Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë nis me një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

Kryeparlamentarja e Shqipërisë, Lindita Nikolla hapi seancën e sotme me një minutë heshtje, për ta nderuar gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadarenë me rastin e vdekjes së tij.

Nikolla u shpreh se Kadare nderoi popullin shqiptar, dhe për këtë të gjithë i janë mirënjohës, përcjell Klankosova.

“Dje u përcoll në banesën e tij të fundit, të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë, krijuesit dhe ai që na nderoi lartë. Një minute heshtje”, tha Nikolla./KultPlus.com

‘Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme’

Sonte KultPlus ju sjell disa thënie mbi politikën nga politikanë të njohur botëror.

1- “Politika përbëhet nga dy fjalë, ‘poli’, e cila është fjalë greke dhe do të thotë ‘shumë’ dhe ‘tik’, një lloj insekti gjakpirës” Gore Vidal”. /Xhon Adams

2- “Një politikan profesional është një njeri i çnderuar profesionalisht. Për të kapur një post sa më të lartë, atij i duhet të bëjë aq shumë kompromise dhe të pësojë aq shumë poshtërime, saqë në fund nuk ka ndonjë ndryshim të madh me një prostitutë”/H.L. Mencken

3- “Nëse ju, zotëri, duke hyrë në këtë shtëpi (Shtëpia e Bardhë), jeni po aq i lumtur sa unë që po dal, atëherë ju jeni njeriu më i lumtur në botë”. /Xhejms Buhanan-Abraham Linkolnit

4- “Një nga gjërat që politika më ka mësuar mua është se burrat nuk janë të një seksi të arsyetuar apo të arsyeshëm”./Margaret Theçër

5- “Brenda pak muajve të parë të presidencës unë zbulova se, të jesh president, është si të shkosh kaluar mbi një tigër. Njeriu që e nget, duhet ta vazhdojë ta ngasë, ose ndryshe gëlltitet”. /Harri S. Truman

6- “Mënyra më e mirë për ta mbajtur fjalën është të mos e japësh atë”/Napoleoni

7- “Politikani është ai person me politikën e të cilit nuk jeni dakord; nëse jeni dakord me të, ai është burrë shteti”. /Dejvid Llojd Xhorxh

8- “Politikanët janë gjithandej të njëjtë. Ata premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”. /Nikita Hrushov

9- Nuk ka më komunist se ish-komunisti që lufton komunizmin./Valsav Havel

10- Çdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre./ Tomas Xhefërson

11- “Nëse tani nuk mund t’u japim fund ndryshimeve tona, të paktën mund të ndihmojmë ta bëjmë botën më të sigurt për diversitet”. /Xhon F. Kenedi

12- “Konservatori është ai që i zë rrugën historisë duke i bërtitur “Ndal!”./Uilliam F. Baklej, i riu

13- “Nëse jemi të fortë, forca jonë do të flasë vetë. Nëse jemi të dobët, fjalët nuk të ndihmojnë dot”. /Xhon F. Kenedi

14- “Unë kurrë nuk do të kërkoj, kurrë nuk do të refuzoj, madje kurrë nuk do të jap dorëheqjen nga një post”. /Xhorxh Uashington

15- “Një nga lukset e jetës së një politikani është se e shikon veten, ashtu siç e shikojnë atë të tjerët”./Xho Klark

16- “Liberali është ai që është aq tolerant, sa mund të mos mbajë as anën e tij në një grindje”./ Robert Frost

17- “Politikani e ndan njerëzimin në dy klasa: Në vegla dhe në armiq”./Fridih Niçe

18- “Arti i të qenit burrë shteti është të parashikojë të pashmangshmen dhe të përshpejtojë shfaqjen e saj”./Talejrand

19- “Përderisa një politikan nuk e beson kurrë atë që thotë, ai befasohet kur të tjerët e befasojnë”. /Sharl de Gol

20- Rreziku i luftës lind atëherë kur një komb bëhet pafundësisht më i fuqishëm se konkurruesi i mundshëm i tij/Richard Nikson

21- Terrori i vërtetë është sikur të zgjohesh në mëngjes dhe të gjesh që kombi yt drejtohet nga klasa tënde e shkollës së mesme./ Neli MakKlung

22- “Kurrë mos u tërhiq, kurrë mos jep shpjegime, kurrë mos kërko ndjesë: Çoji gjërat deri në fund dhe lëri ata të bërtasin vetë“. /Neli MakKlung

23- “Çdo grua, që kupton problemet e drejtimit të një shtëpie, do ta ketë më të lehtë të kuptojë problemet e drejtimit të një shteti”./Margaret Theçër

24- “I pavaruri është ai që kërkon të nxjerrë politikën jashtë politikës”./Adlai Stivenson

25- “Në politikë është e nevojshme të tradhtosh ose vendin, ose elektoratin tënd. Unë parapëlqej të tradhtoj elektoratin“./Shark de Gol

26- “Supozohet se politika është profesioni i dytë më i vjetër pas prostitucionit. Unë kam kuptuar që ai ka shumë ngjashmëri me profesionin e parë më të vjetër”./Ronald Regan

27- “Shtetet e mëdhenj kanë vepruar gjithnjë si gangsterë, ndërsa shtetet e vogla si prostituta”./Stenlej Kabrik

28- “Ndëshkimi më i rëndë për të vendosur të angazhohesh në politikë, është të urdhërohesh nga dikush, që është inferiori juaj”./ Platoni

29- Në politikë nuk ka miqësi të përjetshme, por interesa të përjetshme./Sharl De Gol

30- “Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që veprojnë si djalli, por për shkak të njerëzve që nuk bëjnë asgjë për këtë”. /Albert Ajnshtajn

31- “Nuk mund të ketë ndonjë krizë javën që vjen. Kalendari im është mbushur plot”. /Henri Kisinger./ KultPlus.com

5 000 euro për të vizituar privatisht Akropolin

Një nga monumentet antike më të vizituara në botë, Akropoli i Athinës, nisi turnetë private për 5 000 euro jashtë orarit zyrtar të hapjes, sipas faqes elektronike të biletave.

Këto turne private të rezervuara për grupe deri në pesë persona, të cilat ndezën polemika kur u njoftuan, fillojnë në orën 07:00 deri në orën 20:00.

“Ky shërbim ekskluziv është i disponueshëm vetëm për katër grupe me deri në pesë persona në të njëjtën kohë dhe mund të përfshijë një udhëzues personal, nëse klientët dëshirojnë”, sipas faqes së internetit “Hellenic Heritage” që prezanton këto turne nën emrin “Përvoja e Acropolis”.

Sipas mediave greke, vizita e parë private u zhvillua të shtunën e kaluar pas mbylljes zyrtare, e realizuar nga një çift rus i shoqëruar nga guida e tyre.

Të martën, në zonën e trashëgimisë greke, u bë e mundur të rezervoni një turne privat pa guidë.

Të njoftuara vitin e kaluar, këto turne private në Partenon dhe thesare të tjera të Akropolit do të niseshin fillimisht më 1 prill, por Ministria e Kulturës përfundimisht tha se nisja ishte shtyrë.

I listuar si një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s, Akropoli i Athinës, i ndërtuar në shekullin V para Krishtit, vazhdon të shohë rritjen e frekuentimit të tij, veçanërisht për shkak të turistëve.

Vitin e kaluar regjistroi një numër rekord vizitorësh, me afro katër milionë, një rritje prej më shumë se 31% në një vit, deri në pikën që Organizata Kombëtare e Burimeve Arkeologjike (ODAP) duhej të krijonte periudha kohore për të frenuar fluksin.

Akropoli i Athinës është i hapur për publikun çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00 (05:00 GMT deri në 17:00 GMT).

Bileta normale e hyrjes kushton 20 euro./KultPlus.com

Gjirokastër, interes i lartë për Muzeun e Luftës së Ftohtë

Jo vetëm pazari karakteristik, por e gjithë zona historike e Gjirokastrës po tërheq çdo ditë e më shumë vizitorë.

Ata që e zgjedhin qytetin e gurtë nuk largohen pa parë kalanë e Argjirosë, por edhe muzetë e shumtë që ka ky qytet. Një prej më të preferuarave është Muzeu i Luftës së Ftohtë.

“Muzeu i Luftës së Ftohtë mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024 në qytetin e Gjirokastrës. Menjëherë pas kalasë së qytetit ambientet e këtij qyteti janë më të frekuentuarta me një numër prej 7 mijë vizitorësh.”

Turistët vlerësojnë historinë e qytetit ndërsa thonë se edhe Muzeu i Luftës së Ftohtë është interesant.

“Është hera e parë që jam në Shqipëri. Kam qenë edhe në Valbonë, Theth, Tiranë dhe Korçë. Tani kemi ndaluar në Gjirokastër. Kam vizituar muzetë. Është një qytet i vjetër mjaft interesant.”

“Është hera e parë që jam në Shqipëri. Jam nga Spanja. Muzeu është fantastik.”

“Është hera e parë që ndodhem këtu. Pashë pazarin, kalanë ndërsa janë shumë interesante edhe shtëpitë e vjetra.”

Këtë vit nuk është rritur vetem numri i vizitorëve, por është zgjeruar edhe harta e turistëve.

“Ka një shumëllojshmëri nga vizitorët që vijnë nga vend të ndryshme, sidomos spanjollët dhe italianët, por këtë vit kemi pasur edhe rritje të numrit nga vendet e tjera siç janë francezët, belgët dhe holandezët.”

Por çfarë i tërheq më shumë vizitorët në këtë muze.

“Duan të dinë më shumë për pjesën e historisë, si ka qenë ajo periudhë, çfarë ka ndodhur dhe iu intereson dhe pjesa e eurogjentitetit që ka ruajtur ky tunel nga vendet e tjera që kanë parë më përpara.”

Numri i turistëve pritet të jetë më i lartë edhe në muajt në vazhdim ndërsa muzetë në Gjirokastër vizitohen në çdo muaj të vitit./KultPlus.com

Zbulohet piktura 51 200-vjeçare, më e vjetra në botë

Një derr i madh i kuq i rrethuar nga tre figura njerëzore.

”Skena është pikturuar më shumë se 51 000 vjet më parë në murin e një shpelle në Indonezi, duke e bërë atë veprën më të vjetër figurative të artit në botë”, sipas një studimi.

”Edhe pse modest në dukje, vizatimi tregon qartë një histori që përbën dëshminë më të vjetër të rrëfimit, që i paraprin pikturave të shpellave të Lascaux dhe Chauvet në Francë”, shpjegoi arkeologu Adam Brumm në një konferencë për shtyp.

Rekordi i mëparshëm mbahej nga një skenë gjuetie e identifikuar nga i njëjti ekip studiuesish në vitin 2019, në një shpellë indoneziane, mosha e së cilës atëherë u vlerësua në afro 44 000 vjet.

Zbulimi i fundit, në një shpellë afër Maros-Pangkep, në ishullin Sulavesi, shënon “herën e parë që kemi tejkaluar barrierën e 50 000 viteve, shton arkeologu Maxime Aubert,  bashkautor i studimit.

”Fakti që përfaqësuesit më të hershëm të species sonë ishin në gjendje të tregonin një histori kaq të sofistikuar përmes artit mund të rishkruante kuptimin tonë për evolucionin njohës të Homo sapiens”, shtoi ai.

Për ta bërë këtë punë, studiuesit përdorën një metodë të re që përdor lazer dhe softuer për të gjeneruar një hartë të mostrave të shkëmbinjve.

”Kjo teknikë e heqjes me lazer është më e saktë, më e lehtë, më e shpejtë, më e lirë dhe kërkon mostra guri shumë më të vogla se metoda e mëparshme”, shpjegon Maxime Aubert.

”Nuk na lejon të datojmë drejtpërdrejt pikturën, por shtresat e ndryshme të mineraleve që janë grumbulluar mbi të me kalimin e kohës. Studiuesit arritën të hyjnë në shtresën më të afërt me pikturën dhe për këtë arsye të përcaktojnë saktësisht moshën minimale të saj”, shtoi ai.

Ekipi fillimisht testoi teknikën e re në mbajtësin e mëparshëm të rekordit.

Ajo përcaktoi se skena e gjuetisë ishte në fakt të paktën 48 000 vjet e vjetër, 4 000 vjet më e vjetër se metoda e takimit në vitin 2019.

Ekipi më pas testoi metodën me lazer në një pikturë pa datë, e parë për herë të parë në shpellën në ishullin Sulavesi në vitin 2017.

Verdikti? Mosha minimale e saj është 51 200 vjet./KultPlus.com

Thëniet më të bukura nga Thomas Jefferson

Thomas Jefferson (13 prill, 1743 – 4 korrik, 1826) ishte autori kryesor i Deklaratës së Pavarësisë dhe më vonë shërbeu si Presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara nga viti 1801 deri më 1809.

Për lexuesit tanë sjellim një koleksion me thëniet më briliante të Jefferson:

“Demokracia do të mbarojë ditën kur do të taksohen ata që duan të punojnë për të mbajtur ata që duan të rrinë”

“Një Ligj i të Drejtave është diçka të cilin njerëzit ia kërkojnë çdo qeveri dhe të cilin asnjë qeveri nuk duhet ta refuzojë ose ta vonojë.”

“Një burracak është shumë më tepër i prirur të grindet se çdo njeri shpirtmirë.”

“Një trup i fuqishëm e bën mendjen të fuqishme.”

“Një qeveri e zgjuar dhe kursimtare, e cila do t’i lërë njerëzit të lirë që t’i rregullojnë vetë prodhimet dhe vlerat, dhe të mos ua marrë nga goja bukën që kanë fituar – ky është përkufizimi i një qeverie të mirë.”

“Reklamat janë e vetmja e vërtetë që përmban një gazetë.”

“E gjitha për çfarë tiranitë kanë nevojë për të mbijetuar është që njerëzit me të vetëdijë të lartë të heshin.”

“Gjithashtu duhet ta ngulitim në mendje parimin e shenjtë se, ndonëse vullneti i shumicës në të gjitha rastet merr rëndësi, për të qenë i drejtë, duhet të jetë i arsyeshëm; se të gjitha pakicat zotërojnë të drejtat e tyre të barbarta, të cilat ligji i barbartë duhet t’i mbrojë, dhe shkelja e tij do të ishte shtypje.”

“Gjithmonë mbaji gjërat nga doreza e lëmuar.”

“Një shoqëri njerëzish të cilët nuk grinden me njëri tjetrin është një gjë e cila nuk ka ekzistuar kurrë, që nga perandoria më e madhe tek mëhalla më e vogël e katundit.”

“Armiku përgjithësisht thotë dhe beson çfarë dëshiron ai.”

“Një mik i lënduar është më i hidhur se të gjithë armiqtë.”

“Ashtu si thonë armiqtë tanë, ne mund të arsyetojmë si njerëz, prandaj le t’iu tregojmë atyre se mund të luftojmë gjithashtu si njerëz.”

“Ji i sjellshëm me të gjithë, por hape zemrën vetëm me pak prej tyre.”

“Trupi i sëmurë është i padurueshëm, por më i padurueshmi nga të gjitha gjërat njerëzore është trupi pa mendje.”

“Librat përbëjnë kapital. Një bibliotekë është jetëgjatë sa edhe një shtëpi, me qindra vjet. Pra librat nuk janë një artikull konsumi, por një kapital. Dhe shpesh, në rastin e njerëzve profesionistë, është i vetmi kapital.”

“Miqësia është e çmueshme, jo vetëm në hije, por edhe në dritën e jetës, dhe falë qeverisjes së mirë të miqësisë pjesa më e madhe e jetës sonë është dritë.”

“Bëj tregti me të gjitha vendet, aleancë me asnjërin, kjo duhet të jetë motoja jonë.”

“Pushtimi nuk është në parimet tona. Është i papajtueshëm me qeverinë tonë.”

“Shtyrja për më vonë është më e pëlqyeshme se gabimi.”

“Ndryshimi i opinionit është i dobishëm në religjion. Disa sekte kanë zyrën e Censorit – ndaj njëri – tjetrit.”

“Mos e kafsho karremin e kënaqësisë, gjersa ti e di se përtej ti është grepi.”

“A do ta dish se kush je? Mos pyet. Veprimet do ta përvijojnë dhe përkufizojnë se kush je.”

“Mos fol për çfarë ke bërë apo për çfarë ke ndërmend të bësh.”

“Arsimoje dhe informoje krejt masën e popullit…Ata janë e vetmja mbështetje e sigurt e ruajtjes së lirisë sonë.”

“Ndriçoi njerëzit përgjithësisht, dhe tirania e shtypja e trupit dhe mendjes do të shuhen sikurse shpirtërat e ligj në agimin e ditës.”

“Gabimet e opinionit mund të tolerohen atje ku arsyeja lihet e lirë t’i luftojë ato.”

“Secili qytetar duhet të jetë një ushtar. Kështu bënin grekët dhe romakët, dhe duhet të bëhet kështu në çdo shtet të lirë.”

“Cdo qeveri degjeneron kur iu besohet vetëm sundimtarëve të popullit. Populli është i vetmi rrëzues i tyre.”

“Përvoja ka treguar se njeriu është e vetmja kafshë që e ha dikë të llojit të vet, sepse unë nuk mund të gjej një term më të butë për të përkufizuar sjelljen e të pasurit ndaj të varfërit.”

“Përvoja ka treguar se madje edhe format më të mira të qeverive të cilave iu është besuar pushteti, me kohë dhe ngadalë janë shndërruar në tirani.”

“Për një popull që është i lirë dhe dëshiron të jetë i tillë, një polici e armatosur mirë dhe e organizuar mirë do të ishte siguria e tij më e mirë.”

“Forca është parimi vital dhe prindi i afërt i despotizimit.”

“Miqësia është një tjetër emër për aleancën me marrëzitë dhe fatkeqësitë e të tjerëve. Pjesa jonë e halleve është e mjaftueshme: pse atëherë vullnetarisht hyjmë në ato të të tjerëve?”

“Ai që di më së shumti, e di sa pak ai di.”

“Ai që di më pak është më pranë së vërtetës, se ai mendja e të cilit është e mbushur me rrena dhe gabime.”

“Historia në përgjithësi na informon ne vetëm sa e keqe është qeveria.”

“Ndershmëria është kapitulli i parë në librin e mençurisë.”

“Sa shumë dhimbje na kanë kushtuar ne ligësitë që nuk ndodhën kurrë.”

“Unë e urrej luftën dhe e shoh atë si ndëshkimin më të madh të njerëzimit.”

“Unë jam një epikurian. I konsideroj doktrinat burimore (jo të interpretuaraI të Epikurit si thelb të gjithçkaje racionale në filozofinë morale të cilën grekët dhe romakët na e lanë trashëgim.”

“Jam shokuar kur më thanë se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shitja e një libri mund të bëhet temë e një hetimi, dhe e një hetimi kriminal gjithashtu.”

“Unë besoj se çdo mendje njerëzore ndjen kënaqësi kur i bën mirë tjetrit.”

“Unë nuk mund të jetoj pa librat.”

“Unë nuk blej asnjë gazetë dhe nuk lexoj asnjë gazetë një muaj, dhe pastaj e ndiej veten pafundësisht më të lumtur.”

“Mendoj se më i lumturi është ai për të cilin bota flet më pak, mirë apo keq.”

“Nuk kam synim të qeveris njerëz; është një detyrë e dhimbshme dhe e pagratshme.”

“Unë nuk druaj se rezultati i eksperimentit tonë do të jetë që njerëzve t’iu besohet ta qeverisin veten pa një padron.”

“Unë kam parë mjaft një luftë, sa që nuk dua më të shikoj një luftë tjetër kurrë.”

“Unë jam betuar në alatarin e Zotit të kem armiqësi të përjetëshme kundër çdo forme të tiranisë mbi mendjen e njeriut.”

“Unë shpresoj se zgjuarsia jonë do të rritet bashkë me fuqinë tonë, dhe të na mësojë ne se, sa më pak ta përdorim fuqinë tonë, aq më të mëdhenj do të jemi.”

“Mua më pëlqejnë më shumë ëndërrat e së ardhmes se historia e së kaluarës.”

“Unë kurrë nuk e konsiderova një ndryshim opinioni në politikë, në religjion, në filozofi si shkak për t’u larguar nga një mik.”

“Unë kurrë, me fjalë as me veprime, nuk do të përkulem përballë intolerancës as nuk do të pranoj të drejtën e hetimit ndaj opinioneve religjioze të të tjerëve.”

“Unë pranoj se nuk jam miqësor ndaj një qeveri shumë energjike. Ajo është gjithmonë shtypëse.”

“Unë parashikoj të ardhmen e lumtur të amerikanëve nëse ata mund të parandalojnë qeverinë nga shkatërrimi i sindikatave nën pretekstin se po kujdesen për to.”

“Unë mendoj si romakët: se gjenerali i sotëm duhet të jetë nesër një ushtar po të jetë nevoja.”

“Më kapin drithmat për vendin tim kur mendoj se Zoti është i drejtë; se drejtësia e tij nuk mund të flejë gjithmonë.”

“Jam i vendosur në kërkimin e dijes, pa u druajtur kurrë se kërkimi i së vërtetës dhe arsyes pavarësisht në çfarë rezultati mund të çojnë, dhe në rrëzimin e çdo autoriteti që iu del pengesë atyre në rrugë.”

“Më mirë do të pranoja të papriturat e lirive të tepërta se zvogëlimin e tyre.”

“Nëse një komb pret që të jetë injorant dhe i lirë, në një shtet të qytetëruar, ai pret diçka që nuk ka qenë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë.”

“Nëse ka një parim më thellë të rrënjosur në mendjen e çdo amerikani, ai është që ne kurrë nuk do të bëjmë diçka nëpërmjet pushtimit.”

“Në çdo vend dhe në çdo kohë, kleri ka qenë armiqësor ndaj lirisë.”

“Nga pikëpamja e stilit, noto në drejtim të rrymës; nga pikëpamja e parimit, qëndro si shkëmb.”

“Injoranca është më e pranueshme se gabimi, dhe është më larg së vërtetes ai që nuk beson në asgjë se ai që beson në diçka të gabuar.”

“Mua nuk më lëndon fqinji im nëse thotë se janë njëzet zota apo se nuk është asnjë një Zot.”

“Është më mirë gjithmonë të mos kesh fare ide sesa të kesh ide të rreme; dhe të mos besosh në asgjë, sesa të besosh në mënyrë të gabuar.”

“As pasuria, as luksi, por qetësia dhe puna ju japin lumturinë.”

“Religjioni ynë duhet të lexohet në jetët tona dhe jo në fjalët tona.”

“Nuk duhet të ketë asnjë autoritet i cili të mos jetë përgjegjës para popullit.”

“Njerëzimi është më shumë i prirur të vuajë sesa të luftojë për t’i larguar format me të cilat janë mësuar.”

“Tregtarët nuk kanë atdhe.”

“Droja ime e vetme është se mund të jetoj tepër gjatë. Kjo do të ishte burim frike për mua.”

“Nga leximi i historisë jam bindur se qeverisja më e keqe vjen nga tepërimi i qeverisjes.”

“Teoria ime ka qenë gjithmonë se nëse ne ëndërrojmë, flatrat e shpresës janë shumë më të lira dhe më të kënaqshme se tmerri i dëshpërimit.”

“Nuk ka detyrë më të lartë për një Qeveri se të përpiqet të vendosë njeriun e duhur në vendin e duhur.”

“Asnjë punë nuk është më e kënaqshme për mua se kultura e punimit të tokës, dhe asnjë kulturë nuk është e krahasueshme me atë të kopshtit.”

“Askush në botë nuk mund të ndalë njeriun me prirjen e duhur mendore që të arrijë qëllimin e tij; asgjë në botë nuk mund ta ndihmojë njerin me prirjen e gauar mendore.”


“Nuk ka epërsi më të madhe ndaj të tjerëve se gjakftohtësia dhe qetësia në çfarëdo rrethane.”

“Asgjë tjetër nuk është e pandryshueshme përveç të drejtave të paprekshme dhe të pashtrembërueshme të njeriut.”

“Individi guximtar është shumicë.”

“Njeriut i bën më mirë të udhëtojë vetëm, sepse mediton më shumë.”

“Paqja dhe korrektësia ndaj ndërhyrjeve evropiane janë qëllimet tona, dhe kështu do të vazhdohet ndërkohë që rendi ekzistues në Amerikë mbetet i pandërprerë.”

“Paqja dhe miqësia me gjithë njerëzimin mbetet politika jonë më e zgjuar, dhe unë dëshiroj që ne të jemi të përkushtuar t’iu përmbahemi atyre.”

“Politika është një tronditje e tillë sa do t’ia këshilloja kujtdo që ia dua të mirën të mos përzihet me të.”

“Pushteti nuk është ndjellës për mendjet e varfëra.”

“Fjalimet që maten me orë do të vdesin brenda orës.”

“Shija nuk mund të kontrollohet nëpërmjet ligjit.”

“Qeveria më e fuqishme është ajo ku çdo njeri ndjehet pjesë e saj.”

“Deti zhurmëmadh i lirisë nuk është kurrë pa dallgë.”

“Kujdesi për jetën dhe lumturinë njerëore, dhe jo shkatërrimi i tyre, është qëllimi i parë dhe më i mirë i çdo qeverie.”

“Toka iu përket të gjallëve, nuk iu përket të vdekurve.”

“Shkëlqimi i një mendimi të ngrohtë vlen për mua më shumë se vlera e çdo paraje.”

“Zoti që na krijoi, na e dha njëkohësisht edhe lirinë.”

“Mendimi i mirë i njerëzimit, si leva e Arkimedit, sapo t’i jetë dhënë pika e mbështetjes, e lëviz botën.”

“Njeriu që nulk lexon asgjë është më i ditur se ai që nuk lexon asgjë tjetër veç gazetave.”

“Në çastin që një njeri formon një teori, përfytyrimi i tij shikon në çdo objekt vetëm të dhënat që e favorizojnë teorinë e tij.”

“Edhe lufta më e suksesshme rrallë paguan për humbjet e shkaktuara.”

“Pema e lirisë duhet njomur nga koha në kohë prej gjakut të patriotëve dhe të tiranëve.”

“Shpirti i rezistencës ndaj qeverisë është kaq i vlefshëm në disa raste sa do të doja ta mbaja gjithmonë të gjallë.”

“Ka një aristokraci natyrale tek njerëzit. Bazat e saj janë virtuti dhe talentet.”

“Nuk ka të vërtetë që unë i trembem … ose që do të doja të ishte e panjohur për tërë botën.”

“Njerëzit e druajtur parapëlqejnë më shumë qetësinë e despotizmit se detin e zhurmshëm të lirisë.”

“Për të depërtuar dhe për t’i davaritur retë e errësirës, mendja njerëzore duhet të forcohet nëpërmjet shkollimit.”

“E vërteta sigurisht që është një degë e moralit dhe tejet e rëndësishme për një shoqëri.”

“Ecja është ushtrimi më i mirë fizik. Bëjeni zakon të ecni shumë shpejt.”

“Kalimi nga depostizmi në liri nuk është shesh me lule.”

“Kur një njeri merr një besim publik, ai asnjeherë nuk duhet ta konsiderojë veten një pronë publike.”

“Nëse më lihej mua në dorë të vendos a duhej të kishim një qeveri pa gazeta apo të kemi gazeta pa një qeveri, unë do ta parapëlqeja menjëherë pa nguruar këtë të dytën.”

“Kur njerëzit janë të mirinformuar ata mund t’i besojnë qeverisë së tyre.”

“Kurdo që jeni duke bërë diçka, veproni sikur e gjithë bota është duke ju parë.”

“Atje ku shtypi është i lirë dhe ku çdo njeri mund ta lexojë, gjithçka është e sigurt.”

“Ne nuk mund të stivosemi në qytete të mëdha si në Evropë, ne do të bëhemi të korruptuar si Evropa.”/KultPlus.com

Marie Curie, gruaja e parë që ka marrë dy çmime ‘Nobel’

Sot shënohet 90-vjetori i vdekjes së gruas së parë që ka marrë dy çmime Nobel, shkruan KultPlus.

Tashmë e shndërruar në figurë mitike, simboli i përfshirjes së femrave në lëmin e shkencës, madje gruaja e të gjitha rekordeve. Nobelistja Mari Kyri (Marie Sklodowska-Curie) është gruaja e parë që fitoi doktoraturë në fizikë, e para grua që ka marrë dy çmime “Nobel” (një e ndarë me burrin e saj Pier Kyri dhe Henri Bekërel), profesoresha e parë në Sorbonë dhe e para që u fut në Panteon më 20 prill 1995.

Jetën e saj Mari Kyri e jetoi përkrah shkencëtarëve më eminentë të fillimshekullit XX. E njohur nga të gjithë, u vlerësua ndërkombëtarisht për t’u kthyer në mit. Kokëfortë, pa dyshim e talentuar dhe inteligjente, ajo ishte e para në shumë fusha: e para në agregatin e fizikës, gruaja e parë doktore e shkencave, femra e parë fituese e medaljes “Davy”, gruaja e parë dy herë nobeliste.

Vajza polake, e lindur më 7 nëntor 1867 në Varshavë, u vendos në Paris në 1891. Pasi përfundoit studimet për shkencë, ajo u bë specialiste e substancave radioaktive, së bashku me bashkëshortin Pier Kyri. Jo rrallëherë nobelistja është etiketuar edhe si feministe. Puna e saj mbi polonium dhe radiumin bëri histori dhe përfundoi duke ua mbyllur gojën atyre që e kishin sulmuar pandershmërisht.

Ajnshtajni shprehej se ajo ishte shkencëtari më i madh (në gjininë mashkullore) që ai njihte. Kryesorja, është ende e vetmja grua, hiri i së cilës prehet në Panteon për arsye larg të qenit “gruaja e”. Me të shoqin u njoh në kohën që po kërkonte një laborator për të studiuar vetitë magnetike të çeliqeve. “Ndodhi një alkimi e menjëhershme.

Ishte takimi i dy qenieve që kishin diçka absolute, shumë të kërkuar nga të tjerët dhe nga vetvetja, mbi të gjitha ndanë një pasion të përbashkët për shkencën. Shkëmbimi i korrespondencës së tyre dhe kujtimet e Mari Kyri dëshmojnë për një marrëdhënie tejet të thellë midis dy shpirtrave binjakë”. Nëse shumë gra duhej të zgjedhin midis martesës dhe karrierës, në rastin e shkrimtares ishte pikërisht i shoqi që e mbështeti gruan, financiarisht dhe moralisht. Maria solli në jete 2 vajza: Irenën (1897) dhe Evën (1904).

Në vitin 1898, duke studiuar rrezatimin e uraniumit, i cituar pak kohë më parë nga Henri Bekërel, si dhe substanca të tjera, Mari Kyri vuri theksin në atë që e quajti “radioaktivitet”. Disa muaj më vonë, çifti njoftoi se kishin identifikuar dy elementë të rinj: poloniumin dhe radiumin. Në vitin 1903, së bashku me Bekërelin morën çmimin “Nobel” në fizikë, për zbulimin e radioaktivitetit.

Pas luftës, shembulli i saj do të jetë një ndihmë e vlefshme në luftërat e ndryshme për kauzën e barazisë femërore, veçanërisht natyrisht në fushën e shkencës. Ajo do të bëhet një figurë mediatike në Shtetet e Bashkuara, ku do të bëjë fushatë për të mbledhur fonde për kërkime shkencore me radium. Fatkeqësisht, orët e gjata të ekspozimit ndaj substancave radioaktive çuan në përkeqësimin e shëndetit të saj.

E gjithë ekzistenca e Mari Kyrisë zhvillohet nën simbolin e drejtësisë, humanizmit dhe punës. Jeta e saj është një përrallë sa e bukur, aq edhe e trishtuar, më saktë e mrekullueshme. Jo se ato çfarë rrëfehen nuk janë të vërteta apo janë të zbukuruara nga historia, përkundrazi kemi të bëjmë me një ndërthurje lavdish e shoqëruar me një seri fatkeqësish që të imponon respekt. Motra e madhe i vdes nga tifoja, më pas e ëma nga tuberkulozi. Punimet në “rrezet e uraniumit” të Henri Bekërel çojnë në zbulimin e poloniumit dhe radiumit, pastaj në përcaktimin e masës atomike të radiumit (226 dhe pluhurave). Vdekja e tmerrshme aksidentale e Pier Kyrisë. Skandali i jashtëzakonshëm i lidhjes së saj me Paul Langevin (Poli i pashëm është i martuar, ajo është e ve). Angazhimi i saj për radiografimin e ushtarëve të plagosur gjatë Luftës së Parë Botërore. Dy çmimet “Nobel” dhe për ta mbyllur me Panteonin.

Pas luftës, Mari Kyri ngriti “Institut du Radium” – Institutin e ardhshëm Curie – e themeluar në vitin 1909. Virtytet terapeutike të radiumit për të vrarë tumoret malinje janë të njohura, por mbetet ende shumë për të bërë për të kontrolluar përdorimin e tij. Ajo do ta bëjë atë deri në vdekjen e saj në 1934. Vdiq në korrik 1934 në moshën 66 vjeç. Vdekja e saj nuk u shoqërua me ndonjë ceremoni zyrtare. Mirëpo, në vitin 1995, presidenti Fransua Miteran e solli në Panteon, së bashku me të shoqin. / KultPlus.com

Monica Bellucci nderohet me çmimin “Globo d’Oro”

Aktorja e mirënjohur italiane Monica Bellucci është vlerësuar me çmimin “Globo d’Oro” për arritje në karrierë nga Shoqata Italiane e Shtypit të Huaj.

59-vjeçarja – e njohur ndërkombëtarisht për rolet e saj në “The Matrix” dhe si një vajzë Bond në “Spectre” të vitit 2015 – u nderua me çmimin “Globo d’Oro” gjatë një ceremonie dje në Romë.

Çmimi vjen më shumë se një çerek shekulli pasi fitoi “Globo d’Oro” për aktoren më të mirë në interpretimin e saj në “Kaputt Mundi” në 1998.

Në edicionin e 64-të të ndarjes së çmimeve, Bellucci shoqërohej nga partneri i saj, regjisori amerikan Tim Burton, i famshëm për filmin “Charlie and the Chocolate Factory”.

Çmimi për Filmin më të Mirë iu dorëzua regjisores italiane, Paola Cortellesi për “C’è ancora domani”, ndërsa Filmi më i mirë Dokumentar u shpall “Ode to Napolit” nga Trudie Styler, bashkëshortja e këngëtarit britanik “Sting”.

Çmimet “Globo d’Oro” organizohen çdo vit nga Shoqata Italiane e Shtypit të Huaj./KultPlus.com

Më 4 korrik 1807 lindi Giuseppe Garibaldi, luftëtari i paepur për bashkimin e Italisë

Giuseppe Garibaldi lindi në Nice më 4 korrik 1807. Një personazh i shqetësuar dhe i etur për aventura, që në një moshë shumë të re ai u nis si detar për të ndërmarrë jetën në det.

Më 1832, gati njëzet e pesë vjeç, ai ishte kapiten i një anijeje tregtare dhe në të njëjtën periudhë ai filloi të afrohej në lëvizjet patriotike evropiane dhe italiane (siç është, për shembull, lëvizja Mazziniane “Giovine Italia”), dhe të përqafojë idealet e tyre të lirisë dhe pavarësisë.

Më 1836 ai zbarkoi në Rio de Janeiro dhe nga këtu filloi periudha, e cila zgjati deri më 1848, në të cilën ai u angazhua në ndërmarrje të ndryshme të luftës në Amerikën Latine.

Ai lufton në Brazil dhe Uruguaj dhe grumbullon një përvojë të madhe në taktikat guerile bazuar në lëvizje dhe veprime surprizë. Kjo përvojë do të ketë vlerë të madhe për stërvitjen e Giuseppe Garibaldit si si një drejtues luftimesh, ashtu edhe si një takticien i paparashikueshëm.

Më 1848 u kthye në Itali ku shpërtheu lëvizjen e pavarësisë, me Pesë ditët e famshme të Milanos. Më 1849 ai mori pjesë në mbrojtjen e Republikës Romake së bashku me Mazzini, Pisacane, Mameli dhe Manara, dhe ishte shpirti i forcave republikane gjatë luftimeve kundër aleatëve francezë të Papës Pius IX. Fatkeqësisht, republikanët detyrohen të pranojnë epërsinë e forcave të armikut dhe Garibaldi detyrohet të braktisë Romën më 2 korrik 1849.

Nga këtu, duke kaluar mënyra shumë të rrezikshme përgjatë të cilave ai humbet shumë shokë besnikë, ndër të cilët gruan e dashur Anita, ai mundi të arrijë në territorin e Mbretërisë së Sardenjës.

Pastaj fillon një periudhë e endjes nëpër botë, kryesisht në dete, e cila më në fund e çon atë në Caprera më 1857.

Garibaldi megjithatë nuk braktis idealet për bashkimin e Itailisë dhe më 1858-1859 ai takohet me Cavour dhe Vittorio Emanuele, të cilët e autorizojnë atë për të formuar një organ të vullnetarëve, një organ që quhej “Cacciatori delle Alpi” dhe në komandën e të cilit u vendos vetë Garibaldi.

Merr pjesë në Luftën e Dytë të Pavarësisë duke arritur suksese të ndryshme, por armëpushimi i Villafranca ndërpret operacionet dhe Gjuetarët e tij.

Më 1860 Giuseppe Garibaldi ishte promovues dhe drejtues i ekspeditës së Një Mijëve; ngre spirancën nga Quarto (Gjenovë) më 6 maj 1860 dhe zbarkon në Marsala pesë ditë më vonë. Nga Marsala fillon marshimi i tij triumfal; mund Bourbonët në Calatafimi, arrin në Milazzo, merr Palermon, Messinan, Siracusen dhe çliron plotësisht Siçilinë.

Më 19 gusht ai zbarkon në Kalabri dhe, duke lëvizur shumë shpejt, bën kërdi në linjat e Bourbonëve, pushton Reggion, Cosenzan, Salernon; më 7 shtator hyn në Napolin e braktisur nga Mbreti Francesco II dhe më në fund mposht Bourbonët në Volturno.

Më 26 tetor Garibaldi u takua në Vairano me Vittorio Emanuele II dhe vuri territoret e pushtuara në duart e tij: ai pastaj u tërhoq përsëri në Caprera, gjithmonë i gatshëm për të luftuar për idealet kombëtare.

Më 1862 ai u vu në krye të një ekspedite të vullnetarëve në mënyrë që të çlironte Romën nga qeveria papale, por ndërmarrja u kundërshtua nga Piemonte, kështu që u ndalua më 29 gusht 1862 në Aspromonte.

I burgosur dhe më pas i liruar në Caprera, ai mbeti në kontakt me lëvizjet atdhetare që veprojnë në Evropë.

Më 1866 ai mori pjesë në Luftën e Tretë të Pavarësisë nën komandën e Departamenteve Vullnetare. Ai vepron në Trentino dhe këtu arrin fitoren e Bezzecca (21 korrik 1866), por, përkundër situatës së favorshme në të cilën nodhej kundër austriakëve, Garibaldi duhet të pastrojë territorin e Trentinos me urdhër të piemontasve, të cilëve iu përgjigjet me “Obbedisco” – “Unë bindem “,  që mbeti e famshme.

Më 1867 ai drejtoi përsëri një ekspeditë që synonte çlirimin e Romës, por përpjekja dështoi me humbjen e forcave garibaldine në Mentana përballë forca Franko-Papale.

Në vitin 1871 ai mori pjesë në ndërmarrjen e tij të fundit të luftës përkrah francezëve në luftën Franko-Prusiane, ku, megjithëse ai mundi të arrijë disa suksese, asgjë nuk mund të shmangte humbjen përfundimtare të Francës.

Më në fund u kthye në Caprera, ku kaloi vitet e fundit dhe ku vdiq më 2 qershor 1882. /Voal /KultPlus.com

Elegji për babanë

Poezi nga Fatos Arapi 

Ti nuk je më.
As do të na shohësh,
as do të shohim,baba, më kurrë.
Ti nuk je më..
Emrin tënd e mori ky gur,
Vdekja – si vdekje ,
gjithmonë e dhimbshme,
gjithmonë e verdhë…
Me një kordhele
tufa kujtimesh në zemër na lidh.
Tufa kujtimesh
edhe elegjish.
Jam i trishtuar dhe më mori malli.
Dhe mbi trishtime e mall duke ecur,
ngjita rrugën e ngushtë të fshatit.
Shtyva derën e varrezës së vogël
dhe t’erdha te varri…
C’fjalë të pathëna do të më fiasësh?
C’fjalë të reja dëshiron të dëgjosh?
Prej këtij varri
tani, baba, c’do të më japësh?
Atë ditë të thatë janari:
përpara teje Halil Alija
e mercenari.
Prapa shtëpia në zjarr e flakë

Duart e tua në pranga,
plak i ngartë?
Erdha të marr
cfarë perket prei këtij varri.
Kujtime të dhimbshme.
Vuajtje krenare.
Ti mos më thuaj:
“Biro… ianë të trishtuara”.
Baba i gjorë!
Unë, pa ato,
do t’isha në jetë edhe më i trishtuar.
Dhe kur të vdes
s’dua asgjë
vec një varr të thieshtë.
Atje në bregdet,
ku nëpër net
bisedojnë yjet me qiparisat.
Dhe fjalë të kaltra
flet e shprëndan
deti matanë.
Fjalët që i njohim,
që i kuptojme,
unë
me babanë…/KultPlus.com

Kroçera “World Traveller” me turistë të huaj viziton Durrësin

Kroçera “World Traveller” me 156 turistë vizitoi sot portin e Durrësit.

Sipas Autoritetit Portual Durrës, turistët e ardhur me kroçerë janë të nacionaliteteve të ndryshme si amerikanë, 󠁧󠁢󠁥󠁮󠁧󠁿anglezë, kanadezë, kolumbianë, australianë, francezë etj.

Kroçera e ka nisur e turin e saj nga Kroacia, e ka vijuar me ndalesat ditore në Monopoli(Itali) sot në vendin tonë e do të vijojë lundrimin në disa prej ishujve të Greqisë.

Kjo eksploruese moderne, e lançuar në vitin 2022, integron sistemet më të fundit të menaxhimit të energjisë hibride me efikasitet maksimal të karburantit dhe sistemeve shtytëse.

Inxhinieria e saj bashkëkohore është e ndjeshme ndaj ekosistemeve të brishta të ujërave oqeanike dhe detare duke lejuar anijen të lundrojë me pak ose aspak zhurmë deri në pesë nyje.

“World Traveller” lundron nën flamurin e Madeiras, ka një kapacitet akomodues prej 196 pasagjerësh dhe 127 anëtarë ekuipazhi./atsh/KultPlus.com

Anisa Markarian, aktorja e skenaristja feston sot ditëlindjen

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, uroi me rastin e ditëlindjes, aktoren Anisa Markarian.

Në mesazhin e urimit që Gonxhja ndau në rrjetet sociale, Markarian vleresohet si “artistja sqimatare e talentuar, e cila përmes roleve dhe interpretimeve të saj të paharrueshme kinematografike, si dhe nëpërmjet krijimeve të saj letrare me një shqipe të përkorë, u shndërrua në një nga figurat më të spikatura të elitës artistike dhe intelektuale shqiptare, duke u vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” i Punës”.

Markarian lindi në Tiranë, më 1962, në një familje me origjinë armene. Përveç angazhimit në kinematografi, si aktore, Anisa Markarian ka shkruar edhe skenarë. Ka interpretuar në disa filma ku ka fituar dhe çmime kombëtare për aktrimin. Filmin e parë, “Vajzat me kordele të kuqe” e interpretoi në moshën 16-vjeçare.

Ka botuar poezi dhe prozë. Megjithëse u vlerësua për talentin e saj si aktore e skenariste, Markarian zgjodhi që karrierën e saj profesionale ta përqendronte në një tjetër fushë, atë të mjekësisë, profesion që e ushtron prej pothuaj 3 dekadash, jashtë kufijve të Shqipërisë. Anisa Markarian jeton e punon në Francë që prej vitit 1991.

Ndër rolet e spikatur ku Anisa ka interpretuar: “Vajzat me kordele të kuqe”, “Në çdo stinë”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Ngjyrat e moshës” etj./atsh/KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare vlerësohet nga arkitektët australianë si një thesar i vërtetë

Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore i  cili është i mbështetur nga Getty Foundation, është duke u mbajtur në Kosovë që nga 1 deri 4 korrik të këtij viti, në të cilin ka arkitektë nga e gjithë bota, nga Armenia, Ukraina, India, Australia, Amerika e nga Evropa.

Synimi i këtij seminari, është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në Kosovë por në tërë regjionin.

Drejtori i këtij seminari e festivali, Bekim Ramku ka thënë për kp se në funksion janë edhe tre punëtori për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, me ekipin LMNL nga Holanda të cilët po punojnë në oborrin e fondacionit dhe në shtëpinë e Hivzi Sylejmanit për të krijuar një bahçe.

“Seminari perspektiva e re për trashëgiminë moderne në Evropën Juglindore, është seminari i organizuar në bashkëpunim me Getty Foundation, ka pas një iniciativë të quajtur keeping it modern, që ka investuar në projekte të modernizmit për me krijuar plane të konservimit dhe menaxhimit. Njëri nga ato planet ka qenë plani që kemi bë për Bibliotekën Kombëtare 2016. Tash pas shumë vitesh kemi organizuar një seminar ku kemi mbledhur 40 persona prej të gjithë botës me prezentu.. Synimi është bartja e dijës dhe promovimi i draftimit të planeve të konservimit dhe menaxhimit jo vetëm në vendin tonë por në regjionin tonë… Jemi duke organizuar edhe festivalin e arkitekturës. Dje, kemi pasur mbrëmjen e parë të ligjëratave publike të cilat mbahen në Kino Armata, çdo ditë prej 18:45…. Kemi edhe tre punëtori që janë duke ndodhur, një punëtori është për vlerësimin e vlerave të pallatit të rinisë dhe sportit, tjetër me ekipin LMNL nga Holanda që janë arkitekt të peizazhit të cilët janë duke punuar me oborrin e fondacionit 17, shtëpinë e Hizvi Sylejmnait për të krijuar një bahçe dhe një punëtori”, ka thënë ai.

Ndërsa, arkitektja australiane Sheridan Burke, e cila ka bërë planin e konservimit të shtëpisë së operës në Sidney, e cila është në listën e trashëgimisë botërore.

Mesazhi i Burke është që si popull të kujdesemi për Bibliotekën Kombëtare, e cila e vlerëson atë si një thesar të vërtetë në Kosovë.

“Jam këtu për të qenë pjesë e një konferencë që është mbajtur për planifikimin e menaxhimit të ruajtjes për vendet e trashëgimisë moderne dhe gjithashtu për të qenë pjesë e festimeve të arkitekturës së Kosovës… Unë po prezantoj sonte për Shtëpinë e Operës së Sidneit, e cila është një ndërtesë në Sidnei ku jetoj dhe për të cilën kam ndihmuar të kujdesem. Shtëpia e Operës tani është në listën e Trashëgimisë Botërore… Është një lloj simboli i kombit, dhe qendra më e ngarkuar e arteve të shfaqjes në Australi. Pra kemi rreth 8 milionë vizitorë, që është një presion i madh… Më pëlqen kjo bibliotekë. Është thjesht një ndërtesë e jashtëzakonshme. E dini, unë me të vërtetë nuk kam parë diçka të tillë më parë dhe është e mrekullueshme të shohësh mobiliet ende këtu, veprat e integruara të artit, pamja e saj brenda qytetit është e mrekullueshme, keni një thesar të vërtetë këtu, kujdesuni për të”, është shprehur Burke.

Gjithashtu, Vaidas Petrulis nga Lituania, i cili është profesor i asociuar dhe mësimdhënës për arkitekturë, histori dhe trashëgimi kulturore në Universitetin e Teknologjisë në Kaunas, ka shtuar se populli është shumë i rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, prandaj ata duhet të dinë se ku qëndron vlera e tyre.

“Në Kaunas kemi bërë një plan të menaxhimit të ruajtjes për ish-laboratorin e kërkimit kimik, ish-laboratorin e kërkimit ushtarak që tani është nën kujdesjen e Universitetit të Teknologjisë Kaunas dhe ne e përdorim këtë laborator për qëllime të studimeve….Ndoshta deklarata ime më e rëndësishme e tezës është se nëse doni të kujdeseni për trashëgiminë, populli është shumë i rëndësishëm, dikush duhet të kuptojë vlerën dhe për këtë qëllim është shumë e rëndësishme të zhvillohet një narrativë shumë e qartë për t’u treguar njerëzve pse është e rëndësishme se ku qëndron vlera. Dhe padyshim që ju duhet një histori bindëse, kështu që ajo që ne u përpoqëm të bëjmë është që lidhim laboratorin me të gjithë trashëgiminë e Kaunas, dhe Kaunas tani është qytet i trashëgimisë botërore të UNESCO-s… Është e mahnitshme sidomos kur bëhet fjalë për gjysmën e dytë të shekullit të 20-të të vetë bibliotekës ku jemi. Është një ndërtesë fantastike me kupola ekzotike dhe në fakt nëse shikoni të gjithë zonën lindore duke filluar nga Estonia veriore dhe duke përfunduar në jug të Kosovës, do të gjeni shumë librari spektakolare”, ka shtuar ai.

Përveç seminarit, gjithashtu është duke u mbajtur edhe festivali i arkitekturës në Kino Armata nga ora 18:45./tv21/KultPlus.com

I dashuri im Lasgush

Nga Zelije Krasniqi

I dashuri im Lasgush,
Kam kujtuar që bota mban rruaza prej druri,
që të gjuaj mbi këmbana sa herë të vijë kohë e njerëzve si ti,
që bëhen dashnorë virgjëreshash
duke mos përbuzur drithërimat e shenjtërisë.
I dashuri im Lasgush,
do të tregoj se stacionet e mia nuk vijnë me mua në shtëpi,
nuk ma mbajnë emrin mend sa ty,
dhe sa here shoh veten në pasqyrë,
shoh vetëm rrobat e mia
dhe kapelën tënde të grisur nga femra të tjera të panjohura
I dashuri im Lasgush,
i dashuri i femrave që s’jetuan në kohën tënde,
më kane thënë se ti me ke dashur mua
edhe kur nuk kishte ndër mend Zoti të më sillte në racën tënde,
më ke dashur më shumë seç do të duash femra të tjera pas meje.
I dashuri im Lasgush,
që shëtitesh nëpër sytë e mi,
më thuaj se jeta ime ka një dritë të vogël
që e ke ndezur ti. / KultPlus.com

Ambasadori Hovenier do të përformojë bashkë me Filarmoninë e Kosovës

Filarmonia e Kosovës është në përgatitjet finale të koncertit përmbyllës të sezonit 2023-2024, të quajtur “Koncert për paqe”.

E veçanta e kësaj mbrëmje muzikore do të jetë edhe prezenca e ambasadorit amerikan, Jeffrey Hovenier, bashkë me Korin e Filharmonisë së Kosovës.

“Jemi të nderuar që në mesin tonë, bashkë me 200 muzikantë, në skenë do të ngjitet edhe ambasadori amerikan në Kosovë, shkëlqesia e tij Jeffrey M. Hovenier”, ka njoftuar Filarmonia e Kosovës.

Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton)./KultPlus.com

Art dhe arkitekturë në Vilën Mbretërore

Në Vilën Mbretërore të Durrësit u zhvillua një aktivitet interesant që ndërlidhi arkitekturën, artin, ujin dhe muzikën. Aktiviteti u organizua nga Harabel Contemporary, Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Tiranës dhe Instituti Italian i Kulturës, mbështetur nga Ambasada e Republikës së Italisë në Shqipëri.

Takimi u zhvillua në kuadër të serisë Hartalk, për të folur për artin, arkitekturën dhe hapësirat e bukura shqiptare.

Pjesëmarrës në bisedë ishin arkitektët e mirënjohur Gëzim Paçarizi, Alban Birçe e Matilda Pando si dhe autorët e librit “Fragmente të arkitekturës bashkëkohore shqiptare”.

Të pranishmit vizituan Vilën Mbretërore, objekt me rëndësi i arkitekturës në vendin tonë, instalacionit artistik nga Stefano Romano, për ta përmbyllur mbrëmjen në një festë me muzikë nga Erand Kurani, DJ Set MA NU! & Rea./atsh/KultPlus.com

‘Europa është krijuar nga historia. Amerika është krijuar nga filozofia’

“Secila grua që i kupton problemet e drejtimit të një shtëpie do të jetë shumë afër t’i kuptojë edhe problemet e drejtimit të një vendi.”

“Nuk mund të ketë liri pa liri ekonomike.”

“Nuk më intereson se sa shumë flasin ministrat e mi, për aq kohë sa ata e bëjnë atë që u them unë.”

– Margaret Thatcher/KultPlus.com

Thënie të famshme nga George Washington: Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë

George Washington ka qenë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – lider dhe strateg, i vetmi njeri i zgjedhur unanimisht nga Kolegji Elektoral duke shërbyer dy mandate si president.

Si president i parë, Washington e ka ditur se të gjitha metodat e tij, vendimet dhe lëvizjet do të krijojnë precedent për çdo gjë që do të pasonte, prandaj ai kishte qenë shumë i kujdesshëm dhe i përgjegjshëm me zgjedhjet e tij, transmeton Telegrafi.

Ai kishte krijuar autoritet duke qëndruar i sinqertë dhe duke mos abuzuar me fuqinë që kishte.

Washington madje kishte refuzuar të shërbente një mandat të tretë dhe kishte vendosur që vitet e fundit t’i jetonte si fermer i thjeshtë, duke vendosur prapë një shembull të mirë.

Ai kishte qenë një njeri me ndjenjë të thellë të detyrës, një hero ushtarak dhe një patriot.

Marrë parasysh atë dhe të bëmat e tij, më poshtë jua sjellim disa prej thënieve të tij që jua përmirësojnë integritetin personal.

– “Lumturia njerëzore dhe detyra morale janë të lidhura në mënyrë të pandashme”

– “Këmbëngulësia dhe shpirti kanë bërë mrekulli në të gjitha epokat”

– “Shoqërohuni me njerëz të kualiteti të mirë, nëse e vlerësoni reputacionin tuaj, pasi që më mirë është të jeni vetëm sesa me shoqëri të keqe”

– “Aq më i vështirë konflikti, aq më i madh është triumfi”

– “Meshkujt e vërtetë e urrejnë luftën, por asnjëherë nuk largohen nga ajo”

– “Më parë vdes në këmbë sesa të jetojë në gjunjë”

– “Më mirë është të mos arsyetoheni sesa ta jepni një arsyetim të keq”

– “Përgatitja për luftë është një prej formave më efikase për ta ruajtur paqen”. / KultPlus.com

Konferencë e përbashkët shkencore mes akademikëve të Tiranës e Prishtinës

Në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës u zhvillua konferenca shkencore e përbashkët me Akademinë e Shkencave te Shqipërisë “Zhvillimi i konstitucionalizmit shqiptar 1912-2024”. Nga ASHSH morën pjesë Aurela Anastasi, Kosta Bajraba dhe Ksenofon Krisafi.

Akademike Aurela Anastasi, një nga organizatoret e kësaj konference, mbajti kumtesën me titull: “Kontrolli kushtetues në shtetin shqiptar të pavarur deri në rënien e regjimit monist”. Përmes kësaj kumtese evidentoi zhvillimet e konstitucionalizmit në vitet 1920-24 dhe ndikimin në zhvillimet e mëtejshme. Ajo sintetizoi evolucionin historiko-juridik të parimit të Konstitucionalizmit dhe të kontrollit kushtetues në Shqipëri.

Përmes analizës së dokumenteve të reja arkivore, punimi arrin në gjetje e konkluzione të rëndësishme për zhvillimin e kësaj lëmie.

Për herë të parë paraqitet një periodizim i zhvillimit të kontrollit kushtetues në Shqipëri bazuar në modelet ndërkombëtare. U shqyrtua kontrolli paraprak i kushtetutshmërisë së normave dhe roli i Këshillit të Shtetit (1929-1944) si organ kushtetues që kreu këtë kontroll. U shtruan për diskutim gjetjet mbi përpjekjet e Gjykatës së Diktimit, për të ushtruar kontroll gjyqësor të kushtetutshmërisë. U diskutua perspektiva e ndikimit të ndërsjellë të doktrinës me kontrollin kushtetues./atsh/KultPlus.com

​Kuvendi i Shqipërisë një minutë heshtje për Ismail Kadarenë

Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë mbajtën sot një minutë heshtje në nderim të kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare, i cili ndërroi jetë më 1 korrik në moshën 88-vjeçare nga nëj arrest kardiak.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla tha se në emër të Kuvendit seancën e sotme plenare ta nisim me nderimet për personalitetin e nderuar të letrave shqipe, shkrimtarin e madh Kadare që ditën e djeshme u përcoll në banesën e fundit.

“Të gjithë i jemi mirënjohës Ismail Kadaresë”, tha ajo.

Kolosi i letërsisë shqipe, Ismail Kadare u përcoll dje për në banesën e fundit me të gjitha nderimet nga mijëra qytetarë e personalitete të jetës publike nga Shqipëria dhe Kosova.

‘Deklarimi i Pavarësisë’, piktura e famshme kushtuar 4 Korrikut

Piktura e famshme e John Trumble, “Deklarimi i Pavarësisë” është piktura e parë e bërë në shtetin që sapo ishte formuar nga George Washington dhe gjeneralët e tij, shkruan KultPlus.

Në pikturë shihen të gjithë baballarët që e themeluar kombin amerikan si George Washington, Alexander Hamilton, John Adams, Arron Burr, James Madison dhe Thomas Jefferson.

Kjo pikturë ka nisur me 4 korrik, pra gjatë shpalljes së pavarësisë, por ka zgjatur gati 5 vjet që të përfundohet.

Menjëherë pas kësaj konference, është mbajtur mbledhja e parë e kabinetit të parë qeveritar me president George Washington. /KultPlus.com

143 vite nga vdekja e astronomit, matematikantit e filozofit shqiptar, Hasan Tahsini

Hoxhë Hasan Tahsini u lind në fshatin e Ninatit, pranë Konispolit. Studimet e para i ndoqi në Stamboll.

Kur ishte ende i ri u caktua si mësues pranë shkollës osmane në Paris, ku gjatë kësaj kohe ndoqi edhe studimet për matematikë dhe shkenca natyrore pranë Universitetit të Parisit.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Tahsini shkruajti të parin traktat psikologjie në osmanisht të titulluar Psikologjia ose Shkenca e Shpirtit, një vepër e frymëzuar nga modernizmi. Shkruajti gjithashtu të parin libër për astronominë moderne, duke qenë edhe libri i parë i shkencës popullore në osmanisht.

Përveç themelimit dhe emërimit në krye të Universitetit të Stambollit, themeloi edhe “Xhemijet-i Ilmijje-i Arnavudijjê” (Shoqëria e Dijetarëve Shqiptarë apo Kuvendi Shkencor Shqiptar). Së bashku me Sami Frashërin, ai hartoi edhe një alfabet të veçantë për gjuhën shqipe. Tahsini punoi për alfabetin shqip duke shpikur edhe një alfabet të vetin, si dhe punoi në Komitetin qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare. / KultPlus.com

Thëniet më të njohura të 45 presidentëve të ShBA

Pas betimit dhe marrjes zyrtarisht të detyrës së kreut të shtetit, gjatë ceremonisë presidentët amerikanë mbajnë një fjalim. Ja cilat janë disa nga citatet e famshme të shkëputura nga fjalimet e tyre.

George Washington (1789–1797)

“Rregulli i sjelljes për SHBA, në lidhje me kombet e huaja, është, të zgjerojmë lidhjet tregtare, për të pasur me ta sa më pak lidhje politike që të jetë e mundur”.

John Adams (1797–1801)

“Asnjë person që ka mbajtur detyrën e presidentit nuk mund të përgëzojë dikë që e cilëson mik për besnikërinë e treguar”

Thomas Jefferson (1801–1809)

“Unë uroj të shikoj këtë pije (birrë) që të zëvendësojë wiskey-n, pije që deri tanika bërë që një në tre persona të jenë të varur dhe më shumë se kaq: ka shkatërruar familjet”.

James Madison (1809–1817)

“Asgjë më shumë nuk ndryshon se sa ndryshon mendja”. (e thënë pak momente përpara se të vdiste).

James Monroe (1817–1825)

“Zonjës time Monroe, nëse i shton të bijën për shoqërinë që i bën, pavarësisht se shkakton goxha rrëmujë, mund ta cilësosh kontribuuese të madhe në zbavitjen e saj”.

John Quincy Adams (1825–1829).

“Katër vitet më të këqia të jetës sime, ishin katër vitet e mia në presidencë”.

Andrew Jackson (1829–1837)

“Nëse një punë në qeveri nuk e bën dot një demokrat, atëherë atë punë nuk mund ta bëjë askush tjetër”.

Martin Van Buren (1837–1841)

“Dy ditët më të lumtura të jetës sime kanë qenë: e para kur mora detyrën e presidentit dhe e dyta kur e lashë atë detyrë”.

William Henry Harrison (1841)

“Disa njerëz si puna ime kanë budallallëkun e mjaftueshëm për t’u shkuar në mendje se mund të bëhen presidentë të Shteteve të Bashkuara”.

John Tyler (1841–1845)

“Unë kam gjithnjë mendimin që popullariteti mund të krahasohet me një vajzë lozonjare apo vajzë koketë – sa më shumë i vini rrotull, aq më shumë ajo ikën”.

James Knox Polk (1845–1849)

“Asnjë president që bën detyrën e tij me besnikëri dhe ndërgjegje nuk mund të ketë kurrë kohë të lirë”.

Zachary Taylor (1849–1850)

“Tregojini atij se si përfundon në ferr” (Në përgjigje të kërkesës së gjeneralit meksikan Santa Anna për t’u dorëzuar).

Millard Fillmore (1850–1853)

“Është turp kombëtar që presidentët tanë, pasi kanë mbajtur postin më të lartë të shtetit, duhet lënë në mëshirë të fatit dhe ndoshta të jenë të detyruar të hapin një dyqan ushqimesh si mjet jetese”.

Franklin Pierce (1853–1857)

“Nuk ka ndonjë gjë në të majtë…. Por ama janë të dehur” (në planet e tij pasi humbi një kandidim të dytë në 1856).

James Buchanan (1857–1861)

“I dashur zotëri, nëse ju jeni po aq i lumtur në momentin kur futeni në Shtëpinë e Bardhë po aq sa edhe edhe kur largoheni prej saj, realisht ju jeni një njeri i lumtur”.

Abraham Lincoln (1861–1865)

“S’di se kur unë do dëgjoj dikë të më argumentojë skllavërinë dhe unë do ndjeja një impuls të fortë për të njohur dhe kuptuar personalitetin e tij”.

Andrew Johnson (1865–1869)

“Nga të gjitha rreziqet që kombi ynë ndeshet akoma një gjë është e vërtetë: Ato nuk janë të njëjta me ato të cilat duhet të rezultojnë nga sukseset e arritjeve më të fundit të afrikanizimit të gjysmës së Jugut të vendit”.

Ulysses S. Grant (1869–1877)

“Puna nuk është turp për njerëzit; për fat të keq herë pas here ka njerëz që turpërojnë punën”.

Rutherford B. Hayes (1877–1881)

“Unë jam tejet i lodhur nga kjo jetë e varësisë së plotë, nga përgjegjësia dhe nga rraskapitja”.

James A. Garfield (1881)

“Zoti im! Në këtë vend ka gjithçka që një njeri i dëshiron t’i ketë. Apo jo?”.

Chester A. Arthur (1881–1885)

“Unë mund të jem president i SHBA, por jeta ime private nuk është çështje e dikujt”.

Grover Cleveland (1885–1889,1893–1897)

“Gratë e ndjeshme dhe të zgjuara nuk dëshirojnë të votojnë”.

Benjamin Harrison (1889–1893)

“Ne amerikanët nuk kemi autorizim nga Zoti për të mbajtur nën kontroll Botën”.

William Mckinley (1897–1901)

“Ne kemi nevojë për Hawai-n më shumë se sa California-n. Kjo është prova e pashmangshme”.

Theodore Roosevelt (1901–1909)

“Fitorja e luftës nuk vlen sa fitorja e paqes”.

William Howard Taft (1909–1913)

“Nuk e ke shfrytëzuar detyrën e presidentit, nëse nuk keni siguruar një tren me një vagon-restorant në të”.

Woodrow Wilson (1913–1921)

“Dobia e një universiteti është se nxjerr aristokratë të rinj, ndryshe nga baballarët e tyre që nuk e kishin këtë mundësi”.

Warren G. Harding (1921–1923)

“Unë jam një burrë me pak talent nga një qytet i vogël; nuk dukem shumë që unë jam president”.

Calvin Coolidge (1923–1929)

“Kur shumë njerëz janë të pazotë të gjejnë punë, ata përfundojnë të papunë ”.

Herbert Hoover (1929–1933)

“Unë jetova më shumë se bastardët” (duke iu referuar shumë njerëzve që e bënin fajtor për Depresionin e Madh).

Franklin Delano Roosevelt (1933–1945)

“Për të qenë i suksesshëm në të folurin publik duhet të kesh parasysh këto rregulla: Të jesh i sinqertë, të jesh konçiz dhe të jesh i përulur”.

Harry S. Truman (1945–1953)

“Unë e shkarkova MacArthur (gjenerali i trupave amerikane të dërguar në Kore) sepse ai nuk respektoi autoritetin e presidentit. Unë nuk e shkarkova atë sepse mendoja se ai ishte maskara. Ai në fakt ishte i tillë. Por është e rëndësishme të them se të qenit maskara nuk është kundër ligjit. Ah, nëse kjo do ishte e kundërligjshme, gjysma e drejtuesëve të ushtrisë do futeshin në burg”.

Dwight David Eisenhower (1953–1961)

“Nuk dua që kur urinoj të kujtoj këtë qelbësirë”.(duke iu referuar senatorit Joe McCarthy).

John Fitzgerald Kennedy (1961–1963)

“Harrojini armiqtë, por mos harroni kurrë emrat e tyre”!

Lyndon Baines Johnson (1963–1969)

“Nëqoftëse popullit ia mbledh mirë rripat, zemrat dhe mendjet e tyre do të të ndjekin”.

Richard Milhous Nixon (1969–1974)

“Kur presidenti bën dicka, kjo do të thotë që ajo nuk është e jashtëligjshme”.

Gerald R. Ford (1974–1977)

“Unë jam një Ford, jo një Lincoln”.

James Earl Carter (1977–1981)

“Unë jam i shqetësuar se si funksionon çdo kristian sepse ndonjë mund të shkojë në ferr”. (duke iu drejtuar Reverend Jerry Falwell)

Ronald Reagan (1981–1989)

“Është e vërtetë që puna e rëndë nuk ka vrarë dikë, por unë ju siguroj që puna e rëndë rrezikon jetën”.

George Herbert Walker Bush (1989–1993)

“Unë kam opinionet e mia. Ka raste që kam opinione të forta, por ama nuk jam në një mendje gjithnjë me to”.

William Jefferson Clinton (1993–2001)

“Lëvizjet e mia për të kryesuar qeverinë do të jenë shoqëruar përherë me ndjenjat aspak të papëlqyera të një fajtori i cili do të vendosë ekzekutimin e vetes së tij”.

George W. Bush (2001–2009)

“Çelsi i politikës së jashtme është të mbështetesh në besim”.

Barack Obama (2009-2016)

“Në 15 muajt e fundit ne kemi udhëtuar në çdo cep të SHBA. Kam qenë deri tani në 57 shtete. Unë mendoj si i majtë kur shkoj”.

Donald Trump (2016 e në vijim)

“Unë do ta bëj Amerikën përsëri të madhe”./ KultPlus.com

Presidentja Osmani uron SHBA-në për Pavarësinë: Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale i ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Ditën e Pavarësisë.

Ajo ka shkruar se populli i Kosovës sot feston krahas popullit amerikan, dhe se sot kujtojmë vlerat mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme.

“Aleancë që vazhdon t’i mbijetojë kohës dhe sfidave! Sot, populli i Kosovës feston krahas popullit amerikan. Sot, kujtojmë vlerat e idealet mbi të cilat janë ndërtuar Shtetet e Bashkuara dhe aleanca jonë e fuqishme! Aleatëve tanë amerikanë: Gëzuar 4 Korriku! Happy Fourth of July!”, ka shkruar Osmani.