Përurohet ambienti i ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave në Tropojë

Shqipëria zotëron pyllin më të madh të gështenjave në Ballkan, me sipërfaqe 10000 hektarë, 30% e të cilit ndodhet në Tropojë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj bashkë me zëvendësambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë, Mia Marzouk, ishin në Tropojë, ku morën pjesë në përurimin e një ambienti të ri frigoriferik për ruajtjen e gështenjave, financuar nga Britania e Madhe.

Me dy ambiente për ruajtjen e gështenjave, një ambient freskues dhe një ambient ngrirës, frigoriferi arrin një kapacitet prej 40 metër kub. Ky proces siguron ruajtjen e gështenjave në kushte optimale, zgjat jetëgjatësinë, ruan cilësinë dhe përmirëson mundësitë për tregtim duke rritur të ardhurat për familjet që varen nga ky sektor.

Denaj tha se, ky investim nuk i shërben vetëm sipërmarrjes që ka ngritur këtë qendër frigoriferike, por të gjithë zonës.

Sipas saj, kjo pikë ofron një kombinim perfekt të agroturizmit me bujqësinë, pasi pika frigoriferike dhe e grumbullimit janë hallka që do të rrisim vlerën e produktit të stampuar.

“Me anë të këtij investimi, po punojmë për krijimin e të gjitha kushteve për të garantuar mbështetje dhe mbrojtje nga të gjitha anët për sipërmarrësit dhe produktin”, tha ajo./atsh/ KultPlus.com

Bruce Springsteen nderohet nga Akademia e Ivors

Ylli i muzikës rok, Bruce Springsteen është bërë tekstshkruesi i parë i huaj që nderohet me një çmim nga Akademia e Ivors që nderon emra të njohur të muzikës në Britaninë e Madhe.

Ai mori çmimin nga këngëtari i njohur, Paul McCartney dhe u vlerësua për kontributin e tij të jashtëzakonshëm që ka dhënë në muzikë jo vetëm përmes këndimit, por edhe shkrimit të teksteve të këngës.

“Fakti që jam artisti i parë ndërkombëtar që merr këtë çmim, veçanërisht si amerikan, duke qenë se gjithmonë  mendoja se britanikët ishin paksa dyshues ndaj mënyrave tona të çuditshme, e bën një përvojë shumë domethënëse për mua”, është shprehur Springsteen.

Pianistja e njohur Lule Elezi me paraqitje pianistike në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni

Pas shumë paraqitjeve pianistike brenda dhe jashtë Kosovës, pianistja e njohur Lule Elezi së fundi është paraqitë me një koncert recital edhe në Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Poloni, koncert që është mbajte para një audience të përzgjedhur, shkruan KultPlus.

Pianistja Elezi ka ndarë momente nga kjo mbrëmje pianistike, e cila ka shpjeguar se ky koncert ka ardh si rezultat i ftesës nga ana e Pawel Michalak, Konsull i Nderit i Republikës së Shqipërisë. Elezi në këtë mbrëmje është paraqite me vepra të njohura shqiptare, por edhe me vepra të Chopin.

KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lule Elezit.

Miq të dashur,

Me ftesë të Konsullit të Nderit të Republikës së Shqipërisë z. Pawel Michalak, kisha nderin e veçantë të mbajë koncert solistik në ambientet e Konsullatës së Republikës së Shqipërisë në Łódź të Polonisë.

Në praninë e një publiku të mrekullueshëm performova vepra nga kompozitorë të njohur shqiptarë dhe botërorë, në veçanti nga kompozitori romantik polak Frédéric Chopin , i cili njihet si “ Poet i pianos”.

Një falenderim të veçantë ia dedikoj Konsullit të nderit z. Pawel Michalak, dy shoqatave Poloni-Kosovë, me kryetar Haxhi Dulla dhe Poloni-Shqipëri, me kryetare Dorota Horodyska, të cilat inicuan në organizimin e koncertit.

Prania e përfaqësuesve të Ambasadës së Kosovës dhe Shqipërisë që erdhën nga Varshava në Łódź, gjatë performancës sime në koncert më dhanë emocione të veçanta dhe të paharruara./ KultPlus.com

Sonte në PITF vjen shfaqja “Mbretëreshat e Klubit të Natës”

Sot ekipi i aktorëve nga shfaqja “Mbretëreshat e klubit të natës” nga Shqipëria, kanë marrë pjesë në konferencën për media, për të ndarë detaje rreth asaj që publiku pritet ta shohin nga ora 20:00 në Teatrin Kamertal.

Në konferencë morën pjesë dy regjisorët e shfaqjes Lennart Boyd Schürmann “Bruch” dhe Klaudja Piroli, të cilët folën për përmbajtjen e shfaqjes e cila bazohet në Aleksander Moisiun dhe përpjekjet e tij në Shqipëri për ta rikrijuar vetveten si artist në një realitet që nuk e njeh.

Klaudja Piroli, u pyet për pritshmëritë që kanë rreth çmimeve në PITF, ku tha se këtë vit presin të kenë përfaqësim të denjë dhe të përcjellin te audienca atë që kanë dashur ta sjellin në këtë shfaqje.

Kurse Lennart Boyd Schürmann, e cilësoi si nder të madh pjesëmarrjen në këtë festival, duke thënë se deri tani ka marrë pjesë në festivale të shumta, por PITF del të jetë i jashtëzakonshëm si në pritje, organizim, aktorë, shfaqje dhe gjithçka tjetër.

Kurse mbrëmë, në këtë festival është prezantuar shfaqja nga Kroacia “Embers”, të cilët prezantuan një lojë mjaftë emocionuese për audeincën e Prishtinës./ KultPlus.com

Media franceze ‘Grazia’: Shqipëria – destinacioni më i kërkuar nga pushuesit në 2024-n

 Shqipëria, është një destinacion i ri që ka mahnitur çdo turist të huaj, por që mbetet ende shumë pak e njohur për publikun e gjerë. Zbuloni këtë vend të mbushur me xhevahire natyrore dhe arkitekturore, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen franceze “Grazia”.

Në Shqipëri, ka diçka për të gjithë, madje edhe për aventurierët që dëshirojnë të zbulojnë horizonte të reja, më pak të njohura, por po aq luksoze.

Shqipëria është një nga destinacionet që mbetet ende e paprekur nga turizmi masiv.

Vendi evropian tërheq me hijeshinë e tij nga një e kaluar historike ende e dukshme në arkitekturë.

Pse Shqipëria është një nga destinacionet në trend në Evropë?

Për të zbuluar vendin duhet të ndalesh në Ballkan dhe më saktë në Shqipëri!

Vendi ballkanik është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve dhe turistët e huaj si “Maldivet e Evropës”.

Ky vend i bukur ofron plazhe mahnitëse me rërë dhe ujëra blu bruz.

Përveç pamjes së saj qiellore, Shqipëria është gjithashtu një alternativë më e lirë, por po aq e bukur sa Sardenja në Itali apo destinacionet e tjera të njohura italiane.

Çmimi i jetesës është një nga arsyet që i tërheq vizitorët që synojnë oferta të mira për të shijuar pushimet.

Në vendin ballkanik, gjejmë rrënoja që datojnë nga periudha e lashtë greke dhe romake, si dhe peizazhe ku dominon natyra e gjelbër.

Qytetet më të bukura të Shqipërisë për t’u vizituar 

Gjirokastra

Për sa i përket kostos, Gjirokastra është një nga qytetet më të lira në Evropë, i konsideruar edhe si qyteti më i bukur në Shqipëri.

E vendosur në jug të vendit, ky qytet shtrihet në lartësitë e Malit të Gjerë.

Arkitektura e saj dallohet për bukurinë e shtëpive tipike ballkanike.

Kjo është edhe një nga arsyet që lejoi përfshirjen e saj në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Qyteti ka shumë vende që duhen zbuluar, si Shtëpia e Zekatëve, si dhe disa muze që rrëfejnë të kaluarën e lavdishme të qytetit.

Ky qytet me ndërtesa historike ofron gjithashtu vizita në shumë ndërtesa të vjetra fetare si një xhami e vjetër që daton nga koha e Perandorisë Osmane, disa kisha të vjetra si dhe një Kishë Bazilike e madhe që ndodhet jo shumë larg qytetit dhe një kështjellë që daton nga shekulli i XIII.

Në Gjirokastër, gastronomia është veçanërisht e bollshme. Ajo është ndikuar nga trashëgimia osmane e vendit, por e përbërë edhe nga specialitetet vendase.

Tirana

Tirana është një qytet mbresëlënës shqiptar.

Për ta zbuluar më mirë, rekomandohet të bëni një shëtitje në Malin e Gamtit në verilindje të Tiranës, ku mund të admironi pamjet panoramike të liqenit të Bovillës.

Ky qytet ka një nga trashëgimitë më të pasura artistike dhe kulturore, ndaj dhe ekskursionet janë të shumta dhe të larmishme.

Saranda

Në këtë qytet të mrekullueshëm bregdetar shqiptar, mund të shijoni mbi të gjitha diellin dhe detin, por mund të zbuloni edhe historinë e lashtë të qytetit bregdetar.

Në të vërtetë, Saranda është e mbushur me elemente historike, duke përfshirë rrënojat e lashta, muzetë dhe madje edhe një kështjellë që daton nga shekulli i XVI.

Megjithatë, Saranda është edhe vendi ideal për pushime ku ndërthuren relaksi, festat e vogla dhe kënaqësitë e jetës.

Prandaj, ky qytet bregdetar është destinacioni i përsosur nëse vërtet dëshironi të harroni shqetësimet e jetës së përditshme./ atsh/ KultPlus.com

 Henry Thoreau për O. A. Browsnonin

Henry David Thoreau, (Concord, 12 korrik 1817 – Concord, 6 maj 1862), ka qenë filozof, prozator dhe poet amerikan, paraprijës i ambientalizmit dhe jodhunës. Autori i romanit të njohur Walden dhe i esesë Resistance to Civil Government, e njohur ndryshe edhe me titullin On the Duty of Civil Disobedience ose edhe Civil Disobedience

Për Orestes Augustus Brownson

30 dhjetor 1837

Concord

I dashur zotëri,

Nuk kam reshtur kurrë së shikuari me interesim, të mos them me kënaqësi, rreth atyre gjashtë javëve të cilat i kam kaluar me ju. Ato qenë një periudhë në jetën time – mëngjesi i një Lebenstag-u1 të ri. Ato janë për mua si një ëndërr që është parë tashmë, por e cila rikthehet kohë pas kohe me tërë freskinë e saj zanafillore. Një nga ato që do të doja ta ëndërroja një herë të dytë, të tretë, dhe pastaj ta rrëfej para kafjallit.

I kalova ca orë në qytet, rreth një muaj më parë, me qëllimin që t’ju thërrisja, por nuk qeshë në gjendje të merrja vesh, nga drejtoria apo burime të tjera, ku ishit vendosur, nuk më mbeti veçse të dorëzohesha dhe të kthehesha në shtëpi.

Shfajësimi im për këtë letër është t’ju kërkoj ndihmën tuaj për të gjetur një vend pune2. Ngase, thoni ç’të doni, ky trup i ngrirë ‘karrotë e bigëzuar’ duhet, pas së gjithash, të ushqehet dhe të veshmbathet. Është mosmirënjohëse, të them fjalën e fundit, të duroj këtë rast kaq të abuzuar të përfundojë në një shpartallim të tillë, një gjendje të cilën çdo veriperendimor mund ta shijojë përmes tringëllimave dhe plasave të saj, duke i bërë të shpërthejnë ndjenjat bujare që mund të fshehë, kur ca shpulla do ta shpëtonin. Falë qiellit, dhimbja e dhëmbit më ndodh aq shpesh sa të ma kujtojë se duhet të jem jashtë duke e ndrequr çatinë herë pas here dhe të mos mbetem prore duke mbajtur të gjallë një flakë në oxhakun brenda, me shkopin tim gjerman dhe metafizik të maces3.

Por subjekti im nuk është shtyrë sine die4. Unë po synoj një vend pune si mësues i një shkolle të vogël, ose asistent në ndonjë më të madhe, ose, çka do të ishte më e dëshirueshme, si tutor privat në një familje gjentelmenësh.

Mbase duhet të jap ca të dhëna rreth meje. Do të doja ta bëja edukimin një gjë të këndshme si për mësuesin si për nxënësin. Kjo dispilinë, që ne e pranojmë të jetë fundi i jetës, nuk duhet të jetë një gjë në klasë dhe një gjë tjetër në rrugë. Duhet të synojmë të jemi shok studimi me nxënësin dhe duhet të mësojmë, po aq sa me të, nëse mund të jemi më të dobishëm për të. Por nuk jam i verbër përballë vështirësive të rastit; supozohet të ketë një shkallë lirie, e cila rrallëherë ekziston. Nuk ka hyrë në zemrën e njeriut të konceptojë gjithë rëndësinë e kësaj fjale – Liri – jo një liri e parëndësishme republikane, me një posse comitatus6 në thembrat e tij për ta mbarështuar në doza si për një fëmijë të sëmurë – por një liri në proporcion me dinjitetin e natyrës së tij – një liri që do ta bëjë atë të ndihet se është njeri në mesin e njerzëve dhe me përgjegjësi vetëm ndaj asaj Arsyeje një grimcë e së cilës është, për mendimet dhe veprimet e tij.

Përherë kam qenë i gatshëm ta shoh lëkurën e lopës si një përçues. Mendoj se, përveç fijes elektrike, as edhe një shkëndijë e vetme e së vërtetës nuk është transmetuar ndonjëherë nëpërmjet agjentëve te intelekti në gjumë të cilit duhej t’i drejtohej. Gabimi im, mund të mësohet një e vërtetë në fizikë, por kurrë një e vërtetë e moralit.

 Do t’ju jem jashtëzakonisht mirënjohës nëse do të merrni mundimin të më vini në dijeni për çfarëdo lloj vendi pune për të cilin mund të dëgjosh. Si referencë mund të përmend Mre Emerson-Mr Hoar- dhe Dr Riplay7.  

E kam lexuar me shumë kënaqësi numrin e parë të ‘Boston Review’. Më pëlqen shpirti i pavarësisë për të cilin shquhet. Është tamam koha të dimë ku të kërkojmë shprehjen e mendimit amerikan. Është e mërzitshme të mos e dimë që më parë a do të gjejmë përmbledhjen tonë në leximin e artikullit. Por dyshimet largohen menjëherë, kur mund të llogarisim t’i kemi përfundimet autentike të një njeriu të vetëm refleksiv8.

Më falni për këtë letër të ftohtë për çështje pune. Ju lutemi i bëni të fala Mrs Brownsonit dhe mos harroni të më përmendni te fëmijët, një pedagog i rreptë i të cilëve kam qenë –

Sinqerisht dhe përnjëmend i juaji,

Henry D. Thoreau.

P.S.

P e shtoj këtë anëshkrim kryesisht për t’u pyetur a kam shkruar unë këtë letër formale. Gishtërinjtë e mi janë ngrirë krejtësisht.

Shënime:

Orestes Augustus Brownson (1803-1876), ishte një nativ nga Vermonti, i vetedukuar, i martuar me Sally Healy (1804-1872), bija e John dhe Polly Rudes Healy nga Elbridge, New York, më 1827. Fillimisht presbeterian, Brownsoni u bë prift universalist më 1826; pastaj i braktisi universalistët dhe shërbeu si prift i pavarur; më 1832 u bë unitarian, duke shërbyer në fillim si prift në Walpole, New Hampshire, më pas në Canton, Massachusetts.

Thoreau kishte mësuar në Canton gjatë një çereku dimëror të vitit 1835-1836 dhe i kishte harxhuar gjashtë javë në shtëpinë e Browsnonit. Me gjasë të dy kishin mësuar gjermanisht bashkërisht.

Më 1836 Brownson i kishte braktisur unitarianët për të formuar një Shoqëri për Bashkimin dhe Progresin e krishterë; ishte konvertuar në katolik në tetor 1844.

Njihej për politikat radikale teologjike dhe sekulare, të cilat i kishte manifestuar në gazetat e tij, në Boston Quarterly Review dhe më pas në Brownson’s Quarterly Review.

1- “Dita e jetës” (Heath’s New German Dictionary, ed. Elizabeth Weir [Boston: D. C. Heath, 1888]).

2- Thoreau kishte hequr dorë nga mësimdhënia në Concord në shtator të atij viti, pas vetëm dy javësh. Nehemiah Ball, një anëtar e komitetit të shkollës, i kishte kërkuar të përdorte ndëshkimin trupor për ta mbajtur rendin në shkollë; pas bisedës me Ballin, Thoreau ishte kthyer në klasë dhe i kishte kamxhikosur disa studentë për shkelje fare të vogla. Atë mbrëmje ksihte dhënë dorëheqje.

3- Thoreau mund ta ketë fjalën për një shkop që përdoret në lojërat e të rinjve ose për një copë të shkurtër shkarpe.

4- E papërcaktueshme.

5- Korintianët, 2:9: “Sytë nuk kanë parë, as veshët nuk kanë dëgjuar, a snuk kanë hyrë në zemrën e njeriut gjërat të cilat Zoti i ka përgatitur për ta që ta duan atë”.

6- Një trup njeriu “të cilin sherifi mund ta thërrasë ose të ‘ngre’ për shuarjen e një trazire ose për qëllime të tjera; po ashtu një trup njeriu në të vërtetë shumë i përgatitur dhe i komanduar nga sherifi” (OED).

7- I përnderuari Ezra Ripley (1751-1841), prift i Famullisë së Parë të Concordit që nga viti 1778.

8- Browsnon e caktoi numrin e parë të Boston Quarterly Review në janar të vitit 1838 dhe vazhdoi ta botonte drei në tetor të vitit 1842, kur e shkriu me United States Magazine dhe Democratic Review. Në parathënien e numrit të parë të Boston Quarterly Review, Brownson kishte shkruar: “E dua këtë si medium përmes të cilit mund t’ua them atyre që duan ta dëgjojnë zërin tim gjithë atë që dua ta them”.

9- Orestes A. Brownson Jr. (1828-1892), John Healy (1829-1857), William Ignatius (1834-1864), and Henry Francis (1835-1913).

/Marrë nga Henry D. Thoreau, “The correspondence, I, 1834-1848”, Princeton University Press, 2013 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

‘Qilim Fest’, Kumbaro: Promovim i vazhdimësisë së traditës dhe shpirtit të artizanëve e zejtarëve

“Qilim Fest” ishte aktiviteti kulturor i radhës i zhvilluar në qytetin e Gjirokastrës nga bashkia e qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro bën me dije sot se mjeshtrat e tezgjahut dhe zonjat e sepeteve të rënda të Gjirokastrës dhuruan një emocion të veçantë duke zbuluar gjithë trashëgiminë e zonës para mijëra vizitorëve në “Qilim Fest”, një prej atyre ngjarjeve që promovojnë vazhdimësinë e traditës dhe shpirtin e artizanëve e zejtarëve të cilët i kanë dhënë Gjirokastrës identitetin unik që na bën krenarë në botë dhe e mbrojtur fort nga UNESCO.

Turistët nga e gjithë bota në Qafën e Pazarit e jo vetëm, janë shembulli më domethënës se si trashëgimia kulturore shndërrohet në një motor për zhvillimin e ekonomisë. E shkuara jonë është një aset i jashtëzakonshëm për të ndërtuar këtu një të ardhme të sigurt përmes turizmit./atsh/ KultPlus.com

Kolonia e piktorëve, hapet ekspozita “Shkodra International Art Residence”

Një koloni e piktorëve nga e gjithë Europa, me drejtues Saimir Ahmetin, çelën ekspozitën e tyre të pikturave: “Shkodra International Art Residence”.

Në oborrin e muzeut historik “Oso Kuka”, artistët u paraqitën me veprat e tyre më të mira.

“Në këtë pikturë flas për vështirësitë që hasin gratë. Kjo është tema ime, vuajtjet e femrave dhe ky është mesazhi që duhet të perçojmë sot. Më pëlqen shumë Shqipëria. Sa herë që vij, gëzohem sepse tani kam shumë miq. Është një eksperiencë shumë e bukur këtu. Gjithçka është fantastike”, u shpreh piktorja Anita Moloscalco.

Kuratori dhe drejtuesi i kolonisë se piktoreve, Saimir Ahmeti, thotë se kjo ekspozitë është një ballafaqim i shkollave të ndryshme të artit në Europë.

“Shkodra International Art Residence” u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe nga Bashkia e Shkodrës. Për disa nga piktorët, u shpërndanë edhe “Çertifikata Mirënjohjeje” për punën e tyre./tema/KultPlus.com

Galeria muzeale “Etno Art”, një tjetër atraksion turistik në zemër të Korçës

Korçës i është shtuar një tjetër atraksion i ri turistik që është hapur në në Zonën Këmbësore të këtij qyteti.

Galeria muzeale “Etno Art” do të ofrojë për të gjithë turistët dhe artdashësit korçarë pjesëza të etnografisë shqiptare punuar me mjeshtëri nga duararta Lirika Pojani.

E kuruar në detaje kjo galeri do të jetë një thesar i çmuar, i cili do të pasqyrojë me të gjitha ngjyrat unike ndërthurjen fantastike të traditave shqiptare nga jugu në veri.

Kryetari i Bashkisë Korçë, Sotiraq Filo shprehet se ky atraksion i ri turistik në zemër të Korçës, do të ofrojë për të gjithë turistët vendas e të huaj pjesëza të etnografisë shqiptare nga jugu në veri/

E krijuar në detaje, kjo galeri është një thesar i çmuar, që pasqyron me të gjitha ngjyrat unike ndërthurjen fantastike të traditave shqiptare.

Galeria muzeale “Etno Art” është një tjetër gjerdan i çmuar i ndërthurjes fantastike të traditave shqiptare ku pasqyrohet trashëgimia jonë e pasur brez pas brezi.

E njohur në të gjithë juglindjen e vendit për artin e kostumografisë, Lirika Pojani bashkëshortja e koreografit të njohur Bardhi Pojani, një pjesë të kostumeve i ka punuar nga kostumet origjinale tek gratë e zonave të ndryshme./atsh/KultPlus.com

Të rinjtë promovojnë biodiversitetin në Alpet shqiptare

Ekspedita me të rinjët në muzeumin natyror ‘’Lumi i Gashit’’ në zemër të Alpeve Shqiptare ishte me të vertet një mrekulli. Lumi i Gashit duke qenë nën juridiksionin e UNESCO-s zonë e Trashgimisë Natyrore Boterore po shikohet me interes të madh nga të rinjtë e Tropojës.

Arsyeja e një habitati relativisht i madh, por natyralisht shumë i pasur, shumë e bukur, ku tradicionalja është ruajtur mrekullisht në cdo cep me monomentet natyrore dhe historike poashtu me floren dhe faunën e rrallë e shumë të pasur, ndërkohe që modernja po zhvillohet me vehte, në harmoni dhe pa demtuar asgje nga tradita.

Ekspedita e zhvilluar nga të rinjte në këtë zonë përben një risi në njohjen dhe promovimin e vlerave të biodiversitetit. Deshira e madhe për të vizituar alpet ndizej duke shkuar me lart tek shikonin dhe vëzhgonin shume gjera që kanë dëgjuar dhe mësuar. Era një apasionante e madhe e natyrës shpreht që në hyrje të luginës që po i hapen mushkrite nga ajri i pastër dhe me kthjellohet mendja kur shikon gjithë ketë bimësi. Duke ecur të gjithë së bashku si asnjëherë tjeter në një hiking të udhëhequr nga profesori i Biologjise ASTRIT METALIAJ kenaqesh kur e dëgjon duke të sqaruar me maturi e komentuar për floren e faunen si një nga ekspertet më të mirë të veriut.

Ndalim i parë ishte tek Mulliri i Gradit si vlere e trashgimise ku cdo turist e terheq kurioziteti për të parë dhe gjetur informacion se sa daton kjo veper ‘’arti’’, tek shikon se aty kane mbetur vetëm një pjesë e gurve të tij. Madhështia arriti kulmin në hyrje të luginës kur shikon Kanioni shume të madh duke të sjell jo vetem një atraksion të bukur por një krenari dhe ballafaqim në tendencat sporadike për të ndryshuar atë. Ujevarat gjate gjithe kanionit, shpella e Bleteve llojshmëria e bimeve i terhoq shume të rinjtë duke mos e ndjere rrugen për në destinacionin e dyte – Ara e Ose. Një lugine e bukur,lumi i bjeshkeve të tropojës që i kalon në të djathtë të tij ka dhën mundësi që z.Halil të ndërtojë një biznes me një sherbim fantastik, me restorant me prodhime bio të prodhuara nga ferma e tij.

Të rinjte shuan kureshtjen tek u fliste embel e qartë z.Halil për kete pikë të bukur turistike, bimësine e shumtë dhe kafshet e egra të zonës. Ketu përfundoi dita e pare e ekspedites me të rinjt me iden që neser do ngjitemi me lart në zemer të Alpeve në Lumin e Gashit. Atje ku komuniteti i tropojes po pregaditet për sezonin veror dhe pritjen e turistave, atje në sylbice dhe Doberdol për të vezhguar dhe njohur me shume legjenda dhe llojshmeri./botasot/KultPlus.com

6 vjet pa ‘Mësuesin e Popullit’ Kolec Topalli

Nga Bledi Filipi

Vepra që profesor Kolec Topalli ka lënë pas ka rëndësi në fushën fonetike, gramatike edhe etimologjikë të shqipes.

Mbetet  një personalitet i shquar në shkencat gjuhësore dhe filologjike, si anëtar i Akademisë së Shkencave dhe si Mësues i Popullit që ka dhënë kontribute të shumta në fushën e arsimit, kulturës edhe shkencës sonë gjuhësore. Profesor Koleci e meriton nderimin, se ka lënë një vepër të madhe në disa drejtime; në fushën fonetike, gramatike të shqipes dhe të etimologjisë. ” (S.Mancaku, 2021)

Gjashtë vjet më parë u shua akademiku Kolec Topalli, i cili një jetë të tërë ja kushtoj shqipes.

Gjuhëtar, profesor, Mësues i Popullit. Lindi në Shkodër, më  4 dhjetor 1938 dhe u shua në Tiranë më , 24 maj 2018.

Në Shkodër  kreu dhe shkollën e mesme dhe  ndoqi studimet e larta në ILP të Shkodrës dhe i përfundoi në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në UT (1964). Ka punuar si mësues në rrethet Kukës, Lezhë, Gramsh e Krujë. Sekretar i përgjithshëm i Presidentit të Republikës (1992-1997), punonjës shkencor Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë (1997-2006), këshilltar në ambasadën e Shqipërisë në Romë (2006-2007). Gjatë viteve të shërbimit në arsim u mor me studime gjuhësore dhe përgatiti dy disertacione (1986, 1991). Ka trajtuar kryesisht probleme të fonetikës historike të shqipes. (FESh III, 2008)

Që nga fillimet e viteve ’70 e deri në  vitet e fundit të jetës nuk rreshti së shkruari për çështje të historisë së gjuhës shqipe dhe shqipes së sotme.

Titullar i lëndës, fonetikës historike në Universitetit e Tiranës. I numërohen më shumë se 180 tituj : monografi, kumtesa etj. Ndër veprat e tij më të rëndësishme përmendim:

“Theksi në gjuhën shqipe” (1995); “ Për historinë e hundorësisë së zanoreve shqipe“ (1996);

“ Zhvillimi historik i diftongjeve të shqipes” (1998); “ Bazat e fonetikës të gjuhës shqipe” (2005); “Fonetika historike e gjuhës shqipe” (2007); “ Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011); “ Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe” (2017) etj.

Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe është një vepër madhore për etimologjinë shqipe. Autori si pikë referimi ka pasur studimet e Çabejt, që i kanë shërbyer njëherazi edhe si pikëmbërritje dhe si pikënisje; si pikëmbërritje, meqenëse në hulumtimet e tij janë përmbledhur të gjitha studimet e mëparshme bashkë me kritika përkatëse; si pikënisje, meqenëse plotësimet, shtesat e zgjidhjet e reja  i ka bërë nga ky dijetar, ashtu sikurse ai vetë në kohën e tij mori si pikë referimi studimet etimologjike të Gustav Mayerit. (FEGjSh, 2017-7, K.T)

Për këtë Fjalor autori ka pohuar se punën kërkimore e kishte nisur qysh në vitet ’70 të shekullit të kaluar dhe u kurorëzua në vitin 2017.

Fjalorët etimologjikë janë një pasqyrë e historisë së gjuhës dhe në një kuptim më të gjerë janë pasqyrë e historisë së vet popullit që e flet atë.

Me anë të tyre shkohet në thellësi deri te rrënjët e gjuhës, aty ku kanë gurët e themelit, e ruajtur në shekuj e mijëvjeçarë dhe e zhvilluar dhe e përpunuar në rrjedhat e kohës. ( FEGjSh,2017, K.T)

Fjalori u shërben të gjithëve. U shërben albanologëve, indoevropianistëve, ballkanologëve, helenistëve, romanistëve, sllavistëve etj.

Autori në Fajlor shtjellon nga ana etimologjike një pjesë të madhe të pasurisë leksikore të gjuhës shqipe, të cilën e ka vjelë nga fjalorë të botuar, materiale folklorike a dialektore dhe shkrimet e autorëve të vjetër dhe të rinj. Ai përmban fjalë të fondit të tashëguar indoevropian, krijime të brendshme të shqipes, huazime antike e mesjetare, ndërkombëtarizma etj.

Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domosdoshme për të arritur te burimi i fjalës.

Por që nga dalja në dritë e veprës e deri më sot, janë shfaqur një sërë “gjuhëtarësh” që e sulmojnë duke thënë që duhet ndaluar. Ata që hedhin baltë mbi veprën e Topallit duhet të dinë një herë e mirë që etimologjia shkencore do fakte dhe jo fjalë.

Por një oërgjigje për ta e ka dhënë prof. Seit Mancaku: ““Fjalori Etimologjik i Gjuhës Shqipe është vepër e autorit, e nisur 50 vite më parë, edhe e përfunduar në fund të jetës. Unë kam qenë recensent i fjalorit. Kritikat që i bëhen të them të drejtën nuk janë shkencore. S’ka vepër që mund të mos i bëhen vrenjtje. Një vepër kaq e madhe, që të shkruash mijëra fjalë dhe të gjesh etimologjinë e  tyre, ka vend edhe për vrejtje. Por vrejtja kryesore që ka rritur peshën specifike të fjalëve të huaja në dëm të gjuhës shqipe, nuk qëndron. Është një drejtim studiuesish, që mendojnë se shqipja është nëna e të gjithë gjuhëve. Ato fjalë që ne i kemi nga latinishtja, ata mendojnë se i ka marrë latinishtja nga ne. Por. duhet të jemi objektiv, por jo indiferent.”

Mancaku më tej thekson se Koleci ka lënë një vepër të madhe dhe te dobishme, që duhet të nderohet dhe brezat e ardhshëm. Sikundër, duhet të punohet edhe për Fjalorë të rinj Etimologjikë në të ardhmen (S.M. 2021)

Në mbyllje do të citoj prof. dr.Valter Memisha me kumtesën e mbajtur në Shkodër në paraqitjen e veprës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”:

Fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, i hartuar nga K. Topalli, i cili plotëson zbrazëtinë e së shkuarës, është i domosdoshëm për të tashmen dhe do të jetë po kaq i domosdoshëm dhe pikë referimi për të ardhmen. Një vepër e tillë, për vështirësitë e mëdha që ka kjo fushë dhe për mangësitë e tjera që paraqet studimi i shqipes, nuk mund të quhet asnjëherë e përfunduar, aq më pak e përkryer. Ajo përbën vetëm një piketë të re në udhën e gjatë të studimeve etimologjike për gjuhën shqipe./tema/KultPlus.com

‘Fjalët e Qiririt’, poezia madhështore e Naim Frashërit

Poezi nga Naim Frashëri

Në mes tuaj kam qëndruar
e jam duke përvëluar,
që t’u ap pakëzë dritë,
natënë t’ua bënj ditë.

do të tretem, të kullohem,
të digjem, të përvëlohem,
që t’u ndrinj mir’ e të shihni,
njëri-tjatërin të njihni.

për ju do të rri të tretem,
asnjë çikë të mos mbetem,
të digjem e të qanj me lot,
se dëshirën s’e duronj dot.

unë zjarrit nuk i druhem
dhe kurrë s’dua të shuhem,
po të digjem me dëshirë,
sa të munt t’u ndrinj më mirë.

kur më shihni se jam tretur,
mos pandehni se kam vdekur;
jam i gjall’ e jam ndë jetë
jam në dritët të vërtetë,

unë jam në shpirtin tuaj,
mos më kini për të huaj,
m’është falurë durimi,
andaj po digjem si trimi,

se ma k’ënda t’u bënj mirë,
të mos mbeti n’errësirë.
jakëni rreth meje rrini,
flisni, qeshni, hani, pini,

në shpirt kam dashurinë,
pa digjem për njerëzinë,
lemëni të përvëlohem,
nukë dua më të ftohem,

dua ta djek trupn’ e kretë
për atë zotn’ e vërtetë.
me zjarr ta djek mushkërinë
e të tretem për njerinë,

bashkë me gëzimt të tija
të vete te perëndia.
unë dua njerëzinë,
mirësin’ e urtësinë.

në bëhi shokë me mua,
në më doni si u dua,
njëri-tjetërin në doni,
të paudhë mos punoni.

o zëmëra fluturake,
qasju pakë kësaj flake!
mase krahët t’i përvëlon,
po dhe shpirtin ta shënjtëron.

unë duke përvëluar,
njerëzit i kam ndrituar.
kam qënë mik me njerinë,
andaj i di e më dinë.

gjithë tuajt’ i kam parë,
mëm’ e at’ e fis e farë,
si tani gjithë i kam ndër mënt,
që rrininë më këtë vënt.

edhe sot nër ju ata shoh,
se shpirtin e tyre ua njoh,
dhe unë si ju jam ndruar
e jam përzjer’ e ndryshuar,

pa jam bërë shumë herë
zjar e uj’ e balt’ e erë.
jam një shkëndijë pej qielli
dhe një drudhëzë pej dielli.

edhe ndër qiej fluturonj,
edhe brënda në det qëndronj,
shumë herë fle në baltë,
diku ndodhem dhe në mjaltë

bënem qëngj e kec i pirë,
lul’ e bar e gjeth i mbirë.
dua shumë fjalë t’u them,
po trëmbem mos i bënj ujem.
e ku shkruhenë në kartë
fjalët’ e gjuhësë zjarrtë? / KultPlus.com

Një listë me filma që do të të ngrenë humorin

Të gjithë ne kemi ditë të këqija. Ditë nga ato tipiket kur as një filxhan i madh me kafe nuk mjafton për të na çuar nga krevati dhe për të na nxjerrë nga shtëpia.

Gjithçka duam është të rrimë mbyllur, të dëgjojmë muzikë të trishtë dhe kështu “zhytemi” më shumë në melankoli.

Për ju që keni nevojë të ndryshoni gjendjen tuaj, një listë më filma që mund t’i shihni nga sot në Netflix është këtu:

1 – To All the Boys I’ve Loved Before

2 – Paddington 

3 – Eurovision Song Contest: The Story of Fire Saga

4 – The Perfect Find

5 – The Mitchells vs. The Machines

6 – Marcel the Shell with Shoes On

7 – The Forty-Year-Old Version

8 – Glass Onion: A Knives Out Mystery/ora/KultPlus.com

Dritëro Agolli: Naim Frashëri është fëminia e poezisë sonë

Naimi është fëminia e poezisë sonë. Koha kalon, poezia rritet e maturohet, por për të mbetet e bukur fëminia. Dhe megjithatë Naimi nuk është vetëm fëminia e poezisë sonë, ai ishte nga ustallarët e vërtetë që vuri gurin e parë të sigurt në themelet e saj. Për këtë gjithë brezat poetikë i kanë hequr dhe i heqin kapelën, se nga ai kanë patur ç’të mësojnë.

Ai ka qenë, ndofta, punëtori zemërgjerë më i madh i gjithë poetëve shqiptarë. Me punën e tij të rëndë krijoi në Shqipërinë e kohës së vet poezinë moderne, vjershërimin modern që gjer atëherë mungonte. Hoqi nga fjalori poetik gjithë vjetërsirat që ia mernin frymën gjuhës së gjallë. Fjalën perlë e nxori nga pluhuri i kohës, e bëri të shkëlqejë me tërë bukurinë e saj dhe tregoi se ç’mundësi të pafundme kishte shqipja për të shprehur në art mendime të mëdha.  Fjalën ai nuk e mbajti për të qëndisur stolira më vete, por e nxori në udhë të gjërë për t’i shërbyer idealit të tij të lartë, idealit të Shqipërisë së lirë. E çfarë s’bëri ai me atë fjalë! Shkroi poema e vjersha, shkroi këndime e punime pedagogjike, shkroi fjalë të urta dhe esse! Naimi është një det i gjerë. Ky det ka ujra të kulluara e të turbullta, ka valë të mëdha e valë të vogla, ka shkumë të bardhë e shkumë të murrme. Te Naimi mund të futesh si në një labirinth, në të cilin  mund të ngatërrohesh po mos njohe kohën naimjane. Krahas vargjeve të shkëlqyera, do gjesh vargje naive gjer në bejte, krahas mendimeve më të përparuara të kohës së vet, do të gjesh edhe mendime qe nuk janë të denja për atë. Por i padiskutueshëm mbetet ideali i tij i madh: lufta për lirinë e Atdheut. Kësaj lufte ai i fali gjithçka: krijimin, mendjen, trupin. Unë gjithnjë e kam përfytyruar Naimin si një qiri që digjet për t’u ndritur të tjerëve. Shqipëria i thërriste: “ndrit”! dhe ai digjej e ndriste. Nuk kish kohë as të ruante veten, as të ruante përsosmërinë e artit të tij. Nuk kish kohë as të ruante veten. Shumë herë nga ky nxitim i madh, nga ky nxitim nën dorën e fuqishme të Shqipërisë që e shkundëte dhe i thoshte me ngut: “shkruaj”, Naimi sakrifikoi artin, gjënë më të shtrenjtë të tij. Ai ndofta linte përgjysmë një vjershë, që mund të bëhej e mrekullueshme, dhe shkruante një këndim për çunat analfabetë të Shqipërisë së robëruar. Vjershën e linte dhembje të madhe, por nuk kishte ç’të bënte. Vallë Naimi që ka bërë aq gjëra të mrekullueshme, nuk ishte i zoti të bënte lirika initme e peizazhe, e vjersha dashurie të përsosura, puro-art? Edhe këtë e bënte, por ai ishte militant dhe si militant kish një mision të lartë historik. Këtë militantizëm kanë mësuar poetët shqiptarë nga mësuesi i tyre  i nderuar. Brez pas brezi kështu e kanë quajtur krijimtarinë poetike poetët tanë: punë militante. Ata që e kanë shkëputur krijimtarinë poetike nga nga misioni militant, nga shërbimi ndaj popullit, kanë dështuar si poetë edhe në se kanë patur talent. Në kohën kur jetonte ai, krijonte në Francë edhe Sharl Bodleri. Njëmbëdhjetë vjeç ishte Naimi, kur Bodleri botonte “Lulet e së keqes”. Mund t’i shkruante edhe ai “ Lulet e së keqes”, por këtë s’e bëri, shkroi “Lulet e Verës”, se kjo i duhej Shqipërisë. Ne poetët kemi mësuar e mësojmë nga militantizmi i Naimit, po edhe nga ëmbëlsia e gjuhës së tij, nga tingulli i fjalës së pastër. Fjalën naimjane të duket sikur e prek me dorë, të duket sikur dëgjon jehonën e saj tek ecën nëpër male. Dhe ti duke vërshëllyer e përsërit me vete. Kudo të ndjek ajo fjalë, se ai me punën e tij, do të thosha prej bualli, e pastroi nga ndryshku i huaj, e pastroi siç pastrojnë ustallarët mermerin për të shkëlqyer. Më kujtohet një shprehje e Rafaelit, afërsisht kështu: “kur gjithë bota qan, ti nuk duhet të qeshësh”. Kur Shqipëria qante, Naimi nuk qeshi me artin e vet, nuk u muar me cikërima dhe bëlbëzime poetike, por e vuri artin në shërbim të shoqërisë. Prandaj ne i heqim kapelën dhe themi: “punove mirë, usta”! / KultPlus.com

Franz Kafka – Shkrimtari i pavdekshëm edhe 100 vjet pas vdekjes

100 vjet më parë, më 3 qershor 1924 ndërroi jetë një nga shkrimtarët më të njohur të hapësirës gjermanofolëse. Në të gjithë botën tregimet e tij enigmatike, shpesh të errëta përpihen nga gjenerata të tëra.

Kafka lindi në 3 korrik 1883, para 125 vjetësh, në Pragë që në atë kohë bënte pjesë në perandorinë austrohungareze, sot kryeqyteti çek. Praga krenohet sot me shkrimtarin e madh, por qyteti edhe përfiton nga emri Kafka.

Monumenti i Franc Kafkës në Pragë

Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë

Zona e turistëve në Pragë. Ajo të çon nga unaza përmes rrugicave të ngushta të pjesës së vjetër të qytetit. Dyqanët e suvenirëve rreshtohen përkrah njëri-tjetrit. Në mes të mallrave të bie në sy emri i Kafkës. “Kemi bluza me emrin e Kafkës, apo filxhanë me fotografinë e tij:” thotë një shitëse e suvenirëve. Biznesi me Kafkën ka funksionuar gjithmonë tregon ajo. Por edhe në muzeun e Kafkës krahas informacionit mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të njohur, ofrohen gjithëfarëlloj suvenirësh, në kujtim të figurës së tij. Nga shenjueset për lexim me portretin e Kafkës deri tek mausi i kompjuterit me nënshkrimin e Kafkës.

Kafka lindi në një familje hebreje

Në 3 korrik 1883 para 125 vjetësh Kafka lindi në një familje hebreje në Pragë. Pas një fëmijerie dhe rinie të vështirë me një baba që atij i dukej shpeshherë i padrejtë dhe i plotfuqishëm, vijnë studimet në degën e juridikut dhe një punë në një shoqëri sigurimesh. Ky ishte thjesht një profesion për të fituar bukën e gojës. Sepse ajo që donte të bënte Kafka ishte thjesht të shkruante. “Kur Gregor Samsa u ngrit një mëngjes pas ëndrrash të shqetësuara, ai e pa veten në krevat të shndërruar në një insekt të frikshëm.”

Kështu fillon tregimi i Kafkës”Metamorfoza” në të cilin Gregor Samsa vazhdon ekzistencën e tij si një insekt, gjithnjë e më shumë i pavlefshëm derisa ai vdes. Një lehtësim për familjen e Samsës. Të errëta, mistike, ireale të duken tregimet e Kafkës.

Shtëpia e lindjes së Franc Kafkës me pllakën përkujtimore

Absurditetin që përshkruan ai Praga e ka përjetuar në vitet e komunizmit

Letërsinë e Kafkës e karakterizon hendeku i madh mes individit dhe shoqërisë, sqaron Tvrdik. Gjithnjë bëhet fjalë për ballafaqimin e një njeriu të vetmuar me ambientin familjar, më nje shoqëri anonime, me një burokraci të pamëshirmshme teknokrate. Edhe punonjësja në biletarinë e muzeut të Kafkës dridhet kur kujton letërsinë e tij: “Vetë i kam lexuar tregimet e tij dhe gjithnjë me një ndjesi tmerri i kam hedhur mënjanë. Me këtë ne nuk jemi ballafaquar ende. Kam përshtypjen se absurditetin që përshkruan ai, ne e kemi përjetuar në vitet e komunizmit.”

Por si është e mundur që Kafka është kaq i dashur për turistët?

“Në vitet 90-të pas rënies së Murit. Praga u rizbulua. një qytet, që ende gjendje në errësirë, që mbulohej me lidhjen me Kafkën dhe veprën e tij. Me sa dukej kjo zgjoi interesin për të zbuluar se si jetohej në këtë qytet të largët. Ky është ndoshta një shpjegim për valën e turistëve pas viteve 90-të. Dhe fenomeni “Kafka i pëlqyeshem” është një zbulim i kohës moderne e postmoderne.

Kafka ndërroi jetë në moshën 40 vjeçare nga turbekulozi i mushkërive në Kierling të Austrisë. Por ai nuk do të vdesë kurrë me veprën që kanë lënë pas, thonë studiesit dhe adhuruesit e tij. /DW/KultPlus.com

’Kosova në tinguj’, perlat e muzikës shqiptarë në koncertin e Operës së Kosovës

Flonja Haxhaj

Mbrëmjen e së enjtes, Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës mirëpriti një ngjarje të veçantë muzikore, koncertin ‘Kosova në tinguj’. Ky koncert ishte organizuar për të nderuar vizitën e gazetarëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe kishte për qëllim të prezantonte kulturën dhe repertorin muzikor të Kosovës, shkruan KultPlus.

Koncerti u hap me veprën ‘Loja’ të kompozitorit të njohur Valton Beqiri, duke vendosur një ton solemn dhe emocionues për mbrëmjen. Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, Orkestra e Operës së Kosovës dhe solo – këngëtaret sollën një performancë të paharrueshme duke sjellë perla nga repertori i muzikës shqiptare.

Sopranoja Besa Llugiqi ishte e para që doli në skenë, duke interpretuar këngën ‘Asaman’. Zëri i saj i fuqishëm dhe ekspresiv magjepsi audiencën dhe përgatiti të gjithë për mbrëmjen e veçantë që po i priste. Pas saj, sopranoja Adelina Paloja interpretoi këngën ‘Pranvera filloi me ardh’, performancë kjo që solli duartrokitje të shumta në publik.

Mbrëmja vazhdoi me sopranon Zana Abazi Ramadani e cila interpretoi këngën ‘O moj bukuroshe’. Zëri i saj melodik dhe interpretimi emocional shtuan një tjetër dimension artistik mbrëmjes.

Pjesa tjetër e koncertit vazhdoi me një seri këngësh shqiptare që ngjallën nostalgji dhe krenari kombëtare. Këngët ‘Lamtumirë’, ‘Me lule t’bukura’, ‘E kujtoj atë takim’, ‘Baresha’, ‘Kroi i fshatit tonë’, ‘Mallëngjimi’ dhe ‘Agimet shqiptare’ u interpretuan duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.

Mbrëmja u përmbyll në mënyrë magjike me interpretimin e këngës ‘Valsi i Lumturisë’ nga trioja e sopranove Adelina Paloja, Besa Llugiqi dhe Zana Abazi Ramadani. Kjo performancë ishte kulmi emocional i koncertit, duke lënë një përshtypje të thellë tek të gjithë të pranishmit.

Pas koncertit ku u prezantuan disa nga perlat e muzikës shqiptare, për KultPlus foli sopranoja Adelina Paloja e cila shprehet se është ndjenjë e veçantë që të kthehet në këtë koncert pas suksesit që pati me operën ‘Goca e Kaçanikut’.

“Kënaqësi e jashtëzakonshme të rikthehem pas suksesit të ‘Gocës së Kaçanikut” i cili ka qenë një sukses ndoshta më i larti të themi i kohës së pas luftës sa i përket muzikës vokale. Pritja e sotme nga publiku i pranishëm ishte një motiv shtesë, një satisfakcion i i jashtëzakonshëm që të vazhdoj natyrisht edhe më tutje dhe arsyeja pse unë jam e lidhur aq fort përherë e them me publikun kosovar është pikërisht për shkak të këtyre duartrokitjeve të ngrohta që i marr përherë”, theksoi Paloja, duke shtuar më tutje se është po ashtu kënaqësi që të interpretojë vepra nga repertori i literaturës kombëtare.

“Kënaqësi e jashtëzakonshme interpretimi me një orkestër, me një repertor të literaturës kombëtare, të përzgjedhur nga dirigjenti, mendoj dhe besoj që kjo është një ogur i mirë edhe solo këngëtaret e reja, që të vazhdojnë më tutje dhe të kenë suksesin që kemi pasur edhe ne”, tha mes tjerash ajo.

Një pikë që ngjalli shumë duartrokitje në publik ishte edhe interpretimi i ‘Bareshës’ ku orkestrës ju shtua në interpretim në fyell dhe çifteli nga Gent Hoxha. Pas koncertit Hoxha tha për KultPlus se është i lumtur që pati rastin që të performojë këtë vepër në bashkëpunim me orkestrën e Operës së Kosovës, marrë parasysh faktin që bashkëpunimet e tilla janë të rralla.

“Është një kënaqësi e veçantë që sot elementet tona të muzikës tradicionale, muzikës tonë popullore u futën në këtë koncert të një pjese të orkestrës së operës sonë dhe për mua është gjithmonë kënaqësi e veçantë kur marr pjesë, sidomos nga maestro ynë i madh, profesor Edon Ramadani sepse në Kosovë nuk nuk kemi pasë rast me pa shpesh bashkëpunime të tilla. Në qoftë se ky koncert, ose pika ime e Bareshës, të shumëluajtur tashmë në Kosovë, ka tingëllu mirë, është falë ornamenteve që muzika jonë popullore i ka dhe falë instrumenteve që kanë një ngjyrë të jashtëzakonshme”, tha Hoxha për KultPlus.

E krejt në fund për KulPlus foli edhe dirigjenti Edon Ramadani, i cili si çdo herë arriti të bëjë një ndërlidhje të shkëlqyer mes orkestrës dhe solo-këngëtarëve. Ai theksoi se arsyeja e këtij koncerti erdhi pas vizitës së gazetarëve ndërkombëtarë në Kosovë, ku Opera e Kosovës organizoi një mbrëmje ku do të mund të prezantohet kultura muzikore kombëtare.

“Edhe shumë mirë që erdhi ky rast, erdhën gazetarë dhe ne i ndezëm motorat pak më shumë dhe i mblodhëm ato ilustrime që kishim deri tash, të cilat kryesisht ishin të profesorit Valton Beqiri dhe të miat dhe gjithashtu një të kompozitorit, Thomas SImaku nga Shqipëria. Kështu që besoj që në këtë format nuk jam i sigurt, po me një orkestër aq të madhe ndoshta edhe mund të jetë një program i tillë i i shfaqur për herë të parë dhe jemi të lumtur që kjo ndodhi edhe ndërkohë po  mundohemi që ta pasurojmë edhe më shumë repertorin e e muzikës tonë, natyrisht me orkestrime dhe  aranzhime për formacione të tilla, që ta kemi të mundur që ta prezantojmë kulturën tonë sa më mirë që është e mundshme”, përfundoi Ramadani./KultPlus.com

Kujtimet e Petro Markos: Kur Asllan Ypi e kishte parë Enverin te kafe ‘Flora’ dhe i kishte thënë “Po ti, çdo këtu me këta të kuqtë”

Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

Nga Petro Marko

Më vonë mora vesh se më 15 maj u bënë arrestime masive. Mua më shpunë te Burgu i Vjetër. Aty, në birucën e katit të poshtëm, gjeta tre veta: Asim Abdurahmanin, që e njihja, se ishte dhëndri i Bedri Pejanit; Gjysh Dedën, një shkodran; Asllan Ypin. Sapo më panë, u habitën: “Edhe ti këtu!”

– I kisha thënë gruas sime, të vinte tek ti që të interesoheshe për mua. Më kanë dënuar me vdekje! Nuk e di pse…?! Unë Babushin (Bedri Pejanin) nuk mund ta mohoja, se e kam vjehërr…! Pastaj, pse jam përfaqësues i Shoqërisë Farmaceutike gjermane “Bajer”, nuk është ndonjë krim…!

Ishim katër veta në një birucë. Cilido tregonte të tijat. Aty, dëgjova Asllan Ypin, të na tregonte për jetën e tij dhe të Enverit në Francë…!

Pastaj tregonte edhe për në Tiranë:

– Një ditë kalova andej dhe e pashë që pozonte në derën e dyqanit “Flora”, ku njoha disa komunistë. I thashë frëngjisht: “Po ti, Enver, ç’kërkon këtu me të kuqtë?”

– Dhe ai po frëngjisht: “Jam këtu, me qëllim që t’u… nënën gjithë komunistëve. Asnjë nuk do të lë më këmbë”.

Dhe, siç do të shohim, ai me të vërtetë qysh atëherë, nisi të eliminonte komunistët e orëve të para.

– Po ne që nuk jemi komunistë, – tha Gjysh Deda, – pse na arrestoi e, na dënoi me vdekje?

Mendoja: “Kam qenë në burgje të tjera, me shokë të dënuar me vdekje dhe gjithnjë jam kredhur në një trishtim shumë të thellë…! Ç’ka bërë njeriu! Ç’mënyra krimi, mundimi dhe degjenerimi, ka gjetur për të dënuar veten! Më kujtohet që, thoshin në burgun e Barit, se inxhinieri i cili ndërtoi burgun, pasi e mbaroi, vrau veten. Burgjet janë varri i të gjallëve. Njeriu, në disa demokraci, ka gjetur mënyrën e dënimit të fajit ose të krimit: izolimi në vende te largëta; kanë krijuar komunitete fajtorësh, që punojnë e jetojnë të izoluar nga bota tjetër, por ama janë në shoqëri, shohin diellin, paçka se bëjnë një jetë, pa krahë për të fluturuar…”!

– Ja një skenë çnjerëzore: Ishim duke ngrënë bukë të katër bashkë; kishim shtruar ato që na kishin sjellë familjet tona në sefertasë. Mua më sillte ushqim rregullisht përditë, gruaja ime, Safoja. Atë e ndihmonte e ëma, Shazija, që gatuante shumë mirë. I bashkuam gjellët dhe që të katër, këmbëkryq, filluam të hanim. Nuk kaluan pak minuta dhe dera kërciti e u çel. U futën dy oficerë të Sigurimit, Haznedari dhe Stavri, të zellshëm për ofendime dhe tortura nga më çnjerëzoret. Nuk na thane: “Ju bëftë mirë dreka,” po:

– Ti, Asim Abdurahmani, dhe ti Gjysh Deda, ngrihuni!

– Dale të mbarojmë drekën…! Tani sapo u shtruam!

– Pusho ti, agjent i fëlliqur! Ju ngrihuni, se drekën e mbaroni në atë botë.

Shtangëm. Gjysh Deda, trim, tha:

– Asim, ngrihu! Të shpëtojmë nga kjo pjellë e keqe, që ka lindur ky vend fatkeq, i pushtuar nga Titoja, që ka këtu si xhelat Enverin!

Më erdhi të ulërija kur pashë Stavrin, ta godiste me këmbë në kokë dhe ta shante.

– Mos u ligështo. Mbaju burrë, se ne bëjmë pjesë te kurbanet, në ato mijëra kurbane, që Enver Hoxha i ther për perëndinë e tij, Tito.

Përsëri Stavri e goditi rëndë. E hoqi zvarrë. Me Asimin u përqafuam me lot në sy. Dëgjova:

– Në dalçi gjallë këtej, thoni se vdesim të pafajshëm!

Dera u mbyll. Unë dhe Asllani ndenjëm në këmbë me lot në sy, ndërsa radioja, shpërndante me zë të lartë me anë të megafonit të vënë në oborr të burgut: “Orën gazmore” dhe i bënte të qeshnin ata që e dëgjonin.

Ishte edhe kjo një nga ato mijëra skena makabre, që kam parë gjatë gjithë jetës.

Pyetje: – A ndenje shumë te Burgu i Vjetër me Asllan Ypin?

Përgjigje: – Jo. Shpejt na shpunë në Burgun e Ri. Në një sallë të katit të dytë, ku kishte më shumë se njëzet veta, të gjithë të dënuar, si: “agjentë të të huajve”. Kishte aty, njerëz të karaktereve dhe mo shave të ndryshme. Kishte edhe disa rusë të bardhë, nga ata oficerë të Carit, që shpëtuan nga revolucioni dhe ikën. Ishin nga ata rusë të bardhë, që i rekrutoi Ahmet Zogu në Jugosllavi dhe bashkë me bashibozukë të tjerë e, bajraktarë, hynë në Tiranë, më 24 dhjetor të vitit 1924.

Ata u bënë instruktorë të Ushtrisë dhe Zogu i mbante mirë. Tregonin nga jeta e tyre në Peterburg dhe si kërcenin me balerinat më të bukura. Njëri thoshte se kishte kërcyer edhe me Carinën dhe se ajo e kishte pëlqyer shumë, prandaj e thërriste shpesh në mbrëmje në Pallat. Shokët e tij, i thoshin Rasputin. Të gjitha këto, ndoshta ishin fantazi.

Më në fund, më ndanë nga ata dhe më futën në një birucë të katit të parë, më lidhën me duart pas dhe te këmbët. Vetëm kur haja bukë, më zgjidhnin duart dhe kur shkoja në orën e caktuar në tualet. Lidhur këmbë e duar nga pas, pa asnjë shtresë e mbulesë, më bënin presion të përditshëm, të tregoja, të pohoja ato që deshën ata. Vinin grupe-grupe. Në një grup njoha një hetues që kishte qenë në kuesturë, në kohën e okupacionit fashist dhe thosha me zë të lartë: “Më vjen mirë që është edhe ai hetues, se më duket sikur jam, në kuesturën fashiste”.

Hetimet filluan të bëheshin më të ashpra, më brutale. Më thoshin gjëra të çuditshme dhe ndërronin ton duke shtuar. “Fol për të mirën e Partisë”! Dhe unë përgjigjesha: “Të cilës Parti? Unë kam qenë anëtar i partisë spanjolle, franceze, italiane gjer në ditët e para të çlirimit. Tani më thoni: pranon Partia Komuniste Shqiptare, të shpif dhe të akuzoj njerëz që s’kanë bërë gjë dhe që nuk i njoh”?! Shpesh, çekani rrihte këtu: të deklaroja se Mehmet Shehu, ka qenë agjent qysh në Spanjë! Nuk çuditesha, se shumë nga ata që kishin mbaruar Shkollën Teknike Amerikane, ishin arrestuar, si spiunë amerikanë.

Shumë nga ata që kishin qenë të internuar ose të burgosur në Itali, ishin arrestuar, si spiunë. Dhe unë kujtoja atë mbledhje që bëmë në ishullin e Ustikës me grupet komuniste, me synimin që të merrnim ishullin, se përballë nesh, në Tunizi, ishte Armata Anglo-amerikane. Dhe kishim ndër mend të vrisnim rojat, të rrëmbenim një motoskaf e, të shkonim në Bizertë, t’u thoshim amerikanëve, të vinin të na shpëtonin. Unë e pranova këtë plan, por një shok nga Sllovenia, Dushan Kermau-neri, insistoi: jo! Dhe na bindi:

“Ja erdhën amerikanët e na shpëtuan, ku do të na shpien? Në një kamp të tyre në Afrikë. E, kur të kthehemi në atdhe, në u kthefshim, do të na akuzojnë si; spiunë të anglo-amerikanëve”! Na bindi, kishte të drejtë dhe ishte shumë i zgjuar. Jam i mendimit që llojet e torturave çnjerëzore, nuk duhet të shkruhen, se mund t’u shërbejnë diktatorëve, ose xhelatëve të tjerë. Por do të tregoj, për një shaka që bëra në atë skëterrë. Në derën e birucës sime, bënte rojë një nga Myzeqeja, mbiemrin e kishte Prifti.

Ai e lexonte gazetën me zë, sikur psallte në kishë, kështu që unë, pak a shumë merrja vesh se ç’bëhej. Ishte 10 Korriku, festa e Ushtrisë. Dëgjova rojat të bisedonin, në derën e birucës sime: “Si pihet birra, e ngrohtë apo e ftohtë”? U kishin dhënë një vozë të vogël me birrë për festë. Disa thoshin se pihet e ngrohtë, disa thoshin pihet e ftohtë.

Ai që lexonte gazetën sikur psallte dhe që më rrinte te dera, tha:

– A e pyesim këtë gazetarin, se ky di shumë gjëra…?!

U hap dera dhe pashë nja katër roja. Më foli roja i derës sime:

– Si pihet birra: e ftohtë apo e ngrohtë?

– Po si ta ngrohim? Kemi një vozë të vogël…!

– Vëreni në mes të oborrit gjer në drekë. Dielli i korrikut do ta bëjë valë. Pastaj pijeni…!

Dhe ashtu bënë. E vunë vozën në mes të oborrit gjer në orën 12. Pastaj e shpunë në sallën e ngrënies. E hapën me një hekur dhe ajo shpërtheu e spërkati tavanin, mezi e mbajtën përgjysmë. Dhe filluan ta pinin të përvëluar. Të gjithë nisën të villnin…! Kur e morën vesh oficerët, erdhën tek unë dhe më shqepën në dru, duke më thënë: “Sabotator! Na helmove rojat. Agjent”! Lëre mos e nga, ç’avaze më dolën më vonë! Mora vesh se, arriti puna gjer në ministri: “Agjenti Petro Marko, desh na helmoi rojat e burgut”!

Pastaj, pasi mbyllën derën, duke më lënë të shtrirë në çimento, ata këndonin këngët internacionale, që u kënduan gjatë Luftës, që i kisha përshtatur unë në shqip dhe që më pare, mësoheshin në burgun e Tiranës, pastaj shkonin në Pezë, e pastaj tek të gjithë partizanët, si: “Pararoja”, “Fusha, ju fusha”, “Kominterni”, “Kënga e shoqes”, e shumë e shumë të tjera, që mobilizuan rininë në luftë. Ato ishin këngët e Brigadave Internacionale.

Më hoqën nga ajo birucë dhe më çuan te një tjetër.

Presioni vazhdonte. Më varën te hekurat e dritares dhe më vunë në supe, një zinxhir nja pesëdhjetë kile, kështu që duart e mia, të lidhura me zinxhir, mbanin peshën e trupit tim dhe të zinxhirit. Nuk durohej dot, kjo lloj torture. Më këputeshin duart, më dukej vetja sikur digjesha në flakë. Aluçinacione fantastike: Më bëhej sikur vinte gruaja ime Safo, me një gotë aranxhatë dhe kërkonte të ma afronte te buzët…! Hapja sytë: një furtunë e madhe në birucë, sikur kërkonte të shkulte hekurat e dritares. Kjo torturë vazhdonte. Vinte hetuesi me një deklaratë: “Nënshkruaje, të shpëtosh! Je i ri. Ke një nuse të re që të prêt te dera…”!

Unë nuk para u besoj ëndrrave, por ka raste që më dalin: kur shikoj në ëndërr vezë, do të kem ndonjë mërzi të madhe; kur shikoj në ëndërr dru, do të marr para; kur shikoj në ëndërr sikur lahem në det, do të sëmurem e të tjera. Kur isha i varur dhe më dilnin para sysh hije e skelete njerëzish, pashë bashkëfshatarin, tim Petro Kokën, sikur m’u afrua dhe në dorë kishte një paketë me karamele amerikane. Kur hapa sytë, mendova: mërzi të madhe do të kem. Për çudi, pas pak hyri në birucë hetuesi im, me një letër të shkruar në dorë dhe më tha: “Po e nënshkrove këtë, do të t’i heqim zinxhirët…”! Dhe e lexoi:

– I nënshkruari Petro Koka, deklaroj se Mehmet Shehu, ka qenë agjent qysh në Spanjë…!

E vështrova mirë dhe i thashë:

– Po! Këtë deklaratë e nënshkruaj…!

Hetuesi më hoqi hekurat, më liroi dorën dhe nënshkrova: Petro Koka. Ai, sapo e mori, e tundi në ajër dhe, duke dalë në korridor, thërriste: “E mposhtëm dhe revolucionarin e Spanjës…”

Erdhën me vrap shumë hetues dhe të gëzuar më thoshin:

– Pse të vuaje?! Ta kishe nënshkruar që më parë…!

Mirëpo, kryehetuesi, e mori në dorë deklaratën dhe si i tërbuar thirri:

– Ç’ke nënshkruar këtu, Petro Koka! Kë gënjen? Me kë tallesh? – dhe më zhdëpi në dru. Pasi mblodha veten, hapa gojën:

– U bënë gjashtë muaj që më torturoni, dhe ende nuk e dini se cili jam! – Përsëri filluan me shkelma dhe përsëri më varën te dritarja.

Dëgjoja përballë meje, një shkodran që e torturonin keq, pastaj, kur iknin hetuesit, ai qeshte me të madhe dhe thoshte: “Po të venë këta në Evropë, do të bëhen milionerë, se unë, kur erdha këtu, isha tullac dhe tani jam me flokë kaçurrelë…! Kushedi sa do të paguanin tullacët e botës, që të torturoheshin këtu si unë, e pastaj, t’u mbinte floku në kokë”!

Një ditë hetuesit më nxorën nga biruca dhe më çuan në një zyrë. Më vunë përpara një deponim, ose më mirë një akuzë shumë të rëndë. E lexova dhe me aq fuqi sa më kishte mbetur, nga ata muaj torture, qesha. Bëhej fjalë për një propozim, që më ishte bërë mua, hapur, me zë të lartë, në mes të të gjithëve, në një tryezë, për të pranuar që të bëhesha agjent i amerikanëve. Mua m’u kujtua në çast ky propozim.

Ma kishte bërë një gazetar amerikan, për t’u bërë agjent shtypi nga Shqipëria, për gazetën ku punonte ai. Atëherë iu thashë hetuesve: “Si mund të besoni ju një absurditet të tillë? Si mund të më propozohet kaq hapur, me zë të lartë, në prezencën e njëzet e ca vetave, që të bëhem spiun i një fuqie të huaj? Ky është kulmi i ligësisë dhe i injorancës”! Kaq thashë dhe më kthyen përsëri në birucë. E gjeta menjëherë se kush ishte ai që e kishte bërë deponimin.

Pyetje: – Cila ka qenë skena më e rëndë që të ka tronditur më shumë në birucë?

Përgjigje: – Në atë birucë, e treta nga e djathta e katit të parë, isha varur te dritarj a me zinxhirin e rëndë në qafë, që më bënte si Atlasin, që mbante në kurriz globin; veçse unë s’mbaja globin e vërtetë tokësor, por globin e mundimeve, aq sa më dukej vetja, në zjarr e furtunë, sikur vija vërdallë një ujëvare gjigante flakësh. Vetëm kur kërciste dera që hapej, hapja dhe unë sytë e, përqendrohesha për të parë se cili hetues do të hynte, si xhelati me vdekjen në dorë. Një herë, ç’të shikoj? Vërvitën brenda birucës një njeri skelet, si Gandi, të zhveshur pothuaj fare, kockë e lëkurë. E flakën brenda me të shara, pastaj e mbyllën derën. Mblodha të gjitha forçat për të parë më mirë se ç’ishte ajo “leckë-njeri”; pas pak ai ngriti kokën, më pa dhe për çudinë time foli: “Edhe ju këtu, zoti Marko?! Unë kisha shpresë se ju do të ndërhynit për të më shpëtuar…”?!

Dhe u zhvillua ky dialog ndërmjet dy kufomave të gjalla: njëri varur te hekurat, tjetri përdhe si një leckë e hedhur:

– Nuk më njihni? Jam profesor Zuber…!

– Zuberi. Ju kujtohet kur vajtëm në Shkodër, bashkë me Nako Spirun, zonjën tuaj dhe Andrea Xegën dhe hëngrëm një drekë të mirë në ishullin e Bunës? Ne shkonim në Koplik, për të parë se mos zbulonim burime uji.

Atëherë m’u kujtua profesor Zuberi. Andrea Xega, edhe ai gjeolog, dhe Nako Spiru, më treguan se cili ishte profesor Zuberi:

Një nga gjeologët më të mëdhenj të botës. Më pare, e mori Lenini për të zbuluar puset e Bakusë – ku i kishin ngritur dhe një bust – pastaj, për aftësitë e tij të jashtëzakonshme, e angazhoi Shoqëria Anglo-persiane, për të studiuar pellgun e Lindjes së Mesme (Gjirin Persik, Arabinë Saudite, Irakun, Iranin). Ai punoi shumë vjet dhe qe i pari që bëri hartën gjeologjike të asaj zone. Sot, në gjithë botën, gjeologët i kanë si udhërrëfyese zbulimet dhe traktatet e tij gjeologjike për atë zonë, që doli më e pasura në botë për naftë. Punoi shumë vjet dhe, pasi i kreu të gjitha punët, Shoqëria Anglo-persiane, e dërgoi në Shqipëri.

Ai erdhi këtu dhe punoi, bëri hartën e parë gjeologjike të Shqipërisë. Shoqëria në fillim nisi punimet në Kuçovë, ku doli nafta e parë, por, pasi ajo naftë përmbante shumë squfur, Shoqëria Anglo-persiane e la dhe ia shiti Italisë së Musolinit, që vuante për karburante. Filluan nga puna italianët; Zuberi zbuloi dhe Patosin. Italianët, kishin shtrirë një tubacion nga Kuçova e, gjer në Ujë të Ftohtë të Vlorës, ku vinin çisternat e “Agip”-it, shoqëri italiane e naftës, dhe e shpinin për ta përpunuar në Itali. Zuberi, krijoi dhe muzeun gjeologjik në Kuçovë.

Gjatë Luftës, nga bombardimet e aviacionit anglo-amerikan, u godit dhe Kuçova dhe u vranë shumë njerëz, midis të cilëve dhe e shoqja e Zuberit.

Pas Çlirimit, Zuberi u thirr si këshilltar i Gjeologjisë, pranë Këshillit të Ministrave…! Dhe më 1945-ën, e njoha edhe unë në Shkodër. Ai më mbante mend, se e dinte që isha përgjegjës i gazetës “Bashkimi”, dhe kishte tentuar të më shkruante që ta shpëtoja e ta liroja, se e akuzonin për një sabotim në Kuçovë.

Dhe tani ja ku ishim të dy: ai i katandisur një grusht njeri, unë një skelet i gjallë, i ngarkuar me hekura.

Pyetje: – Tani që e kishe dhe një shok në birucë, a të lehtësoheshin vuajtjet?

Përgjigje: – I vetmuar, lodhesh së fluturuari në hapësirën e kujtimeve dhe të shpresave, kurse me një shok, jeton dhe lehtëson barrën e mundimeve shpirtërore. Kur jeton i rënduar nga hekurat, bëhen më të rënda mendimet dhe pesha e globit, që ke mbi kokë.

Me Zuberin, shkëmbenim ndonjë fjalë: ai, i shtrirë përdhe; unë, i varur. Ai murmuriste gjithë ditën dhe, pasi e pyesja se ç’murmuriste, thoshte:

– Tani jam duke bërë një leksion, për shkaqet pse disa zona janë të pasura me naftë, si ato të Lindjes së Mesme…! Tani jam duke u lutur, – ai ishte katolik dhe lutej.

– Si ka mundësi, që një intelektual si ju, të besojë?

– Unë u besoj ideve që jetojnë dhe do të jetojnë për mijëra vjet. Ti i beson marksizëm-leninizmit…!? Por, a do të jetojë qindra ose mijëra vjet, kjo ideologji? Feja, ka një funksion shumë human dhe universal, ajo ka shumë vlerë për njeriun, se e bën më njerëzor, e bën më guximtar ndaj së ligës dhe i zbut plagët e shpirtit. Ja tani, kur unë i falem Krishtit, i them: edhe unë do të duroj dhe do të qëndroj si ti. Se ti na dhe shembullin për të buzëqeshur edhe para vdekjes. Pse njerëzimi beson? Se ka nevojë për burim shprese, për këtë burim humanizmi, për këtë ilaç qetësues, sidomos në rastet si ky yni, në të cilin ndodhemi tani.

Hynë në birucë dy hetues: njëri e ngriti Zuberin dhe e nxori jashtë birucës, tjetri ndenji me mua dhe më tha:

– Pa pyete këtë armik, a ka fiori toka shqiptare. Ai ka bërë hartën gjeologjike, por nuk ka shënuar gjëkundi, se ku ka flori…!

Unë qesha me vete dhe i thashë hetuesit kallp: – Po të kishte flori, për kë e ka fshehur? Po të ishte për italianët, do ta kishte shënuar!

Po të ishte për gjermanët, do ta kishte shënuar. Për kë e ka fshehur?!

– Këta agjentë… janë djallëzorë… Po ti pyete, se nuk ka mundësi që të mos ketë flori gjithë kjo tokë!

Përsëri unë qesha hidhur me vete dhe i premtova se do ta kryeja këtë “detyrë patriotike”, se kështu më tha ai: “është detyrë patriotike, kjo që po të ngarkojmë”!

Kur u kthye përsëri në birucë, Zuberi u shtri dhe qeshte.

– Më shtrëngojnë të them pse nuk kam shënuar zonat ku ka flori toka shqiptare! Dhe unë u thashë se nuk ka. Ata më shkelmuan dhe më shanë “agjent i shitur”.

– Me të vërtetë, a ka flori Shqipëria?

– Po të kishte, unë patjetër që do ta kisha shënuar, si të gjitha mineralet e rralla. Në të vërtetë, ka në disa zona, por duhet njëzet herë më shumë fiori, për ta nxjerrë atë sasi. Këta janë injorantë. Unë, kur kam bërë hartën gjeologjike, e kam bërë si gjeolog dhe jo si agjent, ose spiun. Ç’janë këto që po dëgjojmë?!

Dhe përsëri mendimet dhe fantazia jonë morën drejtime të ndryshme. Burgu gjëmonte nga ulërimat. Përnatë merrnin e pushkatonin intelektualë të shquar, specialistë. “A e di? – më tha një ditë Zuberi. – Këtu, ja Enveri, ja Koçi, janë agjentë të huaj, besoj të Jugosllavisë. Se nuk lanë intelektual të gjallë, me qëllim që ata të sjellin të tyret”!/tema/KultPlus.com

26 vite nga masakra e Lybeniqit

Sot mbushen 26 vite kur më 25 maj 1998, forcat serbe hynë në Lybeniq të Pejës, duke vrarë e masakruan nëntë banorë të Lybeniqit, e më vonë edhe burrat e tjerë të fshatit.

Gjenocidi i kryer në këtë vendbanim ndaj popullsisë se pafajshme shqiptare më 25 maj 1998 dhe më 1 e 7 prill 1999, është njëri nga krimet me të mëdha që kanë kryer forcat policore, ushtarake e para ushtarake serbe në Kosovë.

Drejtuesi i Departamentit të Historisë Bashkëkohore në Institutin e Historisë, Shkodran Imeraj, ka thënë kohë më parë se drejtësia vendore dhe ajo ndërkombëtare kanë dështuar në ndjekjen dhe dënimin e autorëve të masakrave që u kryen në Lybeniq gjatë viteve 1998-1999.

Sipas Imerajt, gjenocidi që kryen forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kundër banorëve shqiptarë të Lybeniqit, është gjenocidi më i madh që është kryer kundër popullsisë shqiptare në historinë e fshatit Lybeniq. / KultPlus.com

Bon Jovi: Âsht jeta jem’

Përktheu Ridvan Bunjaku

(It’s my life) nga Jon Bon Jovi

Kjo s’âsht kangë për zemër-thymt’
As lutje e qetë për besim-humbunit
S’do t’jâm veç ftyrë n’turmë
Ki me ma ni zânin kur t’bërtas fort

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’

[Strofa 2]

Kjo âsht për ata që u majtën
Për Tomin e Gjinën që kurrë s’u tërhoqën
E nesërmja po bâhet ma e v’shtirë, mos u huto
As fati s’ka nafakë, duhësh m’i grahë vetë

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’

[Ura]

Ma mirë t’bjen me kânë krenar kur t’sfidojnë
Mos u përkul, mos u the, zemër, mos u tërhiq

[Refreni]

Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

Âsht jeta jem’
Âsht jeta jem’
O tash o kurr’
S’kom me rrnu gjith’
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë

(Âsht jeta jem’)

Zemra m’âsht si autostradë e gjânë
Qysh tha Frenki, “Ia bâna me t’temën”
Veç po du me rrnu sa t’jâm gjallë
Âsht jeta jem’. / KultPlus.com

178 vjetori i lindjes së Naim Frashërit, autori që i dha madhështi letërsisë shqipe

Kur përmendim rëndësinë dhe madhështinë e letërsisë shqipe, pavarësisht kohës apo rrethanave, Naim Frashëri mbetet gjithmonë një nga figurat qendrore dhe më të rëndësishme të saj, shkruan KultPlus.

25 maji i vitit 1846 shënon ditën kur skenës sonë letrare i shtohet një nga emrat më të mëdhenj të saj. Emër ky që vazhdon të jetë i përmendur në secilin tekst shkollor, librat e të cilit ndodhen në çdo bibliotekë të vendit dhe shkrimet e tij lexohen nga secila gjeneratë.

“Fillimisht edukator i popullit, pastaj poet”, kështu shprehet studiuesi Eqrem Qabej për Naim Frashërin.

Kjo jo vetëm për shkak të veprimtarisë së tij të përpilimit të teksteve shkollore por për arsye se pothuajse në secilin krijim të tij, ai jep mesazhe mbi të mirën, të dobishmen e të moralshmen dhe ka qëllim kryesor edukimin e brezave të rinjë.

Nga krijimtaria e tij, ja vlen të përmenden disa nga krijimet e tij si: “Bagëti e bujqësi”, e cila paraqet një nga kryeveprat e romantizmit shqiptar, një poemë me karakter kryesisht himnizues mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

“Lulet e verës” është një tjetër vepër tejet e rëndësishme e cila paraqet një nga përmbledhjet më të bukura me poezi. Poezitë janë të tematikave të ndryshme, ku përfshihet tema atdhetare, tema filozofike dhe ajo e dashurisë. Kjo e fundit dallohet sidomos në ciklin “Bukurija”, ku edhe e shohim më së miri Naimin si poet dhe njëkohësisht dalin në pah pikëpamjet e tij rreth panteizmit.

“Istori e Skënderbeut” paraqet tenativën e poetit për të krijuar një ep kombëtar. Për krijimin e kësaj vepre mbështetet në veprën e Marin Barletit dhe aty trajton jetën e heroit tonë kombëtar.

Për portretin letrar të Naim Frashërit ka kaq shumë për të thënë. Ai mbetet një nga përkthyesit, intelektualët dhe shkrimtarët të cilin historia e letërsisë shqipe nuk do t’i harroj kurrë.

Ndoshta vetë Naim Frashëri me veprën e tij, është prova se pavdekshmëria ekziston. Kjo pasi ky poet, me krijimtarinë e tij jeton në kujtesën e çdo lexuesi shqiptar dhe jo vetëm, të secilit brez dhe ndihmon në ndërtimin e vetëdijes kombëtare, gjetjen e identitetit kombëtare dhe atdhedashurinë. / KultPlus.com

Media franceze “Grazia”: Shqipëria – destinacioni më i kërkuar nga pushuesit në 2024-n

Shqipëria, është një destinacion i ri që ka mahnitur çdo turist të huaj, por që mbetet ende shumë pak e njohur për publikun e gjerë. Zbuloni këtë vend të mbushur me xhevahire natyrore dhe arkitekturore, sipas një artikulli të botuar në të përditshmen franceze “Grazia”.

Në Shqipëri, ka diçka për të gjithë, madje edhe për aventurierët që dëshirojnë të zbulojnë horizonte të reja, më pak të njohura, por po aq luksoze.

Shqipëria është një nga destinacionet që mbetet ende e paprekur nga turizmi masiv.

Vendi evropian tërheq me hijeshinë e tij nga një e kaluar historike ende e dukshme në arkitekturë.

Pse Shqipëria është një nga destinacionet në trend në Evropë?

Për të zbuluar vendin duhet të ndalesh në Ballkan dhe më saktë në Shqipëri!

Vendi ballkanik është konsideruar nga ekspertët e udhëtimeve dhe turistët e huaj si “Maldivet e Evropës”.

Ky vend i bukur ofron plazhe mahnitëse me rërë dhe ujëra blu bruz.

Përveç pamjes së saj qiellore, Shqipëria është gjithashtu një alternativë më e lirë, por po aq e bukur sa Sardenja në Itali apo destinacionet e tjera të njohura italiane.

Çmimi i jetesës është një nga arsyet që i tërheq vizitorët që synojnë oferta të mira për të shijuar pushimet.

Në vendin ballkanik, gjejmë rrënoja që datojnë nga periudha e lashtë greke dhe romake, si dhe peizazhe ku dominon natyra e gjelbër.

Qytetet më të bukura të Shqipërisë për t’u vizituar 

Gjirokastra

Për sa i përket kostos, Gjirokastra është një nga qytetet më të lira në Evropë, i konsideruar edhe si qyteti më i bukur në Shqipëri.

E vendosur në jug të vendit, ky qytet shtrihet në lartësitë e Malit të Gjerë.

Arkitektura e saj dallohet për bukurinë e shtëpive tipike ballkanike.

Kjo është edhe një nga arsyet që lejoi përfshirjen e saj në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Qyteti ka shumë vende që duhen zbuluar, si Shtëpia e Zekatëve, si dhe disa muze që rrëfejnë të kaluarën e lavdishme të qytetit.

Ky qytet me ndërtesa historike ofron gjithashtu vizita në shumë ndërtesa të vjetra fetare si një xhami e vjetër që daton nga koha e Perandorisë Osmane, disa kisha të vjetra si dhe një Kishë Bazilike e madhe që ndodhet jo shumë larg qytetit dhe një kështjellë që daton nga shekulli i XIII.

Në Gjirokastër, gastronomia është veçanërisht e bollshme. Ajo është ndikuar nga trashëgimia osmane e vendit, por e përbërë edhe nga specialitetet vendase.

Tirana

Tirana është një qytet mbresëlënës shqiptar.

Për ta zbuluar më mirë, rekomandohet të bëni një shëtitje në Malin e Gamtit në verilindje të Tiranës, ku mund të admironi pamjet panoramike të liqenit të Bovillës.

Ky qytet ka një nga trashëgimitë më të pasura artistike dhe kulturore, ndaj dhe ekskursionet janë të shumta dhe të larmishme.

Saranda

Në këtë qytet të mrekullueshëm bregdetar shqiptar, mund të shijoni mbi të gjitha diellin dhe detin, por mund të zbuloni edhe historinë e lashtë të qytetit bregdetar.

Në të vërtetë, Saranda është e mbushur me elemente historike, duke përfshirë rrënojat e lashta, muzetë dhe madje edhe një kështjellë që daton nga shekulli i XVI.

Megjithatë, Saranda është edhe vendi ideal për pushime ku ndërthuren relaksi, festat e vogla dhe kënaqësitë e jetës.

Prandaj, ky qytet bregdetar është destinacioni i përsosur nëse vërtet dëshironi të harroni shqetësimet e jetës së përditshme./atsh/KultPlus.com

“Naim Frashëri i bëri bashkëkombësit e vet të besonin se vendi i tyre ishte po aq i denjë sa çdo komb tjetër në botë”

Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej” kanë zhvilluar sot më 25 maj në Gjirokastër “Konferencën shkencore në nderim të 175-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit”.

Seanca e parë u drejtua nga Rektori i Universitetit të Gjirokastrës prof. Bektash Mema, akad. Pëllumb Xhufi-Kryetar i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe prof. Merita Gjokutaj.

Në fjalën e përshëndetjes Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi foli për rolin e madh të Naim Frashërit në rilindjen kombëtare dhe vendin që zë krijimtaria e tij në letërsinë shqipe.

Fjala e plotë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi

“I nderuar prof. dr. Bektash Mema, Rektor i Universitetit “Eqrem Çabej”,

Të dashur profesorë, akademikë, studiues pjesëmarrës nga vendet e rajonit, nga Kosova e Greqia,

Kjo konferencë shkencore që po çelim është e para në rendin e një vargu veprimtarish që Akademia e Shkencave ka parashikuar të zhvillojë këtë vit, në 175-vjetorin e lindjes së figurës emblematike të Rilindjes Kombëtare, Naim Frashërit e gjatë këtij viti do të ndiqet nga konferenca e botime të tjera, veprimtari nderimi dhe studimi.

Në historinë e popullit tonë ka pasur shumë personalitete që i kanë mbiquajtur Shqiptari, por vetëm njërit prej tyre populli i bashkoi edhe emrin e vendit të vet, dhe ky ishte Naim Shqipëria.

Siç pati shkruajtur Eqrem Çabej tutje tetë dekadave e ca, ideologjia kombëtare shqiptare lindi dhe u formësua si një zgjim sinkronik: dega lindore e saj, me Naim Frashërin në kryeqendër, që udhëhiqej nga idealet iluministe volteriane të Perëndimit, nga njëra anë; dhe dega europiane e saj, me Jeronim de Radën në qendër, e cila, bashkëvajtëse e rrjedhave të bajronizmit, kishte në përmbajtjen e vet ekzotikën e Lindjes: dhe jo vetëm të lindjes në këtë anë të Adriatikut, të “Motit të madh të arbërve”, por ekzotikën tipike perëndimore, që mbërrinte deri te mitet e kryemoçme sanskrite.

Naim Frashëri dhe Jeronim de Rada janë dy figurat më të rëndësishme të shekullit të formimit të vetëdijes kombëtare shqiptare. Rreth tyre bashkohen të gjithë: poetë, mendimtarë, publicistë, kryengritës.

Naim Frashëri është ndër figurat e rralla që nuk është kontestuar gjatë gjithë historisë së jetës dhe veprës së vet.

Naim Frashëri është poeti i historisë së letërsisë shqipe i gjithëpranuar si poet kombëtar e çdo përpjekje për të krijuar opozicione të gjithfarshme me figurën e tij: mbi baza lokale, gjuhësore, madje edhe fetare, s’ka patur jehonë e vetëm e kanë lartësuar figurën e tij. Vëreni me sa elegancë dhe fisnikëri shkruante Àt Gjergj Fishta për njërin prej trinisë së pandashme të Frashërllinjve pikërisht Àt Gjergj Fishta, në veprën e tij Lahuta e Malcìs, krejt sfidant ndaj ngucakeqasve që e bezdisnin dita me ditë duke e pyetur direkt e tërthorazi: pse të ketë një poet kombëtar, a nuk duhet të ketë një jugu e një veriu, një tosk e një gegë, një të krishterë e një mysliman:

Aj âsht trimi Frasher Begu,

Qi gjithkund, ku e qiti shtegu,

I la nâm aj Toskënìs,

Faqe t’ bardhë i la Shqypnìs.

Ka pasur Frashërllinj me emër edhe më parë. Frashërllinj ishin edhe Dalip e Shahin Frashëri, poetë bejtexhinj që shkruan poema të mëdha epike sipas modës së bejtit oriental. Dhe Naimi, siç thonë studiuesit, mësoi prej tyre rregulla dhe kode të vargëzimit. Por jo frymën. Frymën ai e mori nga shpirti i kombit.

Ndryshimi që ndodhi në kalimin prej Frashëllinjve bejtexhinj tek Frashërllinjtë e ideologjisë së Rilindjes ka qenë epokal. Me Naimin ndodhi kalimi prej vjershërisë perandorake otomane në vjershërinë kombëtare. Në rrethanat që u krijuan pas masakrës së Manastirit (1830) dhe zhdukjes me rrënjë të elitës së vjetër vendase, e vetmja shpresë shpëtimi për Shqipërinë ishte lindja e një elite të re. Dhe Naimi krijoi modelin si të ndihesh shqiptar. Ndoshta për këtë duhet t’i jemi më së shumti mirënjohës atij. Ky ndikim i tij, u ndje në tërë periudhat e mëvonta veçanërisht në momentet më të vështira për vendin e popullin siç ishte periudha e pushtimit nazifashist gjatë së cilës një prej batalioneve më aktive partizane mori emrin “Naim Frashëri”.

Naim Frashëri i erdhi Shqipërisë si një projekt ardhmërie. Dhe nuk erdhi nga boshi. Ajo u parapri nga ideologjia e shekullit të 18-të, që tek arbëreshët u quajt albanesità, gjatë së cilës emri Shqipëri dhe emri shqiptar u përgjithësuan ndër tërë bashkatdhetarët, për të kulmuar me shprehjen lapidar për vendin e tyre prej Naim Frashërit Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqipëtar.

Imazhi i Shqipërisë ekziston në shumë forma: ka një Shqipëri politike, ka një Shqipëri ekonomike, një Shqipëri zakonore, një Shqipëri gjuhësore. Por Shqipëria më e bukur është Shqipëria letrare dhe midis Shqipërive letrare ajo e Naimit është shkëndijuese, po aq shkëndijuese sa edhe Arbëria e lavdisë së epokës së Gjergj Kastriotit në poemat e De Radës.

Naim Frashëri i bëri bashkëkombësit e vet të besonin se vendi i tyre ishte po aq i denjë sa çdo komb tjetër i qytetëruar në botë. Qëllime të tilla mund t’i arrijnë vetëm poetët misionarë.

Naimi është nga ata poetë që doli jashtë kufijve të gjuhës së vet. Ai shkroi vepra origjinale në greqisht, turqisht dhe persisht, shkroi e botoi edhe arabisht. Ai studiohet si poet shqiptar i masnavive në historinë e letërsisë persiane. Hartoi gramatika të gjuhëve të Lindjes, të persishtes klasike dhe të osmanishtes; shkroi tekste shkollore për arsimin shtetëror të perandorisë, që u botuan edhe pasi u nda nga jeta. Lexonte iluministët francezë dhe përshtati vepra nga frëngjishtja.

Kur Samiu përkthente Të mjerët në turqisht, Naimi përkthente Iliadën shqip e turqisht. Vepra e tij u shtri nëpër kontinente. Shkruante Bagëti e Bujqësinë duke ndjekur gjurmën Virgjilit tek Gjerogjiket e Bukoliket, rikrijonte sipas modeleve dhe motiveve të më të madhit poet të humanizmit klasik pers Xhelaledin Rumiu, adhuronte Ruso e Volterë, përkthente atin e vjershërisë, Homerin. U shkruante europianëve dhe popujve të Ballkanit në gjuhët e tyre. Kanë kaluar 120 vjet nga ndarja e tij nga jeta dhe prapë ka vepra të reja që zbulohen.

Naim Frashëri është ndoshta i vetmi poet që nuk ka nevojë jo të përshtatet, po as të redaktohet – kaq e afërt dhe ekumenike është shqipja e tij për të gjithë folësit bashkëkohës. Në themelet e shqipes së sotme është verbi naimian. Kongresi i drejtshkrimit nuk do të merrte dot vendimet që mori pa veprën e Naimit. Poezia e Naimit u këndua madje edhe në mënyrë polifonike nga këngëtarët popullorë të Kosovës kur Kosova ishte ende Jugosllavi.

Ne do t’i jemi gjithnjë mirënjohës për idenë misionare që shqiptoi; për projektin e Rilindjes Kombëtare, që çoi në pavarësinë e Shqipërisë e të Kosovës; projekt i cili ka ende për të realizuar atë që sot quhet integrimi europian.

Figura e Naimit, vepra e tij, shërbejnë si qiriu për ta çuar deri në fund këtë projekt madhështor, që shprehej përmes vargjeve të tilla:

Jak’ o ditë e uruar,
Që lind nga perëndon,
At’ anë e ke ndrituar
E ne pse na harron?” / KultPlus.com

‘Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar’, thënie nga Marcel Proust

Aforizma nga Marcel Proust

Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj njerëzve që na bëjnë të lumtur. Ata janë kopshtarët e zhytur në mundime dhe mendime, që e bëjnë shpirtin tonë të lulëzojë.

Muzika është ndoshta shembulli më unik i asaj që mund të ketë qenë hyjnore, nëse nuk do të kishte ardhur shpikja e gjuhës, formimi i fjalëve, analiza e ideve, komunikimi i shpirtrave.

Lumturia është e dobishme për trupin, por është dhimbja që zhvillon fuqitë e mendjes.

Shpesh është mungesa e imagjinatës që e ndalon njeriun të vuajë shumë. Mos ndaloni së kërkuari atë dëshironi ose do të përfundoni duke dashur atë që arrini të gjeni.

Në realitet, çdo lexues është çfarë ai po lexon, lexuesi i vetvetes.

Puna e shkrimtarit është thjesht një lloj instrumenti optik, i cili i ofron lexuesit të mundësojë që ai të dallojë se çfarë është ai, pa këtë libër.

Bota nuk u krijua një herë, por sa herë që vinte një artist origjinal.

Ne punojmë vazhdimisht për të formuar jetën tonë, por pavarësisht nga vetë kopjimi, ne dizejnojmë tiparet e personit që jemi dhe jo atij që do të donim të ishim.

Në dashuri nuk mund të ketë qetësi, sepse përparësia e fituar nuk është gjë tjetër veçse një pikënisje e re për dëshirat e reja.

Librat e vërtetë duhet të jenë fëmijë jo të dritës dhe mashtrimit, por të errësirës dhe heshtjes.

Leximi na mëson të rrisim vlerën e jetës, një vlerë që ne nuk kemi qenë në gjendje ta vlerësojmë dhe madhështinë e së cilës e realizojmë vetëm falë librit.

Ju nuk e doni askënd kur jeni i dashuruar.

Gjithmonë përpiquni të mbani një copë parajse mbi jetën tuaj.

Le t’ua lëmë gratë e bukura burrave pa imagjinatë.

Leximi është ajo mrekulli e frytshme e komunikimit në mes të vetmisë.

Ne vuajmë nga vuajtjet vetëm duke e provuar atë në mënyrë të plotë.

Përgatit dhe përktheu: Albert Vataj./KultPlus.com

Vdes regjisori i njohur amerikan, Morgan Spurlock

Regjisori amerikan Morgan Spurlock, i cili ndryshoi botën me artin e tij, vdiq në moshën 53-vjeçare.

Spurlock fitoi famë globale falë dokumentarit të tij të nominuar për Oscar të vitit 2004 me titull “Super Size Me”, i cili e pa atë të hante McDonald’s për një muaj për të ilustruar rreziqet e një diete të ushqimit të shpejtë.

”Ai vdiq të enjten në Nju Jork i rrethuar në mënyrë paqësore nga familja dhe miqtë nga komplikimet e kancerit”, tha familja e tij në një deklaratë.

“Ishte një ditë e trishtuar, pasi ne i thamë lamtumirë vëllait tim Morgan”, tha Craig Spurlock në deklaratë.

“Morgan dha kaq shumë përmes artit, ideve dhe bujarisë së tij. Bota ka humbur një gjeni të vërtetë krijues dhe një njeri të veçantë. Jam shumë krenare që kam punuar së bashku me të”, shtoi ai.

Gjatë karrierës së tij, vepra e Spurlock trajtoi çështje të diskutueshme, duke përfshirë luftën e SHBA-së në Afganistan – e titulluar “Where In The World Is Osama Bin Laden” – që e pa atë në kërkim të liderit të al-Kaedës i cili u vra në 2011.

Ai gjithashtu trajtoi çështjet e konsumatorit, kujdesit për të moshuarit dhe kumarit në serinë “Morgan Spurlock Inside Man”.

Spurlock u nominua për një Emmy në 2010 për punën e tij si producent ekzekutiv në “The Simpsons: 20th Anniversary Special 0 In 3-D! On Ice!”.

Spurlock lë pas dy djemtë e tij Laken dhe Kallen, nënën e tij Phyllis, babain e tij Ben, vëllezërit Craig dhe Barry dhe ish-bashkëshortet Alexandra Jamieson dhe Sara Bernstein – nënat e fëmijëve të tij./KultPlus.com