36 vite nga vdekja e aktores së shquar shqiptare, Marie Logoreci

Marie Logoreci ishte aktore shqiptare e teatrit dhe filmit, pioniere e kinematografisë shqiptare. Paraqitja për herë të parë në film ishte tek Skënderbeu, më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh te shkurtër ‘Fëmijët e saj’, dhe me pas në filmin e parë shqiptar ‘Tana dhe Toka jonë’ etj. Ajo luajti në filmin televiziv, ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Ajo ngriti në art karaktere të ndryshme të nënave shqiptare, duke u kthyer vetë në simbol të nënës shqiptare, shkruan KultPlus.

Maria e filloi aktivitetin e saj artistik që në shkollë, ku luante në teatrin e shkollës, vizatonte dhe këndonte. Në vitin 1945 ajo filloi të këndoje në Radio Tirana dhe në koncerte që jepeshin në qytete të Shqipërisë, si dhe shkoi turne jashtë shtetit si soliste e Korit të Përgjithshëm të Shtetit. Në repertorin e saj ishin rreth 100 këngë. Në 1947 filloi punën në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretimi i parë i saj në skenën e teatrit ishte Elmira në komedinë Tartufi të Molierit. Filmi i parë ku mori pjesë ishte bashkëpunimi sovjeto-shqiptar Skënderbeu.

Maria mbeti një aktore e madhe e skenës. Ajo krijoi artin e saj. Duke qenë vrojtuese e mprehtë e jetës së popullit arriti të mbledhë polenin jetësor e ta hedhë në veprën e saj artistike duke i dhënë spektatorit shpirtin e njeriut, dhembjen, protestën, revoltën, urrejtjen, cinizmin, hipokrizinë, dinakërinë, etj… atë që është esenca e rolit, atë magji që shkakton një art të vërtetë. Gjuha e saj artistike është ekspresive dhe me kolor, mjetet skenike që ka aplikuar Maria, janë realizuar prej saj me mjeshtëri duke vënë vulën e vet të interpretimit, atë që ishte personale të Maria.

Rolet më të suksesshëm të saj janë: Xhesi te Çështja ruse, Alisa Lengton te Rrënjë të thella, Kristina Padera tek Komploti i të dënuarve, Fatimja te Halili dhe Hajrija, Aljona Patrovna te Gjashtë dashnorët, Lokja te Toka jonë, Ledi Milford te Intrigë e dashuri, Tringa te Shtatë shaljanët, Gertruda te Hamleti, Bernarda Alba te Shtëpia e Bernarda Albës, Tadrahova te Morali i zonjës Dulska, nëna Xhun te Muri i madh pakapërcyeshëm’, Mara te Përkolgjinajt, plaka te Çatia e të gjithëve, nëna te Cuca e maleve, Gjela te Përmbytja e madhe.

Marie Logoreci vdiq në Tiranë në vilën e saj nga një atak kardiak më 19 qershor 1988.

Marie Logoreci përveç urdhrave dhe medaljeve te ndryshme mban edhe titullin e larte Artiste e Popullit dhe Nderi i Kombit. /KultPlus.com

120 vite nga vdekja e ideologut themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri

Sot shënohen 120 vite nga vdekja e intelektualit, gjuhëtarit, romancierit dhe ideologut themelor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, Sami Frashëri.

Sami Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej, lindi më 1 qershor 1850 në Frashër dhe vdiq më 18 qershor 1904 në Stamboll. Ai ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin. 

Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk, i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht. Në opinionin turk njihet si “babai i enciklopedistëve.”

Ai nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja.

Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës  turke, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.

 Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Dashuria e Talatit me Fitneten botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Ai u lind në fshatin Frashër të Vilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861).

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit nga myderrizi Mustafa efendi Tetova. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869.

 Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.

 Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte “të shkëlqyer”. Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet, ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë.

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë “Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.

 Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe pastaj “Dituria” (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat “Abetare e gjuhës shqipe” (1886), “Shkronjtore e gjuhës shqipe” (gramatika, 1886) dhe “Shkronjë” (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe.

Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to.

Disa prej titujve të veprave janë:

Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)

Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)

Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)

Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)

Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)

Abetare e gjuhës shqipe (1886)

Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)

Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)

Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)

Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)

Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet (1899)

Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Ai vdiq në Stamboll më 18 qershor 1904/KultPlus.com

ELLE: Shqipëria – një perlë e turizmit evropian në zhvillim

Shqipëria mund të njihet më së shumti si vendlindja e Dua Lipës, por destinacioni nën radar ofron shumë më tepër, shkruan Kirsty Thatcher në të përditshmen australiane “ELLE” (elle.com.au).

E vendosur në detin Adriatik midis Greqisë dhe Malit të Zi, Shqipëria krenohet me peizazhin mahnitës që shumë pushues ëndërrojnë.

Histori e pasur, kuzhinë cilësore, plazhe të fshehura në jug dhe shtigje të famshme alpine për ecje në veri.

Njohja e ngadaltë e Shqipërisë si një destinacion turistik është kryesisht falë historisë së saj politike: vendi ishte nën sundimin e rreptë komunist për 40 vjet, kohë gjatë së cilës pothuajse asnjë turist nuk lejohej të vizitonte vendin.

Në ditët e sotme, gjithçka ka ndryshuar dhe Shqipëria ka një reputacion të fituar si një perlë e turizmit evropian në zhvillim.

Një kërkim i shpejtë në TikTok zbulon se gjithnjë e më shumë vizitorë po vërshojnë në Shqipëri për te shijuar arratisjet e tyre evropiane.

Shqipëria është shumë më e përballueshme se fqinjët e saj më të njohura si , Greqia, Italia, madje edhe Kroacia, duke e bërë atë destinacionin ideal për ata që kërkojnë të kalojnë një verë të paharrueshme pa ndikuar në buxhetin e tyre.

Të intriguar? Lexoni udhëzuesin tonë gjithëpërfshirës për të udhëtuar në Shqipëri;

Ku të shkoni në Shqipëri

Si çdo vend, do të ishte e pamundur të shihje të gjithë Shqipërinë në vetëm një udhëtim.

Por, nëse po planifikoni pushimet tuaja të ardhshme dhe ndiheni të mbingarkuar nga gjithçka që Shqipëria më poshtë gjeni destinacionet më të mira shqiptare dhe, saktësisht pse duhet t’i vizitoni ato.

Shkodra

Me një popullsi prej pak më shumë se 100,000 banorë, Shkodra është qyteti i pestë më i madh në Shqipëri, i vendosur rreth 10 kilometra larg kufirit me Malin e Zi.

Shkodra ofron një histori të pasur në formën e rrënojave që datojnë që nga koha e Venedikut, një qendër e çuditshme e qytetit, një pamje panoramike e maleve të Ballkanit dhe liqeni i famshëm i Shkodrës.

Ky qytet është gjithashtu një pikë ndalimi e përshtatshme për ata që shkojnë në veri drejt maleve shqiptare.

Thethi

Adhurues të aventurës, ky është vendi ideal për ju. Pavarësisht se në cilën stinë do të vizitoni Shqipërinë, ia vlen të bëni një udhëtim në Theth, një fshati bukur malor dhe pikënisja e përsosur për ecjet e shumta në Shqipëri. Këshilla jonë?

Përjetoni mikpritjen shqiptare në të gjithë lavdinë e saj dhe zgjidhni të qëndroni në një nga bujtinat e shumta të fshatit, ku do të jeni nën kujdesin e familjeve shqiptare (përfshirë të gjitha vaktet tuaja!).

Lumi i Shalës

Me siguri i keni parë imazhet e ujit jashtëzakonisht blu të lumit të Shalës dhe akomodimet në stilin e Maldiveve në rrjetet tuaja sociale.

Me ujërat e pastra kristal, malet e larta dhe një atmosferë krejtësisht të izoluar, ka një arsye pse lumi i Shalës ka fituar një reputacion si një nga atraksionet natyrore më të bukura të Shqipërisë.

Ndërkohë që, mund të bëni një udhëtim ditor nga lumi i Shalës, ju rekomandojmë të qëndroni në bujtinën “Livadhi”, ku mund të shijoni plazhin privat dhe të zgjoheni me pamjen e pabesueshme malore.

Ksamili

Më në jug do të gjeni fshatin bregdetar të Ksamilit. Nëse jeni të tërhequr pas bareve të plazhit, ushqimit të jashtëzakonshëm dhe kulturës luksoze – ky është vendi i duhur për ju.

Himara

Pak më e qetë se Ksamili, Himara është një qytet i vogël përgjatë Rivierës Shqiptare – me plazhe të izoluara bruz.

Një vizitë në Kalanë e lashtë të Himarës (e cila daton në vitin 5 p.e.s.), në qytetin e vjetër të çuditshëm dhe shëtitjet në bregdet, do t’ju bënin të mendonit se keni përfunduar në një ishull të izoluar grek./atsh/KultPlus.com

Trendi i nisur nga shqiptarët, austriakët i ngacmojnë francezët me bukën “Baguette”

Trendi i nisur nga tifozët shqiptarë, po vazhdon të jetë një temë më e përfolur.

Të shtunën tifozët “Kuq e Zi” realizuan spektakël në rrugët e Dortmundit.

E një nga skenat më virale ishte thyerja e Shpagetave, para syve të tifozëve italianë.

Ndërkaq sot, thuajse në të njëjtin gjest e bënë para ndeshjes edhe tifozët austriak.

Këta të fundit i ngacmuan tifozët kundërshtarë, ata francezë me bukën e tyre të njohur “Baguette”.

Hesse: ‘Ose poet ose asgjë’

Një prej shkrimtarëve më të shquar gjermanë të shekullit të njëzetë, Herman Hesse u lind më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Shtutgartit dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Përveç shkrimeve në prozë, ai shquhet si poet me më shumë se 680 poezi, të përmbledhura këto në 12 vëllime. Se një ditë do të bëhej shkrimtar, ai e kishte të qartë, por tjetër gjë shihnin prindërit tek ai. Sipas tyre, duhej të bëhej klerik, si ata vetë: i ati punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, ndërsa e ëma ishte bijë e një misionari. Në këto kushte, poeti u rrit në një familje me tradita të forta fetare. Në vitin 1891, prindërit e dërguan në seminarin protestant “Maulbronn”. U largua vetëm pas disa muajsh, pasi nuk mund ta duronte edukimin kristian.

Brenda vetes, ai ishte i vendosur: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë!” Por, rruga nëpër procesin krijues, për të qe një odise e vërtetë. Hesse ndërroi disa shkolla dhe nuk mundi të përshtatej, ndaj në një fazë depresive, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, u përpoq të vriste veten. Më vonë, ai punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate për kulla, si dhe në librari.

Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon kështu interesin mbarë-botëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe. ”

Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike, politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu, një nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, Hesse u bë qytetar zviceran, ndërsa më 1946 iu akordua çmimi “Nobel” në letërsi. /Hejza/ KultPlus.com

Një qenie që zgjohet për ju

Nga Stefan Zweig

I tronditur në thellësitë e shpirtit tuaj, e dini që dikush është duke pritur për ju ditë dhe net, duke menduar për ju, duke u përgjëruar me psherëtimë për ju – një grua, një e huaj. Ajo të kërkon, ajo të dëshiron me secilën fije të qenies së saj, me trupin e saj, me gjakun e saj. Ajo i dëshiron duart e tua, flokët e tu, buzët e tua, natën dhe ditën tënde, emocionet e tua, ndjenjat e tua dhe gjithë mendimet dhe ëndrrat e tua. Ajo dëshiron të ndajë çdo gjë me ju, të marrë gjithçka nga ti, dhe ta tërheq atë brenda me frymën e saj.

Prandaj, që këtej e tutje, ditën dhe natën, pavarësisht nëse jeni i fjetur apo i zgjuar, ekziston diku në botë, një qenie që është zgjuar për ju, dhe ju jeni qendra e zgjimit dhe ëndrrës së saj. Është i kotë tentimi i juaj për të mos menduar për të, për atë që mendon gjithmonë për ju. Më kotë ju tentoni të arratiseni, sepse ju nuk rroni më tek vetja e juaj, por tek ajo. / KultPlus.com

‘Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh’

Në vijim mund të lexoni disa thënie për jetën, miqtë dhe dashurinë.

“Asgjë nuk e damkos një shpirt të mirë dhe një zemër të ëmbël më shumë sesa të jetosh mes njerëzve që nuk mund ta kuptojnë atë.”

“Mos lejoni që vështirësitë tuaja t’ju mbushin me ankth, në fund të fundit vetëm në netët më të errëta yjet vezullojnë më me shkëlqim.”

“Jeta përbëhet nga dy ditë, njëra krah teje e tjetra kundër teje. Pra, ditën që është krah jush mos jini arrogantë ose të pamatur, dhe ditën kur është kundër jush të jeni të durueshëm, të dyja ditët janë provë për ju.”

“Vepra më e mirë e një njeriu të madh është të falësh dhe të harrosh.”

“Kur bota të ul në gjunjë, je në pozitën e përsosur për t’u lutur”

“Një refuzim i këndshëm është më i mirë se një premtim i gjatë.”

“Gruaja është një krijesë delikate me emocione të forta që është krijuar nga Zoti i Plotfuqishëm për të marrë përsipër përgjegjësinë për edukimin e shoqërisë dhe lëvizjen drejt përsosmërisë. Zoti e krijoi gruan si simbol të bukurisë së Tij dhe t’i jepte ngushëllim partnerit dhe familjes së saj. ”

“Ai që i beson botës, bota e tradhton.”

“Mirësjellja nuk kushton asgjë, por blen gjithçka.”

“Një vëlla është si ari dhe një mik është si diamanti. Nëse çarje ari mund ta shkrini dhe ta bëni ashtu si më parë. Nëse diamanti plas, kurrë nuk mund të jetë si më parë ”.

“Durimi siguron fitoren.”

“Përgojimi pas shpine është përpjekja e atij që nuk është në gjendje ta bëjë më mirë veten e tij.”

“Mos e pëlqeni te vetja juaj atë që nuk ju pëlqen te të tjerët.”

“Një njeri i mençur gjithmonë ka diçka për të thënë, ndërsa budallait gjithmonë i duhet të thotë diçka.”

“Sigurisht që heshtja ndonjëherë mund të jetë përgjigjja më elokuente.”

“Nuk është kurrë vlera e ujit, por etja, nuk është kurrë vlera e jetës, por vdekja dhe kurrë nuk ka pasur të bëjë me miqësinë, por me besimin.”

“Kini kujdes të mos flisni shumë, sepse rrit gabimet dhe shkakton mërzitje.”

“Kujdesuni për gjuhën tuaj njësoj siç kujdeseni për arin dhe argjendin.”

“Ushqimi i trupit është ushqim, ndërsa ushqimi i shpirtit për të ushqyer të tjerët.”

“Nuk ka prehje për personin që ka zili dhe nuk ka dashuri për personin që ka sjellje të këqija.”

“Duhet të jesh i përulur, pasi është një nga [format më të mëdha] të adhurimit.”

“Të mos kesh një gjë është më pak poshtëruese sesa ta lypësh.”

“Ju jeni zotëruesi i asaj që thoni derisa ta shqiptoni, pasi ta nxirrni atë, ju jeni rob i saj. Ruani gjuhën tuaj siç ruhet ari dhe paraja. Një fjalë mund të sjellë turp dhe mbarimin e një lumturie.”

“Ndershmëria do t’ju udhëheqë drejt mirësisë dhe mirësia do t’ju ftojë në parajsë.”

“Është njeri më i mençur dhe më i ditur ai që këshillon njerëzit të mos e humbin shpresën dhe besimin në mëshirën e Zotit dhe kjo të mos e bëjë atë shumë të sigurt dhe të bindur për imunitet nga Zemërimi dhe Ndëshkimi i Tij.”

“Armiqtë tanë nuk janë çifutët ose të krishterët, armiku ynë është injoranca jonë.”

“Nëse sytë e një femre përloten për një burrë që e shtyp atë, atëherë engjëjt do ta mallkojnë atë me çdo hap që ecën.”

“Miqtë tuaj janë tre dhe armiqtë tuaj janë tre. Miqtë tuaj janë: shoku juaj, miku i mikut tuaj dhe armiku i armikut tuaj. Armiqtë tuaj janë: armiku juaj, armiku i mikut tuaj dhe miku i armikut tuaj.” / KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Dita e Çlirimit të Kosovës më e rëndësishmja në 100 vitet e fundit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se për shqiptarët nuk ka datë me rëndësishme në 100 vitet e fundit, se Dita e Çlirimit të Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i LVV-së, në tubimin me strukturat e partisë organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje në kuadër të ‘Javës së Lëvizjes”, tha se nuk është rastësi që Lëvizja Vetëvendosje u formua në përvjetorin e çlirimit të Kosovës në vitin 2005.

Ai tha se nuk është rastësi Vetëvendosje gjithmonë e ka nderuar 10 qershorin e Lidhjes ë Prizrenit dhe 28 Nëntorin e Vlorës, dhe tash me qeverisjen e Vetëvendosjes, edhe 17 shkurtit po i japin kuptimin e vërtet, siç kanë dashur dëshmorët dhe martirët tanë dhe populli liridashës i Kosovës.

Kreu i VV-së, Albin Kurti, ka përmendur dhe ish krerët e UÇK-së që janë në gjykim në Hagë e që tha se presin që të kthehen në Kosovë siç e meritojnë ata.

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./ atsh/ KultPlus.com

Dashuri e vështirë

Poezi nga Luis Garcia Montero

Kush e di në më ka parë ajo ndonjëherë kështu,
kush e di në më ka parë ndonjëherë njeri, kaq përtokë,
kaq të ftohtë në këtë kënd. Por era
kujtoi se unë isha gur
dhe trupin tim donte të shpërbënte.

Po të mundja të të takoja,
kushedi në do mund të takohemi ndonjëherë, unë do të di
të sqarohem me ty.

Por klubet e hapur dhe të mbyllur,
rrugët netëve dhe ditëve,
stacionet pa njerëz,
lagjet e tëra me banorët e tyre, dritat,
telefonat, hapat dhe ky kënd,
nuk dinë gjë, se ku je ti.

Dhe kur era kërkon të shkatërrojë
më kërkon te porta e shtëpisë tënde.

Unë ia përsëris edhe erës,
po qe se do mundem të të takoj,
po qe se ti më shfaqesh, unë do të di
të sqarohem me ty.

Prezantohet në Paris ‘Shota’, makina e parë ushtarake shqiptare

Prezantohet në panairin ndërkombëtar EUROSATORY që po mbahet në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare “Shota”. Shqipëria merr pjesë për herë të parë e përfaqësuar nga një kompani 100% shqiptare në këtë panair, ku marrin pjesë rreth 2 mijë kompani nga e gjithë bota.

Ky konsiderohet një moment i rëndësishëm nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.

“Prezantohet në panairin EUROSATORY në Paris, prototipi i parë i makinës ushtarake shqiptare Shota. Një moment i rëndësishëm që shënon pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar dhe përfaqëson një arritje të madhe për industrinë tonë të mbrojtjes”, shprehet  Peleshi.

Automjeti është i pajisur me një teknologji të avancuar dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake dhe civile, përfshirë transportin e trupave, operacionet e shpëtimit dhe misionet e sigurisë. Qëllimi i krijimit të kësaj makine është fuqizimi i industrisë ushtarake shqiptare dhe jo vetëm.

Në panairin EUROSATORY në Paris marrin pjesë delegacione nga shtete të ndryshme si dhe përfaqësues nga SHBA dhe NATO dhe do të zgjasë nga data 17 deri në 21 qershor.

Panairi i veprave moderne/ Art Basel u hap me 285 galeri nga 40 vende

Art Basel, panairi më i madh dhe më prestigjioz në botë për veprat moderne dhe bashkëkohore, u hap për publikun të enjten në Bazel të Zvicrës, me 285 galeri nga 40 vende dhe territore që ekspozojnë veprat e tyre më të mira, nga pionierët modernë të fillimit të shekullit të 20-të deri te artistë në zhvillim.

Kuruar këtë vit nga Stefanie Hessler, drejtoreshë e Institutit Zviceran të Nju Jorkut, është konceptuar si një ekspozitë e vetme, gjarpëruese rreth temave të transformimit dhe qarkullimit në tregti, globalizim dhe ekologji.

Disa nga ekspozimet më të spikatura të këtij viti janë;

Projekti “Portreti i brendshëm” i artistit mediatik Refik Anadol. Ai përdor mjete të avancuara të AI dhe sensorë neuroshkencor për të kapur përgjigjet emocionale dhe njohëse të udhëtarëve në avion, që fluturojnë për herë të parë.

Instalacioni i Jean Dubuffet, ndodhet në qendër të prezantimit të panairit të galerisë. Ai është i përbërë nga një stol i ulët, gjarpërues, i instaluar poshtë dy fluturave fluturuese. Duke i ftuar vizitorët të ulen dhe të reflektojnë, kjo skulpturë me rëndësi historike përmbys arkitekturën tradicionale të stendës së panairit të artit.

I porositur nga Koleksioni i Arteve UBS, instalacioni site specifik përbëhet nga qëndisje që reflektojnë mbi konceptin e kohës në lidhje me sfidat me të cilat

përballen gratë. Duke theksuar mungesën e kohës përmes një zeje shumë kohë si qëndisja, artistja i referohet përvojës femërore, veçanërisht pasi qëndisja është konsideruar historikisht punë e grave.

‘Kur dielli largohet ne pikturojmë qiellin’ nga artisti nga Kosova Petrit Halilaj.

E dukshme gjatë ditës dhe e ndriçuar gjatë natës, kjo plejadë kërcimi shndërron simbolet e errëta të rënies historike në thirrje rrezatuese dhe poetike për shpresë kolektive drejt së ardhmes. Nga dashamirët e kulturës deri te klientët e njohur të artit, Art Basel është destinacioni që i jep më shumë vlerë galerive, artistëve dhe partnerëve kulturorë./topchanel/ KultPlus.com

‘Portreti i Jenny Montigny’, vepër e  Emile Claus

Më 14 qershor 1924, piktori belg Emile vdiq në Astene. Një ditë para vdekjes së tij, ai kishte pikturuar një pastel me një buqetë me lule, dërguar atij nga mbretëresha Elisabeth e Belgjikës. Claus është varrosur në kopshtin e tij në Astene dhe një rrugë është emëruar me emrin e tij në Bruksel.

I diplomuar në Akademinë e Antwerpenit, Emile Claus praktikon për rreth dhjetë vjet një realizëm mjaft konvencional dhe me ngjyrim shoqëror. Kur mbush 34 vjeç, ai vendos studion e tij – e cila më vonë do të bëhej shtëpia e tij – në Astene, një fshat i vogël pranë Gentit.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, Claus arratiset në Londër ku pikturon shumë pamje të Thames. Midis tyre “Ura e Waterloo, dielli dhe shiu, marsi” (1916) dhe “Pamja e Londrës, dimri” (1916) janë pjesë e koleksionit të Muzeut Mbretëror. /Liberale.al/ KultPlus.com

Version 1.0.0

‘Eksploroni Shqipërinë’/ Revista Amerikane: Ja 7 destinacione turistike të rralla

Edhe pse tashmë sezoni turistik ka nisur, revista amerikane i sugjeron turistëve që ende nuk kanë vendosur ku të pushojnë këtë verë që të eksplorojnë Shqipërinë. Në revistën amerikane “Wyandottedaily” e dedikuar për turizmin rekomandohen 7 destinacione që nuk duhet të lihen pa vizituar në vendin tonë. I pari në listë është Syri i Kaltër i cili vlerësohet mahnitës.

Sipas revistës amerikane Syri i Kaltër është një burim i pastër kristal , duke formuar një pellg me ujëra të gjallë bruz. Ndërsa rrethohet nga bimësia  e gjelbër duke krijuar një mjedis të qetë dhe piktoresk. Një tjetër ndalesë që nuk duhet humbur janë edhe rrënojat e Butrintit që ofrojnë një vështrim në historinë magjepsëse dhe kulturat e ndryshme që kanë formësuar Shqipërinë.

Një tjetër qytet me histori që rekomandohet është edhe Berati. Po ashtu një destinacion i mrekullueshëm konsiderohen edhe alpet. Revista amerikane sugjeron Luginën e Valbonës e cila mbetet e pacenuar dhe  krenohet me majat e larta, pyjet e harlisur dhe ujëvarat. Një tjetër perlë e Alpeve shqiptare vlerësohet edhe lumi  Shalës.

Ndërkohë një ndalesë mbreslënëse përcaktojnë edhe plazhet në Sarandë për të gjithë ata që preferojnë detin e diellin. Nuk mbetet pas edhe kryeqyteti një ndalesë që nuk duhet humbur. Por përtej destinacioneve të veçanta kur bëhet fjalë për akomodimin, Shqipëria ofron një sërë opsionesh që i përshtaten nevojave dhe buxhetit të gjithkujt ndërsa ofron larmishmëri të kuzhinës./abcnews.al/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti viziton shtëpinë muze të Ukshin Hotit: Nuk do të rreshtet së kërkuari drejtësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar shtëpinë muze të filozofit dhe aktivistit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, nga ku  ka thënë se nuk do të reshtet kurrë së kërkuari drejtësi.

Kryeministri Kurti më tutje ka thënë se ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëhet për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:

Sot mendimtari politik, filozofi dhe aktivisti i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, do t’i mbushte 81 vjet. Në nderim të ditëlindjes së Bacës Ukë, vizitova Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, si vend i lavdisë historike shqiptare, i mendimit të thellë politik dhe i një jete të jetuar denjësisht. Këtu kthehemi çdo vit, në ditëlindje e ndërmjet ditëlindjeve, për ta rikujtuar jetën e tij teksa rilexojmë veprën e tij, e cila është përherë aktuale.

Ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, teksteve, e dokumenteve të pabotuara deri më tani për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëjmë, për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin dhe lexuar rreshtat e mendimit të mprehtë politik të tij.

Sepse Ukshin Hoti ka bërë aq shumë për Republikën në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik, për arritjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nuk do të reshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin, i cili u zhduk menjëherë pas lirimit nga burgu, nga aparati shtetëror serb./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe

Në përvjetorin e lindjes së profesor Ukshin Hotit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vizitoi Muzeun e Masakrës në Krushë të Madhe. Ai kujtoi 22 dëshmorët dhe 155 martirët të cilët u vranë nga Serbia gjenocidale, teksa ktheu në kujtesë edhe 64 krushjanë të cilët edhe sot e kësaj dite janë ende të pagjetur, në mesin e të cilëve 14 janë nga komuniteti ashkali.

Me dëshmitarët e masakrës së Krushës së Madhe, përkujtuan një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb mbi civilët shqiptarë. Ndërmjet 25-27 mars 1999, në Krushë të Madhe forcat serbe vranë 155 civilë. Në mesin e të vrarëve janë dhe 7 fëmijë e 5 gra, njëra prej tyre shtatzënë. Mbi 700 shtëpi u dogjën, përfshirë institucione fetare e kulturore dhe u shkatërruan pasuritë e fshatarëve. Gjatë luftës u zhdukën me dhunë 64 krushjanë, përfshirë dhe profesorin Ukshin Hoti pas lirimit nga burgu.

Banorët e Krushës folën për dy krematoriumet në Krushë të madhe. Në krematoriumin e parë nga i cili ekzistojnë ende gjurmë të tij, janë djegur 19 civilë të pafajshëm shqiptarë, ndërsa në krematoriumin e dytë në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut, forcat paramilitare serbe kanë djegur mbi 40 civilë të pafajshëm shqiptarë. Kjo e fundit është vizituar më 23 qershor 1999 dhe nga atëherë ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Robin Cook.

Gjatë qëndrimit në Krushë të Madhe, kryeministri shkroi dhe në librin e kujtimeve të Muzeut të Masakrës në Krushë të Madhe.

Vjosa Osmani takohet me presidentin e Finlandës: Do të punojmë ngushtë për të avancuar partneritetin mes dy shteteve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se gjatë dy ditëve të samitit, është takuar me Presidentin e Finlandës, Alexander Stubb.

Osmani ka shkruar se ai është një mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i Republikës së Kosovës.

“Një mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i Republikës së Kosovës, me të cilin do të punojmë ngushtë për ta avancuar tutje partneritetin tonë me Finlandën si dhe rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar Osmani.

Media amerikane: Shtatë atraksionet turistike më të vlerësuara në Shqipëri për 2024

E vendosur përgjatë Gadishullit Ballkanik, Shqipëria është një perlë në zhvillim që ofron një ndërthurje magjepsëse të peizazheve natyrore mahnitëse, historisë së pasur dhe kulturës së gjallë, shkruan Justin Alexander në revistën amerikane të udhëtimit “Wyandottedaily”.

Me malet e saj të larta, plazhet e pacenuara dhe rrënojat e lashta, Shqipëria ofron një udhëtim të paharrueshëm që do t’ju lërë të mahnitur.

Ndërsa pushimet për vitin 2024 kanë nisur, le të zbulojmë shtatë atraksionet turistike më të vlerësuara që do të tërheqin vizitorët amerikanë dhe më gjerë:

Joshja e Shqipërisë qëndron në bukurinë e saj natyrore dhe të pacenuar.

Vendi është shtëpia e një gamë të larmishme peizazhesh, nga majat e thyera deri te ujërat e qeta bruz.

Pavarësisht nëse jeni një alpinist i zjarrtë, një adhurues i plazhit që kërkon diellin ose një entuziast i natyrës, Shqipëria ka gjithmonë diçka për të magjepsur shpirtin e çdo udhëtari.

Të apasionuarit pas historisë do të magjepsen nga rrënojat e lashta dhe vendet arkeologjike që mbulojnë tokën, duke u njohur me tregime të epokave të shkuara.

Qytetet e gjalla pulsojnë me energji dhe ofrojnë një vështrim në kulturën e gjallë shqiptare, ku zakonet tradicionale ndërthuren me ndikimet e ditëve moderne.

Ndërsa planifikoni aventurën tuaj shqiptare, merrni parasysh kohën më të mirë për ta vizituar.

Pranvera dhe vjeshta ofrojnë temperatura të këndshme, ideale për eksplorim në natyrë dhe zhytje kulturore.

Muajt ​​e verës sjellin mot të ngrohtë dhe me diell, perfekte për të shijuar plazhet dhe aktivitetet ujore.

Megjithatë, nëse preferoni t’i shpëtoni turmave, dimri ofron një mundësi unike për të përjetuar anën e qetë të Shqipërisë, ndërsa malet mbulojnë kapelet e tyre me dëborë.

Transporti brenda Shqipërisë është i përshtatshëm dhe i përballueshëm. Autobusët dhe trenat lidhin qytete dhe qyteza të mëdha, ndërsa fluturimet e brendshme ofrojnë qasje të shpejtë në zona të largëta.

Madhësia kompakte e vendit e bën të lehtë eksplorimin e destinacioneve të shumta brenda një afati të shkurtër kohor.

Pasi të mbërrini, shijoni ushqimet lokale pasi janë një domosdoshmëri. Kuzhina shqiptare i mahnit vizitorët me shijet e saj të këndshme dhe përbërësit e freskët.

Nga ushqimet e detit deri te pjatat e shijshme me mish, ka gjithçka për të kënaqur çdo vizitorë.

Kur bëhet fjalë për akomodimin, Shqipëria ofron një sërë opsionesh që i përshtaten nevojave dhe buxhetit tuaj.

Nga bujtina komode te hotelet luksoze, ka një vend të përsosur për të pushuar pas një dite eksplorimi.

Pavarësisht nëse preferoni të qëndroni në zemër të qytetit ose kërkoni qetësi në natyrë, do të gjeni një sërë akomodimesh mikpritëse në të gjithë vendin.

Ndërsa përfundoni aventurën tuaj shqiptare, merrni pak kohë për të reflektuar mbi përvojat dhe kujtimet pasuruese që keni përjetuar.

Përgatitni një udhëtim në Shqipëri, ku historia, natyra dhe kultura ndërthuren për të krijuar një eksperiencë të paharrueshme udhëtimi.

1. Syri i Kaltër magjepsës

Zbuloni kryeveprën joshëse të natyrës

I vendosur mes gjelbërimit të Shqipërisë së Jugut, Syri i Kaltër magjepsës është një mrekulli natyrore që do t’ju lërë të mahnitur.

Ky burim i pastër kristal del nga thellësi të panjohura, duke formuar një pellg me ujëra të gjallë bruz.

Bukuria e Syrit të Kaltër shtohet nga bimësia përreth, duke krijuar një mjedis të qetë dhe piktoresk.

Bëni një zhytje freskuese në ujërat e tij të freskëta, ose thjesht pushoni në brigje dhe zhytuni në qetësinë.

Syri i Kaltër është një dëshmi e shkëlqimit natyror të Shqipërisë dhe një vizitë e domosdoshme për adhuruesit e natyrës dhe ata që kërkojnë një moment pushimi paqësor.

2. Qyteti antik i Butrintit

Një udhëtim prapa në kohë dhe histori

Eksploroni rrënojat e Butrintit, një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

I vendosur pranë bregdetit jugor të Shqipërisë, Butrinti dikur ishte një qytet i rëndësishëm në Greqinë dhe Romën e lashtë.

Sot, rrënojat e saj ofrojnë një vështrim në historinë magjepsëse dhe kulturat e ndryshme që kanë formësuar Shqipërinë.

Shëtisni në amfiteatrin e ruajtur mirë, banjat romake dhe kishat bizantine dhe imagjinoni rrugët plot zhurmë dhe jetën e gjallë që dikur ekzistonin aty.

Butrinti është një dëshmi e gjallë i së kaluarës së pasur të Shqipërisë dhe trashëgimisë së qëndrueshme të qytetërimeve të lashta.

3. Lugina Madhështore e Valbonës

Përqafoni Bukurinë e Natyrës

Udhëtoni në zemër të Alpeve Shqiptare dhe zbuloni Luginën e Valbonës që të lë pa frymë.

Kjo zonë e pacenuar krenohet me majat e larta, pyjet dhe ujëvarat , duke krijuar një peizazh që do t’ju lërë pa frymë.

Nisni një shëtitje përgjatë shtigjeve dredha-dredha, të rrethuara nga simfonia e natyrës së tingujve dhe pamjeve.

Ndërsa ngjiteni, pamjet panoramike të luginës do të shpalosen para syve tuaj, duke ju lënë pa fjalë para bukurisë së trashëgimisë natyrore të Shqipërisë.

Lugina e Valbonës është një parajsë për alpinistët, entuziastët e natyrës dhe këdo që kërkon një zhytje rigjeneruese në natyrën e madhe.

4. Plazhet e pacënuara të Sarandës

Kënaquni me diellin, detin dhe qetësinë

Vizitoni parajsën bregdetare të Sarandës, ku plazhet e pacënuara rrethohen nga ujërat e ngrohta të detit Jon.

Saranda ofron një strehë të lumtur për kërkuesit e diellit dhe adhuruesit e plazhit.

Relaksohuni në rrezet e diellit mesdhetare, bëni një zhytje freskuese në ujërat e pastër kristal ose eksploroni bukurinë e peizazheve përreth.

Saranda është një destinacion idilik për t’u çlodhur dhe përqafuar qetësinë e hijeshisë bregdetare të Shqipërisë.

Pavarësisht nëse preferoni të pushoni në plazh apo të eksploroni limanet e fshehura, Saranda ka gjithçka për çdo adhurues plazhi.

5. Qyteti i gjallë i Tiranës

Eksploroni zemrën e kulturës së Shqipërisë

Zhytuni në zemrën e gjallë të Shqipërisë duke vizituar kryeqytetin e saj, Tiranën.

Ky metropol i gjallë ofron një ndërthurje kulturash.

Eksploroni rrugët shumëngjyrëshe të qytetit, të zbukuruara me artin e rrugës dhe ndërtesa historike.

Vizitoni Muzeun Kombëtar të Historisë, Galerinë Kombëtare të Arteve dhe Muzeun Bunk’Art për të gërmuar në historinë magjepsëse dhe trashëgiminë artistike të Shqipërisë.

Tirana është një qytet që nuk fle kurrë, që ofron një skenë të gjallë të jetës së natës, përvoja të shijshme të kuzhinës dhe mundësi të pafundme për t’u lidhur me kulturën vendase.

6. Berati Historik

Hyrja në një muze të gjallë

Udhëtim në qytetin e Beratit të mbrojtur nga UNESCO, i njohur si “Qyteti i një mbi një dritareve”.

I vendosur në majë të një kodre me pamje nga lumi Osum, Berati është një ndërthurje magjepsëse e arkitekturës osmane dhe ballkanike.

Shëtisni nëpër rrugët e tij me kalldrëm, duke admiruar shtëpitë tradicionale të bardha me dritaret e tyre të veçanta.

Eksploroni Kalanë e lashtë të Beratit, e cila strehon kisha dhe xhami magjepsëse, duke ofruar një vështrim në të kaluarën e pasur të qytetit.

Berati është një muze i gjallë, ku historia dhe kultura gjallërohen në çdo hap, duke ju ftuar të njiheni me një epokë të shkuar.

7. Lumi misterioz i Shalës

Zbuloni perlë të fshehur të natyrës

Nisni një aventurë në zemër të Alpeve Shqiptare dhe zbuloni perlën e fshehur të lumit të Shalës.

Ky lumë i pacenuar rrjedh nëpër një kanion mahnitës, i rrethuar nga male të larta dhe bimësi e dendur.

Ndërsa lundroni në ujërat e tij bruz me varkë ose kajak, mrekullohuni me shkëmbinjtë e thellë, ujëvarat e fshehura dhe plazhet e izoluara që rreshtohen në brigjet e lumit.

Lumi i Shalës ofron një vend të shenjtë për adhuruesit e natyrës dhe këdo që kërkon një arratisje në shkretëtirën e pacënuar.

Zhytuni në qetësinë e kësaj mrekullie natyrore dhe krijoni kujtime që do të zgjasin një jetë./atsh/KultPlus.com

BE, konkurs të fotografisë për sitet më të bukura të trashëgimisë kulturore

Fotografi nga sitet më të bukura të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë do të shfaqën në një konkurs të fotografisë që mundësohet nga projekti i Bashkimit Europian EU4Culture.

Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, njoftoi në rrjete sociale, për të gjithë të apasionuarit e fotografisë, që të bëhen gati për të fotografuar disa nga sitet më të bukura të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë dhe të bëhen pjesë e konkursit të fotografisë së siteve të EU4Culture.

“Snap the Site. Eksploroni disa nga vendet kryesore të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe shfaqni bukurinë e tyre përmes këndvështrimit tuaj unik”, shkroi zyra e BE-së në Tiranë, teksa informoi se, pjesëmarrësit do të trajnohen nga fotografi i njohur Armand Babani, duke siguruar një përvojë lektorimi krahas konkursit.

Të apasionuarit mund të zgjedhin vendin e tyre të preferuar sipas axhendës që parashikon vendndodhjet:

22 Qershor: Kulla Veneciane (Durrës) & Kisha e Shën Antonit Kepi i Rodonit

29 Qershor: Ura e Kurçajt & Kalaja e Bashtovës

06 Korrik: Kisha e Manastirit të Rubikut & Muzeu Etnografik i Krujës

Ndërsa afati i aplikimit është deri më 20 qershor 2024

“Stafi përkatës do të mundësiojë për gjithçka tjetër. Ndërsa konkursi do të ndajë çmime fantastike për fituesit”, njofton Zyra e delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, teksa fton të apasionuarit të aplikojnë në linkun: https://europeishere.al/snap-the-site-competition/./atsh/KultPlus.com

Nis restaurimi i Urës së Zogut

Kanë nisur punimet përforcuese në Urën e Matit, e njohur si “Ura e Zogut”, monument kulture, për vlerat e saj arkitektonike të kohës.

Lajmi bëhet me dije sot nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një postim në rrjetet sociale.

Ministri Gonxhja inspektoi nga afër punimet e fazës së parë të Urës së Matit, e njohur ndryshe si “Ura e Zogut”. Faza e parë e punimeve përfshin përforcimin e këtij monumenti kulture dhe më pas do të pasohet me restaurimin thelbësor.

Krenari kombëtare që lidhi brigjet e Matit që prej 26 majit 1927, Ura e Matit është një prej veprave më të veçanta inxhinierike në Ballkan dhe njihet si një nga veprat e para inxhinierike, të këtyre përmasave, të shtetit shqiptar.

Projektuar nga inxhinieri zviceran Erwin Schnitter dhe ndërtuar nga firma triestine “Mazorana & Co Triest”, nën drejtimin e inxhinierit Gjovalin Gjadri, ura e gjatë 480 metra u ndërtua me gjashtë harqe (kampata), secili nga 54 metra.

Edhe pse një prej pjesëve u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, ura mbetet një dëshmi e forcës krijuese dhe elegancës.

“Sot, ky monument kulture, në listën e pasurive në rrezik nga “Europa Nostra”, i është nënshtruar falë financimit nga Qeveria shqiptare, një ndërhyrjeje shpëtuese, si fazë e parë përforcuese, dhe në vijim pason restaurimi thelbësor, ku ekspertët po verifikojnë thellësinë e zhytjes së themelit dhe ndërthurjen e strukturës mbajtëse të çeliktë me këmbën e urës, veçanërisht për shkak të ndërtimit në mjedis me ujë dhe për shkak të cedimit dhe animit të këmbës së urës”, tha Gonxhja.

Ky projekt pritet të kthejë për publikun, për qëllime panoramike e pelegrinazhi, një tjetër objekt trashëgimie, të aksesueshëm e të kalueshëm nga vizitorët dhe të shfrytzueshëm për komunitetin e zonës./atsh/KultPlus.com

Fragmente nga Ukshin Hoti

“Edhe nëse ky qe fati im, unë pajtohem me të, pavarësisht nga çmimi që mund ta paguaj, sepse fëmijët e mi dhe jo unë vetë, janë kuptimi i jetës sime. Atdheu e fiton kuptimin me ta dhe jo pa ta, pasi që për atdheun mund të luftohet vetëm në emër të njerëzores dhe kurrsesi ndryshe.”

“Historia e shqiptarëve nuk duhet të bëhet nga të tjerët, por duhet njohur nga të tjerët.”

“Populli duhet të jetë i kujdesshëm, të mos zgjedh për udhëheqje persona që sillen para të tjerëve në mënyrë inferiore, inferioriteti i liderëve i jep imazh inferior edhe vendit, shtetit e shoqërisë. Shtetet e liderët e fortë nuk i duan afër vetes lider e shtete që sillen në mënyrë inferiore.”

“Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.”

-Ukshin Hoti/ KultPlus.com

“Brenga e Prokurorit” në Berat, autori Prençi: Në roman drama njerëzore të shoqërisë

“Brenga e Prokurorit” dhe “Anja” ishin librat që bënë bashkë lexuesit në Berat për një sërë diskutimesh në biblotekën e qytetit Vehxhi Buharaja.

Me dhjetra lexues u mblodhën për të diskutuar rreth romanit “Brenga e Prokurorit” histori ku në qëndër të tregimit është personazhi i prokurorit Martin Guri.

Vetë autori Ahmet Prençi me anë të këtij romani ka pasqyruar një tablo të luftës kundër krimit, mafjes por dhe brengat e të shkuarës tek personazhi kryesor Martin Guri.

“Ishtë një kënaqësi që isha në klubin e librit Berat, dhe u përballa me lexues mjaft të vëmëndshëm dhe të interesuar për librin”, tha shkrimtari dhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi.

c“Jam përpjekur të jap mesazhet e mia nëpërmjet temave që kam zgjedhur në dy romanet e mia, janë drama njërëzore që ndodhin në shoqërinë tonë, pritja që i është bërë nga lexuesit të dy librave ka qënë jasht pritshmërive të mia”, tha më tej Prençi.

Drejtuesja e Klubit të librit, Matea Rexhepi, është shprehur se dëshira për të lexuar ka bërë bashkë individë nga fusha e profesione të ndryshme.

“Mblidhemi çdo muaj dhe diskutojmë libra të ndryshëm të autorëve të ndryshëm të huaj dhe shqiptar”, tha drejtuesja e Klubit të Librit në Berat, Matea Rexhepi.

Për Ahmet Prencin, “Brenga e Prokurorit” është Romani tij i pestë, ndërsa me librat e mëparshëm “Anja” Prençi fitoj çmimin “At Gjergj Fishta”./tema/KultPlus.com

Grama në Dibër po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët

Grama në Dibër është kthyer në një atraksion ku ndalen mijëra vizitorë e turistë të dhënë pas turizmit malor.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot pamje nga kjo zonë, teksa shtoi se, “klima e freskët në Gramë të Dibrës gjatë verës e bën atë një vend ideal për hiking”.

“Përmes bjeshkësh me lule apo në shtigje malore, e gjithë kjo hapësirë është një zonë që po zbulohet gjithnjë e më shumë nga turistët vendas dhe të huaj”, tha Balluku.

Grama është cilësuar perla e Dibrës, e pasur me bjeshkë të sheshta, liqenin e bukur dhe gjelbërim të pafundmë. Me t’u ngjitur në bjeshkët e Gramës, syri sheh vetëm gjelbërim pafund, burime të shumta uji të kristaltë dhe shumë të ftohtë. Në Gramë ka një sërë monumentesh natyrore, ndaj edhe është ndër vendet më të lakmuara nga vizitorët vendas dhe turistët e huaj.

Grama shtrihet në verilindje të Peshkopisë, rreth 12 km larg qytetit dhe shkon deri në 2400 metra mbi nivelin e detit. Ajo është pjesa më e bukur e parkut kombëtar Korab-Koritnik. Ngjitja për në bjeshkë është shumë e bukur, të jep ndjesinë e një ballkoni, pasi prej aty mund të shikosh gjithë fushën e Dibrës, qytetin e Peshkopisë dhe plot bukuri që aty natyra i ka vizatuar me shumicë./atsh/KultPlus.com

Artistja polake, murale në pikëkalimet kufitare të Kapshticës dhe Qafë Thanës

Artistja polake Maria-Rosa Szychowska po realizon muralen në fasadën e godinës në pikën kufitare e doganore të Kapshticës.

Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole zhvilloi një vizitë në pikën kufitare të Kapshticës, ku u takua me artisten polake Szychowska.

“Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun tonë, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj”, tha Jole në një postim në rrjetet sociale.

Jole theksoi se “pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis sa më mikpritës, në nisje të sezonit turistik veror”.

“Edhe ky sezon veror pritet të shënojë një numër të lartë qytetarësh e turistësh, që do të kalojnë në këto pika kufitare”, tha Jole.

Pas murales në Kapshticë artistja polake do të vijojë me atë Qafë Thanës.

Me anë të këtyre muraleve do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët që lëvizin në të dy anët e kufirit./atsh/KultPlus.com