Muzeu i Artit Mesjetar ka nisur një cikël të ri, titulluar “Zbulo ikonën bizantine”, përmes të cilit publiku mund të njihet me ikonat, domethënien dhe rregullat me të cilat funksiononte arti bizantin.
Shpërfytyrimit ose Metamorfoza, është një ikonë e shekullit XVI, e pikturuar nga mjeshtër Onufri për baltakinin e ikonostasit të kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në qytetin e Beratit.
Ikona e Shpërfytyrimit përbën çelësin e teologjisë orthodhokse për sa i përket shfajqes hyjnore.
MKAM shpjegon se tek kjo ikonë shihen tre fasha, në pjesën e sipërme kemi figurën e Krishtit në qëndër dhe nga anash dy profetët Moisiu dhe Ilia. Në qëndër të panelit shihet ngjitja në malin Tabor dhe më pas largimi prej tij. Dhe në pjesën e poshtme janë tre apostujt, Pjetri, Joani dhe Jakovi me qëndrime të frikësuara.
Veshja e Krishtit është gjithmonë e bardhë duke treguar pastërtinë, gëzimin dhe lavdinë. Qëndrimi i tij është i qetë dhe duke bekuar, kurse dy profetët janë përkulur ndaj tij. Pjesëmarja e tyre në këtë skenë simbolizon fjalën dhe veprën në Dhiatën e vjetër. Fjala u përhap nga profeti Ilia kurse vepra tek ligjet e shkruar që ju dhanë Moisiut. Ngjarja ndodh në mal sepse mali është simbol i bashkimit të tokës me qiellin. Prapa figurës së Krishtit shohim tre mandorla që simbolizojnë Trinitetin nga të cilat dalin rreze drite shumë të forta dhe duke u bazuar tek shkrimet e shenjta që “Perëndia është Dritë”, jo në materie por në energji. Tre dishepujt të cilët ndodhen poshtë janë të verbuar dhe të trembur nga ky ndriçim vezullues të cilin nuk e kishin hasur me parë.
Pra kjo skenë tregon shfajqen e natyrës hyjnore të Krishtit, përveç asaj njerëzore. Në fashën qëndrore te ikonës, Onufri me mjeshtërinë e tij paraqet dy herë Krishtin me dishepujt: në të majtë duke ju treguar vendin e ngjarjes dhe në të djathtë duke iu shpjeguar rreth ngjarjes./atsh/KultPlus.com
Franz Kafka, shkrimtari i madh i shekullit të kaluar, i lindur në Pragë por një novelist më shumë i dashuruar në të shkruarit në gjuhën gjermane, në letrën kushtuar babait ka hapur zemrën e tij.
Kafka ka pasur një raport të tmerrshëm me babanë e tij, dhe kjo sipas kësaj letre për fajin e këtij të fundit, pasi ai nuk ka dashur asgjë dhe aski që Kafka ka pëlqyer a ka treguar interesim, gjatë jetës së tij.
Në letrën që është e përkthyer edhe në gjuhën shqipe, Kafka në një pjesë flet për krijimin e familjes. Kafka gjithmonë dëshironte të martohej më vonë ndërsa disa tentime i dolën të dështuara. “Të martohesh, të themelosh një familje, ti pranosh fëmijët e tu që të lindin, ti bësh të jetojnë në këtë botë të pasigurt dhe madje, nëse është e mundur, ti udhëzosh ndopak, kjo është jam i sigurt për këtë, shkalla e fundit që mund të presë një burrë. Fakti që shumë njerëz ia arrijnë kësaj aq lehtë në dukje, nuk është një provë e së kundërtës, sepse së pari, nuk ka aq shumë që ia arrijnë vërtet, dhe së dyti, ky numër i vogël nuk ‘bën’ në përgjithësi asgjë, por ‘pëson’ diçka: vetëkuptohet se nuk është këtu kjo shkalla e fundit për të cilën po flas, por kjo mbetet shumë e madhe dhe e respektueshme (aq më tepër që nuk është e mundur të shquhet qartë ndërmjet të bësh dhe të pësosh). Dhe së fundmi nuk bëhet fjalë madje për këtë shkallë të fundit, bëhet fjalë vetëm për një përafrim të largët, por të ndershëm, nuk është vërtet e nevojshme të marrësh fluturimin për të arritur në mes të Diellit, por ka rëndësi të zvarritesh mbi tokë derisa të gjesh një vend të vogël ku Dielli të shndrisë nga njëherë dhe ku është e mundur të ngrohesh nga pak”.
Kjo është vetëm një pjesë nga libri i Shtëpisë Botuese Pema, përkthyer nga Urim Nerguti, për librin “Brief an den Vater” të Kafkës ku tregohen edhe situatat më komplekse e agresive mbi raportin mes Kafkës dhe babait të tij, një Kafkë më ndryshe se Franzi të cilin e shijon dhe lexon mbarë universi, shkruan KultPlus.
Kafka flet më shumë për martesën, për familjen, dhe jo vetëm, brenda letrës. Kafka vdiq në vitin 1924 në moshën 40-të vjeçare, nga tuberkulozi. / KultPlus.com
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor e ka shtuar numrin e shfaqjeve jashtë kufijve shtetërorë, me synimin që të shërbejë si pasaportë diplomatike e trashëgimisë sonë kulturore.
Shfaqja koncertore “Il trittico” i Puçinit udhëtoi drejt qytetit bregdetar të Varnës, Bullgari. Me regji të Ada Gurrës, nën dirigjimin e maestros Jacopo Sipari di Pescasseroli, dhe me sopranon Dorina Selimaj, shfaqja u dha për publikun artdashës të qytetit bullgar në datat 22 dhe 24 prill.
Drama dhe pasioni i “Il tabarro”-s u përcollën plot emocione nga sopranoja Dorina Selimaj dhe baritoni Plamen Dimitrov, si dhe solistë të shquar ndërkombëtarë, si Kiril Manolov, Linka Stoyanova, Reynaldo Droz, Zhana Kostova e të tjerë, kori dhe orkestra e Teatrit të Varnës.
Regjisorja Ada Gurra e çoi konceptin e saj regjisorial të “Il trittico-s” përtej kufijve të Rajonit, duke i dhënë shkëlqimin e përkujdesin e nevojshëm kësaj vepre, në skenën e mirënjohur e prestigjioze të Teatrit të Varnës.
Gjatë periudhës qershor-korrik, në skenën e Teatrit të Varnës do të vihen dy produksione të TKOB-së, “Samsone et Dalila” dhe “La Boheme”, nën dirigjimin e maestros Sipari. / KultPlus.com
Votimi për një rezolutë për Srebrenicën është shtyrë nuk do të zhvillohet më 2 maj, tha ambasadori i Bosnje e Hercegovinës në Kombet e Bashkuara, Zllatko Lagumxhija për televizonin N1.
“Në këtë moment, ne e dimë që seanca nuk do të mbahet më 2 maj, pasi sot po e dërgojmë tekstin e rezolutës për rishikim për të parë nëse shtetet e OKB-së kanë propozime të tjera për tekstin. Asambleja e Përgjithshme me gjasë do të mblidhet pas 6 majit, varësisht nga orari i seancave, por këtë do ta dimë të martën”, tha ai.
Siç tha ambasadori, misioni i Bosnje e Hercegovinës në OKB do të marrë pjesë në këtë diskutim në mënyrë që t’iu shpjegohet më mirë teksti i rezolutës të gjitha shteteve që kanë paqartësi.
Në selinë e OKB-së në Nju Jork po mbahen konsultime joformale për draft-rezolutën e cila parasheh shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë.
Siç është njoftuar në ueb-faqen e OKB-së, konsultimet mbi draftin e rezolutës janë thirrur nga misionet e përhershme të Gjermanisë dhe Ruandës, së bashku me misionet e Shqipërisë, Bosnje e Hercegovinës, Kilit, Finlandës, Francës, Irlandës, Italisë, Jordanisë, Holandës, Lihtenshtajnit, Malajzisë, Zelandës së Re, Sllovenisë, Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në draft-rezolutë, në të cilën më herët ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjigjës për gjenocidin në Srebrenicë.
Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.
Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë. /REL/ KultPlus.com
Sot shënohet 38-vjetori i katastrofës në Çernobil, e i cili shpërthim la pasoja të pashlyeshme jo vetëm në Ukrainë por edhe më tej
Në mesin e filmave që pasqyron këtë katastrofë, është edhe miniseriali amerikan “Chernobyl”, me personazh kryesor Oleksei Ananenko.
Ai mori një meritë të veçantë si një nga personat që shmangën një katastrofë edhe më të rëndë në aksidentin më tragjik bërthamor në histori.
Aktualisht ai banon një shtëpi modeste, me dy dhoma, në periferi të Kievit.
Oleksei Ananenko shprehet me modesti se nuk është një hero.
”Unë nuk jam ndjerë kurrë si një hero. Ishte detyra ime”, pohon për median 59-vjeçari, ish-inxhinier, i cili vuri në rrezik jetën në vitin 1986 në aksidentin në centralin bërthamor të Çernobilit, që ndodhet rreth 100 kilometra larg shtëpisë së tij.
Në një nga episodet më tragjike, miniseriali i realizuar nga televizioni HBO tregon historinë e Ananenkos dhe dy inxhinierë të tjerë, Valeri Bespalov dhe Boris Baranov, të cilët zbritën poshtë në zemër të reaktorit në flakë të Çernobilit për të zbrazur rezervuarin me ujë që ndodhej në rreth tre metra thellësi.
Në ekran, tre burrat të vetëdijshëm për rrezikun e pashmangshëm dolën vullnetarë për këtë mision për të shmangur një tragjedi, miliona të vdekur, që do të shkaktonte një shpërthim i dytë, që mund të shkaktohej nga kontakti i lëndës djegëse bërthamore me ujin e rezervuarit.
Në realitet, edhe pse frika e një shpërthimi të dytë ishte diçka e pritshme, intensiteti i përhapjes nuk ishte i qartë./ KultPlus.com
Të mërkuren mbrëma, në ambientet e KultPlus Caffe Gallery janë promovuar video manualet mbi “Teknikën e Koordinuar Pianistike” të pianistit Agron Shujaku, ku me këtë rast janë demonstruar edhe disa prej teknikave të cilat u sollën për herë të parë në vend.
Video incizimet janë manuale të cilat janë të ndara në lëndë të caktuara ku secila video e adreson një problem të veçantë të teknikës pianistike. Në diskutimin e realizuar në mes të pianistit Agron Shujaku dhe pianistes Yllka Shyti u tha se kjo metodë e cila tashmë është plasuar në YouTube synon që të ofrojë sugjerime për zgjidhjen e problemeve përmes këshillave praktike të cilat i ka realizuar vet profesori Agron Shujaku.
Ambientet e qeta të KultPlus mundësuan një bashkëbisedim të këndshëm të realizuar gjerë e gjatë mbi praktikimin e kësaj metode si dhe për evidentimin e asaj se çka është e dobishme dhe e dëmshme për teknikën e punës me piano, të cilat profesori Shujaku i ka përvetësuar pas një pune autodidakte.
Deri te promovimi “Teknikës së Koordinuar Pianistike” solli një studim i gjatë i profesorit Shujaku, i cili pikëkthesën e madhe e pati pasi kishte hasur në një sfidë personale në punën e tij si pedagog.
“Kam pasur studentë shumë të mirë në atë kohë por në një moment, e kam pasur edhe një nxënëse që sado që ka qenë e angazhuar dhe ka pasur dëshirë të madhe të arrij më shumë, nuk kam ditur t’i ndihmoj edhe pse në të gjitha format jam munduar me atë çfarë kam ditur atëherë. Kjo më ka bërë të dyshoj në pedagogjinë time në atë se a e njoh aq mirë punën me piano dhe me studentë. Nga këtu ia kam filluar studimit në kuptimin e metodave të reja dhe metodave të vjetra”, ka thënë ai.
Profesori Shujaku ka thënë se ky projekt është vazhdimësi e diçkaje që ka qenë duke e punuar një kohë të gjatë, qysh nga koha kur ai vet është përballur me problemet me të cilat po përballeshin tash studentët e tij.
“Kam pas edhe vet probleme fizike të pianos për shkak të stërngarkimit me metoda të ndryshme, kam pasur dhimbje në trup, dhimbje në dorë, e në gishta deri në atë masë sa edhe luajtja me piano u bë e pamundur. Kam bërë një pauzë dy vjeçare. Në fillim kam menduar ta lë pianon, por dëshira e madhe për art dhe pianon në veçanti nuk më ka lënë të dorëzohem aq lehtë, nga ku edhe i kam filluar studimet e ndryshme” ka thënë profesori.
Profesori ka thënë se fillimisht ka qenë fanatik i metodës Taubman, e cila i kishte evituar problemet deri në 90%, porse kjo metodë nuk po i jepte zgjidhje disa prej problemeve të veçanta me të cilat ai ballafaqohej.
“Ato dhimbje që i kam pasur kanë filluar të largohen, jo plotësisht. Në këtë formë unë kam vazhduar të punoj për atë metodë dhe normal çdo gjë që e kam mësuar të re unë kam filluar të implementoj te nxënësit e mij, dhe ka pasur sukses. Mirëpo deri në një nivel. Ka qenë një moment edhe pse 90%të asaj çka sugjeronte ajo metodë ishte korrekte, nuk jepte përgjigje për disa probleme të cilat nuk kam mundur t’i zgjidh. E pranoj kam qenë fanatik i asaj metode për dy apo tri vjet.”
Mirëpo nga kërkesat dhe hulumtimet e shumta të cilat i kishte bërë profesori mbi qështjet brengosëse se përse nuk i funksiononte ajo metodë për të gjitha rastet, erdhi në konkludim se nuk duhet të jesh fanatik i një metode por se ajo duhet kombinohet dhe koordinohet varësisht nga procesi dhe teknika e punës.
“Kam qenë kërkues ndaj vetes. Nuk jam ndal me aq kam kërkuar më shumë prej kësaj pune, kam kërkuar përgjigje për disa çështje të cilat kanë qenë brengosëse për mua se përse nuk po funksionojnë. Çelësi i zbulimit ka qenë mos me qenë fanatik i diçkaje. Secila metodë i ka përfitimet e saj por asnjëra nuk është e saktë 100%. “Teknika e Koordinuar Pianistike, nuk është teknikë e imja, por është përmbledhje e asaj çfarë di unë dhe si e kuptoj teknikën deri sot”, ka thënë profesori.
Profesori më tej ka thënë se metodat tjera të cilat i ka implementuar ka vërejtur se shumica janë të ngjashme me njëra-tjetrën, vetëm se janë prezantuar në mënyrë tjetër dhe shumë shpesh edhe janë keqkuptuar.
Pianisti Shujaku ka thënë se pajtohet me teorinë që një person nuk mund ta bësh më shumë artist se sa është, porse disa teknika të duhura do ta rrisnin dukshëm performancën e tij përmes aparatit pianistik se si secila pjesë e trupit koordinohet me tjetrën.
“Ai që është artist e ndien muzikën. Nëse e shoh veten në vitin 2000 unë e kam ndier muzikën shumë më shumë se sot, kam pasur shumë më shumë pasion se sa sot, por nuk kam pasur teknikë për të realizuar atë çka e kam ndier. Tash është e kundërta. Tash nuk kam ndoshta aq shumë pasion sa kam pasur atëherë por e kam teknikën më të mirë për të realizuar atë çka dua të realizoj” ka thënë profesori Shujaku.
Në këtë diskutim u tha se me video- materialet e publikuara në Youtube nxënësit do të kenë mundësi të arrijnë njohuri të reja rreth teknikës pianistike. Përveç studentëve të pianos po ashtu mësimdhënësit dhe të gjithë entuziastët do të përfitojnë nga mësimet e pianos në aspektet si ergonometria e qëndrimit në piano, përdorimi i gishtërinjve, parakrahut, nyjës dhe pjesëve tejra të aparatit pianistik me qëllim të integrimit të lëvizjeve lehtësuese.
Në fund u zhvillua edhe një bashkëbisedim me të pranishmit mbi këtë metodë e cila mundësua me përkrahjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe mbi qështje të cilat u interesonin lidhur me teknikat e mësimit të pianos./KultPlus.com
Rritja e tregut të aksioneve në SHBA në vitin 2023 erdhi për shkak të shtatë kompanive më të mëdha të teknologjisë: Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla. Në themel të suksesit të tyre, është pasuria më e çmuar e kohës sonë: të dhënat që ne gjenerojmë kur kemi kontakt me një pajisje të lidhur online.
Ugo Mattei
Dihet që gazetat e printuara janë në krizë, sepse gjithnjë e më shumë njerëz, veçanërisht të rinjtë, i marrin informacionet e tyre në internet. Dihet gjithashtu se gjithçka që ndodh në internet, ashtu si një diamant, është e përjetshme, sepse gjurmët e të gjitha kontakteve tona mbeten përgjithmonë të disponueshme për ata që e dinë, dhe duan t’i përdorin.
Këto gjurmë të pashlyeshme përbëjnë arsyen kryesore, për suksesin e jashtëzakonshëm ekonomik të shtatë gjigandëve të tregut të teknologjisë – Apple, Microsoft, Google-Alphabet, Meta, Amazon, Nvidia dhe Tesla -, të cilat kanë akumuluar të gjithë rritjen e kapitalizimit të aksioneve amerikane në vitin 2023.
Ky përqendrim i pasurisë shpjegohet përmes metaforës së të dhënave tona, si ‘nafta e re’ e një industrie kontrolli që shpërblen ata që dinë më mirë të nxjerrin të dhëna të përpunueshme nga sjelljet tona, për të parashikuar të ardhmen.
Sot, katër vjet pas fillimit të pandemisë, duket e pamundur të imagjinohet se si mund të jetojmë pa programe video-konferencash si Zoom ose Meet, ose pa qenë në gjendje të kemi çdo mall, përfshirë ushqimin, të dorëzuar në derën e shtëpisë. Të njëjtin mosbesim shfaqnin vite më parë vajzat e mia adoleshente kur u tregova se dikur mund të takoheshim në shesh duke lënë takime fikse, pa kryer një sërë telefonatash.
Kjo vetëm katër vjet pas Covid-it dhe pak më shumë se një vit pas përhapjes së ChatGpt, sistemi i inteligjencës artificiale që po bëhet i pazëvendësueshëm. Natyrisht, këto mrekulli teknologjike fshehin një anë të errët, për të cilën është mirë të kemi kujdes, e cila varion nga energjia intensive dhe shfrytëzimi social deri te survejimi masiv, deri te marrja e të dhënave personale në mënyrat më të paimagjinueshme, për shembull kur hipim, zbresim, bisedojmë ose zgjedhim destinacionin në një makinë të gjeneratës së fundit.
Lënia e gjurmëve të pashlyeshme, nga kalimi i thjeshtë e deri tek ajo që themi në një bisedë pranë celularit, mund të krijojë një fenomen të çuditshëm autocensure. Mbledhjet e komisionit politik, ekonomiko-organizativ apo të konkurrencës, apo mësimet online nuk mund të jenë plotësisht falas. Dikur thuhej verba volant, scripta manent. Në internet, omnia manent, gjithçka mbetet: fjalët, shkrimet, veprimet.
Në kontekstin tonë të ndërmjetësuar tërësisht nga teknologjia dixhitale, dallimi i të vërtetës nga gënjeshtra bëhet shumë kompleks. Para disa javësh, për eksperiment, një doktorant më kërkoi t’i dërgoja një faqe të shkurtër në italisht, me katër-pesë mendime për një temë që më caktoi. Disa orë më vonë ai më dërgoi një video, në të cilën unë e recitoja atë tekst në gjermanisht, një gjuhë që nuk e di.
Videoja u ‘filmua’ në një zyrë të bukur imagjinare dhe unë lëviza gojën në në përputhje me gjuhën gjermane që flisja. Ishte e pamundur të kuptohej që ishte e rreme. Një ditë më pas, erdhi një njoftim nga dekani i fakultetit tim në San Francisko, ku na informonte ne profesorët se programi i inteligjencës artificiale të Lexis Nexis (baza e të dhënave më e rëndësishme e jurisprudencës dhe doktrinës në Shtetet e Bashkuara) kishte rënë në “vesin” e shpikjes së çështjeve.
Inteligjenca e Lexis, ashtu si një avokat i pandershëm, në vend që të mos i përgjigjej klientit, e shpikte përgjigjen në një mënyrë shumë të vështirë për t’u zbuluar dhe të pashpjegueshme për programuesit, ashtu siç është e vështirë të zbulosh studentin që e “ndihmon” veten të shkruajë kapituj të tërë të tezës nga ChatGPT. Së fundi, që nga viti 2022 startup-i izraelit Toka, në pronësi të ish-kryeministrit Ehud Barak, ka tregtuar (dhe transferuar te qeveritë dhe shërbimet sekrete) programe të afta për të hyrë në kamerat e vëzhgimit, duke futur imazhe që u mundësojnë atyre të fusin edhe njerëz që as nuk janë as aty.
Prandaj, në botën tonë virtuale është shumë e vështirë të dallosh të rremen nga e vërteta. Kjo vështirësi është e rrezikshme (mendoni pasojat e një videoje të rreme të Putinit që shpall një sulm bërthamor) dhe sigurisht që do të bëhet gjithnjë e më shumë, me përparimin teknologjik dhe sikur makina të bëhet më inteligjente se programuesi i saj. Ja pse masat legjislative që përpiqen të rregullojnë këtë problem të paprecedentë na bëjnë të buzëqeshim me naivitetin e tyre, në mos dyshimin e komploteve, për rreziqet që i shkaktojnë demokracisë.
GDPR (Rregullorja e Përgjithshme e BE-së për Mbrojtjen e të Dhënave të 2016), për shembull, i jep përdoruesit të drejtën për të marrë shpjegime në terma të kuptueshme të mënyrës se si cilën makina përpunon të dhënat e tij. Në realitet, as programuesi nuk e di. Kohët e fundit, përsëri në Evropë, Akti i Shërbimit Dixhital i vitit 2022, i cili hyri në fuqi më 17 shkurt, jo vetëm që përsërit këtë parim, por u jep platformave një lloj detyre për të dalluar lajmet e rreme nga lajmet reale, me një gjobë të rëndë (deri në 16% të xhiros).
Kjo gjeneron një fuqi të jashtëzakonshme censurimi pikërisht në duart e atyre ‘7 madhështorëve’, që do të donin të kufizonin fuqinë e tyre të tepërt, të cilët do të kenë detyrimin për të publikuar vetëm lajmet që vijnë nga mediat kryesore, duke përjashtuar si të rremë çdo informacion të ndryshëm nga ai që pushtetet duan të dalin. Kjo ka ndodhur në Itali, ndër të tjera, edhe për televizionin me përhapje kombëtare Byoblu. Që e gjithë kjo po ndodh ndërkohë që ne presim vendimin për çështjen Assange, një gazetar që rrezikon disa dënime të përjetshme për shkak se ka vënë në dispozicion të publikut një platformë të ‘të vërtetës’, tingëllon më e pakta shqetësuese. / Forbes/ KultPlus.com
Al Pacino dhe Robert De Niro kanë krijuar magji sa herë që kanë punuar së bashku, veçanërisht në filma të tillë si “Heat” i Michael Mann, ku ata dhanë disa nga performancat më të paharrueshme të karrierës së tyre të shquar. Megjithatë, De Niro beson se ekziston një përjashtim që ‘njollos’ trashëgiminë e tyre të përbashkët, transmeton KultPlus.
Krahas karrierës së tyre të aktrimit, të dy kanë një miqësi prej gati 50 vitesh tashmë. Ndërsa kujtonte takimin e tyre të parë, Al Pacino pohoi se ishte mahnitur nga prania magnetike e De Niros që në fillim, edhe pse ky i fundit nuk kishte luajtur në ndonjë produksion të madh në kohën e takimit të tyre të parë.
Duke folur për atë rast të paharrueshëm në një intervistë, Pacino shtjelloi: “Më kujtohet shumë qartë takimi. E pabesueshme, e pashë këtë djalë, mendova, Uau, ai ka një karizëm të tillë. Ai nuk po bënte asgjë. Ai thjesht po ecte. E mbani mend? E dini, ai ishte Bob. Por ti ndjeve diçka prej tij.”
Ekziston një projekt i veçantë që asnjëri prej tyre nuk dëshiron që ju ta shikoni pasi De Niro më vonë pretendoi se ishte penduar vërtet që ishte pjesë e atij filmi.
I titulluar Righteous Kill, prodhimi amerikan i vitit 2008 është një thriller aksioni që paraqet De Niro dhe Pacino si detektivë të NYPD-së të cilët nisin një kërkim të rrezikshëm për të gjurmuar një vrasës serial të rrezikshëm. Ndërsa nuk ishte një dështim komercial për shkak të fuqisë së yjeve të kastit, ai mori vlerësime të gjera negative për shkak të filmave të dobët dhe skenarit të paaftë.
Në një intervistë, De Niro kujtoi se sa fajtor u ndje gjatë premierës në Romë të Righteous Kill kur të dy yjet takuan fansat që prisnin me padurim filmin e tyre të ri. Aktori kujtoi premtimin që u dha atyre: “Unë thashë: ‘Ky është një reagim i mrekullueshëm, por do të ishte mirë sikur të ishin këtu për një film për të cilin ne vërtet ndihemi krenarë. Herën tjetër do të bëjmë një që na pëlqen.” /KultPlus.com
O ti, dashnija e eme e andrrueme ke mbetun veç e gjallë në lotin tonë, ke mbetun si dëshira e plagueme ndrydhë n’nji varrë të vjetër që më dhemb…
Kush je, ku je, kur vjen e kur po shkon – pse shkon si vjen, e prap ti mue më len n’nji terr të zi, ku drita nuk agon, n’nji vuejtje prore, që vuejtje t’tjera m’bjen.
A thue kanë me kalue dhe shumë agime tue t’thirrë ndër andrrat, vash’e mallit tem, me shpresa që veniten si gjetht në vjeshtë?…
A thue gjithmonë e trishtë kanga ime, Si kanga e bylbyl-qytetit n’gem ka me tingllue n’kte shekull kaq të thjeshtë?!… / KultPlus.com
Deputetja finlandeze, Tytti Tuppurainen ka takuar presidenten Vjosa Osmani.
Në një postim në “X” Tuppurainen ka shkruar se Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo më tej ka theksuar se nuk duhet të ketë parakushte shtesë për anëtarësim.
“Evropa do të humbiste një mundësi të madhe nëse Kosova nuk pranohet si anëtare e Këshillit të Evropës. Bëhet fjalë për të drejtat e njeriut në një shoqëri multietnike dhe bashkëpunim të bazuar në rregulla.
Nuk duhet të ketë parakushte shtesë! Është koha për të vepruar. Takimi i shkëlqyer me presidenten Vjosa Osmani”, ka shkruar Tuppurainen. / KultPlus.com
Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.
Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saja.
E i menjëhershëm ka qenë reagimi i trajnerit Driton Kuka.
Reagimi i tij i plotë, pa ndërhyrje:
Live pas finales …
Disi Mbretëresha e Evropes nga Kosova ime e dashur!
Kategoria 52 kg
Kampione Evropiane qofsh faqebardhë krejt jeten!
Xhudo gjithmonë dhe kurdoherë për shtetin e popullin Shqiptar me punë e sakrificë!
Dominim në Kampionatin Evropian në Zagreb / KultPlus.com
Distria Krasniqi është shpallur kampione e Evropës në xhudo në kategorinë deri në 52 kilogramë, të Kampionatit Evropian të xhudos, i cili po mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Kampionia olimpike në finale mposhti xhudisten italiane, Odette Giuffrida me waza-ari.
Krasniqi pati performancë fantastike, duke i fituar një nga një përballjet e saja.
Xhudistja pejane në gjysmëfinale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler për ta siguruar së paku medaljen e argjendtë, por që do ta kërkojë edhe të artën në finale gjithsesi.
Paraprakisht, xhudistja pejane e eliminoi kroaten Ana Viktorija në çerekfinale për t’u plasuar në mesin e katër më të mirave evropiane në kategorinë deri në 52 kilogramë.
“Disi” e kaloi rrethin e parë pa luftë, kurse në atë të dytin e mposhti ukrainasen Anna Borodina.
Ndërkohë, garuesja tjetër kosovare, Flaka Loxha u eliminua qysh në rrethin e dytë, pasi të parin e kaloi pa luftë, pasi u mposht nga kroatja Tihea Topolovec. / KultPlus.com
Sot bëhen 38 vite nga katastorfa më e madhe nukleare në histori, nga katastrofa e Çernobilit.
Çernobili është një qytet pjesërisht i braktisur në Zonën e Përjashtimit të Çernobilit, i vendosur Rajonin Vvshhorod të oblastit verior të Kievit, Ukrainë.
Çernobili është rreth 90 kilometra (60 mi) në veri të Kievit dhe 160 kilometra (100 mi) në jugperëndim të qytetit bjellorus të Gomel. Para evakuimit të tij, qyteti kishte rreth 14,000 banorë.
Të jetosh sot kudo brenda Zonës së Përjashtimit të Çernobilit është teknikisht e paligjshme, autoritetet tolerojnë vetëm ata që zgjedhin të jetojnë brenda disa prej zonave më pak të rrezatuara, dhe rreth 1000 njerëz jetojnë sot në Pripyat.
Çernobili u zgjodh si vendi i termocentralit të parë bërthamor të Ukrainës në vitin 1972, i vendosur 15 kilometra (9 mi) në veri të qytetit, i cili u hap në vitin 1977. Çernobili u evakuua më 5 maj 1986, nëntë ditë pas një fatkeqësie katastrofike bërthamore në central, e cila ishte katastrofa më e madhe bërthamore në histori. Së bashku me banorët e qytetit të afërt të Pripyat, i cili u ndërtua si shtëpi për punëtorët e uzinës, popullsia u zhvendos në qytetin e sapondërtuar të Slavutch dhe shumica nuk janë kthyer më.
Pas katastrofës, në vitin 1988, rajoni u shpërbë dhe administrimi iu transferua raionit fqinj të Ivankiv. Raion u shfuqizua më 18 korrik 2020 si pjesë e reformës administrative të Ukrainës.
Edhe pse Çernobili është kryesisht një qytet fantazmë sot, një numër i vogël njerëzish ende jetojnë atje, në shtëpitë e shënuara me tabela që lexojnë, “Pronari i kësaj shtëpie jeton këtu”,dhe një numër i vogël kafshësh jetojnë gjithashtu atje. Punonjësit e rojës dhe personeli administrativ i Zonës së Përjashtimit të Çernobilit janë gjithashtu të stacionuar në qytet. Qyteti ka dy dyqane të përgjithshme dhe një hotel.
Gjatë pushtimit rus të Ukrainës në vvitin 2022, Çernobili u bë vendi i Betejës së Çernobilit dhe forcat ruse pushtuan qytetin midis 24 shkurtit dhe 2 prillit. Pas kapjes së tij, u raportua se nivelet e rrezatimit filluan të rriteshin./ KultPlus.com
Zhuliana Jorganxhi, së fundmi nëpërmjet një shkrimi të postuar nga gazeta për art dhe kulturë, KultPlus, i ka dedikuar një poezi përkthyesit që e dashuronte dhe lëvronte në mënyrë të përsosur gjuhën shqipe, Robert Shvarc, shkruan KultPlus.
Në shkrimin e botuar nga KultPlus, sot, në 21 vjetorin e vdekjes së Shvarcit, Jorganxhi gjeti frymëzimin që në komentet poshtë artikullit, të shkruaj poezinë e bukur dedikuese.
Jorganxhi shkroi mbi 3000 tekste këngësh. Ato nuk janë vetëm këngë, por rrëfime të përjetshme e universale që e sfidojnë çdo tekst të natyrës kalimtare të sotshme. Jo pa arsye ajo quhet “Mbretëresha e teksteve të këngëve”.
Më poshtë KultPlus ua sjell poezinë e saj:
SHPIRT I BUKUR POETI
Mikut tim të vyer, poet, përkthyesit të shkëlqyer, Të Ndriturit Robert Shvarc
Hoteli “Grand” do të shndërrohet në Hotel Hyatt, ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përcjell KultPlus.
Rama nëpërmjet një takimi që e ka zhvilluar me Takuya Aoyama, zëvendëspresident për Zhvillim për Evropë, Afrikë dhe Lindje të Mesme nga korporata hoteliere me renome botërore Hyatt, ka thënë se lajmin e mirë ia përcolli vetë Aoyama.
“Zëvendëspresidenti Aoyama më përcolli lajmin fantastik për interesimin e korporatës Hyatt për hapjen e një hoteli të zinxhirit të tyre në qendër të Kryeqytetit. Një prej opsioneve të përmendura për hapjen e Hyatt në Kryeqytet është transformimi i ikonës sonë, Hotelit Grand, duke ruajtur trashëgiminë dhe vlerat e këtij objekti.
Falënderova përzemërsisht z. Aoyama dhe shpreha gatishmërinë e organeve të Kryeqytetit për të ndihmuar korporatën hoteliere Hyatt në hapjen e hotelit në kryeqytet”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com
“Male spektakolare, lugina të egra, lumenj të pazbutur…Shqipëria është një arratisje e egër”, shkruan “Le Figaro Magazine”, duke theksuar se vendi po hapet dalëngadalë ndaj udhëtimeve të natyrës dhe aventurës.
Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje publikimin e prestigjiozes franceze për turizmin në Shqipëri, duke shkruar se “Le Figaro” ndalet sërish në Shqipëri, kësaj here për bukuritë e paprekura të vendit.
Në një shkrim të pak ditëve më parë, “Le Figaro” promovoi plazhet e mrekullueshme të vendit.
Revista e nis shkrimin me një përshkrim piktoresk, duke theksuar se “kur dy shqiptarë kalojnë njëri-tjetrin në një shteg malor, përshëndesin njëri-tjetrin në mënyrë gazmore “O Shqipe! », “O Shqiptarë” që mund të përkthehet edhe si “O shqiponjë” pasi është e njëjta rrënjë dhe shqiptarët e quajnë veten bij e bija të shqiponjës.
“Në fund të fundit, pasi kanë duruar gati gjysmë shekulli të një diktature sa të egër aq edhe paranojake, ata mund të fryjnë gjoksin. Nga viti 1945 deri në vitin 1985, vetë stalinisti Enver Hoxha e bëri Shqipërinë një burg të madh të izoluar nga bota e jashtme dhe ia dorëzoi popullin e saj turpit të Sigurimit, një polici sekrete aq mirë e infiltruar në shoqëri sa që një grup prej tre personash kishte gjasa të fshiheshin dy spiunë!”, shkruan “Le Figaro”.
Bumi turistik në vendin tonë ka bërë që shumë botime prestigjioze të kthejnë sytë nga Shqipëria duke zbuluar thesaret e fshehura të natyrës së paprekur, por edhe trashëgiminë e pasur kulturore dhe historike.
Vitin e kaluar vendi arriti shifrën rekord të turistëve të huaj prej 10.1 milionë turistësh të huaj, ndërsa vetëm në tre muajt e parë të këtij viti trendi vijon me 1.5 milionë turistë të huaj./atsh/KultPlus.com
Distria Krasniqi i ka siguruar Kosovës edhe një tjetër medalje të madhe në xhudo.
Krasniqi është kualifikuar në finale të Kampionatit Evropian në Zagreb, duke e siguruar kështu medaljen.
Me tri fitore dhe një tjetër pa luftë, Distria Krasniqi, u kualifikua në finale të Kampionatit Evropian të xhudos, që po mbahet në Zagreb”, thuhet në njoftimin e Komitetit Olimpik të Kosovës./KultPlus.com
Nesër, më 26 prill, në Teatrin Oda do të shfaqet filmi “Copëza” me fillim nga ora 19:00.
Filmi “Copëza”, prodhuar nga Intent New Theatre & Chewboy Productions do shfaqet këtë të premte për të përmbyllur një rrugëtim të gjatë e plot përkushtim të pesë shkrimtarëve të rinj kosovarë: Blerina Kallaba, Shqipe Gashi, Albanoi Retkoceri, Fatbardha Zyberi dhe Agnesa Mehanolli.
Filmi do jetë një kombinim lojësh prej aktorëve për të sjellur në jetë tregimet, poezitë e dramat që këta shkrimtarë të rinjë kanë shkruar nën mentorimin e dramaturgëve e regjisorëve anglez për të treguar pak copëza prej përditshmërisë, përrallave e magjisë që realiteti kosovar ju ka ofruar atyre.
Lufta e 13 vjeçares Amali, Besa e Konstadinit, Sistemi që transformon biologjinë e kundërshtarëve, Durimi i qytetarëve në trafikun e një vere prishtinase e Dashuria më poetike shprehur në krejt dimensione të tjera këtë herë është çka pritet të shihni në projektin artistik të radhës që Intent New Theatre ka finalizuar për të vënë në pah talentet më të reja artistike krijuese në Kosovë./KultPlus.com
Pas panairit të vitit të kaluar të librit akademik, që u organizua në Tiranë, edicioni i sivjetmë i këtij panairi po mbahet në Prishtinë. Këtë vit kjo ngjarje po mbahet në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Panairi ka filluar sot dhe do të vazhdojë deri më 26 prill.
Përveç dy akademive, të Shqipërisë dhe të Kosovës, në këtë panair marrin pjesë edhe shumë institucione shkencore dhe arsimore të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi. Si institucion hulumtues dhe botues i librit shkencor, në këtë panair për herë të dytë po merr pjesë edhe Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.
E veçanta e këtij panairi është se, përveç ekspozimit të librave, gjatë tri ditëve të panairit do të ketë edhe promovime të veprave shkencore. Me këtë rast, në ditën e parë të panairit u promovuan edhe tri vepra të Institutit, të botuara së fundmi. Në fillim të këtij promovimi fjalë rasti pati drejtori i Institutit, Dr. Skender Asani, i cili foli në përgjithësi për veprimtarinë hulumtuese dhe botuese të ITSHKSH-së.
Në prani të shumë studiuesve, për veprën “Bisedime mbi “Historin bujqësore të Shqipnis” të autorit Eqrem Bej Vlora referoi historiani Dr. Besnik Rameti, i cili theksoi se bëhet fjalë një vepër të sapozbuluar të një personaliteti të rëndësishëm të historisë sonë kombëtare të pavarësisë, e cila ka vlerë të madhe historike, por edhe ka vlerë edhe për agronominë e sotme të Shqipërisë. Vepra “Ilegalja shqiptare pararëndëse e rrënimit të Jugosllavisë (I dhe II)”, e përgatitur nga Skender Asani, Sevdail Demiri, Milaim Fetai, Besnik Rahmeti ishte vepra e dytë që u prezantua në këtë panair, ndërsa për të referoi studiuesi Emin Azemi. Ai tha se “Kjo vepër sjell dokumente të rëndësishme të ilegales shqiptare gjatë viteve të fundit të ish Jugosllavisë, që janë vjelë nga Arkivi i Zagrebit, të cilat janë kontribut i rëndësishëm për ta ndriçuar historinë më të re të shqiptarëve në atë periudhë”. Vepra e fundit që u promovua ishte “Shkupi, vetë historia e Kosovës, me autorë Skender Asani, Mehmet Prishtina dhe Albert Ramaj, për të cilën foli studiuesi Dr. Zeqirija Ibrahimi. Kjo vepër është një studim dhe raport i një ish ministri të jashtëm italian, i cili flet për historinë e Shkupit, në veçanti, dhe të Vilajetit të Kosovës, në përgjithësi, në pjesën e parë të shekullit XX.
Promovimi u moderua nga Sekretari Shkencor i Institutit, Dr. Sefer Tahiri./KultPlus.com
EBC Cosmetics është kompani lidere në industrinë e kozmetikës në vend, e njohur për origjinalitet dhe e vetmja kompani në Kosovë e autorizuar për shitjen në 10 pika dhe online të brendeve më të njohura ndërkombëtare.
Edhe këtë vit si çdo vit tjetër, EBC njofton për zbritjen vjetore me datat 26,27 dhe 28 Prill.
Zbritje vlen per te gjitha dyqanet e EBC qe ndodhen në këto lokacione:
Bregu i Diellit , Rr.Eqrem Qabej 2. Rr. Nëna Terezë 3. Rr.Garibaldi, perballë hotel Grand 4. ETC Fushë Kosovë 5. Royall Mall, Rruga B 6. Galeria Mall, Prizren 7. Albi Mall, Veterrnik kati 0 8. Albi Mall, Veterrnik kati 1
9. The Village Shopping & Fun, Ferizaj
10. Prishtina Mall, M2 (Prishtine – Ferizaj)
Si dhe ne Platformen për blerje online në të gjitha qytetet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë EBC SHOP : www.ebc.shop./ KultPlus.com
Bistrot pariziene janë të famshme dhe të shumëkërkuara për turistët. Pronarët e restoranteve duan t’i japin edhe më tepër vlerë, duke kërkuar të iu jepet statusi i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s
Nga patatet klasike të biftekëve tek supat franceze me qepë ja se kush janë këto shtatë pjatat e e preferuarat e të guximshme që nuk do të dalin kurrë nga moda e këtij vendi.
Nëse shkoni të shihni kullën vezulluese Eiffel nuk duhet të harroni se bistro pariziane është një nga ikonat më të përjetshme të kryeqytetit francez.
Lindur nga nevoja për të ushqyer punëtorët e qytetit në shekullin e 19-të, bistrot, restorantet e vogël informal, janë themeli i kuzhinës tradicionale atje.
Nuk është çudi që restorantet po kërkojnë statusin e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s për bistrot dhe tarracat e kafeneve të Parisit.
Edhe nëse nuk jeni adhurues i të brendshmeve, petullës së viçit të lidhur me piper të zjarrtë ose karpacios me kokë viçi me kocka, të mbështjellë dhe të pjekur në një marinadë açugeje të mprehtë nuk do t’i rezistoni dot.
Nga viti 1880, punëtorët e uritur të tregut u mbushën në terrine de campagne (një lloj pateje e trashë), biftekë të përgjakur dhe riz au lait (puding orizi).
Menuja e shkurtër ka ndryshuar pak që atëherë.
Një hamburger viçi pa simite, i mbushur me një vezë të skuqur është një zgjedhje e pazëvendësueshme.
Ja dhe një vend ndryshe.
Mbulesa tavoline me ngjyrë rozë, mozaikë vezullues dhe abazhur me xhufkë, kjo adresë në lagjen e tregut historik të Les Halles është mishërimi i gatimit borgjez francez.
“Ty o popull fisnik shqiptar, ta drejtoj përshëndetjen time të ngrohtë dhe të dashur”, tha Papa Gjon Pali II, në nisje të fjalimit në pritjen zyrtare.
Më 25 prill të vitit 1993, Papa Shën Gjon Pali II, duke iu drejtuar qytetarëve dhe besimtarëve të pranishëm në Sheshin Skënderbe, në Tiranë, ndërmjet tjerash nënvizoi: “Në çiltërsinë tuaj pashë guximin e një demokracie të re, të një demokracie që po ecën me hapa të sigurta drejt lirisë, pas sa vitesh të pafund dhe të errët të një diktature dhe të ateizmi mbytës”.
Kjo ishte vizita e parë e një Pape të Romës në Shqipëri. Më 25 prill 1993 kreu i Selisë së Shenjtë u ndal në Shkodër dhe në Tiranë.
Pas vizitës së tij, në hierarkinë e re të pasdiktaturës u vendosën katër ipeshkvij të rinj: Imzot Frano Ilia, Imzot Rrok Mirdita, Imzot Robert Ashta dhe Imzot Zef Simoni.
Në njërën nga fotot që publikoi sot DPA, paraqiten kërkesat për fonde për kryerjen e përgatitjeve për pritjen e papës si dhe dokumenti që ngrinte një komision qeveritar të ngarkuar me pritjen e tij.
Polaku Karol Jozef Vojtila u zgjodh “Papë” në Vatikan më 16 tetor 1978. Në vitin 1981 ju bë një atentat të cilit i shpëtoi dhe qëndroi për 27 vjet në krye të Kishës Katolike./atsh/KultPlus.com
Më e shenjta, ajo për të cilën jeta ia vlen njëqindfish, familja.
Thënie të zgjedhura:
Disa dinakë e zgjedhin gruan jo aq të zgjuar me shpresë se do ta komandojnë dhe gjithmonë gabohen.
Martesa duhet të jetë një edukim i pafund i dyanshëm.
Martesa përfaqëson në vetvete një tip marrëdhëniesh midis burrit e gruas, ku pavarësia e palëve është e njëllojtë, varësia e përbashkët, detyrimet e dyanshme.
Martesa është shkencë, por askush nuk e studion.
Martesa lidh për jetë dy krijesa që nuk e njohin njëri-tjetrin.
Jeta bashkëshortore është në luftë të vazhdueshme me një përbindësh të llahtarshme: me të mësuarit.
Dashuria, si macja, lind e verbër, dhe martesa është si gjilpëra për heqjen e perdes së syrit në një dorë mjeshtri.
Martesa është dashuri juridike morale. Ky përcaktim përjashton nga kjo e fundit gjithçka kalimtare, tekanjoze dhe subjektive.
Ai që martohet për pasuri, shet lirinë e tij.
Martesa sjell vërtet mjaft telashe, por beqaria ama nuk sjell asnjë gëzim.
Si zogu dhe foleja.
Martesa siguron vazhdimësinë e domosdoshme të fisit njerëzor.
Askush nuk detyrohet të martohet, por cilido duhet detyruar t’i nënshtrohet ligjeve të martesës, në qoftë se lidh martesë.
Cilido që bën ndërmend të martohet duhet të bëhet gjyqtar i synimit të tij dhe të këshillohet vetëm me vetveten.
Të martohesh nuk është aspak e vështirë, e vështirë është të jesh i martuar.
Për plakun që kërkon të martohet, përligjja më bindëse është se i duhet dado.
Atje ku ka martesë pa dashuri, do të ketë edhe dashuri pa martesë.
Lidhja martesore është shkalla e parë e shoqërisë njerëzore.
Martesa vjen pas dashurisë, siç vjen tymi pas flakës.
Familja është shoqëria në miniaturë, nga mirëqenia e së cilës varet siguria e gjithë shoqërisë së madhe njerëzore.
Gruaja është shpëtimi ose vdekja e familjes.
Gruaja që e përqesh të shoqin, nuk e dashuron më atë.
Familja gjithmonë do të mbetet themel i shoqërisë.
Zgjedhja e gruas dhe blerja e shpatës nuk i duhet besuar tjetrit.
Është e mirë ajo shtëpi, ku janë të mirë banorët.
Kush është në shtëpi tigër, jashtë saj zakonisht është dele.
Kujt i ka takuar një dhëndër i mirë ka fituar një djalë, kujt i ka takuar një dhëndër i keq ka humbur vajzën.
Familja e mirë është ajo në të cilën burri dhe gruaja ditën harrojnë që janë dashnorë dhe natën që janë bashkëshortë.
Për gruan është më mirë një shigjetë në brinjë, se sa një burrë plak përbrinjë.
Bashkëshortët e mirë kanë dy shpirtra, por një vullnet.
Të vjen plasja ku gruaja di të bëjë punë shtëpie, por nuk do, ama ca më keq kur nuk di, por do.
Shtëpia nuk mund të quhet banesë e njeriut përderisa në të të mos ketë ushqim dhe zjarr jo vetëm për trupin, por edhe për mendjen. / KultPlus.com
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, e ka vlerësuar si sukses të unitetit votimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Ky është rezultat i punës dhe angazhimit të punës së delegacionit të Kuvendit të Kosovës, të cilët kanë punuar pa ndalë dhe me përkushtim me qëllime të përbashkëta. Ky sukses i Kosovës tregon më së miri se kur jemi bashkë mund të arrijmë shumë. Kemi qenë ekip dhe ashtu njihemi në asamble. Ky votim është një fitore e madhe për Kosovën. Ka mbete pjesa finale unë jam shumë optimiste në vendim që do të merret unë kam besim te plote por duhet shumë punë”, ka thënë ajo në seancën e sotme të Kuvendit.
Bogujevci e ka cilësuar këtë arritje si historike për vendin dhe demokracinë, e themeluar mbi vlera si të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.
Ndërkaq kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, tha se vendi është afër largimit të masave sanksionuese të vendosura nga BE.
“U deshën edhe 11 muaj të tjerë për ta kuptuar ju dhe BE që problemi nuk është në Kosovë por në Serbi, që bojkoti nuk vjen nga Kosova por nga Vuçiqi. Dhe që proceset nuk bllokohen nga shtetet demokratike si Kosova, por nga ato autokratike siç është Serbia. Rezultati i zgjedhjeve të kësaj të diele në katër komunat në veri shënon zbatimin në plotëni të marrëveshjes së Bratisllavës nga ana e Kosovës. rrjedhimisht do të thotë largim të masave ndaj Kosovës”, deklaroi kryetarja e komisionit parlamentar./rtk/ KultPlus.com