Hazir Sh. Haziri, drejtues i Fakultetit të Arteve, z.Ismet Sijarina, drejtues i Departamentit të Filmit & TV si dhe studentëve nga Kosova të pranishëm në festival.

“KIDs Program” është program i përvitshëm i dedikuar për fëmijë nga 5-10 dhe 11+ vjeç me rreth 30 filma të shkurtër. Salla “Tonin Harapi” e Liceut Artistik do të jetë në dispozicion të këtij programi ku fituesit do të dalin nga votat e fëmijëve.

Këtë vit ky program do të pasurohet me një seksion të veçantë të quajtur TEENs, me filma narativë krijuar enkas për këtë moshë delikate.

me seksionet tematike dhe alternative si GENERATIONs, NEW WORLD, DIVERGENT MINDs, PARADE, Reflecting Albania dhe për herë të parë do të sjellim një program me filma të krijuar me AI shoqëruar me diskutime e debate rreth kësaj alternative të re audiovizuale.

Konkurimi zyrtar konsiston në filmat e metrazhit të gjatë:

Feature, PerspecTIFF, Documentary dhe Short Films: Live Action, Animation, Documentary, Video Art & Experimental, Students, Balkan shorts si dhe In ALBANIAn.

Këto kategori do të vlerësohen nga 6 juri ndërkombëtare të formuara nga personalitete të industrisë kinematografike, si:

Hu Wei, regjisor (Kinë, Francë – AMPAS member), Mónica Santos, regjisore (Portugali – AMPAS member), Goran Gocić, kritik, studiues (Serbi), Thanasis Neofotistos, regjisor (Greqi), Rouzbeh Rashidi, regjisor (Iran, Irlandë), Hazir Sh. Haziri, regjisor (Kosova), Tonia Mishiali, regjisore (Qipro), Goce Cvetanovski, regjisor (Maqedoni e Veriut), Otilia Babara, regjisore (Moldova), Anja Dihrberg-Siebler, Casting director (Gjermani), Sofia Georgovassili, regjisore (Greqi), Ardit Sadiku, regjisor (Shqipëri), Bruno Carnide, regjisor, drejtor festivali filmi (Portugali), Adam Selo, distributor, (Itali).

Për herë të tretë seksioni PANORAMA do të jetë në konkurim dhe juria do të jetë e përbërë nga përfaqësues të partnerëve tanë institucionalë dhe mediatikë.

Gjithashtu, këtë vit, për herë të parë, do të krijojmë një juri speciale të formuar nga studentë të Universitetit të Arteve, të cilët përveç vlerësimit të filmave të zgjedhur në kompeticionin zyrtar do të jenë aktivë pas çdo seance filmike në kinema me Q&A, duke nxitur kështu mendimin kritik tek kineastët e rinj dhe iu dhënë mundësinë për t’u njohur e bashkëpunuar me regjisorët dhe producentët e huaj pjesëmarrës në TIFF./euronews/KultPlus.com

Një interpretim i mrekullueshëm nga Luciano Pavarotti dhe Spice Girls (VIDEO)

Një performancë e rrallë e cila u bë në vitin 1998, në kuadër të koncertit “Pavarotti dhe miqtë e tij”. Luciano Pavarotti këndoi këngën “Viva Forever” të grupit Spice Girls së bashku me anëtaret e grupit.

Grupi “Spice Girls” përbëhej nga Melanie Brown, Melanie Chisholm, Emma Bunton, Geri Halliwell dhe Victoria Beckham. Debutimi i tyre i pare ishte më këngën “Wannabe” në vitin 1996.

Lucino Pavarotti ishte një tenor operistik, italian, i cili arriti të bëhej një nga tenorët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Ai bëri regjistrime të shumta të operave të plota dhe arieve individuale, duke fituar famë botërore për cilësinë e tonit të tij dhe përfundimisht u bë një ndër tenorët më të mirë të shekullit XX./ KultPlus.com

Një vit nga vdekja e nobelistit dhe mjekut shqiptar me famë botërore, Ferid Murati

Një vit më parë më 6 shtator 2023, ka vdekur mjeku me famë botërore, nobelisti në fiziologjinë e mjekësisë, Ferid Murati.

Lajmin për vdekjen e tij e kishte bërë të ditur miku i tij nga Amerika, Bruno Ceka.

Ferid Murati ishte mjek i njohur në botë me prejardhje shqiptare nga Gostivari i Maqedonisë së Veriut./KultPlus.com

Java Kulturore Hungareze në Elbasan, mbushur plot aktivitete

Në kuadër të Javës Kulturore Hungareze një sërë aktivitetesh me fokus shkëmbimin por edhe njohjen me traditat, kulturën dhe historitë e dy vendeve do të zhvillohen më qytetin e Elbasanit.

I pranishëm për të hapur aktivitetet ishte ambasadori i Hungarisë në vendin tonë për të promovuar programet kulturore. Java nisi me pikturat e piktorëve hungarezë që transmetojnë art të shekullit 21.

Ambasadori u shpreh se Shqipëria dhe Hungaria janë dy shtete larg njëra-tjetrës por kanë shumë të përbashkëta në traditë.

“Disa muaj më parë vendosa që të vija në Elbasan gjatë javës se kulturës hungareze. Sigurisht që më pëlqen ideja pasi Elbasani është një nga qytet më të vjetra në Shqipëri. Kalaja e Elbasanit është shumë unike, ne duhet të zbulonim se çfarë prodhimesh tradicionale mund të sillnim këtu dhe këto janë pikturat të cilat i përkasin shekullit të 21. Hungaria është gjithashtu një vend i vjetër si Shqipëria dhe dëshironin të sillnim diçka tradicionale, ndaj në mbrëmje në teatrin ‘Skampa’, grupi hungarez i valleve do të performojnë muzikë dhe valle tradicionale”,-tha Adam Lovassy, ambasador i Hungarisë.

Ekspozitën me piktura e vlerësuan edhe qytetarë dhe admirues të këtij arti, të cilët theksuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave.

“Mundohemi që ti kuptojmë dhe ti pëlqejmë, që te kemi kënaqësi. Ata që e duan artin përshtaten me rrymat e reja, shumë të bukura ishin unë kam bërë disa fotografi.”

Aktiviteti i radhës do të mbahet në teatrin ‘Skampa’ ku artistë nga Hungaria do të performojnë për publikun elbasanas./tema/KultPlus.com

“Gjysmë historiani – përsëritet historia, Gjysmë idealisti, nuk bëhet Shqipëria”

Nga Fan Noli

Gjysmë mjeku – vdes njerëzia!
Gjysmë avokati – mbushet qelia!
Gjysmë komandanti – humb ushtria!
Gjysmë arkitekti – shembet shtëpia!
Gjysmë ekonomisti – vjen varfëria!
Gjysmë kleriku – nuk kuptohet Perëndia!
Gjysmë historiani – përsëritet historia!
Gjysmë idealisti – nuk bëhet Shqipëria! /KultPlus.com

‘This is a man’s world’, nga zëri i jashtëzakonshëm i Luciano Pavarottit (VIDEO)

Sot janë bërë 17 vite nga vdekja e këngëtarit më të famshëm në botën e operas, Luciano Pavarotti, shkruan KultPlus.

Luciano Pavarotti është tenori më i famshëm italian i tridhjetë viteve të fundit si edhe këngëtari më i famshëm jo vetëm në botën e operas, por ndër të gjitha zhanret.

Pavarotti lindi në Modena, Italinë e veriut, dhe vdiq po aty. I biri i një bukëpjekësi, Pavarotti kishte menduar të bëhej futbollist profesionist, por thoshte se dëshira e tij për të kënduar qëkur ishte katër vjeç kurrë nuk e kishte lënë.

Luciano Pavarotti pati një karrierë dyzetvjeçare në skenën botërore dhe brenda kësaj kohe u bë një prej artistëve më të shitur, krah për krah me artistë si Madona dhe Elton Xhon.

Sot, KultPlus, sjell një këngë që bëri bujë të madhe në skenën e muzikës ndërkombëtare. Bëhet fjalë për këngën e njohur ”This is a man’s world” të interpretuar nga Pavarotti në bashkëpunim me James Brown.

Ai i solli audiencë të re operës, në veçanti me melodinë karakteristike të tij Nesun Dorma nga Turandoti i Puçinit e cila u shndërrua në njërën prej himneve më të adhuruara të futbollit në botë.

Në disa intervista, para se të operohej Pavarotti u shpreh në disa intervista se ndihej një njeri me fat. “Unë jam dhe kam qenë një njeri me fat. Do të jem optimist deri në vdekje”. Në vitet e fundit, sidomos në Itali, Pavarotti është përfolur më shumë për jetën e tij personale se atë profesionale. Fillimisht ai u përfshi në një skandal taksash në Itali e më pas u kritikua pasi la bashkëshorten e tij prej 30-vitesh për t’u martuar me asistenten e tij të re. Pavarësisht të gjithave, Pavarotti, ka qenë sa ishte gjallë e do të mbetet dhe pas vdekjes, një prej ikonave më të shquara të skenës operistike.

Luciano Pavarotti përbën rekordin më të madh në historinë e muzikës së koncerteve live, plot 1200 duke e klasifikuar atë si një fenomen. / KultPlus.com

Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar shkojnë drejt Shkodrës

Ekspozita “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” vjen në Shkodër.

Në kuadër të sezonit turistik 2024, më datë 10 shtator, pranë sheshit përpara Bashkisë Shkodër, Muzeu Historik Kombëtar hap ekspozitën fotografike “Thesare të Muzeut Historik Kombëtar” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër.

Ekspozita përbëhet nga 27 stenda që shfaqin fotografi të objekteve të rralla nga pavijonet e Muzeut Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë do të jetë si një udhëtim në kohë dhe një mundësi për t’u njohur nga afër me thesaret e trashëgimisë sonë kulturore.

Muzeu, bashkia dhe organizatorët e tjerë të aktivitetit ftuan artdashësit të marrin pjesë dhe të zbulojnë historinë dhe pasurinë kulturore të Shqipërisë./atsh/KultPlus.com