Rama e shkarkon drejtorin e Shërbimeve Publike për shkak të mbeturinave, thotë se e ka marrë vet situatën në dorë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se e ka shkarkuar sot Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Rama është shprehur se këtë vendim e mori për shkak të menaxhimit e mbeturinave, sepse sipas tij gjendja është alarmante.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar. Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike”, ka shkruar Rama.

“Për më tepër, ju njoftoj se, në cilësinë e Kryetarit të Kryeqytetit, kam bërë përpjekje duke krijuar një Task Force dhe kam ndarë buxhet shtesë për këtë drejtori dhe ndërmarrjen përkatëse, por përkundër kësaj mbështetje të vazhdueshme nuk ka pasur rezultate nga drejtoria në fjalë. Prandaj, kam vendosur që të ndërhyjë dhe të marrë përsipër zgjidhjen e kësaj situate”, ka shkruar tutje Rama.

Platforma e punësimit Superpuna zgjerohet nga grup-moshat 18-25 në 18-29

Para një viti u prezantua për herë të parë platformën SuperPuna. Përmes saj është synuar punësimi i garantuar i të rinjve të grup-moshës 18-25 vjeç.

SuperPuna konsiderohet se ka pasur një sukses të jashtëzakonshëm duke arritur që vetëm brenda një viti të bëj ndërmjetësimin e suksesshëm të punësimit të 9,394 të rinjve.

Duke e marrë parasysh këtë ndikim, tashmë Qeveria ka marrë vendim që të zgjerojë grup-moshat që përfitojnë nga kjo platformë nga 18-25 vjeç në 18-29 vjeç. / KultPlus.com

Grand Slami i Parisit: Distria Krasniqi fantastike, kualifikohet në gjysmëfinale

Distria Krasniqi po vazhdon me paraqitje fantastike në Grand Slamin e xhudos që po mbahet në Paris.

Kampionia olimpike ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale në kategorinë deri në 52 kilogramë, shkruan Gazeta Express.

Krasniqi në çerekfinale e mundi xhudisten nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Khorloodoi Bishrelt, pasi kjo e fundit mori tri penalizime, për t’u diskualifikuar nga gara.

Kësisoj, Distria në gjysmëfinale do të përballet me japonezen, Kisumi Omori.

Kujtojmë se Nora Gjakova u ndal në çerekfinale, por është ende në garë për medaljen e bronztë.

Në anën tjetër, Flaka Loxha u eliminua në raundin e tretë. / KultPlus.com

Rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet

Nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kanë njoftuar se rruga “Marin Barleti” në Prizren po rijetësohet, përcjell KultPlus.

Kjo pjesë e Qendrës historike të Prizrenit ka nisur të revitalizohet vitin e kaluar, ndërsa sivjet pritet të përfundojë restaurimi i disa shtëpive.

Pas përfundimit të të gjitha punëve në vitin 2025, përfshi rehabilitimin e infrastrukturës nëntokësore, “Marin Barleti” do të jetë rrugë model se si duhen trajtuar vlerat historike në shkallë të gjerë.

Kjo rrugë së shpejti do të shndërrohet në lokacion tërheqës për vizitorët dhe qytetarët. / KultPlus.com

Veliaj pret Toranian: Tirana dhe Parisi, nismëtare të ndryshimeve urbane

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim nënkryetaren e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian, së cilës i dhuroi në mënyrë simbolike “Sahatin e Tiranës” dhe bisedoi për rritjen e bashkëpunimit mes dy qyteteve.

Veliaj tha se Parisi dhe Tirana janë kthyer në laboratorë të ndryshimeve urbane.

“Jam shumë entuziast për Lojërat Olimpike në Paris. Ekipi ynë olimpik është një ekip modest, por qëllon që shumica e ekipit të Shqipërisë është në fakt edhe ekipi i Sport Klub Tiranës, ndaj mezi presim t’ju kthejmë vizitën në Paris. Jam shpresëplotë që disa nga sportistët tanë, ata të mundjes, të peshëngritjes, të atletikës, gjimnastikës, do të bëjnë një performancë dinjitoze. Shpresoj shumë që Lojërat Olimpike të jenë një sukses, në një botë të përçarë, në një botë që është në luftë, brenda Evropës të jetë edhe një mesazh për paqe dhe për të bashkuar njerëzit, siç sporti mund ta bëjë. Vend më ideal se Parisi, për këtë lloj dashurie të rigjetur të kombeve, nuk mund të kishte”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku vlerësoi punën e homologes së tij në Paris, Anne Hidalgo, dhe shtoi se dy qytetet kanë shumë për të mësuar nga njëri-tjetri.

“Anne Hidalgo ka bërë histori suksesi në Paris dhe për këdo që mendon se ndryshimet vijnë lehtë, duhet të kuptojë që edhe në Paris ka debat për pistat e biçikletave, për ndryshimet klimaterike, edhe në Paris ka debat për linjat e autobusëve. Është mëse normale që në një hapësirë ku jetojnë miliona njerëz, qindra mijëra njerëz, të ketë debate për këto çështje, por ajo që kemi parë është që natyra njerëzore është njësoj. Siç është njësoj për të refuzuar ndryshime apo për të bërë rezistencë, ashtu është njësoj për ta përqafuar ndryshimin. Pra, fillimisht ka dyshime për ndryshimin, por kur ndryshimi vjen, njerëzit e përqafojnë”, u shpreh Veliaj.

Nga ana e saj, nënkryetarja e Bashkisë së Parisit, Anouch Toranian tha se mezi pret që Shqipëria të jetë pjesë e Lojërave Olimpike në Paris. Toranian përfaqësoi qytetin e saj Parisin në punimet e Samitit të B40, ku Tirana mori Presidencën./atsh / KultPlus.com

Të dielën mbahet Ankandi Bamirës i Artit, me qëllim të kontribuimit në kauzën e kancerit të gjirit

Përgjatë Edicionit të 3-të të Festivalit ‘Shliroj Cicat’ do të mbahet Ankandi Bamirës i Artit.

Në këtë ankand do të paraqiten mbi 10 piktura të pikturuara nga artiste gra me qëllim të kontribuimit në kauzën e kancerit të gjirit.

Artistet pjesëmarrëse janë: Zake Prelvukaj, Shqipe Kamberi, Brikena Gashi, Artina Gollopeni, Edona Blakaj, Jalldeze Mustafa, Elona Ndrecaj, Leonita Fazliu, Vlora Kosumi, Dita Ethemi, Mjellma Goranci Firzi, Orange Girl, Fitore Alisdottir Berisha, Zana Ramadani, Luljeta Rama Mucaj.

Drejtuese e ankandit do të jetë Kaltrina Ajeti.

Organizatorët e ankandit shprehen: Gjersa, bashkohemi për të mbështetur gratë në trajtimin e kancerit të gjirit dhe fuqizimin e artisteve gra, ne jemi të nderuar të kontribuojmë së bashku me ju.

Ankandi mbahet më datë 4 shkurt 2024, në orën 19:00 në Menza Ramiz Sadiku, Prishtinë. / KultPlus.com

Rita Ora, nuk do të jetë më pjesë e “The Voice Australia”

Rita Ora nuk do të jetë më pjesë e spektaklit të njohur “The Voice of Australia”. Drejtuesit e emisionit të njohur janë në kërkim të emrave të tjerë të mëdhenj të muzikës për të plotësuar mungesën e saj.

Aktualisht artistja me origjinë shqiptare është pjesë  e spektaklit “The Masked Singer America” ndaj nuk mund të jetë pjesë e sezonit të ri.

Xhirimet për edicionin e ri të ‘The Voice Australia’  do të fillojnë e në Mars dhe pritet që Jason Derulo dhe Rita Ora të mungojnë në karriget e anëtarëve të jurisë.

Sipas britanikes “Daily Mail”, as anëtarja tjetër, Jessica Mauboy  nuk do të marrë pjesë pasi po përgatitet për të filluar turneun e saj në Mars, kohë kur edhe fillon puna për “The Voice”.

Ndërkohë, Guy Sebastian pritet të qëndrojë për sezonin e tij të gjashtë pasi iu bashkua spektaklit në vitin 2019 dhe që atëherë është pjesë e jurisë. / KultPlus.com

Saimir Pirgu drithëron publikun në Londër me rijetësimin e personazhit kryesor të ‘La Boheme’

Një interpretim siç vetëm ai di të bëjë, duke dëshmuar për të disatën herë se Rodolfo në veprën e famshme të Puçinit ‘La Boheme’ mund të rijetësohet vetëm nga tenori Saimir Pirgu.

Opera e pasionit, miqësisë dhe zemërthyerjes është sjellë në jetë në prodhimin e gjallë dhe ndjellës të Richard Jones prej datës 24 janar në teatrin prestigjioz të muzikës klasike ‘Royal Opera House’ në Londër. Një premierë që do të mbahet për më shumë se dy javë e ka sjellë tenorin shqiptar të gdhendur kryekëput si personazhi kryesor i romanit të Henri Murger nga ku ështe frymëzuar edhe Puçini për të vënë në skenë këtë kryevepër botërore.

Saimir Pirgu drithëron publikun londinez me rijetësimin e personazhit

Kimia e shkëlqyeshme i detyrohej shumë aktorëve të natës së parë të çeljes së kësaj premiere. Saimir Pirgu ishte një Rodolfo i shkëlqyer. Vokalisht plot fuqi dhe pasion, Pirgu është i mbërthyer në momentet e tij të qeta, por kur duhet të japë nota të plota në gjoks, ato vijnë në hapësirë aq fuqishëm sa të krijojnë vetiu mornica në trup. Ruzan Mantashyan ka një zë ideal për Mimin, heroinën e kësaj opere. Mimi është një personalitet i bukur, por jo imponues dhe legato e mëndafshtë e Mantashyan rrjedh po aq bukur sa një patinator në akull.

Saimir Pirgu drithëron publikun londinez me rijetësimin e personazhit

Aktualisht ‘La Boheme’ është një nga operat më të pëlqyera në mbarë botën dhe opera më e interpretuar në ‘Royal Opera House’.

Sinopsi i La Boheme

Kur Rodolfo, një poet pa para, takon Mimì, një rrobaqepëse, ata bien menjëherë në dashuri. Por lumturia e tyre kërcënohet kur Rodolfo mëson se Mimi është i sëmurë rëndë. Rodolfo është i vetëdijshëm me dhimbje se nuk mund të përballojë ilaçet dhe kujdesin që i duhen Mimit, dhe kështu ndahet prej saj. Ndërsa sëmundja e saj po pushton, Mimi kthehet në gardhin e Rodolfos. Ata janë ribashkuar me gëzim – por, pavarësisht kujdesit të Rodolfos dhe miqve të tij, Mimi vdes. / Javanews / KultPlus.com

Piktori Vangjo Vasili me ekspozitë personale në Pogradec, shpalosi peizazhe plot ngjyra

Piktori i mirënjohur Vangjo Vasili ka hapur një ekspozitë në qytetin e Pogradecit.

“Pogradeci i poetëve dhe piktorëve të shquar, është kthyer në një qytet ku ngjarjet artistike janë gjithmonë e më të shpeshta, falë edhe mbështetjes të veçantë të kryebashkiakut Ilir Xhakolli”, u shpreh prefekti i Qarkut Korçë, Nertil Jole, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite, së bashku me të tjerë figura të shquara të qytetit, artistë e drejtues të pushtetit vendor.

“Në këtë ekspozitë, Pogradecin dhe liqenin e pamë me sytë e piktorit, nëpërmjet peisazheve të tij plot ngjyra”, shprehet Jole për Vasilin i cili njihet si një nga peizazhistët më të mirë shqiptarë.

Vangjo Vasili është nga piktorët më të vlerësuar e më prodhimtarë. Ai është pjesëmarrës në ekpozita të përbashkëta të piktorëve shqiptarë, por vazhdimisht ka ekspozuar krijimet e tij edhe në ekspozita vetjake, brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. / atsh / KultPlus.com

Këtë të Diel të parë të muajit Cineplexx sjell ofertën Super Saver, sjell 5 filma të përzgjedhur për vetëm 3 euro!

Çdo të dielë të parë të muajit sjellim ofertën super saver!

Super Saver sjell tek adhuruesit e filmave, 5 filma të përzgjedhur për vetëm 3 euro.

Mos e humbisni, sepse kjo ofertë vjen vetëm njëherë në muaj, çdo të dielë të parë të muajit.

Këtë të Diele të parë të muajit Shkurt mund të shihni këta filma.

     Aquaman And The Lost Kingdom                                           Next Goal Wins

                          Night Swim                                                              2 Gisht Mjaltë

                                               Wish

Nxitoni biletat në shitje.

Super Saver vëtëm në Cineplexx. / KultPlus.com

Rënia e numrit të nxënësve, shkollat në fshatra rrezikojnë të mbyllen

Gjatë viteve të fundit në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë ka rënie të numrit të nxënëseve, që si pasojë e kësaj disa shkolla në fshatra rrezikojnë të mbyllen.

Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë se rënia e numrit të nxënësve është si pasojë e rënies së natalitetit, migrimit fshat-qytet dhe emigrimit.

Numri i nxënësve në arsimin parauniversitar vit pas viti po shënon rënie, ku kjo dukuri është më shumë e shfaqur në shkollat e viseve rurale në komuna të ndryshme të vendit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit krahasuar më vitin shkollor 2021/22 në këtë vit shkollor janë afër 14 mijë nxënës më pak.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në një përgjigje më shkrim për Radio Kosovën kanë bërë të ditur së njëri ndër faktorët që po ndikon në rënien e numrit të nxënësve është rënia e natalitetit.

“Në vitin shkollor 2021/22 në arsimin parauniversitar ishin gjithsej 327 mije e 676 nxënës. Në vitin shkollor 2022/23 ka një rënie të numrit të nxënëseve ku gjithsej ishin 318 mije e 947 nxënës. Ndërsa, në këtë vit shkollor është vërejtur edhe një rënie e numrit të nxënëseve në shkollat e nivelit parauniversitar, ku në këtë vit shkollor mësimin e ndjekin gjithsej 314 mijë e 006 nxënës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë së Arsimit.

Se njëri ndër faktorët që po ndikon në rënien e numrit të nxënësve është rënia e natalitetit e thonë edhe njohës të fushës së arsimit.

Dukagjin Pupovci në një përgjigje për Radio Kosovën tha së faktorët të cilët po ndikojnë në rënien e numri të nxënësve në nivel vendi janë rënia e natalitetit, migrimi dhe emigrimi që viteve të fundit ka shënuar rritje.

“Pikë se pari është rënia drastike e natalitetit. Marrë parasysh që vitin e kaluar kanë qenë vetëm 22 mije lindje në Kosovë, ku së fundi Agjencia e Statistikave të Kosovës po numëron edhe lindjet e shtetasve të Kosovës jashtë vendit , thjesht po zvogëlohet numri i fëmijëve. Një faktor tjetër është migrimi fshat-qytet dhe faktori tjetër është emigrimi”, thekson ai.

Sipas Pupovcit, si pasojë e migrimit fshat- qytetet, shumë shkolla në viset rurale po rrezikojnë të mbyllen.

“Rënia e numrit të nxënësve po bën që shumë shkolla të fshatrave t’u vihet dryni. Edhe tash ne e shohim që në zona rurale numri i banorëve është shumë më i vogël, sepse kanë lëvizur që atje dhe numri i fëmijëve gjithnjë është më i vogël”, tha ai.

Dhjetëra shkolla në Kosovë, kryesisht në zona rurale, janë mbyllur viteve të fundit dhe shumë shkolla të tjera në Kosovë po funksionojnë me më pak se 10 nxënës në klasë. / KultPlus.com

100-vjetori i lindjes së Sulejman Pitarkës, figurë e shquar e teatrit dhe kinematografisë


Sot është 100-vjetori i lindjes së Sulejman Pitarkës të cilin ministri Blendi Gonxhja e kujtoi me fjalët: “Ne sot, kujtojmë dhe nderojmë një figurë të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare, aktorin e mirënjohur, Sulejman Pitarka”.

Me interpretimet e jashtëzakonshme të dhjetëra roleve, Pitarka i zbuloi publikut thellësitë e karaktereve në mënyrë të paimagjinueshme, duke i bërë këto role të paharruara e të pazëvendësueshme në kujtesën e artdashësve.

Sulejman Pitarka, është nderuar me disa çmime në teatër dhe kinematografi, me çmimin për “Karrierën”, Medaljen “Mjeshtër i Madh i Punës”, “Artist i Popullit” dhe “Qytetar Nderi” i Dibrës.

Ndër rolet e shumta të Pitarkës kujtojmë: Ballë për ballë – (1979), Gjeneral Gramafoni – (1978), Pas gjurmëve – (1978) Gunat përmbi tela – (1977), Tinguj lufte – (1976), dhe shumë role të tjera aq të dashura për publikun./ atsh / KultPlus.com

32 vjet nga vdekja e historianit dhe folkloristit Qemal Haxhihasani

Më 2 shkurt të vitit 1992, u nda nga jeta historiani dhe folkloristi, Qemal Haxhihasani.

Vjetët e parë të edukimit i ndoqi në Ushtrimoren dhe në Normalen e Elbasanit. Në moshën 20-vjeçare, nisi të punojë si mësues në zonat e Peshkopisë, të Korçës dhe të Tetovës. Pas vitit 1944, kreu Institutin e Lartë Pedagogjik në Tiranë dhe fill pas përfundimit të studimeve emërohet në Institutin e Folklorit, ku shërbeu deri në fund të viteve 1980.

Krahas angazhimit në katedër, Haxhihasani pat shprehur interesin për t’u thelluar në larmishmërinë e folklorit, i cili përbënte sipas tij fondamentin kryesor në përcaktimin e identitetit të një kombi. Në këtë mënyrë, për plot 55 vjet ndërmori me dhjetëra ekspozita në mbarë vendin, grumbulloi njësi folklorike, si edhe regjistroi ngjarje me rëndësi historike.

Fryt i kësaj devotshmërie janë 14 vëllime folklorike të botuara brenda e jashtë vendit dhe 87 vëllime të tjera me materiale folklorike, etnografike dhe leksikore, të cilat ofrojnë një fushëpamje tërësore në të gjitha viset e Shqipërisë. Haxhihasani ka depozituar në Arkivin e Folklorit, një koleksion dorëshkrimesh që arrin vëllimin prej 20.588 faqesh. Në brendi të tij, koleksioni përmbledh 523 këngë legjendare, 3593 këngë historike, 797 proza me tema folklorike e etnografike, 5933 këngë lirike, 627 këngë nga folklori i ri, 25 përralla, 269 legjenda për Skënderbeun, 112 legjenda të tjera, 443 gjëza, 110 proverba, 214 njësi me përshkrime zakonesh etj.

Në shenjë vlerësimi për meritat e pamohueshme në drejtim të mbledhjes së krijimtarisë popullore, Haxhihasanit i janë akorduar medaljet “Çmimi i Republikës” i shkallës së I, Urdhëri “Naim Frashëri” i klasit I dhe Urdhëri “Punonjës i Shquar i Shkencës”, i dhënë pas vdekjes. Bashkëlidhur, një letër e Akademisë së Shkencave drejtuar Këshillit drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar, që e përgëzon për emisionin e transmetuar për bashkëpunëtorin e ndjerë, Qemal Haxhihasanin. / KultPlus.com

Sot nis Grand Slami i Parisit, Kosova paraqitet me tetë xhudistë

Sot do të startojë Grand Slami prestigjioz i Parisit në sportin e xhudos.

Ekipi kosovar do të paraqitet me tetë xhudistë gjithsej, shkruan Gazeta Express.

Distria, Nora dhe Flaka ndeshën të premtën, Laura, Akili e Dardani ndeshën të shtunën, kurse Loriana dhe Shpati ndeshën të dielën.

Ndeshjet eliminuese startojnë nga ora 09:00. / KultPlus.com

“Highsnobiety”: Marka gjermane e veshjeve “A kind of Guise” frymëzohet nga Riviera Shqiptare

Shqipëria, republika e vendosur në Evropën Juglindore, është shtëpia e shumë eksporteve të njohura globale si dhe tavës së kosit, një pjatë e shijshme me mish qingji dhe oriz, dhe figurave të famshme si Dua Lipa dhe Nënë Tereza, shkruan Taylor Willson në një artikull të botuar në revistën e modës “Highsnobiety”.

Megjithatë, tani, falë “A Kind of Guise”, vendi ballkanik gjithashtu mund ta konsiderojë veten një burim frymëzimi, pasi marka gjermane e veshjeve për meshkuj zbuloi koleksionin e saj të ri Pranverë/Verë 2024 e frymëzuar nga peizazhet e ngrohta të Rivierës Shqiptare.

I titulluar “Almafi”, koleksioni i ri i “A Kind of Guise” kap thelbin e një pushimi veror klasik, veçanërisht ato momente kur koha ngadalësohet, ndërsa shikon detin bruz që vezullon, ndien ngrohtësinë e diellit në lëkurën tënde dhe rërën nën këmbët e tua.

Ky koleksion, i cili u shfaq më 1 shkurt përmes dyqanit online “A Kind of Guise”, përkthen gjallërisht frymën e verës shqiptare në një tapiceri të atmosferave të plazhit dhe ndjesisë në diell.

Veshjet kryesore përfshijnë Branimir Blouson (një xhaketë e shkurtër ushtarake deri te beli), e bërë nga një pëlhurë prej pambuku super e butë, këmisha Gusto, e cila vjen e zbukuruar me një qëndisje me lule të frymëzuar nga folklori shqiptar dhe një xhaketë lëkure Valon Vegan e bërë nga një material alternativ lëkure i bazuar në biomasë dhe lëndë të para vegjetale.

Megjithëse stina e verës mund të ndihet shumë e largët ndërsa lexoni këtë artikull mes zymtësisë së dimrit, koleksioni “Almafi” i “A Kind of Guise” është një kujtesë në kohën e duhur se muajt e ngrohtë janë shumë pranë. Tani, a do të donit një udhëtim në Shqipëri? /atsh / KultPlus.com

https://www.highsnobiety.com/p/a-kind-of-guise-ss24/

‘7 minuta’, 11 aktoret ngjiten në skenën e Pallatit të Kulturës në Lezhë

11 gra flasin për të drejtat e tyre. Secila me një histori. Janë 11 aktoret e shfaqjes “7 minuta” e cila ndaloi në qytetin e Lezhës. Vepra u vu në skenë në Pallatin e Kulturës i cili është rikonstruktuar ndërsa u prit shumë mirë nga publiku lezhian. Vetë aktoret tregojnë emocionet që u dha shikuesi që kishte mbushur sallën.

Zamira Kita: Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, publiku ka qenë shumë i dashur dhe është përcjellë një mesazh shumë i rëndësishëm sepse ne jemi 11 aktore që luajmë në këtë shfaqje.

Olta Daku: Vërtet jam shumë e lumtur. Komplimente për këtë teatër të mrekullueshëm, komplimente për spektatorin.

Rudina Dembacaj: Ishte shumë kënaqësi që u riktheva në qytetin tim dhe jam shumë krenare për sallën e Pallatit të Kulturës. Publiku shumë i ngrohtë.

Driada Dervishi: Kënaqësi për mua të vij për herë të parë në Lezhë dhe të kemi këtë mikëpritje. 7 minuta fillon një turne shfaqjesh dhe ndalon në Lezhë.

Shfaqja me regji të Driada Dervishit është ngjitur në skenë edhe në Tiranë ndërsa do të udhëtojë edhe në qytete të tjera të vendit./KlanNews/KultPlus.com

Presidentja Osmani me medalje për pjesëtarët e grupit ‘Gjurmët’

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u Ka dhuruar medalje sot pjesëtarëve të grupit ‘Gjurmët’, një prej grupeve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës shqiptare, përcjell KultPlus.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Petrit Riza, një prej anëtarëve të këtij grupi, tha SE edhe një medalje i është shtuar murit të medaljeve të këtij grupi.

“Një tjetër medalje në murin e “Gjurmëve”
Të nderuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës #VjosaOsmani”, shkroi Riza./KultPlus.com

Joe Biden: Këngët e Andrea Bocellit më ndihmuan të kapërcej dhimbjen e humbjes së djalit tim

 Jam një fans i madh i Andrea Bocellit. Unë dhe gruaja ime Jill patëm nderin ta presim atë, deklaroi Joe Biden në ‘Mëngjesin e Lutjeve’ në Capitol Hill pas performancës së artistit italian.

Presidenti kujtoi se një nga këngët e tij, ‘Fall on me’, ndihmoi familjen e tij të kapërcejë dhimbjen e vdekjes së djalit të tyre Beau.

Presidenti recitoi gjithashtu dy vargje të pjesëssë tij të preferuar./KultPlus.com

Nuk u nominua për asnjë çmim “Oscar” në rolin e Barbiet, reagon Margot Robbie

Aktorja Margot Robbie, ylli i filmit “Barbie”, ka shpjeguar se si ndihet pasi nuk u nominua për Oscar në kategorinë e aktores më të mirë.

Filmi mori tetë nominime për çmimin Oscar , duke përfshirë filmin më të mirë, aktorin më të mirë dytësor dhe aktoren më të mirë dytësore. Fansat, megjithatë, ishin të befasuar që Margo ishte anashkaluar për rolin e saj kryesor.

Robbie, e cila është gjithashtu një nga producentet e filmit, tha se nuk është e trishtuar për këtë. Ajo shtoi se misioni i filmit është të ndikojë në kulturë dhe se ky është “shpërblimi më i madh” që ka ardhur nga suksesi i filmit.

Nuk ka asnjë mënyrë që të ndihesh e trishtuar kur e di se je e bekuar kështu,” tha ajo.

Sakaq, Robbie shtoi se ishte më e mërzitur që regjisorja e “Barbie” Greta Gerwig nuk mori një nominim për Oscar për regji.

“Mendoj se Greta duhet të ishte nominuar për regjisoren më të mirë. Ajo që ajo bëri është diçka që ndodh një herë në karrierë, një herë në jetë”, ka thënë ajo.

“Barbie” fitoi 1.38 miliardë dollarë në arkat globale, gjë që dëshmoi se parashikimet e ekspertëve të industrisë se “Super Mario” do të jetë filmi më i mirë i vitit 2023 ishin të gabuara./KultPlus.com

Australian actress Margot Robbie (L) speaks to a TV presenter on the pink carpet upon arrival for the European premiere of “Barbie” in central London on July 12, 2023. (Photo by JUSTIN TALLIS / AFP)

Kthehen nga arkivat amerikane mbi 8 mijë dokumente për Shqipërinë

 Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) bën të ditur se janë kthyer mbi 8 mijë dokumente mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Kreu i DPA-së, Ardit Bido theksoi se kjo tërësi dokumentesh e marrë nga arkivat amerikane, së bashku me dy kolana gazetash, përfshirë “Albania”-n e themeluar nga “enciklopedia shëtitëse”, Faik Konica, kalojnë prej ditës së sotme nën zotërimin e Arkivit Qendror Shtetëror (AQSH), si rezultat i aktit të dhurimit të kryer prej studiuesit Artan Hoxha.

“Sikurse ka dëshmuar edhe precedenca e akteve të dhurimit, materialet dokumentare dhe fotografike të marra në dorëzim prej DPA-së, kanë shërbyer për pasurimin e fondeve, duke ofruar edhe shtysa për nisjen e hulumtimeve të reja. Kujtojmë dhurimin e arkivit vetjak të ngjeshur të poetit Lasgush Poradeci (2017) dhe të veprimtarit politik Reuf Fico (2018)”, u shpreh ai.

Po ashtu, Bido informoi se në AQSH strehohen edhe dorëshkrime të shumta të Musine Kokalarit, në përmbushje të vullnetit të saj që “një pjesë e dorëshkrimeve të dorëzoheshin në Arkivin e Shtetit, pranë Sotir Kolesë” (deklaratë e bërë prej familjares së saj, Bibika Kokalari)./KultPlus.com

UNI – Universum International College në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizon Turneun e Basketbollit për 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

UNI – Universum International College, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe Federatën e Basketbollit të Kosovës, organizon ‘Turnir në Basketboll‘ për të festuar 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky ngjarje emocionuese është përgatitur për të shfaqur talentet e basketbollit të skuadrave të shkollave të mesme nga e gjithë Kosova, me 20 skuadra pjesëmarrëse që garojnë për fitore. Turniri do të mbahet më 14 shkurt 2024, në Shkollën Don Bosko në Prishtinë.

Suksesi i ‘Turnirit në Basketboll’ nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e sponsorëve. Federata e Basketbollit të Kosovës, Trafiku Urban, Korporata Rugove, Burger King Kosovo, Cineplexx Kosovo dhe Shkolla ‘Don Bosko’ Prishtina kanë sponsorizuar këtë ngjarje, duke treguar kështu angazhimin e tyre në zhvillimin e rinisë në Kosovë dhe në promovimin e sporteve. 

Organizimi i ‘Turnirit në Basketboll’ reflekton përkushtimin e UNI – Universum International College për të nxitur zhvillimin dhe promovimin e të rinjëve të Kosovës. Si forca udhëheqëse pas kësaj ngjarjeje monumentale, UNI – Universum International College synon të ofrojë një platformë për entuziastët e rinj të basketbollit për të shfaqur aftësitë e tyre, ndërtuar miqësi dhe të nxisin vlerat e disiplinës dhe bashkëpunimit. Ngjarja e tillë që shënon sukseset e vendit, siç është 16-vjetori i Pavarësisë, tregon rolin proaktiv të UNI – Universum International College si një nismëtar për ndryshime pozitive, duke kontribuar aktivisht në zgjerimin kulturor dhe sportiv të Kosovës.

UNI – Universum International College fuqizohet dhe menaxhohet nga Arizona State University, Universiteti më i madh publik në SHBA dhe #1 për inovacion.

Për më shumë informata rreth aktiviteteve të tilla,  kontaktoni +38344144062, [email protected] ose ndiqni UNI në Facebook dhe Instagram. /KultPlus.com

Osmani takon Hovenierin, flasin për dialogun, zgjedhjet në veri e zhvillimet e fundit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka takuar ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Gjatë takimit, bëhet e ditur se u fol për zhvillimet e fundit në vend, përfshirë ato në dialogun Kosovë – Serbi dhe përgatitjet që po bëhen në lidhje me kërkesën për zgjedhje të reja në veri.

“Presidentja Osmani dhe Ambasadori Hovenier diskutuan edhe për një sërë çështjesh në rrafshin e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, si dhe çështje të tjera të interesit të ndërsjellë”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Gjatë ditës, Hovenier ka takuar edhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, ku ka deklaruar se ShBA-ja është e shqetësuar se me vendimin e BQK-së për dinarin serb, Kosova rrezikon të përballet me tensione etnike. /KultPlus.com

Qendra e Studimit të Arteve nisi veprimtaritë e para për këtë vit akademik

Qendra e Studimit të Arteve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë organizoi ligjëratën e hapur (lectio magistralis) “Ndërthurje” nga prof. asoc. dr. Gjergj Prevazi.

Veprimtarinë e hapi akad. asoc. Stefan Çapaliku. drejtor i Qendrës së Studimit të Arteve. Ai theksoi se përgjatë këtij viti akademik, lectio magistralis do të vijojnë të mbahen në Akademinë e Shkencave nga një në çdo muaj.

“Ndërthurja” u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi mes prof. asoc. dr. Gjergj Prevazit, koreograf, pedagog dhe drejtor i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” dhe dr. Anxhela Hoxha-Çikopanos (Qendra e Studimit të Arteve).

Koreografi Gjergj Prevazi rrëfeu fillimet e karrierës së tij si pjesë e trupës profesioniste në teatrin “Aleksandër Moisiu” si koreograf i këtij teatri dhe më pas si koordinator në qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë.

Krijimet koreografike të Gjergj Prevazit janë mbështetur mbi eksperimentet, duke lëvruar për herë të parë në Shqipëri stilin Dance Theatre. Ai ka krijuar e bashkëpunuar me regjisorë të mirënjohur e artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, etj, duke i dhënë një shtysë të madhe baletit modern.

Prof. asoc. dr. Prevazi përshkroi filozofinë e krijimtarisë së tij në projektet e shfaqjeve si “Zarabanda” “Tranzicion”, “Kontrast”, “Kumt”, “Këngëtarja tullace”, etj.

Për Gjergj Prevazin, gjuha e trupit, komunikimi joverbal është një komunikim universal dhe si i tillë ai është i pafund. Rikthimet në motivet folklorike dhe në zanafillat e kërcimit njerëzor e kanë pasuruar repertorin e Gjergj Prevazit dhe artin e koreografisë moderne. /ATSH /KultPlus.com