Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim, shkruan Konica.al. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi
M’u tret nëpër duar tani
më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar
lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar
të njohur asnjë s’kam takuar
Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike
Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje
që pastaj rrugëve të endem
jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem
Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem
Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht
Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht
Është thjesht një vrap në arrati
drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet
e në ritmin e dajres tënde përdridhet,
është thjesht një klloun që vërtitet
një i pavlerë që nuk shqitet
është thjesht një hije që përpiqet
ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim
Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira
Tek pemët strukur e harruar,
Në plazhin me erë harbuar
Larg nga laku i shtrënguar
I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri
me siluetën e detit pa kufij
Zhytur në rërë si në cirk
Futur thellë nën valë me nxitim
Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di
Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi
Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij./ KultPlus.com

119 vjet nga lindja e shkrimtarit nobelist, Mihail Sholohov

Mihail Sholohov ishte shkrimtar i shquar rus. Me veprimtarinë e tij letrare ai u bë Fitues i Çmimit “Nobel” për Letërsi në vitin 1965, shkruan KultPlus.

Sholohv nisi të shkruante kur kishte 17 vjet, ndërsa veprën e parë e botoi në moshën 19 vjeçare. Pastaj nisi karrierën si gazetar duke marrë pjesë ndërkohë në shumë seminare.

Në letërsi ka hyrë me publikimin e “Tregimeve Doneske”. Romani më i njohur i tij është “Doni i Qetë”, me tematikë të luftës, në mesin kaozakëve doneskë, në kohën e Luftës së Parë Botërore, revolucionit dhe luftës qytetare. Është i renditur si peizazhist dhe njohës i traditave kozake, përshkrimit të natyrës dhe përshkrimit në rrethën e kozakëve, që i japin romanit një freski. /KultPlus.com

Kur Françesk Radi solli telefonatën e zemrave me Mariza Ikonomin (VIDEO)

Radi gjatë karrierës së tij ka kënduar plot hite, por ne sot do të kujtojmë një paraqitje me një emër tjetër që asokohe ishte në fillimin e karrierës së saj.

Dhe duket se bashkëpunimi me Radin, për Mariza Ikonomin ishte një fillim e ogur i mbarë drejt karrierës. Në Festivalin e madh të Fundvitit në Radio Televizionin Shqiptar, në vitin 1994, dyshja erdhën me këngën “Telefonatë zemrash”, shkruan KultPlus.

Tekstin e këngës e shkroi Xhevdet Reshaj ndërsa muzika ishte e Radit, me orkestrim të Edison Misos. Teksti i fuqishëm tregon një lidhje mes vajzës dhe babait të saj, një marrëdhënie gjithmonë shumë e dashur për çdo fëmijë.

Asokohe kënga u pëlqye dhe dëgjohet edhe sot, ndërsa Festivalin e fitoi në fund Mira Konçi.  / KultPlus.com 

Fondacioni Mane hap dyert e galerisë “GOCAT”

Një hapësirë e re dedikuar artit është shtuar tek Piramida e Tiranës.

Me mbështetjen e fondacionit Mane, Galeria “GOCAT” ka hapur dyer prej 22 Majit.

Çdo artist shqiptar apo i huaj mund t’i ekspozojë falas veprat në këtë qendër, ku edhe hyrja për vizitorët është po ashtu pa asnjë pagesë.

“Galeria do të  jetë falas për artistë dhe kuratorë që dëshirojnë të ekspozojnë në hapësirat tona, ne kemi dy salla tepër interesante që iu ofrohen pa asnjë pagesë”, thotë drejtoresha e Galerisë “GOCAT”, Ena Bulku.

Galeria e Artit bashkëkohor Tiranë ka për synim të promovojë artistët, si dhe të afrojë sa më shumë të rinj drejt artit.

“Vjen si iniciativë nga fondacioni Mane, një fondacion i cili jo rrallë herë ka kontribuar në fushat e artit dhe kulturës dhe rrjedhimisht lindi nevoja pse jo për të hapur një galeri të re që i dhurohet kryeqyteti dhe vendit tonë”, shprehet Ena Bulku.

Galeria u çel me Ekspozitën e artistit bashkëkohor Driant Zeneli, një eksplorim sublim i potencialit njerëzor.

“Një ekspozitë multimediale, e cila fton vizitorët drejt kërkimit të vetvetes, një prej veprave është edhe struci që është pas meje”, vijon znj.Bulku.

Për të gjithë dashamirësit e artit, Galeria është e hapur nga e marta në të dielë./TvKlan/Kultplus.com

Kolonia e piktorëve, hapet ekspozita “Shkodra International Art Residence”

Një koloni e piktorëve nga e gjithë Europa, me drejtues Saimir Ahmetin, çelën ekspozitën e tyre të pikturave: “Shkodra International Art Residence”.

Në oborrin e muzeut historik “Oso Kuka”, artistët u paraqitën me veprat e tyre më të mira.

“Në këtë pikturë flas për vështirësitë që hasin gratë. Kjo është tema ime, vuajtjet e femrave dhe ky është mesazhi që duhet të perçojmë sot. Më pëlqen shumë Shqipëria. Sa herë që vij, gëzohem sepse tani kam shumë miq. Është një eksperiencë shumë e bukur këtu. Gjithçka është fantastike”, u shpreh piktorja Anita Moloscalco.

Kuratori dhe drejtuesi i kolonisë se piktoreve, Saimir Ahmeti, thotë se kjo ekspozitë është një ballafaqim i shkollave të ndryshme të artit në Europë.

“Shkodra International Art Residence” u mbështet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si dhe nga Bashkia e Shkodrës. Për disa nga piktorët, u shpërndanë edhe “Çertifikata Mirënjohjeje” për punën e tyre./TopChannel/KultPlus.com

Bob Dylan: Vdekja, e vërteta e vetme

Nëse mendoni se do lexoni ndonjë opinion në lidhje me ndonjë dhënie çmimi, atëherë gaboheni rëndë. Të vetmen gjë që do gjeni këtu, është Vdekja.

‘Not dark yet’ apo, “Nuk është errësuar ende”, është njëra nga shumë poezitë(këngët) e Bob Dylan-it. Më shumë se një poezi ajo paraqet krejt përpjekjet e kota të njeriut për ti dhënë kuptim jetës përballë vdekjes. A do ishim kaq fallc nëse do ishim të përjetshëm?

Qysh në fillim të poezisë, Bob Dylan godet:

‘Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër 

Vdekja nuk ka trokitur ende por është në rrugë e sipër. Në fakt, vdekja gjithmonë është në rrugë e sipër, ajo vazhdimisht është duke ardhur por asnjëherë nuk vjen. Ose së paku, ne nuk e kuptojmë edhe kur vie (nëse vie). Injoranca jonë mbi vdekjen, na vë përballë dy ndjesive: tmerrit (nga hiçi) dhe shpresës (për përjetësi). Më tmerrues ende, është fakti që për këtë shpresë, të gjithë e dimë se është e “pa shpresë”, por prapë vazhdojmë. Njeriu e gënjen veten duke u gënjyer. Ai e di këtë gënjeshtër të dyfishtë por nuk mund të largohet nga loja. Loja paraqet mundësinë e tij për të harruar vdekjen. Të gjitha përpjekjet e njeriut janë drejt lumturisë, por papritur shfaqet vdekja-kjo zonjë e paftuar. Rrjedhimisht të gjitha përpjekjet kthehen në përpjekje për të gënjyer veten në përballjen me fundin.

Për të qenë më korrekt me gjuhën, njeriun nuk e mundon vdekja, por “ideja e vdekjes” Ideja e vdekjes na tmerron sepse na kujton sa pak kohë kemi. Ideja e vdekjes na bën të mendojmë se kurrë nuk do ti arrijmë të gjitha. Pse, a mund të arrihen të gjitha?

“Not dark yet”, është poezi “pesimiste” dhe e “errët” por e sinqertë në thelb. Nga këndvështrimi ekzistencialist, kjo poezi mund të ishte, “poezi e absurdit”. Në paraqitjen e këtij absurdi apo pa-kuptimësie të jetës në raport me vdekjen, Dylan është shumë i pamëshirshëm dhe i ashpër. Në vazhdim ai shkruan:

‘Humanizmi më ka humbur thuajse,
 Pas së bukurës gjithmonë fshihet dhembja’

Humbja e humanizmit ndodh pas ballafaqimit të njeriut me botën. Ndonëse jeta mund të duket e bukur, në esencë është një dhembje e pafundme, është një skëterrë. Sipas Schopenhauer, bota apo jeta, është e zymtë dhe e errët sepse udhëhiqet nga vullneti i cili është i verbër dhe i cili nuk ka qëllime madhore. I vetmi qëllim i vullnetit është që “të jetë”. Lumturia sipas Schopenhauerit mund të arrihet duke e shuar vullnetin dhe shmangur vuajtjet. Por përderisa jemi, vuajtja është domosdoshmëri.

‘Kam rrahur të gjithë lumenjtë dhe të gjithë detërat.
Preka edhe fundin e botës të mbushur me gënjeshtra.
Madje nuk pashë asgjë as në sytë e njeriut.
Barra tanimë është bërë e papërballueshme,
Errësira nuk ka rënë ende por është në rrugë e sipër.’

Çdo varg i poezisë sa shkon e bëhet më i errët. Në vazhdim Dylan thotë: ndonëse dallgët e jetës më kanë përplasur në shkëmbinjtë më të thepisur, ndonëse kam shkuar deri në fund të botës për të gjetur kuptimin dhe humanizmin, në fund, prapë se prapë kam hasur vetëm gënjeshtra dhe intriga. Kam takuar ziliqarë e grabitqarë. Bota është e ligë dhe e zezë.

Pasi humba shpresën në botën, e kërkova të vërtetën në sytë e njeriut. Ajo që pashë ishte edhe më e pamëshirshme, goditja e saj ishte përfundimtare, ishte goditja ndaj vetes. Sytë e njeriut janë bosh-pa kuptim. Ato nuk më thonë asgjë, prandaj nuk më mbetet tjetër vetëm të pres vdekjen, duke shpresuar që të vonojë sa më shumë.

Në fund të poezisë vie kulmi. Pas reflektimit mbi botën dhe pas vetëdijesimit se bota është e verbër dhe e shurdhërt, pasi e kuptojmë se bota nuk na flet, se ajo është vetëm një shkëmb i ftohtë, pasi kuptojmë që nuk mund të gjejmë përgjigje as tek tjetri, më në fund i kthehemi vetes. Kthimi drejt vetes është pamundësia jonë për të kuptuar botën. Në botën jashtë nesh, nuk bëjnë pjesë vetëm objektet pa vetëdije, por edhe njeriu. Quhet njeri vetëm sepse ka vetëdije përkundër gurit. Quhet njeri sepse kështu ka vendosur ta quaj veten. Kur i kthehemi vetes mund të reflektojmë. Ky reflektim fillon me një konstatim që të kall datën:

“Unë kam lindur dhe do vdes pa dëshirën time”

Kjo paraqet një nga të vërtetat më të dhimbshme të njeriut. Nga kjo e vërtetë fillon jo-liria. E si mund të jem i lirë, kur nuk jam pyetur nëse dua të vi në jetë? Askush nuk më ka pyetur nëse dua të jem pjesë e një bote plotë me sëmundje, plot me frikëra dhe pasiguri. Frika nuk vjen nga jashtë, por nga brendia ime. Frika ime jam unë, frika është mosnjohja e vetes.

Si mund të jem i lirë kur askush nuk më ka pyetur nëse dua ta pasuroj botën me dhimbje. Lindja ime ka ardhur përmes vuajtjeve. Të ekzistuarit tim do të shkaktojë vuajtje. Prania ime prodhon vuajtje. Dikush do pikëllohet edhe për largimin tim. Ai largim paraqet ligësinë time ndaj tjetrit, ligësi e cila është vetëm pjesë e ligësisë së madhe, asaj të ekzistencës së jetës. Kam nevojë të vegjetoj.

Përveç që nuk më kanë pyetur nëse dua të vi në jetë, askush nuk më pyet nëse dua të vdes. Askush nuk më pyet nëse kam frikë nga terri i nëntokës; askush nuk pyet nëse kam frikë nga mungesa e ajrit; askush nuk pyet nëse kam frikë nga krimbat; prandaj jeta është vuajtje dhe bota një skëterrë.

‘Më bëhet sikur po lëviz por prapë qëndroj në vendnumëro’

Ka raste kur angazhohem, kur përpëlitem, kur më duket sikur kam arritur ca synime. Por vetëm po gënjej veten. A mund ti japim kuptim një gjëje e cila është e destinuar të shuhet? Rrugëtimit tashmë po i vie fundi. Po largohem nga ajo që quhet “jetë”. Pyetja ende vlen: A kishte kuptim gjithë kjo? Përgjigja nuk vonon dhe është e ftohtë si mermeri dhe e heshtur si varri:

‘Nuk mbaj mend asgjë, unë erdha vetëm për tu larguar nga këtu’

Këtu është kulmi i dhimbjes. Bota nuk ka qëllim; jeta nuk ka qëllim; absurdi paraqet njohjen e pa-kuptimshmërisë së botës; kur kuptimi i vetëm i gjithë ekzistencës është vetëm të vetëdisuarit mbi ekzistencën si diçka e ligë, ky është fundi i mundësive të mia. Vdekja paraqet kufirin tim.

‘Nuk dëgjohen madje as pëshpërimat e lutësit,
 Errësira nuk ka rënë ende, por është në rrugë e sipër’

Kryevepra e kësaj poezie qëndron në vargun e parafundit. Në përballjen përfundimtare, aty në shtratin e vdekjes, nuk bën punë më as Zoti. Ai paraqet vetëm një qiell të zymtë me ca re kaotike. Ironia e Dylan-it është therrëse. Ai thotë se në fund të gjithë do jemi vetëm me veten. Do jemi përballë jetës tonë; do përjetojë momentet më intime që mund ti ketë njeriu: të jetoj vdekjen e tij. Vdekja është momenti më personal dhe i vetmi moment sinqeriteti i kristaltë me veten. Vetëm përballë vdekjes ne bëhemi të sinqertë. Kemi frikë nga të tjerët. Nga sytë e tyre. Vetëm përballë vdekjes ambiciet mjegullohen dhe të gjithë do përfundojmë si Ivan Ilichë. (L.Tolsoti-Vdekja e Ivan Ilichit)

Epilog: Vdekja, e vërteta e vetme

Çfarë kuptimi ka jeta, kur e dimë që do vdesim? Çfarë kuptimi kanë përpjekjet tona kur në fund do mbesim vetëm në varr? Çfarë kuptimi kanë gjithë arsyetimet ndaj të tjerëve, kur në fund do ti arsyetohemi vetëm vetes dhe territ? Dikush edhe mund të thotë:
“Së paku do hysh ne histori”.

Me të vërtetë? Po a nuk e di që edhe historia do vdes? A nuk e di se gjithçka do kthehet në pluhur? Çdo vetëdije njerëzore do mbetet vetëm një grusht pluhuri? Historia është vetëm mjet për të arsyetuar ekzistencën dhe për të luftuar absurdin e jetës. A ka kafsha histori? Po. Vetëm historinë tonë për të. Edhe ne një ditë do të përfundojmë histori për dikë tjetër.

Atëherë cili është qëllimi jonë këtu? Ne jemi këtu vetëm si kalimtarë, si produkt i egos. Kjo është kuptimi i pakuptimtë i ekzistencës. Këtë e thotë edhe Dylan. E kush do ja lexoj Bob Dylan-it tekstet pas 1 milion vjetësh? Me falni, a keni menduar ndonjëherë si do jetë bota pas 1 milion vjetesh? Dyshoj. Nëse vetëm pak do mendonit, do bëhej edhe pyetja tjetër, po pas 1 miliardë vjetësh??? Më mirë të mos mendoj, kushedi se ku do shkoj me pyetje.

Mungesa e pyetjeve është largim nga përballja me të vërtetat. Mungesa e pyetjeve paraqet frikën e njeriut nga vetja. Mallkuar qoftë dita kur lindi pyetja; mallkuar qoftë Filozofia, ky makth i pafundëm… Më mirë të jem kafshë, pa pyetje, pa ankth, pa ekzistencë.

Por kot e keni, sepse ju tashmë keni lindur, apo më mirë, Ju kanë lindur (pa ju pyetur). Dhe ju të gjithë do vdisni. Sado që mundoheni të mos pajtoheni me ato që thashë, prape ju siguroj që do vdisni. Do vuani, do klithni, do tmerroheni, do përpëliteni, dhe në fund prapë nuk i ikni vdekjes.

I çmendur?? Ndoshta edhe jam! Por një gjë ju siguroj, edhe çmenduria ime do harrohet një ditë (nëse do ekzistojnë ditët). Të gjithë të çmendurit që kane jetuar ndonjëherë do shuhen. Më falni, a njihni ndonjë të çmendur që ka jetuar para 1000 vjetësh? Po para 2000 vjetësh?? Kështu edhe unë do ngjas pas 1000 vjetësh. Nuk më plas fare se si do kujtohem. Madje ekziston edhe një mundësi tjetër:  koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh mund të ndryshojë. Ndoshta nuk do jetë më “çmenduri” por “mençuri” ahahahahah vërtetë mendoni se çaj kokën se si do jetë koncepti i çmendurisë pas 2000 vjetësh?

Për fund po ju lus vetëm një gjë: nëse po gënjej, ju lutem ma tregoni mua dhe Botës të vërtetën! Por nëse nuk mundeni dhe nëse nuk dini ndonjë të vërtetë tjetër përveç vdekjes, ju lus të heshtni përgjithmonë.

Shkruajti: Ardian Batusha. / KultPlus.com

‘Të dashurës’, poezi arbëreshe e Francesco Crispi

Pozzi nga Francesco Crispi

Nik KRIE-SHPISË

Bukuria tij të nxijti 
sitë e rrùdhurin këshèt; 
mosnjeri nkak, na të glet, 
me sorós të tha: pò za.

Te di anët të volisë 
pa-rrëfìeme trandafile 
tij, e hjèshmeza kopile, 
ftiriosura të là.

Kur u leve ajò të puthi, 
e mbi buzën t’ënde ngjisi 
kuqin bukur, çë potisi 
më gjith t’ëmblit çë më ká.

Hire shumë të dhuroi, 
të dhuroi ngá lipisi; 
sá shërbise, çë ti s’di 
bukurìeja të dha!

Kur u rrite, e hjèshmja jime, 
stisi tij atò di molla, 
të përsisme edhe të holla, 
çë të mblojën atë gji.

Muo si nj’ëngjëll ti më duke, 
zërthin ké i rrgjëndë, i lartë, 
e nga trim të bunet jart, 
sa të sheh; e mirë e di.

Botu së pari herë në gazetën «Arbri i Ri» (La Giovane Albania). Vjeti I. N. II. 1 Maj 1887.

Komuna e Prishtinës dëmshpërblen 23-vjeçaren që u lëndua nga rënia e një çatie në kryeqytet

Një 23-vjeçare është dëmshpërblyer nga Bashkia e Prishtinës për lëndimet që iu shkaktuan nga rrëzimi i çatisë së një ndërtese në kryeqytet.

Eliza Ujkani shpëtoi mrekullisht me disa lëndime të rënda kur u godit nga çatia e një ndërtese në Komunën e Re të Prishtinës pak kohë më parë.

Ditën e sotme, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka votuar me 36 vota pro dhe asnjë kundër në favor të dëmshpërblimit të saj me 110 mijë euro.

“Ka të bëj rreth përmirësimit të shëndetit të zonjushës Ujkani e cila sot është me ne, kështu që propozimi është për të vazhduar shërimi”, tha kryetari i Prishtinës, Përparim Rama./KultPlus.com

Kantautori i famshëm amerikan Bob Dylan sot mbush 83 vjet

Kantautori amerikan Bob Dylan, fitues i shumë çmimeve të rëndësishme, feston sot ditëlindjen e 83-të, shkruan KultPlus.

Dylan është autor i shumë albumeve muzikore me këngë që i dhanë famë në mbarë botën. Për mëse 5 dekada, ai dha shumë koncerte dhe arriti që të fitojë çmimin “Nobel” me tekstet e tij poetike.

Së fundmi, Dylani ka paralajmëruar edhe një tjetër album që pritet të dalë në qershor, paraprakisht ai lëshoi dy këngë të reja në faqen e tij zyrtare në Facebook. /KultPlus.com

Bob Dylan’s new album, Rough and Rowdy Ways, comes out June 19.

Celine Dion është gati të rrëfejë gjithçka për shëndetin e saj

Një trailer emocionues u publikua nga Amazon MGM me rastin e publikimit të dokumentarit ‘I Am: Celine Dion’. Në të, Celine Dion është gati të flasë hapur për aventurën e saj shëndetësore dhe sindromën e ‘personit të ngurtë’ nga e cila vuan prej disa kohësh.

Problemi shëndetësor i këngëtares u bë më i njohur kur në dhjetor 2022 ajo njoftoi shtyrjen e një pjese të turneut të saj evropian. Celine Dion ka zbuluar se ka pasur një çrregullim neurologjik që i shkakton asaj kriza dhe ndikon në aftësinë e saj për të ecur dhe për të përdorur kordat e saj vokale, për të kënduar ashtu siç bënte dikur.

Në ‘I Am: Celine Dion’ ne shohim materiale arkivore dhe prapaskenë nga e gjithë karriera e saj muzikore si dhe intervista të reja me të në të cilat ajo përshkruan aventurën e saj. Në një moment të rrëfimit, Celine Dion shpërthen në lot ndërsa kujton sfidat me të cilat është dashur të përballet për shkak të shëndetit të saj.

“Nuk është e vështirë të bësh një koncert, e di. Është e vështirë të anulosh një koncert”, shprehet ajo në trailer. “Punoj shumë çdo ditë. Por duhet të pranoj, është një betejë. Më mungon shumë skena. Nëse nuk mund të vrapoj, do të eci. Nëse nuk mund të eci, unë do të zvarritem nuk do të ndalem”.

I Am: Celine Dion do të jetë në dispozicion të publikut në Prime Video nga 25 qershori./KultPlus.com

Nikolla Koperniku dhe Galileo Galilei ata që guxuan të parët “të fusin në sherr” shkencën me fenë

Astronomi 70-vjeçar ishte në shtratin e vdekjes, duke u munduar të lexonte diçka. Në duar kishte dorëshkrimin e një dokumenti që kishte shkruar dhe që ishte gati për ta botuar. Ndoshta nuk ia merrte mendja, po libri i tij do të përmbyste pikëpamjen e njerëzimit për universin. Gjithashtu, do të ndizte një polemikë të zjarrtë brenda krishterizmit, pasojat e së cilës ndihen edhe sot.

Ky ishte Nikolla Koperniku, një katolik polak, dhe bëhet fjalë për vitin 1543. Në veprën e tij me titull Mbi rrotullimin e sferave qiellore, Koperniku vendosi Diellin dhe jo Tokën në qendër të sistemit diellor. Vetëm me një veprim, Koperniku e zëvendësoi sistemin e ndërlikuar që kishte në qendër Tokën me një sistem më të thjeshtë e të shpjeguar bukur që kishte Diellin në qendër.

Në fillim nuk kishte tregues se në të ardhmen do të lindte një konflikt. Në fakt Koperniku u tregua i kujdesshëm kur paraqiti këtë teori. Plus kësaj, Kisha Katolike, e cila kishte adoptuar teorinë se Toka ishte në qendër të sistemit, dukej më tolerante ndaj hipotezave shkencore të asaj kohe. Madje ishte pikërisht papa ai që e nxiti Kopernikun të botonte veprën e tij. Kur më në fund Koperniku e botoi veprën, redaktori që shkroi parathënien e librit, i frikësuar, e paraqiti konceptin e sistemit me Diellin në qendër ose sistemit heliocentrik si një teori matematikore, dhe jo si një të vërtetë astronomike.

Lindja e konfliktit

Pas kësaj, në skenën e konfliktit hyn astronomi, matematikani dhe fizikani italian Galileo Galilei (1564-1642), i cili ishte po ashtu katolik. Me anë të teleskopëve, që kishte krijuar duke përdorur lentet e saposhpikura, Galilei arriti të shihte në qiell hollësi të papara deri atëherë. Këto vrojtime e bindën se Koperniku kishte pasur të drejtë. Gjithashtu, Galilei pa disa njolla në Diell, që sot njihen me emrin njolla diellore, duke vënë në diskutim një bindje tjetër filozofike dhe fetare mjaft të rëndësishme, sipas së cilës pretendohej se nuk ekziston rreziku që Dielli të ndryshojë ose të shkatërrohet.

Ndryshe nga Koperniku, Galilei ishte i guximshëm dhe i vendosur për të mbrojtur idetë e tij. Dhe këtë vendosmëri e tregoi në një ambient fetar më armiqësor, pasi Kisha Katolike në atë kohë kishte dalë hapur kundër teorisë së Kopernikut. Prandaj, kur Galilei arsyetoi se ideja e sistemit heliocentrik ishte jo vetëm e saktë, por edhe në përputhje me Shkrimet, kisha dyshoi për herezi.*

Galilei shkoi në Romë për të mbrojtur veten, por ishte e kotë. Në vitin 1616 kisha e urdhëroi që të mos i mbronte më idetë e Kopernikut. Galilei u detyrua të heshtte për ca kohë. Por pastaj, në vitin 1632, ai botoi një vepër tjetër ku mbronte tezën e Kopernikut. Pikërisht një vit më pas, Inkuizicioni e dënoi Galilein me burgim të përjetshëm. Por, nuk qëndroi në burg, sepse ishte në moshë të thyer, dhe kështu ia ndryshuan dënimin në arrest shtëpie.

Shumë e konsiderojnë konfliktin e Galileit me kishën si një fitore të shkencës mbi fenë, dhe më gjerë akoma, një fitore mbi Biblën. /AlbertVataj /KultPlus.com

Promovohet libri me fjalime të presidentit Rugova “Liria si imanencë njerëzore”

Ditën e sotme, në Ditën e Presidentit, është promovuar libri “Liria si imanencë njerëzore” e autorit Munish Hysenit, në të cilin janë përmbledhur fjalime të ish-presidentit Ibrahim Rugova gjatë viteve 1976-2005.

Në promovim ku të pranishëm ishin edhe familja Rugova, ka marrë pjesë presidentja Vjosa Osmani

Gjatë fjalimit, presidentja Osmani tha se presidenti Rugova ishte dhe do të mbetet udhërrëfyesi dhe ndërtuesi i aleancave strategjike të Kosovës me perëndimin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ora 12 në Shtëpinë e Pavarësisë, apo në shtëpinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, si njihej paralufte, është një kujtesë historike për të gjithë ne, sepse po në këtë orë, çdo të premte, arkitekti i pavarësisë së Kosovës, presidenti historik, apo si njihej, Dr. Ibrahim Rugova, me konferencat e tij të përjavshme për shtyp, sensibilizoi për vite me radhë opinionin ndërkombëtar, për ngjarjet ne Kosovë”, tha Osmani.

Osmani përkujtoi se 24 maji u lidhet me ditën kur Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës, më 24 maj të vitit 1992, në zgjedhjet e para demokratike të mbajtura nën okupim.

“Presidenti Rugova ishte dhe mbetet udhërrëfyesi ynë, ora e mirë e Kosovës dhe ndërtuesi i aleancave tona strategjike me perëndimin e në veçanti me aleatin kryesor dhe të pazëvendësueshëm SHBA-në”, tha tutje Osmani./KultPlus.com

32 vite nga zgjedhjet e para kur Ibrahim Rugova u votua për president

24 maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.

Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com

“Miti i Letos”, shfaqja që hapi Javën Kulturore Greke

Java Kulturore Greke nisi me një performancë artistike kontemporane që do të ngelet gjatë në kujtesën e publikut pjesëmarrës.

Artisti protagonist Yannis Adoniou dhe KUNST STOFF i mbërthyen ndjekësit e shfaqjes me tërësinë e lëvizjeve dhe tingujve muzikorë të Nikos Giannios.

Java Greke u hap me shfaqjen bazuar mbi mitin e Letos, gruaja e Zeusit dhe nëna e Apollonit e Artemisës, simboli i urtësisë e modestisë.

Në faqen online të Javëve Kulturore Ndërkombëtare shkruhet se, miti i Letos zbriti në Amfiteatrin e Liqenit për të treguar rrugëtimin e tij duke trajtuar tema themelore dhe të qenësishme dhe se kjo shfaqje është vetëm magjia e fillimit që pritet të sjellë Java Greke.

Ashtu si edhe më parë, aktivitetet kulturore të JKN nuk do të kufizohen me Tiranën, por do të organizohen edhe në qytete të tjera të vendit./atsh/KultPlus.com

Mbrëmë u shfaq “Here, Kitty Kitty” në kuadër të PITF, sonte do të shfaqet “Embers”

Në Teatrin AAB “Faruk Begolli”, në kuadër të PITF është prezantuar shfaqja “Here, Kitty Kitty” nga Maqedonia e Veriut me regji të Filip Petkovski.

Kjo shfaqje që kishte një dinamikë të madhe të aktorëve në skenë ka sjell emocion te audienca, të cilët me tekst minimalist por me shumë skena vallëzimi kanë sjell një qasje më ndryshe për audiencën e këtij festivali.

Ndërkohë, sonte do të prezantohet trupa e Kroacisë,  të cilët do të prezantohen me shfaqjen  “Embers” me aktorët: Sinisa Popovic, Goran Grgic dhe Iva Mihalic. / KultPlus.com

Rama: Copëz parajse në Liqenin e Komanit

Liqeni i Komanit është shndërruar në një prej destinacioneve më të pëlqyera nga turistët vendas dhe të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje mahnitëse nga ky liqeni, teksa e cilësoi si një copëz parajse.

Veriu i Shqipërisë prej vitesh po ngjall interes të madh tek turistët e huaj dhe vendas. Dhe dalëngadalë, ky liqen po zë vendin në listat kryesore për t’u eksploruar dhe vizituar.

Liqeni i Komanit është një rezervuar në lumin Drin, që ushqehet nga lumenjtë Shala dhe Valbona. Shtrihet në një sipërfaqe prej 34 kilometrash, nga fshati Koman gjatë gjithë rrugës deri në fshatin Fierzë. Ky liqen është shtëpia e 13 specieve të ndryshme të peshkut dhe amfibëve.

Liqeni i Komanit shtrihet mes maleve të qarkut të Shkodrës dhe Kukësit. Është e pabesueshme që një vend kaq i bukur është rezultat i një rezervuari të ndërtuar në 1978 pranë fshatit Koman.

Udhëtimi përgjatë liqenit nga Komani deri në Fierzë zgjat më pak se tri orë dhe konsiderohet si një nga përvojat më unike të udhëtimeve në Shqipëri. Udhëtimi me kanoe ofron panoramën më të mrekullueshme të kësaj natyre të paprekur që rrethon liqenin./atsh/KultPlus.com

Shkrimtarë nga vendi dhe bota në “Netët Korçare të Poezisë”

Shkrimtarë nga vendi dhe bota në datë 24 maj, janë të mikpritur në Tiranë, nën Kujdesin e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, ku edhe do të kenë përveç një tryeze letrare për fuqizimin e dialogut po ashtu edhe lexime në mjediset e Muzeut dhe ambientet e Selisë.

Dy qendrat shqiptare PEN Shqipëria dhe Kosova do të mbajnë ceremoninë e Çmimeve PEN për letërsinë, si edhe do të nderojnë institucione dhe personalitete me Çertfikata të Mirënjohjes.

Me Çertifikatën  mirënjohjes PEN do të nderohet Haxhi Dede Edmond Brahimaj, për kontributet në promovimin e dialogut, si edhe të mbështetjes që i ka dhënë kulturës shqiptare në Shqipëri, rajon dhe në botë.

Çertfikata mirënjohjes PEN për promovimin e trashëgimisë letrare, gjuhësore për ndërtimin e urave të bashkëpunimit me vendin dhe botën por edhe për veprimtari të spikatura, do i jepet Muzeut Shtëpia Studio KADARE.

Laureat i Çmimit PEN  në prozë për vitin 2024 është Ahmet Prençi me romanin ” Brenga e Prokurorit”

Laureat i Çmimit PEN në poezi për vitin 2024 është Milazim Krasniqi.

Gjatë datave  25-26 maj, Biblioteka Publike “Thimi Mitko” me mbështetjen e Bashkisë së Korçës dhe në bashkëpunim me PEN Albania do të mikpresë  poetët shkrimtarët,  gazetarët dhe studiuesit, pjesëmarrës të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët e Poezisë Korçare” në edicionin e 28-të të saj, në qytetin e Korçës.

Autorët nga  Shqipëria, Kosova, Rumania, Italia, Zvicra,Sllovenia, Turqia,  Greqia, Franca, Irlanda e Maroku do të jenë në një program të organizuar për lexuesit dhe publikun shqiptar.

Besnik Mustafaj, Sadik Bejko, Aleksandër Çipa, Ahmet Prençi, Sali Bashota, Barbara Pogacnik, Marjana Gorczyca, Rafawl Newman, Flamur Shala, Liridon Mulaj e shumë autorë të tjerë do të jenë pjesë e festivalit  dhe një agjende takimesh publike. Korça është qytet  identifikues për kulturën, traditën, artin dhe poezinë lirike shqipe.

Qendrat PEN , në më 25 maj gjatë ceremonisë zyrtare të hapjes solemne të  festivalit do i ndajnë Zamira Kita, Çertifikatën  e mirënjohjes për kontributin dhe punën e saj lidhur me artin, kulturën,  dhe veçanërisht  për promovimin e letërsisë shqipe përmes mjeshtërisë së teatrit.

Pema simbolike e  poezisë këtë vit do të mbillet nga Prof. Dr. Sali Bashota,  laureat i vitit 2024,  në “Lëndinën e Poetëve” në bashtën “Vangjush Mio”, më 26 maj, në prezencën e autoriteteve lokale dhe mediave.

Në përmbylljen e natës finale do të ndahen Çmimet tradicionale të Netëve Korçare të Poezisë.

Këtë vit festivali u frymëzua nga nga vargjet e Asdrenit – Një Diell i Ri!  

Ndërkaq risi  është edhe  botimi antologjik  shqip – anglisht i të gjithë autorëve pjesëmarrës në Festivalin Ndërkombëtar të autorëve.

Netët Korçare të Poezisë.

Më datën 27 maj, autorët nga vendi dhe bota do të jenë të mikpritur nga Bashkia Devoll, ku do të kenë një agjendë veprimtarish me lexime dedikuar Dritëro Agollit. Po ashtu do të kenë mundësinë të njihen me trashëgiminë dhe pasuritë natyrore të Devollit.

Ashtu siç edhe është në traditën e PEN – Bashkia Devoll do të ketë Çertifikatën e mirënjohjes PEN ,  për mbështetjen  që autoritet e pushtetit lokal i japin promovimit të kulturës dhe letërsisë në veçanti.

Në të gjithë këtë veprimtari të festivalit Kryetarja e PEN për Shqipërinë , znj. Entela Kasi, dhe Kryetari i PEN Kosovës, z. Binak Kelmendi , do të jenë të pranishëm.

Të ftuarit nga vendi dhe bota janë Akomoduar në NanoBiofood Resort, në Komunën Petrelë, në kuadër të promovimit të turizmit dhe traditës në Shqipëri./ KultPlus.com

Forum shkencor mbi zonën Kurbnesh-Kukës-Prizren, zonë me rrezik sizmik potencial

U mbajt në Mitrovicë, forumi shkencor “Studimi gjeologo-sizmik i zonave së thyerjeve tektonike tërthore Kurbnesh-Kukës-Prizren dhe Shkodër-Pejë, si dhe vlerësime të rrezikut sizmik”.

Veprimtaria është koordinuar nga njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive pranë Akademisë së Shkencave. Organizimi i kësaj veprimtarie u bë i mundur nën kujdesin e kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës akad. Mehmet Kraja.

Kjo njësi ka sot në përbërje 11 grupe kërkimore shkencore me 80 bashkëpunëtorë të shtrira në Shqipëri dhe Kosovë. Deri më sot njësia e gjeoshkencave dhe gjeoinxhinierive ka nxitur dhe koordinuar shumë aktivitete shkencore dhe projekte shkencore të përbashkëta Shqipëri-Kosovë të realizuara në një periudhë të shkurtër, por mjaft intensive.

Qëllimi i këtij forumi që u mbajt në Mitrovicë është studimi i thyerjes tektonike aktive Kurbnesh-Kukës-Prizren, që paraqitet si një zonë me rrezik sizmik potencial për sa iu përket zonave urbane, infrastrukturës dhe veprave inxhinierike me karakter strategjik, që ndodhen të afërsi të saj. Kjo thyerje ndërkufitare, që shtrihet në të dyja shtetet tona, përfshirë territorin e Shqipërisë deri në atë të Kosovës ka gjeneruar një seri tërmetesh të madhësive të ndryshme.

Në aspektin teknik Forumi synon të vërë theksin tek rëndësia e veçantë e metodave gjeofizike dhe gjeologo-inxhinierike, së bashku me karakteristikat gjeologjike dhe gjeomorfologjike të nënshtresave lokale, për një studim të thelluar të aktivitetit të thyerjeve tektonike tërthore. Gjithashtu kërkoi forcimin e lidhjeve të bashkëpunimit midis akademikëve, profesorëve dhe shkencëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova duke përmirësuar praktikat akademike në tematikat e gjeologjisë inxhinierike, sizmologjisë dhe gjeofizikës së aplikuar./atsh/KultPlus.com

Shkolla verore “Jam Shqiptar”, Hasani: Këtë verë me nxënësit e gjuhës shqipe në Itali

Shkolla verore “Jam Shqiptar” do të hapë së shpejti dyert e saj.

Lajmin e dha sot ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili u shpreh se “këtë verë do të mirëpresim nxënësit e gjuhës shqipe në Itali”.

“Ku tjetër më mirë se në atdheun tënd do të mund të praktikosh gjuhën amtare? Eja dhe ti këtë verë për një vizitë studimore në Shqipëri, ku do të mësosh akoma më shumë mbi historinë, artin, kulturën e traditën shqiptare, gjatë eksplorimit në natyrën piktoreske të atdheut tonë të bukur”, theksoi Hasani.

Të gjithë nxënësit e klasave shqipe në Itali, duhet të dërgojnë sa më parë aplikimin në adresën: [email protected]

Afati i fundit për aplikim është data 2 qershor 2024./atsh/KultPlus.com

Agim Vinca: Kolegji AAB dhe përvoja ime

(Një histori e parrëfyer)

Të nderuar miq dhe kolegë,

Zonja dhe zotërinj!

Ju përshëndes të gjithëve dhe ju falënderoj që keni gjetur kohë të vini të merrni pjesë në këtë takim!

Falënderoj në radhë të parë mikun tim Lulzim Tafa, Lulin e Madh, që është ideator i këtij eventi: shpalljen time “Professor Honoris Causa” i Kolegjit AAB, nder që nuk ma ka bërë as Fakulteti në të cilin kam punuar dyzet vjet, dyzet e më shumë, e ku kam dalë në pension dhe, ç’është më me rëndësi, ku kam investuar aq shumë!

Nuk thuhet më kot: I nderuari të nderon!

Falënderoj Rektorin për fjalën e tij dhe ish-studentin e mikun tim Bedri Zyberaj, prorektoren Venera për moderimin dhe aktorët për deklamimin e vargjeve të mia.

Lidhjet e mia me këtë institucion janë të hershme. Në njëfarë dore, madje, do të mund të thuhej se unë jam bashkëthemelues i tij. Mendoj se është rasti të thuhet diç për fillimet e këtij institucioni.

Ishte viti 2001-2002. Në Kosovën e posaçliruar kishte shumë entuziazëm e iniciativa. Dy djem të rinj, Ilir Tafa dhe Bekim Mula, kishin një zyrë në afërsi të Fakultetit Filologjik dhe një ide në kokë: të themelonin një institucion privat të arsimit të lartë, një kolegj, me një degë të vetme: Moderator-prezantues dhe zëdhënës. Realiteti i ri në Kosovë e shtronte si nevojë një profil të tillë kuadrosh dhe ata, Iliri dhe Bekimi, e kishin hetuar këtë me intuitë.

Kërkuan ndihmën time dhe unë, natyrisht, iu gjeta pranë. Sa më kujtohet, në këtë proces kanë qenë të përfshirë që në fillim edhe dy vetë dhe unë që s’dua t’i mbes borxh askujt, nuk mund të mos i përmend: Bashkim Ramadani dhe Mimoza Doko, por unë isha i vetmi me gradë shkencore e titull “Profesor” dhe me përvojë të gjatë pune në Universitet.

U shpall konkursi dhe u bë provimi pranues. Interesimi nuk mungoi. Filloi puna. E quajtën AAB, me këto tri germa që i ka edhe sot si emblemë. Nga kjo bërthamë lindi gjiganti që është sot.

Në fillim, një vit a dy kemi mbajtur mësim, në Qendrën e Studentëve, pastaj në një shtëpi private në rrugën që çon për në Matiçan, te shkolla “Iliria”, ku më vonë u vendos Kolegji “Pjetër Budi”.

Një nga ata që jepte mësim në AAB ishte edhe aktori i njohur Adem Mikullovci. Një ditë Ademi, me natyrën e tij të drejtpërdrejtë, më tha: “O Agim, mos po i mashtrojmë këta të rinj?”. “Jo, Adem, i thashë, nuk e besoj, sepse këta djem e kanë seriozisht, kurse ne e bëjmë punën tonë ndershmërisht”.

Ky është, pak a shumë, raporti im me institucionin që po më nderon sot me titullin: “Profesor Nderi”, Kolegjin AAB, që sot ka dhjetëra fakultete, qindra profesorë dhe mijëra studentë, ndërkohë që në institucionet shtetërore, arsimore, informative dhe kulturore të Kosovës (dhe jo vetëm) punojnë shumë ish-studentë që kanë studiuar në këtë institucion, disa nga të cilët janë personalitete në fusha të ndryshme.

Pa dashur të shkoj më thellë në histori, sepse koha për të cilën po flas tashmë mund të quhet lirisht histori, nuk mund të mos theksoj edhe diçka.

Për kolegjet private flitet gjithçka, mirë e keq (më shumë keq se mirë), por unë mund t’ju them një gjë: gjatë atyre gjashtë viteve që kam dhënë mësim në AAB (2002-2008), mua, që njihem si profesor “i rreptë”, askush nuk më ka thënë:

“Profesor, zbute kriteriumin ose kaloje këtë kandidat!”. Jo. Në asnjë afat dhe në asnjërën lëndë.

E kam ligjëruar dy lëndë: Kulturë gjuhësore, në vitin e parë të studimeve dhe Qytetërim shqiptar, në të tretin, sepse studentët e Komunikimit masiv, si u quajt më vonë dega fillestare e këtij Kolegji, kishin shumë nevojë për zotërimin solid të gjuhës shqipe, veçanërisht të gjuhës standarde dhe për njohjen e qytetërimit shqiptar nga lashtësia e deri më sot. Puna e parë ishte, sigurisht, hartimi i silabusit e literaturës, pastaj leksionet, puna me studentë, në formë debati e ushtrimesh dhe, në fund, provimi, me test. (Ende i ruaj të gjitha testet dhe leksionet në kompjuterin tim).

Kështu gjashtë vjet, derisa ky institucion krijoi fizionominë e vet dhe u bë tërheqës edhe për të tjerë. Kur AAB-ja u afirmua, unë u tërhoqa për t’u bërë vend të tjerëve, duke vazhduar punën në Fakultetin tim në UP, që nuk e kisha ndërprerë, natyrisht, për asnjë çast.

As më vonë nuk i kam ndërprerë kontaktet me Kolegjin AAB dhe drejtuesit e tij, të cilët kanë ditur gjithmonë t’i nderojnë personalitetet e shquara të kulturës kombëtare si Ismail Kadare, Rexhep Qosja e Adem Demaçi, por edhe të atyre nga rajoni, si poeti e intelektuali i madh malazias Jevrem Bërkoviqi dhe poeti e skenaristi i mirënjohur boshnjak Abdullah Sidrani; kam mbajtur fjalë rasti për “Bacën” dhe Profesor Qosjen dhe kam kryesuar Jurinë e Çmimit “Ali Podrimja” për Bërkoviqin, kurse jo më larg se dy muaj më parë, më 21 mars të këtij viti, kam qenë i ftuar nderi për Ditën e Poezisë, me ç’rast kam folur për poezinë si art dhe kam deklamuar vargje nga krijimtaria ime.

Gjatë gjithë karrierës sime jam përpjekur t’u jap studentëve dije, kulturë dhe etos, i bindur se dija, kultura dhe karakteri janë tri komponente të domosdoshme për formimin e personalitetit të njeriut, veçanërisht të të rinjve, pa harruar kurrsesi as ndjenjën e dashurisë për Lirinë e Atdheun, për Të vërtetën dhe Të drejtën, vlera për të cilat, siç thoshte Volteri, e vlen të sakrifikohet edhe jeta.

Kam kërkuar nga studentët, por edhe u kam ofruar atyre, pa u kursyer, në çdo kohë, duke e konsideruar punën time më shumë se profesion. Nuk po them mision, sepse nuk i dua fjalët e mëdha e patetike, që në kohën tonë, mjerisht, shumë herë shpërdorohen.

Jemi në vitin 2024; Kolegji AAB është shndërruar, si thashë, në gjigant, kurse unë, profesori i dikurshëm jam tërhequr në kabinetin tim, duke u marrë me punën me të cilën jam marrë gjatë gjithë jetës, krijimtarinë letrare dhe duke endur tisin e kujtimeve, që janë pjesë e jetës së çdo njeriu dhe veçanërisht e krijuesve dhe poetëve.

Kam shumë kujtime, si t’i kisha një mijë vjet, thoshte poeti i madh frëng, gjeniu Artyr Rembo (Arthur Rimbaud).

Nuk di si ta mbylli ndryshe këtë fjalë timen, pos me një kujtim dhe disa vargje, që lidhen me punën time si profesor, me studentë, në auditor, por edhe me situatën nëpër të cilën kemi kaluar, të cilën, për hir të së ardhmes, nuk duhet harruar.

Ishte viti 1998, qershor. Mbaja provim me shkrim me studentët e mi të Letërsisë në shkollën fillore “Nazim Gafurri” në periferi të Prishtinës. (Ishte koha e “sistemit paralel” dhe e “shtëpive shkolla”). I radhita studentët, ua dhashë temat; ata filluan punën, kurse unë endesha mes bankave. Vërejta se kishte rënë numri i studentëve në atë afat. Lufta në Kosovë kishte marrë hov, kurse rrugët e Kosovës ishin shndërruar në arenë ku maltretoheshin njerëzit, veçanërisht të rinjtë, nga cerberët me uniformë.

Aty më lindi ideja për poezinë, të cilën e shkrova në klasë duke huazuar një fletë nga studentja që ishte në bankë të parë. Titullohet: PROVIMI. Salla gjysmë e zbrazët. Pak studentë./ Cerberë në postblloqe rrugës për Prishtinë./ Mungon Drenica e Dukagjini… / Tani atje jepet tjetër provim”. (Prishtinë, 21 qershor 1998).

Ky provim, i atdhedashurisë dhe i dashurisë për dijen, nuk merr fund kurrë, madje as pasi përfundon jeta jonë fizike mbi këtë tokë.

Edhe një herë: faleminderit AAB për nderimin dhe organizmin e kësaj ceremonie, kurse juve, të dashur miq dhe kolegë, për vëmendjen me të cilën më dëgjuat.

Mirupafshim në takime të tjera!

Prishtinë, 22 maj 2024

(Fjala e Profesor Agim Vincës në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Profesor Nderi – Professor Honoris Causa” nga Kolegji Universitar AAB, mbajtur më 22 maj në mjediset e këtij Kolegji) / KultPlus.com

Kultura mesjetare në hapësirat arbërore, konferencë shkencore e Institutit të Historisë

 Instituti i Historisë i Akademisë së Shkencave, në bashkëpunim me Institutin e Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë zhvilluan konferencën shkencore Ndërkombëtare me temë “Kultura mesjetare në hapësirat arbërore”, në bibliotekën e Universitetit “Luigj Gurakuqi”.

Konferenca u zhvillua në dy seanca paralele dhe në të morën pjesë 16 studiues të njohur të periudhës së historisë mesjetare shqiptare.

Pjesëmarrësit vinin nga gjashtë institucione të ndryshme, si Instituti i Historisë së Akademisë së Shkencave së Republikës së Shqipërisë, Instituti i Historisë “Ali Hadri” Kosovë; “Albanisches Institut” në St. Gallen, Zvicër; Departamenti i Historisë së Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Shkodër; departamenti i historisë i Universitetit të Tiranës, si dhe nga Universiteti “Eötvös Loránd” (ELTE) Budapest.

Çështjet që u trajtuan në konferencë prekën një periudhë kohore nga Mesjeta e hershme e deri në Mesjetën e vonë. Tematikat kishin të bënim me historinë kishtare të trojeve shqiptare; me hulumtime arkeologjike të kishave dhe qyteteve të ndryshme mesjetare; me çështje të historisë ekonomike; me çështje administrative, sidomos me administrimin venedikas të Shkodrës në shekullin XV, dhe me veprimtarinë politike të grave fisnike në Arbëri gjatë Mesjetës së vonë e me çështje të tjera./atsh/KultPlus.com

Publikohet traileri i filmit të ri nga Disney, “Descendants: The Rise of Red” ku luan edhe Rita Ora

Filmi i quajtur “Descendants: The Rise of Red”, vendos vajzën e ‘Mbretëreshës së Zemrave’ përpara dhe në qendër dhe trailer-i zbulon pamjet e reja përpara publikimit të filmit në Disney+ të premten, më 12 korrik, film në të cilin luan edhe artistja shqiptare me famë botërore, Rita Ora si “Mbretëresha e Zemrave”.

Në këtë film luan Malia Baker, në personazhin e Chloe, vajzën e Hirushes dhe Princit Charming me Brandy dhe Paolo Montalban duke ripërsëritur rolet e tyre përkatëse nga adaptimi i Hirushes në 1997.

Së bashku me Cantrall, Baker, Brandy dhe Montalban, “Descendants: The Rise of Red” do të rikthejë gjithashtu China Anne McClain në rolin e Uma si dhe Melanie Paxson si ‘Kumbara e Zanave’.

Yjet e tjerë përfshijnë Dara Renee si Uliana, Ruby Rose Turner si Bridget/Mbretëresha e re e zemrave, Morgan Dudley si Ella/Young Cinderella, Joshua Colley si Young Hook, Peder Lindell si Morgie, Grace Narducci si Fay. /Young Fairy Godmother, Jeremy Swift si Principal Merlin dhe Leonardo Nam si Maddox Hatter.

Jennifer Phang drejtoi filmin me një skenar të Dan Frey dhe Russell Sommer. Filmi i ri do të përfshijë shtatë këngë të reja origjinale dhe që përfshin dy ripërsëritje dhe një kopertinë të “So This Is Love” nga filmi origjinal i animuar Hirushja. Kolona zanore do të publikohet më 12 korrik nga Walt Disney Records.

“Descendants: The Rise of Red” do të shfaqet premierë në Disney+ të premten, më 12 korrik, e cila do të pasohet nga një premierë në Disney Channel të premten, 9 gusht. Ndërkaq, Rita Ora ka publikuar disa pamje në Instagram, ku ka mahnitur me paraqitjen në këtë film me flokë të kuqe./

Presidentja Osmani shënon ‘Ditën e Presidentit’ para shtatores së Ibrahim Rugovës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një njoftimi në rrjete sociale ka bërë të ditur se ka shënuar “Ditën e Presidentit”, duke publikuar fotografi bashkë me familjen para shtatores së ish-presidentit Ibrahim Rugova.

Osmani ka shkruar se kjo ditë kujton vizionin shtetformues të presidentitRugova dhe miqësitë e përhershme që ai i ndërtoi.

“Sot është 24 Maji – Dita e Presidentit, e vendosur si e tillë nga Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ditë e simbolikës shtetërore në Republikën tonë, që na kujton vizionin shtetformues të Presidentit Rugova dhe miqësitë e përhershme qe ai i ndërtoi. Le të jetë ky vizion i yni i vazhdueshëm, pavarësisht sfidave që na dalin përgjatë kësaj rruge”, thuhet në postimin e Osmanit në Facebook.