Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është hapur ekspozita “Covers” e artistes Barbara Prenkas, kuruar nga Zef Paci.
Përmes këtyre pikturave, ajo sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të design-it dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale.
Sipas artistes, jorgani ka ngarkesë simbolike, është i njëjti, por mënyra e prodhimit, stili, koha, pigmentet kanë ndryshuar.
Arsyeja e risjelljes sot të këtyre mbulesave gjendet në ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit është një jehonë që mbetë mbrenda nesh.
Ekspozitën mund ta vizitoni nga e marta deri të shtunën.
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden ka thënë se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë atë që t’i japë fund ofertës së tij për rizgjedhje, teksa ai u ul për një intervistë të rrallë në primetime në një përpjekje për të qetësuar shqetësimin e demokratëve për kandidaturën e tij.
Duke folur për ABC News të Premten, Biden refuzoi gjithashtu të bënte një test njohës dhe t’i bënte rezultatet publike në mënyrë që të siguronte votuesit se ai është i aftë për të shërbyer një mandat tjetër.
“Unë kam një test kognitiv çdo ditë. Çdo ditë e kam atë test – gjithçka që bëj është një test”, i tha ai George Stephanopoulos.
81-vjeçari e kundërshtoi edhe një herë idenë, e transmetuar nga disa zyrtarë dhe donatorë demokratë, se ai duhet të qëndrojë mënjanë për një alternativë më të re pas debatit të tij katastrofik me Donald Trump javën e kaluar.
Ajo donte të ndryshonte botën, duke filluar nga bota e saj dhe e përkushtuar me gjithë shpirt.
Jeta e Frida Kahlos u zhvillua me një intensitet të fortë emocional, një grua me tundime kontroverse; e mbushi biografinë e saj me dashuri, luftë dhe shpresë, duke i treguar botës se mund të jetohet edhe një jetë tjetër, përveç asaj “të shkruar”.
U shqua për aftësinë e jashtëzakonshme në pikturë dhe poezi, sidomos për dashurinë e trazuar me atë që do ishte burri i saj në dy martesat: po aq i famshëm, Diego Rivera. Kemi të bëjmë me një grua që theu konvencionalitetin, qe në gjendje të përfaqësonte veten dhe të shndërrohej në një mrekulli. Kishte aftësinë të paraqitej mashkullore, të dilte në krah të feminizmit në një kohë kur bota ishte zemëruar përmes mbishkrimit të maskilizmit mbizotërues. Refuzoi nënshtrimin ndaj universit mashkullor, u vetëmjaftua, u shndërrua në simbolin e feminizmit dhe barazisë gjinore. Me veprimet dhe krijimet e saj, mbështeti idenë se të gjitha qeniet njerëzore kanë të njëjtin pozicion në piramidën e jetës.
Thuhet se ka realizuar mbi 150 piktura, të paktën 55 prej tyre janë autobiografike. Gjithë shtegtimi i jetës së saj përfaqësohet në këto piktura enigmatike, që vijojnë të magjepsin audiencat mbarë. Arti i saj është i sinqertë dhe i thellë, ashtu siç ishte edhe ajo vetë. Aktualisht një nga pikturat e Frida Kahlos mban rekordin si më e shtrenjta e shitur ndonjëherë nga një artist i Amerikës Latine, pikërisht “Raices”, e cila u ble për më shumë se 5 milionë dollarë në 2006. Po ashtu ishte artistja e parë meksikane që shiti një nga veprat e saj në Muzeun e Luvrit.
Andre Breton, themeluesi i surealizmit dhe një nga admiruesit e saj më të mëdhenj, e klasifikoi punën e saj si surealiste. Sidoqoftë, Frida Kahlo këmbëngulte se ajo pikturon jetën e saj, jo ëndrrat, për këtë arsye nuk mund të konsiderohej e tillë. Kur Bretoni e vizitoi atë në Meksikë, pranoi se kishte gabuar. Surealiste nuk ishte Frida, por i gjithë vendi i saj. Jeta dhe vepra e Frida Kahlos janë të pandara, njëra nuk mund të kuptohet pa tjetrën. Piktorja magjepsëse ishte asokohe një artiste interesante, por mbi të gjitha gruaja e Diego Riveras, piktorit të famshëm meksikan. Me kalimin e viteve, ndryshoi edhe situata. Rivera kujtohet shpesh si burri i Frida Kahlos, piktores së madhe.
Kahlo ishte vajza e një fotografi gjerman dhe një gruaje meksikane. Lindi në Meksiko Siti më 6 korrik 1907, megjithëse më vonë u përpoq t’i bënte njerëzit të besonin se kishte lindur në vitin 1910, vitin e revolucionit meksikan. Kur ishte 6-vjeç, e zuri poliomeliti, çka i shkaktoi probleme në ecje. Për t’u rehabilituar, i ati e inkurajoi të merrej me aktivitete të rënda fizike si futbolli dhe boksi. U shërua pjesërisht, po sëmundja e bëri një fëmijë të vetmuar, e cila kalonte ditë të tëra e mbyllur në dhomën e saj. Në shkollë e quanin “Frida këmbëdruri”, sepse njërën këmbë e kishte më të hollë e më të dobët se tjetra, madje shumë prej pikturave i nënshkroi me këtë pseudonim. Ndërkohë pësoi edhe një aksident tjetër të rëndë, çka bëri që t’ia ndryshonte përgjithmonë jetën. Filloi të pikturonte, ndërsa ishte e lidhur me shtratin dhe që prej nuk ndali kurrë. Me Diego Riveran i prezantoi një mik i përbashkët dhe dashuria e tyre qe me shikim të parë: ai ishte 43-vjeç, kurse ajo 22. Babai e paralajmëroi se po bëhej “një demon”, kurse e ëma i thoshte se dukej si shkrirja e një elefanti me pëllumbin. Ai e tradhtonte, ajo e donte marrëzisht. Ai e adhuronte, por nuk ishte në gjendje t’i ofronte një jetë të përbashkët që të ishte ekskluzive. Megjithatë, ata evoluan si bashkërisht, ashtu edhe veçmas, duke skalitur hapësirën e tyre në historinë e një bote të paanë. Dy artistët jetuan një marrëdhënie pasionante, të shënuar nga tradhti reciproke dhe vuajtje fizike të Fridës. Ndërkohë, puna e saj rritej dhe bëhej gjithnjë e më interesante. Ekspozoi në qendra të ndryshme arti në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë. Episod shumë i dhimbshëm ishte zbulimi i marrëdhënies së Riveras me të motrën e saj, e cila kishte qenë e besuara e Fridës. Ngjarja çoi në divorc, për t’u rimartuar pas një viti. Mësimet e dashurisë pasqyrohen në vuajtjet që burojnë në artin e saj, veçanërisht në autoportretet. Piktura e saj projekton vështirësitë, njeh ekspozimin ndaj jetës dhe përshkruan rrugën e vetëpranimit, hap pas hapi. Në përgjithësi, jeta e saj qe një kalvar fatkeqësish dhe sëmundjesh që minuan pjesën më të madhe të jetës dhe aspiratave që ajo kishte. Frida pohoi se vuajtja është një gjendje e vetëdijes, përmes një fraze që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën tonë: “Unë pi për të mbytur dhimbjet, mirëpo ato kanë mësuar të notojnë”.
Frida Kahlo vdiq më 13 korrik 1954, në moshën 47-vjeçare. Dy vjet më vonë, vdiq Diego, i cili kërkoi që të varrosej pranë saj. Sidoqoftë, dëshira e fundit nuk iu plotësua.
Pra, jeta e saj na jep një mësim të madh: “Duhet ta duam veten mbi gjithçka”; duhet t’u themi “Mjaft!” vuajtjeve tona, vetëm kësisoj do të jemi në gjendje të kultivojmë esencën dhe të shpalosim me fisnikëri stilin tonë personal. / KultPlus.com
Kalaja e Rozafës, një destinacion i rëndësishëm historiko-kulturor në Shkodër po vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj ndërsa nuk resht edhe interesi i vendasve.
Vizitat turistike në Kalanë e Rozafës vijuan trendin rritës gjatë muajit qershor, duke reflektuar rritje të konsiderueshme të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj.
18.078 vizitorë mikpriti kalaja e Shkodrës gjatë muaji qershor, shifër e cila është 4,5% më e lartë se ajo e një viti më parë.
Kalaja e Shkodrës, e njohur ndryshe si Kalaja e Rozafës, është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë dhe objekti kryesor turistik në qytetin e Shkodrës. Ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit të Shkodrës, e rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir. Mbi faqet e pjerrëta të kodrës ngrihen muret rrethuese, të cilat zënë një sipërfaqe rreth 9 hektarë tokë. Sipërfaqja e brendshme e kalasë ndahet nga muret e tre oborreve, me porta mes tyre. Oborri i tretë, i cili është më i vogël se të tjerët, ndodhet në pjesën më të lartë të kodrës. Në muret dalës të tij, ka të dala drejtkëndëshe që zëvendësojnë kullat, ndërsa në murin e jashtëm, kullat janë më të dendura. Brenda kështjellës ka disa ambiente që lidhen me një kullë rrethore, një depo si dhe një godinë trekatëshe të kohës veneciane. Oborri i dytë zë pjesën qendrore dhe më të madhe të kalasë, duke u ndarë nga oborri i parë me një mur tërthor pa kulla.
Kalaja e Shkodrës është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme./atsh/ KultPlus.com
Për nderë të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës dhe 248-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Filharmonia e Kosovës prezanton koncertin “Koncert për Paqe” me të cilin përmbyllet sezona 2023/2024.
Koncerti do të sjellë te publikut vepra të fuqishme nga literatura muzikore, të interpretuara nga mbi 200 muzikantë: Orkestra dhe Kori i Filharmonisë së Kosovës, Kori i Operës së Kosovës (Dir. Hajrullah Syla) dhe Kori i Universitetit “Haxhi Zeka” – Pejë (Dir. Hysen Nimani). Koncerti do të drejtohet nga dirigjenti Baki Jashari, ndërsa në rolin e solistëve do të prezantohen Adelina Paloja (soprano), Liridon Sadriu (tenor) dhe Safet Berisha (bariton).
Ky koncert është mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada Amerikane, Komuna e Prishtinës dhe RTK.
Mbrëmja fillon në ora 20:30, më 6 korrik, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Hyrja është falas, ndërkaq rezervimi është i domosdoshëm https://bit.ly/3zruKVb. / KultPlus.com
Porsi kanga e zogut t’verës, qi vallzon n’blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t’detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â’ gjuha e jonë shqyptare. Ah! po; â’ e ambël fjala e sajë, porsi gjumi m’nji kërthi, porsi drita plot uzdajë, porsi gazi i pamashtri; edhè ndihet tue kumbue; porsi fleta e Kerubinit, ka’i bien qiellvet tue flutrue n’t’zjarrtat valle t’amëshimit. Pra, mallkue njai bir Shqyptari, qi këtë gjuhë të Perëndis’, trashigim, që na la i Pari, trashigim s’ia len ai fmis; edhe atij iu thaftë, po, goja, që përbuzë këtë gjuhë hyjnore; qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja, flet e t’veten e lèn mbas dore. Në gjuhë shqype nanat tona qi prej djepit na kanë thânun, se asht një Zot, qi do ta dona; njatë, qi jetën na ka dhânun; edhe shqyp na thanë se Zoti për shqyptarë Shqypninë e fali, se sa t’enden stina e moti, do ta gzojn kta djalë mbas djali. Shqyp na vete, po pik’ mâ para, n’agim t’jetës kur kemi shkue, tue ndjekë flutra nëpër ara, shqyp mâ s’pari kemi kndue: kemi kndue, po armët besnike, qi flakue kanë n’dorë t’shqyptarëvet, kah kanë dekë kta për dhè të’t’Parvet. Në këtë gjuhë edhe njai Leka, qi’i rruzllim mbretnin s’i a, xûni, në këtë gjuhë edhe Kastriota u pat folë njatyne ushtrive, qi sa t’drisë e diellit rrota, kanë me kênë ndera e trimnive. Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini, gegë e toskë, malci e qyteta, gjuhën t’uej kurr mos ta lini, mos ta lini sa t’jetë jeta, por për tê gjithmonë punoni; pse, sa t’mbani gjuhën t’uej, fisi juej, vendi e zakoni kanë me u mbajtë larg kambës s’huej, Nper gjuhë shqype bota mbarë ka me ju njohtë se ç’fis ju kini, ka me ju njohtë për shqyptarë; trimi n’za, sikurse jini. Prandaj, pra, n’e doni fisin, mali, bregu edhe Malcija prej njaj goje sod t’brohrisim: Me gjuhë t’veten rrnoftë Shqypnia!/KultPlus.com
Këto janë disa nga shprehjet më të veqanta për librin:
1. Shoku më besnik kur mbetem vetëm është libri, tek ai gjejë ngushëllimin kur të tjerët më tradhtojnë. 2. Prindërit, që t’i edukojnë mirë fëmijët, duhet t’i rrethojnë me libra. 3. Librat janë thesari i deponuar i botës dhe trashëgimia më me vlerë e gjeneratave dhe popujve. 4. Koleksionimi i librave është në fakt koleksionim i lumturisë. 5. Libri është dritare prej nga ne e shohim botën. 6. Leximi pa meditim është thjesht sikur ngrënia e ushqimit pa marrë frymë (pandërprerë). 7. Lexoje një libër të mirë tre herë sepse është më e dobishme për ty se të lexosh tre libra të mirë. Abbas Akkad 8. Më i rrallë se libri i mirë është lexuesi i mirë. 9. Kush shkruan, lexon dy herë. 10. Gjurmët e një kulture a qytetërimi që më së shumti i rezistojnë kohës janë librat. 11. Më thuaj çfarë lexon të të them se kush je. 12. Krenaria e një tregtari është në mallin që posedon, krenaria e një dijetari në librat që posedon. 13. Libri është shok që nuk të bën hipokrizi, nuk mërzitet duke qëndruar me ty, nuk të qorton nëse e anashkalon dhe nuk të përhap sekretet kurrë. 14. Prapa çdo libri ka një ide e parapa çdo ideje ka një hap përpara. 15. Në përfundim të leximit të një libri të mirë ndihemi sikur po i japim lamtumirën një shoku të çmuar. 16. I urituri nuk ia di vlerën ushqimi pa mos u ngopur më parë. Kështu është puna edhe me lexuesin që lexon librin e parë që i ka rënë në dorë. 17. Proverbat popullor janë libër enciklopedik në të cilin lexon me lehtësi moralin dhe kulturën e një populli. 18. Të mbushësh raftet me libra është më e dobishme se të mbushësh portofolin me para. 19. Edukatorët të thonë: “Lexoje librin që të bën dobi!”, ndërsa unë të them: përfito nga ajo që lexon! 20. Dija është ndër shkaqet më të rëndësishme të lumturisë, andaj bëje librin, mjetin e dijes, shoqërues tëndin të përhershëm. 21. Trupi nuk zhvillohet pa ushqim, po kështu as mendja pa lexim dhe meditim. 22. Dashuria për leximin është mirësi e përshpejtuar për besimtarin në këtë botë. 23. Nuk ka anije si libri që na bartë sa në një vend sa në tjetrin! 24. Dashuria për leximin nënkupton shndërrimin e monotonisë në dëfrim. 35. Libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit.
Solid nga pikëpamja e strukturimit, “Mosmarrëveshja” është nga ata librat e papërcaktueshëm jo thjesht në kuptimin e llojit, por edhe të vetë temës apo subjektit që trajton.
Nuk e thua dot se është vetëm ese, ndërsa ndeshesh nëpër faqet e tij me fakte të mirëfillta historike të shkruara në stilin e historianit, ndeshesh me synopse romanesh që rrëzëllejnë si xeherorët në thellësi të lëndës së përzishme; me ligjërime poetike dhe filozofike në prozë për himnin kombëtar, apo për Zotin e animizuar të racës; me shtrirjen e harkut të imagjinatës për të lidhur brigjet e ndara të ngjarjeve, apo vakumet e krijuara nga aksidentet dhe rrëmetet e historisë.
Nuk e thua dot ndërkaq me siguri të plotë se “Mosmarrëveshja” trajton aksh temë, pasi gjithë libri është një ndërthurje dhe pranëvënie temash e refleksionesh të largëta, që nganjëherë duket sikur janë futur me njëfarë arbitrariteti në kapakët e të njëjtit libër. Si për shembull përsiatjet për fatin e Skënderbeut nga mesjeta në Rilindje në një anë dhe përshkrimi i vrasjeve terroriste brenda llojit dhe prapa shpine në radhët e formacioneve partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër.
Ombrella e ndërthurjeve, ajo që mëton të konferederojë temat dhe stilet e librit është “Mosmarrëveshja”. Mosmarrëveshja është subjekti i epërm dhe gjithëpërfshirës i lëndës. Por të mos mendojë njeri se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje konkrete, të prekshme, të dokumentueshme. Mosmarrëveshja është efemere, hukamë e shekujve të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Në të njëjtën kohë është gjendje e të jetuarit tonë si popull, ku kornizës së përbashkët të gjuhës, gjërave që pëlqejmë dhe zakoneve që kanë konturuar apo formuar konstitucionin tonë, i përgjigjen diversiteti religjioz dhe kundërshtitë e brendshme. Të cilat, ndërsa shkrihen në karakteristikat e identitetit tonë, kanë qenë dhe mbeten sot e kësaj dite pjesa jonë e zbuluar përkundrejt shënjestrave dhe goditjeve nga ana e atyre që na kanë dashur të ngatërruar, me një kornizë shpirtërore të shprishur.
“Mosmarrëveshja” ka në boshtin e saj ketë temë. Temën e kornizës shpirtërore të shqiptarëve. I vetëdijshëm për terrenin e rrëshqitshëm dhe natyrën delikate të eksplorimit të tij, si dhe duke dashur të mbrohet nga keqkuptimet, teprimet apo edhe nga pasojat e një blasfemie, Kadare e ka paraqitur tekstin e tij si “sprovë letrare”. Sprova letrare është tendë e madhe për të gjitha pyetjet, madje edhe për trillimin artistik. Dhe mënyra më e mirë për t’u përballur me një temë të tillë është ta shtrosh thjesht, siç e shtron diskuri popullor. Pse jemi kështu? Pse vonohemi? Pse nuk bëhemi siç do të duhej të bëheshim?
Konica dhe Fishta na lanë me shkrim kumtet dëshpëruese se armiqtë e Shqipërisë janë vetë shqiptarët. Më tej ka pasur dhe ka gjithnjë një pengim apo një drojë për të hulumtuar arsyet e thella të kësaj dukurie, si të jetë fjala për një besëtytni që nuk duhet prekur ngaqë mund të shpërthejë më keq apo duke shkuar me mendimin se Shqipëria kështu është ndërtuar, kështu u bë nën pushtimin e gjatë osman, kështu ekziston, si unitet të kundërtash, si trikotomi e një populli me dy-tre shpirtra, që gravitojmë në drejtime të ndryshme dhe prodhojnë ashtu historinë origjinale të vendit të tyre. Historinë e mbështetur në të mos marrurit vesh.
Po të ishte kështu, kërkimi i shkaqeve që përcaktojnë prapambetjen dhe vonesat e Shqipërisë nuk do të kishte kuptim. Të gjithë do të duhej të pajtohemi me një gjendje mallkimi pa shpëtim. Por nuk është kështu. Për këtë temë kardinale është shkruar me kursim, ngaqë është e vështirë, e rëndë, delikate gjithashtu. Përveç talentit dhe përgatitjes, mendoj se kërkohet domosdoshmërisht edhe statusi i shkrimtarit, në kuptimin që kjo është temë e një karriere të sprovuar, apo e një doktorature të lartë, së cilës autori i është qasur vit pas viti e dekadë pas dekade në ngjitjen e tij drejt majave të letërsisë dhe artit. Me fjalë të tjera, kjo e “Mosmarrëveshjes” është një temë e majave, një temë për Kadarenë, pa dyshim, jo vetëm se Kadare është një shkrimtar i jashtëzakonshëm, por edhe për faktin se në një formë a në një tjetër, krijimtaria e tij ka qenë prej dekadash një eksplorim në çështjet e identitetit kombëtar dhe konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve.
Ka qenë e pritshme pra që autori i novelave që pahitën me ndriçim arbëror kujtesën dhe ndërgjegjen e lexuesve të tij në periudhën e komunizmit, të përballej në qetësinë e lavdisë dhe famës me temën madhore të kornizës shpirtërore. Libri “Mosmarrëveshja-mbi raportet e Shqipërisë me vetveten” është sprova. Në të vërtetë, një eksplorim si ky, i mbështetur në dije të gjera por gjithnjë të pamjaftueshme, nuk mund të mos jetë letrar. Sprova letrare është qasja e duhur për të sjellë një tablo sa më gjerë të raportit të Shqipërisë me vetveten.
Matet Kadareja, vonohet t’i afrohet thelbit të “enigmës”- cila është kjo fantazmë, cila është mosmarrëveshja? Ky afrim do të kalojë nëpër disa stade që janë vetë kapitujt e librit, gjithsej dymbëdhjetë, botë më vete secili, që mund të ndahen në dy grupe. Botët e epërme, ato që i kushtohen Himnit, Skënderbeut, Zotit… dhe botët e poshtme, ato që sjellin pasqyrimin e një përballjeje mes njerëzve të gjallë, bashkëkohës. Mes kombëtaristëve në një anë dhe mohuesve në anën tjetër, me të cilët shkrimtari në zbritjet e tij nga fluturimet e epërme shpenzon edhe disa polemika. Vetë autori nuk është njëpërmasor në këto botë. Si në një paradoks mitik apo si projeksion i asaj që do të ndodhë me të në të ardhmen, ai zmadhohet duke u ngjitur, pra duke u larguar dhe zvogëlohet disi duke u afruar.
Po cila është thellë-thellë “Mosmarrëveshja”? Ku mund ta kapim? Në origjinë apo në pasojë? Në esenë e tij, Kadare citon një dialog nga drama e shkurtër “Nën hajat të Parizit” të Gjergj Fishtës. Dy personazhe, Skenderbegu dhe Djalli bisedojnë me njëri tjetrin.Skendërbegu në botën tjetër e pyet djallin që sapo ka mbërritur plot me lajme nga toka: “Si janë pra shqyptarët e Shqipërisë”? Djalli i përgjigjet: “Si janë? …Si i don armiku”!
Citime, sentenca dhe pohime te tilla kanë një aktualitet të njëjtë, qoftë kur vinë nga shekujt e pushtimit osman, qoftë kur merren nga masmediat e kohës së sotme. Në atdheun si përmasë shpirtërore apo si parim shpirtëror, pesëqind vjet janë si pesë vjet apo si pesë ditë; zhvillimet dhe ngjarjet në këtë sferë i nënshtrohet një kalendari tjetër, që ngjan të jetë olimpik si vetë vështrimi i hulumtuesit. Ajo që Fishta ka shkruar në vitin 1914 është aktuale në Shqipërinë e vitit 2021 dhe ajo që “mohuesit” shkruajnë sot kundër Gjergj Kastriotit jehon, lidhet dhe shkrihet me gjithë investimin shekullor për çmitizimin, zvogëlimin apo denigrimin e tij. Pjesa “Tri kohë për Skënderbeun” është një tablo e bëmave të mëdha të heroit kombëtar, trajtuar e shkruar me thellësi dhe bukuri të rrallë, si në një stafetë të marrë nga duar e paraardhësve të shquar.nga Barleti te Fan Noli e Gjergj Fishta-, që Kadare e çon përpara dhe e lartëson me mjeshtëri.
Kapitull pas kapitulli, ora e heqjes së vellos nga fytyra e enigmës afrohet. Ta shohin të gjithë. Përçarja është thelbi i “Mosmarrëveshjes”, e cila shfaqet në mungesën e vullnetit për të qenë bashkë apo në dobësimin e vullnetit për të qenë bashkë. Jemi të përçarë. Nuk kemi vullnetin e duhur për të qenë bashkë. Është kaq e thjeshtë dhe kaq dramatike njëkohësisht. “Lëkundja e vullnetit për të qenë bashkë do të ishte për kombin si lëkundja e një tërmeti të ngadaltë, por të zgjatur e me pasoja fatale. Valët e tij do të shtriheshin shumë larg në kohë, për të arritur, përherë rrënimtare, gjer në kohën që po jetojmë, në shekullin XXI”, shënon Kadare në kapitullin “Epilog me Zotin”, që vjen si një konkluzion i gjithë sprovës së tij. Jemi në zemër të problemit, të cilin aurtori e prek me njëfarë rezervimi. Problemi në fakt ngjan të jetë shumë më i madh dhe, pse jo, edhe më i thellë se sa kundërshtitë që provokojnë polemikat për çështjen e figurës së Skënderbeut dhe për çështje të tjera të ngjashme.
Kadare afrohet disa herë në të ashtuquajturin Trekëndësh të Bermudës, që ka të bëjë me marrëdhëniet tona me Turqinë, Greqinë, Serbinë. Duke vlerësuar fqinjësinë e mirë, “Mosmarrëveshja” në tërësi është një guidë pa të dytë e orientimit perëndimor të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Autori trajton me guxim dhe elegancë dyzimet dhe shtysat kundërthënëse për orientimin në rrafshin politik kryesisht, për t’u rikthyer, si te një brengë gërryese, te tema e dobësisë së vullnetit për të qenë bashkë. Ndarjet, tërheqjet dhe shqyerjet nuk vinë nga konstitucioni shpirtëror i shumicës së popullit, por stimulohen nga armiqtë dhe rivalët e Shqipërisë dhe interpretohen e sherbehen si të tilla sa nga “renegatët”, aq edhe nga elitat politike të korruptuara dhe të papërgjegjshme të vendit. Një konkluzion si ky duket pak më i ngushtë se gjerësia me të cilën e ka shtruar problemin e ngërçit kombëtar Kadareja. Libri të krijon përshtypjen se autori kërkon të thotë apo po përgatitet të thotë më shumë. Por edhe me aq sa thotë libri u kumton bashkëkohësve dhe brezave me një forcë të madhe shprehëse se vullneti për të qenë bashkë dhe të marrun vesh, si rreth një urdhërese hyjnore, sa i takon përkatësisë europiane, nuk bie në kundërshtim me liritë, përkundrazi, i përforcon ato. Libri apelon vetvetiu për një vetëdije të re në këtë rrafsh. Të gjithkujt dhe sidomos të atyre që marrin përsipër të drejtojnë vendin. Ai sjell gjithashtu jehonën e një thirrjeje aktuale në dritën e kalendarit olimpik të atdheut shpirtëror: të deosmanizimit të shoqërisë shqiptare aty ku ka nevojë./TopChannel/KultPlus.com
Do vijë një ditë kur, tërë hare, vetvetes do i thuash tungjatjeta në prag të derës tënde, para pasqyrës tënde, dhe do i uroni mirëseardhjen njeri-tjetrit, duke i thënë, pa ulu ca. Ha diçka. Do e duash përsëri të panjohurin, vetveten. Nxirr verë. Nxirr bukën. Ktheja zemrën që i ke marrë vetvetes, këtij të panjohuri që të ka dashur gjithë jetën tënde, dhe ti s’e ke përfillur ngase doje dikë tjetër, që të njihte me sy mbyllur. Hiq letrat e dashurisë nga rafti fotografitë, shënimet dëshpërake, qëroje pamjen tënde prej pasqyrës. Ulu. Kremto jetën. Shqipërim nga Edon Qesari./KultPlus.com
Më duket se motori e rralloi forcën, – më thoshte Iloja.
U ngritëm të tërë më këmbë. Shikonim të gjithë lart, nga bukaporta e mbyllur. -Sa natë e gjatë! – tha mbase kot, siç fliste kot Taqi. Me duar të varura e të rënduara rrinim si ata besimtarët fanatikë që shikojnë ndaj qiellit. Lart dëgjoheshin zëra. Lart kishte jetë. Lart kishte erë dhe horizont. Kishte të qeshura dhe shakara. Sa ndenjëm ashtu, s’dihet. Vetëm kur Iloia tha: “Pse s’ulemi?”, atëherë shikuam të gjithë nga ai dhe lëvizëm. Qeshnim. E pse të mos qeshnim? Ishim akoma gjallë. E kaluam Adriatikun. E kaluam vdekjen… – Zoti e di se ku jemi! – Unë them të shtrohemi e të hamë… Të hamë sa jemi këtu e sa i kemi këto ushqime… Më mirë t’i kemi në bark sesa… Asnjë nuk e kundërshtoi këtë mendim. Mistoja çeli valixhen. Vuri përpara ushqimet. Cilido me mundime afrohej, merrte ç’i pëlqente… Edhe unë mora bukë e kaçkavall. Më pëlqente shumë kaçkavalli. Është si ullinjtë. Po të hash bukë e ullinj, s’ngopesh së ngrëni. Ashtu edhe me kaçkavallin… Po ujë? Ku ka ujë? Ç’bëra që hëngra kaq shumë. Dhe pasi u paqosëm mirë, sikur të mos na kishte ngjarë natën asgjë, secili nisi të tregonte ato që kishte menduar gjatë natës. Mistoja tha: – Isha i sigurt qind për qind se do të mbyteshím… Vrisja mendjen… dhe gjithnjë mallkoja veten që nuk sulmuam qysh në korridorin e burgut. Ose do të ishim vrarë, ose do të kishim shpëtuar… po do të linim nam. Iloja tha: – As për një çast nuk e mendova vdekjen. – Kadriu – unë kam frikë nga deti. Mirë që nuk e shihja. Kam udhëtuar natën me vapor. S’ka tmerr më të madh. Alqi – Mua më ishte ngulitur në tru se si do të vinte siluri, si do të fundoseshim… si do të shuhej drita e nuk do të shikonim më njeri-tietrin. Pastaj Mahmuti – Unë e ndieja veten mirë se isha në mes dhe falenderoja ata që na lidhën. Se, duke qenë të lidhur, më dukej vetja dhjetë herë më guximtar. Tahiri – Që kur më zunë, e mora parasysh vdekjen… Prandaj gjithë natën s’më ra ndër mend mortja… Bexhetit, kur i erdhi radha të thoshte edhe ai se ç’kishte menduar gjatë natës, duke qeshur, foli: – ja, i thatë ju të gjitha. Kurse Taqi e tha që në fillim: -Unë flija. Të gjithë kishin kaluar nga biruca nr. 8 Kishin biseduar ca minuta. Pastaj ishin caktuar në kaushet dhe qelitë e ndryshme. Përves Ilos dhe Kadriut, që ishin komunistë, ne të tjerët ishim si gjithë të burgosurit. Tani që na lidhte një zinxhir, tani që rrugën e kishim të përbashkët, do të njiheshim më shumë. Nata që kaluam sikur na afroi. Morëm frymë nga njëri-tjetri; u përgatitëm të vdisnim bashkë. Tani duhej të jetonim bashkë. Bukaporta u hap. Ne u ngritëm më këmbë, kthyem kokat lart e pamë qiellin plot dritë. Pamë shumë ushtarakë e marinarë që na dukeshin… – si dukeshin ashtu? Këmbë të mëdha e kokë të vogla… sikur ishin gati për të na shtypur… Pamë litarë dhe direkun… Po ç’thoshin? Qeshnin me ne që u dukeshim si miza? Pritëm e pritëm. Heshtjen tonë e prishi Iloja: – Këtu kushedi se ku jemi e kushedi ku do të na shpien… Lart kokën, si shqiptarë që jemi… Vinçi me magjen e madhe në formë vagoni minierash u fut në bukaportë, u ul poshtë gjer në dyshemenë e hambarit tonë. Ne bëmë mënjanë. Zbritën me të shpejtë nga shkalla disa karabinierë. Na urdhëruan të futeshim në atë magje. Ne ngurruam. Po ara na kërcënuan e na thanë se ashtu do të dilnim më kollaj. Me një mijë mundime u futëm, gati njëri mbi tjetrin. Ata lart vazhdonin të qeshnin. Vinçi ngrihej. Ne tundeshim në erë. Iu afruam bukaportës. Pastaj na kthyen nga bankina. E, kur ishim mbi bankinën, na lanë aty në erë. Përposh nesh britma. Hodha sytë, e, ç’të shikoje! Mijëra njerëz me grusht na kërcënonin. – Spie! Spie! – (It.: Spiunë! Spiunë!) – A morte le spie che hanno causato miliaia di morti. – (It.: Vdekje spiunëve që kanë shkaktuar me mijëra të vdekur). – Traditori! Spie di un cane! – (It.: Tradhëtarë! Spiunë të qenit!) Po kjo? Ç’është kjo pritje në tokën italiane? Ne vareshim në erë e lëkundeshim si kufoma e Hamidit… Një fishkëllimë e gjatë bilbili… Turma sikur deshi të na hante. Po ja që ne ishim lart. Vareshim e tundeshim në ajër. Pushoni! Pushoni… – Vala zemërake e turmës sikur ra në bunacë. – Pushoni! Këta shqiptarë të mallkuar, këta banditë, këta spiunë na morën në qafë… Morën më qafë mijëra e mijëra bij të Italisë, se kapërcenin vijën e parë e i tregonin grekut pozitat tona… Pastaj na sulmonin nga shpina… – bërtiste me sa kishte në kokë një oficer aty mbi vapor. Turma e ngriti më lart se ne, gjer në qiell, sharjen dhe mallkimin. – Vdekje spiunëve! Vdekje banditëve! U hutova. Nga fundi i detit, tani në qiell. Ç’kishin me ne? ç’kishte me ne ai oficer që lehte si i tërbuar? – Ne nuk jemi banditë! – bërtiti me fuqi dhe me një italishte të bukur Mistoja. – Banditë janë ata që na zunë derën… që na vrasin, që na varin, që na arrestojnë. Iloja, që ishte ngjitur fare me mua e ngriti zërin më lart: – Ja ku janë banditët… ja ku janë kasapët e popullit italian! –dhe me të dyja duart e lidhura tregonte oficerin dhe karabinierët. Ata poshtë, sikur do të na hanin me dhëmbë. Ne lart këndonim. I pari ia nisi Iloja:
Avanti, popolo, alla riscossa bandiera rossa triomfera…
Lëshoje vinçin! Lëshoje shpejt! – urdhëronte oficeri me duar e këmbë… Kënga ngrihej më lart se ne. Përhapej më tej vaporit nga shikonin të shastisur. Turma kishte heshtur e na shikonte gjithashtu e shastisur. Ne tundeshim në erë duke kënduar. / KultPlus.com
Në qytetin e Korçës u çel ekspozita në nder të piktorit korçar Vangjush Tushi.
Kjo ekspozitë mbi veprimtarinë dhe jetën e “Piktorit të Popullit” Vangjush Tushi, mblodhi shumë artdashës korçarë.
Në ekspozitë janë prezantuar për herë të parë piktura nga koleksioni i familjes dhe disa nga sendet personale të piktorit.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole i pranishëm në çeljen e ekspozitës, tha se “artisti Vangjush Tushi meriton mirënjohjen dhe vlerësimin tonë për kontributin në jetën artistike të qytetit tonë”.
Ekspozita në nder të piktorit Vangjush Tushi do të jetë e hapur për 3 ditë radhazi në galerinë “Guri Madhi” në Korçë, të cilën mund ta vizitojnë të gjithë artdashësit.
Vangju Tushi u arrestua dhe dënua me 10 vite heqje lirie, për agjitacion e propagandë, ndonëse ishte i sëmurë me parkinson. Pas 6 vitesh në burgun famëkeq të Ballshit, ai ndërron jetë në 30 korrik të vitit 1982, por la si trashëgimi të familjes, qindra piktura që e mbajnë gjallë e sot e kësaj dite figurën e tij.
Vangjush Tushi është vlerësuar pas vdekjes me titullin “Piktor i Popullit” nga presidenti i Republikës, po ashtu edhe me titujt “Qytetar Nderi”, “Emblema e Artë e Qytetit” dhe “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.
Një rrugë në qytetin e Korçës mban emrin e Vangjush Tushit në nder të figurës së tij./KultPlus.com
Një numër në rritje i provave sugjerojnë se rrotullimi i bërthamës ka ndryshuar në mënyrë dramatike vitet e fundit, por shkencëtarët kanë mbetur të ndarë mbi atë që saktësisht po ndodh – dhe çfarë do të thotë.
Një pjesë e problemit është se brendësia e thellë e Tokës është e pamundur të vëzhgohet ose të ekzaminohet drejtpërdrejt. Sizmologët kanë mbledhur informacion në lidhje me lëvizjen e bërthamës së brendshme duke ekzaminuar se si sillen valët nga tërmetet e mëdha. Variacionet midis valëve me forca të ngjashme që kaluan nëpër bërthamë në kohë të ndryshme u mundësonin shkencëtarëve të matnin ndryshimet në pozicionin e bërthamës së brendshme dhe të llogarisin rrotullimin e saj.
“Rrotullimi diferencial i bërthamës së brendshme u propozua si një fenomen në vitet 1970 dhe ’80, por vetëm në vitet ’90 u publikuan provat sizmologjike”, tha Dr. Lauren Waszek, një lektor i lartë i shkencave fizike në Universitetin James Cook në Australi, shkruan CNN, raporton Shqip.com.
Por studiuesit argumentuan se si t’i interpretonin këto gjetje.
“Kryesisht për shkak të sfidës për të bërë vëzhgime të hollësishme të bërthamës së brendshme, për shkak të largësisë së saj dhe të dhënave të kufizuara të disponueshme”, tha Waszek.
Si rezultat, “studimet që pasuan gjatë viteve dhe dekadave të ardhshme nuk bien dakord mbi shkallën e rrotullimit, dhe gjithashtu drejtimin e tij në lidhje me mantelin”, shtoi ajo. Disa analiza madje sugjeruan që bërthama nuk rrotullohej fare.
Një model premtues i propozuar në vitin 2023 përshkroi një bërthamë të brendshme që në të kaluarën ishte rrotulluar më shpejt se vetë Toka, por tani po rrotullohej më ngadalë. Për një kohë, shkencëtarët raportuan se rrotullimi i bërthamës përputhej me rrotullimin e Tokës. Pastaj u ngadalësua edhe më shumë, derisa bërthama po lëvizte prapa në krahasim me shtresat e lëngshme rreth saj.
Në atë kohë, disa ekspertë paralajmëruan se nevojiteshin më shumë të dhëna për të forcuar këtë përfundim, dhe tani një ekip tjetër shkencëtarësh ka dhënë prova të reja bindëse për këtë hipotezë rreth shkallës së rrotullimit të bërthamës së brendshme.
Hulumtimi i botuar më 12 qershor në revistën Nature jo vetëm që konfirmon ngadalësimin bazë, por mbështet propozimin e vitit 2023 se ky ngadalësim bazë është pjesë e një modeli dekadash të ngadalësimit dhe përshpejtimit.
Gjetjet e reja konfirmojnë gjithashtu se ndryshimet në shpejtësinë e rrotullimit ndjekin një cikël 70-vjeçar, tha bashkëautori i studimit Dr. John Vidale, Profesor i Shkencave të Tokës në Kolegjin e Letrave, Arteve dhe Shkencave të Universitetit të Kalifornisë Jugore.
“Ne kemi debatuar për këtë për 20 vjet, dhe mendoj se kjo e zgjidh atë”, tha Vidale.
“Unë mendoj se ne i kemi dhënë fund debatit nëse thelbi i brendshëm lëviz dhe cili ka qenë modeli i tij për dy dekadat e fundit”.
Por jo të gjithë janë të bindur se çështja është zgjidhur dhe se si një ngadalësim i bërthamës së brendshme mund të ndikojë në planetin tonë është ende një pyetje e hapur – megjithëse disa ekspertë thonë se fusha magnetike e Tokës mund të hyjë në lojë.
“Metodologjitë e reja dhe të ardhshme do të jenë thelbësore për t’iu përgjigjur pyetjeve të vazhdueshme rreth bërthamës së brendshme të Tokës, duke përfshirë atë të rrotullimit”, tha Waszek./KultPlus.com
Më 25 tetor 1881, lindi Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj të historisë, themeluesi i kubizmit. Ai hapi studion e tij të parë në moshën 16-vjeçare dhe vdiq në moshën 92-vjeçare, duke lënë rreth pesëmbëdhjetë mijë vepra, përfshirë piktura, vizatime, skica, qeramikë. Fiksimi i tij – përveç artit – ishin femrat, burimi i krijimtarisë së tij.
“Për mua, ekzistojnë vetëm dy lloje të grave: perëndesha dhe lecka”, tha Pablo Picasso. Burri që i donte gratë, ose ndoshta i urrente ato. Në moshën 85-vjeçare, në një intervistë të rrallë televizive, ai tha: “E vetmja gjë që ka rëndësi për mua është dashuria”.
Gjatë gjithë ekzistencës së tij, eksperimentimi i shkëlqyer artistik i piktorit që simbolizon shekullin e njëzetë, shkon paralelisht me udhëtimin e bërë në kufijtë ekstremë të universit femëror. Gruaja, dashnorja, partnerja, frymëzuesja, gruaja për t’u përdorur, intelektualja, muza, modelja. Gratë në zemër të imagjinatës së tij, nga periudha blu dhe rozë deri te kubizmi, nga përvoja e Guernicës te qindra vizatime dhe skica, por edhe gra me të cilat u martua, i tradhtoi, i la, i çmendi.
Gratë me të cilat ai pati përvojat e para seksuale përmes shtëpive publike kur ishte 13 vjeç, së bashku me të atin. Femra të tërhequra nga gjenialiteti i tij, të joshura nga sytë e tij të ndezur nga pasioni. Gratë që kur ishte fëmijë ishin në qendër të një ekzistence unike: doña Maria, nëna që ai adhuronte dhe nga e cila mori mbiemrin, tezja Pepa, motrat Lola dhe Conchita.
“Ndjeshmëria e Picasso-s ndaj grave varionte nga butësia ekstreme në njërën anë deri tek urrejtja e dhunshme në tjetrën. Rruga e mesme ishte e pamundur, nëse jo e egër”, shkroi Patrick O’Brian, një nga biografët e tij.
“Pas Pikasos vetëm Zoti”, tha Dora Maar, një nga perëndeshat e shumta të tradhtuara, e paaftë për të pranuar botën pa të. Edhe ajo, si gjithë të tjerët, është viktima e një ndërthurjeje fatale të trupit dhe shpirtit, mishit të gjallë dhe përfaqësimit në imazh, të rrëmbyer nga një forcë jetike, e cila më pas shndërrohet në të kundërtën e saj. Artisti i madh andaluzian joshi, por nuk ia lejoi vetes, të shihte të tjerët të shndërroheshin në të varur nga Pikaso.
Në vitin 1881, kur u transferua në Paris në moshën 19-vjeçare, talenti i tij ishte i padiskutueshëm, por gjithashtu edhe oreksi i tij i pangopur seksual. Pasioni i tij i parë i vërtetë ishte për modelen Fernande Olivier. Ishte viti 1904, të dy ishin 23 vjeç. Ai i dashuruar marrëzisht nuk donte që ajo të pozonte për të tjerët. Ishin tetë vite intensive, por të mjaftueshme për të shteruar shtytjen erotike të Pikasos, i cili e braktisi papritur të dashurën e tij të parë në vitin 1912. Një histori, ajo e Fernandes, e cila vdiq në vitin 1966 e varfër dhe e vetme, është një ogur i asaj që do të ndodhë në vijim, nga ato që iu afruan shumë piktorit. Por për cilën muzë e la Pikaso modelen? E dashura e re quhej Marcelle Humbert, por ai e quajti atë Evë dhe për artistin ajo ishte perëndeshë e dashurisë.
“Bota fillon tani dhe ti je Eva”, tha ai. Ajo e frymëzoi atë me një seri pikturash që shënuan një kthim në ngjyra të ndritshme, në pointilizëm. “J’aime Eva”, “Ma jolie”, gjejmë të shkruara në shumë prej veprave të tij, sikur të ishte një tatuazh dashurie: një pasion i dëshpëruar dhe i shkurtër, që kur Marcelle vdiq nga tuberkulozi në 1915.
Për Pikason humbja ishte e madhe. Por ndërsa Lufta e Parë Botërore po përparonte në Evropë dhe artisti po punonte në skenografinë e Paradës me muzikantin Erik Satie dhe shkrimtarin Jean Cocteau, për kompaninë “Ballets russes” nga Sergej Djagilev, gjatë një qëndrimi në Romë ai u mahnit nga balerina Olga Khokhlova. Ishte viti 1917. Rusja e ndoqi në Barcelonë dhe më pas në Paris, ai u martua me të vitin e ardhshëm në prani të Guillaume Apollinaire dhe Cocteau. Në një kohë kur arti i tij luhatet midis natyralizmit dhe kubizmit, ai pikturoi “Portreti i Olgës në një kolltuk”. Një martesë që nuk ishte në gjendje të frenonte vrullshmërinë e saj: instinkti erotik u sublimua duke krijuar qindra vizatime grash lakmitare, të rrethuara nga simbole falike apo figura groteske të organeve gjenitale femërore.
Në vitin 1921 lindi Paulo, djali i parë i Pikasos, i përfaqësuar në krahët e nënës së tij në veprat simbolike të pikturës moderne. Dhe ndoshta atëherë Picasso ishte shumë i matur në lidhje me punët e tij dashurore, por teksa shëtiste nëpër bulevard, artisti pa një pamje të re. Ishte Marie-Thérèse Walter, një vazjë e mitur bionde, me sy blu.
“Unë jam Picasso, do të doja të të pikturoja një portret”, i tha ai. Për vajzën, e cila jetonte me nënën e saj dhe nuk e kishte njohur kurrë të atin, transferimi me atë burrë tridhjetë vjet më të madh se ajo ishte i menjëhershëm.
Marie-Thérèse, dashnorja-fëmijë, e portretizuar në piktura të tilla si “Brenda me një vajzë që vizaton”, i riktheu piktorit energjinë e humbur. Picasso filloi të përjetonte një rigjenerim të jashtëzakonshëm të stilit që e çoi në simbolikën e minotaurit dhe krijimin e Guernicës. Marie-Thérèse, e cila pranoi të jetonte në hije pa ndërhyrë në jetën e të dashurit të saj, ishte perfekte për Picasso-n. Por kur ajo i tha se ishte në pritje të një fëmije dhe Olga e mori vesh, nisi ferri. Gruaja e tërhoqi zvarrë piktorin në gjyq dhe ia vulosën të gjitha pronat në emër të saj, përfshirë bojërat, penelat dhe pikturat në punim e sipër.
“Sa herë që ndërroj femrat, duhet ta djeg të parën. Kështu që unë do t’i hiqja qafe dhe nuk do të ishin të gjithë aty për të komplikuar ekzistencën time. Kjo ndoshta do të më rikthente edhe rininë. Gruaja vritet dhe e kaluara që ajo përfaqëson, fshihet”, tha Picasso. Fjalë profetike. Olga, e cila e kishte bërë të jetonte atë që ai e quajti “koha më e keqe e jetës së tij”, vdiq e çmendur 20 vjet më vonë. Edhe Walter nuk kaloi më mirë. Në fakt Pikaso, të cilit Maya e vogël i lindi në 1935, nuk u ngop kurrë.
Në vitin 1936, një grua tjetër i ndryshoi jetën. Ishte Dora Maar, 29 vjeç. Ai e takoi atë në një kafene në Paris. E shkurtër, me kurba, brune, sy blu, ajo ishte e kundërta e Marie-Thérèse dhe përfaqësonte sfidën intelektuale që kërkonte Picasso. Fotografe, elegante, e kulturuar, e pavarur, ajo ishte vajza e një arkitekti kroat, që kishte jetuar në Argjentinë dhe fliste spanjisht. Pa ndërprerë lidhjen me Walter-in, për të cilën ai gjeti hapësirën për të enjten dhe të dielën edhe për të parë vajzën e tij, Picasso filloi lidhjen me Dorën.
Një histori që zgjati 7 vjet në të cilën artisti gjithmonë e vinte përballë me Marie-Thérèse, duke i detyruar të dy gratë të darkonin së bashku. Ose i ka çmendur nga xhelozia duke i portretizuar në të njëjtën pozë, deri në përplasje fizike. “Vetëm unë e di se çfarë është ai. Është një instrument vdekjeje. Nuk është burrë, është sëmundje”, tha më vonë Dora, e cila në atë kohë u bë subjekti kryesor femëror i pikturave të tij.
Ndërkohë, i tronditur nga Lufta Civile Spanjolle, në vitin 1937 Picasso kishte pikturuar Guernicën, telajon që denonconte masakrën e civilëve në qytetin bask pas bombardimeve ajrore gjermane. Dhe Dora ishte aty, duke fotografuar fazat e veprës në një seri fotosh që janë bërë legjendare. Megjithatë, pak pasi ai e bindi atë të braktiste fotografinë dhe të rifillonte pikturën, duke e detyruar atë të vuante kritikat e tij shkatërruese. Por fati po përgatiste një hakmarrje për Pikason mizor.
Një tjetër grua që shenjoi jetën e tij quhej Françoise Gilot. Një nxënëse e një mikut të tij piktor kur e takoi, në vitin 1944, ai ishte 63 vjeç dhe ajo 22. Ata e gjetën veten të ngatërruar në një dashuri që për Picasson-n përfaqësonte një rinovim të ngarkesës sensuale. Françoise i lindi dy fëmijë të tjerë: Claude (1947) dhe Paloma (1949). Në pikturat e kësaj periudhe u kthyen temat e nënës me fëmijën. Por edhe me Françoise mekanizmi i vëmendjes së pakufishme dhe mizorisë së pashoqe u riaktivizua: kur ishte shtatzënë, Picasso e adhuroi, e refuzoi pas shtatzënive. Tejet xheloz, ai donte që ajo të vishej në mënyrë monastike, duke ndërthurur marrëdhëniet me të tjerët.
“Gratë vinin e shkonin në jetën e tij si xixëllonja të tërhequr nga një fener; i shikonte në telajo, i përdorte seksualisht dhe kur lodhej i hidhte”, tha Françoise, tashmë njëqindvjeçare. Paloma ishte 4 vjeç kur Gilot bëri një gjest të paprecedentë. Ajo u largua nga Picasso, duke i thënë gjithashtu se e urrente pikturën e tij. Nga inati i fiku një cigare në faqe dhe u përpoq ta bindte të qëndronte. Por Françoise nuk u dorëzua dhe u lirua duke u martuar me një tjetër dhe duke botuar Vita con Picasso, librin për të cilin piktori e çoi në gjykatë.
Në moshën 70-vjeçare, gratë nuk ishin një kapitull i mbyllur për Picasso-n. Ai iu afrua atyre, edhe kur ato ishin shumë të reja. Takimi me perëndeshën e fundit u zhvillua në vitin 1954 në rivierën franceze, ku ajo kishte jetuar prej vitesh midis Antibes, Mougins dhe Vallauris, duke krijuar qeramikë. Dashuri me shikim të parë mes vazove me 28-vjeçaren e divorcuar Jacqueline Roque. Për të ai bleu një kështjellë përrallash në Vallauris. Ai u martua me të në vitin 1961, pas vdekjes së Olgës më 1955, nga e cila nuk ishte divorcuar kurrë.
“I pabesi i pashërueshëm”, Pikaso kishte marrëdhënie të tjera. Por Jacqueline kurrë nuk e la atë dhe artistja kaloi periudhën më paqësore të jetës së saj me të. Kur vdiq më 8 prill 1973 në Mougins, sikur ajo që kishte mbjellë në jetë vazhdonte të prodhonte fruta të helmuara. Në vitin 1975, djali i tij Paulo vret veten. Në 1977 Marie-Thérèse u vetëvar. Në vitin 1986, Jacqueline bëri vetëvrasje me një të shtënë pistolete. Dora, e cila kishte bërë trajtime psikoanalitike, elektroshok, konvertime fetare, vdiq e vetme në vitin 1997, e harruar nga bota, por besnike e një pakti me veten: “Të gjithë menduan se do të vrisja veten pas braktisjes së tij. Pikaso gjithashtu. Arsyeja kryesore për të mos e bërë këtë ishte për t’i hequr atij këtë kënaqësi”. /a2news/ KultPlus.com
Një incizim i Luan Hajrës në vitin 1971 është ajo që do të na bëjë ditën më të mirë.
Këngëtari Luan Hajra kujtohet për veçantinë e zërit të tij ndër vite.
Në këtë video që del për herë të parë në Youtube nga Musa Doroci, Hajra këndon “Mbrëmja e maturës”, në Akordet e Kosovës në vitin 1971, shoqëruar nga Orkestra, shkruan KultPlus.
Videoja, si shumë të tjera gjatë këtyre viteve, është transmetuar në Televizionin e Prishtinës.
Luan Hajra ndër vite ka sjellë hite të cilat na rrëmbejnë në nostalgji. “Na ka qu Dudia letër” apo “Arabella” janë disa prej këngëve që sot mbajnë vulën dhe emrin e Luan Hajrës. / KultPlus.com
Unë jam në një arkë, kjo është arka jonë mbushur me këmishë të bardha dhe sallatë jeshile troket kutia e akullit nga lëvizjet tona prej kënaqësisë dhe unë kam filmat në sytë e mi dhe ti ke vezët në tunelin tënd dhe kemi luajtur me çarcafë, me çarçafë, me çarçafë tërë ditën, dhe në vaskë si lunatikë. Por sot e lashë shtratin në flakë dhe tymi mbushi dhomën. Aq nxehtë u bë sa muret u shkrinë dhe kutia e akullit u shkri dhe një dhëmb i bardhë që e kisha të ngjitur.
Unë vë një maskë për të shkruar fjalët e fundit që janë për ty dhe i vendos në kutinë e akullit ku lemë vodkën dhe domatet. Dhe ndoshta janë vërtet fjalët e fundit. Qeni s’duket gjëkundi. Gjurmët e tij janë zhdukur. Letrat e vjetra janë kthyer në një bletë të zezë fustanet e natës janë grirë e bërë letra; të verdha, të kuqe, të purpurta shtrati duket kaq i bukur, çarcafët janë kthyer në ar- në ar të forte, të fortë dhe dysheku po puthet me një gur.
Sa për mua, i dashur Foxx vjershat e mia për ty, edhe mbërrijnë, edhe s’mbërrijnë te kutia e akullit. Dhe shpresa për një përjetësi divine a është e mjaftueshme për ty? Po emri yt krahas emrit tim për të drejtat e autorit? Në qofte se gishtat e mi s’të ngrenë dot unë do të tregoj tërë historitë- jo vetëm historinë e çarçafëve po dhe historinë e bizhusë në kërthizë dhe historinë qepallave të lyera të wiskit-thartuckave- historinë e thithkave të gjinjve- ta marrin me lopatë dashurinë tonë dhe ta flakin atje ku i takon.
Pavarësisht dorezave të mia prej asbesti nga kollitjet e shpeshta më mbushen mushkëritë me pluhur të kuq dhe të zi arka jonë e vogël zbret poshtë e më poshtë publikisht sa, pa kuptuar asgje, ju do te shikoni, në një akt solo krematoriumin e dashurisë. Ne, përkundrazi, na duket se po zbresim në një rrugë në Rusi flakët nxjerrin fshikullima kamzhikësh mbi kuaj kamzhikësh që rrahin e rrahin e ngjallin admirim të triumfit njerëzor ndersa mizat presin, plima plima vijnë drejt e nga United Fruit, Inc.
Ed Sheeran do të marrë një pushim nga regjistrimi i albumit të tij të ri për të nisur një program trajnimi në të gjithë vendin.
Këngëtari shpreson të rrisë fondet për mësimet e muzikës në shkolla dhe të ndihmojë studentët të përmirësojnë aftësitë e tyre muzikore.
Vihet re se këngëtari ka kryesuar listat me shtatë albume që kulmuan me albumin e tij të tretë, i cili theu rekorde në 2017 dhe u bë artisti më i shitur i vitit.
“Fillova ta bëj atë në qarkun tim dhe tani po shkoj në qark kombëtar. Tani po vizitoj më shumë shkolla të mesme që vërtet kanë nevojë për mbështetje financiare për klasën e muzikës dhe ju mund të shihni se çfarë ndryshimi bën”,tha Sheeran për The Sun.
Në të kaluarën, artisti i famshëm bëri donacione për shkollën e tij të vjetër, ‘Thomas Mills High’ në Suffolk, kur në vitin 2018 mësuesi i tij i tha për një shkurtim të fondeve./KultPlus.com
Henrik Johan Ibsen ishte një dramaturg norvegjez dhe drejtor teatri.
Si një nga themeluesit e modernizmit në teatër, Ibsen shpesh quhet “babai i realizmit” dhe një nga dramaturgët më me ndikim të kohës së tij.
Për kënaqësinë e lexuesve tanë kemi sjellë një përzgjedhje të thënieve më të bukura të tij:
“Asnjëherë nuk duhet të vishni pantallonat tuaja më të mira kur dilni për të luftuar për lirinë dhe të vërtetën.”
“Eshtë shenja e shpirtit të rebelimit të kërkosh lumturi në këtë jetë.”
“Mendoj se ju nuk do të kundërshtoni faktin se për momentin njerëzit budallenj janë në një shumicë absolutisht dërrmuese në të gjithë botën.”
“E shihni, çështja është se njeriu më i fortë në botë është ai që qëndron më i vetëm.”
“Ti nuk me ke dashur kurre. Ju keni menduar vetëm se është e këndshme të jesh i dashuruar me mua.”
“Një mijë fjalë nuk lënë të njëjtën përshtypje të thellë si një vepër e vetme.”
“E shihni, ka disa njerëz që dikush i do dhe të tjerë me të cilët ndoshta do të preferonte të ishte me ta.”
“Unë duhet të vendos se kush ka të drejtë – shoqëria apo unë.”
“Burrat më të fortë janë më të vetmuarit.”
“Unë besoj se para çdo gjëje jam një qenie njerëzore e arsyeshme, ashtu si ju-ose, në çdo rast, që duhet të përpiqem dhe të bëhem një.”
“Paraja mund të jetë lëvozhga e shumë gjërave, por jo thelbi. Ju sjell ushqim, por jo oreks; mjekim, por jo shëndet; njohje, por jo miq; shërbëtorë, por jo besnikëri; ditë gëzimi, por jo paqe apo lumturi.”
“Nuk është vetëm ajo që kemi trashëguar nga babai dhe nëna jonë që ecën në ne. Janë të gjitha llojet e ideve të vdekura, dhe besimet e vjetra pa jetë, e kështu me radhë. Ato nuk kanë vitalitet, por na ngjiten të gjithë njësoj, dhe ne nuk mund t’i heqim qafe.”
“Opinioni publik është një gjë jashtëzakonisht e ndryshueshme.”
“Me mua mund të ishe një person tjetër.”
“Armiku më i rrezikshëm i së vërtetës dhe lirisë mes nesh është shumica kompakte.”
“Kafazoni një shqiponjë dhe do të kafshojë telat, qofshin ato hekuri ose ari.”
“Është çlirim të dish se një akt guximi spontan është ende i mundur në këtë botë. Një akt që ka diçka të bukurisë së pakushtëzuar.”
“Jeta e një personi është një çmimi i rëndë për të paguar që lindëm.”
“Unë jam në revoltë kundër gënjeshtrës shekullore se shumica ka gjithmonë të drejtë.”
“Ka kaq shumë gënjeshtra si në shtëpi ashtu edhe në shkollë. Në shtëpi nuk duhet të flasësh, dhe në shkollë duhet të qëndrojmë dhe t’u themi gënjeshtra fëmijëve.”
“Unë do të rrezikoj gjithçka së bashku me ty.”
“Ka njerëz që i do dhe të tjerë me të cilët të pëlqen të flasësh.”
“Mos më thuaj që hëna po shkëlqen; më trego dritë që shkëlqen në xhamin e thyer.”
“Kushdo që e ka shitur veten për dikë tjetër nuk do ta bëjë përsëri.”
“Njerëzit duan vetëm revolucione të veçanta, në ato të jashtme, në politikë, etj. Por kjo është vetëm ngatërrim. Ajo për të cilën vërtet kërkohet është një revolucion i mendjes njerëzore.”
“Çdo gjë që prek duket se është e destinuar të kthehet në diçka të poshtër dhe farsë.”
“Idhulli i Autoritetit duhet të thyhet në këtë qytet.”
“Shumica gabon gjithmonë; pakica ka rrallë të drejtë.”
“Janë humbjet e vogla në jetë që e prenë zemrën.”
“Burrat janë personazhe qesharakë, ata gjithmonë duhet të kenë diçka për t’i habitur.”
“Ti ke bërë një vend bosh brenda meje; dhe duhet të përpiqem ta mbush me diçka – me diçka që është paksa si dashuria.”
“Mendova se e kuptove se ku e kisha humbur atë që ti e quaje zemrën time në atë kohë.”
“Sado i mjerë të ndihem, dua të zgjas agoninë sa më gjatë që të jetë e mundur. Të gjithë pacientët e mi janë të tillë. Dhe kështu janë ata që janë të sëmurë moralë ..”
“Zot i mirë, njerëzit nuk bëjnë gjëra të tilla!”/KultPlus.com
Vanë mënt e mija vanë! Një mejtim më prishi trutë: gjithë profitët pse janë ja Arapë, ja Çifutë? Pse s’ka profitë të tjerë? Këtë s’e kupëtoj dot… Gjëra q’u bënë njëherë, pse nukë bënen dhe sot?Gjëra që s’i kupëtoj, – mos u habitni me mua, – ndë duhet që t’i besoj, do t’i besoj dua, s’dua. Do të besoj Shën Marinë, këtë grua të bekuar, e cila polli Mesinë me Frymën e Shëntëruar! Do të besoj, or të mjerë, Krishti vdiq (gjë e vërtetë), dhe, që të mos zëmëroni, besoj q’u ngjall prapë vetë! Si gjithë besoj dhe unë sa shëntorë kanë qënë, po besoj dhe tjatër punë, besoj që mëndja na ka lënë!./KultPlus.com
Gezim Gashi, është shqiptari i parë që ka hapur shkollë të muzikës në Amerikë dhe njëkohësisht autori i librit “bestseller” ”Unlocked: the power of you”. Ai është shqiptari më i njohur në Suedi sa i përket botës së artit. Emri i tij është përcjellë gjithmonë me lajme të mëdha dhe me suksese kryesisht në botën e muzikës.Mirëpo, sukseset e tij nuk kanë të ndalur.
Së fundi, Gashi përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se do të mbajë një trajnim me 10 studentë në Amerikë, që janë diplomuar në kolegje apo universitete të arteve mediatike, i cili është një program që do i mësojë si të kenë sukses në Entertainment, shkruan KultPlus.
Ai ka njoftuar se kategoritë e praktikës do të përfshijnë animacion, kinematografi, zhvillim, regji, montazh, metia interaktive, lajme dhe shkrime.
Gezim Gashi, për KultPlus ka treguar se ky program është i “Emmys 2024 Summer Intership Awards” që është më prestigjiozi në Amerikë, të cilët çdo verë mbajnë program për talenta të ri që kanë sukses në Entertainment.
“10 studentët e përzgjedhur do të ushtrohen nga unë se si të kenë sukses në Entertainment, unë në vitin 2019 kam hapur një institut që quhet “OSC Institute of Arts and Innovation” dhe jam autor i librit “Unlocked: The Power of You”, të gjithë nxënësit marrin edhe nga një libër që të mësojnë se si të punojnë me potencialin që kanë”, ka thënë Gashi për KultPlus.
Tutje, ai ka treguar se ky bashkëpunim plotësohet nga programi “Television Academy Foundation”.
Gezim Gashi u bë i njohur me suksesin e tij kur u bë shqiptari i parë që hapi shkollën e muzikës në muzikë, si dhe me botimin e librit të tij që u bë ndër më të shiturit.
“Ideja e ‘Unlocked: the power of you’ është se unë besoj se ne duhet të gjejmë narrativen tonë dhe duhet ta pretendojmë atë dhe unë mendoj që mund ta bëjmë atë përmes tregimit dhe ne duhet ta kuptojmë se mënyra se si ne flasim për veten tonë, mënyra se si ne mendojmë për veten tonë me të vërtetë e përcakon edhe njeriun që do të bëhemi“, ishte shprehur ai kohë më parë për librin e tij në NBC News.
Më pas, Gashi tregoi edhe historinë e tij, e për të cilën është njoftuar nga nëna e tij kur ai ishte vetëm 10-vjeç, e që atëherë e ka përdorur këtë histori si inspirim për të arritur çdo gjë në jetën e tij.
“Unë kam lindur më 29 qershor të vitit 1990 dhe më 2 korrik të vitit 1990 në Kosovë ndodhën shumë gjëra pasi Kosova deklaroi pavarësinë nga parlamenti i Serbisë. Dhe ajo çka ndodhi shkaktoi gjenocid ku më pas ushtarët serbë erdhën në spital kur unë isha ende një i sapolindur dhe nëna ime është dashur ta thërrasë babanë tim dhe vëllain e saj për të më marrë mua dhe ata erdhën dhe me larguan nga dritarja. Kur kemi arritur në fshat gjyshja ime ishte gëzuar për mua që isha gjallë dhe që Kosova u bë republikë, e aty vendosi që emri im të jetë Gëzim”, kishte deklaruar Gashi, duke treguar historinë e tij, e cila e ka inspiruar gjatë gjithë jetës./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Thethi, një nga destinacionet më piktoreske të turizmit malor në vendin tonë.
Rama, në një postim në rrjetet sociale, thekson se numri i turistëve që vizitojnë një nga zonat më të bukura në vend, është gjithnjë e më shumë në rritje.
“Gjithnjë e më shumë turistë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend”, shkruan Kryeministri Rama.
Thethi është kthyer prej vitesh në një nga pikat më të rëndësishme turistike të veriut të Shqipërisë. Parku Kombëtar, i themeluar në vitin 1966, mbulon 2630 ha (26,3 km2) dhe është vendosur në qendër të Alpeve shqiptare, duke përfshirë pjesën më të madhe të Luginës së Shalës. Parku është themeluar për të mbrojtur ekosisteme të ndryshme, biodiversitetin dhe trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.
Organizata ndërkombëtare IUCN (Unioni për Ruajtjen e Natyrës) e ka vlerësuar Thethin si park të Kategorisë II, i vlerësuar veçanërisht si zonë e rëndësishme për shpendët e bimësinë. Në 2017 Thethi u shpall Qendër Historike e Mbrojtur.
Kryesisht turistët e huaj që vizitojnë Thethin, preferojnë të përshkojnë një shteg që kalon në lartësinë 1795 m, për të shkuar në Valbonë ose anasjelltas. Ndërsa fshati shtrihet në lartësinë 850 metra mbi nivelin e detit. Si shumica e Alpeve Shqiptare, parku mbizotërohet nga shkëmbinj gëlqerorësh dhe dolomitesh.
Për shkak të zonës së tij të kufizuar, parku karakterizohet nga një florë shumë e larmishme, me vlerësime që variojnë midis 1500 dhe 1650 specie bimësh, midis të cilave 70 specie janë të rrezikuara. Ekzistojnë tre lloje të pyjeve që gjenden në park. Kati i lisit shtrihet nga një lartësi prej 600 metrash deri në 800 metra, kati i ahut që është i mbuluar kryesisht me ah të zakonshëm, bredh argjendi dhe sikor, midis 900 metra dhe 1900 metra dhe kati alpin që shtrihet nga 1900 deri në 2300 metra.
Vitet e fundit, në Theth janë shtuar strukturat mikpritëse. Në shumicën e rasteve, jane kullat e vendasve të kthyera në bujtina, që kanë pritur vizitorë nga të gjitha anët e globit.
Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita personale e Barbara Prenkës, e kuruar nga Zef Paci me titull “Covers”.
“Barbara Prenka është një artiste e re, e vendit dhe e ardhur, që ndonëse studimet i ka në pikturë (një art jo ngushtësisht utilitar), kësaj radhe sjell jorganin, një objekt utilitar që ka udhëtuar nga bota e artizanatit në atë të dizajnit dhe të artit, nga teknika artizanale në atë industriale”, ka thënë Paci, në vlerësimin e tij kuratorial.
Sipas Pacit, Prenka operon duke u mbështetur sa te koncepti aq edhe te preokupimet estetike e landore.
“Arsyeja e risjelljes sot të këtyre mbulesave gjendet ne ngarkesën e fortë simbolike që ato bartin për autoren, si dhe për mëtimin e saj se objekti i artit asht një jehonë që mbet brenda nesh dhe është i thirrur parreshtur prej kërkimit tonë për identitet”, ka thënë Paci./rtk/KultPlus.com
Jo vetëm pazari karakteristik, por e gjithë zona historike e Gjirokastrës po tërheq çdo ditë e më shumë vizitorë.
Ata që e zgjedhin qytetin e gurtë nuk largohen pa parë kalanë e Argjirosë, por edhe muzetë e shumtë që ka ky qytet. Një prej më të preferuarave është Muzeu i Luftës së Ftohtë.
“Muzeu i Luftës së Ftohtë mbetet një ndër atraksionet turistike më të vizituara për vitin 2024 në qytetin e Gjirokastrës. Menjëherë pas kalasë së qytetit ambientet e këtij qyteti janë më të frekuentuarta me një numër prej 7 mijë vizitorësh.”
Turistët vlerësojnë historinë e qytetit ndërsa thonë se edhe Muzeu i Luftës së Ftohtë është interesant.
“Është hera e parë që jam në Shqipëri. Kam qenë edhe në Valbonë, Theth, Tiranë dhe Korçë. Tani kemi ndaluar në Gjirokastër. Kam vizituar muzetë. Është një qytet i vjetër mjaft interesant.”
“Është hera e parë që jam në Shqipëri. Jam nga Spanja. Muzeu është fantastik.”Keep Watchin
“Është hera e parë që ndodhem këtu. Pashë pazarin, kalanë ndërsa janë shumë interesante edhe shtëpitë e vjetra.”
Këtë vit nuk është rritur vetem numri i vizitorëve, por është zgjeruar edhe harta e turistëve.
“Ka një shumëllojshmëri nga vizitorët që vijnë nga vend të ndryshme, sidomos spanjollët dhe italianët, por këtë vit kemi pasur edhe rritje të numrit nga vendet e tjera siç janë francezët, belgët dhe holandezët.”
Por çfarë i tërheq më shumë vizitorët në këtë muze.
“Duan të dinë më shumë për pjesën e historisë, si ka qenë ajo periudhë, çfarë ka ndodhur dhe iu intereson dhe pjesa e eurogjentitetit që ka ruajtur ky tunel nga vendet e tjera që kanë parë më përpara.”
Numri i turistëve pritet të jetë më i lartë edhe në muajt në vazhdim ndërsa muzetë në Gjirokastër vizitohen në çdo muaj të vitit./tema/KultPlus.com
Liqeni i Ohrit është trashëgimi e UNESCO-s. Që nga 5 korriku i vitit 2019, ky liqen, i ndarë mes Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, është përfshirë në listën e UNESCO-s si pasuri e kombinuar e trashëgimisë, natyrore dhe kulturore.
Në këtë 5-vjetor, ministrja Mirela Kumbaro ndau një video mbresëlënëse të pamjeve nga ajri mbi Lin.
Ky liqen ofron një strehë unike për lloje të shumta endemike dhe relikte të florës dhe faunës së ujërave të ëmbla. Ujërat e tij oligotrofik përmbajnë mbi 200 lloje endemike me nivele të larta endemizmi për speciet bentike në veçanti, duke përfshirë: algat, diatomet, krimbat e sheshtë turbelar, kërmijtë, krustacet dhe 17 lloje endemike peshqish.
Një pjesë e Liqenit të Ohrit që ndodhet në Maqedoninë e Veriut dhe në brendësi të saj, duke përfshirë qytetin e Ohrit, ishte i regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore që prej vitit 1979. Zona tani përfshin pjesën shqiptare në veriperëndim të liqenit të Ohrit, gadishullin e vogël të Linit dhe brezin e tokës përgjatë vijës bregdetare që lidh gadishullin me kufirin maqedonas.
Në ujërat e cekëta pranë bregut të liqenit, disa site dëshmojnë për praninë e banesave parahistorike mijëravjeçare palafite.