Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu sot mirënjohjen ndaj piktorit Skënder Kamberi, i cili feston 85 vjetorin e lindjes.
“Një jetë e dedikuar artit, e mbushur me penelata e plot ngjyra, sot Skënder Kamberi feston 85-vjetorin e tij të lindjes”, shkruan Gonxhja në urimin e tij.
“Në këtë ditë të veçantë, shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e një prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, në veprat e të cilit spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur, Vlorën”, theksoi Gonxhja
“Galeria Kombëtare e Arteve në koleksionin e saj mban disa punime të Skënder Kamberit, arti i të cilit kapërceu kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Egjipt, Francë, Angli, Turqi, Itali, Greqi etj”, nënvizoi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Sami Frashëri është një nga persoanlitetet e shquara të botës shqiptare.
Ai përpos që konsiderohet udhëheqës ideologjik, konsiderohet edhe një nga figurat kyqe të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Samiu ishte vëllau i vogël i dy atdhedashësve të mëdhenjë gjithashtu, Naim Frashërit dhe Abyl Frashërit.
Më posht gjeni disa nga thëniet e tij plotë urtësi:
· Një komb që nuk është në gjendje të dallojë lirinë nga robëria, është një fëmijë që ka nevojë të vazhdojë në shkollën foshnjore.
· Edukimi nuk është për ta zhveshur njeriun nga natyra, por për të ushqyer moralin e tij brenda natyrës së tij.
· Edukimi nuk humb te njeriu me mendje dhe zgjuarësi të kufizuar, por mendja dhe zgjuarësia humbin te njeriu i paedukuar.
· Edukata shumëherë i ngjan velit, i mbulon të metat e njeriut, por nuk i zhduk.
· Edukata është një petk që do ta veshë njeriun derisa do të jetë gjallë, prandaj duhet pasur kujdes që të jetë sa më e përsosur.
· Edukimi e mund natyrën, sepse e pastron zemrën e njeriut nga veset e liga, që ka vendosur natyra, dhe e mbush me veti të mira.
· Edukatë në bashkëbisedim nuk është vetëm të flasësh fjalë të mira, është konditë të mos flasësh fjalë të ligë dhe të mos e lesh tjetrin ta thotë.
· Ajo që qeveris botën nuk është as forca, as ligji, por është mirësjellja dhe edukata.
· Dituria dhe shkenca i jep njeriut një armë në dorë, edukata e stërvit në përdorimin e asaj arme. Njeriu që nuk është i zoti të përdorë armën, po t’i jipet në dorë mund të vrasë shokët e vet; edhe një dijetar pa edukatë dhe me vese të liga, me diturinë e tij dëmton veten dhe të tjerët.
· Edukata është një nevojë ashtu si drita dhe ashtu si bëhet errësirë në atë vend që nuk ka dritë po ashtu aty ku nuk ka edukim nuk ka as edukatë.
· Përhapja e diturive në popull duhet të bëhet nëpërmjet thjeshtëzimit të shkencës.
· Mendja e një kombi është arsimi, zemra e tij, morali i përgjithshëm.
· Arsimi dhe qytetërimi i ngjajnë diellit që kur lind ndriçon vetëm majat e maleve të larta me një dritë të zbetë por pa shkuar gjatë i forcohet drita dhe nga shkëlqimi i tij përfitojnë përrenjtë më të thellë dhe fushat e luginat.
· Mendimet e larta gjenden në fjalë të shkurtëra.
· Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.
· Detyra jonë kryesore ndaj njerëzisë është të studiojmë dhe të mësojmë (të tjerët) pa u mërzitur.
· Në vend që të shesësh dituri dhe zotësi, përpiqu t’i fitosh ato.
· Më parë se për pasurinë, mjeshtërinë dhe tregtinë e një bashkësie (njerëzore), duhet menduar për edukimin e saj, sepse edukata e mirë është baza e bashkësive njerëzore.
· Njeriu mirret me dituri dhe me shkencë gjatë gjithë jetës së tij. Në fëmijëri i mëson ato, në rini i vë në zbatim e në pleqëri mëson të tjerët.
· Njerëzit janë të njejtë para natyrës, edukata i bën të dallohen (njëri nga tjetri).
· Njeriu me sa të rrojë më shumë sheh dhe më shumë mëson.
· Njeriu në të njëjtën kohë është edhe nxënës edhe mësues.
· Duhen shumë mend që të mund të shoqërohesh me njerëz pa mend.
· Sikundër që trupi ka nevojë për pastërti ashtu edhe shpirti për arsim.
· Si flaka e shkrepsës me kokë poshtë, që është më e fortë, ashtu edhe virtytet e dijetarit të rënë në fatkeqësi duken më qartë.
· Shërbimin që bën arsimi për përmirësimin e një kombi, ligji s’mund ta bëjë kurrë.
· Dituria është e gjatë, jeta e shkurtër.
· Njeriu duhet të përpiqet të mësojë çdo gjë, jo të tregojë veten e tij.
· Ato çka di njeriu, në krahasim me çka nuk di, janë kurgjë.
· S’mund të njihet për dijetar askush, pos atij që mposht epshin e vet.
· Dijetar (filozof) është ai që i përshtatet puna fjalës së tij e fjala opinionit të tij.
· Zgjuarësia është një dritë hyjnore, ndriçimi i së cilës ndrit jo vetëm sipërfaqen e sendeve, por edhe brendinë e tyre.
· Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërimin e dhëndrit të tij.
· Një komb endacak me moral të shëndoshë është një mijë herë më i pëlqyer se një komb i qytetëruar me moral të prishur.
· Dijetari (filozofi) nuk ndjek çdo zakon të vendit të tij, por përpiqet për zhdukjen e zakoneve të liga të bashkëkombësve të tij.
· Dajaku e bën të paedukuar njeriun e edukuar; të paedukuarit ia shton edhe më shumë atë.
· Grada e qytetërisë dhe e moralit të një populli kuptohet nga këngët dhe lojërat e tij.
· Gjithësecili dëshiron t’i shohë njerëzit e mëdhenj, por më mirë është të shohësh veprat e tyre, d.m.th. të shohësh ata vetë, sepse idetë e tyre s’kuptohen nga fytyrat e tyre, por dallohen nga veprat e tyre.
· Mos e qorto atë që ka rënë në greminë pse nuk i dëgjoi këshillat tuaja, as mos e këshillo përsëri. Po e nxorre nga gremina që ka rënë, atëherë ai panon këshillat e tua.
· Mendojmë se njeriu vdes dhe shkon, mirëpo të vdekurit janë ata që edukojnë fëmijët tanë, që na mësojnë dituritë dhe shkencat, kur marrim në dorë një libër dhe e lexojmë në vetmi në një çip dhe, sipas rastit, ata na bëjnë të qeshim apo të qajmë.
· Biseda lind nga mendimi; biseda pa mendim nuk eshtë bisedë, është grindje.
· Ai që pranon këshilla, është më i madh se ai që jep, sepse, sa lehtë është të japësh këshilla. aq rëndë është t’i pranosh.
· Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.
· Ai që nuk është në gjendje të ecë në rrugë të sheshtë, mos e shtrëngo t’i ngjitet malit.
· Aq sa ka nevojë personi me përvojë, por i paditur, për ndihmën e dijetarit, edhe dijetari i papërvoje ka po aq nevojë për ndihmën e atij që ka përvojë, por që nuk është i ditur.
· Po të nderoheshin dhe të çmoheshin dijetarët kur janë gjallë ashtu sikundër lartësohen pas vdekjes së tyre, nuk do të mbetej njeri pa u bërë dijetar në botë.
· Mëson shumë ai që plotëson çka di dhe përpiqet të përvetësojë çka nuk di, ai që le mangut çka di dhe çohet të mësojë gjëra të tjera, nuk mëson kurrëgjë.
· Njeriu ka nevojë për arsim ashtu si bima për ujë. Ashtu sikundër që thahet pema kur është e njomë, po nuk u vadit, edhe njeriu thahet shpirtërisht po nuk u edukua qysh në fëmijëri (vogëli), sepse nuk i mbetet gjë për t’i shërbyer njerëzimit.
· Njeriu, para së gjithash, duhet të mësojë shkallën e paditurisë së tij.
· Konfucio thot: “Njeriu me mendje të përsosur dhe me përvojë s’ngutet kur do të vendosë për një punë; guximtari nuk trembet nga asnjë gjë dhe ai që do t’i shërbejë njerëzimit nuk ndikohet nga mirëqenia apo fatkeqësia e tij.”
· Në qoftë se ka dy dijetarë të pagabueshëm, njëri është prova.
· Idetë e mëdha formohen te shpirtërat e mëdhenj.
· Sa ka frikë kusari nga qeveria, edhe tirani aq trembet nga shkrimtarët, e sidomos nga historianët.
· Nuk duhet dyshuar për ndershmërinë e atij njeriu që e shajnë dhe e përbuzin lajkatarët.
· Është trimëri e madhe të heshtësh në tubimin e lajkatarëve.
· Historia është një procesverbal, i cili ligësitë e shekullit të tanishëm ia përcjell për gjykim gjykatës së opinionit publik të shekujve të ardhshëm.
· Paanësia është ajo që shkruan historinë, historia që shkruhet nga anësia, nuk është histori, është përrallë.
· Epokat që përmenden shkurt në histori, janë epokat më të lumtura të njerëzisë.
· Vetëm opinioni publik është baza e lirisë, forca e edukimit, udhëheqës i qeverive.
· Merita dhe talenti që qëndrojnë të heshtur dhe të fshehur në periudhën e tiranisë, fillojnë të ndriçojnë porsa lind drejtësia.
· Kalben njerëzit e ndershëm aty ku lartësohen lajkatarët.
· Modestia dhe thjeshtësia është një e mirë, të cilën çdo njeri dëshiron ta shikojë te tjetri, por nuk don ta ketë vetë.
· Qeverisja e racës njerëzore me edukim është shumë më e lehtë se qeverisja me ligj.
· Zotësia, për të cilën në gjendje të qetë nuk pyet kush, kërkohet në kohën e rrezikut.
· Nuk mund të gjuash në bulevard; zbulimet e deritashme janë bërë nga ata që shëtisin në rrugët e ngushta të diturisë dhe të shkencës.
· Njeriu mund të humbë çdo liri të tij, por nëse e ruan lirinë e mendimit, prapëseprapë i lirë është.
· Fjala e gjatë ka kuptim të shkurtër.
· Fjalët e gjata të shumtën e herës fliten nga mungesa e aftësisë për të shfaqur qëllimin me pak fjalë; nga fjalët që disa flasin gjatë një ore nuk mund të nxirret as një kuptim që mund të tregohet me dy fjalë të vetme.
· Po t’i bësh ndonjërit ndonjë padrejtësi dhe të mos shohësh kundërshtim nga ai, mos vazhdo në atë punë duke thënë se e gjeta rastin, sepse kali që bart një peshë prej një kuintali nuk mund të bartë 2 kuintalë.
· Personat me influencë, që duan të ahmerren kundër dijetarëve, po t’i shtypin ata, u kanë shërbyer qëllimeve të tyre. Për t’u ahmarrë kundër tyre duhet t’u falin gjëra, duke u prishur moralin dhe ulur famën e tyre.
· Mendimi s’kuptohet nga sasia, por nga pesha; mendimi i një dijetari nuk mund të krahasohet me mendimin e një mijë injorantëve.
· Sa zor është për njerëzit e mësuar të bëjnë pasuri, aq i vështirë është mësimi për të pasurit.
· Nënshtetasit e atij sunduesi, të cilit shkopi i drejtësisë i shkëlqen më shumë se shpata e trimërisë, janë të qetë e armiqet të shpartalluar.
· Shumë rrallë del e mundur dhelpëria në luftë me nderin
· Ata që i zë gjumi i pakujdesisë me nananinat e lajkatarëve, janë fëmijë në botën e mendjes e të zotësisë.
· Njeriu i pajisur me edukatë dhe me moral të mirë, në çdo gjendje që të ndodhet, prapëseprapë njeri është; njeriu që është i privuar nga këto dy të mira mund të jetë çdo gjë në botë, por njeri nuk mund të jetë.
· Mësimi më i madh në këtë botë është vështirësia; s’ka sukses ai që nuk has në vështirësi.
· Atdhetaria dhe humanizmi bëhet me punë e jo me fjalë; kush tregohet i tillë me fjalë, është nje mashtrues.
· Thjeshtësia është stolia e atyre që janë të edukuar dhe të mësuar.
· Të gjithë e duan thjeshtësinë, disa e lavdojnë. pak vetë e zbatojnë, asnjëri nuk e dëshiron.
· Gjuha është një organ i trupit. Nga ajo mjekët kuptojnë gjendjen shëndetësore të trupit e dijetarët atë të mendjes.
· Njeriu, që të bëhet edhe më i zoti, nuk duhet të harrojë atë që ka mësuar.
· Liria është thelbi i shpirtit dhe i mendjes, aty ku s’ka liri, mendja dhe shpirti thahen si bima pa ujë.
· Ashtu si ka nevojë trupi për ushqim, edhe shpirti ka nevojë për edukim.
· Të shumtën e herës janë të barabarta prirjet e njeriut ndaj së mirës dhe së keqes; veçse kontakti dhe edukimi dobëson njërën anë e forcon anën tjetër. Është lehtë të zhdukësh ligësitë natyrale të njeriut me anë të edukimit; por është e pamundshme të largosh ligësitë që i ka rrënjosur në zemër të njeriut edukimi i keq dhe kontakti me njerëz të ligj.
· Ashtu sikundër që gratë të shumtën e herës mbajnë në dorë një pasqyrë për të rregulluar të metat e stolisë së tyre, edhe shoqëria njerëzore nuk duhet ta largojë nga sytë pasqyrën e diturisë e të shkencës dhe të përpiqet që të përmirësojë të metat që sheh.
· Po të luajë mësuesi ç’ka nuk bëjnë nxënësit.
· Qëllimi i fjalës është të thuash atë çka duan të mësojnë ata që dëgjojnë, ose të thuash një gjë që duan ta dëgjojnë. Mirëpo, nëntëdhjetë e nëntë për qind e fjalëve që fliten thuhen vetëm pse don të flasë ai që flet.
· Nuk është për t’u çuditur po nuk u pa patriotizëm prej atyre që shiten si atdhedashës, sepse duke shitur herëpashere, natyrisht, u është sosur.
· Po deshe të kuptosh se cilin e do një fëmijë, jepi një dhuratë dhe shiko se kujt ia tregon, ai është ai që fëmija e do më shumë; po deshe të provosh se cilin do më shumë gruaja, provo të kundërtën e kësaj.
· Gratë që kanë marrë një edukim të pakët, nuk i kënaq e mira me punë të vogla; por ato që janë të edukuara me të vërtetë, dinë se kjo është puna kryesore e tyre.
· Dituria nuk është për të poshtëruar të paditurit e për t’u bërë kryelartë, por është për të pasur dhimbësuri për të paditurit, për t’i stërvitur ata sa të jetë e mundshme, që t’i bësh ata të përfitojnë nga dituria që ke
· Më i ligu i kopracëve është ai i diturisë, domethënë ai që nuk do të përfitojë njeri nga ato që di ai.
· Eshtë skllavëri t’i nënshtrohesh dëshirës së një njeriu, por nuk është t’i nënshtrohesh një ligji dhe rregulli. Gjithçka në natyrë, të gjithë yjtë që janë në qiell i nënshtrohen një ligji e një rregulli.
· Ata që janë bërë të përmendur me anë të veprave të tyre, ndoshta i kanë pasur fqinjtë e tyre më të urtë dhe më të ditur se ata vetë; por pasi ata s’kanë ndonjë vepër, nuk i njeh njeri.
· Në vend që t’i ai’rohesh një pasaniku, afroju një dijetari; kopracia e pasanikut s’të lë të përfitosh nga të mirat e tij; nga dituria e dijetarit, përveç që do të përfitosh, edhe nuk do të humbësh nderin tënd.
· Shumë mbrapështi që shihen te njerëzit, u janë futur me përdhunë nga prindërit dhe edukuesit e tyre, duke menduar se po i edukojnë.
· Elokuencë e vërtetë është të thuash plotësisht atë çka është për t’u thënë dhe të mos thuash gjë tepër saj.
· Nuk i thuhet frikacak çdo njeriu që nuk është trim; ka shumë shkallë në mes trimërisë e frikës.
· Turma është armike e arsyes dhe e së drejtës. Po t’i përshtatet një gjë arsyes dhe së vërtetës, tërheq përbuzjen e turmës; gjërat që nuk i mbështeten asnjë arsyeje dhe që janë në kundërshtim me të vërtetën, janë gjithmonë të pëlqyera nga turma.
· Njeriu që s’ka mundur të edukojë fëmijët e tij, dëshiron të bëhet edukator i fëmijëve të mbretit
· Gjysma e atyre që mësojnë dituri, mësojnë për të jetuar, gjysma tjetër për t’i treguar botës se janë të ditur, dhe një për qind mëson për të ditur çka s’di.
· I mençuri tregon shumë gjëra me pak fjalë; i marri flet tërë ditën dhe nuk tregon asgjë.
· Njeriu i mirë asnjëherë nuk arrin të ahmerret; derisa armiku i tij të jetë i fortë, nuk është në gjendje t’i bëjë gjë, kur do ta gjejë armikun të dobët, e mund mëshira dhe i ikën dëshira për t’u ahmarrë.
· A mund të dyshohet se ka një dërrasë mangut njeriu që mendon vetëm për veten e tij e jo për një miliard njerëz?
· A ka të drejtë të quhet njeri ai, që nuk mendon për njerëzimin?
· Kush mëson të tjerët, mëson më shumë se ata që mësohen; kush shkruan, përfiton më shumë se ata që lexojnë.
· Lulja rritet me diell, por thahet nga vapa e madhe; njeriu edukohet me arsim, por rëndimi me mësime në fëmijëri jashtë forcës së tij e dërmon. Ashtu sikundër bima që ka nevojë për nxehtësi, ujë e freski, edhe njeriu bashkë me arsim dhe edukim ka nevojë edhe për zbavitje e shëtitje.
· Kush zotëron veten e tij, nuk zotërohet nga asnjeri; nuk e mund dot asnjeri atë që mund epshet e tij.
· Dashuria për atdheun lind nga dashuria për familjen.
· Lumturia e një kombi varet nga edukimi i femrës së tij.
· Natyra ndikon dhe sundon në zemrën e njerëzve me anën e grave.
· Gruaja duhet të ketë në dorën e djathtë gjilperën e në të majtën librin.
Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktori Carl Weathers, aktori i njohur për rolet në Rocky, Predator dhe The Mandalorian, transmeton KultPlus.
Familja e tij tha në një deklaratë të premten, sipas Deadline dhe Variety, se Weathers “vdiq i qetë në gjumë” të enjten, 1 shkurt.
“Ne jemi thellësisht të pikëlluar për të njoftuar vdekjen e Carl Weathers,” tha familja, duke shtuar, “Carl ishte një qenie njerëzore e jashtëzakonshme që jetoi një jetë të jashtëzakonshme. Përmes kontributeve të tij në film, televizion, art dhe sport, ai ka lënë një shenjë e pashlyeshme dhe njihet në mbarë botën dhe brez pas brezi. Ai ishte një vëlla, baba, gjysh, partner dhe mik i dashur”.
Weathers, një ish-mbrojtës i linjës së NFL, luajti si boksieri Apollo Creed përballë Sylvester Stallone në filmat Rocky, duke filluar me origjinalin e vitit 1976. Ai luajti me Arnold Schwarzenegger në Predator të 1987-ës dhe së fundmi luajti si Greef Karga në serialin Star Wars The Mandalorian, i cili i dha atij një nominim për Emmy.
Ai mori drejtimin në Action Jackson të vitit 1988, dhe pati gjithashtu role të paharrueshme komike: Duke luajtur Chubbs në komedinë e golfit të vitit 1996 Happy Gilmore me Adam Sandler, plus si një version i tij në serialin Arrested Development.
Weathers, i lindur në New Orleans, tha për gazetën Gambit se ai zbuloi pasionin për të interpretuar në një moshë të re, duke interpretuar në shfaqje./KultPlus.com
Poezia ‘Orë e pikturuar’, nga poeti spanjoll, Pedro Salinas. Përktheu Enkeleda Suti.
Dy e njëzetëepesë.
Po. Por jo këtu, jo. Në cilën ditë do të jetë kjo dy e njëzetëepesë e veçantë, në cilën botë do të jetë dy e njëzetëepesë, në cilin vit? Ajo orë është duke ecur për bukuri, e çuditshme, e lirë, duke fluturuar përgjatë harresës së kohës. Qartësisht, ajo ishte një orë ku nuk ka ndodhur asgjë: Gjashtëdhjetë minutat e saj ishin gjashtëdhjetë minuta puthje të gjata, të ngadalëta, të pafajshme mbi faqet e buta të një pasdite shtatori, nuk e di se ku. Deri sa ndaloi, deri sa koha ndaloi dhe arriti aty ku është tani: shpirti i një ore të zgjedhur – përse? – e shpëtuar midis të gjitha orëve mbi atë orë të pikturuar, atë fytyrë fallco, ate matëse të së përjetshmes. /KultPlus.com
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja shprehu sot mirënjohjen ndaj piktorit Skënder Kamberi, i cili feston 85 vjetorin e lindjes.
“Një jetë e dedikuar artit, e mbushur me penelata e plot ngjyra, sot Skënder Kamberi feston 85-vjetorin e tij të lindjes”, shkruan Gonxhja në urimin e tij.
“Në këtë ditë të veçantë, shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e një prej piktorëve më të rëndësishëm shqiptarë, në veprat e të cilit spikasin vlerat, dashuria për artin, njerëzit dhe qytetin e tij të dashur, Vlorën”, theksoi Gonxhja
“Galeria Kombëtare e Arteve në koleksionin e saj mban disa punime të Skënder Kamberit, arti i të cilit kapërceu kufijtë shtetërorë. Ka hapur një sërë ekspozitash në Egjipt, Francë, Angli, Turqi, Itali, Greqi etj”, nënvizoi ministri Gonxhja./atsh/KultPlus.com
Gustave Flaubert (1821-1880) ishte një romancier francez i cili konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj në historinë e letërsisë. Ai lindi në Rouen, Normandi, Francë dhe kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij atje. Babai i tij ishte mjek dhe vetë Floberi studioi drejtësi në Paris, por shpejt e braktisi këtë rrugë karriere për të ndjekur pasionin e tij për të shkruar.
Më poshtë gjeni fragmente nga libri i tij ‘Zonja Bovari’:
“…Po ç’rëndësi kish! Ajo e lumtur nuk ishte, as kishte qenë ndonjëherë. Nga t’i vinte vallë kjo zbrazësi e jetës, ky kalbëzim i menjëhershëm i gjërave mbi të cilat mbështetej ajo?… Mirëpo në qoftë se kishte diku një njeri të fuqishëm dhe të hijshëm, burrë të vërtetë plot afsh dhe sqimë njëkohësisht, me zemër poeti si engjëll i lirë me korda tunxhi, që ngre larg në qiell tingujt e një poeme elegjiake të vajtueshme, përse rastësisht mos e gjente atë?
Oh! Sa e pamundur që ishte! Madje nuk ia vlente të kërkoje asgjë! Gjithçka ishte gënjeshtër! Çdo buzëqeshje fshihte një gogësimë mërzitjeje, çdo gëzim një mallkim, çdo kënaqësi neverinë e vet, dhe puthjet më të zjarrta të linin mbi buzën dëshirë të ndezur të parealizueshme për të shuar një epsh edhe më të përvëluar…”.redaktori.net/KultPlus.com
Armend Regjepagiqi është njëri nga artistët më eminent në vend, i cili është i njohur për këngët e tij të cilat janë të tejkohore. Ata dëgjohen sot siç janë dëgjuar vite më parë kur janë publikuar, shkruan KultPlus.com
“Dashurinë o ku e kam”, është një nga baladat e tij të njohura me një tekst me gjuhë metaforike, me një shije të hollë artistike si dhe një interpretim të fuqishëm nga artisti Regjepagiqi.
KultPlus ju ofron këtu tekstin si dhe videon e kësaj kënge:
Vjen një ditë e do të kthehem rrugës sime do t’kalojë nga dritarja e shtëpisë sate sy te huaj dot me shikojnë, do t’më shtrengon diçka në zemër dhe s’dot më lë as frymë të marrë dashuria ime e parë…
Njerëzit shkojnë e njerëzit kthehen kujt i kthehem unë nuk kam mysafir si i paftuar n’zemër të secilit jam, fryn veriu fryn rreth meje në mëshirë të fatit jam dashurin o ku e kam?!
Krejt çka dua tjetër kujt i ndodh e secila m’duket se të ngjan…
Perëndo përgjithmonë o diell thaju lule në pranverë dashurin o më se kam… Shtjerru zë i bilbilit thehu shpat në dore të trimit dashurin o më se kam…/KultPlus.com
Godina e kinemasë së Gjirokastrës tashmë do të ofrojë edhe standartet për një qender rinore multifunksionale.
Ditën e sotme është inaguruar perfundimi i rikonstruksionit te plotë të godinës në mjediset e së cilës do të funksionojë edhe qendra rinore që do tu sherbejë 10 mijë te rinjve.
Rikonstruksioni i qendrës rinore multifunksionale Gjirokastër, i mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë si pjesë e thirrjes për projekt-propozime rinore, është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të rinisë lokale./KultPlus.com
Para pak ditësh, dy të mitur e mbytën një 18-vjeçar nga Podujeva. Nga videot që qarkulluan, pamë që të miturit ishin gangsterë (vozisnin veturë pa leje, i turreshin me veturë njeriut, e rrihnin me grushte e me shkop derisa ia humbën vetëdijen; në një video tjetër shihej njëri nga ata gangster duke shtënë me revole në ajër). U tha se viktima ishte djalë i mirë, pa prindër. U pa se sulmuesit e tij ishin djem të këqij, me prindër. Rasti ishte i rëndë, reagimi publik i ashpër.
Reagime të pamatura
Shumicës së atyre që akuzonin, shanin e mallkonin të miturit, i mungonte logjika e të rriturit. Çka thanë të rriturit për dy të miturit? 1. t’i dënojmë me burg të përjetshëm; 2. të kthehet dënimi me vdekje; 3. t’i varim në shesh; 4. fajet i ka shkolla. E vërteta është se dënimi me burg të përjetshëm nuk i prek të miturit. Dënimi me vdekje është ekzagjerim emocional. Varja në shesh është absurde. Prandaj të ndalemi vetëm tek ajo që ia vlen të diskutohet: fajet i ka shkolla. A vërtet jeni aq naivë sa të mendoni se shkolla mund të ndikojë në parandalimin e krimit? Dhe, nëse po, atëherë si mund të ndikojë ajo te një nxënës i përjashtuar?
Shkolla s’të ban njeri
Shkolla të jep dije, informacion, kurse sjellja përmirësohet nëpërmjet vetë-edukimit dhe familjes, s’po them gjenetikës, se kjo hap debate të tjera. Shkolla s’është as fajtore, as meritore për vrasjen e 18-vjeçarit. Ka shumë të pashkolluar që nuk kryejnë krime, ashtu siç ka edhe shumë të shkolluar që kryejnë krime. Cilësia në arsim? S’ka të bëjë fare me krimin. Vetëm naivët që besojnë në metanarrativa “iluministe” mund ta fajësojnë shkollën. Sistemi arsimor mund të përmirësohet, por ndikimi i tij në uljen e përqindjes së krimeve është zero. Sepse, shkolla mund të të bëjë më të ditur, por jo më të mirë. Dija dhe vetëdija janë dy gjëra. Dija merret nga të tjerët (njerëzit, librat etj.), kurse vetëdija/ndërgjegjja është vetënjohje, apo, siç na e shpjegon etimologjia, njohje brenda vetes. Kur bën një krim, s’të mundon dija (science), por ndërgjegjja (conscience). Ata që ia lënë krejt fajet dhe meritat shkollës (dijes), dhe e shpërfillin atë që është esenciale për veprimin (përfshirë edhe krimin), nuk dallojnë nga Hitleri që thoshte se “ndërgjegjja është shpikje e çifutëve”. Studiuesi George Steiner jep fakte interesante për të treguar se mund të jesh i arsimuar mirë dhe i dhënë pas të keqes. Hans Franku, thotë ai, ka qenë i arsimuar mirë, dhe njohës e interpretues i Bahut dhe Moxartit, por kjo s’e ka ndaluar ta udhëheqë “Zgjidhjen Përfundimtare”, planin gjenocidal kundër hebrenjve; në dhomat e gazit kanë punuar njohës dhe adhurues të Goethes dhe Rilkes; filozofi Heideger shkruante e filozofonte pak hapa larg kampit ku torturoheshin e digjeshin njerëzit, të cilët i shpërfillte sikur të ishte robot. S’besoj se mund të akuzohet shkolla serbe, apo Fakulteti i Drejtësisë në Beograd, për krimet që ka bërë ish-studenti i atij fakulteti, Slobodan Milošević. A mendoni se ai që e ka një gjashtëshe në fakultet është më i dhunshëm se ai që ka dhjetëshe? Apo, a mendoni se ai që ka dhjetëshe me të njohshëm (me mik), është më i dhunshëm se ai që ka marrë 10 me meritë (pa mik)? T’ia faturosh shkollës dhe mësuesit krimet që ndodhin gjithkund nga gjithkush, domethënë të kesh inat ndonjë mësues, apo profesor në atë shkollë, të cilin në pamundësi për ta vrarë, provon ta njollosësh. Pra, ti je vrasësi potencial.
Kanuni, hoxha dhe policia
Krahas këtyre laikëve që akuzuan shkollën, pati edhe fetarë që thanë se krimet ndodhin për shkak se nuk po futet lënda fetare nëpër shkolla. Pra, laikët dhe fetarët morën në shënjestër shkollën: të investojmë në edukim, se kështu e zhdukim krimin, thoshin të parët; ta fusim lëndën fetare në shkolla, se kështu e parandalojmë krimin, thoshin të dytët. Kësaj here laikët dhe fetarët ishin njësoj të “zgjuar” dhe njësoj të ligë. Shfrytëzojnë një rast vërtet të dhimbshëm, për t’i ngopur apetitet e tyre: laikët për të thithur fonde kinse për ta ngritur cilësinë në arsim; fetarët për t’i rrasur hundët në institucione laike (të kuptohemi: jam për një lëndë si “Historia e religjioneve”, të mbajtur nga profesorë jopropagandues, por jo për edukimin fetar si indoktrinim të nxënësve). Si laikët, ashtu edhe fetarët flisnin nga pozicioni i të gjithëdijshmit, duke e marrë rolin e atij që s’i besojnë (të parët), apo të atij që i nënshtrohen dhe e adhurojnë (të dytët). Të dy palët, me ose pa vetëdije, bënin blasfemi. Këtij budallallëku laiko-fetar, iu bashkua edhe hoxha dhe familja e viktimës, duke u mbështetur në kodin zakonor mesjetar, përkatësisht duke dhënë besë mujore për njërin, e duke e privuar nga besa tjetrin. Duket se nuk e kuptonin që duke u thirrur në besën, paralajmëronin në pikë ditës se do t’i bënin dy krime për hakmarrje. Megjithatë, policia u tregua vigjilente, dhe e thirri ne interviste familjarin e viktimës, i cili dukej se kërcënimin kanunor e kishte bërë pa e menduar mirë, i kapluar nga emocionet, që në këtë rast janë të kuptueshme. Për mua paradoks sui generis ishte fakti që për besën kanunore u angazhua përfaqësuesi i etikës kuranore. Kanuni, i mirë, apo i keq, është kanun i krishterë. Ai fillon me Kishën, kurrkund nuk e përmend xhaminë, as hoxhën. Ndërsa familjet “e hasmëruara” janë muslimane. Kanuni, nëse nuk ishte kushtetutë kontra-osmane, ishte së paku jo-osmane, jo-islame.
Shit happens
Për dështimin e projektit iluminist (domethënë që edukimi do ta bëjë botën më të mirë) kanë folur shumë studiues. Jua sugjeroj vetëm dy: Tzvetan Todorovin dhe George Steinerin. Nëse s’u besoni atyre, atëherë dëgjojeni gjyshin, apo gjyshen, kur ju thonë: shkolla nuk t’ban njeri. Morali është i njëjtë, dallon vetëm gjuha. Po çfarë të bëjmë tash që krimet po ndodhin? S’kemi çfarë të bëjmë. Shit happens. A mund të parandalohej ky krim? Po dhe jo. Po, sepse familja e vrasësve duhej t’i kishte nën kontroll fëmijët, meqë ishin ende të mitur. Jo, nuk mund të parandalohej, sepse organizimi i familjes sot është i atillë që, në shumicën e rasteve, fëmija është i pavarur nga familja (përveç varësisë financiare, që ende ruan njëfarë relacioni mes tyre). Prindërit nuk e dinë që fëmijët e tyre pinë duhan, marrin drogë, vozisin vetura, mbajnë armë, rrahin njerëz etj. Ata e marrin vesh veç në mbrëmje kur ulen t’i shikojnë lajmet qendrore. U tha se viktima ishte jetim, por edhe vrasësit s’duket që kanë pasur prindër. Prandaj debati për krimin në Podujevë do të duhej të fokusohej brenda familjes dhe në individin. S’kishte pse të fajësohej shteti, as shkolla. Shkollat në Kosovë ndoshta vërtet i mësojnë pak nxënësit e tyre, por, jam i bindur që asnjëra shkollë nuk i mëson aspak që të vrasin. Në humanizimin (empatinë) e njerëzve (nxënësve) mund të ndikojë (në njëfarë mase) letërsia dhe arti, sigurisht, por kurrsesi shkolla. Ajo çertifikon. Pra, shkolla s’të ban njeri. Kjo është një thënie arkaike, por njëkohësisht edhe aksiomatike.
Ne jemi modeli që ndjekim
Dostojevski na ka mësuar se njeriu bën çmos t’i ngjajë modelit. Raskolnikovi i tij dëshiron të bëhet dikushi. Thotë: pse Napoleoni arriti të bëhej dikush, kurse unë jo. Dhe konstaton: sepse ai vriste. Kështu, edhe Raskolnikovi e kap sakicën dhe kryen vrasje. Siç ka thënë Woody Allen, “njeriu zgjedh modele” (pra, njeriu e ndërton jetën mbi modelet që zgjedh). Secili prej nesh ka modelin e vet. Ka dëshiruar, dëshiron, ose ia ka arritur të bëhet si filani. Çfarë modeli kishin vrasësit e mitur? Gangsterët. Shumica e të miturve e kalojnë ditën duke luajtur “counter-strike”, pra duke marrë qëndrim vrasësi në lojë. Nganjëherë kalimi nga loja në realitet është shumë i lehtë. Një fëmijë që gëzohet duke vrarë në lojë, tundohet për ta provuar atë ndjenjë edhe me vrasje të vërtetë. Gjithashtu, shumica e fëmijëve dhe të rinjve adhurojnë filmat me gangsterë, jo pse u pëlqen aktori (se nuk marrin vesh në artin e aktrimit), por sepse i frymëzon (ose ua ushqen instinktin e vrasësit) roli, personazhi. Ata nuk synojnë të bëhen si Al Pacino, por si Tony Montana. Prandaj, ndaj të miturve dhe të rriturve të tillë duhet të tregohet kujdes, jo çfarë mësimi marrin nga shkolla e nga librat, po si e shpenzojnë kohën dhe çfarë modeli ndjekin. Ata që ndjekin modele të rrezikshme duhen raportuar nga të afërmit e tyre, dhe duhen penguar së pari nga familja, pastaj, nëse familja s’arrin ta kthejë kah modeli i duhur, le të angazhohen shoqëria dhe institucionet. Ata të mitur që vozisin veturë dhe sillen si gangsterë, natyrisht që do të bëjnë krime. Se, çfarë lezeti ka të jesh gangster vetëm në “counter-strike”? Kjo që ndodhi në Podujevë, nuk është më e keqja. Kështu si po shkojnë punët, me fëmijë dhe rininë apatike (një apati që po ua shkakton bota virtuale), një ditë, pasi ta vrasim njeriun, do të ulemi dhe do ta hamë. Kanibali është një model që e njohim dhe mund ta zgjedhim. Pra, problemi është te modeli, jo te shkolla./KultPlus.com
Distria Krasniqi ka firuar medaljen e artë në Geand Slamin e Parisit, në qytetin ku pas gjashtë muajve, do të organizohen Lojërat Olimpike, përcjell KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga Komiteti Olimpik i Kosovë.
Në vijim KultPlus ua sjell postimin e KOK:
E A R T A D I S I
Distria Krasniqi fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, qytetin ku pas gjashtë muajsh organizon Lojërat Olimpike Paris 2024.
Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim, Musa Sabedini, ka botuar librin: “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i cili u dedikohet studentëve të gazetarisë, studiuesve të medias, gazetarëve hulumtues, redaktorëve të profesionalizuar, dhe me etikë profesionale.
Sipas autorit, libri ka ardhur si rezultat i njohjes së thellë, i përjetimit shpirtëror të botës digjitale dhe online që sjell ky risk, sa delikat e sfidues, aq edhe i shpejtë dhe dobiprurës për botën bashkëkohore.
“E doja kaherë një libër, një literaturë të saktë dhe të freskët në lidhje me Gazetarinë Online, po realisht akoma ose nuk është e kompletuar kjo materie, ose ende na duhet kohë, për ta kuptuar qartë, drejtë dhe natyrshëm konceptin mediatik, mbi të qenit Gazetari Online. Vet fakti se në botën bashkëkohore dominon ekrani, dhe monitor, kjo kulturë e re dominuese e ka shtyrë anash gazetarinë apo mediat fizike, gazetën”, ka thënë autori Sabedini.
Autori i librit profesor Musa Sabedini në parathënien e librit ka shkruar se libri dedikuar gazetarisë online në Kosovë e rajon, ka për qëllim të shpërfaq të mirat, anët negative, anën pozitive që krijon ky gjigant brilant, që po depërton në çdo qenie krijuese, për shkak të shpejtësisë marramendëse, që ka dhe depërtimit në botën dhe intelektin e çdo njeriu.
Recensenti Safet Zejnullahu ka thënë se libri do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë.
“Libri “Gazetaria Online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, është një lajm i mirë dhe një kontribut shumë domethënës për pasurimin e literaturës akademike në studimet e medias online. Ky libër, që është ndër të parët në këtë fushë, vjen nga autori që ka mbi 35 vjet përvojë pune aktive në gazetari dhe 12 vjet përvojë pune si mësimdhënës në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT. Peshën librit ia shton edhe fakti se autori Sabedini, është tash e 13 vjet anëtar i Bordit të Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, ndërsa ka po kaq vite, që drejton një portal online”, ka thënë recensenti i librit Safet Zejnullahu.
Libri synon të tregojë për standardet e reja të raportimit online, për sfidat që ka ky rrjet mediatik online shumë i sotisfikuar, por edhe i rrezikshëm dhe me përmbajtje ekstreme e shkelje të etikës.
Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, ka për synim t’i mësoj dhe edukojë jo vetëm studentët, por të gjithë ata që duan të jenë pjesë e këtij rrjeti profesionistësh, që kanë përzgjedhur t’i përshtaten kodeve të etikës dhe standardeve profesionale të raportimit online.
Libri është edhe më i dobishëm, në një kohë kur në Kosovë e rajon ekzistojnë qindra portale, uebsajte, rrjete sociale e media tjera online, që veprojnë në mënyrë ligjore e jo ligjore, me respektim të etikës e me shkelje ekstreme të saj.
“Libri pashmangshëm pasuron këtë gjuhë goditëse, pasuron mënyrën e komunikimit në raport me publikun, pasuron gazetarë, redaktorë e botues të portaleve, të cilët edhe mund të përfitojnë nga njohuritë shkencore, e studimore të prezantuara mjeshtërisht në këtë libër, me literaturë të kompletuar dhe krahasuese me vendet e rajonit”, ka shkruar profesor Musa Sabedini.
Përvoja e gjatë dhe ballafaqimi në praktikë me tranzicionin e gazetarisë në Kosovë dhe në rajon, ka bërë që autori të mbledhë dhe të analizojë e të sjellë para studentëve të gazetarisë dhe publikut në përgjithësi, një libër me një përmbajtje shumëdimensionale, që nis me historinë e gazetarisë online e përmbyllet me sfidat e gazetarisë para inteligjencës artificiale.
Lexuesi do të gjejë brenda këtij libri të dhëna dhe hulumtime të shumta që autori i ka bërë me vite të tëra, të cilat do t’i ndihmojnë ta kuptojë çfarë është gazetaria sot, ku janë të metat dhe përparësitë e gazetarisë së internetit. Dhe, më kryesorja, ku po shkon gazetaria dhe a do të jenë në gjendje gazetarët ta ruajnë profesionalizmin përballë teknologjisë, mundësive të pafundme të saj, si dhe përballë një publiku gjithnjë më të informuar sipërfaqësisht dhe përherë e më kërkues për “tema të lehta”, të cilat e ngufasin gazetarinë profesionale. Dhe e rrezikojnë atë seriozisht!
“Libri “Gazetaria online në Kosovë dhe në rajon, etika dhe sfidat e vetërregullimit”, i autorit Musa Sabedini, do të mbulojë një boshllëk të madh në studimet rreth medias së internetit në Kosovë. Përveç material i duhur për studentët e gazetarisë, ky libër do të shërbejë si bazë e mirë edhe për studimet e ardhshme në këtë fushë”,. ka shkruar profesor Safet Zejnullahu.
Ndryshe libri ka 493 faqe ndërsa botues është UBT./KultPlus.com
Mos shko shumë larg, as për një ditë sepse…sepse…s’di si ta them një ditë është kohë e gjatë e unë do jem duke të të pritur sikur të isha në një stacion treni por trenat janë parkuar diku tjetër në gjumë
Mos më lër as për një orë Sepse atëherë i gjithë ankthi im do të vërshojë për tek unë tymi që hungërin në kërkim të një shtëpie do të vijë drejt meje po ashtu duke mbytur zemrën time të ngratë Mos u shpërbëftë kurrë në det silueta jote Mos u valëviteshin qepallat e tua kurrë në një largësi të zbrazët
Mos më lër për një sekondë, e dashura ime
Sepse në atë çast ti do te kesh ikur aq larg saqë unë do të vërtitem nëpër labirinthe mbi të gjithë tokën duke pyetur A do të kthehesh? Apo do të më lësh këtu, duke vdekur?/KultPlus.com
Shërbimi i mesazheve të shkurtra “Threads”, rivali i Meta -s kundrejt platformës X, tani ka 130 milionë përdorues aktivë mujorë, tha shefi i kompanisë Mark Zuckerberg ndërsa prezantoi rezultatet e tremujorit të parë të kompanisë mëmë të “Facebook”.
Kjo tregon se “Threads” ka fituar rreth 30 milionë përdorues të rinj brenda tre muajve.
“Meta” e nisi shërbimin në BE në dhjetor pas disa muajsh vonesë.
Më herët, Zuckerberg tha se parashikoheshin më shumë se 1 miliard përdorues në “Threads”.
Ai theksoi se shërbimi tani po përdoret më shumë sesa gjatë rritjes fillestare afatshkurtër në fillimin e verës së kaluar.
“Threads” është ende i vogël në krahasim me shërbimet e tjera të Meta-s.
Facebook-u tani ka 3,07 miliardë përdorues aktivë mujorë.
Çdo muaj, 3,19 milionë përdorues aksesojnë të paktën një aplikacion nga grupi, i cili zotëron gjithashtu Instagram-in dhe WhatsApp-in.
“Threads” është i ndërlidhur me shërbimin e fotografive dhe videove të Meta-s në Instagram dhe për këtë arsye mund të mbështetet në lidhjet ekzistuese mes qindra miliona përdoruesve./KultPlus.com
80 fotografi të ekspozuara në mjediset e Kalasë së Tiranës janë dëshmi e kalvarit të gjatë të vuajtjeve dhe masakrës ndaj shqiptarëve të Çamërisë.
Ekspozita e çelur me rastin e 80 vjetorit të këtij genocidi ka mbledhur bashkë drejtues të këtij komuniteti, historianë dhe figura publike, të cilët theksuan rëndësinë e çështjes çame, duke ngritur zërin për drejtësi.
Këto 80 foto e dokumente janë të fiksuara në Shqipëri në vitet 1944, ’45 dhe 1946, në kampet e Sarandës, Vlorës, Kavajës e Elbasanit, ku shumë familje të shqiptarëve të Çamërisë u vendosën pas dhunës së Napoleon Zervës, kur tentuan të kthehen në shtëpitë e tyre./TvKlan/KultPlus.com
Festivali i Teatrove për Fëmijë do të mbahet për herë të parë nga data 4 deri me 7 mars.
Festivali i Teatrove – Ferizaj, në kuadër të strategjisë së zhvillimit të teatrit për të rinj dhe fëmijë, këtë vit starton me Festivalin e Teatrove për Fëmijë, kështu duke ofruar shfaqjet më të mira të teatrove vendore, si dhe aktivitete të shumta për të secilin.
Festivali për fëmijë organizohet në Teatrin e Ferizajt ‘Adriana’. / KultPlus.com
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se e ka shkarkuar sot Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama është shprehur se këtë vendim e mori për shkak të menaxhimit e mbeturinave, sepse sipas tij gjendja është alarmante.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, ka shkruar Rama.
“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar tutje Rama.
Para një viti u prezantua për herë të parë platformën SuperPuna. Përmes saj është synuar punësimi i garantuar i të rinjve të grup-moshës 18-25 vjeç.
SuperPuna konsiderohet se ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke arritur që vetëm brenda një viti të bëj ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9,394 të rinjve.
Duke e marrë parasysh këtë ndikim, tashmë Qeveria ka marrë vendim që të zgjerojë grup-moshat që përfitojnë nga kjo platformë nga 18-25 vjeç në 18-29 vjeç. / KultPlus.com
Distria Krasniqi po vazhdon me paraqitje fantastike në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris.
Kampionia olimpike ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale në kategorinë deri në 52 kilogramë, shkruan Gazeta Express.
Krasniqi në çerekfinale e mundi xhudisten nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt, pasi kjo e fundit mori tri penalizime, për t’u diskualifikuar nga gara.
Kësisoj, Distria në gjysmëfinale do të përballet me japonezen, Kisumi Omori.
Kujtojmë se Nora Gjakova u ndal në çerekfinale, por është ende në garë për medaljen e bronztë.
Në anën tjetër, Flaka Loxha u eliminua në raundin e tretë. / KultPlus.com
Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë njoftuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet, përcjell KultPlus.
Kjo pjesë e Qendrës historike të Prizrenit ka nisur të revitalizohet vitin e kaluar, ndërsa sivjet pritet të përfundojë restaurimi i disa shtëpive.
Pas përfundimit të të gjitha punëve në vitin 2025, përfshi rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore, “Marin Barleti” do të jetë rrugë model se si duhen trajtuar vlerat historike në shkallë të gjerë.
Kjo rrugë së shpejti do të shndërrohet në lokacion tërheqës për vizitorët dhe qytetarët. / KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve.
Veliaj tha se Parisi dhe Tirana janë kthyer në laboratorë të ndryshimeve urbane.
“Jam shumë entuziast për Lojërat Olimpike në Paris. Ekipi ynë olimpik është një ekip modest, por qëllon që shumica e ekipit të Shqipërisë është në fakt edhe ekipi i Sport Klub Tiranës, ndaj mezi presim t’ju kthejmë vizitën në Paris. Jam shpresëplotë që disa nga sportistët tanë, ata të mundjes, të peshëngritjes, të atletikës, gjimnastikës, do të bëjnë një performancë dinjitoze. Shpresoj shumë që Lojërat Olimpike të jenë një sukses, në një botë të përçarë, në një botë që është në luftë, brenda Evropës të jetë edhe një mesazh për paqe dhe për të bashkuar njerëzit, siç sporti mund ta bëjë. Vend më ideal se Parisi, për këtë lloj dashurie të rigjetur të kombeve, nuk mund të kishte”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku vlerësoi punën e homologes së tij në Paris, Anne Hidalgo, dhe shtoi se dy qytetet kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri.
“Anne Hidalgo ka bërë histori suksesi në Paris dhe për këdo që mendon se ndryshimet vijnë lehtë, duhet të kuptojë që edhe në Paris ka debat për pistat e biçikletave, për ndryshimet klimaterike, edhe në Paris ka debat për linjat e autobusëve. Është mëse normale që në një hapësirë ku jetojnë miliona njerëz, qindra mijëra njerëz, të ketë debate për këto çështje, por ajo që kemi parë është që natyra njerëzore është njësoj. Siç është njësoj për të refuzuar ndryshime apo për të bërë rezistencë, ashtu është njësoj për ta përqafuar ndryshimin. Pra, fillimisht ka dyshime për ndryshimin, por kur ndryshimi vjen, njerëzit e përqafojnë”, u shpreh Veliaj.
Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian tha se mezi pret që Shqipëria të jetë pjesë e Lojërave Olimpike në Paris. Toranian përfaqësoi qytetin e saj Parisin në punimet e Samitit të B40, ku Tirana mori Presidencën./atsh / KultPlus.com
Organizatorët e ankandit shprehen: Gjersa, bashkohemi për të mbështetur gratë në trajtimin e kancerit të gjirit dhe fuqizimin e artisteve gra, ne jemi të nderuar të kontribuojmë së bashku me ju.
Ankandi mbahet më datë 4 shkurt 2024, në orën 19:00 në Menza Ramiz Sadiku, Prishtinë. / KultPlus.com