Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lordin Stuart Peach, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe rajon, sfidat e sigurisë në rajon si dhe për dialogun Kosovë-Serbi.
Në takim u diskutua edhe për integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës, si dhe anëtarësimin në NATO. Presidentja Osmani potencoi se anëtarësimi në Këshillin e Evropës do të ishte hap i rëndësishëm për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut nëpërmjet mekanizmave që i ofron Këshilli, e të cilat do të shërbejnë si mekanizëm shtesë për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim.
Presidentja Osmani ritheksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se ky hap është i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Në takim, Lord Peach përgëzoi Presidenten Osmani për përpjekjet e saj të vazhdueshme në avancimin e agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në këtë kohë sfiduese për paqen në botë./ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.
Kryeministria ka bërë të ditur se çështjet të cilat u diskutuan ishin marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet e fundit dhe situata e sigurisë në vend, përkatësisht në kufirin me Serbinë pas sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë dy muaj më parë, dhe dislokimin përgjatë kufirit të sistemit kundër-ajror të ushtrisë serbe, e vetmja në Evropë që operon me armatim dhe sistem raketor kinez, sikurse ai FK-3.
“U bisedua edhe për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por edhe për takimin e 26 tetorit me liderët evropianë në Bruksel, si një hap dhe përpjekje e rëndësishme drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Serbisë por edhe si mundësi e humbur për të nënshkruar marrëveshjen si garanci e zbatimit të plotë”, thuhet në njoftim.
Kryeministri Kurti falënderoi Lord Stuart Peach për bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar në fushën mbrojtjes dhe rolin aktiv të saj në fushën e sigurisë, veçanërisht përmes misionit të KFOR-it.
“Kurti, theksoi se zbarkimi i një kontingjenti prej 200 ushtarëve britanikë në Kosovë, si kundërpërgjigje ndaj sulmit terrorist të 24 shtatorit, po i kontribuon situatës së sigurisë”, theksohet në njoftimin e Kryeministrisë.
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në lansimin e Programit të Kryerësve të Dhunës. Kurti tha se të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua dhe vajzë të jetojë pa dhunë e frikë.
Kreu i qeverisë theksoi se po investojnë duke siguruar që viktimat e dhunës të kenë kushtet e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre.
“Çdo vajzë e grua ka të drejte të jetojë pa dhunë, pa frikë dhe pa u kërcënuar. Çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të jetojë e lirë. Kjo është bindja ime e thellë dhe angazhimi ynë. Është angazhim i të gjithë neve. Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, e kemi në ligje. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat”.
“Ne nuk mund të kthejmë kohën mbrapsht për krimet që kanë ndodh por mund të iu ofrojmë mbështetje viktimave e të parandalojmë krimet për të ardhmen e për këtë po investojmë duke siguruar se viktimat e dhunës i kanë burimet e strukturat e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre”, deklaroi Kurti.
Ai tha kanë rritur financimin për strehimoret mbi 100 për qind në vitin 2023. Po ashtu shtoi se është bërë avancimi pas i në kodin Penal duhan ndaj grave cilësohet vepër penale.
Krejt kjo me qëllim që të plotësohet baza ligjore që mundëson dhunuesit të shpallen fajtor për dhunën në familje.
“Është e rëndësishme një viktimë të mos e përfundoj jetën normale pas atij krimit. Kemi rritur financimin shërbimin e strehimoreve mbi 100 për qind në vitin 2023. E filluar reformën për qendrën punë sociale. Andaj me po vazhdojmë të përmirësojmë kornizës ligjore dhe mekanizmat që shërbejnë për mbrojtën e grave. E kemi avancuar nëpërmjet definimit të dhunës ndaj grave si vepër penale në Kodin Penal”.
“Po kërkohet më shumë ndihmë edhe po jepet më shumë ndihmë për të ia lehtësuar financiarisht përballje e pasojave të dhunës e kemi ndërtuar Ligjin për kompensimin e viktimave në Kosovë, ndonëse kthejmë kohën mbrapsht ne mund të bëjmë diçka që mund të ua lehtësojë. Jemi duke analizuar masën për punësim sepse duke punësuar i integrojmë pavarësisht të kaluarës”, tha më tej kryeministri.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë, raporton EO.
Ajo ka kërkuar që dhuna të raportohet.
“Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë është angazhuar për adresimin e dhunës ndaj familjes dhe grave. E kemi thënë disa që dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë është çështje e drejtave të njeriut është çështje sociale politike shëndetësore po ashtu është ekonomike prandaj si institucion do vazhdojmë që ta kryejmë punën tonë që çdo grua të këtë jetë të dinjitetshme të vazhdoj pa dhunë atë që ia garanton Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës, tha se qëllimi kryesor i programeve të tilla është minimizimi i numrit të viktimave të dhunës.
“Kur bëhet fjalë në mënyrë specifike për një tjetër çelës, autorët, neni 16 i Konventës thotë se palët duhet të marrin legjislacionin e nevojshëm ose masa të tjera për të krijuar ose mbështetur programe që synojnë të mësojnë autorët e dhunës në familje të adoptojnë sjellje jo të dhunshme në marrëdhëniet ndërpersonale me synimin për të parandaluar dhunën e mëparshme dhe ndryshimin e modeleve të sjelljes së dhunshme. Pra, është shumë e rëndësishme që kur ndërmerren hapa për t’i dhënë efekt këtij detyrimi, është parë brenda kontekstit më të gjerë të Konventës në tërësi. Në veçanti, siç shihet në kontekstin e qasjes së përqendruar te viktima, në të cilën Konventa paraprin”.
“Programet për trajtimin e autorëve nuk synohen si alternativë ndaj ndjekjes penale ose si mënyrë që autorët të shmangin paraburgimin. Dizajni dhe zbatimi i tyre duhet gjithmonë të udhëhiqet nga nevojat dhe interesat e autorëve. Qëllimi kryesor i programeve të tilla është, siç thotë Konventa, parandalimi, të përpiqet të minimizojë numrin e viktimave të mundshme në të ardhmen”.
“Ato plotësojnë shërbime të tjera për viktimat dhe aktivitete të tjera parandaluese në vend që t’i zëvendësojnë ato, dhe kjo nuk është një lojë me shumën zero. Por është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që burimet e nevojshme për të ofruar programe të dhunuesve dhe ato mund të jenë të konsiderueshme, të mosridrejtohen në shërbime të tjera për viktimat. Lufta kundër dhunës ndaj grave është e kushtueshme, nuk ka rrugëdalje, dhe nuk ka masa të shpejta për tu marrë nëse do të trajtohet në mënyrë efektive”, u shpreh Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës./KlanKosova/KultPlus.com
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj fton qytetarët që t’i bashkohen sot koncertit fantastik në sheshin “Skënderbej”.
“Ftesë për të gjithë shqiptarët; një koncert fantastik na pret këtë mbrëmje të 29 Nëntorit! Të gjithë n’shesh të festojmë Natën e Bardhë, së bashku me artistët e mëdhenj të skenës. Sheshi “Skënderbej”, ora 18:30.’, shkruan Veliaj.
Nata e Bardhë do të sjellë artistët më të mirë dhe më të njohur shqiptarë, ku për herë të parë do të bëhen bashkë për një natë të paharrueshme.
Muzika do të fillojë në orën 18:00 me Dj më të mirë shqiptarë, ndërkohë më pas në skenë do të ngjiten këngëtarët./atsh/KultPlus.com
Paul Lynch, irlandez, 46 vjeç, tashmë i krahasuar me McCarthy, Faulkner, Dostoevsky dhe Beckett për prozën e tij epike dhe poetike, fitues i çmimit Booker 2023 me romanin prekës “Kënga e Profetit”.
Kur vendosët të bëheshit shkrimtar?
“Në Siçili. Vjeshtë 2007”.
Ah, na tregoni pak.
“Gazetar, me pushime në Lipari, me taksi për në hotel. Shikoj Detin Tirren. Papritur, një epifani, shumë e fortë. E kuptoj që jeta ime deri atëherë ka qenë një gënjeshtër. Pastaj bind veten: do të jem shkrimtar. Në një çast, të gjitha frikërat e mia zhduken.”
Dhe filluat të punoni menjëherë?
“Sigurisht, një histori. E kisha në kokë për muaj të tërë, por nuk pata kurrë guximin për ta hedhur poshtë. Të shkruarit është dështim, gjithmonë: duhet t’i jepni vetes kurajë dhe leje për të bërë gabime.”
Çfarë historie është ajo?
“Ajo mbeti në sirtar. Tani nuk është koha për ta publikuar”.
Por ju sapo keni fituar çmimin më prestigjioz në botë në gjuhën angleze.
“Të shohim. Ishte thjesht një provë, një draft…”.
A ta ndryshon jetën Çmimi Booker? Më shumë presion? Pritshmëri më të mëdha dhe shtypëse?
“Ato janë të pashmangshme, por nuk është problem. Unë jam një person shumë autentik: kjo është mënyra e vetme për të gjetur zërin më të thellë brenda nesh. Ashtu si në Ungjillin apokrif të Thomait: “Nëse bën të ndodhë ajo që është brenda teje, ajo do të të shpëtojë. Nëse nuk bëni që të ndodhë ajo që keni brenda jush, ajo do t’ju vrasë.” Më duhet vetëm të jem vetëm me fjalitë e mia dhe jam i gatshëm të eci. Problemi është tjetërkund.”
Ku?
“Vitin tjetër do të më duhet të udhëtoj shumë për “Këngën e Profetit”, por unë jam një person shumë i rezervuar, metodik. Çdo ditë shkruaj nga ora 10:00 deri në orën 14:00, në dy seanca 90-minutëshe, të cilat më lodhin. Pas kësaj, më e shumta që mund të bëj është të lexoj, të marr dy fëmijët e mi nga shkolla dhe të bëj pazar”.
Çfarë është letërsia për ju? Ndoshta mjeti i vetëm për të arritur të vërtetën, në një botë të përshkuar gjithnjë e më shumë nga ekstremizmi dhe dezinformimi, siç thuhet tek “Kënga e Profetit”?
“Një romancier kërkon gjithmonë të vërtetat e përjetshme. Mban një pasqyrë magjike në botë. Në atë moment ndodhin mrekulli të vogla: ne identifikojmë imazhe, simbole, metafora që na tregojnë se kush jemi. Është një proces mistik, pothuajse fetar. Dhe është thelbësore në epokën tonë të zhurmës së vazhdueshme. Por ne të gjithë ruajmë një zë të heshtur brenda nesh, një ndërgjegje më të lartë, autenticitetin që na shpëton nga humbja. Yeats na paralajmëronte: “Kur skifteri nuk mund ta dëgjojë skifterin, gjërat shkatërrohen”.
Tek “Kënga e Profetit”, gjërat vërtet shpërbëhen: Irlanda juaj është e tmerrshme dhe klaustrofobike, e pushtuar nga e djathta ekstreme, në greminën e totalitarizmit, ndërsa demokracia dhe liria po shuhen.
“Është e vështirë të mos jesh pesimist sot. Jemi në një epokë të re, me implikime të panjohura, duke u zbërthyer, veçanërisht në Evropë. Kohët e fundit, kam rilexuar “Ujkun e Stepës” të Hermann Hesse. Më tronditi”.
Pse?
“E zbulova në vitin 1998. Më pas mendova, i lehtësuar: për fat, gjithçka i përket të shkuarës. Pak kohë më parë e mora përsëri: Gjermania paranaziste, ksenofobia, antisemitizmi… papritur, gjithçka rreth atij libri ishte bërë kaq aktuale. U drodha.”
Vetëm javën e kaluar në Irlandë pamë të djathtën ekstreme dhe racistët që rrethuan Dublinin dhe nisën gjuetinë ndaj emigrantit.
“Ishte një thirrje zgjimi për të gjithë, jo vetëm në vendin tim. Në të njëjtën kohë, kriza ekonomike dhe sociale nxjerr zbuluar instinktet më të këqija: kredia ime është rritur me 75%. Jetojmë në një epokë në të cilën edhe shtresa e mesme vuan çdo ditë”.
Tokë pjellore për ekstremizmat e rinj, shkatërrues.
“Qytetërimi është një ideal. Por tribalizmi është një instinkt. Dhe instinktet janë më të fuqishme. Fryma e kohës po ndryshon. Mjafton vetëm një vend që të bjerë nga shkëmbi dhe gjithçka mund të ndodhë. Si në Gjermani në vitet 1930”.
Tek “Kënga e Profetit”, ju forconi konceptin e “ndjeshmërisë radikale”.
“Do të thotë të identifikohesh me tjetrin, të kuptosh pse, për shembull, mijëra njerëz rrezikojnë jetën e tyre në një varkë. Një dilemë e ngjashme ndodh me protagonisten e romanit tim, Ellish Stack, e cila e gjen veten vetëm me katër fëmijë pasi shteti ia rrëmben burrin. Bashkë me letërsinë, vetëm empatia mund të na shpëtojë”.
Lufta për mbijetesë është gjithashtu kyçe në katër romanet e tij të tjerë të jashtëzakonshëm “Përtej detit”, debutuesi “Qielli i kuq në mëngjes”, “Borë e zezë” dhe “Hir”.
“E saktë. Është tema ime kryesore: shpirtrat që ndjekin dinjitetin, fundin e vuajtjes. Është kuptimi i jetës: t’i japim kuptim ekzistencës sonë në një botë që duket se nuk ka më kohë për ne. Sot shpirti ynë bën pyetje të cilave fetë nuk janë më në gjendje t’u përgjigjen, aq më pak shoqëria aktuale. Vetëm letërsia mundet”.
Vitin e fundit edhe ju keni pasur shumë vështirësi: Covid-i i gjatë, një divorc, kanceri në veshka, që për fat e kaluat mirë.
“Ne shkrimtarët jemi njerëz të ndjeshëm. Dhimbja na bën të shprehemi më mirë. Por gjëja më e rëndësishme është se… po, unë jam ende këtu”. / la repubblica / KultPlus.com
Ndoshta kemi të bëjmë me një nga skulpturat më të veçanta të botës së artit, kjo për mënyrën e konceptimit, idesë dhe realizimit. Sepse ajo më shumëse ç’është ajo rreket të thotë, të materializojë jo tamam dy anët e një individi, se sasa dy hemisferat e përbërjes së sfidës ikonike të së mirës dhe të keqes e skalitur me kaq mjeshtri nga Goethe te Fausti. Kjo vepër dyfaqshe u krijua nga një skulptor i panjohur francez në shekullin e 19-të. Ajo është nxjerrë nga një copë e vetme e pemës fikut. Ruhet në Muzeun Indian, Salar Jang.
“Mefistofeli dhe Margareta” është nga të rrallat “skulptura të dyfishtë” e shekullit të 19-të, i dy personazheve nga Fausti i Johann Wolfgang von Goethe, 1808. Ana e përparme përshkruan demonin Mefistofel dhe ana e pasme përshkruan një grua, Margaretta (Margaret, ose Gretchen). Një pasqyrë e vendosur prapa skulpturës lejon që të dyja anët të shihen njëkohësisht.
Statuja pasqyron temat e së mirës dhe së keqes siç Goethe mishëron në Faustin e tij legjendar. Në dramë, Faust është i frustruar me jetën e tij dhe tenton të vetëvritet. Ai thërret ndihmën e Satanait dhe demoni Mefistofel, një agjent i Satanait i përgjigjet. Faustit i thuhet se Mefistofeli do t’i shërbejë sa të jetë gjallë, por pas vdekjes së tij, Fausti do të humbiste shpirtin dhe do të bëhej përgjithmonë skllav.
Ai pranon, duke bërë një nga kërkesat e tij për magji në formën e një pakti. Mefistofeli josh një grua të re të quajtur Gretchen (Margaretta) për Faustin. Ajo është e mbarsur nga Fausti dhe sjell në jetë djalin e tij bastard.
Gretchen e kupton të keqen e situatës në të cilën ndodhet dhe mbyt fëmijën dhe mbahet në burg me akuzën e vrasjes. Gretchen merr dënim ekstrem, varet, por lejohet të shkojë në parajsë. Fausti është shpëtuar gjithashtu nga Zoti për shkak të lutjeve të Gretchen. Një tekst tjetër letrar ku shfaqen figurat e Margarettës dhe Mefistofelit është Mjeshtri dhe Margarita, e cila u shkrua midis viteve 1928 dhe 1940, por nuk u botua deri në vitin 1966.
Në këtë skulpturë, siç vërehet është Mefistofel, i veshur me kapuç dhe çizme dhe me një buzëqeshje në fytyrën e tij të gjatë. E pasme e kundërt është nga Gretchen me kokën ulur, duke u shfaqur si një vajzë e thjeshtë me sy të zhytur. Dikotomia e së mirës dhe e së keqes theksohet nga pafajësia e figurës femërore, një grua e përulur që mban në dorë një libër lutjesh, në kontrast me përshkrimin e së keqes të ilustruar nga Mefistofeli.
Binarja midis së keqes dhe së mirës është e paqartë, ndoshta duke nënkuptuar gjendjen njerëzore që shpesh banon në një zonë të dyfishtë gri.
Statuja u ble nga Mir Turab Ali Khan, Salar Jung II, në vitin 1876, gjatë udhëtimeve të tij në Francë, dhe ndoshta mbetet një nga imazhet më të fotografuara të muzeut ku ajo ndodhet.
Ndërsa identiteti i kësaj skulpture të mrekullueshme romantike mbetet i panjohur, megjithatë zgjedhja e një arketipi të tillë gjerman për një statujë franceze zbulon se si pas- 1870, pati një interes në rritje për gjërat gjermane dhe temat në vende si Franca, etj. / KultPlus.com
Cure2Children dhe UNI- Universum International College me 19 Dhjetor nga ora 19:00 në Swiss Diamond Hotel orgznizon një mbremje bamirësie të veçantë. Charity Gala Night, e organizuar me dashurinë më të madhe për të ndihmuar fëmijët në Onkologji me leukemi. Personalitete me famë nga sfera të ndryshme të jetës pritet të zbukurojnë këtë ngjarje.
CharityGala Nightnjë natë e dedikuar për të mbledhur fonde në ndihmë të shkaqeve humanitare. Ky event i lartësuar dhe emocionues do të jetë një përvojë e jashtëzakonshme që do të bashkojë njerëz për një qëllim të përbashkët, një mundesi për të sjellë ndryshime pozitive dhe shpresë në jetët e atyre që kanë nevojë.
Për pjesëmarrje dhe mënyrën se si do të mbledhen fondet informatat i gjeni në këtë link: https://shorturl.at/dBFR0
Vetëm ata që ishin pranë tij dhe u morën me të, vetëm ata mund të kishin diçka për të thënë për këtë gjeni të operas, për këtë nopran, i pabindur, josistematik dhe me interesa periferike për të nxënë. Por kjo nuk i stepi vullnetmirët që kishin besim te talenti i tij, ta nxirrnin atë nga zakonshmëria e një të riu, për ta ngjitur në podin e famës.
Xhakomo Puçini u lind Luka, të Italisë më 22 dhjetor 1858. Konsiderohet si një nga kompozitorët më të mëdhenj operistikë të fundshekullit të 19 dhe të fillimshekullit të 20. Operat e tij më të njohura janë: “La bohème”, “Toska”, dhe “Madama Butterfly”, të cilat janë ndër më të shfaqurat në repertorin standard të artit operistik botëror.
Në karrierën e tij krijuese, Puçini shkroi 14 opera, shumë këngë, të cilat janë të njohura nga publiku mbarëbotëror, veçanërisht aria “Nessun dorma”, nga Turandot, e cila u këndua nga Luciano Pavarotti, në vitin 1990 me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit, i cili u zhvillua në Itali.
Puçini erdhi në jetë në një familje me traditë të hershme muzikore. Pas vdekjes së të atit, Mikele Puçini, kur ai ishte vetëm 3 vjeç, u dërgua të studionte me xhaxhain e tij, Fortunato Magi, i cili e mbante atë për një student të keq e të padisiplinuar.
Mësohet e nëna e mjeshtrit të ardhshëm, Albina Magi Puçini edhe pse e vetme për të sfiduar jetën pas humbjes së bashkëshortit, ajo i kushtoi vëmendje veçanërisht mësimeve të muzikës së Puçinit, duke u siguruar që ai të studionte klasike përpara se t’i përkushtohej muzikës. Ajo besonte se një muzikant pa arsim klasik nuk kishte asnjë vlerë.
Duke qenë se Puçini jetonte larg shtëpisë, atij i mungonte shumë familja. Ushqimin e konsideronte të mjerueshëm dhe orët e tij të letërsisë poetike dhe dramatike të mërzitshme. Vëmendja e tij shpesh binte dhe ai nuk punonte në mënyrë sistematike. Filloi të humbiste shpesh mësimet. Megjithatë, Ponchielli vazhdoi ta mentoronte atë, pasi ai e konsideronte atë si studentin e tij më të mirë.
Më vonë, ai hyri si organist në kishë dhe mjeshtër kori, por ai nuk ishte ende i frymëzuar të bëhej kompozitor operash, gjersa pa një shfaqje të Aidës së Xhuzepe Verdit. Ai dhe një shok i tij bënë gati 21 km rrugë në këmbë për të shikuar një shfaqje në Piza.
Episode nga jeta e kompozitorit të shuar italian të operas, Xhakomo Puçini
MBIJETESA E STUDENTIT TE KONSERVATORIT
Vitet që kaloi Xhakomo Puçini në konservatorin e Milanos ishin shumë të vështira.
Kur kujton atë kohë, mjeshtri thoshte se i ndiente ende shqetësimet e stomakut. Për të shpenzuar sa më pak duhej të gatuante vetë ndonjë lloj gjelle, ndonëse e zonja e shtëpisë ku qëndronte me qera, i’a kishte ndaluar çdo lloj gatimi. Shpesh me shumë mundim dhe me sajime të atypëratyshme arrinte të skuqte një vezë. Që të mos dëgjohej zhurma e skuqjes ne tigan, i binte pianos. Në dhomën tjetër e zonja e shtëpisë i thoshte e mallëngjyer: I shkreti djalë, ta këput shpirtin, gjithë ditën rri duke studiuar.
ANKTHI I MJESHTRIT PER TE FOLUR NE PUBLIK
Suksesi i operës “Manon” në Torino ishte i madh. Pas shfaqjes së shtatë personalitetet më të shquara të qytetit dhanë një pritje për nder të mjeshtrit. Puçini e ndiente veten të lumtur, por druhej të mbante një fjalim: gojtaria ishte ankth për kompozitorin e shquar. Megjithatë ai përgatiti një fjalim të shkurtër dhe e shkroi në manshetën e këmishës. Kur u ngrit për të folur e pushtoi pështjellimi, aq sa nuk mundi të shqiptojë asnjë fjalë nga ato që kishte përgatitur. Buzëqeshi dhe belbëzoi me zë të mbytur: – Faleminderit të gjithëve!
Kur po ulej me një lëvizje të krahut rrëzoi për tokë pesë a gjashtë shishe dhe gota.
Ky ishte pagëzimi i operës Manon.
HISTORITE NE RESTORANTIN E ARTISTEVE BORXHLINJE
Gjatë kompozimit të “Bohemës”, Puçini kujton me shumë përmallim restorantin “Excelsior” kur ishte në Milano në vitet 1880- 1890. Ai lokal ishte shpëtimi i të gjithë artistëve që ishin pa para. Usta Xhixhi u jepte të gjithëve të hanin pa paguar. Por kishte rast që ndonjëri paguante menjëherë pasi hante. Kjo ishte një gjë e jashtëzakonshme. Kamerieri kur dorëzonte paratë në arkë i pëshpëriste pronarit në vesh:
– Ai zotëria atje poshtë ka paguar lekët në dorë.
– Dhe ti pranove? – e pyeste usta Xhixhi me ton qortues.
– Po çfarë të bëja? Ai nguli këmbë të paguante me zor! Pronari psherëtinte thellë dhe thoshte:
– Durim, se bota është plot me njerëz origjinalë!
Ai shkoi në kuzhinë për t’i treguar së shoqes me zë të mallëngjyer se ishte një zotëri që kishte dashur të paguante.
– Dua ta vështroj? – thoshte e habitur zonja Terezë dhe afrohej për të parë tipin e çuditshëm.
KOTOLETE DHE VETEM KOTOLET PER PUÇININ
Kur ishte për herë të parë në Vjenë, më 1891, Puçini dinte vetëm katër fjalë gjermanisht. Ditën e parë i bëri shenjë kamerierit me gisht në një rresht të listës së gjellëve ku ishte shkruar -Kotoletë me patate. Në këtë kotoletë atij iu duk se kishte gjetur një gjellë italiane sipas dëshirës së tij. Kjo ishte e mirë po… për drekë e darkë dhe për dhjetë ditë me radhë ai nuk hëngri tjetër veçse kotoletë. Kamarierët nuk e shpjeguan dot këtë parapëlqim të çuditshëm.
QYTETET E EUROPES NE SYTE E KOPOZITORIT
Në çdo qytet të botës Puçini ëndërronte gjithnjë për vendlindjen e tij të vogël. Ja si e shprehte ai mallin për vendlindjen në një letër gjeografike:
“Londra, 6 milionë banorë (që janë me të vërtetë shumë), lëvizje e pafund, skëterrë e papërshkrueshme. Gjuha e vështirë, gra të bukura, shfaqje të shkëlqyera, shpenzime të mëdha. Qytet jo shumë i bukur, por tërheqës.
Parisi, me i bukur dhe i gëzuar dhe me pak lëvizje dhe më pak karakteristik. Jetohet ne mënyrë të shkëlqyeshme. Kam një dëshirë të çmendur që të argëtohem në këtë qytet për dy, tre, katër ose pesë muaj. Kam mik Zolanë. Kush do ta kishte menduar një gjë të tillë për organistin e varfër të Mutilanos.
Mançesteri, vendi i tymit të zi, i të ftohtit të tmerrshëm, i shiut, i pambukut (mjerë ai që nuk vishet me të leshta) dhe i mjegullës. Një ferr i vërtetë! Ditë të tmerrshme.
Brukseli, shtëpi të bukura, pallate, monumente, rrugë të shkëlqyera, por më shumë provincial në krahasim me Londrën dhe Parisin.
Milanoja, vend tepër simpatik, i vetmi në Itali për të jetuar… dhe i nevojshëm për punët e mia. Torre del Lago.) kënaqësi e papërshkrueshme, parajsë e vërtetë… Banorë 120, shtëpi 12”.
MARIFETET E QERAXHIUT PER TU NGROHUR
Për të siguruar qymyrin për gatimet e tij të fshehta, Puçini bënte një lojë tjetër. Me një valixhe në dorë dilte jashtë.
– Jeni për rrugë zoti Puçini? – i thoshte portierja.
– Po, po shkoj të bëj një shëtitje deri në Monxa21,
– Po e marr edhe valixhen me vete?
– E, po e marr se rrugë është, nuk i dihet.
Kur pas nja treçerek ore, kthehej me valixhen e vogël në dorë, ajo i thoshte:
– Si? U kthyet kaq shpejt?
– Po, për fat të keq më la treni për një minutë.
Pastaj hynte në dhomë, hapte valixhen, nxirrte qymyrin të cilin e blinte në një dyqan shumë larg vendit ku banonte, ne mënyrë që të mos binte në sy.
GJENI QE SFIDOJNE VARFERINE
Kur studionte në Konservatorin e Milanos, Puçini jetonte së bashku me të vëllanë, Mikelin, dhe me një kushëririn e tij.
Që të tre kishin pak para për të harxhuar. Një mik i Puçinit gjeti midis letrave të kompozitorit një fletore që ia dha për të mbajtur shënim shpenzimet. Kjo fletore mbante emrin e veçantë dhe profetik: “Regjistri i shpenzimeve. Rruga e bohemës 1881”. Nën datën një nëntor që ishte ditë feste, i vetmi shpenzim i ditës ishte një peshk i thatë.
– Ishte mëngjesi për ne të tre, – tha Puçini kur e pyetën, – madje për katër sepse siç më kujtohet kishim ftuar edhe një mik atë ditë.
Një harengë e ndarë në katër pjesë, ashtu sikurse tek opera “Bohema”.
PUÇNI DHE ROBAQEPESI
Të gjitha pjesët qe vuri në skenë, Puçini i provoi më parë në jetë. Në periudhën e jetës studentore, Puçini ishte i lidhur me një rrobaqepëse që bënte kapele, një diçka e tillë si Mimija. Për ta marrë për drekë Puçinit i duhej të linte peng pallton, ashtu sikurse Kolini “mantelin e vjetër”.
ÇASTI I SHUARJES SE MJESHTRIT
Kur Puçini po vdiste, deshi t’i rrinte pranë i biri, Antoni. Atë e kapi fort për dore dhe nuk e lëshoi. I shtrirë në shtrat nguli shikimin përpara sikur shikonte dhe dëgjonte diçka.
Nuk kishte sy të frikësuar, por më shumë të mrekulluar, si sytë e një fëmije që shikon diçka të habitshme. Pastaj dora e tij lëvizi dhe rrëshqiti sikur binte në një tastierë të padukshme për të interpretuar muzikën që i ndiente thellë brenda vetes. / KultPlus.com
Blerta Veseli, bukuroshja nga Gjilani, po vazhdon të shënojë suksese në industrinë e modës nëpër vende të ndryshme në botë.
Ish-Miss Universe Kosova 2020, që tashmë jeton në SHBA, ku ka vazhduar karrierën suksesshëm, së fundi është shfaqur në ballinën revistës së njohur kudo në botë “Harper’s Bazaar”. Këtë herë për edicionin e revistës prestigjioze të modës, në Vietnam. Aty Blerta Veseli prezanton koleksionin e fundit të Dolce&Gabbana ndërsa tema kryesore e këtij numri të “Harper’s Bazaar Vietnan” ishte “Traditional Spanish vibes”.
Blerta në intervistën e saj për këtë revistë ka folur për rrugëtimin e saj drejt suksesit si dhe vështirësitë që ka kaluar për të qenë në pikën e famës ku ajo tashmë gjendet.
Ajo rrëfen edhe historinë e saj se si vendosi që të merret me ‘modeling’ dhe se me çfarë ishte përballur kur u zhvendos nga Kosova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa kur bukuroshja kosovare u pyet për angazhimet mes punës dhe jetës së saj personale, Blerta u përgjigj se ajo akoma është duke u munduar që të gjej balancin mes punës e projekteve të reja dhe jetës sentimentale.
Për paraqitjen në ballinën “Harper’s Bazaar Vietnam”, Blerta Veseli në ekip të saj kishte fotografin e njohur botëror Alberto Gonzales dhe stilisten e saj Adriana Popovic, ndërsa për make-up dhe flokët janë përkujdesur Joanne Marchevsky dhe Latto.
Kjo nuk është hera e parë që ylli kosovar paraqitet në ballinën e “Harper’s Bazaar”. Kujtojmë që në muajin gusht të këtij viti, Blerta Veseli kishte pushtuar edhe ballinën e “Harper’s Bazaar Bulgaria”. Aty ajo pozoi për një kompani të njohur amerikane të diamantëve.
Blerta Veseli para pak ditësh ka nënshkruar dhe një kontrat të majme për “Brand Ambassador” me kompaninë e famshme te pijeve në Amerikë “Glow” , ku “brand ambasador” i saj është edhe Kylie Jenner.
Në kuadër të festave të nëntorit, në qytetin frankofon të Zvicrës, Lozanë, nën organizimin e “Swiss Albania Event”, të drejtuar nga Aina Hoti, u prezantua xhubleta shqiptare.
Në këtë aktivitet, ku morën pjesë personalitete shqiptare dhe zvicerane të pjesës frankofone, ishte i pranishëm dhe Ambasadori i Shqipërisë në Bernë, Mustafa Nano, i shoqëruar nga Sekretari i Parë, Valon Gashi.
Xhubleta është një veshje 4 mijë vjeçare shqiptare dhe pranimi i saj si pasuri nga UNESCO (një vit më parë), do të ndihmojë për ta ruajtur mjeshtërinë e krijimit të saj brez pas brezi.
Ambasadori Nano, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi rëndësinë e kësaj veshje unike, duke thënë se do ta kishin zili gjithë markat e njohura botërore të kostumeve.
E veçanta e kësaj mbrëmje ishte se përveç foto-albumeve të xhubletës, të pranishmit patën kënaqësinë ta shohin dhe një Xhubletë shqiptare 90-vjeçare, e sjell nga koleksionisti i apasionuar ndaj Xhubletës, Kristian Zefi dhe partnerja e tij./atsh / KultPlus.com
98 pemë Krishtlindjesh, 72 kurora dhe rreth 4.5 kilometër fjongo, Shtëpia e Bardhë është shndërruar në një shtëpi përrallash për festat e fundvitit.
Letrat drejtuar Santa Claus-it duket se fluturojnë në mënyrë magjike brenda dhe jashtë kutive postare të vjetra dhe një tren vintage qëndron rreth bazës së një bredhi krishtlindjeje. Ëmbëlsira janë vendosur kudo në Shtëpinë e Bardhë.
Magjia dhe gëzimi është tema e këtij viti, zbuloi të hënën, Zonja e Parë Jill Biden.
“Fëmijët e njohin të bukurën: mozaiku i pasur dhe shumëngjyrësh i gjetheve të vjeshtës të grumbulluar lart mbi një shtresë smeraldi bari, ritmi magjepsës i borës së butë që bie nga qielli i natës plot shkëlqim”, tha Biden teksa mirëpriti Gardën Kombëtare dhe familjet e ushtarëve lokalë në Shtëpinë e Bardhë, si të ftuarit e parë që panë dekorimin.
“Festimet ofrojnë një kohë për reflektim dhe një pushim nga jeta e shpejtë, një sezon për të qenë të pranishëm me miqtë dhe familjet tona. Është gjithashtu një sezon mirënjohjeje. Sepse, ju e dini, fëmijët kanë diçka për të na mësuar nëse jemi të mençur për të dëgjuar: si të jemi të pranishëm edhe pse jemi gjithë kohës të zënë, si të hapemi ndaj dashurisë dhe të mrekullohemi, edhe në momentet më të zakonshme”, u shpreh Zonja e Parë.
Çdo dhomë është krijuar për të kapur kënaqësinë dhe imagjinatën e pastër, pa filtra, të fëmijëve.
Zbukurimet, që përfshijnë 33.892 dekore dhe 142.425 drita festash, u instaluan në një periudhë një javore, me ndihmën e 300 vullnetarëve. Shtëpia e Bardhë pret që rreth 100.000 njerëz të vizitojnë gjatë sezonit të festave.
Në fillim të këtij viti, Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë zbuloi dizajnin e Krishtlindjeve të këtij viti, një kurorë festash e stolisur me kukulla, pëllumba, yje, lule, biskota, frymëzuar nga dekorimet e punuara me dorë gjatë periudhës kur në Shtëpinë e Bardhë qëndronte Gerald Ford, presidenti i 38-të i Amerikës./ KultPlus.com
Në qytete antike dhe me fluks të lartë turistik, muzetë mbeten një nga atraksionet më të mëdha për turistët përgjatë të gjithë vitit, por në Durrës të dy muzetë kryesorë të qytetit janë të mbyllur pas dëmeve që pësuan nga tërmeti 4 vite më parë.
Muzeu Arkeologjik dhe ai Etnografik, në të cilin ndodhet edhe shtëpia muze e aktorit të madh Aleksandër Moisiu, kanë mbyllur dyert në pritje të restaurimit.
“Është një gjë negative duke qenë se Durrësi është pika turistike shqiptare me numrin më të lartë të turistëve prej vitesh. Duke qenë se turizmi është një sektor në rritje, kjo është një mungesë shumë e madhe. Muzeu kryesor i Durrësit është i mbyllur dhe ka disa kohë që hapet e mbyllet për restaurim. Pikat turistike janë shumë të pakta. Është vetëm Amfiteatri, Kalaja dhe Torra Veneciane e rihapur së fundmi”, tha një qytetar.
“Është një çështje mjaft e rëndësishme përsa i përket turizmit dhe peshës që kanë muzetë në tërheqjen dhe angazhimin e turistëve, të të shtuarit të atraksioneve në qytet. Ato janë pikat e para ku një turist ndeshet me kulturën, historinë e traditat e një vendi. Dhe këto muze në Durrës janë të mbyllur. Cështja shtrohet a është menduar më herët një strategji se ku do të orientohen turistët para se të mbylleshin në të njëjtën kohë të dy muzetë”, u shpreh Dorina Xheraj, muzeologe.
Procesi i përmirësimit të infrastrukturës kulturore dhe turistike të Durrësit 3000-vjeçar është mirëpritur si një domosdoshmëri për të pasur objekte të sigurta dhe bashkëkohore që ruajnë dhe ekspozojnë pasurinë e trashëgimisë sonë ndër shekuj. Por ende nuk ka një afat se kur muzetë e Durrësit do të hapen për vizitorët e shumtë vendas dhe të huaj, ndaj qytetarë e specialistë kërkojnë mundësi dhe strategji të reja.
“Jo vetëm dy muze, por duhet të hapen dhe pika të tjera për turistët që vijnë në Durrës. Kjo është për përmirësimin e turizmit dhe mikpritjen e turistëve”, tha një tjetër qytetar.
“Ofertat e mundësitë janë pafund, por duhet të themi që muzeu duhet të dalë nga muret për t’u bërë më i prekshëm nga qytetarët, shkollat e turistët. Formatet, mundësitë janë që muzetë të dalin e të angazhojnë qytetarët përmes një programi që duhej menduar pak më herët”, shtoi Xheraj.
Për shkak të punimeve të paparashikuara, projekti për restaurimin e Muzeut Arkeologjik është në proces rivlerësimi pasi kërkon ndërhyrje dhe fondeve të tjera. Ndërkohë Muzeu Etnografik i Durrësit, i ngritur në një banesë qytetare me çardak, që i përket gjysmës së dytë të shek. XIX dhe i restauruar në vitin 1983, është në pritje të restaurimit të ri, shkruan Top Channel.
Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale e ka miratuar projektin për restaurimin e kësaj godine, por ende asnjë ndërhyrje nuk është bërë në këtë muze që qëndron i mbyllur prej 4 vitesh./ KultPlus.com
Urimeve për 111 vjetorin e Pavarësisë i është bashkuar edhe këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha.
Këngëtarja ka postuar në Instagram një video nga parada e shqiptarëve me makina në Amerikë. Shqiptarët me flamurin kuqezi kanë dalë në rrugë dhe kanë festuar.
Krahas postimit Bebe shkruan në shqip: “Urime 28 Nëntori”, të cilën e shoqëron me këngën “Mora fjalë”. / KultPlus.com
Me këtë flamur arbëror kryezoti dhe kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) shpalli lirinë dhe pavarësinë e Arbërisë.
Po me këtë flamur ai e mbrojti civilizimin e përbashkët të kombeve europiane.
Ky flamur u bë simbol i ynë i shenjtë.
Simbol i lirisë, i pavarësisë, identitetit kombëtar europian dhe frymëzimit.
Gjergj Kastrioti është Alfa dhe Omega i kombit tonë arbëror europian.
(Imazhi bashkëngjitur është nga vepra e M.H.H.L, e vitit 1588, dhe është botuar edhe në librat e Gjon Kekës, kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.) / KultPlus.com
Jennifer Lopez doli në rrjetet sociale të martën në mbrëmje për të ndarë një vështrim të parë në një nga kopertinat e albumit të saj të ri “This Is Me… Now”.
Këngëtarja 54-vjeçare, e cila ndau një video ngacmuese për projektin gjatë fundjavës, dukej magjepsëse me një stil flokësh të theksuar e të lëshuar mbi supe.
Ajo vendosi duart e saj nëpër flokët e saj, ndërsa i jepte kamerës një shikim të zjarrtë, shkruan DailyMail.
Këngëtarja e rritur në Bronx kishte veshur një bluzë të zezë, e cila ngacmonte dekoltenë e saj modeste teksa tregonte një gjerdan Chanel.
Në një mbishkrim për 253 milionë ndjekësit e saj në Instagram, ajo shkroi: “Kjo jam unë… tani. I para nga shumë kopertina të tjera të albumit.”
Ditët e fundit, JLo ka rritur publicitetin për rikthimin e saj në muzikë, duke krijuar pritje për incizimin e ri. Koleksioni i këngëve të reja është frymëzuar nga martesa e saj me bashkëshortin Ben Affleck, me të cilin historia e saj e dashurisë filloi dy dekada më parë.
Të hënën, artistja dhe aktorja ndau një video me një pjesë të këngës së saj “Can’t Get Enough”. Në dalje ajo veshi xhinse të gjera dhe çizme, një shenjë për edukimin e saj në New York./ KultPlus.com
Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷199, në 79-vjetorin e Çlirimit shprehet se “sot është dita kur kujtojmë çlirimin e vendit nga pushtuesi nazist më 29 nëntor 1944 dhe përkulemi me respekt para atyre që ranë dëshmorë në luftën për liri të vendit”.
“Çështja e datës së çlirimit mbetet ende ndër më të debatuarat në dekadat pas-komunizmit, por edhe vetë tema e luftës antifashiste mbetet e tillë. Siç pohojnë historianët, studimet shkencore përshkruhen nga “tendenca e hapur politike e klasore, gjë që i ka dëmtuar në frymë dhe deformuar ato në përmbajtje”, thuhet në deklaratën e Autoritetit.
Autoritetit kujton disa prej emrave që kontribuan në Luftën Nacional-Çlirimtare të vendit, por që pushteti i ri i pas luftës i ndëshkoi për shpirtin e tyre demokrat dhe përparimtar.
Shumë prej intelektualëve dhe deputetëve që u ekzekutuan a dënuan në gjyqet e viteve 1947-1948 e kishin mbështetur dhe ndihmuar luftën nacionalçlirimtare dhe drejtuesit e saj.
Autoriteti rikujton disa nga emrat e sjell në vëmendje nga gazetarja Fatmira Nikolli ne tregimin e saj përgatitur për ekspozitën e AIDSSh-së : “Të zgjedhurit-76 vite nga dënimet që heshtën demokracinë”, mbajtur në 12 tetor 2023 në ambientet e parlamentit në kujtim të deputetëve opozitarë.
Deputeti Shefqet Beja ishte pjesëmarrës aktiv në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, ekonomist e financier, kontribuoi në daljen e gazetës “Bashkimi” organ i Frontit Nacionalçlirimtar, ishte nën President i Frontit Nacionalçlirimtar (Fronti Demokratik). Arrestohet në gjyqin e parë që njihet si grupi i deputetëve dhe pas disa muajsh hetim dhe gjykim, dënohet me vdekje, varje.
Në shtëpinë e Kol Kuqalit me dy djem dëshmorë, ishin mbajtur takime nga rezistenca, në shtypshkronjën e Loni Adamit ishte shtypur gazeta “Zëri i Popullit”, doktor Enver Szani dhe farmacisti Sulo Konjari qenë me partizanët ose kishin kuruar të plagosurit. Të gjithë ishin antifashistë, por jo të gjithë ishin komunistë. Mes të dënuarve, pos Halit Gjolenës, edhe dy të tjerë ishin komandantë lufte, Islam Radovicka dhe Mestan Ujaniku.
Radovicka u lidh me luftën nacionalçlirimtare në vitin 1943 kur u caktua komandant i zonës Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, mori pjesë në luftën e Drashovicës dhe ishte komandant i trupave për çlirimin e Sarandës ku dhe u plagos. Pati detyra të ndryshme deri sa u bë kolonel më 1944 dhe deputet më 1945. U arrestua me akuzën se u kishte dhënë informacione ushtarake amerikanëve.
Po ashtu, Mestan Uljaniku, i njohur si legjenda e Skraparit, është themelues i një prej çetave të para antifashiste në Shqipëri, që luftoi për çlirimin e Çorovodës. Mestani do të emërohej komandant i Shtabit të Qarkut të Beratit, ndërsa pas çlirimit mbajti detyra të ndryshme; emërohet nënkolonel pranë Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, më tej transferohet në Shkodër derisa gjyqi e dënon me burg, ku edhe vdes.
Një fat tragjik pati edhe një tjetër antifashist i lidhur me luftën që ia dhanë pafajësinë pas vdekjes.
Avdyl Bani, partizan më 1943, arrestohet më 1947 dhe vdes në hetuesi për shkak të torturave. 24 vite pas vdekjes së tij, ngjarja pranohet në një dokument sekret të 18 gushtit 1971 bashkangjitur dosjes 1393.
“Persekutorët dënohen nga historia, të zgjedhurit bëhen pika referimi”, thekson Autoriteti./ atsh / KultPlus.com
Etnomuzikologu nga Instituti Albanologjik, Krenar Doli, një pjesë të mirë të studimeve të tij ja ka kushtuar Gjakovës e në veçanti është fokusuar në veshjet e grave dhe burrave të qytetit të Gjakovës.
Doli ka bërë të ditur sot se puna e tij kërkimoro – shkencore, me disa punime studimore të përzgjedhura, ka parë dritën e botimit edhe në gjuhën angleze.
Në ketë përmbledhje punimesh gjenden gjashtë punimet e fundit të Krenar Dolit, të botuara së fundi në vendet e ndryshme të botës, të cilat lidhen me vendlindjen e tij, Gjakovën, e që shtëpi botuese Eliva Books e pa të arsyeshme t’i botoj në një përmbledhje të veçantë punimesh.
Doli është shprehur shumë i lumtur për këtë publikim të ri në gjuhën angleze dhe shumë falënderues për të gjithë ata që e ndihmuan në këtë rrugëtim.
“Jam tej mase i lumtur, i emocionuar dhe i nderuar që puna ime kërkimoro – shkencore sot me disa punime studimore të përzgjedhura pa dritën e botimit edhe në gjuhën angleze.
Në ketë përmbledhje punimesh gjenden gjashtë punimet e fundit të miat të botuara së fundi në vendet e ndryshme të botës, të cilat lidhen me vendlindjen time, Gjakovën, e që shtëpi botuese Eliva Books e pa të arsyeshme t’i botoj në një përmbledhje të veçantë punimesh.
Me anë të këtij postimi gjej rastin t’a falënderoj nga zemra editorën e kësaj shtëpie botuese, Olga Sabazova, për përkushtimin e saj dhe për punën e saj këmbëngulëse në arritjen e kësaj marrëveshje bashkëpunuese. Gjithashtu dua të shpreh mirënjohje e falenderime për të gjithë ata persona që më ndihmuan në rrugëtimin tim te deritashëm.
Kënga legjendare “Mora fjalë” kushtuar heroit Adem Jashari, e kënduar ndër vite nga Shkurte Fejza, tashmë është kthyer në një këngë që na përcjellë në çdo festë kombëtare e madje këtë vit u këndua live edhe në stadiumin Air Albania Stadium në ndeshjen Shqipëri – Çeki.
Kësaj radhe, “Mora fjalë” na vjen në versionin për piano nga pianisti Durim Rrahmani për nder të festës së 28 Nëntorit.
Pianisti është shprehur se ky është versioni i parë i këtij lloji.
“Për nder të festës së 28 nëntorit e kam sjell këngën “Mora Fjalë” në verisonin për piano që është e para e këtij lloji, një version artistik pa melizma të muzikës orientale”, thotë pianisti.
Edhe në këtë version, kënga “Mora fjalë” vjen mjaft emocionuese e të cilën Rrahmani e ka shoqëruar edhe me një video. / KultPlus.com
Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka uruar Shqipërinë për 111-vjetorin e Pavarësisë.
“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj qeverinë dhe popullin e Shqipërisë dhe ju uroj një festë të gëzuar për 111-vjetorin e Pavarësisë. Shtetet e Bashkuara janë krenare që punojnë me ju si aleatë dhe partnerë të NATO-s të angazhuar për të forcuar përpjekjet e Shqipërisë për reformën në drejtësi, për të çuar më tej bashkëpunimin tonë për sigurinë kibernetike dhe për të vazhduar mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën përballë luftës së agresionit të Rusisë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Sekretari Amerikan ka shprehur gjithashtu falenderime për mirëpritjen e afganëve dhe shprehu mbështetjen për anëtarësimin drejt BE-së.
“Ne ju falënderojmë për mirëpritjen tuaj bujare dhe me zemër të hapur të afganëve dhe mbështesim fuqishëm integrimin tuaj të plotë në komunitetin euroatlantik, veçanërisht përmes përparimit në reformat e sundimit të ligjit dhe drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,është shprehur ai.
Zgjedhja e fundit e Shqipërisë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thekson Blinken, është një shenjë respekti ndërkombëtar për përparimin e fuqishëm që ka bërë kombi juaj në dekadat e fundit dhe një njohje e shërbimit të tij shembullor në 2015-2017.
“Ne jemi krenarë që shërbejmë përkrah Shqipërisë dhe presim me padurim të punojmë së bashku për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e njeriut në mbarë botën. Lidhjet midis kombeve tona, të bazuara në vlerat, kulturën dhe miqësinë e përbashkët mbeten të qëndrueshme. Le të vazhdojë të përparojë puna jonë së bashku”, ka deklaruar Blinken./ KultPlus.com
Shqiptarët festojnë sot 29 Nëntorin, 79-vjetorin e Çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë.
Kryeministri Edi Rama ka uruar të gjithë për festën e madhe të Çlirimit.
Në përkujtim të kësaj dite, pritet që krerët e shtetit të kryejnë homazhe në Varrezat e Kombit në nder të dëshmorëve të Luftës Nacionalçlirimtare.
Gjithashtu do të zhvillohen edhe disa aktivitete të tjera, ku në sheshin “Skënderbej”, do të mbahet sonte koncert festiv ose siç njihet ndryshe Nata e Bardhë.
Këtë datë politika e feston e ndarë. Të majtët respektojnë 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë dhe 29 Nëntorin si Ditën e Çlirimit, ndërkohë që të djathtët i përkujtojnë të dy festat më 28 Nëntor.
Prej 7 prillit 1939, Shqipëria gjendej nën vargonjtë e pushtimit fashist. Pas kapitullimit të Italisë në vjeshtë të vitit 1943, vendi pushtohet nga forcat gjermane.
Në dalje të nëntorit 1944, pas çlirimit të Tiranës, u çliruan edhe një pjesë e konsiderueshme e qyteteve në veri. Çlirimi i Shkodrës shënoi edhe ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. / atsh / KultPlus.com
Në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Ishujve Faroe, në stadium u shfaq një banderolë me shprehjen “Zoti është shqiptar”, e thënë nga tifozi Ballist Morina.
Kjo deklaratë që mori shumë vëmendje dhe reagime të shumta, u sqarua për “Ftesë në 5” nga vetë Morina.
Tifozi tha se qëllimi i kësaj banderole nuk është negativ dhe se e kanë keqkuptuar. Një temë që u bë diskutim në rrjete sociale apo emisione nga komentues të ndryshëm por edhe futbollistë, duke e quajtur si veprim të tepruar.
“Zoti është shqiptar është sinonim i shprehjes së Pashko Vasës “Oj Shqipëri e mjera Shqipëri”. Unë jam mysliman. Një pjesë e shoqërisë se klerikëve më kanë keqkuptuar. Shprehja është metaforike. Nuk tregon realisht atë që shihet shabllon. Po jetojmë në një moment shumë të vështirë. Kjo ka qenë një mesazh përbashkues, komplet e kundërta nga çfarë jam akuzuar nga disa nga klerikët që më kanë akuzuar. Zoti është i të gjithëve”, tha Morina./topchanel/KultPlus.com
Në Tiranë mbahet Folk Fest, koncert që ka bashkuar 500 artistë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Arbëreshët e e Italisë.
Ministria e Kulturës së Shqipërisë, njofton se në këtë koncert, artistët janë veshur me kostume popullore, me flamurin e Skënderbeut e të Ismail Qemalit.
“Grupe nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Arbëreshët, bëhen bashkë me më të mirat e Festivalit Mbarëkombëtar Folklorik të Gjirokastrës! 28 nëntori është dita e bashkimit!”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Në mesin e personaliteteve dhe të ftuarve të shumtë, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” me rastin e festës së 28 Nëntorit.
Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare, raporton Klan Kosova.
“Bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nga Vlora erdhëm në Prekaz e pas Prekazit do të shkojmë në Prishtinë, ku kemi një koncert të filarmonisë, pra edhe dje kur kishim ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike. Në të njëjtën kohë po zhvillohet në Prishtinë edhe një diskutim interesant, me dy panelistë për 28 Nëntorin, në njërën anë është deputeti Ardian Gola dhe në anën tjetër është historiani Durim Abdullahu. E nesër mbrëma, sepse nuk kemi mundur t’i kemi të gjitha aktivitetet më 28 Nëntor, do ta shfaqim edhe filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin përfundimtar të restauruar”, ka thënë Kurti.
Tutje, ai ka thënë se në këtë datë, përveç Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, kujton dhe përkujton edhe ditëlindjen e krye-komandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë të cilën e gëzojmë, e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale dhe qytetare”, ka shtuar ai.
Në fund ai lartësuar familjen Jashari në krye me Adem Jasharin, UÇK-në dhe të gjithë dëshmorët e kombit./klankosova/KultPlus.com
Presidenti Bajram Begaj ka organizuar një pritje në Pallatin e Brigadave në kuadër të 111-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit.
Në fjalën e tij, Begaj pati edhe një mesazh për politikën, duke i kërkuar që të gjejnë kompromisin për t’i shërbyer qytetarëve.
“Bëj thirrje për përfaqësuesit e shqiptarëve në Kuvend që kokulur të punoni për një Shqipëri që sundohet nga ligji, që ka prioritet të mirën e të gjithëve. Në jetën tuaj parlamentare të udhëhiqeni nga interesi kombëtar mbi dallimet ideologjike, nga kompromisi dhe jo nga konfrontimi, nga përgjegjësia për të ardhmen dhe dashuria për Atdheun”, tha Begaj.
Për kreun e shtetit, 28 Nëntori është ditë kujtese, teksa theksoi se Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit.
“28 Nëntori është dita e kujtesës dhe nderimet për të shkuarën dhe frymëzimin për të ardhmen. Sot është dita që të kujtojmë me mirënjohje sakrificën e shkruar me gjak të patriotëve shqiptarë. Një vend i vogël, aktor paqeje në marrëdhëniet ndërkombëtare, Shqipëria është para sfidave të ndërtimit të politikave strategjike brenda e jashtë vendit. Këto kanë të bëjnë së pari me përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve tanë dhe finalizimit të integrimit në familjen europiane. Zhvillimet më të fundit në arenën ndërkombëtare kanë treguar se paqja nuk është asnjëherë e sigurt dhe mirëqenia asnjëherë e mjaftueshme”, theksoi Begaj.
Presidenti bëri thirrje edhe për bashkëpunim sa më të ngushtë me Kosovën.
“Kemi fatin të kemi dy shtete shqiptare në rajon. Bashkëpunimi me Kosovën, në pozita të barabarta si dy shtete të një kombi, duhet të jetë sa më i ngushtë, simetrik dhe përplotësues”, u shpreh Begaj./ RTSH/KultPlus.com