Përherë të kujtoj


Poezi e shkruar nga ohann Wolfgang von Goethe. 

Përherë të kujtoj,
kur dielli mbi dete, ndriçon për mua
Përherë të kujtoj,
kur hëna mbi re, shkëlqen mbi krua.

Përherë të kujtoj,
kur pluhuri mbi shtigje, zë e ngrihet ne erë
Në natë e terr,
kur ecën nëpr brigje, shtegetari i mjerë.

Gjithë të ndëgjoj, kur ngrihet valë e thellë
Duke buçitur
Kur zë përgjoj mes pyjeve pa diell
Dhe të nemitur
Gjithë jam me ty: dhe ngado qofsh larguar…..

Të shoh matanë
Po ngryset: ndrisin yjet e pambaruar
Oh, të ishe pranë…/KultPlus.com

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v80), quality = 75

Jennifer Lopez anulon turneun e saj veror në Amerikën e Veriut

“Jennifer po merr pushim për të qenë me fëmijët e saj, familjen dhe miqtë e ngushtë,” sipas një deklarate nga organizatorët e turneut Live Nation për AP.

Turneu do të ishte i pari i saj në pesë vjet, duke promovuar albumin e saj të parë solo në dhjetë vjet, ‘This Is Me…Now’, si dhe filmin shoqërues, në të cilin ajo shfaqet me bashkëshortin e saj të famshëm, aktorin Ben Affleck.

Turneu ishte menduar të fillonte më 26 qershor në Orlando, Florida dhe të përfundonte në Hjuston më 31 gusht.

Organizatorët thanë se atyre që kanë blerë tashmë biletat do t’u kthehen paratë.

Këngëtarja u shkroi fansave të saj në faqen e saj OntheJlo se ishte zemërthyer që duhej të anulonte turneun dhe se ndjente se kishte zhgënjyer audiencën e saj në atë mënyrë.

Ditët e mëparshme, tabloidët raportuan për shitje relativisht të dobëta të biletave për koncerte, por edhe për marrëdhënie të këqija martesore, për shkak të të cilave bashkëshortët e famshëm nuk jetojnë më bashkë. Jennifer dhe Ben nuk i komentuan thashethemet, por ata u shfaqën disa herë bashkë gjatë muajit maj.

Albumi “This Is Me… Now” u publikua në fillim të këtij viti, 20 vjet pas albumit të saj hit “This Is Me… Than”./KultPlus.com

2 qershor 1961, shpallen qytetet-muze të Shqipërisë

Gjirokastra, Berati, nëntoka e Durrësit dhe Pazari i Vjetër i Krujës, sot disa nga vendet më të vizituara nga turistët, u shpallën “Qytete-muze” më 2 qershor 1961.

Arkivi Qendror i Shtetit sjell sot vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 170 mbi shpalljen e qyteteve-muze, ku u aprovua edhe rregullorja për administrimin e këtyre vendeve.

Në dokumente përcaktohet qartë rëndësia që duhej t’u jepej monumenteve, por edhe banesave private që gjendeshin në këto qytete. Bashkë më përgjegjësinë e shtetit edhe qytetarët merrnin me vete përgjegjësitë për të ruajtur trashëgiminë e qyteteve-muze.

Sot Gjirokastra, Berati, dhe Amfiteatri i Durrësit janë në UNESCO si thesare të botës, por edhe atëherë kur Shqipëria ishte një vend i ilzoluar nga bota, rëndësia e kulturës, së bukurës, traditës dhe autentikes vlerësohej, në atë kohë me termin “qytete-muze”./atsh/KultPlus.com

Tregim nga Cynthia Ozick: Shalli

Cynthia Ozick (1928), romanciere, tregimtare dhe eseiste amerikane. Më 1971 i ishte ndarë Edward Lewis Wallant Award dhe National Jewish Book Award për përmbledhjen me tregime ‘The Pagan Rabbi and Other Stories’. Më 1977 The National Jewish Book Award for Fiction për përmbledhjen ‘Bloodshed and Three Novellas’. Më 1977 mori Diamonstein-Spielvogel Award for the Art of the Essay për përmbledhjen me ese ‘Fame and Folly’. Më 2000 fitoi National Book Critics Circle Award për përmbledhjen eseistike ‘Quarrel & Quandary. Më 2008, PEN/Nabokov Award dhe PEN/Malamud Award

SHALLI

Nga Cynthia Ozick

Stella, ftohtë, ftohtë, ftohtësi ferri. Po si ecnin rrugës tok, Roza me Magdën e tulatur për gjinjve të bërë varrë, Magda e mbështjellë në një shall. Nganjëherë Stella e bartte Magdën. Por ajo ishte xheloze me Magdën. Një vajzë e hajthme katërmëbdhjetë vjeçe, tejet e vockël, me gjinjtë e vetë të paktë, Stella donte të ishte e mbështjellë në shall, të strukej në të, përgjumshëm, të përkundej nga ecja, si bebe, një foshnjë e rrumbullakët në krah. Magda e mori thimthin e Rozës dhe Roza nuk ndalej fare së ecuri, një ecje përkundëse. Nuk kishte qumësht më; nganjëherë Magda thithte ajrin; mandej piskaste. Stella ishte e uritur. Gjunjët e saj ishin tumorë në shkopinj, bërrylat e saj kockëza zogu.

Roza s’e ndiente urinë; ajo ndihej e lehtë, jo si dikush që ëshë duke ecur, por si dikush në zali, në dëlir, e ngecur në një gjendje tërbimi, dikush që tashmë është një engjëll fluturues, në gjendje gatishmërie dhe duke parë gjithçka, por në ajër, jo aty, jo duke e prekur rrugën. Si të ishte duke u luhatur maje gishtave. E shikoi fytyrën e Magdës përmes një vrimë në shall: një ketër në fole, e mbrojtur, askush nuk mund ta mbërrijë atë brenda shtëpisë së vockël të shallit me pala. Fytyra, bukur e rrumbullakët, një pasqyrë xhepi e një fytyre: por nuk ishte çehrja e zezë e Rozës, e errët si kolera, ishte një lloj krejtësisht tjetër i fytyrës, sy të kaltër si ajri, pupla të vockla flokësh përafërsisht të verdha si yjet e qepura në pallton e Rozës. Mund të të shkonte mendja se ajo ishte një prej bebeve të tyre.

Roza, duke fluturuar, ëndërroi ta jepte Magdën në ndonjë fshat. Mund ta lërë radhën për një minutë dhe të hedhë Magdën në duart e ndonjë gruaje në anë të rrugës. Por nëse del nga rreshti, ata mund të qëllojnë. E edhe nëse largohet nga rreshti për vetëm gjysëm sekonde dhe e shtyn shall-dëngun kah ndonjë e panjohur, a do ta marrë ajo grua atë? Mund të zihet në befasi, ose të preket; mund ta lëshojë shallin dhe kështu Madga do të binte poshtë, do ta përplaste kokën dhe do të vdeste. Kokën e vockël të rrumbullakët. Sa fëmijë i mirë, nuk piskaste më dhe tash po thithte thjesht për shijen e thimthit të tharë. Shtrëngimin e thjeshtë të mishrave të dhëmbëve. Një maje vocërrake e dhëmbit duke u ngjitur në mishin e poshtëm, sa shkëlqyese, një gurvarri imcak me një bardhësi të mahnitshme duke ndritur aty. Pa u ankuar Magda hoqi dorë nga gjinjtë e Rozës, së pari nga i majti, pastaj nga i djathti; që të dy ishin të plasaritur, as edhe një gërçamë qumështi. Një kanal i çarë i tharë, një vullkan i vdekur, sy verbër, zgavër e ftohtë, kështu që Magda mori qoshkun e shallit dhe e moli në vend të tij. Thithi e thithi duke e vërshuar fytin me lagështi. Aroma e mirë e shallit, qumësht të linjtash.

Ishte një shall magjik, mund ta ushqente një foshnjë për tri ditë dhe tri net. Magda nuk vdiq, mbeti gjallë, po ashtu bukur e qetë. Një erë e veçantë, kanelle dhe bajameje, dilte jashtë nga goja e saj. I mbante sytë hapur pandërprerë, duke harruar si t’i kapsite a si të dremise dhe Roza dhe nganjëherë edhe Stella rrëmonin me sy kaltrësinë e saj. Në rrugë e ngrenë lart njërën anë të shallit njëherë te njëra këmbë pastaj të tjetra studiuan fytyrën e Magdës. “Ariane”, tha Stella me një zë të hollë si tell; dhe Roza mendoi se si Stella e shikonte Magdën si një kanibal i ri. Dhe në çastin që Stella tha “ariane”, Rozës i tingëlloi sikur Stella kishte thënë në të vërtetë: “Hajt ta kollofitim”.

Por Magda jetoi të ecte. Jetoi aq gjatë, megjithëse nuk ecte shumë mirë, pjesërisht ngase ishe vetëm njëmbëdhjetë muajshe dhe pjesërisht ngase boshtet e këmbëve të saj nuk mund ta mbanin barkun e saj të fryrë. Ishte i fryrë me ajër, dëng dhe rrumbullak. Roza ia jepte pothuajse tërë ushqimin e vet Magdës, Stella nuk i jepte gjë; Stella ishte e uritur, edhe ajo vetë një fëmijë duke u rritur, por nuk po rritej aq shumë. Stella nuk menstruonte. Roza nuk menstruonte. Roza ishe e uritur, por edhe jo; ajo mësoi nga Magda se si të pinte shijen e një gishti në gojën e vet. ishin në një vend të pamëshirshëm, e gjithë mëshira ishte asgjësuar te Roza, ajo i shikoi eshtrat e Stellës pa mëshirë. Ishte e sigurt se Stella po priste për Magdën të vdiste ashtu që të mund t’ia ngulte dhëmbët në kofshët e saj të vockla.

Roza e dinte se Magda do të vdiste shumë shpejt; duhej të ksihte vdekur prej kohësh, por ajo ishte varrosur thellë brenda shallit magjik, ku e ngatërronin për bregun dridhës të gjinjve të Rozës; Roza u puthit për shallit thua se ajo vetë ishte e mbështjellë me të. Askush nuk do t’ia merrte. Roza ishte e heshtur. Ajo nuk qante kurrë. Roza e fshehu në barakë, nën shall, por e dinte se një ditë dikush mund ta padiste; ose një ditë dikush, mbase dhe vetë Stella, do ta vidhte Magdën që ta hante. Kur Magda nisi të ecte, Roza e kuptoi se Madga do të vdiste së shpejti, diçka do të ndodhte. Nuk mund të flinte nga meraku; flinte me peshën e kofshës së saj në trupin e Magdës; tutej mos po e mbyste Magdën nën kofshën e saj. Pesha e Rozës po bëhej seç herë e më e paktë; Roza dhe Stella ngadalë po ktheheshin në ajër.

Magda ishte e qetë, por sytë e saj lëvrinin gjithë llahtar, si tigra të kaltër. Shikonte. Nganjëherë qeshte – dukej si e qeshur, po si mund të ishte diçka e tillë. Magda kurrë s’e kishte parë askënd duke qeshur. Prapëseprapë, Magda qeshi në shallin e saj kur era i çoi lart qoshet e tij, era e ligë me copëza të zeza në të, që i bëri sytë e Rozës dhe Stellës të lotonin. Sytë e Magdës ishin përherë të pastër dhe pa lot. Shikonte si tigër. E mbrojti shallin e saj. Askush nuk mund ta prekte; veç Roza mund ta prekte. Stellës nuk i lejohej. Shalli ishte bebja e Magdës, macja e saj, motra e saj e vockël. U pështoll në të dhe e thithi njërin skaj të tij kur deshi të qetohej me tamam.

Atëherë Stella ia hoqi shallin dhe e bëri Magdën të vdiste.

Pas kësaj Stella tha: “Pata të ftohtë”.

Edhe pa kësaj ajo prapë kishte të ftohtë, gjithë kohës. I ftohti hyri në zemrën e saj: Roza e pa se zemra e Stellës ishte e ftohtë. Magda ra përpara me këmbët e saj të vockla si kalem duke shkarravitur andej e këndej, në kërkim të shallit; kalemët çapitën nëpër barakën e hapur, aty ku kishte dritë. Roza e pa dhe e ndoqi. Por tashmë Magda ishte në sheshin para barrakës, në dritën e hareshme. Ishte arena e apelit. Për çdo mëngjes Roza duhej ta fshihte Magdën në shall te muri i barakës dhe të dilte jashtë të rrinte në arenë me Stellën dhe njëqind të tjerë, nganjëherë me orë të tëra dhe Magda, vetëm, ishte e qetë nën shall, duke e thithur skajin e tij. Çdo ditë Magda ishte e heshtur dhe kështu nuk vdiq. Roza pa se sot Magda do të vdiste dhe në të njëjtën kohë një gëzim i paanë ra në të dy pëllëmbët e Rozës, grishtërinjtë e saj po digjeshin, ajo ishte e mahnitur, në ethe: Magda, në dritën e diellit, duke u kolovitur në këmbët e saj kalem, po hungërinte. Prej se thimthat e Rozës kishin qenë të tharë, prej se Magda kishte lëshuar britmën e fundit në rrugë, nga goja e Madgës nuk ishte dëgjuar një rrokje e vetme; Magda ishte memece. Roza besonte se diçka kishte shkuar keq me kordat e saj vokale, me kanalin e saj të feymëmarrjes, me zgavrën e laringut të saj; Magda ishte e gjymtë, pa zë; me gjasë ishte e shurdhër; mund të kishte diçka të keqe me inteligjencën e saj; Magda ishte e pagojë. Edhe e qeshura që erdhi kur era e mbështjellë nga pluhuri e shndërroi shallin e Magdës në një kloun ishte vetëm ajër i shfryrë që dilte nga dhëmbët e saj. Edhe kur morrat, koka dhe trupi i morrave, e marrosën atë aq sa të bëhej e egër si ata minjtë e mëdhenj që ia mësynin barakave në agim në kërkim të kërmave, ajo u krua, u gërvisht, i ra, i qëlloi vetes dhe u rrotullua pa rënkuar. Po tash goja e Magdës ishte duke nxjerrë një varg veshtullor të gjatë zërash.

“Maaaa…”.

Qe zhurma e parë që Magda e kishte nxjerrë ndonjëherë nga fyti i saj prej se Rozës i ishin tharë thimthat.

“Maaaa… aaa!”.

Përsëri! Magda ishte duke u vërtitur në dritën e rrezikshme të diellit në arenë, duke u shkarravitur në ato kërcenj të lakuar, të vockla, për keqardhje. Roza e pa. Ajo e pa se Magda ishte e hidhëruar nga humbja e shallit të saj, e pa se Magda do të vdiste. Një rrymë urdhrash rrahën në thimthat e Rozës: Nxirr, jep, sill! Po ajo nuk dinte pas cilës të shkonte së pari, pas Magdës apo pas shallit. Nëse kërcente jashtë në arenë të kapte Marën, hungurima nuk do të ndalej, ngase Magda prapë do të donte ta kishte shallin; por nëse ngarend në barrakë të gjejë shallin dhe nëse e gjen atë, nëse kthehet te Magda duke e mbajtur në dorë dhe duke e valëvitur, atëherë ajo do ta kthejë Magdën brenda, Magda do të fusë shallin në gojë dhe do të bëhet memece prapë.

Roza u fut në terr. Ishte e lehtë të zbulonte shallin. Stella ishte strukur nën të, përgjumur në eshtrat e saj të imta. Roza e liroi shallin dhe fluturoi – ajo mund të fluturojë, ajo ishte veç ajër – në arenë. Dielli përvëlues murmuriti për një jetë tjetër, për fluturat në verë. Drita ishte e qetë, e butë. Nga ana tjetër e gardhit të çeliktë, tutje më larg, kishte livadhe të gjelbra të pikëluara me lulerradhiqe dhe manushaqe me ngjyra të mbyllëta; mbrapa tyre, edhe më larg, zambakë të këndshëm me lara, që vinin në pah kokat e portokallta. Në barakë flisnin për “lulet”, për “shiun”: jashtëqitjen, gërshetat e trasha, për ujvarën e ngadaltë të pistë ngjyrgështenjë që përvidhej nga krevatet e sipërme, erën e keqe të prëzier me një tym të hidhët të fortë bredhës që vajoste lëkurën e Rozës. U ndal për një çast në pragun e arenës. Nganjëherë elektriciteti brenda gardhit dukej sikur zukaste; edhe Stella tha se ishte thjesht imagjinata e saj, por Roza dëgjoi tinguj të vërtetë nga teli përçues: zëra të trishtë grimcorë. Sa më larg gardhit që ishte, aq më pastër i vinin zërat. Zërat ankues zhangëllinin aq bindshëm, aq me pasion, sa ishte e pamundshme të dyshoje se ishin iluzorë. Zërat i thanë të mbante lart shallin, shumë lart; zërat i thanë ta shkundtte, të kamxhikoste me të, ta shpaloste si flamur. Roza e ngriri lart, e shkundi, e fshikulloi, e shpalosi. Tutje, bukur tutje, Madga anohej përreth barkut të saj të fryrë me ajër, duke i nderë krahët. Ajo ishte shumë lart, në ajër, në krahët e dikujt. Po krahu që bartte Magdën nuk vinte në drejtim të Rozës dhe shallit, po drejtohej tutje, pikla e Magdës po lëvizte gjithnjë e më thellë distancës së mjegulltë. Mbi krahë vezulloi një helmetë. Drita e çiku lehtë helmetën dhe bëri të duket si kupë. Përposh helmetës dhe një trup i zi si domino dhe një palë shoshone të flakura në drejtim të gardhit elektrik. Zërat elektrikë nisën të dëgjohen egërsisht. “Maamaa, maaaammaaa”, gumëzhinë njëherësh. Sa larg ishte Magda tash nga Roza, përreth gjithë sheshit, mbrapa një dyzine barakash, krejt në anën tjetër! Nuk ishte më e madhe se një fluturë nate.

Përnjëherësh Magda po notonte në ajër. E gjithë Magda udhëtonte përmes lartësisë. Dukej si një fluturë maje një hardhie të argjendtë. Dhe në momentin që koka e rrumbullakët puplake, këmbët e saj si kalem, barku si balonë dhe krahët zigzag u zhabaritën për gardhit, zërat e çeliktë u marrosën në gumëzhimën e tyre, duke e shtyrë Rozën të vraponte e vraponte drejt pikës ku kishte rënë Magda nga fluturimi i saj, në gardhin e elektrifikuar; po natyrisht Roza nuk iu bind. Ajo qëndroi aty, ngase nëse vraponte ata mund të qëllonin, nëse përpiqej të kapte kërcejtë e trupit të Magdës ata mund të qëllonin, nëse i lejonte ulërimat e ujqve që vinin tash përmes sythit të skeletit të saj të dilnin jashtë, ata mund të qëllonin; kështu që ajo e kapi shallin e Magdës dhe mbushi gojën me të, e rrashi dhe e rrashi brenda, derisa i gëlltiti ulërimat e ujqve dhe shijoi thellësinë e kanellës dhe bajamës së pështymës së Magdës; dhe Roza e thithi shallin e Magdës derisa e thau.  

/Marrë nga Cynthia Ozyck, “The Shawl”, Vintage, 1990 /Përkthimi; Gazeta Express/ KultPlus.com

Në Pagarushë zbulohet lapidari për dëshmorët dhe të rënët e fshatit

Ditën e së dielës, në fshatin Pagarushë u bë zbulimi i lapidarit, përkatësisht pllaka përkujtimore për të rënët e fshatit Pagarushë, dëshmorët dhe martirët e fshatit.

Në këtë ngjarje mori pjesë kryetari i komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Nait Hasani, njëri nga themeluesit e UÇK-së, pastaj  Kadri Kryeziu dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, të politikës dhe qytetarë të shumtë, përcjell Klankosova.tv.

Pllakën për të rënët e fshatit e shpalosën familjarët e dëshmorëve të fshatit, së bashku me kryetarin e Kastratin.

Në fjalën e rastit, Kastrati tha se “kjo pllakë, me këta emra, në vete mbanë të gjitha vlerat më të larta të një kombi: luftën, krenarinë, dinjitetin dhe sakrificën. Ne sa më shumë që i respektojmë këto vlera, do të jemi gjithmonë më mirë. Lavdi dëshmorëve dhe të rënëve të kombit”.

Ndërsa, Hasani, në fjalën e tij, bëri thirrje për unitet dhe mbrojtje të vlerave të luftës. Ai theksoi se këto vlera sot mbrohen duke mbrojtur krerët e luftës, të cilët padrejtësisht po gjykohen në Hagë, dhe duke i mbrojtur ata, ne mbrojmë edhe lirinë që kemi fituar.

Hasani gjithashtu i përgëzoi pagarushasit për këtë vepër dhe për kontributin e këtij fshati, sidomos gjatë luftës së fundit, ku kanë mbajtur me bukë mbi 100 mijë banorë të zhvendosur dhe kanë furnizuar me armë të gjithë ata që kanë luftuar.

Në emër të degës së OVL të UÇK-së foli Januz Mazreku, i cili theksoi se pa krismat e pushkës dhe gjakun e derdhur të dëshmorëve, nuk do ta kishim lirinë.

Në emër të luftëtarëve të fshatit foli Sahit Pagarusha, ndërsa në emër të familjeve të dëshmorëve foli Fidaim Krasniqi. Për historinë e fshatit dhe kontributin në luftë foli Nysret Kryeziu.

Kadri Kryeziu, në fjalën e tij, vuri në dukje se në të gjitha luftërat e 100 viteve të fundit në trojet shqiptare, ka qenë e pamundur të mos ketë marrë pjesë dikush nga Pagarusha.

Gonxhja: Në gjurmët e teatrit antik të Orikumit, aty ku koha duket se ka ndalur

Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, Vlorë, është një nga destinacionet kulturore që po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga vendi dhe bota.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja shprehet se Teatri antik, pjesë e Parkut Arkeologjik të Orikumit, është një destinacion që po tërheq çdo vit vizitorë nga vendi dhe e gjithë bota, “si një dëshmi e gjallë e lashtësisë, aty ku janë vendosur veprat madhështore të parardhësve tanë”.

“Teatri Antik i Orikumit nuk është vetëm një udhëtim në histori, por një përvojë frymëzuese, midis kulturës, natyrës dhe pasurisë shpirtërore”, shprehet Gonxhja.

Ky teatër përfaqëson një nga ndërtesat me monumentale të zbuluara në Orikum. Monumenti daton në fillimin e shekullit III para Krishtit dhe paraqet disa karakteristika të rralla për teatrot e botës antike.

Shkallarja e teatrit pjesërisht mbështetej në pjerrësinë e kodrës shkëmbore dhe pjesërisht ka qenë e ndërtuar me mure radiale. Prej saj na ruhet vetëm radha e parë e ndenjëseve, e vendosur mbi një podium, e cila i rezervohej elitës së qytetit.

Orkestra ka qenë e shtruar me pllaka të mëdha prej guri, ndërsa skena ka qenë e dekoruar me kolonada dhe gjysmëkolona.

Ky është një nga teatrot më të vegjël të njohur deri më sot në Shqipëri, me një kapacitet rreth 500-600 spektatorë.

Duke marrë në konsideratë veçoritë e këtij teatri mendohet se ai mund të ketë luajtur dhe një rol të rëndësishëm në ceremonitë dhe procesionet fetare të qytetit./atsh/ KultPlus.com

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art

Më poshtë gjeni disa prej thënieve më të bukura të Da Vincit:

E vërteta është vajza e vetme e kohës.

Ai që zotëron shumë është ai që edhe frikësohet shumë, prej humbjes.

Kudo që hyn fati i mirë, zilia e rrethon dhe e sulmon atë vend; dhe kur ajo të largohet, hidhërimi dhe pendimi mbeten prapa.

Është më lehtë të luftosh me të keqen në fillim sesa në fund.

Trupi ynë varet nga Qielli dhe Qielli nga Shpirti ynë.

Ashtu si guximi e rrezikon jetën, frika e mbron atë.

Sepse, me të vërtetë, dashuria e madhe buron nga njohja e madhe e objektit të dashurisë, dhe nëse dini pak, do të jeni në gjendje ta doni atë vetëm pak ose aspak.

Atje ku ka britma, nuk ka njohuri të vërteta.

Ashtu siç çdo mbretëri e ndarë bie, ashtu çdo mendje e ndarë midis shumë studimeve ngatërron dhe shkatërron vetveten.

Në lumenj, uji që prekni është i fundit prej atij që ka kaluar dhe i pari prej atij që vjen; pra me kohën e tanishme.

Hekuri ndryshket nga mospërdorimi; uji humbet pastërtinë e tij nga pezulli … po ashtu edhe mosveprimi e thith fuqinë e mendjes.

Pse syri e sheh një gjë më qartë në ëndërr sesa në imagjinatë kur është zgjuar?

Ndërsa mendoja se po mësoja si të jetoja, në fakt mësova se si të vdisja.

Arti nuk mbarohet, vetëm braktiset.

Urtësia është vajza e përvojës.

Asgjë nuk e forcon autoritetin aq shumë sa heshtja.

Më ka bërë përshtypje urgjenca për të vepruar. Të dish nuk mjafton; ne duhet të aplikojmë. Të jesh i gatshëm nuk mjafton; ne duhet të bëjmë.

Natyra është burimi i gjithë njohurisë së vërtetë. Ajo ka logjikën e saj, ligjet e saj, nuk ka asnjë efekt pa shkak, as shpikje pa nevojë.

Përvoja nuk gabon. Vetëm gjykimet tuaja gabojnë duke pritur prej saj atë që nuk është në fuqinë e saj.

Koha qëndron mjaftueshëm për këdo që dëshiron ta përdorë.

Atje ku shpirti nuk funksionon bashkë me duart, nuk ka art.

Ai që e do praktikën pa teori është si marinari që hip në bordin e anijes pa timon dhe busull dhe kurrë nuk e di se ku mund të shkojë.

Eshtë më lehtë të rezistosh në fillim sesa në fund.

Burrat gabojnë kur ankohen për fluturimin e kohës, duke e akuzuar atë se është shumë e shpejtë dhe nuk e kuptojnë që është e mjaftueshme edhe ndërsa kalon.

Ai që nuk e dënon të keqen, urdhëron që të bëhet.

Ashtu si ngrënia në kundërshtim me këshillat është e dëmshme për shëndetin, ashtu edhe studimi pa dëshirë prish kujtesën dhe nuk mbart asgjë që merr përsipër.

Jeta jonë është e përbërë nga vdekja e të tjerëve.

Nuk është i aftë për virtyt ai njeri që sakrifikon nderin e tij për përfitime. Pasuria është e pafuqishme për të ndihmuar atë që nuk e vlerëson veten.

Ndërsa një ditë e kaluar mirë sjell gjumë të lumtur, ashtu edhe një jetë e kaluar mirë sjell vdekje të lumtur.

Përvetësimi i çdo njohurie, çfarëdo që të jetë, është gjithmonë e dobishme për intelektin, sepse do të jetë në gjendje të dëbojë gjërat e padobishme dhe të ruajë ato që janë të mira. Sepse asgjë nuk mund të dashurohet ose urrehet nëse nuk njihet së pari.

Mashtrueset më të mëdha që i shkaktojnë vuajtje njeriut janë mendimet e tij.

Një poet e di se ka arritur përsosmërinë jo kur nuk mbetet asgjë për të shtuar, por kur nuk ka asgjë për të marrë.

Nëse dikush dëshiron të shohë se si shpirti banon në trupin e tij, le të vëzhgojë se si ky trup përdor banesën e tij të përditshme. Kjo do të thotë, nëse kjo është pa rregull dhe e konfuze, trupi do të mbahet në çrregullim dhe konfuzion nga shpirti i tij.

I varfër është nxënësi që nuk e tejkalon mësuesin e tij.

Pasi të keni shijuar fluturimin, do të ecni përgjithmonë në tokë me sytë e kthyer drejt qiellit, sepse atje keni qenë dhe atje do të keni gjithmonë dëshirë të ktheheni.

Zoti na i shet të gjitha gjërat me çmimin e punës.

E vërteta e gjërave është ushqimi kryesor i intelekteve superiore.

Është po aq gabim i madh të flasësh mirë për një njeri të pavlefshëm sa të flasësh keq për një njeri të mirë.

Fatkeqësia më e rëndë është kur pikëpamjet tuaja vijnë përpara punës tuaj.

Mësoni si të shihni. Kuptoni sesi gjithçka lidhet me gjithçka tjetër./KultPlus.com

Parashqevi Qiriazit, veprimtarja kombëtare që punoi për emancipimin e gruas shqiptare

Më 2 qershor 1880 lindi Parashqevi Qiriazi (1880-1970), veprimtare e Lëvizjes Kombëtare dhe për emancipimin e gruas shqiptare, Mësuese e Popullit.

Parashqevi Qiriazi lindi në qytetin e Manastirit si motra e vogël e Gjerasim, Gjergj dhe Sevasti Qiriazit. Pas mbarimit të studimeve për letërsi në Kolegjin Femëror Amerikan (Womens College) në Stamboll (1904), u kthye në atdhe dhe iu kushtua mësuesisë.

Shërbeu në Shkollën Shqipe të Vashave të Korçës. Mori pjesë si delegate në Kongresin e Manastirit dhe botoi “Abetare për shkollat e para” (Manastir, 1909, 1911). Themeloi të parën Shoqëri të Gruas shqiptare në Korçë (21 janar 1909). Më 1912 vazhdoi disa kurse kualifikimi në Fakultetin e Pedagogjisë të Universitetit të Oberlinit (SHBA) dhe po atë vit hartoi programin arsimor të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. U kthye në atdhe më 1921 dhe u bë një nga themelueset dhe drejtueset kryesore të Insitutit Femëror “Kyrias” në Tiranë e Kamzë (1922-1933).

Për shkak të qëndrimit të saj antifashist, më 15.10.1943 u internua nga Gestapoja në kampin Anhalt (Banjica). I mbijetoi vdekjes dhe pas mbarimit të luftës u kthye në atdhe. / KultPlus.com

Gjuha Shqipe

Poezi nga Ismail Kadare

Kur në sulm hodhën turqit 
Hordhitë e pambaruara, 
Kështjellat e sintaksës 
S’i muar, që s’i muar. 

Kur panë se gjuhës 
S’i hodhën dot prangat 
Lëshuan drejt saj 
Gjithfarë merimangash. 

Parashtesa e pjesëza 
E lidhëza së prapthi, 
Të bukurën gjuhë 
Ta bënin leshharpi. 

Të të bënin ty, donin, 
Shqipëri, memece. 
Po ja, erdhi Naimi, 
Si yll mbi ty ecte. 

Dorën e zbehtë 
Mbi ballë ta vuri 
Të të hiqte zjarrllëkun 
Prej të sëmuri. 

Dhe vdisnin pjesëzat /KultPlus.com

Nis sot Java Kulturore Italiane, aktivitete në Tiranë e qytete të tjera

Dashuria ndjehet në ajër dhe Java Kulturore Italiane është këtu! Me këtë moto nisi sot Java e Kulturës Italiane që përkon me festën e Republikës Italiane.

Nga data 2 deri më 8 qershor, më e mira e kulturës italiane do të frymojë jo vetëm në kryeqytet por edhe në disa qytete të Shqipërisë. Nëpërmjet aktiviteteve të larmishme do të kremtohet kjo kulturë kaq e pasur në çdo fushë e disiplinë të saj dhe për të cilën gjithë bota është frymëzuar.

Eventi i ditës së sotme, me rastin e Festës së Republikës Italiane, do të zhvillohet pranë sitit arkeologjik të Butrintit, për të përkujtuar njëqindvjetorin e misionit të parë arkeologjik të Luigi Ugolini-t.

Instituti Italian i Kulturës dhe Ambasada Italiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë dhe me Bashkinë e Sarandës sjellin në Javën Italiane spektaklin e kërcimit “Opera e Puccinit. Voci di donne”, një prodhim i ri nga Artemis Danza.

Shfaqja i kushtohet katër heroinave magjepsëse të kompozitorit Giacomo Puccini: Tosca, Madama Butterfly, Mimì dhe Turandot, në njëqindvjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Kuptimi i muzikës Pucciniane kalon nga analiza e marrëdhënies së tij të thellë me botën femërore. Një mesazh i qartë madje edhe nga titujt e zgjedhur për veprat e tij më të famshme. Një kaleidoskop personalitetesh të ndryshme, një univers plot aspekte dhe ndjeshmëri.

Në katër skenat që përbëjnë “Puccini’s Opera”, gjejmë leximin personal të Casadeit lidhur me temën femërore, të vendosur në qendër të një procesi riinterpretimi koreografik, vizual dhe muzikor. Dashuria tragjike, dashuria e penguar dhe e kundërshtuar, dashuria mizore që asgjëson, epshi për zotërim që çon në shkatërrim, jeton në fytyrat, trupat, gjestet e artisteve dhe nuk resht së na bëri të reflektojmë mbi aktualitetin e historive që kanë mallëngjyer publikun e mbarë botës. Krijimi përshkohet nga një atmosferë prekëse, plot tension dhe sugjestion poetik. Partitura orkestrale e Puccinit është në kontrast me tingujt elektronikë të kompozitorëve Luca Vianini dhe Fabio Fiandrini, të cilët ravijëzojnë një hapësirë ​​zanore mbështjellëse dhe nganjëherë apokaliptike. Një kërcim koral, i pasur me impulse dhe pasione, instinktiv dhe herë-herë i egër, që e përdor hapësirën si të ishte vorbull dhe që shfaqet i plotë si simbolikisht, ashtu edhe vizualisht: kërcimet solo të futura brenda kornizash grupi, me një dinamikë të përshpejtuar nga forcat shtytëse, bëjnë që drama dhe pasionet e protagonisteve, të ndjehen fort në trup e në deje./ atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton varrin e Sami Frashërit në Stamboll: Është thesar kombëtar, model mërgimtari që duhet të jetë shembull e frymëzim për çdokënd

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar varrin e dijetarit të shquar Sami Frashërit, me rastin e 174 vjetorit të tij të lindjes, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti tha se nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij, porse mbi të gjitha ai konsiderohet thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar.

 Ai më tej tha se Frashëri ishte një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij, i cili duhet të jetë shembull për kombin, mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.

 Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në Facebook:

Ideolog i shquar dhe dijetar i ndritur. Atdhetar, rilindas e mendimtar përparimtar. Nuk mund të përshkruhet mjaftueshëm me fjalë e të ketë aq epitete për ta bërë sa më të kuptueshme figurën e tij. Sami Frashëri është thesar kombëtar dhe personalitet që ka kontribuar jashtëzakonisht në mendimin politik, shoqëror e filozofik shqiptar. Krijimtaria e tij është e lidhur ngushtë me idealet e lëvizjes kombëtare për çlirim, me nevojat e shkollës e të kulturës kombëtare, dhe nga idetë iluministe evropiane. Ai la një trashëgimi të pazëvendësueshme, e cila mbetet bashkëkohore ende sot. Mjafton të lexosh veprën e tij monumentale “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet”, për të kuptuar largpamësinë socio-politike dhe mendimin e mprehtë me shprehjet e thukëta. Një gur që ngulit e skalit të vërtetën dhe të drejtën në mendjen tonë.

Dje, në ditëlindjen e Samiut, vizituam varrin e tij në Stamboll dhe vendosëm lule të freskëta, për ta kujtuar e nderuar atë. Para kësaj, në Ankara qëndruam në Qendrën Kulturore Shqiptare atje e cila përveçse mban emrin e tij, e nderon çdo ditë trashëgiminë e tij duke qenë vend që i bën bashkë shqiptarët e ku flitet e mësohet gjuha shqipe, ashtu siç na mësonte Samiu gjuhën përmes kombit, e kombin përmes gjuhës.

Ai la gjurmë, gjurmë të pashlyeshme, që ende sot, preken e përjetohen. Një mërgimtar i arrirë, që s’e harroi kurrë vendin e tij. Shembull për kombin, shembull për mërgatën dhe frymëzim për çdokënd.

504 vite më parë vdiq gjeniu i Rilindjes, Leonardo da Vinçi

Sot është 504 vjetori i vdekjes së njërit ndër personalitetet më të shquara perëndimore dhe botërore – Leonardo Da Vinçi.

Ai lindi në kohën dhe vendin e duhur – Anchiano/Fiorentinë. Qytetin simbol të kulturës së atëhershme.

Në 504 vjetorin e vdekjes së njërit nga artistët më me ndikim në historinë e artit botëror, KultPlus ju sjell disa fakte interesante mbi jetën e artistit.

1. Një fëmijë i paligjshëm!

Ai lindi si biri jashtë martese i Piero Fruosino di Antonio Vinçit (babait) dhe Caterina (nëna). Prindërit e tij kurrë nuk u martuan dhe ai ishte i vetmi fëmijë i tyre. Megjithatë, ai kishte 17 gjysmë-vëllezër e motra me partnerë të tjerë të prindërve të tij.

2. Emri i një qyteti!

Ai lindi në Anchiano, Toscana (tani në Itali), që është afër qytetit të Vinçit, me të cilin ne e asociojmë mbiemrin e tij sot.

3. Pak ka arsimim formal!

Përtej leximit dhe shkrimit bazë, ai nuk mori asnjë arsimim formal në ndonjë shkollë.

4. Personi që qëndron prapa aftësive të tij!

Talenti i tij artistik u vlerësua së pari nga babai i tij dhe kur Leonardo ishte 15 vjeç, babai e dërgoi të mësojë pranë piktorit dhe skulptorit Andrea del Verrocchio, në Firence. Ai përpunoi teknikat e skulpturës dhe pikturës së Leonardos për më shumë se një dekadë dhe e trajnoi atë në artet mekanike.

5. Piktura e tij më e hershme!

Megjithëse puna e tij e parë mendohet të jetë ajo e një vizatimi në stilolaps dhe bojë, e luginës së Arnos (siç raportohet nga burime të ndryshme) më 5 gusht 1473, “Shpallja” (diku rreth 1472-1475) mendohet të jetë vepra e tij më e hershme . Ajo paraqet engjëllin Gabriel, të cilit Perëndia i dërgoi fjalë, për të njoftuar virgjëreshën, Marinë, që ajo të krijonte dhe të lindte një djalë të quajtur Jezus, i cili do të quhej “Biri i Perëndisë”.

6. Kur mësuesi u impresionua me punën e tij!

Ai ndihmoi mentorin e tij Andrea del Verrocchio në pikturën e famshme “Pagëzimi i Krishtit”. Piktura përshkruan pagëzimin e Jezusit nga Gjon Pagëzori. Është thënë se engjëlli në të majtë u pikturua nga Leonardo i ri dhe kjo ishte një gjë, e cila i bëri shumë përshtypje mësuesit të tij.

7. Shkrimi, nga e djathta në të majtë!

Leonardo da Vinçi ishte majtosh dhe ishte mësuar që të shkruante nga e djathta në të majtë, gjë që rezultonte në një shkrim pasqyrë dhe i cili, ishte e vështirë për t’u lexuar nga të tjerët.

8. Adhurues i kafshëve!

Ai ishte shumë i mëshirshëm ndaj kafshëve dhe ishte kundër futjes së tyre në kafaze. Leonardo blinte shpesh herë kafshë në kafaze dhe më pas i lironte ato.

9. Një vegjetarian i rreptë!

Gjatë gjithë jetës së tij, Leonardo da Vinçi kishte qenë një vegjetarian i rreptë, gjë që supozohet të jetë pasojë e dashurisë së tij për kafshët.

10. Incidentet e fëmijërisë!

Leonardo mbante shenja vetëm dy nga incidente të fëmijërisë: njëri ishte kur një balonë ra nga qielli dhe bishti i saj i lëndoi fytyrën. I dyti kur zbuloi një shpellë ndërsa po eksploronte në male dhe u ndje i tmerruar nga që mendonte se aty mund të ndodheshin disa përbindësha.

11. Shtëpia e fëmijërisë!

Kush nuk dëshiron të eksplorojë shtëpinë e këtij artisti të madh të Rilindjes! Shtëpia e fëmijërisë e Leonardos ndodhet në një fshat të quajtur Anchiano brenda qytetit të Vinçit në Firence. Shtëpia është konvertuar në një lloj muzeu të veprave të famshme të Leonardos. Shtëpia u rihap për publikun në qershor të vitit 2012.

12. Vepra e parë e porositur./KultPlus.com

​Mbi 2 milionë kosovarë vizituan Selanikun pas liberalizimit të vizave

Pas liberalizimit të vizave në Kosovë, numri i turistëve që kanë vizituar qytetin e Selanikut në Greqi, ka arritur në mbi 2 milionë. Ndërkaq, krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 20 për qind të turizmit në këtë vend.

Në një intervistë për KosovaPress, shefi i Marketingut në Organizatën e Turizmit të Selanikut, Grigoris Toulias thotë se për herë të parë, gjatë këtij dimrin kanë shënuar shifra të konsiderueshme të turistëve, për çka shtoi se edhe Kosova ka pasur rol në këtë aspekt.

“Kemi një rritje shumë të ndjeshme të turizmit në Selanik, të ardhjeve turistike, mendoj se një rritje prej gati 20 për qind gjatë vitit të kaluar. Dhe, numri aktual është mbi 2 milionë turistë që vijnë në Selanik nga Kosova. Kemi shumë e shumë njerëz që vijnë direkt në qytet ose nga Pieria Katerini, të gjithë nga Halkidiki, ku ata vizitojnë për të parë diellin për pushimet verore. Pra, nëse marrim parasysh se ata sapo vijnë brenda një dite në Selanik, mendoj se shifrat janë vërtet shumë të larta, janë rreth qindra mijëra njerëz nga Kosova”, thotë Toulias.

Sipas tij, në dy vitet e fundit e kanë futur Kosovën në hartat e tyre, sa i përket turizmit.

Ai potencon se shifrat e turistëve në Selanik po rriten nga viti në vit.

Sonda kineze ulet me sukses në anën e largët të Hënës, sjell pamjet e para!

Anija kineze pa ekuipazh u ul me sukses në anën e largët të Hënës, një vend i paeksploruar që pothuajse askush nuk përpiqet të shkojë, sipas autoriteteve në Kinë.

Chang’e 6 u ndal në Polin e Jugut-Aitken në orën 06:23 me kohën e Pekinit të dielën në mëngjes, njoftoi Administrata Kombëtare e Hapësirës së Kinës, që e përshkroi këtë moment si historik. Këto janë pamjet e para të sjella nga sonda sapo u ul në satelitin e vetëm natyror të Tokës.

Sonda u nis në 3 maj nga qendra hapësinore Wenchang. Gjatë zbritjes, një sistem autonom vizual i shmangies së pengesave u përdor për të zbuluar automatikisht pengesat duke përdorur një kamerë me dritë të dukshme.

Misioni synon të mbledhë 2 kg gurë dhe tokë të çmuar nga ky rajon për herë të parë në histori. Sonda mund të nxjerrë disa nga shkëmbinjtë më të vjetër të Hënës nga një krater i madh në Polin e saj Jugor.

Kina është i vetmi vend që e ka arritur këtë sukses më parë, duke zbritur Chang’e-4 në 2019.

Për shkencëtarët, kjo është një mundësi e artë për të analizuar shkëmbinj nga një zonë krejtësisht e ndryshme e Hënës, pasi shumica e shkëmbinjve të mbledhur deri më tani janë vullkanikë, të ngjashëm me atë që mund të gjejmë në Islandë ose Haëaii.

Por materiali në anën e largët do të kishte një kimi tjetër dhe mund t’u përgjigjet pyetjeve se si formohen planetët, pse formohen koret apo cila është origjina e ujit në sistemin diellor. Nëse misioni ka sukses, anija do të kthehet në Tokë me mostrat e çmuara në bordin e një kapsule të veçantë kthimi.

Kjo është hera e dytë që Kina nis një mision për të mbledhur mostra nga Hëna.

Në vitin 2020, Chang’e 5 solli 1.7 kg material nga një zonë e quajtur Oceanus Procellarum në anën e afërt të Hënës. Kina po planifikon tre misione të tjera pa ekuipazh këtë dekadë, ndërsa kërkon ujë në Hënë dhe heton ngritjen e një baze të përhershme atje./topchanel/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti vizitoi Qendrën e Kulturës ‘Sami Frashëri’ në Ankara të Turqisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi, vizituan Qendrën e Kulturës “Sami Frashëri” në Ankara të Turqisë.

Aty u mirëpritën nga Koordinatori i kësaj Qendre, Serdal Vardar, Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë, Blerta Kadzedaj, zëvendësambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hanif Dauti dhe kadetë të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po studiojnë dhe përgatiten në Turqi, studentë shqiptarë të universiteteve në Ankara, së bashku me nxënës të gjuhës shqipe dhe pjesëtarë të mërgatës.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, ai i falënderoi të gjithë për mikpritjen e ngrohtë që i është bërë, dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë për angazhimin, kontributin dhe rolin në çdo fushë të shoqërisë turke, por gjithashtu edhe për mbarë kombin shqiptar, thuhet në njoftimin e qeverisë. 

Sipas njoftimit, vizita e tij në Ankara dhe në Qendrën Kulturore që mban emrin e Rilindasit tonë, Sami Frashëri, përkon me 125-vjetorin e veprës së tij kryesore “Shqipëria ç’ka qenë, ç‘është e çdo të bëhet”, për të cilën kryeministri Kurti u shpreh padyshim se është një lloj manifesti se si duhet të duket kombi ynë, e njëkohësisht edhe çfarë rruge duhet të ndjekë ai.

“Është një gjë shumë e rrallë që një tekst i cili ka një shekull e i çerek shekulli të jetë aq aktual, kushdo që e lexon kurdo. Andaj veprat e Sami Frashërit janë vepra që rilexohen dhe të gjithë të rinjtë e të rejat duhet ta bëjnë këtë, sepse ai na e mëson gjuhën përmes kombit, edhe kombin përmes gjuhës”, tha kryeministri.

Teksa i falënderoi për pritjen dhe shoqërimin brenda Qendrës Kulturore, të pasur me fotografi të figurave e momenteve historike e libra të ndryshëm, ai i ftoi studentët, nxënësit dhe mërgatën që të vijnë në Kosovë e në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës e në Mal të Zi, sa herë të kenë mundësi, dhe i inkurajoi ata që të mësojnë sa më mirë e sa më shumë gjuhën shqipe, e cila është një gjuhë e bukur e me sintaksë të fortë.

”Jemi komb i flamurit, por para së gjithash e mbi të gjitha jemi komb i gjuhës, i gjuhës shqipe të cilën duhet ta kultivojmë me dashuri dhe me përgjegjësi ta bartim brez pas brezi”, u shpreh kryeministri.

Në përfundim të vizitës së Qendrës Kulturore, në Librin e Përshtypjeve kryeministri Kurti shkroi:

“Në ditëlindjen e Sami Frashërit, në vitin kur shënojmë 125-vjetorin e veprës së tij madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe çdo të bëhet” dhe 10-vjetorin e kësaj Qendre Kulturore këtu në Ankara që mban emrin e tij, nder i madh e kënaqësi e veçantë të jem këtu, e të bashkëbisedoj me miq shqiptarë që e duan dhe punojnë për kombin tonë kaq shumë”.

Anës Lumenjve

Poezi e shkruar nga Fan Noli.

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

‘Kam parë nga dritarja ime të kremten e perëndimit mbi kodrat larg’


Poezi nga Pablo Neruda

Vjersha X

E humbëm sërish këtë muzg.
Sonte kurrkush s’na pa me duart bashkuar
ndërsa nata e kaltër binte mbi dhé.

Kam parë nga dritarja ime
të kremten e perëndimit mbi kodrat larg.

Ndonjëherë, si monedhë
digjej një copë diell mes duarve të mia.

Më kujtoheshe me shpirtin shtrënguar
nga ai trishtim që ti ma njeh.

Asokohe ku ishe?
Mes cilësh njerëz?
Ç’fjalë ishe duke thënë?
Përse më vjen gjithë dashuria befas
kur ndihem i trishtë e të ndiej të largët?

Ra libri që gjithnjë merret në muzg
dhe si një qen me plagë m’u rrotullua këmbëve manteli.

Gjithnjë, gjithnjë largohesh vonë
atje ku rend muzgu tek shuan shtatore. 

Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com

“Edukimi është pasaporta jonë për të ardhmen, sepse e nesërmja u takon atyre që përgatiten sot për të”

“Edukimi është pasaporta e jonë për të ardhmen, sepse e nesërmja u takon atyre që përgatiten sot për të.”

“Njerëzit nuk e kuptojnë se si e gjithë jeta e një njeriu mund të ndryshohet nga një libër.”

“Ndonjëherë duhet t’i rrokni armët për t’i ulur armët.”

“Zakonisht, kur njerëzit janë të pikëlluar ata nuk bëjnë asgjë. Ata vetëm ankohen për gjendjen e tyre. Por kur ata janë të inatosur, atëherë e sjellin ndryshimin.”

“Nëse nuk ke kritikë, ju me shumë gjasë nuk do të keni as sukses.”

“Ju nuk keni nevojë të jeni burrë për të luftuar për liri. E gjitha që duhet të bëni është të jeni krijesë njerëzore inteligjente.”

– Malcolm X / KultPlus.com

Kurti: Fëmijët udhëheqësit e së nesërmes – duhet të jetojnë në një shtet të sigurt që përkujdeset për ta

Kryeministri Albin Kurti në Ditën e Fëmijëve ka thënë se ata duhet që të jetojnë në një shtet të sigurt dhe që përkujdeset për ta.

Ai tha se ata do të jenë udhëheqësit e së nesërmes. 

“Fëmijët janë shtysa e motivimi i sotëm, shpresa e lumturia por edhe udhëheqësit e së nesërmes.  Ata na gëzojnë dhe na i mbushin ditët plot hare si dhe na bëjnë të mos harrojmë rëndësinë e çiltërsisë dhe harmonisë.  Çdo punë që e bëjmë e ka si qëllim përmirësimin e jetës në vend e natyrisht dhe të ardhmen. Fëmijët tanë duhet të jetojnë në një shtet të sigurt, që përkujdeset për ta e që i mbron nga çdo e padrejtë. Me politikat e qeverisë sonë, i tillë po bëhet përherë e më shumë shteti jonë. Festojmë ditën e fëmijëve, festojmë të ardhmen”, ka thënë Kurti. / KultPlus.com

Osmani uron presidentin e ri salvadorian, i thotë se mund të mbështetet te Kosova si një partner i fortë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar presidentin e rizgjedhur të El Salvadorit, Nayib Bukele.

E para e vendit tha për presidentin e ri në një postim në X, se udhëheqja e tij të vazhdojë të sjellë prosperitet, unitet dhe shpresë për popullin salvadorian.

Po ashtu, Osmani shtoi El Salvadori mund të mbështetet te Kosova, si një partner i fortë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

“Urime President Nayib Bukele! Urimet më të mira në mandatin tuaj të ri si President i El Salvadorit. Udhëheqja juaj le të vazhdojë të sjellë prosperitet, unitet dhe shpresë për popullin salvadorian! Ju mund të mbështeteni në Republikën e Kosovës si një partner i fortë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta!”, shkroi Osmani në X. / KultPlus.com

Momenti kur Irena Papas i kishte thënë Bekim Fehmiut: Jam me prejardhje shqiptare

Irena Papas është aktore me famë botërore. Në rininë e saj ishte shndërruar në një sensacion kinematografik, duke shënuar shumë suksese me role në filma të shumtë, por ajo që e bën më të veçantë për shqiptarët ishte roli i saj në filmin “Odiseu”, ku kishte luajtur bashkë me aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu, shkruan KultPlus.

Bekim Fehmiu njohjen me Irena Papas e ka shkruar në librin e tij me dy pjesë “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” , ku edhe ka ndarë detaje me lexuesit edhe për pjesën kur kanë diskutuar për prejardhjen e Irena Papas, që sipas këtij libri, Papas e kishte konfirmuar se ajo ka prejardhje shqiptare.

KultPlus ju sjell këtë pjesë nga libri i Bekim Fehmiut./ KultPlus.com

U hap për 1 Qershor, Rama ndan foto nga Akademia e Biçikletave

Pranë stadiumit kombëtar “Air Albania” në Tiranë është hapur Akademia e Biçikletave, një ambient i ri dedikuar fëmijëve për të mësuar dhe rregullat e qarkullimit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjete sociale foto nga kjo qendër që synon edukimin dhe nxitjen e fëmijëve që të mësojnë rregullat e trafikut rrugor.

Shkolla e biçikletave e hapur sot është më e madhja në Ballkan.

Në këtë hapësirë sa edukative dhe argëtuese, fëmijët kanë mundësi të mësojnë biçikletën, rregullat e qarkullimit, të eksplorojnë dhe luajnë më shumë.

Përveç marrjes së mësimeve bazë për çiklizmin, akademia do të kthehet gjithashtu në një hapësirë zbavitëse dhe rekreative për grupmosha të ndryshme.

Pista e re që u hap sot më 1 qershor, i shtohet edhe 84 këndeve të lojërave në Tiranë, çerdheve dhe shkollave të reja./ KultPlus.com

Dante Aligeri: Shtegu për tek parajsa fillon në ferr

Dante Aligeri ka qenë një poet, shkrimtar dhe politikan italian. Ai shquhet si ati i gjuhës italiane; fama e tij është kryesisht për shkak të krijimit të veprës “Komedia Hyjnore’’, që në përgjithësi konsiderohet si vepra më e madhe e shkruar në italisht dhe një nga kryeveprat më të mëdha të letërsisë botërore.

Më poshtë janë disa prej thënieve më të famshme të tij:

“Shtegu për tek parajsa fillon në Ferr.”

“Një gjë sa më përfekte që është, aq më shumë ajo ndien dhimbje dhe kënaqësi.”

“Më të mençurit janë ata që mërziten më së shumti kur e humbasin kohën.”

“Djalli nuk është edhe aq i zi sa e pikturojnë.”

“Nuk ka dhimbje më të madhe se sa ta ri-kujtosh lumturinë në kohën e mjerimit.”

“Nëse e ndiqni prirjen tuaj natyrore, ju definitivisht do të shkoni në parajsë.”

“Dashuron pak ai që mund ti numëroj dhe ta thotë me fjalë se sa shumë dashuron.”/ KultPlus.com