‘Të desha me hakikat’ nga Shpresa Berisha

Shpresa Berisha është këngëtare e njohur e muzikës popullore qytetare shqiptare, shkruan KultPlus.

Disa prej këngëve të cilat ajo ka interpretuar ndër vite janë:

“Për ty vuaj, për ty këndoj”, “Me lule t’beharit”, “Të desha me hakikat”, “Turtulleshë”, “Bukuroshja e lalës”, “Fytyra jote”, “M’ka marrë malli shpirt”, “Çohi djema shalone atin”, “Prizrenit”, “Si t’ja bëj hallit”, “Po del hëna”, “Sy jeshile”, “Tjetërkund nuse”.

KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën ‘Të deshta me hakikat’ nga Shpresa Berisha:

Të desha me hakikat
Të çmova mikesh të shtrejtë.
Mir’po paskem qenë pa fat, e aman
Ma punove pa të drejtë.

Me gjithë zemër unë të desha
Si njeri me mirësi.
Disa herë unë të buz’qesha aman
Me mallin e djalit t’ri.

Një kujtim që m’a ke dhanë-e
Po e ru’j me dashuni.
Do t’a kujtosh fukaranë, e aman
Megjithë se m’ke marrë mëni.

Nuk e di se t’kam bezdisë
Unë të pata me kimet.
Qofsh e lumtun ti moj mike, aman
Për mu’ si të jetë kismet./ KultPlus.com

Artisti Shuk Orani në Hamburg prezanton lidhshmërinë mes artit dhe inteligjencës artificiale

Artisti Shuk Orani është prezantuar para publikut gjerman dhe ndërkombëtar në Hamburg në temën “Inovacioni përmes artit dhe AI – Si ndikon inteligjenca artificiale në art? Dialog me një avatar”.

Në prezantimin e tij në këtë event të rëndësishëm, artisti Shuk Orani solli në pah lidhjen ndërmjet artit dhe inteligjencës artificiale, duke prezantuar një projekt artistik që solli një avatar të zhvilluar prej tij.

Orani theksoi rëndësinë e progresit në fushën e inteligjencës artificiale, ndërsa gjithashtu u përqëndrua në etikën e përdorimit të kësaj teknologjie në art.

Bashkëbisedimi me avatarin Electra ofroi një platformë për reflektim dhe diskutim mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në procesin kreativ, duke paraqitur mundësi të reja për bashkëpunim në të ardhmen.

Në anën tjetër, prezantimi i Matthew Cobham mbi dritën si një mjet për marketingun e artit theksoi rëndësinë e ndriçimit të përshtatshëm për secilën veprë artistike, duke demonstruar veprat e Shuk Oranit përpara publikut me ndriçim të përshtatshëm.

Partneriteti i kompanisë ERCO dhe AIT-ArchitekturSalon Hamburg në organizimin e këtij eventi shfaq një angazhim të rëndësishëm për promovimin e artit dhe teknologjisë në kulturën bashkëkohore.

Kjo ngjarje shënon një hap të rëndësishëm drejt të ardhmes së artit dhe teknologjisë, duke inkurajuar diskutime të thella dhe kontribuojë në zhvillimin e kulturës bashkëkohore./KultPlus.com

Ekspozitë me dorëshkrime origjinale të Adem Demaçit në 16 vjetorin e Pavarësisë

Për nder të 16 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në Bibliotekën Kombëtare do të hapet ekspozitë me dorëshkrime dhe dokumente origjinale të atdhetarit Adem Demaçi, shkruan KultPlus.

Në ekspozitë, do të dominojnë materiale të Arkivit të peridhës së hetimeve, gjykimit dhe dënimit për aktivitet kombëtar të Adem Demaçit, të cilat kryesisht nuk janë ekspozuar më parë.

“Agjencia Shtetërore Arkivave të Kosovës, më datë 16.02.2024, në kuadër të programit shtetëror për shënimin e përvjetorit të 16’të të pavarësisë së Kosovës, me një ekspozitë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, sjellë para publikut dokumente origjinale, dorëshkrime dhe materiale tjera burimore të veprimtarisë politike atdhetare, kulturore, artistike të Veprimtarit të Ceshtjes Kombetare, Adem Demaçi”, thuhet përmes një njoftimi në facebook.

Në ekspozitë, do të dominojnë materiale të Arkivit të peridhës së hetimeve, gjykimit dhe dënimit për aktivitet kombëtar të Adem Demaçit, të cilat kryesisht nuk janë ekspozuar më parë.

Ai konsiderohet  një prej figurave më të mëdha të historisë politike e kulturore kombëtare.

Adem Demaçi ka lindur më  26 shkurt 1936 dhe ka vdekur më  26 korrik 2018 /KultPlus.com

Sunny Hill cakton datat e mbajtjes së festivalit

Sunny Hill Festival ka njoftuar se festivali në kryeqytet do të mbahet më 25 – 28 korrik, shkruan KultPlus.

Lajmi është bërë i ditur përmes një njoftimi në facebook, nga faqja zyrtare e festivalit.

“RUANI DATAT!

25 – 28 korrik i përket Sunny Hill Festival 2024. Mezi po presim që ju të shihni se çfarë do të ofrojmë!”, thuhet në njoftim.

“Sunny Hill Festival”, organizohet nga këngëtarja kosovare me famë botërore, Dua Lipa dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike në trevat shqiptare.

Festivali përgjatë viteve ka sjell në vend yje nga e gjithë bota./ KultPlus.com

Premiera e shfaqjes ‘Mbretëresha e Borës’, fëmijët mbushin teatrin ‘Migjeni’

Teatri “Migjeni” e ka nisur kalendarin e aktiviteteve artistike me një shfaqje të bukur në skenën e madhe, por për më të vegjlit.

Me regji të Merita Smajës, është shfaqur sot premierë “Mbretëresha e Borës” e përshtatur nga Shegushe Bebeti dhe me një skenografi me projeksion që vjen për herë të parë në skenën e Teatrit “Migjeni” përgatitur nga Divni Gushta.

Kreu i Bashkisë Shkodër, Benet Beci shprehet se “teatri “Migjeni”, Shkodër është mbushur sot me zërat dhe emocionet e të vegjëlve, në premierën e shfaqjes “Mbretëresha e Borës”.

“Mbretëresha e Borës”, magjia e një përralle me interpretimin e Drande Xhaj, Merita Smaja, Astrit Fani, Fritz Selmani dhe Gjovalin Kolaj do të shfaqet edhe nesër në teatrin “Migjeni”./atsh/ KultPlus.com

‘Ajo’- Tregim nga Jahan Rashid

Rashid Jahan (25 gusht 1905 – 29 korrik 1952), shkrimtare indiane dhe mjeke, e njohur përe letërsinë e saj urdu dhe komentimet e mprehta sociale. Ishte po ashtu anëtare aktive e Lëvizjes Progresive të Shkrimtarëve dhe të Shoqatës teatrore të Popullit Indian. Konsiderohet njëra prej fiminstëve të para.

AJO

Nga Jahan Rashid

E takova atë herën e parë në klinikë. Njëjtë si unë, edhe ajo ishte aty për të marrë ilaçet e saj. Posa e panë, të gjitha gratë mbajtën distancën me të. Madje edhe doktori e shprehu hapur pakënaqësinë e tij duke i picërruar sytë. Pavarësisht neverisë sime, disi ia dola të shikoja drejt saj dhe të buzëqeshja, gjë që ma ktheu edhe ajo. Apo tekembramja, u përpoq ta bënte. Fytyrës së saj i mungonte hunda dhe në vend të saj kishte dy vrima të kuqe na. Po ashtu nuk e kishte njërin sy dhe kishte vështirësi të shihte me atë që i kishte mbetur pa e zgjatur qafën.

Pas pak kohe, hasa në të edhe një herë në tezgën e barnave. Ajo më pyeti me mirësjellje – “Prej nga vini? I tregova se nga, ajo i mori barnat e saj dhe u largua. Posa u largua, përzierësi i barnave ia krisi avazit të tij pa asnjë shkak – “Ajo nuk është grua e mirë. Kurvë! Një kurvë e ndyrë që po kalbet dalëngadalë derisa të vdesë. Tash ka ardhur këtu të marrë tretmanin e saj dhe doktori e ka humbur durimin duke i përshkruar barna e çka jo. Kurvën duhet ta nxjerrim jashtë shqelma!”.

Unë isha mësues në një shkollë vajzash atëkohë. Diplomuar rishtazi, shkoja me mendjen se bota ishte nën këmbët e mia dhe e ardhmja shtrihej para meje si një kopsht plot me trëndafila dhe jaseminë. Bota i ngjante një nate të freskët të ndriçuar nga hëna me një përrua që rrjedh lumnisht, nganjëherë duke gurgulluar lezetshëm dhe herave të tjera kthehej në një shatërvan të mrekullueshëm. Në këtë gjendje të lume, nuk dija gjë për trishtimin dhe dhimbjen. Mësimdhënia nuk ishte veçse një kalimkohe. Tërësia e ekzistencës nuk ishte veçse pritja e etshme e mundësive përpara meje.

Perdja e bambusë u tërhoq dhe “ajo” hyri në zyrën time. I hutuar u ngrita në këmbë dhe siç nuk e kisha zakon, e luta me mirësjellje të ulej. Fillimisht ajo u mëdysh, por u ul gjithsesi. Në dotë mbante një lule motia, të cilën e la para meje. Ndjeva një drithmë neverie teksa po e merrja, por disi e detyrova veten ta kapërceja atë ndjesi dhe e vura lulen në flokët e mia. Ajo buzëqeshi, u ngrit dhe doli jashtë dhomës.

Kjo u bë një rutinë ditore. Për çdo ditë ajo do të hynte në zyren time pas orëve të mësimit. Unë do ta lusja me mirësjellje të ulej dhe ajo do të vendoste një lule në tavolinën time. Kolegët e mi nisën të më përqeshnin. Askush s’do të ulej më në karrigen ku ishte ulur ajo. Pas së gjithash, ajo ishte njëmend e neveritshme ta shikoje. Nasebanja, zonja e vjetër e pastrimit, madje do të ankohej pasi që largohej ajo. “Ky mësuesi i ri qenka i çuditshëm, që po shoqërohet me atë zgjyrën. Pse duhet ta shpluhuros unë atë karrige?”.

Edhe drejtuesit e shkollës do të rrudhnin vetullat dhe do të vërenin “Pse po e thërret në shkollë? Prindërit s’do mend do të na pyesin pse po vjen këtu një prostitutë?”. Të nesërmen ajo do të vinte prapë dhe unë do t’i kërkoja me mirësjellje të ulej. Gradualisht ajo nisi të rrinte më gjatë, duke m’i ngulur sytë gjatë gjithë kohës. Kurrë nuk flisnim. A mos mendonte se nuk e dija të vërtetën e saj? Dhe ajo do të vazhdonte të ma ngulte atë syrin e saj gërdallë dhe atë fytyrë të shëmtuar pa hundë. Nganjëherë, dyshoja se sytë e saj ishin të mbushur deri në grykë me lot. Çka mendonte? Shpesh doja ta pyesja, po nga duhej t’ia nisja se?

Shumëherë, pra ndodhte ashtu që posa vinte ajo, kolegët e mi ngriheshin dhe largoheshin menjëherë duke më shpotitur në anglisht: “Safija, ‘ajo’ erdhi, hajt të shkojmë në bibliotekë, pa shikoje atë surrat të mallkuar!”. Disa do të thoshin: “Safija, kur e shoh atë, s’është punë më të ha bukë, më duket se do t’i nxjerr zorrët!”.

“Ajo ka zgjedhur një gjedhe se jo mahi! Numero uno në mesin e të gjithë juve, do të thosha”.

‘Ajo duhet të mbajë velin”, oshëtinte shtriga plakë që jepte mësimi religjioni.

Vazhdoja të punoja gjersa ajo m’i ngulte sytë. Më bënte të ndihesha i turbulluar. Po pse s’po m’i ndan sytë? Çfarë ka në mendje? Njëherë e një kohë, a ishte edhe ajo si unë? Shpesh rrëqethesha veç kur e mendoja.

Pse vazhdon të vijë? A nuk e di se njerëzit e urrejnë dhe neveriten nga pamja e saj e vërtetë? Qurrat e saj vazhdonin të rridhnin nga ato vrima të kuqe. Çdo ditë mendoja ta mblidhja fuqitë t’ia ndaloja të vinte në të ardhmen. Eprorët kishin të drejtë pas të gjithash dhe vajzat po ashtu kishin filluar të bartnin fjalë. Mësuesit villnin posa e shihnin. Pavarësisht kësaj, saherë që vinte, unë padashur do të llomotisja “Të lutem, ulu”.

A mos nuk ka pasqyrë ajo? A nuk e sheh se është duke paguar për mëkatin e saj? A nuk ia kanë thënë këtë të gjithë? A ka sidoqoftë ndokënd? Ku jeton ajo? Prej nga vjen? A e kupton ajo se unë e mendoj atë si një ndëshkim? Jam bërë gaz në krejt shkollën. Në të vërtetë, jam bërë objekt i përqeshjes. Sidoqoftë, për aq sa ajo do të mbajë një lule përpara meje, unë do ta vendos në flokët e mia dhe ajo do të ma dhurojë atë buzëqeshje të ngërdheshur.

Pse vazhdon të më shikojë? Kush është ajo? Kush ishte ajo? Ku ishte lindur dhe si ishte katandis kështu? A ndihet mirë kur më takon mua, apo e vuan?

Një ditë, kur doli nga dhoma ime, fryu hundën dhe i fshiu qurrat për murit. Nasebanja, që ishte duke i hedhur një shtresë të freskët dheu luleve në tabelën e nxënësve të rinj, shpërtheu me vrullin e një vajze më të re. I ra në shpinë me një dërrasë. Gruaja u trondit. Duke i harruar të gjitha etiketat të cilat i kishte grumbulluar në shkollë përgjatë njëzet vjetëve dhe në të cilat këmbëngulte në ndërveprimin me studentët, “Nasebanja e rrugës” doli në sipërfaqe. “Moj kurvë e paedukatë! Ti po merr guximin të ulesh në karrige! Ti e kishe zakon të uleshe në shesh deri dje. Tash që po të bie lëkura, po më shtiresh si zonjë?”.

Një goditje, pastaj edhe një tjetër dhe në fund një grusht. 

Vrapova dhe e kapa Nasebanen. “Po çka po bën?”, iu çora, ndërkohë që vajzat po na rrethonin. Edhe mësuesit iu bashkëngjitën skenës. Nasebanja po ziente nga zemërimi.

“Ti e ke bërë atë Mbretëreshën e mallkuar të Botës! Kjo copë ndyrësie që e ke marrë nga ujërat e zeza e ka fëlliqur murin. Kam shërbyer në këtë vend për njëzet vjet dhe kurrë s’kam parë kurva të vijnë në shkollë. S’do të rri më këtu as edhe për një sekond, merreni dikë që mund të durojë këtë”.

Nasebanja i hodhi edhe një mori akuzash asaj, por turma i doli përpara. Shkova ta ndihmoja gruan të ngrihej. Po qante me dënesë. E mora ta çoja drejt daljes. Gjaku po i rridhte nga njëra anë e kokës, por s’dukej të shqetësohej gjithaq për atë gjë. Duke i fshehur lotët para meje, murmuriti “E pra, tash e di edhe ti” dhe ia mbathi.

Përkthimi nga urduja në anglisht nga Amit Julka.

/Marrë nga “The Silence that Speakes, Short Stories by Indian Muslim Women”, Oxford Univeristy Press, 2022.

Gazeta Express/KultPlus.com

Kryeministri Kurti kujton Mon Balajn dhe Arben Xheladinin në 17-vjetorin e vrasjes së tyre

Kryeministri Albin Kurti ka kujtuar sot në 17 vjetorin e vrasjes Mon Balajn dhe Arben Xheladinin.

Kryeminstri Kurti ka thënë se vrasja e tyre ndodhi derisa Lëvizja VV po protestonte për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet dhe për shtet me demokraci.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të Kurtit në facebook:

Atë ditë, e shtunë sikurse sot, 17 vjet më parë, në të drejtën tonë, ecnim drejt ne anëtarët e VETËVENDOSJE!-s, për të drejtën e popullit për vetëvendosje, për liri me të drejta, për pavarësi me sovranitet, për shtet me demokraci. Atë 10 shkurt të vitit 2007, ne ishim në sheshin ku ishte protestuar prej dekadash: në vitin 1968, sikur edhe më pas në vitet 1981, 1988, 1989, 1990, 1991, 1997 dhe 1998. Atë të shtunë, ne ishim me mijëra trupa dhe vullnete të bashkuara për të kundërshtuar paqësisht koncesionet monoetnike të Pakos së Ahtisaarit, që ishte publikuar tetë ditë më parë, më 2 shkurt 2007.

Atë ditë, pasi gjatë ditëve paraprake e patëm kundërshtuar duke e kritikuar nëpër forume dhe debate publike, ne po e kundërshtonim me protestë paqësore decentralizimin që krijonte komuna mbi baza etnike; zonat eksterritoriale që i serbizonin manastiret dhe kishat ortodokse; shuarjen e plotë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës; përfshirjen e Kosovës në borxhin e jashtëm të Serbisë; veton jodemokratike të deputetëve me ulëse të garantuara dhe të rezervuara në Kuvendin e Kosovës; dhe vazhdimin e administrimit ndërkombëtar në Kosovë me fuqi ekzekutive mbi ne e pa llogaridhënie ndaj nesh.

Atë ditë, ne i kemi paralajmëruar pasojat e shumta për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës, të cilat ndër vite i kemi bartur dhe të cilat ndërkohë janë kthyer në shkaktarë pasojash të tjera. Atë ditë, ne ishim duke protestuar bashkë me simbolin e rezistencës të shqiptarëve të Kosovës, bacën Adem Demaçi, i cili aty deklaroi: “Kjo është rruga jonë, rruga e Kosovës”.

Dhe pikërisht atë ditë, më 10 shkurt 2007, kjo rrugë e jona, rruga e Kosovës, u mbulua nga gazi lotsjellës i hedhur nga policët e atëhershëm ndërkombëtarë të UNMIK-ut. Atë ditë, ajri i sheshit qendror të Prishtinës u mbush me tym, kurse toka e tij u mbush me plumba gome madhësish të ndryshme që u hodhën në drejtim të protestuesve, në shpërputhje me protokollet e përdorimit të tyre në turma. Gjithsej 232 plumba i goditën protestuesit, nga të cilët, dy u vranë, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, kurse 80 protestues të tjerë u plagosën rëndë dhe lehtë. Atë ditë, Moni dhe Arbeni ranë dëshmorë në shesh të kryeqytetit, ku sheshazi e bashkë po kërkonim vetëvendosje! Atë ditë, protestuesit i bartën trupat e tyre, kurse nga ajo ditë e deri sot, ne i bartim kujtimet tona për ta, në të cilat rrijnë të ngarkuara të gjitha idealet politike të përbashkëta jo vetëm të asaj dite. Atë ditë dhe në ditët në vijim e deri sot, policët ndërkombëtarë që shtinë mbi protestuesit, u mbrojtën nga imuniteti ndërkombëtar. Por si atë ditë, si sot, si nesër, askush, asnjëherë, nuk mund të ketë imunitet para drejtësisë!

Atë ditë, ne po kërkonim vetëvendosje për popullin e Kosovës, drejtësi e barazi për qytetarët e saj, si dhe republikë të mirëfilltë demokratike si shtet sovran. Atë ditë ne ishim të përcaktuar për vetëvendosje dhe demokraci, këmbëngulës për drejtësi e barazi dhe të bindur për republikë e për integritet.

Pak javë pas asaj dite të 10 shkurtit 2007, ish presidenti finlandez, emisari special i OKB-së, Martti Ahtisaari, në raportin e tij dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, e që përmbante atë pakon e tij të 2 shkurtit 2007, e shton një faqe hyrëse ku propozon “pavarësi të mbikëqyrur” si status për Kosovën.

Atë ditë, ishte 10 shkurt, sikur sot, kur 17 vite pas po e kujtojmë protestën e drejtë me kërkesat politike të saj dhe dëshmorët e asaj rruge politike që kemi ndjekur dhe e cila na ka sjellur deri këtu. Atë ditë sikur edhe sot, ne qëndrojmë në të drejtën tonë për vetëvendosje, për demokraci dhe për republikë!

Lavdi Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, mes përkujtimeve për protestën e 10 shkurtit 2007 dhe mes dëshmorëve të tjerë të kombit!/KultPlus.com

‘Meteo Giornale’: Kukësi, xhevahiri i Shqipërisë, me atraksione të paharrueshme

Qyteti i Kukësit është një xhevahir i fshehur në Shqipërinë Verilindore.

I zhytur në zemër të Shqipërisë Verilindore, në kufi me Kosovën shtrihet Kukësi, një qytet që ka arritur të fitojë zemrat e shumë udhëtarëve, italianë dhe ndërkombëtarë, shkruan Achille Mancini në një artikull të botuar në të përditshmen italiane “Meteo Giornale”.

Ky qytet magjepsës është bërë një destinacion i preferuar pushimesh gjatë viteve të fundit, falë bukurisë së tij të jashtëzakonshme piktoreske dhe historisë së tij të fuqishme dhe emocionuese.

Në vitin 2000, Kukësi⁤ i tregoi gjithë botës se çfarë do të thotë të kesh një zemër të madhe duke mirëpritur qindra mijëra refugjatë gjatë luftës së Kosovës, një gjest solidariteti aq i madh sa e bëri atë të vetmin qytet në botë të nominuar për çmimin Nobel për Paqen.

Të vizitosh Kukësin do të thotë të biesh në kontakt me⁤ një komunitet njerëzish që kanë vënë mbi gjithçka dashurinë për të tjerët.

Është një përvojë që lë një gjurmë të thellë, një udhëtim që prek shpirtin dhe ofron një perspektivë se çfarë do të thotë vërtet të jesh njeri.

Qyteti i mikpritjes

I vendosur vetëm 60 kilometra në perëndim të Tiranës, Kukësi ndodhet në breg të lumit Drin, duke ofruar pamje mahnitëse dhe një atmosferë të qetë.

Pozicioni i saj strategjik e bën atë një qendër jetike për tregtinë lokale dhe rajonale.

Megjithatë, nuk është vetëm rëndësia e tij ekonomike që e përcakton atë, por është edhe historia e tij e pasur, që daton në shekullin e XVI, e cila i jep një bukuri të veçantë.

Dokumentet historike dhe monumentet antike dëshmojnë për të kaluarën e lavdishme të qytetit, duke e bërë Kukësin një vend me interes të madh kulturor.

Me të mbërritur në qytet, do t’ju mirëpresë minarja fluturuese e xhamisë, simbol shpirtëror dhe përkushtimi, nder për mjeshtërinë shqiptare, një eksperiencë vizuale që prek shpirtin.

Jo shumë larg, ndodhet një muze, rojtar i historive dhe kujtimeve të kohëve të shkuara.

Çdo objekt i ekspozuar, çdo artefakt tregon një histori unike që përbën identitetin e këtij destinacioni.

Të paharrueshme janë rrugët e tregut piktoresk lokal, me ngjyrat e tij të ndezura, aromat tërheqëse të erëzave dhe natyrën mikpritëse të njerëzve, duke krijuar një atmosferë të gjallë, një përvojë që stimulon dhe zgjon shqisat.

Por, shpirti i këtij qyteti të mrekullueshëm ndihet edhe në rrugët e tij sugjestive, ku ndërtesat magjepsëse me një shije paksa retro zbulojnë fragmente të jetës së përditshme.

Kafenetë komode dhe një përzgjedhje e gjerë restorantesh ofrojnë gatime të shijshme të kuzhinës tradicionale shqiptare.

Atraksionet e paharrueshme në Kukës

Ndër atraksionet që nuk duhen humbur, spikasin malet madhështore të Valbonës që ngrihen mbi 2 000 metra, duke dominuar horizontin e Kukësit.

Këto male, me shkëlqimin e tyre të egër ofrojnë⁢ mundësi të pafundme për aktivitete në natyrë, duke e bërë çdo moment një aventurë të paharrueshme.

Në zemër të këtyre maleve, shpellat janë të fshehura si gurë të çmuar.

Të banuara nga njerëz që kanë zgjedhur jetën e thjeshtë dhe të vështirë të maleve, ato ofrojnë një pasqyrë magjepsëse në një realitet rural, larg ngutjes dhe nxitimit të jetës moderne.

Çdo eksplorim ofron mundësinë për t’u zhytur në një botë të nëndheshme të mrekullive natyrore.

Ju sugjerojmë gjithashtu të vizitoni liqenin e Kukësit, një idil ujor në rrëzë të malit ⁤Valbona.

Ky trup ujor i krijuar nga njeriu ofron një shumëllojshmëri të gjerë aktivitetesh në natyrë si peshkimi dhe shëtitja me varkë, duke i lejuar vizitorët të lidhen me natyrën në një mënyrë argëtuese dhe relaksuese.

Në qytet, megjithatë, Memoriali Kombëtar i Luftës qëndron si një simbol i fuqishëm i sakrificës dhe guximit.

Ky memorial, kushtuar ushtarëve të Luftës së Dytë Botërore, është një vend reflektimi dhe respekti, duke i kujtuar të gjithëve lirinë e çmuar për të cilën luftuan heronjtë.

Dhe së fundi, Kisha e Shën Gjergjit, që daton në shekullin e XVIII, është një homazh për arkitekturën dhe artin.

Kjo ndërtesë ortodokse, një nga më të vjetrat në rajon, magjeps me bukurinë dhe atmosferën e saj shpirtërore.

Kukësi është një vend magjepsës, ku çdo hap të sjell më pranë zbulimit të diçkaje të bukur, emocionuese dhe unike./atsh/KultPlus.com

Kur Musine Kokalari doktoronte në vitin 1941, ja diploma origjinale e saj (FOTO)

Një emër i spikatur i letërsisë shqiptare dhe që përfaqësonte gruan e pavarur dhe inteligjente ishte Musine Kokalari, shkruan KultPlus.

E lindur në Turqi, Musineja rikthehet me familje në Gjirokastër ku e vazhdon shkollimin deri për studimet akademike.

Studimet në Universitetin e Romës, në Itali, i kreu shkëlqyeshëm në vitin 1941. Teza e disternacionit të saj ishte “Naim Frashëri”, një studim pak i njohur, ndonse i çmuar në literaturën naimjane.

Në librin “Si lindi partia social demokrate”, Musineja kishte përshkruar pasionin e saj përgjatë përgatitjes së disteracionit të temës, duke e çmuar lartë kontributin e Naim Frashërit në letërsinë shqiptare.

“…Une u laurova më Nëntor 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe që përfaqesohej nga arbëreshi Zef Skiroi

 dhe Namik Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime te vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin per ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, te barazise, te demokracisë.
…Une e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithshka qe rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur ne botëkuptimin e thellë iluminist dhe në reformimin e parlamentarizmin që na ushqeu Sami Frasheri që në bankat e shkollës…”, kishte shkruar Kokalari.

KultPlus ua sjell pamjen origjinale të diplomës së doktoraturës së Musine Kokalarit. / KultPlus.com

Disa fraza për ekzistencën dhe vuajtjen nga Aleksandër Pushkin

Shumë prej frazave për ekzistencën nga Aleksander Pushkini, janë nxjerrë nga poezitë e tij dhe fjalët e shprehura nga personazhet në romanet e tij. Janë të gjitha shumë të bukura, të thella dhe të veçantashkruan KultPlus.

Babai i letërsisë moderne ruse ka pasur një ekzistencë të trazuar. Si për mënyrën e tij të veçantë të të parit të botës, ashtu edhe për frymën rebele që e ka dalluar gjithmonë. Për pjesën më të madhe të jetës së tij ai u interesua për politikën, më shumë për etikën e saj sesa për  ethet e pushtetit.

“Njerëzit janë shumë të ngjashëm me nënën e tyre të parë Evën: për atë që u jepet nuk janë mirënjohës e të kënaqur. Gjarpri i bind ata të shkojnë me të, drejt pemës së jetës. Ata duan të kenë frutin e ndaluar, ose parajsa nuk do të jetë parajsë për ta”.

Ky poet i madh rus pësoi persekutime të ndryshme dhe jetoi shumë vjet në internim. Pothuajse gjatë gjithë jetës së tij ai nuk njohiu qetësi. Vdiq në moshën 37 vjeç në një duel absurd, por fjalitë e tij mbi ekzistencën ende mbahen mend pas shumë shekujsh. Ja disa prej tyre.

Fraza për ekzistencën dhe vuajtjen nga Alexander Pushkin

Prodhimi i parë letrar i këtij poeti pati një ndikim të konsiderueshëm në romantizëm. Në njërën prej frazave të Aleksandr Pushkinit thuhet: “Vala e zemrës, mashtrimi magjepsës, na bën të vuajmë shumë shpejt”. Kjo frazë pasqyron frymën dramatike që karakterizoi shkrimtarët romantikë të epokës së tij.

Një citim tjetër nga autori rus pasqyron ndjenjën melankolike dhe idealiste tipike të shekullit të tetëmbëdhjetë. “Më mirë të rrimë këtu dhe të presim, mbase stuhia do të qetësohet dhe qielli do të ndriçohet, më pas ne do të jemi në gjendje të gjejmë rrugën tonë përmes yjeve”.

I huaji është i panjohuri

Pushkini u internua sepse ishte pjesë e një grupi sekret politik që ishte kundër monarkisë dhe sepse ai kishte botuar disa vargje që autoritetet i konsideronin subversive. Më vonë, edhe për shkak se në një letër personale u vetëshpall ateist.

Për të gjitha këto arsye, shumë nga fjalitë e Pushkinit për ekzistencën janë të ndërthurura me ndjesinë e të ndjerit larg, të përkatësisë në një realitet që nuk e ndjen të vetin. Një herë ai tha: “Shija e bukës së të tjerëve është e hidhur, thotë Dante, dhe shkallët e një shtëpie të huaj janë të rënda”.

Çdo gjë ka kohën e vet

Një nga temat e përsëritura në citimet e Aleksandar Pushkinit është rinia. Ndoshta sepse e kuptoi që vitet e tij rinore po kalonin shpejt për shkak të gjithë peripecive të tij, ose mbase sepse ai pa në këtë fazë të jetës më të mirën që mund të ofronte shpirti njerëzor.

Në shumë prej veprave të tij ai u drejtohet të rinjve drejtpërdrejt. Një nga frazat më të njohura thotë: “Duke parashikuar zërin e natyrës, ne nuk bëjmë asgjë, por dëmtojmë lumturinë tonë, dhe rinia e zjarrtë fluturon duke rendur pas këtij zëri”.

Realiteti nuk është gjithmonë gjëja më e mirë

Edhe pse veprat e fundit të Pushkinit kishin një ton më realist, poeti kurrë nuk e braktisi idealizmin që e karakterizonte. Ai ishte i vetëdijshëm për këtë, siç mund ta shohim në këtë thënie: “Një iluzion na lartëson më shumë se një mori të vërtetash të ulëta”. Do të thotë që është më mirë të kemi një ëndërr të madhe që na bën të rritemi, se sa shumë realitete të vogla që na bëjnë të mbetemi të mbërthyer në mediokritet.

Në një fjali tjetër ai shpreh këndvështrimin e tij më fort: “Për mua, më e dashur se shumë të vërteta të vogla, është iluzioni që lartëson”. Këtu, ai shprehet qartë se preferon ëndrrën e iluzionit në vend të zakonshmërisë.

Mbi moralin

Tema e moralit është e pranishme në tërë veprën e Pushkinit. Në veçanti, ai kritikonte falsitetin e jetës së oborrit, zakonet e kohës së tij dhe padrejtësitë e thella që pësonte populli. Për këto arsye, ai u kushtoi shumë reflektime këtyre problemeve.

Një tjetër prej frazave të tij të shkëlqyera thotë: “Klishetë morale janë shumë të dobishme kur nuk gjejmë brenda vetes sonë, justifikimet e sjelljes sonë”. Me këto fjalë ai nënvizon zakonin e disa njerëzve të gjejnë justifikime për sjelljen e tyre bazuar në idetë e të tjerëve, që merren si të mirëqena.

Aleksandar Pushkin ishte një shkrimtar i jashtëzakonshëm. Si një mendimtar, një njeri që jetoi para kohës së vet, ai vdiq i zhytur në borxhe, por në mënyrë paradoksale, ishte Cari Nikolla ai që shleu të gjitha borxhet e tij./KultPlus.com

‘Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal’

Poezi nga Azem Shkreli

Shko se furishëm po fryn në mua erë mallkimi që s’të fal.
Dhe, dije mirë, kurrë më një e një nuk bëjn’ një si thonte Hikmeti, ai farë poeti me këngë prej zjarri.

Shko merri me vete lutjet tua, edhe hijen tënde hiqe zvarrë rrugëve si gjënë e ndyrë.
Mos u kthe pas.
Mos i harro sytë e përlotur në shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
Asgjë mos thuaj.
Merri me vete gjurmët nëpër të cilat erdhe një natë më e përvuajtur se frika dhe hyre në mua.
Shko dhe bëhu fjalë e mbrame n’gojën time.
Bëhu shkrepetirë e fikur n’ylberin e shkrimit tim.
Bëhu çdo gjë pos Meje e Teje dhe asaj që e quajtëm Ne kur i zinim yjet si fluturat e ua ngjisnim nganjë emër mos ta harrojmë emrin tonë.
Shko, merri me vete edhe rrugët, të mos kthehesh kurrë në vesën e lotit të rrejshëm, gërmadhat e kujtimit t’i rrëzosh.


Shko, mbyllu në do kështjella të largëta harrimi, ku s’të zgjojnë më këmbonat e pendimit kur çmendet mallit vetmia ose kur buza buzën e han n’pikllim, që mëkatin s’e lan, që s’mundet ta shpojë Gurin e rëndë, gurin e ftohtë të ndarjes.
Shko, më mirë dhe hesht. Mos u kthe mbas.
Mos i harro sytë e përlotur n’shtekballin tim.
Mos thuaj lamtumirë.
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej blerimi n’blerim
E kur t’shkojsh larg, më larg se prej zemre në zemër
Aq larg sa ta harrosh edhe emrin tënd dhe zërin tim, fshihu prej vetes
Shkurto flokëgjatat, mate me to mendjeshkurtrën tënde dhe mos qaj.
Shko se tmerrshëm po lodrojnë sonte n’mua rrëket e gjakut të ndezur. / KultPlus.com

Musine Kokalari, shkrimtarja që vdiq e vetme, kur e zhvarrosën u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba

Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba.

Lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941. Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”.

Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”. Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua nga banda komuniste ne pushtet për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta. Dhjetë vjet më vonë, pra në vitin 1993, Presidenti i Republikës i dha pas vdekjes medaljen “Martir i Demokracisë”.

“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq më 14 gusht 1983, nga kanceri.

Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba./KultPlus.com

Atmosferë feste në Berat, nisin zbukurimet për ditën e të dashuruarve

Bashkia e Beratit ka nisur zbukurimin e qytetit për 14 shkrutin, festën e të dashuruarve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto të qendrës së qytetit të një mbi një dritareve, veshur me ngyrën simbol të festës.

Me 14 shkurt kalendari kishtar përkujton Shën Valentinin, martir, ipeshkëv i Ternit të Italisë, pajtori i të fejuarve dhe i njerëzve të dashuruar.

Në shumë vende të botës, 14 shkurti është ditë kushtuar Dashurisë.

Festa e Shën Valentinit u bën thirrje të rinjve e të gjithë njerëzve ta përgatisin zemrën për një akt kaq fisnik e të rëndësishëm të jetës, siç është dhurimi i plotë i vetes tjetrit për dashuri dhe me dashuri të përkushtuar e të pakushtëzuar./ KultPlus.com

RTSH e bën lëmsh intervistën e Dua Lipës me përkthim me titra: Pak a shumë, ju ka liruar një vidë

Këngëtarja me famë botërore, me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ia ka shpjeguar thëniet e zhargonit popullor shqiptar prezantuesit të famshëm Jimmy Kimmel, live në emisionin e tij.

Prezantuesi i famshëm kishte përgatitur disa thënie nga zhargoni popullor shqiptar, kuptimin e të cilave, donte të ia shpjegonte Dua, e cila të enjten ishte mysafire në emisionin e tij.

Videon të cilën e kemi parë dje, tashmë vjen me përkthim nga RTSH, i cili u konsiderua jo aq i mirë.

Më poshtë gjeni videon e plotë me titra./ KultPlus.com

Tentim atentat ndaj kryeministrit Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është kërcënuar me vrasje, masa të rrepta në Shkup.

Burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup, ku ka qëndruar mbrëmë.

Kryeministri Kurti, mbrëmë ka arritur në Shkup, kurse paraprakisht janë marrë të gjitha masat e sigurisë, në koordinim me institucionet e sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

RTK-së i është thënë se vlerësimet për kërcënimin e jetës së Kurtit kanë qenë serioze, veçmas duke marrë parasysh se ato kanë ardhur nga disa burime të informacionit.

“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe”, ka thënë burimi për RTK-në.

RTK ka mësuar se tashmë Kryeministri Kurti ka hyrë në Kosovë, dhe bashkëpunimi i institucioneve të sigurisë në mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka siguruar në mënyrë profesionale gjithë perimetrin e Kurtit.

Gjatë ditës, RTK do të provojë që të publikojë edhe versionin sa më të plotë të kësaj përpjekje për atentatin e mundshëm ndaj Kryeministrit Kurti. /RTK/ KultPlus.com

Kalaja e Shkodrës me maskot dhe guida të përshtatura për fëmijë

Nxënës të shkollave të mesme të qytetit të Shkodrës së bashku me specialistë të DRTK Shkodër kanë zhvilluar guidën turistike në kalanë e Rozafës, të përshtatur për fëmijë. Guida ishte mbështetur në dy komponentë: nxitjen e kreativitetit në krijimin e maskotit Geg’ që do shoqëronte turin kulturor si dhe interpretimin e guidës në gjuhën gjermane, italiane, turke dhe frënge.

Interpretimi i guidave në gjuhë të huaj në kala përmes maskotit Geg’ udhëhoqi të rinjtë në një përvojë të shkëlqyer për të mësuar më shumë për historinë, kulturën e qytetit dhe kalasë duke iu përgjigjur kuriozitetit të tyre mbi historinë e kalasë së qytetit.

DRTK Shkodër bashkëpunoi me Gjimanzin e Gjuhëve të Huaja “Shejnaze Juka” , Medresenë “Haxhi Sheh Shamia” dhe Shkollën Austriake “Peter Mahringer”, për të arritur në përshtatjen e guidave në disa gjuhë të huaja. / KultPlus.com

Bertolt Brecht si figurë në një film: Poezi, teatër dhe gra

Filmi “Brecht” i regjisorit Heinrich Breloer u shfaq për herë të parë gjatë Berlinales – dhe tani vjen në televizionin francez dhe gjerman. Filmi hedh një shikim mbi jetën e poetit Bertolt Brecht.

“Unë mendoj se ne kemi mendime të ndryshme për Brechtin,” thotë regjisori Heinrich Breloer -dhe kjo është e vërtetë. Gjatë Berlinales, festivalit të filmit që u mbajt në muajin shkurt regjisori prezantoi idetë e tij për Brechtin. Premiera botërore e filmit të tij u shfaq në ekranin e kinemasë së festivalit. Tani filmi “Brecht” do të transmetohet në televizion në Francë. Në Gjermani filmi mund të shihet fillimisht tek “Arte” dhe pak ditë më vonë tek ARD. FIlmi është një nga ngjarjet më të mëdha televizive të vitit 2019.

Brehti – fiktiv dhe real në kinema

Regjisori Heinrich Breloer shihet (bashkë me kolegun e tij që ka vdekur më 2013, Horst Königstein) si zbuluesi i dramës dokumentareske, së ashququajturës Doku – Drama, një formë e përzier me pjesë përbërëse të filmit dokumentar dhe të filmit artistik. Breloer, e ka kthyer këtë zhanër në mjeshtëri dhe ka prodhuar shumë filma mbi personalitete dhe ngjarje politike, historike dhe kulturore, që janë vlerësuar e kanë marrë çmime.

Doku- Drama vlerësohet nga specialistët për shkak të formës së saj “të hapur”, sigurisht kur kjo arrihet. Filmat tregojnë “të vërtetën” që fshihet pas fiksionit. Ose e thënë ndryshe: Ato pasurojnë filmin dokumentar nëpërmjet shtesave filmike. Kështu që nuk është çudi që Heinrich Breloer mori në dorë Bertolt Brechtin, për të bërë një film për të.

Vizioni i Brechtit për teatrinKundër iluzionit si art

Edhe Brecht ka qenë luftëtar i “formës së hapur” artistike dhe kulturës së skenografisë së inskenuar. Spektatorët nuk duhet të merren me çështjen e iluzionit. “Po ashtu si Brecht i ve aktorët të flasin për rolin e tyre, duke ua hequr iluzionin, po ashtu ky lloj distancimi luan një rol edhe në doku-drama, kur unë alteroj dokumentacionin me lojën artistike,” thotë regjisori për formën dhe përmbajtjen e filmit të tij.

Shikuesi e përjeton Brechtin për herë të parë në një doku-drama tri orëshe, gjatë periudhës së Republikës së Vajmarit, periudhë gjatë së cilës ai ngjitet mes yjeve të teatrit gjerman, fillimisht si djalë i ri në gjimnaz ku shkruan tekste jopatriotike, pastaj si poet gjeni në moshë të re, dhe më pas me pjesën “Baal” ku e inaguron veten dhe vet dhe teatrin si makinë emocionale.

“Opera për  tri groshë” kthehet në pjesë klasike të teatrit

Më pas Brecht shihet si autor i etabluar në skenë, si shkrues i pjesës “Daulle natën” dhe “Opera tregroshëshe”. Kjo e fundit kthehet në sukses shumë të madh teatral gjatë Republikës së Vajmarit. Në fund të pjesës së parë të filmit për Brehtit, shënohet viti 1933, vit kur nacionalsocialistët erdhën në pushtet dhe Brechti morri rrugën e ekzilit për në Pragë.

Pjesa e dytë e filmit e tregon poetin në periudhën e Gjermanisë së paluftës. Në Gjermaninë Lindore, Brechti vlerësohet prej disave si një nga inovatorët më të mëdhenj dhe prej disa të vjetërve shihet me sy skeptik. Heinrich Broeler, tregon në filmin e tij se Brecht ka miq dhe armiq në të dy kampet politike: tek dashamirësit dhe publiku nga njëra anë, por edhe tek burokratët dhe kujdestarët e mendimit të njëtrajtshëm socialist, nga ana tjetër.

Figurë politike e diskutueshme: Bertolt Brecht

Gjatë jetës së tij Brechti, nuk ka qenë dikush, për të cilin të gjithë kanë të njëjtin mendim, në asnjë kohë dhe në asnjë vend. Edhe në Gjermaninë Perëndimore, të orientuar nga ekonomia e tregut, Brechti ka pasur në periudhën e pasluftës si përkrahës ashtu edhe kundërshtarë të fortë, të cilët e shihnin poetin si “komunist”.

Ajo çka Heinrich Breloer nxjerr në pah në filmin dypjesësh është jeta private e lirikut, autorit të pjesëve teatrale dhe aktivistit politik. Si një zinxhir perlash, tema “Brecht dhe gratë” përshkon të 180 minutat e filmit. Poeti ndriçohet si mik i grave, dhe njeri të cilit nuk i intereson shumë morali dhe mëshira.

Tema e filmit: gratë në krah të tij

“Miqtë dhe punonjësit që e kanë parë filmin”, thotë Heinrich Breloer, mendojnë se “kur sheh filmin të bën të mendosh për #MeToo.”

Kjo është e pashmangshme. Elisabeth Hauptmann, Ruth Berlau, Marianne Zoff, Paula Banhölzer, Regine Lutz dhe aktorja Helene Weigel – e kanë shoqëruar poetin në vitet e jetës së tij. Shpesh ato jetonin paralelisht bashkë me të. Dhe të gjitha vuanin me Brehtin.

Broeler nuk e heq vëmendjen nga këto gjëra, por i ndërthur ato me njëra-tjetrën, jetën dhe veprën, dashurinë dhe finesën poetike. Megjithatë filmi “Brehti” nuk do t’u pëlqejë të gjithëve. Disa mendojnë se vështrimi në pjesën private është shumë intim, shumë personal, kaq shumë vjet pas vdekjes së poetit. Të tjerët mendojnë se filmi e ul Brechtin nga piedestali. Si thotë edhe regjisori: “Unë mendoj se ne të gjithë kemi mendime të ndryshme për Brehtin.” /KultPlus.com

Ëndërr

Poezi nga Boris Pasternak

M’u shtir vjeshta me qelqet dritëpakë,
Ti me miq në hoka e kuvende,
Dhe si fajkua, që qiejsh gjuan gjak –
Zbriti zemra në pëllëmbën tënde.

Por kalon koha, tek plaket dhe tretet,
Serm të zi korniza shtron prej zorit,
Agu që nga kopshti zbulon qelqet
Me lotët e përgjakur të shtatorit.

Por iku ajo kohë, u plak. Si akull
Mëndafsh’ i kolltukëve u brejt anash
Dhe ty, zëri t’u bor e befas heshte,
U mek ëndrra ime si jeh kambanash.

U zgjova. Ag’ i errët, si ditë vjeshte,
Dhe era merr në karro me gjithsej
Shiun ikanak prej fijesh kashte –
Kreshtat e mështeknave nëpër qiej.

1913-1928

Shqipëroi: Agron Tufa / KultPlus.com

Mbahen ligjëratat kulturore nga PEN Qendra e Kosovës në British School   

Me pjesëmarrjen e nxënësve të shkollës së mesme British School of Kosova, të studentëve të Kolegjit AAB, profesorëve,  studiuesve dhe krijuesve, të premten PEN  Qendra e Kosovës zhvilloi aktivitetin letrar, të pestin me radhë.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër projektit kulturor “Edukimi letrar dhe procesi krijues i talenteve të reja” që përkrahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.

Këtë aktivitet e moderoi profesori universitar dhe poeti, Sali Bashota, ndërsa për temat: “Letërsia përtej kufijve” dhe “Leximi dhe edukim letrar”, folën poeti Lulzim Tafa dhe poetja Naime Beqiraj.

Duke e hapur takimin, profesor Sali Bashota foli rreth projektit të PEN Qendrës dhe aktivitetet që po zhvillon kjo organizatë e shkrimtarëve të Kosovës. Në këtë vështrim ai pastaj u ndalua sidomos në procesin e krijimit artistik qoftë në prozë a në poezi dhe kërkoi nga të rinjtë e pranishëm që të mos ngurrojnë që të merren me shkrime letrare.

Bashota në vazhdim foli për nevojën e leximit si parakusht për krijimtari të mirëfilltë të krijuesve të ardhshëm.

Duke folur për “Letërsinë përtej kufijve”, Lulzim Tafa, përmendi rëndësinë që ka përkthimi letrar për popullarizim të letërsisë. Në këtë kontekst ai përmendi fenomenin Kadare për të cilin tha se pa Jusuf Bej Vrionin, Ismail Kadare nuk do të ishte ky që është tash edhe në letërsinë botërore e jo vetëm në letërsinë shqipe.

Tafa foli edhe për përvojën e vet krijuese dhe për përkthimet që poezia e tij ka pasur dhe ka nëpër botë.

“Poezia është e vështirë të përkthehet dhe poezinë duhet ta përkthejnë vetëm poetët”, tha Tafa duke theksuar se poezia është emocion, përçuese e ndjenjave.

Poeti Tafa u shpreh kundër përkthimit kuantitativ dhe u angazhua për përkthimin kualitativ. Në fund Tafa tregoi edhe kur ka filluar të shkruajë së pari dhe në fund përmendi edhe poetët e vet favoritë shqiptarë por edhe të botës.

Në temën “Leximi dhe edukimi letar”, poetja Naime Beqiraj tregoi se kur kishte filluar të punonte në shkollën “British School of Kosova”, së pari kishte kërkuar të shihte bibliotekën për të cilën tha se ishte e pasur me vepra me poezi, porse aty mungonin romanet. Pastaj ajo tregoi për mungesën e dëshirës për lexim të nxënësve, e cila, tha poetja, me kohë u kthye dhe nxënësit u bënë lexues të zellshëm e të etshëm. 

“Dhe vjen një ditë e një email nga një nënë që më gëzoi: Faleminderit profesoreshë që i hoqe vajzës sime ipadin nga duart dhe i dhe librin”, tha Beqiraj duke dhënë edhe shumë shembuj nga leximet pasionante të nxënësve. Poetja Beqiraj inkuaroi të rinjtë të lexojnë e të shkruajnë, sepse, tha ajo, vetëm shkrimi mbetet gjatë. 

Në vazhdim disa nga pjesëmarrësit shtruan pyetje të shumta për librin, botuesin dhe krijimtarinë. Përgjigjet në pyetje ata i morën nga panelistët Bashota, Tafaj e Beqiraj.

Në fund anëtarë të PEN Qendrës së Kosovës për pjesëmarrës dhuruan libra autorialë. / KultPlus.com

Le të flasin njerëzit për vetën e tyre

Ese mbi filozofinë dhe mendimet e Jean-Jacques Rousseau

“Le të flasin njerëzit për vetën e tyre” nga Christopher Bertram*

Përmendjuni Jean-Jacques Rousseauin disa liberalve e libertarianve, universi mendor i së cilëve është i pajisur me tregje të lira, të drejta individuale dhe shkencë evolucionare, dhe shpesh do t’iu thuhet se ai qe një mashtrues, një hipokrit dhe i çmendur, zbrazëtia e mendimit të së cilit tejkalohet vetëm nga shthurja e karakterit të tij. Gjatë Luftës së Ftohtë, ky reagim me shumë gjasë do të shoqërohej nga një akuzë tjetër: se Rousseaui ishte stërgjyshi intelektual i totalitarizmit, se krimet e së Majtës, që nga Terrori i Madh e te Gulagu, rezultojnë nga idetë e tij. Intelektualisht, urryesit e Rousseauit shpesh e shohin atë si paraardhës të armiqësisë iracionale ndaj shkencës dhe “progresit”, sikur të ishte disi fajtor si për postmodernizmin ashtu edhe për kundërshtinë e mpiksur ndaj energjisë bërthamore dhe të korrave të GMsë. Kështu, Rousseau na bëhet personifikim jokoherent i të gjithë kundërshtarëve të shoqërisë shekullare liberale dhe komerciale.

Në anën tjetër, ka prej tyre të cilët e duan Rousseauin, që e shohin si një mendimtar me aftësinë e depërtimit në premtimet e rreme të modernitetit dhe si udhërrëfyes dhe shoqërues në lidhje me atë se si të jetohet mirë, apo të paktën si të mbijetohet, në një shoqëri të pllakosur nga koprracia, gara dhe statusi. Kjo, përkundër asaj që ai ishte një burrë jashtëzakonisht i vërshtirë për t’u marrë me të, një shok i paarsyeshëm dhe kopriçoz, dhe një mizogjin i cili tjetërsonte pothuajse çdokë që e donte dhe që kujdesej për të. Këto ekstreme duken edhe më të çuditshme kur kujtojmë se Rousseaui nuk mbajti ndonjë post politik, se ai veçse shkruante libra, letra dhe muzikë. Ai ishte totalisht i panjohur deri në moshë të mesme dhe, pas një periudhë të shkurtër të famës së madhe, ai vdiq në rrethana të errëta dhe i varfër. Gabimet e tij, çmenduria e tij dhe ndonjëherë veprimet e tij të rënda të mërisë dhe mosfalenderimit, të përmendura shpesh nga armiqë e tij, dhe në të shumtën e rasteve, të pranuara prej vet atij, nuk e veçojnë atë si një prej monstrave të historisë.

Kalimi i kohës e bën këtë poashtu të veçantë. Rousseau u lind para 300 vjetësh (më 28 qershor). Publiku vështirë se mban mend dikë për një kohë aq të gjatë, prapë se prapë Rousseaui vazhdon të inspirojë, të gjenerojë konferenca të pafundme akademike, biografi, dhe studime kritike në shumë disciplina. Ai ka inspiruar romane siç është Rrëfimet e Reja [The New Confessions] të William Boyd.

Falë shkrimeve të tij autobiografike, faktet e jetës së Rousseauit janë të njohura mirë. Pas vdekjes së të ëmës gjatë lindjes së tij në Zhenevë, Jean-Jacques u edukua nga i ati, qytetar si dhe një patriot zhenevas dhe rastësisht mësoi për historianët romakë.

Por kur ishte vetëm dhjetë vjeç, i ati u largua për t’iu shmangur një procesi gjyqësor, dhe në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, kur po kalonte një jetë të mjerueshme si shegert i një gdhendësi, ai hoqi dorë nga qyteti, për t’u kthyer vetëm për vizita të rralla.

Deri më 1749, ekzili, pas një jete të larmishme si dashnor i një aristokrate, si shërbëtor, muzikant shëtitës, tutor i fëmijëve të aristokracisë dhe, disi pakënaqshëm, si sekretar i ambasadorit francez në Venedik, ai qe një vizitor i padalluar në salonet e Iluminizmit që frekunetoheshin prej Denis Diderotsë dhe qarkut të tij. Atë vit, rrugës për të vizituar të burgosurin e përkohshëm Diderot, Rousseaui thotë të ketë pasur një lloj epifanie. Me të lexuar rreth një gare letrare të organizuar nga Akademia e Dizhonit, Rousseaui u ballafaqua me pyetjen se a kuntribuonin artet dhe shkencat moralit a jo? Ishte atëherë, thotë ai, që atij i erdh teza disi e errët qendrore e filozofisë së tij: se njeriu është i mirë për nga natyra, por i koruptuar nga shoqëria. Duke arnuar këtë mendim së bashku me disa pasazhe gjysëm të kopjuara nga Montesquieu, Rousseaui përmblodhi Diskursin mbi Shkencat dhe Artet [Discourse on the Sciences and the Arts], që i fitoi çmimin dhe i siguroi famën.

U nis një karierë që do ta shihte Rousseauin të zhvillonte ndjeshmërinë e tij të natyrshme muzikore, tekstet klasike që i kishte lexuar me të atin, shkencat e reja humane që i konsumoi si tutor, dhe krenarinë e tij republikane Zhenevase në një konceptim të dalluar të njerëzimit, shoqërisë, jetës së mirë dhe vetes. Së bashku me shkrimet e tij mbi politikën, ai do të jepte kontribut të çmuar në letërsi, në opera dhe muzikë, në edukim, fe dhe në studimin e gjuhës, antropologjisë dhe autobiografisë, dhe madje edhe në botanikë. (Natyra ndërdisciplinare e arritjeve të Rousseauit shpërfaqet shumë mirë në librin Rousseau dhe Liria [Rousseau and Freedom] të Christie McDonaldit dhe Stanley Hoffmannit, ku çështjet standard të politikës dhe filozofisë lidhen me interesat e Rousseauit për teatron, muzikën dhe historinë.)

Damari më i dalluar që e përshkon veprën e tij, është pyetja, se si të kënaqen nevojat tona më bazikë për liri dhe njohje në një botë të ndërvarësisë. Rousseaui qe i fiksuar pas idesë se përderisa nevojat tona shumëzohen përtej pikës ku ne do të mund t’i plotësonim ato duke përdorur forcat tona të natyrshme, ne jemi bërë të varur nga bashkëpunimi me të tjerët për të marrë atë që duam, një temë që eksplorohet në mënyrën më të spikatur te Diskursi mbi Pabarazinë [Discourse on Inequality].Varësia te të tjerët ndjell një deformim në vete përderisa njerëzit shndërrohen në personazhe të cilët ata besojnë se të tjerët do t’i shohin si joshës apo të dobishëm. Por ne të gjithë po e luajmë këtë lojë së bashku, dhe ndjenja se dashuria dhe respekti që na japin të tjerët mund të jetë e shtirur për arsye instrumentale, një ndjenjë që merr mbështetje nga ajo çfarë bëjmë vet ne për t’i nënshtruar të tjerët ndaj vullnetit tonë, shkakton një sens të thellë ankthi dhe ndjenja të krenarisë, kotësisë, tërbimit, përbuzjes, vetë-urrjetjes dhe xhelozisë. Ne përfshihemi me të tjerët jo ashtu siç “jemi në të vërtetë” por përmes një loje pambarimisht rekursive të besimeve rreth asaj se çfarë besojnë të tjerët, një lojë që përforcon hierarkitë e shtypjes dhe dominimit. Këto forca të fuqishme na socializojnë dhe izolojnë njëkohësisht, duke na shtyrë që të ndrydhim ndjeshmërinë tonë të natyrshme ndaj vuajtjes së të tjerëve dhe që të zhvillojmë racionalizime të elaboruara për të arsyetuar pushtetin dhe pozitën që marrin formën e ideologjive politike dhe kodeve morale.

Pa dyshim se pikëpamja e Rousseauit për modernitetin është tepër distopiane. Kritikët kanë qenë shumë të shpejtë të gjejnë burimin e fiksimit të tij me opinionin dhe varësinë ndaj sëmundjes së tij mendore. Megjithatë, Rousseaui gjithsesi ka të drejtë të ketë identifikuar këtë tension mes aspiratës për autonomi dhe varësisë ndaj zgjedhjeve dhe opinioneve të të tjerëve si njërin prej problemeve kyçe të jetës modern: manifestimi i tij i fundit është varësia e jetës së shumë njerëzve ndaj opinioneve të paqëndrueshme të tregtarëve të bonove dhe përpjekve të dëshpëruara të politikanëve për të inspiruar “besim” në ekonomitë e tyre. Në të këto çështje, Rousseaui është paraardhës edhe i Marksit edhe i ekzistencializmit.

Përgjigjja e Rousseauit ndaj këtyre çështjeve është shpesh dorëheqja dhe pesimizmi. Në një disponim më konstruktiv, ai u përpoq të mendonte për mënyrat e përballimit. Te Kontrata Shoqërore [The Social Contract] ai u mor me idenë se a mundet që liria dhe ndërvarësia të arrihen përmes politikës. Te Emile: ose, Mbi Edukimin, ai shikonte se si mund të edukohej një fëmijë për të rezistuar deformimet e modernitetit. Aty, ai shtyn përpara një ideal të cilin sot do ta quanim edukim të përqendruar te fëmija [child-centred education], në të cilin nxënësi inkurajohet që të mesojë përmes një program të strukturuar me kujdes të zbulimeve në dukje spontane, të cilat e lënë atë të sigurtë në kuptimin e fuqive dhe aftësive të tij dhe rjedhimisht mospërfillës ndaj korupsionit të opinionit. Komanda, mësimi i rutinës, e madje edhe librat janë të huaj për këtë metodë pedagogjike. Mësuesi e lë fëmijën të zbulojë gjërat për veten e tij: por është gjithmonë i vëmendshëm që të shtrojë rrugën e duhur përmes sugjerimeve të arsyeshme. Natyrisht se ka shumë më tepër se kaq te Emile; ai poashtu përmban reflektimet më të sofistikuara të Rousseauit mbi psikologjinë dhe emocionet, shpërfaq mizogjininë e tij më ekstreme dhe shndërrohet në një lloj romani. Për fat të vetë karierës së Rousseauit, libri përmban aq profanime fetare sa ta bëjnë të dënohet në Paris dhe Zhenevë dhe të ndiqet për në ekzil në Stafordshajër.

Por ky është një manual edukimi që ka ndjellë interesim më së shumti, dhe rezistencë. Brenda një viti pas botimit, Emile u ndesh me gjykime të rrepta nga kritikët – shumë prej tyre të përshpirtnuar nga mendimi se fëmijët të cilët mësojnë që të mendojnë për veten e tyre mund të gjenerojnë pikëpamje skeptike ndaj ortodoksisë fetare dhe politike. Më i rëndësishmi nga ta ishte H.S. Gerdil, Anti-Emile i së cilit u shfaq vitin që pasoi.

Edhe pse ka shumëçka te Emile për të ngazëllyer urryesit e Rousseauit, është vërtet politika, siç deklarohet te Kontrata Shoqërore, që shpjegon pjesën tjetër të armiqësisë – veçanërisht kur ndërlidhet me ndikimin që Rousseau perceptohet të ketë pasur mbi Revolucionin Francez dhe ngritjen në pushtet të njerëzve të cilët deklaruan se qenë ndikuar drejptërdrejt prej Rousseauit. Kur, në vitin 1794, revolucionarët ri-internuar Rousseauin në Pantheon së bashku me armikun e tij të përbetuar Voltaire, si inspirues të përbashkët të republikës së virtytit, ata betonuan një asociacion mes tyre dhe zhenevasit, që i rezistoi kohës. Revolucioni dhe luftërat që pasuan sollën ankth te klasat sunduese në Evropë, ku shumë prej francezëve kishin pësuar shpronësim, zhvendosje dhe prerje kokash. Reagimi intelektual që pasoi qe i detyruar që të kërkonte zanafillat idelogjike të katastrofës dhe Rousseaui, i cili pat argumentuar për sovranitetin e patjetërsueshëm të popullit, qe një figurë e qartë për t’u fajësuar. Për më tepër, shumë prej formulimeve më të gjalla të Kontratës Shoqërore, siç është argument se qytetarët që sforcohen që t’i binden “vullnetit të përgjithshëm” janë prandaj “të detyruar që të jenë të lirë”, ofrojnë një lidhje sipërfaqësore mes lapsit të Jean-Jacquesut dhe aktualiteteve ekstatike të Jakobinizmit.

Vetë politika e Rousseauit, posaçërisht ndaj vendlindjes së tij, qe disi e moderuar dhe pajtuese të paktën deri atëherë kur edhe aty u dënua Kontrata Shoqërore. Zheneva, edhe pse e përqafonte vetëm nominalisht idealin e sovranitetit popullor, qe në fakt një oligarki fisnikësh, edhe pse qytetarët e saj provuan që të merrnin të drejtët të cilat mendonin se ishin të tyre përgjatë episodëve të ndryshëm në shekullin e 18-të. Baba Rousseaui kishte futur në mendjen e të birit një lidhje sentimentale me idealin e një Zheneve të bashkuar dhe ai mund të ketë mashtruar veten disi për sa i përket realitetit oligarkik. Kur do ta kujtonte më vonë një vizitë qytetit në vitet 1730, frymëzimi i supozuar për dhunën e mëvonshme revolucionare e bëri të qartë tmerrin e tij ndaj prospektit të gjakderdhjes për qëllime politike. Edhe kur doktrinat republikane të Kontratës Shoqëore e ktheu Rousseauin në një armik dhe viktimë të sunduesve të Zhenevës, ai vazhdoi të mbronte disa prej kompromiseve kushtetuese që ngjeshnin pushtetin e tyre, dhe ndërsa ai e simpatizonte disi partinë popullore në konfliktet e brendshme të qytetit, ai kurr nuk mbështeti dhënien e së drejtës së votimit për shumicën, a madje as për popullatën mashkullore të Zhenevës.

Në filozofinë politike, Rousseaui është dëshmuar si i pa-asimilueshëm për çfarëdo shkolle konvencionale. Ai është edhe pararendës i Kantit dhe një mendimtar me rrënjë të forta natyraliste, që shqyrton lidhjet mes natyrave tona morale dhe kafshërore. Totalitari Rousseau, i dënuar nga shkollarët liberalë e konzervativë të Luftës së Ftohtë, ko-ekziston me liberalin Rousseau, paraardhësin e largët të teorisë së drejtësisë të John Rawls-it, një Rousseau, qytetarët e së cilit komunikojnë me njëri tjetrin përmes identitetit të tyre të përbashkët politik në terma të cilat abstrahojnë prej dallimeve të tyre rrëfyese. Është edhe Rousseaui, kritiku i tjetërsimit, eksploatimit dhe pronës private, por gjithashtu teoricieni dialektik i historisë, i cili parashikon temat e tilla te Marksi. Është edhe Rousseaui habermasian i cili kërkon ringjalljen e frymës tonë demokratike. Komunitarët mund të frymëzohen nga vlerat e përbashkëta që ndërtojnë identetin e qytetarëve dhe të cilat ata i riafirmojnë në lojëra dhe festival. Dhe rigjallërimi i interesimit për republikanizmin klasik, i nisur nga Quentin Skinner dhe Philip Pettit, mund të gjejë jehonë në ngulmimin e Rousseauit se rendi politik duhet të çlirojë individët nga varësia ndaj vullneteve arbitrare të bashkëqytetarëve të tyre.

Ndryshe nga pikëpamja e përhapur që e sheh atë si primitivist, Rousseaui e dinte se s’ishte e mundur që thjesht të ktheheshe te natyra. Ndërvarësia njerëzore është një fakt dhe ne duhet të gjejmë mënyra për ta bërë këtë fakt të përputhshëm me nevojat tona bazike njerëzore. Te Kontrata Shoqërore, i ballafaquar me këtë, ai na thotë: se o duhet të ndryshojmë mënyrën e të qenit, o do të tretemi. Por zgjidhja që ofron vet Rousseaui, një qytet-shtet i vogël e i pavarur, dukej jopraktik edhe atëbotë. Kjo edhe më shumë kur problemet që tash kërcënojnë ekzistencën e njerëzimit janë në shkallë globale dhe kështu kërkojnë një lloj të qeverisjes globale. Që të adresohen këto probleme në mënyra që përputhen me lirinë dhe barazinë e qenieve njerëzore, mund të jetë një problem i pazgjidhshëm, por gjetja e mënyrës për të mbledhur së bashku në mënyrë të cilat respektojnë, në vend se të minojnë, natyrën tonë si qenie të lira dhe të barabarta, është një sfidë me të cilën përballemi. Prandaj edhe interesim për Rousseauin vazhdon edhe pas 300 vjetësh.

*Christopher Bertram është profesor i filozofisë sociale dhe politike në Universitetin e Bristolit. Përvec Rousseau-it, ai hulumton në temat si teoritë modern të kontratave sociale, teori të drejtësisë, dhe justifikimet publike. Libri i tij Rousseau-i dhe Kontrata Sociale u botuat më 2003 nga Routledge Philosophy Guidebooks.

Artikulli origjinal në The Times Literary Supplement:

https://www.the-tls.co.uk/articles/public/let-the-people-speak-for-themselves/

Përktheu: Bardhi Bakija / KultPlus.com

Aleksandër Pushkini, poeti rus që u vra në duel për çështje nderi

Po e përkujtojmë sot në 187 vjetorin e vdekjes, poetin Aleksandër Pushkin, shkruan KultPlus.

Aleksandër Sergejevic Pushkini lindi në Moskë më 6 qershor 1799 në një familje oborrtare.

Më 1811 u regjistrua në një lice ku mësonin fëmijët e Aristokracisë Peterburgase. Ambienti ne lice la gjurmë të pashlyeshme në mendjen dhe zemrën e djaloshit. Mjedisi aty ishte i pasur me idetë e anti-carizmit. Që në moshë të vogël ai shkroi vjershat e para lirike për gëzimet e jetës, për dashurinë, për miqësinë dhe për natyrën. U bë i njohur me odën “Liria”, poezitë “Cadajevit” dhe “Fshati”. Poezia e Pushkinit u ndalua nga censura cariste, por ajo u përhap dorë më dorë në qarqet përparimtare.

Popullaritetin e poetit anti-carist të gjithë sundimtarët e kishin halë në sy. Intrigat dhe shpifjet arritën kulmin kur poeti pa i mbushur akoma të 38-at. Kështu, një nga poetët më të mëdhenj të Rusisë u vra në duel për çështje nderi, më 10 shkurt 1837./ KultPlus.com

19 vjet nga vdekja e e Arthur Miller, dramaturgu i njohur amerikan

Artur Milleri i lindur në Nju Jork, vije nga një familje hebreje austriake që ishin mërguar në ShBA. Familja e tij humbi pasurin gjatë viteve të krizës ekonomike botërore. Nga viti 1934, Milleri studioj publicistiken dhe gjuhen dhe literaturën angleze pranë Universitetit të Miçigenit. Krahas studimeve ai punojë ndër të tjera edhe si reporter dhe ndihmës në labor. Pas përfundimit të studimeve më 1938, Milleri shkroi pjesë për dëgjim dhe pjesë aktrimi.

Më 1945 doli romani i tij Pika Kyçe i cili e bëri të njohur Millerin si tregimtar. Shpërthimin si dramaturg i solli drama e tij Të Gjithë Bijtë E Mij (1947): Një fabrikat makinash me dijeni dërgonte pjesë rezeve të prishura për forcat ajrore, dhe në këtë mënyrë shkakton rrëzimin e 21 avionëve dhe vdekjen e njësiteve ushtarake në to. vetëm vetëvrasja e të birit të tij shkakton që edhe ky të ndiejë vetën përgjegjës për të tjerët. Më 1949, Milleri arrin sukses botërorë me Vdekja e Tregtarit Udhëtar.

Në dramën e tij Shikimi Prej Urës (1955) ai tematizonë ngjarjen e xhelozisë në mileun italiano-amerikan të qarkut të limani të Nju Jorkut nën urën e Bruklinit. Ndërsa pjesa e tij Kujtimi Në Dy Të Hënat (1955) paraqet botën moderne të punishteve. Nga mesi i viteve 50-ta, Milleri citohet nga senatori Mek Karti (McCarth) iKomiteut për sjellje jo amerikane, dhe denucohet si mik i komunistëve. Një padi në të holla dhe burgim e ngrehur për shkak të mos pranimit që të fliste më vonë u tërhoq.

Më 1956 Milleri për herë të dytë martohet, këtë herë me Merlin Monron (Marilyn Monroe); për atë, ky shkroi më 1959 librin e filmit të Gjon Hustonit (John Huston) I Pashoqërueshëm (1961) – filmi i fundit si për Merlin Monron po ashtu edhe për Klark Gablesin (Clark Gables). Në dramën Pas Mëkatit (1964), Milleri lëkundet për përkushtimet qendrore të tij, pyetja e fajit dhe përgjegjësisë së individit dhe shoqërisë.

Figura e avokatit merret si pasqyrë vetëfigurimit të Millerit, me figurën Magi ai portretronë ish gruan e tij tani më të vdekur Merlin Monron. Në dramën Çmimi (1968) Milleri demonstron se si shkatërrohen marrëdhëniet njerëzore nëpërmjet këmbënguljes së arritjes së qëllimeve ekonomike egoiste. Më 1983, Milleri inskenon në Pekin në teatrin popullor me aktor kinez pjesën Vdekja e Tregtarit Udhëtar. Rreth kësaj pune ai ka botuar një ditarë. Përkrahë Tenesi Uiliamit (Tennesse Williams), Milleri merret si përfaqësuesi më i rëndësishëm i realizmit psikologjik amerikanë. / KultPlus.com

86 vjet nga lindja e Azem Shkrelit

Azem Shkrelí ishte një poet e kritik letrar shqiptar. Ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja. Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezisë shqipe të pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim “Zogj dhe gurë”, botuar më 1997. Vdiq në pranverën e vitit 1997.

Librat e tij me të njohur me poezi janë: Bulzat, Engjujt e rrugëve, E di një fjalë prej guri, Nga bibla e heshtjes, Pagëzimi i fjalës, Nata e papagajve , “Lirikë me shi, Zogj dhe gurë. Ndërsa në prozë ai shquhet sidomos me romanin e tij “Karvani i bardhë”.

Azem Shkreli u ngjit në maje të letrave shqipe dhe vazhdon të mbetet i tillë falë thesarit që ka lënë si pjesë e letërsisë shqipe. / KultPlus.com

‘Dashuritë e mëdha duke qeshur fillojnë si dhe vetë komeditë’ (VIDEO)

Pirro Cako dhe Elsa Lila kohë më parë kishin publikuar këngën “Diferenca je ti”, e cila shpejt u shndrrua në një hit të kohës, shkruan KultPlus.

KultPlus këtu ju sjell tekstin si dhe videon e kësaj kënge e cila vazhdon të dëgjohet edhe sot nga adhurues të baladave:

Ajri ka filluar prapë të mungojë në dhomën time
Një ndjesi e re shtrëngon në kraharor
Por unë s´kam ndermend te vuaj
Të premtoj e shtrenjta ime
Dhe pse e pranoj cdo dite per ty mendoj

Si guxove pa me njojtur
Te me puthje ate nate
Une kam patur frike gjithmone dhe nga shakate
Ky veprim aq diabolik
Si sheqer u fut ne gjak
dhe qelizat mi helmoj pak nga pak

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
derisa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj
une i gjalle nga kjo dreq histori?
Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti

Une per ty jam thjesht momenti
Nuk jam Zoti jam njeri
Perjetsine, nuk e pranoj dot pa kufi
Por nuk vuaj nga manite,
Me mjafton nje buzeqeshje
Dhe pse te pergjoj cdo dite,
cdo nate ne heshtje.

Nuk me vjen asnje mesazh
Kam filluar te verbohem
Qe kur s´ta degjoj me zerin po trishtohem
Nuk te lut askush te rrish
Nuk te ngut njeri te shkosh
Vec jepi vetes me shume kohe te me kuptosh

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
dersa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj
une i gjalle nga kjo dreq histori
Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti

Dashurite pak a shume jane te gjitha njesoj
diferenca je ti
Parandjenja me thote mos te pres sa te vdes
ta provoj kete ndjesi
Vetem se kam shume frike te shpetoj une i gjalle
nga kjo dreq histori
Kur e di ti je gjaku qe rrjedh brenda ne trupin tim

Dashurite e medha duke qeshur fillojne si dhe vete komedite
Pastaj qajne papushim
dersa vdesin ne fund
si te gjithe tragjedite

A do mundem te dal te shpetoj une i gjalle nga kjo dreq histori?

Kur e di fare mire ti je vjeshta e arte
Kur e di fare mire ti je dimri me shi

Kur e di diferenca per mua je ti!
Kur e di fare mire diferenca je ti!
Je vetem ti!/ KultPlus.com

Created by Codegena.