‘Sonte hesht qyteti, shiu do të fillojë, kërkoj shikimin tënd në errësirë’ (VIDEO)

B.B. Poqi ka realizuar shumë këngë dhe shumë albume të cilat u bënë hite të mëdha gjithkund ku flitej shqip.

Këngëtari dhe autori i shumë këngëve, i cili fillimisht formoi bendin “Babillon“ me të cilin i incizoi disa këngë si “Babillon“, “Ti je një iluzion“, “Edhe një natë si kjo“ dhe e fundit “Diku pranë shtëpisë time“, më vonë ai u nda nga bendi dhe vazhdoi karrierën si solo këngëtar.

Sot KultPlus ua sjell një prej këngëve më të njohura të B.B Poqit, “Ti je një iluzion”. / KultPlus.com

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”

KultPlus iu sjell disa thënie për atdheun.

“Në qoftë se dëshironi ta njihni dhe ta doni atdheun tuaj, shkoni në të huajin”. – Eric Berne

“Është kënaqësi dhe nder të vdesësh për atdhe! Edhe më kënaqësi është të jetosh për të”. – Horaci

“Mos pyet se ç’do të bëjë atdheu për ty, pyet me gëzim ç’mund të bësh ti për të”. – Kenedi

“Atdheu është si familja: vlerën ia njohim vetëm atëherë kur e humbim”. – Floberi

“Të vdesësh për atdhe, kjo është punë mbretërish”. – Volteri

“Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes; aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë”. – Sami Frashëri

“Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që të shtyn të mohosh kombin tënd”. – Naum Veqilharxhi

“Skllavëria më e madhe është të mos kesh liri, e të mos konsiderohesh i lirë”. – Gëte

“Më mirë me dekë nën dhe’ m’u kja, se për t’gjallë me mbetë nën shkja”. – Gjergj Fishta

“Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen”. – Naim Frashëri/bota.al/ KultPlus.com

Si e përktheu Gjon Shllaku në qeli Iliadën e Homerit

Më 16 gusht 2003 ndërroi jetë shqipëruesi i parë i Iliadës, Gjon Shllaku, njohës i thellë i greqishtes së lashtë e latinishtes. Përkthyesi dhe helenisti i shquar Gjon Shllaku, lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente.

Kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit, duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore. Tri klasat e para të fillores i kreu në kolegjin françeskan, ndërsa klasën e katërt dhe të pestë në shkollën shtetërore tek “Dugajtë e reja”. Nga 24 shtatori 1935 deri më 9 dhjetor 1945 studioi në Seminarin Papnor duke bërë edhe vitet e larta të teologjisë dhe filozofisë, studioi për pesë vjet greqishten e lashtë, dhe për tetë vjet latinishten. Filozofia dhe teologjia jepeshin në latinishte, si gjuha e klerit që ishte. Nuk jepej gjuhë tjetër ndërkohë. Si student lexoi klasikët e antikitetit helen Sofokliun, Eskilin dhe Euripidin. Filloi të shkruante me pseudonimin Lyricus. Ishte vetëm 22 vjeç kur në vitin 1946 u dënua me 101 vjet burg, nën akuzën e anëtarësisë në grupin “Bashkimi shqiptar”.

I magjepsur pas antikitetit nisi të përkthente Iliadën në burgun famëkeq të Burrelit, duke shkruar në thasë çimentoje dhe rripa gazetash. Vazhdoi me përkthimin e veprës, pas 1957 kur u lirua nga burgu, pasi kreu 11 vjet nga dënimi që iu dha. Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën” dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Gjithashtu, do të përpilon te edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë. Me përkthimet e tij, i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine. Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga qeveria greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë” (1995). Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër, duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.

BURGIMI DHE VEPRAT

Më 9 dhjetor 1946 ra në burg, ishte 23 vjeç. U dënua me burgim të përjetshëm (101 vjet) fillimisht si anëtar i grupit të “Bashkimit shqiptar”, si përfundim bëri 12 vjet në burgun e Burrelit dhe në batat e Myzeqesë. Në burg u njoh me Peshkopin Visarion Xhuvani, me të cilin thelloi njohuritë në greqishten e vjetër, prej të cilës përktheu pjesë nga Bibla – Apostujt dhe Shenjtorët. Pati hasur edhe në një antologji të veprës së Homerit, të cilën e përktheu. Në burg nxuri greqishten e re, spanjishten dhe anglishten. Pas daljes nga burgu më 1957 punoi te ndërmarrja Zukth-Kashta në Shkodër si llogaritar-normist deri në pensionim. Pas rënies së regjimit gëzoi njohjen e duhur të mundit, dhe vdes pak muaj mbasi mbushi të tetëdhjetat. Një ndër mjeshtrit e këtij zanati, përktheu pjesë nga “De rerum natura” e Lukrecit dhe nga “Eneida” e Virgjilit kur ishte ende në Seminar. Në moshën 16 vjeçare përktheu të plotë “Gjeorgjikat” e Virgjilit. 17 vjeç përkthen Ben Hur-in e Lju Uallasit. Përktheu tekste biblike nga greqishtja e vjetër, “Punët e Apostujve” dhe “Apokalipsi”.

Në vitin 1965 shqipëron “Iliadën” në standardin e atëhershëm, më pas u ribotua më 1979 në standardin e paskongresit 1972. Më 1995 boton shqipërimin e shtatë tragjedive të Sofokliut – përkthim që në kohë të regjimit nuk iu pranua nga Akademia, me “Kangët e Rolandit” (bot. më 2003) dhe “Le Cid” të Kornejit. Dy muaj përpara vdekjes mbaroi hartimin e “Fjalorit latinisht-shqip” të nisur prej shumë vitesh me afërsisht 65.000 fjalë. Ka lënë të pa përfunduar “Fjalorin greqisht-shqip” me rreth 18.000 fjalë. Bëri të flasë shqip Ovidin, Horacin, Shekspirin, Hygoin, Rasinin, De Musenë, Lamartenë, Shatobriandin deri tek Papa Gjon Pali i Dytë. Çmonte Nolin, Dakajn, Alkajn, Lacajn, Çomorën.

Ka shkruar po ashtu edhe vepra të vetat, si dramat “Dy Lekët”, “Judita dhe Holoferni” dhe “Skënderi e Zulejka”. Gjatë qëndrimit në burgun e Burrelit, nis më 1950 shkrimin e dramës “Skënderi dhe Zulejka”, që e përfundoi në aeroportin e Urës Vajgurore, Berat. Me anën e dy shkodranëve të rinj, teknikë të jashtëm në pistën e Beratit, u realizua dalja e veprës së vetme të shpëtuara. Pas 47 vitesh i vëllai, regjisori Lec Shllaku, ia dorëzoi dorëshkrimin. Ky është i pari daktilografim që përfundoi në orën 20 dt. 20 nëntor 1999. Më 25 dhjetor të 1995 i jepet titulli “Profesor” nga komisioni i kualifikimit shkencor, muaj kur dekorohet po ashtu me Urdhrin “Naim Frashëri i Artë” nga presidenti Sali Berisha.

Në prill të 2003 i akordohet nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu urdhri “Mjeshtër i Madh” dhe nga Këshilli bashkiak i Shkodrës “Qytetar nderi i Shkodrës”. Po ashtu dekorohet me Urdhrin Naim Frashëri i Artë nga presidenti, fitues i “Penës së Artë” të dhënë nga MTKRS për përkthimin e “Gjeorgjikave” të Virgjilit më 2001. Fitues i “Diskut e Argjendtë” nga qeveria greke me anë të ambasadës së saj në Tiranë./Panorama/KultPlus.com

Kumbaro ndan pamjet e Shëngjinit në mbrëmje mbushur me turistë

Plazhi i Shëngjinit në Lezhë vijon të mbetet ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas e të huaj edhe në këto ditë gushti.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale pamje nga shëtitorja në plazhin e Shëngjinit e mbushur plot me turistë.

“Mbrëmjet në Shëngjin”, shkruan Kumbaro.

Plazhi i Shëngjinit shtrihet në perëndim të qytetit të Lezhës, nga Velipoja në veri dhe deri në anën e djathtë të grykëderdhjes së Drinit të Lezhës, në jug të ishullit Kune. Plazhi ka një gjatësi prej 9 km dhe gjerësi deri 30-70 m. Pjesa më rekreative e Plazhit të Shëngjinit është zona e ishullit Kune, ku janë ngritur një varg restorantesh dhe objektesh të tjera hotelerie.

Emri i Shëngjinit lidhet me pyllin e Zanave që gjendet mes Shëngjinit dhe Velipojës. Më pas u quajt Medea, sipas emrit të princeshës Medea të Argonautëve. Deri në ditët tona kanë mundur të mbijetojnë bashkë edhe porti i vogël edhe plazhi, i cili njihet gjerësisht.

Plazhi rrethohet nga pylli me pisha dhe në kurriz mbrohet nga kodrinat e larta. Ai ndodhet shumë pranë rrugëve kombëtare dhe është i arritshëm për këdo, duke siguruar akomodim të mirë dhe ekonomik në çmime./atsh/KultPlus.com

Punime restauruese në Kishën e T’Shëlbuemit në Rubik

Falë programit të EU4Culture në pikturën murale të Kishës së T’Shëlbuemit në Rubik po kryhen punime konservuese/restauruese.

Specialistët e Sektorit të Veprave të Artit në IKTK inspektuan nga afër ecurinë e këtyre punimeve të cilat po kryhen nga restauratorja Edlira Çaushi dhe ekipi i saj.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli momente nga inspektimi i specialistëve.

Ndërhyrjet në pikturën murale konsistojnë në konsolidimin e pelikulit piktorik, ringjitjen e shtresave përgatitore, zbulimin e pikturave murale në faqet veriore dhe jugore nga mbivëniet me llaç dhe gëlqere, pastrimin e sipërfaqes së pikturuar nga depozitimet e qëndrueshme, integrimin estetik për përmiresimin e të gjithë imazhit të kësaj pikture./atsh/KultPlus.com

Ministri Çeku njofton se nisën punimet në kalanë e Korishës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, vlerëson se arkeologjia në vendin tonë po merr vëmendjen e duhur shtetëror.

Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ai deklaroi se kanë nisur punimet edhe në kalanë e Korishës, e cila i takon dy periudhave historike, asaj dardane dhe periudhës bizantine.

“Në këtë lokalitet arkeologjik shumështresor janë zbuluar gjetje të rëndësishme dhe për tri vitet e ardhshme kemi garantuar punime dhe mbikëqyrje të vazhdueshme”, ka shkruar Çeku./KultPlus.com

Dashuri e vërtetë

Poezi e shkruar nga Dritëro Agolli.

Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njëri tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë… /KultPlus.com

“Mokra n’fest”, Rama: Nxjerr në pah zakonet, kulturën, historinë dhe natyrën e zonës

Pogradeci do të mirëpresë në 23-24 gusht “Mokra n’fest”, një aktivitet që promovon traditat e kulinarinë e zonës.

Kryeministri Edi Rama tha se “Mokra n’Fest vjen në edicionin e V-të të saj në datat 23-24 gusht, në Potkozhan, vendlindjen e vëllezërve Zografi. Një event i kthyer në një traditë tashmë që nxjerr në pah zakonet, kulturën, historinë dhe natyrën e kësaj perle shqiptare, që premton një potencial të lartë turistik në të ardhmen”.

Edhe gjatë këtij edicioni traditat, zakonet, gatimet, sportet, lojërat, koncerti, shëtitjet me kuaj do të jenë pjesë e “Mokra n’fest”, organizuar nga bashkia e Pogradecit.

Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik.

Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë./atsh/KultPlus.com

Presidentja Osmani ia dorëzon flamurin para-atletit Grevist Bytyçi, Kosova për herë të parë në Lojërat Paraolimpike

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se Kosova për herë të parë në histori, do të marrë pjesë në Lojërat Paraolimpike.

Osmani ka ndarë një video, duke i dorëzuar flamurin e Republikës së Kosovës para-atletit Grevist Bytyçi.

“Nder i veçantë që sot ia dorëzova flamurin e Republikës së Kosovës para-atletit Grevist Bytyçi, i cili do t’i bartë ngjyrat e Kosovës në mesin e 183 shteteve nga mbarë bota në Paris 2024”, ka shkruar Osmani./KultPlus

“Për shpirtit tem veç unë jam zot”

William Ernest Henley
Përktheu nga Synim Selimi

Invictus

Prej natës që m’mbulon mu,
Zi skutë më skutë si pus shkepun,
Falënderoj cilëtdo zota mund t’jenë diku
Për shpirtin tem të paepun.

Në zapin e ardhun t’rrethanave
S’jam dridhë as zashëm s’kam kajtë.
Nën goditjet e orëve e të zanave
Jam kryepërgjakun, por kryenaltë.

Matanë këtij veni t’zemërimit e lotëve
S’përhihet gja pos tmerrit t’nemun,
Edhe prapëseprapë kërcënimi i moteve
M’gjen edhe ka me m’gjetë sypatremun.

Sa e ngushtë porta s’ka ransi,
Me dënime sa asht dorëshkrimi plot,
Fatit tem mjeshtrinë veç unë ia di,
Për shpirtit tem veç unë jam zot./ KultPlus.com

Numri i vizitorëve të huaj, rritje me 50% në qershor

Shqipëria turistike po vazhdon të rritet me shpejtësi. Në muajin qershor, numri i vizitorëve jorezidentë shënoi rritje me 49,9%, në krahasim me qershorin 2023.

Instituti i Statistikave publikoi sot raportin për strukturat akomoduese, sipas të cilit, numri i vizitorëve gjithsej është rritur me 40%.

Të dhënat tregojnë se numri i netqëndrimeve gjithsej është rritur me 27,1 %, ku rritjen më të madhe e patën vizitorët jorezidentë me 35,5%.

Në zonat bregdetare treguesi i numrit të vizitorëve jorezidentë është rritur me 51,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.

Numri i vizitorëve jorezidentë në “hotele dhe akomodime të ngjashme” ka shënuar rritje me 53,1 %.

Krahasuar me qershorin e 2023-shit, numri i vizitorëve jorezidentë nga Kosova shënoi rritje me 11,9 %, atyre nga Italia shënoi rritje me 8,7 %, nga Polonia me 7,6 %, ndërsa nga Gjermania rrija ishte rritje me 5,9 % Rritje me 3,8 % shënoi edhe numri i vizitorëve britanik.

Raporti i INSTAT jep detaje edhe rreth normave neto të shfrytëzimit të dhomave dhe të shtretërve, dy tregues të cilët masin përqindjen e shfrytëzimit të kapaciteteve akomoduese, dhoma e shtretër të disponueshëm për vizitorë.

Gjatë këtij muaji, norma e shfrytëzimit të dhomave të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 35,9 %, kundrejt 28,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Norma e shfrytëzimit të shtretërve të “hoteleve dhe akomodimeve të ngjashme” është 38,6 %, kundrejt 30,5 % që ishte në muajin qershor 2023.

Të dhënat e publikuara nga autoritetet treguan se gjatë periudhës janar-korrik vendi u vizitua nga 6,3 milionë vizitorë të huaj nga 5,1 milionë që e vizituan në 7-mujorin e 2023-shit./atsh/KultPlus.com

Godinë shumëfunksionale kulturore e rekreative pranë memorialit të At Gjergj Fishtës në Lezhë

Punimet për hapësirën memoriale shumëfunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta po vijojnë me ritme të larta.

Projekti po zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se godina multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historik, aq dhe tërheqës për peizazhin e mrekullueshëm natyror do të ketë hapësira të veçanta për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm./atsh/KultPlus.com

Së shpejti hapet ekspozita ‘Visual Poetry on Social Photography’

Në Galerinë e Artit Bashkëkohor në Tiranë së shpejti do të hapet ekspozita “Visual Poetry on Social Photography”.

Kjo ekspozitë site-specific jo vetëm që informon, por provokon mendimin dhe frymëzon dialog, duke na ftuar të reflektojmë mbi rolin tonë në shoqëri.

Me një ndërthurje të mrekullueshme të fotografisë sociale dhe artit bashkëkohor të videos, ky udhëtim artistik do të jetë i aksesueshëm për të gjithë vizitorët në shtator.

Ekspozita do të hapet më 3 shtator dhe do të qëndroj e hapur deri më 10 tetor.

Anibar fton të rinjtë të përfitojnë nga projekti GENESIS, 65 të rinjë synohet të zhvillohen në sektorin e filmit të animuar

Anibar dhe Institut français du Kosovo kanë hapur thirrje që të rinjtë Kosovar të marrin pjesë dhe të përfitojnë nga projekti GENESIS.

GENESIS është një projekt ambicioz që synon të mbështes deri në 65 të rinj kosovarë përmes trajnimeve dhe të krijoj kushte për zhvillimin e sektorit të filmit të animuar në Kosovë. Programi përfshin mbi tetë muaj, duke përfshirë trajnime në animacion 2D dhe 3D, trajnime në gjuhën frenge dhe trajnime të specializuara mbi tema të ndryshme si shkrimi i skenarit, dizajni i zërit për animacion, postproduksioni dhe shumë të tjera.

Në njoftim thuhet se disa nga studentët e përzgjedhur do të kenë mundësinë të bëjnë një ose dy udhëtime studimore në Francë me profesionistë të njohur të fushës.

Ata do të përfitojnë nga ekspertiza dhe njohuritë e profesionistëve të industrisë kreative nga Franca dhe Kosova. Të rinjët do të mbështeten nga projekti GENESIS për ti realizuar idet dhe storiet e tyre në projekte dhe ndërmarrje te sukseshme.

Kandidatët kanë afat deri më 15 shtator për të aplikuar në projektin GENESIS, i të cili do të fillojë në datën 1 tetor.

“Përgjithësisht përmesë inciativës do të ndikohen pozitivisht industria kreative dhe filmi në Kosovë. Specifikisht, do të ndikohen të rinjët Kosovar të cilët do të aftësohen me ndihmën e ekspertizës ndërkombëtare që do të marrin. Për të kontribuar kështu edhe në promovimin e kreativitetit dhe kulturës nga Kosova ndërkombëtarisht”, thuhet në njoftim.

Për më shumë informata rreth procesit të aplikimit të gjithe të interesuarit mund të drejtohen në: https://anibar.org/sq/genesis-calling-2/ KultPlus.com

Rama ndan reportazhin e TF1: Shqipëria po fiton përditë statusin e një destinacioni turistik të shumëkërkuar

 TF1, kanali më i shikuar televiziv i Francës e ndër më të njohurit në Evropë, i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë turistike.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale reportazhin e kanalit televiziv francez, ndërsa u shpreh se Shqipëria po fiton përditë statusin e ri të një destinacioni turistik të shumëkërkuar.

“Me fjalë e imazhe të pamendueshme deri disa vjet më parë, kur Shqipëria hynte në ekranet franceze vetëm për ndonjë lajm a fjalë të keqe, si një stereotip i negatives në median ndërkombëtare, për një vend të keqtrajtuar gjatë që sot po fiton përditë statusin e ri të një destinacioni turistik të shumëkërkuar, ku vazhdon një transformim i pandalshëm”, u shpreh Rama për reportazhin.

Me titullin “Riviera tjetër: Bumi i turizmit në Shqipëri”, televizioni i njohur francez, TF1 i ka kushtuar një dokumentar hovit të madh turistik të viteve të fundit të Shqipërisë.

Ndërsa e konsideron vendin “një Eldorado për turizmin në Evropë”, reportazhi i TF1 thekson se udhëtarë nga e gjithë bota tërhiqen nga çmimet ende të ulëta.

“Ujëra të kristalta, hotele elegantë buzë plazhit, kuzhinë e rafinuar dhe një ndjenjë e vërtetë mikpritjeje, Shqipëria na çon në një drejtim tjetër. Brenda pak vitesh, Shqipëria, një ish-diktaturë që nuk kishte reputacion të mirë është kthyer në një Eldorado për turizmin në Evropë. Të tërhequr nga çmimet ende të ulëta, udhëtarët vijnë nga e gjithë bota. Ishin 10 milionë vitin e kaluar, dy herë më shumë se dy vjet më parë, një dhuratë nga perëndia për shumë shqiptarë pas disa vitesh të krizës ekonomike”, vijon dokumentari i realizuar nga Mélanie Gallard.

”Të gjitha këto plazhe të bukura, këto limane të vogla, u japin vërtet kënaqësi të madhe këtyre pushuesve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushimi… 300 kilometra vijë bregdetare dhe ujëra të pastra si kristali deri në 27 gradë Celsius në gusht. Shqipëria ka një tjetër pasuri, kuzhinën e saj, e bollshme e me çmime të favorshme”, vijon gazetarja.

‘Njerëzit janë të gatuar në mënyrë të tillë që secili bën atë gjë ku një tjetër ka pasur sukses, pavarësisht nëse ai ka prirje apo jo’

Thënie nga Johann Wolfgang von Goethe:

Njeriu i madh nuk bën gabime të vogla.

Njeriu gabon për sa të marrë frymë.

Bëhet budalla, i mençuri që diskuton me budallain.

Koha nuk na kthen më fëmijë, por na zbulon që ende jemi fëmijë.

Askush nuk i adresohet lirisë së shtypit përveç atij që ka ndër mend të abuzojë me të.

Gjykatësi që nuk di të dënojë me drejtësi bëhet i njëllojtë me keqbërësin.

Që të mund të shërohemi duhet t’i paguajmë shtrenjtë gabimet tona. Vetëm më pas mund të ndihemi me fat.

Njeriu që krenohet se nuk ndryshon kurrë mendim është një tutkun që beson se është i pamposhtur.

Kujdesu fort për shëndetin tënd. Shpirti yt e sheh botën përmes syve të tu; e nëse sytë e tu janë të mjegulluar, e gjithë bota të duket e mjegulluar.

Forca e një gjuhe nuk shprehet përmes zhdukjes së fjalëve të huaja, por përmes asimilimit të tyre.

Shqisat nuk gënjejnë, gënjen gjykimi.

Kush gabon vjegëzën e parë nuk korrigjohet duke u mbërthyer.

Njerëzit janë të gatuar në mënyrë të tillë që secili bën atë gjë ku një tjetër ka pasur sukses, pavarësisht nëse ai ka prirje apo jo.

Po të kishim një zemër të hapur për të shijuar të mirat që Zoti na dhuron çdo ditë, do të kishim edhe forcën e mjaftueshme për të përballuar të keqen kur vjen.

Vështirësitë më të mëdha gjenden aty ku ne nuk i kërkojmë.

Një jetë e shkapërderdhur është një vdekje e parakohshme.

Urtësia gjendet vetëm tek e vërteta.

Shoqëritë më të mira janë ato tek të cilat mbizotëron një respekt reciprok i hareshëm.

Vegjëlia nuk druan gjë më shumë se mençurinë, por do të duhej të druante budallallëkun po të kuptonte se sa i frikshëm është ai.

Emocioni është gjëja më e mirë e njerëzimit.

Mund të kuptohet nevoja e një ideje, pa ia gjetur mënyrën se si të shfrytëzohet më së miri.

Gëzimi më i pastër që mund të ndihet për një person të dashur është kur konstaton se ai lumturon edhe të tjerë.

Gjithsesi, vendimet duhet të merren. Edhe mosmarrja e vendimit është një vendim.

Njeriu fisnik tërheq njerëz fisnikë dhe di si t’i mbajë pranë ata.

Çdo libër është një kapital që rri i heshtur përbri nesh, por që prodhon interesa të pallogaritshëm.

Frikacaku kërcënon vetëm kur ndihet i sigurt.

Ka njerëz që nuk gabojnë kurrë ngaqë kurrë nuk parashtrojnë asgjë të arsyeshme.

Është më mirë të lejosh që të ndodhin padrejtësi sesa t’i ndalosh ato duke kryer padrejtësi.

Pasionet janë të meta ose virtyte vetëm nëse çohen në ekstreme.

A mos vallë duhej që pikërisht gjëja që përbën lumturinë e njeriut të ishte edhe burimi i shkatërrimit të tij?

Njerëzit i përngjajnë njëri-tjetrit: të gjithë argëtohen duke përgjuar mbi fatkeqësitë e fqinjit të vet.

Jeta është tejet e shkurtër për të pirë verë të keqe.

Aty ku interesi shpërfillet edhe kujtesa shpërfill.

Ligjvënësi mendon gjithnjë se është më i shquar e më i pushtetshëm nga ç’është në të vërtetë.

Jeta tokësore është fëmijëria e përjetësisë sonë.

Përjetësia është e pranishme kudo.

Vetëm nëse e konsiderojmë të mundur të pamundurën, mund të zbulojmë ndonjë gjë të re.

Për njeriun mediokër nuk ka ngushëllim më të madh se mendimi që gjeniu nuk është i pavdekshëm.

Një femër e një gotë verë përmbushin çdo dëshirë. Kush nuk pi e nuk puth është më keq se i vdekur.

Dashuria jote është për mua si yjet e mëngjesit e të mbrëmjes, perëndon pas diellit e para diellit rilind.

Roma është kryeqyteti i botës.

Edhe nëse i flakim tutje, nuk lirohemi dot nga gjërat që na përkasin.

Faktet e jetës sonë kanë vlera jo ngaqë janë të vërteta, por ngaqë kanë domethënie për ne.

Disa libra janë shkruar jo që të mësohet diçka duke i lexuar, por që të kuptohet se autori diçka e dinte.

Janë pikërisht gabimet që e bëjnë njeriun të pëlqyeshëm.

Vetëm njerëzit e dobët kanë frikë se mos kushtëzohen.

Gjëja që shpejt shkëlqen, shpejt zbehet; por gjërat e thjeshta e të sinqerta ruhen për ardhmërinë.

Dashuria dhe dëshira janë krahët e synimeve të mëdha.

Më mirë të bëjmë gjënë më të vogël në botë sesa të konsiderojmë një gjysmë ore të kohës sonë si hiçgjë.

Fjala e drejtpërdrejtë është e tmerrshme, kur për një çast shpreh se çfarë bluan zemra që me kohë.

Natyra nuk njeh pushim në progres e në zhvillim, dhe lëshon mallkimin e saj mbi çdo mosveprimtari.

Po të studioheshin të gjitha ligjet nuk do të mbetej më kohë për t’i shkelur.

Kush i përkushtohet vetmisë, shpejt gjendet i vetëm.

Talenti zhvillohet në qetësi, ndërsa karakteri zhvillohet në rrjedhën e rrëmbyeshme të jetës njerëzore.

Jemi të aftë të sakrifikojmë gjëra të mëdha, por jo gjëra të vogla.

Njeriu dëshiron shumë, ndërkohë që i nevojitet fare pak.

Të komunikojmë e të shkëmbejmë informacione është pjesë e natyrës sonë. Të kemi parasysh informacionet që na jepen është kulturë.

Duket sikur nuk e vëmë re kurrë që fati dhe merita janë të lidhura ngushtë.

Shkenca dhe arti i përkasin gjithë botës; përballë tyre kufijtë e kombeve zhbëhen.

Kush dëshiron të udhëheqë të tjerët, duhet të jetë i gatshëm të heqë dorë nga shumë gjëra.

Sa më shumë të ndihesh njeri, aq më shumë u afrohesh hyjnive.

Të gjitha mendimet e zgjuara janë menduar tashmë, mijëra herë, por në mënyrë që ne t’i përvetësojmë, duhet t’i rimendojmë ndershmërisht, derisa t’i kthejmë në mësime mbi përvojat tona.

Mjafton që të fillosh e mendja nis nxehjen. Bëj përpara, dhe puna do të kryhet.

Që një njeri të realizojë gjithçka që pritet prej tij, duhet që ai ta konsiderojë veten më të arritur nga ç’është.

Një përmbledhje anekdotash dhe aforizmash është pasuria më e madhe për një njeri, nëse të parat arrin t’i fusë brenda bisedave në vendet e duhura, e të dytat t’i kujtojë në çastet e duhura.

Toleranca është e vetmja ndërmjetëse e paqes për të gjitha forcat e të gjitha situatat.

Atij që nuk i duken dhunti të metat e personit të dashur, nuk dashuron.

Çdo sekondë ka një vlerë të pafundme, pasi është përfaqësues i një përjetësie të plotë.

Mos fajëso yjet për dështimin tënd, por puno me përkushtim.

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike

Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.

Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.

Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.

Para fjalës së presidentit Biden, edhe zëvendëspresidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.

Çelet ekspozita ‘Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në artin pamor shqiptar’

Në muzeun “Marubi” u hap mbrëmjen e djeshme ekspozita “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”, kuruar nga drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni.

Në këtë ekspozitë u shfaqën imazhe të rralla dhe të papublikuara më parë, që sjellin në vëmendje historinë e artit pamor shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare, çka përbën një mundësi unike për të zbuluar ndikimin e fuqishëm të artistëve, si Arsen Idromeno dhe Pietro Marubbi, në kulturën tonë.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin nënkryetarët e bashkisë së Shkodrës, Teuta Shala-Qyteza dhe Rudi Beka, si dhe drejtori i Institutit të Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave, Olsi Lelaj.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për t’u vizituar në ambientet e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” deri më 10 nëntor.

Drejtori i Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”, njëkohësisht kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, në një intervistë të mëparshme bëri të ditur se prej disa vitesh ka bërë kërkime për Marubët dhe Idromenon.

“Gjatë hulumtimit të fundit në fototekën e Institutit të Antropologjisë ku ruhen disa negativë me vlerë të Idromenos, kam arritur në konkluzionin se shkrepjet e tij mund të plotësohen me më shumë të dhëna. Kjo për fatin e mirë të ekzistencës të koleksionit të Marubëve, i cili i vjen shumë në ndihmë”, tha Bedeni.

Kolë Idromeno është artisti që me talentin e tij të jashtëzakonshëm i dha jetë artit shqiptar, duke lënë pas ikona të artit, në mes tyre “Motra Tone”, Xhokonda shqiptare./atsh/ KultPlus.com

‘Ai është shumë i zgjuar’, Trump fton Elon Musk të shërbejë në kabinetin e tij nëse fiton, miliarderi pranon

Ish-presidenti Donald Trump ka deklaruar se dëshiron që miliarderi Elon Musk të shërbejë në administratën e tij nëse ai fiton në nëntor.

“Ai është një djalë shumë i zgjuar. Unë sigurisht që do ta bëja, nëse ai do ta bënte atë, sigurisht që do ta bëja. Ai është një djalë brilant,” tha Trump kur u pyet nëse do t’i ofronte Musk një kabinet apo pozicion këshillues, raportoi Reuters të hënën.

Musk nuk iu përgjigj drejtpërdrejt deklaratave të Trump, megjithëse ai postoi një foto të krijuar nga AI duke folur në një foltore të etiketuar “DOGE Department of Government Efficiency” të hënën në X.

Akronimi duket se është një referencë për Dogecoin , një kriptomonedhë që Musk ka promovuar më parë.

“Jam i gatshëm të shërbej”, ka shkruar Musk në postimin e tij.

Bisedimet për bashkimin e Musk në një administratë të dytë Trump kanë qenë të përhapura muajt e fundit. Në maj, The Wall Street Journal tha se Musk kishte folur me Trump për t’u bashkuar me qeverinë e tij .

Musk hodhi poshtë raportin e The Journal në një postim X , duke thënë se “nuk ka pasur asnjë diskutim për një rol për mua në një Presidencë të mundshme Trump”.

Megjithatë Musk duket se e ka zbutur qëndrimin e tij për të punuar për një administratë të mundshme Trump.

Presidentja Osmani pas takimit me ambasadorin Ruge: Kosova e gatshme t’i kontribuojë unitetit transatlantik për mbrojtjen e demokracisë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge.

Presidentja Osmani me këtë rast ka ritheksuar mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.

“Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, ka thënë Presidentja Osmani në këtë takim./ KultPlus.com

Ndërtesa shumëfunksionale kulturore e rekreative pranë memorialit të At Gjergj Fishtës në Lezhë

Punimet për hapësirën memoriale shumëfunksionale në Lezhë, ku ka lindur At Gjergj Fishta po vijojnë me ritme të larta.

Projekti po zbatohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Ministri Blendi Gonxhja bëri të ditur se ndërtesa multifunksionale kulturore e rekreative në këtë vend sa historik, aq dhe tërheqës për peizazhin e mrekullueshëm natyror do të ketë hapësira të veçanta për rezidenca artistike, për sesione krijimtarie e ekspozime, për të mikpritur artistët vendas e të huaj, e për të zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore dhe edukative, e jo vetëm.

Ardianë Pajaziti e Dukagjin Pupovci u prezantuan me ligjëratë në MasterClass të EXPOART.40

EXPOART.40 ka njoftuar se ka filluar me aktivitetet e  MasterClass të dedikuar për artistët e rinj, aktivitete që po mbahen në Rezidencën 17 në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Me ligjëratë për artistët e rinj që po marrin pjesë në këtë edicion, janë prezantuar Ardianë Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus dhe profesori universitar Dukagjin Pupovci.

Që të dy kanë ndarë përvojën e tyre para artistëve të rinj, ku Ardianë Pajaziti është prezantuar me temën” Roli i medias në promovimin e kulturës në Kosovë dhe më gjerë”, përderisa Dukagjin Pupovci është prezantuar me temën “Sfida dhe realitete të arsimit në Kosovë”.

E veçanta e këtij MasterClass ishte se në këto ligjërata morën pjesë artistë të rinj në një numër të madh, të cilët edhe shprehën interesimin për të dy temat, në mënyrë që të ju shërbejnë në rrugëtimin e tyre prej artisti.

EXPOART.40 është duke vazhduar edhe më tutje me angazhime të tjera me artistët e rinj pjesëmarrës, angazhim që është duke u bërë nën përkujdesjen e drejtoreshës Majlinda Kelmendi./ KultPlus.com

Melodi e këputur!

Agim Vinca

(Nderim për Fazli Graiçevcin, 1935-1964)

E nderuara familje Graiçevci,

I nderuar Kryeministër, ministra, deputetë,

Të dashur miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Gjashtëdhjetë vjet më parë, më 17 gusht 1964, pas katërmbëdhjetë ditë torturash çnjerëzore, vdiq poeti dhe veprimtari Fazli Graiçevci.  

Kjo vrasje mizore ndodhi në Burgun e Prishtinës, nëpër dyert e të cilit kanë kaluar me qindra atdhetarë, djem e vajza, burra e gra, që nuk u pajtuan me pushtimin e tokave shqiptare dhe me copëtimin e tyre nga pushtuesit fqinj dhe fuqitë e mëdha.

Mbytja mizore e Fazli Graiçevcit në burg është një nga aktet e shumta të politikës gjenocidale serbomadhe ndaj shqiptarëve të mbetur padrejtësisht nën sovranitetin jugosllav, pavarësisht si quhej shteti: “monarki” apo “republikë”.

Fazliu është njëri nga ata që burgu iu bë varr; hyri me këmbët e veta në të, por nuk doli i gjallë.

Dramën e bën edhe më të dhimbshme fakti që pas vdekjes së Fazliut, bashkëshortja e tij, Myrvetja, pasi bëhet nënë, shkon në Turqi, për vizitë te njerëzit e saj dhe atje i ndodh një fakteqësi: i vdes ku lind fëmijën që e kishte në bark, djali, es aksidentalisht si fëmijë, duke rënë nga ballkoni i shtëpisë tek ishin vendosur.

Një familje u shua, ndërsa një këngë mbeti e pakënduar, melodi e këputur!

Përse u privua nga jeta Fazli Graiçevci?

Ishte anëtar i organizatës politike “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” (LRBSH), të kryesuar nga veprimtari i shquar, simboli i rezistencës kombëtare, Adem Demaçi. Në fakt, Fazliu ishte jo vetëm anëtar, por edhe njëri nga drejtuesit e LRBSH-së, të kësaj organizate politike që shtrihej në tërë Kosovën dhe që kishte në program çlirimin e Kosovës e të viseve të tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me shtetin amë, Shqipërinë. Ishte kryetar i Komitetit për Drenicën.

Kishte ngritur flamuj, sikurse shokët e tij, në ‘63-shin, por aksioni i tij kishte qenë nga më të vështirët dhe më të guximshmit, sepse Fazliu e kishte vënë flamurin në repetitorin e Televizionit në Golesh. Të lartët synojnë gjithmonë lartësitë!

Ditën e arrestimit, më 3 gusht ’64, kishte lënë dy porosi: e para, fëmijës që pritej të lindte, nëse do të ishte djalë, t’ia linin emrin Flamur dhe, e dyta, “shkrimet të m’i ruani si sytë e ballit”, sepse për shkrimtarët dorëshkrimet janë si fëmijët!

Sa herë që flitet për Fazli Graiçevcin, nuk mund të mos përmendet akti burrëror i dr. Ali Sokolit, që nuk pranoi ta nënshkruante dokumentin për kinse vdekjen e tij nga sëmundja e tuberkulozit e jo nga torturat në burg. Gjesti i këtij mjeku atdhetar me etikë profesionale dhe ndërgjegje kombëtare, tregon se Hipokrati dhe Sokrati nuk mund të ndahen, madje as në kohëra të errëta e të rrezikshme, çfarë ishte ajo e para vitit 1966 në Kosovë, por dhe më herët e më vonë.

Shtrohet pyetja: cili është portreti i Fazli Graiçevcit; çka e karakterizon atë si njeri dhe krijues?

Pamjen e tij të jashtme e njohim nga fotografitë: një djalë i gjatë, i pashëm, elegant, kurse botën e brendshme nga poezitë e botuara ose të lëna në dorëshkrim: një shpirt lirik me botë të pasur shpirtërore.

Bir i një familjeje të varfër fshatare me shumë fëmijë, Fazliu u rrit me dashurinë për vendin e lindi e për gjuhën amtare dhe me idenë e çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit kombëtar.

Ishte atdhetar, por edhe humanist; në shpirtin e tij nuk kishte asnjë grimcë urrejtjeje për të tjerët. Të tillë kanë qenë gjithmonë revolucionarët e vërtetë; i tillë ishte edhe Fazli Graiçevci, mësues dhe poet, në vargjet e të cilit frekuentojnë shpesh fjalët dashni, njerëzi dhe mirësi. 

Kam dalë me ‘i tubë shpresa n’grusht

Kangë me i thurë mirësisë

(Me melodinë e ngrohtë jam mik i ngusht’)

Rreze dashnije me i falë njerëzisë.

Nuk e lanë ta vazhdonte këtë mision, që, në kushtet e trysnisë politike dhe policore, mund të ishte edhe iluzion. Jeta e tij u ndërpre dhunshëm, nga ata që strategji shtetërore kishin shpërnguljen dhe shfarosjen e shqiptarëve, kurse kënga e tij mbeti e papërfunduar, si e shumë krijuesve të tjerë të talentuar, si Jusufi (Gërvalla), Bahriu (Fazliu) e të tjerë, që dhuntinë e tyre krijuese, ia falën kauzës kombëtare, pa harruar kurrsesi as “Bacën Adem”, të  cilit as armiqtë e tij më të mëdhenj nuk ia mohojnë talentin letrar. (Njëri nga denoncuesit e tij në vitin 1958, edhe vetë poet, e quante “shkrimtari ma i talentuem i Kosmetit”).

Pas vdekjes fizike nga torturat në burg, pasoi vdekja shpirtërore e Fazli Graiçevcit, që është edhe më e tmerrshme se e para: ndalimi i veprës dhe i emrit të tij, siç ndodh rëndom në sistemet totalitare, çfarë ishte edhe sistemi jugosllav, me gjithë propagandën dhe demagogjinë perfide.

Deri në vitin 1990, kur ra sistemi njëpartiak dhe filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë, emri i Fazliut, sikurse edhe ai i Demaçit dhe i shumë të tjerëve, ishte i ndaluar. Pastaj, vrulltas u “zbulua” e u përmend në shkrime e gazeta si martir dhe si poet. U mblodhën poezitë e tij të botuara te “Zani i rinisë” dhe “Jeta e re”, si dhe ato të lëna në dorëshkrim dhe u botuan në dy përmbledhje vjershash: “Kanga e maleve” (1994) dhe “Gjethet e përgjakuna” (1995), që dolën njëra pas tjetrës, duke e rivënë komunikimin e ndërprerë me krijimtarinë e tij.

Por, ç’ndodhi më tej? Pasi kaloi euforia e fillimit të viteve nëntëdhjetë, Fazli Graiçevci sikur u la në harresë. Kjo harresë arrin deri aty sa ai nuk u përfshi as në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të hartuar nga Akademia jonë e Shkencave dhe e Arteve (2018), ku emri i tij nuk figuron fare, si të mos ekzistonte. Aty ka tre Grajçevcë të tjerë, të gjallë, por mungon zëri për më të njohurin dhe më të rëndësishmin ndër ta, Fazli Graiçevcin! Gati s’po u besoja syve teksa e shfletoja këto ditë botimin luksoz të Fjalorit Enciklopedik, të financuar nga shteti në themelet e të cilit qëndron gjaku i Fazli Graiçevcit dhe i shokëve të tij! Nuk është hera e parë që institucioni ynë më i lartë shkencor, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), që thith mjete të mëdha nga buxheti i varfër i Republikës së Kosovës, me qëllim apo nga mosdija, bën gafa të këtilla!

Po të kishte jetuar normalisht si gjithë të tjerët, Fazli Graiçevci mund të ishte ende gjallë, por ai zgjodhi rrugë tjetër: t’i qëndronte besnik idealit të vet jetësor: luftës për çlirimin e Kosovës dhe betimit për të mos i tradhtuar shokët, që ishte normë morale e Lëvizjes sonë Kombëtare.

Po e mbylli këtë fjalë modeste me një përqasje, që m’u imponua vetvetiu derisa po i bëja këto shënime. Mund të jetë rastësi, por edhe rastësitë e kanë simbolikën e vet. Përse është fjala? Për një analogji fati e moshe të dy djemve kryengritës, njëri i Delvinës, tjetri i Drenicës.

I lindur në vitin 1935, Fazliu ishte 29 vjeç kur vdiq, në të vërtetë kur e vranë, po aq sa edhe njëri nga intelektualët më të talentuar të viteve tridhjetë në Shqipëri, poeti dhe publicisti Ismet Toto (1908-1937), të cilin pushteti zogist e vari në litar me akuzën se kishte dashur ta përmbyste regjimin. Para se ta ekzekutonin, shkroi tekstin vehement: “De profundis”, që mbyllet me fjalinë lapidare: “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen”.

Fazli Graiçevci i takon lagjes së atyre që digjen, që u dogjën për ta ndryshuar botën, në rastin tonë fatin e Kosovës dhe të shqiptarëve si komb, por, pse jo, edhe të njerëzve të tjerë që jetojnë në këtë hapësirë dhe më gjerë, pa dallim race, gjuhe, feje e kombësie.

Lavdi atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!

Nderim emrit dhe veprës së Fazli Graiçevcit!

 (Fjalë e mbajtur në mbrëmjen përkujtimore kushtuar poetit dhe veprimtarit Fazli Graiçevci mbajtur në Kryeministrinë e Republikës së Kosovoës, më 17 gusht 2024)/ KultPlus.com

Simone de Beauvoir, mbi artin e të plakurit bukur

Ne jetojmë në një kulturë që i trembet pashmangshmërisë entropike të plakjes, e trajton atë si një sëmundje që duhet kuruar me ilaçe dhe regjime, e anestetizon atë me botox dhe heshtje, duke harruar disi se të plakesh është një privilegj i jashtëzakonshëm – i përmbahet shumica dërrmuese e njerëzve që popullojnë historinë e specieve tona të reja.

“Për të moshuarit,” shkroi Ursula K. Le Guin në meditimin e saj sublim mbi plakjen dhe çfarë do të thotë bukuria në të vërtetë, “bukuria nuk vjen falas me hormonet, ashtu siç bën për të rinjtë… Ka të bëjë me atë se kush personi është.” Një mënyrë tjetër për ta thënë këtë, për ta ndjerë, është se të bëhesh një person i denjë për pleqërinë është triumfi i jetës. Henry Miller, në reflektimin e tij pasi i mbushi të tetëdhjetat, e gjeti triumfin për të mbetur në gjendje të “bie në dashuri përsëri dhe përsëri… të falë si dhe të harrojë… të mos bëhesh i thartë, i ndyrë, i hidhur dhe cinik”. Grace Paley udhëzoi në atë që mbetet këshilla më e mirë për artin e të rriturit: “Gjëja kryesore është kjo – kur të ngrihesh në mëngjes, duhet ta marrësh zemrën në dy duar. Ju duhet ta bëni këtë çdo mëngjes.”

Jeta është kryesisht një çështje se si e mbajmë veten – zemrat tona, frikërat tona, faljet tona – përgjatë procesionit të viteve. Vështirë se dikush ka mobiluar një këmishë më elegante dhe më të fortë për mbajtjen se Simone de Beauvoir (9 janar 1908–14 prill 1986) në librin e saj të vitit 1970 “La vieillesse’, botuar në Angli si “Old Age” dhe në Amerikë si i pambuku karakteristik “The Coming”.

Dy vjet përpara se ajo të merrte në konsideratë se si rastësia dhe zgjedhja bashkohen për të na bërë ata që jemi, De Beauvoir vëren se kultura bashkëkohore perëndimore gërryhet në pleqëri si një “gjysmë vdekje”. Me një sy në privilegjin biologjik të plakjes, ajo shkruan:

Mosha e vjetër nuk është një fund i domosdoshëm për jetën e njeriut.

[…]

Një vlerë e veçantë ndonjëherë i është dhënë pleqërisë për arsye sociale ose politike. Për disa individë – gratë në Kinën e lashtë, për shembull – ka qenë një strehë kundër ashpërsisë së jetës në vitet e të rriturve. Të tjerët, nga një këndvështrim i përgjithshëm pesimist për jetën, vendosen rehat në të… Shumica dërrmuese e njerëzimit e shikon ardhjen e pleqërisë me pikëllim dhe rebelim. Ajo i mbush me më shumë neveri sesa vetë vdekja.

Dhe me të vërtetë, është pleqëria dhe jo vdekja ajo që duhet të krahasohet me jetën. Pleqësia është parodi e jetës, ndërsa vdekja e shndërron jetën në një fat: në një farë mënyre e ruan atë duke i dhënë dimensionin absolut.

Vetëm një gjë mund të mbajë që kapitulli i fundit i jetës të mos bëhet një parodi e vetvetes. Të plakesh, paralajmëron ajo, nuk është një projekt – nuk është diçka që dikush mund të përpiqet ta bëjë me zell, për të bërë ACE. Është një fakt – diçka që duhet përmbushur sipas kushteve të veta, diçka për të cilën kalojmë gjithë jetën duke e praktikuar ndërsa mësojmë të kontrollojmë për dorëzim .

Ajo shkruan:

Rritja, pjekja, plakja, vdekja – kalimi i kohës është i paracaktuar, i pashmangshëm.

Ekziston vetëm një zgjidhje nëse pleqëria nuk do të jetë një parodi absurde e jetës sonë të mëparshme, dhe ajo është të vazhdojmë të ndjekim qëllime që i japin ekzistencës sonë një kuptim – përkushtim ndaj individëve, grupeve ose kauzave, sociale, politike, intelektuale. ose punë krijuese… Në pleqëri duhet të dëshirojmë të kemi ende pasione aq të forta sa të na pengojnë të kthehemi në vetvete. Jeta e dikujt ka vlerë për aq kohë sa ai i atribuon vlerë jetës së të tjerëve, me anë të dashurisë, miqësisë, indinjatës, dhembshurisë.

The Marginalian/ Maria Popova
Përgatiti: Albert Vataj

Mund të jetë një imazh i 1 person dhe teksti