Psikologu dhe profesori universitar, Fitim Uka, është përzgjedhur të jetë pjesë e bordit editorial të Revistës së Përgjithshme të Psikologjisë (Review of General Psychology – RGP), një botim i Divizionit të Parë të Asociacionit të Psikologëve Amerikan (APA).
Përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”, anëtarësimin në Revistën Psikologjike profesori Uka e ka quajtur nder dhe krenari të veçantë.
“Është nder i madh të jem pjesë e bordit editorial të Revistës së Përgjithshme të Psikologjisë (Review of General Psychology – RGP), një botim i Divizionit të Parë të Asociacionit të Psikologëve Amerikan (APA).
Krenari e veçantë të kem si afiliacion Universitetin e Prishtinës, i cili qëndron këtu krahas universiteteve më prestigjioze në botë.
Një tjetër shpërblim për punën time modeste dhe një hap i ri për ta lartësuar psikologjinë tonë”, ka thënë Uka përmes një shkrimi në rrjetin social “Facebook”./ KultPlus.com
Shahindere Bërlajolli është këngëtare e njohur shqiptare. Ajo lindi në Pejë në një familje e cila kishte vlera të profileve të ndryshme, me një reputacion dhe respekt shumë të veçantë për te qytetarët e vendit.
Arsimin fillor dhe të mesëm i kreu në vendlindje. Ndërsa më vonë vazhdoi edhe normalen e plotë për mësuesi.Viti 1959, ishte vit që Shahinderes i dha orientim për tërë rrjedhën jetësore. Në këtë vit, në moshën 13 vjeçare behet solistja e parë më e reja profesioniste në muzikën artistike popullore.
Sukseset e saj nga viti ’59 e tutje ishin marramendëse: fituese e pesëfishtë e festivalit më prestigjioz të asaj kohe “Akordet e Kosovës” prej ku doli me performancat e saj dhe hitet e radhës siç janë këngët: “Në zabel të erdha”, “Miriban”, “Kush ma i pari bani”, “Gajdexhiu”, “O bylbyl me pika-pika”, “Hajde dalim moj goce”Këngët e saj lanë një gjurmë të pashlyeshme në pasurinë e muzikës shqipe, të cilat edhe sot ripërpunohen nga këngëtarët më të njohur të vendit.
Pere Calders (1912-1994), i lindur në Barcelonë, botoi përmbledhjen e parë me tregime, El primer arlequf, më 1936. Kur shpërtheu Lufta Civile, u rekrutua si hartografist ushtarak në radhët e Republikanëve dhe pas fitorës së Nacionalistëve u mërgua për njëzet e tre vjet në Meksikë.
HEROIZMI I LUFTËS
Nga Pere Calders
Një ditë, në mes të betejës, u ndava nga shokët e mi dhe mbeta pa armë, i vetëm dhe krejtësisht i pashpresë. Madje u ndjeva i poshtëruar, ngase gjithçka dukej sikur po tregonte se me siguri unë s’do të luaja ndonjë rol jetësor në betejën që po vazhdonte të bënte kërdinë pa mua dhe me një potere dhe humbje jete nga e cila do t’ju rrëqetheshin flokët e kresë.
Qëndrova anës rrugës që të peshoja gjendjen e zhvillimeve kur, shih ti, një parashutist me një një uniformë njëmend të çuditshme u lëshua mu mbrapa meje. Nën pelerinë kishte një pushkë automatike dhe një biçikletë të palosshme, natyrisht të gjitha të maskuara mirë.
Erdhi drejt meje dhe me një theks të huaj shumë të fortë më pyeti:
‘A mund të më thuash të lutem a është kjo rruga për te bashkia e këtij fshatit të vogël?’.
(Javën e kaluar kishte qenë një fshat aty në afërsi).
‘Mos u bëj kaq hajvan’, i thashë. ‘Çdokush mund ta vërejë me kilometra se je armik dhe, nëse shkon te bashkia, do të të burgosin’.
Kjo e zuri gafil krejtësisht dhe, pasi që i kërciti gishtat me zemërim, u përgjigj:
‘E dija se s’do të mund t’i mendonin të gjitha, por çka posaçërisht më nxjerr sheshit?’.
‘Epo mirë, kjo uniformë është plotësisht e vjetëruar. Gjenerali ynë e ka larguar para dy vjetësh, duke thënë se kohërat kanë ndryshuar. S’do mend se nuk qenkeni të informuar mirë andej nga ana juaj’.
‘E kemi gjetur në një enciklopedi’, tha zymtshëm.
U ul mbrapa meje, duke mbuluar kokën, me gjasë me qëllim që të vriste mendjen më thellë. E shikova dhe i thashë:
‘Ajo që unë dhe ti duhet të bëjmë është të flasim shtruar. Nëse, si ti, do ta kisha një pushkë edhe unë, do të kishte me qenë ndryshe, por…’.
‘Jo’, tha ai. ‘Nuk është çështja ajo. Këtu nuk jemi në fushëbetejën e vërtetë dhe çkado që të dalë prej saj, s’do të njihet zyrtarisht. Ajo që ne duhet të bëjmë është të përpiqemi të kthehemi atje në betejë dhe, nëse na vjen mundësia, atëherë mund të luftojmë kundër njëri-tjetrit’.
U përpoqëm më shumë se dhjetë herë të rihynim në betejë, por një mur plumbash dhe tymi na ndalonte. Duke shpresuar të gjenim një hyrje, u ngjitëm te një kodër që shihte mbi gjithë skenën. Nga aty mund të shihnim se lufta po ecte para fuqishëm, bash ashtu siç do t’ua kishte ëndja gjeneralëve.
Armiku më tha:
‘Duke e parë nga këtu lart, kam përshtypjen e fuqishme se edhe nëse do t’ia dalim të arrijmë në betejë, me shumë gjasë do të jemi vetëm në gjysmë e saj’. (Luajta kokën në shenjë pajtimi). ‘E megjithatë unë dhe ti kemi një punë të lënë pezull’.
Ndjeva se kishte plotësisht të drejtë dhe sugjerova gjithë shpresë:
‘Si thua të rrihemi me grushte?’.
‘Jo, s’do të kryente punë as kjo. Ia kemi borxh kësaj ecurie njëfarë shkalle respekti, për hir të vendit tënd dhe timit. Është e vështirë’, tha ai, ‘përnjëmend e vështirë’.
Atëherë, duke menduar se kisha gjetur një zgjidhje, thashë:
‘E di, po pse të mos luajmë kokë a pilë? Nëse fiton ti, mund ta veshësh uniformën time dhe të më mbash për të burgosur; e nëse fitoj unë, ti do të jesh i burgosuri, pushka automatike dhe biçikleta do të më përkasin mua. Çka mendon?’.
U pajtua, luajtëm dhe fitova. Po atë pasdite, u ktheva në kamp, duke bartur pas vetes plaçkën time dhe kur gjenerali, shumë i kënaqur me punën time, më pyeti si do të doja të shpërblehesha, i thashë se, nëse s’do t’i prishte punë atij, do ta mbaja biçikletën.
/Marrë nga The Penguin Book of the Spanish Short Stories, 2021 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com
Baleti Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se shfaqja “Deadline” është krijimi më i ri i institucionit, që do të jepet premierë më 20 mars.
Shfaqja “Deadline”, e konceptuar nga Sead Vuniqi, është premiera e dytë e BKK-së për vitin 2025 dhe do të prezantohet para publikut në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë.
Sipas një njoftimi për media Balerinët e BKK-së janë në fazën intensive të provave, ku së bashku me koreografin Vuniqi dhe asistenten Diletta Antolini, po përgatisin çdo detaj të këtij projekti.
BKK ka ftuar të rezervohen datat 20 dhe 21 mars për të mos e humbur këtë krijim të ri të Baletit Kombëtar të Kosovës./ KultPlus.com
“Pueblo” ka botuar, të hënën e 19 qershorit 1961, në ballinë dhe në faqen n°8, intervistën ekskluzive asokohe me mbretin Leka I në shtëpinë e Dukeshës së Valencias, në Spanjë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :
Leka I, Mbreti i Shqipërisë, është kurorëzuar disa ditë më parë në një dhomë hoteli në Paris
Ai ndodhet në Spanjë, në shtëpinë e Dukeshës së Valencias.
*Kur forcat ruse hynë në Shqipëri dhe vendosën komunizmin, familjes mbretërore iu desh të kërkonte strehim jashtë vendit.
*Mbreti Zog, gruaja e tij dhe Leka i vogël jetonin duke u endur nëpër kombe të ndryshme. Së pari, në Kajro; më pas, me rrëzimin e Farukut, në kryeqytetet evropiane; së fundmi, Parisi.
*Me vdekjen e Zogut, Leka, djali i tij, trashëgoi fronin, duke u kurorëzuar në një dhomë të thjeshtë hoteli.
*Sot, Leka I pushon në Spanjë në shtëpinë-kala Aguilar që Dukesha e Valencias ka në Avila.
*Ai priti atje ekipin tonë të reporterëve në një intervistë unike dhe të veçantë për PUEBLO-n, e cila sot publikohet në “Faqja e pothuajse gjithçkaje që ndodh”.
Burimi : Pueblo, e hënë, 19 qershor 1961, ballinë dhe faqe n°8
E veçantë : Ai u kurorëzua disa ditë më parë në një dhomë hoteli në Paris
Leka I, Mbreti i Shqipërisë, po pushon tani në Avila, në shtëpinë e Dukeshës së Valencias. Ka mundësi që ai të ketë vendosur vendbanimin e tij në Spanjë.
Leka I, Mbreti i Shqiptarëve, i cili ndodhet në mërgim, jeton këto ditë në shtëpinë e fortifikuar të Aguilarëve. Ai është mysafir i Dukeshës së Valencias.
Emri i Lekës është versioni shqip i Aleksandrit. Lartmadhëria e Tij është njëzet e dy vjeç. Ai është këtu, përballë nesh, me lartësinë e tij të pamasë 2.04 metra, me shikimin e tij të qartë.
Mbreti i Shqipërisë ka veshur një kostum gri, kollare blu. Mban syze. Gjestet e tij janë serioze, të matura. Buzëqeshja e tij, e ëmbël.
Pikërisht dy muaj më parë, kur pranvera pushtoi Parisin, një grup besimtarësh shqiptarë, patriotësh, u takuan në një hotel pa emër. Ata burra të fortë, pasardhës të atyre malësorëve që me shekuj kishin mbrojtur atdheun, tani po bënin betimin.
Akti ishte i thjeshtë dhe solemnisht emocionues. Sapo kishte vdekur në Paris Mbreti Zog i Shqipërisë, i cili në mërgim përfaqësonte fatet e vendit; Dhe tani, ata, të mërguarit, u mblodhën rreth trashëgimtarit të tyre të vetëm : Lekës.
Në këtë dhomë të një hoteli pa emër do të shkruhej një pjesë e historisë së Shqipërisë. Aty do të bëhej ceremonia e kurorëzimit të Mbretit të ri. Që nga ato momente, shpresat e të gjithë patriotëve shqiptarë u përqendruan tek sovrani i ri Leka, njëzet e dy vjeç.
Një mbret i ri në ekzil
Kur forcat ruse depërtuan në Shqipëri dhe vendosën komunizmin atje, familja mbretërore duhej të kërkonte strehim jashtë vendit. Mbreti Zog, gruaja e tij dhe Leka i vogël u vendosën fillimisht në Kajro. Ata qëndruan atje deri në rrëzimin e Farukut nga froni. Më vonë, familja mbretërore e Shqipërisë ka jetuar në vende të ndryshme të Evropës, deri në vendosjen në Paris.
Leka, sundimtari aktual, studioi në El Caño, Gjenevë dhe Akademinë Ushtarake Sandhurst. Së fundmi, ai u diplomua në Shkenca Politike në qytetin universitar të Parisit.
Pra, Sovrani i ri, edhe në mërgim, ka marrë një edukim shumë të kujdesshëm për të marrë në kohën e tij fatet e vendit të tij.
Leka flet anglisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, arabisht. Ai është një sportist i ri. Praktikon kalërimin, tenisin, gjuetinë dhe të gjitha sportet ujore. Së fundmi, në makinën e tij sportive, ai ka thyer distancën Paris-Madrid në një rekord të vërtetë shpejtësie.
Sovrani i ri nga Shqipëria ka ardhur në Spanjë si mysafir i mbretit Simon të Bullgarisë.
— Ne jemi si vëllezër. — na thotë Madhëria e Tij. — Të dy jemi rritur jashtë vendit dhe e njohim dhimbjen e ekzilit.
Sot, sovrani i ri Leka po pushon në shtëpinë-kala Aguilar. Ai është i ftuari i një zonjëje të mrekullueshme dhe të lezetshme : Dukeshës së Valencias. Është ajo që na ka siguruar me dashamirësi këtë intervistë.
— Unë personalisht kam njohur mbretin e ndjerë Zogu dhe mbretëreshën, — thotë dukesha. Më prezantoi në Kanë kushëriri i tyre Konti i Toptanit. Edhe sovranët ishin mysafirë në jahtin tim “Geraldinë”.
Një vështrim i thellë përgjegjësie shfaqet në sytë e qartë dhe naiv të Sovranit të Shqipërisë. Ai ka përjetuar shumë kohët e fundit, ngjarjen e vdekjes së babait të tij dhe zgjedhjen e tij si Mbret i ardhshëm. Leka nuk merr pjesë në ballo, nuk merr pjesë në jetën shoqërore të monarkëve evropianë. Ai ka marrë përgjegjësinë për dramën e popullit të tij dhe shqetësimet e tij janë të drejtuara nga ky aspekt :
— Unë erdha në Spanjë dhe Portugali për të takuar krerët e tyre përkatës të qeverive. Më datë 15, pata një takim të rëndësishëm gjysmë ore me Shkëlqesinë e Tij, Kreun e Shtetit spanjoll. Unë e admiroj Gjeneralin Franko, sepse ai përfaqëson të vetmin bastion — me Oliveira Salazar-in — kundër komunizmit. Unë u largova me të njëjtin admirim që hyra në takim.
Të shtunën e kaluar, Sovrani i ri i Shqipërisë foli gjerësisht edhe me kreun e qeverisë portugeze. Ata kanë shkëmbyer rrëfime interesante.
— Ndoshta do të vendos rezidencën time të përhershme në Madrid. — na thotë ai.
Zemra e këtij Monarku të ri është e lirë. Leka nuk ka të fejuar dhe nuk ka plane për martesë në të ardhmen. Ëndrrat e tij, përgjegjësitë e tij fokusohen në fatin e popullit të tij.
— Kohët e fundit komunizmi shqiptar është ndarë nga ai sovjetik. Kjo na bën të kemi disa shpresa për të ardhmen. Aktualisht të gjitha partitë politike shqiptare që janë në mërgim janë bashkuar dhe i kanë fshirë dallimet. Unë përfaqësoj interesat e tyre. Ato e dinë se vetëm një Monark mund të përqendrojë të gjitha dallimet politike dhe të bashkojë përpjekjet për të arritur një Shqipëri të lirë dhe të bashkuar./ KultPlus.com
Thënie frymëzuese nga disa prej grave më të shquara të historisë.
Nëse është ide e mirë, vazhdoni bëjeni. Është shumë më e lehtë të kërkosh falje sesa të marrësh leje”.
(Grace Hopper udhëhoqi ekipin që krijoi përpiluesin e parë kompjuterik, u bashkua me Marinën gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe programoi kompjuterin Mark I)
“Nuk ka asnjë rrugë mbretërore të shtruar me lule drejt suksesit. Dhe nëse ka, unë nuk e kam gjetur, sepse nëse kam arritur diçka në jetë, e kam arritur sepse kam qenë e gatshme të punoj shumë”.
(Madam C.J. Walker shpiku një linjë të produkteve të kujdesit të flokëve për afrikano-amerikanet në vitin 1905 dhe përfundimisht u bë një nga gratë e para amerikane si milionere e bërë vetë.
“Është një gjë e çuditshme, por problemet imagjinare janë shumë më të vështira se ato reale”.
(Një reformatore sociale e përkushtuar për mirëqenien e të sëmurëve mendorë, Dorothea Dix loboi me ligjvënësit e Shteteve të Bashkuara dhe ata kanadezë, për të krijuar spitale shtetërore për të sëmurët mendorë.)
“Ndonjëherë mund të jem e gatshme të jap mësim falas, por nëse paguhem, unë kurrë nuk do të bëj punën e një burri, për më pak se paga e një burri”.
(Pasi punoi me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar gjatë vizitës në Evropë, Clara Barton loboi për një degë amerikane kur u kthye në shtëpi. Ajo themeloi Kryqin e Kuq Amerikan në vitin 1881)
“Lavdia e çdo brezi është të krijojë precedentët e vet.”
(Përveç se është gruaja e parë që argumentoi një çështje përpara Gjykatës së Lartë, Belva Lockwood kandidoi për presidente dy herë! Në fund të fundit, ligji ndalonte vetëm gratë që të votonin, jo që të merrnin vota).
“Unë kurrë nuk dyshova se të drejtat e barabarta ishin drejtimi i duhur. Shumica e reformave, shumica e problemeve janë të komplikuara, por për mua nuk ka asgjë të komplikuar në barazinë gjinore”.
(Një udhëheqëse në shtyrjen e të drejtave të votimit të grave, Alice Paul përfundimisht formoi Partinë Kombëtare të Gruas dhe u bë një figurë kryesore në miratimin e Amendamentit të 19-të).
“Puna e sotme është historia e së nesërmes dhe ne jemi krijuesit e saj.”
(Më shumë se 59 milionë gra janë bashkuar me Girl Scoutët e Amerikës që kur Juliette Gordon Low themeloi organizatën më 12 mars 1912).
“Nëse shoqëria nuk do të pranojë zhvillimin e lirë të gruas, atëherë shoqëria duhet të rimodelohet.”
(Gruaja e parë që mbaron shkollën mjekësore në Shtetet e Bashkuara – Kolegji Mjekësor i Gjenevës në Nju Jork – Dr. Elizabeth Blackwell më vonë krijoi një shkollë mjekësore veçanërisht për gratë në vitet 1860).
“Kauza e lirisë nuk është kauza e një race apo sekti, një partie apo një klase – është kauza e njerëzimit, e të drejtës së lindur të njerëzimit”.
(Në moshën 65 vjeçare, Anna Cooper u bë gruaja e katërt afrikano-amerikane që mori doktoraturë në Histori nga Universiteti i Parisit-Sorbonne në vitin 1924).
“Optimizmi është besimi që çon drejt arritjeve.”
(Helen Keller humbi shikimin dhe dëgjimin kur ishte vetëm një vjeç. Ajo u bë personi i parë i shurdhër dhe i verbër që u diplomua në Arte).
“Gjëja më e vështirë është vendimi për të vepruar, pjesa tjetër është thjesht këmbëngulje”.
(Amelia Earhart ishte një pilote amerikane, gruaja e parë që fluturoi vetëm nëpër Oqeanin Atlantik. Në vitin 1932, ajo gjithashtu u bë personi i parë që fluturoi përtej Atlantikut dy herë. Ajo u zhduk në vitin 1937).
“Akti më i guximshëm është ende që të mendosh për veten, me zë të lartë”.
(Coco Chanel është një nga emrat më të njohur në botën e modës. Ajo ndihmoi në revolucionarizimin e modës për gratë, duke e bërë të zakonshme të vishen për komoditet dhe jo vetëm elegancë).
“Pjesa më e madhe e lumturisë apo e mjerimit tonë varet nga prirjet tona dhe jo nga rrethanat”.
(Gruaja e Xhorxh Uashingtonit, Marta, ishte Zonjë e Parë para se të ishte gjë në modë; termi “Zonjë e Parë” nuk u bë i njohur deri shumë vite pas vdekjes së saj. Ndryshe nga shumë gra të tjera në fillim të shekullit të 18-të, Marta mësoi si të lexonte dhe të shkruante).
“Jeta zvogëlohet ose zgjerohet në përpjesëtim me guximin e njeriut”.
Anaïs Nin është një tjetër autore femër që kapërceu pengesat, lindur gati një shekull pas Evans / Eliot. E rritur në Francë nga prindër me prejardhje kubane, ajo përfundimisht u zhvendos në Amerikë. Atje, ajo do të fitonte lavdërime për tregimet e saj të sinqerta dhe ditarët, duke fituar çmimin “Gruaja e Vitit” të LA Times në vitin 1976. Ajo vdiq më 14 janar 1977.
Priceshë Diana
“Nëse gjen dikë që e do vërtet në jetë, atëherë kapu fort pas asaj dashurie. Nëse je mjaftueshëm me fat dhe gjen dikë që të do, po aq sa ti e do atë, atëherë duhet ta mbrosh atë dashuri”.
“Problemi më i madh në botë në ditët e sotme, është mungesa e tolerancës. Çdokush është intolerant me të tjetrët…”.
“Unë nuk dua dhurata të shtrenjta; Nuk dua të blihem me lekë. Kam gjithçka materiale që dua, por e kam edhe nevojën për të pasur për një person që të më qëndrojë pranë, që të më bëjë të ndihem e mbrojtur dhe e sigurtë”.
“Çdokush nga ne duhet ta shprehë se sa shumë përkujdesemi për njëri-tjetrin, dhe, në të njëjtën kohë, se sa shumë përkujdesemi ne për veten tonë”.
“HIV-i nuk i bën personat të rrezikshëm për t’i pasur pranë, ndaj shtrëngoja dorën atyre dhe dhuroji një përqafim. Një Zot e di se sa shumë kanë nevojë ata për këtë gjë”.
“Njerëzit mendojnë se në fund të ditës, të kesh pranë një mashkull është arritja më e madhe. Për mendimin tim, arritja më e madhe në fund të një dite është një punë e realizuar mirë”.
“Mendoj se sëmundja më e madhe, nga e cila bota ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë, është ndjesia e njerëzve se u mungon dashuria, ndaj unë e di se duhet të dhuroj dashuri për një minutë, për gjysmë ore, për një ditë, për një muaj etj. Ama unë e di se duhet të fal dashuri. Jam shumë e lumtur që e bëj këtë gjë. Unë dua ta bëj vazhdimisht këtë gjë”.
Isabell Allende
“Biblioteka banohet prej shpirtërave që dalin nga faqet e librave gjatë natës”
“Shkruaj atë që nuk duhet harruar”
“Sa më shumë jetoj, aq më e painformuar ndihem. Vetëm të rinjtë kanë një shpjegim për gjithçka”
“Pranoni fëmijët ashtu si pranojmë pemët – me mirënjohje, sepse janë një bekim – por mos kini pritshmëri apo dëshira. Nuk mund të presësh që pemët të ndryshojnë, ju i doni ashtu si janë”
“Nuk ka vdekje, bijë. Njerëzit vdesin vetëm kur ne i harrojmë”, më shpjegoi shkurt ime më, para se të ikte. “Nëse më kujton, unë do të jem me ty gjithmonë”
“Ne kemi vetëm atë që japim”
“Frika është e pashmangshme, këtë më duhet ta pranoj, por nuk mund ta lejoj që të më paralizojë”
“Nuk mund ta gjesh dikë, që nuk dëshiron të gjehet”
“Burri bën atë që mundet; gruaja bën atë që burri s’mundet ta bëjë”
“Fjalët nuk janë shumë të rëndësishme, kur dallon qëllimet”
“Ndoshta jemi në këtë botë për të kërkuar dashurinë, për ta gjetur dhe humbur, sërish e sërish. Me çdo dashuri, ne rilindim, dhe me çdo dashuri që merr fund, kemi një plagë të re. Unë jam e mbushur me plagë krenare”
“Ju jeni rrëfimtari i historisë tuaj, dhe ju mund të krijoni, ose jo, legjendën tuaj”
“Të shkruarit është një proces, një udhëtim në kujtesë dhe në shpirt”
“Kjo është për të qetësuar ndërgjegjen tonë, e dashur”, i shpjegoi ajo Blancas. “Por nuk i ndihmon të varfërit. Të varfërit nuk duan bamirësi; ata kanë nevojë për drejtësi” (Nga SHtëpia e shpirtrave)
“Nëse shkruaj diçka, kam frikë se do të ndodhë, dhe nëse dashuroj shumë, kam frikë se do ta humbas atë person; megjithatë, nuk mund të pushoj së shkruari, apo dashuruari…”
“Heshtje para se të lindësh; heshtje pasi vdes. Jeta është veçse zhurmë, në mes dy heshtjeve të padepërtueshme”. /KultPlus.com
Kohët e fundit në Tokio, një robot i drejtuar nga IA-ja u përkul mbi një burrë të shtrirë në shpinë dhe vendosi butësisht një dorë në gju dhe një tjetër në shpatull dhe e rrokullisi në anën e tij – një manovër e përdorur për të ndërruar pelenat ose për të parandaluar plagët në lëkurë tek të moshuarit, sipas “Reuters”.
Roboti humanoid me peshë 150 kg i drejtuar nga inteligjenca artificiale i quajtur AIREC është një prototip “kujdestar” i ardhshëm për popullsinë që po plaket me shpejtësi të Japonisë dhe mungesën kronike të punonjësve të kujdesit për të moshuarit.
“Duke pasur parasysh shoqërinë tonë shumë të avancuar të plakjes dhe rënien e lindjeve, ne do të kemi nevojë për mbështetjen e robotëve për kujdesin mjekësor dhe të të moshuarve, dhe në jetën tonë të përditshme”, tha Shigeki Sugano, profesori i Universitetit Waseda që drejton kërkimin e AIREC me financim qeveritar.
Japonia është vendi më i plakur në botë me një normë lindjeje në rënie dhe me politika kufizuese të imigracionit.
“Numri i foshnjave të lindura në 2024 ra për të nëntin vit radhazi, me 5% në një nivel të ulët rekord prej 720 988″, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë ne Japoni.
Në një institucion në Tokio, një robot me madhësi kukulle, ndihmon një punonjëse kujdesi duke kënduar këngë Pop – dhe duke iu bërë banorëve ushtrime të thjeshta ndërsa ata qëndrojnë shtrirë.
Megjithëse robotët humanoidë si Optimus i Teslës po zhvillohen për të ardhmen e afërt, Sugano tha se robotët që mund të ndërveprojnë fizikisht me njerëzit do të kërkojnë saktësi dhe inteligjencë të nivelit tjetër.
“Robotët humanoidë po zhvillohen në mbarë botën. Por ata rrallë vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Ata thjesht bëjnë punët e shtëpisë”, tha Sugano, i cili është gjithashtu president i Shoqatës së Robotikës të Japonisë.
Roboti AIREC është i aftë të ndihmojë një person të ulet ose të veshë çorape, të gatuajë vezë të skuqura, të palos rrobat dhe disa detyra të tjera të dobishme në shtëpi.
Por, Sugano nuk pret që AIREC të jetë gati për përdorim në kujdesin infermieror dhe objektet mjekësore deri në vitin 2030 dhe me një çmim të lartë prej jo më pak se 10 milionë jen (67,000 dollarë), si fillim. /KultPlus.com
Waseda University professor Shigeki Sugano talks about AIREC, an artificial intelligence (AI)-driven humanoid robot, at the university’s laboratory in Tokyo, Japan February 17, 2025. REUTERS/Kim Kyung-Hoon
Shqipëria si vendi i nderit i ITB Berlin 2025 prezanton evente, diskutime dhe përvoja gjithëpërfshirëse nën sloganin “All Senses” në panairin që nis të hënën e 3 marsit dhe përfundon të enjten më 6 mars.
Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në tre ditët e këtij panairi global të turizmit dhe ceremoninë e hapjes më 3 mars.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë do të prezantojë buqetën e ofertave turistike të vendit nga data 4 deri më 6 mars 2025.
Përmes një axhende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.
Axhenda e plotë e panairit
E martë, 4 mars
Në orën 10:30, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi, do të jenë me operatorët turistikë shqiptarë për takim përshëndetës dhe një foto grupi.
Në orën 13:30, Shoqata Shqiptare e Agroturizmit fton vizitorët për ngjarjen ekskluzive “Një Shije e Shqipërisë – Verë dhe Tradita”.
Nga ora 14:30 deri në 15:00, do të mbahet diskutimi “Eksplorimi i Shqipërisë përmes Turizmit Aktiv”, i moderuar nga gazetari e udhëtimeve Alex Crevar ku do të mbajnë fjalën e tyre Ilva Gjuzi, Zëvendësministre e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë dhe Dr. Sonja Kurz, Drejtoreshë e GIZ Shqipëri.
Në orën 15:00, performanca “Meloditë e Metropolis: Shpirti i Qyteteve të Shqipërisë” do të çojë vizitorët në një udhëtim muzikor përmes melodive dhe ritmeve të njohura të peizazheve urbane të Shqipërisë.
Në orën 15:30, do të zhvillohet një panel diskutimi me titull “Shqipëria: Porta në Zhvillim e Turizmit të Evropës Juglindore”.
Nga ora 16:00 deri në 16:30, “Arti i Elegancës: Vallja si një Kërcim i Hijeshisë” nga Albanian Night do të performojë valle tradicionale nga rajone të ndryshme të Shqipërisë, duke theksuar lëvizjet dhe rëndësinë kulturore të tyre.
Në orën 16:30, një përvojë gjithpërfshirëse e artit e titulluar “Bukuria e Traditës është ‘Gruaja’” nga Galeria e Artit Digjital e Korçës dhe Space 05 Tirana do të prezantojnë produkte tradicionale “Made in Albania” përmes një ekspozite vizuale dinamike.
Dita do të përfundojë në orën 17:00 me një “Happy Hour dhe Eksperiencë Koktejlesh All Senses”, duke ofruar një përvojë
mikes të frymëzuar nga bregdeti shqiptar, kuruar nga Marina Beats dhe profesionistët e Akademisë l’Artisan.
E mërkurë, 5 mars
Në orën 11:00, prezantohet TEA (Kalendari digjital i eventeve turistike të Shqipërisë), një instrument i ri digjital i krijuar për të promovuar turizmin kulturor në Shqipëri.
Në orën 11:30, “Shqipëria 2025 –Fronti i Ri i Investimeve në Europë” do të prezantojë një panoramë të peizazhit të investimeve në Shqipëri, me pjesëmarrjen e folësve si Elira Kokona, Drejtuese e Korporatës Shqiptare të Investimeve, Laura Saro, Drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, dhe Hans-Jürgen Wittmann, Korrespondent në Ballkanin Perëndimor i Gjermanisë për Investimet dhe Tregtinë.
Në orën 12:00, “Një Udhëtim Kulinar Mesdhetar” do të shfaqë një show të drejtpërdrejtë gatimi nga shefat e Restoranit Mandarine në Marina Bay, duke zbuluar shije autentike shqiptare.
Në orën 15:00, “Agroturizmi, Tradita dhe Folklori” do të jetë një diskutim me pjesëmarrjen e Anila Denaj, Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rurale. I moderuar nga Armando Muça nga Albanian Night, dhe Sofjola Kotelli, përfaqësuese e GIZ Shqipëri, ky aktivitet do të zhysë vizitorët në traditat, folklorin dhe mikpritjen e pasur të Shqipërisë.
Nga ora 15:30 deri në 16:15, “Shqipëria: Shkëmbimi Kulturor si Themel për një të Ardhme të Qëndrueshme” do të bashkojë ekspertë për të diskutuar rolin e shkëmbimit kulturor në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit, me pjesëmarrjen e Sofjan Jaupaj, Zëvendësministër i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, dhe Elvis Kotherja, Drejtor i Menaxhimit të Elite Travel Albania.
Në orën 16:30, vizitorët mund të provojnë një degustim verërash shqiptare, nën shoqërinë e tingujve të serenatave korçare, performuar nga Albanian Night.
E enjte, 6 mars
Nga ora 11:00 deri në 11:30, “Visit Gjirokastra” do të zbulojë se si kjo zonë udhëheq përpjekjet e menaxhimit të destinacioneve të Shqipërisë si model i vendit për Organizatën e Menaxhimit të Destinacionit (OMD) dhe Kompaninë e Menaxhimit të Destinacionit (KMD).
Në orën 11:30, një panel disktuimi me titull “Inovacioni Tani: Peizazhi i Mrekullueshëm i Shqipërisë Inovative” do të
eksplorojë ekosistemin e start-up-eve të vendit dhe rolin e tij si një qendër në rritje e inovacionit.
Në orën 12:00, Shoqata Shqiptare e Agroturizmit fton vizitorët për “Një Shije të Shqipërisë”, një eksperiencë kulinarie interaktive që ofron specialitete lokale me statusin e Treguesit Gjeografik (GI) dhe Specialitete Tradicionale të Garantuara (TSG).
Nga ora 14:00 deri në 14:15, do të shfaqet dokumentari “Peeping Tourist – Një Udhëtim Përtej Perdes së Ndaluar”, që paraqet transformimin e Shqipërisë nga një enigmë e fshehur nën Perden e Hekurt në destinacionin e tanishëm shumë të dëshiruar nga turistët, me plazhe të pastra, male madhështore dhe histori të pasur.
Në orën 14:30, do të zhvillohet paneli i diskutimit “Përtej Turizmit Tradicional: Shqipëria në Objektivin e Nomadëve Digjitalë”, i moderuar nga Arlind Haxhiaj nga Coolab & C4Communities, i cili do të zbulojë pse Shqipëria është bërë një destinacion i preferuar për punonjësit e largët që e vizitojnë, rikthehen dhe zgjedhin të qëndrojnë.
Së fundi, nga ora 15:00 deri në 15:30, do të shfaqet konkursi fotografik Wanderlust in Albania, i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit të Shqipërisë, që do të zbulojë imazhet dhe videot më të mira promocionale të vendit, duke theksuar bukurinë natyrore dhe vibrimin kulturor të Shqipërisë përmes lentes së fotografëve kombëtarë e ndërkombëtarë.
Aktivitete të tjera në Hapësirat e Panairit të ITB Berlin: Prezantime dhe Panele Kyç
E martë, 4 mars
Në orën 11:40, Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro Furxhi, do të përfaqësojë Shqipërinë në Panelin e Tryezës së Rrumbullakët të Konventës së ITB Berlinnë Stendën Portokalli në Sallën 7.1a.
Në orën 13:00, vizitorët mund të përjetojnë një homazh artistik për lumin Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, në hyrjen jugore. Performanca live “Pëshpërimat: Melodia e Natyrës në Këngën e Shqipërisë” do të jetë një himn për bukuritë natyrore të Shqipërisë përmes melodive të këngëve të lashta shqiptare.
E mërkurë, 5 mars
Në orën 10:30, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi do të mbajë një fjalim hapës në Konventën e ITB Berlin,
në skenën blu, në sallën 7.1b, duke shënuar hapjen e seksionit të Destinacioneve.
Në orën 10:30, performanca “Pëshpërimat e Dhimbjes: Zërat e Isopolifonisë” nga Albanian Night do të shfaqë thellësinë emocionale të Isopolifonisë të Shqipërisë, një sit i Trashëgimisë Kulturore të njohur nga UNESCO.
Nga ora 13:00 deri në 15:00, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro Furxhi do të marrë pjesë në Samitin e Ministrave: “Rritja e Investimeve, Sigurimi i Paqes: Shfrytëzimi i Rritjes, Formësimi i Të Ardhmes” në CityCube Berlin, dhe do të diskutojë iniciativat globale të turizmit.
Në orën 14:00, gjithashtu në skenën Blu të Konventës në Sallën 7.1b, në Sesionin e Destinacioneve do të mbahet një diskutim me pjesëmarrjen Sofjan Jaupaj, Zv/ministër i Turizmit dhe Mjedisit.
Të enjten, nga ora 15:30 deri në 16:10, në Stendën e Farit në Sallën 4.1b do të mbahet një diskutim mbi “Turizmin e Aventurës nën Rrugën e Çiklizmit Trans Dinarica“. Korridori kulturor, i cili lidh Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, do të theksohet si një iniciativë kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Ballkanin Perëndimor. Folësit Jan Klavora, Drejtor i Përgjithshëm i Trans Dinarica dhe Alex Crevar, Menaxher Kulturor i Trans Dinarica, do të diskutojnë ndikimin e projektit në komunitetet lokale dhe turizmin rajonal./ KultPlus.com
Kampioni sovjetik i shahut botëror, Boris Spassky, i famshëm për duelin e tij me amerikanin Bobby Fischer në vitin 1972 gjatë Luftës së Ftohtë, vdiq në moshën 88-vjeçare, tha Federata Ruse e Shahut.
“Një personalitet i madh ka ndërruar jetë, breza shahistësh kanë studiuar dhe po studiojnë lojërat dhe punën e tij. Kjo është një humbje e madhe për vendin”, tha presidenti i Federatës Ruse të Shahut, Andrei Filatov.
I lindur në vitin 1937 në Leningrad, tani Shën Petërburg, ai ishte veçanërisht i talentuar duke u bërë kampion bote për të rinjtë në moshën 18-vjeçare.
Ai mësoi të luante shah në moshën pesëvjeçare në një jetimore, pasi arriti të ikte nga Leningradi me familjen e tij, i cili ishte viktimë e një rrethimi të tmerrshëm nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pas luftës, stili i tij agresiv i lojës pa frikë nga sakrifica u vu re nga bashkëmoshatarët e tij dhe u inkurajua nga shteti, i cili i siguroi një bursë studimi dhe një trajner.
Pasi la një përshtypje të fortë, ai u la për pak kohë në hije nga një figurë tjetër në rritje në shahun sovjetik, Mihail Tal, “magjistari i Rigës”.
Vetëm në vitin 1961 ai bëri një rikthim të jashtëzakonshëm duke fituar kampionatin e BRSS, përpara se të mundte bashkatdhetarin e tij Tigran Petrossian në 1969 për të marrë titullin botëror.
“Unë kurrë nuk i vura vetes synimin për t’u bërë kampion bote. Gjithçka funksionoi vetë. Unë po përparoja me hapa të mëdhenj”, shpjegoi Boris Spassky në 2016./ KultPlus.com
Shqipëria është xhevahiri i Ballkanit dhe një destinacion në rritje në industrinë evropiane të turizmit, shkruan Dilvin Yasa në të përditshmen australiane “Escape”.
Ndoshta, nuk e keni zbuluar ende bregdetin verbues të Shqipërisë prej 476 kilometrash që shtrihet në detet Adriatik dhe Jon – apo peizazhin e saj malor që përfshin 12 parqe kombëtare dhe gjashtë vende të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Vizitorët do të përjetojnë pushime të paharrueshme falë ndërthurjes së parezistueshme të autenticitetit dhe përballueshmërisë së Shqipërisë.
“Turizmi në këtë vend të vogël po rritet me ritme marramendëse, duke u renditur i katërti globalisht në vitin 2023 për numrin më të madh të vizitorëve ndërkombëtare”, sipas të dhënave nga Turizmi i OKB-së.
Kryeqyteti i gjallë, Tirana – me ndërthurjen e arkitekturës nga epokat osmane, fashiste dhe komuniste dhe atraksionet e çuditshme, si bunkerët bërthamorë dhe muzeu i fshehtë i mbikqyrjes – ofron pikënisjen e një turneu 11-ditor.
Se bashku me grupin tonë prej 16 vetash, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga BM-ja ne zbuluam vendin me “Explore Highlights of Albania”.
Udhëheqësi ynë i turneut, Arben Kola, fillimisht na njohu historinë, kuzhinën dhe kulturën e vendit, duke na premtuar se udhëtimi ynë deri në kufirin grek dhe kthimi përgjatë Rivierës Shqiptare në destinacionin tonë përfundimtar, Krujë, do të ishte sa argëtues aq edhe informues.
Pas një turneu në qytet drekuam në oborrin e një ferme – ku na shërbyen byrek me spinaq dhe djathë dhe raki rrushi.
Më tej, udhëtuam me teleferikun e “Dajti Ekspres” nëpër parkun kombëtar të mbushur me arinj, drerë dhe ujqër.
Ne, gjithashtu vizituam Qendrën Botërore Bektashiane – shtëpia e një sekti islamik dervish; muret e kalasë së Elbasanit dhe fshatin e qetë të Linit.
Më pas, u nisëm për në Pogradec, në brigjet e liqenit të Ohrit – liqeni më i vjetër, më i thellë dhe më i larmishëm në Evropë.
Përpara se të kalonim në Qendrën Kulturore të Korçës, ku rrugët me kalldrëm rrotulloheshin rreth pazarit të vjetër osman – ndaluam në një nga restorantet buzë detit – që tregtonin peshk të freskët koran (troftë), duke na lejuar të festonim si “mbretër”. (Gjithashtu, shpenzuam rreth 90 cent për një byrek, 1 dollar për një gotë raki dhe 4 dollarë për një pjatë me qofte).
Riviera Shqiptare, në bregun jugperëndimor të vendit, përgjatë detit Jon është një nga “Yjet” më pak të njohura të Mesdheut.
Pasi shijuam disa ditë në Gjirokastrën piktoreske, qytetin e vjetër të trashëgimisë botërore – ne udhëtuam drejt Rivierës dhe shijuam notin në blunë verbuese të plazhit të Jalës pranë Himarës; eksploruam rrënojat e lashta të Butrintit – i cili në kohë të ndryshme ka qenë një koloni greke, një qytet romak dhe një peshkopatë.
Më pas, bëmë një shëtitje rreth ujërave të pastra të Syrit të Kaltër, një burim natyror me një nuancë të fortë blu.
Riviera Shqiptare ofron më shumë se 300 ditë me diell në vit dhe plazhe magjepsëse dhe shëtitore ku mund të shijoni rrezet e diellit. Për më tepër, vendi ka çmime dukshëm më të lira.
Në fund të udhëtimit tonë, vizituam pyllin aromatik me pisha të Parkut Kombëtar të Llogorasë, eksploruam qytetin antik të Apolonisë – i themeluar në vitin 585 para Krishtit – dhe shijuam verërat e Beratit – ku shtëpitë e bardha osmane duken të grumbulluara rreth lumit Osum.
Gjithashtu, ne eksploruam gjithashtu qytete si Vlora dhe Durrësi dhe disa atraksione aty pranë.
Deri në përfundim të turneut në Krujë, ne kishim zbuluar liqenet, malet, plazhet, kështjellat dhe rrënojat antike të vendit. /KultPlus.com
Poeti Xhevahir Spahiu feston sot 80-vjetorin e lindjes. Ai u lind më 1 mars të vitit 1945, në Malind.
Studioi në fakultetin histori-filologji, dega gjuhë-letërsi shqipe. Që nga viti 1968 punoi si gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, redaktor në revistën “Nëntori”, mësues dhe libretist në Teatrin e Operas e Baletit në Tiranë. Është i nderuar me çmimin “Migjeni” dhe është fitues i çmimit të parë në konkursin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut.
“Poetët e përmasave të Spahiut janë një bekim për një komb, e të gjithë ne jemi me fat që një mjeshtër i penës si Spahiu, vazhdon të na frymëzojë dhe emocionojë me vargjet dhe poezitë e tij”, kishte vlerësuar Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.
Me rastin e 75-vjetorit të tij, Spahiu u nderua nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” me motivacionin: “Poet, që me krijimtarinë e tij, u bë pararendës i një brezi krijuesish që solli në poezinë shqipe ndryshime cilësisht të spikatura në formë e përmbajtje dhe guxoi t’i japë asaj dimensione të denja për letërsitë e mëdha, qytetar dhe intelektual që ka sfiduar me dinjitet kohën e vet”./ KultPlus.com
Ju kujtova të gjithave juve që them se ju desha që nga m’ë hershmja gjer tek e vona, atë që ish e paputhura, atë që ish virgjëresha, atë që ish moll’ e sherrit e pelë e harbimeve tona.
Atë qe flijoi për tre grosh dashurizën e parë atë që briroi fill pas muajit të mjaltit nën mua atë që nguroi n’udhëkryq djall a engjëll të marrë atë që kuptoi që s’e desha, që sapo i thashë “Te dua”
Ja, po më ngjan sikur ngrihi nga heshtja e honeve të ndryshme, të shumta si ngjyrat, si zogjtë ju fluturuat mbi prushin epshor të pasioneve donit të ngroheshit, pendet e bukura dogjtë
Vjen perëndisht edhe ti që të desha së pari pikëz e artë, flurorja, si rreze e përthyer mbi lotë të shtrij e të shkoj përmbi buzë sërish si dikur një fill bari ti nis këndon edhe qan: Dashuria bën xhiro në botë!
Prap unë u desha pa ty ti prapë u puthe pa mua erdhën pas teje të tjera, shuan ç’rindizet e digjet erdhën, po s’hyri askush gjer në pronat e tua mes njëri tjetrit shkon lumi që ndan e bashkon të dy brigjet
Zbriti dhe suta e Veriut mbrriti edhe krrilla prej Jugut unë i pranova të gjitha, të gjitha,të gjitha toka, grua beronje, palluar prej plugut qan kur s’ngarkohet me pemë qesh kur mbulohet me drithra
Ja, ku po vjen dhe m’e vona, mjellma e fundit mjellma e fundit brymuar nga vjeshta hirin hënor të flijimit kalimthi ma shkundi brymën e ikjes pa kthim më brymoi përmbi vjersha
Unë kështu dimëroj gjer në flirtet e vona herë i rishuar, herë i rindezur, sa mund jam gati cdonjë ta ridua sikur t’ish vërtet Dezdemona pastaj ta harroj si një libër qe s’mund ta lexosh gjer në fund. /KultPlus.com
Sot, janë bërë 215 vite nga lindja e kompozitorit Frédéric Chopin.
Frédéric François Chopin konsiderohet gjerësisht si një nga kompozitorët më të mëdhenj në historinë e muzikës klasike. I lindur në Poloni në 1810, Chopin filloi të luante piano në një moshë të re dhe shpejt tregoi talent të jashtëzakonshëm. Ai studioi muzikë në Varshavë dhe më vonë në Paris, ku jetoi pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur.
Muzika e Chopin është e njohur për elegancën, ndjeshmërinë dhe shkëlqimin teknik. Ai shkroi kryesisht për piano, dhe kompozimet e tij karakterizohen nga meloditë e tyre lirike, lulëzimi virtuoz dhe kompleksiteti harmonik. Shumë nga pjesët e tij, të tilla si “Nocturnes” e tij të famshme, janë shumë emocionale dhe ndjellëse, duke kapur një sërë humoresh dhe ndjenjash.
Muzika e Chopin ishte shumë me ndikim në zhvillimin e periudhës romantike në muzikën klasike, dhe ai shpesh konsiderohet një figurë kryesore në lëvizje. Veprat e tij ishin gjithashtu një burim frymëzimi për kompozitorët e mëvonshëm, duke përfshirë Debussy dhe Ravel.
Gjatë gjithë jetës së tij, Chopin luftoi me shëndetin e dobët, duke përfshirë tuberkulozin, i cili përfundimisht çoi në vdekjen e tij të parakohshme në moshën 39-vjeçare. Megjithatë, pavarësisht jetës së tij të shkurtër, trashëgimia e tij si kompozitor ka qëndruar dhe muzika e tij vazhdon të interpretohet dhe të festohet. Sot ai mbahet mend si një nga kompozitorët më novatorë dhe më me ndikim në historinë e muzikës klasike. / KultPlus.com
Luçio Dalla, një lloj versioni pop i Pier Paolo Pasolinit. I njëjti funksion profetik dhe civil. E njëjta dashuri, për atë që dikur quhej popull (dashuri, domethënë aftësia për ta kuptuar e kënduar). E njëjta aftësi, për t’u hedhur në përleshje. Këngët e Dalës, si një basoreliev i përhershëm që inkuadron dhe parashikon, rigjeneron dhe lidh të gjitha kryqëzimet vendimtare të gjysmës së dytë të shekullit XX, duke e përhapur mbështetjen edhe në zonat në hije, ndjenjën e përbashkët, ndryshimin e trupave, miteve, mentaliteteve.
Periudhat e ndryshme të Dalës, fëmijëria në “Zecchino d’oro” (imazhe të paçmuara), më pas me Roberto Roversin në tekstet (këtu bëhet lidhja me Pasolinin), domethënë i vetëm, por gjithmonë në marrëdhënie të ngushtë me publikun, si një kantier në qiell të hapur, që pasqyron rrugën antropologjike dhe shoqërore të vendit tonë në një përzierje të vazhdueshme të stileve, përfshirë ato muzikore.
Ndërsa luftrat dhe mjerimet, trenat dhe terrorizmi, krenaria e punëtorëve dhe fisnikëria fshatare, garat me makina dhe intervistat me Agnellin, shfaqen pareshtur në ekran. Është kurorëzimi i metodës aq personale dhe produktive, që regjisori i “Martin Eden” dhe “Bukuroshja e humbur”, ka ndjekur që nga punimet e tij të para. Është prova, se në arkivat audiovizive ka thesare të fshehura të inteligjencës, informacione dhe poezi, për ata që janë në gjendje t’i gjejnë, t’i mbledhin dhe t’i bëjnë, pak a shumë, të këndojnë. Së fundmi, është shpagimi i një personazhi të lënë në hije nga vetë suksesi i tij, i varrosur me të gjitha nderimet, për t’u harruar aty për aty edhe pse i famshëm në të gjallë.
Të flasësh për Luçio Dalën, do të thotë të flasësh për një nga gjigantët e muzikës italiane.
Kantautori dhe muzikanti i njohur bolonjez, për gati tri dekada na ka dhënë këngë të panumërta të mbarsura me poezi, me ironi dhe njerëzi. Në kërkim të vazhdueshëm për stimuj dhe horizonte të reja, ai hyri gjithë kureshti dhe eklektizëm në zhanret më të larmishme muzikore, duke bashkëpunuar dhe duke na dhënë duete të mrekullueshme, me jo pak artistë me famë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Krijimtaria e bollshme artistike ka kaluar nëpër faza të shumta: nga beat generation në eksperimentime ritmike dhe muzikore, deri te kantautor, për të arritur deri në kufijtë e muzikës operistike dhe lirike. Dala ishte mbase, eksperimentuesi më i madh i muzikës italiane. Kantautor eklektik, muzikant i kompletuar, kurioz, gjithnjë përpara konkurrencës, gjithmonë duke kërkuar stimuj të rinj, ai lindi një muzikant xhaz dhe vdiq si një yll pop, duke u shtrirë në çdo fushë të artit muzikor dhe më gjerë.
Dala nga të paktit, Dala prekës, Dala vështrimbukur, një vështrim që humbiste çdo ditë diçka. Nëse mbyllte sytë, ai e dinte: ylli i perferisë…
Në komunikimin e tij, me një ambicie tejet personale, me një gjuhë që tashmë në vitet 1970, ai e përcaktonte si “mesdhetare”, Luçio Dala dukej gjithashtu, se trashëgonte një nga parimet e letërsisë mesjetare, sa pak egoist dhe sa i aftë të prekte gjithkënd me mprehtësi: “Në thelb, nuk jam rastësi”, do deklaronte, vetë kantautori: “Unë besoj thellësisht te njeriu, më interesojnë veçanërisht, problemet e njeriut. Probleme të cilat, mund të jenë të miat, si individ, ndaj besoj, se jam si të tjerët”./ KultPlus.com
Ajo që ndodhi dje në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë në Uashington në takimin midis presidentit amerikan Trump dhe atij ukrainas Zelenjskyt, përkundër dialogut të ashpër midis presidentit amerikan dhe atij ukrainas si dhe arrogancës që tregoi Trampi në raport me arritjen e një marrëveshjeje paqësore që niset mbi kompromiset që sjell raporti i forcave, siç janë ato në dobi të Rusisë, pa u përmendur shkaku i luftës (agresori) por interesi që ajo të ndalet, me ç’rast presidenti ukrainas u kundërpërgjigj se nuk do të pranojë paqen përmes kapitulimit, gjë që solli edhe largimin e tij nga Shtëpia e Bardhë, përkujton një rast të ngjashëm, nga prilli i vitit 1990 kur pas dëshmive të delegacionit të shqiptarëve në Këshillin për të drejta të njeriut, në Senatin Amerikan, nënkryetari i paritisë Republikane, Robert Dol, kërkoi të takohej sy më sy me dr Rugovën, atëherë kryetar i LDK-së dhe Dobrica Qosiqin, autor i Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave, i cili ishte në krye të procesve që po çonin te shkatërrimi i Jugosllavisë.
Këtu po sjell një pjesë të kësaj bisede te Robert Dolit me Qosiqin dhe Rugovën, kur ai pas mospajtimeve me Qosiqin atij iu kërcënue se do të shkatërrohet Jugosllavia, ndërsa gjuhës pajtuese të Rugovës iu përgjegj me premtimin se do të kenë ndihmën amerikane deri te fitoja po qe se luftojnë me mjete paqësore për liri, demokraci, bazazi dhe qytetërim perëndimor…
Pra, takimi përfundoi me largimin (dëbimin) e njëanshëm të Qosiqit nga zyra e Robert Dolit… Dy vite më vonë, në maj të vitit 1992, Dobrica Qosiq u zgjodh kryetar i Jugosllavisë, ndërsa Rugova president i parë i Kosovës. Kërcënimi i Dolit ndaj Qosiqit doli të jetë i njëmndt: me shkatërrimin e Jugosllavisë nga bombardimet e NATO-s, siç ndodhi edhe çlirimi dhe krijimi i shtetit të Kosovës, pavarësia e të cilit u shpall më 17 02 2008.
PREMTIMET DHE KËRCËNIMET E ROBERT DOLIT DR RUGOVËS DHE QOSIQIT
Dëshmitë para Këshillit për të Drejtat e Njeriut të Senatit amerikan, kishin pasur rëndësi të dyfishtë. Sepse, na i kishin hapur dyert që të priteshim në institucionin më të njohur dhe më të fuqishëm të sistemit demokratik amerikan, dhe njëherësh, si subjekt politik ishim barazuar me atë serb, me çka për herë të parë do t’i jepet drita e gjelbër ngritjes së çështjes së Kosovës në nivelin e një preokupimi ndërkombëtar, pra që ajo nxirrej nga “kompetenca” e brendshme serbe ku rëndom shihej.
Edhe pse do të kalojë bukur kohë që kjo kthesë të zyrtarizohej, mund të thuhet se praktikisht efektet e saj janë hetuar edhe nga ne e edhe nga vetë Beogradi, prej nga dilte fare qartë se në njërën anë, nuk do të jenë në gjendje që problematikën e Kosovës ta mbajnë jashtë ndërkombëtarizimit të saj, dhe në tjetrën anë, do ta kuptojnë se epilogun e saj do ta ndikojnë amerikanët.
Mesazhet e këtij përcaktimi do të kenë rast t’i marrin menjëherë si gjatë dëshmive para Këshillit të Senatit nga demonstrimi i admi-nistratës amerikane, edhe gjatë shfaqjes së Rugovës në rolin e dëshmitarit t’i jepej tretmani i liderit të shtetit, e edhe pas mbarimit të saj, kur senatori Robert Dol, në kabinetin e tij, do të kërkojë që të bisedonte për së afërmi me Rugovën dhe mua si dhe Qosiqin dhe peshkopin serb, që e kishte me vete. Ndonëse me senatorin Robert Dol, kishim pasur rastin të bisedonim paradite, kur na kishte pritur bashkërisht në Senat dhe na kishte uruar qëndrim të këndshëm në SHBA, dhe me këtë rast kishte lavdëruar përcaktimin tonë për demokraci, duke theksuar rolin prijës të LDK-së që duhej ta kishte në këtë lëvizje, ftesa e paparaparë për një bisedë të përbashkët me serbët në kabinetin e tij ishte më shumë se një gjest falënderimi për dëshmitë e bëra, që edhe është i kup-tueshëm në raste të tilla. Dhe, përnjëmend doli se senatori Robert Dol, pasi që paraprakisht me vëmendje kishte dëgjuar ato që do të thuhen nga të dy anët, kishte shqetësimin rreth thellimit dhe të ashpërsimit të krizës, ngaqë, si tha, fjala ishte për përcaktime dia-metralisht të kundërta, ku në njërën anë shfaqej opsioni paqësor i shqiptarëve me kërkesat për barazi, demokraci dhe kthim kah Perën-dimi, që i theksoi si të drejta dhe të pranueshme dhe në përputhje me frymën e ndryshimeve demokratike që kishte filluar të përfshinte vendet e lindjes, dhe në tjetrën anë shfaqej qëndrimi serb, si e quajti antidemokratik, meqë refuzon demokracinë si vlerë universale dhe mbështetej mbi të drejtën historike, e cila ishte e papranueshme.
Fjalët e Robert Dolit nuk do t’i pëlqejnë Qosiqit. Mezi do të presë t’i jepej fjala. Do të thotë se Serbia ishte e ballafaquar me rrezikun e separatizmit shqiptar, që tha se ishte i vjetër dhe synonte shkatërrimin e integritetit të saj. Shtoi se Kosova për Serbinë paraqet djep, shenjtëri dhe rrënjët e qenies së saj dhe fjalë të ngjashme nga ato që tashmë kishte thënë dhe pasqyruar edhe në Memorandumin më të ri të akademikëve serbë, ku ai mbante autorësinë.
Senatori Dol, ia ndërpreu fjalën me ato që do t’i thotë se as në programin e LDK-së as në çfarëdo prononcimi të shqiptarëve nuk i kishte rënë të shihte tjetër pos kërkesave për liri, barazi, demokraci dhe Perëndim.
“Shqiptarët, madje shfaqen edhe si mbrojtës të Jugosllavisë, por si të barabartë. Andaj, prej nga i merrni, zotëri, këto kërcënime?”, do t’i drejtohet Qosiqit.
“Nga sjelljet e tyre… Nga ato që ata bëjnë çdo ditë kundër nesh atje, kundër varreve tona, kundër shenjtërve tanë… Nga të gjitha….” Me teatralitet tha se në Kosovë rrezikohet qenia serbe, rrezikohej krishterimi perëndimor dhe vlerat e tij…
Rugova deshi të ndërhyjë, por ishte senatori Dol, i cili iu drejtua Qosiqit me pyetjen si e shihte zgjidhjen e problemit shqiptar atëherë? Me mjete demokratike, kur këtë e kërkojnë shqiptarët haptas, apo ndryshe?
Qosiqi sikur u zu ngushtë nga pyetja. Deshi të vazhdonte aty ku kishte mbetur dhe bëri me dorë nga dosja që kishte me vete, pjesë të së cilës kishte lexuar edhe pak më parë, e ku shqiptarët akuzoheshin në mënyrën më të vrazhdët dhe me të pavërteta që kishte sajuar propaganda serbe prej vitesh, por senatori nuk e la të kthehej andej.
“Pyetja është e drejtpërdrejt dhe fare e thjeshtë: do ta pranoni demokracinë apo jo?”
“Populli serb nuk mund të pranojë kurrfarë ndryshimesh qofshin ato edhe demokratike, që mund t’ia ndryshojnë pozitën nga ai shtet-formues në atë të pakicës. Kemi derdhur si shumë gjak gjatë këtyre pesëqind vjetëve të fundit që ta pranojmë një rrënim të tillë…” “Pra, nuk pranoni demokracinë?” “Nuk pranojmë asgjë që do të thotë vetëshkatërrim… Kjo është e drejtë e secilit popull… Kjo është në përputhje edhe me ligjet e natyrës…”
“Kjo më mjafton, zotëri… Për ju nuk vlejnë ligjet e civilizimit por ato të natyrës?!… “ Qosiqi bëri që të thoshte edhe diçka por nuk iu lejua nga Doli.
“Nëse vazhdoni kështu do ta rrezikonin Jugosllavinë dhe vetë Serbinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pranojnë dhunën si alternativë të demokracisë, e aq më pak si mjet mbrojtjeje për qëllime shtetmëdha…”
Pastaj na u drejtua neve.
“Do të mbeteni në kursin e filluar edhe pas gjithë kësaj që dëgjuat?”
Rugova, pa një pa dy tha:
“Kërkojmë liri, barazi, demokraci dhe botën perëndimore, zotëri…”
“Amerika është në anën e atyre që kërkojnë liri, demokraci dhe barazi…”
Robert Doli nuk foli tjetër. U ngrit dhe me këtë dha shenjë se takimi kishte marrë fund. Qosiqi sikur dëshironte të fliste edhe diçka, por ishte sekretaresha e senatorit, një kroate-amerikane e cila hapi derën dhe po na priste që të na përcillte më tutje. Senatori me çehre të prishur mezi sajoi fjalinë me të cilat na dëshirohej qëndrim i këndshëm në Amerikë dhe u kthye në kabinet. Sekretaresha e senatorit na foli diçka në një kroatishte tepër artificiale të përzier me anglishte dhe na përcolli deri te pjesa ku tashmë demonstrativisht prisnin përcjellësit e Rugovës të gatshëm ta merrnin. Qosiqi na dha dorën ftohtas, ndërkohë që Rugova me atë buzë-qeshjen e varur që kurrë nuk dihej se a paraqet kënaqësi apo hidhërim, i tha se do të dëshironim të shiheshim në rrethana kur që të dytë do të jenë njësoj të kënaqur.
“Kjo nuk do të ndodhë kurrë”, ia ktheu Qosiqi dhe bashkë me peshkopin që i shkonte pas si hije u larguan në pjesën e majtë të korridorit, ku i priste një zyrtar përcjellës.
Dhe duke i shikuar si po largoheshin se si m’u duk se korri-doreve të Senatit amerikan ata kishin lënë atë thirrjen për luftë, që para dy vitesh na e kishte bërë të ditur për herë të parë poeti Millan Komneniqi me rastin e takimeve të shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd.
(Shkëputje nga libri “Vitet e Gjermanisë”, botua dhjetor 2024, FAQE 249-246)/ KultPlus.com
Specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore realizuan një verifikim në terren në fshatin Rreja e Velës, pas një njoftimi për gjetje rastësore nga një banor i zonës.
Në majën e një kodre u identifikuan rrënojat e një fortifikimi, me pllaja të vogla të rrethuara nga shpate të thikta në lindje, jug dhe veri, ndërsa ana perëndimore ka një terren më të butë. Vendgjetja ndodhet në Kodra e Qytezës, 10 km larg Rubikut, në një lartësi prej 475 m.
Në veriperëndim të fortifikimit ndodhen rrënojat e një kulle rrethore, ndërsa në jugperëndim vërehet një linjë muri i rrënuar. Fortifikimi mendohet të ketë pasur funksion mbrojtës ose shërbente si pikë vëzhgimi për kontrollin e territorit.
IKTK do të vijojë proceset e dokumentimit, studimit dhe konservimit të këtij fortifikimi në fazat e ardhshme. Gjithashtu, do të realizohet një vëzhgim sipërfaqësor arkeologjik për të kuptuar lidhjet e fortifikimit me territorin përreth. / KultPlus.com
Në Kuvendin Zgjedhor i Komitetit Paralimpik të Kosovës (KPK), të mbajtur në Prishtinë, delegatët votuan unanimisht për presidente të KPK-së edhe një mandat katërvjeçar Njomza Eminin, e cila drejton KPK-në që nga viti 2011.
Gjatë udhëheqjes së saj, KPK-ja ka shënuar suksese të mëdha, duke kulmuar me anëtarësimin e KPK-së në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe në Komitetin Paralimpik Evropian. Po ashtu, falë angazhimit të saj dhe mbështetjes nga stafi dhe partnerët, Kosova viti që shkoi ka debutuar në Lojërat Paralimpike Paris 2024.
Me përkushtim të vazhdueshëm, Emini ka punuar për ngritjen e lëvizjes paralimpike në vend, duke siguruar mbështetje nga institucionet dhe partnerët privatë për zhvillimin dhe promovimin e sportit për personat me aftësi të kufizuara.
Gjatë këtij Kuvendi, delegatët votuan edhe për zgjedhjen e zëvëndspresidentit dhe anëtarëve të Bordit. Në postin e zëvëndëspresidentit të lëvizjes paralimpike në Kosovë u rikonfirmua Daut Tishuki, ndërkaq anëtarë të bordit u zgjodhën: Drilona Islami, Rinor Ymeri, Flutura Beka, Grevist Bytyqi, Murat Murati, Diana Hoti, Ganimete Morina, Avni Kelmendi, Adelina Emini dhe Driton Muharremi./ KultPlus.com
490 gra kanë përfunduar procedurën e parë të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e njohur si IVF në Gjinekologjinë e QKUK-së. Kjo procedurë zgjat me disa faza, fillimisht, përpunohen analizat dhe bëhet një klasifikim se cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it.
Për t’ia mundësuar çifteve kosovare që duan të bëhen prindër përmes kësaj metode. QKUK-ja është duke siguruar të gjitha preparatet e nevojshme, përfshirë këtu edhe hapjen e tenderimit për sigurimin e preparateve hormonale që shërbejnë për stimulimin e pacientëve.
Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK për Ekonomia Online thotë se kanë përfunduar fazën e parë të këtij procesi që është diagnostikimi i pacientëve.
“IVF apo siç themi ne faza e fërtilizimit të asistuar mjekësor ka filluar me trajtimin apo diagnostikimin e pacientëve që nga mesi i dhjetorit. Shërbimi i IVF-it zgjat disa periudha, nuk është procedurë që kryhet me një intervenim, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, pra jemi në fazën e parë të diagnostikimit dhe përpunimit të pacientëve. Në fazën e parë merren pacientët në ambulancat specialistike diagnostikohen, përpunohen, shikohen analizat dhe bëhet një klasifikim cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it. Deri në këtë fazë i kemi dikund 490 pacientë të cilët janë diagnostikuar dhe kanë mundësi për ta bërë intervenimin me IVF. 250 të tjerë janë në pritje, pra është një numër i madh që kanë kërkesa për procedura të IVF-it”, thotë Ndrejaj, teksa tregon edhe për fazat tjera që e presin një paciente. Por për ta bërë këtë, nevojiten disa preparate për të cilat thotë se janë në proces të tenderimit. Këto preparate janë hermonale dhe nevojitet që pacientët të stimulohen”.
“Pas fazës së parë, fillojmë me fazën e dytë që është faza e intervenimit apo stimulimit të vezorëve për ta bërë procedurën intervenuese. Faza e dytë do të fillojë posa të sigurohen të gjitha preparatet që janë disa preparate hormonale që kanë nevojë pacientët për stimulim, jemi në proces të tenderimit të preparateve që pritet brenda javës të sigurohen dhe të fillohet me rastet e para të stimulimit, pastaj vjen faza intervenuese apo faza e transferit të qelizave të barrësimit. Pra është një procedurë e IVF-it që zgjat disa javë ose muaj, kështu që nuk ka asnjë vonesë në zhvillimin e IVF-it”, u shpreh Ndrejaj.
Krahas diagnostikimit të 490 pacientëve të parë edhe 250 gra tjera janë në pritje për diagnostikim. Ndrejaj thotë vonesat janë normale pasi vetë procesi kërkon kohë.
“250 gra janë në pritje për diagnostikim dhe përpunim, ndërsa 490 gra u është dhënë ‘drita e gjelbër’. Tash janë caktuar terminët dhe presim preparatet që kanë shkuar përmes listës esenciale. Në momentin që jemi të gatshëm, ne do të fillojmë edhe me stimulimin, por nuk ka ngecje në zhvillim të procedurave të IVF-it”.
“Krejt mandej varet prej pacientit, pra përpunohet me terapi hormonale, ndoshta zgjat 10-14 ditë faza e trajtimit me terapi hormonale, sepse të gjithë pacientët nuk munden me pas veprimin e njëjtë hormonal. Nëse është veprimi i kënaqshëm, merret qeliza, bëhet barrësimi jashtë dhe bëhet transferi te pacientja. Edhe kjo fazë merr disa javë, pra është procedurë që zgjat pak”, thotë Ndrejaj.
Ndrejaj thotë se mosha deri në 42 vjeçe për gratë që duan t’i nënshtrohen IVF-së, është caktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare.
“Mosha do të jetë e përcaktuar mbi 42 vjeçare për shkak me u dhënë përparësi atyre grave që pritet suksesi më i madh tek to. Të gjithë do të provohen aty ku kemi mundësi por janë disa raste që mosha e përcakton që pa donatorë mbi moshën 42 vjeçare është problem të arrihet një shtatzëni pa ndonjë donator. Pra janë disa kritere që neve na detyrjnë që ta bëjmë këtë përpunim të pacientëve por jo me dëshirën tonë, por do të bazohemi në procedurat operative standarde”, thotë ai.
Në QKUK, ky shërbim do të ofrohet falas dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro./KultPlus.com
Më 1 dhe 2 mars 1992 shënohet data kur u krijua Referendumi për Autonomi Politike e Territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën, kur u bë deklarimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës për dy opsione: për Autonomi (politike e territoriale) në Serbi, dhe për bashkim me Kosovën.
Para disa vitesh shqiptarët e Luginës së Preshevës në vigjilje të shkatërrimit të RSFJ –së me anë të Referendumit u deklaruan për autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Organizimi i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të 1992 ishte dhe mbetet rezultati më i rëndësishëm i dy partive të para politike, PVD dhe PDSH, që dy vite më parë kishin filluar me organizimin e pavarur politik të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
Në Kuvendin për organizimin e Referendumit, së bashku me përfaqësuesit PVD –së dhe PDSH –së, ishin ftuar dhe morën pjesë shumica e delegatëve shqiptarë të Kuvendeve Komunale të Preshevës dhe Bujanocit. Karakterin gjithëpërfshirës Referendumit ia siguroi edhe organizimi i tij jo vetëm në të gjitha vendbanimet e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, por edhe në shumë qytete të Zvicrës, Gjermanisë dhe shtete tjera evropiane.
Nga distanca disa vjeçare, sot mund të veçohet rëndësia e madhe e Referendumit jo vetëm se për herë të parë popullata shqiptare e deklaroi publikisht vullnetin e saj politik, por edhe më i rëndësishëm ishte fakti se ky vullnet politik i shprehur në rrethana të shkatërrimit të një sistemi shtetërorë, ofronte opsionet politike për zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Gjatë vitit 1991- 1992 në tri komunat e Luginës se Preshevës: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë u ngrit kjo iniciativë për formimin e partive politike dhe shoqatave qytetare me motiv për te mbrojtur dhe ngritur zërin e shqiptareve të këtij rajoni. Më 16 shkurt të vitit 1992 në Preshevë u mbajt Kuvendi i përberë prej 96 delegateve të cilët ishin përfaqësues të partive politike dhe të shoqatave të dala nga shqiptaret e tri komunave: Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë.Me shumicë votash u propozua për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën.
Në këtë kuvend u propozuan tre opsione: Autonomi territoriale-politike, autonomi administrativo- kulturore dhe për autonomi territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën. Më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 u organizua Referendumi gjithëshqiptare nga Lugina e Preshevës për këto tri komunat të cekura më lartë. Me deklaratën për autonomi territoriale me të drejtë të bashkimit me Kosovën. Iniciativa ishte e popullit që shtypej përditë e më shumë dhe e vetmja mënyrë ishte zgjidhja e madhe e referendumit që pati jehonë i cili la gjurmë për të ardhmen si argument demokratik. Mos demokratizimi i Serbisë ishte pengesë e Referendumit .Pankartat për ftesë të popullatës u hoqën nga policia serbe, nuk lejoheshin reklamat dhe ftesa e qytetarëve ishte pengesë e madhe nga qeveria serbe.
U hapen 75 vendvotime në shtëpia private dhe lokale po ashtu private, dhe për dy ditë dolën në votime qytetarët, pasi ditën e parë u penguan nga policia serbe. Radhët e qytetarëve ishin të mëdha për votime. Dolën mbi 46.000 votues. 98% e popullatës iu përgjigjen versionit pozitiv dhe Referendumi u vlerësua i suksesshëm. Edhe pse më 12 mars 2001 u nënshkrua teksti i marrëveshjes për armëpushim, më 7 maj u morr vendimi për çmilitarizimin e UÇMBP dhe marrëveshja e paqes u nënshkrua më 21 maj 2001 ajo nuk u përmbushë në praktikë, nuk u respektua nga ana serbe./ KultPlus.com
Sot shënohet dita ndërkombëtare për zero diskriminim, ku bëhet thirrje për t’i dhënë fund diskriminimit dhe për të kremtuar diversitetin, tolerancën dhe gjithëpërfshirjen.
Diskriminimi është trajtimi i personave në situata analoge në mënyrë të ndryshme, ose trajnimi i njëjtë i personave në situata të ndryshme, pa justifikim objektiv dhe të arsyeshëm.
Që nga fillimi i njerëzimit, diskriminimi, qoftë në një formë, qoftë në tjetrën ka paraqitur problem. Diskriminim është bërë gjithkund ndaj njerëzve autoktonë dhe ndaj minoriteteve, diskriminimi ndodh ndaj fëmijëve, femrave të cilat trajtohen si qenie njerëzore më pak të vlefshme, njerëzve të infektuar me HIV/AIDS, kundër atyre që kanë të meta fizike dhe psikike, si dhe kundër atyre me orientime të tjera seksuale. Kjo shfaqet madje edhe në fjalorin tonë të përditshëm, përmes së cilit ndonjëherë, me qëllim ose pa qëllim e veçojmë veten nga të tjerët.
Diskriminimi shfaqet në aq shumë forma, sa që mund të supozojmë se secili në njëfarë forme dhe sasie ka qenë i prekur nga diskriminimi. Prandaj, vetëdijesimi për këtë çështje është esencial për ta përballuar atë në mënyrë efektive. /KultPlus.com
Ekspozita “Persekutimi komunist i hartuesve të alfabetit shqip dhe familjarëve”, është organizuar nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik – Prishtinë. Kjo ekspozitë e veçantë do të mbahet më 3 mars, ora 11:30, në hollin e Institutit Albanologjik.
Gjatë ekspozitës do të prezantohen fakte të panjohura më parë mbi persekutimin komunist të hartuesve të alfabetit shqip dhe familjeve të tyre. Do të shfaqen fotografi dhe dokumente të pazbuluara më parë mbi këtë tematikë.
Kjo ekspozitë është prezantuar më parë në disa vende brenda Shqipërisë, si dhe në Manastir me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit. Po ashtu, më 28-30 janar, 2025, është shfaqur në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, nën kujdesin e Ambasadës Shqiptare në Maqedoninë e Veriut.
Me këtë rast, do të bëhet edhe nënshkrimi i memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Albanologjik-Prishtinë dhe Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Tiranë./express/KultPlus.com
Më 23 shkurt të vitit 1848, njëri ndër shkrimtarët më të shquar shqiptar Jeronim de Rada, botoi në Napoli të Italisë gazetën e parë shqiptare, shkruan KultPlus.
Gazeta mbane emrin ‘L’Albanese D’Italia’ (Shqiptarët e Italisë)
Me këtë ai themeloi hapat e parë të shtypit kombëtar. Gjithashtu më 1883, ai botoi revistën e parë në gjuhën shqipe “Flamuri i Arbërit”. / KultPlus.com