Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të publikuar kohë më parë nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Pas 30 vitesh, Eddie Murphy i rikthehet rolit që e bëri të famshëm

Tridhjetë vite pas pjesës së tretë dhe të fundit të “Beverly Hills Cop”, aktori i njohur amerikan Eddie Murphy është kthyer në rolin e Axel Foley.

Heroi i filmit të ri të Netflix “Beverly Hills Cop: Axel F” kthehet në Beverly Hills, ku mëson se vajza e tij dhe prokurorja Jane (Taylor Paige) është në rrezik pasi ajo zbulon korrupsionin në komisariat gjatë një hetimi.

Murphy, bashkë me anëtarët e kastit origjinal, Judge Reinhold dhe John Ashton, e shfaqën premierën e filmit të enjten përballë stacionit të policisë së Beverly Hills ku zhvillohet pjesa më e madhe e aksionit.

Megjithatë, premiera, ku morën pjesë aktori Martin Lawrence, muzikanti Lil Nas X dhe të tjerë, ishte shumë ndryshe nga premiera origjinale e vitit 1984.

Ndërsa, dy filmat e tjerë u realizuan në 1987 dhe 1994.

“Është një pjesë e madhe e jetës së njerëzve, ishte një hit dhe të gjithë e pëlqyen, por ishte më shumë se kaq. U ngjau disi në zemrat e tyre”, tha aktori Paul Reiser, i cili luajti personazhin e Jeffrey Friedman.

Kurse, regjisori Mark Molloy, tha se filmi i ri i referohet edhe viteve 1980.

“I pashë ata dy filmat e parë dhe kuptova që doja të bëja një film të tillë”, duke shtuar se donte ta bënte modest, pra pa shumë post-produksion.

Filmi, i cili do të jetë i disponueshëm nga 3 korriku, luajnë gjithashtu Kevin Bacon dhe Joseph Gordon-Levitt./KultPlus.com

“When we see us”, muzeu zviceran shfaq piktura të njerëzve me ngjyrë në 100 vite


Arti afrikan aktualisht po përjeton Rilindjen në Evropë. Më në fund, muzetë e mëdhenj, panairet e artit dhe koleksionet private në të gjithë kontinentin kanë filluar të përqafojnë si kurrë më parë vepra të artistëve me origjinë afrikane dhe atyre të kombësive afrikane.

Ekspozita monumentale që është hapur në Bazel të Zvicrës është e para në llojin e saj, duke bashkuar 100 vjet pikturë të kësaj kategorie për të festuar natyrën e shumë anshme të përvojave të njerëzve me ngjyrë në të gjithë globin, si nga kontinenti afrikan ashtu edhe nga diaspora e tij e madhe.

Ekspozita “When we see us” organizohet rreth gjashtë temave Përditshmëria , Gëzimi  Argëtimi , Pushimi , Sensualiteti , Spiritualiteti dhe Triumfi si dhe Emancipimi 

Shumica e mbi 150 veprave të ekspozuara, të krijuara nga talente të shquara dhe të reja në skenën e artit afrikan, nuk janë parë kurrë në Zvicër, as nuk janë shfaqur ndonjëherë në një shkallë të tillë në Evropë.


Ekspozita do të zgjasë deri më 27 tetor 2024./tema/KultPlus.com

Idriz Ajeti: Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish!

Intelektuali Idriz Ajeti u nda nga jeta pesë vite më parë, më 13 shkurt 2019. Karriera e tij ishte e gjatë, ai dha kontribut të madh në fushën e albanologjisë, shkruan KultPlus.

KultPlus po ju sjell sot këtë copëz të Ajetit sa ishte gjallë.

Shqipëri quhet toka deri në Nish.

Kështu shprehet veprimtari i shquar dhe ambasador i gjuhës shqipe, akademiku shqiptar nga Medvegja prof.dr.Idriz Ajeti në një intervistë për agjencinë e lajmeve « Presheva jonë ». Në një intervistë, Ajeti thotë se «Pas prishjes së Jugosllavisë së atëhershme në vitin 1941 Kosova, bashkë me Luginën e Preshevës i takoi Shqipërisë, gjë krejt normale sepse zonat i lidhte jo vetëm, historia, gjuha dhe flamuri por edhe doket, traditat, kultura…”

“Mesazhi im do të ishte që mundësisht popullsia, sidomos rinia jonë të mos lëvizin nga trojet e tyre etnike. Në këtë drejtim mund të kontribuojnë me shumë edhe partitë politike dhe intelektualët në Medvegjë dhe në mbarë Luginën e Preshevës. Për të penguar ketë eksod edhe komunat mund të bëjnë më shumë për t’ju siguruar punë, perspektivë. Ndryshe Lugina e Preshevës nuk mund të quhet Kosovë Lindore pa shqiptarë. Rinia mund të lëvizë për të kërkuar punë apo studiuar, por kurrsesi t’i kthjenë shpinën përgjithmonë vendlidjes dhe të mos e harrojë atë, të kthehen aty ku kanë lindur ata dhe të parët e tyre. Ne dhe askund nuk ka të drejtë apo mund ta detyrojë dikë të mos lëvizin nga vendi kur ai është i kërcënuar apo ushtrohet dhunë seri mbi ta, sepse ne bile sot që jemi në Kosovë e dimë mire se Serbia të vetmen armë, për spastrimin etnike e përdor mjetet e dhunës, provokimet dhe diskriminimin të cilat do të nxisnin shpërnguljet e imponuara sepse askush sot nuk ka dëshirë ta lëshojë vendlidjen pa pasur ndonjë hall të madh.

Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish….

Akademiku Ajeti fillimisht ka pohuar se «Lugina e Preshevës pa shqiptarë nuk mund të quhet Kosovë Lindore. Ju, a nuk po e shihni se Serbia për 2 dhe 3 kisha në Kosovë, madje edhe pas kapitullimit ende vazhdon ta quajë Kosovën, Serbi?! Qëllimet e Serbisë në Luginën e Preshevës po i realizon me sukses. Për Medvegjën do të thoja se situata atje është e mjerueshme. Sa i përket perspektivës së shqiptarëve në atë komunë, ku dikur ishte e populluar me shumicë shqiptare, ndërsa sot aty dominojnë serbët dhe janë bërë artificialisht shumicë. Në Medvegjë sot mjerisht mbi 80 për qind shqiptarëve e kanë lëshuar vendlindjen për shkaqe tashmë të njohura, por pjesa dërrmuese nga dhuna, represioni e kush tjetër nga mos perspektiva, ku Serbia po ju përgatit terrenin duke ju imponuar largimin nga trevat e tyre. Këtu kisha pasur dëshirë të përkujtoj se, qysh nga koha e luftës 1941-‘45, ashtu edhe në kohën e sundimit të Miloshevicit, shqiptarët e komunës së Medvegjës, nga më pak se dhjetë katunde, zunë, herë më pak e herë më shumë, të lëvizin, të luajnë nga vendi stërgjyshor pos në Kosovë sot edhe në drejtime të ndryshme. Fundja edhe shqiptarët, sikur të mos jenë të diskriminuar apo sikur t’i kishin kushtet sikur serbët në Medvegjë apo Nish sigurisht nuk do ta braktisnin vendin e tyre… Shqipëria jonë, toka jonë është deri në Nish. Këtë e kanë thënë dhe vet intelektualët, historianët serb se ne jemi autokton, kurse serbët ardhacakë..»

Akademiku Idriz Ajeti është lindur në Topalë të Medvegjës së Kosovës Lindore. Shkollën fillore e ka mbaruar në Banjën e Sijarinës më 1930, ndërsa atë mesme në Shkup më 1938, kur në atë kohë Serbia dëbonte shqiptarët nga trojet e tyre etnike në drejtim të Kosovës apo Shqipërisë, por një pjesës e madhe nga ky presion detyrohej të shpëngulen në Turqi. Akademiku Idriz Ajeti është dhe mbetet ndër emrat më të njohur në fushën e linguistikës dhe ambasador i kulturës shqiptare. Ai ka marrë disa cmime mirënjohje. Në vitin 1958 ka mbrojtur disertacionin e doktoratës me temën: “Zhvillimi historik i formës gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë” Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. / KultPlus.com

“Për ty do të shkoja deri në fund të botës, që të ndjesh dashurinë time”

Bob Dylan

Kur shiu tërsëllin në fytyrën tënde,
Dhe e gjithë bota të është qepur pas,
Mund të të ofroj një përqafim të ngrohtë
Që të ndjesh dashurinë time.

Kur shfaqen hijet e mbrëmjes dhe yjet
E kur askënd nuk ke të të fshije lotët,
Mund të të shtrëngoj për një milion vjet
Që të ndjesh dashurinë time.

E di që mendjen nuk e ke mbledhur ende
Por unë kurrë nuk do të të bëja keq,
Këtë e kam ditur qysh prej çastit që u takuam
Dhe në mendjen time s’ka asnjë dyshim, vendin ku e ke.

Do të vuaja urie, në blu dhe në zi do të nxihesha,
Do të zvarritesha për ty, përgjatë rrugës,
Nuk ka asgjë të cilën nuk do ta bëja për ty,
Që të ndjesh dashurinë time.

Stuhitë po trufullojnë mbi detin zemërak,
Dhe mbi rrugën e pendesës,
Erërat e ndryshimit po fryjnë të egra dhe të lira,
Dhe ti ende nuk ke parë askënd si unë, kurrë!

Mund të të beja të lumtur, ëndrrat t’i përmbushja,
Nuk ka asgjë për ty që s’do ta beja.
Për ty do të shkoja deri në fund të botës,
Që të ndjesh dashurinë time./KultPlus.com

Nis ‘Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë’, do të shfaqen rreth 50 filma nga Ballkani

Në qytetin e Pogradecit nisi dje në mbrëmje “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, ku do të shfaqen rreth 50 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë nga i gjithë Ballkani.

Përgjatë pesë ditëve Pogradeci do të kthehet në qendrën ballkanike të filmave, ku marrin pjesë regjisorë, producentë, studentë të kinematografisë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ceremonia hapëse u zhvillua në “Odeon”, ku edhe u shfaq premierë për qytetarët nga Pogradeci dhe turistët filmi “Spohie” me regji të Eduard Grishaj, i cili ka marrë disa çmime.

Themeluesi i festivalit, Eno Milkani tha për mediet se përveç filmave konkurrentë në netët e festivalit nostalgjikët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë edhe filma të vjetër të restauruar.

“Filmat janë të zhanreve të ndryshëm. Kemi komedi, dramë. Filma që trajtojnë probleme të të rinjve, moshës së tretë. E veçantë do të jetë prezantimi i librit të Stefan Çapalikut për Serafin Fankon, të cilin e njohim të gjithë si aktor, regjisor”, tha Milkani.

Në fund të këtij kompeticioni, që do të mbyllet me datë 29 qershor priten të ndahen çmime për zhanret e ndryshme pjesëmarrëse.

Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik./atsh/KultPlus.com

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare kundër Keqpërdorimit dhe Trafikimit Ilegal të Drogës

Dita ndërkombëtare të OKB-së për të luftuar përdorimin dhe trafikimin me drogë shënohet çdo vit me 26 qershor për të arritur ndërgjegjësimin për këtë çështje të rëndësishme në shoqëri. Kjo ditë është mbështetur nga individë, bashkësi dhe organizata të ndryshme në mbarë botën. 

Në dhjetor të vitit 1987 Asambleja e përgjithshme e OKB-së vendosi që me 26 qershor ta shënojë Ditën ndërkombëtare kundër keqpërdorimit dhe trafikimit ilegal të drogës.

Kjo ditë është mbështetur nga individë,bashkësi dhe organizata të ndryshme në mbarë botën. 

Zyrat për drogë dhe krim në OKB (UNODC), gjatë viteve janë përfshirë në mënyrë aktive në fushata për të mobilizuar mbështetje për kontrollin e drogës.

Sipas UNODC rreth 200 milion njerëz në mbarë botën janë përdorues të drogave të paligjshme të tilla si kokaina, marihuana,haluçinogjene, dhe qetësues hipnotik.

Kjo rezolutë rekomandon veprime të mëtutjeshme duke marrë parasysh raportin dhe përfundimin nga Konferenca Ndërkombëtare për keqpërdorimin dhe trafikimin ilegal me drogë, në vitin 1987. Duke ndjekur rezolutën prej vitit 1991 deri 2000 ishin të shpallur për ,, dekada e Kombeve të Bashkuara për luftë kundër keqpërdorimit të drogës. Në vitin 1988 Asambleja e përgjithshme e OKB-së miratoi një deklaratë politike e cila lidhet me problemet globale të drogës. Deklaratën e shprehin anëtarët e OKB-së për luftë me këtë problem.  /KultPlus.com

Dita Botërore kundër Torturës

Në këtë datë, në vitin 1987, Konventa kundër Torturës dhe Ndëshkimeve të tjera mizore, çnjerëzore, degraduese apo ndëshkimit hyri në fuqi.

Në vitin 1997, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi për të shënuar këtë datë historike dhe përcaktuar 26 qershor çdo vit si Dita Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës.

Qeveritë përkujtohen për përgjegjësitë e tyre ndaj viktimave të torturës ashtu siç janë të përshkruara në Konventën e OKB-së.

Neni 14 i Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Torturës shprehimisht parashikon që Shtetet duhet të bëjë kompensim për të mbijetuarit e torturës, duke përfshirë mjetet për rehabilitim të plotë. /KultPlus.com

107 vite nga lindja e Idriz Ajetit, albanologu, gjuhëtari e intelektuali i njohur

Idriz Ajeti, albanologu, gjuhëtari e intelektuali, pedagogu dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore, lindi më 26 qershor të vitit 1917 në Tupallë të Komunës së Medvegjës, shkruan KultPlus.

Profesori Ajeti, shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953 deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë.

Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ.

Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj.

Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj.

Gjatë vitit 1969-1971 ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973-75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979-1981 dhe 1996-1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Profesori i shquar, Idriz Ajeti do të kujtohet përherë për angazhimin e tij të palodhshëm deri në fund si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate si dhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Vdekja e Akademik Idriz Ajetit ishte një humbje e madhe për të gjitha fushat e të gjithë njerëzit që e njohën atë. Ai u nda nga jeta më 13 shkurt 2019, në moshën 102-vjeçare. /KultPlus.com

“The Sun”: Vizitoni Lumin e Shalës – “Tajlanda e Shqipërisë” me ujëra të pastra kristal

‘Një cep i botës’ pak i njohur për vizitorët e Evropës Lindore i konsideruar si një Tajlandë në miniaturë – me ujëra bruz dhe fluturime të lira, shkruan Hope Brotherton në të përditshmen britanike “The Sun”.

Shqipëria është kthyer në një destinacion gjithnjë e më popullor për britanikët që kërkojnë pushime të përballueshme dhe mot me diell.

Për shumë njerëz, plazhet me rërë të bardhë dhe ujërat e pastra kristal e bëjnë Tajlandën një destinacion të listës së pushimeve – por me çmime të larta.

Për pushuesit që duan të shijojnë një copëz të parajsës, por nuk mund të përballojnë shpenzimet e fluturimeve, do të ndihen të kënaqur pasi të zbulojnë se ekziston një alternativë shumë më pranë “shtëpisë”.

Shqipëria ndodhet midis Malit të Zi dhe Greqisë dhe destinacioni ka përjetuar një fluks vizitorësh gjatë viteve të fundit.

Rritja e popullaritetit të vendit është kryesisht falë promovimit të tij në TikTok dhe influencuesve të mediave sociale që kanë pushuar në Rivierën Shqiptare.

Lumi i Shalës

Ndërsa vendpushimet si Ksamili dhe Saranda në Shqipëri kanë patur një rritje të popullaritet vitet e fundit, disa pjesë të Shqipërisë kanë mbetur nën radarin turistik.

Një nga këto vende është Lumi i Shalës, një gji pak i njohur në veri të vendit.

Videot e Lumit të Shalës shfaqen në mënyrë rutinore në platformat e mediave sociale si, TikTok.

Lumi është quajtur “Tajlanda e Shqipërisë” falë ujërave të tij të pastër kristal, vegjetacionit dhe maleve të thepisura, sipas faqes së udhëtimit “North Albania”.

“Lumi i Shalës është një nga vendet më të bukura në Shqipëri dhe ishte lehtësisht një nga pikat kryesore të udhëtimit tim rrugor”, shkroi blogerja e udhëtimeve “The Ginger Wanderlust”.

E vendosur në veri të Shqipërisë, pushuesit mund të arrijnë lumin e ëndërruar përmes një udhëtimi ditor nga Tirana ose Shkodra.

Nga kryeqyteti shqiptar, turistët do të duhet të rezervojnë një ekskursion për të vizituar Lumin e Shalës – dhe udhëtimi është katër orë me makinë.

Nga Shkodra, pushuesit do të duhet të marrin një minibus për në Liqenin e Komanit, i cili zgjat rreth 90 minuta.

Në terminalin e trageteve të liqenit të Komanit, turistët do të duhet të hipin në një varkë për në Lumin e Shalës, e cila do të zgjasë edhe një orë.

Gjatë muajve të verës, niveli i ujit në Lumin e Shalës mund të ulet, kështu që pushuesve mund t’u kërkohet të ecin në këmbë në disa pjesë të lumit.

Pavarësisht se nuk është një destinacion i njohur turistik, ka shumë aktivitete për të bërë në Lumin e Shalës, duke përfshirë zhytje, kajak dhe ecje.

Brigjet e lumit lidhen me ura prej druri të punuar me dorë, duke u dhënë vizitorëve akses në bujtina.

Disa bujtina janë të vendosura përgjatë Lumit të Shalës, duke përfshirë Shtëpinë e Bujqësisë “Bee Eco” dhe “Bujtina Livadhi”.

“Sun Online Travel” ka zbuluar disa akomodime gjatë natës në “Livadhi Guesthouse” me 35 paund për person në pikun e sezonit veror.

Vizitorët ditorë mund të marrin me qira çadra dielli dhe shezlonge nga disa prej bujtinave gjithashtu.

Vende të tjera për t’u vizituar në Shqipëri

Plazhi i Pasqyrave

Ka shumë vende të tjera më pak të njohura për t’u vizituar në Shqipëri, duke përfshirë “Plazhin e Pasqyrave”, i cili u shpall si “Plazhi më i mirë në botë” sipas një studimi te kryer nga ekspertët e agjencisë britanike të udhëtimeve “CV Villas”, në fillim të këtij viti.

Plazhi njihet në mbarë botën si “Plazhi i Pasqyrave” për shkak të efektit reflektues që mund të shihet në ujë kur rrezet e diellit bien në sipërfaqe.

“Plazhi i Pasqyrave” mbetet i qetë edhe në muajt e verës, duke iu dhënë mundësinë të pushoni dhe ndiheni të lirë”, shkroi “Albania Tour Guide”.

“Për më tepër, bregu i detit është mahnitës, nuk do t’u besoni syve, kur të shihni ujin e kaltër të ndezur”, tha operatori.

Gjiri është i rrethuar nga shkëmbinj të bardhë. Sfondi shkëmbor e bën gjirin të ndihet si një vend sekret.

Ndërkohë, në fillim të këtij viti operatori turistik TUI e shpalli Shqipërinë si një nga destinacionet më të reja të Evropës.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ka kryesuar listën e qyteteve më të lira në vitin 2021./atsh/KultPlus.com

MEKI: UNESCO vlerëson progresin për formulimin e instrumenteve për konservimin dhe administrimin e Butrintit

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) ka dalë sot me një qëndrim publik lidhur me projektvendimin e fundit të Qendrës së Trashëgimisë Botërore (UNESCO) për Butrintin.

“Ata që prej shumë kohësh kanë përhapur në shqip dhe anglisht disa të pavërteta, ndonjë të vërtetë të nxjerrë jashtë konteksti dhe shumë gjysmë të vërteta, duke shpresuar kthimin e Butrintit në të kaluarën e vet të errët të Listës së Pasurive Botërore në rrezik, kanë plotësisht të drejtë të ndihen të zhgënjyer pas publikimit të projektvendimit të QTB në fillim të javës së shkuar”, bën të ditur MEKI.

Sipas Ministrisë, dokumenti që do t’i përcillet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për t’u kthyer në vendim zyrtar, bazohet në analizën e detajuar të UNESCO-s për punën e MEKI dhe partnerëve të saj në studimin, konservimin, administrimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Butrintit, si dhe plotësimin e rekomandimeve të ICOMOS-it.

“MEKI si përfaqësues i shtetit shqiptar në Konventën e Trashëgimisë Botërore e gjen projektvendimin dhe raportin analitik të tij si shumë objektiv dhe tërësisht korrekt. Vëmë re me kënaqësi se aty, jo vetëm që nuk evokohet e shkuara problematike e Butrintit, por përkundrazi, shihet nga e ardhmja duke vlerësuar bashkëpunimin e shtetit shqiptar me QTB për diskutimin e propozimeve zhvillimore në pasurinë botërore dhe pejzazhin e saj të mbrojtur”, shprehet Ministria.

Po ashtu, sipas saj, mirëpriten studimet shkencore dhe ato të ndikimit mbi pasurinë kulturore që i paraprijnë projekteve zhvillimore, progresi i bërë drejt formulimit të instrumentave të nevojshëm për konservimin dhe administrimin e Butrintit, progresi i bërë në përditësimin e planit të veprimit dhe mirëpërgatitjen e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit për zbatimin e tij.

Gjithashtu, thotë Ministria, aty mbështeten përpjekjet e MEKI-t për krijimin e një strukture të përbashkët me Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit për administrimin e gjithë Parkut Kombëtar si një i tërë, si dhe punën e nisur për thjeshtëzimin e sistemeve mbrojtëse të nënzonave përbërëse të tij.

Në projektvendim lihen edhe një sërë detyrash që MEKI do të duhet të realizojë brenda fillimit të vitit 2025.

“Ne ndajmë të njëjtin mendim me UNESCO-n për këto detyra dhe kemi filluar menjëherë nga puna për plotësimin e tyre, pasi i konsiderojmë si themelore për sigurimin e mbrojtjes, zhvillimit dhe përballimit të sfidave të ardhshme mjedisore, klimatike, shoqërore dhe ekonomike të Butrintit”, thotë MEKI.

Gjithashtu, me qëllim shpeshtimin e komunikimit dhe forcimit të mëtejshëm të koordinimit me UNESCO, MEKI bën të ditur se është formuar një ekip i posaçëm ekspertësh dhe specialistësh me përvojë nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Institutit Kombër të Trashëgimisë Kulturore.

“Fokusi i këtij ekipi është procesi i vazhdueshëm i informimit reciprok, dialogimit dhe koordinimit cilësor me UNESCO-n dhe me palët e tjera të interesit, si dhe përkthimin e rezultateve nga ky proces në linja pune të bashkërenduar me ministritë e linjës, bashkitë, partnerët dhe komunitetin”, thuhet më tej.

Së fundmi, informoi MEKI, është përcaktuar dhe një agjendë takimesh për thellimin e bashkëpunimit, duke filluar nga takimi i radhës në Paris, në 27 qershor 2024, mes përfaqësuesve të lartë të UNESCO-s dhe Ministrave të MEKI dhe MTM, së bashku me ekipet teknike përkatëse. Ky takim do t’i paraprijë sesionit nr. 46 të Komitetit të Trashëgimisë Botërore në Nju-Delhi, Indi, që do të mbahet në datat 21-31 korrik 2024.

Nis ‘Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë’, do të shfaqen rreth 50 filma nga Ballkani

Në qytetin e Pogradecit nisi sot në mbrëmje “Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë”, ku do të shfaqen rreth 50 filma me metrazh të shkurtër e të gjatë nga i gjithë Ballkani.

Përgjatë pesë ditëve Pogradeci do të kthehet në qendrën ballkanike të filmave, ku marrin pjesë regjisorë, producentë, studentë të kinematografisë nga të gjitha vendet e Ballkanit.

Ceremonia hapëse u zhvillua në “Odeon”, ku edhe u shfaq premierë për qytetarët nga Pogradeci dhe turistët filmi “Spohie” me regji të Eduard Grishaj, i cili ka marrë disa çmime.

Themeluesi i festivalit, Eno Milkani tha për mediet se përveç filmave konkurrentë në netët e festivalit nostalgjikët dhe jo vetëm, do të kenë mundësinë të shijojnë edhe filma të vjetër të restauruar.

“Filmat janë të zhanreve të ndryshëm. Kemi komedi, dramë. Filma që trajtojnë probleme të të rinjve, moshës së tretë. E veçantë do të jetë prezantimi i librit të Stefan Cepalikut për Serafin Fankon, të cilin e njohim të gjithë si aktor, regjisor”, tha Milkani.

Në fund të këtij kompeticioni, që do të mbyllet me datë 29 qershor priten të ndahen çmime për zhanret e ndryshme pjesëmarrëse.

Ky festival është ideuar si një bashkëveprim jo vetëm filmik mes vendesh fqinje, por edhe si një shkëmbim e shijim gastronomik.

Kurti merr pjesë në shënimin e 25 vjetorit të misionit të OSBE-së në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar për shënimin e 25 vjetorit të misionit të OSBE-së në Kosovë.

“Një figurë e tillë është ambasadori William Walker. Para se OSBE-ja të kishte një mision në Kosovë, pati një mision verifikues të udhëhequr nga ambasadori Walker”.

“ Ky mision ishte dëshmitar i një prej masakrave më të tmerrshme në vendimin tonë, masakrën e Reçakut, ku u vranë 45 civilë – e cila ishte një nga mbi 400 masakrat e kryera nga aparati shtetëror serb në Kosovë. E vërteta për këtë masakër ekspozoi brutalitetin që po përballonte Kosova dhe ndihmoi në nxitjen e ndërhyrjes së NATO-s”, ka thënë Kurti.

Zyra e Kryeministrit tregoi se Kurti ka nënvizuar se gjatë viteve OSBE-ja ka ndihmuar shtetin tonë në ngritjen e një demokracie më të fuqishme duke investuar në sigurinë dhe të drejtat e njeriut.

“Në një kohë kaq të rëndësishme për sigurinë e vendit dhe rajonit, jam mirënjohës për profesionalizmin, kujdesin dhe mbështetjen e treguar, si dhe për pasionin për të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, demokracinë dhe prosperitetin e popullit dhe shoqërisë sonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti viziton akademik Qosjen për 88- të vjetorin e lindjes: Puna e tij prej vigani e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,ka vizituar akademikun Rexhep Qosja me rastin e 88 vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se puna e tij si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe si kritik letrar i shquar, e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:

Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë.

Sot pata nderin të vizitoj shtëpinë e autorit të shquar për ta uruar personalisht për ditëlindjen e tij të 88-të.

Kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë. Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore.

Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!/ KultPlus.com

Nderohet albanologu Mehmet Rukiq

Instituti Albanologjik ka mbajtur mbledhje përkujtimore për albanologun e ndjerë, Mehmet Rukiqi. Me këtë rast u tha se Rukiqi ka dhënë kontribut të madh në pajtimin e gjaqeve, ndërsa vdekja e tij u cilësua si boshllëk i madh për Institutin.

Me këtë rast u tha se ai gjatë gjithë karrierës së tij nuk u ndal së dokumentuari folklorin.

“Në folkloristikën kosovare konsiderohet si një ndër nxënësit dhe studentët më të zellshëm të Anton Çettës. Me profesorin Anton Çetta bashkëveproi ngushtë në një ndër lëvizjet më të rëndësishme në historinë e vendit Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve”, tha Lulzim Lajqi, drejtor i IAK-së.

“Gjyshin Mehmet e kam të vështirë ta prezantojë në të gjitha dimensionet e tij. Në vogëlsinë time e kam të vështirë të përmbledhë me pak fjalë të denja për një fjalë rasti në këtë ceremoni për tërë atë trashëgimi çka na e la gjyshi”, tha nipi i të ndjerit, Berat Rukiqi.

Shoku e kolegu i tij shumëvjeçar, akademik Mehmet Halimi, e përkujtoi përmes një anekdote të tij.

“Në të pame kur të shkojnë, tha: Po thotë hoxha s’ka qare pa vdekë. Njëri prej tyre e shtroi një pyetje: A bon mos me vdekë? Tha: Bon. Qysh? Ai që punon për popull e atdhe nuk vdes kurrë. Ne jemi të përkohshëm, ndërsa veprimtaria jonë është e përhershme. Mehmet Rukiqi nuk vdes kurrë. Veprimtaria e tij mbetet e përjetshme”, tha Halimi.

Mehmet Rukiqi njihet si autor i vëllimit të veprave “Anekdota popullore” e “Këngë dasmash” dhe misionit të tij të mbledhësit të krijimtarisë gojore shqiptare së bashku me Anton Çettën.

Mehmet Rukiqin punoi në Institutin Albanologjik të Kosovës për 30 vjet./ rtk/ KultPlus.com

“Makiavelizmi”

“Të gjithë të vlerësojnë për atë që dukesh. Pak e kuptojnë se çfarë jeni”.

Shkrimtari, historiani, burrështeti dhe filozofi italian, është një nga personazhet themelore të Rilindjes.

Ashtu si Leonardo da Vinçi, Makiaveli konsiderohet shembull tipik i përfaqësuesit rilindës. Jetoi në kapërcyellin e shekujve XV dhe XVI, Makiaveli ishte një nga mendimtarët më të mëdhenj politik të të gjitha kohërave. Atij i detyrohemi për perceptimin e ndarjes së politikës nga morali dhe feja. Parimi i tij kryesor ishte, që kushdo që mban pushtetin, në formën e një republike apo principate, duhet të përdorë të gjitha mjetet për të garantuar mirëqenien dhe integritetin e shtetit. Koncept që është zvogëluar në thënien e famshme: “Qëllimi justifikon mjetet” (edhe pse asnjëherë e shqiptuar nga Makiaveli). Si rrjedhojë, politika ka një detyrë shumë të lartë, por tërësisht tokësore: t’i japë njerëzimit institucione të afta që t’u garantojë atyre një rend të mirë civil.

Makiaveli, autori i kryeveprës “Princi”, është një gjuhë e shpejtë dhe virtuoze, si vetëtima e natës apo reflektimi verbues i shpatës në diell; një përdorim i paparë i të folurit fiorentin që ujit gjithë italishten moderne: gjuha është e saktë, e qartë, e mprehtë. Tek ai gjejmë njëherazi brevitat e latinëve thyer me leximin e Tacitit dhe Tit Livit; shpirti praktik i burrështetasit, i cili s’ka kohë të humbasë në filozofitë e pafundme; dëshira e zjarrtë për t’u ngjitur sa më pranë realitetit – nuk është rastësi që Makiaveli parapëlqen të prekurit e panoramës, të cilën e konsideron shumë të largët. Jean Giono me të drejtë thekson se Makiaveli është një nga teoricienët e rrallë politikë (në mos i vetmi), për të cilin klima dhe stinët, peizazhet dhe ugaret mbartin një rëndësi thelbësore. Makiaveli shprehet: “Nata, shiu, balta, moçali, era, korija, ura, kodra, dielli, rrafshina”; sikur fytyrën e vërtetë të vendit ta sodiste me fragmente, përmes historisë dhe politikës.

Mbetet fakt që Makiavelin e shtyu halli të bëhej “shkrimtar politik”, po njëherazi edhe për t’u marrë me diçka në humbëtirën e internimit dhe fushatës së tij (ishte Sekretar i Kancelarisë në Republikën Fiorentine dhe e gjeti veten të përjashtuar nga çështjet në kohën e restaurimit Medicis), por edhe për t’u rikthyer në favor të të fuqishmëve të momentit. Kështu, të shkruarit u përjetua nga fiorentini si një parantezë dhe një kthesë. Ironi e historisë: do të shkruajë deri në fund të jetës së tij dhe pikërisht kthesa e detyruar do ta shndërrojë në një shkrimtar të pavdekshëm.

Makiavelizmi

Ndikimi i ushtruar nga mendimi politik i Makiavelit ka qenë i jashtëzakonshëm dhe vazhdon të jetojë në botën bashkëkohore. Nga njëra anë, konsiderohet mik republikan i lirisë, nga ana tjetër, një armik i betuar i parimeve të shëndosha të moralit dhe fesë. Nga kjo tendencë e dytë vërshuan rrymat e kritikës së mendimit të tij të reduktuar në makiavelizëm, për të cilën qëllimi justifikon mjetet. Sot makiavelizmi është sinonimi i politikës së forcës, të paskrupullt e të pamoralshme, në dobi të së cilës të gjitha mjetet janë të mira. Hipoteza bazë e kësaj teorie është se çdo njeri e di çfarë do dhe se, sipas kritereve të arsyeshme, zgjedh mjetet që i shërbejnë më mirë realizimeve të synimeve të tij. Qe filozofi i parë që hartoi teorinë e racionalizimit praktik, duke i kthyer shpinën mendimit mesjetar. Në një kohë kur mendimi mesjetar i linte fare pak hapësirë lirisë së vendimit të individit, madje nuk kishte të drejtë të vendoste kundër urdhrit të Krijimit, pra kundër shpëtimit të tij, njeriu i Rilindjes është thellësisht i pushtuar nga ndjenja e jetës: ai mund dhe duhet të vendosë vetë si individ, për atë që është më e mirë dhe e drejtë për të.

De Sanctis, studiuesi që e ka komentuar më së miri, thoshte: “Ai na godet befasisht dhe na përhumb në mendime”. Makiaveli nuk ka kohë të hapërdahet në të mirat dhe të këqijat e regjimeve të ndryshme ideale, siç bën çdo filozofi politike që nga Aristoteli; ai heq dorë nga qëllimi normativ i mjeshtërve të skolastikës, duke parapëlqyer të analizojë dhe të vlerësojë ekzistuesen pa iu referuar botës së prapavijës. Refuzimi i çdo teorie të drejtësisë, të çdo vlerësimi moral, dëshira për të përqafuar realitetin, duke e përshkruar me përpikërinë më të mirë të mundshme, pikërisht atje e gjejmë tharmin e shkencës së re politike. Shkenca politike makiaveliane, ashtu si shkencat shoqërore disa shekuj më vonë, nis nga realja dhe jo nga parimet. Natyrisht, për Makiavelin, mbërritja tek vërtetësia efektive e çështjes nuk do të thotë që të hedhim poshtë mësimet e historisë në favor të të vetmit aktualitet. Përkundrazi, pa orvatjen e funksionimit të pikëpamjes, tabloja e të tashmes do të përngjante me natyrat e vdekura që të kujtojnë frutat e fishkura. Vetë Makiaveli thotë: “Mirëkuptimi i asaj që luhet këtu dhe tani nënkupton dy aktivitete të pandashme dhe paralele, domethënë “përvoja e gjatë e çështjeve moderne dhe leximi i vazhdueshëm i çështjeve antike”.

Një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore

Në fakt, çfarë vërejmë nëse i kushtojmë rëndësinë e duhur cose umane (çështjeve njerëzore)? Që shoqëria nuk është një unitet abstrakt dhe me taban të përsosur, por, përkundrazi, një trillim problematik, një varg ndjenjash shoqërore që Makiaveli i quan umori (gjendje shpirtërore). Këto umori janë të shumëfishta, ato ndryshojnë nga një moment historik në tjetrin; ka emocione vetjake dhe emocione kolektive dhe shoqëria është një gërshetim i ndërlikuar dhe i pakalueshëm i emocioneve individuale dhe kolektive. Në rendin e afekteve shoqërore, të paktën dy prej tyre i hasim vazhdimisht, si në përvojën e çështjeve moderne, po aq edhe në leximin e çështjeve antike: umori të papajtueshëm të Fuqive të Mëdha dhe të Popullit. Në njëfarë mënyre një fakt social i plotë. Do ishte e gënjeshtërt nëse hamendësojmë se një konflikt i tillë mund të zgjidhet në unitetin paqësor të një shoqërie të pajtuar. Përkundrazi, duhet ta gjallërojmë.

Ç’të themi? Afektet nuk mund të shuhen, por mund të konvertohen në energji pozitive shoqërore, qoftë nga zotësia dhe virtyti i princit që i sundon, qoftë nga cilësia e institucioneve dhe ligjeve që i rrethojnë. Prandaj, një “shoqëri e mirë” nuk është një kolektiv njerëzor i njëzëshëm, qeverisur sipas parimeve mbinjerëzore, por thjesht një ekonomi e mirë e pasioneve shoqërore. Pikërisht këtu ndahet me më shumë vendosmëri shkenca e re politike nga ajo e vjetra. Dhe nëse ekziston ndonjë referencë e jashtme ndaj politikës, ajo nuk duhet kërkuar në një shoqëri prapavije dosido, por në fisnikërinë e njeriut. Për të kuptuar politikën, duhet të kuptojmë njeriun, pasionet e tij, “ligësinë e tij”, do të thoshte Makiaveli – term që nga pena e tij, nuk tingëllon aspak si gjykim moral, gabimet e tij… sikundër entomologu vëren me qetësi, sjelljen e fluturave dhe vemjeve. / Konica.al / KultPlus.com

Sonda kineze kthehet në Tokë me mostra shkëmbore nga ana e errët e Hënës

Sonda hënore e Kinës ”Chang’e-6” u kthye në Tokë me mostrat e para të shkëmbinjve të marra nga ana e errët e Hënës, duke shënuar një moment historik të madh për programin hapësinor të vendit dhe eksplorimin e njerëzimit për fqinjin tonë më të afërt.

Kapsula u ul në stepat e rajonit verior të Kinës të Mongolisë së Brendshme, treguan imazhe të drejtpërdrejta nga televizioni shtetëror kinez.

Kina solli për herë të fundit mostra shkëmbore në dhjetor 2020.

SHBA dhe BS kryen misionet e tyre në vitet 1960 dhe 1970.

Megjithatë, ky ishte misioni i parë për të rikuperuar mostra nga ana e Hënës, e kthyer nga Toka.

Shkencëtarët shpresojnë të japin informacion të ri mbi historinë e formimit të satelitit të Tokës.

Aeroplani hapësinor ”Chang’e-6”, i quajtur sipas perëndeshës kineze të hënës, u ul në rajonin e Polit Jugor të Hënës-Basinit Aitken më 2 qershor.

Studiuesit kinezë supozojnë se mostrat e raportuara do të përbëhen nga shkëmbi vullkanik 2,5 miliardë vjeçar.

Mostrat mund të përmbajnë gjithashtu gjurmë të ndikimeve të mëparshme të meteorit, të cilat mund të ofrojnë të dhëna se si u formua sistemi ynë diellor./ atsh/ KultPlus.com

Sot Dita Ndërkombëtare e Detarit

Organizata Ndërkombëtare Detare (IMO), 25 qershorin e ka shpallur si “Dita e Detarit” duke njohur kështu kontributin që japin detarët në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë botërore, shpesh me sakrifica të mëdha në jetën e tyre personale dhe të familjeve të tyre.

Dita e Detarit u festua për herë të parë më 2011, duke pasuar kështu themelimin e kësaj dite në qershor të vitit 2010, në Manila të Filipineve, me rezolutën e pranuar nga Konferenca e Palëve në Konventën Ndërkombëtare mbi Standardet e Stërvitjes, Certifikimit dhe Ruajtjes për Detarët të vitit 1978. Dita e Detarit tashmë është përfshirë në listën vjetore të kremtimeve të Kombeve të Bashkuara.

‘Në sofrën time ka speca, bukë e kripë…’

Poezi nga Nâzım Hikmet

Ditët sa vijnë e gjymtohen,
shirat janë në të zbrazur,
dera ime, deri në fund ty të pret e hapur..

Pse mbete kaq vonë???

Në sofrën time ka speca, bukë e kripë,
Në një kutruve, verën që ruajta për ty,
E piva deri në gjysmë i vetëm,
duke të pritë…
Pse mbete kaq vonë???

Por ja frutat e mjalta
Qëndrojnë në degë, të pjekura flakë,
Do të binin në tokë,
Nëse do vonoheshe edhe pak!.. / KultPlus.com

Konfirmohet ekipi olimpik i xhudos, Kuka: Caku, medalja olimpike

Tashmë është kompletuar ekipi olimpik i xhudos që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpik ‘Paris 2024’.

Trajneri i Kosovës, Driton Kukat të martën përmes llogarisë së tij në Facebook, ka konfirmuar ekipin olimpik të xhudos.

Akil Gjakova, Distria Krasniqi, Nora Gjakova, Laura Fazliu dhe Loriana Kuka janë xhudistët që do ta përfaqësojnë Kosovën në Paris. Trajneri Driton Kuka ka thënë se caku do të jetë medalja olimpike.

“Për një ditë të mirë miq … Sot zyrtarisht konfirmohet mbyllja e kualifikimit për Lojëra Olimpike! Lista e ekipit tonë. Punë e madhe e përkushtim tash shkojmë tutje. Caku medalja Olimpike. Do Zoti shpaguhet mundi dhe puna e këtij ekipi dhe mbarë federatës tonë me medalje Olimpike të radhës”, ka shkruar Kuka.

Eliminimi i kuqezinjve nga Euro 2024, BBC: Shqipëria bëri paraqitje të guximshme, fitoi shumë admirues

Shqipëria nuk ka luajtur asnjëherë në një Botëror dhe kjo ishte hera e dytë që ajo shfaqet në Kampionatin Evropian, tetë vjet pasi nuk arriti të dilte nga faza e grupeve.

Detyra e tyre dukej gjithmonë jashtëzakonisht e vështirë, pasi ata u vendosën në një grup me Spanjën, kampionët në fuqi të Italisë dhe finalistët e Kupës së Botës 2018, Kroacinë.

Por ata fituan shumë admirues me shfaqje të guximshme.

Ata shënuan pas vetëm 23 sekondash për të kaluar në epërsi ndaj Italisë me golin më të shpejtë në historinë e Europianit. Ata humbën përfundimisht 2-1 ndaj Azzurrit, por në ndeshjen e tyre të dytë ndaj Kroacisë ata shënuan golin e barazimit 2–2 në minutën e pestë shtesë.

Shqipëria luftoi fort kundër Spanjës me zëvendësuesin Broja, duke rrezikuar shumë dhe duke iu afruar golit, që do t’i kishte bërë të zinin vendin e tretë në grup dhe të mbanin të gjalla shpresat shumë të pakta për kualifikim./ BBC/ KultPlus.com

Nadin Gordimer: Dashuria dhe politika

Jam e mendimit se dyshimi është një nga shfaqjet esenciale, prej të cilit ne hetojmë gjërat që të gjejmë pakëz të vërtete. Bota është shumë e ndërlikuar: duhen mësuar gratë, njerëzit, fëmijët; duhet studiuar ajo që kanë thënë, madje, edhe kuptimi i lëvizjeve dhe i gjesteve të tyre. Ai më nxit për hulumtime, sepse për shkak të angazhimit, është e rrezikshme të jesh shumë i sigurt dhe të mendosh se e vërteta është plotësisht në anën tonë. Gjithmonë duhet pasur dyshim nga pak, duhen bërë pyetje, madje, edhe të kundërta me ato që përjetojmë. Kjo është një mister, sepse unë kam parë shumë njerëz të guximshëm. Për mua është një enigmë, sepse disa njerëz nga koha në kohë janë tepër kurajoz në jetën politike, por që nuk janë të tillë edhe në raportet vetjake. Kjo ndodh sepse qeniet njerëzore janë plot mangësi, kurse shenjtorët nuk ekzistojnë. Dashuria është shumë, shumë e rëndësishme. Shpesh kam folur dhe kam shkruar se ekzistojnë dy gjëra që vënë në lëvizje njerëzit, të cilave ata nuk mund t’u kundërvihen e që janë forcat kryesore lëvizëse: dashuria dhe politika. Këto janë dy forca të fuqishme. Dashuria gjithmonë është e rëndësishme, ajo është një dukuri joshëse, misterioze. Kur njeriu kalon moshën, mund të shfaqet një aspekt tjetër i dashurisë që nuk është as tërësisht miqësi, por as tamam dashuri. Kjo është diçka e ndërmjetme. Një miqësi e tillë mund të ekzistojë midis burrit dhe gruas, por që nuk është seksuale, sepse jeta seksuale për të dy vazhdon në jetën private, kurse miqësia e tyre është diçka e veçantë. Jam e bindur se midis qenieve njerëzore kemi një fytyrë tjetër të dashurisë, të cilën ne ende nuk e kemi zbuluar dhe kjo temë më tërheq shumë. Kjo është edhe tema e librit tim të ri… Në çfarëdolloj moshe një burrë dhe një grua mund të dashurohen, por kjo dashuri mund të mos mbështetet në marrëdhënien seksuale. Miqtë janë shumë të rëndësishëm për mua, sepse nuk jam e lidhur shumë me familjen. Kjo do të thotë se, krahas fëmijëve të mi dhe burrit, familja ime përbëhet edhe nga miq, të cilët i dua shumë. Ne kemi të njëjtat ide politike. Bashkërisht kemi luftuar dhe kjo ka shumë rëndësi, sepse këto janë lidhje solide. Nuk mund të mbash miqësi me dikë që është racist, sepse është jashtë arsyes. Kam konstatuar se në një familje vëllezërit dhe motrat janë bërë armiq midis tyre për shkak të politikës. Kjo ndodh gjithandej. Nuk mund të durohet një racist, nëse ju nuk jeni i tillë, gjë që është e kuptueshme. /Hejza/ KultPlus.com

Ndodh edhe kjo, skuadrës së Xhakës dhe Shaqirit i vjedhin laptopët në prag të ndeshjes me Italinë

Trajnerëve të Zvicrës iu vodhën kompjuterë në Duseldorf gjatë Euro 2024, megjithëse asnjë të dhënë ose informacion sensitiv për ndeshjen e tyre të radhës kundër Italisë nuk është komprometuar, tha skuadra të martën.

Analistët video përgjegjës për përgatitjen e të dhënave dhe informacionit taktik për trajnerët e ekipeve nuk u rrezikuan pasi ishin në kampin e Zvicrës në Shtutgart, tha një zëdhënës i ekipit, duke konfirmuar se tre laptopë ishin marrë.

Të prekurit ishin pjesë e një delegacioni trajnerësh të rinj të ekipit kombëtar që po udhëtonin nëpër Gjermani për të vëzhguar dhe analizuar ndeshjet, bën të ditur Reuters.

“Asnjë e dhënë e ndjeshme apo asnjë informacion në lidhje me ndeshjen e ardhshme kundër Italisë nuk ka humbur”, tha zyrtari në një email.

Zvicra ka arritur në fazën eliminatore të turneut të saj të gjashtë radhazi të madh dhe do të luajë kundër Italisë në Berlin të shtunën.

Thënie për jetën nga ikona e muzikës pop, Michael Jackson

“Përpara se të më gjykosh, përpiqu fort të më duash”.

“Të lutem, ndiqi ëndrrat! Pavarësisht idealeve të tua, ti mund të bëhesh ai që dëshiron të bëhesh”.

“Unë mund ta pranoj dështimin. Secili nga ne dështon në diçka përgjatë jetës së vet, por unë nuk mund ta pranoj dot të mos e provoj sërish”.

“Gjithmonë beso tek vetja. Pavarësisht nëse të tjerët rreth teje po tregohen negativë, apo po të përçojnë energji negative, mos i merr parasysh mendimet e tyre, sepse ti do të bëhesh, ashtu siç ti beson se do të bëhesh”.

“T’i japësh dikujt një pjesë të zemrës tënde, është shumë herë më me vlerë se t’i japësh gjithë pasurinë e botës”.

“Nëse ti nuk beson tek vetja jote, asgjë e mirë nuk do të të ndodhë në jetë. Nëse ti nuk beson tek vetja, kush tjetër do të të besojë ty?”

“Le të ëndërrojmë për një të nesërme ku do të dashurojmë me shpirt, dhe do ta njohim dashurinë si të vërtetën e vetme që buron nga zemra për çdo krijesë”.

“Është më mirë të dështosh duke qenë vetvetja, se sa të korrësh sukses duke imituar të tjerët”.

“Dikush dikur tha “Shpirti është ai që ka rëndësi””.

“Jini modestë, besoni tek vetja juaj dhe mbusheni zemrën tuaj me dashurinë e gjithë botës”

– Michael Jakson./ KultPlus.com