92 vite nga lindja e aktorit Pirro Mani

Pirro Mani (Korçë, 14 prill 1903 – Berat, 1 qershor 1993) ishte aktor dhe regjisor i njohur shqiptar. Një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar.

Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet. Që nga 1967 – 1992 ka qënë regjisor i Teatrit kombëtar, ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale.

Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Është mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. Shfaqjet kulminante janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të”, “Prometeu”, etj.

Është angazhuar edhe në disa filma artistikë. Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. Prej disa vjetësh jeton në Nju Jork, SHBA, së bashku me të shoqen, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen.

Pirro Mani u nda nga jeta ne moshën 89 vjeçare me 1 Qershor 1993 në Berat, kupër shumë vite jetoi me familjen, fëmijët dhe gruan, aktoren Pavlina Mani./KultPlus.com

Ekspozita ‘E kaluara e tashme’, ish-të burgosur politikë rikthehen në ish-burgun e Spaçit

Disa ish-të burgosur politikë u rikthyen në ish-burgun e Spaçit për të ndarë historitë e tyre me brezat e rinj.

Takimi u organizua me rastin e ekspozitës “E kaluara e tashme” e mbështetur nga programi EU4CULTURE.

Nëpërmjet skulpturave dhe regjistrimeve të 49 ish-të burgosurve politikë, kjo ekspozitë kujton vuajtjet, por edhe qëndrueshmërinë e popullit shqiptar dhe në këtë mënyrë nxit një diskutim të mirëfilltë për të kaluarën e Shqipërisë.

Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Silvio Gonzato e cilësoi prekës takimin me të mbijetuarit e burgut të Spaçit.

“Takimi me të mbijetuarit e burgut të Spaçit, një prej burgjeve më brutale të regjimit komunist në Shqipëri, ishte vërtet prekës. Të dëgjuarit e historive të tyre më kujtoi se ka mbetur shumë për të bërë në ballafaqimin me të kaluarën. Më vjen mirë që kaq shumë të rinj erdhën në Spaç për të takuar të mbijetuarit. Ata duhet të kuptojnë se nga vijnë dhe çfarë ka kaluar Shqipëria. Njeriu duhet të shërojë plagët e së kaluarës duke adresuar të drejtat e viktimave. Jam krenar që e mbështetëm këtë event, por kjo nuk mjafton. Ish-burgu i Spaçit po përkeqësohet me shpejtësi, ndërkohë që duhet ruajtur në mënyrë që ne të kujtojmë atë që ndodhi këtu dhe të themi: kurrë më”, u shpreh ambasadori i Gonzato./atsh/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti takon deputetin kanadez: Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që nga ’99-ta

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me deputetin kanadez, Rob Oliphant me të cilin kanë diskutuar për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada.

Përmes një postimi në “X”, Kurti është shprehur mirënjohës për mbështetjen e Kanadasë.

“Është kënaqësi të diskutoj për forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Kanada me deputetin kanadez Rob Oliphant Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Kanadasë që nga ’99”, ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Kryetari Rama për vdekjen e aktores Shirine Morina: Një yll i skenës u shua

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e vdekjes së aktores Shirine Morina ka ngushëlluar familjarët e saj dhe gjithë komunitetin artistik.

Kryetari Rama u shpreh se Shirine Morina ishte një aktore e madhe, e cila la  gjurmë në botën e artit tonë.

Më poshtë gjeni shkrimin e plot

“Shirine ishte një aktore e madhe, e cila la një gjurmë në botën e artit tonë. Nga performancat e saj të jashtëzakonshme dhe të shumta në teatër, tek rolet memorabël në emisione të dashura në RTP dhe deri tek pranitë e saj të spikatura në seriale vendore, ajo shkëlqeu çdo herë.

Shirine Morina do të mbahet mend si një artiste e madhe e vendit, e cila ndriçoi skenën me talentin dhe pasionin e saj. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, është shprehur Kryetari Rama./KultPlus.com

Kryeministri Kurti shpreh ngushëllime për aktoren Morina: Vdekja e saj është humbje e madhe për komunitetin artistik

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktores Shirine Morina, shkruan KultPlus.

Kryeminstri Kurti përmes një shkrimi në facebook vdekjen e aktores Morina e ka cilësuar si humbje të madhe për gjithë komunitetin artistik.

“Me pikëllim të thellë, komunitetit artistik të Kosovës e gjithë vendit i shprehi ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Shirine Morinës.

Në kujtesën tonë, do të qëndrojnë përjetë rolet e saj si ajo e monodramës “Mbreteresha Teutë”, si dhe kontributi i jashtëzakonshëm në shfaqjet “Hotel Kashta”, “Makbethi”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, në filmin “Era dhe lisi”, si dhe serialet “Kombinati” dhe “Cimerat”.

Vdekja e saj është humbje e madhe për komunitetin artistik. Shpirti i saj u prehtë në paqe”, ka shkruar Kurti në Facebook/KultPlus.com

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj viziton Kosovën

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Bajram Begaj është nisur sot në Kosovë me ftesë të Presidentes Vjosa Osmani.

Zyra e shtypit e Institucionit të Presidencës bënë të ditur se, “Presidenti Bajram Begaj do të mbajë një fjalë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqe dhe Siguri që zhvillohet në Prishtinë ditën e nesërme, në datën 15 prill 2024.

Po ashtu, njoftohet se kreu i shtetit do të ketë një takim kokë më kokë me Presidenten Osmani si edhe disa takime bilaterale me personalitete të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare./rtsh/KultPlus.com

Fushata për shënimin e 14 prillit mbështetet nga figura me renome botërore, Rushiti: Historia e re e Kosovës të shkruhet me këtë plagë të luftës

Sot më 14 prill në Ditën Memoriale e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, QKRMT organizoi konferencë për shtyp.

Drejtorja ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti foli për rëndësinë e kësaj dite në krijimin e një klime më të përshtatshme ku të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të kenë qasje në drejtësi, shërim dhe rehabilitim.

Ajo, po ashtu, foli për kampanjën e 14 prillit të cilës po i bashkohen figura me rëndësi botërore si Dr. Denis Mukwege – fitues i Çmimit Nobel për Paqe, aktivistë botërore të të drejtave të njeriut, Presidentja Osmani, kryekuvendari Konjufca, kryeministri Kurti , ministra, deputet, aktivistë të shoqërisë civile, njerëz të kulturës dhe artit.

“Historia e re e Kosovës të shkruhet me këtë plagë të luftës. Fushata për shënimin e 14 prillit po mbështetet nga figura merenome botërore”, është shprehur Rushiti.

Të mbijetuarat Vasfije Krasniqi Goodman dhe Shyrete Tahiri Sulimani, gjatë prononcimit u shprehën se përkundër që kjo ditë është e mërzitshme dhe e rëndë, kjo ditë është edhe ditë guximit dhe mbështetja duhet të jetë e vazhdueshme ngaqë lufta nuk mund të harrohet./KultPlus.com

103 vite më parë lindi aktori Pandi Raidhi

Pandi Raidhi ishte aktor shqiptar i teatrit dhe kinemasë i shekullit të XX.

Raidhi lindi në 14 prill të vitit 1921 në qytetin e Korçës. Ai nisi karieren e tij artistike ne vitin 1937 në shfaqen teatrale “Dasma Korçare” ku fitoi menjeherë simpatinë e publikut korçar.

Në vitin 1948 pas mbarimit të shkollës së mesme u fut në punë në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) ku interpretoi dramën “Dasma Korçare”. Në vitin 1950 u kthye në teatrin “A.Z.Çajupi” të Korçës ku do të interpretonte me dhjetëra role.

Debutimin kinematografik e bëri në filmin e parë shqiptar “Tana” në vitin 1958. Më tej interpretoi në 36 role të tjera të filmave Shqiptar. Roli i tij më i fundit ishte ai i babait të sekretarit në filmin “Njerëz në rrymë” në vitin 1989. Në një karrierë artistike gjysëm shekullore Raidhi ka interpretuar më shumë se 200 role në dramë, komedi dhe opereta.

Ai u kthye shume shpejt në një figurë të dashur dhe shume popullore për të gjithë shqiptarët. Ai kujtohet me respekt për thjeshtesinë buzëqeshjen e ëmbël dhe humorin e tij të hollë. Karakterizohej nga serioziteti i madh për punën. Asnjëherë gjate xhirimit në rolet e tij, kamera dorëzohesh para portretit interesant që ai krijonte.

Për meritat e tij artistike Pandi Raidhi u nderua në vitin 1975 me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Për nder të tij Bashkia e Tiranës i ka dhënë një prej rrugëve të Kryeqytetit emrin e tij.

Disa nga projektet kinematografike në të cilat mori pjesë janë: Njerëz në rrymë, Familja ime, Përsëri pranverë, Rrethimi i vogël, Duaje emrin tënd, Kush vdes në këmbë, Nëntori i dytë, Shoqja nga fshati, Partizani i vogël, Agimet e stinës së madhe, Liri a vdekje, Ne vinim nga lufta, Flamur në dallgë, Përballimi, Monumenti, Tokë e përgjakur, Zonja nga qyteti, Beni ecën vetë, Rrugicat që kërkonin diell, Shpërthimi, Shtigje të luftës, Krevati i perandorit, Yjet e netëve të gjata, Kur zbardhi një ditë, Mëngjeze lufte, I teti në bronz, Horizonte të hapura, Vitet e para, Tana etj.

Vdiq në Tiranë në 18 korrik të vitit 1999./KultPlus.com

Stina e dashurisë

Poezi nga Ndue Ukaj

Ta themelojmë një stinë të re,
lë të quhet stinë e dashurisë,
pak pranverë, verë sa për t’i pjekë frutat,
vjeshtë sa për t’i rregulluar ngjyrat
dhe dimër sa për t’i zbardhë ëndrrat.

Ta themelojmë stinën tonë,
një gramatikë të re fjalësh.

Tingujt të mos jenë stinë,
të jenë diçka në mes,
dhe foljet të mos jenë të parregullta.

Dhe pastaj ta themelojnë mbretërinë tonë,
me lumenj dëshirash që nuk ndalen kurrë,
me lumenj dëshirash që kthehen
në secilën stinë – e gurgullojnë –
e gurgullojnë, dhe ne e thyejmë rregullin e moçëm,
dhe lahemi dy herë në të njëjtin ujë.

Yje, lule, buzëqeshje dhe sy të gëzuar
dhe piktura dashurie, dhe askund pemë të ndaluara,
as gjarpër, as Kain.

Lë ta themelojmë stinën tonë, 
e malet të mos duken të larta,
e luginat të mos jenë të thella,
e ne të ulemi mbi maja malesh,
e të themi fjalë lartësish për ujdhesat,
fushat dhe luginat e fatit.

Lë ta themelojmë stinën tonë, në një djep plot ëndrra
dhe t’i përkundim duke kënduar ninulla dashurie,
për veten dhe për të tjerët.

Dhe në fund, lë të shkundim pluhurin
dhe historitë që janë ngjitë nëpër thembrat tona
e të hyjmë triumfalisht në këtë stinë,
të mbështjellë me të gjitha stinët nga pak./KultPlus.com

Presidentja Osmani: Gjurmët e krimeve të luftës ende e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë

Më 15 dhe 16 prill, Kosova do të mirëpresë personalitete të ndryshme nga disa shtete të botës në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. E po në këtë forum, temë bosht pritet të jetë dhuna seksuale gjatë luftës.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani derisa nderoi të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kërkoi drejtësi.

“Përpara një viti ne dëgjuam zërin e fuqishëm të të mbijetuarve dhe vendosëm që 14 prilli të shënohet si një akt i përhershëm i solidaritetit tonë. 14 prilli është një kujtim i rezistencës së tyre në ballafaqim me dhunën. Në këtë ditë ne ngrisin zërin për drejtësi. Drejtësia nuk do të jetë e plotë derisa kriminelët nuk dalin para drejtësisë për veprat e tyre. Gjurmët e krimeve të ushtrisë serbe vazhdojnë të rëndojnë edhe sot jetën e qytetarëve tanë. Për të senzibilizuar të gjithë për dhunën seksuale gjatë luftës, në kuadër të sesionit të dytë te Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë që do të mbahet në Prishtinë do të jetë temë boshtë çështje e dhunës seksuale gjatë luftës. Nesër në Prishtinë do të mblidhen më shumë se 40 shtete anembanë botës. Liderë, ekspertë, akademikë, gazetarë e përfaqësues te shoqërisë civile. Forumi është një platformë që i dedikohet fuqizimit të zërit të grave”, tha presidentja sot në një konferencë për media, raporton RTKlive.

Ajo ka thënë se gjurmët e krimeve të dhunës seksuale të kryera nga Ushtria dhe Policia Serbe vazhdojnë të rëndojnë ende jetën e qytetarëve tanë, pas gati 25 viteve të pas luftës.

Osmani tha se dhimbja e Kosovës është e madhe, pasi gjatë luftës së fundit janë dhunuara mbi 20 mijë gra nga ana forcave të regjimit gjenocidal të Serbisë./rtk/KultPlus.com

TKK organizon mbledhje komemorative për aktoren Shirine Morina, jepen detaje për ceremoninë e varrimit

Teatri Kombëtar i Kosovës pas vdekjes së aktores Shirine Morina ka njoftuar se do të mbajë mbledhje komemorative, në nderim të veprës së aktores tashmë të ndjerë.

TKK po ashtu ka njoftuar se varrimi i aktores Morina do të bëhet nesër në ora 16:00, në varrezat e qytetit, në Prishtinë.

“Me dhimbje të thellë morëm lajmin e shkuarjes në amshim të aktores së Teatrit Kombëtar të Kosovës, znj. Shirine Morina.

Nesër, e hëne, 15 prill 2024, në ora 14:00 në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, organizojmë mbledhje komemorative për të kujtuar aktoren e ndjerë.

Varrimi i të ndjerës është në ora 16:00 në varrezat e qytetit, Prishtinë”, thuhet në njoftimin e TKK/KultPlus.com

Kryemnistri Kurti në hapjen e Kampionatit Shtetëror të Esports: Mundësi për të treguar talentin e inovacionin edhe ndërkombëtarisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen solemne të Kampionatit Shtetëror të Esports.

Në komunikatën për media bëhet e ditur se Kurti është shprehur që Federata për herë të parë ka mbështetje financiare serioze nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

“Me ligjin e ri për sportin, i cili është në procedura parlamentare dhe ka kaluar në lexim të parë tashmë, kemi krijuar bazën ligjore që mundëson zhvillimin e esports në Kosovë. Jemi ndër shtetet e pakta në rajon dhe në tërë Evropën, që po ndërtojmë politika shtetërore të cilat mundësojnë zhvillimin e lojërave elektronike”, është shprehur Kurti.

Ai tutje ka thënë se për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare.

“Për Kosovën, kjo është mundësi për të treguar talentin dhe inovacionin edhe në arenën ndërkombëtare. Bashkimi i këtyre dy sektorëve sjell potencial më të madh për zhvillim, edhe që duhet të promovohet me kujdes të shtuar nga të gjithë ne në të ardhmen”, është shprehur kryeministri.

Presidentja Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Shirine Morinës: Teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen, miqtë dhe komunitetin kulturor për ndarjen nga jeta të aktores, Shirine Morina.

Presidentja Osmani ka thënë se teatri dhe kinematografia humbën një aktore të shquar.

“Teatri dhe kinematografia humbën sot një aktore të shquar e të dashur për publikun”, shkroi Osmani.

Më tej Presidentja Osmani tha se Shirine Morina do të mbahet mend për origjinalitetin në lojën e saj skenike në teatër dhe rolet e shumta në serialet televizive.

“Ju përcjell ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes, miqve dhe komunitetit kulturor!”.

“Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”.

Letra e Simone de Beauvoir për të dashurin amerikan: Parisi më duket i trishtë pa ty

Nelsoni im,

Ja ku ndodhem në Paris. Ishte një ditë mjaft poetike, siç ndodh ndonjëherë kur nuk e pret. Gjithçka dukej sikur ishte kundër meje: nga qielli binte diçka që nuk ishte as shi, as dëborë, një ujë i zi dhe i akullt; një grevë e shitësve mbylli të gjitha dyqanet, kafenetë dhe restorantet. Mund të kishte qenë tepër e trishtë, por fatmirësisht nuk qe e tillë. Së pari, gjeta letrën tënde të ëmbël dhe kjo më lumturoi. Fola me ty (në anglisht), gjithë ditën. Pastaj u kënaqa kur pashë sërish qytet. Qytetet më pëlqejnë. Ashtu i errët dhe i trishtë siç ishte, Parisi ishte qytet i vërtetë. Piva pak uiski (jo skoç, por burbo) nëpër bare, ku bisedova me miqtë. Shkova te revista Kohë Moderne, ku gjeta letrat dhe disa gjëra që më bënë të lumtur: përkthimi në anglisht i librit Gjaku i të Tjerëve, pra, do të mund ta lexosh në maj. Kam shumë dëshirë që të bëj një lidhje midis jetës sime si bretkosë në Wabansia dhe jetës në punë. Do të doja që të lexoje librat e mi, sidomos këtë, që është novela e dytë që kam shkruar dhe që jam e bindur se do të të tregojë diçka për mua. Dua që ta njohim njëri-tjetrin gjithnjë e më mirë. Prandaj u lumturova vërtet kur e gjeta, edhe pse përkthimi kishte gabime të tmerrshme. Do të botohet në maj, edhe në Londër, edhe në Nju Jork, prandaj për të do të diskutojmë në Meksikë. Po, meksikën nuk e ndaj nga mendja. Një shoqja ime që u kthye prej andej, më tha se Kuba ishte e mahnitshme. Po sikur pas Nju Orleansit të shkojmë në Kubë e pastaj në Meksikë? Tani, më kujtohet sikur the që Karaibet nuk të tërheqin, se druheshe që ishin vetëm për turistë? Mua do të më interesonte shumë dhe në Meksikë shkojmë një herë tjetër. Por mos u ngut! Mendoje njëherë! Gjëja e rëndësishme është të udhëtojmë dy muaj rresht: se ku, nuk është aq e rëndësishme, apo jo?

Po i kthehem së martës, mbrëmjen kur isha vetëm dhe dola shëtitje në Champs-Elysées për të parë Vilet e Zemërimit. U mërzita kur dëgjova sërish zëra amerikanë dhe kur pashë vetëm rrugën që pata bërë me shoqen time nga Kalifornia në Arizona dhe në Nju Meksiko. Arrita t’i njihja vendet, sidomos urën në Kolorado. Disa plane në film m’u dukën mahnitëse: ato në fermën e keqe, kur policët vrasin ish-predikuesin. Kurrë nuk kisha parë një film kaq “të fortë”, në kuptimin e mirë të fjalës. E djeshmja kaloi me gjëra të vogla, shumë çikërrima dhe duke fjetur gjumë. Ndihem disi e lodhur – mbase në fshat punova shumë. Sot po lexoj libra për gratë. Më intereson, por Parisi po fillon të duket i trishtë, ashtu si është vërtet dhe po kështu po ndihem edhe unë. Derdha ca pika loti, sepse të doja dhe më mori malli shumë. Fola me ty për një kohë të gjatë natën. Të dua. 

Nga libri “Dashuri Trasantantike”.

Përkthyese: Alda BardhyliKultPlus.com

Varkat turistike, realitet në Liqenin e Shkodrës

Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci publikoi pamje nga liqeni ku turistët e parë tashmë përjetojnë ndjesinë e lundrimit me këto varka.

Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, në një intervistë për mediat u shpreh i lumtur për këtë hap të parë që synon rikthimin e lundrimit elitar në Liqenin e Shkodrës.

Beci tha se falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Qeverisë Shqiptare, pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët në Shirokë për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.

Varkat i shtohen një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e 3 moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna.

Dy molet ne Shirokë dhe Zogaj kanë përfunduar ndërkohë që në me përfundimin e molit pranë Urës së Bunës do krijohet rrjet molesh për ankorimin e varkave turistike dhe rikthimin e lundrimit elitar në këtë pasuri ujore të Shkodrës në shërbim të turizmit. / KultPlus.com

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit në Prishtinë, Kumbaro: Promovim Shqipërisë dhe Kosovës si destinacion i vetëm

Potenciali turistik i Shqipërisë si një vend mesdhetar rrethuar me bregdet dhe male u prezantua më 12-13 prill në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro tha sot në një postim në rrjetet sociale se “të gjitha shijet e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë që po kthehet në traditë të bukur për kryeqytetin e Kosovës”.

“Promovojmë më të mirat ndër veti me ftesën e përhershme për mysafirët nga Kosova që të shijojnë bregdetin tonë dhe krejt ofertën turistike gjithëvjetore, por edhe të hapim rrugë të reja bashkëpunimi për t’iu prezantuar tregjeve më të mëdha si një destinacion i vetëm nga Shqipëria në Kosovë me krenarinë e natyrës e kulturës sonë”, theksoi Kumbaro.

Agjencia Kombëtare e Turizmit prezantoi gjithashtu në panair arritjet e Aplikacionit TEA, që premton të rrisë shërbimet këtë vit për të vijuar të prijë udhëtimet drejt atraksioneve të bukura të Shqipërisë.

Ky panair ndërkombëtar i turizmit shërbeu po ashtu si një qëllim jetik për Prishtinën dhe në qendër të vëmendjes ka potencialin e madh dhe të gjerë që ka Kosova, si një destinacion turistik i pasur me kulturë, me histori, bukuri natyrore mbresëlënëse.

Ky panair nxiti gjithashtu bashkëpunimin mes subjekteve turistike në rajon.

Në panair morën pjesë mbi 300 kompani nga më shumë se 15 shtete. Panairi u organizua nga Unioni i Turizmit të Kosovës dhe nën kujdesin e Komunës së Prishtinës. / KultPlus.com

Kurti në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit: Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia

Zyra për Media e Kryeministrit ka njoftuar se Kurti ka marrë pjesë virtualisht në Konferencën e Lidershipit të Oksfordit, që po mbahet në Dubai.

Gjatë fjalimit të tij, ai foli për sfidat në nivel global, si energjia dhe ndryshimet klimatike, qasjes ndaj tyre dhe punën dhe “të arriturat” e qeverisë.

“Në Kosovë, ne si qeveri socialdemokrate, besojmë në një vizion për politikë që është më gjithëpërfshirës – një vizion që e bën përulësinë dhe solidaritetin prioritet, ushqen qëndrueshmërinë dhe vlerëson dinjitetin e punës. Qeveria jonë është fokusuar në adresimin e pabarazive socio-ekonomike duke investuar në rritje dhe zhvillim. Paketa jonë gjithëpërfshirëse e politikave siguron që grupet e cenueshme, duke përfshirë grupet me të ardhura të ulëta dhe grupet e margjinalizuara, të arrijnë përmirësime të rëndësishme në mirëqenien, aksesin në punësim, arsim dhe shëndetësi, energji dhe shërbime të tjera publike. Sipas Bankës Botërore, Kosova ka ofruar pakon më bujare të ndihmës në Ballkanin Perëndimor si përqindje e BPV-së për t’i ndihmuar qytetarët të përballen me inflacionin”, tha Kurti.

Ai ndër të tjerash, tha se aftësia e Kosovës për të ecur përpara po pengohet në mënyrë active nga Serbia, e cila sipas tij nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO’s dhe BE’së.

Kurti përmendi ushtrinë serbe afër Kosovës dhe sulmin e Banjskës.

“Aftësia jonë për të ecur përpara pengohet në mënyrë aktive nga Serbia, e cila nuk është e interesuar të jetë pjesë e NATO-s apo BE-së. Aleanca e saj me Rusinë dhe fantazitë e saj për një të kaluar alternative po na mbajnë ne dhe të gjithë rajonin prapa. Në dy vitet e para si kryeministër, Serbia grumbulloi ushtrinë e saj përgjatë kufirit me Kosovën katër herë dhe sponsorizoi terrorizmin brenda kufijve tanë. Shtatorin e kaluar, një polic kosovar u vra pas një inkursioni të terroristëve paraushtarakë. U sekuestruan armë dhe pajisje ushtarake me vlerë mbi 5 milionë euro. Rreth 90 ushtarë të NATO-s majin e kaluar u plagosën, disa të plagosur rëndë, për shkak të sulmeve nga një turmë e sponsorizuar nga Beogradi. Pavarësisht të gjithave, ne kemi hyrë në një marrëveshje me Serbinë nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE – një marrëveshje që Serbia tani refuzon ta nënshkruajë.”

Kurti foli edhe “për rritjen e punësimit, dyfishimin e investimeve të huaja direkte dhe eksporteve, shtesat për fëmijë e mbështetja për nënat lehona, sistemi dual, arsimi i lartë falas, mbështetja dhe bursat për gratë në STEM, por edhe përmendi rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekset e renditjet të ndryshme ndërkombëtare”.

Në fund, Kurti tha se ngjarjet e tri viteve të fundit kujtojnë që barazia dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena.

“Ngjarjet e tri viteve të fundit, brenda dhe jashtë vendit, na kujtojnë se barazia, të drejtat e njeriut dhe demokracia nuk mund të merren si të mirëqena. Ata duhet të ushqehen, të mbrohen dhe të avancohen me çdo kusht, dhe ne jemi krenarë që jemi të pozicionuar në mënyrë unike për të vlerësuar dhe promovuar këto vlera.” / KultPlus.com

Osmani e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Ky përshkallëzim po çon në paqëndrueshmëri në rajon dhe më gjerë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Ajo ka thënë se Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit.

Më poshtë gjeni postimin e saj të plotë:

Kosova i bashkohet aleatëve në mbarë botën për të dënuar sulmin e Iranit kundër Izraelit.

Ky përshkallëzim i madh po çon në paqëndrueshmëri të paprecedentë në rajon dhe më gjerë, me jetë të pafajshme që mbajnë peshën e saj shkatërruese.

Përpjekjet për paqe duhet të mbizotërojnë. / KultPlus.com

Kurti bën nderime te “Heroinat”: Të gjithë të kontribuojnë kundër stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale

Në shënim të Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë, kryeministri Albin Kurti ka bërë nderime te memoriali “Heroinat” në Prishtinë.

Kurti tha se viktimat dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, gra e vajza, por edhe djem e burra, kanë paguar një çmim të lartë fizik, psikik, emocional për shtetin e për lirinë tonë.

Ai shprehu zotimin se institucionet e shtetit janë në krye të detyrës për ta mbrojtur këtë kategori dhe iu bëri thirrje edhe qytetarëve për mbështetjen e tyre.

“Vasfija e Shyretja janë shembuj për mbarë shoqërinë edhe kombin tonë, të thyerjes së heshtjes për një krim monstruoz, i cili ishte armë e luftës, në kuadër të projektit gjenocidal të Serbisë kundër popullit shqiptar të Kosovës”, u shpreh ai. 

“Janë mbi 20 mijë gra e vajza, burra e djem, të cilët janë përdhunuar gjatë luftës dhe është pjesë e gjenocidit që kemi përjetuar nga Serbia”, tha Kurti.

“Thua se krimi që bëri Serbia nuk mjaftonte, pasoi stigmatizimi ndaj këtyre personave, të mbijetuar të dhunës seksuale. Andaj ne iu bëjmë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë kundër stigmatizimit dhe që të gjitha ata, të cilët e kanë pësuar, që janë po ashtu viktima të marrin shembullin e Shyrete Tahiri Sulimanit, të marrin shembullin e Vasfije Krasniqi Goodman, të marrin shembullin e Marte Tunaj, e cila nuk rron më, dhe e cila gjithashtu ka qenë viktimë e përdhunimit seksual gjatë luftës dhe ta thyejnë heshtjen. Sepse çfarë iu ka ndodhur këtyre personave nuk u ka ndodh për shkak të emrave të tyre të veçantë apo karakteristikave individuale, por për shkak se ishin shqiptarë, dëshironin të jetonin në tokën e tyre, të lirë”, tha kryeministri.

Nderime bënë edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, kryetarja e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, Leonora Selmani, deputetë të Kuvendit të Kosovës e anëtarë të kabinetit qeveritar. / KultPlus.com

Vdes aktorja e njohur, Shirine Morina

Ka vdekur aktorja e njohur kosovare, Shirine Morina.

Lajmin për vdekjen e saj e ka dhënë deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci përmes një postimi në Facebook.

“Sot humbëm një nga figurat e shquara të skenës artistike në Kosovë, znj.Shirine Morina. Aktorja e njohur, e cila shënoi një epokë të rëndësishme në historinë e teatrit dhe kulturës kosovare, la pas një trashëgimi të çmuar. E takoja miken time shpesh dhe ishte shumë pozitive dhe plotë energji. Ngushëllime familjes dhe gjithë komuniteti artistik!”, ka shkruar ai. / KultPlus.com

“E gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja”

Albert Kamy, pjesë nga Miti i Sizifit


Për cilin dhe çfarë mund të them: “E njoh!”? Këtë zemër brenda vetes, unë mund ta ndjej dhe të pohoj se ekziston. Këtë botë unë mund ta prekë dhe të them se ajo është. Këtu përfundon e gjithë shkenca ime, pjesa tjetër është spekulim. Po të përpiqesha të rrokja “Unin” time, për të cilin jam i sigurt se ekziston, po të përpiqesha ta përkufizoja, ta përmblidhja në thelbin e vet, do të shihja se është ujë që më rrëshqet nëpër gishta. Unë mund të vizatoj një e nga një të gjitha pamjet që ai di të marrë, të gjithë dukjet që i kanë dhënë të tjerët, edukatën, origjinën, vrullin apo heshtjen, madhështinë ose poshtërsinë e tij. Kjo zemër që është e imja do të mbesë përgjithmonë e panjohur. Midis sigurisë që kam për ekzistencën time dhe përmbajtjes që përpiqem që ti jap kësaj sigurie, hendeku nuk do të mbushet kurrë. Un do të jem përgjithmonë i huaj për vetveten. Në psikologji si në logjikë gjithmonë ka të vërteta, por kjo nuk është aspak e vërteta. Thënia e Sokratit “Njih vetveten” ka po kaq vlerë sa edhe “Ji i virtytshëm” i rrëfeve tanë. Ata dëshmojnë për nostalgjinë dhe në të njëjtën kohë për padijen tonë. Këto janë lojëra shterpë mbi problemet e mëdha. Ato janë të përligjura vetëm në atë masë që ato janë të përafërta. Shihni këto pemë, unë e njoh ashpërsinë e tyre, marrim ujin dhe unë e provoj shijen e tij. Aromën e barit, yjet, netët, disa mbrëmje kur zemra ç’tendoset. Si mund ta mohoj këtë botë, fuqinë dhe forcën e së cilës unë e provoj? Megjithatë e gjithë dituria e kësaj bote nuk më ndihmon aspak që të më sigurojë se kjo botë është e imja. Ju ma përshkruani dhe më mësoni ta klasifikoj, Ju më numëroni logjet e saj dhe unë, i etur për dije i pranoj si të vërteta. Ju zbërtheni mekanizmin e saj dhe tek unë shpresa rritet. Në fund ju më mësoni se kjo gjithësi madhështore dhe e larmishme përbëhet nga atome dhe vetë atomi përbëhet nga elektrone. Të gjithë këto janë të drejta dhe unë pres që ju të vazhdoi më tej. Por ju më flisni për një sistem planetar të padukshëm ku elektronet vërtiten rreth një bërthame. Ju ma shpjegoni këtë botë me anë të një figure. Atëherë unë vërej se kemi hyrë në lëmin e poezisë që nuk do ta njoh kurrë. A kam kohë që të zemërohem? Ndërkohë ju keni ndërruar teori. Kështu shkenca, e cila duhet të më mësonte gjithçka, bëhet hipotetike, qartësia shndërrohet në metaforë dhe pasiguria kthehet në vepër arti. Dhe përse mu deshën aq shumë përpjekje? Konturet e buta të kodrave dhe dora e mbrëmjes mbi një zemër të plagosur më mëson shumë më tepër. Arrita atje ku u nisa. E kuptoj që nëse nëpërmjet shkencës mund të rrok dukuritë dhe t’i numëroj, nuk mundem, megjithatë, të kuptoj botën. Edhe sikur me gisht ta përshkoja gjithë relievin e saj, përsëri nuk do ta njohja më mirë. Dhe ju më vini të zgjedh midis një përshkrimi që është i sigurt, por që nuk më mëson asgjë, dhe hipotezave që pretendojnë të më mësojnë, por që nuk janë aspak të sigurta. I huaj për vetveten dhe për botën. I armatosur përballë rreziqeve vetëm me një mendim që mohon vetveten sapo ta pohojë atë. Cila është ajo gjendje ku unë mund të jetoj, i qetë duke mos pranuar të mësoj e të jetoj ku dëshira për fitore ndeshet me pengesa që përballojnë sulmet e saj. Të dëshirosh do të thotë të nxitësh paradokse. Gjithçka është rregulluar në mënyrë të tillë që të lind kjo paqe e helmatisur që sekretohet nga moskokëçarja, gjumi i zemrës ose vetëmohimet vdekjeprurëse. / KultPlus.com

Kurti e dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit: Akt i paprecedent që rrezikon destabilizimin e rajonit, bota t’i japë fund armiqësive

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit.

Ai ka thënë se ky është një akt i paprecedentë që përbën një rrezik të madh për destabilizimin e gjithë rajonit.

“E dënoj sulmin e fundit të Iranit ndaj Izraelit. Ky veprim i paprecedentë përbën një rrezik të madh për destabilizimin e tërë rajonit. Tash, më shumë se kurë, bota duhet t’i japë përparësi përfundimit të armiqësive dhe nxitjes së paqes së qëndrueshme”, ka shkruar Kurti./ KultPlus.com

Shtëpia e kulturës shqiptare në Paris, Gonxhja: Vëmendje të veçantë për promovimin e identitetit

Ministri për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin, Blendi Gonxhja pati takime gjatë vizitës që zhvilloi në Francë si pjesë e delegacionit të kryeministrit Rama, në shtëpinë La Maison de l’Albanie, shtëpinë e kulturës shqiptare në kryeqytetin e Francës, Paris.

Gonxhja tha se ishte i pari ministër që mbulon Kulturën, që kjo shtëpizë priti.

La Maison de l’Albanie shërben si qendër për shqiptarët që banojnë në Francë, duke nxitur lidhjet dhe duke promovuar identitetin tonë të përbashkët kulturor, historinë dhe traditat e pasura të Shqipërisë.

Një ambient në dukje i vogël, por një vatër e vërtetë atdhetarie, ku janë zhvilluar mbi 200 aktivitete e ngjarje kulturore në 12 vite veprimtari, që nga çelja.

Gonxhja falënderoi në veçanti Luan Ramën dhe Anila Hyka Smorgrav, që flasin kaq bukur për misionin vullnetar të qendrës dhe diasporën tonë në Francë, sikurse falënderoi Zamir Matin dhe Gjergj Themelin për dedikimin e tyre të palodhur që ilustrohet në muret e tejmbushura me posterat e iniciativave ndër vite, si dhe për idetë dhe projektet e reja, gjithëpërfshirëse, që synohen, që premtojnë të lartësojnë diversitetin e kulturës shqiptare në Francë.

“Traditat dhe kultura jonë shumëdimensionale, janë ambasadorët më të mirë të vendit tonë”, u shpreh Gonxhja.

“Si MEKI – Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të kemi një vëmendje të shtuar ndaj këtyre qendrave, për një përkrahje të plotë nëpërmjet strukturave tona diplomatike dhe ato kulturore, për të sjellë kudo një pjesë Shqipërie nëpërmjet mbështetjes për aktiviteteve të ndryshme kulturore, por edhe për të lidhur diasporat tona jashtë me Atdheun, në çdo aspekt e kontribut. Rëndësia e mbajtjes gjallë të zemrës e të shpirtit shqiptar, kudo ku ndodhemi nëpër botë, është strategjike për shtetin dhe kombin tonë”, garantoi Gonxhja.

“La Maison de l’Albanie – ku shpirti i Shqipërisë takohet me sharmin e Francës, në epiqendër të qytetërimit Evropian, ku çdo ditë e më shumë rritet edhe interesi i grupeve të moshave të reja, dhe ku së bashku me Kosovën duhet ta shndërrojmë në Shtëpinë e gjithë Shqiptarëve”, përfundoi Gonxhja. / KultPlus.com

“Travel off Path”: Vizitoni Sarandën, perlën e fshehur të Shqipërisë

Saranda, një qytet bregdetar në Shqipëri do të bëhet një nga pikat më të nxehta turistike të Evropës këtë verë, shkruan Megi Canco në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Nëse po planifikoni të eksploroni disa nga vendet më të mrekullueshme në Rivierën Shqiptare këtë verë, ne ju rekomandojmë plazhet më të mira ku të qëndroni.

Ku të akomodoheni?

Disa hotele janë vërtet fantastike në Sarandë (si Hotel Bahamas dhe Santa Quaranta) të cilat ofrojnë shërbime të shkëlqyera me kosto deri në 100 dollarë.

Unë kam qëndruar në apartamente të bukura në qendër të qytetit për vetëm 40 dollarë në natë, por këto zakonisht nuk janë të listuara në faqet e rezervimit dhe gjenden vetëm nëpërmjet të njohurve.

Ku të hani?

Ushqimi në Sarandë megjithëse nuk është diçka novatore, është mjaft i shijshëm. Disa nga vendet më të mira në qytet për të ngrënë janë;

L’arte Della Pizza

Balbi 34

Why Not? – Burger Bar

Restorant Pupi

Oda e Babës

Ku të shkoni në mbrëmje?

Ju keni qenë në plazh, keni ngrënë drekën dhe në mbrëmje jeni të relaksuar, të veshur dhe gati për të dalë.

Nëse jeni duke kërkuar klube nate, Jericho dhe Vamos janë vendet më të mira. Gjatë verës organizohen festa që zhvillohen çdo natë dhe nuk keni nevojë të bëni një rezervim.

Nga ana tjetër, ata që kërkojnë vetëm një natë të qetë me një pije të mirë në dorë mund të shkojnë në një nga vendet e mia të preferuara në qytet – “Noname Cocktail Bar”.

Është një vend i vogël, me ndriçim të dobët që ofron disa nga koktejet më të mira në qytet për më pak se 10 dollarë.

Muzika është fantastike, por jo aq e zhurmshme sa të mos e dëgjosh veten kur je duke folur, dhe është pikërisht në shëtitoren e qytetit, një nga pikat kryesore të Sarandës.

Plazhi më i mirë në Sarandë

Plazhet e para që do të shihni sapo të mbërrini në Sarandë janë ato që ndodhen pranë shëtitores.

Këto quhen “plazhe publike”, por ju do të tarifoheni nëse përdorni shezlongët, megjithëse çmimi është dukshëm më i ulët se ai që do të paguani në plazhet private aty pranë.

Ka edhe zona të vogla dhe të pabanuara ku mund të rrini pa pagesë, por këto janë goxha të vogla dhe shkëmbore.

Eksplorimi i rajonit përtej qytetit kryesor

Saranda është lloji i qytetit që nuk të lë kurrë të mërzitesh, por ka kaq shumë për të parë dhe bërë në fshatrat e afërta, saqë të kalosh gjithë pushimet në qytet, sinqerisht do të ishte një humbje e mundësive.

Plazhin e Pasqyrës e kam dashur që nga dita e parë që e kam shkelur.

Ishte viti 2013, dhe ky ishte plazhi i parë që pashë, kishte shtretër prej druri dhe çadra kashte, toka ishte me guralecë, nuk ishte i mbushur me njerëz, deti ishte i pastër kristal, dhe unë pagova vetëm rreth 7 dollarë për dy shezlonge – ky është një çmim i shkëlqyer për atë që ndihet si parajsa juaj tropikale. Ky çmim ka shkuar deri në 20 dollarë tani.

Në fakt, kjo perlë e fshehur shqiptare njihet si plazhi me ujërat më të kaltra në botë, duke lënë pas vende shumë më të njohura të Evropës.

Plazhe të tjera që nuk duhet t’i humbisni gjatë udhëtimit tuaj në Sarandë përfshijnë Ksamilin, Livadhin, Jalën dhe Dhërmiun.

Për ata që duan të shijojnë diçka përtej plazhit, Syri i Kaltër dhe Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit nuk duhet humbur.

Vizitoni qytetin e bukur bregdetar, Sarandën – ju garantoj që nuk do të zhgënjeheni! / KultPlus.com