Anglia u kualifikua sonte në Dyseldorf, në gjysmëfinalet e Euro2024, duke eliminuar Zvicrën me penallti 5-3, pas barazimit në 1-1.
Penalltinë për zviceranët e humbi mbrojtësi Manuel Akanji.
Breel Embolo hapi rezultatin e ndeshjes për Zvicrën në minutën e 75-të, para se Bukayo Saka të barazonte pesë minuta më vonë.
Zviceranët patën shanse më të mira në kohën shtesë, por këtu përfundon ëndrra për Granit Xhakën, Xherdan Shaqirin e Ardon Jasharin për kualifikim historik në gjysmëfinale të Kampionatit Europian.
Në ndeshje ishte i pranishëm edhe princi William.
Anglia do të takohet në gjysmëfinale me Holandën ose Turqinë, të cilat përballen sonte në Berlin (21:00H)./ KultPlus.com
Sot të gjithë e ndeshim diku vështrimin e Frida Kahlos. E kudondodhur në posterat, printimet, kopertinat e librave, gotat apo bluzat, imazhi i saj është më i njohur sot se sa ishte gjatë jetës së saj të shkurtër. Ndonjëherë ajo shfaqet më tipare mashkullore, dhe ndonjëherë femërore dhe delikate.
Megjithatë ekziston gjithmonë ndjenja e një gruaje që e kuroi me kujdes imazhin e saj publik. Nuk është çudi që Kahlo përshtatet kaq lehtë në ikonografinë e botës së shekullit XXI që ka shpikur idenë e influencuesit, duke e personifikuar jo pak, pasi ky version i Kahlospërfaqëson një përzierje midis bohemizmit, heroinës tragjike dhe të jetuarit sa më mirë.
Nga ana tjetër ajo na tregon shumë Frida Kahlo-n historike, një artiste me talent të rrallë e cila u rrit në mesin e trazirave të Revolucionit Meksikan, duroi dhimbjet kronike dhe shëndetin e brishtë gjatë gjithë jetës së saj në vazhdën e martesës me artistin e famshëm meksikan, Diego Rivera, dhe nën shoqërinë e disa prej figurave më të rëndësishme të shekullit XX-të?
Historia e saj nis në vitin 1907 në Kojoakan, asokohe një fshat i vogël në periferi të Meksiko Siti, kur Kahlo lindi si e treta nga 4 vajzat e emigrantit gjerman Guilermo Kahlo (1871–1941) dhe Matilda Gonzalez (1874-1932), vajza e një babai indigjen dhe një nëne me origjinë spanjolle.
Guilermo ishte një fotograf i talentuar dhe i suksesshëm, edhe pse shpërthimi i Revolucionit Meksikan në vitin 1910 kjo ndikoi negativisht në punën e tij, pasi ai mbështetej tek porositë që merrte nga qeveria e përmbysur. Ndërsa marrëdhënia e Fridës me nënën e saj konservatore ishte shpeshherë e tensionuar, ajo ishte e afërt me të atin, sidomos pasi Kahlo u sëmur nga poliomieliti kur ishte 6-vjeçe.
Ajo sëmundje e la me këmbën e djathtë më të dobët dhe më të shkurtër. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht edhe dashurinë e saj për fustanet e gjata tradicionale, sepse ato e mbulonin defektin e saj fizik. Sipas biografisë së historianit të artit Hajden Herrera, përvoja e vetë Guilermos me sulmet epileptike, ndihmoi babë e bijë të krijonin një lidhje shumë të ngushtë bazuar në përvojën e përbashkët të sëmundjes.
Guilermo i mësoi vajzës së tij fotografinë dhe pikturën. Më vonë ajo do të shkruante në ditarin e saj mbi “butësinë” e tij dhe “mirëkuptimin për të gjitha problemet e mia”. Në vitin 1922, Kahlo hyri në shkollën prestigjioze “Escuela Nacional Preparatoria” (Shkolla Përgatitore Kombëtare), një nga vetëm 35 vajzat mes 2000 studentëve.
Autoritetet e shkollës përqafuan ‘indigenismo’-n, një qasje antikoloniale ndaj identitetit meksikan që luajti një rol të veçantë krijimin e një imazhi të veçantë publik nga Kahlo. Ajo filloi të pretendonte se kishte lindur në vitin 1910, se ishte “një bijë e revolucionit”.
Së bashku me shokët dhe shoqet e saj krijuan një grup të vogël të quajtur “Los Cachuchas” për shkak të kapeleve të larta që mbanin. Ato ishin rebele dhe të angazhuara politikisht dhe intelektualisht. Frida Kahlo mendonte të bëhej mjeke, derisa një aksident i tmerrshëm ndryshoi trajektoren e jetës së saj. Më 17 shtator 1925, Kahlo dhe dashuria e saj e parë, Alehandro Arias, udhëheqësi jozyrtar i “Los Cachuchas”, po udhëtonin në një autobus kur ai u përplas nga një tramvaj. Disa pasagjerë vdiqën. Kahlo u ngjesh pas një parmaku prej hekuri, duke pësuar çarjes të legeni. Po ashtu iu shpua barku dhe mitra, pati disa kocka të thyera dhe shtypje të këmbës së saj të djathtë.
Mjekët dyshonin nëse ajo do të arrinte të mbijetonte. Pas rikuperimit të saj fillestar, ajo u diagnostikua se kishte 3 rruaza të zhvendosura në shtyllën kurrizore, ndaj duhej të vishte një korse prej gipsi dhe të kalonte edhe 3 muaj të tjerë shtrirë në shtrat. Marrëdhënia e saj me Ariasin, të cilën prindërit e tij nuk e miratuan, do të përfundonte pasi ai u dërgua në një turne në Evropë.
Kur po i nënshtrohej një rikuperimi të dytë të gjatë – beteja e saj me poliomielitin e kishte izoluar për 9 muaj – Kahlo nisi ta merrte seriozisht artin. Nëna e saj i dha asaj një kavalet të projektuar posaçërisht në mënyrë që Frida të mund të pikturonte në shtrat. Më vonë ajo shkroi: “Unë pikturoj veten shpesh, sepse jam subjekti që njoh më mirë”.
Në fundin e vitit 1927, megjithëse do të jetonte me dhimbje kronike për pjesën tjetër të jetës së saj dhe do t’i nënshtrohej shumë operacioneve, Kahlo ishte mjaftueshëm mirë për t`u rikthyer tek përditshmëria. Miqtë e saj, tani në universitet, ishin përfshirë në politikën studentore.
Kahlo iu bashkua Partisë Komuniste Meksikane (PCM), anëtarët e së cilës përfshinin figura të tilla radikale si fotografja italo-amerikane Tina Modoti (1896-1942). Në një nga mbrëmjet argëtuese të organizuara nga Modoti, Kahlo u njoh me Diego Riverën (1886-1957), një artist i njohur tashmë.
Ajo i kërkoi Riverës të shikonte veprat e saj të artit dhe të gjykonte nëse ajo kishte ndonjë talent. “Vepra e saj rrezatonte një energji të pazakontë shprehëse, një përcaktim të saktë të karakterit. Shumë shpejt, ajo u bë gjëja më e rëndësishme në jetën time”- do të shkruante më vonë Diego.
Të dy u martuan në gushtin e vitit 1929. Matilda nuk ishte dakord që Kahlo të martohej me një bohem radikal, 20 vjet më i madh se vajza e saj, një burrë, jeta personale e të cilit ishte shumë e ndërlikuar. Ndërkohë Guilermo, i vetëdijshëm për pasurinë e Riveras dhe nevojën e së bijës për për trajtime mjekësore të kushtueshme në vitet në vijim, kishte një pikëpamje të kundërt.
Ata e quajtën çiftin me nofkën “elefanti” dhe “pëllumbi”, i tillë ishte ndryshimi në fizikun e tyre. Lajmi mbi martesën e tyre bëri bujë edhe në media ndërkombëtare. Në vitet që pasuan, Rivera nënshkroi kontrata shumë fitimprurëse për realizimin e muraleve të paguara nga industrialistët dhe financierët si Ford dhe Rokfeler.
Gjatë viteve 1930 dhe deri në vdekjen e saj në 1954, ajo e mbështeti këtë ide me një seri kanavacash, shpeshherë çuditërisht të vogla kur i shihni në ndonjë galeri, por që janë bërë të famshme në mbarë botën. Ajo hapi një ekspozitë në vitin 1938 në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa i shiti tablonë “The Frame” Muzeut të Luvrit në vitin 1939.
Vepra e saj u ndikua shumë nga arti popullor meksikan, i pasur me simbolika, si para–kolumbiane ashtu edhe të krishtera. Shpesh ai ishte thellësisht politik dhe përballej me çështjet rreth gjinisë, klasës dhe racës. Marrëdhënia e saj e stuhishme me Riverën, e ndërprerë nga divorci në vitin 1939, vazhdoi sërish. Çifti u pajtua dhe u martua përsëri, edhe pse asnjëri nuk e mësoi kurrë aftësinë e besnikërisë.
Gjatë rrjedhës së marrëdhënies së tyre, Kahlo kishte lidhje me burra dhe gra, përfshirë këngëtaren e lindur në Kosta Rika, Chavela Vargas. Në prill 1953, Kahlo organizoi ekspozitën e saj të parë personale në Meksikë në Galería Arte Contemporaneo.
Pakkush priste që ajo të merrte pjesë personalisht. Por, duke injoruar këshillat e mjekëve, ajo mbërriti në ceremoninë hapjes së ekspozitës me një ambulancë përpara se të çohej me barelë në shtratin e saj me katër postera, të cilin ajo e kishte rregulluar që ta zhvendoste nga shtëpia e saj në galeri. Vdiq më 13 korrik 1954 në moshën 47-vjeçare. Shkaku zyrtar i vdekjes ishte embolia pulmonare, edhe pse disa besojnë se ajo mund të ketë vrarë veten. / “History Extra” – Bota.al/KultPlus.com
Zoti President, Dy vjet më parë, më 1989, kur jo vetëm në vendin tim por në gjithë perandorinë e Lindjes, diktatura komuniste ishte ende në këmbë, me mikun tim, laureatin e çmimit Nobel të paqes, Elia Weisel, ju kam dërguar një letër. Në atë kohë, për një letër si ajo, në Shqipërinë komuniste dënoheshe me vdekje, megjithatë unë e ndjeva për detyrë t’ju drejtohesha juve, presidentit të shtetit më të fuqishëm demokratik të botës, për t’ju kërkuar ndjesë në emër të popullit shqiptar, për qëndrimin armiqësor që mbante qeveria komuniste shqiptare ndaj SHBA. ju shkruaja, midis të tjerash, në atë letër se populli shqiptar, në kundërshtim me sunduesit komunistë, kishte ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA dhe ju lutesha Juve, që pa ia vënë veshin fyerjeve të Tiranës të vazhdonit të ndihmonit këtë popull martir, si atë që vuante brenda kufijve të shtetit, si gjysmën tjetër të tij, që vuante në Jugosllavi.
Dhe ja, pa u mbushur dy vjet, në marrëdhëniet amerikano-shqiptare ndodhi e pabesueshmja. Kur Sekretari i Shtetit, Baker, u prit në mënyrë madhështore në Tiranë, isha i lumtur të vërtetoheshin fjalët që ju kisha shkruar më 1989, që në atë kohë mund të tingëllonin si fantazi shkrimtari, se SHBA do të ketë te populli shqiptar, një mik të zjarrtë e të përhershëm. Nga ana e tyre, shqiptarët të zhgënjyer nga ato lidhje të mbrapshta në të cilat i çuan komunistët, janë sot më të etur se kurrë për miqësi të vërtetë.
Zoti President, sot kur një pjesë e botës, e sidomos ajo pjesë që posa është shkëputur nga e kaluara komuniste, po përpëlitet e s’gjen dot qetësi, njerëzimi mbarë përcjell me adhurim përpjekjet tuaja fisnike për rregullimin e saj. Në këtë kahje, jo vetëm si shkrimtar e qytetar shqiptar, por edhe si njeri që dëshiron një botë më të përkryer, ju drejtohem Juve, burrit të shtetit me të cilin e ardhmja e botës ka një lidhje të drejtpërdrejtë.
Për shumë dekada, një pjesë e botës në aksionet e saj politike e diplomatike, përballë problemeve të mëdha ka qenë shpesh herë e paralizuar prej dogmave dhe tabuve. Në emër të një stabiliteti e qetësie false, këto dogma shpalleshin të shenjta e të pandryshueshme, paçka se kombe e popuj të tërë, të rrëzuar prej fatit, njëlloj si titanët e dikurshëm, vuanin e rënkonin prej tyre. Tani është e qartë për cilindo, se ajo qetësi dhe stabilitet, që përligjej nga formulat gjoja të shenjta, nuk ka qenë veç një harmoni e gënjeshtërt. Nuk do të zgjatem për gjëra që ju i dini më mirë se kushdo dhe, prej të cilave jeni shqetësuar si rrallë kush. Do të dëshiroja vetëm që të tërheq edhe një herë vëmendjen tuaj, Zoti President, për popullin me fatin më tragjik, të krejt kontinentit evropian: shqiptarët.
Ky është i vetmi popull në historinë e Europës, që pas dy mijë vjetëve jetë u nda më dysh, që në fillim të shekullit të XX-të prej Fuqive të Mëdha. Ky është i vetmi komb, që në këtë shekull u shtyp prej dy diktaturave më të egra, që ka njohur bota: diktaturës së komunistëve shqiptarë dhe diktaturës së komunistëve serbë.
Ky gjymtim e kjo shtypje dyfishe, e ka lodhur dhe e ka dëmtuar rëndë këtë komb. Tani, gjysma e tij, ajo që jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar, është duke e fituar më në fund lirinë. Por gjysma tjetër, ajo që ende ndodhet nën komunistët serbë, është në zi dhe në mjerim.
Zoti Presidenti SHBA! Mendoj se është e palejueshme dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet e natyrës, të së drejtës universale dhe të Zotit, që ky komb të vazhdojë e të jetë i dënuar kështu. Dhurata që iu bë terroristëve serbë që vranë më 1914 në Sarajevë, dukën Ferdinand të Austro-Hungarisë, duke u dhënë si shpërblim gjysmën e Shqipërisë, është një nga krimet më të rënda në historinë e njerëzimit. Sa më shpejt që bota e qytetëruar ta çlirojë veten e saj nga ky krim, aq më mirë do të jetë.
Kur ju shkruaj këto fjalë, unë nuk mendoj kurrë, që paqja dhe mirëkuptimi i sotëm i arritur me aq mundime, të rrezikohen për shkak të shqiptarëve. As nuk parashtroj kërkesa për veprime të ngutshme, brutale ose sensacionale. Ajo që dëshiroj të shtroj para jush është kërkesa për një ndryshim parimor në qëndrimin ndaj popullit shqiptar. Në mbarim të këtij shekulli, përpara shqiptarëve po ngrihet shansi historik, shansi që të korrigjohet faji që u bë ndaj tyre në fillim të shekullit.
A do të pranohet prej botës së sotme të qytetëruar e drejta e këtij populli, që të jetojë bashkë, në të njëjtën shtëpi, si të gjithë kombet apo do t’i mohohet kjo e drejtë, në emër të tabuve ose të gjumit të qetë të dikujt?
Në qoftë se në vizionin e Europës së nesërme pranohet kjo ide, mendoj se edhe mjetet demokratike për zgjedhjen e saj në mënyrë paqësore, diplomatike, njerëzore, pa dhimbje e gjak për kërrkënd, mund të gjenden. E tmerrshme është se gjer më sot kjo ide nuk është pranuar. Por në kohën tonë, në kohën e triumfit të të drejtave të njeriut, triumf në të cilin SHBA kanë një vend nderi, të mos pranosh një ide të tillë, do të thotë të pajtohesh me të kundërtën.
Me një krim të tillë në ndërgjegje, bota e lirë s’mund të flejë e qetë. Ndonëse nuk do të doja ta mbyllja këtë letër me diçka të zymtë, s’mund të rri pa ju thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë bërë thirrje për ndihmë gjithë botës: një masakër e përgjakshme po përgatitet kundër tyre.
Shpresoj, Zoti President i SHBA, se ju do të bëni gjithçka, për të ndaluar këtë krim të paralajmëruar, tashmë, nga shumë drejtime.
Duke ju falënderuar edhe një herë, ]u personalisht dhe shtetin tuaj të madh, për vëmendjen ndaj popullit tim, shpresoj Zoti President, se midis punëve dhe problemeve tuaja të shumta, do të vazhdoni të interesoheni për fatin e popullit tim martir.
Pranoni, Zoti President, shprehjen e respektit tim më të thellë.
Nga:William Faulkner (fjalimi i tij më 1950, pasi pranon Çmimin “Nobel” për Letërsi)
Përktheu: Granit Zela
E ndiej se ky çmim nuk m’u dha mua si njeri, por veprës sime, veprës së një jete blatuar shpirtit njerëzor që vuan në agoni, jo për lavdi, aq më pak për pasuri, por për të krijuar prej thelbit të shpirtit njerëzor diçka që s’ka qenë kurrë më parë. Pra, më përket mua, vetëm në kuptimin e besimit. S’ka për të qenë e vështirë që paratë të shkojnë aty ku duhet, siç dhe e meriton përmbushja e qëllimit dhe domethënia e tyre qysh në krye të herës. Të njëjtën gjë dua të bëj edhe me këtë çast bujëplotë, ta shfrytëzoj me përgjegjësi, si një faltore, nga ku zëri im dëgjohet prej vajzave dhe djemve që i blatohen të njëjtit ankth dhe robëtimi, mes tyre padyshim është edhe ai që një ditë do të jetë këtu ku jam unë.
Tragjedia jonë sot është frika fizike e të gjithëve, në të gjithë botën, dhe na ka pushtuar prej kaq shumë kohësh sa jemi mësuar me të. Nuk bën më kush pyetjen se çfarë e trazon shpirtin. Por vetëm një dhe vetëm një: Kur do të hidhem në erë? Është kjo arsyeja pse djemtë dhe vajzat që shkruajnë sot, kanë harruar çfarë e trazon zemrën njerëzore që lufton me veten, çka dhe lind letërsi të madhe, sepse veç për ato ia vlen të shkruash, veç për këtë ia vlen vuajtja në agoni.
Duhet t’i mësoj edhe një herë të gjitha këto. Ta mësoj vetë se në themel të gjithçkaje është të pasurit frikë, dhe me ta mësuar vetë këtë, ka për ta harruar përgjithmonë, dhe s’do ketë vend në punishten e tij të shkrimit për asgjë tjetër përveç besimeve dhe të vërtetave të lashta të zemrës, për ato të vërteta të lashta dhe të përbotshme pa të cilat çdo rrëfim është i përkohshëm dhe jetëshkurtër: për dashurinë dhe nderin, mëshirën dhe krenarinë, dhembshurinë dhe sakrificën. Po nuk e bëri këtë, është i mallkuar. Nuk shkruan për dashurinë po për epshin, për disfatat ku humbësi s’humbet asgjë me vlerë, për fitoret pa shpresë, dhe më e keqja e të gjithave, pa mëshirë, pa dhembshuri. Brengat e tij, nuk e prekin mbarënjerëzoren, prandaj s’të brengosin. Të shkruarit nuk buron nga zemra, por nga thembra.
Derisa t’i mësoj edhe një herë këto, do të shkruaj si ai që gjallon mes njerëzve por rri dhe vështron fundin e njeriut. Unë nuk e pranoj fundin e njeriut. Është e lehtë të thuash se njeriu është i pavdekshëm thjesht sepse do të durojë, se kur të jetë dëgjuar boria e fundit e botëmbarimit dhe të jetë shuar shkundullima e shkëmbit të fundit në rrokullimë në atë mbrëmje të mbrame të përflakur që fiket, edhe atëherë, do të dëgjohet ende një kumbim: ai i zërit të tij të mezindjeshëm, të pashtershëm, që ende flet. Nuk e pranoj këtë. Besoj se njeriu jo vetëm do të durojë, por do të ngadhënjejë.
Është i pavdekshëm, jo sepse ndër të gjitha krijesat, vetëm zëri i tij është i pashtershëm, por sepse ka frymë, shpirt të aftë për dhembshuri, sakrificë dhe durim. Detyra e poetit, e shkrimtarit, është të shkruajë për to. Është e drejta e tij e veçantë ta ndihmojë njeriun të durojë duke ia çuar zemrën peshë, duke i kujtuar guximin, nderin, shpresën, krenarinë, dhembshurinë, mëshirën dhe sakrificën, të cilat kanë qenë lavdia e së shkuarës së tij. Zëri i poetit nuk duhet të jetë thjesht dëshmi e njeriut, sepse mundet me qenë gur themeli, kolonë kua ai mbështetet që të durojë dhe të ngadhënjejë. /KultPlus.com
Louis Daniel Armstrong, trombist i xhazit, është një nga eksponentët më të mëdhenj të këtij lloji të muzikës dhe ai që ka dhënë një etapë krejtësisht të re në muzikën afrikano-amerikane. Sa i përket lindjes së tij ka një sfond të vogël që gjithashtu përcakton një hije të vogël. Armstrong ka pohuar gjithmonë të jetë i lindur më 4 korrik (Dita e festës kombëtare të SHBA), por, në fakt, studimet e fundit kanë treguar se trombisti i madh ka lindur 4 gusht, 1901.
Në veçanti, janë për t’u shënuar hulumtimet e tyre ndërmarra nga New Orleans, vendlindja e tij, të kryera nga Tad Jones, i cili duket se ka gjetur certifikatat origjinale të pagëzimit të “Mbretit të Jazzit”. Sipas këtyre akteve, “Satchmo” (pseudonim që do të ngarkuar do të thotë, përafërsisht, “Goja në saksofon”, ai i kishte shtuar moshës një vit e një muaj, ndoshta për të zgjidhur disa probleme që lidhen me fillimet e tij të hershme në Çikago dhe Nju Jork, ku ai nuk donte të dukej më i ri se ishte.
Louis Armstrong kishte një fëmijëri të trazuar. Prindërit janë të ndarë pak para lindjes së tij dhe ai i besohet Josephines, gjyshes nga ana e nënës, ndërsa nëna, me gjasë, u bë prostitutë.
Ditët e tij kalojnë në zgripin në mes përjashtimit social dhe krimit, edhe pse, për fat të mirë, një interes i madh lind brenda tij, një antidot i aftë për ta mbajtur atë larg nga devijimet e rrezikshme dhe në të njëjtën kohë për ta “hedhur” në një të vetmen atmosferë: muzikën.
Ende shumë i ri të luajë në trombë apo të vlerësojë potencialin dhe të metat, u kufizua në këtë kohë për të kënduar në një grup mjaft karakteristik lokal, sepse kjo ishte mundësia e vetme. Kjo e ndihmon për të zhvilluar një intonacion të shkëlqyer dhe një ndjenjë të shquar të improvizimit, dhe të mos harrojmë se në fakt ky është tipari kryesor që e dallon jazz-in.
Por jeta e rrugës është gjithmonë jetë rruge, me të gjitha rreziqet dhe shqetësimet që ajo sjell. Louis, ndërsa dëshiron, nuk mund të tërhiqet tërësisht nga ky kontekst. Një ditë ai befas e gjen veten me një revole të vjedhur nga një prej bashkëjetuesve të nënës së tij, për të festuar fundin e vitit. Pasoja është se ai u transferua në një qendër riedukimi për rreth dy vjet, pjesërisht për shkak se gjykata e kishte njohur nënën e tij të paaftë për rritje të pasardhësve. Nga kjo vjen ndoshta ankthi i dashurisë që shënon jetën e tij, e cila do të shohë para tij dy gra dhe shumë marrëdhënie.
Gjithashtu në qendrën e riedukimit Louis Armstrong gjen rrugën për të bërë muzikë: ai bashkohet me korin e institutit dhe pastaj me grupin, ku ai fillon të luajë me daulle. Ai gjithashtu merr mësimet e para të kornos. Merita është e gjitha e mësuesit të tij, Peter Davis, i cili i jep atij mundësinë për të studiuar bazat e këtij lloji të “zëvendësimit” të trombës. Grupi i institutit është shumë i dashur nga njerëzit dhe ai shëtit rrugët duke luajtur melodi në modë në atë kohë si e famshmja “”When the Saints Go Marchin’in”, e cila, e përmirësuar disa vite më vonë, do të bëhet një nga pikat e tij të forta.
Pas largimit nga riedukimi ai filloi të frekuentojë klubet me shpresën se ai do të ishte në gjendje të luante në ndonjë orkestër. Në një nga këto mbrëmje, ai takon Joe Oliver, i cili konsiderohet më i miri në New Orleans (tashmë i quajtur “King Oliver”). Mes të dyve ekziston një marrëdhënie e shkëlqyer, aq shumë sa që Oliver, para se të transferohet, kërkon Kid Ory (një tjetër lojtar i njohur i xhazit të xhazit) që të zëvendësohet nga Louis.
Vetëm në nëntor të vitit 1918, i inkurajuar nga puna në “riverboats” (anijet që lundronin në lumin Misisipi), Armstrong mëson të deshifrojë rezultatet, duke u bërë kështu një muzikant i plotë. Pas disa viteve të këtij regjimi jo vërtet relaksuese (punën në barkë ishte shumë e lodhshme), në vitin 1922 ai u transferua në Çikago, duke lënë një New Orleans që gradualisht “korruptonte” gjithnjë e më shumë shijet e tij muzikore, derisa të ringjallë një folklor të plakur e bajat.
Armstrong në kohën e pjekurisë së tij artistike ndjekur një tjetër rrugë, krejtësisht të ndryshme, bazuar në ashpërsinë e linjave polifonike muzikore dhe në përpjekjne për t’i dhënë solistit një rol hegjemonist dhe të integruar në lëndën muzikore.
Për fat të mirë ai u punësua nga King Oliver në “Creole Jazz Band” tüe tij, ku ka aftësinë për të vepruar si solist dhe të spikasë mjeshtërinë ekstreme të arritur tashmë me instrumentin e tij. Dhe në fakt, mendimi i përbashkët i entuziastëve dhe historianëve është se “Satchmo” kishte imagjinatë pjellore ritmike dhe melodike, kombinuar me një vëllim mbresëlënëse zanor dhe me një vulë të pagabueshme.
Pas një sërë turesh, arrijmë në vitin 1924, një vit veçanërisht i rëndësishëm për “Satchmo”. Ai martohet dhe lë orkestrën Oliver dhe hyn në grupin e adh të Fletcher Henderson, një gjigant i xhazit i cili zotëronte një nga orkestrat më të mira të kohës, plot solistë të zotë. Si dëshmi e hopit cilësor, Armostrong ka mundësinë të regjistrojë këngë me Sidney Bechet, Bassie Smith dhe shumë të tjerë.
Më vonë ai vendos të nisë një karrierë solo. Regjistron “Hot five dhe Hot Sevens” transformuar jazz në një nga shprehjet më të larta të muzikës, me trombë të qartë dhe të shkëlqyer dhe me zëri i tij të vrazhdë që del direkt nga thellësia e grykës.
Që atëherë ai është vetëm një sukses i sukseseve, por në hije, megjithatë, të disa zërave kritikë që denoncojnë kufijtë dhe skadimin e fenomenit Armstrong. Louis akuzohet edhe për të qenë një Xha Tom për shkak të dykuptimësisë ndaj vëllezërve të zinj. Por për shkak të pranisë së tij karizmatike ai ndihmon për të thyer çdo barrierë racore duke u bërë një nga yjet e para të njerëzve me ngjyrë në muzikë. Jeta e tij, përveç për të jetuar koncerte dhe turne, është pasuruar me bashkëpunime (p.sh. me Zilmer Randolph), dhe gjithashtu fillon të hapet ndaj kinemasë, duke u shfaqur në disa filma; ndër këta kujtojmë një, “Shoqëria e lartë” (High Society), 1956, me Charles Walters, Grace Kelly, Bing Crosby dhe Frank Sinatra, në të cilën prezanton dhe përfundon skenat e para dhe të fundit të filmit.
Shndërruar në një ikonë, Louis Armstrong në vitet e fundit sigurisht ishte bërë ambasadori i xhazit në botë, por ai gjithashtu ua huazoi imazhin e tij një seri të ngjarjeve shumë të diskutueshme në rrafshin artistik. /KultPlus.com
Titulli si “patriarku i letrave shqipe” nuk mund të bjerë kurrsesi me vdekjen e tij. Përkundrazi, tanimë ai qëndron mbi të gjitha çmimet e titujt që kishte marrë sa ishte gjallë. E, gjithsesi, Dritëro Agolli cilësohet ndryshe dhe si një nga shkrimtarët më të mirë në letërsinë shqipe. Gazeta “Fjala” pati botuar një shënim të Dritëro Agollit, të papublikuar më parë, si disa letra nga korrespodenca personale, materiale të cilat janë vënë në dispozicion nga familjarët.
Letërsia dhe roli i saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale
Unë do të përpiqem të flas sa më shkurt për një problem që gjithmonë ka qenë aktual për ballkanasit dhe shkrimtarët ballkanas. E kam fjalën për letërsinë dhe rolin e saj në mënjanimin e urrejtjes nacionale në dobi të stabilitetit dhe paqes në Ballkan. Të flasësh shkurt, do të thotë të komunikosh telegrafikisht. Kështu, fjala ime përbëhet prej tri telegramesh.
Telegrami i parë
Njerëzit e përparuar, politikanët, shkencëtarët, publicistët, shkrimtarët dhe gjithë personalitetet e shquara, megjithëse kanë ndryshime në pikëpamjet politike dhe filozofike, nuk e kundërshtojnë bashkëpunimin për krijimin e një shtëpie të madhe, të stabilizuar dhe të qetë, një shtëpie që e ka emrin Ballkan, shtëpi që dikur i thoshin “fuçi baruti”.
Bashkë me dëshirën për bashkëpunim në stabilitetin e Ballkanit njihen edhe pengesat, si ato të diferencave ekonomike dhe botëkuptimore mes vendeve që dolën nga socializmi dhe atyre të demokracisë perëndimore. Edhe shpejtësia e ritmeve të zhvillimit ekonomik ka diferencë mes këtyre dy lloj vendeve në Ballkan.
Duhet kohë të ecim me të njëjtën shpejtësi. Por një ndër pengesat më të mëdha për paqen dhe stabilitetin në Ballkan është ekzistenca e urrejtjes nacionale, nga lindin konflikte, të cilat transformohen në luftëra të vërteta dhe sjellin tragjedira të panumërta, që mbeten gjatë në kujtesën e disa brezave. Kjo urrejtje nacionale nuk ka lindur vetvetiu në popujt tanë.
Ajo është kultivuar dhe rritur nga qarqe të caktuara politikanësh, historianësh, gazetarësh, fetarësh, ushtarakësh e me radhë. Mes tyre, fatkeqësisht, ka edhe shkrimtarë, madje edhe të talentuar. Unë kam njohur shkrimtarë ballkanas, – nuk është nevoja të përmend emra, – mjaft të dëgjuar edhe mjaft të këndshëm në biseda, por kur vinte fjala për vlerën e këtij apo atij kombi në Ballkan, ata bëheshin të tmerrshëm me shprehjen e nacionalizmit të tyre, duke e konfonduar atë me patriotizmin.
E, kjo ndjenjë në ballkanasin e thjeshtë nuk është. T’ju tregoj një shembull. Kohët e fundit shtëpia botuese greke “Patakis” botoi një librin tim me tregime me titull “Një grek i vogël në shtëpinë time”. Një miku im grek, pasi e kishte lexuar tregimin me këtë titull, më pyeti:
-E vërtetë është kjo ngjarje?
-Po! – i thashë.
Ja, kështu. Im atë kishte një mik grek nga Follorina. E quanin Thoma dhe i binte violinës. Im atë i thoshte “qirjo Thoma”. Qirjo Thomai i thoshte tim eti “qirjo Riz”. Kur kërciste porta, gjyshja ime i thoshte tim eti: – Ngrihu, se të erdhi qirjo Thomai. Ajo nuk i donte grekërit, pasi në një përpjekje ishte vrarë nga ta i vëllai. Nejse, në prag të Luftës italo-greke, gjashtëdhjetë vjet më parë, greku Thoma e solli të birin në shtëpinë tonë, pasi i kish vdekur e shoqja.
Grekun e vogël e quanin Pavllo. Gjyshja u tërbua, se kish frikë se greku i vogël mos më therte me thikë natën me që flinim në një dhomë. Pastaj ajo u qetësua, por thirri xherahun, berberin e fshatit, dhe e bëri synet, me gjithë kundërshtimet e tim eti. Kjo është një histori e gjatë. Por më në fund gjyshja e deshi aq shumë grekun e vogël, sa qau, kur atë e morën partizanet grekë, pas vrasjes së qirjo Thomait nga nazistët gjermanë.
Kështu gjyshja ime e mposhti urrejtjen nacionale dhe mua si shkrimtar më dha një temë internacionale.
Telegrami i dytë
E kam thënë edhe në një rast tjetër se shkrimtari ballkanas ka tri shpirtra: shpirtin nacional, shpirtin ballkanik dhe shpirtin evropian. Dhe vështirësia qëndron në harmonizimin e këtyre tri shpirtrave. Kur futet djalli në mes dhe i ngatërron këta tri shpirtra, në veprën e shkrimtarit shfaqen shumë djaj të vegjël.
Nëse ngjitet në ekstrem shpirti nacional, ngre kokën nacionalizmi me urrejtjen nacionale; nëse ngrihet në kulm shpirti ballkanik, shfaqet ksenofobi bashkë me grindjet megalomane; nëse vepron vetëm shpirti evropian, humb identiteti dhe shkrimtari mbetet pa adresë. Prandaj zotësia qëndron te harmonia e këtyre tri shpirtrave. Këtë harmoni e kërkon edhe letërsia në dobi të stabilitetit dhe të paqes në Ballkan, që nuk është një ëndërr e zbrazur, por një realitet.
Është e çuditshme se ne ballkanasit këtë harmoni e shfaqim bukur, kur takohemi në ndonjë vend larg Ballkanit, fjala vjen, në Afrikë, në Azi, në Amerikë, po edhe në ndonjë cep të Evropës. Para njëzet e pesë vjetësh unë isha në një qytet të Kongos franceze, në Afrikën Qendrore. Në hotel nuk më zinte gjumi dhe zbrita në bar.
Atje në një tryezë, në qoshe, ishte vetëm një njeri. Edhe unë u ula larg në qoshen tjetër. Ne i këmbenim vështrimet me njëri-tjetrin. Unë mendoja se ai njeri me mustaqe do të ishte ballkanas: ose shqiptar, ose grek, ose serb, ose rumun, ose bullgar. Ai shiko, unë shiko. Më në fund u ngrit dhe erdhi tek unë.
-Grek je?- më pyeti.
-Jo, – i thashë, – jam kushëriri yt, shqiptar.
-Di greqisht? – më pyeti.
-Di vetëm të shaj në greqishte – u përgjigja.
Dhe e shava greqisht me nënën.
Ai m’u hodh në qafë dhe më tha ta shaja edhe një herë. E shava tri herë dhe tri herë më përqafoi, duke me thënë:
-Ka njëzet vjet që nuk kam dëgjuar fjalë greke, more kajmeno.
Kështu që, kur je larg, malli për fqinjin e mposht nacionalizmin.
Telegrami i tretë
Flitet shumë tani për Paktin e Stabilitetit në Ballkan dhe për integrimin e tij në Evropë. Doemos ndihmat ekonomike, korridoret e tetë apo të dhjetë janë shumë të rëndësishme. Por nga njerëzit e politikës pak flitet për një korridor tjetër, korridorin e kulturës, letërsisë dhe arteve.
Është e domosdoshme që popujt tanë ta njohin më shumë letërsinë dhe artin e njëri-tjetrit, të organizojmë më shumë takime për ta njohur konkretisht shoku-shokun, të përkthejmë vepra dhe të shkëmbejmë përvojë. Në Shqipëri, megjithëse ka vështirësi ekonomike, sociale dhe politike, përkthehen mjaft shkrimtarë ballkanas, veçanërisht grekë, turq e rumunë. Përveç shkrimtarëve të shekullit të 19-të njihen Kavafis, Kazanaqis, Ricos, Seferis, Elitis, Jashar Kemal, Aziz Nesin, Nazim Hikmet, Dagllaxhan, Sozesku, Radiçkov, Kërlezha e plot të tjerë që nuk më kujtohen.
Mbase gaboj, por ka ardhur koha të krijohet Federata e Shkrimtarëve Ballkanas. E pse të mos krijohet, kur edhe gazetarët e Ballkanit kanë Bashkimin e Gazetarëve Ballkanas? Në këtë mënyrë do të njihen personalisht shkrimtarët me shoku-shokun dhe do të nxitin edhe përkthimet. Unë e njoh prej kohësh dhe e kam mik shkrimtarin grek Samazaqis. Ngaqë e njihja, kur u përkthye në shqipe romani i tij “Plasja”, unë shkrova parathënien. Atij i pëlqeu dhe më dërgoi një telegram përshëndetje.
Besoj se edhe ky takim i këndshëm ne Selanik, do t’i shërbejë njohjes së njerëzve të kulturës dhe stabilitetit në Ballkan.
Ju falënderoj!
Dritëro Agolli
Sofje, 26 nëntor, 1987
I nderuari Dritëro Agolli,
Para së gjithash dua t’ju falënderoj nga zemra për dhuratën e paçmueshme, që keni pasur mirësinë të ma dërgoni. Gjesti juaj më emocionoi. Duke prekur librat e tu, unë përjetoj atë gëzim të rrallë njerëzor, i cili rrallë u ndodh njerëzve, prandaj ai mbahet mend për tërë jetën. Ndofta tani e tutje, do të kem fatin e mirë të përjetoj dhe hope të tjerë të tillë, por zor se do ta shlyejnë në ndërgjegjen time këtë hop të parë që e kam pritur me kaq padurim, më tepër se dy dhjetëvjetorë.
Takimi i parë i përkthyesve të vendeve ballaknike mund t’ju siguroj, kaloi në një atmosferë miqësore dhe të përzemërt. Më lejoni të ndaj mendimet me ju e të them disa fjalë për veprat e tua të përkthyera në Bullgari. Edhe në raportin e Marko Gonçevit, romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” u quajt si një majë në zhvillimin e letërsisë së sotme shqiptare, si vepër i ka tejkaluar kufijtë e Gadishullit Ballkanik dhe që gjer sot nga ana tjetër, megjithëse kanë kaluar dhjetë vjet nga botimi i romanit, si njerëz të lertërsisë sonë dhe të kulturës shoqërore, ashtu dhe një rreth i gjerë lexuesish, kur më takojnë, nuk harrojnë të përmendin dhe heroin tuaj “Zylo” dhe shpesh shprehen: “Mor po, i papërsëritshëm është ky heroi yt, Zylo”.
Besoj vetë marrja e personit tim, të përkthyesit modest, si protagonist letrar, flet edhe më shumë dhe do t’ju bindja për ndikimin e librit tuaj të përkthyer te ne.
Para jush mund të tregoj krenarinë që ndiej, se tri romane nga thesari i letërsisë së sotme shqiptare, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, dhe dy veprat tuaja, janë të parat të përkthyera në Bullgari.
Po ju dërgoj këtë album të vogël me fotografi nga tërë anët e Bullgarisë dhe me këtë dua në mënyrë simbolike t’ju përshëndes nga të gjitha rrethet tona, ku ka shumë qytete dhe ndër to shumë biblioteka dhe shumë të tilla familjare, ku kanë gjetur mikpritjen dhe të dy librat e tu.
Duke ju falënderuar edhe një herë, ju uroj shëndet, shëndet, për të shkruar edhe dhjetëra vepra të tjera, si dhe shumë lumturi personale.
Juaja,
Marina Marinova
Letër nga Sofja 1978
I nderuari Dritëro Agolli!
Pak kohë më parë në gjuhën bullgare doli libri Juaj “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”. Me këtë rast po ju drejtohem.
Dëshiroj t’ju shtrëngoj dorën që keni shkruar një roman kaq të bukur satirik. Ëndrra e çdo satiriku në botë është të krijojë një hero letrar, një tip. Kështu u shfaqën ushtari i mirë Shvejk, Ostap Bender, Tartarini i Taraskonit e të tjerë.
Doli në botën e madhe dhe Zyloja Juaj. Ju mundët të krijoni një hero të vërtetë humoristik, që shfaq “cilësitë” dhe dobësitë e tij në situata të mundshme.
Përshtypje të veçantë më ka bërë edhe figura tjetër – Demka. Ju keni zbuluar në mënyrë të mrekullueshme dramën e intelektualit, i cili nën ndikimin e disa kushteve, nuk shkruan tregime dhe novela, por raporte…
Figura satirike e romanit Tuaj është e papritur dhe e mahnitshme (për ne). Mua më duket se libri Juaj duhej të përkthehej edhe në vende të tjera, në gjuhë të tjera.
Romani juaj është dritare në Shqipërinë bashkëkohore. Roli politik i romanit tuaj qëndron në atë që vepron në njohjen reciproke të popujve të Ballkanit.
Librat shqiptarë nuk botohen shpesh te ne. Më duket se zgjedhja ishte e mirë dhe romani Juaj do të lexohet me kënaqësi nga lexuesi ynë bullgar që dashuron humorin.
Së fundi. Unë quhem Jordan Popov; ka pesëmbëdhjetë vjet që punoj në fushën e humorit e satirës. Kam botuar disa libra me tregime humoristike e satirike. Përshtypjet e mia të shkëlqyera nga romani Juaj i kam ndarë me kolegët dhe kemi bërë diskutime profesionale. Punoj si gazetar në revistën tonë humoristike, në të përjavshmen “Stërzhell” (Thumbi).
Edhe një herë ju përshëndes dhe ju uroj shëndet, lumturi dhe suksese të reja në krijimtari.
Jordan POPOV
Sofje, Bullgari me 04.10.1978
*Lexuesi bullgar, ishte i pari përtej kufijve që mund të lexonte “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, në vitin 1978. Jordan Popov, ka drejtuar revistën e humorit “Thumbi” që në vitin 1969 në Sofje, Bullgari. Popovi ka qenë kryetar nderi i Shoqatës së Satiristëve Ballkanikë dhe zëvendëspresident i Shoqatës së Shkrimtarëve të Bullgarisë (përndryshe Unioni i Shkrimtarëve Bullgarë). Autor i mbi 30 librave – romane, tregime të shkurtra, vëllime të tregimeve humoristike dhe fejtone. Pjesët e tij teatrore janë luajtur në skenën e Teatrit të Komedisë në Sofje. Lexuesi shqiptar, e njeh Popovin nëpërmjet titujve të tillë si Kazablanka./Jo.Be/Fjala.al/ KultPlus.com
Në kafene u dëgjua një goditje shpulle, shkllap. U ndal gjithçka, tallva, domino, loja e letrave dhe bisedat. Kokat u kthye kah tavolina prej nga u dëgjua zëri i shuplakës. Ai i cili u godit ishte njeri i madh dhe i trashë. Kurse ai që e goditi, të kundërtën e tij, i hollë, i ligsht dhe i vogël. Gishtat e të dobëtit kishin lënë shenjën e pesë gishtave në faqen e majtë të të trashit. Po të donte, polici nëpërmjet shenjës së gishtërinjve lehtë mund ta gjente kush i ka rënë.
Burrat në kafene menduan se burri trashaluq do ta kapë të hollin dhe do ta shkelë si shajak rruge, por nuk u bë ashtu, por vetëm bërtiti: Jam paditës! Nuk doli zë nga askush. Më pas tha: E patë të gjithë. Dhe duke iu kthyer të dobëtit, i cili nuk i vinte as deri të krahët, i tha: Ec, drejt në stacion policor.
Goditësi në vend të përgjigjes bëri një gjest sikur ta trembte mizën. Më pas lëshoi një zë si avull nga goja: Psss!
I trashi doli jashtë.
Burrat e kafenesë iu kthyen përsëri lojërave e muhabeteve. Trashaluqi më pas u kthye me një polic pranë. Ia tregoi policit të dobëtin. Ja, ky është! Më pas i tregoi edhe të ulurit si dëshmitarë, duke thënë: Edhe këta e kanë parë!
Polici i dërgoi në stacionin policor të trashin, goditësin dhe katër persona të tjerë që ishin ulur pranë tavolinës së tyre.
I trashi duke mbajtur ende faqen e majtë, tha: Zotëri komisar, jam paditës ndaj këtij burri. Më goditi. Janë dëshmitarë edhe këta.
Komisari shkroi me makinë shkrimi të dhënat e paditësit, të paditurit dhe dëshmitarëve. Paditësi thoshte se nuk e njeh atë që e goditi. Edhe dëshmitarët ashtu, duke thënë se ne nuk dimë gjë.
Paditësi pyeti: A e keni dëgjuar zhurmën e shuplakës?
Dëshmitarët thanë: Jo, as nuk kemi parë e as dëgjuar gjë.
I padituri tha: Unë nuk e mohoj që e kam goditur këtë burrë.
Komisari e pyeti: Përse e ke bërë? A ka diçka që nuk shkon mes jush? A ju ka fyer?
– Jo, s’ka gjë mes nesh. Nuk e njoh atë.
E si ndodhi?
I dobëti filloi të rrëfejë: Mbrëmë erdha nga puna në shtëpi. Kur pashë na e kishin shkëputur rrymën elektrike. Nuk e kishim paguar. E kaluam tëre natën në errësirë. Natën nuk fjeta fare. Veç kësaj, edhe nëna është e sëmurë tash dy vjet. Vuan nga dhimbja e lukthit. Mjeku i jep një ilaç. Kur e merr atë, i pushon dhimbja. Mirëpo, ku është tani ilaçi se? Kur u bë mëngjes u ngrita nga shtrati, po më ishte mpirë ana e majtë. Xhami i dhomës në të cilën rashë është thyer tre muaj më parë. Nuk po gjejmë xham. As ai vetë nuk po vjen. I vendosem jastëk e çarçaf dritares. Mirëpo nuk pati dobi. Deri në mëngjes hyri brenda të ftohtit. Më ishte mpirë ana e majtë. U ngrita nga shtrati, më falni, shkova në tualet. Uji ishte ndalur. Jashtë binte shi i furishëm. Në çezme nuk kishte ujë. Hyra në dhomë. Po dridheshim. Kishin marrë pak dru. Por, u harxhuan. Tani nuk po gjejmë dru. S’ka. Gazetashitësi e kishte lënë gazetën. Çdo mëngjes pa shkuar në punë lexoj gazetë. Shikova gazetën. Kishte tituj si “Garë bukurie”, “Gallatasaraji u bë kampion i ligës”. Desha ta hedh shpirtin jashtë shtëpisë. Kur po dilja në derë, erdhi nëpunësi ekzekutiv me përmbaruesin. Për shkak që nuk e kemi paguar qiranë, pronari na ka paditur. Nuk gjetën gjëra për t’i marrë në shtëpi. Nuk dua asnjëherë që në shtëpi të me vijnë nëpunësi ekzekutiv dhe përmbaruesi. Nuk gjetën gjë për të marrë. Njeriu turpërohet.
Përmbaruesi tha: Ta marrim këtë kanape.
Me ta çuar dorën në kanape dolën në pah mbi sëndukët e vjetër të sheqerit, pantallona, copëza zhelesh e jorganë të grisur.
Përmbaruesi këtë herë tha: Radion.
Sikur ta marrin këtë dreq radioje dhe të shpëtoj. Dhjetë muaj të vitit është te mjeshtri. Fito, fito, e jepja rregullimit të radios. Zaten radio na ka sjellë në këtë gjendje.
Duke dalë nga dera, gruaja më tha: Vajza nuk po shkon në shkollë.
E pyeta pse?
Mësuesi i ka kërkuar uniformë sportive. Pa të nuk e lejon të hyjë në mësim.
Mirë, mirë…
Nuk ka as vaj ulliri.
E hodha vetën rrugëve. Sido që të jetë, në punë nuk kisha mbetur vonë. Nuk shkoj as sot, thashë.
Shi i rrëmbyeshëm.
Tramvajin aty te ne e kanë hequr. Autobusi vjen çdo gjysmë ore. Nuk ka mundësi të hip. Është i stërmbushur. Minibusët edhe ata të mbushur plot.
Veturat kalojnë një pas një, mirëpo asnjëra nuk ndalon. Uji me hynë në këpucë. Sikur shiu ra me kove. U bëra qullë. Po dridhem. Një djalosh më erdhi afër dhe më tha: Më falni xhaxha!
Mendova se do të më pyeste për orën.
Më tha: A keni dijeni për ndeshjen e djeshme?
Hë, Zoti im… Vazhdova të ec. Aty gjendet një kafene. Hyra në kafene. Uji më rridhte nga çdo anë. E porosita një çaj. Pranë meje ishte i ulur ky burri që i meshova shuplakë. Lexonte gazetë.
Unë duke thënë me vete: More çka do të bëhet kjo gjendja ime? Si do të jetë fundi ynë?
Teksa unë po mendoja kështu, ky burri me mllef e gjuajti gazetën që mbante në duar dhe bërtiti: More vendi po shkon drejt humnerës!
Mendova që edhe ai ishte me brenga si unë, dhe thashë të flasim e t’i rrëfehemi njëri-tjetrit. I thashë: Përse zotëri? Më falni, mos të jetë sikur po përzihem, përse jeni tendosur?
Ai përsëri me mllef: Çka të jetë më shumë! Ej, në këtë vend nuk ka arbitër! Nuk ka arbitër, i poshtër qofsha. Në ndeshjen e djeshme arbitri përsëri ka gjykuar duke mbajtur anën..
Më pas nuk e di se çfarë më ndodhi mua. Për besë as unë nuk e kuptova, zotëri komisar. Në jetën time nuk e kam qëlluar askënd asnjëherë. Sikur në trupin tim më është shtypur një sustë, sikur është ngritur me forcën elektrike, u ngre përnjëherë lart kjo dora ime e djathtë. I mëshova një shpullë në fytyre këtij herifit. Unë nuk po e mohoj. E godita. Mirëpo, jo qëllimisht. Për besë nuk e kisha me qëllim. Ishte diçka jashtë vullnetit tim. Më pas me erdhën mëndtë. U frikësova, madje thashë se ky njëri do të më bëjë copë-copë tani. Mirëpo, u bë një herë. Zoti, duke ma dhënë në krahun e djathtë forcën e mundësit Zalolu Rrystemit, i mëshova shuplakë këtij herifit.
Komisari e shikoi burrin e trashë i cili e kishte hëngër shpullën. I shtrëngoi dhëmbët, bëri sikur u çua në këmbë. Filloi ta kruante dorën e këmbën e djathtë, dhe i tha paditësit: Hajde më! Pajtohuni mos e zgjatni!
I godituri u rebelua dhe tha: Nuk pajtohem!
Komisari i zemëruar, iu drejtua policit që shkruante në makinë: Shkruaj! “Paditësi, duke thënë vendi po shkon drejt humnerës, interesat e mëdha të vendit, personalitetin shpirtëror të qeverisë…”
Iu kthye burrit të trashë edhe një herë: Hajde pajtohuni!
Burri i trashë, duke fërkuar me dorën e majtë faqen në të cilën ende qëndronte shenja e shpullës, tha: Mirë zotëri, pajtohemi.
Marrë nga numri i pestë i revistës “Akademia”/KultPlus.com
Ylli i kinemasë, Brad Pitt, 60 vjeç, ishte sot në Silverstone, ku po xhironte skena për filmin duke përdorur një makinë të përshtatur të Formula 2, të cilën ai e drejton në rrugën e duhur midis seancave që përfshijnë seri të tjera garash, sipas France24 dhe deadline.com.
Filmi i shumëpritur u vonua nga greva e aktorëve dhe skenaristëve në SHBA vitin e kaluar.
Piloti i F1, Lewis Hamilton ka qenë i përfshirë në krijimin e skenarit për të siguruar vërtetësinë.
Brad Pitt është rikthyer në pistën e Çmimit të Madh të Britanisë për të vazhduar xhirimet e filmit të tij mbi Formula 1.
BBC raporton se fituesi i Oscar-it ka qenë sërish në aksion në pistën në Northamptonshire, i veshur me kostumin garash të ekipit imagjinar APX GP të paraqitur në film, tani të titulluar ”F1”.
Pitt gjithashtu filmoi atje vitin e kaluar, përpara se prodhimi të pengohej nga grevat, gjatë Grand Prix 2023.
Shtatë herë kampioni botëror Lewis Hamilton është një bashkëproducent në projektin e Pitt, në të cilin ky i fundit do të luajë gjithashtu si shoferin veteran Sonny Hayes, duke u rikthyer në pistë pas një mungese të gjatë.
Pitt luan një ish-pilot që kthehet në Formula 1 së bashku me shokun e tij të skuadrës (të luajtur nga Damson Idris) në APXGP, një ekip imagjinar në rrjet.
Filmi është duke u xhiruar gjatë fundjavave aktuale të Çmimit të Madh, ndërsa ekipi konkurron kundër titanëve të sportit.
Cast-i përfshin Kerry Condon, Javier Bardem, Tobias Menzies, Sarah Niles, Kim Bodnia dhe Samson Kayo./ KultPlus.com
Festivali i San Ferminit, i famshëm për vrapimin e demave, filloi në Pamplona edhe me gjuajtjen e raketës ”Chupinazo” nga ballkoni i bashkisë.
Dhjetëra mijëra spektatorë u mblodhën në sheshin, shumica prej tyre të veshur me të bardha tradicionale, duke tundur shalle të kuqe dhe duke thirrur “Viva San Fermin”.
Televizioni shtetëror spanjool, RTVE transmetoi drejtpërdrejt ceremoninë e ngjarjes gjithnjë e më të diskutueshme, por popullore.
“Jam shumë i prekur. Babai im e shikonte gjithmonë në televizion dhe ëndërronte të ishte këtu një ditë, ai nuk ia doli dhe nuk është më me ne. Unë jam këtu për të”, tha një grua meksikane e përlotur për RTVE-në.
Lojtari i kombëtares spanjolle të futbollit, Nico Williams, 21 vjeç, është një tifoz i ngjarjes, por i cili nuk ishte i pranishëm pasi ndihmoi Spanjën të mposhtte Gjermaninë të premten në Kampionatin Evropian të Futbollit.
“Normalisht unë jam atje çdo vit. Këtë herë nuk ishte e mundur, por nëse arrijmë në finale, është absolutisht në rregull”, tha ai për gazetën sportive spanjolle AS.
E para nga tetë vrapimet me dema do të mbahet nga e diela.
Festivali i kushtohet shenjtorit mbrojtës të Pamplonës dhe daton në fund të shekullit XVI.
Ndërsa Festivali San Fermin përfshin gjithashtu koncerte dhe procesione të shumta, vrapimet me dema dhe ndeshjet me dema janë pika kryesore e festimeve.
Çdo ditë midis të dielës 7 dhe të dielës 14 korrikut, qindra njerëz do të ndjekin gjashtë dema masivë, disa me peshë mbi 600 kilogramë, dhe disa qe nëpër rrugicat e ngushta të qytetit, në një arenë ku mbahen ndeshje me dema në mbrëmje.
Çdo vit, disa persona lëndohen në kursin 875 metra të gjatë.
Kafshët nuk lëndohen.
Aktivistët e të drejtave të kafshëve kanë protestuar kundër vrapimeve të demave për vite me radhë duke i cilësuar ato “mizori mesjetare”.
Pavarësisht kësaj, festivali vazhdon të tërheqë mijëra vizitorë nga e gjithë bota, kryesisht nga Evropa, Australia, Azia dhe SHBA-ja./ KultPlus.com
Publiku gjermanishtfolës i shkrimtarit të famshëm shqiptar,Ismail Kadare, që u nda nga jeta më 1 korrik 2024 ishte relativisht i vogël, por i përkushtuar tha në një intervistë për DW, përkthyesi i veprave të tij, Joachim Röhm. Këtë e konfirmon edhe fakti, që shtëpia botuese e tij. S.Fischer, priti dy ditë derisa të shkruante dy fjalë të shpejta si nekrologji, pasi u pyet nga DW. Qendrimi i dyzuar i kritikëve gjermanishtfolës ndaj shkrimtarit Kadare, vihet re edhe në shkrimet e botuara në shtypin gjerman me rastin e vdekjes së tij. Por edhe në këto deklarata që i dhanë DW-së disa studiues nga Gjermania
Zuzana Finger, balkanologe dhe përkthyese “Libri i parë shqiptar që kam lexuar, si studente e Balkanologjisë në një seminar përkthimi të Prof. Dr. Norbert Reiter, ishte “Kështjella” – nga Ismail Kadare. Njohja me bukurinë dhe fuqinë e madhe të gjuhës së Kadaresë ishte një moment vendimtar për zhvillimin tim të mëtejshëm profesional.
Ismail Kadare i hapi letërsisë shqiptare rrugën drejt letërsisë botërore. Falë përkthyesit të tij në gjermanisht, Joachim Röhm, lexuesit gjermanishtfolës patën një qasje të rëndësishme në kulturën shqiptare. Veprat e Ismail Kadaresë u bënë sinonim dhe shenjë cilësie për letërsinë shqiptare. Kushdo që e lexonte njëherë, do të donte të lexonte edhe autorë të tjerë shqiptarë.
Veprat e Ismail Kadaresë lindën në kushte politike ekzistenciale të jashtëzakonshme dhe rëndësia universale e tyre që tejkalon kufijtë e letërsisë shqiptare qëndron në faktin se ai shkroi një letërsi artistikisht të pavdekshme në shërbim të humanizimit.”
Kameloni nga Tirana
Christian Voß, shef i Katedrës së Sllavistikës dhe Hungarologjisë në Universitetin e Berlinit dhe president i Shoqatës Martin Camaj:
“Ismail Kadare është padyshim talenti më i madh i prozës nga Evropa Juglindore – ai ka arritur ta përshkruajë gjallë si historinë bashkëkohore, ashtu edhe të kaluarën para-komuniste dhe osmane në romanet e tij. Romani i tij më mbresëlënës për mua është “Pallati i Ëndrrave” (1981), i cili flet për një ministri në Perandorinë Osmane ku analizohen dhe kontrollohen të gjitha ëndrrat e nënshtetasve – deri në varr. Një parabolë e shkëlqyer mbi shtetin shtypës të Enver Hoxhës. Por Kadare ka shkruar edhe romane si “Dimri i Madh” në stilin e realizmit socialist, që glorifikojnë diktatorin, kinse të adhuruar shqiptar, i cili si Davidi sfidoi Goliathin sovjetik, Hrushçovin, në Moskë, më 1961.
Kjo përshtatje me sistemet politike si një kamelon, shpjegon edhe se përse Ismail Kadare, pas kthesës politike në Shqipëri, nuk arriti të luante atë rol politiko-shoqëror që morën përsipër në Gjermaninë Perëndimore shkrimtarë, si Siegfried Lenz, Günter Grass ose Heinrich Böll – duke trajtuar në romanet e tyre çështjet e përgjegjësisë dhe fajit.”
Unik në letrat shqipe
Florian Kienzle, albanalog dhe përkthyes “Takimi im me letërsinë e Kadaresë filloi në fund të viteve ’90, kur u shpërngula në Shqipëri me familjen time. Ismail Kadare ishte përkthyer në gjermanisht; çdo roman i tij ia vlente të lexohej dhe për shqiptarët e asaj kohe ai ofronte një burim krenarie, pasi të gjitha vlerat e tjera ishin rrëzuar. Proza e Kadaresë pasqyronte historinë shqiptare: ishte e përgjakshme, epike dhe e përjetshme.
Më vonë, do të vinte një moment kur do të lodhesha me të. Tekstet e tij kishin të bënin shumë pak me periudhën e turbullt të tranzicionit që përjetonim ne çdo ditë. Filluan të më tërhiqnin zëra të rinj dhe të guximshëm, si ato të Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi apo Fatos Kongoli.
Më vonë, kur nisa studimet e albanologjisë në Mynih dhe fillova të lexoj letërsinë shqipe në origjinal, u magjepsa nga fuqia e tij gjuhësore, që vinte herë me pompozitet e herë me qetësi. Sërish ndjeva nevojën për ta lënë. Pyesja veten: Vetëm Kadarenë ka letërsia shqipe? Zbulova autorë të ndaluar në kohën e komunizmit, si Ernest Koliqi, Gjergj Fishta apo Martin Camaj.
Kështu kaloi marrëdhënia ime me Kadarenë: herë i zhytur në universin e tij të pashtershëm, herë i velur dhe në kërkim të autorëve të tjerë.
Kadare nuk do të na mungojë si njeri. Kishte zëra të tjerë më autentikë, siç ishin ish të përndjekurit politikë, që nuk kishin nevojë as për stilizim letrar e as për libra me kuptim të dyfishtë, siç ishin ato të Kadaresë. Megjithatë, kush nuk e ka lexuar Kadarenë ka një mungesë. Vërtet që gjithë bota e tij rrotullohet rreth shqiptarëve, por ai trajton aty mekanizmat e gjithë botës, shtrengimet njerëzore dhe padrejtësitë, dhe, po, ai ka humor, gjë që e kuptova vonë. Me prodhimtarinë dhe universalizmin e tij, ai mbetet unik në letërsinë shqipe.”
Përfaqësues i nacionalizmit të orientuar kah Evropa
Konrad Clewing, historian nga Regensburgu, ish-nxënës i Martin Camajt
“Ismail Kadare ishte një shkrimtar i madhërishëm. Dua të përqendrohem në një keqkuptim që doli në pah në lajmet mbi vdekjen e tij: Media në gjuhën gjermane shpesh e quante shkrimtar “franko-shqiptar”. Në të vërtetë, Kadare, veç shtetësisë shqiptare dhe franceze, kishte edhe atë kosovare. Fakti që kjo e fundit nuk përmendej, flet për qëndrimin hierarkik të intelektualëve perëndimorë ndaj ‘Ballkanit’. Por në fakt, Kadare nuk ishte shkrimtar franko-shqiptaro-kosovar, por shkrimtar shqiptar. Disa mendje të mençura në Perëndim nuk mund ta pranojnë këtë, sepse koncepti politik i tyre për identitetin kombëtar reduktohet te shtetësia. Ky është një koncept problematik për shumë emigrantë. Ndërsa në rastin e Kadaresë, ai është ngatërrues. Ismail Kadare ishte përfaqësues i mprehtë i nacionalizmit laik shqiptar të orientuar kah Evropa. Shpresojmë që nuk do ta ndjejmë mungesën e të ndjerit edhe në këtë drejtim.”/DW/ KultPlus.com
Lista e dhjetë letrave më romantike të dashurisë të shkruara nga meshkujt së bashku me disa pjesë të veçanta prej tyre.
Letra e Ernest Hemingway për Marlene Dietrich
“Nuk mund të ta them dot, sesa herë hidhja krahët e mi rreth teje ndihesha sikur isha në shtëpi”.
Letra e Napoleon Bonapartit për të dashurën e tij Josephine
“Qëkur të lashë, kam qenë vazhdimisht në depresion. Lumturia ime është të jem pranë teje…”.
Letra e Frida Kahlo për Diego Riverën
“Asgjë nuk krahasohet me duart e tua, me ngjyrën jëshile në të verdhë të syve të tu. Shpirti im plotësohet nga prania jote. Gishtat e mi prekin gjakun tënd…”.
Letra e Georgia O’Keeffe për Alfred Stieglitz
“I dashur, trupi im është çmendur duke të kërkuar ty. Nëse nuk vjen nesër, nuk e di se si do të mund të pres më tepër për ty. Pyes veten nëse trupi yt e dëshiron trupin tim, po aq sa unë e dëshiroj trupin tënd aq pranë, saqë lëndohem kur ti largohesh”.
Letra e Beethoven në shtratin e vdekjes për personat e dashur që ende jetonin të shëndetshëm
“Edhe pse në shtrat, mendimet e mia janë me ju, të dashurit e mi të pavdekshem. Vazhdoni të më doni, mos më gjykoni. Mos e gjykoni zemrën më besnike të të dashurit tuaj”.
Letra e George H. Bush për Barbara Bush
“Kjo duhet të jetë një letër e thjeshtë për t’u shkruar – fjalët duhet të vijnë vetë dhe shkurtimisht unë do ta kem të thjeshtë të të them se sa u lumturova, kur hapa letrën dhe pashë njoftimin e fejesës sonë, por çuditërisht nuk po mundem dot ta shkruaj çdo gjë në këtë letër. Të dua, e dashur, me gjithë zemrën time dhe të di që edhe ti më do, do të thotë shumë për mua. Kushedi sa herë e kam menduar lumturinë e pamatshme që do të jetë jona një ditë. Sa me fat do të jenë fëmijët tanë që do të kenë një nënë si ty”.
Letra e Ronald Reagan për Nancy Reagan
“Gjëja më e rëndësishme është se nuk dua të rri pa ty për 20, apo 40 vitet e ardhshme, apo për gjithë vitet e jetës që më kanë mbetur. Jam bërë i varur nga ndjesia e të qenurit i lumtur dhe të dua shumë ty”.
Letra e Oscar Wilde për Lord Alfred Douglas
“Çdokush është i nevrikosur me mua që erdha sërish tek ty, por ata nuk na kuptojnë ne. Unë ndihem sikur vetëm me ty mund të bëj gjithçka. Më ndihmo të sjell në vend jetën time të rrënuar dhe atëherë shoqëria dhe dashuria jonë do të marrin një tjetër kuptim në këtë botë”.
Letra e Henry VII për Anne Boleyn
“Por nëse ti më dhuron trupin dhe zemrën tënde, unë premtoj të jem shërbëtori yt, siç kam qenë përherë dhe vazhdoj të jem edhe tani”.
Letra e Vita Sackville për Virginia Woolf
“Por, e dashur, unë nuk mund të qëndroj dot i zgjuar apo serioz me ty. Të dua shumë për ta bërë këtë gjë. Të dua sinqerisht. Ti nuk e ke idenë sa serioz rri unë me njerëzit që nuk i dua, por ti i ke thyer gjithë barrierat e mia”./ KultPlus.com
“[XII] S’më duhet kohë të di sesi je: të njihesh me dikë është xixëllimë. E kush mund të t’njohë aty ku ti hesht, a në fjalë me të cilat hesht? Ai që ti mëton në at’jetë që rron, s’di gjë rreth teje veç nënkuptimeve, shkaqeve të rreme pas të cilave fshihesh. Dhe të t’ndjeki së prapthi në bëmat e tua, të kaluara, të mbledhë veprim a gëzim, mote dhe emra, do të qe si të t’humbiste. Une jo. Të njoha në shtrëngatë. Të njoha, të beftë, n’atë çarje mizore mugëtire dhe drite, atje ku përshfaqet thelli q’ikën ditës dhe natës. Të pashë, më pe, dhe tash, zhveshur nga keqkuptimi, nga rrjedha, nga e shkuara, ti, amazonë mbi shkrepëtimë, regëtin nga e fundmja e papritura mbërrimë, imja je prej qindra motesh, prej kaq kohësh që të njoh, sa në dashurinë tënde sytë i mbyll, dhe bëj përpara pa e humbur, krejt qorrazi, pa kërkuar gjëkafshë tek ajo dritë e ngadaltë dhe e bindur me të cilën shfaqen shkronja e trajta dhe mbyllen hesape me besimin se kthjellohet cila je ti, e padukshmja ime.
Më 25, 26, 27 dhe 28 korrik në Prishtinë do të mbahet një nga festivalet më të mëdha të Evropës Juglindore, Sunny Hill.
Në faqen zyrtare të Sunny Hill në rrjetin social Facebook, është publikuar ‘trailer’-i i festivalit i cili paraqet përmbajtjen e asaj që prezantohet përgjatë këtyre ditëve.
Artistë të mëdhenj nga skena botërore që do të performojnë në festival janë: Stormzy, DJ Snake, BurnaBoy, BlackCoffee e shumë të tjerë.
Kurse nga skena vendore do të performojnë emra të njohur të muzikës si: Dafina Zeqiri, Dhurata Dora, Yll Limani e të tjerë./ KultPlus.com
Kalaja e Bashtovës, një nga më të bukurat në Shqipëri prej disa vitesh ka hyrë në programin e restaurimit, si pjesë e projektit EU4Culture.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se po kryhen ndërhyrje arkitekturore për restaurimin dhe plotësimin i qemerëve të tullës, restaurimin e bedenave të dëmtuar, restaurimin e shkallëve të gurit, si dhe ndriçimin artistik të mureve të kalasë në pjesën e brendshme dhe të jashtme të tyre.
Po ashtu, theksoi ministri, po kruhet pajisja e një pjese të murit me parapet metalik, për të siguruar mbrojtjen e vizitorëve gjatë lëvizjes mbi mur, si dhe plotësimi i njërës prej kullave me strukturë dekorative metalike dhe mbyllja e aksesit në disa pjesë të murit ku ecja mund të jetë e rrezikshme.
“Bashkëpunimi me EU4Culture Albania dhe UNOPS Albania sjell rezultate të prekshme për ekonominë dhe komunitetet, turizmin dhe ruajtjen e pasurive të trashëgimisë kulturore e historike”, theksoi ministri Gonxhja.
Shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1948, Kalaja e Bashtovës është gjithashtu në listën tentative të UNESCO-s si vend i trashëgimisë botërore.
Zona ku ndodhet kalaja ishte qendër tregtimi e përdorur nga venedikasit. Më pas, gjatë perandorisë omane, kalaja u kthye në port me funksion mbrojtjen e tregtisë bregdetare. Për këtë arsye, arkitektura veneciane dhe osmane ndërthuren bukur në strukturën e kalasë.
E ngritur pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit, kalaja haset për herë të parë në një hartë detare të vitit 1521./atsh/ KultPlus.com
Ditët e nxehta dhe netët e gjata të verës nuk mund të kalojnë pa muzikë, argëtim dhe shoqëri të mirë.
“Skena e Pavarur” e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), sjell në çdo cep të Shqipërisë aktivitete dhe ngjarje për të gjitha grupmoshat përgjatë të gjithë muajit korrik.
Ministri i MEKI-t, Blendi Gonxhja publikoi edhe kalendarin e aktiviteteve, ndër të cilat veçojmë “Festivalin e 19-të ndërkombëtar të muzikës së dhomës, Durrës 2024” që do të mbahet deri më 25 korrik në katedralen “Shën Lucia”; United dance-Tirana që do të mbahet me 27 korrik në Amfiteatrin e Liqenit, Tiranë; Takimet muzikore të dy botëve, që do të mbahet sot në Apolloni, Fier; Lyhnida Fusion Fest që do të mbahet për dy ditë 26-27 korrik në Pogradec, Tirana Foto Festival, një tjetër aktivitet që do të mbahet në Parkun “Rinia”, në Tiranë nga data 11 deri më 25 korrik,etj./atsh/ KultPlus.com
Shkrimtari Visar Zhiti ka fituar çmimin ndërkombëtar që jepet në Itali, “Camaiore – Francescco Belluomini” për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, përkthyer në italisht nga Profesor Elio Miracco.
Juria italiane, e kryesuar nga Michele Brancale, e përbërë nga poetë, studiues dhe kritikë letrarë, Cinzia Demi, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino, mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi të botuara së fundmi, seleksionoi 25 prej tyre, pastaj nxori 7 poetë kandidatë nga bota për çmimin:
-Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia -Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia -Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania -Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca -Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba -Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia -Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria
Zhiti u zgjodh fitues në votimin e fundit nga juria, e cila dha edhe njoftimin, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në muajin shtator./ balkanweb/ KultPlus.com
Një 22-vjeçar i zgjedhur si deputet me një shumicë të vogël ka thënë se nuk dëshiron që mosha e tij të jetë fokusi teksa shkon në Westminster.
“Unë dua që ne të largohemi nga kjo mendësi e çuditshme ndaj moshës së të rinjve. Për sa më përket mua, ne jemi njësoj si çdokush tjetër. Unë thjesht dua të vazhdoj me punën”.
Sam Carling i laburistit ka të ngjarë të jetë “fëmija i Shtëpisë” – titulli jozyrtar që i është dhënë anëtarit më të ri të Dhomës së Komunave – pasi fitoi ngushtë në North West Cambridgeshire.
Studenti i diplomuar në Universitetin e Kembrixhit mundi veteranin deputetin konservator Shailesh Vara, me 39 vota për të marrë vendin.
Carling e quajti fitoren e tij një “tërmet politik” dhe tha se shpresonte që më shumë të rinj të konkurrojnë për poste publike.
“Atëherë ata do ta shohin veten të përfaqësuar, si në parlament ashtu edhe në këshillat vendorë. Kjo do të ndihmojë në trajtimin e apatisë”, tha ai.
“Fëmija i Shtëpisë” i mëparshëm ishte i diplomuar në Universitetin e Oksfordit dhe deputeti i Partisë Laburiste Keir Mather, i cili fitoi zgjedhjet e parakohshme Selby dhe Ainsty në 2023.
Carling, i cili ka qenë këshilltar në Kembrixh, tha se shumë votues u befasuan kur zbuluan se ai po kandidonte për postin, por se “njerëzit në pragun e derës ishin shumë pozitivë”.
Ata thanë ”Kjo është mirë, ne kemi nevojë për më shumë të rinj’”.
“Ka shumë abuzime që synojnë të rinjtë në internet, por ballë për ballë, njerëzit përgjithësisht janë të emocionuar ta zbulojnë”.
Artistja polake Maria-Rosa Szychowska pasi ka pikturuar Kapshticën, po realizon muralen edhe në fasadën e godinave në Pikën Kufitare Doganore të Qafë Thanës, duke mundësuar një imazh të veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në drejtin të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale edhe fotot e murales.
Muralja e artistes polake përfaqëson një lloj luleje të zones, e cila sjell më shumë ngjyra dhe më shumë jetë në këto godina. Artistja do të pikturojë edhe pjesën ballore kur vjen nga Maqedonia e Veriut, duke sjellë pamje më të bukur për secilin që zgjedh të vizitojë vendin tonë.
Në Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë Thanë gjatë muajve të fundit është shtuar fluksi i lëvizjeve të mjeteve sidomos fundjavave.
Autoritetet bëjnë të ditur se janë marrë të gjitha masat për të mundësuar mbarëvajtje të kalimit të qytetarëve./atsh/ KultPlus.com
Të apasionuar pas sporteve ekstreme, turistë të shumtë rendin në rrjedhën e Vjosës për të përjetuar eksperiencën unike të rafting.
Vjosa, perla e Europës gjendet vetëm 1 orë e 45 min nga Saranda dhe 45 min nga Gjirokastra.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro bën me dije se nga brigjet e Vjosës çdo ditë grupe vizitorësh zbulojnë hiret e saj mes kulturës, sporteve në natyrë, traditës e historisë, teksa ndau foto të një grupi turistësh të huaj që po bëhen gati të sfidojnë dallgët e Vjosës së egër.
Turistët e aventurës përshkojnë me gomone lumin nga Përmeti deri në Këlcyrë me një gjatësi gati 20 km.
Rrjedha është e qetë në disa vende dhe e tërthortë e me dallgë në vende të tjera me thellësi më të madhe.
Turizmi i aventurës gërshetohet shumë mirë në Përmet me traditën, kulinarinë e mikëpritjen./atsh/ KultPlus.com
George Bush lindi më 6 korrik të vitit 1946 në New Haven, Connecticut. Bush ishte presidenti i 43-të i vendit. Është djali më i madhi i ish presidentit amerikan George H. W. Bush. Para se te zgjidhej si president ka qenë governatori i 46-shtë i Teksasit qe prej 1995. Bush u rizgjodh president në vitin 2004.
Ndërmjet viteve 1968 dhe 1973, Bush shërbeu si pilot për Rojen Kombëtare Ajrore të Teksasit. Më 1975 ai filloi karrierën profesionale të tij në biznesin e naftës dhe gazit, të cilën e la më 1986. Më 1988 ai u përfshi aktivisht në fushatën e suksesshme të babait të tij për presidencën dhe më 1989, së bashku me një grup investitorësh, bleu ekipin profesionist të bejsbollit Texas Rangers, për të shërbyer si partneri administrues i përgjithshëm i tij deri në nëntor 1994, kur u zgjodh guvernator i Teksasit. Më 1998 Bush krijoi një precedent duke u rizgjedhur për një mandat të dytë katër-vjeçar si guvernator i Teksasit.
Në vitin 2006, Kongresi u rimor nga Partia Demokratike dhe u vështirësua vendimmarrja gjatë 2 vjecarit të fundit. Në Dhjetor 2007 u shfaqën dhe shenjat e para të recensionit dhe krizës ekonomike botërore, gjë që do e kthente George Bush në një nga presidentët më pak të pëlqyer në historinë modern të ShBA-ve. Në kuadër të luftës së tij kundër terrorizmit, Bush i kushtoi rëndësi të madhe dhe aleancave ushtarake, si NATO dhe luajti një rol të rëndësishëm në modernizimin e kapaciteteve të NATO dhe në muajt e fundit të mandatit të tij të dytë, firmosi dhe për zgjerimin e aleancës me Kroacinë dhe Shqipërinë. Rol të rëndësishëm luajti dhe në shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe pranimin e saj nga shtetet perëndimore. Pavarësisht pëlqimit të ulët nga populli amerikan, së bashku me Bill Clinton, George Bush mbetet një nga presidentët e figurat më të dashura për popullin shqiptar. /KultPlus.com
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur ekspozita “Covers” e artistes Barbara Prenkas, kuruar nga Zef Paci.
Përmes këtyre pikturave, ajo sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të design-it dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale.
Sipas artistes, jorgani ka ngarkesë simbolike, është i njëjti, por mënyra e prodhimit, stili, koha, pigmentet kanë ndryshuar.
Arsyeja e risjelljes sot të këtyre mbulesave gjendet në ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit është një jehonë që mbetë mbrenda nesh.
Ekspozitën mund ta vizitoni nga e marta deri të shtunën.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden ka thënë se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë atë që t’i japë fund ofertës së tij për rizgjedhje, teksa ai u ul për një intervistë të rrallë në primetime në një përpjekje për të qetësuar shqetësimin e demokratëve për kandidaturën e tij.
Duke folur për ABC News të Premten, Biden refuzoi gjithashtu të bënte një test njohës dhe t’i bënte rezultatet publike në mënyrë që të siguronte votuesit se ai është i aftë për të shërbyer një mandat tjetër.
“Unë kam një test kognitiv çdo ditë. Çdo ditë e kam atë test – gjithçka që bëj është një test”, i tha ai George Stephanopoulos.
81-vjeçari e kundërshtoi edhe një herë idenë, e transmetuar nga disa zyrtarë dhe donatorë demokratë, se ai duhet të qëndrojë mënjanë për një alternativë më të re pas debatit të tij katastrofik me Donald Trump javën e kaluar.
Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.
Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.
U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.
Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.
Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.
Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.
Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.
Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com