Visar Kryeziu, Vjosa Sadriu Hamiti e Ridvan Slivova janë një ndër fotoreporterët dhe gazetarët e kohës së luftës, që nëpërmjet punës së tyre edhe është dokumentuar një pjesë e viteve të vështira të popullit shqiptar.
Që të tre do të tregojnë për përjetimet e tyre përgjatë asaj periudhe, për ngjarjet që i kanë lënduar më së shumti, për rëndësinë e lajmeve në atë kohë.
Kjo ngjarje do të mbahet në kuadër të shënimit të 26-të vjetorit të Çlirimit të Kosovës, dhe mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport.
Takimi me fotoreporterët e luftës dhe gazetare do të mbahet sot, prej orës 19:00 në KultPlus Caffe Gallery.
Kryengjarja e librit në Kosovë, Panairi mbarëkombëtar i librit “Prishtina 2025” do mbahet më 11-15 qershor.
Me moton “Inteligjenca rrjedh nga libri” vjen edicioni i 25-të i Panairit të librit, organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, me ndihmën dhe bashkëpunimin e vyer të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Prishtinës dhe Pallatit të Rinisë.
Ceremonia e hapjes do të mbahet sot në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë, traditë kjo e televizionit publik të Kosovës, RTK.
Panairi do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00-21:00. Panairi do të mbyllet më 15 qershor në orën 19:00.
Hyrja për vizitorë: pa pagesë!
Marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora.
Numri i titujve të rinj: rreth 2000. Numri i titujve të viteve të fundit: rreth 6000.
Përvjetorët që shënohen në Panairin e 25-të të librit janë:
– 100-vjetori i lindjes së Martin Camajt
– 150-vjetori i lindjes së Faik Konicës
– 200-vjetori i lindjes së Pashko Vasës
– 400-vjetori i lindjes së Pjetër Bogdanit
Mbi 40 aktivitete, promovime, autorë të pranishëm në panair, ku spikasin:
Panairin pritet ta vizitojnë rreth 30000 vizitorë: studentë, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të Kosovës, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare, politike e intelektuale e Kosovës. Ky panair përkon edhe me përvjetorë të rëndësishëm që do të shënohen me aktivitete, përkujtime e debate. Do të ketë të ftuar specialë, shkrimtarë nga Franca, etj./ KultPlus.com
Turizmi në Kosovë ka shënuar rritje të ndjeshme gjatë muajit prill 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 12.4%, ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur një rritje edhe më të theksuar prej 17.9%.
Këto shifra tregojnë një rikthim të fuqishëm të interesimit për Kosovën si destinacion turistik, si nga vizitorët vendës ashtu edhe nga ata të huaj.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në prill të vitit 2024 numri i vizitorëve të jashtëm ishte 30 mijë 014, ndërkaq në prill të vitit 2025 numri i tyre është 32 mijë e 432 vizitorë.
“Në Republikën e Kosovës, në muajin prill 2025, krahasuar me muajin prill 2024, numri i vizitorëve ka pasur rritje për 12.4% ndërsa net qëndrimet e tyre kanë pasur rritje për 17.9%”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj është nga Shqipëria, Gjermania, Turqia, Zvicra etj./ KultPlus.com
Zemra kemi mundur t’i nxjerrim në secilin trëndafil Derisa bozhuret të ligjërojnë mbi atë mbretëri Që është rrënuar deri në gurin e fundit të themelit Përse nuk arritën ka krijojnë as pamjen e mykur
Këtu asgjë nuk është në atë vend siç ka qenë As beteja që ka vallëzuar me koka dhe shpata Zllapohet tash gjaku e bozhuret hanë vetveten Në mungesë të bukës që e sosi mbretëria e marrë
Luftëtarët i varëm për degët e historisë Kemi mundur t’i kërkojmë fëmijët tanë nëpër luftëra Të cilët na i mësuan emrat si të stërgjyshërve Apo i ndrydhën në këtë ditë që është jatagan
Nëse prapë zë fill beteja atëherë ku jemi ne Do të ktheheshim në zanafillë apo do të mbylleshim Në zemrat e bozhureve si në zemrat tona robër Të ëndërrojmë parajsën e kuqe si vuajtjen tonë
Por këtu gjithçka tjetër është rrënuar përveç nesh./ KultPlus.com
Shtetndërtimi i Kosovës, nga përpjekjet e vazhdueshme, fillimisht që të mos pranohet pushtimi serb nga viti 1912, ripushtimet nga vitet 1918 dhe 1944, si dhe përpjekjet e saj për etnocid, kultorocid dhe së fundit për gjenocid, përpjekje këto, që në fund të viteve të gjashtëdhjeta e deri në fund të atyre të tetëdhjetave, do të kthehen në përpjekjet që pushtimi të zëvendësohet me Republikën e Kosovës në federatën jugosllave, do të ishte i vështirë ose i pamundur fare, pa fushatën ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999, kur në Kumanovë, gjeneralët jugosllavë nënshkruan marrëveshjen kapitulluese për tërheqjen e të gjitha forcave policore dhe ushtarake nga Kosova. Të nesërmen, pasi që do të jetë miratuar rezoluta 1244 e KS të OKB-së dhe hyrjes së saj në fuqi një ditë më vonë, me fillimin e tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova si dhe fillimin e futjes së forcave të NATO-s, në kuadër të KAFOR-it, fillon çlirimi i Kosovës nga pushtimi 87 vjeçar serbo-jugosllav.
Kjo i hapi rrugë protektoratit ndërkombëtar në Kosovë nën mbikëqyrjen e OKB-së në kuadër të misionit të UNMIK-ut, që mori fund më 17 shkurt 2008 kur Kosova shpalli pavarësinë. / KultPlus.com
Mbrëmë, publiku në Prishtinë pati mundësinë të jetë dëshmitar i një mbrëmje muzikore që kumbonte nën tingujt e veprave të Chopin, interpretuar me mjeshtëri nga pianisti i njohur britanik, Peter Donohoe, në koncertin që përmbylli edicionin e sivjetshëm të festivalit ‘Chopin Piano Fest Prishtina’, shkruan KultPlus.
Në një atmosferë intime dhe të përqendruar tek lëvizjet e Donohoe, audienca pati mundësinë të dëgjojë disa nga veprat më të rëndësishme të kompozitorit Frédéric Chopin.
Koncerti nisi me Barcarolle, Op. 60, një vepër lirike që ngërthen në vete lëkundjen e një varke imagjinare në një natë të qetë veneciane, interpretim ky që e përgatiti publiku që në fillim me bukurinë artistike që do ta përcjellte edhe në pjesën e mbetur. Më pas, Donohoe intepretoi Polonaise-Fantaisie, Op. 61, një nga veprat më enigmatike dhe të fuqishme të Chopin.
Në vazhdim, Donohoe solli dy Nokturnet, Op. 62 dhe më pas Tre Valset, Op. 64 e mbyllën pjesën e parë të koncertit me një shpërthim tingujsh që shkonin nga dramatikja, te e qeta dhe më melankolike.
Pas pushimit, mbrëmja mori një drejtim tjetër artistik, duke shpalosur jehonën e ndikimit të Chopin. Donohoe interpretoi me mjeshtëri ‘10 variacionet dhe fugën mbi një temë të Chopin’ nga kompozitori italian Ferruccio Busoni.
Koncerti u përmbyll me ‘22 variacionet mbi një temë të Chopin-it nga Sergei Rachmaninoff’, ku çdo notë solli një dramë të brendshme, ndjeshmëri dhe virtuozitet. E gjithë kjo performancë më shumë se dy-orëshe u shoqërua me ovacione dhe brohoritje nga publiku, në formë mirënjohje për këtë përjetim.
Pas interpretimit të tij të fuqishëm në mbrëmjen përmbyllëse të Chopin Piano Fest Prishtina, pianisti i Peter Donohoe ndau me KultPlus përshtypjet e tij me një reflektim të thellë mbi përvojën muzikore dhe marrëdhënien e tij me repertorin e zgjedhur.
Donohoe theksoi se Chopin është ndër kompozitorët më sfidues për një pianist, jo vetëm për kërkesat teknike, por edhe për ndjeshmërinë e thellë dhe kompleksitetin muzikor që kërkon interpretimi i veprave të tij.
“E konsideroj Chopin-in, në shumë mënyra, si një nga kompozitorët më kërkues për pianon. Ai, në një farë mënyre, e shpiku stilin modern të të luajturit në piano. Dhe çdo gjë që është shkruar para se ai të jetonte është krejtësisht ndryshe. Edhe shumica e muzikës pas tij është gjithashtu ndryshe. Është një lloj unikaliteti. Qëndron më vete si një individualist. Dhe për mua, kjo ka qenë shumë, shumë sfiduese, disi e ngjashme me Mozart-in, por në një mënyrë pak më ndryshe. Por edhe Mozart qëndron i veçuar mbi të gjithë të tjerët. Dhe këta dy kompozitorë, për mua, janë më të vështirët nga të gjithë, nga aspekti muzikor, teknik, në gjithçka”, tha Donohoe teksa shtoi se është kënaqësi për të që të interpretojë veprat e tij në Prishtinë, në festivalin që mban emrin e Chopin.
Po ashtu, pianisti foli edhe në lidhje me përshtypjet nga publiku dhe qyteti i Prishtinë, duke rikujtoi vizitën e tij të parë në Prishtinë, më shumë se një dekadë më parë.
“Ishte viti 2010 kur erdha për herë të parë, dhe ndryshimi që ka ndodhur që nga ajo kohë është i pabesueshëm, më pëlqen të jem pjesë e këtij ndryshimi dhe ta shoh atë të ndodhë. Është vërtet e mrekullueshme. Dhe janë njerëz shumë të mirë. Sigurisht që janë. Duhet ta them këtë sepse vërtet e mendoj”, tha mes tjerash Donohoe.
Në përmbyllje të këtij edicioni, drejtoresha artistike e festivalit, Lejla Pula, mes emocionesh ndau me KultPlus arritjet e këtij edicioni. Ajo theksoi prezencën e artistëve nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, përkushtimin e tyre artistik, si dhe lidhjen e veçantë që tashmë është krijuar me publikun e Prishtinës, një publik që vjen i përgatitur, me njohuri dhe vlerësim të thellë për artistët që performojnë.
“Sivjet kanë qenë nga trembëdhjetë shtete të ndryshme, domethënë artistë që kanë performuar në skenën e Chopin Piano Fest dhe mund të them se vërtet është mbresëlënëse edhe interesimi i publikut, Jemi bërë si familje sepse njerëzit që vijnë, dinë çka i pret, domethënë i lexojnë emrat e artistëve, lexojnë për ta dhe dijnë çfarë bagazhi kanë. Kemi qenë dëshmitarë që interpretimi ishte fantastik qysh nga fillimi, ne kemi pasur edhe recitale pianistike duke filluar nga pianistja polake e cila e ka hapë me një mbrëmje të Shopenit edhe sonte po e mbarojmë me rezidentin e festivalit, maestro Peter Donohoe, i cili është vërtet legjendë e pianizmit botëror, ai përsëri e ka pranuar ftesën tonë dhe e luan një program të jashtëzakonshëm, të vështirë e virtuoz”, shprehet Pula për KultPlus, duke shtuar mes tjerash që si organizatorë janë të kënaqur me arritjet e këtij edicioni.
Besa Luzha, po ashtu bashkë-organizatore e Chopin Piano Fest Prishtina, foli për KultPlus për edicionin e sivjetëm, duke vënë theksin jo vetëm te suksesi artistik i festivalit, por edhe te ndikimi i tij tek publiku pa marrë parasysh nëse janë muzikantë apo jo.
“Në këtë edicion të ‘Chopin Piano Fest’, pothuajse çdo mbrëmje ka pasur publik të ndryshëm, ka pasur edhe të tillë që kanë ardhë pothuajse në çdo mbrëmje. E bukura e festivalit është kur ofron, mbrëmje të ndryshme, me ngjyra të ndryshme, me përmbajtje të ndryshme dhe tërheqë audiencë të ndryshme. Kështu që kemi pasë të ri, të moshuar, muzikantë, jomuzikantë. Për neve kjo është shumë me rëndësi sepse festivali ka këtë mission, të promovojë muzikën klasike edhe te ata që nuk merren profesionalisht me të. Kemi pasë jashtëzakonisht risi, emra të ri, interpretime të reja. Niveli është veç duke shku duke u vërejtë”, theksoi Luzha.
I pranishëm në këtë ngjarje, kryetari i Prishtinës Përparim Rama u shpreh mirënjohur ndaj organizatorëve që çdo vit sjellin këtë frymë të muzikës klasike në kryeqytet.
Është kënaqësi e veçantë që të jem së bashku me të gjithë ju dashamirë të artit. I falënderoj nga zemra dy organizatoret Besën dhe Lejlën që na e mbushin kryeqytetin me tingujt të mrekullueshëm çdo vit. Edhe këtë vit, jemi në vitin e 15-të të ‘Chopin Piano Fest’ ku arti e kultura shkëlqejnë në kryeqytet nga artistë të vendeve të ndryshme të botës, prej Polonisë në ShBA, Francë, Itali e nga vende të ndryshme të botës që vijnë këtu dhe në njëfarë mënyre edhe sjellin dashuri tek ne por edhe bijnë në dashuri me kryeqytetin, prandaj dua ti falënderoj të gjithëve na krijojnë këtë atmosferë të mrekullueshme këtu në Prishtinë.
Ndërkaq, Chopin Piano Fest Prishtina është mbajtur nga 8 maj deri më 9 qershor, e përgjatë këtyre ditëve, publiku ka pasur undësinë të dëgjojë kryevepra të muzikës botërore, interpretuar nga artistë vendor e të huaj./KultPlus.com
Më 16 qershor do të hapet edicioni i 13-të i festivalit FemArt, nën organizimin e Artpolis – Qendra për Art dhe Komunitet, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përcjell KultPlus.
Këtë vit, hapja e festivalit përkon me Ditët e Çlirimit të Prishtinës.
Në natën hapëse do të performojë ‘Shkodra Elektronike’, grupi që perfaqësoi Shqipërinë në Eurosong 2025.
Ndërkaq, këtë vit FemArt vjen me moton ‘Çliroje mendjen’ dhe do të zgjasë deri më 21 qershor./KultPlus.com
Aktorja Shengyl Ismaili është nderuar me çmimin “Aktorja më e mirë” në edicionin e 15-të të festivalit ndërkombëtar të filmit SEE Film Festival, përcjell KultPlus
Ajo fitoi këtë vlerësim të rëndësishëm për rolin e saj në filmin “Okarina”, me regji nga Alban Zogjani.
Në vijim KultPlus ua sjell njoftimin e aktores Shengyl Ismaili:
Me filmin ”OKARINA” fitova cmimin Aktorja me e mire e festivalit “SEE FILM FESTIVAL” te edicionit te 15, e pranoj me shume mirenjohje e dashni!
Falenderim i vecant i shkon regjisorit Alban Zogjani qe ma besoj ket rol e qe nuk u pendu ( BESOJ) si dhe kolegeve te mi te filmit Jehon Gorani, dhe Kastriot Shehi.
Ky cmim eshte per ekipin, per perkushtimin, per artin tone qe nuk njef kufi!/KultPlus.com
Lumi Vjosa, i njohur si lumi i fundit i egër në Europë, pritet të përfshihet në listën e trashëgimisë së mbrojtur nga UNESCO, si pjesë e programit ndërkombëtar “Njeriu dhe biosfera”.
Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi të zhvilluar në Nice mes ministres së Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro si dhe drejtoreshës së përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, një mbështetëse e vazhdueshme e Shqipërisë dhe e përpjekjeve të saj për mbrojtjen e pasurive kulturore dhe natyrore.
“Audrey Azoulay, një mikeshë e vyer e Shqipërisë me të cilën kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e kulturës. Tani po kurorëzojmë një tjetër arritje të përbashkët: përfshirjen e Vjosës në trashëgiminë e UNESCO-s, si simbol i harmonisë mes natyrës dhe njeriut”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Kumbaro shtoi se vendimi zyrtar për përfshirjen e Vjosës pritet në shtator, çka do ta bëjë këtë zonë unike natyrore pjesë të listës prestigjioze të trashëgimisë botërore.
Ky do të jetë një hap i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin, duke e përforcuar statusin e Parkut Kombëtar të Vjosës si i pari i këtij lloji në Europë.
Lumi Vjosa është i njohur si “lumi i fundit i egër në Europë”, pasi rrjedh në mënyrë të lirë për rreth 270 km, nga burimet në malet e Pindit në Greqi (ku quhet Aoos), deri në derdhjen në detin Adriatik në Shqipëri.
Lugina e Vjosës është një ekosistem unik, që përfshin habitate të ndryshme si pyje, ishuj ranorë dhe toka bujqësore, më shumë se 1100 lloje bimore dhe shtazore, përfshirë specie të rrezikuara si vidra, pelikanët dalmatianë dhe peshq endemikë, është një korridor migrimi për shumë shpendë dhe një zonë e rëndësishme për biodiversitetin europian./atsh/KulPlus.com
Më 13 qershor do të mbahet promovimi i librit më të ri të autorit Ballsor Hoxha, me titull “Sytë e zinj të Borës”, përcjell KultPlus.
Promovimi so të mbahet nga ora 18:00, në Librarinë Dukagjini në Prishtinë.
Gjatë promovimit do të ketë diskutime nga tre panelistët nga fusha akademike dhe letrare: Edona Llukaçaj, Bardh Rugova dhe Agron Gashi. Po ashtu, në diskutim do të marrë pjesë edhe vetë autori Ballsor Hoxha./KultPlus.com
Pas prezantimit në konferencën I/O 2025, Google ka filluar testimin e funksionit të ri “Search Live” në modalitetin AI të aplikacionit të tyre për Android dhe iOS, raporton 9to5Google.
Ky opsion shfaq një formë valëzuese me yll nën shiritin e kërkimit dhe një buton të ri rrethor gjatë bisedave me AI, duke zëvendësuar Google Lens. Ndërfaqja mbulon ekranin me opsione “Mute” dhe “Transcript”, dhe pas pyetjes shfaq karusel me faqet e përdorura për përgjigjen.
Përdoruesit mund të vazhdojnë bisedën në sfond, ndërsa opsioni i kamerës nuk është ende aktiv. Funksioni do të shpërndahet gradualisht për përdoruesit./KultPlus.com
Ndoshta të dua. Ndoshta të dua shumë. Por pikërisht për këtë arsye ndoshta do të jetë më mirë që të mbetemi ashtu siç jemi. Ndoshta një burrë dhe një grua janë më pranë njëri-tjetrit kur nuk jetojnë bashkë dhe e dinë se vetëm ekzistojnë, kur i janë mirënjohës njëri-tjetrit vetëm sepse ekzistojnë dhe sepse njëri e di që tjetri ekziston. Dhe lumturisë së tyre kjo i mjafton.
Marrë nga: Beti Njuma & Biblioteka e librave të harruar / KultPlus.com
Aktori i njohur kosovar Afrim Muçaj është shpërblyer me çmimin prestigjioz “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival, i cili u mbajt në Paris, shkruan KultPlus.
Muçaj mori këtë vlerësim për rolin e tij kryesor në filmin “Everybody Calls Redjo”, një prodhim i cili po tërheq edhe vëmendjen ndërkombëtare.
Pas këtij çmimi, Afrim Muçaj, tha për KultPlus se ndjehet shumë i lumtur dhe i nderuar me këtë vlerësim.
“Jam i lumtur dhe thellësisht i nderuar që roli im në filmin ‘Everybody Calls Redjo’ është vlerësuar me çmimin ‘Aktori më i mirë’ në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris”, theksoi Muçaj.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e punës ekipore dhe dedikimit që qëndron pas këtij filmi.
“Ky çmim është një moment i rëndësishëm jo vetëm për mua, por edhe një mirënjohje për punën e palodhur të gjithë ekipit që qëndron pas këtij filmi në krye me Ibron”, tha ai teksa shtoi se momente si ky të kujtojnë pse ia vlen të mos heqësh dorë kurrë.
Ai më tutje e përshkroi çmimin si një shtysë për të vazhduar rrugëtimin artistik me më shumë përkushtim.
“Ky çmim është edhe një nxitje për të vijuar rrugëtimin tim artistik me përgjegjësi, përkushtim dhe dashuri ndaj këtij profesioni. E ndaj këtë sukses me publikun, me kolegët e mi dhe me të gjithë ata që besuan dhe vazhdojnë të besojnë në punën time. Çdo rol është një rrugëtim i brendshëm dhe ky çmim është një stacion i bukur në këtë udhëtim të gjatë por fantastik”, përfundoi Muçaj për KultPlus.
Ndërkaq, filmi “Everybody Calls Redjo” është një dramë sociale e ndërtuar rreth jetës së një të riu që lufton me paragjykimet, vetëpranimin dhe raportet familjare në një mjedis të ngarkuar emocionalisht.
Roli i Redjos, i interpretuar nga Afrim Muçaj, është një portretizim kompleks i një individi që përpiqet të gjejë vendin e vet në një shoqëri që shpesh refuzon të kuptojë ndjeshmërinë dhe dallueshmërinë.
Me regji nga Ibër Deari, në filmi “Everybody Calls Redjo” luajnë edhe aktorër Adriana Matoshi, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Bujar Ahmeti, Labinot Raçi, Bereda Reshit, Ledion Mulaki, Blerim Ismani, Muzafer Etemi, Valdeta Ismajli, Blerim Dardhishta, Sara Bajrami etj. / KultPlus.com
Aktori kosovar, Afrim Muçaj është shpallur ‘Aktori më i mirë’ në festivalin ‘See Film Festival’ në Paris, përcjell KultPlus.
Lajmin e ka bërë të ditur regjisori Ibër Deari në profilin e tij në Facebook.
Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e Dearit:
Afrim Muçaj shpallet “Aktori më i mirë” në SEE Film Festival 2025 – Paris
Jam i lumtur dhe krenar të ndaj me ju lajmin se aktori Afrim Muçaj, në rolin e Rexhes, Everybody Calls Redjo është shpallur “Aktori më i mirë” në edicionin e 15-të të SEE Film Festival 2025, që u mbajt në Paris
Ooo Rexhep Nushi urime çmimin, shume i lumtur për ty.
Faleminderit jurisë prestigjioze dhe të gjithë atyre që besuan në këtë histori. Juria ndërkombëtare e përbërë nga: Frosa Pejoska-Bouchereau (kryetare), Madalina Vartejanu-Joubert, Igor Stanković, Frederic Fappani von Lothringen, Yves Rousslet,/KultPlus.com
Prej datës 13 qershor e deri më 19 qershor, Shqipëria do të mikprerë kulturën e artin suedez, raporton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Më 13 qershor, Nina Wedberg Thulin dhe Maria Backman, do të çelin ekspozitën përfshirëse “Fleeing”.
Një natë më pas, do të ketë një koncert me muzikë klasikë, i cili do të zhvillohet në Teatrin e Metropolit.
Ruajtja e së kaluarës dhe formësimi i së ardhmes, do të jetë një tjetër aktivitet i cili do të zhvillohet tek Kube, në Gjirokastër.
Ky aktivitet, që do të zhvillohet më 16 qershor do të jetë një takim mes kulturës shqiptare dhe asaj suedeze në qytetin historik të Gjirokastrës, për të reflektuar mbi trashëgiminë dhe bashkëpunimin.
Performanca e këngëtares Jenny nga grupi legjendar Ace of Base do të jetë kulminacioni i Javës Kulturore Suedeze, me një super performancë live që do të elektrizojë sheshin “Skënderbej” mbrëmjen e datës 17 qershor.
Dhe në 18 qershor do të ketë aktivitete kushtuar përdorimit të biçikletës nën moton “Së bashku për një Shqipëri më të gjelbër & më të sigurt”.
Me pak fjalë, Java Kulturore Suedeze do të jetë e mbushur me art, muzikë, trashëgimi kulturore dhe aktivizëm qytetar./KultPlus.com
Njeriu më i mençur që kam njohur në këtë botë, nuk dinte as të lexonte edhe as të shkruante. Në orën 4 të mëngjesit, kur sapo niste të zbardhte dita, ai zgjohej dhe shkonte në arë për të ushqyer disa derra, pjelloria e të cilëve ushqente atë dhe gruan e tij. Prindërit e nënës sime jetuan në këtë varfëri, në fermën e vogël të derrave, të cilët pasi rriteshin u shiteshin fqinjëve në fshatin tonë Azinhaga në provincën Ribatejo. Gjyshërit e mi ishin Jerónimo Meirinho dhe Josefa Caixinha dhe ishin të dy ishin analfabetë. Gjatë dimrit, kur i ftohti i natës arrinte të ngrinte edhe ujin në depozitat brenda shtëpisë, ata shkonin në stallë, merrnin në krahë derrat më të vegjël dhe i shtrinin në shtratin e tyre bashkëshortor. Ngrohtësia njerëzore i shpëtonte kafshët e vogla nga ngrirja, dhe shmangte ngordhjen e tyre të sigurt. Edhe pse ishin që të dy njerëz të sjellshëm, nuk ishte shpirti i dhimbsur ai që i shtynte të vepronin ashtu. Pa sentimentalizëm apo retorikë, ajo që u interesonte ishte mbrojtja e bukës së tyre të përditshme. Siç është e natyrshme për njerëzit, që për të mbijetuar nuk mendojnë për asgjë tjetër përveç asaj që është e domosdoshme. Dhe ndonjëherë gjatë netëve të nxehta të verës, gjyshi më thoshte pas darke: “José, sonte le të flemë të dy nën pemën e fikut”. Në fermë ishin edhe dy pemë fiku, por ai që ishte më i madhi sepse ishte më i vjetri, kishte qenë gjithmonë fiku për të gjithë anëtarët e familjes. Kur gjumi vononte të më zinte, mbrëmja ime mbushej me histori dhe ngjarje që më tregonte gjyshi:legjenda, ngjarje të tmerrshme, episode të veçanta, vdekje të lashta, luftime me shkopinj dhe gurë, fjalë të urta të paraardhësve tanë, një mori e madhe kujtimesh që më mbanin zgjuar dhe në të njëjtën kohë më ndihmonin më flija. Unë nuk mund ta dija nëse ai ndalonte së foluri kur e kuptonte se më kishte zënë gjumi, apo nëse ai vazhdonte të më tregonte gjëra në mënyrë që të mos linte në mes përgjigjen që unë nxisja pa pushim në pauzat më të gjata që ai krijonte qëllimisht gjatë rrëfimit të historive:“Po pastaj”? Ndoshta ai i përsëriti historitë për veten e tij, si një mënyrë për të mos i harruar ato, apo edhe për t’i pasuruar me detaje të reja. Në atë moshë, siç të gjithë kemi bërë, ndoshta nuk është nevoja të them por e imagjinoja gjyshin tim Jeronimo si padronin e të gjitha njohurive të botës. Kur në agimin e parë të dritës së ditës së re, më zgjonte kënga e zogjve…Gjyshja ime, të cilën e kishte zgjuar gjyshi im por që ishte ngritur para tij, më vendoste një tas të madh me kafe me disa copa bukë dhe më pyeste nëse kisha fjetur mirë. Nëse i tregoja asaj ndonjë ëndërr të keqe që vinte nga tregimet e gjyshit, ajo me qetësonte gjithmonë: “Mos i kushto aspak vëmendje, në ëndrra nuk ka asgjë të qëndrueshme”. Vetëm shumë vite më vonë, kur gjyshi im u largua nga kjo botë, dhe unë isha tashmë një burrë, e kuptova më në fund se tek e fundit edhe gjyshja ime besonte tek ëndrrat. Nuk kishte sesi të ishte ndryshe, pasi isha ulur një mbrëmje para derës së shtëpisë së saj të varfër, ku ajo jetonte tashmë vetëm, duke treguar me dorë yjet e mëdhenj dhe të vegjël mbi kokën e saj, më tha këto fjalë: “Bota është kaq e bukur dhe është mëkat që ne duhet të vdesim”! Ajo nuk tha se kishte frikë nga vdekja, por tha se ishte për të ardhur keq që ekzistonte vdekja, a thua se jeta e saj e vështirë përmes punës së vazhdueshme, pikërisht në momentet afër fundit, po merrte hirin e një lamtumire supreme, ngushëllimin e një bukurie të ri-zbuluar. Ajo ishte ulur para derës së një shtëpie që nuk mund ta imagjinojë askush tjetër në botë, sepse në të jetonin njerëz që mund të flinin me derrat si të ishin fëmijët e tyre, njerëz të cilëve u vinte shumë keq të largoheshin nga jeta pikërisht sepse bota është e bukur. Dhe ky ishte Jeronimo, gjyshi im, bari derrash dhe tregimtar historish, që duke ndjerë vdekjen që vinte, shkoi për t’i thënë lamtumirë pemëve në oborr një nga një, duke i përqafuar dhe duke qarë sepse e dinte që nuk do t’i shihte më kurrë. Shumë vite më vonë, duke shkruar për herë të parë për gjyshin tim Jeronimo dhe gjyshen time Josefa, më në fund isha i ndërgjegjshëm se po i transformoja njerëzit e zakonshëm ashtu siç ata ishin në personazhe letrarë, dhe se kjo ishte ndoshta një mënyrë për të mos i harruar ata, duke vizatuar dhe ri-vizatuar fytyrat e tyre me lapsin që e ndryshon gjithmonë kujtesën, duke ngjyrosur dhe ndriçuar monotoninë e një rutine të përditshme pa horizont, gati si për të krijuar në hartën e paqëndrueshme të kujtesës, një realitet të mbinatyrshëm të vendit në të cilin ata vendosën të jetonin. Tani mund t’i shoh qartë ata që ishin mësuesit e mi të jetës, ata që më mësuan më intensivisht punën e vështirë të të jetuarit …
Chatbot-i i inteligjencës artificiale i OpenAI, ChatGPT, së bashku me shërbimet e tij të lidhura, përjetuan një ndërprerje të gjerë sot, duke lënë mijëra përdorues në të gjithë globin të paaftë për të hyrë në platformë, sipas raporteve të përdoruesve dhe faqes së statusit të kompanisë, transmeton Anadolu.
Downdetector, një shërbim që monitoron ndërprerjet e faqes së internetit, raportoi një rritje të ndjeshme të ankesave të përdoruesve, me mijëra në nivel global që përmendin probleme në aksesin në ChatGPT, përfshirë mesazhe gabimi dhe kohë të ngadaltë përgjigjeje.
Të dhënat e faqes treguan një rritje të konsiderueshme të raporteve të ndërprerjeve, megjithëse është e paqartë nëse të gjithë përdoruesit u prekën.
Ndërprerja ndikoi gjithashtu në shërbimet e lidhura, me OpenAI që pranoi problemin në faqen e saj të statusit, duke deklaruar: “Disa përdorues po përjetojnë shkallë të larta gabimesh dhe vonesa në të gjitha API-të, ChatGPT dhe Sora”.
Kompania tha se po heton në mënyrë aktive, por nuk ka dhënë një afat kohor për zgjidhjen./KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Dea Open Air” nisi edicionin e tij të 12-të në mjediset e Universitetit të Arteve.
Pas ritualit të kalimit në tapetin e kuq të dashamirësve të kinematografisë, pjesëmarrësit dhe të ftuarit në këtë ngjarje me rëndësi, i përshëndeti drejtori i festivalit, Edmond Topi.
“Prej dymbëdhjetë vitesh “Dea” i ka qëndruar besnik misionit të vet: promovimit të kinemasë me përmbajtje, pasion dhe integritet. Edhe motoja e këtij edicioni, “Kinemaja si integritet”, nuk është një thirrje abstrakte, por një qasje dhe nevojë në kohët që po jetojmë”, tha Edmond Topi. Drejtorja Artistike e Festivalit, Mirela Oktrova iu referua rolit shoqëror të kinemasë dhe kontributit të festivaleve të filmit në shoqëri.
“Dea zgjedh të mbështesë, shfaqë dhe promovojë një kinema që flet për njeriun, për të vërtetën dhe për guximin e tij, për të thënë atë që duhet dhe jo atë që shitet më shpejt apo më shumë”, u shpreh Oktrova.
Konkurimi në këtë festival zhvillohet në 3 seksione: në Seksionin e Filmit me Metrazh të Gjatë, ku marrin pjesë 6 filma nga: Shqipëria, Brazili, Maqedonia, Italia, Polonia dhe Turqia, në Seksionin e Filmit Studentor, me 13 filma nga 9 vende të botës dhe në Seksionin e Filmit të Shkurtër ku garojnë 19 filma nga 15 vende të botës.
Edicioni i 12-të i “Dea Open Air” u hap me një shfaqje filmi jashtë konkurrimit, për shkak të autorësisë së organizatorëve të festivalit në të.
Filmi “Vdekja le të presë”, me skenar të Uli Bree, regji të Edmond Topit dhe pjesëmarrjen e emrave më të njohur të kinematografisë shqiptare, është një komedi romantike, por njëkohësisht dhe një film qe trajton tema me rëndësi për shoqërinë. Ai synon të rikthejë vëmendjen e shoqërisë ndaj moshës së tretë, duke e paraqitur atë jo thjesht si një grup të pambrojtur, por para së gjithash, si një komunitet aktiv dhe kontribues në jetën shoqërore është njëkohësisht edhe një homazh për njërën prej ikonave më të spikatura të kinematografisë shqiptare, aktoren Margarita Xhepa, e cila u nda nga jeta vetëm para pak kohësh./atsh/KultPlus.com
Edhe kur flemë ne mbrojmë njëri-tjetrin Mbrojmë dashurinë më të rëndë se fryti i pjekur, Dhe kjo dashuri pa lot e të qeshur zgjat shekuj, Zgjat ditë pas dite e natë pas nate pas nesh./KultPlus.com
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nisi një cikël takimesh me temë “Letërsia dhe kufijtë” me në fokus letërsinë e qytezave.
Ky cikël nisi nga Vau i Dejës me poetet Valbona Mulaj Lluka dhe Melita Vjerdha, dy poete të cilat jetojnë dhe krijojnë aty. Rita Petro nga Tirana ishte e ftuara speciale e takimit e cila ndau me të pranishmit pikëpamjet e saj mbi letërsinë e sotme dhe jo vetëm. Pjesë e takimit ishin dhe dy poetet e mirënjohura Arjola Zadrima dhe Mimoza Rexhvelaj dhe gjithashtu zonja të qytetit Vau i Dejës të cilat lexuan poezi dhe bashkëbiseduan me poetet e panelit.
QKLL bëri të ditur se takimet e ciklit “Letërsia dhe kufijtë” do të vijojnë përgjatë muajit qershor në Gramsh, Roskovec etj.
Ndërkohë, në mjediset e QKLL u promovua libri më i ri me poezi nga Alban Bala me titull “Puthlutja ime”. Gjatë aktivitetit promovues ishte i pranishëm kritiku Agim Baçi. QKLL e vlerësoi “Puthlutjen” si një vëllim interesant me përjetimet personale të autorit mbi temën e dashurisë, jetës, ekzistencës dhe Zotit. Alban Bala është edhe autor i librave “Orët e shtëpisë” dhe “Ikje nga shtrati”.
Shkëputur nga poezia “Në oborrin e Rushës”:
Të pashë vajzuke, dritë, veshur në të bardha, zbrisje shkallët prej guri të kujtesës. Të prita sa me të thanë “më ka marrë malli” ti heshte gjer tani dhe unë u zbardha./KultPlus.com
Ka dalë nga shtypi numri i parë i “Journal of Kosovo Music and Culture”, një revistë shkencore e re që synon të ndriçojë trashëgiminë muzikore dhe kulturore të Kosovës përmes studimeve të mirëfillta akademike. Revista, e cila botohet në gjuhën angleze me qasje të hapur, publikohet dy herë në vit nga Genc Bilge (Young Wise) Publishing Ltd, me seli në Turqi.
Në numrin e parë prezantohen katër artikuj shkencorë dhe dy recensione që trajtojnë tema të rëndësishme të historisë, etnomuzikologjisë dhe kulturës muzikore të Kosovës:
• Prof. ass. dr. Rreze Kryeziu Breznica paraqet një pasqyrë të literaturës mbi muzikën artistike në Kosovë gjatë viteve 1975–2015, duke theksuar sfidat e dokumentimit të saj akademik.
• Prof. asoc. dr. Bekim Ramadani analizon figurën dhe kontributin e Lorenc Antonit, një nga personalitetet më të shquara të muzikës shqiptare.
• Prof. ass. dr. Krenar Doli trajton ndjeshmërinë emocionale të këngëve të migrimit dhe rolin e tyre si pasqyrë e realitetit shoqëror në Kosovë.
• Prof. asoc. dr. Holta Kilica sjell një analizë të detajuar mbi jetën dhe veprën e Avni Mulës, një ndër emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare.
Përveç artikujve studimorë, në këtë botim janë përfshirë edhe dy recensione të veprave të rëndësishme:
• Një shqyrtim i librit “Gjurmë të Qamilit të Vogël në muzikë” nga prof. asoc. dr. Albin Sadiku.
• Një analizë mbi veprën e kompozitorit Alus Nus “The Voice of Our Ancestors in the Balkans”, realizuar nga prof. asoc. dr. Hasan Said Tortop.
Revista “Journal of Kosovo Music and Culture” është një nismë e rëndësishme për dokumentimin dhe promovimin e kulturës muzikore të Kosovës, me qëllim që të shërbejë si referencë për studiuesit dhe studentët, si dhe të kontribuojë në ruajtjen e identitetit kulturor dhe trashëgimisë muzikore në rajon./KultPlus.com
Sot janë bërë 147 vite nga themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në shënimin e kësaj date të rëndësishme, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona.
“Më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona. Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë”, ka shkruar Osmani.
Tutje, ajo është shprehur se sot nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës”, është shprehur Osmani./KultPlus.com
Pas një prezantimi të suksesshëm në Marketin e Festivalit të Filmit në Cannes, neoFILMS vazhdon të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare me pjesëmarrjen aktuale në Annecy International Animation Film Festival – festivali më i madh në botë për animacionin. neoFILMS bëhet kështu kompania e parë shqiptare që prezantohet në këtë ngjarje prestigjioze me dy projekte të metrazhit të gjatë dhe që eshte perfaqesimi i vetëm i Kosovës në këtë skenë globale të animacionit.
Publikohet teaser-i i “Minibeast”
neoFILMS ka publikuar teaser-in zyrtar për filmin e dytë të animuar të metrazhit të gjatë, “Minibeast”, një projekt ambicioz CGI me buxhet prej 10 milionë eurosh, i cili pritet të debutojë në kinematë ndërkombëtare në vitin e ardhshme.
Dy projekte gjigande në zhvillim
Studioja është aktualisht në faza të ndryshme të zhvillimit për dy filma të mëdhenj:
• “ZHAK” – një aventurë epike CGI me buxhet rreth 20 milionë euro, tashmë në përfundim e sipër.
• “Minibeast” – një histori magjike e mbushur me aventura e stili cartoon konceptuar per grupmosha te vogla.
Të dy projektet janë krijuar me teknologjinë më të avancuar CGI dhe janë menduar për RealD 3D dhe IMAX, me plane për premiera ndërkombëtare, përfshirë edhe Los Angeles.
Rreth “Minibeast”
Kur prindërit e tij rrëmbehen nga krijesa misterioze nga një dimension tjetër, një dhelpër e guximshme – Minibeast – nis një udhëtim përmes shtatë universesh të panjohura, në kërkim të familjes së tij. I pajisur me një rrotë magjike të ndërtuar nga prindërit e tij, ai sfidon botë të çuditshme, përbindësha të frikshëm dhe sekrete të lashta për të zbuluar të vërtetën.
Vizioni i krijuesve
Të dy filmat janë ideuar dhe realizuar nga Dalip Gashi dhe Ilirjana Bejta, bashkëregjisorë dhe bashkëskenaristë, që po sjellin në jetë dy rrëfime me potencial të fuqishëm ndërkombëtar.
Rreth neoFILMS
Me bazë në Prishtinë, neoFILMS është themeluar qe nga viti 2015, një studio e specializuar në animacion full CGI dhe efekte vizuale të avancuara. E përkushtuar ndaj risisë teknologjike dhe tregjeve globale, studio po vendos themele të reja për industrinë e animacionit shqiptar në skenën botërore. Tash e nëntë vite neoFILMS ka shkolluar dhe avancuar të rinjë dhe ju ka mundësuar të shohin një perspektivë tjetër të industrisë së filmit. Duke u bërë kështu një portë e madhe në mes Kosovës dhe industrisë së filmit global./KultPlus.com
Teaser-in për “Minibeast” mund ta shikoni këtu:
👉 Breakedown i ZHAK mund ta shihni këtu:
👉 Prezantimin e një karakteri mund ta shihni këtu: